Autorja tetë vjeçare Sindi Muharremi do të promovoj librin e saj të parë me poezi “Arushi prej pelushi”, i cili doli në shitje këto ditë. Libri ndodhet në librarinë “Artini” në Prishtinë.
Sindi tregon
se ka filluar të merret me poezi që në moshën 7 vjeçare, ku ka trajtuar jetën
reale të saj në përgjithësi, duke e përdorur nga pak edhe imagjinatën e saj.
Poezi në këtë libër vogëlushja i ka kushtuar edhe këngëtares Dua Lipa, pasi që është këngëtarja e saj e preferuar. Shtëpia botuese e këtij libri është “Zero print”. Recensent i librit është prof.Vjollca Dibra si dhe redaktor prof. Xhevat Syla, ndërsa ballinën dhe ilustrimet i ka realizuar Flamur Krasniqi. Ky libër gjithsej përmban 49 poezi. Promovimi i librit do të mbahet më 29 mars, në ora 11:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës./KultPlus.com
Flautistja Entela Demi, në mbrëmjen e së hënës është prezantuar me koncert nën përcjelljen e orkestrës simfonike të Akademisë së Arteve në Tiranë, shkruan KultPlus.
Ky koncert është
prezantuar nën dirigjimin e Petrika Afezolli, ku Entela Demi është prezantuar
me koncert për flaut dhe orkestër në ne D-dur – C.
Entela Demi deri më tash është prezantuar në disa koncerte, ku për prezantimet e saj disa herë edhe është shpërblyer, si në ARS Kosova, në garat ndërkombëtare “Pjetër Gaci”, në Shkodër. Ajo poashtu ka marë pjesë edhe festivalin DAM, sikurse edhe në prezantime të tjera brenda dhe jashtë Kosovës./KultPlus.com
Nëpërmjet artit arrin të sqarosh shumë më tepër se me fjalë të zakonshme. Arti është dashuri dhe dashuria është bashkëshortja. Së paku kështu Bob Marley ka menduar.
Ai ka ditur të dashurojë dhe e ka ndier dashurinë. Edhe ndaj botës, por posaçërisht ndaj bashkëshortes. Dhe në mënyrë të përsosur ka sqaruar se si duhet dashuruar ato:
“Mbase nuk do t’i jesh mashkulli i parë, as i fundit, as i vetmi. Ka dashuruar para teje dhe mbase do të dashurojë edhe pas teje. Mirëpo, nëse tani të dashuron, vallë a ka qenë diçka tjetër më e rëndësishme?
Ajo nuk është e përsosur – por as ti nuk je. Dhe ju të dy mbase kurrë nuk do të jeni bashkërisht të përsosur, mirëpo nëse ajo mund të të bëjë të qeshësh, të detyron që dy herë të mendosh, të pranosh që është qenie njerëzore dhe që gabon, qëndro pranë dhe jepi asaj sa më shumë që mundesh.
Mbase nuk do të mendojë për ty çdo sekondë gjatë ditës, mirëpo do të të japë një pjesë të vetes për të cilën e di që mund t’ia thyesh – zemrën e saj. Prandaj mos e lëndo, mos e ndërro, mos e analizo dhe mos prit më shumë se që ajo mund të të japë.
Qesh kurdo që të bën të lumtur, bëri me dije se të çmendë dhe të mungon kur nuk të është afër”. /Telegrafi/ KultPlus.com
Instituti Demokratik Kombëtar (NDI), ka organizuar ngjarjen vjetore “Java e Grave”, ku u diskutua për Integritetin e proceseve politike në nivelin lokal.
Me këtë rast, u theksua se Kosova ka mangësi në angazhimin e grave në proceset vendimmarrëse dhe duhet angazhim më i madh që kjo të funksionalizohet.
Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se në Kosovë gjithmonë i është kushtuar avancimit të rolin të grave ku, sipas tij janë larguar shumë tabu, ndërsa tha se sfidë mbetet bartja e trashëgimisë në pronë që po ka probleme.
“Ideja e kuotës, në fillim e padrejtë, mirëpo tash është kthyer në normë e cila vazhdimisht po respektohet. Shpresoj që gjitha partitë politike të ruajnë rolin që femra të përfaqësohet”, tha ai.
Ambasadori Amerikan, Philip Kosnett u shpreh se fuqizimi i grave nuk është vetëm punë e grave, por është përgjegjësi e të gjithëve. Duke folur për rolin e grave në shoqërinë kosovare, diplomati amerikan tha se rreth 50 për qind e popullatës në Kosovë po pengohen në shoqëri duke mos qenë pjesë e proceseve vendimmarrëse.
“Kur njerëzit e dëgjojnë fjalën integritet, mendojnë ndershmërinë, por ekziston dhe një fjalë tjetër që ka të bëjë me bashkimin, paanshmërinë, plotësinë. E Kosova nuk është e plotë, 50 për qind e popullatës së saj pengohet në shoqëri. Kur gratë janë pjesë e procesit vendimmarrës, rritë produktivitetin e një vendi. Kur gratë shërbejnë në qeveri, ato janë më pak të korruptuara. Gratë në Kosovë po bëjnë gjëra të mëdha”, tha ai.
Ambasadori Kosnett i kërkoi kryeministrit Haradinaj, që rreth 50 përqind të kabinetit të tij të jenë gra.
Ndërsa, gjyqtarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Donikë Dobruna, u shpreh e lumtur me angazhimin e saj. Duke përmendur sundimin e ligjit në Kosovë, tha se ai duhet të jetë më efikas dhe i pavarur. / KultPlus.com
Teatri i Qytetit të Gjilanit do të mirëpres shfaqjen “Vrapo pas gruas tënde” nga Ray Cooney dhe me regji të Ekrem Sopit, përcjellë KultPlus.
Shfaqja në qendër të saj ka një taksist londinez i cili menaxhon
në mënyrë perfekte dy martesa super sekrete të tij, me dy gra të ndryshme, pa e
kuptuar ato për njëra – tjetrën, derisa një akt heroizmi i këtij
“bigamisti” kërcënon të nxjerrë në pah fluskat e së vërtetës.
“Vrapo pas gruas tënde” është një super
komedi e një nate pranverore bashkë me dhjetëra situata sa qesharake aq edhe të
komplikuara.
Në këtë shfaqje luajnë: Njomëza Kalaveshi, Gani
Rrahmani, Tringa A. Hasani, Alban Shahiqi, Ernest Zymberi, Gëzim
Bucolli dhe Naser Zymberi
Skenograf dhe kostumet janë realizuar nga Bekim Korça,
ndërsa përkthimi dhe adaptimi është bërë nga Shkelzen Berisha.
Shfaqja vjen premierë më 29, 30 mars në Teatrin e Qytetit të Gjilanit, me fillim në ora 20:00. / KultPlus.com
Facebooku ka lëshuar një njoftim të rëndësishëm ku njoftuar se ka fshirë disa llogari duke përshirë edhe Kosovën.
“Sot kemi fshirë 2632 faqe, grupe dhe llogari që përfshiheshin në sjellje joautentike të koordinuar në Facebook dhe Instagram. Operacionet që gjetëm ishin të lidhura me Iranin, Rusinë, Maqedoninë dhe Kosovën. Nuk kemi gjetur ndonjë lidhje mes këtij vargu aktivitetesh, por ato kanë përdorur taktika të ngjashme duke krijuar rrjete llogarish për t’i mashtruar të tjerët mbi atë se kush ishin apo çka po bënin”, është shkruar në njoftim.
Sipas njoftimot Facebook po i fshinë këto faqe dhe llogari bazuar në sjelljen e tyre, e jo në përmbajtjen që postonin.
“Në secilin rast, njerëzit pas këtij aktiviteti u koordinuan me njëri tjetrin dhe përdorën llogari të rreme për të prezantuar në mënyrë të rreme veten, dhe kjo ishte baza jonë për veprim”, thuhet në njoftim shkruan forbes./KultPlus.com
Duket sikur ai fatum-i (μοiρα) antik grek i ka përgatitur një jetë të tillë, sepse ndryshe nuk ka mundësi të jetë e vërtetë. Vetëm zotat mitikë mund ta projektojnë një vuajtje kaq të përbotshme. Një vuajtje kaq e madhe, një dramë e tillë mund të luhet vetëm në teatrin e madh të Dionisit. Por, ja që një dramë e tillë, e që për skenë ka zemrën e një gruaje, luhet në çdo çast tash e përgjithmonë. Nuk është se zotat ia sajuan një fat të tillë, jo, ishin njerëzit të cilët kësaj gruaje ia futën në gji zjarrin e vuajtjes dhe të mjerimit. Njeriu është kafsha më mizore që kam hasur në tokë, në sytë dhe në zemrën e kësaj gruaje kjo frazë merr përmasat e një të vërtete absolute. Pothuajse askush si ajo nuk do t’mund ta kuptojë deri në afsh mizorinë që mund t’i sjellë njeriu njeriut. Sot, për të jeta është një barrë, kurse vetmia përditshmëri. Dikur e rrethuar me më të dashurit e saj, kurse sot e mbështjellë me një boshllëk sikur nata që lëshohet në një det të paanë. Duket sikur kjo grua në shpirtin e saj, përveç dhimbjes, mban edhe mëkatet e gjithë njerëzimit, jo vetëm të atyre që ikën, por edhe të atyre që ende nuk kanë lindur. Protokolli i saj shpirtëror sikur ecën mbi dy shina që nuk takohen kurrë: në njërën anë dhimbja dhe ngushllimi në deficit, kurse në anën tjetër poshtërsia që nuk njeh dhimbje. Në këtë kontekst, po ta parafrazojmë Heraklitin, atëherë do të thoshim se këtu: të vdekurit janë bashkë në botë, kurse të gjallët janë veç.
Aq e heshtur është shtëpia sa që ke ndjenjën se do të shurdhohesh nga një heshtje e tillë. Kujtimet ajo i ruan me fanatizëm, nuk lejon që t’i humbasin apo t’ia marrë ndokush, sepse ajo e di mirë çka do të thotë të humbësh, e sidomos t’i humbësh të gjitha. Prandaj, një njeri që i ka humbur të gjitha, nuk lejon me asnjë çmim që kujtimet t’i veniten. Malli për të shoqin dhe katër djemt e saj është një mall që i tejkalon limitet e çdo imagjinate, kurse mërzia thurë dalëngadalë rrjetën e dëshpërimit. Ferdonije Qerkezi është pasqyrë jo vetëm e jona, por pasqyrë e gjithë njerëzimit. Prania e saj e heshtur në mesin tonë, ne na bën të papranueshëm në gjamën e saj. Vuajtja që ia shkaktuan dikur të tjerët dhe që sot po ia shkaktojmë ne, është shprehur mjaft qartë në filmin e shkurtër dokumentar të regjisorit Gazmend Bajri dhe Shkurte Dauti. Filmi flet për 24 orët nga jeta e kësaj gruaje. Ritmi i jetës së saj shkon në drejtimin e kundërt me ritmin e shoqërisë në të cilën ajo bën pjesë. Përderisa shoqëria kosovare vrapon drejt së ardhmes, Ferdonija gërmon në të kaluarën, sepse atje është jeta e saj, atje janë ditët e lumtura. Kurse, e tashmja tash e 20 vjet është dhimbje, pritje, vetmi. Ajo siç rrëfen tash e dy dekada, po të njëjtin rrëfim e jep edhe në këtë film dokumentar, se si ndodhi atë natë të 27 marsit 1999, kur nga forcat policore serbe para syve të saj iu morën burri dhe katër djemtë. Një jetë me plotë mundime dhe gëzim për t’i rritur katër fëmijë, dhe në një natë pa hënë ia morën, për të mos iu kthyer kurrë. Ajo natë për Ferdonijen zgjat edhe sot, sepse ajo natë për të është e pambarim. Çasti kur ia rrëmbyen të dashurit e saj, për të ka mbetur çast i amshueshëm. Një momentet prekës në këtë film, është çasti, kur nëna Ferdonije shkon te varrezat. Aty janë pesë varre, në dy prej të cilëve prehen mbetjet mortore (Artanit – djali i madh dhe Edmondit – djali i vogël), dhe tri varret e tjera që janë të zbrazta, po aq sa është e zbrazët tani jeta e Ferdonijes. Monologu i saj me këto varre, është një moment i trishtimit. Të ngjall një neveri deri në gërditje për sojin njerëzor. Kur e sheh këtë grua pranë atyre varreve, thjesht të vjen keq nga vetja pse je njeri. Kjo është ana se çfarë i bënë të tjerët kësaj gruaje.
Kurse, ana tjetër është se çfarë i bëmë ne asaj. Për ta kuptuar se si u sollëm ne me të, mjafton ta dëgjojmë momentin kur Ferdonija i drejtohetbashkëshortit të saj (Halimit). Ajo i tregon se si vëllezërit e tij u sollën me të: Vllazit e tu u ndanë krejt prej meje. Për ç’atë tokë… Tokën me da, e mu me m’qit n’sakak. Këto pak fjalë të kësaj gruaje me zemër të thyer, e tregojnë saktësisht atë që është mbjellë nëdër breza në shoqërinë tonë. E tregon varfërinë shpirtërore, që edhe kur kemi një dhimbje kaq të madhe, ata të cilët i njohim dhe i thërrasim si të afërm, hapin edhe një varr, u bëjnë edhe një vrasje të dytë atyre të vdekurve. Nanën e katër fëmijëve, që nuk i ka më, ne e hedhim n’sokak si një leckë. Kur është fjala për të grabitur një grusht dhé, ne nuk brengosemi se kjo grua nuk ka se ku ta hedhë një grusht dhé, i ka mbetur në dorë tash e njëzet vjet. Këto fjalë të Ferdonijes, na shpërfaqin edhe neve si shoqëri. Ajo para një varri të zbrazët i flet burrit të vet, e që në fakt na zhvesh neve, moralisht na lë cullak. Në krahasim me atë se çfarë ajo thotë, thjesht ne si shoqëri jemi disa kufoma të gjalla që sorollatemi në këtë varr gjigant. Çfarë do t’i themi vetes dhe të tjerëve?! Ndoshta do të ishte mirë që kësaj nëne (dhe përmes saj, të gjitha nënave) t’i kërkonim falje për atë që u bëmë edhe atëherë kur nuk bëmë asgjë. Mbase, ajo ka kujt t’i rrëfejë (sic!), por ne çfarë kemi për të rrëfyer. Ferdonije Qerkezi jeton e vetmuar, me mungesën e më të dashurve të saj që ia mori lufta, kurse ne jetojmë me mungesë të ndërgjegjes dhe në vetminë e bollëkut që na e solli liria. Prandaj, ky film dokumentar, është më shumë se një film, është jeta e një gruaje. Tridhjet minutat e këtij filmi, janë tridhjet minutat që për ne dhe të gjithë njerëzimin nuk do të përfundojnë asnjëherë: drama e një gruaje që shpërfaq ndërgjegjen e munguar të njeriut. / Sbunker / KultPlus.com
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke prezantuar risitë e aplikacionit “Tirana Ime”, bëri të ditur edhe një të dhënë që ka të bëjë me numrin e shtetësive që jetojnë sot në Tiranë. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Brendshme, ai tha se sot në Tiranë jetojnë apo punojnë qytetarë nga 131 nacionalitete të ndryshme.
“Tirana është sot shtëpi e 131 nacionaliteteve dhe kombësive. Nuk ka sot në rajonin tonë qytet më kozmopolitan që të ketë kaq shumë nacionalitete. Fakti që njerëz nga mbi 130 kombësi e shohin Tiranën si një vend i mundësive më kujton atë shprehjen që ta duam dhe ne Tiranën apo Shqipërinë, sa e duan të huajt që vijnë dhe e shohin. Ndaj në momentin që ne lëmë pas cinizmin dhe e zëvendësojmë me inovacion si ky i sotmi të gjithë mund të kthehemi në dashnorë të Tiranës tonë”, tha Veliaj. / KultPlus.com
Vasfije Krasniqit, që gjatë Luftës së Kosovës, u grabit me forcën e armëve dhe u përdhunua. Sot ajo kërkon hapur dënimin e përdhunuesve të saj serbë.
Motra ime e vogël syri ynë i bukur dhe i dlirë ti u zgjove sërrish të ecësh në udhët e botës për të treguar plagët e shpirtit plagët e plagëve të mëmës Kosovë kohën e errët të poshtërimit dhe të eklipsit të madh. Ti nuk doje ta lije Vushtrinë kulmin e vjetër të shtëpisë me trarët e rënë lëndinën – Kosovë ti qëndrove si lastari i bukur mes zjarrit rrahur nga furtuna dhe rrufetë stolisur me 16 lulëkuqet e jetës tënde e bukur si Venusi në velur aty ku toka qante e nxihej aty ku Kosova dergjej në vdekjet e e saj të mëdha trandur nga vargu i madh i eksodit biblik. Populli shkonte të vdekur e të gjallë por ty motërz të tërhoqën zvarrë kryqëzuar si Krishti kryqi shtrirë në Babimovc përzhitur në urrejtje dhe hekur të skuqur ndërsa ti kërkojë veç një plumb që jeta të humbte që bota të shuhej ti bozhur i bukur i Kosovës ti doje të vdisje atje në katakombet e krimit ata donin që preha të vuante gjer në frymën e fundit. Më kot kërkoje diellin në qiejt e nxirë atje ku zogjtë s’pipëtinin më ku të gjitha këngët qenë shuar ku gjethet nuk fëshfërinin më dhe hëna mbytej në honet e mjegullta me trishtin tënd të pafund me lotin e ngrirë dhe gjinjtë e gjakosur dhe ku shtëpia i ngjante një arkivoli të madh. Ditë pa frymë në tokën djerrë në rrokullisjen e zhurmëshme të bombave kur muajt nxitonin të sillnin një tjetër ag më të bukur se agimet e tjera kur një dritë e bardhë papritur tu afrua dhe të tha: – Eja bija ime etërit janë zgjuar të vdekur dhe të gjallë bijtë po kthehen nga udha e gjatë! Koha kalonte dhe ti shkele sërrish pragun e jetës me aureolën e dritës së bardhë me diellin dhe hënën në sy shtëpitë e vjetra u ringritën në udhët e gjelbërta dhe jeta u mbars përsëri aromë gruri dhe dashurie por ti jetoje ende me hiret e tragjedisë në ehot e britjeve zhytur në greminën e heshtjes në heshtjen që një ditë do klithte për shpagim. Motra ime e vogël syri ynë i bukur më së fundi ti u zgjove për të ecur sot në flladin e botës ku mijra e miliona duar të mbajnë lart si një emblemë purpuri të kurajos ti, mjellma e bardhë e Kosovës… ——-
“Strehim” (“Refuge”) është shfaqja e tretë origjinale e cila ka bërë së bashku Teatrin ODA dhe BlessedUnrest, një bashkëpunim i cili ka nisur që nga viti 2005. Gjashtë turne janë organizuar gjithsej deri tash në Ballkan, Evropë dhe në Nju Jork, përfshirë edhe projektin “Doruntine” që ka pasur dy turne të suksesshme në Amerikë dhe ka fituar Çmimin e Festivalit “Secondo” në Cyrih, Zvicër, shkruan KultPlus.
“Strehim”
(“Refuge”) përcjell një grua të re hebreje e cila fillon një udhëtim
zbulimi në një fshat të largët shqiptar. Ajo zbulon të vërtetën e shpëtimit të
familjes së saj dhe të atyre që rrezikuan gjithçka për t’iu siguruar strehim.
Shfaqja është bazuar në ngjarje reale në të cilat mijëra refugjatë hebre të
Luftës së Dytë Botërore u strehuan nga familjet në Shqipëri e Kosovë dhe vise
tjera shqiptare. Megjithëse nën okupimin nazist, asnjë hebre nuk u dërgua në
kampet e përqendrimit nga Shqipëria, dhe Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë
me më shumë hebrenj në fund të luftës sesa në fillim.
Në një intervistë për KultPlus, FlorentMehmeti nga Teatri Oda theksoi se kjo është një histori shumë pak e njohur botërisht dhe teatri është një formë e duhur për të ndriçuar këtë histori unike.
“Bashkëpunimi jonë me BlessedUnrest gjithmonë ka qenë i koncentruar në traditën, historinë dhe kulturën shqiptare. Përderisa Besa si temë kryesore ka qenë baza e punës tonë të mëparshme në shfaqjen “Doruntina”, në këtë shfaqje ‘besa’ vjen në një formë tjetër, atë të mikpritjes shqiptare që ka mundësuar strehimin e hebrenjve ndër shqiptarë duke i integruar ata në familjet shqiptare dhe shpesh duke iu dhënë edhe emra shqiptarë. Duke u inskenuar në New York si premierë botërore, “Strehim” flet fuqishëm përmes historisë për bashkëkohësinë, ku në botën e sotme kërkimi i strehimit dhe gjetja e strehimit janë shumë të pranishme në shumë vende të botës. Duke i shtuar këtu edhe elementet e kohës kur shqiptarët e Kosovës ishin të strehuar, 20 vjet më parë, e histori këto dhe elemente që do të jenë pjesë përbërëse e shfaqjes, ky projekt merr një kuptim shumë të thellë dhe vlera të shumta për t’u ndarë me publikun amerikan por edhe shqiptar në New York”, theksoi ai.
Doruntine, 1st prize winner at Secondo Festival, Switzerland. Blessed Unrest & Teatri Oda. Photo by Alan Roche.
Mirëpo edhe pse një projekt mjaft premtues, ekipi prapa shfaqjes “Strehim” janë duke hasur në vështirësi financiare për realizimin e këtij projekti dhe kanë kërkuar ndihmë edhe nga njerëzit për të sjellë historinë e cila në qendër të saj ka vënien në pah të ndihmës që shqiptarët iu kanë dhënë hebrenjve gjatë luftës.
“Përderisa një pjesë e financimit është siguruar, nuk kemi gjetur ende përkrahje nga institucionet e vendit, dhe përpos kësaj ende kemi nevojë të gjejmë fonde shtesë për realizimin e projektit. Deri më 31 mars po vazhdon kampanja për mbështetjen e projektit nga individë donatorë në ‘KIckstarter’”, ka treguar Mehmeti.
Të gjithë ata qëdëshirojnë që të ndihmojnë në realizimin e kësaj shfaqje e cila do të prezantoj traditë, historinë dhe kulturën shqiptare edhe para audiencës amerikane mund të klikojnë këtu për të dhënë kontributin e tyre.
Shfaqja
është dy gjuhësore në të njëjtën kohë edhe anglisht edhe shqip dhe mund të
kuptohet nga publiku anglishtfolës që nuk kupton shqip dhe anasjelltas.
Regjinë e kësaj shfaqje e ka bërëJessicaBurr dheFlorentMehmeti, teksti është realizuar nga MattOpatrny, FlorentMehmeti dheansambli i aktorëve. Aktorët e kësaj shfaqje nga Teatri Oda janë:Eshref Durmishi, Daniela Markaj dhe Ilire Vinca ndërsa nga BlessedUnrest janë Nancy McArthur, Becca Schneider dhe Perri Yaniv. Muzika: Metropolitan Klezmer, featuringIsmailButera, DebraKreisberg, Eve Sicular. Për skenografi janë kujdesur TeddyJefferson dheSonyaPlenefisch ndërsa kostumet janë realizuar nga CaitlinCisek. Ndriçimi nga JayRyan kurse dizajni i kolonës zanoreAdrianBridges./ KultPlus.com
Çmimi “Kadare” është një konkurs letrar që ka në fokus letërsinë shqipe. Qëllimi i këtij konkursi është të kthehet në një institucion të rëndësishëm besimi mbi gjykimin dhe inkurajimin e letërsisë shqipe.
Kryetari i jurisë së këtij çmimi duhet të jetë një autoritet
me kontribute në fushën e letrave apo të mendimit shqip. Një personazh që të
gëzojë integritet të plotë, për t’u angazhuar në një punë dinjitoze në
përzgjedhjen e seleksionimin e veprës fituese, që kjo e fundit të ketë të
gjitha cilësitë e një vepre të mirë.
Anëtarët e jurisë së këtij konkursi duhet të jenë emra që
kanë shënjuar një kontribut në fushën e letërsisë, kritikës letrare apo studimit.
Juria e përbërë nga kryetari dhe anëtarët shpërblehen sipas një honorari që
vendoset nga Instituti Europian “Pashko”. Ata angazhohen që në fund të këtij
procesi të dorëzojnë nga një recensë për secilën nga pesë veprat e kaluara në
fazën finale.
Bordi i Institutit “Pashko”, në kuadër të filozofisë së tij,
ruan të drejtën të zgjedhë një prej pesë finalistëve si fitues të çmimit
“Kadare”, për të mbështetur një kategori: tematik, brez, brez-autorësh, apo
zhanre të caktuara letrare.
Veprat pjesëmarrëse në këtë konkurs duhet të jenë në dorëshkrim
(të pabotuara më parë). Konkursi hap siparin të premten e parë të marsit dhe
finalizohet me Ditët Letrare të Razmës, të dielën e parë të qershorit. Shpallja
e fituesit shoqërohet në këto ditë me tryeza debati mbi tema të ndryshme me
fokus letërsinë shqipe, ku marrin pjesë shkrimtarë, përkthyes, studiues,
profesorë e personazhe të botës së librit.
Çdo autor që kërkon të jetë pjesë e këtij konkursi duhet të
dorëzojë pranë adresës së bërë publike nga juria, një sinops (jo më shumë se dy
faqe) mbi veprën e shkruar, bashkangjitur me 15 faqet e para të dorëshkrimit. Nga
sinopset dhe dorëshkrimet e mbërritura pranë jurisë, kjo e fundit ka të drejtë
që pas shqyrtimit me kujdes të secilës prej tyre, të zgjedhë vetëm 10 prej tyre
për të qenë pjesë e garës së çmimit “Kadare”. 10 autorët e përzgjedhur për të
vazhduar garën, duhet të dorëzojnë brenda pesë ditëve nga shpallja e emrave të
tyre si fitues, dorëshkrimet pranë adresës së bërë publike nga juria.
Në ditët e para të majit, juria bën publike fazën e dytë të
konkurrimit, vetëm pesë veprat e përzgjedhura nga 10 pjesëmarrëse për të
vazhduar garën për çmimin e madh.
E drejta e autorit të
veprës fituese është e Botimeve UET PRESS, si pjesë e Kolanës Leteratura. I
gjithë projekti i çmimit “Kadare” ka një vlerë prej 10 000 eurosh, ku
përfshihen: Kontrata individuale me autorin, botimi i veprës, promovimi, e
drejta e autorit dhe Ditët Letrare të Razmës.
Autori, fitues i çmimit “Kadare”, angazhohet të jetë pjesë e tryezave letrare, promovimeve apo takimeve me lexues dhe median që i shërbejnë promovimit të librit dhe çmimit “Kadare”. Instituti Europian “Pashko”, përmes Botimeve UET PRESS dhe kolanës Leteratura, një kolanë kushtuar letërsisë shqipe, ka të drejtë për të përzgjedhur për botimin edhe dy vepra të tjera mes pesë finalistëve. / Tema / KultPlus.com
Hagia Sophia e Stambollit – një katedrale e epokës bizantine që tani shërben si muze – mund të rikthehet në xhami, tha presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Ai i bëri komentet gjatë një interviste televizive, në prag të zgjedhjeve lokale të 31 marsit.
Ish-katedralja bizantine është konvertuar në xhami pas pushtimit osman të Stambollit – i njohur atëherë si Konstandinopojë – në vitin 1453.
Themeluesi laik i Turqisë e ka rikthyer ndërtesën në një muze, në vitin 1935.
Ajo tërheq tani miliona turistë çdo vit.
Sugjerimi se ajo mund të rikthehet në xhami, nxiti zemërim në Greqi.
“Nuk është vetëm një tempull i madh i krishterimit – më i madhi për shumë shekuj. Ai po ashtu i takon njerëzimit. Është njohur si pjesë e trashëgimisë kulturore globale nga UNESCO (Organizata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara)”, tha ministri i Jashtëm grek, George Katrougalos.
“Andaj, vënia në pikëpyetje e këtij statusi nuk është vetëm fyerje ndaj ndjenjave të të krishterëve, është fyerje ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe ligjit ndërkombëtar”, tha ai.
Vetë Erdogan recitoi lutje brenda Hagia Sophias vitin e kaluar. / KultPlus.com
Asnjë rezistencë nga artistët. Asnjë rezistencë nga njeriu që kujdeset për dashurinë. Asnjë rezistencë nga njeriu që vendosë lule në fytyrën e vdekjes. Asnjë rezistencë nga Zoti. Asnjë rezistencë nga ushtari që e dashuron Baby Tv-në. Asnjë rezistencë nga politikani që ka frikë nga gjaku. Kohërat nuk kanë ndryshuar Zoti Dylan. Ti je një ëndërrimtar. Endërrimtarët e gjorë që marrin cmime dhe pushojnë në shtëpitë e tyre të ngrohta. Realiteti është një dorë e shëmtuar e kapitalizmit. Dhe një hapësirë e luftës me qenie të ngrata Që lëvizin si atomet. Asnjë rezistencë. Asnjë njeri në rrugë. Asnjë njeri me ide. Asnjë. Vetëm unë në shesh duke vendosur Poemat e mia në gojën e poetëve të tjerë. I braktisur nga cdo gjë, që më vlon brenda. Me shikimin drejt qiellit. Duke u lutur. Për asgjë, shpirt./ KultPlus.com
Fal dhe harro, kjo është mënyra e vetme me të cilën ne mund të ndihemi më mirë edhe me veten tonë. Vetëm duke harruar, ne mund të themi se e kemi kaluar plotësisht atë që na ka lënduar dhe që ka qënë e rëndë për ne.
Duhet ta pranojmë se njerëz të këqinj ka kudo; njerëz që duan t’i shohin të tjerët keq ekzistojnë kudo; njerëz që nuk pendohen për gabimet e tyre po ashtu vihen re kudo. Nuk e kemi ne në dorë për ta ndryshuar gjithë realitetin që ekziston. Ne mund të përpiqemi, por duhet një përpjekje madhore dhe me përfshirje masive që të ndryshojë diçka, por deri në një moment të tillë, gjithçka e ligë që na bëhet, do të na dëmtojë. Kjo është arsyeja se pse duhet të falim përherë, thuajse çdo ditë, duke kuptuar se ligësia është pjesë e karakterit të dikujt që nuk është mjaftueshëm i fortë për t’i përballuar problemet e veta dhe zgjidhjen e vetme ka të lëndojë edhe të tjerët, për t’i parë edhe ata keq. Ndaj, ne nuk duhet të bëhemi pjesë e stuhive që nuk na përkasin ne dhe në errësirën që nuk është pjesë e udhëtimit tonë. Falja është një nga strategjitë më të mira të mbijetesës, pasi vetëm kështu mund të ndihemi se jemi të fortë. Të gabosh është njerëzore, pra është në duart e gjithsecilit, ama të falësh është hyjnore. Fal pa marrë parasysh që të kanë lënduar; fal sepse je mjaftueshëm i/e fortë, sa për të mos u kapur pas së shkuarës.
Por çfarë ndodh pas faljes? A duhet të mjaftojë me kaq gjithçka?
Dua të citoj një thënie të Ismail Kadaresë: “Të falësh nuk do të thotë të harrosh”. Dikush e interpreton në të njëjtën mënyrë dhe mbështet të njëjtin mendim. Dikush tjetër thotë se të falësh do të thotë edhe të harrosh, pasi ndryshe nuk do të quhej falje. Personalisht mendoj se duhet të kesh një forcë shumë të madhe për të falur gjithçka që të bëhet, por duhet edhe ta duash mjaftueshëm veten për të harruar gjithçka që të jesh i/e lumtur. Të falësh do të thotë ta bësh tjetrin të kuptojë se ti ke harruar të shkuarën, ndaj bëje këtë gjë. Harro dhe lëre të shkuarën pas krahëve. Kështu do të jesh tepër i lumtur për të ecur përpara në jetë. Mos jeto me hijet e së shkuarës. Nuk ia vlen, më beso! / bota.al/ KutPlus.com
Muzikanti që i bie me saksofon 170 himneve, midis tyre edhe himnit tonë.
Gjatë një udhëtimi me tren në Boston, po ndroja linjën e trenave jeshilë në stacionin “Park Street”. Tek po prisja trenin e rradhës, pashë një djalë të ri zezak që po i binte saksofonit. Para kishte vendosur “arkën” e tij një kovë të madhe plastike, ndërsa në disa mbajtëse drase, kishte ngjitur disa copa kartoni ku ishin stampuar flamuj të shteteve të ndryshëm.
Në fillim nuk e kuptova pse kishte gjithë ata flamuj. Ai e kuptoi interesimin tim dhe më pyeti:
Nga je?
Nga Shqipëria, i thashë.
Ja ku e ke flamurin shqiptar, më tha dhe filloi t’i bier me saksofon himnit tonë.
Unë mbeta i shtangur kur dëgjoja një zezak t’i binte himnit tonë. Si gjithëmonë himni ynë na zgjon emocione, veçanërisht ne mërgimtarëve.
Himni dhe flamuri ynë kombëtar janë dy simbolet tona më të çmuara që na mbushin me krenari dhe emocione.
Pasi mbaroi së rëni himnit tonë, u afrova te kova dhe nga kënaqësia që ndjeva, i dhashë 5 dollarë. I kënaqur, zezaku më falenderoi. E pyeta si e quajnë dhe më tha se e kishte emrin Venmo Jante Samuel dhe ishte 25 vjet. E kishte mësuar në You Tube himnin tonë dhe himnet e tjerë. Sa himne di t’u biesh? e pyes unë. 170, më tha.
Është vërtet një shifër shumë e madhe. Pas meje erdhën “klientë” të tjerë dhe i riu vazhdoi t’i bier himneve që kërkonin.
Pas pak mbriti treni jeshil dhe unë vazhdova rrugën ku isha nisur. Ky rasti i “biznesmenit” me himnet dhe flamujt e shumë vendeve, më futi në mendime. Njeriu po ta vrasë mendjen, gjen mënyra jetese. Dhe ai e kish gjetur “çelsin” e biznesit në mënyrën e vet. Siç dihet Amerika është vend emigrantësh dhe ai duke ditur dobësinë e tyre për vendet nga kanë edhur , e kishte gjetur “shkëndijën” për t’i prekur. Dhe i prekte vërtet. Kush më shumë se himni i vendit tënd , mund të ngjallë aq emocione!
Different Trains Festival është rikthyer ashtu si çdo pranverë me një seri koncertesh në Tiranë dhe jo vetëm.
Ditën e sotme në sallën “Liria” pranë Qytetit Studenti kanë interpretuar solistët e Operas së Parisit me rastin e Pranverës së Frankofonisë, ku artistët sollën për publikun një atmosferë të ngrohtë mes tingujve të klasikëve botërorë.
Ata interpretuan pjesë nga klasiket më në zë për të pranishmit, duke i sjellë ato me mjeshtëri nëpërmjet instrumenteve të ndryshme.
Olivier Doise në oboe, Eric Lacrouts në violinë, Laurent Verney në violë dhe artisti shqiptar Vlorent Xhafaj në cello, dhuruan një ditë ndryshe dhe mjaft të veçantë për publikun e pranishëm.
Different Festival nuk do të ndalet këtu, pasi koncerti në muajin maj do të vazhdojë turin edhe në qytete dhe ambiente të tjera të Shqipërisë. / atsh / KultPlus.com
Pas vendimit të Gjykatës Themelore të Prizrenit që Shyhrete Berishës i takon gjysma e shtëpisë dhe e njeh si pronare legjitime të shtëpisë në të cilën i’u kishin vrarë nga forcat serbe burri dhe fëmijët e saj.
Shyhrete Berishës nga familjarët e bashkëshortit tashmë të ndjerë i’u kishte mohuar për vite më radhë pronësia e shtëpisë, shkruan GazetaBlic.
Në një dokumentarë të realizuar nga Parrotlla është një sekuencë kur Shyhrete Berisha pas luftës për herë të parë viziton shtëpinë e saj dhe nuk lejohet të futet brenda.
Familjarët e bashkëshortit të saj të vrarë në luftë i’a kishin lëshuar me qira shtëpinë OSCE duke e lënë atë jashtë shtëpisë ku i’u vranë fëmijët.
Momentet e dhimbshme kur Berishës nga zyrtarë të OSCE i kumtohet lajmi se ata nuk e njohin atë si pronare mund t’i shihni në videon më poshtë prej minutës së 18:34.
Mëngjesi i 26-tëmarsit, e gjeti familjen Berisha në Suharekë, të rrethuar nga forcat serbe. Tanket u pozicionuan në drejtim të shtëpive të tyre atje, shkruan KultPlus.
Këto forca urdhëruan banorët të dilnin nga shtëpitë. U ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët dhe u vranë gjashtë anëtarë të familjes. Forcat serbe çuan anëtarët e tjerë në drejtim të një kafeneje. Këta anëtarë u futën në kafene, bashkë me tri grupe të familjes së gjerë të Berishëve. Pastaj forcat serbe hynë në kafene dhe hapën zjarr kundër njerëzve aty brenda. Aty u hodhën edhe eksplozivë duke lënë kështu të vrarë gjithsej 50 anëtarë të kësaj familje.
Nga kjo masakër kanë mbijetuar tre anëtarë të familjes, Vjollca Berisha me të birin, Gramozin dhe Shyhrete Berisha. Këta të tre gjatë transportit të viktimave drejt Prizrenit, kanë kërcyer nga kamioni që ishte në lëvizje për të shpëtuar./KultPlus.com
Dielli mbi Pashtrik i Zjarrtë përgjak qiellin e dridhmuar
Qytet i ndriçuar i udhëkryqeve ç’festë feston?
Mirë e di se fitorja s’vjen pa gjak e gjakderdhje – thellë në tokë janë nisma që s’u harrua kurrë e vajtimet e nemitjet që s’i zunë dot arkivat
Sa foshnje i ke gurthemel Qyteti im
Sa nëna i ke varrosur në flijim
Sa palë sy t’u mbyllën duke jermuar ujin e Shatërvanit që robëron shpirtin kudo e kahdo që të jesh
Mbi çdo rrugë e rrugicë u rrijnë mbi kokë frymët e frymëmarrjet e kohërave që shtrihen të shtrira me Urti mbi supet të gjumit të shkëmbinjve e flauron mbi lerana
Qetë shfletohet libri i kohës se monumentet janë guri dhe buka djersa dhe shpresa e banorëve të qytetit tim
Sunduesit, po, i merr furtuna
Dielli shikon në perëndim se si vdekjen e mashtron
“Për shtetin tonë është nevoja të mblidhet sa më parë Kuvendi i Dheut ose Konstituenta, sepse nevojitet një reformë rrënjësore si nga trajta politike edhe nga parimet kulturore, sipas të cilave të ndërtohet përfundimisht shteti shqiptar.
Për të ligjëruar me ndonjë kalangerç “gishti” intrigat e ambicjet e njërës a të tjetrës kastë, të njërit e të tjetrit idi.ot surrullup e surrat-qerep, s’ia vlen as mundimi të mblidhet Kuvendi i Dheut, e është një krim të shpenzohen paratë e Shtetit – gjaku i popullit të ngratë – për një komedi kaq të dë.mshme të po.shtër.
Së pari e kryesorja, delegati për Asamblenë Kushtetuese duhet të jetë Shqiptar. Kur them “Shqiptar” kuptoj Shqiptarin tamam Shqiptar, domethënë: Shqiptar me gjuhë e Shqiptar me të lindur – që të ketë lindur brenda kufijve të Shtetit Shqiptar: e jo Shqiptar adoptiv – bir në shpirt i Shqipërisë – Shqiptar me dy pasaporta në xhep: me valixhe ne dorë e me shtëpi në shpinë të kalit – sot këtu, nesër kushedi se ku: si zogjtë, që ndërrojnë vend sipas këmbimit të stinës.
Prej kësaj rregulle të përgjithshme do të përjashtohen të gjithë ata, që me botime të veta të vlershme kanë ndriçuar e begatuar letërsinë shqipe, e me të holla e vepra të tjera patriotike janë orvatur për triumfin e lirisë sonë kombëtare.
Së dyti, delegatët duhet të jenë burra të ndershëm e njerëz bese e burrnije.
Së treti, ndër kandidatët thjesht shqiptarë e burra të ndershëm, duhen zgjedhur më të diturit e kuvendarët më të mirë. Zgjedhësi që zgjedh delegatin, deputetin për hir të një partie politike, ai bën një faj të rëndë ndaj kombit.
Brumi i kombit shqiptar, muhamedan a kristian qoftë, është i shëndoshë, e si ata që mbahen me parti qeveritare, si ata që përkrahin Opozitën, në këtë brumë mund të gjejnë mjaft burra të ndershëm e të zot të punës: këta le të zgjidhen: e këta pastaj, kur të shkojnë në Asamble, në daçin të mbahen me Qeveri e në daçin me Opozitë.
Burrat e ndershëm do ta shohin vetë se nga është e drejta, do të dinë se nga të mbajnë, mjafton që brenda të mos ketë piça e rrugaçë, sallahana e intrigantë të patur e marre. Sistemi politik e administrativ i sotëm duhet shkulur me gjithë rrënjë, nëse duam që Shqipëria të jetojë e të përparojë”.
(Gjergj Fishta. Asambleja Konstituente. Revista Hylli i Dritës, nr.11, nëntor 1923).
Deutsche Welle në faqen në gjuhën serbe të portalit të saj, në 20 vjetorin e sulmeve të NATO-s mbi forcat serbe ka publikuar një prezantim rreth reagimit të atëhershëm të mediave perëndimore lidhur me bombardimet. Në këtë tekst ato dhe sidomos mediat gjermane i ka cilësuar si nxitëse të luftës.
Dy ditë pas këtij publikimi, redaksia qendrpre e Deutsche Welle-s ka kërkuar falje para publikut dhe autorëve të apostrofuar, duke bërë një analizë të thellë të tekstit të botuar në gjuhën serbe, shkruan albinfo.ch. “Autori nuk i ka respektuar kriteret profesionale gazetareske të DW. Për këtë arsye kërkojmë falje”, thuhet në hyrje të artikullit.
“Sikurse mbititulli i artikullit, ashtu edhe vendosja në hyrje të tij e referimit për pjesëmarrjen gjermane si pjesë e kontingjentit të NATO-s, duke bërë me këtë rast një paralele me Luftën e Dytë Botërore, është i papërshtatshëm. Më tutje, dida gazetarëve të mediave gjermane u mvishet në mënyrë indirekte se ata në raportimet e tyre të asaj kohe e kanë “dëshiruar” ndërhyrjen ushtarake. Por, reporterët dhe komentatorët e mediave të cituara, sipas vlerësimit tonë e kanë pasqyruar në mënyrë korrekte dilemën në të cilën politikanët e Aleancës Perëndimore gjendeshin atëbotë”, thuhet më tutje në kërkimfaljen e DW-së, transmeton albinfo.ch.
“Artikulli ndërkohë është ndryshuar. Për DW, kultura e bërjes transparente të gabimeve është e rëndësishme , prandaj ne, tekstin në gjuhën serbe e kemi përkthyer në gjermanishte dhe në pikat kritike i kemi vendosur komentet brenda kllapave”, thuhet në hyrje të artikullit që kap disa faqe dhe i cili në mënyrë shumë të zgjeruar merret me dështimin profesional që teksti i gazetarit të redaksisë në gjuhën serbe i ka shkaktuar shtëpisë së madhe mediale, Deutsche Welle.
Të kujtojmë se në shënjestër të tekstit të apostrofuar si skandaloz në gjuhën serbe janë një numër i madh i gazetarëve, reporterëve dhe analistëve e komentatorëve gjermanë e zviceranë nga më të njohurit që janë marrë dhe merren me Ballkanin, si: Norbert Mappes-Niedeck, Mathias Rüb, Cyril Steiger, Stephan Israel etj.
Në këtë link mund të lexohet artikulli i plotë në gjuhën gjermane:
Javët e Frankofonisë kësaj herë kanë pasuruar Galerinë Kombëtare të Kosovës. Deri në mes të prillit aty do të qëndrojë Koleksioni Francez nga Muzeu i Artit Bashkëkohor në Shkup, shkruan KultPlus.
Afro pesëdhjetë vepra të artistëve francezë kishin zënë krejt katin e dytë të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Veprat vinin nga disiplina të ndryshme si: grafika, skulptura dhe vizatime dhe i përkisnin stileve të ndryshme që autorët francezë kishin krijuar gjatë shekullit të kaluar. Veprat e tyre ilustrojnë lëvizje të ndryshme, kubizmin, surealizmin apo edhe ekspresionizmin dhe cilësohen si dëshmi e tërheqjes që kishte Parisi gjatë tërë shekullit të XX sa i përket artit bashkëkohor.
Koleksioni është pjesë e Muzeut të Artit Bashkëkohor në Shkup që është themeluar në vitin 1964, nga i cili edhe vjen një pjesë e këtij koleksioni. Ky muze u themelua një vit pasi tërmeti goditi Shkupin më 26 korrik të vitit 1963. Ky muze i ndërtuar me ndihmën e artistëve të njohur dhe historianëve të artit të cilët ishin bashkuar kryesisht në kuadër të shoqatave ndërkombëtare si AICA, ICOM, AIAP, por edhe nëpër muze e galeri. Në vitin 1970 u përfundua ndërtimi i objektit modern ku u dhuruan vepra nga rreth pesëdhjetë vende të ndryshme të botës. Shumë shpejt u krijua një koncept për vendosjen dhe hapjen e ekspozitës së përhershme, në të cilën veprat e artistëve francezë ishin sigurisht sfiduese. Deri tani koleksioni përmban 283 vepra nga 152 artistë. Ndërkaq, kuratorë të kësaj ekspozite janë Marika Bočvarvova Plavevska dhe Blagoja Varošanec.
“Shembulli i ambientit popullor parizien reflektohet në
shumë vepra, impulsin dhe angazhimin, i cili është vendosur pikërisht në
inercionin ndaj politizimit nga ngjarjet historike, sidomos që janë të lidhura
më shekullin e kaluar. Ne mund të përjetojmë reflekset pozitive në këtë lloj
prezantimi të koleksionit tonë francez”, shkruhet në fjalën e kuratores Marika Bochvarova.
Drejtuesja e GKK-së
Arta Agani- Bunjaku tha se Shkupi pati një lloj fati në fatkeqësi, pasi
që me përkrahjen e ndërkombëtarëve u themelua Muzeu i Artit Bashkëkohor. Ajo
tregoi para të pranishmëve se ekspozita mysafire përmban vepra nga një periudhë
e gjatë e krijimtarisë francez, ku më e vjetra është nga Andre Masson që daton nga viti 1942 dhe
më e reja nga Niki de Sant- Phalle nga viti 1982.
“Koleksioni francez brenda Muzeut Bashkohor të Artit në Shkupi sigurisht që është një nga pjesët më të rëndësishme, sonte kemi rastin të njihemi më 49-të nga 283 vepra të këtij koleksioni”, tha në fjalë ne saj Bunjaku-Agani.
Në hapje të ekspozitës, e cila është mbështetur nga
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Ambasadën e Francës
në Kosovë, morën pjesë shumë personalitete nga bota e artit dhe politikës. Në
hapjen e kësaj ngjarjene të Javëve të Frankofonisë morën pjesë edhe Kujtim
Gashi, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Didier Chabert, Ambasador i
Republikës së Francës në Kosovë.
Ambasadori francez Dieder Chabert në fjalën e tij tha se kjo
ekspozitë paraqet një moment të shkëmbimit artistik dhe krijimit të urave mes
dy vendeve. Chebert theksoi në fjalën e tij se është hera e parë që në
Prishtinë ka zënë vend një ekspozitë e nivelit të tillë me vepra franceze.
“Nuk do t’i përsëris të gjithë emrat e piktorëve, pikturat e të cilëve do t’i shihni por janë emra të mëdhenj të artit francez. Është një moment prekës po ashtu se në momentin kur po e festojmë 20-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë kësaj here është intervenim i një natyre pacifiste, pra ekspozimi i veprave franceze në Kosovë”, u shpreh Chebert.
Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi që në fillim hodhi poshtë fjalimin e tij të
përgatitur të cilën tha që për shkak të kohës nuk do ta lexoj. Pasi përshëndeti
të pranishmit, në fjalën e tij fillimisht kërkoi një duartrokitje për punën e
Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe asaj të Shkupit.
“Kjo ngjarje sonte tregon edhe një herë për një trekëndësh të bashkëpunimit mes Kosovës, Maqedonisë por edhe Franceze nëpërmjet ambasadorit dhe Ambasadës Franceze në Kosovë. Jam shumë i lumtur që për një të ardhme të shkurtër do të kemi një bashkëpunim të njëjte pasi që galeria jonë do ta paraqitet me ekspozitë në Galerinë e Shkupit dhe e njëjta do të ndodhë edhe në Kosovë, dhe ky është një bashkëpunim që po ndodh mes dy vendeve përmes artistëve”, tha tutje Gashi.
Ekspozita paraqiste punën e piktorëve të shekullit 20-të, të
cilët ministri Gashi përmes fjalës së tij i falënderoi.
“Unë jam këtu në emër të qeverisë dhe ministrisë për ti falendëruar të gjithë artistët francezë që do të shohim përmes ekspozitës punën e tyre dhe të njëjtën kohë me rikonfirmu bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi me Ambasadën e Franceze dhe po ashtu edhe me Ministrinë e Kulturës së Maqedonisë”, tha në fjalën e tij Gashi.
Këshilltari politik i Presidentit të Kosovës, Ardian Arifaj
në fjalën e tij tha se kryefjala e kësaj ekspozite duhet të jetë solidariteti.
“Origjina e këtij koleksioni është në solidaritetin e
popujve të botës në atë kohë me popullin e Maqedonisë, pra të Shkupit. Një
solidaritet të tillë e kemi përjetuar edhe ne para 20 vitesh kur popujt e botës
e ndërprenë gjenocidin në Kosovë, ka qenë
edhe një gjenocid kulturor”, tha
Arifaj.
Ekspozita do të jetë e hapur deri më 25 prill në Galerinë Kombëtare të Kosovës./ KultPlus.com
Në ditën e dytë të bombardimeve të NATO-s, Serbia u kujdes ta vras edhe një figurë emblematike të rezistencës shqiptare.
Bile avokatin Bajram Kelmendi, e ekzekutoi me dy të bijtë, njofton Klan Kosova.
E në këtë 20 vjetor ata i kujtoi vetëm familja dhe një gazetare që për ta e shkroi një libër.
Autorja e librit, Valbona Mehmeti, deklaroi se përmes dëshmive të botuara në këtë libër ajo ka bërë përpjekje ta sjell sa më autentike figurën komplekse të avokatit Kelmendi.