MKRS ndërton në Lubizhë Kullën Muze “Kullën e Qëndresës”

Sot në Lubizhdë të Hasit, u bë vënia e gurëthemelit të Kullës Muze “Kulla e Qëndresës”, investim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Vënia e gurthemelit të Kullës Muze, në fshatin Lubizhdë e Hasit u organizua në kuadër të shënimit të 20 vjetorit të rënies së 14 dëshmorëve dhe 40 martirëve të këtij lokaliteti.

Në këtë ngjarje morën pjesë krerët kryesor të shtetit, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, si dhe shumë personalitete tjera të institucioneve qendrore dhe atyre lokale.

Ministri Gashi e vlerësoi si projekt të rëndësisë së veçantë investimin e MKRS-së. Ai tha se “Ndërtimin e Kullës e premtuam një vit më parë, kurse sot filluam ta jetësojmë me financimin e MKRS-së.”

“Kjo ndërtesë do të shërbejë për ekspozimin e shumë artefakteve të cilat dëshmojnë vuajtjet, sakrificën por edhe lavdinë e banorëve të trevës së Hasit në qëndresën për liri e pavarësi”, tha mes tjerash ministri.

Në këtë ngjarje u mbajt edhe akademi për 20 vjetorin e qëndresës në këtë lokalitet dhe u dekoruan si heronj të rënët nga ana e Presidentit. / KultPlus.com

Kuvendi inicion rezolutë për gjenocidin dhe krimet serbe në Kosovë

Kuvendi i Kosovës formoi komisionin ad-hoc për të nisur procedurat për hapat drejt dënimit të krimeve dhe masakrave serbe.

Pak ditë pasi Kryeparlamentari Kadri Veseli paralajmëroi inicimin e formimit të një Gjykate Speciale për krimet dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë, Kuvendi i Kosovës sot nisi procedurat ligjore për forimin e një komisioni ad-hoc i cili do të bëjë hapat konkret për të propozuar nisnat ligjore për këtë çështje.

Javën e kaluar, gjatë shënimit të përvjeyorit të 20-të të krimeve në Lubizhdë të Hasit, kryparlamentari Kadri Veseli deklaroi se bashkësia ndërkombëtare duhet të mbështesë idenë e tij për formimin e Gjykatës Speciale për gjykimin e krimeve dhe masakrave që forcat paramilitare serbe i kanë kryetar në Kosovë.

“Pikërisht këto ditë po zhvillohet një debat i madh. Kemi reagime nga shteti serb duke mohuar masakrat serbe, për aq sa kemi reagim nga ne dhe bashkësia ndërkombëtare për qenien e tyre. Por një është e qartë, ky është edhe një mesazh në mënyrë të veçantë për bashkësinë ndërkombëtare dhe për Bashkimin Evropian: Përderisa nuk do të dënohen njerëzit të cilët kanë kryer krime në Prekaz, Meje, Obri, Reçak, në Rezallë dhe gjithandej Kosovës, janë me qindra masakra, pushteti serb gjithmonë do t’i mohojë krimet serbe. Ky është gabimi i bashkësisë ndërkombëtare. Kjo është edhe përgjegjësia në të njëjtën kohë edhe e institucioneve tona. Unë si kryetar i Kuvendit pres përkrahje, po besoj që edhe bashkësia ndërkombëtare ta kuptojë zërin e arsyes, që të inicioj që të ketë Gjykatë Speciale për krimet, përkatësisht masakrat serbe të cilat i kanë kryer në vitet 1998, 1999 të cilat i ka kryer ushtria, policia dhe paramilitarët serbë. Ne nuk do të hakmerremi por edhe nuk do të harrojmë. Ne do të ecim përpara. Nuk ka fuqi, nuk ka forcë që mund të na ndalë përpara në shtetin tonë të pavarur dhe sovran, për lirinë tonë”, ka thënë Veseli të premten.

Ndërsa pikërisht sot, pas kësaj iniciative, Kuvendi i Kosovës formoi komisionin ad-hoc për të nisur procedurat për hapat drejt dënimit të krimeve dhe masakrave serbe. Grupet Parlamentare propozuan nga një anëtar në këtë komision ad-hoc. Nga LDK Armend Zemaj, PDK Mërgim Lushtaku, VV Saranda Bogujevci, AAK Muharrem Nitaj, PSD Aida Dërguti, Nisma Bilall Sherifi, 6+ Danush Ademi. / KultPlus.com

60 nxënës nga Kosova shkojnë për të ndjekur gjimnazin në Shqipëri

60 nxënësit e parë nga Kosova kanë shkuar dje në Shqipëri për të marrë pjesë në programin e përbashkët të shkëmbimit të nxënësve mes dy vendeve. Ata do të vendosen në 60 familje në Tiranë, Korçë, Shkodër dhe Berat dhe do të vijojnë mësimin në gjimnazet atje, përcjellë KultPlus.

Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini. Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook.

Gjithashtu është bërë e ditur se javën tjetër do të ndërrohen rolet dhe bashkëmoshatarët e tyre nga Shqipëria do të shkojnë në Kosovë për të bërë të njëjtën gjë. Përveçse do të mësojnë bashkë, nxënësit do të kenë një agjendë të ngjeshur me ekskursione, vizita në muze dhe aktivitete të ndryshme kulturore.

“Nuk ka mënyrë më të mirë për t’u njohur me njëri-tjetrin dhe për të ndërtuar miqësi mes të rinjve të Kosovës dhe Shqipërisë që i qëndrojnë distancave dhe kohës.”, ka shkruar Besa Shahini. / KultPlus.com

Historia e fundit e Elvisit

Rreth orës 14:30 të pasdites së 16 gushtit 1977, aktorja Ginger Aldenishte duke u endur përreth Gracelandit, në kërkim të askënd tjetri, veç të fejuarin e saj me famë botërore, Elvis Presley. Mbreti i Rock’N’Roll-it po përgatitej për turneun e tij të fundit, por Alden ishte e shqetësuar pasi nuk e kishte parë prej disa orësh.

Alden nuk pa asnjë shenjë të Elvisit, deri kur e kuptoi se dera e banjës ishte hapur. Hyri brenda dhe, siç kujton më vonë, “mbeta e paralizuar nga ajo që pashë”. Sipas saj, “duket sikur i gjithë trupi i Elvis kishte ngrirë plotësisht në pozicionin ulur dhe më pas ishte rrëzuar përpara”.

Alden nxitoi t’i vinte në ndihmë dhe zbuloi një shenjë të frymëmarrjes, edhe pse “fytyra e këngëtarit ishte shprishur dhe kishte marrë ngjyrë vjollcë”, ndërsa sytë e tij “shihnin drejt dhe ishin të përgjakur”. Ajo thirri ambulancën dhe ylli u dërgua në një spital në Memfis të Tenesit, ku mjekët u përpoqën ta risillnin në vete.

Përpjekjet e tyre dështuan. Elvis Presley u shpall i vdekur në orën 15:30, pak më shumë se një orë pasi u gjet. Ishte vetëm 42 vjeç.

Një çështje e debatueshme u ngrit nga ai moment: Si vdiq Elvisi?

Vdekja e këngëtarit shokoi botën. Vetë presidenti Jimmy Carter bëri një deklaratë duke thënë se këngëtari kishte “ndryshuar përgjithmonë fytyrën e kulturës popullore amerikane”.

Ndërkohë, rreth 100 mijë adhurues të tronditur, morën pjesë në funeralin e Presleyt. Pavarësisht kaosit qe shkaktoi vdekja e tij e papritur, nisën të ngrihen pikëpyetje mbi disa fakte të errëta mbi shkakun e vërtetë të vdekjes së këngëtarit.

Tre mjekë që punonin së bashku, Eric Muirhead, Jerry Francisco dhe Noel Florendo, kryen autopsinë e tij. Ekzaminimi zgjati dy dy orë. Francisco doli dhe dha njoftimin për mediat. Ai raportoi se “gjetjet paraprake të autopsisë” tregonin se këngëtari kishte vdekur nga një “aritmi kardiake”, një sulm në zemër, dhe se nuk kishte prova që barnat që merrte kishin luajtur ndonjë rol në vdekjen e tij.

Në fakt, kjo nuk ishte përgjigje e plotë ndaj pyetjes se si vdiq Elvis Presley. Autopsia ende nuk kishte përfunduar në kohën e deklaratës së Franciscos dhe asnjë prej mjekëve të tjerë nuk e kishte pranuar atë njoftim për mediat. Por, megjithëse veprimet e Franciscos kishin qenë të dyshimta, kishte arsye për të besuar se ilaçet nuk kishin gisht në atë ngjarje dhe se përkeqësimi i shëndetit të Presleyt ishte thjesht rastësor.

Në kohën e vdekjes, Presley ishte në mbipeshë. Preferenca e tij ndaj ushqimeve të yndyrshme, sandviçëve dhe ushqimeve të tjera të pashëndetshme ishte e njohur dhe ai vuajti nga disa sëmundje, përfshirë diabetin, presionin e lartë të gjakut dhe glaukomën. Megjithëse dieta e tij e dobët mund të ketë kontribuar për shëndetin e sëmurë, kishte një përgjigje më të gjatë ndaj pyetjes se si vdiq Elvis Presley.

Edhe kur ai iu drejtua shtypit, Francisco u bombardua nga e njëjta pyetje: A kishte pas vdekjes ndonjë shenjë të abuzimit me drogën?

Vetëm pak javë pas vdekjes së Presleyt, tri nga truprojat e këngëtarit kishin botuar një libër me tregime, “Elvis, çfarë ndodhi?”, në të cilën ata pohonin se ylli i muzikës kishte qenë prej kohësh i varur nga amfetaminat.

Nga ana e tij, Francisko u përpoq ta shmangte këtë pyetje, duke pretenduar se “shkaku specifik i vdekjes së tij nuk mund të njihej për një javë, ose dy studime laboratorike që priste të ndërmerren”, duke shtuar se ka “gjasa që në raste të tilla, shkaqet specifike të mos zbulohen kurrë”.

Kur u krye raporti i toksikologjisë, u duk sikur mjekët ishin përpjekur të fshihnin diçka. Rezultatet treguan se në kohën e vdekjes së Presleyt, gjaku i tij përmbante nivele të larta me dilaudid, percodan, demerol, codeine dhe 10 lloje të tjera drogash.
Më vonë do të dilej në përfundimin se Francisco e kishte organizuar konferencën dhe u përpoq t’i shmangte pyetjet rreth drogës, me kërkesën e anëtarëve të familjes Presley, që ishin të vendosur t’i mbanin fshehur abuzimet me drogën të këngëtarit. Presley u bë i varur nga amfetaminat që në fillim të 20-ave të tij. Këto substanca ishin të ligjshme në Shtetet e Bashkuara deri në vitin 1965. Por, Presley, që vuante nga pagjumësia, merrte edhe barna kundër depresionit për ta ndihmuar të flinte natën. Nga fundi i viteve 1960, Presley ishte bërë plotësisht i varur nga drogat që i përdorte për të qenë energjik gjatë koncerteve dhe për të fjetur gjatë natës.

Ndërkohë u lidh me një mjek të papërgjegjshëm. Presley u takua për herë të parë me mjekun George C. Nichopoulos në vitin 1967, kur mjeku e trajtoi për një plagë në këmbë. Nichopoulos u bë shpejt mjeku personal i Presleyt, duke shkuar bashkë me këngëtarin në Las Vegas dhe duke i siguruar atij shumë doza amfetaminash dhe barbituratesh. Sikurse u shpreh më vonë Nichopoulos: ”Problemi i Elvisit ishte se ai nuk shihte asgjë të gabuar tek përdorimi i tyre. Ndjente se duke i marrë ato nga një mjek, nuk ishte i droguari i zakonshëm që shkon të blejë diçka në rrugë”.

Megjithatë, disa e konsideronin Nichopoulosin si një mjek të papërgjegjshëm. Midis viteve 1975-1977, ai kishte shkruar receta për 19 mijë doza droge për Presleyn. Nga janari deri në gushtin e vitit 1977, kishte përshkruar më shumë se 10 mijë doza. Tre vjet pas vdekjes së Preslit, Nichopoulosit iu pezullua liçenca si mjek. Në vitin 1981 u nxor në gjyq për dhënien e ilaçeve me tepri ndaj pacientit të tij. Mjeku dëshmoi se ai ishte përpjekur që pacientët e tij të kuronin gradualisht varësinë dhe në fund u lirua. Megjithatë, në vitin 1995 licenca si mjek iu hoq përgjithmonë.

Një vit më parë, një rihapje e dosjes së vdekjes së Presleyt zbuloi se sulmi në zemër ishte shkaku kryesor i vdekjes (megjithëse kjo gjetje mbetet e diskutueshme). Sidoqoftë, shumë adhurues të Presleyt fajësuan Nichopoulosit për vdekjen e idhullit të tyre dhe ai mori kërcënime të shumta me vdekje në vitet që pasuan.

Megjithatë, edhe pse mjeku me siguri e çoi Presleyn drejt vdekjes, shkaku i vdekjes së tij mund të jetë edhe më tragjik. Një nga efektet anësore të abuzimeve të gjata me qetësuesit është kapsllëku i madh. Meqë ai u gjet pa ndjenja pranë tualetit, ka gjasa që të jetë përpjekur të dalë jashtë, duke krijuar presion mbi zemrën e tij tashmë të dobët. Tendosja e kombinuar me obezitetin, sëmundjet e tjera dhe abuzimet me drogat, mund t’i kenë shkaktuar Presleyt një sulm vdekjeprurës në zemër. /AllThatisInteresting/Në shqip nga: Bota.al/ KultPlus.com

Përveç bamirësisë, Rita Ora vizitoi edhe varrin e gjyshit në Kosovë (FOTO)

Para disa ditësh, Rita Ora erdhi në Kosovë për një mision bamirës në bashkëpunim me Unicef.

Këngëtarja me prejardhje shqiptare vizitoi shumë familje në nevojë dhe mbi 400 mijë fëmijë.

Por, përveç vizitës së saj për punë bamirëse, Rita vizitoi edhe familjarë të saj dhe ishte tek varri i gjyshit Besim Sahatçiu, regjisorit të njohur shqiptar.

Këtë e ka bërë të ditur babai i Ritës, Besniku, i cili postoi disa fotografi në Instagram duke dokumentuar vizitat e saj. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/BwPX1kED0Qg/?utm_source=ig_embed

Eksodi 99 shënohet sot në Mitrovicë

Sot në Mitorvicë shënohet 20 vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës në 1998-1999, rreth një milion shqiptarë u detyruan nga forcat paramilitare serbe të shpërnguleshin në Shqipëri dhe Maqedoni.

Nën përkujdesjen e kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, mbahet manifestimi Eksodi “99, marshimi 2019, me moton “Përkujtojmë tragjedinë- Festojmë lirinë”.

Manifestimi mbahet në sheshin e qytetit të Mitrovicës, duke filluar nga ora 12:00.

Për veç të shpërngulurve në Shqipëri dhe Maqedoni, mijëra shqiptarë kaluan kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.

Eksodi, apo dëbimi shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre, arriti kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi). / KultPlus.com

Stefan Cvajg: Shahu, loja bardhezi për mendjet me ngjyra


Gjithë jetën time më kanë ngjallur interes monomanët, të cilët i sundon ideja e një pasioni të vetëm, sepse sa më të kufizuar të jenë njerëzit, aq më tepër i afrohen infinitit.

Stefan Cvajg

Shahu është një lojë strategjike që luhet nga dy lojtarë në një fushë shahu. Kjo e fundit përbëhet nga tetë rreshta dhe tetë kolona, gjithsej janë 64 katrorë të zinj dhe të bardhë. Është një nga lojërat më të njohura në botë, e luajtur nga miliona njerëz në shtëpi, klube, në internet, në korrespondencë dhe në turne të shumtë. Çdo lojtar ka nga 16 gurë: një mbret, një mbretëreshë, dy torra, dy oficerë, dy kuaj dhe tetë ushtarë. Secili gur lëviz në drejtime të ndryshme. Gurët përdoren për të sulmuar dhe për të kapur gurët e tjerë të kundërshtarit. Objektivi i lojës është “shah mat”, kur mbreti i lojtarit tjetër është nën kërcënimin e pashmangshëm të kapjes. Loja mund të fitohet edhe nga dorëzimi i vullnetshëm i njërit prej lojtarëve, gjë që ndodh zakonisht kur shumë gurë janë humbur, ose kur shah mati është bërë i pashmangshëm. Një rezultat tjetër i pranueshëm i lojës është dhe barazimi, në të cilin asnjë prej lojtarëve nuk fiton. Kursi i lojës është i ndarë në tri faza: hapja, zhvillimi dhe mbyllja e lojës. Vilhem Steinitz është i pari kampion i shahut, i nderuar në vitin 1886. Kampioni aktual është indiani Visëanathan Anand. Ekzistojnë shumë kampionate botërore shahu, si për shembull ai femëror, për të rinj, i zotërinjve (ku marrin pjesë persona mbi 60 vjeç) në korrespondencë, në internet dhe kampionati i shahut të shpejtë. Ka shumë variante të shahut me rregulla, figura dhe me tabela të ndryshme. Loja e shahut është programuar për t’u luajtur në kompjuter që prej gjysmës së dytë të shekullit të 20. Kompjuteri “Deep Blue” është i pari që mundi kampionin botëror të shahut Geri Kasparov në vitin 1997. Rregullat zyrtare të shahut vendosen nga Federata Botërore e Shahut dhe gjenden të publikuara në libra apo rregullore të nxjerra prej saj. Në rreshtin e parë të tabelës nga të dyja anët vendosen torrat, kuajt, oficerët, mbreti dhe mbretëresha, ndërsa në rreshtin e dytë të gjithë ushtarët. Lojtari i parë që lëviz është ai që ka zgjedhur fushën e bardhë, pas lëvizjes fillestare çdo lojtar lëviz nga një herë. Gurët lëvizen pavarësisht nëse katrori është i zënë apo jo, kur ky është i zënë atëherë guri i kundërshtarit kapet dhe del nga loja. Lojtarët lëvizin nëpër fushë duke “ngrënë” figurat e njëri-tjetrit. Asnjëri prej tyre nuk është i detyruar të bëjë lëvizje që ta vënë mbretin në rrezik. Nëse njëri prej lojtarëve nuk ka më lëvizje të mundshme, atëherë loja mbaron. Secili gur shahu ka lëvizjen e tij të veçantë. Loja e shahut mund të luhet edhe nën kontrollin e kohës, këtë e përdorin zakonisht klubet ose profesionistët e shahut. Nëse njërit prej lojtarëve i mbaron koha përpara se loja të përfundojë, ai humbet. Gjatësia e lojës varion nga shtatë orë për lojërat e rëndësishme, deri në tridhjetë minuta ose një orë për lojërat normale. Akoma më i shkurtër është “shahu i shpejtë”, me një mundësi kohore nga 3-15 minuta për lojtar. Në turnetë e shahut, përdoren orët që janë të ndara në dy pjesë, duke treguar sesa kohë i ka mbetur secilit lojtar. Qëllimi i lojës së shahut është marrja e figurës së mbretit të kundërshtarit. Taktikat e shahut janë lëvizje në kohë të shkurtër, por që llogarisin veprimet në të ardhmen e afërt të kundërshtarit. Aftësia për të formuluar taktika të suksesshme varet nga inteligjenca dhe përqendrimi i lojtarit. Gjatë hartimit të strategjisë, lojtari duhet të marrë në konsideratë jo vetëm veprimet e mundshme të kundërshtarit, por edhe vlerën e gurëve në lojë, kontrollin e qendrës dhe gurëve kyç për fitoren, sigurinë e mbretit, dhe strukturën e ushtarëve. Vlera e gurëve ndryshon në varësi të titullit që mban secili prej tyre, për shembull ushtarët vlejnë një pikë, oficerët dhe kuajt tri pikë, torrat pesë pikë dhe mbretëresha nëntë pikë. Mbreti ka vlerën më të madhe nga të gjithë, nëse ai kapet, atëherë loja mbaron. Një tjetër fakt me rëndësi në lojën e shahut është edhe struktura e ushtarëve në tabelë. Kjo strukturë formëson strategjinë e lojtarëve dhe mundësinë e tyre për të fituar.

Historia e shahut

Mendohet ta këtë origjinën nga India Veriperëndimore gjatë Perandorisë Gupta, e cila në shekullin e gjashtë njihej si Chaturanga. Ajo përbëhej nga katër divizione ushtarake: këmbësoria, kalorësia, elefantët dhe chariotry (lloj transporti me kafshë), të cilat respektivisht i përkasin ushtarëve, kuajve, oficerëve dhe torrave. Sipas historianëve, fillesat e shahut gjenden në Perandorinë Kushan në Afganistanin e lashtë, ku fjala shah ka kuptimin e një fosili të gjallë. Prova më e hershme e shahut gjendet në Persi rreth vitit 600, ku loja quhej “chatrang”. Chatrang u huazua nga myslimanët pas pushtimit të Persisë prej tyre në vitet 633-644, nga ku u quajt “shatranj”, por emrat e gurëve nuk u ndryshuan dhe shumica mbetën me origjinë persiane. Secili nga shtetet që e adoptoi këtë lojë i dha asaj një emër të përshtatshëm për vendin ku luhej, në Europë mbizotëroi zëvendësimi nga fjala persiane “shah” që do të thotë mbret, në “chess”. Tregtarët e Lindjes mbërritën në portet europiane me gurët orientalë të mbretit të shahut, përpara se ata të sillnin lojën e plotë. Loja u përhap në Europën Perëndimore dhe Rusi në fillim të shekullit të nëntë. Në vitin 1000, loja e shahut ishte shpërndarë në të gjithë Europën. Rregullat e lojës filluan të ndryshojnë në vitin 1200 nga Europa Jugore, duke marrë ngadalë formën që kanë sot. Ato u formuan plotësisht në shekullin 19, në mënyrën sesi shahu luhet sot në mbarë botën. Nga shekulli 10 deri në shekullin 15, mbretëresha u bë guri më i rëndësishëm i lojës, duke zëvendësuar kështu figurën e vezirit. Për këtë arsye e gjejmë shpesh të quajtur shahun modern si “Shahu i mbretëreshës”.

Librat për teorinë e shahut filluan të shkruhen në shekullin e 15. Autorë të shumtë nga Spanja, Italia, Greqia dhe vende të tjera, kanë shkruar analiza dhe teori të shumta për mënyrën sesi shahu duhet të luhet apo fitohet. Turneu i parë i shahut u mbajt në Londër në vitin 1851 dhe u organizua nga kryetari për shahun në Angli. Ky turne u fitua nga gjermani Adolf Andersen, i cili shquhej për mjeshtërinë në shah, për mendjen brilante dhe për energjinë e sulmit, e cila më pas u njoh si strategji. Pol Mërfi ishte një lojtar i ri shahu, i cili fitoi ndaj të gjithë kundërshtarëve të tij profesionistë. Karriera e Mërfit shquhej për kombinimin brilant të sulmit dhe mbrojtjes, për aftësinë e tij të jashtëzakonshme në përgatitjen e sulmeve të befasishme. Vilhem Steinitz e revolucionarizoi lojën duke shpjeguar sesi të shmanget dobësia e pozicioneve të ndryshme dhe si të vërehet kjo dobësi në pozicionet e kundërshtarit. Ndërmjet luftërave botërore, strategjitë e shahut u zhvilluan edhe më shumë nga “hipermodernistët”. Këta filluan ta kontrollonin qendrën e fushës së shahut jo më me ushtarë të thjeshtë, duke e sulmuar kundërshtarin në pikën e tij të dobët.

Titujt në shah janë të ndryshëm dhe të shumtë, në varësi edhe të kategorive për të cilat bëhet fjalë. “Mjeshtër i madh” është titulli më i lartë që një lojtar shahu mund të mbajë. Përpara se Federata Botërore e Shahut të mund t’i japë një lojtari këtë titull ai duhet të jetë klasifikuar në sistemin ELO të numërimit të pikëve të një shahisti. “Mjeshtër ndërkombëtar”, për t’u kualifikuar për këtë titull duhet që lojtari të këtë të paktën 2400 pikë në sistemin ELO të pikëve. “Mjeshtër i federatës”, për këtë titull lojtari duhet të këtë mbledhur 2300 pikë për arritjet e tij në federatë. “Mjeshtër kandidat”, është titull i përafërt me “Mjeshtrin e federatës”, por hierarki më poshtë këtij, për të marrë këtë titull duhen të paktën 2200 pikë. Titujt janë të hapur për meshkujt dhe femrat. Titujt si “Mjeshtër i madh” merren edhe nga femrat që prej vitit 1978. Në vitin 2011 numërohen rreth 1363 “Mjeshtër të mëdhenj” dhe 3153 “Mjeshtër ndërkombëtarë”. Tre vendet me numrin më të madh të “Mjeshtërve të mëdhenj” janë 208 Rusia, 78 Ukraina dhe 76 Gjermania.

Psikologjia e shahut

Në tezat e tij, Ardian de Groot tregon se mjeshtërit e shahut mund të perceptojnë shumë shpejt tiparet kryesore të një pozicioni. Sipas studiuesit, kjo aftësi e shpejtë perceptimi arrihet si pasojë e viteve të tëra praktikë e studim. De Groot ka provuar se mjeshtërit në shah mund të memorizojnë pozicionet e gurëve të treguar vetëm për pak sekonda. Kjo aftësi për të mbajtur mend nuk është thjeshtë e lidhur me aftësitë në shah, por edhe për shkak se kur mjeshtërit e shahut përballen me një rregullim të çfarëdoshëm të një fushe shahu, ata e lidhin atë pamje me qindra e mijëra kujtime ekuivalente të mëparshme. Kur pozicionet e lojës janë kopjuar nga një lojë e caktuar, të cilën mjeshtërit e njohin, atëherë pozicionet e gurëve regjistrohen në tru automatikisht. Të tjera kërkime shkencore i referohen shahut si stërvitje e mendjes dhe si zhvillim i diturisë. Talenti dhe praktika ecin së bashku kur bie fjala për shahun. Shkencëtarët diskutojnë ndërmjet tyre faktin se a është e mjaftueshme një praktikë e madhe për të arritur nivele të larta në shah, apo gjenitë e deritanishëm të shahut e kanë pasur aftësi të lindur mënyrën sesi ata arrinin të fitonin.

Shahu dhe inteligjenca

Pavarësisht supozimit të lidhjes mes performancës në shah dhe inteligjencës së përgjithshme, kërkuesit deri më tani kanë dështuar në konfirmimin e kësaj hipoteze. Një studim i vitit 2006 zbuloi se nuk kishte ndonjë dallim të madh mes inteligjencës së personave që luanin shumë mirë shah dhe njerëzve normalë. Për këto dhe shumë arsye deri më tani, performanca në shah është e lidhur më tepër me eksperiencën sesa me ndonjë inteligjencë gjeniale të fshehur. Shahistët profesionistë është vlerësuar se kanë të regjistruar në kujtesën e tyre 10,000-300,000 modele pozicionesh shahu. Një studim i vitit 2007, i cili studionte lojtarët e rinj të shahut në Britani zbuloi se fëmijët më të zgjuar prireshin të kishin nivel më të ulët të aftësive në shah. Rezultatet shpjegoheshin prej faktit se kishte një lidhje të zhdrejtë mes inteligjencës dhe praktikës. Studimi këshillonte se praktika është ajo që ngjall më shumë aftësi të mira në shah, sesa vetëm inteligjenca e lindur.

Shahu dhe çmenduria

Shahu e stërvit mendjen deri në cakun e gjenialitetit, pastaj duket se e gremis atë në çmenduri. Shahisti i shquar Bobi Fisher konsiderohet prej shumë personave si lojtari më i mirë i shahut në të gjitha kohërat, ai pati një karrierë brilante, por fundi i tij ishte tragjik, ai u çmend. Pol Mërfi pas debutimit të tij triumfues në turin e Europës në vitet 1858-‘59, u kthye më pas në Amerikë dhe hoqi dorë nga shahu. Disa njerëz shprehen se ai është parë të endet rrugëve të Nju Orlinsit i çmendur duke folur me vete. I madh Vilhem Steinitz pretendon se ka luajtur shah me Zotin, i ka dhënë atij një gur tepër dhe përsëri ka fituar. A është e rastësishme lidhja midis shahut dhe çmendurisë? Ka tri shpjegime të mundshme. Njëri prej tyre e tregon shahun si një monomani, (mania për të pasur një pasion të vetëm dhe për ta zhvilluar atë sa më shumë). Personat e ndjekin pasionin e tyre me një intensitet të lartë ditë e natë që nga fëmijëria, me qëllimin e vetëm për të arritur majat e më të lartëve. Ky përqendrim i madh ndikon në mënyrën sesi e shohin realitetin këta njerëz dhe i bën ata që të kenë çrregullime të shumta. Xhorxh Steiner shprehet se një gjeni shahu është një qenie njerëzore me një qëllim të vetëm dhe rëndësia që ky i jep këtij synimi, e bën atë të dobët ndaj simptomave të shumta të stresit dhe iluzioneve. Nga ana tjetër, shahu është një aktivitet abstrakt dhe i mbyllur, i cili zhvillohet mes teorive të shumta që vërviten në mendjen e personit që e luan. Stefan Cvajg i referohet shahut si matematika që nuk nxjerr asnjë konkluzion, si arti pa një vepër, si arkitektura pa përmbajtje. Shpjegimi i fundit për çmendurinë e shkaktuar nga shahu është fakti se në fushën e lojës, shahistët ndiqen këmba-këmbës nga kundërshtarët e tyre, ata janë gjithnjë në presion dhe në ndjekje të njëri-tjetrit. Kjo ndjenjë e të qënurit i vëzhguar gjithnjë nga dikush, ndikon në çrregullimet mendore që shahistët mund të përjetojnë. Fusha bardhezi për profesionistët e shahut nuk është thjesht një tabelë, por një fushë e ëndrrës dhe paranojës. Sipas Federatës Botërore të Shahut, kampioni shqiptar i shahut është Erald Dervishi, i cili mban titullin “Mjeshtër i madh” dhe numëron 2546 pikë, i dyti është Dritan Mehmeti me 2413, ndërsa i treti është Ilir Seitaj me 2392 pikë. Në Shqipëri ka 48 shahistë aktivë, 1 Mjeshtër të Madh, asnjë femër Mjeshtre e Madhe e Shahut, 3 Mjeshtër Ndërkombëtarë, 2 Mjeshtër të Federatës dhe 1 Mjeshtre Femër të Federatës.

Novela e Shahut- Stefan Cvajg

Kur i hodha librit vështrimin e parë, ndjeva dëshpërim dhe u pezmatova aq sa s’bëhet. Ky libër, të cilin e kisha vjedhur me rrezik të madh e që prisja ta lexoja me padurim, nuk ishte tjetër veçse një tekst shahu që përmbante njëqind e pesëdhjetë lojëra të zhvilluara nga shahistët më të përmendur. Po të mos isha i mbyllur brenda katër mureve do të më kapte zemërimi e do ta kisha hedhur librin nga dritarja. Mbase do të kem mundësi të formoj në qelinë time një lloj fushe shahu dhe do të përpiqem t’i përtërij këto lojëra. Çarçafi m’u duk me katrorthe dhe sikur ishte një dhuratë qiellore. E palosa me mjeshtëri çarçafin e m’u bë sikur pashë një fushë të ndarë në gjashtëdhjetë e katër katrorthe. E grisa faqen e parë dhe librin e fsheha nën dyshek. Pastaj, me tulin e bukës që e hiqja nga goja zura të ngjizja mbretin, mbretëreshën dhe figurat e tjera të shahut, të cilat morën trajtë qesharake, e më në fund, pasi kapërceva vështirësi të mëdha munda të formoja mbi çarçafin me katrorthe pozicionet që ishin shënuar në këtë libër. Ditët e para nuk ia dola dot mbanë, në vend të lojës u bë një rrëmujë: m’u desh ta filloja lojën nga e para, pesë, dhjetë, njëzet herë. Po kush kishte më shumë kohë të lirë se unë skllavi që jetonte në zbrazëtirë? Kush, mund të kishte dëshirë dhe durim aq të madh?

/Shkëputur nga libri me novela, i përkthyer nga Klio Evangjeli. / KultPlus.com

Përmes një klipi të shkurtër, Madonna paralajmëron albumin e ri

Madonna e ka publikuar një video të shkurtër nga klipi i saj i ri duke konfirmuar se albumi i saj i radhës do të titullohet “Madame X”.

Në videon e publikuar, mbretëresha e muzikës pop shfaqet në skena të ndryshme duke i ndërruar veshjet, transmeton Billboard.

Ajo ka thënë se këto ndryshime nënkuptojnë personalitetet e ndryshme të këngëtares, teksa gjatë klipit shpjegon se ajo është ‘Madame X’.

“Agjentja sekrete që udhëton nëpër botë duke i ndërruar identitetet, duke luftuar për liri dhe duke sjellë dritë në vendet e errëta” – ky është shpjegimi për ‘Madame X’.

“Madame X” që do të dalë gjatë verës, do të jetë albumi i 14 i Madonnas i incizuar në studio, ndërsa është albumi i parë që nga viti 2015 (pas “Rebel Heart”). /Telegrafi/ KultPlus.com

Ulqini nikoqir i panairit me punime artizanale

Panairi rajonal i artizanëve, që tradicionalisht mbahet në qytetin bregdetar të Ulqinit është manifestimi më i madh i këtij lloji në Mal të Zi.

Panairi, i cili mbahet në fillim të sezonit turistik, promovon punimet artizanale dhe traditën si dhe diversitetin krijues të komuniteteve që jetojnë në rajonin e Ballkanit.

Zëri i Amerikës sjell këtë kronikë:

The Feeling remains: Vizitojeni menjëherë Shqipërinë! Ehhh

Shqipëria është një thesar i nënvlerësuar në Ballkan. Shumica e njerëzve vërtet nuk dinë shumë në lidhje me këtë vend të jashtëzakonshëm, madje më e keqja, kanë një imagjinatë të gabuar ne mendjen e tyre, shkruan blogerja e njohur hungareze, Gabriella Sovago në blogun e saj “The Feeling remains” që u kushtohet udhëtimeve.

“Kur fillova të planifikoj udhëtimin tim në Shqipëri u paralajmërova nga shumë persona të cilët përpiqeshin të më përgatisnin se Shqipëria ishte si Hungaria e 50 viteve më parë. Komunizëm. Plehra. Nuk kujdesen për njerëzit. Kështu që nuk kisha pritshmëri të mëdha kur mbërrita”, thotë Sovago në këtë reportazh të gjatë mbi arsyet përse duhet vizituar vendi ynë.

“Dhe përfundova të qëndrojë në Shqipëri për gati dy muaj sepse ky vend është fantastik dhe njerëzit këtu janë shumë të sjellshëm dhe të ndihmojnë! Për më tepër, Shqipëria është jashtëzakonisht e bukur! Ky vend është bërë një prej vendeve të mia të preferuara dhe është një destinacion ku sigurisht që do të kthehem. Provojeni vetë para se të tjerët të kuptojnë se sa magjik dhe i paprekur është ky vend”, thekson ajo.

Më poshtë vijon një guidë e udhëtimi për në Shqipëri e punuar nga blogerja hungareze bashkë me shumë arsye përse duhet të vizitohet Shqipëria menjëherë:

Kultura dhe Historia

Nëse kërkon të njohësh pak më shumë mbi historinë e Shqipërisë, patjetër duhet të shkosh në Tiranë, duhet të vizitoni “BunkArt” dhe të zhvilloni një tur duke ecur. Shkurt, sistemi demokratik u vendos në Shqipëri vetëm në fillim të viteve ’90. Më përpara, Shqipëria ishte nën njërin prej regjimeve komuniste më shtypëse, madje edhe Koreja e Veriut kishte më shumë partnerë tregtarë se sa Shqipëria vetëm disa vite më parë.

Tani Shqipëria është një vend ku bashkëjetojnë disa besime pranë njëra-tjetrës pa asnjë konflikt, krejtësisht në paqe kështu që mund të gjesh simbole të ndryshme fetare shumë pranë njëra-tjetrës.

Çfarë të veshësh?

Çfarë të dëshironi! Vërtetë! Nuk keni përse të ndryshoni stilin e veshjes për shkak të Shqipërisë. Megjithatë, nëse dëshironi të shkoni në kishë apo xhami, mbani me vete një shall.

Gjuha

Gjuha shqipe është po aq e përhapur sa ajo hungareze (nuk është shumë e njohur), kështu që mos u shqetësoni nëse nuk e njihni gjuhën. Megjithatë është vërtet këndshëm dhe të bën të ndihesh më mirë si turist nëse mëson disa fjalë bazike. Brezi i ri flet anglisht, megjithatë do të gjeni shumë vende, madje edhe në sektorin turistik dhe të hotelerisë ku nuk dinë aspak të falsin anglisht. Por mos u shqetësoni, sepse këta njerëz janë shumë bujarë dhe do të bëjnë maksimumin për ju. Përveç shqipes, edhe greqishtja dhe italishtja janë shumë të përhapura.

Çmimet dhe monedha

Monedha zyrtare është leku në Shqipëri, por kudo mund të përdorni edhe euron, megjithatë është më mirë të përdorni monedhën vendase.

Shqipëria është e lirë. Në fakt, varet se nga cili vend vjen, sepse nëse je nga një vend tjetër ballkanik, me shumë mundësi do të përballeni me të njëjtat çmime si në vendin tuaj. Nëse vjen nga një vend i Europës Veriore ose nga SHBA-ja, do të habiteni se sa lirë është këtu. Madje nëse vini nga Zelanda e Re ose Australia mund të jetoni si një mbret, seriozisht.

Uji rubineti: po apo jo?

Në fakt, ka disa vende ku nuk është ide e mirë të pihet uji i rubinetit, por nuk pata ndonjë problem për sa kohë isha në Shqipëri dhe piva uji rubineti. Pyet stafin në vendin ku po qëndroni dhe do ju thonë ata. Por nëse nuk doni të rrezikoni, pini ujin e shishes, është i lirë, si çdo gjë tjetër.

A është e sigurt Shqipëria?

Si një udhëtare femër vetmitare, mund të them se Shqipëria është një vend i sigurt! Po, i sigurt për të udhëtuar vetëm ose si çift. Mund të them se kudo në Shqipëri është më sigurt se sa në Madrid, Paris, Romë apo Budapest. Krimi i rrugës nuk është shumë i përhapur, ashtu si vjedhjet e çantave dhe shqiptarët janë të ndershëm kështu që ata nuk do t’ju vjedhin vetëm sepse je një turist. Sigurisht që ka persona të këqij si kudo, kështu që mos jini të papërgjegjshëm por, në përgjithësi, Shqipëria është e sigurt.

Autobus, furgon dhe tren

Të përdorësh transportin publik është një aventurë, veçanërisht kur largohesh nga Tirana në drejtim të fshatrave të vogla. Jini të përgatitur të kaloni shumë kohë sepse ky proces është i gjatë dhe i ngadaltë por është vërtet një eksperiencë kështu që duhet ta provoni të paktën një herë.

Çfarë të hash

Çdo njeri ka shijet e tij, por ushqimi shqiptar është i mrekullueshëm. Ndonëse kuzhina shqiptare është pak e influencuar nga ajo italiane, turke dhe greke, ajo prapë është shumë ndryshe dhe e shijshme. Disa prej ushqimeve që nuk duhet të humbisni janë tava kosit, byreku, ëmbëlsirat me çokollatë, si dhe një lloji alkooli që quhet raki.

Koha më e mire për ta vizituar

Seriozisht në çdo kohë! Por nëse dëshiron të shijosh plazhet e bukura të Shqipërisë, koha me e mirë për ta vizituar është nga maji në tetor.

Arsyet kryesore për të vizituar Shqipërinë menjëherë!

Përveç gjithçkaje që thash më sipër, përfshirë edhe artikujt e mi të mëparshëm mbi këtë vend të bukur, arsyeja kryesore përse e dua shumë Shqipërinë është se këtu çdo gjë është një aventurë. Madje edhe një udhëtim me autobus, veçanërisht një udhëtim me autobus.

Pyesni pse?

Për shkak të njerëzve. Nuk ka rëndësi nëse nuk flet të njëjtën gjuhë. Nuk ka rëndësi nëse duket se nuk ke asgjë të përbashkët. Ata janë aty dhe gjithnjë të gatshëm që t’u ndihmojnë ose thjesht ta bëjnë ditën tuaj më të mirë. /G.S/A.T.SH/ KultPlus

Sonte nis sezoni i ri i Game of Thrones, “çmenden” fansat

Game of Thrones është ndër serialet më të shikuara në botë për momentin. Kjo ka bërë që fansat e tij, sapo kuptuan që sezoni i 8 po fillon, të brohorasin e të shprehin dëshirën e flaktë që kanë për këtë serial.

Seriali i platformës HBO, Game of Thrones, filloi sonte në orën 21:00 të orës lokale të Amerikës Lindore, ndërsa për personat të cilët jetojnë në Kosovë, shfaqja do të fillojë në orën 03:00, të datës 15 prill.

Sezoni i tetë dhe i fundit, do të jetë më i shkurtri nga të gjitha sezonet e kaluara, por episode e tij do të jenë më të gjata në krahasim me të tjerat./Insajderi/ KultPlus

Televizioni izraelit ironizon këngëtarët shqiptarë: Ka pak shqiptarë, por këngët klikohen me miliona herë

Prej disa ditësh Jonida Maliqi ndodhet në Izrael ku Shqipëria do të përfaqësohet këtë vit në Eurovision nga Jonida Maliqi me këngën “Ktheju Tokës”.

Për të prezantuar kulturën e muzikës shqiptare është kujdesur RTV publik izraelit KAN, i cili ka përdorur shumë ironi, por edhe shumë të vërteta.

Por moderatorja Lucy Ayoub që ka realizuar videon shprehet që nëse pyet një shqiptar për këngët e preferuara në Eurovision, do të përgjigjet “Mu prish gjiza” që nënkupton se nuk i intereson fare.

Lucy tregoi gjithashtu se këngëtarët shqiptarë i realizojnë klipet në kështjella dhe përdorin makina luksoze. E pjesa më interesante ishte kur ironizoi klikimet e këngëve të artistëve shqiptarë.

Ajo tha që ka pak shqiptarë nëpër botë, por klikohen mbi 100 milion herë, mirëpo kjo nuk do të thotë se ata i blejnë klikimet.

Arsyeja pse ata kanë shumë klikimet është se dinë të bëjnë marketing dhe u shpreh se shpreson që ky marketing i mirë t’i ndihmojë në Eurovision./shkoder.info/ KultPlus.com

Kur “çmenden” arkitektët, shtëpitë më të shëmtuara të Belgjikës

Shumica e profileve të Instagramit janë të mbushura me foto që tregojnë gjëra të bukura, por një belg ka zgjedhur që të tregojë në fakt shtëpitë më të shëmtuara në Belgjikë.

“Ugly Belgian Houses” përmban mbi 1400 foto të shtëpive me një pamje që është pak t’i thuash e çuditshme, transmeton tch.

Mënyra e ndërtimit të shtëpive varion shumë pasi në Belgjikë ligji është liberal kur vjen puna te ndërtimi i shtëpive.

Hannes Coudenys, personi që poston këto foto, thotë se merr shumë ankesa nga bashkatdhetarët e tij: “90% e belgëve janë të mërzitur me mua. Më vijnë shumë ankesa dhe ofendime./ KultPlus.com

Liri vrastare

Kimete Arifaj

Ndër kafazin e shpirtit tënd
Ti hedh copëzat e lirisë
Asaj lirie që kokë me vend
Të mbulon me hëndek të rinisë

Sot çmendësh nën hijen e dynjasë
Kuvendon me veten tande
Athu  vallë mjafton kjo gjamë
T’rikthejë në rrjedh shtigjet e jetës tande

Thu ti vallë lirinë e don
Por liria të thumbon
Po s’dite të ujisësh petalet dhe gjembat
N’këtë dynja
Mbetesh lule që kundërmon. / KultPlus

Gjuha shqipe do të mësohet zyrtarisht në Macerata të Italisë

Gjuha shqipe tashmë do të mësohet zyrtarisht në shkollat publike në Macerata të Italisë, shkruan albinfo.ch.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Arsimit për Kosovë, Shyqiri Bytyqi, i cili është takuar me mësuesit shqiptarë në Macerata të Italisë, me rastin e festës vjetore që organizohet nga Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Itali.

“Pa dyshim, lajmi më i mirë që u dha në këtë organizim ishte që nga ky vit mësimi i gjuhës shqipe do të organizohet edhe zyrtarisht në të gjitha shkollat publike në Macerata, lajm të cilin e dha drejtori i shkollës “Enrico Fermi”, z. Ermanno Bracalente, që pastaj edhe zyrtarisht e konfirmoi edhe nënkryetarja e qytetit, znj. Monteverde në një fjalë rast”, ka njoftuar Bytyqi, përcjell albinfo.ch.

Në vazhdën e takimeve, ministri Bytyqi është takuar edhe me me rektorin e Universitetit të Camerinos në Itali, Claudio Pettenari, me të cilën është dakorduar të nënshkruajë një marrëveshje, përmes së cilës do të fitojnë bursa dhjetë studentë nga Kosova.

“Ky universitet shtetëror me 7 shekuj histori, i themeluar në vitin 1336, do të ndajë 10 bursa për studentët nga Kosova, ku 5 do të jenë për studime bazike dhe 5 të tjera për studime master, kryesisht në shkenca ekzakte”, ka njoftuar Bytyqi, përcjell albinfo.ch.

Bytyqi po ashtu është takuar edhe me profesorin dhe piktorin arbëresh, Silvio Craia (Kraja).

Në këtë organizim ka marrë pjesë edhe zv.ministri i Diasporës për Kosovë, Afrim Bekteshi./ KultPlus.com

Jetmir Memedi, i pari në mesin e 48 këshilltarëve në “Helvetia”

Në vitin 2010 ka migruar në Zvicër për bashkim familjar. Dy vjet më vonë ka filluar të punojë si ndërmjetësues i sigurimeve, ndërsa në vitin 2015 ka hapur biznesin e tij me emrin “sanaprotect GmbH” .

Dihet që zviceranët nuk i lënë asgjë rastësisë dhe kur bëhet fjalë për sigurinë, pothuajse çdo gjë e rregullojnë paraprakisht. Prona, pasuria, sigurimet e jetës dhe të pensionit shëndetësor, janë shtylla të forta që i garantojnë qytetarëve të këtij vendi një jetë cilësore. Mirëpo, për të gjitha këto, ata u paguajnë para të majme kompanive të shumta të sigurimeve që operojnë në Zvicër.

Megjithatë kjo nuk u garanton kompanive të sigurimeve klientë të sigurt e lehtë të arritshëm, pasi që numri i kompanive që ofrojnë këto shërbime është i madh dhe i shtrirë në tërë Zivcrën. Lufta mes kompanive, sidomos atyre të mëdha, për të fituar klientë, është e pakompromis dhe të punosh në Zvicër në lëmin e sigurimeve nuk është aspak e lehtë. Në këtë vend ka një konkurrencë të madhe mes kompanive të sigurimeve që joshin klientët me oferta lukrative.

Përkundër kësaj, shqiptarët edhe në këtë biznes kanë hisen e tyre dhe i perziejnë kartat e sigurimeve, shpesh me rezultate tejet pozitive. E njëri ndër ta është i riu Jetmir Memedi, i cili ka pak vjet që jeton në Zvicër, por ka krijuar një emër të respektuar në Lucern me kompaninë e tij “sanaprotect”. Djaloshi 31-vjeçar vjen nga Forina e Gostivarit dhe është i diplomuar në Universitetin Fon-Shkup, në drejtimin e kriminalistikës. Emigrimi në Zvicër e ka shtyrë atë të fokusohet në një profesion krejt tjetër, gjë që Jetmiri ia ka dalë me sukses. Dy vjetët e para të ardhjes në Zvicër Jetmiri ka ndjekur kurse intensive të gjuhës gjermane dhe paralelisht është integruar në shoqërinë zvicerane, duke krijuar një rreth të gjerë të miqve zviceranë.

„Si çdo profesion që i ka vështirësitë e veta, edhe ky ka sfida, që kërkojnë përkushtim, seriozitet e angazhim jo 100%, por 200%. Për shkak se duhet të konsultohesh mirë e qartë me çdo klient. Klientët kërkojnë një sigurim që u përshtatet interesave të tyre dhe ne duhet ta ofrojmë ashtu si e kërkojnë ata, pa i manipuluar, duke u ofruar sigurim të mirë me produkte që u hyjnë në punë apo mund t`i shfrytëzojnë dhe jo me produkte që nuk u hyjnë në punë“, thotë drejtuesi i kompanisë “sanaprotect”, Jetmir Memedi.

„Ne si kompani kemi në radhë të parë si prioritet cilësinë e sigurimit, shërbimin dhe vetëm pastaj kalkulojmë çmimin. Kjo është përgjigjja që ne u japim klientëve që kërkojnë e janë të koncentruar vetëm në sigurim më të lirë“, tregon drejtuesi i kompanisë, Memedi, dhe vazhdon, „Unë si Jetmir Memedi kurrë nuk u ofroj çmime klientëve të mi, por vetëm kualitet dhe gjithmonë jam në dispozicion të tyrë në çdo kohë dhe për çfarëdo konsultimi“.

Por si ka filluar Jetmiri të punojë me kompani sigurimesh? Në vitin 2010 ai ka emigruar në Zvicër për bashkim familjar. Dy vite më vonë ka filluar të punojë si ndërmjetësues i sigurimeve për një periudhë trivjeçare.

Në vitin 2015 është bërë i pavarur duke hapur biznesin e tij të ndërmjetësimit me emrin “sanaprotect GmbH”, të cilën e drejton bashkë me të shoqën Letafete Memedi. Ata i ndajnë detyrat -Jetmiri kujdeset për sigurimin e klientëve të rinj, kurse Letafetja kujdeset për tatimet dhe financat e firmës. „Në fushën e ndërmjetësimit të sigurimeve jemi përplot 8 vite dhe kemi 4 vite që kemi kompaninë tonë GmbH. Krahas ofertave të sigurimit, bëjmë edhe mbushjen e tatimeve“, shpjegon Memedi për albinfo.ch

Ai ka një bashkëpunim të gjerë me kompani të mëdha sigurimesh të mëdha dhe si ndërmjetësues ka arritur rezultate të shkëlqyera duke bashkëpunuar ngushtë me kompani si „Generali“, „Helvetia“, „Basler“, „Allianz“, „Die Mobiliar“, „Helsana“, „Visana“, „Concordia“, „Groupe Mutuel“ dhe „CSS“.

„Në vitin 2018 unë kam dalë fitues në mesin 48 ndërmjetësuesve që i ka Helvetia me “Special Agentin” Herbert Haas, në Lucern. Kam shitur më së shumti produkte të kësaj kompanie”, tregon  Jetmiri për vlerësimin që i kanë dhënë drejtuesit e sigurimit “Helvetia”.

Sekreti i punës së tij është sinqeriteti me klientë. “Jem në çdo kohë në dispozicion të klientëve dhe kjo më bën të besueshëm tek klientët, të ma kthejnë me besim, duke ardhur tek unë.“ 

Sigurimit shëndetësor i obliguar dhe ai alternativ

Në Zvicër, sigurimi shëndetësor përbëhet nga sigurimi bazë i detyrueshëm dhe sigurimet tjera shtesë, të cilat mund të zgjidhen lirisht. Sigurimi bazë i detyrueshëm për të gjitha sigurimet shëndetësore në Zvicër, gjithnjë e më shumë mbulon të njëjtat përfitime, sepse ato përcaktohen dhe përshkruhen nga ligjvënësi.

Dëshironi një konsultim juridik?

Nëse nuk ka zgjidhje të shpejtë për çështjet ligjore dhe mosmarrëveshjet midis dy palëve, mosmarrëveshjet jo vetëm që do të kushtojnë shumë kohë dhe nerva. Sigurimi i shpenzimeve tuaja ligjore ju siguron qasje në këshilla juridike kompetente dhe ju mbron nga ngarkesa financiare të paparashikuara për raportet e ekspertëve dhe shpenzimet ligjore. Me ne, e drejta juaj ka një shans.

Doni një konsultim për veturën tuaj?

Rreziqet e jetës moderne përfshijnë dëmet dhe problemet që lëvizshmëria sjell me të. Këto përfshijnë aksidente që përfshijnë njerëz ose përdorues të tjerë të motorizuar të rrugëve, dëmtime parkimi dhe veprime të tjera që mund të çojnë në dëmtime të makinave. Një aksident mund t’ju çojë shpejt në një situatë që mund të kërcënojë ekzistencën tuaj financiare. Për t’u mbrojtur kundër kësaj, sigurimi i automjeteve motorike është e vetmja rrugë. Nëse rezulton se statusi aktual i sigurimit të makinës tuaj nga njëra anë nuk i plotëson nevojat tuaja ose çmimi tjetër nuk përputhet me burimet tuaja financiare, ne do të jemi të lumtur t’ju bëjmë një ofertë që përshtatet në mënyrë optimale për ju.

Dëshironi këshilla indiviuale për tatimin dhe pronën tuaj?

Tatimi përbën pjesën më të rëndësishme të çdo plani financues, ngase pikërisht tek deklarimi i tatimit shpesh dhurohen para pa nevojë.  Për fat të keq, shumë qytetarë në Zvicër nuk janë në dijeni se sa e rëndësishme është të përfshihen taksat në planifikimin individual financiar! Në Zvicër, tatimi paguhet në çdo kanton. Për këtë arsye, është e rëndësishme të gjesh të gjitha përfitimet dhe mundësitë për kursim. Ne në sanaprotect GmbH Agentur Schweiz jemi ekspertë në të gjitha llojet e taksave, prandaj ne jemi gjithmonë në gjendje t’ju njoftojmë për të gjitha mundësitë e kursimit të taksave dhe të gjitha përfitimet e tjera./ Albinfo.ch/KultPlus.com

“Bini” i Erblin Nushit shpërblehet në Worldfest Houston 2019

Filmi “Bini” fitoi çmimin Gold Remi për filmin më të mirë historik në Festivalin Ndërkombëtar të Pavarur të Filmit – Worldfest Houston 2019, shkruan KultPlus.

“Bini” bazohet në ngjarje të vërtetë. Erblin Nushi ka qenë 6-vjeçar kur shpërtheu lufta në Kosovë. Filmin “Bini” e ka realizuar si punim diplome. Ai ka kryer studimet bazike për film “George Mason University” në Fairfax të Virginias në ShBA, ku është zhvendosur bashkë me familjen më 2010.

“Shumë i lumtur me të gjitha çmimet e pranuara deri më tani. Gjithë falënderimet shkojnë për ata që më mbështetën mua dhe filmin. Duke filluar nga ekipi im dhe çdo njeri që është përfshirë në këtë proces. Ju faleminderit”, është shprehur Nushi me rastin e pranimit të këtij çmimi.

Në filmin “Bini”, pos Lurni Krasniqit, në rolin e kryepersonazhit luajnë edhe Artiola Hamdija, Fjolla Nushi, Eshref Durmishi, Armond Morina, Florentina Ademi dhe Elena Shoshi. Xhirimet e këtij filmi ishin bërë në Pejë.

WorldFest është një nga festivalet më të vjetër dhe me të mëdhenj të filmit dhe të videove në botë me më shumë se 4 mijë e 500 aplikacione të pranuara nga 37 vende.

Erblin Nushi ju bashkohet fituesve të festivalit që zbuloi regjisorët si Steven Spielberg, George Lucas, Ang Lee, Brothers Coen, Spike Lee, Oliver Stone dhe shumë e shumë të tjerë të cilët në këtë festival pranuan edhe çmimet e tyre të para./ KultPlus.com

Rimontohet fasada monumentale e Stadiumit “Qemal Stafa”

Stadiumi i ri kombëtar vazhdon të marrë formën e tij përfundimtare ku pjesë integrale e tij do të jetë edhe hyrja kryesore, e cila falë një punë të kujdesshme u çmontua nga stadiumi i vjetër dhe u rivendos në stadiumin modern ku kombëtarja shqiptare do të zhvillojë ndeshjet e saj.

Për ti parë punimet në këtë stadium ishte edhe Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila ishte e shoqëruar nga arkitekti Casamonti.

Marco Casamonti, i cili është një ndër arkitektët më në zë të kohës dhe profesor në Fakultetin e Arkitekturës në Genova, bashkë me ekipin e tij kanë bërë katalogimin e pjesëve historike, pastrimin dhe rivendosjen e tyre, pjesë të cilat përbëjnë fasadën kryesore, vepër e famshme të Gherardo Bosio.

“Puna ka qenë të katalogonim të gjithë pjesët, ti vendosnim nga një numër të gjithave një e nga një dhe ti magazinonim. Duke i çmontuar i kemi pastruar, janë pastruar me një hedhje të lehtë uji dhe sapun për të hequr papastërtinë që ishte akumuluar ndër vite. Pasi u ndërtua godina e re kemi rivendosur tribunën kryesore që është edhe vepra kryesore e Bosios, në pozicionin identik siç ishte përpara në aks perfekt me strukturën urbane që ndodhet përreth”, tha Casamonti.

Ruajtja dhe rivendosja e fasadës historike është bërë në pozicionin identik siç ishte përpara, në aks perfekt me strukturën urbane që ndodhet përreth.

“Ne mendojmë gjithashtu të dorëzojmë arkitekturën e Bosios për qindra vite në të ardhmen sepse duke mos rënë më shiu mbi këtë pjesë të fasadës, kjo fasadë do të ruhet më mirë. Kemi pasur gjithashtu shumë diskutime nëse duhet ta mbyllnim fasadën me xham apo ta mbanim të hapur dhe në fund vendosëm që ishte më mirë ta mbanim të hapur siç ishte në origjinë por e mbuluar”, u shpreh Marco Casamonti.

Studentë të ardhur nga Fakulteti i Arkitekturës në Universitetin e Genova po punojnë për rikualifikimin urban të disa hapësirave publike rreth stadiumit.

E ministrja Margariti tha që e vlerëson punën e arkitektit Casamontit dhe stafit të tij për këtë pjesë të rëndësishme të memories së qytetit.

 “Më pëlqeu shumë edhe rikonstruksioni që jeni duke bërë i dokumentacionit dhe videove të kohës sepse ndoshta studentët nuk e dinë por është një pjesë e munguar e historisë së qytetit tonë”, – tha ministrja e Kulturës.

Puna për përfundimin e stadiumit po vijon me ritme të larta dhe konform kushteve dhe specifikave të institucionit më të lartë të futbollit Europian, UEFA./a.t.sh/ KultPlus.com

Arbëreshët fillojnë festimin e Pashkëve, publikohen fotografi gjatë “E Diellja e Rromollidhet”

Festimet për të shënuar Pashkët të Arbëreshët ndodhin pothuajse gjatë gjithë viti mirëpo këto festime arrijnë  kulmin gjatë “Javës së Madhe”. Në kuadër të kësaj javë shënohen ditët si Ringjallja e Llazarit, E Diellja e Rromollidhet, E Enjtja e Shenjtë, E Premtja e Madhe, E Shtunja e Madhe pastaj Dita e Pashkëve dhe Pashkët vezë të kuqe.

Në vijim ju sjellim një fotogaleri me fotografi gjatë shënimit të “E Diellja e Rromollidhet” e cila kujton hyrjen e Jezusit në Jerusalem . Festimet fillojnë në kishën e S. Nicola di Mira, ku zhvillohet riti i bekimit të palmave dhe degëve të ullirit. / KultPlus.com

Në Prishtinë lëshohet kuponi fiskal në gjuhën serbe

KultPlus ju sjellë një fotografi të publikuar në të cilën shihet se në një restaurant në Prishtinë, është lëshuar një kuponi fiskal në të cilin diku janë fjalët e shkruar në gjuhën shqipe e diku në gjuhën serbe.

Me të pranuar këtë kupon fiskal ka reaguar personi i cili ka pranuar Agim Kelmendi. Ai këtë fotografi e ka shpërndarë edhe në Facebook./ KultPlus.com

Në Shkodër themelohet Muzeu i Kulturës Françeskane

Themelohet muzeu “Lin Delija” në Shkodër ku është prezantuar projekti i Muzeut të Kulturës Françeskane.

Veprat e piktorit të njohur i janë dhuruar këtij Muzeu, që do të shërbejnë për të kujtuar e promovuar veprën e jetën e tij. Historia e pranisë dhe veprimtarisë françeskane në Shqipëri ka një shtrirje 800-vjeçare dhe përbën një nga formatet e rëndësishme sa të besimit katolik ndër shqiptarë aq edhe të historisë politike e shoqërore të vendit.

Duke paraqitur muzeun, organizatorët thanë se se falë rolit unik në bashkë themelimin e kulturës kombëtare, kontributi i françeskanëve konsiderohet gjithnjë e më tepër si një dukuri kulturore më vete, me autorë e vepra që qëndrojnë në themelet e letërsisë kombëtare, të dijes albanologjike, të publicistikës, mendimit shqiptar, memuaristikës, muzikës orkestrale, pikturës sakrale etj.

Hapësirat e këtij muzeu do të jenë vendtakimi i brezave të sotëm e të ardhshëm me poetë, dramaturgë e përkthyes si Leonardo de Martino, Gjergj Fishta, Vinçenc Prennushi; me prozatorë brilantë si Fishta e Anton Harapi; me etnografë e antropologë të kulturës si Shtjefën Gjeçovi, Bernardin Palaj, Donat Kurti; me historianë si Marin Sirdani; gjuhëtarë e stilistë si Benedikt Dema e Justin Rrota, filozofë si Gjon Shllaku, muzikantë mjeshtërorë si Martin Gjoka dhe me personalitetin e rrallë të françeskanit të paharrueshëm At Zef Pllumit, vepra memuaristike e të cilit vijon t’i kërkojë shoqërisë shqiptare përballjen etike me të shkuarën e saj komuniste.

Muzeu do jetë ndër të tjera dëshmia reale e humbjes së rëndë që pësoi kultura e dija kombëtare prej asgjësimit të veprave dhe të autorëve të tyre. Por mbi të gjitha, do të jetë pohimi krenar i një plejade të ndritshme në qiellin e kulturës kombëtare. /a.a/j.p/KultPlus.com


Nxënësit në Shqipëri realizojnë ekspozitë kundër bullizmit

Nxënës nga 21 shkolla të Shqipërisë janë bërë së bashku për të realizuar ekspozitën “Një zë kundër bullizmit”. Kjo ekspozitë realizohet nga COD, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës në Tiranë, në kuadër të programit “Kundër Bullizmit dhe Ekstremizmit në sistemin arsimor”, shkruan KultPlus.

“Stop Bullizmit! Të gjithë ndriçojmë njësoj Të Bullosh nuk të bën më të mençur se sa një zog . Mos Bullo! Qëndroni të Bashkuar! Stop Bullizmit! Të gjithë ndriçojmë njëlloj!”, janë mesazhet që sjellin nxënësit në COD – Qendra për Hapje dhe Dialog në këtë ekspozitë me vizatime sensibilizuese.

 “Le ta marrim këtë nismë së bashku dhe të jetë kjo ekspozitë vetëm hapi i parë i këtij bashkëpunimi! Të vendosim mendjen dhe zemrën në këtë nismë të përbashkët! Falënderoj të gjithë ata që iu bashkuan nismës së COD, me videot e realizuara në fushatën “Një Zë kundër Bullizmit”, u shpreh Eridana Çano, drejtoreshë e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje.

Shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë Jutta Gutzkoë, vuri theksin tek rëndësia e nxitjes së një kulture gjithëpërfshirëse, të sigurt dhe demokratike në shkolla ku diversiteti respektohet, vlerësohet dhe festohet. Nxënësit pjesëmarrës në ekspozitë përmes ngjyrave dhe ideve sjellin mesazhe për paqe, tolerancë, unitet dhe respekt për diversitetin, si mënyra për të parandaluar dhe reduktuar fenomenin e bullizmit në shkolla.

Fushatës së COD “Një Zë Kundër Bullizmit” i janë bashkuar edhe emra të njohur të artit, kulturës dhe të shoqërisë civile si : Edmond Dragoti, Lorik Cana, Bledi Strakosha, Arlinda Dudaj, Arbër Hajdari, etj. përmes videomesazheve në kuadër të fushatës, e cila do të vazhdojë deri në fund të majit 2019. Ekspozita në COD do të jetë e hapur nga data 12-24 prill 2019./ KultPlus.com

Vasfije Krasniqi viziton vendin ku u dhunua: Këtu mu shuan ëndrrat si 16 vjeçare

Vasfije Krasniqi-Godman është kthyer në vendin ku u dhunua para 20 vjetësh nga forcat serbe.

Në përkrahje të saj dhe të gjitha viktimave të luftës u mblodhën edhe disa qytetarë, të cilët kërkuan drejtësi, njofton Klan Kosova.

Krasniqi-Godman këtë herë si një 16 vjeçare që iu shkatërrua fëmijëria kërkoi drejtësi për dhunën që përjetoi.

“Në tetor unë e ndava rrëfimin tim, por sot po flas si një 16 vjecare. Këtu mu shuan ëndrrat e fëmijësisë, nuk e dita se çka po ndodh me mua, por kur ja nisi dhunimi më ranë ndërmend familjarët që i lash në shtëpi”.

“Drejtësi kërkova prej vitit 1999 në UNMIK, në 2010 në EULEX. Drejtësia mu ka mohuar por nuk do të ndalojë dhe jo vetëm për veten, por edhe për 20 mijë tjera. Dhe jo vetëm për viktimat e Kosovës por edhe të tjera vendeve”.

“Këto krime kanë ndodhë para familjes, para baballarëve dhe nënave tona. Të gjithë e dimë që ky krim ka ndodhur dhe në po ja u mbulojmë serbëve.

Familjarët i lus që së pari ta kenë një mendje më të hapur dhe të lejojnë viktimat që të flasin dhe të kërkojnë mbrojtje nga institucionet. Shpirti jonë do të rehatohet atëherë kur do të ketë drejtësi”. / KultPlus.com


Qosja: Kur fshatari e zbulon qytetin thjesht e pushton, zbaton ligjet e deleve dhe pulave

Shkrimtari dhe akademiku Rexhep Qosja ka shkëputuar një pjesë nga romani i tij më i ri që pritet të publikohet pas disa muajve.

Ai ndër të tjerash shkruan se ‘’Kur fshatari e zbulon qytetin thjesht e pushton, zbaton ligjet e deleve dhe pulave’’.

Ja postimi i plotë në Facebook:

Me prejardhje fshatare, Alberto arriti në Napoli në moshën njëzet vjeçare dhe e pushtoi si rrufeja që pushton thatësirën, si çdo fshatar që kurorëzohet me kryeqytetin.

Fshatari është i dështuar vetëm në qoftë se mbetet në fshat, por kur e zbulon qytetin, ai thjesht e pushton. Ndaj qytetarit në qytet zbaton ligjet e deleve dhe te pulave. Ndaj psikologjisë së koklavitur të politikanëve sillet si ndaj qenve që ruajnë tufat e deleve. Kjo është logjika e tij fitimtare. Me këtë logjikë ai e zhdukë çdo konkurrencë. Shtazët i bën njerëz, e njerëzit i bën shtazë.

Paolo Sorentino, Të gjithë kanë të drejtë (roman)

Fragment i cituar në romanin tim të ri që do të botohet pas disa muajve. / KultPlus.com