Dua Lipa zbulon kohën se kur do ta publikojë albumin e ri

Dua Lipa ka konfirmuar se ajo po punon në projektin e ri muzikor.

Superylli shqiptar dha një intervistë për revistën Elle, ku ajo foli për shumë gjëra rreth Kosovës.

Ajo ndërkaq foli edhe për projektin e ri të saj muzikor.

“Shpresoj se do të lansoj albumin në fund të këtij viti ose në fillim të vitit tjetër”.

“Nuk e kam vendosur ende listën e këngëve që do të përmbajë. Shpresoj se të gjithë do të këndojnë”.

“Një nga arsyet pse bëj muzikë është mesazhi, sepse unë bëj muzikë me shpresën se dikush tjetër ndihet njësoj”, u shpreh Dua.

Albumi i fundit i Duas ja siguroi asaj triumf të paprecedent në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Grammy.

Këngët që dolën nga albumi i vetë titulluar “Dua Lipa” u bënë hite dhe katapultuan bukuroshen nga Kosova në maje të skenës botërore. /KultPlus.com

147 vite nga lindja e Asdrenit, autori i Himnit të Flamurit

Më 11 prill 1872 në Drenovë të Korçës lindi Aleksandër Stavre Drenova, më i njohur me emrin e tij të stilografit Asdreni, një nga poetët më të njohur shqiptarë, përcjellë KultPlus.

I mbetur jetim qysh në fëmijëri ai u detyrua të braktiste shkollën e mesme dhe të mërgonte në Rumani më 1889. Bëri punë të ndryshme dhe kaloi një jetë me vështirësi. Mori pjesë gjallërisht në përpjekjet e kolonisë së shqiptarëve të Bukureshtit në luftën për çlirimin kombëtar dhe u shqua si veprimtar i saj. Nisi të shkruante poezi dhe publicistikë nga fillimi i shek. XX. Në krijimet e para poetike, të cilat i përmblodhi në librin “Rreze dielli” (1904), Asdreni vijoi traditat e poezisë së Naim Frashërit, lartësoi dashurinë për atdheun, nxiti bashkatdhetarët të rreshtoheshin në luftën për çlirim nga zgjedha turke. Vepra më e rëndësishme e Asdrenit, “Ëndrra e lotë” (1912) shquhet për pasurinë e motiveve, frymën demokratike dhe nivelin e denjë artistik. Në krijimet e këtij vëllimi poeti demaskoi ashpër pushtuesit e huaj, i këndoi heroizmit të masave popullore në kryengritjet e armatosura të viteve 1911-1912, fshikulloi parinë frikacake dhe oportuniste, e cila iu resht detyrës ndaj atdheut («Zëri i kryengritësve», «Krerëve tradhëtorë», «Çpërblimi»). Te ky vëllim u përcaktuan tiparet themelore të krijimtarisë së Asdrenit: fryma luftarake, karakteri demokratik, interesimi për problemet shoqërore, notat e ligjërimit të gjallë. Ajo shënoi një hap në kalimin nga romantizmi te realizmi në letërsinë shqiptare. Në krijimtarinë e Asdrenit motivi i luftës për çlirim kombëtar u ndërthur me idenë e luftës shoqërore, në shumë vjersha gjeti pasqyrim pakënaqësia e njeriut të thjeshtë ndaj shoqërisë borgjeze të kohës, është gjithashtu autor i Himnit të Flamurit, një himn kombëtar për të gjithë shqiptarët.

Ngjarja që pasoi, shembja e shtetit të lirë kombëtar, shkaktuan tek poeti një dëshpërim të thellë, që u shpreh në krijimet e periudhës 1914-1920 («Shqipëria më 1914» etj.). Në gjysmën e parë të vitit 20, nën ndikimin e lëvizjes demokratike, poezia e Asdrenit përjeton një hov të ri. Në një sërë veprash të kësaj kohe poeti shprehu aspiratat e masave popullore për drejtësi shoqërore. Në heroin e poemës “Burri i dheut” (1920), Asdreni mishëroi përfaqësuesin e vegjëlisë që derdhi gjakun më 1920 për dëbimin e pushtuesve italianë dhe për një të ardhme më të mirë. Në këtë periudhë poeti shkroi një radhë vjershash të rëndësishme si «Hymni i festës», «Fisnikët e Shqipërisë», «Republika shqiptare», në të cilat demaskoi forcat e vjetra shoqërore dhe antipatriotike, që përvetësuan frytet e sakrificave të masave popullore në luftën për çlirim dhe nisën të sundojnë vendin sipas interesave të tyre. Dështimi i Revolucionit Demokratikoborgjez të qershorit 1924 e forcoi frymën e pesimizmit dhe të fatalizmit në krijimtarinë e Asdrenit (Psallme murgu, 1930, dhe një varg krijimesh poetike të viteve 30). Herë-herë poeti u përpoq të çlirohej nga ndikimet moderniste: në poemën «Trashëgimi» (1935) kritikoi qeverinë për krizën ekonomike e cila në atë kohë kishte përfshirë thuajse mbarë rruzullin. Vëllimin e vet të katërt Kambana e Krujës nuk e botoi dot me gjallje. Në vjershat e viteve të fundit të jetës përshëndeti ngadhënjimin e revolucionit popullor në Shqipëri.

Poeti, publicisti dhe patrioti shqiptar, Asdreni, vdiq më 1947 në Bukuresht, Rumani. / KultPlus.com

Mediat britanike për Ritën: Befason 400 fëmijë në Kosovë

Rita Ora i bën befasi 400 nxënësve, në atdheun e saj, Kosovën, për ta mbështetur programin humanitar të UNICEF-it. Për vizitën e Ritës ka bërë një raport të gjatë e përditshme Daily Mail.

Këngëtarja fituese e shumë çmimeve, Rita Ora është rikthyer në vendin e saj, Kosovën, për një mision humanitar.

28 vjeçarja, e cila cilësohet ikonë në Britani, e cila ka qenë pjesë e fushatave globale për bamirësi që nga viti 2013, ka befasuar më shumë se 400 fëmijë, në një ngjarje në Prishtinë, kryeqytetin e vendit, e cila mbërriti këtë të mërkurë.

Vizita e këngëtares në vendet evropiane, është pjesë e misionit të saj bamirës, organizuar nga UNICEF, duke i dhënë asaj mundësi që të kaloj kohë me të rinjtë e vendit, transmeton GazetaExpress.

 “Jam shumë e lumtur që kthehem në Kosovë, dhe e nderuar të takojë fëmijë dhe familje që mbështeten nga UNICEF-i”, ka thënë Rita e emocionuar.

“Ky është udhëtimi im i parë me UNICEF-in dhe të shohësh se si këto programe kanë ndikim pozitiv në shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve, më bën të mendojë se sa e rëndësishme për ne është që ta përkrahim UNICEF-in”, tha Rita Ora.

“Nuk mund të pres t’i them të gjithëve më shumë për punën që unë e kam parë, për njerëzit që i kam takuar dhe pse jam shumë krenare që jam përfshirë në programin për ndihmë të UNICEF-it”

Gjatë vizitës së saj, këtë mëngjes ajo morri një energji të madhe nga të rinjtë që janë vullnetarë në UNICEF, dhe kaluan kohë së bashku me ta.

Rita, e cila u bë e famshme me këngën ‘Hot Right Now’ në bashkëpunim me DJ Fresh më 2012. /GazetaExpress/ Përktheu: Edon Baliqi / KultPlus.com

35 vjetori i vdekjes së rapsodit Dervish Shaqa

Sot bëhen 35 vite prej që është ndarë nga jeta rapsodi më i njohur shqiptar, Dervish Shaqa, shkruan KultPlus.

Dervish Shaqa lindi në Llukë të Epërme të Deçanit më 1912, ndërsa vdiq më 11 prill 1985. Ai mbetet rapsodi më i shquar popullor në të gjitha trevat shqiptare.

Devish Shaqa deri në vitin 1956 jetoi në Kosovë, mirëpo në këtë vit iu desh të lëshonte Kosovën për shkak të përndjekjes nga aksioni i njohur “mbledhja e armëve” që ndërmerrte në atë kohë Sigurimi i Punëve të Brendshme i Jugosllavisë (UDB-ja) kundër shqiptarëve. Ai së bashku me kolegun e tij të këngës Demush Neziri, u vendosën në Rashbull afër Durrësit. Aty e vazhdojë shprehjen e ndjenjave nëpërmjet këngës që për të ishte e vetmja mënyrë e shprehjes së dhimbjes që kishte për familjen dhe vendlindjen që për të ishin të ndaluara. Këtë e shpreh në këngën “Kur ta ktheva Kosove shpinën, e lame borë e gjetëm dimën…”.

Dervish Shaqa në Shqipëri e vazhdojë traditën e këndimit të historisë së vendlindjes së tij. Në vargjet e këngëve të tij të shoqëruara me çifteli përshkruhen kullat e gurta të Dukagjinit, figurave kombëtare, patrioteve te devotshëm, trimave, luftëtarëve të atdheut.

Në Rashbull, Dervish Shaqa arrin të themelojë e të udhëheqë grupin e rapsodit. Po me këtë grup në vitin 1968 prezantohet për herë të parë në Festivalin e Folklorit Kombëtar ne Gjirokastër. Që nga kjo kohë së bashku me kolegun e tij rapsodin Demush Neziri prezantojnë një varg këngësh të cilat për disa gjenerata ende janë të njohura si p.sh.: “Ç`janë këto gjamë që i bjen era”, “Prej Prokuplje deri n`Nish”, “Moj e mira porsi bora”, këngët për Azem dhe Shote Galicën, Nak Berishën e shumë të tjera…

Pjesa më e madhe e regjistrimeve muzikore të bëra nga Dervish Shaqa dhe kolegu i tij gjenden në arkivin e Radio Tiranës.

Përpos këngëve popullore dhe të përpunuar nga ai vetë, për Dervish Shaqën ka kompozuar edhe kompozitori Tish Daija si këngën “Festë të madhe ka sot Shqipëria” që për disa vite ka dominuar në përsëritjen e saj në Radio Stacionin e Tiranës

Populli, ku ai kalojë pjesën më të madhe të jetës së tij, e mban mend si këngëtar të lindur që këndon për këngën dhe jo për para. / KultPlus.com

Seriali “Fawlty Towers” shpallet sitcomi më i mirë britanik i të gjitha kohërave

Grupi i kritikëve të televizionit dhe filmit e shpalli sitcomin “Fawlty Towers” serinë më të mirë britanike të shfaqur ndonjëherë në ekranet televizive në Britani të Madhe, raporton “Guardian”.

Edhe pse sitcomi “Fawlty Towers” është shfaqur vetëm dy sezone, 12 episode të serisë televizive kanë arritur sukses të mahnitshëm komercial dhe shpesh reprizohen.

Connie Booth, një nga skenaristet e serisë, tha se sitcomi “Fawlty Towers” ka pasur sukses për shkak se e ka shfaqur “zemërimin dhe agresionin infantil të shoqërisë së mirë angleze”.

Ngjarja e kësaj serie është e vendosur në hotelin kaotik në bregdetin e Torquay, të cilin e menaxhon hotelieri i paaftë dhe shumë nevrik të cilin e luan John Cleese, ndërsa seria e tematizon arrogancën dhe paaftësinë e tij në një mënyrë shumë humoristike, shkruan KOHA Ditore.

Sitcomi “Fawlty Towers” i ka fituar tri çmime BAFTA, ndërsa është interesante të theksohet se kjo është një nga serialet e pakta televizive që nuk e ka marrë asnjë kritikë negative. / KultPlus.com

Dua Lipa: Kosova ka përcaktuar atë që jam sot

“Dua Lipa është e ardhmja e muzikës pop”, shkruhet në revistën amerikane “ELLE”, ku Dua është në kopertinën e muajit maj. Në një intervistë me shkrimtaren dhe editoren Lauren Levy, Dua rrëfen mbi disa nga sukseset e fundit, planet për të ardhmen, duke përmendur gjithashtu edhe vendlindjen.

Dua thekson se për të ”është shumë e rëndësishme që të punojë për fuqizimin e grave në muzikë”. Sipas Duas, frymëzimi dhe ndikimi tek masa është një pjesë thelbësore e muzikës si art.

Sigurisht që siç ndodh në shumicën e intervistave, nuk mund të mungonte pyetja në lidhje me origjinën e saj.

”Kosova ka përcaktuar atë që jam sot. Kur je nga Kosova ose Shqipëria krijohet një strereotip për ty. Në filma shqiptarët portretizohen me mafian. Po përpiqemi të ndryshojmë mënyrën si njerëzit e shohin vendin tonë”, u shpreh Dua Lipa.

Gjithashtu Dua Lipa foli dhe për albumin e saj të ardhshëm që pritet të jetë një ndërthurje e disa rrymave.

”Shpresoj të nxjerr albumin në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm. Nuk e kam vendosur ende listën e këngëve që do përmbajë. Shpresoj që të gjithë t’i këndojnë. Një nga arsyet pse bëj muzikë është mesazhi ”bëj muzikë me shpresën se dikush tjetër ndihet njësoj”, u shpreh Dua Lipa për albumin që pritet të dal. /atsh/ KultPlus.com

Atifete Jahjaga në mesin e 100 personave më të nderuar në botë për vitin 2019

Ish- presidentja e republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga është përzgjedhur në listën e 100 personave më të nderuar në botë për vitin 2019.

Jahjaga në këtë listë të publikuar nga firma udhëheqëse e konsulencës për menaxhimin e reputacionit, Reputacioni Poll International ka renditur atë si personi i tetë.

Kjo listë përmban personalitete të shquara nga të gjithë fushat, si politika, feja, arsimi, filantropia, biznesi etj. Në këtë listë përshihen persona nga 44 shtet të gjithë botes.

Personi më i vjetër në këtë listë është mbretëresha e njohur Elizabeta II, 92, ndërsa më e reja është Malala  nga Pakistani, e cila është 21 vjeçare.

“Vaçe Zela nuk u refuzua kurrë nga Marie Kraja”

Të dielën që lamë pas, Vaçe Zela do të festonte 80 vjetorin e saj të lindjes, por fatkeqësit ajo nuk është më pranë nesh.

Ajo që ne na mbetet është vetëm të mblidhemi dhe ta përkujtojmë, si atë, edhe pasurinë që u la pas shqiptarëve me zërin e saj.

Pikërisht kjo gjë ndodhi sonte në Soiree, ku miq dhe të afërm të artistes së njohur u mblodhën për të ndarë me teleshikuesit kujtimet më të mira me Vaçen.

Ishin po këta miq të këngëtares që treguan të vërtetën pas një thashethemnaje që qarkullon prej vitesh nëpër korridoret e muzikës e artit shqiptar: Marie Kraja refuzoi Vaçe Zelën!

“Ajo qe një thashethem… nuk është e vërtetë! Në konkurs i thamë Vaçes që ti nuk mund të bëhesh këngëtare operistike, ti je për muzikë të lehtë. Kjo u stërhollua sikur Maria Kraja i kishte thënë që ti nuk bëhesh këngëtare!”, – ka treguar një prej miqve të Vaçes, Faslli Aliçi.

Bashkëshorti i Vaçe Zelës tregon si u njoh dhe u dashurua me artisten

E madhja, Vaçe Zela do të festonte 80 vjetorin e saj të lindjes po të ishte në mes nesh të dielën që lamë pas, në 7 prill.

Soiree e Jonida Shehut e kësaj të mërkure ishte e gjitha dedikuar artistes së madhe të skenës shqiptare, ku familjarë dhe miq të Vaçes qenë mbledhur për ta përkujtuar.

Ndër të ftuarit e mbrëmjes ishte edhe bashkëshorti i Vaçes, Pjetër Rodiqi.

Në bisedën me moderatores, Rodiqi ka treguar edhe njohjen dhe rënien në dashuri me artisten e njohur.

“Unë kam kryer shërbimin ushtarak në Lushnje dhe kënaqësia e vetme ishin ato shëtitjet që bënim dhe në të njejtën kohë e vetmja qendër ishte Shtëpia e Kulturës. Nuk e dija as kush ishte Vaçja, as që ekzistonte. Unë e njoha duke luajt bilardo, kur edhe sot e kësaj dite nuk di të kem lozur ndonjëherë bilardo”, – tregoi Pjetër Rodiqi.

“Aty nisi ndjenja jonë. Shiko, Vaçja sa ç’qe këngëtare e mirë, aq ishte edhe e zgjuar. Ishte inteligjente me plot kuptimin e fjalës. Sa e madhe dhe e zgjuar. Më tërhoqi me intelektin e saj. Ne ishim të rinj atë kohë dhe kishim interes për letërsi, poezi e kështu gjërash”, – shtoi bashkëshorti i këngëtares.

I pyetur nëse ka qenë jeta e lehtë apo e vështirë me Vaçen, Pjetri përgjigjet: “Shiko, ka qenë e vështirë në kuptimin që Vaçja u bë e njohur pasi u njohëm ne. Unë deri vonë e kam pasur besdi që më thonin ‘burri Vaçes’… ndërsa tani, prezantohem ‘bashkëshorti i Vaçe Zelës’”.

“Sa e madhe ishte aq edhe e thjeshtë!”. – ka përfunduar Pjetër Rodiqi, bashkëshort i Vaçe Zelës.

Top Channel

I kemi shtuar vite jetës tonë, por viteve nuk u shtuam jetë

Kemi ndërtesa më të larta, por kemi durim më të shkurtër. Kemi rrugë më të gjëra, por kemi këndvështrim më të ngushta. Bëjmë shpenzime më shumë, por pak gjëra na përkasin. Blejmë më shumë por ngelim më pak të kënaqur. Kemi shtëpia më të mëdha, por familje më të vogla. Kemi më shumë pajisje shtëpiake, por kemi më pak kohë. Kemi më shumë arsim, por më pak arsyetim. Kemi më shumë dije, por më pak sjellje prej të mençuri. Kemi më shumë specialiste, por kemi gjithnjë e më shumë probleme.

Kemi shumë ilaçe, por më pak shëndet. Konsumojmë më shumë alkool dhe cigare; shpenzojmë para pa kriter; qeshim më pak; i japim me shpejtësi makinës; zemërohemi më shpejt; qëndrojmë zgjuar deri në orë të vona, zgjohemi te lodhur; lexojmë pak, shikojmë shume TV dhe lutemi shumë më pak. Kemi shtuar pasuritë materiale, por kemi pakësuar vlerat morale. Flasim shumë, dashurojmë pak; urrejmë shumë dhe shpesh. Mësuam si të përballojmë jetesën, por nuk mësuam ta formojmë atë. I kemi shtuar vite jetës tonë, por viteve nuk u shtuam jetë. Mësuam të shkojmë e të vijmë në Hënë, por kemi probleme për të kaluar në anën tjetër të rrugës për t’u përshëndetur me komshinjtë e rinj. Eksploruam Universin, por nuk arritëm të hyjmë në botën tonë të brendshme. Kemi bërë punë më të mëdha, por jo punë më të mira. Pastruam ajrin, por ndotëm shpirtin. Sunduam atomin, por nuk sunduam dot paragjykimet tona.

Shkruajmë më shumë, por mësojmë më pak. Bëjmë më shumë planifikime, por arrijmë më pak në përfundime. Mësuam të vrapojmë, por nuk mësuam të presim. Prodhojmë gjithnjë e më shumë kompjuterë për të mbledhur e shumëfishuar në kopje të panumërta dijen, por krijojmë me pak komunikim.

Është koha e ushqimeve që përgatiten me shpejt, por që treten më ngadalë. Është koha e burrave të mëdhenj dhe e karaktereve të vegjël. Është koha e fitimeve të mëdha dhe marrëdhënieve të ngushta. Ditët tona janë ditët ku hyjnë dy rroga në shtëpi dhe numri i divorceve është i lartë. Ditët tona janë ditët ku kemi shtëpi shumë të zbukuruara dhe familje të shkatërruara. Këto ditët tona janë ditë të shpejta, udhëtime të shpejta, pelena fëmijësh njëpërdorimshëm, vlera morale të shkatërruara, janë ditët ku dashuria ekziston vetëm për një natë, trupat janë obezë, janë ditët ku tabletat janë magjike bëjnë gjithçka, mund të na sjellin në qejf, mund të na qetësojnë biles dhe mund të na vdesin.

Jemi në një kohë ku në vitrina ka gjithçka, por në magazina asgjë. Jetojmë në një kohë ku këtë letër teknologjia mund ta sjelli tek ju dhe ju brendësinë e kësaj letre mund ta shpërndani ose mund ta zhdukni me anë të butonit “Fshij”.

Kujto gjithmonë: Jeta nuk matet me numrin e frymëmarrjeve tona, por me momentet që na lënë pa frymë!

(ps letra e Xhorxh Karlin pas vdekjes së gruas së tij)/filozofi.al

Poezia e Andon Zako Çajupi për shkrimtarin e madh Naim Frashëri


Poezi nga Andon Zako Çajupi

Naim Frasheri

Vdiq Naimi, vdiq Naimi,

moj e mjera Shqiperi!

Mendjelarti, zemërtrimi,

vjershëtori si ai!

Vdiq Naimi, po vajtoni

shqipetarka, shqipetare!

Naimne kur ta kujtoni,

mos pushoni duke qare!

…………………………….

Vdiq Naimi, gjithè thone,

qani turq, qani kaure!

Bilbil’ i gjuhese tone

s’do te degjohet me kurre!

Vdiq Naimi, qe këndoi

trimërinë, Skënderbenë,

vdiq Naimi, qe lëvdoi

dhe nderoi mëmedhënë!

Vdiq Naimi, po ç’të gjeti,

o moj Shqipëri e mjerë!

Vdiq Naimi, po kush mbeti?

Si Naimi s’ka të tjeve.

Vdiq Naimi! Vdekj’ e shkrete,

pse more të tillë burrë?

I ndritë shpirti për jetë,

mos i vdektë nami kurrë! / KultPlus.com

Imagjinata dhe realja në romanin “Tutori” të Mimoza Ahmetit

Shkruan: Blerina Gashi

Romani “Tutori” i Mimoza Ahmetit është një roman me temë dashurie  që gërsheton realen me fiksionalen, realja përdoret nga autorja vetëm sa për të treguar mjeshtrinë e saj se si arrin ta shkrijë atë me fiksionalen  për të thënë diçka më shumë se sa ajo që ofron teksti në shikim të parë,  duke i vënë në raport me njëra-tjetrën për të prodhuar vlerë artistike. Ajo me këtë roman e vendos në qendër të vëmendjes gruan, dhe e paraqet  më të rëndësishme se gjithçka.

Qysh në titull të romanit autorja na paralajmëron që kemi të bëjmë me një individ i cili do të jetë udhërrëfyes  ndikues për personazhin kyç, mirëpo pa lënë hapësirë të kuptohet që kemi të bëjmë me fantazmë  apo krijesë imagjinative, por që ai udhërrëfyes do të imponojë lirinë e mendimit   që në veprimet dhe sjelljet e personazhit kyç do të sjellë pasoja.

Përmes rrëfimit të një ngjarjeje të tillë autorja na tregon për dëshirën e madhe të njeriut që ka ai të gjejë shpëtim te dashuria duke e anashkaluar atë që ndodh përreth tij. Ngjarjen imagjinative të cilën e krijon autorja në mënyrë asociative të mendimeve të ndryshme të saj e lidh me gjendjen shpirtërore të cilën  e kalon ajo,  dhe vetëm përmes imagjinatës  mundohet t’i ikë realitetit që jeton dhe të krijojë një ambient që asaj i sjell lumturi e rehati.

Romani mund të lexohet dhe mund të quhet si një roman dashurie, ku përmes kësaj  dashurie tentohet krijimi i dashurisë ideale, mirëpo para se të konsiderohet një roman i tillë dashurie ndërmjet dy personave, mund të konsiderohet si një roman dashurie, ku dashuria përdoret apo shfrytëzohet për t’i kaluar konditat e një ambienti  real që mundohet të anashkalohet e injorohet. Secila nga pjesët e romanit e reflekton gjendjen emocionale të personazhit kryesor.

Autorja krijon një filozofi krijimtare, ku personazhi thellohet në mendime të fuqishme imagjinimi. Ajo ndërton një imagjinatë rrëfimtare, ku përveç rrëfimit inkuadron edhe dialogët imagjinativ për të plotësuar gjendjen e boshllëkut që mbizotëron në realitet, këto dialoge krijohen sipas trillimeve të autores e cila i shfrytëzon  për të thënë atë që e dëshiron. Ky roman ka një rrjedh të rrëfimit që gërshetohet mirë me qëllimin  ideor të autores dhe  që reflekton më pas me fiksionin  dhe imagjinatën e  saj.

Romani “Tutori” ka një strukturë interesante që e bën të dallojë nga shumë romane të letërsisë shqipe. Rrëfimi fillon në “in media res” apo siç njihet rrëfim në qendër të vëmendjes. Teknika e rrëfimit që përdor autorja nuk është aq e lehtë, ajo ndërton dy rrëfime paralele, duke e ngacmuar lexuesin për përmbajtjen e strukturën e romanit dhe duke e përzier realitetin me fiksioin që ndërton. Ajo kalon sa në përjetimin imagjnativ, sa në atë real duke krijuar një miks rrëfimi.

Mimoza Ahmeti ndërton një dashuri platonike ndërmjet dy personave të dashuruar, dashuria e tillë përdoret si mjet për të, për t’i bërë ballë një ambienti të papërshtatshëm për jetesë.

Klima e absurdit arrihet të vërehet qysh në hyrje të romanit dhe më pas gjatë paraqitjes së problemit kyç që do të shtjellohet vazhdimisht. Absurdi si element i veçantë inkuadrohet në romanin “Tutori” për të prezantuar idenë që problemet  nuk mund të kalohen  pa u përballur me atë që ekziston vërtet.

Autorja arrin që me mjeshtrinë e saj  narrative  të marrë gjithë vëmendjen e lexuesit dhe ta pushtojë mendjen e tij për t’i lënë hapësirë atij të gjejë lidhjen ndërmjet fiksionit që ajo krijon dhe gjithë gjendjes reale, që  më pas e gërsheton në një linjë të vetme. Ajo arrin të krijojë te lexuesi ndjenjen që po lexon një roman dashurie ku fantastikja është e përjashtuar dhe ku ndeshemi vetëm me realen, mirëpo kur ndeshemi me situata të palakmueshme që janë afër absurdit dhe kthehemi në gjendje normale, atëherë e kuptojmë që është vështirë të besohet jeta të cilën e krijon personazhi real me atë fiksional dhe më pas të besohet në ekzistencen e një jete të tillë. Absurde mund të konsiderohet edhe pranimi i personazhit për të gjetur shpëtimin vetëm në botën fiksionale pa tentuar të jetë pjesë e botës reale.

Kur njeriu e përdor imagjinatën dhe vendos t’i përkushtohet pikërisht asaj për të arritur diçka që s’mund ta krijojë në realitet, i shmanget reales,  mirëpo  autorja me vetëdije e ndërton një raport real-imagjinatë për ta bërë sa më reale gjithë ngjarjen e saj fiksionle dhe të ngacmojë intelektin e lexuesit, ajo me të dashurin e saj krijon situata të pafavorshme për një lidhje dhe përdor grindjet e problemet e çifteve që ata kanë në jetë reale për të servuar gjthçka normale, e po ashtu nuk heziton as ta përjetojë zhgënjimin nga  dashuria e saj fiksionale vetëm që të duket e përjetohet si dashuri reale. Krijimi i një gjendjeje të tillë mund të konsiderohet si ndikim për të krijuar një prozë me elemente të absurdit. Këtu edhe ndeshemi me  psiken e autores dhe ndikimin e elementit social në gjithë psikologjinë e saj reale por edhe krijuese. Një gjendje e tillë halucionative arrin absurdin kur personazhi femër provon të konkretizojë imazhin e kijuar nga bota e saj trillluese.

Autorja krijon përvojat e veta sipas dëshirave dhe përfytyrimeve të veta. Ajo me vetëdije i servon lexuesit  një prozë të lehtë në shikim të parë, por që realisht leximi i saj provokon mendjen e çdo lexuesi model. Autorja po ashtu luan edhe me faktin që provon të duket naive duke mos tentuar ta ndajë botën reale me atë imagjinare, por që e gjithë kjo vije si pasojë e krijimit  të vetëdijshëm të marrëdhënieve të tilla për t’i ikur rrethanave të ndryshme duke shkrirë këto dy botë në një të vetme.

 Imagjinata e autores mund të themi që mund të konsiderohet si një “imagjinatë plastike” sepse ajo frymëzohet nga vëzhgimi i pamjes së botës që përcepton.

Imagjinata e saj thyen konditat e  ambientit që e rrethon ngjarjen dhe udhëton me mendje nëpër vende të ndryshme për t’i përmbushur gjithë idealet e saj në lidhje me faktin që preferon t’i ikë ambientit që e rrethon.

 Problemi i cili paraqitet me një imagjinatë kaq të thellë rezulton me gjendjen emocionale duke ardhur në përfundim që a ka kuptim gjithçka që e rrethon dhe sa është e kuptimshme jeta e saj në rrethana të tilla, por përmes gjithçka kemi lexuar deri tani kuptojmë që nëse do të ishte gjithçka në rregull me personazhin narrator ajo nuk do të kishte krijuar raporte të tilla imagjinative me një person të vizatuar sipas imagjinatës së saj, dhe kështu drejpërdrejt lidhemi me gjendjen psikologjike dhe emocionale të saj që ajo e përjeton, çka na tregon shumë për atë që ajo kalon si individ. Mund të themi që përmes shfrytëzimit të një përvoje individuale ka arritur të paraqes një qëllim të saj  për të ndëshkuar idenë e një jete e cila imponohet nga rrethana të ndryshme e sidomos politike, të cilat shkaktojnë probleme të ndryshme që lidhen me individin në përgjithësi.

Duket që jeta të cilën e përjeton në imagjinatë është më e dashur për të sepse në momenti kur njërin tutor ajo e largon nga vetja duke e inkuadruar pikërisht me ambientin dhe rrethanat nga të cilat tenton të largohet, ajo nuk heziton ta krijojë  tutorin tjetër, por tash me një karakter e pamje plotësisht ndryshe, duke e pranuar që është e varur nga jeta, dashuria, problemet të cilat i krijon vetë sipas botës së saj fiksionale.

Erdhi fundi, fundi vjen për gjithçka, herët a vonë

Gazetari dhe shkrimtari i njohur suedez, Stieg Larsson, e shkroi këtë letër në vitin 1977, para se të nisej për një udhëtim në Afrikë, për të dashurën e tij Eva Gabrielsson.

Mbi zarf shkruhej “Të hapet pas vdekjes sime”. Ai u kthye shëndoshë e mirë nga udhëtimi në Afrikë. Kjo letër ra në duart e Evës 27 vite më pas, në vitin 2004, kur Larsson vdiq.

Eva, Dashuria Ime.

Erdhi fundi. Fundi vjen për gjithçka, herët a vonë. Vjen një ditë që gjithçka mbaron.
Dhe ndoshta kjo është një nga të vërtetat më magjepsëse që dimë për Universin.
Yjet vdesin, galaksitë vdesin, planetet vdesin. Edhe njerëzit vdesin.
Kurrë nuk kam qenë besimtar, por ditën që fillova të lexoja për astronominë, më iku edhe ajo pak frikë që kisha nga vdekja.
Kuptova se krahasuar me Universin, një qenie njerëzore, një qenie e vetme njerëzore si unë, është shumë e vogël.
Nuk po e shkruaj këtë letër për të të dhënë një leksion të plotë për filozofinë apo për fenë.
Të shkruaj sepse dua të të them “Lamtumirë”.
Sapo e mbylla telefonin me ty. Ende e dëgjoj tingullin e zërit tënd.
Të përfytyroj pranë meje, një imazh i bukur, një kujtim i shtrenjtë që do ta ruaj deri në fund.
Në këto çaste, teksa po e lexon këtë letër, ti e di se unë kam vdekur.
Dua që t’i dish ca gjëra. Unë e di se ç’më pret në Afrikë. E ndiej se ky udhëtim mund të më vrasë, por megjithatë duhet të nisem.
Nuk kam lindur për të ndenjur duarkryq .
Nuk jam i tillë. Duhet të bëj një korrigjim- Nuk isha i tillë.
Në Afrikë nuk shkoj vetëm si gazetar. Shkoj me një qëllim politik dhe për këtë arsye mendoj se udhëtimi mund të më vrasë.

Është hera e parë që të shkruaj dhe e di se ç’dua të them: të dua.. të dua… të dua…
Dua që ta dish. Dua që ti ta dish se të dua, siç nuk kam dashur kurrë njeri më parë.
Dhe dua që ta dish se jam shumë serioz kur ta them këtë.
Dua që të më kujtosh, por nuk dua që të qash.
Nëse jam i shtrenjtë për ty dhe e di që jam, do vuash kur ta mësosh që kam vdekur.
Por, nëse jam me të vërtetë i shtrenjtë për ty, mos vuaj. Nuk dua që të vuash.
Mos më harro, por vazhdo të jetosh. Jetoje jetën.
Koha do të ta lehtësojë dhimbjen edhe pse tani e ke të vështirë ta besosh.
Jeto me paqen dashuria ime; jeto; dashuro; urre dhe vazhdo luftën.
Kisha shumë të meta, e di, por shpresoj të kem patur edhe ca gjëra të mira.
Por, ti Eva, më frymëzon me një dashuri të tillë, që kurrë nuk kam qenë në gjendje të ta shpreh.
Vishu, mbaji drejt shpatullat dhe kokën mbaje lart. Kujdesu për veten, Eva.
Shko të pish një kafe.
Fundi erdhi.
Të falenderoj për çastet e mrekullueshme që kemi kaluar bashkë. Më ke bërë të lumtur.
Lamtumirë
Të përqafoj.
Me dashuri
Stieg

Nëna

Poezi nga Agim Doçi

Një jetë tek nëna, kokën e mbështeta
Nga gjoksi i saj, unë kurrë s’u ndava
Një jetë të tërë, më rriti malli..
Dhe kurrë me nënën, unë nuk e çmalla!

Kur isha i vogël, nëna më thoshte;
– do bëhesh gjysh, e s’do jetë vonë.!
Më mori malli, për të gjith’ nënat
sa shumë mallë kam, sa më mungojnë….

Kur isha i vogël, mes qiellit e tokës
Më dukej se nëna, më e mirë e botës..
Ish nëna ime …. askush tjetër…
Legjenda e nënës, e re dhe e vjetër…..

S’je mbretëreshë, as perëndi
Ndonëse e gjithë bota, të bie nën gjunjë
Fjala e nënës, si me magji
Dritë i jep jetës, të bën fatlum.!

Do ishte qielli dhe më i kaltër…!?
Do ishte hëna më pak e zbehtë?…
Do ishte toka, ndoshta më e pasur?!
Kur mungon Nëna…nuk është e lehtë.

Më merr shpesh malli, ta puth në duar.
Më merr shpesh malli, t’ia dëgjoj zërin
para pasqyrës… s’e kam harruar
Kur Nëna merrte në duar krehërin…

Dhe zbukurohej, siç di veç nëna…
Kur nga shërbimi kthehej babai.
Ia kish zili, madje dhe hëna…!
Nga malli i madh..më vjen te qaj.

Tani jam plakur, zbardhur nga thinjat
Madje dhe mbesat : – O GJYSH! – më thonë.
Seç NDJEVA MALL, PËR TË GJITHË Nënat.!!!
Sa shumë kam mall…sa më mungojnë.

Ju nuk e keni njohur nënën time
Ajo hijeshon e buzëqeshur në fotografi
Më vjen në ëndrra…më vjen në kujtime
Ajo ishte si të gjitha Nënat – det me dashuri

Nuk e mbaj mend, të zemëruar
Me mall kujtoj, fjalën e ngrohtë
Sa dashuri, më ka dhuruar.
Në sytë e saj, nuk pashë kurrë lotë.

Ndaj themi Nënë, kur na ther zemra!
Ndaj vjen çdo natë, nëna në ëndrra!
Dorën e saj, e ndjej në gjumë….
Ndonëse më fal, kurrë s’i thashë unë!…

Në ëndrra Nënë, po më vjen rrallë
Ndonëse tek varri, kam ardhur shpesh
Çdo lot i imi, pikon veç mallë
Ti nuk më flet, vetëm buzëqesh…..


Tradita shqiptare e Mirditës, njëri nga 11 krushqit duhej të ishte këngëtar

Kushdo që në kullën e tij mirditase, në fëmijërinë e largët, ka parë të varur një çifteli, nuk e ka të vështirë të kuptojë se Ansambli “Mirdita” më parë se në skenën e pallatit të Kulturës Rrëshen, apo në kalanë e Gjirokastrës, ka qenë i shpërndarë gjithandej ndër mirditorë, shtëpi më shtëpi e vatër më vatër, deri në rrëzë të Munellës. Ndaj ishte aq e dëgjuar shprehja “shtëpi e çifteli”.

Skena e parë ishte oda, veçmas ajo e dasmës, ku njëri nga 11 krushqit duhej të ishte këngëtar. Njeriu i kullës në shkrep shpesh në mbrëmjet familjare, apo të kremtesh popullore, merrte çiftelinë dhe niste t’i luante gishtat dhe t’i thoshte fjalët.

Nuk kishte rëndësi sa mirë dinte ta bënte ai këtë gjë, çiftelia, lahuta apo sharkia ishte pjesë e kulturës së tij të jetesës. Përndryshe malësori kishte shpirt prej artisti dhe ai e shfaqte këtë thelb të tijin herë pas here. Ndaj dhe bariu në mal kishte me vete fyellin dhe merrte melodi baritore njëlloj si në antikitetin ilir, grek, romak.

Ai gjithë ditën e ditës pas tufave në kullosë gdhendte dhe bishta frashëri për veglat e punës, dhe bilbila, zumare, me të cilat luante melodi baritore.

Bjeshkët tona janë ateliea e parë për shumë artistë të shquar të folkut, pse jo dhe për kompoziorët që i ulen motivet e bjeshkëve mbi pentagram. Mirditori krijonte melodi e muzikë gjer me kumbonët e bagëtive, ku kishte dhe një punishte të tyre prej bakri te Marlaskajt e Kuzhnenit, ku kumbonët

që kishin shtegtuar deri në Shkumbin tingëllojnë prej shumë vitesh në arenën artistike-folklorike të Ansamblit “Mirdita”. Kësisoj Ansambli i sipërthënë është jo vetëm kënga e vallja e traditës, por dhe veshja, kostumet, ritualet, lojërat popullore, shenjat apo elementet dalluese, nga

perkrenarja e princërve te kaculita e bariut etj. Të kënduarit rapsodik ka patur një disiplinë artistike shembullore. Një i moshuar nga Malaj – Epër kujton se si njëherë në mesin e viteve ’50 një shoq i tij nisi të këndonte një kangë mbi krah kushtuar Bajram Currit, “me u ndigjue në Rrëshen”.

Pjesë nga parathenia e Ndue Dedaj për monografinë Ansambli Mirdita (Mjeshter i Madh)

Burimi: GSH.AL

Rita publikon fotografitë e para nga Kosova

Këngëtarja me famë botërore Rita Ora ka publikuar fotografitë e para nga aktivitetet e fundit që ka pasur me UNICEF-in në Kosovë.

Ajo ka dy ditë që po qëndron me mision në vendlindje.

Në një postim në Facebook, Rita ka thënë se kalimi i kohës në Kosovë me Unicefin ka qenë shumë i dobishëm për të.

“Të shoh se si programet e Unicefit ndikojnë pozitivisht në shëndetin dhe zhvillimin e të rinjve dëshmon se sa e rëndësishme është për të gjithë ne t’i përkrahim ato. Mezi pres të ju tregoj më shumë për punën që kam parë, kë e kam takuar dhe pse jam kaq krenare që jam përfshirë në #SoccerAid për Unicefin këtë vit”, ka shkruar ajo si përshkrim të disa fotografive të publikuara.

View this post on Instagram

Spending time back in Kosovo with @Unicef_UK for @SoccerAid has been so rewarding. Seeing how Unicef programmes positively impact the health and development of young children drives home how important it is for us all to keep supporting them. I can’t wait to tell you more about the work I have seen, who I have met and why I am so proud to be involved in #SoccerAid for Unicef this year!

A post shared by RITA ORA (@ritaora) on Apr 10, 2019 at 9:00am PDT

Këngëtarja shqiptare me famë botërore këtyre ditëve ka vizituar fëmijë, të rinj e familje të ndryshme në Kosovë ku ka mësuar për sfidat e tyre me varfërinë.

Rihapet rezidenca mahnitëse e Victor Hugos

Rezidenca e bukur Hauteville u rihap përseri në Guernsey, pas një rinovimi mahnitës, shkrun KultPlus.


Hauteville në Guernsey ishte shtëpia e autorit Victor Hugo ku shkroi Les Misérables. Si Les Misérables, Hugo gjithashtu shkroi ‘Toilers e detit’, ‘Njeriu që qesh’ dhe ‘Legjenda e epokave në këtë shtëpi’.


Shtëpia Hauteville në Guernsey ishte mbyllur për 18 muaj duke u rikthyer gjerësisht në lavdinë e saj të mëparshme. Kjo shtëpia, e cila tani është një muze, u hap për publikun përsëri. Shtëpia zakonisht mirëpret 20,000 vizitorë në vit në mes të prillit dhe shtatorit dhe i është dhënë një numër përmirësimesh.


Hauteville House është projektuar dhe pajisur nga shkrimtari dhe artisti francez gjatë mërgimit të tij 15-vjeçar në Guernsey nga 1856, ku ishte blerë nga Hugo gjatë kohës së tij në ishull. Mobiljet e mbledhura nga Hugo nga e gjithë bota u rikondruan në lavdinë e saj të mëparshme. Shtëpia e bukur konsiderohet gjerësisht si një pjesë e punës në vetvete dhe një shprehje e gjeniut krijues të Hugos.


Shtëpia u kalua në qytetin e Parisit nga familja Hugo në vitin 1927 dhe tani menaxhohet nga Paris Musées, e cila është gjithashtu përgjegjëse për ruajtjen e shtëpisë dhe portretin e Hugos në Paris, në “Place des Vosges”.
Ekipi i projektit të restaurimit ishte i përbërë nga përfaqësues nga të dy shtëpitë, si dhe nga Paris Musées dhe Trashëgimia Guernsey. Financimi masiv erdhi si pjesë e një programi të veçantë patronazhi nga njohja e artit Francois Pinault. Pinault është një nga koleksionistët më të rëndësishëm të artit bashkëkohor në botë dhe për më shumë se katër dekada ka ndërtuar një koleksion prej gati 3.000 punimeve.


Shtëpia Hauteville është e hapur çdo ditë, përveç të mërkurave, nga 7 prilli deri më 3 shtator, nga ora 10 deri në orën 18.

Prite zot lindi vajzë

“Si e imanigjoj unë ditarin e larë me lot e gjak të një gruaje që ndoshta jeton ndopak pas vdekjes. Ja humba vetën e parë rrëfimit. A thua e pati një vetë ndonjëherë në jetë?”

Pushkë nuk krisi kur lindi, veç nënën ja porositën mos me u mërzit për atë vajzë.

Megjithatë ajo nanë s’mundi me e ndal dhimbjen n’kraharor, prej ardhjes në jetë të një fëmije që nuk ishte djalë, e prej zorit se iu desh me imagjinu se ndoshta dhe kur lindi vetë, shtëpinë e prindërve e pllakosi zia.

Shqiptari shumë herë ja ka lënë fajin vogëlushes që vjen në jetë e të ëmës që hupën një shans me shtu mbiemrin.

“Hajt, shyqyr që ka shpëtu e ëma veç!

Përkundtë vllanë.

Mos u mërzit!

E plastë n’djep ça na e pruni!

Duket se ka le çikë se as zjarri s’nizet…”janë këto veç do mosurime që një nanë vajze ka mujt me dëgju në jetë të jetëve.

E ajo ka ul kryet, ka murmurue pak ndër dhëmbë, ka fajësu veten dhe ka dalë me marrë barrën e druve.

Thojshin vajza lind në shpinë e huaj e shkon në t’veten.

E huaja e përjetshme, që s’qe vetja kërkund ka pa nanën tu ardh në shpi vrap, tuj i la këmbët babës, gjyshit, xhaxhit e mikut.

Sa filloi me hedh do hapa, mjeranes ja gjetën një burrë të vogël sa ajo, që bota e priti me pushkë e baba e mbante n’anë të oxhakut, tu e pi me të një gotë raki.

U mësu kadal, me majt peshqirin e me qit ujë kur nana fërkonte gishtat e burrave me musteqe në legen.

Mrapa u rrit, u ba vetë nanë e “kriminele” se bani një vajzë.

Një vajzë që nuk i bani kafe vjehrrit e ai e mbyti, me levë a me ça i dul para.

*Si e imanigjoj unë ditarin e larë me lot e gjak të një gruaje që ndoshta jeton ndopak pas vdekjes. Ja humba vetën e parë rrëfimit. A thua e pati një vetë ndonjëherë në jetë?

27.AL 2017

“Kcimi i Tropojës”, promovim për t’u bërë pjesë e UNESCO-s

 “Kcimi i Tropojës” është një nga thesaret më të çmuara të trashëgimisë kulturore e artistike të Shqipërisë dhe duhet të promovohet edhe më tej, për t’u bërë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka takuar sot kryetarin e shoqatës “Kcimi i Tropojës”, Skënder Haklaj me të cilin ndau bindjen për domosdoshmërinë e ruajtjes së kësaj pasurie folklorike të Malësisë së Gjakovës dhe bërjen e saj pjesë të UNESCO-s, së bashku me pasuritë e tjera kulturore shqiptare.

“Kcimi i Tropojës”, një nga thesaret më të çmuara të trashëgimisë kulturore e artistike të kombit tonë, duhet të promovohet edhe më tej, për t’u bërë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore. Shumë i lumtur të takoja sot kryetarin e shoqatës “Kcimi i Tropojës”, Skënder Haklaj, me të cilin ndamë bindjen për domosdoshmërinë e ruajtjes së kësaj pasurie folklorike të Malësisë së Gjakovës dhe bërjen e saj pjesë të UNESCO, së bashku me pasuritë e tjera kulturore shqiptare”, shprehet Presidenti Meta.

Vallja apo “Kcimi i Tropojës” është e lashtë sa vetë popullsia e kësaj krahine dhe është karakteristike vetëm për këtë zonë në veri të Shqipërisë. Kjo pasuri e çmuar kombëtare është shpallur nga Ministria e Kulturës dhe Akademia e Shkencave, si pjesë e listës së kryeveprave të Trashëgimisë Kulturore jomateriale./ata

Gzim Dervishi, historia e djaloshit që kërkoi ta shihte statujën e tij në Suedi (VIDEO)

Atë e kishin kthyer nga Suedia shumë vjet më parë, por në qytetin ku jetoi i kishin ngritur një statujë.

Për vite të tëra është përpjekur ta takojë veten, por tentimet ishin të kota.

Më në fund Gzim Dervishi takoi veten e shkrirë në bronz, njofton Klan Kosovës.

Përmes storjes së gazetarit Milot Hasimja do ta kuptoni se në çfarë peripecish ka kaluar ky djalosh deri në qëllimin e tij.


Ndërtesa e re e drurit në Kanadë, një nga më të lartat

Bogdan Newman Caranci kanë projektuar një ndërtesë të re të drurit në Toronto, që do të bëhet një nga më të lartat e Kanadasë.

E quajtur “77 Wade Avenue”, projekti është duke u zhvilluar nga Next Property Group dhe do të përfshijë 150 mijë metra katrorë në 8 kate. Pas projektit” T3 Bayside” të 3XN që do të rritet deri në 42 metra lartësi, ndërtesa për zyra nga Bogdan Newman Caranci do të jenë ndër më e larta moderne e drurit në masë. Dizajni feston përdorimin e ndërtimit në masë të drurit brenda arkitekturës gjithnjë në zhvillim të Kanadasë.

Siç thonë arkitektët, qëllimi kryesor i projektimit ishte të përdorin materialet e kundërta për të rritur ngrohtësinë e brendshme të një strukture të drurit, e përbërë nga betoni dhe çeliku. “77 Wade” optimizon përdorimin e një sistemi strukturor hibrid të drurit në masë për të arritur shtrirje të ngjashme me projektet tradicionale të betonit dhe të çelikut. / KultPlus.com

Rita Ora: Jam krenare që më është dhënë mundësia të ndihmojë të rinjtë e vendit tim

Fotografia: Arben Llapashtica

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora është duke qëndruar në Kosovë në kuadër të një misioni bamirësie në bashkëpunim me Fondin e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF), shkruan KultPlus.

Deri në këtë moment Rita nuk është paraqitur para mediave, por sot ajo ka folur në një konferencë për media të organizuar nga UNICEF.

“Jam shumë e lumtur që jam këtu. Kam arritur në Kosovë para dy ditëve dhe kemi kaluar një kohë të mrekullueshme me stafin e UNICEF-it. Ishte një udhëtim i mahnitshëm. Dua të them se kam pasur shumë takime me të rinjtë e Kosovës. Jam mahnitur me resurset që kanë rinia dhe ishin frymëzuese. Do të bëjë çdo gjë që mundem të ndihmojë rininë dhe kulturën. Jam e lumtur dhe krenare që jam nga ky vend. Me të vërtetë jam krenare që më është mundësia që të ndihmojë të rinjtë e vendit tim”, tha Rita.

Rita Ora po kthehet pas një viti në Kosovë mirëpo tashmë me mision humanitar, vitin e kaluar ajo kishte mbajtur një koncert në Prishtinë për nder të dhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës./ KultPlus.com

“Kishim një ëndërr” si klithmë për realitetin e rëndë shqiptar

Për prozën e Nasi Lerës është folur dhe është shkruar mjaftueshëm, si nga kritika ashtu edhe nga lexuesi i rëndomtë. Ky shkrimtar posedon atë mjeshtërinë, përmes së cilës tërheq vëmendjen e çfarëdo lloj lexuesi, sapo libri të dalë në skenë.

Sepse, mund ta them me bindje, që secili prej nesh mund ta gjejmë veten në secilën histori e në secilin personazh të thurur nga autori në fjalë.

Këtë e dëshmon edhe romani i tij i fundit “Kishim një ëndërr” i botuar më 2016, që ndryshe do të mund ta interpretonim edhe si një klithmë për realitetin e rëndë shqiptar, një realitet që vazhdon të përjetohet çdo ditë nga ne.

“Kishim një ëndërr” është roman i shkruar për njeriun e zakonshëm, për vajzat e reja me shpresë e pa shpresë, për përpjekjet e vazhdueshme të shoqërisë shqiptare, për politikën e dështuar dhe për tërë mentalitetin shqiptar.

I shkruar si historia e një regjisori të dështuar, Astit, i cili zë punë si mbledhës i kredive të këqija në një nga bankat e qytetit dhe ish të dashurës së tij, Fedrës, e cila gjithashtu nuk mund të zë një vend pune pa zbërthyer kopsën e parë të këmishës, ky roman kthehet në një histori të tmerrit të realitetit shqiptar.

Në këtë roman do të hasim në një botë ndryshe, në një botë në të cilën njeriu mundohet t’i bëjë keq njeriut, në të cilën njeriu mbijeton vetëm nga urrejtja për tjetrin dhe në të cilën nuk ekzistojnë mirësia, shpresa e ëndrra.

Prandaj vetë autori shprehet se “njeriu ngjall një ëndërr, vetëm për ta vrarë më pas”.

Ajo që e karakterizon romanin e fundit të Nasi Lerës është toni krejt i ndryshëm nga krijimtaria e mëparshme e tij.

Te “Kishim një ëndërr” autori na vjen me një kompozicion krejt origjinal dhe me një teknikë rrëfimi mjaft të veçantë.

Strukturalisht romani përbëhet nga gjithsej njëzet e një kapituj, në numrin e të cilëve kemi ndërrim të vazhdueshëm të narratorëve. Teknikë kjo e cila e bënë ngjarjen edhe më të besueshme.

Ngjarja rrëfehet nga tri personazhet kryesore, nga Asti, Fedra dhe Tim Funerali. Këta të tre përveç se personazhe vendosen edhe në rolin e narratorit autodiegjetik, meqenëse ata rrëfejnë ngjarje ku janë vetë të implikuar, rrëfejnë pjesë nga jeta e tyre.

Por e gjithë veçantia e veprës qëndron te karakteret. Ato zhvillohen pa ndërhyrjen e autorit dhe gjatë leximit të veprës na krijohet një përshtypje sikur vepra është shkruar nga vetë personazhet dhe se autori nuk ekziston fare.

Autori arrin ta shkruajë veprën në vetën e parë dhe njëkohësisht të futet në disa personazhe.

Këto personazhe nuk tregohen por zhvillohen me ngadalë përmes ngjarjeve që në shikim të parë na duken të parëndësishme por që në të vërtetë janë thelbësore.

Vetë titulli i romanit asocion me fatin e karaktereve përmes të cilëve autori na e jep tablon e këtij realiteti aktual.

Asti, një djalë i ri, i cili studioi për regjisurë nuk realizon dot ëndrrën e tij, ai nuk arrin të vë në skenë gërshetimin e Çehovit me Beketin. Ai portretizohet si një dështak i cili kërkon një teatër që ekzistonte vetëm në mendjen e tij.

Në anën tjetër kemi Fedrën në të cilën autori pasqyron një numër të madh të femrave shqiptare të cilat, njëjtë si personazhi ynë janë të detyruara të sakrifikojnë parimet e tyre në mënyrë që të arrijnë diçka në jetë.

Ndërsa kur hedhim sy mbi personazhin e Tim Funeralit, përpara na del një njeri me ëndrra të shuara, një njeri i cili jeton sot për neser, pa asnjë arsye për të vazhduar më tej.

Pra, në këtë roman hasim një galeri të larmishme të personazheve, të cilët edhe pse nuk kanë lidhje me njëri tjetrin, gërshetojnë historitë e tyre duke na sjellë deri te ky realitet i hidhur, që është edhe boshti kryesor i këtij romani.

Personazhet e këtij romani mund t’i ndajmë në dy grupe: në personazhe kryesore, si Asti, Fedra e Tim Funerali dhe në personazhe dytësore si sekretarja, hetuesi, drejtori i bankës, mësuesja e moshuar, vejusha e bukur etj. Ndërsa një numër i madh i personazheve njihen vetem me iniciale. Këto personazhe nuk mund të kalojnë mbi nivelin e idesë, ato mbesin të pazhvilluara.

Të paemërtuara mbesin edhe vendet ku zhvillohen ngjarjet. Përpos Tiranës, ne do të hasim në një numër të madh qytetesh pa emer, si qyteti F, qyteti B, qyteti S e qyteza R.

Këto qytete e qyteza shndërrohen në vende të shëmtuara ku personazhet e Nasi Lerës vrasin e varrosin ëndrrat e tyre:

“Kur u nisa për në qytezën R, isha një njeri që kishte ende një ëndërr, ndërsa kur u ktheva në qytetin F, nuk e kisha më. Kisha lënë ëndrrën time në një qytezë të humbur. Ndoshta jeta ime e vërtetë do niste pas vdekjes së saj.”[1]

Një ndër elementet më të rëndësishme të romanit të Lerës është edhe përshkrimi. Një pjesë e madhe e veprës është e mbushur me përshkrim. Autori në një mënyrë reale e deri në detaje na jep përshkrimin e personazheve dhe ndjenjave të tyre, përshkrimin e vajzave të bukura, të qyteteve të varfëra, të hoteleve të vjetra e të pista, të shtëpive të rrënuara e kështu me rradhë.

Përveç përshkrimit, romani në fjalë karakterizohet edhe nga shumësia e ngjarjeve. Në çdo kapitull ne do të njihemi me një histori të re e me një personazh të ri. Këto digresione të njëpasnjëshme i mundësojnë autorit të krijojë atë realitetin e shoqërisë së sotme në mënyrë sa më të besueshme.

Gjithashtu, autori fut edhe një numër të madh temash e motivesh si jetën e rëndë, humbjen e ëndrrave, humbjen e dinjitetit, varfërinë e sidomos vdekjen që është shumë e pranishme në ngjarje:

“E vetmja gjë që nuk shmangej, që nuk kishte vdekur dhe nuk do të vdiste, ishte vetë vdekja”[2] shprehet autori.

Madje romani përfundon me skenën e një varrimi, e që konsiderohet si skena më e fuqishme e romanit, përmes së cilës lidhen tragjizmi e komikja, të cilat bashkë na japin të vërtetën e madhe se ky realitet përjetohet çdo ditë nga ne.

Varrimi na shfaqet si një skenë, ku ne njerëzit jemi aktorë e shikues në të njëjtën kohë. Ndërsa drama që e luajmë është vetë vdekja.

Jo rastësisht ngjarja fillon me hapjen e agjensisë së varrimit nga Tim Funerali. Që në fillim autori synon të na tregojë që nuk kemi të bëjmë vetëm me vdekjen e natyrshme të njeriut dhe me varrimin e tij, por edhe me varrimin e shpresës, të mirës, ëndrrës.

Lokali, simbolikisht kthehet në një skenë e cila herë shndërrohet në floktore, herë në bastore, e krejt në fund në një agjensi varrimi.

Pra, në mënyrë simbolike, fati i këtij lokali na paraqet edhe shpresat e shuara dhe ëndrrat e dështuara të njeriut.

Romani në fjalë na zbulon njeriun si qenie mjerane duke e krahasuar atë me ëndrra të vdekura të kthyera në skelete. Njeriun e Nasi Lerës e hasim kudo në jetën tonë të përditshme.

Secili prej nesh njeh një Asti, i cili edhe pas studimeve nuk arrin të zë punë në drejtimin e tij. Madje vetë Asti mund të jemi edhe ne.

Secili prej nesh njeh një Fedra, e cila është në gjendje të bëjë gjithçka që të arrijë në postin që dëshiron. Madje vetë Fedra mund të jemi edhe ne.

Dhe secili prej nesh njeh një Tim Funerali, në të cilin nëse hedhim një shikim, në sytë e tij nuk do të shohim asgjë tjetër përpos zbrasëtirës.

Dhe prapë, vetë Tim Funerali mund të jemi edhe ne!

Veten mund ta gjejmë edhe në shumë personazhe dytësore, si personazhi i P.A-së, e cila në pamundësi për të vazhduar këtë lloj jete të hidhur vetëvritet, apo te personazhi i një të droguari i cili gjithashtu vendosë t’i japë fund jetës së tij në mënyrën më të keqe.

Të pasqyruarit e ndjenjave dhe mendimeve tona në personzhet në fjalë e shndërron romanin e Lerës në një ndër romanet më unike të letërsisë aktuale shqipe. Tek e fundit, kjo është edhe mjeshtëria e këtij autori.

Nasi Lera me “Kishim një ëndërr” na krijon një realitet të papërsëritshëm në letërsinë shqipe, duke futur dukuri të cilat i gjejmë të pranishme, sidomos në kohën aktuale. Sepse aty autori na shfaqë një realitet përmes një skene të përsëritur, ku secili nga ne ka një të përbashkët me tjetrin. Ndoshta humbjen e një ëndrre!

“Isha unë vetë që nuk thosha dot unë kam një ëndërr. Pohimi i vetëm që mund të bëja, ishte: unë jam njeri pa ëndrra, si të mos kisha pasur kurrë të tilla.”[3]

Gruaja si viktimë

Viktima e parë e realitetit të Nasi Lerës është gruaja. Me romanin “Kishim një ëndërr”, autori dëshmon edhe njëherë se është gruaja ajo e cila mbetet viktima e meskinitetit, dhunës psikologjike, e mashtrimit dhe gënjeshtrave të shumta të kësaj shoqërie.

Autori, në mënyrën më reale, arrin ta paraqesë gruan si viktimë të shoqërisë së sotme.

Përmes katër personazheve, arrin ta shpërfaqë para lexuesit rolin e gruas përpara kësaj shoqërie.

Në ngjarje hasim në historitë e katër vajzave, të Fedrës, të Ledi B, të Lora Rebit dhe të P.A, me historitë e të cilave mund të mishërohen një pjesë e madhe e vajzave shqiptare.

Fedra është një ndër personazhet kryesore të cilën e hasim edhe në rolin e narratorit. Në faqet e para të librit Fedra na shfaqet si një vajzë e dashuruar dhe e mbushur me përplot ëndrra. Ajo bënte pjesë në grupin e njerëzve që ëndërronin të bëheshin dikushi. Por në vend të një dikushi ajo bëhet asgjë më shumë se vegël e shefit të saj. Në vend të një dikushi ajo shndërrohet në një njeri, që gjithashtu trupin e saj e sheh si një vegël, një vegël përmes së cilës arrihen shumë gjëra:

“Unë e ndjeja se nuk kisha mposhtur thjeshtë një mashkull, por një pushtet të frikshëm. Nuk kishte pushtet që nuk mund të shtihej në dorë.”[4]

Por pas çdo pushteti që Fedra fut në dorë, ajo nuk plotësohet. Përkundrazi, ajo përgjysmohet.

P.A-në autori e vendos në rolin e një gruaje, historinë e së cilës e dëgjojmë çdo ditë në lajme apo gazeta. P.A më shumë se grua është pronë e një burri. Është burri ai i cili vendos për fatin e saj dhe e shtyen atë drejt vetëvrasjes. Personazhi i saj karakterizohet nga rrënimi i parakohshëm, rrënim ky që ndodh me femrat me të cilat është abuzuar.

Ledi B është njëra nga vajzat jeta e së cilës fillon natën. Ajo është vajza e makinave të shtrenjta, vajza e jetës luksoze. E një jete që kushtonte sa vetë trupi i saj.

Ndërsa Lora Rebi shfaqet në maskimin e një këngëtareje të bukur e cila shoqërohej vetëm me shtresën e lartë, me deputetët apo njerëzit e pasur.

Por në anën tjetër, autori me pak rreshta shfaqë anën e pafajshme dhe të dëlirë të këtyre dy personazheve, anë kjo e cila mbetet e panjohur si per personazhet e tjera, ashtu edhe për lexuesin.

Nasi Lera me “Kishim një ëndërr” dëshmon se edhe sot, në kohën aktuale, asgjë nuk ka ndryshuar. Në syrin e kësaj shoqërie të sotme, gruaja përveçse e bukur, nuk përfaqëson asgjë. Sa më e bukur ishe, aq më e papranueshme ishe, nëse nuk ishe dikush apo gruaja e dikujt.

Krejt në fund, në letërsinë shqipe askush më mirë se Nasi Lera nuk arrin ta krijojë një teatër ku luhet ky realitet i hidhur, në të cilin njerëzit si personazhe e si regjisorë lujanë pa u ndalur me veten dhe me të tjerët. Askush më mirë nuk e shpërfaq rezultatin e dështuar të politikës shqiptare. Dhe askush më mirë nuk na e hedh fytyrës se ndjenja më madhore e njeriut është urrejtja e jo dashuria:

“Kur ishim studentë, dashuronim, ëndërronim dhe nuk e dinim se, duke ëndërruar, ktheheshim në viktima të politikës së pamoralshme. Ne nuk duhej të donim, duhej të urrenim, por nuk e dinim se urrejtja është forca më e madhe që ka njeriu brenda vetes. I trembeshim dhe i shmangeshim kësaj force, sepse ëndërronim, dashuronim. Tani më vjen për të qeshur me pafajsinë tonë, me faktin që urrenim urrejtjen dhe dashuronim dashurinë.”[5]


[1]     Nasi Lera, “Kishim një ëndërr”, Botimet Living, Tirane, 2016, fq. 49.

[2]     Po aty, fq. 9.

[3]     Nasi Lera, “Kishim një ëndërr”, Botimet Living, Tirane, 2016, fq. 68.

[4]     Nasi Lera, “Kishim një ëndërr”, Botimet Living, Tirane, 2016, fq. 96-97.

[5]     Nasi Lera, “Kishim një ëndërr”, Botimet Living, Tirane, 2016. fq. 132.

“Vetëm duke u parë sy më sy me demonin që të mban të nënshtruar, mund t’ia dalësh të fitosh vetveten”


Sa të vërteta përballon një mëndje, sa të vërteta guxon të thotë ajo? Për mua kjo është bërë gjithnjë e më tepër masa e vërtetë e vlerave njerëzore. Gabimi, besimi në një ideal nuk është verbim, gabimi është paburrëri. Çdo ide, çdo hap përpara drejt njohjes rrjedh nga guximi, nga rreptësia ndaj vetvetes, nga pastërtia ndaj saj, kumton Fridrih Niçe. Nëpër këtë synaps kalon gjithçka që përshkruan simbolikën e këtij gjeniu, kësaj shkrepëtime drite të fillimshekullit.

Masa me e sigurt e çdo force ështe qëndresa që ajo mposht. Kështu, veprimi fillimisht përmbysës, pastaj rindërtues i Zigmund Frojdit kuptohet me të vërtetë vetëm po të përfytyrojmë moralin e një periudhe të mëhershme dhe të tashmes kur merr zë guximi i një mjeku që do të shkundte nga themelet jo vetëm pikpamjet e deriatëhershme për psikoanalizën por do të shtangte gjithë botkuptimin akademik që strukej pas panevojës për ta njohur njeriun me atë çfarë ai është.

“Instinktet nuk lejohen t’i shtypësh, dhe është e kotë të supozosh se kur i shtyp, ata ikin e zhduken përgjithmonë. E shumta, mund t’i ndrydhësh, duke i kaluar nga vetëdija në pavetëdije.

Por duke iu nënshtruar kësaj shmangieje të rrezikshme, ata grumbullohen në thellësi të shpirtit dhe, duke fermentuar vazhdimisht, krijojnë shqetësime nervore, çrregullime dhe sëmundje.

Forca e instinkteve të epshit, të damkosura nga morali, përbëjnë një pjesë të pashkatërrueshme të qenies njerëzore që rilind në çdo embrion, se ky element nuk mund të shmanget kurrë, por në disa raste arrin të zbutet veprimi i tij duke kaluar në vetëdije.

Instinktet mund t’i disiplinojë vetëm ai që i njeh, demonët mund t’i zbusë vetëm ai që i nxjerr nga honi i tyre i errët në dritë dhe i sheh në fytyrë. E rëndësishme nuk është t’i mbytësh në heshtje të fshehtat më të mistershme të njeriut, por t’i detyrojë ata të flasin.”

… dhe ai Zigmund Frojd (6 maj 1856 – 23 shtator 1939) mjeku, neurologu udhe pionieri i psikanalizës, i vetëm kundër të gjithëve, i’a arriti kësaj sfide, e çliroi njeriu nga robëria e kahershme për t’i dhënë lirinë e themeltë si shpërblim.

Idetë e Frojdit për shumë vite vazhuan të trajtoheshin si blasfemi. Ai kishte nxjerrë nga terri një ushtri të pamatë ligësie që fshihej brenda “homo sapiens”. Ai çliroi njeriun nga alogjizmi trashanik sipas së cilës, kur një gjë e fsheh, ajo nuk ekziston. Sipas tij vetëm duke u parë sy më sy me demonin që të mban të nënshtruar mund t’ia dalësh të fitosh vetveten.

***

Në vitin 1923 Zigmund Frojdi u diagnostikua me kancer në gojë dhe për këtë shkak ai bëri me dhjetera operacione që në fillimet e para të sëmundjes në Austri. Pak pasi ai mbërriti në Angli, dhimbjet u rritën aq shumë saqë ndikuan që te kërkonte nga mjeku i tij aplikimin e një doze morfine vdekjeprurëse. Më 23 shtator të vitit 1939 ai shpëtoi nga dhimbjet dhe vuajtja që zgjatonte me agoninë e një fati pa shpresë, duke u shuar.

Ai është në gjithçka i përkorë, edhe në guximin për të ngritur zërin, dhe në kushtrimin që lëshon përbindshëm në kllapinë ku dergjet vetëdija e kohës.

Ai ishte i vetmi që mundi të depërtonte më thellë se askush tjetër më parë në vetëdijen dhe nënvetëdijen e njeriut. Nuk qe aspak e lehtë udha që do të merrte ky Odise i shpërfaqjes së fatit dhe fatalitetit, ku padija e kishte kyçur njeriun, këtë krijesë sa prepotente aq dhe inferiore.

Kaluar mbi një energji të pashtershme angazhimi vetëmohues, ai do të rrëmonte zhguallin e trashë ku njeriu strukej e të nxirrte që andej, ta ç’burgoste prej misterit dhe bestytnishë, frikës për të hyrë brenda vetes dhe ndjellakeqes për ta nxjerrë prej skutave të errëta e për ta shpaluar faqe dritet. Si asnjëherë më parë, si të vetmen shtangie që bota do ta kundronte gojëhapur dhe anatemuese, ai guxoi dhe triumfoi. E denoncoi njeriu e nënvetëdijes dhe vetëdijes, para vetvetes. E shfletoi atë si një libër të dënuar të mbetej i mbyllur. E tregoi me gisht. E përzuri me shqelma nga skutat ku kishte shekuj që strukej. I dha dritë që i duhej për të parë dhe të vërtetën e tronditëse për të ardhur në vete.

Mendimet ushqehen po aq me përgënjeshtrime sa me vërtetime, një vepër ekziston jo më pak nga urrejtja sesa nga dashuria që zgjon. I vetmi triumf vendimtar i një ideje, i vetmi gjithashtu që jemi të gatshëm edhe ta adhurojmë, është shkrirja e saj në jetë. Sepse asgjë, në kohën tonë të një drejtësie të pasigurt, nuk e rindez dhe aq besimin në epërsinë e mendjes sesa shembulli i gjallë i njeriut të vetëm që ka gjithnjë guxim të thotë të vërtetën për ta përhapur në tërë gjithësinë.

Ai ishte Zigmund Frojd./albertvataj.com