Lamtumirë

Poezi nga Sergej Jesenin

Përktheu: Esad Mekuli

Lamtumirë, lamtumirë, shoku im.
O, i dashtun, të mbaj mu në gji.
Ndamja e caktueme, prap premton takim,
u premton njerëzve bashkimin e ri.

Lamtumirë, shok, pa fjalë t’idhta, shtrëngim dore,
mos e mrrol dhimshëm ballin, mos vajto
n’kët jetë me vdekë nuk asht gja e re,
por as me jetue s’asht ma e re, beso.

27 dhetuer 1925,
Leningrad

Mbërrin në Shqipëri trupi i pajetë i regjisorit Gjergj Xhuvani

Ka mbërritur sot në mëngjes në aeroportin e Rinasit, trupi i pajetë i regjisorit Gjergj Xhuvani.

Xhuvani u nda nga jeta më 14 gusht në Romë, ku ndodhej për xhirimet e filmit të tij të fundit “Liqeni im”.

Familjarët kanë vendosur që ceremonia mortore të jetë private, jo me homazhe shtetërore.

Regjisori i njohur do të përcillet për në banesën e fundit sot në orën 14.00.

Gjergj Xhuvani, regjisor, skenarist dhe producent shqiptar, lindi në vitin 1963 në Tiranë. Në vitin 1986 u diplomua në Akademinë e Arteve në Tiranë, dega Artet Dramatike. Që nga viti 1986 deri në vitin 1990, ai punoi si asistent regjisor në shumë filma dhe në vitin 1991 realizoi filmin e tij të parë “Bardhë e zi”.

Ka punuar si regjisor në filma mjaft të njohur për publikun, si “Në kërkim të kujt”, “Lindje, perëndim, lindje”, “I dashur armik”, “Parrullat” etj. Qe i pari kineast shqiptar që mundi të çojë Shqipërinë në Kanë përmes filmit “Parrullat” në vitin 2001.

Ka dhënë kontributin e tij në kinematografinë shqiptare edhe si skenarist në filma si “Parrullat”, “I dashur armik”, “Në kërkim të kujt” etj.

Po ashtu ai ka interpretuar si aktor në “Edhe ne luftuam” dhe “Hije që mbeten pas”. Pas filmit “Engjëjt janë larg”, një vit më parë kineasti Gjergj Xhuvani pritej të prezantonte në kinema realizimin e fundit kinematografik, “Liqeni im”. / Fastnews / KultPlus.com

Në 105 vjetorin e lindjes, kompletohet vepra e Sterjo Spasses

“Më në fund e mbarova bibliografinë e krijimtarisë së babait…”- më tha në korrik, Prof. Dr. Ilindeni, djali i vetëm i Sterjo Spasse, ose “Hija mbi tokë e Sterjos” siç e ka quajtur një matjan i mençur pasi lexoi me ëndje librin tashmë mjaft të njohur në rrethet e lexuesve shqiptarë “Im atë Sterjo”.

Të dy këta libra, monografia dhe bibliografia, plotësojnë njeri-tjetrin, apo mbushin një thes me dije rreth figurës së madhe e vlera shumë të Sterjo Spasses, jo vetëm si shkrimtar. Me hollësi krijimtaria e tij shtrihet në mbi gjashtëdhjetë vjet, nga fundvitet njëzet të shekullit të njëzet deri në fundvitet ’80 (1989) kur u nda nga jeta.

E tani, rastisin disa 30-vjetorë, derisa u arrit t’i mbeten fondit të dijeve e kulturës shqiptare,- e plotë, figura e sidomos krijimtaria e tij: Kështu, në vitet tridhjetë u bë i njohur, i dashur dhe model i ëndërruar i rinisë me romanin social- filozofik “Pse?”; Në 30-vjetorin pasues, autor i dashur i teksteve mësimore dhe romaneve frymëzues për shndërrimet dhe arritjet e jetës kudo, sidomos në fshat; në 30-vjetorin e tretë, iu fut me rrënjë luftës së popullit për liri, dije e kulturë dhe e pasqyroi në disa romane rresht, që edhe e lodhën! Kjo ishte dhe arsyeja kryesore që e mbylli jetën në gjysmën e atij 30-vjetori, kur ishte shtatëdhjetë e pesë vjeç, 1989.

Tridhjetë vitet pasues u shndërruan nga i biri, “djalë për kokë të djalit!”, siç thotë populli ynë, në vite përpjekjesh sistematike të pandërprera, derisa, sot, gusht 2019, tridhjetë vjet pas ndarjes nga jeta të shkrimtarit e njeriut të madh Sterjo, kemi në dorë edhe bibliografinë e plotë! Kjo bibliografi e ka fillesën në fund vitet 1920 kur shkrimtari ishte nxënës shkolle të mesme dhe sapo kishte filluar të cicërinte si krijues i ri… I takon urim e përgëzim Prof. Dr Ilindenit për veprën aq shumë të vyer në dobi të brezave, të kulturës së mbarë popullit tonë. Por, le te përqendrohemi në dy rrafshe të krijimtarisë së Sterjo Spasses, në atë si shkrimtar dhe sidomos në atë si mësues dhe edukator në kuptimin e gjerë.

Lindi me l4 gusht l9l4 në fshatin Gllomboç të Prespës në rrethin e Korçës. Për arsimimin, me dorën e vet ka shkruar: “Pasi kreva tre klasë fillore shkollë greke në fshatin tonë Gllomboç e ne Nivicë (që sot është nën Greqi ) mbarova shkollën plotore në Korçe l925-27; pastaj kreva shkollën “Normale” të Elbasanit l927-32; pas dy vitesh dhashë provimet dhe mora stazhin, një certifikate pjekurie për mësues,l934. Në vitin l939 bëra kursin e gjuhës italiane ne Universitetin e të huajve ne Peruxhia të Italisë ku mora certifikatën e kursit te dyte “I aftë për të dhënë italishten në shkollat jashtë Italisë”;në l939-43 vazhdova me korrespondencë të jepja provimet në Magjistraturën e Firences d.m.th në Universitetin në degën e Pedagogjisë.

Nga vazhdimi i luftës më mbeten pa dhënë provimet e fundit. Midis viteve l954-57 dhashë provimet gjer në vitin e tretë për letërsi në Universitetin e Tiranës. Në vitet l958-60 kreva kursin e lartë të letërsisë pranë Institutit “Gorki” në Moskë”. Nga shkollimi i tij deri në moshën 45 vjeç kuptojmë veç të tjerash, se ai zotëronte jo më pak se 5-6 gjuhë të huaja; shqip, maqedonisht e bullgarisht, greqisht, italisht, rusisht, frëngjisht. Në punë e sipër i përdori dijet e asimiluara prej tyre për ndriçimin e mendjes se shqiptarëve deri në Diasporë, u bë i njohur në shumë vende me veprat letrare të përkthyera dhe u ngrit lart si figurë e artit-shkrimtar, i kulturës në tërësi dhe jo më pak edhe i pedagogjisë e didaktikës; gjuhët e huaja i dhanë mundësi të sillte të përkthyera në shqip shumë vepra me vlerë nga kultura e historia botërore.

Në vitin l980 u botua në Shqipëri “Vepra letrare” e Sterjo Spasses në 9 vëllime, ku secili vëllim përmbante; I:prozë e shkurtër e para e pasçlirimit deri në vitet ‘7O; II: romanet “Aferdita” dhe “Aferdita përsëri në fshat”; III: romani “Ata nuk ishin vetëm”; IV:Tregime për të rinj e pionierë ( Të fala nga fshati dhe Sokolesha) V: romani “Buze liqenit”; VI: romani “Zjarre”; VII: romani “Zgjimi”; VIII: romani “Pishtarë”’; IX romani “Ja vdekje, ja liri”. Në këtë renditje siç shihet mungon romani i tij i parë e me shumë jehonë edhe ne ditët tona, romani “Pse?” i cili zinte vendin qe i takon në serinë e botuar më parë në Kosovë si dhe dy romanet e botuara më vonë kushtuar ideve të rilindësve, “Kryengritesit”, l983, dhe “O sot o kurrë” l989.

Në tërësi ato kanë dalë nga shpirti i mësuesit edukator, nga thellimi i vazhdueshëm e me përgjegjësi në problematikën e zhvillimeve historike të kohës,nga dëshira për t’ia bërë të njohur artistikisht historinë e viteve vendimtare për fatet e Shqipërisë, brezave që erdhën e do të vijnë.E denjë të thuhet se si askush ky personalitet jetoi e luftoi dhe vdiq me penë në dorë dhe nuk ka se si të mos i përulet kujtimit te tij çdo njeri që i përkushtohet mbarësisë së popullit të vet! Edhe sikur vetëm kaq të kishte shkruar, Sterjo Spassja do të meritonte te nderohej si njeri i madh i kombit tonë. Por kjo përbën afro gjysmën e krijimtarisë. E krahasueshme me të për nga sasia,përbën edhe krijimtaria pedagogjike,didaktike e konkrete praktike për shkollën, në dobi të ngritjes së saj në nivelin e kërkesave të kohës.

Kjo fillon që në bankat e shkollës “Normale” ku ishte njëri nga redaktorët e parë të revistës “Normalisti”.Akoma nxënës, ishte nismetar i shëtitjes nëpër Shqipëri te klasës së tij në vitin 1932 me moton “Që ta duash vendin tënd duhet ta njohësh atë”. Këtë shëtitje e përshkroi dhe e botoi po vetë si libër me titullin “Normalisti shëtitës”.

Kur filloi punën si mësues në Gjirokastër mori nismën dhe mblodhi ndihma nga mësuesit për ndërtimin e varrit të Koto Hoxhit, njërit nga te parët mësues te masakruar të shqipes. Në vitin 1936 filloi punën pranë Inspektoratit të Arsimit ne Korçë, ku mori nismën për krijimin e bibliotekës pedagogjike, e cila më vonë shërbeu si bërthamë e kabineteve pedagogjike.Atë bibliotekë e krijoi, e drejtoi vetë dhe e pasuroi me libra shqip e në gjuhë të huaja. Që këtu lindi iniciativa për konferenca pedagogjike dhe filloi hartimi i ditarëve ne mënyrë sistematike që u quajtën “Fleta e punës e ditës”. Për krijimin e kësaj biblioteke pedagogjike e nismave të tjera këshillohej, merrte rekomandime e literaturë nga profesori i tij i adhuruar me kulturë perëndimore Aleksandër Xhuvani. Në ato vite fillon të botojë mjaft artikuj si shënime kritike e letrare me karakter pedagogjik në revistën “Rilindja” (“Bota e re”) në gazetën e Korçës e “Zëri i Korçës”.

Në vitin 1940 u transferua në Tiranë Drejtor didaktik ne Ministrinë e Arsimit. Nga raportet e tij të asaj kohe si inspektor dalin përpjekjet për mbarëvajtjen e shkollës në Mat e Shëngjergj për shtimin e numrit te shkollave,ngritjen e sa më shumë ndërtesave shkollore dhe lehtësimin e nxënësve të varfër me mjete mësimore e ushqim. Në këto vite organizoi,shkroi e drejtoi udhëzuesin “Puna në shkolle”,vëllim prej 1016 faqe lënde praktike për mësuesit. Vetë ai hartoi udhëzuesin metodik për klasën IV e V dhe redaktoi materialet e përgatitura nga mësuesit e tjerë.

Mori pjesë si delegat i Tiranës në Kongresin I të arsimtarëve antifashiste (Korçë 25-27 nëntor 1944) ku foli për metodën e punës se mësuesve partizanë dhe ngriti mjaft probleme per organizimin e shtypit e krijimin e letërsisë pedagogjike,për detyrat e te drejtat e arsimtareve, njohjen e vendlindjes e forcimin e dashurisë për çdo gjë shqiptare. U zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Bashkimit të Arsimtarëve Antifashistë. Këtej e tutje, veprimtaria e tij u inkuadrua në zbatimin e planit perspektiv të zhvillimit të arsimit të ri shqiptar.

Në dhjetor 1945 , ishte një ndër nismëtarët kryesorë për hapjen e revistës së parë pedagogjike pas çlirimit “Shkolla e re” (më vonë “Arsimi popullor”). Në vitin 1946 u emërua anëtar i Këshillit të Arsimit, i krijuar për zbatimin e Reformës Arsimore dhe anëtar i Komisionit Pedagogjik pranë Ministrisë së Arsimit për drejtimin dhe hartimin e programeve e teksteve të shkollave unike dhe të shkollave të mesme të çdo kategorie.

Në këtë komision ku punoi deri në vitin 1954, Sterjo Spasse drejtoi, organizoi dhe hartoi, në bashkëpunim edhe me arsimtaret më të mirë, programet dhe udhëzimet e lëndës Gjuhë e Letërsi për shkollat unike dhe te mesme te çdo kategorie dhe për kurset e arsimtareve me variante te ndryshme qe kërkonte reforma.

Puna e një grupi të vogël arsimtaresh në atë periudhe,barazohet me punën e një institucioni të tërë arsimor të sotëm. Për ta pasur të qartë këtë veprimtari, po citojmë titujt e teksteve dhe vitet e botimit: Antologji për klasën e I të shkollës unike (1946), Antologji për klasën II, III të shkollës unike (l946), Literatura e huaj, për shkollat e mesme (1947), Folklori shqiptar, dispencë për shkollat e mesme (1948), Elementet e parë të teorisë së letërsisë për shkollat e mesme (1951), Letërsia e huaj, vëllimi I me bashkëautor Mahir Domi (1951), Gramatika e Gjuhës shqipe për shkollat 7-vjeçare me bashkëautor L.Dodbiba (1951), Letërsia e huaj, vëllimi II me bashkautor M.Domi (1953), Antologji e Letërsisë Shqipe në frëngjisht dispence, me bashkautor Nonda Bulka (1960). Janë gjithsej 10 tekste, natyrisht të hartuar për herë të parë, sipas programeve të reja të kohës. Të gjitha këto tekste u ribotuan disa herë me përmirësimet e nevojshme. Kurse tekstet “Elementet e para të Teorisë se Letërsisë” dhe “Letërsia e Huaj “ në Kosove u ribotuan disa herë.

Vepra

Kurorë rinije. Biblioteka e të rinjvë Nr. 1. (Peppo & Marko, Korçë 1934, ribotim Prishtinë 1968)

Nga jeta në jetë – PSE?!, (Drita, Korçë 1935, rebotim Prishtinë 1968, 1986, Tiranë 1995)

Afërdita. Roman (Luarasi, Tiranë 1944, rebotim Prishtinë 1956, 1968)

Nusja pa duvak. Novela. (Luarasi, Tiranë s.a. [1944])

Ata nuk ishin vetëm, roman (Naim Frashëri, Tiranë 1952, rebotim Prishtinë 1968)

Afërdita përsëri në fshat. Roman (N.Sh.B., Tiranë 1954, rebotim Prishtinë 1968)

Buzë liqenit, roman 1965

Sokolesha, 1966

Të fala nga fshati, 1968

Roman. (Naim Frashëri, Tiranë 1972)

Ja vdekje, ja liri, roman 1978

Kryengritësit, roman 1983

O sot, o kurrë !, roman 1989

Letra nipit tim Arian në Tiranë nga Maqedonia dhe Kosova,1975

(Naim Frashëri, Tiranë 1974)

Pishtarët, roman

(Shkrim në gazetën “Shekulli” nga Prof. Dr. Hektor Veshi) /KultPlus.com

Shuhet Peter Fonda, rebeli elegant

Në kinema vera e vitit 2019 tashmë ka qenë një ripërsëritje e çuditshme e gushtit 1969, falë Quentin Tarantinos me një vizion të mirëfilltë të historisë së Tinseltown.

Karriera e Fondas tregon historinë e një aktori të lezetshëm e karizmatik. Por ndikimi i tij shkoi më thellë dhe më gjerë. Ai ishte autori i një goditjeje të fortë në kulturë, që filloi 50 vjet më parë me realizimin e “Easy Rider” – rrëfimi që tronditi Amerikën dhe transformoi Hollywoodin.

Fonda mund të kishte zgjedhur me lehtësi të kishte qenë diku tjetër. Fëmijëria e tij ishte e mbushur me tragjedi dhe incidente romantike – vetëvrasja e nënës së tij, Frances Ford Seymour, kur ishte 10 vjeç, shkruan “Koha Ditore”. Pastaj, shumë ai aksidentalisht qëlloi veten në stomak. Sidoqoftë, ai pati një të ardhme të artë të shtruar për të, pasi u lind në fisnikëri të biznesit të filmit. I biri i një filmbërësi madhështor, Henryt, vëllai i motrës, Jane një yll i viteve ’60. Fëmija i familjes, njeriu kryesor i pashëm, ishte pa dyshim në radhë.

Në vend të kësaj, ai anashkaloi fatin e tij. Shumë kohë para se të bëhej e detyrueshme, Fonda i rriti flokët e në gjatësi që tmerroi njerëzit. Eksperimentoi në Kaliforninë Jugore, ku filmat, muzika rock dhe kultura e rrugës po mjegulloheshin keq. Ai ishte një fytyrë aq qendrore në skenë sa që formësoi trashëgiminë e vet. Rishikimi i historisë së të shtënave të fëmijërisë së tij ndaj John Lennon në një festë të vitit 1965 në “Mulholland Drive” përfundoi në zemrën e kryeveprës së rrëmbyeshme të “Beatles”, “She Said”.

Ai ishte gjithashtu atje, në trazirat e “Sunset Strip” në vitin 1966, të cilat shpërthyen në protestë ndaj ngacmimit policor të adoleshentëve të ashpër që po shkonin në Los Angeles. Ai jo vetëm që ishte i pranishëm, por u arrestua. Diçka po binte në erë në Amerikë dhe Fonda ishte thelbësore për të, jashtë kamerës dhe më tej. I margjinalizuar nga Hollywood, ai luajti në vend të kësaj në filmat që së pari i dhanë formë ekranit të madh në momentin, si “The Angels Wild” dhe “The Trip”.

Të gjitha këto do të thoshin që kur “Easy Rider” arriti në 1969, ai u nxit nga përvoja e vërtetë. Fonda ishte producenti i filmit – pasi buxheti i kryesuar nga karta e tij e kreditit – si dhe ylli i tij. Jeta e tij ishte në shpirtin e filmit. Fuqia e “Easy Rider” nuk ishte se ai ishte një histori e kusarëve të jashtëligjshëm me plumba e të tjera gjëra. Deri në vitin 1969, çdokush mund ta kishte bërë atë. Ishte sensi i një filmi të një brezi, i bërë pa lejen ekzekutive, që elektrizoi një audiencë të sëmurë nga Vietnami. Ai i shkatërroi studiot aq keq sa vendosën regjisorë të rinj në një përpjekje të dëshpëruar.

Në vazhdën e “Easy Rider”, Fonda udhëhoqi filmat si “The Hired Hand” dhe “Idaho Transfer” me një personalitet, i cili ia vlen të rizbulohet. Si aktor, ai fitoi një nominim për “Oskar” më 1997. Akoma më e mrekullueshme ishte “The Limey”, një triler i lezetshëm i krimit i drejtuar nga Steven Soderbergh saktësisht 30 vjet pas “Easy Rider”. Vitet ’60 e gjetën në projekt të Terry Valentine. Fonda ishte Valentine, një relikte nga antikultura që kurrë nuk u rrit dhe kishte bërë të gjitha llojet e kompromiseve për shkak të saj. Soderbergh përfshiu një goditje të një tabele ku Valentine reklamonte “American Express”, reklama origjinale kishte bërë yll Fondan.

Të ndryshosh historinë është një gjë – të jesh i sinqertë për atë që ndodh më pas merr ndershmëri të rrallë. E megjithatë Fonda kurrë nuk bëri shumë kompromis. Ai ishte ende shpesh në pjesën e prapme të një biçiklete deri në fund të jetës së tij, dhe në vitet tona të trazuara, mund të gjendej duke sulmuar Trump në mediat sociale, përgjithmonë një rebel elegant e i lumtur. /KultPlus.com

Ismail Kadare: Letër presidentit George Bush

President i SHBA
9 Paris, 11 shtator 1991

Zoti President,
Dy vjet më parë, më 1989, kur jo vetëm në vendin tim por në gjithë perandorinë e Lindjes, diktatura komuniste ishte ende në këmbë, me mikun tim, laureatin e çmimit Nobel të paqes, Elia Weisel, ju kam dërguar një letër. Në atë kohë, për një letër si ajo, në Shqipërinë komuniste dënoheshe me vdekje, megjithatë unë e ndjeva për detyrë t’ju drejtohesha juve, presidentit të shtetit më të fuqishëm demokratik të botës, për t’ju kërkuar ndjesë në emër të popullit shqiptar, për qëndrimin armiqësor që mbante qeveria komuniste shqiptare ndaj SHBA. ju shkruaja, midis të tjerash, në atë letër se populli shqiptar, në kundërshtim me sunduesit komunistë, kishte ndjenja të thella mirënjohjeje për SHBA dhe ju lutesha Juve, që pa ia vënë veshin fyerjeve të Tiranës të vazhdonit të ndihmonit këtë popull martir, si atë që vuante brenda kufijve të shtetit, si gjysmën tjetër të tij, që vuante në Jugosllavi.

Dhe ja, pa u mbushur dy vjet, në marrëdhëniet amerikano-shqiptare ndodhi e pabesueshmja. Kur Sekretari i Shtetit, Baker, u prit në mënyrë madhështore në Tiranë, isha i lumtur të vërtetoheshin fjalët që ju kisha shkruar më 1989, që në atë kohë mund të tingëllonin si fantazi shkrimtari, se SHBA do të ketë te populli shqiptar, një mik të zjarrtë e të përhershëm. Nga ana e tyre, shqiptarët të zhgënjyer nga ato lidhje të mbrapshta në të cilat i çuan komunistët, janë sot më të etur se kurrë për miqësi të vërtetë.

Zoti President, sot kur një pjesë e botës, e sidomos ajo pjesë që posa është shkëputur nga e kaluara komuniste, po përpëlitet e s’gjen dot qetësi, njerëzimi mbarë përcjell me adhurim përpjekjet tuaja fisnike për rregullimin e saj. Në këtë kahje, jo vetëm si shkrimtar e qytetar shqiptar, por edhe si njeri që dëshiron një botë më të përkryer, ju drejtohem Juve, burrit të shtetit me të cilin e ardhmja e botës ka një lidhje të drejtpërdrejtë.

Për shumë dekada, një pjesë e botës në aksionet e saj politike e diplomatike, përballë problemeve të mëdha ka qenë shpesh herë e paralizuar prej dogmave dhe tabuve. Në emër të një stabiliteti e qetësie false, këto dogma shpalleshin të shenjta e të pandryshueshme, paçka se kombe e popuj të tërë, të rrëzuar prej fatit, njëlloj si titanët e dikurshëm, vuanin e rënkonin prej tyre. Tani është e qartë për cilindo, se ajo qetësi dhe stabilitet, që përligjej nga formulat gjoja të shenjta, nuk ka qenë veç një harmoni e gënjeshtërt. Nuk do të zgjatem për gjëra që ju i dini më mirë se kushdo dhe, prej të cilave jeni shqetësuar si rrallë kush. Do të dëshiroja vetëm që të tërheq edhe një herë vëmendjen tuaj, Zoti President, për popullin me fatin më tragjik, të krejt kontinentit evropian: shqiptarët.

Ky është i vetmi popull në historinë e Europës, që pas dy mijë vjetëve jetë u nda më dysh, që në fillim të shekullit të XX-të prej Fuqive të Mëdha. Ky është i vetmi komb, që në këtë shekull u shtyp prej dy diktaturave më të egra, që ka njohur bota: diktaturës së komunistëve shqiptarë dhe diktaturës së komunistëve serbë.

Ky gjymtim e kjo shtypje dyfishe, e ka lodhur dhe e ka dëmtuar rëndë këtë komb. Tani, gjysma e tij, ajo që jeton brenda kufijve të shtetit shqiptar, është duke e fituar më në fund lirinë. Por gjysma tjetër, ajo që ende ndodhet nën komunistët serbë, është në zi dhe në mjerim.

Zoti Presidenti SHBA! Mendoj se është e palejueshme dhe në kundërshtim me të gjitha ligjet e natyrës, të së drejtës universale dhe të Zotit, që ky komb të vazhdojë e të jetë i dënuar kështu. Dhurata që iu bë terroristëve serbë që vranë më 1914 në Sarajevë, dukën Ferdinand të Austro-Hungarisë, duke u dhënë si shpërblim gjysmën e  Shqipërisë, është një nga krimet më të rënda në historinë e njerëzimit. Sa më shpejt që bota e qytetëruar ta çlirojë veten e saj nga ky krim, aq më mirë do të jetë.

Kur ju shkruaj këto fjalë, unë nuk mendoj kurrë, që paqja dhe mirëkuptimi i sotëm i arritur me aq mundime, të rrezikohen për shkak të shqiptarëve. As nuk parashtroj kërkesa për veprime të ngutshme, brutale ose sensacionale. Ajo që dëshiroj të shtroj para jush është kërkesa për një ndryshim parimor në qëndrimin ndaj popullit shqiptar. Në mbarim të këtij shekulli, përpara shqiptarëve po ngrihet shansi historik, shansi që të korrigjohet faji që u bë ndaj tyre në fillim të shekullit.

A do të pranohet prej botës së sotme të qytetëruar e drejta e këtij populli, që të jetojë bashkë, në të njëjtën shtëpi, si të gjithë kombet apo do t’i mohohet kjo e drejtë, në emër të tabuve ose të gjumit të qetë të dikujt?

Në qoftë se në vizionin e Europës së nesërme pranohet kjo ide, mendoj se edhe mjetet demokratike për zgjedhjen e saj në mënyrë paqësore, diplomatike, njerëzore, pa dhimbje e gjak për kërrkënd, mund të gjenden. E tmerrshme është se gjer më sot kjo ide nuk është pranuar. Por në kohën tonë, në kohën e triumfit të të drejtave të njeriut, triumf në të cilin SHBA kanë një vend nderi, të mos pranosh një ide të tillë, do të thotë të pajtohesh me të kundërtën.

Me një krim të tillë në ndërgjegje, bota e lirë s’mund të flejë e qetë. Ndonëse nuk do të doja ta mbyllja këtë letër me diçka të zymtë, s’mund të rri pa ju thënë se shqiptarët e Kosovës i kanë bërë thirrje për ndihmë gjithë botës: një masakër e përgjakshme po përgatitet kundër tyre.

Shpresoj, Zoti President i SHBA, se ju do të bëni gjithçka, për të ndaluar këtë krim të paralajmëruar, tashmë, nga shumë drejtime.

Duke ju falënderuar edhe një herë, ]u personalisht dhe shtetin tuaj të madh, për vëmendjen ndaj popullit tim, shpresoj Zoti President, se midis punëve dhe problemeve tuaja të shumta, do të vazhdoni të interesoheni për fatin e popullit tim martir.

Pranoni, Zoti President, shprehjen e respektit tim më të thellë.

ISMAIL KADARE

Bluza e basketbollit e Obamës shitet për 120,000 dollarë

Bluza e basketbollit e ish-presidentit të SHBA-së Barack Obama u shit sot në një ankand për 120,000 dollarë, tha shtëpia e ankandit që organizoi shitjen në Teksas.

Obama kishte veshur një bluzë të basketbollit kur ishte 18-vjeç, në një shkollë të mesme në Hawaii, ku jetonte, sipas shtëpisë së ankandeve “Heritage Oaks”.

Ish-presidenti Obama është një tifoz i basketbollit që ai shpesh luante ndërsa ishte në Shtëpinë e Bardhë, me staf presidencial si dhe të ftuar.Bluza është blerë nga një koleksionist i sportit dhe artefakteve, i cili nuk deshi të identifikohej. /KultPlus.com

Nisi në Prishtinë kampi veror ndërkombëtar “WiSci”

Njëqind vajza nga Shtetet e Bashkuara, Kosova dhe vendet e rajonit, janë mbledhur dje në Prishtinë ku do të qëndrojnë për dy javë, sa do të zgjasë kampi veror i vajzave për shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë.

Kampi i njohur si WiSci synon të nxisë pjesëmarrjen më të madhe të vajzave në këto fusha, thotë drejtoresha e tij Bailey Leuschen.

“E para është të rritet vetëdijesimi, interesimi i vajzave dhe aftësitë e tyre në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, sepse këto janë vendet e punës të shekullit njëzet e një dhe e dyta që lidhet me këtë, është mësimi ndërkulturor. Për t’i pasur këto aftësi duhet të dish t’i përdorësh ato. Bota jonë është shumë e lidhur sot dhe fakti që kemi këtë kamp ndërkombëtar është i qëllimshëm për t’i nxitur vajzat që të mendojnë si pjesëmarrëse të tregut global të punës dhe e treta është barazia gjinore. Ky kamp ka vetëm vajza dhe përqendrohet shumë në nxitjen e vajzave që të kenë guximin të hyjnë në këto fusha duke e ditur se kanë një komunitet mbrapa vetes, kanë mentorë dhe mbështetje”, tha ajo.

Kampi mbahet për herë të nëntë këtë verë, ndërsa Kosova është për herë të parë nikoqire e tij nëpërmjet një partneriteti të gjerë në mes të korporatës “Sfidat e Mijëvjeçarit”, ambasadës amerikane në Prishtinë, Fondacionit të Kombeve të Bashkuara “GirlUp”, organizatës TOKA, si dhe Universitetit të Prishtinës dhe Kolegjit AAB.

“Kampi veror WiSci organizohet për herë të parë në Kosovë. Ne është dashur të garojmë në baza ndërkombëtare që ta kemi të drejtën e organizimit. Vitin e kaluar është organizuar në Keni, Gjeorgji, pra ne kemi pasur një proces kompetitiv dhe në fund departamenti amerikan i shtetit ka pranuar që Kosova të organizojë për herë të parë këtë kamp”, tha Petrit Selimi, bashkërendues për Kosovën në korporatën “Sfidat e Mijëvjeçarit”.

Sarah Olmstead, nga kjo korporatë tha se “Kosova, siç njerëzit me siguri e dinë, ka një nga shkallët më të ulta të pjesëmarrjes së grave në tregun e punës në rajon. Në fakt, kjo shkallë është e krahasueshme me vendet si Gaza apo Afganistan dhe me vende të tjera të ngjashme prandaj qëllimi prapa këtij organizimi është që vajzat të marrin një ide të asaj se çfarë mund të bëjnë, të angazhohen më shumë në tregun e punës dhe në fusha të ndryshme që mund t’u duket se janë jashtë mundësive të tyre”.

Pjesëmarrëset e këtij kampi vlerësuan mundësitë që u ofron ai.

“Kjo është hera e parë që unë dëgjoj për Kosovën, kur kam aplikuar për kampin e kam njohur Kosovën për herë të parë dhe më pëlqen shumë, është ndryshe nga Shtetet e Bashkuara. Unë vij nga New Jersey dhe këtu vendi më duket shumë i hapur dhe është kënaqësi të shohësh vende e kultura të reja, shpresoj që do të kem rastin të miqësohem me vajza të cilat janë të interesuara në fushat e njëjta si unë dhe të mësojmë edhe më shumë”, tha Lakita Lloyd.

“Kam qenë shumë e ngazëllyer me pjesëmarrjen time këtu sepse janë 100 vajza që vijnë nga vende të ndryshme dhe e kam mundësinë të mësoj për kultura të reja e përveç kësaj do të mund të mësoj më shumë për shkencën, teknologjinë, inxhinierinë, artin e matematikën, është shumë përvojë e mirë”, tha Rudina Gashi

Kampi WiSci kishte filluar të organizohet për herë të parë në vitin 2015 me synimin që t’i nxisë vajzat të jenë më të pranishme në fusha që kërkojnë më shumë guxim dhe t’i përgatisë ato që të jenë konkurruese në tregun e ri të punës.

Sëmundjet e shumta të Elvisit

Kanë kaluar 42 vite që nga vdekja e Elvis Presleyt (1935-1977), mirëpo akoma ka dyshime lidhur me vdekjen e tij, ndërsa fansat besnikë akoma po e vajtojnë humbjen e Mbretit.

Muzikanti legjendar ishte 42-vjeç kur u gjet i vdekur në banjën e tij në Graceland, pasi kishte kaluar disa vite duke përdorur doza të mëdha të barnave, me ç’rast dy herë ishte mbidozuar me barbiturate (qetësues), teksa herën e parë kishte qëndruar për tri ditë në koma në dhomën e hotelit të tij.

Në kohën e vdekjes, këngëtari po vuante nga mbipesha, glaukoma (sëmundje e syrit), shtypja e lartë e gjakut, dëmtimi i mëlçisë dhe zmadhimi i kolonit (zorrës së trashë).  Vdekja e tij ishte shokuese dhe fillimisht si shkak i vdekjes u cek arresti kardiak, kurse mjeku ligjor kishte deklaruar se barnat nuk kanë luajtur rol në vdekjen e tij.

Ekzaminimet tjera mjekësore pas vdekjes së Elvisit zbuluan shumë fakte për shëndetin e rokerit. Zorra e tij ishte thuajse dy herë më e gjatë sesa duhej të ishte dhe se ai kishte vuajtur nga konstipacioni (kapsllëku) për katër muaj. Zemra e tij ishte dy herë më e madhe sesa madhësia normale dhe ai ishte në fazat e fundit të sëmundjes kardiovaskulare, derisa mushkëritë e tij ishin përfshirë nga emfizema (sëmundje kronike obstruktive e mushkërive), gjë që tregonte paaftësinë e tij për të kënduar në vitet e fundit të jetës.

Vdekja e Mbretit shkaktoi dëshpërim te fansat e shumtë në gjithë botën, aq sa shumë prej tyre refuzonin të pranonin se ai ka vdekur nga sulmi në zemër, madje me vite të tëra kanë besuar se është akoma gjallë. /KultPlus.com

Paul Walker kujtohet me një dedikim emocional

Meadow Walker e ka kujtuar babanë e saj të ndjerë, Paul Walker, me një foto të dashur për të. E bija 20-vjeçare e aktorit të filmit “Fast and Furious” e ka postuar një foto të babait të saj në Instagram të shtunën.

Fotografia e tregon aktorin e ndjerë, duke notuar përkrah një derri, të dy duke shikuar njëri-tjetrin me buzëqeshje të madhe. “Duke menduar për ty xx”, shkruan në përshkrimin e kësaj fotografie.

Familja dhe miqtë e Walker vazhdojnë ta kujtojnë atë edhe sot, shkruan “Koha Ditore”.

Vitin e kaluar, të afërmit e Walkerit kanë thënë për revistën “People” se ai dëshironte të kalonte më shumë kohë me të bijën, e cila ishte vetëm 15-vjeçare kur ai pësoi aksident.

“Ai donte shumë të ishte baba. Ai ishte aq krenar për të”, ka thënë vëllai i tij, Cody.

Një vit para vdekjes së tij, Meadow, e cila kishte kaluar pjesën më të madhe të fëmijërisë së saj duke jetuar me nënën në Hawaii, vendosi të transferohet në Kaliforni dhe të jetojë me babanë.

Kanë kaluar gati gjashtë vjet që nga vdekja e këtij aktori, në një aksident trafiku. / Koha.net / KultPlus.com

Gjenden dy turistet e humbura në Alpet shqiptare

Gjatë ditës doli informata se dy gra ishin zhdukur ndërsa vetëm para pak minutash, u konfirmua se të njëjtat janë gjetur.

Dy gra, njëra gjermane dhe tjetra polake, dyshohej se ishin zhdukur në rajonin e Alpeve shqiptare.

Gjatë ditës së sotme Albinfo.ch raportoi se dy gra po kërkoheshin nga Kosova, Mali i Zi e Shqipëria për shkak se dyshohej se ishin zhdukur.

Lajmin e kishte bërë të ditur Admir Laliq, drejtor i Parqeve Kombëtare në Mal të Zi, në llogarinë e tij private në Facebook. Postimi i tij është shpërndarë shumë edhe nga alpinistët në Kosovë e rajon. Ajo që dihet, sipas Laliqit, është se dy gratë kishin hyrë në Mal të Zi nga Shqipëria përmes pikëkalimit në Vermosh me veturën e tyre më 13 gusht, përcjell albinfo.ch.

Tani Image of Kosova me anë të një postimi ka treguar se dy gratë janë gjetur.

“Lajmi i ditës vjen nga Alpet Shqiptare ku dy vajzat, njëra nga Gjermania dhe tjetra nga Polonia, janë gjetur shëndosh e mirë. Vajzat ishin zhdukur nga data 14 gusht dhe nuk dihej lokacioni i tyre”, thuhet në njoftimin e tyre.

Saimir Stratit i dhurohet Çelsi i nderit në Turqi

Artistit shqiptar së fundi i është dhuruar Çelsi i nderit në Turqi, shkruan KultPlus.

Ai është futur në Librin e Rekordeve të Guiness për herën e 11-të.

Strati vetë ka njoftuar në Facebook se me gozhda ka krijuar një mozaik me fytyrën e Kemal Ataturk – ai që konsiderohet si themeluesi i Turqisë dhe President nga viti 1923-1928.

Puna e tij po ekspozohet në Nigde të Turqisë. Por, kjo punë e Stratit është nderuar edhe me një cmim tjetër, pasi në qytetin e Bor të Turqisë i është dorëzuar Çelsi i nderit./KultPlus.com

Në Ditën Botërore të Fotografisë, artisti i njohur shqiptar në kolonën e refugjatëve

Është një fotografi e cila ka shëtitur botën, duke treguar kolonën e shqiptarëve që kërkojnë shpëtim.
kësaj lufte e cila padyshim është pjesë e formimit të mëvonshëm të popullit të Kosovës.

Artisti Petrit Halilaj është emër i njohur për artdashësit shqiptarë. Por, përtej një Petriti artistik, një fotografi e sjellë edhe nga New York Times tregon se një artist si Petriti, një fëmijë i vogël, e përjetoi edhe vet në lëkurën e tij luftën e Kosovës.

Halilaj, fitues i disa çmimeve artistike prestigjioze, asokohe ishte vetëm 11 vjeçar, në vitin 1999, kur edhe u realizua fotografia nga Andrew Testa. Petriti nuk e ka harruar përvojën dhe madje lufta ka qenë fokus i shumë prej punëve të tij artistike të mëvonshme.

Po e sjellim fotografinë sonte. / KultPlus.com

Gazeta spanjolle shkruan për skandalin në Shqipëri, turisti që u sulmua ka një pasuri prej 310 milionë eurove

Ditë më parë janë sulmuar disa turistë spanjollë në Dhërmi të Shqipërisë, dhe mediet shqiptare kanë raportuar verzione të ndryshme për këtë sulm, përcjellë KultPlus.

Mirëpo, ky lajm tashmë ka kaluar kufijtë e Shqipërisë, dhe për këtë sulm ka shkruar media më e madhe spanjolle “El Pais”.

Një vështrim mbi këtë shkrim të medies spanjolle e ka shpërndarë Ilir Seci, i cili ka përmend faktin se familja spanjolle ka ardhë me jaht në drejtim të Shqipërisë, dhe një milioner si Eugenio Galdon nuk ik pa paguar faturën.

KultPlus ju sjellë të plotë dhe pa ndërhyrje reagimin e Ilir Secit.

Gazeta ma e madhe spanjolle “El Pais” sot i ban jehone dhunimit që iu ba në Dhërmi milionerit spanjoll Eugenio Galdón, vlera totale e pasunise të së cilit llogaritet 310 milione euro…e permenda kete fakt per ata qe nxituen me thane se “gabelet” spanjollë iken pa pague”…Harrojeni, nuk iken pa pague nji milioner qe vjen me jaht dhe paguen furgon me shofer dhe dy shoqerues shqiptarë. Shqiptaret nuk jane mesue me ba biznes me perendimore, njerez te rritun ne shoqni te lirë, që nuk durojne padrejtesitë dhe hilet primitive të ballkanasve tinzarë…
Zotni Eugenio Galdón dhe familjes se tij të traumatizueme nga shtazaraku M. Kokëdhima duhet me u thanë se nuk u dhunoi Mihali por u dhunuen Kryeministri Edi Rama dhe ministri i turizmit Blendi Klosi, bash ata te dy qe iu takuen mbas incidentit…U takuen mbas incidentit sepse e dinin shume mire qe ishte faji i tyne komplet pse kishin tolerue në Dhermi nji njeri si Mihali, me lokal pa letra, të pa regjistruem e qe nuk paguen taksa.
Ndersa per ata që permbytën rrjetet sociale duke thane “Na turperoi Mihali” u duhet thane se nuk u turperoi Mihali por u turperoi dhe u turperon perdite qeveria juaj që ka Mihalosur vendin../KultPlus.com

Përpiqu të mos ngopesh kurrë me gjëra të çmuara, stoli dhe tesha do të kesh gjithmonë rrotull

Mos iu nënshtro dhunës së asgjëje! Dija është gjithmonë fakultative, lë vend dhe hapësira për të parë e vepruar ndryshe.

Dhuna e këtushme është çështje trashëgimie. Ti do ta ndjesh në gjakun tënd nevojën për të dhunuar ose për t’u dhunuar. Mos u përgjigj! Mos i beso instikteve shkatërrimtare: ato çojnë gjithmonë për nga vdekja besimin, shpresën, dashurinë dhe vetë jetën. Janë frikë për t’u përballur. Për të ndryshuar. Për të qenë. Frikë për të ndenjur në këmbë si Ti, kur gjithçka e aty-këtushme të thotë të dorëzohesh, të gjunjëzohesh. As dëshirës tënde, mos iu gjunjëzo! Dëshira, ndryshe nga ç’do dëgjosh të thuhet, është gjithmonë më pak se ti vetë dhe se jeta jote.

Ji e pastër! Pastërtia nuk është morali që do dëgjosh përditë, deri në fund të jetës tënde. Moralistët, kiji frikë ata! Ki frikë edhe nga ata njerëz që nuk rreshtohen në asnjë llogore mendimi. Të jesh njeri do të thotë t’i përkasësh patjetër një besimi, çfarëdo zgjedhsh ti për këtë.

Pastërtia është ndershmëria me veten, edhe kur ke faj. Mos e duaj fajin tënd, vetëm kështu nuk do e përsëritësh atë. Cfarëdo jete do zgjedhësh të bësh, mbaj mend: të jesh e ndershme me veten dhe të jesh njerëzore. Dëgjoji të tjerët. Jepu të drejtën për të menduar si dinë e duan. Mos u jep të drejtën të mendojnë për ty. Mos e fal lirinë tënde. Ajo je ti vetë. Është njësoj si të falësh aparatin tënd të frymëmarrjes. Paskëtaj, do të duhet të jetosh me tubat e perceptimeve të të tjerëve në mendje që s’do të të lënë më kurrë të ngrihesh në këmbë.

Ji e fortë dhe bujare. Kontrolloje nepsin tënd dhe babëzinë tënde. Përpiqu të mos ngopesh kurrë me gjëra të çmuara ( dije, dashuri, sinqeritet, përkushtim, vëmendje). Stoli dhe tesha, komoditet dhe flashkësi do të kesh gjithmonë rrotull. Mos bjer pre e tyre. Duket sikur të mbulojnë, kur në të vërtetë të lënë të zhveshur.

Vishe veten tënde me krenari sepse ti vlen. Ti meriton të jesh, të kesh dhe të zgjedhësh.

Zgjidh të kesh afër njerëz të ashpër. Të ashprit në dallim nga dashakeqët kanë një gojë të hidhur, por që të bën mirë. Mos e refuzo ndihmën e të tjerëve. E vogël apo e madhe, ajo gjithmonë vlen nëse ti e çmon sa duhet. Kurrë më të madhe ose më të vogël se c’ t’u dha.

Ji e drejtë dhe ji mirënjohëse. Mos i ik fatit tënd, por as mos iu nënshtro atij. / Eneida Mjeshtri, shkëputur nga “Letër sime bije; Për Noelin”/alblandmedia

Syrgjyn Vdekur

Fan Noli

Nëno moj, mbaj zi për vllanë, 
Me tre plumba na i ranë, 
Na e vran’ e na e shanë, 
Na i thanë trathëtor.

Se të deshte dhe s’të deshnin, 
Se të qante kur të qeshnin, 
Se të veshte kur të çveshnin, 
Nëno moj, të ra dëshmor.

Nëno moj, vajto, merr malin, 
Larot t’a përmbysnë djalin 
Që me Ismail Qemalin 
Ngriti flamur trimëror.

Nëno moj, m’a qaj në Vlorë 
Ku të dha liri, kurorë, 
Shpirt i bardhë si dëborë; 
Ti s’i dhe as varr për hor.

Nëno moj, ç’është përpjekur 
Gojë-mjalt’ e zëmër-hekur, 
Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur, 
Ky Vigan Liberator.

Të mërkurën promovohet libri ‘Nëse një ditë unë të mungoj’ nga Kaltrina Pacolli

Të mërkurën, me 21 gusht, në KultPlus Caffe Gallery po vjen poetja Kaltrina Pacolli.

Kaltrina do ta promovojë, me fillim prej orës 19:30, librin e saj të parë ‘Nëse një ditë unë të mungoj’.

Kaltrina ka kohë që shkruan dhe ka vendosur që poezitë e saj t’i shkrijë në këtë libër, libër për dashurinë dhe miqësinë, mungesën dhe nostalgjinë, mallin, ankthin, të bukurën, fjalën e pathënë.

Kaltrina vjen nga Prishtina. Në këtë promovim të librit do të lexohen disa poezi prej librit dhe do të shpërndahen disa kopje të librit.

Mbrëmjen do ta moderojë Arbër Selmani.

Lokacioni i KultPlus Caffe Gallery: Rruga Isa Boletini, Soliteri 3/2-1, Te Fontana në Ulpianë, Prishtinë
Nëse nuk e gjeni lokacionin, kontaktoni në 049 119600 dhe 049 137250

‘Moj zeshkanja ime, shikimi yt më djeg si zjarr’

Para luftës së fundit në Kosovë kanë ekzistuar plot grupe të njohura në estradën shqipe të rock&rollit dhe zhanreve tjera.

Një nga grupet më të famshme ka qenë grupi TRIX si një ndër grupet e para të rock and rollit shqiptar që u formua në vitin 1974, vit ky në të cilin u formuan edhe disa rok grupe të tjera të njohura si Grupi MAK nga Mitrovica, grupi TNT nga Mitrovica, grupi LUNIAZËT nga Prizreni, shkruan KultPlus.

Grupi Trix i cili u formua në pranverë të vitit 1974 në fillim përbëhej nga tre anëtarë: Veli Sahiti, Muhamet Bislimi, si dhe Nuredin Azemi. Po në këtë vit u bënë edhe ca ndryshime, në grup inkuadrohen edhe dy anëtarë, Hil Prenk Palaj (Daullist) si dhe Gjergj Prenk Palaj (Harmonike goje).

Sonte po ju sjellim një nga hitet më të mëdha të këtij grupi muzikor.

Moj zeshkanja ime 
shikimi yt më djeg si zjarr 
pranë lumit qendrojmë të dy 
në zemër kemi një mall

kuptoje një zemër djali 
që dashuron dashuron 
kuptoje një dashuri t’sinqertë 
që t’adhuron, t’adhuron

se q’më dogji malli 
për ata sytë e tu të zi 
gjevahir gur e pashtjerrur 
ti më fale gjallëri

kuptoje një zemër djali 
që dashuron dashuron 
kuptoje një dashuri t’sinqertë 
që t’adhuron, t’adhuron

Autostrada Biennale, me koncert vazhdon lundrimin artistik

Në vazhdën e organizimeve “T’i këndojmë lumit”, në kuadër të Autostrada Biennale, shtrati i lumit të shtunën u kthye në një skenë alternative për koncert të muzikës klasike. Koncerti nën qiellin e hapur u mbajt në Autostrada Biennale Meeting Point, pikë takimi për vizitorët në edicionin e dytë të bienales, një hapësirë kreative në ishujt e gjelbër të lumit.

Në një lundrim unik artistik, në performim të pianistit prizrenas Malik Halç, tingujt e pianos u gërshëtuan me gurgullimën e Lumbardhit. Nën dritën e hënës së plotë, përqafuar nga flladi i Marashit, publiku dëgjoi dhe ndjeu se si muzika prekë lumin, në serinë  e aktiviteteve “T’i këndojmë lumit”.

“Është një natë magjike” tha shkurtazi në përmbyllje të koncertit Malik Halçe, i diplomuar në konservatorin shtetëror pranë arteve të bukura “Mimar Sinan” në Stamboll.

“T’i këndojmë lumit” (Singing to the river) është menduar si metaforë dhe fillim i një koncepti që shkruan historinë e bashkimit të njerëzve nga profile, melodi dhe tinguj të ndryshëm të instrumenteve muzikore, mbi ura dhe pranë rrjedhës së lumit.

Vatra Abrashi, nga Autostrada Biennale, u shpreh e lumtur që ky koncert dëshmoi sërish që Autostrada Biennale vazhdon të jetë një udhëtim që i bashkon njerëzit, e që me ndjeshmëri të theksuar për trashëgiminë e përkryer kulturore të Prizrenit, i bën qytetarët edhe më të hapur ndaj artit nëpërmjet veprave unike artistike.

Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor – Autostrada Biennale, vazhdon rrugëtimin artistik me edicionin e dytë me temën “Revolucioni Jemi Ne” (La Rivoluzione Siamo Noi), me organizim të ngjarjeve të ndryshme në kuadër të artit bashkëkohor duke promovuar hapësira dhe ndërtesa që kanë vlera të trashëgimisë kulturore dhe kujtesës kolektive.

Ekspozita e sivjetme e kuruar nga kuratori i njohur italian Giacinto Di Pietrantonio është hapur me 21 korrik dhe do të vazhdojë deri më 21 shtator. / KultPlus.com

Këngët më të njohura ndër vite nga Sabri Fejzullahu

Sabri Fejzullahu është njëri ndër emrat më të njohur të muzikës në Kosovë. Ai njihet për kultivimin e muzikës argëtuese.

Nëpër kohë ai ka ditur të realizojë hite të pavdekshme. Disa nga to janë marrë për interpretim apo janë ripërpunuar nga këngëtarë të tjerë.

“Merrma shiun e Prishtinës” është njëra nga hitet më të dëgjuara të Sabri Fejzullahut, këngë kushtuar dashurisë dhe e incizuar para shumë vitesh nëpër lokacione të ndryshme në kryeqytet.

Një këngë tjetër e njohur është edhe “Fshatarja ime”. Edhe këtu ashtu si edhe tek këngët tjera mbizotëron tema e dashurisë, e kënduar nga zëri i fuqishëm dhe unik i Sabri Fejzullahut.

“Konvikti nr 5” është një hit tjetër më i vonshëm i Fejzullahut që ka marrë dhe vazhdon të merr zemrat e shumë studentëve. Kënga ka të bëjë me aventurat e dashurisë gjatë jetës studentore, shkruan KultPlus.

https://www.youtube.com/watch?v=_tl6bxca_30

Sabri Fejzullahu, pavarësisht moshës së tij vazhdon të mbetet shumë i preferuar edhe për grupmoshat e reja teksa gëzon një respekt nga kolegët dhe publiku i gjerë në Kosovë dhe diasporë.

Dikur ai ka qenë edhe pjesë e politikës dhe humorit, të cilat më pas i braktisi. Ai ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë aktiv në jetën muzikore në vend, dhe disa herë pjesëmarrës edhe nëpër festivale muzikore. / KultPlus.com

Pesë gra dhe tregime nën kulmin ku merr frymë Aga

Xhemile Hysenaj

Pesë gra bashkëjetojnë, ndajnë mes vete gëzimet e hidhërimet. Secila e ka një tregim ndryshe prej tjetrës, por në fund të ditës secila bashkohet rreth vuajtjes, nga e kaluara, nga e tashmja.

Pesë ngjarje që kanë të bëjnë me përplasjen e gjeneratave, mohimin e realitetit, kryesisht me të kaluarën e dhimbshme që vjen si pasojë e luftës së fundit në Kosovë. Shto këtu edhe mendësinë patriarkale, dhe tregimi veç sa vjen dhe merr formë.

Kështu trajtohet skenari në filmin “Shpia e Agës”, i cili sot u dha premierë në kryeqytet. As personazhet dhe as filmi nuk janë të bazuar në ngjarje reale.

Regjisorja e filmit, Lendita Zeqiraj – një regjisore e dëshmuar tanimë, tregoi pas filmit se inspirimi i ka ardhur nga këtu ,nga Kosova.

“Inspirimin për film e kam gjetur në Kosovë, jam lindë e rritë këtu, dhe filmi trajton tema të cilat i hasim çdo ditë e disa prej tyre edhe i përjetojmë” tregoi Zeqiraj.

Aktorja Adriana Matoshi u shpreh se ka qenë shumë e vështirë të realizohet personazhi i saj, mirëpo me punën e pandalur të regjisores dhe bashkëpunimin me aktoret e tjera, finalizimi është një sukses që shihet.

Personazhi kryesor i “Shpia e Agës” është një djalë i vogël, i cili gjatë tërë filmit kërkon ta mësojë gjuhën serbe, për ta kërkuar më pas babin e tij, i cili sipas tij është diku në një burg në Serbi.

Djaloshi i vogël Arti Lokaj, talent i pashoq në moshatarët e tij, e ka shkrirë edhe kësaj radhe rolin e tij, duke mos qenë kjo hera e parë që Arti bashkëpunon me regjisoren Lendita Zeqiraj.

Aktorja Shengyl Ismaili sot tregoi se sa të lidhura janë personazhet me njëra tjetrën edhe pse në thelb tregimet e tyre dallojnë shumë.

“Mesazhi është i qartë, nuk ka rëndësi se sa vuan njeriu, kur prapë se prapë ngushëllimim e gjejmë diku, një dozë lumturie diku gjendet” Bujar Kabashi, producenti i filmit, tregoi se filmi do të jetë i pranishëm në 35 festivale ndërkombëtare, duke filluar me Maqedoninë tash në shtator, më pas në Kazakistan, Kanadë, Slloveni, Spanjë e Gjermani.

Filmi do të shfaqet për dy javë rresht në Cineplexx, duke filluar që sot nga ora 20:00.

Në rolet kryesore në këtë film janë: Arti Lokaj, Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Melihate Qena, Basri Lushtaku, Rebeka Qena, Molikë Maxhuni, Egla Ceno etj. Filmi është bashkë-prodhim në mes Kosovës, Kroacisë, Francës, dhe Shqipërisë me shtëpitë prodhuese N’ART FILMS mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, bashkëprodhuesit WOOF FILMS nga Kroacia; Sacrebleu productions nga Franca; si dhe Ska-Ndal Productions dhe SY13 Films nga Shqipëria mbështetur Qendra Kombëtare e Kinematografisë. / KultPlus.com

Zvicra dhuron 40 bursa për maturantë nga Kosova dhe i punëson në kompani zvicerane

40 maturantë që dëshirojnë të studiojnë Shkenca Kompjuterika apo Gjuhë Gjermane në Kolegjin Universum edhe këtë vit përfitojnë financim të plotë të studimeve për 3 vite studimi dhe punësim të garantuar në kompaninë zvicerane “Vision Agency”. 

Projekt ky i ndërlidhjes së Akademisë dhe Industrisë që po implementohet për të dytin vit me radhë nga Kolegji Universum dhe kompania zvicerane Vision Agency. Duke iu mundësuar studentëve financim të plotë të studimeve për 3 vite, punë part-time gjatë studimeve dhe punësim të garantuar pas diplomimit në kompani zvicerane. Aplikimet bëhen përmes këtij linku https://bit.ly/2ZIxjLD.   

Përzgjedhja e studentëve do të bëhet përmes Testit në bazë të drejtimit dhe Intervistës nga Kolegji Universum dhe Kompania Vision Agency. Mëso më shumë https://bit.ly/31kG1A6

Afati i fundit 6 Shtator 2019, për më shumë informata ndiqni Kolegjin Universum në rrjetet sociale Facebook & Instagram, kontaktoni në [email protected] apo  telefononi në +383 44 144 062. /KultPlus.com

Producenti i njohur Timbaland shpreh interesim për ‘Vallen e Shotës’, do të bëjë këngë me muzikën e saj

Artistja shqiptare i tregon producentit të famshëm Timbaland për ‘Shotën’, ai shpreh interesim për të bërë një këngë e cila do të ketë motive të muzikës së valles së njohur shqiptare.

Artistja e re por shumë e talentuar, Enisa, e cila po bën muzikë në Shtetet e Bashkuara të Ameirkës, ka bërë një koment që ka marrë vëmendjen e producentit të njohur botëror, Timbaland.

Enisa ka shkruar në një video ku shihet duke vallëzuar në një dasmë, se ne shqiptarët nuk bëjmë ‘twerk’, por e vallëzojmë ‘Shotën’.

E njeriu prapa shumë hiteve të mëdha, me anë të një komenti që i ka bërë këngëtares, i shkruan duke e pyetur se cila është ajo këngë, pasi i duhet ta dijë.

Ajo dhe shumë komentues të tjerë i janë dalë në ndihmë producentit, duke i treguar për vallen e njohur shqiptare.

Ndërsa Enisa i shkruan se ajo do të jetë e përfshirë në projektin që Timbaland siç duket e ka në mend.

Enisa është një këngëtare e re por me një zë shumë unik, e cila po kërkon suksesin e shumë bawsahkëvendasve të saj nlë muzikën botërore.

E ndoshta një bashkëpunim me Timbaland do t’i hapë këtë rrugë. /KultPlus.com


Sot, Dita Botërore e Fotografisë

Fotografia i ka fillimet te shpikja e Dagerrotipit (Daguerreotype), një proces fotografik i zhvilluar nga Joseph Nicephore Niepce dhe Louis Daguerre në vitin 1837, që më vonë u patentua nga qeveria franceze dhe shpikja u prezantua si “dhuratë për botën”, më 19 gusht të 1839, ndaj kjo ditë sot njihet si Dita Botërore e Fotografisë.

Me kalimin e viteve dhe me ndihmën e jashtëzakonshme të teknologjisë, fotografia ka evoluar shumë dhe sot pothuajse të gjithë janë të pajisur me një kamerë përmes të cilës mund t’i ‘ngrijnë’ momentet.

Në historinë e fotografisë shqiptare vlen të përmendet fototeka “Marubi”, e cila përfshinë fotografi të vjetra 150 vjet, e të cilat ruhen në Shkodër.

Arti i fotografisë është padyshim i veçantë. Në hisotrinë e popullit shqiptar, ka hyrë fotografia e cila u shkrep na Bllacë të Maqedonisë dhe u bë simbol i refugjatëve të Kosovës, gjatë vitit 1999. Në kolonën e mijëra njerëzve, që u detyruan të largoheshin me dhunë nga vendlindjet e tyre,   ndër ta ishte edhe Sherife Luta, nga fshati Ivajë i Kaçanikut, fotoja e së cilës kishte goditur botën. /KultPlus.com


U përurua stadiumi ndihmës në Korishë të Prizrenit, që është investim i MKRS-së

Në Korishë të Prizrenit, është përuruar stadium ndihmës që është investim i MKRS-së

Futbollistët e Komunës së Prizrenit do të kenë edhe një stadium të ri ndihmës. Në Korishë të Prizrenit u përurua sot stadiumi ndihmës në Boka Boka nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

Me këtë rast ministri Gashi konsideroi se me investimet që po bën MKRS-ja nëpër tërë Kosovën po krijohen hapësira të reja dhe mundësi shtesë për të interesuarit që të merren me sport, me theks, futboll.

“Është një investim në kuadër të projekteve që realizon Ministria e Sportit për të krijuar hapësira për futbollistët tanë, për talentet e rinj. Ky është projekti jo i fundit që po investojmë në Komunën e Prizrenit, kemi mjete të ndara edhe për stadiumin në Gjonaj në të cilin po presim të kryhen aspektet administrative nga ana e Komunës dhe të fillojmë investimet në këtë stadium”, u shpreh ministri Gashi.

“Jam i bindur fuqishëm që ky stadium do ta ndihmojë Komunën e Prizrenit, sportistët e Prizrenit që të avancojnë më tutje, kemi investime të shumta, Komuna e Prizrenit ka një memorandum me Ministrinë e Kulturës rreth 40 milion euro, presim që të gjitha këto investime të implementoj edhe në sport edhe në kulturë por edhe në trashëgimi”, tha ministri.

Ndërsa kryetari i FFK-së, Agim Ademi, falënderoi Ministrin Gashi dhe përmes tij MKRS-në për mbështetjen dhe kujdesin në investimet që po bëjnë në fushën e sportit. “Nuk po rreshtin projektet e infrastrukturës së futbollit nëpër gjithë Kosovën, ky ministër e bën mrekullinë në stadiumet e sidomos në stadiumet e futbollit, jam shumë i lumtur që kam hasë në mirëkuptim sidomos te ministri, falënderoj edhe partnerin tim më të madh, Ministrinë e Sportit që po u ja jep hakun sportistëve”, tha Ademi.

E kryetari Haskuka tha se shpreson se investimet që po bëhen nëpër stadiumet në komunën e Prizrenit do të përdoren për avancimin e të rinjve dhe talenteve të reja. /KultPlus.com