Kuvendim me hënën

Poezi nga Bardhyl Oseku

I trembur zgjohej-i hutuar binte në gjumë
Donte t`i mbyllte sytë – si dyer hani i rrinin hapur 
Nga shtrati u zgjua hënës t`ia qante hallin:
Zemrën akull e kam, fytyra dyllë më rri

E ulur në degën e mollës hëna me durim planetar i tha:
Me rrezet e diellit të qershorit ngroh zemrën që të dhurosh dashuri 
Terri i natës së dimrit as drita ime e zbehtë
S`mund ta mbushin jetë shpirtin as trupin tënd

KultPlus.com

Antoneta Kastrati debuton me filmin ZANA në festivalin e madh të Torontos

Filmi i gjatë artistik ZANA (prodhim i Kosovës dhe Shqipërisë) nga Antoneta Kastrati, do ta ketë premierën botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto (TIFF), që mbahet me 5-15 Shtator 2019.

“Të jesh nga një vend i vogël,” thekson regjisorja Antoneta Kastrati, “dhe ti përkasësh brezit të parë të kineasteve femra nga Kosova, është nder për mua që ta shfaq filmin tim të parë në një festival kaq të respektuar dhe në mesin kineastëve të mrekullueshëm. Këtë vit shënohet edhe 20 vjetori i Luftës së Kosovës, dhe filmi ZANA është përpjekja ime e gjatë për të reflektuar në të kaluarën time personale të kohës së luftës. Për mua është shumë e veçantë që për herë të parë arrij ta ndaj këtë histori me një audiencë më të gjerë. TIFF e ka bërë të mundur këtë”

Filmi Zana është një dramë tronditëse dhe emocionuese që përcjellë një grua të re kosovare që përpiqet të bëhet nënë përderisa ballafaqohet me tmerret nga kaluara e saj e errët e kohës së luftës. Projekti Filmik ZANA është poashtu filmi i gjatë në të cilin motra e Antonetës, kinematografja e suksesshme Sevdije Kastrati e ka xhiruar filmin me kamerat dhe lentet e Panavision-it pasi që kanë fituar çmimin the New Filmmaker Grant.

Mbështetësit kryesorë financiarë të filmit janë Qendra Kinematografike të Kosovës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë (Shqipëri), Panavision New Fimmaker Grant, SFFILM Rainin Grant, Light Iron dhe komuna e Pejës. Projekti filmik ishte poashtu pjesëmarrës i MIDPOINT Feature Launch 2017, fitues i MIDPOINT Development Award, dhe pjesëmarrës i MIDPOINT Editing Room.

Producent i filmit ZANA është Casey Cooper Johnson dhe bashkëproducentē Sevdije Kastrati me Crossing Bridges Films (Kosovë), Dritan Huqi me On Film Production (Shqipëri), dhe Miguel Govea dhe Brett Walker nga Alief. Në rrolet kryesore luajnë Adriana Matoshi, Astrit Kabashi, Fatmire Sahiti, Mensur Safqiu, Irena Cahani, Shengyl Ismajli, Vedat Bajrami, Çun Lajçi, dhe Ilire Vinca.

Linku zyrtar i Festivalit: https://tiff.net/events/zana

50 vjet nga fotoja ikonike e “The Beatles”

Para saktësisht 50 viteve, më 8 gusht 1969, fotografi Iain McMillan e shkrepi aparatin për të kapur njërin prej momenteve më ikonike në historinë e rock-muzikës – ecjen e The Beatles në rrugën Abbey Road, në Londrën veri-perëndimore.

Kjo foto u bë e famshme si kopertina e albumit “Abbey Road”, që ishte albumi i parafundit i publikuar i “The Beatles”.

Por, edhe pse albumi i fundit i tyre i publikuar ishte “Let It Be”, ai ishte incizuar para “Abbey Road”, dhe sesionet e incizimit të “Abbey Road” ishin hera e fundit që John, Paul, George dhe Ringo ishin bashkë në studio.

Kënga e parë në albumin “Abbey Road” ishte “Come Together”, ndërsa e fundit – “The End”. /KultPlus.com

Muzeu Historik Kombëtar, destinacion i turistëve të huaj

Muzeu Historik Kombëtar vijon të mbetet atraksioni kulturor dhe historik për vizitorët vendas dhe të huaj edhe për këtë 7-mujor të parë të vitit 2019. Këta muaj shënuan edhe numrin më të madh të vizitorëve për 5 vitet e fundit, veçanërisht të turistëve të huaj duke shënuar rritje me 35% krahasuar me muajt janar-korrik të një viti më parë.

Kështu, sipas të dhënave të bëra publike nga Muzeu Historik Kombëtar, ky i fundit për periudhën Janar – Korrik 2019 ishte destinacion i 32.614 vizitorëve, ose 18 % më shumë vizitorë se 7 mujori i parë i 2018-ës.

Muzeu Historik Kombëtar thekson se është shënuar rritje edhe nga vizitat e turistëve të huaj. Në 7 muaj ky muze u vizitua nga 21.658 turistë të huaj, ndërsa në janar-korrik të 2018-ës numri i tyre ishte 16.058.

Turizmi gjithashtu shihet dhe si shtyllë ekonomike mjaft e rëndësishme dhe për këtë totali i  të ardhurave për janar- korrikun e 2019-ës është rritur me 18 % më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në mjediset e muzeut gjenden rreth 4750 objekte, të cilat i përkasin një periudhe të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Muzeu ekspozon pasuritë e tij nëpërmjet tetë pavijoneve. Pavijoni i Lashtësisë është nga më të pasurit në Muzeun Historik Kombëtar, me afro 400 objekte të ndryshme.

Objektet e paraqitura nisin me paleolitin e vonë, ku kultura prehistorike dëshmohet e gjallë dhe e fuqishme në trojet tona. Në stendat e muzeut gjenden objekte që i përkasin epokës së Bronzit (2100-1200 para Krishtit) si dhe objekte të epokës së Hekurit (1200-450 para Krishtit), periudha këto që përvijojnë tiparet e ilirëve. /KultPlus.com

”Event Horizon” bëhet seri

Për adhuruesit e filmit “Event Horizont” ka mbërritur lajmi i mirë: Amazon dhe Paramount Television po i bashkojnë forcat për ta bërë adaptimin e kult filmit fanta-shkencor të vitit 1997.

Filmi origjinal ishte bërë me regji të Paul WS Anderson, sipas skenarit të Philip Eisner. Filmi bënte fjalë për një anije kozmike e cila ishte zhdukur pas një testimi të makinës eksperimentale të aftë për të krijuar vrimë të zezë artificiale, e cila duhej ta ndihmonte anijen të udhëtonte në vendet e largëta në galaktikë.

Ekuipazhi i shpëtimit dhe krijuesi i asaj makine eksperimentale u dërguan në një mision për të hetuar se çfarë kishte ndodhur me anijen pasi ishte rishfaqur në mënyrë misterioze. Ata zbulojnë se anija kishte përfunduar në një destinacion nga ferri, jashtë universit të njohur, i cili e infektoi anijen me një ndjenjë të kobshme gjë që çoi në vdekje të shumta.

Sam Neill, Laurence Fishburne, Sean Pertwee dhe Jason Isaacs ishin në ekipin e aktorëve të filmit origjinal, ndërsa tani për tani nuk dihet nëse do t’i shohim edhe në adaptimin televiziv.

Adam Wingard do të punojë në seri si producent ekzekutiv, ndërsa nëse gjithçka shkon sipas planit, duhet ta marrë edhe rolin e regjisorit.

Tani për tani nuk dihet se kur mund të shfaqet seria. /KultPlus.com

“Prilli i thyer” i Ismail Kadaresë botohet në Itali

Një prej veprave më të bukura të letërsisë shqipe, “Prilli i thyer”, botohet në Itali. 

Librin e ka botuar Shtëpia Botuese “La nave di Teseo”, të cilën më 2015 e themeluan botuesja Elisabetta Sgarbi dhe shkrimtari Umberto Eco, të cilët u larguan nga Shtëpia Botuese “Bompiani”, kur këtë e bleu vajza e Berlusconit.

“Prilli i thyer” është roman që mjeshtërisht e kthen në fakt artistik aktin më të lartë dhe më të lashtë juridik të shqiptarëve. /KultPlus.com

Ambient i papastër në Gërmi pas përfundimit të ‘Sunny Hill Festival’

Edicioni i dytë i “Sunny Hill Festival” në Kosovë ka lënë pas dëme të mëdha.

“Sunny Hill Festival” që për 3 ditë rresht (2-4 gusht) u zhvillua në Parkun e Gërmisë, e ka dëmtuar këtë vend. Gërryerjet e sipërfaqes gjatë organizimit dhe në vendin ku ishte skena, vërehen edhe tani. Copëza qelqi të shisheve të birrave dhe mbeturina të shumta kanë mbetur ende në këtë hapësirë e mbrojtur me ligj, shkruan Insajderi.

Disa organizata të shoqërisë civile kishin kërkuar ndalimin e këtij festivali përpara se të zhvillohej, duke e konsideruar të dëmshëm jo vetëm për ambientin dhe natyrën e Parkut të Gërmisë, por edhe për kafshët e shpezët.

Këto organizata kërkonin nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që të mos lejojë organizime të tilla dhe t’i anulojë festivalet e këtyre përmasave në zona të mbrojtura natyrore, siç parashihen me dispozitat ligjore.

Dëmi hapësinor vërehet qartë edhe katër ditë pas mbylljes së festivalit. Ndërkaq zhurma e festivalit u dëgjua edhe në distancë 1 kilometër larg skenës, gjë që trazon sidomos shpezët që zhvillojnë jetesën në Gërmi.

Regjisorja angleze sjell në “DokuFest” filmin për pajtimin e gjaqeve

“Forgiving the Blood”  quhet filmi dokumentar i regjisores angleze Melissa Llewelyn Davis i cili u shfaq mbrëmë në edicionin XVIII të festivalit Dokufest në Prizren.

Është quajtur aksion që të kujton dramën antike, një shfaqje, në pamje të parë disi anakronike për kohën e sotme e megjithatë kaq e domosdoshme për momentin që po kalonte populli shqiptar i Kosovës në fillimvitet `90 të shekullit të kaluar. Bëhet fjalë pra për aksionin e pajtimit të gjaqeve.

Po këtë  titull, veçse në anglisht, Forgiving the Blood”  e bart edhe filmi dokumentar i regjisores angleze Melissa Llewelyn Davis i cili u shfaq mbrëmë në edicionin XVIII të festivalit Dokufest në Prizren.

Ndryshe nga shumica e filmave dokumentarë që kanë një numër të kufizuar shikuesish, filmin “Pajtimi i gjaqeve” ka ngjallur një interesim të madh të publikut. Kopshti i kinemasë “Lumbardhi” ku është shfaqur filmi, ka qenë përplot me shikues, shqiptarë dhe të huaj, të joshur nga tematika e njohur e filmit.

“Forgiving the Blood”, i realizuar dhe i shfaqur në vitin 1991 për BBC-në, na e sjell një pamje shumë realiste të kohës dhe të problemit që e ka marrë në trajtim. Autorja jep fillimisht një tablo impresive për të krijuar idenë e kontekstit kohor kur është zhvilluar aksioni i faljes së gjaqeve.

Rrëzimi i autonomisë së Kosovës nga ana e Srbisë kishte ndodhur, çmendia nacionaliste e politikës millovisheviçiane tashmë kishte dhënë provat e para praktike ndërsa veprimet luftarake në hapësirat e ish Jugosllavisë po bëheshin realitet, shkruan albinfo.ch. Vrasjet e ushtarëve shqiptarë dhe sjellja e tyre nga ushtria në arkivole, vrasjet e shqiptarëve gjatë protestave të tyre paqësore po ashtu kishin ndodhur.

Si reagim ndaj të gjitha këtyre zhvillimeve, një grup të rinjsh të posadalë nga burgjet politike inicioi aksionin për pajtimin e gjaqeve. Në krye të këshillit u vendos studiuesi dhe njohësi i traditave shqiptare, Anton Çetta. Aksioni u përhap shpejt dhe u shndërrua në një formë të paparë dhe masive të rezistencës së shqiptarëve kundrejt aparatit serb të dhunës.

Nga e gjithë kjo lëvizje e gjerë, regjisorja Davis është fokusuar në  vetëm një rast të dy familjeve të hasmuara, të cilin e ka përcjellë për disa muaj me radhë. Përpjekjet, ecekjaket dhe dështimet për të arritur faljen e gjakut në një fshat të Rahovecit, janë pasqyruar me një vërtetësi impresionuese dhe me një ndjenjë të admirueshme për detajet, nga ana e autores.

Ajo ka arritur të përcjellë te publiku të gjithë nuancat e dhimbjes, dëshpërimit, frikës dhe dilemave jetësore të dy familjeve në gjak. Në njërën anë është familja që ka humbur djalin dhe në anën tjetër familja e dorasit. Të dyja palët pasqyrohen me vërtetësi dhe jashtë skemës bardh-zi.

Në këtë tablo të gjerë epike, regjisorja nxjerr në pah, veç tjerash, vlerat njerëzore, fisnikërinë por dhe dilemat jetësore të një popullate të varfüër e të shtypur.

Duke folur para publikut për filmin e sj, Davis ka evokuar kohën kur kishte marrë përsipër realizimin e tij, duke e kujtuar atë si një kohë të rëndë e të zymtë për shqiptarët. Ajo e kishte marrë këtë detyrë nga BBC në kuadrin e një serie dokumentarësh për nacionalizmin.

Përcaktues për të trajtuar pikërisht gjakmarrjen në Kosovë, ka qenë takimi i saj me fotografen shqiptaroangleze, Lale Meredith Vula, në Londër.

“Ajo mi tregoi disa fotografi nga ai që quhej “Pajtim i gjaqeve” për të cilin në Angli ne nuk  e kishim idenë. Kështu unë tashmë e kisha të qartë subjektin e filmit tim te ri dokumentar”, ka thënë veç tjerash regjisorja. Vula pastaj ka qenë dora e djathtë e saj në realizimin e filmit,

Para publikut, veç regjisores Davis është prezantuar edhe Lale Meredith Vula, si konsulente dhe bashkëpunëtore në film dhe Nerimane Kamberi po ashtu konsulente dhe përkthyese.

Në ambientin ku është shfaqur filmi kanë qenë të pranishëm edhe disa nga protagonistët e tij, gjegjësisht familjarët e të riut të vrarë në vitin 1989. Kjo familje edhe gjatë luftës së fundit ka humbur sërish pjesëtarë të saj dhe është djegur e shkrumbuar, siç ka thënë regjisorja Davis, shkruan albinfo.ch. Njëri nga anëtarët e familjes, Muhameti i, cili në kohën kur është xhirar filmi ka pasur vetëm 2 vjet, ka falënderuar regjisoren angleze për realizimin e filmit dhe Dokufestin për organizimine  shfaqjes speciale të këtij filmi.

Rreth filmit “Pajtimi i gjaqeve” është zhvilluar një debat me pyetje dhe përgjigje për regjisoren e tij, Melissa Llewelyn Davis. /KultPlus.com

Mbyll dyert Luvri

Fluksi i jashtëzakonshëm veror i vizitorëve, në muzeun e famshëm të Luvrit (Paris), ka bërë që biletat të mundësohet vetëm përmes rezervimeve online. Kjo kërkesë, si pasojë e kushteve aktuale, do të zgjasë deri fundin e këtij viti.

Mbipopullimi është kthyer në një problem jo të vogël, për një nga muzetë më të famshëm që sipas statistikave, mbetet më i vizituari në botë, nisur nga fakti që veç veprave të tjera, aty gjendet edhe “Mona Lisa” e famshme, e Leonardo Da Vinçit. /KultPlus.com

Filmi “Galaktika e Andromedës” i More Raçës selektohet në Golcal in Progress në San Sebastian Film Festival

Filmi ka për subjekt Shpëtimin, një baba të vetëm, mbi të cilin rëndojnë problemet sociale dhe dilema të mbetet apo jo kujdestar i vajzës së tij.

“Galaktika e Andromedes” me skenar dhe regji të More Raçës, me producent Sunaj Raça, i cili është edhe protagonisti kryesor në film, është përzgjedhur në mesin e vetëm tre filmave, të përzgjedhur në këtë seksion.

Edicioni i 67-ë i San Sebastian Film Festival do te nderoj yjet e kinematografisë boterore, siç jane: Penelope Cruz, James Franco, etj.

Në këtë film interpretojnë: Don Raça, Sunaj Raça, Julinda Emiri, Elda Jashari, Avni Dalipi, Mirsad Ferati, Shpetim Kastrati, Fisnik Haliti, Aurita Agushi, etj. Filmi është prodhim i shtëpisë filmike Arena, dhe është subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës. /KultPlus.com

Histori: Çfarë ka ndodhur më 8 gusht?

1793 – Shpërthen Kryengritja e Lyonit, që kishte filluar në qershor. Lyoni ishte i vetmi qytet në Francë përveç Parisit me një popullsi mbi 100.000 banorë. Revolta ishte kundër Konventës Kombëtare, pra ishte një lëvizje kundër-revolucionit francez, dhe u shtyp në dhjetor të po atij viti.

1876 – Shpikësi Thomas Edison merr një patentë për shaptilografin të tij. -pajisja e re u përhap me shpejtësi – ajo kushtonte shumë pak në krahasim me të shtypurit tradicional dhe nuk kishte nevojë për punëtorë radhitës e të kualifikuar – pasardhësi i shaptilografit u bë makina e kopjimit që filloi të përdorej për herë të pare në vitet 1970.

1879 – Në një fshat të thellë të Meksikës lindi Emiliano Zapata Salazar – figurë e revolucionit meksikan, udhëheqësi kryesor i revolucionit fshatar në shtetin e Morelos, dhe themelues i lëvizjes agrare të quajtur Zapatismo. Emiliano Zapata vazhdon sot e kësaj dite, sidomos në jug të Meksikës, të jetë simbol i lirisë fshatare dhe dëshirës për një cope tokë, veçanërisht mes banorëve autoktonë. Historianë thonë se në periudhë afatgjatë, Zapata bëri më shumë për idealet e tij në vdekje sesa në jetë.

Si shumë idealistë, Zapata u bë martir, pas vrasjes së tij të pabesë. Edhe pse Meksika ende nuk ka zbatuar llojin e reformës së tokës që Zapata donte, ai kujtohet si vizionar a largpamës që luftoi për bashkatdhetarët e tij. Ka debate në lidhje me portretizimin e Emiliano Zapatës dhe pasuesve të tij; nëse ishin banditë apo revolucionarë. Por në kohët moderne, Zapata është një nga heronjtë më të nderuar të Meksikës. Shumë libra janë shkruar, këngë kënduar e filma realizuar për Zapatën; Filmi që shqiptarët mbajnë mend është Viva Zapata (prodhim amerikan,1952) me Marlon Brandon në rolin e Zapatës dhe Anthony Quinn në rolin mbështetës të Panço Vilës; drejtori i filmit, Elia Kazan; skenarist, shkrimtari i njohur John Steinbeck.

1885 – Më shumë se 1.5 milionë njerëz marrin pjesë në funeralin e Ulysses S. Grant (63 vjeç) në New York. Si Komandant i Përgjithshëm, Grant kishte udhëhequr ushtrinë e Bashkimit duke dalë fitues ndaj ushtrisë së Konfederatës në Luftën Civile Amerikane. Pas Luftës Civile, Grant shërbeu dy mandate si president dhe punoi për të stabilizuar vendin gjatë periudhës së trazuar së Rindërtimit të pas luftës. Më 14 prill 1865 Lincoln (56 vjeç) u qëllua për vdekje nga John Wilkes Booth në Teatrin Ford dhe vdiq të nesërmen në mëngjes.Vrasja ishte pjesë e një komploti që kishte në shënjestër një numër drejtuesish të qeverisë. Po atë ditë, gjeneral Grant mori pjesë në një takim të kabinetit, dhe Linkolni e ftoi atë dhe gruan e tij në teatër, por Grant i tha se kishte plane të tjera. Shumë njerëz, përfshirë edhe vetë Ulysses Grant, mendonin se Grant kishte qenë objektiv i komplotit. I pranishëm në funeralin e Linkolnit më 19 prill 1865, Ulysses Grant qëndroi i vetëm dhe qau haptas, duke thënë: “Linkolni, ishte pakontestueshëm njeriu më i madh që kam njohur ndonjëherë”.

1974 – Presidenti Richard Nixon, në një fjalim televiziv në mbarë vendin, njoftoi dorëheqjen duke filluar nga mesdita e ditës së nesërme – Nikson është presidenti i parë dhe i vetmi që ka dhënë dorëheqjen nga kreu i Shtëpisë së Bardhë. /KultPlus.com

Numri i gjashtë i “Akademisë”

Ka dalë nga shtypi numri i gjashtë i revistës për kulturë, gjuhë dhe media, “Akademia”, botuar nga shtëpia botuese “Armagedoni”. Në këtë numër prej 600 faqesh janë botuar intervista, ese, studime, recensione, tregime, poezi dhe një dramë.

Pas parathënies shkruar nga redaksia e revistës, fillon intervista me akademik Ali Aliun, më pas vijojnë intervistat e fragmentuara të Umberto Ekos dhënë disa mediave italiane, angleze, amerikane, gjermane etj.

Për këtë numër të revistës kanë shkruar: Ridvan Dibra, Xhevdet Bajraj, Agron Shala, Salajdin Salihu, Adem Gashi, Viktor Canosinaj, Rrahman Paçarizi, Qemal Murati, Gëzim Aliu, Adil Olluri, Lulzim Tafa, Ahmet Selmani, Berat Armagedoni, Sadik Krasniqi, Elida Rusta, Shkelzen Halimi, Shpëtim Selmani, Medina Mehmeti, Hajdin Morina, Fahredin Shehu, Lulëzim Etemaj, Vaid Hyzoti, Demir Gjergji, Grigor Jovani, Leonora Buçinca, Petraq Risto, Nurie Emrullai, Albin Mehmeti, Andreas Dushi, Ardit Mehmetaj, Kaltrina Pacolli. Ndërkaq, kanë përkthyer tekste të 52 autorëve botërorë: Fadil Bajraj, Agron Shala, Salajdin Salihu, Fahredin Spahija, Zija Çela, Leonora Buçinca, Verjon Fasho, Jahja Honduzi, Iliaz Bobaj, Shkelzen Halimi, Fatijona Bajraj, Flurans Ilia.

Numri i shtatë i revistës, sipas kalendarit të saj të publikimit një herë në katër muaj, do të botohet në muajin dhjetor. /KultPlus.com

Monumentet, parqet dhe muzetë arkeologjikë të Shqipërisë në revistën prestigjioze holandeze “Archeologie”

Gazetarët holandezë të revistës prestigjioze “Archeologie” me qendër në Holandë, ndodhen në Shqipëri që prej datës 1 gusht dhe do të vizitojnë disa prej siteve më interesante të Shqipërisë.

Lajmi bëhet i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila thekson se dy gazetarët holandezë, Joost Vermeulen (gazetar), dhe Rénie v. d. Putte (gazetare-fotografe), vizituan dje dy prej destinacioneve kryesore të Pogradecit, Varret Ilire të Selcës dhe Bazilikën Paleokristiane të Linit”.

“Monumentet, parqet dhe muzetë arkeologjikë të Shqipërisë, në një prej platformave më të klikuara në Holandë dhe gjithë botën”, shprehet Margariti.

Shqipëria gjithnjë e më shumë po tërheq vëmendjen e medieve botërore, duke e renditur atë në destinacionet për tu vizituar në të gjitha stinët e vitit.

Ndërsa ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë dhe Sarandë, etj, plazhe këto që po frekuentohen përveç shqiptarëve edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës.

Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj, janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor. /KultPlus.com

Në Shqipëri, letërsia erotike me shumë pak botime

Jemi në verë dhe ditët e nxehta kërkojnë letërsi të nxehtë, por ndërkohë që në botë mund të gjesh revista dhe portale pafund që sugjerojnë këtë lloj letërsie, në rast se do të ndalemi tek Shqipëria duket se në këtë aspekt kemi një vakancë. Po cilat janë arsyet? “Historia e letërsisë shqipe për vetë terrenin në të cilën është ndërtuar është një histori shumë e varfër përsa i përket temës së letërisë erotike, megjithatë edhe pse është e varfër, në to mund të gjedh personazhe apo zbërthime të erotizmit përmes fabulave të ndryshme të historive të dashurisë siç është “10 ditë që nuk tronditën botën” të Aurel Plasarit, apo sëfundmi unë i ujam rikthyer “Vajza e Agamemnonit” të shkrimtarit tonë të njohur Ismail Kadare”, thotë Alda Bardhyli.

Erotizmi në letërsi shpesh na ndihmon të hedhim dritë në anën tonë të errët. Është njëlloj hapje mendësie, dhe atmosfera e detit, diellit apo temperaturave të larta i shkon më së miri. Për skena erotike apo karaktere te forta, në çantën e pushimeve ka disa tituj të domosdoshëm. “Kur flitet për lëtërsinë erotike nuk mund të mos rekomandojmë libra të Markezit de Sade, ai konsiderohet si babai i erosit. Një tjetër libër i fortë që ka ngjallur shumë reagime kur është botuar është libri i shkrimtares franceze Pauline Reage, “Historia e O-se”, edhe ajo niset nga histori personale për të bërë një libër, i cili do të dominonte dhe do të ishte një nga librat më të shitur jo vetëm në Francë, por kudo në botë.

“Lolita” e Nabokov është një libër që flet për nënështrimin. Tregimet e Bukowskit janë tregime që do të jenë gjithmonë në cantën e pushimeve sa herë që flitet për letërsinë erotike”, vazhdon ajo më tej. Në gjithë historinë e tij erosi ka ndikuar apo ka pasur një rol të rëndësishëm në ndërgjegjësim. Jo vetëm përsa i përket etapave kulturore, por edhe sa i përket shoqërisë, politikës dhe shumë gamave të tjera të zhvillimit. “Më kujtohet një bashkëbisedim që Gjergj Fishta ka pasur me Lasgush Poradecin. Teksa bisedonin për gjithcka që kishte të bënte me erosin më tepër sec duhet në poezitë e Lasgush Poradecit, dukej justifikuar pak veten, Fishta i thotë që unë nuk mund t’i bëj keq shëndetit tim. Dëmtimi duhet parë si një gjë figurative, pasi erosi është ai që hap në njëfarë mënyre të gjitha zonat e fshehta të ndërgjegjes njerëzore’, thotë Bardhyli. /KultPlus.com

“Venom 2” bëhet me regjisor

Kohët e fundit, në internet filluan të qarkullojnë thashethemet se tre regjisorë janë në rrethin e ngushtë për ta marrë rolin regjisorial për vazhdimin e parë të filmit “Venom”.

Andy Serkis, Travis Knight dhe Rupert Wyatt ishin kandidatë për atë pozitë, ndërsa tani zyrtarisht e dimë se Andy Serkis do të jetë regjisori i “Venom 2”.

Tom Hardy, ylli i filmit i cili ishte një hit absolut vitin e kaluar, tashmë e kishte bërë të ditur përmes rrjeteve sociale se Serkis do të ishte regjisori i ri i “Venom”, por të gjitha ato postime u fshinë menjëherë. Tani më në fund e kemi konfirmimin zyrtar nga vetë Serkis.

Regjinë e filmit origjinal e kishte bërë Ruben Fleischer, por ai aktualisht nuk ka kohë për vazhdimin, sepse po punon në vazhdimin e ri të “Zombieland”.

Ngjarjen e filmit të ri nuk e dimë ende, por presim që vazhdimi të bëjë fjalë për fatkeqësitë e gazetarit Eddie Brock (Hardy) dhe simbiotit jashtëtokësor, i cili njëkohësisht i jep atij fuqi të mëdha dhe pak përgjegjësi. Në vazhdim e presim tregimin që do të bëjë fjalë për Venomin dhe Cletus Kasady aka Carnage, të cilin e kishim parë në fund të filmit të parë, dhe të cilin e luan Woody Harrelson.

Për vazhdim e presim edhe kthimin e Michelle Williams, ndërsa filmi në kinema do të shfaqet në tetor të vitit të ardhshëm. /KultPlus.com

Një femër

Poezi nga Hajnrih Hajne

Përktheu: Petraq Kolevica

Ata u deshën me afsh e zjarr,
ajo çapkëne, ai kusar.
kur ai ndonjë mufke ia veshte,
ajo kërcente në shtrat dhe qeshte.

Ditën e shkonin për bukuri,
natën ajo flinte mbi gjoksin e tij.
Kur e futën në burg atë, ajo s‟reshte
në dritare qëndronte dhe qeshte.

Ai i fliste: “O, eja këtu
se më merr malli kaq fort për ty.
Ty të thërres se do vdes”, i theshte,
ajo tundte kokën dhe qeshte.

Në orën gjashtë ai u var.
Në orën shtatë e kallën në varr.
Dhe në orën tetë, ajo që e deshte,
pinte verë të kuqe dhe qeshte.

Pragu

Kur ishim të vegjël dhe rastësisht uleshim ose rrinim në këmbë mbi prag, nënat e gjyshet tona thoshin: “Çohuni, mos u ulni mbi prag se nuk vyen”! Kureshtja fëmijërore na shtynte ta bënim menjëherë pyetjen: “E pse”? “Qashtu, nuk vyen” dhe nuk e çonin më larg. “Çohuni menjëherë”!

Çoheshim, por me një shikim ndërdyshas, meqë nuk e kuptonim pse nuk duhet të ulemi mbi prag e, edhe më shumë, nuk e kuptonim pse nuk na e tregonin arsyen.

Te ne dhe te shumica e popujve në botë, pragu konsiderohet i shenjtë, prandaj nuk bën të ulemi në të. Aty takohet bota e jashtme e pasigurt dhe ajo e brendshmja e qetë dhe e sigurt. Pragu mbetet një kufi mes të asaj që fitojmë jashtë dhe fusim brenda, dhe asaj që e ndërtojmë brenda dhe e qesim jashtë – fytyrën dhe nderin.

Në simbolikën e vet, gjatë zhvillimit historik pragu i shtëpisë ka fituar vlerë të veçantë te besimet popullore, sipas të cilave paraqet kufirin mes botëve – asaj të jashtmes dhe të brendshmes, në mes të dritës dhe territ, si dhe në mes të pasurës dhe të varfrës. Pragu është vendi ku rrinin shpirtrat e ligë; ose vendi ku rri gjarpri i shtëpisë. Kjo vijë mbrojtëse nga e keqja e jashtme, nga hajdutët, nga armiku, duhet të na mbrojë nga fenomenet e mbinatyrshme të natyrës jofizike. Për këtë arsye, pragu paraqet vendin ku bëhen magjitë mbrojtëse nga ato dukuri të cilat nuk ndalen me barriera fizike. Kjo është arsyeja pse njerëzit vendosin simbole të ndryshme në dyert e hyrjes (tek ne simboli i Diellit, i Hënës), ose groposin gjësende nën pragun e derës apo i vendosi patkonjtë mbi të për t`i sjellë fat dhe mbarësi të zotit të shtëpisë.

Pragu i shtëpisë paraqet dimension kulturor, etnologjik, historik, filozofik dhe antropologjik. Është guri i parë kilometrik në jetën e njeriut. Është pika zero nga e cila matet distanca dhe koha kur jemi larguar dhe sa larg kemi shkuar. Ne mund të shkojmë ngado në botë, por ai rri aty i qetë dhe na pret të kthehemi. Ndonjëherë të ndal të mos largohesh dhe në atë rast pragu bëhet bjeshka më e madhe në jetë. Pragu është vendi ku fillon komunikimi me botën e jashtme, është limiti të cilin mund ta kalojë vetëm ai që është i dëshiruar. Është limit i publikes ndaj privates.

Në arkitekturë dhe urbanizëm këto limite mund të përcaktohen me mure, me dritëhije, me çati, me ecje, me ngjyrë dhe me ndërrimin e materialeve në tokë. Ato kufizojnë hapësira te caktuara me ndihmën e transformimit të dritës-hijes, materialeve, lartësive, ngjyrave etj.

Në lëmin e arkitekturës – ndryshe nga psikologjia, filozofia dhe sociologjia – ndarja e një fragmenti të hapësirës nga tërësia e cila formon qytetin, shtëpinë ose thjesht hapësirën boshe, kërkon një parakusht të veçantë: duhet të jetë i perceptueshëm për shqisat tona dhe në të njëjtën kohë duhet të jetë i shfrytëzueshëm për aktivitete, për një kohë të caktuar. Fragmentimi i hapësirave na sjell te koncepti i kufirit mes të dy tërësive, me ç`rast fokusi bie mbi veçimin e raportit mes tyre në një mjedis të caktuar, gjegjësisht në liminalitet (nga latinishtja “Limen”, që do të thotë prag, pra gjendje kufitare gjatë procesit të transformimit prej një gjendje në një tjetër).

Njerëzit gjatë jetës kanë limite kohore dhe sociale. Gjatë gjithë kohës pësojnë transformime dhe ato transformime sot e gjithë ditën përcillen me rituale të ndryshme, njësoj si në fillimin e kohës. Njerëzit lindin, e kalojnë pubertetin, martohen, shkollohen, vdesin dhe të gjitha këto shënohen me rituale të ndryshme, sikurse ahengjet, dasmat, promovimet dhe ceremonitë mortore. Ritualet e lidhura me pragun e ndalojnë shkeljen mbi të ose kapërcimin e tij me këmbë te majtë, sikurse që është riti i bartjes së nuses përtej pragut.

Sikurse që individi gjatë zhvillimit te vet pëson transformime, ashtu edhe shoqëria pëson transformime, duke i avancuar rregullat shoqërore dhe vlerat e saj. Këto transformime kërkojnë kohë të caktuar dhe sa më e shkurtër të jetë koha, aq më shumë dhe më shpejt i shtohen vlerat ekonomike dhe ato kulturore.

Liminiteti, gjegjësisht kjo zonë kalimtare, gjatë zhvillimit të një shoqërie – nëse zgjatë shumë, me qëllim ose pa qellim – e merr kuptimin e të ulurit në prag të shtëpisë. Në shoqërinë tonë po dominon pikërisht dëshira për t’u ulur në prag pa më të voglin vullnet që ta kapërcejnë atë.

Athua, pse po rrimë gjatë, shumë gjatë, me dekada, të ulur në prag?

Duhet te çohemi nga ai, se të ulurit e gjatë, siç po ndodhë me ne, nuk sjell mbarësi.

Nuk vyen me u ulë në prag të shtëpisë! /KultPlus.com

Autisti që mund ta vizatojë në detaje, çdo qytet që sheh nga ajri

Është një nga artistët më të njohur në Britani të Madhe. Porositësit e tij ndonjëherë duhet të presin deri në tetë muaj, ndërsa videot ku shihet ai duke vizatuar pamje të tëra të qytetit do të kenë menjëherë shpërndarje virale.

Kur Stephen Wiltshire ishte nxënës, mësuesit nuk dinin çfarë të bënin me të. Ishte dignostifikuar me autizëm që në moshën trevjeçare. Fjalën e tij të parë, “paper” (letra), e tha kur ishte pesë vjeç. Por, ishte në gjendje të bënte skica të sakta të botës së egër dhe karikatura të mësuesve të tij. Më vonë nisi të vizatonte ndërtesat që shihte në Londër, me detaje mahnitëse.

Kur ishte tetëvjeçar, kryeministri britanik kërkoi një vepër nga ai. Edhe pse nuk mund të fliste mirë, si 13 vjeç publikon librin e parë me vizatime. Atëherë mediat dhe publiku mahniten me kujtesën e pabesueshme të këtij të riu që ishte savant.

“Kombinimi i aftësive të mëdha me paaftësitë e mëdha paraqet paradoks të jashtëzakonshëm: sa jetojnë këto të kundërta njëra pranë tjetrës?”, do të thotë Sacks më vonë.

Dy vjet më vonë, më 1989, do ta vizitojë Venedikun ku bëri panoramën e tij të parë. Pas kësaj u bë i njohur për pamjet e detajuara të qyteteve, me qindra rrugë në shkallë perfektë. Ai ka vizatuar qytetet anembanë botës, që nga Jerusalemi në Sidnei.

Kur ishte në Nju-Jork, për 20 minuta fluturoi me një helikopter dhe pastaj vizatoi gjithçka që ka parë në një sipërfaqe prej gjashtë metra. Përvojat e tilla do të jenë të shumta. Më 2006 hap galerinë e tij të parë në Londër, që menaxhohet nga motra e tij Annete.

“Arti i tij tash flet gjuhën të cilën të gjithë ne e kuptojmë”. /KultPlus.com

“Rrugëtim drejt vetvetes”, kujtimet e një psikiatri

Isha adoleshent kur dëgjova për herë të parë përgjigjen e Ajnshtajnit për teorinë e kuanteve: “Zoti nuk luan zare me universin”.

Si shumica e djelmoshave adoleshentë me prirje nga shkencat ekzakte, unë e nderoja Ajnshtajnin dhe u habita kur mora vesh që ai besonte në Zot. Ky fakt vuri në pikëpyetje skepticizmin tim fetar, ndaj kërkova shpjegim nga mësuesi im i lëndëve shkencore në shkollën e mesme.

Përgjigja e tij: “Zoti i Ajnshtajnit është Zoti i Spinozës”. “Ç’kuptim ka kjo? – pyeta. – Kush të jetë Spinoza vallë?” Mësova se Spinoza ishte një filozof i shekullit të shtatëmbëdhjetë dhe pionier i revolucionit shkencor. Edhe pse shpesh ai i referohej Zotit nëpër shkrimet e tij, komuniteti hebre e kishe përjashtuar për herezi në moshën njëzetekatërvjeçare dhe shumë dijetarë, për të mos thënë shumica e tyre, e shikonin si një ateist të fshehtë.

“Do të ishte e rrezikshme, -më tregoi mësuesi, – që Spinoza të shprehte skepticizmin e tij për ekzistencën e Zotit në shekullin e shtatëmbëdhjetë, ndaj ai e mbronte veten duke futur shpesh fjalën Zot.” Megjithatë, sa herë Spinoza përdor fjalën “Zot”, shumica e dijetarëve e kuptojnë se ai nënkupton ligjet e rregullta të natyrës. /KultPlus.com

Irvin D. Yalom – “Rrugëtim drejt vetvetes” (Kujtimet e një psikiatri)

Faton Macula me performancë në kanalin e njohur amerikan

Jazz-kitaristi kosovar Faton Macula, i cili karrierën po e bën në Amerikë, do të paraqitet në televizionin e famshëm që u dedikohet njerëzve me ngjyrë.

Performanca e tij e përbashkët me këngëtaren Bobbi Storm, do të transmetohet në “Black Entertainment TV” që është kanali më i dalluar televiziv që target e ka audiencën afro-amerikane.

Ky televizion organizon edhe ceremoninë e çmimeve “BET Awards”, në të cilën ka marrë pjesë edhe ylli i njohur i muzikës, Beyonce, raporton Express i KTV-së.

Bobbi Storm, e cila ka bashkëpunuar edhe më herët me Maculën, është pjesë e “Songbook” që udhëhiqet nga fituesi i çmimeve “Grammy” Troy Taylor. Performanca e tyre në “B.E.T” do të transmetohet në muajin shtator.

Faton Macula është lindur në Mitrovicë. Ai ka pasur rast të këndojë dhe të interpretojë me muzikantë të njohur. Në moshën 18-vjeçare ai e njohu jazz-kitaristin Mark Whitfield, që u bë një tjetër influencë e rëndësishme në karrierën e tij muzikore.

Më 2002 miku e mentori i tij, e ftoi të shkonte në New York dhe prej atëherë zhvillon karrierën në qytetin amerikan, ku ka pasur mundësi të performojë me jazz e pop artistë të njohur si: Marc Anthony, Shakira, Faith Hill, Missy Elliot, etj.

Macula veç tjerash, ka interpretuar edhe në një prej klubeve më të famshme muzikës jazz në Amerikë, “Blue Note” ku e ka ndarë skenën me Sy Smith, këngëtare e aktore e njohur amerikane dhe trumbetistin Chriss Botti, fitues i “Grammy Awards”. /KultPlus.com

Skandalin mes Bill Clinton dhe Monica Lewinsky tani do ta shohim në film, ja si u përgjuan

Ish-presidenti Bill Clinton dhe praktikantja e Shtëpisë së Bardhë në atë kohë, Monica Lewisnky, u përfshinë në një skandal që la gjurmë në historinë e Amerikës.

Mesa duket, producentët e serialit “American Crime Story” kanë vendosur të përfshijnë këtë histori në sezonin e radhës së serialit, i cili do të titullohet “Impeachment” dhe do të flasë pikërisht për sagën e akuzave të Clinton.

Sarah Paulson do të luajë rolin e një ish-zyrtareje të Pentagonit, Linda Tripp, e cila nisi të përgjojë telefonatat e Monica-s ku fliste për marrëdhëniet intime me Clinton.

Roli i Monica-s do luhet nga aktorja Beanie Feldstein dhe vetë Lewisnky do të jetë producente. Seriali pritet të transmetohet më 27 shtator të vitit 2020. / Kultplus.com

Image
Image

Kënga më e re e Lana Del Rey, për një Amerikë pa armë

Lana Del Rey shkruan një këngë të re, me titull “Looking for America”, një formë ndërgjegjësimi për masakrat me armë në SHBA.

‘Unë jam ende në kërkim të versionit tim të Amerikës. Një Amerikë pa armë zjarri, ku flamuri kombëtar të mund të valëvitet i lirë. Pa shpërthime bombash në qiell, vetëm fishekzjarre …”, janë disa citime të marra nga kënga e saj më e re, e shoqëruar në kitarë nga producenti i saj Jack Antonoff, në një video të postuar në profilin e saj në Instagram.

“Unë jam e vetëdijshme se nuk jam një grua politikane dhe nuk kërkoj të bëhem e tillë, pra më falni nëse kam një qëndrim, por pas gjithë rasteve të të shtënave me armë të regjistruara ditët e fundit që më kanë trishtuar shumë, unë kërkoj modestisht të publikoj këtë video”, shkruan këngëtarja 34-vjeçare. /KultPlus.com

Arkivi i Kafkës i rikthehet Bibliotekës Kombëtare të Izraelit, pas 11 vjetësh betejë ligjore me gjermanët

Pas një beteje ligjore 11-vjeçare, izraelitët arrijnë të marrin arkivën e materiale personale të Franc Kafkës, të zhdukura nga Tel Aviv pas vdekjes së mikut të shkrimtarit, Max Brod, falë të cilit ne arritëm të kemi këtë kryevepër, të njohim krijimtarinë e Kafkës, edhe pse ai e kishte lënë me amanet mikut të tij të digjete gjithçka. Ai nuk mbajti premtimin që i dha, por letërsia botërore i është mirënjohës atij, njëjtësisht sa dhe vetë autorit.

Biblioteka kombëtare e Izraelit ka zbuluar një grumbull të zhdukur të letrave të Franz Kafka , duke i dhënë fund më shumë se një dekade përleshjesh ligjore midis Izraelit dhe Gjermanisë për trashëgiminë e autorit. Ndërsa po luftonte me tuberkulozin në një sanatorium austriak, Franc Kafka, një hebre që fliste gjermanisht, nga Praga, i kërkoi mikut të tij të ngushtë, Max Brod të shkatërronte të gjitha letrat dhe shkrimet e tij. Pas vdekjes së Kafkës më 3 qershor 1924, Max Brod, gjithashtu hebre, ndjeu se ai nuk mund të realizonte dëshirat e mikut të tij dhe më 1939 u largua nga Çekosllovakia e pushtuar nga nazistët për në Tel Aviv, duke mbajtur letrat e shkrimtarit në një valixhe. Brod botoi shumë nga veprat dhe luajti një rol kryesor në vërtetimin e suksesit të Kafka si një figurë kryesore letrare e shekullit të 20-të.

Që nga marsi i vitit 2008, Biblioteka Kombëtare e Izraelit po lufton për mbledhjen e këtyre materialeve, shumë prej të cilave dorëshkrime të Këfkës, tha për “The Guardian” kryetari i bibliotekës, David Blumberg, në një konferencë për shtyp të Mërkurën. Ai shtoi se: “Biblioteka Kombëtare pretendon transferimin e arkivit, sepse dëshirës së Brodit. Ne filluam një proces që zgjati 11 vjet, derisa e përfunduam atë dy javë më parë”.

Në maj, pas vendimit të një gjykate në Wiesbaden, Gjermania dorëzoi mijëra letra dhe dorëshkrime për të cilat Izraeli tha se ishin vjedhur 10 vjet më parë në Tel Aviv dhe më vonë iu ofruan për shitje Arkivit të Letërsisë Gjermane në Marbach, dhe koleksionistëve privatë. Odiseja e gjatë e këtyre materialeve shumë të vlefshme kalon nëpër një rrugë shumë të gjatë dhe nga Izraeli, në Gjermani, Zvicër, nga frigoriferi i një shtëpie në Tel Aviv tek kasafortat e depozitave në Zvicër. Megjithëse pjesa e madhe e dorëshkrimeve është botuar, letërkëmbimi midis Franc Kafkës dhe Max Brod, ditarëve dhe reflektimeve të tjera të shkrimtarit, hedhin dritë të vlefshme në personalitetin e tij krijues. /Albert Vataj /KultPlus.com

Cameron Diaz: “Ndoshta nuk do të aktroj më kurrë”

Cameron Diaz nuk ka interesim që të rikthehet në Hollywood, duke këmbëngulur që ajo ndoshta kurrë më nuk mund t’i kthehet aktrimit. Filmi i fundit i yllit 46-vjeçar ishte “Annie” në vitin 2014 dhe ajo e pranon se ideja që të dalë përsëri para kamerave nuk i intereson fare.

“Këndvështrimi im është se ia kam dhënë më shumë se gjysmën e jetës sime publikut”, tha Cameron për “InStyle”, e cila e bëri debutimin e saj të madh si aktore në komedinë e vitit 1994 “The Mask”, në një intervistë të rrallë. “Mendoj se është në rregull që t’ia dedikoj kohën vetes sime tani, të riorganizohem dhe ta zgjedh mënyrën se si unë dua t’i kthehem botës. Nëse vendos. Nuk më mungon aktrimi.”

Cameron shtoi: “Është argëtuese që nuk e kam askënd që e di se çfarë po planifikoj. Sepse koha ime është e imja. Nuk po shes filma, dhe për shkak se nuk po shes asgjë, nuk kam pse i jap dikujt diçka. Nuk po e bëj këtë më. Po e jetoj jetën time”.

Edhe pse ylli i Shrek, e cila u martua me rokerin Benji Madden në vitin 2015, e ka harruar aktrimin tani për tani, ajo po eksploron mundësi të tjera biznesi.

“Tani po e hulumtoj sferën e mirëqenies dhe gjërave të tilla”, tha ajo, “por çfarëdo që të bëj, duhet të jetë diçka për të cilën kam pasion – diçka që thjesht nuk kërkon përpjekje”.

Cameron, e cila tashmë i ka shkruar dy libra në lidhje me shëndetin dhe mirëqenien, madje po mendon edhe për modelim.

“I kam disa gjëra që po i krijoj, por është pak herët të flas për to”, tha ajo. “Më pëlqen gjithçka që e bëjnë shoqet e mia, si ajo që e ka bërë Gwyneth Paltrow me Goop dhe kunatën time, Nicole Richie, me shtëpinë e saj të modës House of Harlow.” /KultPlus.com