Kisha disa ditë që lëkundesha, në duhet t’i hidhja këto shënime, por disa humbje të rëndësishme të ditëve të fundit, më shtynë t’i shkruaj. Prej disa javësh në Shqipëri, edhe pse e ekspozuar shumë për shkak të disa lëvizjeve rrotull, jam përpjekur të zbatoj në ekstrem të gjithë protokollin që kërkon mbrojtja nga ky virus. Por kam vënë re një shkujdesje të dukshme, të frikshme, kërcënuese dhe të pakulturuar tonën. Një shkujdesje tipike shqiptare. Ku dorëzanë na bëhen, për fat të keq, shpesh edhe institucionet shtetëtore. Ato NUK po e bëjnë detyrën e tyre siç duhet. Po e jap me shembuj, dhe foto:
1. Në Shqipëri mbërrita me një linjat e para pas hapjes së përbotshme të qiejve. Pas një udhëtimi të mundimshëm me maska e gjithfarë pajisjesh mbrojtëse, mbërritëm në Rinas. Por ç’ndodhi në të vërtetë? Ashtu me atë padurimin për të dalë, një pjesë e udhëtarëve u ngritën dhe madje i hoqën maskat. Por u zumë në grackën e asaj kutie metali e fati për rreth 20 minuta, pasi qeverisë dhe atyre që drejtojnë Rinasin u ishte kujtuar se duhej të bënin një ceremoni mirëseardhjeje. Zot i madh! Njëzet minuta të mbyllur, mbi njeqind e pesëdhjetë vetë. Jam e bindur se disa prej të sëmurëve të statistikave tona, në mos edhe ndonjë i vdekur, janë të asaj dite, të atij show të panevojshëm, që nuk i lypet askujt. Kush mban përgjegjësi për të sëmurët e asaj dite? Me mua në atë udhëtim ishte edhe një gazetar holandez, i cili u zhvidhos nga trutë prej kësaj hipokrizie, edhe shtetërore. Shihni fotot!
2. Jam përpjekur disa herë të hyj te Posta Shqiptare, por gjithnjë gjej një turmë të pakujdeshme, askush nuk mban distancë dhe nuk e di kush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë. Sa njerëz na infektohen në ditë nga kjo shkujdesje, a e ka llogaritur kush? Shihni fotot!
3. Nga disa udhëtimet e mia veri e jug, në shumë pak, thuajse në shumë pak restorante e bare, kamerierët dhe mbikëqyrësit mbajnë maska. Kur shpesh u kam bërë vërejtje, u është dukur se po u flet ndonjë UFO. Këtë përvojë besoj e ka secili prej nesh. Në këtë pikë jam me shtetin dhe të gjitha gjobat që vënë institucionet nga kjo shkujdesje. Çështja është: A po kontrollohet sa duhet?
4. Të premten e shkuar më ra rruga me makinë të kaloj para xhamisë së Rrugës së Durrës pikërisht në minutat e faljes së të premes. Nuk po flas për X5 e gjithfarë makinash të shtrenjta që kishin zënë trafikun me drita të ndezura, sepse nuk arrij ta kuptoj se si mund të shkosh te ai Zoti që i falem edhe unë, e që di aq të përkorë, me aq shumë luks. Por kjo është një çështje tjetër. Mbipopullimi që ishte aty, ishte i frikshëm, as largësi fizike, as maska. Dhe kështu mund të jetë në të gjitha kultet fetare, dhe nuk e di a kontrollon kush?U trishtova shumë, por nuk bëra foto në respekt të kultit dhe të atyre njerëzve të thjeshtë, të cilëve nuk u është thënë se duhet të rrinë larg, shumë larg nga njëri-tjetri. Kush e vë në dyshim këtë që po them, le të kalojë nesër andjepari.
5. Vrasësi më i madh mes nesh është padyshim shkujdesja, që vjen edhe nga njëfarë turpërimi, a ndjesia e çnderimit, a humbjes së respektit po të mos ia hedhim duart në qafë mikut që ndeshim në rrugë, mikut që takojmë në kafe, a të afërmit tonë. Duhet të zhvishemi nga gjithë këto komplekse që të mund ta zgjasim jetën tonë, që të mund t’ia shkurtojmë jetën Covid-19. Na duhet vetëm disa muaj që të sillemi ndryshe. Unë sillem ndryshe, por shpesh ata përballë meje nuk sillen ndryshe, duke më detyruar t’ua kujtoj se duhet patjetër të sillen ndryshe. Duhet t’i japim fund shkujdesjes sonë “tipike shqiptare”.
Rri larg! Laj duart! Mbaj maskë!
Mendo për qindra mjekë, infermierë dhe punonjës shëndetësorë që janë në kufijtë e rraskapitjes së tyre për të mbrojtur jetët tona! / KultPlus.com
Të gjithë e njohim serialin me situata tejet komike, The Fresh Prince of Bel Air, serial ky që edhe pas tre dekadave prej kur është lansuar për herë të pare, vazhdon të shikohet e rishikohet, shkruan KultPlus.
Kompania e produksionit të aktorit, Will Smith, i cili edhe është në rolin kryesor të serialit, ka njoftuar se do të sjellë prapë serialin The Fresh Prince of Bel-Air por nuk do të jetë e njejtë me komedinë e adoleshentëve që ishte në vitet e 90-ta.
Will Smith është bërë bashkë me regjisorin Morgan Cooper për të sjellë prap serialin, mirëpo kësaj radhe seriali do të përqëndrohet për të trajtuar më shumë tema serioze si krimet e bandave, varfëria, pabarazia dhe brutaliteti i policisë, raporton Mirror.
Ende nuk ka informata se kur do të shfaqet seriali, mirëpo është bërë e ditur që episodat do të zgjasin një orë dhe do të theksohet fakti që paragjykimet racore janë ende të pranishme në Amerikë.
Regjisori dhe bashkë skenaristi Morgan Cooper ka thënë: “Mendoj që ka hapësirë për të shëndrruar këtë serial nga një sitcom me tendencë komike në një format me trajtim më serioz,”
Ai poashtu ka rrëfyer që kishte qenë gjithmonë adhurues i këtij seriali. / KultPlus.com
Stephanie Rizaj kalimin e saj si regjisore filmash e konsideron rastësore, ngase lidhja direkte me artin për të filloj shumë vonë, atëherë kur ajo veçse kishte mbushur 24 vjet. Për shumë kohë ajo kishte punuar në fushën e arkitekturës, madje edhe dizajnit të modës. Por, gjatë këtij rrugëtimi atë e kishte përcjellë fantazia e lëvizjes së një shtëpie, shtytjes së saj, shkruan KultPlus.
“Po sikur gratë të mund të lëviznin një shtëpi?”. Në filmin e metrazhit të shkurtër “As If Biting Iron”, regjisorja përdorë pikërisht këtë medium për të sfiduar këtë pyetje, përderisa ne në filmin shtatë minutësh mund të shohim muret e një ndërtese të shkatërruar, të ndërtuara në thellësinë e maleve të Kosovës, duke u lëvizur nga forca e më shumë se 100 grave, të cilat në fund mbesin anonime.
“As If Biting Iron” shoqërohet edhe me rrëfimin e personazhit kryesor që jetën e grave e sheh njëlloj sikurse medalje të dyanshme. Në njërën anë janë gratë ato që shtyjnë murin dhe thyejnë barrierat pikërisht atëherë kur ato gjenden mes tyre. Kurse në anën tjetër mbështetja për murin herë pas here është e vetmja zgjidhje, madje kjo arsyetohet edhe me thënien e vjetër shqiptare “Si me hongër hekër me dhom”.
Viti 2019 gjeti malet e Kosovës, ato që ndajnë Malin e Zi me Shqipërinë, dhe gjenden mu afër qytetit të vogël të Deçanit, të bëra bashkë me idenë e regjisores. Po aty, në mes të këtyre maleve fshihet një ndërtesë e ftohtë betoni, që filloi të ndërtohej në fillim të viteve të tetëdhjeta, si një hotel që nuk u përfundua kurrë. Që nga ajo kohë thuajse është harruar, duke u prishur dita-ditës, tashmë objekti ka filluar të “pushtohet” nga natyra.
Në një intervistë për KultPlus, Stephanie Rizaj ka thënë se pikërisht kjo ndërtesë është një gjurmë e së kaluarës që shënon një moment historik. Sipas saj kontrasti që ekziston në këtë mes është mishërimi i grave, gjeneratës së re që tashmë ka forcën për të shtyrë edhe strukturën e kësaj ndërtese.
“Ndërtesa monumentale është një relike e së kaluarës, një gjurmë njerëzore e cila na tregon një moment historik. Dyzet vjet më parë kur u ndërtua ndërtesa, pylli nuk ishte aq i lartë sa tani. Vizualisht ekziston një kontrast, betoni i ftohtë dhe pemët që fluturojnë në erë, por lidhja e tyre delikate është koha. Gratë e reja të panjohura, si dhe mishërimi i gjeneratës tjetër po e largojnë strukturën larg”, ka deklaruar ajo.
Rizaj lëvizjen e mureve e konsideron si njërin nga veprimet kyçe kundër shtypjes. Ajo beson në fuqinë kolektive të grave, ndonëse procesi i lëvizjes së shtëpive duket i pamundur.
“Të lëvizësh shtëpinë duket si një veprim i pamundur. Por fizikisht, nëse ka mjaftueshëm njerëz, një grup mund të arrijë të bëjë shumë. Unë besoj në fuqinë e bashkimit të grave përmes veprimeve kolektive. Lëvizja e mureve është pikërisht një veprim kundër shtypjes. Por për mua kjo përfaqëson edhe situatën e kosovarëve, sepse duke qenë se është pothuajse e pamundur të lëvizësh lirshëm, rrjedhimisht nënkupton edhe një veprim të barazisë”, ka vazhduar më tutje Stephanie.
Regjisorja Rizaj vazhdon rrëfimin e saj duke treguar se procesi i realizmit të këtij projekti që zgjati pothuajse një vit hasi edhe në pengesa, sepse sipas saj është e vështirë t’i bësh të tjerët të besojnë në vizionet tua. Ajo madje për këtë ka përmendur edhe shembuj konkret.
“Duke u nisur nga ideja e deri te produkti final, ishte proces i gjatë, gati një vit. Pjesa më e vështirë është t’i bësh njerëzit të besojnë në vizionin tënd (shembull, drejtori i shkollës në Deçan si dhe kameramani nga L.A)”, ka theksuar regjisorja.
Gjithashtu regjisorja ka shtuar se nuk ishte e sigurt se sa gra do të vinin, madje ajo nuk e dinte nëse ato do të vinin në xhirimet e këtij filmi. Dy autobusët që ajo kishte marrë me qira kishin arritur që të grumbullonin përplot 120 gra të panjohura për të, për që në fund arritën të jetësonin vizionin e saj.
Ajo shpreson se filmi do arrij t’i prek emocionalisht shikuesit, ashtu siç i kishte ndodhur edhe më përpara kur një nënë me lot në sy i kishte shpjeguar regjisores se historia e jetës së saj dhe e filmit ishin një.
“Nuk dua të ja diktoj shikuesit se çfarë të mendojë për filmin. Shpresoj se do ti prek emocionalisht. Një herë një nënë e re erdhi tek unë dhe qau pasi shikoi filmin, pasi që filmi fliste për rrugën e jetës së saj”, rrëfen Rizaj.
Krejt në fund regjisorja shprehet e entuziazmuar për pjesëmarrjen e saj në festivalin e filmit “Dokufest”. Ajo thekson se çdo herë mundohet të mos ketë pritshmëri, por e konsideron edhe ndjenjë të mirë atëherë kur dikush nderon punën e saj. Rizaj gjithashtu shpjegon se filmi “As if Biting Iron” është krijuar për t’u parë në ekran të dyfishtë, me një projektor të madh, pasi që zërimi luan një rol të rëndësishëm.
“Të shikuarit e filmit në një kinema fizike do të kishte një ndikim ndryshe te shikuesi, por edhe versioni online besoj se do t’i siguroj filmit një audiencë më të madhe”, ka përfunduar kështu intervistën regjisorja Rizaj. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës në Shqipëri e shpalli këtë muaj, si kohën për të nderuar të gjithë ata që krijuan e punuan në fushë e artit të fotografisë.
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit (AQSHF), sjell një kronikë domethënëse të vitit 1972, kur Gegë Marubi i dhuron shtetit fototekën e familjes së tij, arkiv prej 180 mijë fotosh, krijuar nga Kel Marubi, me qëllim ruajtjen e materialit origjinal dhe edukimin e brezave.
“Sot, ky koleksion i vyer mban emërtimin Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” dhe është i vizitueshëm nga të gjithë në selinë e tij të re në Shkodër”, shprehet AQSHF, që ka publikuar kronikën në faqen e institucionit, në Facebook.
Edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, prej disa ditësh po vijon të publikojë fotografi nga Shqipëria. Pak ditë më parë, ministrja e Kulturës Elva Margariti, bëri me dije se ky muaj do t’i kushtohet fotografisë, që është dhe një nga fushat më të dashura të artit. Sipas saj, mëngjeset e gushtit do të jenë me urime me fotografi, që janë realizuar nga ata që vunë themelet e fotografisë shqiptare.
Foto-studio “Marubi” u themelua më 1856 në Shkodër nga piktori, skulptori dhe arkitekti Pietro Marubbi. Fototeka “Marubi” është krijuar më 1970 pasi Gegë Marubi dhuroi arkivin e të tij personal prej tre brezash, me rreth 150 mijë negativë, shtetit. Në këtë arkiv gjenden negativë nga të gjitha formatet, që nga 30 cm x 40 cm dhe deri te 6 cm x 9 cm në pllaka xhami, nga viti 1858 deri në vitin 1959. Ky është një nga arkivat më të pasur të Ballkanit. / KultPlus.com
Ylli i “Little Mix”, Leigh-Anne Pinnock, do ta bëjë një dokumentar rreth përvojave të saj personale të racizmit dhe ngjyrës së lëkurës. Dokumentari “Leigh-Anne: Colourism & Race” do të trajtojë po ashtu hollësitë e një çështjeje të gjerë të racës në Britaninë e Madhe.
Këngëtarja ka thënë se donte që ta shfrytëzonte famën e saj si një “platformë për ta hapur këtë debat te publiku më i gjerë”.
Vitin e kaluar, anëtari i bendit të saj, Jesy Nelson, mori lëvdata për një dokumentar “frymëzues” rreth ngacmimeve në internet. Pinnock ka thënë se donte ta realizonte një dokumentar, “sepse gjithmonë kam qenë shumë e dhënë pas të drejtave të komunitetit të njerëzve me ngjyrë”, duke shtuar se do të donte “të jetë zëri i komunitetit tim”.
“Bisedat që lidhen me racizmin dhe ngjyrën janë gjithmonë pjesë e diskutimeve me të dashurin tim dhe familjen”, ka thënë ajo, shkruan KOHA. “Racizmi sistematik është i ndërlikuar; duke e bërë këtë dokumentar dua që të mësoj se cila është mënyra më e mirë për ta ngritur zërin për këtë çështje, kështu që të rinjtë të cilët më përcjellin nuk do të ballafaqohen me atë që unë e gjenerata ime po duhet të merremi”.
Duke i përcjellë protestat “Black Lives Matter” në fillim të këtij viti, Pinnock hapi zemrën me anë të një videoje, me të cilën tregoi se është ballafaquar me racizmin. Në këtë dokumentar, Pinnock ndan përvojat e saj dhe do të flasë se si të kesh lëkurë më të bardhë dhe të jesh e famshme i bie se ajo ndonjëherë duhet të jetë në një pozitë më të privilegjuar sesa të tjerët. Drejtoresha e BBC Three, Fiona Campbell është shprehur e lumtur që një dokumentar i tillë do të transmetohet në televizionin publik të Britanisë.
“Duke punuar me talente të nivelit të lartë si Leigh-Anne dhe njerëz të tjerë të rëndësishëm, të cilët ajo do t’i takojë gjatë këtij rrugëtimi, shpresojmë se bisedat më të sinqerta që do t’i paraqesë ky film do ta kenë fuqinë që t’i ndërrojnë qëndrimet, do të ofrojnë njohuri dhe do të ndihmojnë për ta parandaluar racizmin në shoqërinë tonë”, ka thënë ajo. / KultPlus.com
Redon Makashi është këngëtar dhe tekstshkrues i njohur, që gjatë karrierës së tij i ka sjell publikut mjaft këngë me tekste të bukura, të shoqëruara me zërin e tij unik, shkruan KultPlus.
Në vitin 1989, prezantohet për herë të parë në televizion në Radio Televizionin Shqiptar me këngën “Vitet më të bukura”. Kjo ndodh në spektaklin “Maratona e këngës popullore” e regjisores Vera dhe redaktor muzike Shaban Ibrahimi. Po në këtë vit krijon këngën “Rruga me fllade kujtimesh”.
Sonte po e risjellim këngën e tij “Dikur luaja me ndjenjën e saj” e cila është lansuar në vitin 1994 dhe shquhet për tekstin e bukur dhe të ndjeshëm, si dhe për performancën e Makashit. /KultPlus.com
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHP) ka dalë me rekomandime për qytetarët, pas kthimit të temperaturave të larta e të cilat ndikojnë negativisht në organizmin e njeriut sidomos te të moshuarit.
Duke u ekspozuar në diell për një kohë të gjatë njerëzit mund të pësojnë goditje nga të nxehtët që çon në dehidrim të organizmit përcjellë me ngërçe, vjellje, çrregullime diarreike, skuqje dhe djegie të lëkurës duke komplikuar sistemin kardiovaskular deri në insufiçiencë renale.
Masat e rekomanduara mbrojtëse për shëndetin e personave të moshuar gjatë ekspozimit ndaj temperaturave të larta të ajrit mbi 30°C, posaçërisht për të moshuarit me sëmundje kardiovaskulare dhe sëmundje tjera kronike.
Këto janë dhjetë rekomandimet e IKSHPK-së për qytetarët gjatë kohës me temperatura të larta:
1. Personat e moshuar assesi nuk duhet të ekspozohen në rrezet e diellit në intervalin kohor prej orës 10.00-17.00 , sidomos jo të moshuarit me sëmundje të zemrës ose ata me diabet; 2. Gjatë daljes nga shtëpia të moshuarit detyrimisht duhet ta mbrojnë kokën me kapelë ose shall; rrobat duhet të jenë të holla, komode, prej liri ose pambuku dhe me ngjyra të çelëta; 3. Është e domosdoshme marrja e 2 litrave lëngje gjatë ditës, qoftë si 8 gota ujë ose në formë supe ose qaji; po ashtu duhet anashkaluar ushqimin e fërguar, shumë të njelmët ose të ëmbël ose me mëlmesa të shumta, ndërsa duhet marrë shumë pemë dhe perime sezonale; 4. Përveç këshillave të marra nga mjeku për përdorimin e barnave, tek të moshuarit është e domosdoshme matja më e shpeshtë e tensionit arterial; 5. Paraqitja e kokëdhembjes, mundimit, marramendjes dhe dehidrimit, tharjes së gojës dhe lëkurës, janë shenja alarmante për të moshuarin, sidomos kur është i sëmurë dhe ka paaftësi funksionale; atëherë doemos i sëmuri geriatrik duhet të lajmërohet tek mjeku i tij familjar ose në qendrën më të afërt emergjente; 6. Anëtarët e familjes, miqtë, fqinjët dhe anëtarët e OJQ-ve të cilët kujdesen për të moshuarit gjatë muajve të nxehtë të verës duhet doemos më shpesh të kontaktojnë me të moshuarit, e në raste të paaftësive funksionale edhe disa herë gjatë ditës; 7. Në rast se del jashtë shtëpisë/banesës ku jeton, i moshuari duhet detyrimisht të bartë me vete të dhënat elementare, emrin dhe mbiemrin, vitin e lindjes, adresën e banimit, numrin e telefonit të personit kontaktues, i cili mund të kontaktohet lidhur me këtë person të moshuar; 8. Më e rëndësishmja është mirëmbajtja e higjienës personale dhe asaj të ambientit të të moshuarit, si dhe mbikëqyrja e përdorimit të barnave në mënyrë të rregullt; 9. Është i domosdoshëm aktiviteti fizik dhe psikik i të moshuarit, sidomos ecja e vazhdueshme në orët e para të mëngjesit ose në mbrëmje, qëndrimi sa më i gjatë në natyrë (park, shëtitore etj). 10. Nëse i moshuari ka vështirësi për të lëvizur për shkak të pamjaftueshmërive funksionale, atëherë duhet bërë ajrosjen shumë orësh të hapësirave ku qëndron i moshuari.
Në një pamje të reduktuar, kulturën mund ta përkufizosh si shumë dijesh dhe vlerash. Në një shoqëri të zhvilluar, këto përmbajtje përcillen në familje dhe në shkollë, në shoqëritë patriarkale, tradita gojore folklorike luan një rol të veçantë. Në disa vende të Evropës juglindore, në radhë të parë ndër sllavët e jugut, folklori letrar rezulton si dukuri jashtëzakonisht e gjallë. Ende në shekullin e XX-të bardët përhapnin këngët e tyre epike, dhe, nga një pikëpamje pragmatike, ligjërimi poetik ka qenë mjet efektiv i shprehësisë.
Në lidhje me përmbajtjen mund të veçosh dy sfera tematike: (a) subjektet legjendare, (b) ngjarjet historike. Kufirin ndërmjet tyre nuk është krejtësisht i qartë, sepse publiku nuk e dallonte njërën sferë prej tjetrës ashtu, sikundërse e bën këtë vëzhguesi i ditur dhe kritik. Subjektet legjendare mund të përmbajnë bërthamë historike, dhe këngët historike mund të jenë të drejtuara për kah tiparet legjendare. Flasim për subjekte historike, nëse personazhet e epopesë historike janë të konfirmuar. Në gjuhën gjermane përdorim nocionin Heldensagen (gojëdhëna për heronjtë), kurse në letërsinë e huaj, ndër to atë shqiptare, ndeshim nocionin “legjenda” dhe “legjendar”, ani pse fjala është për veprat në vargje.
Duke pasur parasysh se folklori letrar gjer në kohët më të reja ka qenë dukuri e gjallë e krijimtarisë, atëherë dhe letërsia artistike e popujve të Evropës juglindore shfrytëzonte subjektet dhe format e epopeve heroike. Përkundër ndarjes në skena, “Kurora e maleve” (1847) e Petër Njegoshit konsiderohet epope apo “poemë liriko-epike”. Xhuzepe Skiro i vjetri (Zef Skiroi), njëri nga arbëreshët italo-jugorë, rreth vitit 1922 krijoi epopenë “Kthimi” – Il ritorno, e cila, megjithatë, u botua vetëmse në vitin 1965. Gjithashtu, greku kretas Nikos Kazanxaqi krijoi “Odisenë” e tij. Në vigjilje të viteve 1920, Gjergj Fishta krijoi epopenë nacionale shqiptare, “Lahuta e Malcis”, e cila përfundimisht sosi në vitin 1937.
Njegoshi dhe Fishta kanë ndikuar jashtëzakonisht në vetëdijen nacionale të serbëve dhe shqiptarëve, por “Odisea” e Kazanxaqit del jashtë kornizave të temës që na intereson. Në këtë poemë nuk janë pasqyruar konfliktet vendore prej historisë së atdheut të poetit, porse temat gjithënjerëzore në formën e palinodisë (ose parodisë) së Homerit. Personazhi Odise, prej të cilit Penelopa dhe Telemaku shmangen të frikur, si prej përdhunuesit, nuk janë të volitshëm për modelet e vetëdijes nacionale. Ndërkaq që pikërisht në këtë gjë qëndron funksioni i epopeve të tjera: ato paraqiten si pika kristalizimi të nacionalizmit bashkëkohor dhe prandaj u duhet servirur masave të gjera të popullsisë mundësia e identifikimit.
Punimi i mëposhtëm është një kontribut në imazhologji dhe në studimet për të ashtuquajturin “alternitet” (angl. Otherness). Më parë ka qenë folur në shkencë për idealet kolektive apo stereotipat. Në çdocilën rrethanë fjala është për standartizimin e arsyetimit, ndjeshmërisë dhe veprueshmërisë, rezultatet e së cilës i kemi quajtur më lart vlera të përbashkëta. Personazhet letrare përfaqësojnë sjellje model, dhe formulat e tyre ligjërimore shprehin kufijëzimin e të “tyres dhe së huajës”. Më poshtë do të hulumtojmë kuptimin e fjalëve shkjeni-a, me të cilat shqiptarët e veriut përcaktojnë fqinjët e tyre sllavë si një kolektiv të huaj.
Vetëflijimi për shkak të vetëdijes së detyrës
“Lahuta e Malcis” përmban 30 këngë, të ndarë në tri pjesë joproporcionale: (1) mbrojtjen e kështjellës së Vraninës në bregun perëndimor të liqenit të Shkodrës (1858-1862, këngët I -V), (2) mbrojtjen e qyteteve Plavë dhe Guci (1878-1880, këngët VI-XXV) dhe (3) periudhën e xhonturqve (1908-1913, këngët XXVI-XXX, që përmbajnë fushat e Shevqet Turgut Pashës kundër fiseve të shqiptarëve të veriut dhe luftën e parë Ballkanike). Kësisoj, epopeja e Fishtës përshkruan konfliktet ushtarake më të rëndësishme, të cilat, në fund të fundit, mundësuan shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Prandaj, gjer në Luftën e Dytë Botërore, “Lahuta e Malcis” quhej epopeja nacionale e shqiptarëve, që glorifikonte çlirimin prej sundimit shumëshekullor turk. Ndërkaq, gjatë kohës së komunizmit kjo vepër artistike ka qenë e ndaluar si brenda vetë Shqipërisë, ashtu edhe në Jugosllavi. Kjo shpuri në atë që pothuaj nuk ka literaturë bashkëkohore mbi “Lahutën e Malcis”; gjer më sot, punimet e Maks Lambercit konsiderohen si fondamentale.
Në folkloristikën shqiptare dallohen Epika legjendare dhe Epika historike. Në të dyja rastet kemi të bëjmë me këngë të shkurtra, të cilat mund të jenë pjesë e ciklit të njohur, por që kurrënjëherë nuk u bashkuan në një epope të madhe të vërtetë. Krijimi i një epopeje të tillë është meritë vetëm e Gjergj Fishtës, i cili shfrytëzoi elementët e të dyja zhanreve folklorike, të epikës legjendare dhe historike. Legjendarja shprehet, ndërkaq, me Frymët (Zanat dhe Orët e besëtytnive popullore shqiptare) që bashkëshoqërojnë luftën e heronjve (IV. 208-275). Elementi historik ka të bëjë me faktin që ngjarjet dhe personazhet, qoftë dhe pjesërisht, janë të dëshmuara historikisht.
Nëse përqendrohemi në fashikullin e parë të Lahutës së Malcis që përmban luftën dhe vdekjen e Oso Kukës (kënga I-V), atëherë, në vështrim të parë paraqitet Shqipëria viktimë e grabitqarisë malazeze. Kështjella e Vraninës ka qenë forpost i Perandorisë Osmane kundër fiseve malazeze që depërtonin në rrafshultë. Në një situatë pa shtegdalje, Oso Kuka u hodh në erë bashkë me kullën e barotit; përveç kësaj vdiq edhe një pjesë e madhe e mësymësve malazezë. Një heroizëm i këtillë ndeshet jo pak në folklorin ballkanas. Të paktën njëra nga këngët heroike për Oso Kukën është dëshmuar që në shekullin e XIX-të. Pikë zanafillore e Fishtës rezulton skena idilike, ku “turq e sllavë” bashkekzistojnë në paqe (urtë ma ndejun Turk e Shkjá. I, 364). Së këndejmi, grabitqaria malazeze relativizohet. Knjaz Nikolla, i ngucur prej carit rus, është shkaku i veprimeve luftarake se, sipas fjalëve të poetit, ai sheh me sy të keq gjendjen paqësore mbi liqen, dhe thërret serdarin Vullo për mësymje. Nga ana tjetër, dhe vetë shqiptarët nuk janë të prirur për luftë. Pas mësymjes së malazezve pashai turk Avdi që udhëhiqte trevën e Shkodrës, ankohet që shqiptarët nuk qëndrojnë burrnisht. Puna është se, nuk ndjejnë ndonjë shkulm të brendshëm të luftojnë për hesap të një pashai të huaj, por Oso Kuka nuk mundet të mos e marrë mbi vete detyrën e mbrojtjes së kufijve, kur pashai pëshpërit që shqiptarët janë frikacakë. Mandej një tradhtar i njohur, sllavi Zeliq Gjoka (V. 182) u heq udhë malazezëve në Vraninë, por vritet i pari në luftë.
Ky, thënë shkurt, është një veprim, ndërsa poeti e zbukuron atë me përshkrimin e virtyteve dhe cilësive luftarake të heronjve. Pjesërisht epitetet e sllavëve dhe shqiptarëve janë po ato: ‘trim i çartun’ – si serdari Vullo (I. 280), ashtu dhe Oso Kuka (II, 155). Për Jovanin poeti thotë se është “sokol mali me tre zemra” (III, 236). Megjithatë, ka edhe dallime. Për shembull Vullo grabit luftëtarin e rënë (III. 52), çka i vë njollë reputacionit të tij. Lexojmë mendimin e përgjithshëm se sllavët nuk janë të denjë për t’u zënë besë dhe s’janë njerëz ku mund të mbështetesh (e thonë Shkjau se besë nuk ká. V. 169).
Mund të thuash në përgjithësi se sllavët që marrin pjesë aktive në betejë, nuk janë marrë nëpër gojë prej poetit. Megjithatë është krejt normale që ai, në radhë të parë, u kushton vëmendje bashkatdhetarëve të vet dhe aplikon të gjitha krahasimet e reja për të nënvizuar burrërinë e tyre dhe glorifikimin e cilësive të tyre: heronjtë krahasohen me gjarpërinjtë (drangue), poshtë krahëve ata kanë tri flatra të arta (apo pendë, IV. 26). Oso Kuka shkëndrit si vetëtima (II. 111; 142) ose buluret si luan (si ulani, III. 195). Kaçel Doda dhe Kerni Gila – janë si dy re të zeza (II. 138; III. 223). Për sfondin politik lexojmë se shqiptarët jetojnë 500 vjet nën zgjedhën turke (I. 4), por ende nuk janë nënshtruar (si ‘i dem, vu n’lavër spari. I. 12). Për besimin fetar poeti-murg thotë se shqiptarët kristianë dhe myslimanë jetojnë në paqe e harmoni (III. 340) dhe se kurrë ata s’kanë për ta pranuar zgjedhën e gospodarit malazes (IV. 66). Rreziku që u kanoset shqiptarëve është krijimi i një territori të pandarë sllav nga Deti i Bardhë gjer në detin Mesdhe nën udhëheqjen “Moska” (IV. 85-91):
(. . . ) mbasi Shkjetë e Ballkanit (. . . ) të kenë lidhë besë ndërmjet vetit, ka m’iu dhanë Shkjenisë e mbara, ka m’iu shtrue ura përpara det e m’det m’u kapë Moskovi (IV. 85-91)
“Sllavjanin” në vend të Gjaur
Të vetmet përkufijëzime konkrete të armiqve që u kundërvihen shqiptarëve, janë malazezët, ndërsa poeti shpesh i quan ata me etnonimin malazestë. Nga ana tjetër shqiptarët – gjithashtu nën etnonimin e letërsisë së tyre quhen shqiptarë:
Malazestë të gjithë e dijnë Se n’Shqipni ka djelm si Zana (IV. 122)
Se për t’gjallë rodi i Shqiptarit S’i bjen n’dorë kurrë Gospodarit (IV. 34-35, 66-67)
Megjithatë ndeshen edhe emërtime të tjera që lypin shpjegime. Në citatin e sipërpërmendur shohim ‘sllavjanët’ (në numrin njëjës: shkja-u), Shkjeni-a si fjalë përmbledhëse, Moskovi ‘Moska’, Shkina ‘sllavjanka’ (në shumicën e rasteve: zogu i shkinës ‘biri i sllavjankës’ I. 290). Në fund të fundit ndeshet edhe një varg, në të cilin shqiptarët quhen “turq”: urtë me ndejun Turk e Shkja. I. 364. Ndërsa kjo fjali i përket ligjëratës së drejtë të knjaz Nikollës, mund t’ia atribuojmë gjuhës së folur bisedimore serbokroate (të cilën Fishta e zotëronte).
Emërtimet Moskov-i dhe Shkja-u/Shkina janë marrë prej poezisë popullore shqiptare, për shembull, në vargun Moskovi kërkon xhaminë/ në Stamboll Agjosofinë – (Epika Historike, Vol. 2.,nr. 426). Fjala Shkja-u, Shkina gjenden shpesh në përmbledhjen Epika legjendare, v. 1 (1966); këtu do të desha të ndërmend që në gjuhën rumune shkjau asheau, shumës, shkej schei – janë forma të ligjërimin bisedimor, me të cilat shënjoheshin në radhë të parë bullgarët, por edhe ortodoksët në përgjithësi. Në shqip: Fjala Shkjenia ndeshet aty vetëm një herë: Tanë shkjeninë sot e koriti (Nr 24. Vargu 276). Duket se Shqenim-i me affiksin – nim rezulton variant dialektor. Çfarë domethënie pra ka kjo fjalë dhe ç’prej kuri aplikohet?
Në shek. XX Shqipni-a/ Shqipëri-a rezulton emërtimi zyrtar i vendit Albania, pra emërtim gjeografik. Në këngët heroike edhe tek Fishta kontrastojnë Shqipnia dhe Shqenia, dhe mund të hamendësojmë që ky nuk është rezultat i rastësishëm i fjalëformimit paralel me sufiksin – ni. Duhet supozuar që të dyja fjalët kanë në zanafillë kuptim të dyfishtë: (a) përmbledhës që shënjojnë një popull të caktuar (apo nacionalitet), (b) emërtimin e territorit të një populli të dhënë. Një formim analogjik ekziston dhe në gjuhët e tjera, për shembull, në gjuhën polake, në të cilën Niemcu do të thotë (a) ‘gjermanët’ (b) ‘Gjermania’. Në mënyrë të ngjashme edhe Arnavutluk nuk do të thotë vetëmse territor gjeografik, por mund të shënjojë dhe karakterin shqiptar, d. m. th. cilësi abstrakte në kuptimin e veçorisë nacionale. Presupozohet që përmendja më e hershme e fjalës shqipe Shqeni-a ndeshet në fjalorin e Francisk Bardit (Frang Bardhit) në 1635 në faqen 144: sclauonia – Schienia. Sikundër Sclavonia, Schiavonia nuk është fjalë përmbledhëse, në rastin e dhënë kemi të bëjmë me emërtim gjeografik, anipse jo në kuptimin bashkëkohor. Sepse në kohën e republikës venedikase duhet të mendojmë për bregdetin dalmat, jo si për Sllavoninë bashkëkohore ndërmjet Savës dhe Dravës. Pa kontekst është vështirë të thuash, çfarë kishte pikërisht ka pasur parasysh Frang Bardhi në 1635, por, ashiqare, në radhë të parë jo atë për çka ka shkruar Fishta. Së këndejmi, duhet të përcaktojmë domethënien e fjalës Shqeni-a në kontekstin e epopesë sonë dhe burimet e saj, epikës popullore.
Te Fishta Shqipnia së pari nuk ka më domethënie gjeografike dhe, së dyti, Shqenia në vendin e sipërpërmendur (IV. 85-90) nuk ka lidhje me ndofarë toke. Sepse nuk ka të tillë vend i cili të mund të shtrihej nga Moska gjer në detin Adriatik. Shqenia në kuptimin jospecifik mund të kishte qenë “toka e sllavjanëve”, një shtet tërësor i papërcaktuar. Fill pas Maks Lambercit në rastin e dhënë është më e mira ta përkthejmë këtë fjalë me shprehjen “të gjithë popujt sllavë”. Po përse pra fjala bie vetëm për popujt sllavë, ndërkaq që malazezët kanë një profil mjaft të qartë, që të mund të jenë të kategorizuar kësodore?
Mund të hamendësohet se shpjegimi qëndron në faktin se Fishta përdor këtu fjalëpërdorimin e epikës heroike, më saktë imiton ciklin e Mujit dhe Halilit. Kjo dëshmohet bindshëm, nëse marrim parasysh jo vetëm episodin për Oso Kukën, por edhe këngë të tjera, në të cilat krijesat mitike marrin pjesë në veprim (këngët XVI, XXIV). Ata e mbajnë lidhjen me këngët legjendare më të qartë, sesa baladat historike. Fishta krijoi sintezën e dy zhanreve; veçse subjekti në epopenë e tij është historik; formësimi poetik imiton dukshëm epikën legjendare. Tani të hyjmë në një sferë të diskutueshme, përderisa Maks Lamberci – dhe mbas tij folkloristika zyrtare shqiptare – këmbëngulin për lashtësinë e ciklit të Mujit dhe Halilit. Sikundërse supozohet, konflikti rreth Mujit dhe Halilit pasqyron luftën në lidhje me migrimin (dyndjen) e ngulimin në gadishullin ballkanik në shek. VI të erës sonë. Atëherë, pra, ardhacakët sllavë lufton vazhdimisht me “ilirjanët” autoktonë.
Mirëpo, në shkencë tashmë ka kohë që është evidentuar ngjashmëria e ciklit shqiptar me ciklin e sllavëve të jugut për Mujin dhe Halilin. I fundit është regjistruar në shekullin XIX në Bosnje. Stavro Skëndi, shqiptar, i cili vonë ka qenë profesor në ShBA, vërteton imtësisht që cikli shqiptar varet prej atij boshnjak dhe që ai nuk mund të jetë më i vjetër se 300-400 vjeç. Për këngët heroike shqiptare, Skëndi shkruan: “Rrjedhimisht, rapsodët nuk mund të konsiderohen më të vjetër se shekulli XVIII”. Arshi Pipa, një tjetër shqiptar, që jep leksione në ShBA, ka shkruar madje që “cikli shqiptar e ka zanafillën në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të kaluar”. Zgjidhja e kësaj çështjeje do të kishte qenë për ne pa interes, nëse në ciklin boshnjak të kontrastonin Turak dhe Sllovenin. Porse në ciklin boshnjak nuk ka vargje me etnonimin “sllavjanin”; përmenden veçse emërtime sociale si vllah, raja etj. , të cilat i kundërvihen “turku-t” .
Fjala vllah shpesh përkthehet në kuptimin e arumunit, d. m. th, të fiseve të romanizuara paleoballkanike. Në rastin e dhënë, kushërinjtë rumunë të përtejdanubit nuk dalin si personazhe të këngëve epike. Vëlla në ciklin boshnjak shënjohen serbët që janë ngulmuar në territorin e republikës venedikase (më vonë dhe Austro-Hungarisë). Fjala raja rezulton emërtim zyrtar i nënshtetasve myslimanë të sulltanit. Kjo do të thotë që në përgjithësi nuk ka emërtime nacionale në këngët boshnjake, pse të gjithë personazhet – janë sllavët e besimeve fetare të ndryshme. Më shpesh nga të gjitha ndeshet kontrasti, turak apo turçin, respektivisht kaur (turrak – gjaur), d.m.th. ai që i beson të pafeut. Veçantia e ciklit shqiptar qëndron në faktin që përsëpari paraqitet kontrasti jo mbi bazën religjioze, por sipas përkatësisë nacionale. Ajo çka ka qenë gjaur në ciklin boshnjak, në këngët shqiptare u zëvendësua funksionalisht me personazhin sllavian – shkja-u. Skëndi (1954, fq 128) rezymon hulumtimet e tij me fjalët e mëposhtme
The Bosnian fights against the kauri and vlasi (Vlachs), both being Christian subjects of the German Emperor or of the Doge of Venice. The Christian citizens within the boundaries of the Ottoman Empire are called in their songs raja (Rayah). The Albanians wage wars on the Shkje and the kaurr (infidel). The terms vllah (Vlach) and raja are uesd in their songs, bur they are rare, particulary the former.
Këngët heroike shqiptare kanë qenë regjistruar, si rregull, në fiset katolike të malësisë; prandaj termi gjaur/kaur “i pafe” nuk vlen për shënjimin e armikut. Por, ekzistojnë këngë në të cilat aplikohet fjala kaur, afër me fjalën shkje apo shkjenin. P. sh. , në këngën e sipërpërmendur “Halili i qet bejleg Mujit” nga rajoni Shkrel, gjen vargjet: Me i dhanë Mujit laikun e dekës/e me hjek havalen e kaurrit “që ta ndëshkojë Mujin me vdekje, që ai të rënkojë nga hidhërimi nga ana e kaurrit”. Në po atë tekst ndeshim dhe fjalët vlladika dhe popi në anën sllave. Ndoshta janë zbukuruar këtu sfondet e njohura nga epika mitike me realitetin empirik, konflikti luftarak me serbët ortodoksë (kënga është regjistruar në Kosovë). Në këtë rast, do të kishim punë me eklektikën e mitikes dhe elementit historik, si edhe në “Lahutën e Malcis” së Fishtës.
Nuk ka armiqësi të trashëguar
Etnonimet te Fishta shkja/ shkina dhe malazez, më pak apo më shumë, janë sinonime, megjithëse konotacioni i fjalës shkja është mitik, ndërkaq që termi malazez është i pamallkuar dhe neutral. Shkjeni si fjalë përmbledhëse ndeshet mjaft rrallë, dhe atëherë me kuptimin që del prej kufijve të fqinjësisë gjeografike. Kështu shënjohen sllavët në përgjithësi dhe me ta shqiptarët veriorë zor të kenë pasur kontakte të drejtpërdrejta. Më fashikullin për Oso Kukën, emëruesi i përbashkët shkjeni nuk luan rol përveçse si njësi politike e largët që u kanoset. Shqiptarët përcaktohen si jo sllavë në bazë të kolektivit etnik, pa nuanca religjioze. Fjala turk do të thotë si rregull mysliman, siç del nga vargjet e mëposhtme (III. 338-341)
por kur Shkjau t’na ngasë n’vend t’Parëve për ketë besë, fara e Shqiptarëve turk e i k’shtenë – merr vesht or djalë – kanë me u gjetun krejt me ‘i fjalë
Fishta nënvizon që knjazin malazes e cyt cari në Moskën e largët dhe poeti nuk propagandon urrejtje. Tragjedia historike qëndron në atë që për shqiptarët mbrojtja e atdheut në të njëjtën kohë do të thotë mbrojtje e kështjellave kufitare të perandorisë osmane. Vetëm se ndërhyrja e Fuqive të Mëdha në fatin e popujve të vegjël i bën shqiptarët armiq me fqinjët e tyre sllavë. Nga pikëpamja e kulturologjisë, fjala shkjeni përmban nocion privat të për-kufizuara prej “të huajit”, në kuptimin e “alteritetit” (angl. otherness). Por, ky nocion rezulton i papërcaktuar. Poeti nuk u kundërvë vlerave pozitive të kolektivit personal, që dallohen me tipare të prera apo me simptoma të kolektivit të huaj. Kontrasti është i dobët, sikundërse në përgjithësi malazezët dhe malësorët në shumë gjëra janë afër njëri-tjetrit.
(Ky studim u mbajt në rusisht në Akademinë e Shkencave Ruse gjatë konferencës së studimeve ballkanistike më 3 mars 1999, organizuar nga Instituti i Sllavistikës dhe Ballkanistikës)
Literatura (Blanchus, Francisus) Bardhi, Frang: Fjalor latinisht –shqip 1635. Reprinting hrsg. von E. Sedaj. Prishtina: Rilinja, 1983, S. 226 (Biblioteka Lingusitikë) Fishta, GjergjLahuta e Malcis. Romë. Qendra e katolikëve shqiptarë jashta atdheut, 1991, XXXXI, 520 (3) S. – dt. Übers. Die Laute des Hochlandes, Übersetzt, eingeleitet und mit Ammerkungen versehen von Max Lambertz. München: Oldenbourg 1958, 312 S. (Südosteuropäische, Arbeiten, 51) Fjalor Enciklopedik Shqiptar. Tiranë, 1985, S. 569 (s. v. Kuka, Oso). Hansen, Klaus P. (1995): Kultur und Kulturwissenschaft. Ein Einführung. Tübingen und Basel:Francke 221 S. (UTB 1846) Istorija Jugoslavii. Red. Ju. V. Bromlej & al. Moskau: AN SSSR, Bd. I.,1963, S. 605-607. Istorija Juvoslavije. Hrsg. Ivan Bozic & al. Beograd: Prosveta, 21973, S. 259. Istorija literatur zapadnych i juzinych slavjan, Bd. II (Red. S. V. Nikol’skij. Moskau: Indrik 1997. ISBN 5-85759-058-2. Kadare, Ismail: Dosja H. Roman. Tiranë: Naim Frashëri, 1990, 230 S. Kazantzakes, Nikos: Odyssee. Ein modernes Epos von Nikos kazantzakis. Übertragen in deutsche Verse von Gustav A. Conradi. München: Desch 1973 xviii, 770 S. – Griech. Original: Odysseia. Athen.: Ekdoseis El. Kazantzake, 1974, 898 S. Lambertz Maximilian (1949): Gjergj Fishta und das albanische Heldenepos Laute des Hochlands. Eine Einführung in die albanische Sagenwelt. Leipzig : Harrasowitz, 76 S. Murko Matija (1951): Tragom srpsko-hrvatske narodne epike. I. Knjiga. Zagreb, S. 272 (Djela JAZU, 41). Narodne pjesme Muslimana u Bosni i hercegovini. Iz rukopisne ostavstine Koste Hormanna. Redakcija, uvod i komentar Denana Buturovic. Sarajevo: Zemaljski muzej BiH, 1966, 230 S. Njegos, Petar Petrovic: Gorski vijenac. Luca mikrokozma. Beograd 1984 (Celokupna dela Petra II petrovica Njegosa, 3). Pipa, Arshi (1984): “Serbocroatian and Albanian Frontier Epic Cycles”, in: Studies on Kosova. Ed. By A. Pipa & S. Repishti. New York: Columbia University, S. 85-102 (East European Monographs, No. CLV) Schirò Giuseppe, sen. : Këthimi – Il ritorno. Poema postumo con introduzione e a cura di Giuseppe Schirò Junior. Firenze: Olschki 1965, 24, 260, S. (Studi Albanesi. Studi e Testi, II). Skendi Stavro (1954): Albanian and South Slavic Oral Epic Poetry. Philadelphia, S. 29 (Memoirs of the Mmerican Folklore Society, Vol. 44), Kraus-Reprint 1969. Slovar literaturovedceskich terminov. Hrsg. L. I. Timofeev & S. V. Turaev. Moskau: Prosvescenie 1974, S. 472 ff. (s. v. epopeja, epos) /KultPlus.com
Rrallëherë më ka ndodhur të kem një libër në dorë e të nënvijëzoj me laps thënie të bukura që kalonin ndonjëherë edhe paragrafë të tërë. Çdo libër i Orhan Pamuk, që nga kryevepra “Muzeu i pafajësisë” që e bëri fitues të çmimit “Nobel” në letërsi, e deri tek vepra të tjera të tij, si “Bora”, “Unë jam e kuqja” etj, më kanë lënë mbresa të veçanta jo vetëm për subjektin që trajtojnë, por edhe për filozofinë dhe thëniet e paharrueshme të këtij autori të madh. Më poshtë mund të lexoni disa nga thëniet më të bukura të tij.
“Dikur lexova një libër dhe e gjithë jeta ime ndryshoi”.
“Lumturia është të mbash dikë në krahë dhe të mendosh se je duke mbajtur botën”.
“Unë s’dua të jem një pemë. Unë dua të jem kuptimi i saj”.
“Çdo person inteligjent e di se jeta është diçka e bukur dhe qëllimi i saj është të jesh i lumtur”.
“Njerëzit thonë gënjeshtra, vetëm atëherë kur ka diçka që tremben se mund ta humbasin”.
“Kur humbasim njerëzit që duam, nuk duhet t’i shqetësojmë shpirtrat e tyre, të gjallë apo të vdekur. Përkundrazi, duhet të gjejmë ngushëllim në një objekt që na kujton diçka për ta”.
“- Cila është gjëja që pëlqen më shumë tek unë? Çfarë duhet të bëj unë për të më dashur? – Ji vetvetja, – tha Ipeku”.
“Lumturi do të thotë të jesh pranë personit që dashuron”.
“Jeta nuk ka lidhje me parimet, por me lumturinë”.
“Përpiqu që në fund të jetës, t’i lësh të gjithëve të kuptojnë se jetove një jetë të lumtur”.
Përpara emrit Gjergj Fishta gjithsesi na vjen për mbarë të shtojmë atë fjalëzën e shkurtër dhe parake “Átë”, se vërtet At Gjergj Fishta ka diçka të përhershme prej áti, jo vetëm si klerik dhe atë në letërsinë shqipe, por në vetëdijen e shqiptarit. Ai është përcjellës i amaneteve, i kumteve që vërshojnë nga goja e kombit, nga buzët e plagëve të shekujve dhe u bë dhe vetë zë i madh, i ngritur në lartësitë e një epike madhështore, me fuqinë e Mujsit dhe të Halyllit (kupto: Muji dhe Halili), legjendë moderne ndërkohë, me rrënjë shkëmbi, plot dije dhe urti, me dhembje dhe dufe, dhe befas shndërrohet në lirik, me një romantizëm po aq dhe europian, me një gjuhë të begatë dhe onomatopeike dimrash e lumenjsh.
Por Átë Gjergji ka dhe zemërim perëndish, që nga dashuria e kthen atë në satir(ik), ndoshta është satiristi më i mirë në Ballkan i kohës së tij. Dhe pikërisht këtu, kur ai është qortues, sikur bëhet i pakohë, madje ngjan fare aktual, sikur sapo e shkroi një satirë të tij dhe kjo e bën të ndihet i gjallë vazhdimisht.
Átë Gjergj Fishta është dhe veprimtar, patriot i flaktë, edhe nën pushtuesin, aspak bashkëpunëtor me të në dëm të vendit të tij, politikan i atdheut, deputet, akademik i kulturës italiane, duke e parë si kolonë të kulturës europiane. Ai ka qenë i propozuar dhe për çmimin “Nobel”.
At Gjergj Fishta është një fenomen në kuptimin metaforik, por dhe të zakonshëm, ai u bë shumë i njohur qysh në gjallje, deri dhe anekdotik. Kur dikush, p.sh., ka nisur të recitojë diçka prej tij, menjëherë të tjerë kanë ditur ta vazhdojnë, madje dukej sikur krijohej kori antik, t’i thoshe një varg, tjetri vargun tjetër, kështu ka ndodhur me të, nëpër popull, në teatër, por dhe në autobus, në pllaja, në kuvende burrash, por dhe në burg. Heshtja e dhunshme që e mbuloi gjatë diktaturës, e shoqëruar me denigrime e fyerje si askush, nuk e trandën monumentin e tij, ai, siç thoshin latinët, e sprovoi veten duke mposhtur jo dy vdekjet, por më shumë se aq. Vepra e At Gjergj Fishtës është qëndresë dhe kushtrim lirie, dinjitet kombëtar dhe shkëmb. Peizazhi më i fuqishëm i shpirtit shqiptar. Së bashku me pararendësin e tij Naim Frashëri, që ai e adhuronte, të dy së bashku ata sikur bëjnë dy kokat e shqiponjës në Flamurin tonë.
23 Tetor është datëlindja e tij. Natyrisht kritika letrare, studiuesit, shkrimtarët dhe jo vetëm ata, personalitete të vendit e kanë thënë e do të thonë fjalën për të, gurra fishtiane nuk shter, por për ta përkujtuar, ne kemi zgjedhur një veprim ndryshe, jo studim a vlerësime, por po pranojmë antologjinë e njërit prej lexuesve të tij më pasionantë, Zef Skanjeti, që vazhdimisht e hap Veprën e Atë Gjergj Fishtës, mrekullohet prej saj dhe dëshiron t’i japë lexuesit pjesë, që sipas tij, janë dhe aktuale, nga njëra anë për rëndësinë e kumtit e dritën udhërrëfyese dhe nga na tjetër si dukuri, pengesa, që duhen qëlluar me shigjetat e mprehta fishtiane. Thjesht për të ndjerë se sa i madh është, pazgjidhshmërisht me Shqipërinë dhe shqiptarët.
DREDHA E DJALLIT
Te satirat në “Anzat e Parnasit”, përveç të tjerave nënvizojmë fuqinë profetike të mirëfilltë si “Dredha e Djallit”, ku paralajmëron ardhjen e dreqit të kuq (komunizmit) në Shqipëri qysh më 1908, pra 9 vjet përpara se ai të triumfonte në Rusi, më 1917 (Shënim nga Z. S.)
……………………………………
E shka t’lânë kta kater ujq,
Qi i kercnohen shoqi-shojt,
Thonë, do t’dalë nji dreq i kuq,
Qi pa dhimbë do t’i a njesë thojt.
Edhe m’duket se për né,
Mor’ Shqyptarë, ky djáll i zi
Sa mâ para ka me lé,
Pse na dreqnit kem’ kojshi…
Qe, pra, tash se per ç’arsye
Punë n’Shqypni s’jet pa u shpërthye,
Due me thânë, pa u partallisun
Çdo pûnë mbarë qi t’jetë nisun
E kjo nâmë, ase kjo rrfé,
Ka me ngjatun, thom, ndër né
Dersá menden na t’a rrisim
E me dije mos t’a shndrisim;
Dredha e djallit, pse s’âsht tjetër
Si e kam kndue nder libra t’vjetër
Veç padija dhe krenija,
Qi shkojn njitë si trupi e hija.
SHKODËR, (RI)VARRIMI I GJERGJ FISHTËS
(nga libri “Thesaret e frikës” i poetit Visar Zhiti)
shkruar gegërisht
N’varrin e shembun dhe t’harruem u gjetën copra kocash, mbetun nga mëkati i pakalbun.
Çka mund t’bahet me to, o At’, veçse skeleti i dorës, që mbi dhe ka shkrue eposin e vdekun të t’gjallëve e nen dhe eposin e gjallë të t’vdekunve?
Baj Kryq dhe dora m’zhvishet, bien mishi, m’bahet skelet si dora jote e kombit. E mbushim me zanin tand si shpatën me millin. Se e gdhendëm drunin e fatit tonë. Ranë bujashka fjalësh n’varrin që s’do të vdesi ma. /KultPlus.com
UEFA ka vendosur që ndeshja e anuluar ndërmjet Linfieldit dhe Dritës t’i takojë ekipit irlandezo verior me rezultat zyrtar prej 3 me 0, ka konfirmuar Drita përmes faqes zyrtare në Facebook.
“Sapo jemi njoftuar nga organet e UEFA-se që shkalla e Apelit ka vendosur që ne kemi humbur ndeshjen në tavolinë me rezultat zyrtar 3:0”, ka thënë Drita.
Drita ka shprehur habinë për këtë vendim të UEFA-s.
“Një vendim i habitshëm nga një institucion siç është UEFA, një vendim me kaq nxitim dhe pa kërkuar asnjë sqarim apo deklaratë shtesë nga klubi jonë”, shkruan Drita.
Drita ka shtuar tutje se arsyeja kryesore e këtij vendimi është sepse ndeshja nuk ka mundur të shtyhet më shumë se tre ditë (14 gusht), e ku sipas vendimit thuhet se autoritetet zvicerane kanë kërkuar karantinim për 10 ditët në vazhdim për ekipin tonë, e “shumë arsye të tjera që nuk kanë të bëjnë me ne si klub por me organizatorin e këtij kompeticioni e që ka qenë vet UEFA, organizatore”.
“Jemi thellësisht të indinjuar nga ky vendim i papritur dhe subjektiv. Tani neve si klub na mbetet që këtë çështje ta dorëzojmë në duart e avokatëve për t’i ndjekur deri në fund të gjitha rrugët ligjore”, thuhet në njoftimin e Dritës.
Ky vendim i UEFA-s vjen pasi një lojtar i Dritës ka rezultuar pozitiv me koronavirus. /KultPlus.com
Thomas Mann (Lübeck, 6 qershor 1875 – Zürich, 12 gusht 1955), shkrimtar gjerman. Fitues i Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 1929. Tomas Mani, ky “poeta doctus” klasik, është ndër shkrimtarët, pa të cilët panorama letrare e shek.XX do të qe e mangët. Autori i romaneve Mali magjik, Budenbrokët, Doktor Faustus, i katërvëllimëshit Jozefi dhe vëllezërit e tij, etj, i novelave Tonio Krëger, Tristani, Vdekje në Venecia etj
Ju sjellim sot disa nga thëniet më të mira të Thomas Mann:
“Njeriu jeton jo vetëm jetën e tij personale, si individ, por gjithashtu, me apo pa vetëdije, jetën e epokës së tij dhe të bashkëkohësve të tij.”
“Një vetmitar, pa e pasur zakon të flasë për atë që ai e sheh dhe e ndjen, ka përvoja mendore të cilat janë njëkohësisht më intensive dhe më pak të artikuluara se ato të një njeriu të shoqërueshëm.”
“Një shkrimtar është dikush për të cilin të shkruarit është më i vështirë se për njerëzit e tjerë.”
“I gjithë interesi për sëmundjen dhe vdekjen është vetëm një shprehje tjetër e interesit për jetën.”
“Një art mjeti i të cilit është gjuha, gjithmonë do të tregojë një shkallë të lartë të krijimtarisë kritike, sepse të folurit në vetvete është një kritikë e jetës: ai emron, ai karakterizon, ai gjykon, kështu ai krijon.”
“Demokracia është përjetësisht humane, dhe përjetësia gjithmonë nënkupton një sasi të caktuar të një rinie të mundshme.”
“Sepse unë duhet të them se ne artistët nuk mund të shkelim në rrugën e Bukurisë pa Erosin që na jep shoqëri dhe e emëron veten si udhërrëfyesin tonë.”
“Miti është themeli i jetës; është skema e përjetshme, formula e devotshme në të cilën jeta rrjedh kur ajo riprodhon tiparet e saj të pavetëdijës.”
“Për hir të mirësisë dhe dashurisë, njeriu nuk do ta lërë vdekja të ketë sovranitetin mbi mendimet e tij.”
“Për të qenë të gatshëm kundër fatalitet, për të përmbushur kushtet e pafavorshme hijshëm, është më shumë se durim i thjeshtë, por është një akt agresioni, një triumf pozitiv.”
“Ka ndryshuar ndonjëherë bota nga ndonjë gjë përveç mendimit dhe automjetit të tij magjik Fjalë?”
“Arsyeja njerëzore ka nevojë vetëm të dëshirojë më fuqishëm se fati, dhe ajo është fati.”
“Unë e dua dhe i përulem me nderim Fjalës, bartëses së shpirtit, asaj që është mjeti dhe pluga e shkëlqyer e progresit.”
“Unë kurrë nuk mund ta kuptoj se si dikush nuk mund të pijë duhan, çka e privon një njeri nga pjesa më e mirë të jetës. Me një puro të mirë në gojën e tij një njeri është krejtësisht i sigurt, asgjë nuk mund ta prekë, absolutisht.”
“Nëse jeni i zotëruar nga një ide, ju e gjeni të shprehur atë kudo, ju madje e joshni atë.”
“Është një fakt i çuditshëm që liria dhe barazia, të dy idetë themelore të demokracisë, janë në një farë mase kontradiktore. Logjikisht, liria dhe barazia janë reciprokisht përjashtuese, ashtu si shoqëria dhe individi janë reciprokisht ekskluzive.”
“Dashuria, jo arsyeja, është më e fortë se vdekja.”
“Letërsia … është bashkimi i vuajtjes me instinktin për formën.”
“Dikush gjithmonë ka idenë se njeriu i trashë ka shëndet të përkryer dhe është i rëndomtë, dhe sëmundja e bën të rafinuar, të mençur dhe të pazakontë.”
“Opinionet nuk mund të mbijetojnë në qoftë se dikush nuk ka asnjë shans për të luftuar për to.”
“Sjellja e njerëzve ka kuptim, nëse ju mendoni për të sa iu përket qëllimeve të tyre, nevojave dhe motiveve.”
“I respektuar do të thotë i pasur, dhe i mirë do të thotë i varfër. Unë duhet të vdes në qoftë se dëgjoj familjen time të më quajë i mirë.”
“Vetmia lind origjinalin në ne, bukurinë e panjohur dhe të rrezikshme – poezinë. Por gjithashtu, ajo lind të kundërtën: çoroditjen, të paligjshmen, absurden.”
“Lufta është vetëm një ikje frikacake nga problemet e paqes.”
“Ne nuk i dashurojmë cilësitë, ne i dashurojmë personat, nganjëherë për shkak të defekteve të tyre, sikurse dhe të cilësive të tyre.” / KultPlus.com
Çfarë shkruante në veprën e tij voluminoze “Historia e Italisë” gazetari i famshëm Indro Montanelli në kapitujt mbi Zogun dhe prejardhjen e tij, karrierën, marrëdhëniet me italianët dhe pushtimin e ’39?
Gazetari i famshëm italian, i cili la gjurmë të pamohueshme me veprën e tij jo vetëm në Itali, e shtriu ndikimin e tij edhe në fusha të tjera, duke spikatur pikësëpari në atë të historisë, ku ai ishte në fragmente të saj edhe dëshmitar okular e përcjellës i eventeve më të rëndësishme të kohës. Një kolanë e ribotuar shpesh nga shtëpitë botuese më në zë në Itali, janë edhe vëllimet e “Storia d’Italia”, të cilat kanë njohur më vonë edhe bashkëpunimin e redaktimin profesional të Mario Çervit. E ndarë në shumë seksione e kapituj, sigurisht se për lexuesin shqiptar do të kishte vlerë të dihej vlerësimi që Montanelli jep për një periudhë shumë të diskutueshme të historisë sonë, siç është pushtimi italian, por edhe periudha e monarkisë. Si e shihte dhe çfarë shkruante Indro Montanelli (1909-2001) mbi ish-monarkun shqiptar dhe prejardhjen e tij e të parëve të tij, rrugën që ndoqi për të bërë karrierë, marrëdhëniet me italianët, fqinjët dhe popullin e vet, dhe në fund fare, edhe qëndrimin dhe lëvizjet në ditët dhe orët e fundit para se të niste pushtimi. Përgjigjet e këtyre pyetjeve i gjen të ndërthurura më shumë informacione e detaje të tjera në faqet 204- 215 të Volumit 8, Kapitulli XII, botim i “Rizzoli Editore”, Milano, 1982.
* *
Kundërshtari që Musolini kishte shpikur për t’iu kundërvënë një suksesi që po kishte Hitleri, ishte në fakt i biri i tij. Mbreti Ahmet Zog, siç thuhej, “nuk lindte.” Ai i përkiste një dinastie të bosëve të mafies Mati, që do të ishte pak Kalabria e Shqipërisë dhe emri i tij i vërtetë ishte Ahmet Zogolli. Zogollët, që pas pushtimit turk, ishin të parët që u konvertuan në fenë e Islamit, duke pohuar pushtetin e tyre mbi shtetin, falë mbrojtjes së pashallarëve që gradualisht qeverisën vendin në emër të Sulltanit.
Ata zotëronin disa dele, disa kullota dhe një grup vrasësish, të cilët i përdornin për të mbështetur sundimin e tyre të vogël feudal dhe për të përshtatur sipas dëshirës së tyre, gjakmarrjet dhe luftën guerile, endemike në mesin e atyre barinjve malorë, por nuk rezulton se ndonjë prej Zogollëve kishte pohuar dëshirën për të shtrirë ndikimin e tij mbi atë kanton të papërfillshëm, të banuar nga disa dhjetëra mijëra burra, pothuajse të gjithë analfabetë, të lidhur me mjaft fanatizëm me autonominë e tyre, të cilën turqit e respektuan. Zakonisht ata lindnin, jetonin dhe vdisnin atje, midis deleve dhe minareve, duke bërë gjueti, duke bërë intriga dhe duke administruar një drejtësi arkaike nën pemën e fikut. Ahmeti ishte ndoshta i pari i dinastisë së tij që e zgjeroi horizontin e ambicieve të tij.
Lindur në vitin 1895, ai studioi në Akademinë Ushtarake në Kostandinopojë, por kur Shqipëria kaloi, pas luftërave ballkanike, nën sundimin e Vjenës, ai u transferua në ushtrinë austriake – mjeti që përdorte Perandoria Habsburge për të themeluar elementet e ndryshme kombëtare nga të cilat ishte përbërë – dhe atje ai u bë kolonel. U shkarkua në fund të Luftës së Parë Botërore dhe mbeti pa gradë, pa para dhe pa flamur, ai u kthye në Mat, por nuk u mësua me vegjetimin si paraardhësit e tij.
Regjimi demokratik që kishin vendosur traktatet e paqes në vend ishte, sigurisht, një mashtrim, por lejonte këdo që të bënte përpara. Ahmetit i mjaftoi emri për t’u bërë deputet i rrethit të tij dhe për të hyrë kështu në lojën e pushtetit. Ambicia e tij ishte servirur mirë nga trashëgimia dinake e Zogollëve, me një guxim të shquar dhe një mungesë totale të skrupujve. Para të tridhjetave ishte ministër i Brendshëm, një pozicion të cilin ai e përdorte për të shumëfishuar miqtë, t’i binte në qafë armikut dhe menjëherë më pas të instalohej si President i Këshillit. Kur, në zgjedhjet e ardhshme, ai u mund nga liberali Fan Noli, nuk pranoi t’i lëshonte atij vendin dhe u përpoq të vendoste diktaturën. Ai nuk pati sukses për shkak të mungesës së forcave brenda dhe mbështetjes nga jashtë, dhe i detyruar të shpëtonte veten, u largua për në Beograd. Tashmë, e dinte se askush nuk mund të sundonte në Shqipëri përveçse si prokonsull i një fuqie të huaj dhe në mesin e atyre që pretendonin për dominim – Italia, Greqia dhe Jugosllavia – ndoshta ai mendonte se kjo e fundit ishte më e besueshme. Kështu duhej të dukej dhe ai me jugosllavët, të cilët hezituan shumë për ta bërë “ushtarin” e tyre. Kur më në fund e vendosën, Nikola Pashiç – një lloj Gioliti serb (kryeministër italian) dhe njohës i mirë i njerëzve – duke vënë mbi tryezë një numër qesesh plot sterlina floriri, duke i shtyrë drejt tij, e pyeti: “Dhe tani Zog, sa kohë do të duhet për të marrë para nga italianët dhe të kalosh në anën e tyre”? – Ndoshta Zogu nuk e bëri atë që kishte parashikuar Pashiç vetëm për sterlinat. Si mbrojtës, italianët kishin më shumë pikë se jugosllavët në avantazh: Së pari, nuk kishin vazhdimësi territoriale me Shqipërinë, gjë që i jepte më shumë pavarësi kësaj të fundit, pastaj ishin më në gjendje ta ndihmonin nga ana ekonomike dhe në fund, pas ardhjes në pushtet të Musolinit, dhanë dëshmi të një aktivizimi diplomatik shumë më agresiv dhe të vendosur. Megjithatë, pasi kishte përvetësuar sterlinat e Pashiçit, Zogu përvetësoi dhe ato të Musolinit, të cilit pak i interesonte kjo; vetëm të jepte disa garanci të suksesit, dhe nga kjo pikëpamje nuk ishte e gabuar. Me ushqim të dyfishuar, Zogu e rimori shpejt pushtetin dhe u kurorëzua dhe President i Republikës, por kjo nuk i mjaftoi. Tri vjet më vonë, ai mori një kurorë të vërtetë, atë të Mbretit, që Musolini ia dha në shkëmbim të një deklaratë besnikërie të pavdekshme ndaj Italisë, që e shqiptuar nga një njeri si Zogu, vlente aq sa vlente. Musolini u tregua naiv dhe kjo u pa menjëherë. Pasi u bë mbret, Zogu e mori seriozisht mbretërimin, duke marrë qëndrimet e pavarësisë dhe duke treguar shpesh arrogancë, që dikur rrezikuan të provokonin një krizë në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe në vitin 1934, Zogu refuzoi të rinovonte traktatet tregtare me Italinë dhe nënshkroi një me Jugosllavinë. Këto veprime u justifikuan pjesërisht nga politika e Romës që e kryente detyrën e saj si “mbrojtëse” shumë keq.
Ndihmat e mëdha më pas përfunduan duke shtuar llogaritë private të Zogut dhe të preferuarve të tij, por edhe ato ndërhyrëse dhe paternaliste. Kjo politikë dukej e bërë me qëllim që të fyente ndjenjat e një mbreti si Zogu që pa tradita dinastie, u përpoq të kompensonte me gjeste krenarie kombëtare dhe shkëlqimin e një oborri operetash. I fshehtë dhe dyshues, Zogu e konceptonte politikën si një intrigë pallati, në të cilën, megjithatë, ishte një mjeshtër. Rrallë shfaqej në publik, kërkonte nga të gjithë, madje edhe nga diplomatët italianë, duke filluar nga kreu i misionit, ministri Jakomoni, të respektonte një ceremonial të përpiktë, ku fliste pak dhe nuk hapej me askënd. Ndikimi i vetëm që ushtronte ishte ai ndaj familjes dhe në veçanti ndaj motrave, që prej tij kishin marrë gradën e gjeneralëve dhe të veshura me uniformë, luanin në pallatin mbretëror motin e mirë dhe të keq. Ato ishin anti-italiane edhe kishin frikë se Roma do t’i jepte mbretit një grua italiane që do t’i shpronësonte.
Në të vërtetë, ky ishte projekti që Roma kishte, dhe për ta realizuar, dikush i kishte sugjeruar gjithashtu të “sakrifikonin” për Zogun një princeshë të linjës së gjakut mbretëror të Savojës, por nuk ishte gjetur ndonjë aq e gatshme dhe më pas ishte kthyer tek një baroneshë e cila, megjithëse italiane, kishte prejardhje të drejtpërdrejtë dhe mbante emrin e kampionit më prestigjioz të nacionalitetit shqiptar: Skënderbeut, por për Zogun kjo ishte një masë e përkohshme, me krenari e refuzoi atë dhe për të ripohuar pavarësinë e vet, dëshironte të bënte një zgjedhje të tijën. E bëri mbi një fotografi ku ishte një vajzë hungareze, që ia kishte propozuar sekretari i tij. Zogu e refuzoi vajzën, por e mbajti fotografinë dhe e ftoi në Tiranë origjinalen: Ajo ishte Geraldine Apponyi, trashëgimtare e një familjeje të madhe hungareze e rënë nga vakti; nuk kishte asgjë përveç emrit dhe një fytyre të ëmbël, e njëjtë edhe në karakter. Dasma u mbajt më 28 nëntor 1937, në njëzet e pesë vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë ( Shënim i përkthyesit: këtu, me shumë gjasa, kemi të bëjmë me një lapsus të vetë autorit, gjë e cila mund të ketë ardhur nga mosthellimi apo neglizhenca e tij ndaj këtij detaji historik, pasi dihet tashmë se dasma në fjalë u zhvillua në prill 1938) dhe ishte një tjetër burim i fërkimit, këtë herë më të thellë me Italinë. Jo vetëm për shkak se Zogu kishte refuzuar një nuse italiane, por edhe për kundërshtitë e vrazhda që iu bënë, veçanërisht nga motrat gjenerale, të dy përfaqësuesve italianë, të cilët ishin Çiano për qeverinë dhe Duka i Bergamos, i Shtëpisë së Savojës.
Ishte mëse e kuptueshme se: Kriza, për arsye të parëndësishme, ndodhej tashmë në ajër, por ka shumë mundësi që edhe acarimi i Cianos, t’i ketë dhënë një shtysë përshpejtimit të saj. Por as Zogu, në mungesë të një ideje, ose për shkak të krenarisë, nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë. Ndoshta ai mendonte se Italia nuk mund të bëjë pa të dhe sigurisht, u mbështet dhe nga të motrat për këtë bindje. Geraldina nuk mund t’i ofronte asnjë ndihmë, qoftë edhe me anë të këshillimit. Shumë e re në moshë (ajo ishte njëzet vjet më e re se ai) dhe pa përvojë, ajo e gjeti veten krejtësisht të papërgatitur për të luajtur rolin e vështirë të Mbretëreshës. Për më shumë, ajo ngeli menjëherë shtatzënë dhe burri i saj, edhe pse dukej shumë i dashuruar me të, vepronte ende si një mysliman, i cili nuk i jep rëndësi fjalës së gruas. Por, sipas një tjetër hipoteze, ai kurrë nuk kishte pasur ndonjë iluzion në lidhje me stabilitetin e fronit të tij, përkundrazi, Zogu donte t’i jepte fund aventurës së tij në mënyrën më të hijshme, duke e shtyrë pavarësinë deri në sfidën e radhës. Ndoshta po përgatiste kthimin e tij në momentin kur rregullat e lojës europiane të kishin ndryshuar. Megjithatë, edhe pse i mungonte etika, atij nuk i mungonte karakteri.
Në fakt, u bë mëse e qartë kur goditja gjermane në Çekosllovaki i dha Ciano-s një mundësi për të kryer planin e aneksimit të Shqipërisë, plan që “vlonte” prej kohësh. Ministri i Jashtëm kishte marrë urdhra që jugosllavët t’i kishin “duart e lira” për të vepruar në Shqipëri, sipas klauzolave të fshehta të traktatit të vitit 1937: Musolini kishte marrë në dorë raportet që e tregonin Shqipërinë si një vend “të pasur, të pasur me të vërtetë” dhe parashikonin një ndërhyrje të mundshme gjermane në atë zonë, për aq kohë sa kjo ndërhyrje mbikëqyrej nga italianët. Në këto përshkrime, “sociale” të Cianos, nuk mungonin edhe idetë anti-Zog. “Ky popull, ku kushtet e mjerimit në të cilat jeton, na sjell ndërmend fshatrat e largëta kineze përgjatë Jang-Ce…. “120,000,000 lirat e mjerueshme, të cilat përbënin buxhetin e shtetit, përdoreshin për blerjen e diamanteve, rrobave, makinave që motrat e Mbretit i reklamonin me pamaturi të vazhdueshme”. Falë kësaj taktike, Ciano, në maj të vitit ’38, arriti të bindte Duçen, të jepte aprovimin e një përgatitje të përgjithshme.
Ndërkohë, delfini i Duçes, i cili ishte jashtëzakonisht i pamatur në zgjedhjen e taktikave të politikës së tij, parashikoi edhe vrasjen e Zogut. Më 27 tetor të vitit 1938, ai vuri në dukje në ditarin e tij: “Aksioni fillon me vrasjen e Mbretit (duket se do jetë detyrë e Këshilltarit Koçi përballë një tarife prej dhjetë milionësh), lëvizjet përgjatë sheshit, udhëzimi i bandave besnike ndaj nesh (pothuajse të gjithë komandantëve, përveç atyre të KMIA), lutje Italisë për ndërhyrje politike dhe ushtarake, nëse është e nevojshme, ofrimi i kurorës së Mbretit dhe aneksimi i mëvonshëm. Jakomoni siguron se çdo gjë mund të bëhet në bazë të rregullave, me një muaj paralajmërim. “Një manovrim i tipit ‘Anschluss’ me pak fjalë, si aneksimi i Sudeteve. Deri në atë moment, Ciano kishte reaguar me iniciativën e vet. Ekzistonte tashmë një duel mes Cianos dhe Zogut, pra Musolini do e bazonte aprovimin ose pengimin e aneksimit, në përputhje me stadin e ngjarjeve në rend ndërkombëtar. Rënia e Stojadinoviçit, një mik i madh i Cianos, në Jugosllavi, kishte komplikuar akoma edhe më shumë situatën. “Duart e lira”, nuk mund të vepronin si më parë dhe Zogu e dinte mirë këtë. Ideja e vrasjes se Mbretit, ishte venitur.
Indro Montanelli: Shqipëria një dhe njëmijë
Gazetari i mirënjohur italian Indro Montanelli e kishte patur që herët në fokusin e tij vendin tonë, të cilin në kohën e Mbretërisë edhe e ka vizituar. Prej mbresave të asaj vizite lind libri i tij i njohur “Shqipëria një dhe njëmijë” (1939)një tekst me shumë vlera historike qëështë përkthyer në shqip nga Aurel Plasari. Ja një fragment nga ai libër:
“Kështu filloi procesi i kthimit përbrenda të shoqërisë shqiptare dhe i mbetjes djerrë të tokës: dy plagët kundër të cilave Shqipëria lufton ende sot. Kështu sidomos filloi ajo dukuri shkallmimi kombëtar, me kristalizimin e klasave në kasta, me paralizimin e trafiqeve dhe të çdo shkasi tjetër qarkullimi, qarkullimi gjithçkaje: idesh, prodhimesh bujqësore, kulture, shpresash. Turqia – me shkathtësi nga këndvështrimi i saj, që ishte këndvështrim i një sunduesi absolut ushtarak – e ndali historinë shqiptare në feudalizmin mesjetar, nga i cili ajo sa po dilte mundimshëm.
Turqia nuk përbëri, ajo shpërbëri. Nëpërmjet joshjes me karriera ushtarake, ajo i thithi vendit elementët më jetësorë. Klasën e vjetër drejtuese e zëvendësoi me një të re, vasale të Stambollit, e përforcoi atë me privilegje, e ndihmoi për konstituimin e latifondit më ogurzi, e bëri të parrezikshme për pushtetin qendror, duke ngjallur dhe ushqyer në gjirin e saj xhelozi dhe rivalitete familjare, duke ngritur një bej kundër një tjetri dhe të gjithë kundër pashait. Bujqësia birej, e vrarë nga prona madhe e tokës dhe nga varfërimi demografik; atë e vinte poshtë blegtoria. Tregtia me jashtë mori teposhtjen; brenda vendit qarkullimi ndeshte në pengesat e feudalëve të vegjël të fuqizuar, në mungesën e rrugëve dhe të mjeteve të komunikimit që askush nuk kishte interes të ndërtonte. Një zotëri në qendër të kardashllarëve të vet, mandej një tjetër zotëri në qendër të të tjerëve kardashllarë të vet dhe kështu me radhë, të shumëzuar për njëqind ose për njëmijë: dhe mes këtyre zotërinjsh dhe mes këtyre kardashllarësh nuk kishte marrëdhënie të tjera veç luftërave mbas pritash që i kundërvinin njërin ndaj tjetrit edhe që i thellonin shkepjet duke çelur urrejtje dhe duke lënë trashëgimi gjaku.
Hera-herës ndonjë prej këtyre bejlerësh dhe pashallarësh përftonte një program kryengritjeje kundër Stambollit dhe politike të pavarur. Por këto sipërmarrje provoheshin për ambicje vetjake të ndonjë prijësi guximtar, jo në emër të një kryengritjeje çlirimtare për rikonstituimin e njësisë dhe të pavarësisë së atdheut. Nuk ishin dukuri Ringjalljeje, por Rilindjeje, një Rilindje më shumë e errët se e shkëlqyer, e luajtur prej prijësish gjenialë, të veçuar, që kur e kur mëtonin ta thjeshtonin vendin në një despotat vetjak,Valentinë me tre shekuj vonesë, sikurse tre shekuj e vonuar ishte edhe jeta politike shqiptare.
Më i famshmi qe Aliu i Tepelenës, pasha i Janinës, që në një çast ia pati dalë të bashkonte në pushtetin e tij Greqinë, Epirin, Tesalinë dhe Arbërinë jugore e qendrore. Tejmase i zgjuar, ushtar guximtar dhe mizor, diplomat pa skrupuj, mecenat i shkëlqyer mbas mënyrës së vet. Mbaroi në moshën shtatëdhjetetetëvjeçare (më 1824), me kokë të prerë nga Mahmudi II që asgjësoi tek ai rebelin jetëshkurtër të fuqizuar. Ndërsa në veri, në viset e Shkodrës, Mahmud Bushati dhe i biri Kara Mahmud dhe së fundi i nipi Mustafa qenë një dinasti komandantësh sypatrembur dhe që të tre përfunduan të vrarë.
Mirëpo qenë aventura dhe aventurierë, jo kryengritje kombëtare: bëma teke, mbështetur prej bandash në rastin më të mirë besnike ndaj kreut të tyre si person, jo ndaj një ideje, kur nuk ishin mercenarë vënë në lëvizje vetëm nga dashuria për paratë. Mandej ishin gjithnjë të paktë, një dorë trupash me pagëtyrë, ndërsa e shumta i qëndruan besnikë pushtetit qendror edhe si detyrim fetar, ngase tanimë rezistenca fetare qe shpartalluar, e thjeshtuar në ndonjë bastion të paarritshëm malësor të veriut, ndërsa muslimanizmi merrte dhenë. Krerët rebelë ishin përjashtim. Rregulli ishte besnikëria ndaj Portës, ngjitja e shkallinave në postet e larta të drejtimit të administratës dhe ushtrisë turke: Shqipëria i dha Stambollit tetëmbëdhjetë vezirë të mëdhenj, të parin nënmbret të Egjiptit, Mehmet Aliun, dhe një ajkë trupash fort të bukura. Kjo besnikëri u dokumentua në çastet tragjike të teposhtjes turke, në fund të shekullit të kaluar, gjatë luftërave kundër rusëve: atëherë shqiptarët rendnin e luftonin për Gjysmëhënën. Edhe qe ky qëndrim që i shtyu Fuqitë nënshkruese të Traktatit të Shën Stefanit të 1878-s, i cili gjithsesi ishte mjaft i rëndë për Stambollin, t’ia njihnin Turqisë pjesën më të madhe të truallit shqiptar disa krahina të të cilit iu caktuan Malit të Zi, Serbisë dhe Bullgarisë”.
Këshilli rajonal i Abruzzos votoi sot njohjen e Arbërishtes si gjuhë zyrtare të pakicave në këtë rajon të Italisë.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta në facebook shkroi se i shpreh “Mirënjohje kryetarit të bashkisë arbëreshe të Villa Badessa, Simone Ballozo që inkurajoi dhe mbështeti konkretizimin e këtij vendimi tepër të rëndësishëm. Meta theksoi më tej se është e rëndësishme mbrojtja e promovimi i kësaj trashëgimie të jashtëzakonshme kulturore arbëreshe, njëherësh dhe pasuri e përbashkët e dy vendeve. “Me kënaqësi të madhe mora vesh lajmin se Këshilli Rajonal i Abrucos votoi sot njohjen e arbërishtes si gjuhë zyrtare të pakicave në këtë rajon të Italisë. Mirënjohje Kryetarit të Bashkisë Arbëreshe të Villa Badessa, z.Simone Ballozo që inkurajoi dhe mbështeti konkretizimin e këtij vendimi tepër të rëndësishëm, që i forcon edhe më shumë marrëdhëniet e shkëlqyera të Shqipërisë me Italinë. Është me rëndësi që trashëgimia e jashtëzakonshme kulturore arbëreshe, kjo pasuri e përbashkët e dy vendeve dhe popujve tanë, të mbrohet dhe promovohet.Gjuha arbëreshe që flitet prej shekujsh duhet të vazhdojë të jetojë, ndaj ne mirëpresimin njohjen e saj si gjuhë zyrtare të pakicave edhe në rajonet e tjera të Italisë ku jetojnë arbëreshët.”, shkroi më tutje Meta.
Kol Rodhe (stërgjyshi) u lind në vitin 1883, në një familje të thjeshtë samarpunuesish në Korçë. Që në moshë të re u ndoq nga xhonturqit për idetë e pavarësisë. Në vitin 1902, xhonturqit e arrestojnë dhe e mbyllin në burgun e Himarës. Del dhe mbërrin në Odesë e shkon deri në Siberi ku mbledh ndihma për familjen e Papa Kristo Negovanit të therur nga shovinistët greke. Në vitin 1908 ndodhej ne ShBA, ku ngriti shoqërinë ‘Besa-Besë’ si kryetar i saj dhe punoi për ngritjen e degëve në të gjithë ShBA-në. Në shoqatën ‘Vatra’ ishte kryetar i Pleqësisë.
Ai ishte një ndër organizatorët dhe pjesëmarrësit në meshën e parë në gjuhën shqipe që mbajti Fan Noli në Kishën Shqiptare të Shën Gjergjit në Boston.
Në vitin 1910, kthehet në atdhe bashkë me një grup të shqiptarëve të Amerikës si vullnetarë të Komitetit Shqiptar ‘Liri a Vdekje’.
Së bashku me patriotë të shquar organizojnë punën dhe luftën për fitoren e pavarësisë pas pesë shekujsh robëri. Ka marrë pjesë në çlirimin e shumë krahinave të Shqipërisë nga Xhonturqit, duke u burgosur dhe plagosur. Në vitin 1914, emërohet shef i xhandarmërisë në Korçë. Shok armësh me Spiro Ballkamenin, Themistokli Gërmenjin, Sali Butkën etj..
Kol Rodhe zgjidhet deputet i Parlamentit të parë shqiptar në 21 prill 1921. Kol Rodhën populli i Korçës e zgjodhi disa herë deputet gjatë qeverisjes mbretërore ku ai u emërua në poste të rëndësishme si prefekt në Shkodër, Berat, Gjirokastër dhe Fier. Pas përfundimit të luftës, Kol Rodhe, i moshuar, i lodhur nga luftërat për pavarësi dhe liri, nga burgjet, nga përpjekjet e përkushtimi për çështjen mbarëkombëtare shqiptare, arrestohet me motivacionin e marrjes pjese në ‘Grupin e Rezistencës’ dhe detyrohet që në seancën e pestë të pseudogjyqeve të popullit të japë llogari si ‘Armik i Popullit’. Kur kryetari i gjyqit e pyet, ai i përgjigjet burrërisht pa pranuar asnjë akuzë.
Kryetari: I pranon akuzat?
Kola: Asnjë.
Kryetari: S’ke pasur lidhje me tradhtarët?
Kola: Jo.
Prokurori: Asnjë faj s’ke bërë?
Kola: Asnjë. Prokurori:
Prokurori: Atëherë të paskan sjellë kot këtu (qesh). Gënjen Kol Rodhe. Ti thua që rinia nuk duhet të merret me politikë. Ti ke qenë Inspektor i Ministrisë së Brendshme… Nuk ke përkrahur lidhjet tona me Jugosllavinë. Kërkoje Autonominë e Kosovës. Po, o Ujk plak, po Kol Rodhe…Ti deshe Regjencën e Mehdi Frashërit, deshe ndërhyrje të jashtme, se gjendja qenka e errët…Deshe shpërndarjen e ushtrisë, mbrojtjen e atdheut… deshe qeveri koalicioni me shumë partira, deshe të prishësh unitetin politik e popullit shqiptar…
Ishte koha kur diktatori Enver Hoxha dekorohej me ‘Urdhrin e heroit të popujve të Jugosllavisë’ kurse patrioti Kol Rodhe, i mbështjellë me flamurin shqiptar arrestohet, burgoset, fyhet dhe dënohet me 30 vjet burg politik ku edhe ndërroi jetë nga torturat dhe uria në ferrin e Burrelit, në qelinë nr. 6, në vitin 1949.
Historia nuk harron, dosjet e krimit i gjen dhe në shtypin e shkruar nga retrospektiva e deri sot. Ai la pas familjen e tij, bashkëshorten Ollgën dhe pesë fëmijë: Sofikan, Dafinan, Bardhylin, Elenicën dhe Romeon të cilët u përndoqën në vitet e diktaturës, por mbetën njerëz që transmetonin vlera fisnike, qytetarie dhe atdhedashurie.
Sot jetojnë nipërit dhe mbesat e tij të cilët kaluan në kalvarin e persekutimeve, ka nëntë nipër dhe mbesa, 15 stërnipër dhe stërmbesa. Emrin e Koli Rodhes do e ndeshni kudo ku flitet për çështje shqiptare, ku luftohet për Liri, Komb e Mevetësi. Koli Rodhe ka qenë një patriot sikurse e citonte shkrimtari Andon Frashëri në veprën me të njëjtin titull. Ai ka qenë mëmëdhetari që jetoi në tri epoka: Rilindje, Pavarësi dhe Gjenocid komunist. Kol Rodhe do të mbetet i paharrueshëm në altarin e atdhetarizmit.
Fakt tjetër: poeti i pushkatuar i Librazhdid, Genc Leka, ka qenë dhëndri i Koli Rodhes, bashkëshorti i vajzës së tij, Elenica, e cila ka ndier mbi supet e saj kalvarin e persekutimit edhe të babait, edhe të bashkëshortit. Respekte për këta kolosë të mendimit të lirë! /Materiali është nga libri “Udhëve të historisë, të pathëna për shqiptarë te famshëm”, vëllimi 1, i autores Klara Çela (Mitrushi) /KultPlus.com
Televizioni Publik gjerman “ZDF” ka raportuar për situatën me koronavirus në Kosovë.
Sipas këtij raporrtimi situata me COVID ka dalë jashtë kontrollit.
Mediumi gjerman në raportimin e tij thekson se nga afër 2 milionë banorë sa ka Kosova, ndodhin çdo ditë nga 12 vdekje nga COVID-19.
Raportimi shton se ngritja e numrit të të infektuarve dhe të vdekurve vjen si pasojë e çlirimit të masave anti-COVID nga qeveria në fillim të qershorit.
“ZDF” po ashtu përshkruan edhe gjendjen e rëndë nëpër spitale, duke theksuar se ka mungesë të respiratorëve.
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi e ka përmbyllur Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, me dy pjesëmarrje shumë të rëndësishme virtuale, shkruan KultPlus.
Ministrja mori pjesë në debatin “Debat n’shilte” me temën Rinia & Shëndeti Mendor organizuar nga Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore në bashkëpunim me MKRS.
Në këtë takim virtual ajo përshëndeti pjesëmarrësit dhe theksoi që është jashtëzakonisht e rëndësishme të diskutojmë për shëndetin mendor dhe ta luftojmë de stigmatizimin, sidomos tek të rinjtë.
“Situata me Covid-19 është aq e paprecedentë sa që na ka gjetur të gjithëve pa dallim në situata pasigurie e shqetësimi të vazhdueshëm. Kemi merak për shëndetin personal, atë të familjarëve e të rrethit, prandaj duhet të jemi sa më të hapur dhe të ndajmë eksperiencat personale, si mënyra e vetme që mundëson tejkalimin më të lehtë të kësaj krize të shumëfishtë. Problemet duken gjithmonë më minore kur i ndajmë me të tjerët” – theksoi ministrja Dumoshi.
Aktiviteti i dytë virtual ku ministrja mori pjesë ishe takimi online me një grup të rinjsh, organizuar nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë. Gjatë kësaj bisede u diskutua për reflektimet e të rinjve në lidhje me pandeminë Covid 19, (periudha para dhe pas pandemisë) nga këndvështrimi i të rinjve për këtë situatë.
Ministrja ndau këtu edhe njëherë gatishmërinë e saj dhe të ministrisë që ajo drejton duke theksuar se është dhe do të vazhdojë të jetë sa më pranë të rinjve për përballimin e kësaj krize, qoftë duke i mbështetur me grante dhe projekte përmes Ministrisë, qoftë duke qenë derë e hapur për të gjitha shqetësimet dhe pasiguritë që ata mund të kenë. /KultPlus.com
Në faqet e kësaj reviste (Shejzat – v.j.), vjeti X – 5-6 (1966) 180-189 – patëm pru dymbëdhetë letra të Ndre Mjedjes, dërgue nga Polonia albanologut Gustav Meyer në Graz. Aty Poeti ynë na del në nji dritë të re, sepse na paraqitet për të parën herë si letërshkrues me nji stil elegant në gjuhën italishte, ku flet për vete, për gjuhën shqipe e vendin e vet me nji dashuni të flakët të nji Rilindasi së vërtetë. Ky stil i natyrshëm na zbulon Mjedjen në nji prizëm real të karakterit të tij të pjekun dhe të matun.
Adhurimi që ka për Meyer-in si mjeshtër nuk e pengon që me nji ton nderues t’i shprehë anët e dobta dhe lajthimet, në të cilat kishte ra albanologu i përmendun. Qëllimi i Mjedjes asht që Meyer-i të mbështetej në gjurmimet e veta në landë të sigurtë të shqipes, prandej e dënon fjalorin e Rossi-t, që Meyer-i kishte shfrytzue. Mjerisht nuk i kemi letrat e Meyer-it: kushdi ku kanë mbarue gjatë udhëtimeve të shumta të Mjedjes jashtë dhe mbrenda Shqipnisë.
Shihet qartë se dhe Meyer-i diktoi në Poetin tanë nji mende të mprehtë dhe njeri me nji intuicion të sigurtë. I përgjegji menjiherë; i dërgon për këndim, librat e bibliotekës së vet private, gja që nuk ndodh lehtas ndër dijetarë.
Letra e fundit e Mjedjes nga Krakovia mban datën e 16 marcit 1893. Pata mendue (shif Shejzat 5-6, 1966, fq. 181, 189) se ky letërshkëmbim muer fund me këtë rasë. Tue pasë përduersh tashti të gjitha letrat, dërgue Gustav Meyer-it nga gjuhëtarët e kohës, sidomos shum me randësi ato të albanologut Holger Pedersen dhe të Rilindasve shqiptarë, si të K. Kristoforidhit, të Mitkos, etj., që do të dalin veçmas për shpejti si landë historie shkencore pranë “Südost Institut” të München-it, gjej tash edhe tri letra tjera të Mjedjes, nji nisë nga Görz dhe dy: nga Portorè afër Fiume-s.
Në letrën e parë Poeti i lyp të falun dijetarit për heshtjen e gjatë dyvjeçare. Poeti nuk tregon se për ç’arësye nuk ka shkrue tash dy vjet. Ngjan se gjatë kësaj kohe Mjedja nuk ka pasë kohë të mirret me çashtjen e shqipes. Natyrisht ai nuk përmend gja nëse ka pasë vështirsi në rrugën e jetës që kishte marrë. I kënaqun asht Poeti se i dërgon Meyer-it si dhunti kopjen e parë të fjalorit të Jungg-ut, dërgue nga Shkodra në fashikuj e që ende nuk gjindej në shitje. E siguron se asht i saktë në dhanjen e trajtës së vërtetë të fjalëve shqipe si dhe kuptimit e se nuk mund të krahasohej me fjalorin e Rossi-t, që Poeti e mban të pasigurtë. Ankohet se “ata zotnitë” atje në Shkodër mbështeteshin gjithnji në tradicion e se nuk doshin të pranoshin disa shenja të grafisë së Meyer-it. Mjedja, si dihet dhe nga aktet e Kongresit të Monastirit, asht kundra përdorimit të dy shkrojave për nji tingull: ai ndjek parimin, që sot kanë disa gjuhëtarë modernë, se çdo shenj grafik duhet të përfaqsojë nji tingull ase si thohet sot nji fonem. Asht kundra prandej që š të shkruhet me dy germa sh si dhe zh në vend të ž etj.
Poeti nuk din se çka ka dalë mbi gjuhën shqipe ndër rrethet e gjuhëtarëvet të huej qysh prej korrikut të 1893. Lajmron se posë librave dërgue dy vjet përpara as në Romë dhe në Shkodër nuk ka dalë ndonji gja e re. A mund ta ketë këputë letërshkëmbimin me Meyer-in sepse nuk ka pasë t’i komunikojë ndoj gja të re?
Në letrën e dytë Mjedja lajmon se ka ndrrue prap vend: prej Görz (Gorizia) asht transferue në Portorè, në kështjellin e Frangipane ku jezuitët kishin nji shkollë dhe nji kuvend. Në këtë kolegjë Mjedja asht profesor i filozofisë. Ngjan se asht i kënaqun dhe i impresionuem prej bukurisë së këtij vendi. Bora që Poeti e quen Buro, sigurisht si alusion i etimologjisë së Meyer-it (EW. fq. 55), shkruen se asht i tëmerrshëm, kur ai fryn. Ka shpresë se vjetin e ardhshëm do të botojë diçka në gjuhën shqipe “natyrisht, thotë, tash për tash gjithnji sende të divotshme”. Sigurisht Mjedja në këtë kohë rrekej të shkruente poezi mbi historinë e lashtë të Shqipnisë dhe popullin ilir, në trajtën e Lissus. Lajmron se në Shkodër ipeshkvijt shqiptarë doshin të themeloshin nji akademi studimesh shqiptare e se propozimi kishte ra mbi tê që ta drejtonte. Nuk e ep arësyen pse ky projekt ishte shkue “tutto a fumo”. Sigurisht fjala asht për nji shoqni si ajo e Bashkimit, në të cilën Mjedja ma vonë pat nji rol me randësi.
Letra e tretë e dërgueme gjithnji nga Portorè përmban nji falnderim të përzemërt për dërgesën e Meyer-it të vëllimit të IV të Albanesische Studien. Shkruen se e ka këndue veprën disa herë. Me mendësinë e nji dijetari të vërtetë nuk rrin tue lëvdue auktorin, por në nji mënyrë të njerzishme ven në dukje se në Shkodër nuk thonë dretš (dreç), por dreq. Mjedja mendon se ç e q ortografikisht ngatrrohen në Shkodër, por e vërteta asht se ç e q në shum të folme të kësaj krahine janë shkri ase kanë ra në nji fonem (q ase ç), prandej nga kjo rrjedh se dhe në shkrim ngatrrohen germat në fjalë.
Mjedja ven me të drejtë në dukje se prania e o-s në vend të u-s asht nji karakteristikë e të folmeve lindore gege: në Prizrend thohet odhë në vend të udhë si dhe dokem në vend të dukem. Trajta të tilla djalektore kanë shty dhe Jokl-in të bijë përcaktime të gabueshme mbi shtresat e fjalëve latine në shqipe (Balkan-Archiv, IV 196), që Çabej mandej me të drejtë e kundërshton tue pru faktin se kemi të bajmë me varianta djalektore (krh. Zur Charakteristik der lateinischen Lehnwârter im Albanischen, në “Revue de Linguistique”, VII – 1 (1962) fq. 164). Mjedja i propozonte Meyer-it që në rasë se donte të bante nji botim të dytë të fjalorit etimologjik, ishte gadi t’i dërgonte dhe informata tjera mbi të folmet e Shkodrës, sepse trajtat e kësaj ane nuk kanë qenë të riflektueme drejt nëpërmjet të ortografisë së Propagandës në përdorim.
Poeti lyp lajme prej Meyer-it dhe rreth levizjes kulturore të arbreshëve të Kalabrisë me në krye De Radën. I ka ra në vesh se atje ishte themelue nji shoqni për zhvillimin e studimeve rreth gjuhës shqipe. Albanologu Meyer i ndoq kambë për kambë të gjitha levizjet shqiptare të Rilindasve tonë. Mun ai u ba vetë trumbetues i këtyne përpjekjeve tue shkrue dhe në gazeta mbi gjallninë e intelektualëve shqiptarë. Poeti ynë don që dijetari austriak të vejë dorë dhe të mbarojë nji gramatikë krahasuese të shqipes: ai këtë e lyp në shum letra me kryeneçsi, sepse nji vepër të tillë ky e sheh të nevojshme “për lumninë e Shqipnisë” sepse tue i tregue botës randësinë e shqipes në gjuhësinë krahasuese indoeuropiane, Mjedja e din se shkon në të mirë të çlirimit të popullit shqiptar dhe trajtimit të nji shteti në vete. Ky asht piksynimi i Rilindasve dhe për këtë qëllim punojnë e shkruejnë si Mjedja, Mitko, etj. /KultPlus.com
Fjalimi i më poshtëm, sjellë në shqip nga Aurenc Bebja, është marrë në librin “Le Grand Castriotto d’Albanie, Histoire” të autorit Stephan Zannowich. Teksti prej 131 faqesh është botuar në vitin 1779 nga shtëpia botuese J.J.Kesler, Frankfurt. Gjergj Kastrioti, i sëmurë, nuk mund t’i shmangej vdekjes dhe për këtë arsye fton në vatrën e tij princat, ambasadorët, gjeneralët, dhe drejtuesit kryesorë të vendit që t’u lë amanetet e fundit ashtu siç i ka hije një luftëtari të madh. Para se heroi ynë të fillonte fjalimin, urdhëron që djali i tij i vetëm, Gjoni, asokohe dhjetë vjeç, të ndodhej mes të ftuarve. Fjalimin e Princit të Matit dhe mbretit të shqiptarëve e gjejmë në faqet 70 – 89 të librit, i shkruar në gjuhën frënge. Sipas autorit të veprës, ja si është shprehur Gjergj Kastrioti :
« Jam në prag të varrit. Po ju lë një mbretëri me forca të afta për ta mbrojtur, por me një pasardhës të paaftë nga mosha për ta drejtuar. Megjithatë, në qoftë se në të ardhmen ju bëheni trima dhe të virtytshëm, ju mund të përballoni të gjitha sulmet e armiqve tuaj. Nuk është sipërfaqja e vendit ajo që bën një fron të respektueshëm, por aftësia e atij që ulet mbi të. Në qoftë se ju jeni i djallëzuar, shërbëtor i ministrave tuaj, dhe naiv i lajkave të oborrtarëve tuaj, atëherë asgjë nuk do të jetë më e lehtë sesa përmbysja nga maja më e lartë ku ju ndodheni. Duhet të jetë virtyti themel i fronit. Virtyti nuk është fantazi. Ndoshta do ju a thonë një ditë, por mos harroni se ai që do ju a thotë, është një tradhtar, një dinak, që për të mbretëruar në vendin tuaj, do ju sugjerojë maksima të rreme, të cilat herët a vonë do të shkaktojnë përmbysjen tuaj. Duke pasur virtytin si udhërrëfyes, lajkatarët dhe të pabesët do të largohen prej jush…Të virtytshëm, ju mund të mbani lehtë perandorinë që po ju lë të tronditur nga lufta e vazhdueshme ; ta përforconi, ta rimëkëmbni nëpërmjet pushimit dhe qetësisë…
Krijoni vendshkrime të paçensuruara në të gjithë sipërfaqen e mbretërisë ku mund të publikohen të gjitha padrejtësitë dhe dhuna që mund të ushtrohen nga drejtuesit e krahinave tuaja. Bëni këtë edhe për miqtë apo familjarët e tyre që jetojnë në oborrin tuaj, të cilët i fshehin këto shkelje apo i përdorin nën pretekstin e drejtësisë dhe të domosdoshmërisë. Shqyrtoni gjithçka nga ju vetë, dhe nëse magjistrati, ushtari apo kleriku janë mashtruesë dhe të padrejtë, atëherë pa mëshirë varini në shtyllë në vendin e krimit : ju do të vini re se pasardhësi i tij do të bëhet i drejtë dhe i njerëzishëm…Kur sapo të keni marrë drejtimin e pushtetit, ju do të kujdeseni për Drejtësinë, e cila është themeli i të gjitha virtytëve. Ju do të mbroni artizanët, si njerëzit më të dobishëm të zonave të pushtetit tuaj, dhe do të parandaloni shtypjen e tyre nga pasanikët. Krenaria dhe lluksi i bën pasanikët të pandjeshëm ndaj fatkeqësive të varfërve, të cilët nuk kanë as tituj (grada) e as mbështetje. Duhet të jeni të butë dhe të dashur me njerëzit tuaj ; dukuni shpesh mes tyre, bisedoni me ta, pyesni ata nëse dëshirat tuaja për drejtësi janë ekzekutuar nga minisitrat tuaj. Princi që qëndron i mbyllur me oborrtarët e tij shikohet nga populli i tij si armik dhe tiran…Dëgjoni ankesat dhe kërkesat e popullit tuaj me qetësi sa që ti frymëzoni besim atij për t’ju ndihmuar të korrigjoni abuzimet dhe fatkeqësitë e shtetit.
Kujdesuni që Kombi juaj të rritet nëpërmjet fesë katolike, por mos persekutoni asnjeri që ta ndjekë atë me detyrim. Dielli, që është shëmbëllimi i Perëndisë, shkëlqen pa dallim për turkun ashtu si për të krishterin. Kushdo që këshillon për të luftuar për hir të Perëndisë është një mashtrues i cili dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për interesat e tij. Zoti është i fuqishëm, ai mund të bëjë gjithçka vetë, pa ndihmën e askujt…Në qoftë se fati ju bën endacak, të varfër apo nevojtar kurrë mos e ndryshoni fenë për interes…Mbyllini që në origjinë mosmarrveshjet e teologëve dhe hipokritëve, të cilat janë më të rrezikshmet për lumturinë e një shteti. Kemi parë perandoritë më të lulëzuara të përçahen dhe të tronditen nga këta fanatikë…Shihni Perandorinë e Konstandinit të rrënuar nga Muhamedi, dhe princin Jean Paléologue (Gjon Paleologu) i shkelur nga kuajt e Arabëve. Ai ishte supersticioz, priftërinjtë e tij ambiciozë dhe injorantë, oborrtarët e tij të rremë dhe të shthurur nga luksi, dhe tani princi, priftërinjtë dhe oborrtarët kanë vdekur dhe po vdesin në skllavëri.
Nëse keni fat të mjaftueshëm për të pasur filozofë në vendqeverisjet tuaja, të cilët janë të ndriçuar nga drita e arsyes dhe jo nga sistemet e rreme, le të shkruajnë në paqe dhe të reagojnë ndaj paragjykimeve dhe makinacioneve të kujtdo që flet në emër të Zotit me qëllim për të heshtur mbretin dhe drejtësinë. Ju do t’i mbroni ata kundra zellit të tepruar të drejtuesve hipokritë duke i shpërblyer me vende pune në gjykatat dhe oborret tuaja.
Kur të ju flasin keq për dikë, ju do ta dëgjoni me gjysëm veshi… Ju do të jeni të sjellshëm me të gjithë shtresat popullore. Si arsye e dallimit të gradës që do të keni së shpejti në shoqëri, ju duhet të dalloheni nga të tjerët nëpërmjet bujarisë, i cili është karakteri dallues i princave. Një monark, edhe i varfër, duhet të jetë bujar…
Mbroni meritën dhe shpërblejeni atë kudo që ajo ndodhet. Mirësia duhet të shoqërohet me një zemër bujare. Njeriu ndërton tempuj, ngre altarë për Zotin falë mirësisë së tij. Evitoni për gjithmonë shekullit, rrethit dhe rracës tuaj turpin për të pasur njerëz të dëshpëruar nga mizoria, krenaria apo injoranca juaj. Mos harroni se njeriu lind për lumturinë e njëri-tjetrit…
Armatosuni nga guximi dhe vendosmëria në mjerim, me maturi në mirëqenie. Mos u zhytuni në përtaci, ajo është nëna e të gjitha veseve…Mos mbyllni sytë ndaj fqinjëve dhe traktateve të tyre : ata do të presin momentin kur ju do të jeni të brishtë për t’ju akuzuar dhe do të pohojnë pretendime të rreme mbi trashgiminë që po ju lë. Mos përdorni spiunë për të ditur se çfarë thonë njerëzit në lidhje me administrimin tuaj. Bëni punën tuaj ashtu si duhet, njerëzia le të flasin dhe të shkruajë çfarë të dëshirojë…
Ti jepet mundësia gjithsecilit prej rrethit tuaj që të ju shkruajë ; Ju do të punësoni sekretarët tuaj që të pergjigjen për çështje të ndryshme ose publike, por sekretet e shtetit duhen të mbeten mes jush…
Mos përbuzni askënd ; më i vogli dhe më i varfëri mund të ju rrëzojë, ashtu si dhe mund të ju ndihmojë me këshillat dhe kurajon e tij.
Jeni të durueshëm në çështjet e luftës, të patrembur në rreziqe, të butë dhe humanë, kurrë mizorë dhe gjaknxehtë. Fshihni dhimbjen që fatkeqësitë tuaja mund të ju shkaktojnë. Armiqtë tuaj do të jenë gjithmonë të gatshëm të ju fyejnë për fatkeqësitë, dhe ministrat të ju tradhëtojnë. Ftoni mes jush të huaj të arsimuar duke u dhënë një rol këshilltari edhe në rast kur ata nuk janë fisnikë e të pasur. Kompetencat që i akordohen fisnikërisë janë prodhim i politikës. Ju mund të përdorni fisnikët si të dëshironi. Pasanikët injorantë do t’i ledhatoni, kështu do të kurseni pasurinë tuaj për mirëmbajtjen e ushtrisë, dhe do të keni një oborr të shkëlqyeshëm falë krenarëve por dhe budallenjve, që nuk kanë asnjë lloj virtyti përveçse floririt.
Mos jeni të ndrojtur ndaj ndjenjave tuaja. Deklaroni haptazi oborrtarëve tuaj, se ai që do të ju gënjejë dhe do të ju dërgojë në rrugën e gabuar në administrim, pa asnjë falje do të varet në shtyllë. Poetëve që do të ju thurin vargje, për të ju bindur se jeni më i madhi, më bujari, më i mrekullueshmi, luftëtari më i madh ndër të gjithë mbretërit, u dërgoni në këmbim një copë letër, bojë dhe një pendë nga një oborrtar i panjohur, me urdhërin për të dëshmuar të vërtetën e asaj që shkruajnë, dhe në qoftë se nuk mund të bëjnë një gjë të tillë, të kufizojnë veten në dhënjen e këshillave, duke u lënë të kuptohet së nëse vazhdojnë të shkruajnë marrëzira të tilla të rrezikshme, ata do të mbyten nga vetë ju si person i shenjtë i të vërtetës.
Kujdesuni që të keni gjithmonë ushtarë të mirë dhe të disiplinuar ; që ushtarët tuaj të mos bëhen përtacë, ti stërvitni dhe ti trajtoni jo si skllevër por si shokët tuaj. Kur të jeni në luftë, ju do të udhëheqni ushtrinë si gjeneral dhe në betejë do të luftoni si ushtar. Emri i mbretit është një titull shumë i nderuar, por ky titull ka peshë të madhe dhe detyra të vështira për të realizuar. Kryesorja është të pranohesh dhe të respektohesh në rrethin tënd. Zoti nuk ka dhënë fuqinë supreme për të na zhytur në qullësi, për që të jemi mbrojtës të çështjes publike. Për një zemër të butë dhe një shpirt të virtytshëm, mirëqenia e përgjithshme e popullit tënd është kënaqësia më e madhe që mund të përjetohet. Neglizhenca dhe një lloj mirësie që e thërrasim « mendjelehtësia e një princi », u shkaktojnë dëme njerëzve ; dhe ju e dini se roli i mbretit është t’i mbrojë
Dëboni larg jush astrologët gjykatës dhe kimistët prodhuesë ari dhe diamantesh. Një princ është gjithmonë i pasur, kur ai është i mençur dhe i lartësuar shpirtërisht. Emri juaj do të jetë i shkruar në një pllakë prej mermeri të bardhë me shkronja të zeza mbi dyert e kështjellave tuaja të destinuara për të burgosurit. Mjerim për guvernatorin që i feshu mbretit pafajsinë, që përkeqësoi nga koprracia dhe zelli i tij dënimin e fajtorëve…Mbroni njerëzit e dashur dhe të mirë, ndëshkoni shpirtrat e këqinj. Jeni të ndjeshëm ndaj lëndimit, por akoma dhe më shumë ndaj shërbimit të popullit tuaj dhe miqësisë të njerëzve të ngjashëm me ju.
Pika kulmore e një lufte është çorientuese, duhet ndjerë pasiguria (rreziku). Atëherë kujdesi dhe guximi do të ju shërbejnë më mirë se sa pasuria. Duhet të dish të fitosh, por mos harroni se edhe mund të mposhtesh. Sfidoni veten tuaj : mos e humbisni toruan nga zemërimi, sepse atëherë i thjeshti bëhet i keq dhe mbreti një përbindësh…
Mos harroni se politika turke është për të mbjellë përçarje mes princave të krishterë ; e gjithë madhështia e tyre gjendet në këtë politikë të shkëlqyeshme, e cila bën me shumë pushtime sesa armët e tyre. Së fundi, në qoftë se jeni xheloz se po ju lë një trashgimtar që ju pengon për të marrë fronin, mos harroni se kam qenë babai juaj, dhe shpatën do e përdorni vetëm për të rrëzuar armikun.
Ju do të keni lidhje të shumta me oborrin e Romës, që unë kam qenë deri tani mbështetës dhe mbrojtës. Interesat e mia më kanë detyruar të përshtas politikën time me të sajën. Rrethanat në të cilat jam gjetur veten nuk më kanë lejuar të luftoj uzurpimet turke dhe pretendimet e papës. Për të mirën e krahinave të mia kam qenë gjithmonë i lumtur me veprimet që kam ndërmarrë. Roma është fodulle vetëm me princat e dështuar. Roma, duke më pasur frikë, më ka bërë gjithmonë lajka. Ajo ndryshon maksimat dhe pozicionet sipas rasteve, por frika se humb tokat e saj ndaj sulmeve të Muhamedit, e ka detyruar atë të qëndrojë modeste ndaj meje, duke më njohur të gjitha të drejtat, titujt, dhe zotërimet e realizuara gjatë betejave të mia. Papët nuk kanë arritur kurrë të manipulojnë një ushtar të vjetër si unë, por nuk do të hezitojnë të bëjnë një gjë të tillë ndaj jush si arsye e moshës së re dhe mungesës së eksperiencës për të qeverisur, për të shërbyer. Mos harroni, se me praktikat e shumta që ata përdorin për të arritur qëllimet e tyre, më e forta, është rrëfimi. Por është e lehtë ta kuptoni : kur prifti do të dojë të dijë më shumë sesa mëkatet tuaja, kthejeni si një mashtrues në vendin e tij, dhe dënojeni si të tillë, që të shërbejë si shembull për pasardhësin e tij.
…Megjithatë, është shumë e rrezikshme të kundërshtosh hapur Papën, këtë idhull të madh të fesë sonë. Ai është një njeri si të tjerët, me pasionet dhe dobësitë e tij… Nëse Papa ju dërgon faljet, reliket, bekimet, merrni ato me respekt, dhe i nderoni me njerëzit tuaj duke e dhënë ju shembullin kryesor… Por në qoftë se Papa përpiqet të rrisë numrin e priftërinjve dhe murgjve për të nxjerrë para nga krahinat tuaja…ose ju nxit që të hapni luftëra në emër të Zotit, rrufeja hakmarrëse qëlloftë mbi ju dhe pasardhësit tuaj në rast pranimi. Zoti hakmerret ndaj fyersve të tij, pra nuk ka nevojë për ndihmën e njeriut. Mos kërcënoni Romën, kur ajo nuk ju kërcënon. Por shpallni lulftë ndaj kujtdo që mundohet të prishë harenë e popullit, dhe legjitimitetin e fronit.
Ju do të ndaloni çdo banor i cili ndodhet nën qeverisjen tuaj, që të mos bëhet as prift e as murg pa arritur moshën dyzet vjeçare. Për tu ushqyer nga puna e të tjerëve, duhet më parë që njeriu (mashkulli) të ketë kontribuar në mbështetjen e komunitetit, prej të cilit dëshiron të ndahet për të shijuar jetën e tij… Këta priftërinj dhe murgj duhet të ju ndihmojnë të mbroni kombin në kohë lufte, sepse në kohë paqeje po ky komb i ushqen pa i përdorur. Nëse Papa kundërshton, bindeni atë me butësi, dhe vetëm në qoftë se është e nevojshme përdorni shpatën… Një politikë e tillë do të ju pajtojë me dashurinë atërore të pasardhësve të tij, dhe do të bëheni shembull dhe lider për të gjithë mbretërit, të cilët frikacakë, të dobët, injorantë, budallenj, u uzurpohet nga Papa dhe ministrat e tyre, fuqia që Zoti u ka dhënë për të përhapur lumturinë e Kombeve, ku ata duhet të jenë zotërit dhe etërit ». / KultPlus.com
Shumë femra shqiptare po arrijnë suksese në botë, duke u bërë emra të njohur dhe duke zotëruar poste të mira pune. Gjermania pa dyshim se është një nga shtetet evropiane, ku mundësia e arsimimit, punësimit, depërtimit në karrierë dhe formimin profesional është shumë e madhe, shkruan albinfo.ch.
Pa dyshim se me punë e angazhim individual, çdokund në botë mund të dalin ekonomistë e menaxherë të mirë. Shumbulli i njëjtë është me shqiptaren Dr. Valbona Zeneli, e cila tashmë është storie suksesi në shtetin gjerman. Arritjet e saj janë fryt i punës së vazhdueshme, sistematike e konsistente të një ekonomistje të përkushtuar, siç është Dr. Valbona Zeneli.
Sot ajo zotëron një post të lartë si profesoreshë e Studimeve për Siguri Kombëtare pranë “George C. Marshall European Center for Security Studies” në qytetin e Garmisch, Gjermani, shkruan albinfo.ch.
George C. Marshall Qendra Evropiane për Studime të Sigurisë është një nga pesë Qendrat Rajonale të Mbrojtjes së SHBA-së dhe Qendra e vetme dypalëshe. Është gjithashtu e vetmja qendër rajonale për Republikën Federale të Gjermanisë.
Misioni i Marshall Center është të mundësojë zgjidhje për sfidat rajonale dhe transnacionale të sigurisë përmes ngritjes së kapaciteteve, aksesit dhe një rrjeti të lidhur globalisht, shkruan tutje albinfo.ch.
E lindur në Shqipëri, Dr. Valbona Zeneli është diplomuar në ekonomi politike nga Universiteti i Barit. Ajo studio në drejtimin e Marketingut nga Georgetown University. Po ashtu studio edhe në Administrim-Biznes nga Universiteti i Bolonjës.
Dr. Zeneli ka zhvilluar karrierën e saj profesionale dhe akademike në fushat e ekonomisë ndërkombëtare, marketingut dhe politikat e sigurisë së shteteve.
Po ashtu duhet theksuar se gjatë rrugëtimit të saj profesional, ajo ka ofruar konsulencën e saj në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare për disa kompani shqiptare. /Albinfo.ch / KultPlus.com
Në një bashkëbisedim me z.Bahri Misini (72 vjeç) i lindur dhe rritur në Mitrovicë na e rrëfen historikun e veprimtasisë së familjes Misini. Ai e kumton udhëtimin e një trashëgimie të zanatit familjar që për katër gjenerata zhvilluan veprimtari hotelierike e gastronomie në Mitrovicë.
Familja Misini ka prejardhjen nga fshati Rugovë, më saktësisht nga rrethi i Pejës, por në Mitrovicë jetojnë dhe veprojnë për afro 200 vite. Sipas z. Misinit, me këtë veprimtari ka filluar të merret katragjyshi i tij z. Ali Misini, që u pasua nga djali i tij z. Ahmet Misini (i lindur në vitin 1885), pastaj i biri i tij, z. Muharrem Misini (i lindur në vitin 1912), i cili gjatë periudhës së Dytë Botërore në qendër të Mitrovicës hapi “Kafe Albania”.
Shih fotografinë poshtë, të shkrepur pranë Kafe Albania realizuar më 04.10.1943 në Mitrovicë, në ditën e martesës së z. Muharem Misini. Në foto i dyti djathtas z.Muharem Misini në ditën e tij të martesës, pranë tij djathtas Xhavit Mitrovica. Lokacioni i lokalit është ku ndodhet rrokaqielli në qendër të sheshit Mehë Uka. Ky lokal e vazhdoj veprimtarinë e vet deri në vitin 1956, kur edhe mbyllet nga regjimi i kohës, pastaj familja detyrohet të shpërngulet në qytetin e Shkupit. Babai i Bahriut, z. Muharem Misini hap një lokal/restaurant në Teatrin Shqiptar të Shkupit, ku dhe veprojnë deri në vitin 1963, mbasi që termeti e godet rëndë qytetin e Shkupit.
Edhe njëherë familja e z.Muharem Misinit rikthehen në Mitrovicë. Në fillimet e para të viteve të 70-ta z. Bahri Misini punësohet në po të njejtën veprimtari. Ai ka vepruar në një mori hotelesh të Ndërmarrjes Hotelierike Ibër, e cila në vitin 1973 i bashkohet Ushqimit Shoqëror që njihet si Ndërmarja Turistike Hoteliere Trepça. Pjesë e Ndërmarrjes Hoteliere Trepça ishin edhe Hotel Jadrani, Hotel Pallasi, e Hotel Adriatiku, Hotel Nr. 3, Moteli Mimoza etj.
Z. Misini ka vepruar deri në vitet e ’90-ta të shekullit të kaluar në këtë veprimtari si zëvendës Drejtor Komercial. Deri kur masat e dhunshme të Millosheviqit e larguan nga puna, ani pse ai ka ngelur Drejtor Legjitim i Adriatikut deri pas luftës, ku dhe vazhdoi këtë profesion deri kur ky objekt është privatizuar.
Sot, si një pensionist ndjehet krenar për punën familjare që e zhvilluan gjeneratë pas gjenerate në qytetin e Mitrovicës, nëpër sisteme të ndryshme e periudha të ndryshme historike që kaloj vendi ynë. Ai shton se i ka ngelur një amanet i paplotësuar nga babai “që lokalit ku kishte zhvilluar veprimtarin familja e tij, t’i kthehet emri Kafe Albania, amanet që shpreson ta plotësoj”
Duhet shtuar se sot kjo familje vazhdon traditën shekullore të saj në qytetin e Mitrovicës dhe gjetiu. Sot, familjarë të afërm të z. Bahriut, nën brendin “Kompania Missini” janë të njohur në gjithë Kosovën për prodhimet e shërbimet e tyre në gastronomi.
Adele është njëra nga këngëtaret më të njohura në botë, shkruan KultPlus.
E lindur në Totenham të Anglisë, Adele, arriti majat e famës me këngët si “Rolling in the deep”, “Someone like you”, “Hello” e të tjera.
Me zërin unik dhe tekstet e bukura që flasin për dashurinë, trishtin, jetën, ajo është bërë e dashur për publikun dhe qëndron në vendet e para të toplistave.
Më poshtë kënga e njohur botërisht “Skyfall”. /KultPlus.com
Thomas Mann (Lübeck, 6 qershor 1875 – Zürich, 12 gusht 1955), ishte shkrimtar gjerman.
Fitues i Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 1929. Tomas Mani, ky “poeta doctus” klasik, është ndër shkrimtarët, pa të cilët panorama letrare e shek.XX do të qe e mangët.
Autori i romaneve madhore Mali magjik, Budenbrokët, Doktor Faustus, i katërvëllimëshit Jozefi dhe vëllezërit e tij, etj, i novelave Tonio Krëger, Tristani, Vdekje në Venecia etj. /KultPlus.com