Haxhi Zekë Byberi i njohur në histori Haxhi Zeka ka qenë ndër organizatorët e Lidhjes së Prizrenit dhe përkrahës i krahut autonomist të saj, drejtues i degës së Pejës në Lidhje, ku u shqua si prijës ushtarak me kontribut në Mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë.
Vite më pas u përpoq të përtërinte të njëjtën frymë lëvizjeje nëpërmjet Lidhjes së Pejës.
Ai lindi më 20 dhjetor në fshatin Shoshan të Malësisë së Gjakovës. Familja e tij u shpërngul në Pejë, ata ishin pronarë tokash dhe Haxhiu ishte tejet karizmatik.
Zeka ishte ndër organizatorët të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe një nga luftëtarët më të vendosur për autonominë e vilajeteve shqiptare dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të tyre. Në Kuvendin e parë të Lidhjes, më 10 qershor 1878, u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të saj. Mori pjesë, si komandant ushtarak, në krye të forcave të Lidhjes në aksionin e Gjakovës, në shtator 1878 kundër Mehmet Ali Pashës.
Krahas udhëheqësve të tjerë politikë e ushtarakë të Lidhjes luftoi në fund të 1879-ës dhe në fillim të 1880-ës për mbrojtjen e Plavës e Gucisë kundër forcave të Malit të Zi. Komandonte fuqinë e Pejës, ku pranë tij u shqua Çelë Shabani; Haxhiu me të hollat e veta e mbajti ushtrinë gjatë gjithë dimrit. Në pranverën e vitit 1881 mori pjesë në betejat kundër ushtrisë së komanduar nga Dervish Pasha.
Së bashku me Sulejman Vokshin dhe Kadri Bajrin, Haxhi Zeka më 1884-1885 udhëhoqi kryengritjet antiosmane të shqiptarëve të Kosovës, që synonin të rimëkëmbnin Lidhjen dhe të vinin në jetë idetë e saj autonomiste. Më 1893 Haxhi Zeka me Bajram Currin organizuan kryengritjen që përfshiu Pejën, Gjakovën e vise të tjera të Kosovës kundër padrejtësive ekonomike e politike të perandorisë.
Pasi autoritetet e shtruan me njësi ushtarake kryengritjen, Haxhi Zeka kërkoi që të dorëzohej vetëm tek sulltani; në dhjetor 1893 u dërgua i shoqëruar në Stamboll, ku u prit miqësisht nga Sulltani. Atje kaloi dy vite mërgim “vullnetar” dhe u kthye më 15 tetor 1895, i pritur me të madhe nga bashkëatdhetarët e tij në Shkup dhe Pejë. Sipas disa burimeve, Haxhi Zeka me pasues të tij shkoi të shërbente në Luftën Greko-Osmane.
Më 1897 kryesoi një kryengritje që nisi në Kosovë. Në bashkëpunim me Komitetin Shqiptar të Stambollit të kryesuar nga Sami Frashëri dhe atdhetarët e tjerë brenda dhe jashtë atdheut, Haxhi Zeka organizoi më 23-29 janar 1899 në Kuvendin e Pejës ku u mblodhën 450-500 vetë u themelua Lidhja e Pejës dhe u zgjodh kryetar i Komitetit të saj, dhe përfaqësonte programin autonomist të Komitetit të Stambollit. Shumë qytete shqiptare shprehën solidaritet ndaj këtij organizimi.
Në prill-maj 1899 organizoi të parat komitete luftëtarësh të përgatitur në përballimin e grupeve revolucionare bullgare. Këto komitete u përgatitën më pas për kryengritje kundër perandorisë, por u shtruan nga Porta e Lartë.
Vijoi të mbante takime në pjesën veriore të vilajetit të Kosovës, në synim për t’i bashkuar shqiptarët kundër osmanëve dhe fqinjëve. Në shkurt të 1901 në cilësinë e kryetarit të Lidhjes, organizoi një tubim te Tyrbja e Sulltan Muratit në Fushë Kosovë ku u shpreh për shqetësimet e tij për viset shqiptare; duke u bërë kësodore gjithnjë e më shumë armiku kryesor i ambicieve serbe.
Autoritetet serbe i dërguan konsullit të tyre në Prishtinë, Sima Abramoviç, armikun personal të Haxhiut, gjakovarin Mehmed Zaimin. Ky nxiti të birin, kapitenin e zaptijeve Adem Zajmin që ta vriste Haxhi Zekën.
Kjo ndodhi më 21 shkurt 1902 në pazarin Pejë. Haxhiu u varros në varrezat e xhamisë Sulltan Mehmed Fatih në Pejë.
Vrasja e tij bëri të binte në fashë kryengritjet shqiptare që kishin shpërthyer në krejt vilajetin e Kosovës. Dorërasi u vra më 1912 nga autoritetet serbe, pasi kërkoi shpërblimin e premtuar para vrasjes./ KultPlus.com
Demonstrata e Bukës që nisi në Korçë më 21 shkurt 1936, mbush 86 vite nga zhvillimi i saj, përcjell KultPlus.
U zhvillua më 21 shkurt 1936 në qytetin juglindor dhe u shoqërua me reprezalje disa ditore nga regjimi.
Ndonëse ajo u shtyp nga regjimi i Zogut (shoqëruar me masa ndëshkuese në tre-katër ditët më pas), ajo ia arriti qëllimit. Kjo demonstratë njihet si lëvizja e parë masive me objekt e kërkesa konkrete, kundër regjimit të kohës.
Arsye kryesore sipas librave të historisë, ka qenë shtrenjtimi i jetës, përkeqësimi i gjendjes ekonomike dhe, ndoshta edhe elemente të krizës së urisë, që zakonisht shoqëronte çdo vit mbarimin e rezervave të vitit të mëparëshëm.
Gjithsesi, kjo ngjarje e shënuar, për të cilën pas shumë dekadave është shkruar shumë, zë një vend të rëndësishëm në historinë e protestave masive të popullit shqiptar në shekullin që kaloi. Ajo është e para protestë masive popullore me objekt të caktuar, kundër regjimit të kohës në fuqi. /KultPlus.com
Andrea Varfi ka qenë publicist, përkthyes dhe shkrimtar shqiptar, shkruan KultPlus.
Ka lindur në Qeparo, ishte mësues fshati. Mësimet e para i mori në vendlindje, pastaj ndoqi Shkollën Tregtare të Vlorës ku ishin edhe Petro Makro, Mehmet Shehu e Shefqet Musaraj.
Në vitin 1947 burgoset dy vjet me Petro Markon, Jusuf Vrionin, Lazër Radin dhe Mitrush Kutelin. Varfi bën një raport për gjuhëtarin Eqrem Cabej, me nofëkn “Dhelpëri”.
Krijimtaria e tij nis në vitet ’30 me Nonda Bulkan, Dhimitër Shuteriqin, Migjenin. Poezitë dhe proza e shkruar para dhe pas Çlirimit u përmblodh në dy vëllime letrare, në vitin 1989.
Andrea Varfi përktheu përmbledhjen e vetme poetike të Pashko Vasës “Rose e spine” me titull “Trëndafila dhe gjemba”. /KultPlus.com
Nën patronazhin e UNESCO-s dhe Byrosë Rajonale për Shkencë dhe Kulturë në Evropë, sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, 21 Shkurti, shkruan KultPlus.
Në nderë të kësaj dite, KultPlus iu sjellë poezinë e Naim Frashërit kuptimplotë e të përshtatshme për çdo kohë.
Naim Frashëri
O vëllezër shqiptarë Gëzohi! që erth kjo ditë, Kaq’ e mir’ e kaq’ e mbarë Që sjell gjithë mirësitë. … Hapu, hapu errësirë, Pa jakë tëhu o dritë! Se arriti koh’ e mirë, U gdhi nata u bë ditë … Lumja ti moj Korç’ o lule! Q’i le pas shoqet e tua Si trimi në ball u sule, Ta paçim për jetë hua … Gjuha jonë sa e mirë! Sa e ëmbël sa e gjerë Sa e lehtë sa e lirë! Sa e bukur sa e vlerë! /KultPlus.com
Nën patronazhin e UNESCO-s dhe Byrosë Rajonale për Shkencë dhe Kulturë në Evropë, sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, 21 Shkurti, shkruan KultPlus.
Mbrojtja e gjuhëve në botë, lufta kundër zhdukjes së tyre dhe ruajtja e identitetit të kombeve nëpërmjet gjuhës, janë qëllimet kyçe të manifestimeve që sot do të organizohen në suaza botërore.
Analizat e UNESKO-s tregojnë se mund të zhduken rreth 2.500 gjuhë nga pothuajse 6.000 që fliten në botë. Në 90 vitet e kaluara janë zhdukur rreth 200 gjuhë, ndërsa 199 i flasin më pak se dhjetë njerëz. E fundit që është zhdukur është gjuha “ajake”, të cilën e folur një grua e cila ka vdekur në vitin 2008 në Aljaskë.
Arsyet kryesore për zhdukjen e gjuhëve janë luftërat dhe dëbimi i detyrueshme. Emigrantët gjithashtu e përziejnë gjuhën amtare me gjuhën e shtetit në të cilin jetojnë që të integrohen më mirë. Megjithatë, ka shembuj, më së shumti në Australi, ku gjuhët të cilat janë “nën kërcënim” i flasin të rinjtë, tha një përfaqësues i UNESKO-s.
Tridhjetë nga gjuhët që fliten në Francë midis të cilave edhe normane dhe bretonike, janë “nën kërcënim të fuqishëm të zhdukjes”. / KultPlus.com
Një prej figurave të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare gjatë shekullit XIX, kishte qenë Haxhi Zeka. Një luftëtar dhe atdhetar i pranuar nga të gjithë patriotët e kohës, por që kishte përkrahjen e popullatës shqiptare, emri i të cilit ishte bërë i njohur sidomos kur kishte formuar Lidhjen “Besa-Besë” të Pejës, që ishte mbajtur në vitin 1889.
Haxhi Zeka ishte vrarë më 21 shkurt 1902, derisa po shkonte nga ndërtesa qeveritare në Pejë në drejtim të Urës së Gurit, ishte qëlluar për vdekje nga Adem Zajmi, i cili i kishte zënë pritë me disa persona tjerë.
Ka pasur disa variante të shkrimeve që flasin për qëllimin e vrasjes së Haxhi Zekës. Disa kronika të kohës kishin shkruar se Adem Mehmet Zajmi e kishte vrarë me kërkesë nga Beogradi dhe Stambolli, kurse disa tjerë Zajmin e paraqesin si një bandit, por që kishte pasur pozitë në ushtrinë turke të kohës. / KultPlus.com
Është diamanti blu më i madh dhe më i vlefshëm që ka dalë ndonjëherë në ankand dhe është një zbulim i kohëve të fundit, transmeton KultPlus.
Diamanti De Beers Cullinan Blue prej më shumë se 15 karatësh u minua në vitin 2021 në minierën Cullinan të Afrikës së Jugut, një nga burimet e pakta në botë për diamante blu jashtëzakonisht të rrallë.
Ai do të ofrohet në një ankand nëHong Kong këtë prill dhe vlerësohet të jetë mbi 48 milionë dollarë.
Zëvendëspresidenti i lartë i Sotheby’s dhe drejtori i shitjeve për bizhuteri, Frank Everett tha se xhevahiri është i jashtëzakonshëm në shumë nivele.
“Është i rrallë për shkak të madhësisë. Është mbi 15 karat. Është një blu e gjallë. Nga brenda është pa të meta. Dhe me të vërtetë një nga aspektet më të rralla të tij është prerja,” tha ai. “Unë mendoj se ne do të shohim një interes të jashtëzakonshëm për këtë gur kur më në fund të vijë në ankand,” tha ai.
“Tregu është shumë i fortë për bizhuteritë për momentin, ka qenë vërtet vitet e fundit, por një nga segmentet më të forta janë diamantet me ngjyra. Dhe një nga ngjyrat më të forta është bluja.”
Instituti Gemologjik i Amerikës (GIA) e vlerësoi diamantin një Blu Fancy Vivid – klasifikimi më i lartë i mundshëm i ngjyrave sipas Sotheby’s, i dhënë jo më shumë se 1% të diamanteve blu të paraqitura në GIA./ KultPlus.com
Aventura Tom Holland-Mark Wahlberg “Uncharted”, është filmi numër një në Amerikën e Veriut, duke fituar 44.2 milionë dollarë në debutimin e tij këtë fundjavë, njoftoi BoxOfficeMojo.com të dielën.
Në vendin e dytë është “Dog” me 15.1 milionë dollarë, i ndjekur nga “Spider-Man: No Way Home” në vendin e tretë me 7.7 milionë dollarë, “Death on the Nile” në vendin e katërt me 6.3 millionë dollarë dhe “Jackass Forever”, në pozitën numër pesë me 5.2 milionë dollarë, përcjell Klankosova.tv
Në përmbyllje të nivelit të lartë janë” Marry Me” në pozitën gjashtë me 3.7 milionë dollarë, “Sing 2” në shtatë me 2.8 milionë dollarë, “Scream” në numrin tetë me 2 milionë dollarë, “Blacklight” në pozitën e nëntë me 1.8 milionë dollarë dhe “The Cursed” në të dhjetën. me 1.7 milionë dollarë.
Top 10-ta e kësaj fundjave fitoi më shumë se 94 milionë dollarë./ KultPlus.com
Struktura misterioze shihet në legjendën lokale si një “shtyllë e jetës” dhe një “simbol i kryqit të vërtetë”.
Ndërtuar në majë të një shtylle guri 130 këmbë (40 metra) është kisha më e largët dhe ndoshta më e larta në botë.
Për vite me radhë misteri ka rrethuar Shtyllën Katshki në Gjeorgji, pasi nuk dihet se si u vendos kisha në majë të strukturës gëlqerore monolit ose kush e ndërtoi i pari.
Struktura misterioze shihet në legjendën lokale si një “shtyllë e jetës” dhe një “simbol i kryqit të vërtetë” – mbi të cilin Jezusi u kryqëzua në Bibël.
Ashtu si Stonehenge apo Piramidat, historianët ende po dinë saktësisht se si u ndërtuan strukturat në majë të shtyllës së lartë prej guri.
Nuk dihet shumë për kishën e shenjtë, përveç se ajo u braktis derisa një alpinist dhe ekipi i tij u ngjitën në strukturën natyrore 40 metra në 1944./abcnews.al/ KultPlus.com
N’emën të ligjit jam arrestue, E duert m’i kthyen prapa policët e zi, N’hekur me tutjus m’i kanë ngujue! Me gazin 69 u pamë sy ndër sy, Si me keqardhje m’u ba se më vështroi, E kur lëshova kambën mbrenda me hy, M’u ba se psherëtiu, m’u ba se rënkoi!Ndoshta e ndjeu veten fajtor, Pse erdhi e më mori përsëri! Ndoshta i gjori ishte lodhë, Gjithkah n’udhtim nëpër Shqipni. Gjithkund tue shkue nëpër atdhe, Sa djem nanash kështu po i merr! Si nji kuçedër në “Shqipnin’ e re” Emni i tij ka futun tmerr! Ti mos u druej, o Nana ime, Sido të bahet jam pa faj, Qëndro malsore, mbahu trime, Mos e mbyll jetën me vaj! Djali yt s’ka me t’turpnue, Gjinin tand s’do ta tradhtojë, Shqiptar i ndershëm ka me qëndrue, Po prehnin tand do ta kërkojë. Ka me dasht me t’pasun pranë, Ta vështrosh, ta ledhatosh, E nji fjalë t’ambël me ia thanë, Plagët zemrës t’ia shërosh! Pusho, mos qaj, o nanë e mjerë, Ti me mue s’je kënaqun kurrë. N’merak e mall ke qenë përherë, Qysh i vogël dhe sot burrë! Qysh nand’ vjeç m’ke nxjerrë prej shpie, Jetim, pa babë, bukën me nxjerrë ; M’shkule nga prehni prej vorfnie, Vetë jam rritun derë më derë! Tri ditë bashkë s’i bamë në votër, Shtëpia jonë nuk qeshi kurrë ; Kurrë s’u ulëm në nji sofër, Kurrë, o Nana ime, kurrë!./ KultPlus.com
Një rrjedhje masive të dhënash nga një prej bankave private më të mëdha në botë, Credit Suisse ka nxjerrë në pah pasurinë e fshehur të klientëve të saj të përfshirë në tortura, trafik droge, pastrim parash, korrupsion dhe krime të tjera të rënda.
Bëhet fjalë për detajet e llogarive të 30 mijë klientëve të Credit Suisse në të gjithë botën të cilët zotërojnë në këtë bankë më shumë se 100 miliardë franga zvicerane (ose 80 miliardë £) të mbajtura të fshehura në një nga institucionet financiare më të njohura të Zvicrës.
Nuk mungojnë edhe llogaritë nga Shqipëria. Nëse sheh me vëmendje hartën që ka publikuar “The Guardian” vihet re se edhe vendi ynë është shënjuar me rreth. Kjo do të thotë se në këtë bankë ka edhe llogari të personave nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, citon lapsi.al. Mediat e huaja që kanë raportuar lajmin nuk i kanë nxjerrë ende të gjithë emrat për të parë se cilët janë shqiptarët që kanë depozituar para në këtë bankë.
Nxjerrja e këtyre të dhënave është konsideruar si një nga dështimet më të mëdha të Credit Suisse, pavarësisht nga premtimet e përsëritura të saj gjatë dekadave për të larguar klientët e dyshimtë dhe fondet e paligjshme.
“The Guardian” thotë se banka zvicerane, në mënyrë të përsëritur hapte ose mbante llogari bankare për një grup klientësh me rrezik të lartë në të gjithë botën.
Mes tyre është një trafikant qeniesh njerëzore në Filipine, një bos të bursës së Hong Kongut i burgosur për ryshfet, një miliarder që urdhëroi vrasjen e të dashurës së tij, yllit të popit libanez dhe drejtuesve që plaçkitën kompaninë shtetërore të naftës të Venezuelës si dhe politikanë të korruptuar nga Egjipti në Ukrainë.
Një tjetër llogari është në pronësi të Vatikanit që u përdor për të shpenzuar 350 milionë € në një investim të dyshuar si mashtrim me pronat në Londër. Për këtë çështje është hapur nujë proces penal ndaj disa të pandehurve, duke përfshirë një kardinal.
Baza e të dhënave të bankës zvicerane u zbulua nga një sinjalizues anonim për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung”.
“Unë besoj se ligjet zvicerane të sekretit bankar janë imorale. Preteksti i mbrojtjes së privatësisë financiare është thjesht një gjethe fiku që mbulon rolin e turpshëm të bankave zvicerane si bashkëpunëtorë të evazuesve fiskal” – tha ai në një deklaratë për gazetën pas zbuluar identitetin.
Vetë banka Credit Suisse u përgjigj se ligjet e rrepta të sekretit bankar të Zvicrës e pengojnë të komentojë pretendimet në lidhje me klientët individualë.
Banka këmbëngul se dosjet e zbuluara nga gazetarët bazohen në “informacione selektive të marra jashtë kontekstit, duke rezultuar në interpretime tendencioze të biznesit që kryen banka”, citon lapsi.al.
Këtë muaj, Credit Suisse u bë banka e parë e madhe zvicerane në historinë e vendit që u përball me akuza penale (të cilat ajo i mohon) në lidhje me pretendimet se ndihmoi në pastrimin e parave nga tregtia e kokainës në emër të mafies bullgare.
Institucionet financiare zvicerane menaxhojnë rreth 7.9 trilionë CHF (6.3 trilion £) në asete, gati gjysma e të cilave u përket klientëve të huaj.
Skandali Credit Suisse hedh dritë mbi një nga qendrat më të mëdha financiare në botë, e cila është mësuar të operojë në hije. Ai zbulon se si të dënuarit apo pastruesit e parave janë në gjendje të hapin llogari bankare, ose t’i mbajnë ato të hapura për vite pas zbulimit të krimeve të tyre. Kjo zbulon se si ligjet e famshme të sekretit bankar të Zvicrës ndihmojnë në lehtësimin e grabitjes së vendeve në botën në zhvillim si Shqipëria, citon lapsi.al.
Janë më shumë se 90 vende, shumica e të cilave në zhvillim që mbeten në errësirë kur taksapaguesit e pasur fshehin paratë e tyre në llogaritë zvicerane.
“Kjo situatë mundëson korrupsionin dhe u mban në uri vendet në zhvillim ku të ardhurat tatimore shumë të nevojshme. Ndaj këto vende janë ato që vuajnë më shumë nga marifetet e Zvicrës” – tha sinjalizuesi i skandalit.
Denoncuesi pranoi se dokumentet e nxjerra nga banka përmbajnë edhe llogari që ishin legjitime dhe të deklaruara nga klientët në autoritetin e tyre tatimor.
“Unë jam i vetëdijshëm se të kesh një llogari bankare zvicerane nuk nënkupton domosdoshmërisht evazion fiskal ose ndonjë krim tjetër financiar. Megjithatë, ka të ngjarë që një numër i konsiderueshëm i këtyre llogarive hapen me qëllimin e vetëm për të fshehur pasurinë e zotëruesit të tyre nga institucionet fiskale dhe/ose për të shmangur pagesën e taksave mbi fitimet kapitale” – tha denoncuesi./ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri. Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kanë marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë që është mbajtur në Mynih, përcjell KultPlus.
Përmes një postimi në Facebook, presidentja Osmani thotë se në këto takime tre-ditore, krerët shtetërorë të Kosovës përçuan mesazhin se Kosova është shembull i shkëlqyeshëm i kontributit për paqe e stabilitet në rajon.
KultPlus ua sjell postimin e plotë të presidents Osmani:
Ishin tri ditë intensive në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku së bashku me Kryeministrin Kurti dhe Zëvendëskryeministren Gërvalla, diskutuam në një numër panelesh e tryezash dhe takuam përfaqësues të shteteve të tjera dhe të organizatave ndërkombëtare. Në të gjitha këto organizime si dhe takime e diskutime bilaterale, përçuam mesazhin se Kosova është shembull i shkëlqyeshëm i kontributit për paqe e stabilitet në rajon, duke kryer njëkohësisht një sërë reformash brenda vendit të cilat po përkrahen fuqishëm nga qytetarët por edhe nga partnerët ndërkombëtarë.
Përkushtimin tonë në procesin e integrimit në struktura euro-atlantike, përtej aspektit deklarativ, po e dëshmojmë me veprime konkrete, prandaj është imperative që e ardhmja e vendit tonë në këto struktura të garantohet duke pasur parasysh ndikimin çdo ditë e më të madh të Rusisë, nëpërmjet Serbisë që ka për qëllim destabilizimin e rajonit.
Në takime me presidentë, kryeministra, ministra të jashtëm, ministra të mbrojtjes, senatorë, udhëheqës të organizatave ndërkombëtare e përfaqësues të shoqërisë civile, gjithnjë synojmë avancimin e raporteve me shtete të tjera dhe shtyrjen përpara të interesave të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj.
Kosova ka miq të shumtë në botë, e këto miqësi vetëm sa do t’i shtojmë e do t’i thellojmë./ KultPlus.com
Vojsava, nëna e Gjergj Kastriotit, Vojsava ishte arbërore e pastër, ashtu sikur ishin shumë nëna e gra arbërore tjera që mbanin po të njëjtin emër. Si p.sh: Vojsava bashkëshortja e Karl Topisë, Vojsava e bija e Gjergj Arianitit-Komnenit dhe motra e Donikës si dhe shumë Vojsava tjera arbërore.
Madje edhe sot në mesin e fiseve tona arbërore ka emra Vojsava edhe pse të rrallë ka emra të tillë të fisnikërisë arbërore./ KultPlus.com
Poezi nga Viktor Hugo Përktheu nga origjinali Ermira Xhomaqi
Të uroj më së pari të duash E duke dashur, do të të duan edhe ty Dhe ata që s’të duan, harroji E përtej harrimit, mëritë e vjetra kurrë mos t’i kujtosh!
Të uroj të vazhdosh të duash pa u dëshpëruar Të uroj që edhe sikur mes miqve të tu Të ketë të pasjellshëm, të pamatur e t’pamend Ti, ti… qëndro gjithmonë trim e besnik Pse mes tyre ka për të qenë edhe një i vetëm Tek i cili ti mund të besosh padyshim Pse jeta vetë është e tillë.
Të uroj gjithashtu të kesh armiq Të shumtë, a një të vetëm, aq sa ti të kuptosh. E kështu të mund të mësosh zemërgjerësinë prej tyre Dhe ndër ta, të jetë qoftë edhe një i drejtë, Aq sa ti të mos ndjehesh krejt i sigurt.
Të uroj më shumë të jesh i vlefshëm, po jo i pashembullt E në çaste të vështira Kur asgjë nuk shkon si duhet Vlera jote të të japë forcë e kurajo të vazhdosh.
Të uroj po ashtu të jesh zemërgjerë Jo me ata që lajthisin pak Sepse kjo është e lehtë Por me ata që gabojnë trashë e janë të pandreqshëm Dhe duke shprehur zemërgjerësinë tënde Ti mund të shërbesh si shembull për të tjerë.
Të uroj gjithashtu që duke qenë i ri Të mos rrekesh të piqesh me të shpejtë E kur rritur të jesh Të mos këmbëngulësh të hiqesh më i ri E duke qenë plak, të mos pushtohesh prej dëshpërimit Sepse çdo moshë ka bukurinë e dhimbjen e saj.
Nuk të uroj të jesh i trishtuar. Oh jo! Jo gjithë vitin, por ta njohësh trishtimin veç një ditë! E kështu të çmosh Që e qeshura e rigjetur është edhe më e mire Se një e qeshur e rëndomtë, e vakët, e shpëlarë që të dëmton.
Të uroj mes tjerash të mbjellësh një fare Një farë të vockël fare E ta shoqërosh gjithë rritjen e saj Për të zbuluar prej sa shumë jetësh është ndërtuar një pemë.
Të uroj gjithashtu të kesh edhe pak para Aq sa nevojiten e t’ia dalësh mbanë E që së paku një herë në vit të reflektosh Mbi ato para e të thuash: “Janë të miat, i kam fituar vetë!” Për ta bërë të qartë e të njohur: Se kush është pronar i kujt!
Të uroj gjithashtu të mbash sa më gjatë t’jetë e mundur Gjithçka që dashuron E nëse dashuritë shkojnë, të mund të qash pa u ankuar E të vuash pa u ndjerë fajtor!
Të uroj së fundmi Që nëse je një burrë, të kesh një grua të mire E nëse je një grua, të kesh një burrë të mirë. Nesër, pasnesër e sërish të pasnesërmen Edhe sikur rraskapitur të jeni Ta gjeni buzëqeshjen si në t’parën ditë dashuruar të jeni gjithnjë!
E nëse të gjitha këto ndodhin për ty Atëherë, s’do të kem më asgjë të të uroj!./ KultPlus.com
Lah Nimani ka qenë legjenda e boksit kosovar. Edhe boksieret tanë shqiptar si Luan Krasniqi, Elvir Muriqi etj, u mbetet pikë në zemer se do të arritnin më shumë në boksin amator dhe profesionist po të kishin punuar me profesorin që të gjithë e quanin Baca Lah.
Ai fitoi çdo gjë në boksin amator duke fituar pesë here titullin e ish-Jugosllavisë, gjashtë herë nënkampion i ish-Jugosllavisë dhe tre here vendin e tretë në ish- Jugosllavi. Ai përgaditi për katër herë boksier për Lojrat Olimpike (1976,1980,1984,1988). Baca Lah ka edhe medaljen e artë në Lojrat Olimpike si trainer në Moskë (1980) të Rusisë me boksierin serb, Sllobodan Kacar, gjë që asnjë shqiptar deri më sot nuk ka sjell medalje të artë.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje në Skënderaj ndërsa atë të mesme në Prishtinë (Shkolla normale) për të vazhduar studimet në Universitetin e Beogradit (Fakuleti i Edukatës Fizike).
Gjatë studimeve në Beograd ai kishte fatin të punonte me një profesor të zotin i cili e mësoj shumë gjëra të sporteve luftarake dhe këtë Lahu e shfrytëzoi mjaft mire dhe sjelli mësimin a atjeshëm në vendin tonë çka nuk e kishte bërë asnjë shqiptar më pare.
Fillimisht Lah Nimani të cilët të gjithë e kishin njohur me nofkën “BACA LAH” pas diplomimit ishte punësuar si Arsimtar i edukatës fizike në qytetin e Mitrovicës. Pas një kohe fillon të punoj në klubin e boksit “Akumulatori “ ku ishte edhe zanafilla e parë për boksin e atëhershëm. Pas suksesit që kishte me ekipin Akumulatori ekipi i boksit Prishtina kishte filluar t`a gjurmonte dhe në mes të stinorit 1973-74 baca Lah transferohet në ekipin e Prishtinës. Ekipi i Prishtinës kishte boksier të shkëlqyer mirpo i mungonte një strateg i cili do të arrinte suksese me ta.
Prishtina u bë ekip me nam jo vetem në Kosovë por edhe në tërë ish-Jugosllavinë. Boksieret si Nazif Gashi, Bajram Hashani,Mehmet Bogujevci, Xhevdet Peci, Aziz Salihu, e shumë tjerë filluan që popullit tone t`ju sjellin medalje krejt këto falë punës së palodhshme të Lah Nimanit.
Në vitin 1998 Lah Nimani shkoj ta vizitonte të birin në Oklahoma të SHBA-ve, atëhere filloj Lufta në Kosovë dhe nga ajo kohë legjenda Nimani jetoi atje derisa vdiq më 20 shkurt 2008./ KultPlus.com
Kontributi i etnomuzikologut, Haxhi Dalipit në sferën muzikore është tejet i madh, aq sa ai mori titullin “Artist i Merituar”.
Ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në etnomuzikologjinë shqiptare, ka krijuar dhe riorkestruar shumë këngë e valle popullore shqiptare, nga të gjitha trevat e Shqipërisë, që nga Kosova, Tropoja, Shqipëria e Mesme e Labëria, duke i sjellë rifreskuara për publikun. Ka shkruar romanca, balada, rapsodi e opereta për fëmijë.
Në shkollën e mesme e studioi për flaut. Më pas ndoqi studimet e larta pranë Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë për kompozicion dhe dirigjim. Pas përfundimit të studimeve, për vite me radhë drejtoi Ansamblin “Labëria” në Vlorë, duke e bërë atë një nga ansamblet më të mira në vend. Në vitin 1988 krijoi orkestrën simfonike dhe filarmoninë e qytetit. Punoi si dirigjent kori në Vlorë, si pedagog në Akademinë e Arteve dhe Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar.
Deri një vit më parë, Dalipi ishte drejtor i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Në krye të këtij institucioni i cili e kishte humbur shkëlqimin e dikurshëm, Dalipi u mundua të rikthente publikun, të organizonte koncerte dhe të ringjallte edhe njëherë korifenjtë e muzikës dhe valles shqiptare.
Të munguara për vite me radhë, ai i ktheu ansamblit turnetë nëpër rrethe dhe pjesëmarrjen në aktivitete dhe festivale ndërkombëtare. Ai u dorëhoq nga drejtimi i Ansamblit, kur Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve vendosi ta kalonte atë sërish nën varësinë e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Ai vdiq në vitin 2006. /dp/ KultPlus.com
Reality show i famshëm holandez “Kush është i infiltruari” është ndalur këtë herë në Gjirokastër dhe Durrës, duke promovuar këto destinacione turistike shqiptare te publiku holandez.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro solli sot momente nga ky program televiziv, që ka zgjedhur Shqipërinë për xhirimet e radhës.
“Mirëmëngjes nga mbrëmja e djeshme që mblodhi sërish disa milionë teleshikues rreth ekranit të AVROTROS në Hollandë, për të parë “reality show”-n më të ndjekur që këtë sezon ka zgjedhur Shqipërinë e bukur, si skenën ku zhvillohen aventurat e personazheve”, tha Kumbaro.
Ajo theksoi se “Gjirokastra, ishte kryefjala e episodit te mbrëmshëm që shpalosi bukurinë e jashtëzakonshme te gurit të punuar në shekuj dhe magjepsjen e artizanatit që mbahet gjallë nga duarartat e Gjirokastrës së sotme”.
“Po ashtu edhe Durrësi, me intensitetin e portit dhe hapësirat e plazhit që nuk munguan, si për të treguar se Shqipëria është e bukur se i ka të gjitha brenda si një zemër e madhe, i ka të gjitha në një”, tha Kumbaro.
Shqipëria është përzgjedhur si destinacion për xhirimet e 12 serive të sezonit 22 për vitin 2022 të emisionit televiziv më të shikuar në Holandë, (Cili është i infiltruari?).
Në emisionin me audiencë prej mbi 4 milionë shikuesish, 11 konkurrentë, personazhe VIP holandezë erdhën në Shqipëri dhe xhiruan lojërat me sfida dhe aventura, në vendet më të bukura dhe mbresëlënëse të Shqipërisë.
Emisioni Wie is de Mol? shfaqet çdo vit në Holandë, që prej vitit 2000.
Përpara Shqipërisë, destinacionet e këtij programi kanë qenë gjithashtu vende nga më të veçanta të botës, si psh., Australi, Zelandë e Re, Shtetet e Bashkuara, Kinë, Kanada, Kolumbi, Portugali, Argjentinë, Tajlandë, Meksikë, Jordani, Japoni, Irlandë e Veriut, Skoci, Itali, El Salvador, Nickaragua, Islandë, Spanjë, Gjeorgji, Republika Ҫeke, Afrikë e Jugut, Hong-Kong, Filipine, Sri-Lanka, Republika Domenikane./atsh/ KultPlus.com
Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, ka publikuar disa fotografi gjatë vizitës së saj të fundit në gjigandin metalurgjik “Trepça” në 33 vjetorin e nisjes së grevës së urisë, shkruan KultPlus.
Rizvanolli ka shkruar në “Facebook” se 20 shkurti është datë që na bën të ndalemi e të reflektojmë për gurëthemelet që e kanë bërë të mundur vetë ekzistencën tonë.
“Rëndësia e muajit shkurt për Republikën e Kosovës shtrihet në dy data. Përderisa 17 shkurti na shtyen të shohim të ardhmen e Republikës tonë dhe na nxitë të punojmë palodhshëm për një zhvillim e properitet të hovshëm, 20 shkurti na bën që të ndalemi e të reflektojmë për gurëthemelet që e kanë bërë të mundur vetë ekzistencën e Republikës tonë”.
Ajo shtoi tutje se 1 mijë e 300 minatorët morën mbi supe peshën e rëndë të rezistencës.
“33 vite më parë, 1,300 minatorë morën mbi supe peshën e rëndë të rezistencës e cila nuk u lehtësua pas 8 dite urie por veçsa u rëndua në javët, muajt e vitet në vijim nga përndjekja politike që pësuan”.
Përpos gjithave, Rizvanolli gjithashtu tha se vlerën e kësaj tashmë e bartë historia.
“Por ishte po ajo peshë që ka shërbyer si katalizator i rezistencës paqësore, të domosdoshme e kritike për të luftuar regjimin monstruoz të kohës. Është nder e kënaqësi që këtë përvjetor ta kujtojmë sot së bashku me minatorët e Trepçës”.
“Greva e nisur në Trepçë, ka motivuar e nxitur lëvizje revolte paqësore por konsistente e të fuqishme jo vetëm në vendin tonë por në të gjithë rajonin për idealet e përbashkëta të demokracisë, drejtave njerëzore, autonomisë e drejtësisë”. /KultPlus.com
Filigrani është arti i punimeve me argjend, një zeje e cila për shekuj me radhe ishte tradite e Shkodrës dhe Prizrenit por që po harrohet.
Në kryeqendrën e veriut, pas kaq shume vitesh është Aurora me profesion ekonomiste por qe ka vendosur të ktheje këtë mjeshtëri.
Hasan Meqani ka punuar 22 vite në artistiken e Shkodrës.
Kaq vlere ka filigrani sa gjatë periudhës se komunizmit, i gjithë prodhimi është shitur jashtë vendit.
Por a ia vlen të rikthesh një mjeshtëri qindravjeçare por që sot është drejt zhdukjes ?
Punishtja është konceptuar edhe si një pikëtakimi e turisteve të huaj, ku njihen nga afër me të kaluarën dhe te tashmen e artizanatit shkodran./ KultPlus.com
“Correspondance d’Orient” ka botuar, me 1 dhjetor 1908, në faqen n°7, një shkrim në lidhje me letrën e presidentit të Lidhjes belge per të Drejtat e Njeriut drejtuar asokohe atij francez për të mbështetur lirimin e Dervish Himës, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Z. Georges Lorand, president i Lidhjes belge për të Drejtat e Njeriut, sapo i ka dërguar letrën e mëposhtme z. Francis de Pressensé, president i Lidhjes franceze për të Drejtat e Njeriut :
“Disa miq shqiptarë, rumunë dhe belgë, në veçanti gazetarët nga foltorja (tribuna) e Dhomës, më kërkojnë që të ndërhyj urgjentisht te xhonturqit që drejtësia të vendoset për kolegun tonë fatkeq Dervish Hima, një patriot shqiptar, shumë i njohur në Bruksel, ku ka qenë pjesë e shtypit parlamentar gjatë mërgimit të tij dhe ku mori pjesë veçanërisht në konferencën e Francis de Pressensé, për të drejtat e zezakëve.
Ai u kthye në vendin e tij për të përfituar nga liritë kushtetuese, për të mbrojtur idetë e tij dhe për të kandiduar për Dhomën e Përfaqësuesve. Ai është një patriot shqiptar, ndoshta separatist, nuk e di, por kjo do të ishte padyshim e drejta e tij dhe në një regjim lirie, as propaganda separatiste nuk do të ishte një shkelje.
Megjithatë, sapo mbërriti në vendin e tij, Dervish Hima u fut në burg nga autoritetet turke dhe miqtë e tij më sigurojnë se flitet për ta varur pas një gjykimi të shkurtuar pa asnjë garanci, sepse turqit e konsideronin një kundërshtar veçanërisht të rrezikshëm.
Nuk dua të besoj se xhonturqit që sapo kanë realizuar, nën duartrokitjet e Europës, një revolucion kaq të bukur për lirinë dhe të drejtën, mund të lejojnë që ai të çnderohet nga një akt i tillë, dhe jam i bindur se do të mjaftonte që Lidhja për të Drejtat e Njeriut t’u kishte vënë në dukje situatën e Dervish Himës, që ata të vepronin në favor të tij me energjinë dhe shpejtësinë e tyre të zakonshme dhe ta linin atë të lirë, edhe sikur ta konsiderojnë kundërshtar, që të mbrojë kandidaturën para bashkëqytetarëve.
Nëse ai akuzohet për një vepër penale, do të ketë gjithmonë kohë për t’i bërë një gjyq të rregullt, të rrethuar nga garancitë e drejtësisë së paanshme.
Menjëherë për këtë i shkrova mikut tim Ahmed Riza, duke kërkuar ndërhyrjen e tij. Miku dhe kolegu im i shquar Hector Denis, sapo i ka shkruar për të njëjtin qëllim, dhe ju bëj thirrje, miku im i dashur, në mbështetjen tuaj të plotë dhe ju lutem të veproni me të gjitha fuqitë tuaja në favor të Dervish Himës.”/ KultPlus.com
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot në ditën e lindjes poetin Havzi Nela (20 shkurt 1934-10 gusht 1988).
Lindi më 20 shkurt të vitit 1934, në fshatin Kollovoz të Kukësit. Pasi kreu shkollën fillore dhe të mesme, filloi studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës, por u përjashtua për bindjet e tij, i cilësuar si element destruktiv. Pas shumë vështirësish, filloi punë si mësues në shkollën fillore të Planit të Bardhë, në Mat. U dëbua dhe nga ky fshat për shkak të aktivitetit të dyshimtë: u lexonte nxënësve poemat e tij.
Më vonë arriti të përfundonte Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës me korrespondencë. Punoi si mësues në fshatra të ndryshme, si Kruma, Lojma dhe Shishtaveci, deri në vitin 1967, kur u transferua në Topojan. U mor në paraburgim shumë herë dhe kontrollohej vazhdimisht. Kufizohej mbi llojin e punës që mund të bënte dhe ku mund të jetonte. Më 26 prill 1967, bashkë me të shoqen, Lavdien, kaluan kufirin me Kosovën.
U arrestuan nga ushtarët jugosllavë dhe u burgosën në burgun e Prizrenit. Më 6 maj 1967, jugosllavët i kthyen në pikën kufitare të Morinës, në këmbim të shqiptarëve nga Kosova, që qeveria komuniste e Enver Hoxhës ia dorëzonte policisë sekrete jugosllave, UDB-së.
Më 22 maj 1967, u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg për kalim të paligjshëm kufiri. E gjithë pasuria e tij u konfiskua. E shoqja u dënua me dhjetë vjet burg. Më 8 gusht 1975, i shtuan edhe tetë vite të tjera. U lirua më 19 dhjetor 1986, por vetëm për një kohë të shkurtër. Më pak se një vit më vonë, më 12 tetor 1987, u internua në fshatin Arrën.
Më 24 qershor 1988, Gjykata e Lartë hodhi poshtë kërkesën e Lavdie Nelës, dhe ai u dënua me varje. Është dekoruar me medaljen “Martir i Demokracisë”./ atsh/ KultPlus.com
Gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti pati një drekë pune me ndërmarrës dhe investitorë të huaj në kuadër të Forumit Angermyer të Politikës dhe Inovacionit, ku prezantoi mundësitë dhe potencialin për investime në Kosovë.
Ai i njoftoi pjesëmarrësit me reformat e nisura në drejtësi dhe administratë publike, prioritetet e qeverisë, planet afatgjate, dhe parametrat ekonomikë të vitit 2021, të cilët tregojnë për rritje të eksporteve, investimeve të huaja, qarkullimit vjetor të bizneseve dhe konsumit privat.
Besimi në qeveri është i madh, shtoi kryeministri dhe kjo është pasqyruar edhe nga përmirësimi rekord vjetor për 17 vende në indeksin e perceptimit të korrupsionit të raportit të Transperancy International. Së fundmi, kemi miratuar ligjin për themelimin e Gjykatës Komerciale, e cila do të jetë në shërbim të rritjes së efikasitetit të trajtimit të konteksteve ekonomike, ndërkaq, që në të njëjtën kohë jemi duke i rishikuar ligjet ekzistuese për Investimet Direkte të Huaja, Investime Strategjike dhe Zonat Ekonomike me qëllim ofrimit të kushteve sa më të favorshme dhe përshtatshme, tha më tej kryeministri Kurti.
Duke i ftuar për të investuar në Kosovë, kryeministri tha se këta indikatorë dëshmojnë se Kosova paraqet një mjedis biznesor, që do të mund ta bëjë Republikën e Kosovës destinacionin më tërheqës dhe konkurrues në Evropën Juglindore për Investime të Huaja Direkte, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së. /KultPlus.com
“Adio, gjakftohtësi, armë e shkrimeve të mija! Pse vallë? Kjo siç duket është merita jote. Unë në përgjithësi kurrë nuk kam hapur sytë rrugëve pas fustaneve, po tani i kam mbyllur fare – kudo vetëm ty të shoh”. Deri në fund të jetës, Dritëro Agolli e deshi Sadijen, jo sa vetja. Ai thotë, edhe më shumë. Do të mjaftonin vetëm disa letra, shkëputur nga një letërkëmbim i gjatë, për të kuptuar, ndoshta jo gjithçka, por diçka nga ajo ndjenjë e thellë që i lidhte. Ai, tashmë poet e shkrimtar i konsoliduar, “në moshën e Krishtit”, siç thotë ai, ndërsa ajo, një vajzë, që sapo kishte mbaruar shkollën e punonte si mësuese letërsie në Shkodër.
Ai në Tiranë, ndërsa ajo në Shkodër. Një distancë e gjatë asokohe, kur mjetet e transportit ishin të kufizuara, ndërsa ato të komunikimit përmblidheshin në ndonjë telefon të rrallë, letra e telegrame, shkruan Panorama. Sot, në botën e teknologjisë, së skype-it, whatsapp-it, facebook-ut, ato letrat e zverdhura nga koha dhe të shkruara me dorë, janë edhe më të vyera dhe të papërsëritshme. Aq më tepër kur shkruhen nga njerëz të letrave. Në ditën e 75-vjetorit të Sadijes dhe në prag të ditëlindjes së Dritëroit, po botojmë disa letra që dy të dashuruarit i dërgonin njëritjetrit në vitet ’60. Dritëroi, që nuk para i kishte shumë qejf telefonat, vlerësonte në veçanti letrat, kur ato shkruheshin me vërtetësi e ndjenja të pastra. “Njerëzit zakonisht në këto letrat e dashurisë kanë qejf të bëhen ose hamletë, të tregojnë sa vuajnë e sa janë të mërzitur nga bota, ose të bëhen si xhaxhallarë të urtë me shprehje plot mirësi e didaktikë, t’i mësojnë vajzat të mos bijen në gabime, t’u thonë atyre se ka njerëz që janë të liq e ku të di unë. Këta u shëmbëllejnë atyre njerëzve, të cilët kur flasin me femra i venë më shumë rëndësi intonacionit të zërit, gjesteve elegante, manierës së të qëndruarit dhe harrojnë të mjerët, natyrën e tyre. Fatkeqët!”, shkruan në një prej letrave dërguar Sadijes, Dritëroi. Ai është më pasionant, ndërsa ajo më e përmbajtur dhe më koncize në letrat e saj. Ndjenjat dhe mallin për Dritëronë i shpreh në pak rreshta, ndërsa ai duket se nuk lodhet duke i shkruar se sa e do dhe sa ia ndien mungesën kur janë larg. Veç dy stileve të ndryshme të të shkruarit, por edhe dy karaktereve të ndryshme, nëpër letra zbulojmë edhe dy të folme. Ai me të folurën e Devollit, ndërsa ajo të Shkodrës. “Tashti fillon edhe shkolla, kështu që do të jem gjithëmonë e zanun, por mos kujto që s’do kem kohë të lirë të mendoj për ty. Çdo natë mendoj dhe due që të shohë në andër. Ti je njeriu ma i mirë dhe ma i afërt për mue, edhe atëherë kur jam e inatosur me ty”, i shkruan Sadija. Letërkëmbimi, si forcë zakoni, por edhe si një dëshmi dashurie, ka vijuar deri në vitet e fundit të jetës së shkrimtarit, atëherë kur mendonte se fluturimet e pulëbardhave mbi liqenin e Pogradecit do të ishin të fundit që do të shihnin së bashku
Nuk e dij se ç’ka ndodhur me mua. Në moshën e Krishtit unë të bëhem kaq i papërmbajtur në çfaqjen e ndjenjave të mija? Mjafton të qëndroj pakëz në vetmi e të jepem i tëri pas teje. Kurse kur jam me shokët nuk e kam mëndjen në muhabetin e përgjithshëm. Më thonë se paskam ndryshuar kaq shumë sa s’njihem. Unë nuk kam qejf të ndryshoj natyrën time, prandaj ngushëlloj vehten, duke menduar se shokët, me që dijnë historinë time me ty, gabojnë në gjykimet e tyre. Po ç’është e vërteta unë ju jap të drejtë atyre se diçka ka ndodhur. Në mesditë të jetës dashuria qënka e çuditshme. Dua që në këtë çast të jem me ty. Ti të rrish karshi meje, të flasësh, të qeshësh. E di ti se më pëlqen qeshja jote? Ti qesh fare, fare. E sheh si është natyra e njeriut e dyfishtë? Unë në tregime e në vjersha jam shumë i përmbajtur, apo jo? Edhe në shkrimet e dashurisë bile jam i përmbajtur. Po kur nis të të shkruaj ty dhe e humb gjakftohtësinë. Adio, gjakftohtësi, armë e shkrimeve të mija! Pse vallë? Kjo siç duket është merita jote. Unë në përgjithësi kurrë nuk kam hapur sytë rrugëve pas fustaneve, po tani i kam mbyllur fare – kudo vetëm ty të shoh. Letra është një shprehje e çastit.
Sikur ne t’i shkruanim letrat e t’i mbanim pa i dërguar qoftë edhe një ditë, natyrisht po të ishim në gjëndje shpirtërore normale, të tretën ditë do t’i grisnim e do të thoshim me vehte: ç’marrëzi kemi shkruar! Të tri letrat që të kam nisur para kësaj kanë plot marrëzira, se shpirtërisht nuk kam qënë mirë. Po mos u mërzit, njeriu duhet të ketë edhe çaste marrëzie, se do të na mbyste atëherë monotonia. Duhet të zbavitemi me ndonjë letër me nuanca anormale. Njerëzit zakonisht në këto letrat e dashurisë kanë qejf të bëhen ose hamletë, të tregojnë sa vuajnë e sa janë të mërzitur nga bota, ose të bëhen si xhaxhallarë të urtë me shprehje plot mirësi e didaktikë, t’i mësojnë vajzat të mos bijen në gabime, t’u thonë atyre se ka njerëz që janë të liq e ku të di unë. Këta u shëmbëllejnë atyre njerëzve, të cilët kur flasin me femra i venë më shumë rëndësi intonacionit të zërit, gjesteve elegante, manierës së të qëndruarit dhe harrojnë të mjerët, natyrën e tyre. Fatkeqët! Me këtë, pa ditur edhe vetë, bëhen të mërzitëshëm. Unë sot gjithënjë kam jetuar me ty. Shkonja në rrugë – isha me ty, shkonja në kafe – isha me ty, shkonja në bibliotekë të kërkonja ndonjë libër – isha me ty. Po ç’u bë kjo, thosha me vehte, ëngjëll mbrojtës? Dreq o punë. Është mirë kur të duan, apo jo? Po jo kur të duan “se na bashkojnë zakonet dhe afërsitë krahinore”! Kur të duan krejt ndryshe, krejt pa përcaktuar, pa rregulla, atëherë mund të jesh e lumtur. Unë nuk kam qef të më duan me rregulla, nuk dua të hyj nëpër unazë si akrobat. Bile unë kam qejf kështu: nuk e ndjen vehten mirë me mua një ditë, thua: më mërzite, Dritëro, sot nuk të dua, nesër mund të të dua, m’u çduk tani nga sytë! Çaste të tilla ka, apo jo? Po njeriu është edhe rrufjan-hipokrit, që ka frikë të hapet e të shprehë gjithënjë të vërtetën. Megjithëse ti kështu nuk më ke thënë asnjëherë, po unë ka patur raste, që çaste të tilla, të shkurtra fatmirë- sisht, i kam nuhatur. E dij që këto janë në natyrën e njeriut, prandaj as jam mërzitur fare. Po mos nuhatnja të tilla çaste, unë nuk do të të desha dhe nuk do martohesha me ty. I marrë, do thuash, po është e vërtetë. Tani të të them pse nuk të kam marrë në telefon. E di ti se unë nuk kam qef të flas në telefon se më mbarohen fjalët? S’di ç’të them. Që të flas, unë dua ta shoh njerinë, ose ta përfytyroj. Në telefon as e shoh, as e përfytyroj. Nuk e kuptoj se si më ka lindur kjo mani e pse më mbyllet goja në telefon. Duhet të jetë ndonjë sëmundje! Prandaj mos ma merr për të keq që nuk të kam telefonuar. Në Durrës nuk kam shkuar për të pyetur atë shokun tim, se ç’bëri me syzet që kam porositur për ty. E kam marrë ca herë në telefon, po ka qënë me leje dhe nuk më ka dalë. Kam filluar të bëj një jetë më normale, më realiste. Për librin tim* me tregime kam pyetur në ndërmarrje të botimeve e më kanë thënë se së shpejti duhet të dalë në qarkullim. Më nxori mjaft telashe ky libër. Sipas numrit ky është libri i katërt që botoj, po më i vështiri dhe më i ngatërruari. Ky i pesti me vjersha që po pregatit s’besoj të ketë fatin e tregimeve. Në vjersha jam në terrenin tim dhe di të orientohem, megjithëse një zvaranik më tha se shumë vjersha duhet t’i heq. Lexova një libër nga Dostojevski dhe më ka lënë pa gjumë me tipat dhe figurat e tij të tmerrshme. Një burrë tërë natën mendon para qivurit të gruas së tij, që ka vrarë vehten. Cilat kanë qënë arësyet që gruaja e tij vrau vehten? Rreth kësaj shkruhet tregimi. Ka një moment të hatashëm Burrin e ka ftuar një njeri në duel (përpara se ky të martohej). Ai refuzon, nuk pranon të bëjë duel. Të gjithë e quajnë frikacak. Pas shumë situatash gruaja e çdashuron atë. Ai është shtrirë e fle. Ajo merr revolen dhe ia vë në tëmbth tytën e hekurt. Ai hap sytë, e shikon me gjakftohtësi tytën dhe i mbyll prapë. Gruaja tronditet. Përherë të parë kupton se ky nuk është frikacak. Po si është e mundur që refuzoi duelin? “Të refuzosh duelin – tha ai – kërkon më shumë burrëri!” Me të vërtetë është tregim i fortë. Gjynah që ti nuk e lexon dot. E kështu, moj e dashur, mjaft griva, po e mbyll letrën. Të puth, Dritëro 19.8.1964 *Bëhet fjalë për librin “Zhurma e erërave të dikurshme”, botim i ndaluar në vitin 1965.
*** E dashur Sadije, Kjo është letra e fundit për 1964-n. Bukur ndodhi me ne. Na ishin dy njerëz diku në një qytet, u takuan, u dashuruan. Viti ecte, ecte. Dhe kështu erdhi dita e fundit e 1964. Njeriu ditën e fundit të vitit bëhet pak fillosof, apo jo? Të kujtohet kur më ke takuar mua me një shishe në dorë vjet në këtë kohë? Ku ta dinje ti se ai njeri me atë shishe një ditë do të bëhej burri yt? E sheh sa të papritura ka në një vit? Po ti mund të mos bëheshe gruaja ime. Kudo që të ishe e me këdo që të takoheshe ti do të ishe njeri i mirë dhe i bukur. Ndofta unë ty të kam ëndërruar edhe në vite të tjerë, edhe pa të parë? Ë, ku ta dish? Po bëhem pak mistik e qesharak. Në fund të këtij viti, plot dashuri për ty, të uroj të jesh e mirë, e bukur, e dashur. Unë jam ngaherë edhe burri, edhe i dashuri yt. Të puth shumë, shumë.
Dritëro
*** E dashur Sadije, U ktheve në shtëpi e lodhur, po me fitore. U bëre zyrtarisht gruaja ime. S’ka tani tërc mërc. Emrin tim e ke edhe në pashaportë. Bëjmë shaka, se s’ka ndonjë rëndësi një vulë e thatë. Ne edhe sikur mos e kishim atë vulë prapë bashkë do të ishim. Sa u lodhe dhe sa nerva prishe ato nja dy ditë që isha unë në Shkodër. Po kushdo që të ishte ashtu do të mërzitej si ti. Nisesh për një gjë serioze e të del përpara një pengesë mizerabël! Mua më vinte shumë keq për ty. Po mirë që mbaruam shpejt. Unë ty të dua gjithënjë e më shumë. Mos kij për këtë asnjë dyshim. Edhe celebrimin e bëmë, edhe e duam shoku shokun. Vetëm, me që janë bërë tërë formalitetet, ti duhet të vish ndonjëherë në Tiranë. Llogjikisht tani nuk duhet të kesh asnjë pengesë nga asnjeri. Të them të vijsh se mua ngaherë më merr malli për ty. Dje, pas celebrimit tonë të famshëm, unë kam qirasur gjithë ata njerëz. Të trashëgohesh, thosh njeri; të trashëgohesh, thosh tjetri. Sikur ne u fejuam dje! Siç duket ajo e djeshmja paska rëndësi dhe u quajtka si martesë. Sot më erdhi telegrami yt dhe u gëzova që e ndjen vehten mirë. Kur u nise dje unë u trëmba, se do të sëmureshe shumë rrugës. Lutjen a e bëre? Mos e lërë pasdore dhe mos i nënvleftëso formalitetet, si unë se ngatërron punën siç e ngatërrova unë në zyrën e gjëndjes civile në Shkodër. Po më mirë që e bëmë celebrimin në Tiranë, u bë më natyrshëm e më njerzishëm. Edhe Qakua me Vaskën ishin simpatikë. Eja papritur ndonjëherë. Të puth shumë Dritëro 7.1.1965
*** I dashtun, në Shkodër po bjen borë. Ç’mrekulli? Sikur të ishe dhe ti do të ishte edhe ma mirë. Megjithëse ndejta deri tashti tue ba plane simestrale, gëzimi i dëborës së parë që po bjen nuk më asht shue. Kjo dëbora lidhet gjithëmonë me kujtime të bukura. Nesër filloj edhe shkollën, do dalë të bajë disa fotografi. Sot më dukesh sikur të përcillnja në ndonji vend të afërt, sikur ti do të vijsh përsëri së shpejti. Vetëm kur ikën më kap mërzija. Tashti e shoh sa e lidhun jam me ty. Mirë thue ti jemi lidhë me fije të padukëshme aqë keq sa nuk mund të zgjidhemi ma. Tashti hajde mbas tre javësh se këtu harxhon edhe shumë të holla. Unë të premtoj se nuk do të mërzitem. Tashti fillon edhe shkolla, kështu që do të jem gjithëmonë e zanun, por mos kujto që s’do kem kohë të lirë të mendoj për ty. Çdo natë mendoj dhe due që të shohë në andër. Ti je njeriu ma i mirë dhe ma i afërt për mue, edhe atëherë kur jam e inatosur me ty. Mor fishek meqënëse ke premtue se do të mbarojsh novelën, puno, mos u sill shumë. Artikullin a e shkrove, do të kesh mendue mjaftë në autobuz. Katër orë nuk i thojnë pak, mandej bashkëudhëtari nuk besoj të të ketë mbajtë me muhabet. S’kisha pse të bahesha xheloze. Po shkoj të fle se ora shkoi vonë. Të puth përpara se të marrë gjumi, sidomos synin që nuk të sheh para mirë. Do ta shëroj edhe atë me të puthuna. Të puth shumë Sadija P.S. Sot sa ika prej shkollës së tregtisë, mora tre letrat e tua. Natën e mirë i dashtun 8.II.1965
*** Gjëra të padukshme Kam lënë tek ti mishin, kockat, flokët qime për qime. Dhe po ta hapësh shpirtin e gjen dhe zemrën time Ku fshihet një koleksion që as ti s’e kupton… Në verë do të shkojmë në një hotel buzë liqenit. Atje do të ndjekim me sy pulëbardhat që shpërndahen e bashkohen mbi cipën e kaltërt, duke formuar një lule të bardhë të madhe, që zhduket e shfaqet, që shpërbëhet dhe bëhet përsëri mes thirrjesh të sinqerta gëzimi. Ne, dy pleqtë të ulur në ballkon, do t’i ndjekim me sy këto qenie të bardha duke psherëtirë. Pak kohë na ka mbetur ta soditim këtë mrekulli! A mbase do të jetë hera e fundit… Verë 2014, Tushemisht, Pogradec
*** E dashur Sadije, Të dua si jetën time, madje edhe më shumë; dëshiroj sinqerisht që unë të vdes dhe ti të jetosh. Unë edhe i vdekur, do të ndjek për të të parë buzëqeshjen tënde, megjithëse kjo buzëqeshje, brenda errësirës së varrit nuk duket, por unë do të bëj të pamundurën, qoftë edhe me anën e një fluture, që do të dalë nga kockat e mia. 13 maj 2014. /KultPlus.com