Një ngjarje e paprecedentë është regjistruar në Prishtinë, një qytetare ka denoncuar një vajzë shofere, e cila për pak e ka përplasur në vijat e bardha.
Por sikur të mos mjaftonte kjo, shoferja e ka ofenduar dhe e ka kërcënuar gruan që për pak sa nuk e përplasi.
Në një moment dëgjohet teksa thotë se e ka babain prokuror. Në disa momentet të tjera ajo përqesh gruan që kalonte në vija të bardha dhe kryen veprime të papërshtatshme.
Mësohet se gruaja po kalonte vijat e bardha bashkë me fëmijën e mitur.Më pas qytetarja tërhiqet nga disa burra, pasi shoferja e inatosur vijon ta ofendojë.
Deri më tani nuk është njoftuar asnjë veprim nga policia e Kosovës, për këtë rast të rëndë./ KultPlus.com
Në pjesën ballore te kodrinës, ku tufa bagëtishë kishin zënë pjesën ku do të përfundonte Koloneli, Vlera e çmendur u ndal.
“Kolonelin e vrarë do ta hudhin në gropën e coftinave…”
Gazetari amerikan, ende me tronditjet në kokë kur te lapidari i fundit turma e militanteve me çirrjet shfrenuese “vdekje tradhëtarit”, arkivolin e Kolonelit e mbuluan me një flamur të madh jugosllav, sikur të kërkonte shpjegime, një copë herë, derdhi shikimin nga Vlora.
“Kjo është një hakmarrje ndaj njeriut që i kishte mbrojtur nga paramilitarët në çastet më të vështira, kur të tjerët ia kishin mbadhur…”
Gazetari amerikan deshi t’i thoshte se një poshtërim të tillë nuk mund ta merrte me mend, meqë të vdekurit edhe në vendet më mizore, së paku, sa për sy e faqe nderohen, por Vlera e çmendur i tha se në këtë botë të çoroditur skajshmërisht, ku e keqja merret si e mirë dhe e mira e keqe, ç’e do që shpëtimtarët urrehen, ndërsa vrasësit kremtohen!
(Shkëputje nga romani “Mona”, Prishtinë, 2021)./ KultPlus.com
Ki guxim t’i shërbesh arsyes tënde! Këtë ka kërkuar Immanuel Kant (1724-1804). Filozofi i famshëm e përkufizoi Iluminizmin si “daljen e njeriut nga papjekuria e vetvetes”. Për të qenë i lirë, njeriu duhet të ndjekë rrugën e arsyes dhe t’i mbajë nën kontroll ndjenjat dhe instiktet.
Gottfried Wilhelm Leibniz
Iluministi i hershëm, Leibniz (1646-1716) konsiderohet shpesh si dijetari i fundit universal. Që para Kantit ai formuloi një maksimë të rëndësishme të iluminizmit: Çdo njeri i ka aftësitë për një jetë dinjitoze. Sipas tij, të gjitha virtytet e njeriut mund të zbeheshin, – vetëm arsyeja jo.
Johann Gottfried Herder
Filozofi dhe shkrimtari studioi në Kënigsberg, ka qenë edhe nxënës i Kantit. Herder (1744-1803) në librin “Ide mbi filozofinë e historisë së njerëzimit” ai e sheh zhvillimin e njeriut si një maturim organik drejt humanizmit. Ai kujton se parimi i tolerancës duhet të vlejë për të gjithë popujt dhe kulturat.
Gotthold Ephraim Lessing
Toleranca, Liria dhe Vetëdija e re e qytetarisë – këto mendime janë filli i kuq në dramat dhe shkrimet teorike të Lesingut (1729-1781). Në shkrimet e tij filozofike ai kritikon dogmatizmin dhe angazhohet për trajtimin e barabartë të besimeve fetare.
Nathan i Urti
Këto ide Lesingu vazhdon t’i shtjellojë edhe në dramën “Nathan, i urti”, në një kohë kur iu ndalua të publikonte teoritë e tij. Kjo pjesë teatrale ende vihet në skenë (në foto me aktorin Klaus Maria Brandauer Vjenë 2004), sepse tema e tolerancës fetare ende sot është aktuale.
Moses Mendelssohn
Drama “Nathan i urti” është njëkohësisht një homazh për mikun e ngushtë të Lesingut, Moses Mendelssohn (1729-1786). Iluministi hebre e frymëzoi Lesingun për figurën e Nathanit, dhe luftoi për tolerancën fetare.
Theodor W. Adorno
Si mundi të ndodhte, që megjithë iluminizimin, “mbiu fara e barbarisë së re” – fashizmi? Me këtë çështje merret Theodor Adorno (1902-1969) në vitet 40-të, në kohën e emigracionit në Amerikë së bashku me Max Horkheimer. Së bashku ata shkruan “Dialektika e zhvillimit.”
Adorno e Horkheimer
Morali, kultura dhe shkenca përcaktohet nga formalizmi i pastër i “arsyes së instrumentalizuar”. Sidomos Horkheimer (1895-1973 majtas) thekson se me këtë individi rrezikon vetveten. Adorno dhe Horkheimer trajtojnë rënien pre të individit ndaj ideologjive totalitare.
Jürgen Habermas
Filozofi dhe sociologu i lindur në Dyseldorf Jürgen Habermas (1929) bën pjesë tek intelektualët më të njohur të së tashmes. Ai e vazhdoi më tej Teorinë Kritike; sipas tij ndërveprimet komunikative krijojnë bazën e shoqërisë. Këto janë të orientuara drejt arsyes. /KultPlus.com
John Wick: Regjisori i Kapitullit 4 ishte pjesë e panelit të San Diego Comic-Con 2022, përcjell KultPlus.
Edhe Chad Stahelski ishte pjesë e panelit, përpara se të mbërrinte Reeves, duke thënë: “Më falni që prisha festën, ata më hodhën këtu”.
Seriali hiper-dhunshëm i John Wick ndjek vrasësin e heroit me emër, të luajtur nga Reeves, ndërsa ai përpiqet të hakmerret ndaj atyre që i kanë bërë keq.
Në filmin e ri “John Wick: Chapter 4” veç Reeves me role paraqiten edhe: Laurence Fishburne, Ian McShane, Donnie Yen, Hiroyuki Sanada, Rina Sawayama, Shamier Anderson e Lance Reddick.
Stahelski dhe Reeves zbuluan se filmi zhvillohet në pesë vende kryesore: Japoni, Amerikë, Paris, Berlin dhe Jordani. /KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti ishte një ndër folësit në hapjen e një prej ngjarjeve më të mëdha kulturore të mbajtur ndonjëherë në Kosovë, “Manifesta 14”, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, Kurti tha se Manifesta po e merr rimishërimin e 14-të në qytetin e Prishtinës.
Postimi i plotë:
“Manifesta 14 Prishtina Sivjet, Manifesta po e merr rimishërimin e 14-të në qytetin e Prishtinës. Të dy palët jemi edhe të lumtur edhe me fat. Ky përqafim i Manifesta-s dhe Prishtinës është pothuajse një “amor fati”: një nomad evropian udhëtues ndalon për të takuar popullin e pandalshëm të Kosovës. Vepra arti nga 103 artistë nga 30 vende, për plot 100 ditë, në 25 vende në Prishtinë, do të mund të vizitohen nga të gjithë qytetarët e vendit tonë pa pagesë. Ky është edicioni më i madh ndonjëherë i kësaj bienale të artit. Jemi të lumtur që si qeveri kemi besuar në të që nga dita e parë dhe kemi qëndruar prapa duke e përkrahur financiarisht këtë ngjarje të madhe kulturore. Pas 14 vitesh pavarësi, le ta shijojmë së bashku Manifesta 14″, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com
Klubi i futbollit “Burnley” do të jetë klubi i ri i Arijanet Muric për katër vitet e ardhshme, pas dakordimit që këta të fundit patën me Manchester Cityn, shkruan ultPlus.
Portieri i madh bëhet nënshkrimi i tetë i Vincent Kompany në afatin kalimtar të verës dhe ribashkohet me ish-shokun e tij të skuadrës në City.
Muric i lindur në Zvicër, iu bashkua Cityt në vitin 2015 nga Grasshopper, me huazime në NAC Breda, Nottingham Forest, Girona, Willem II dhe Adana Demirspor gjatë kohës së tij në Etihad.
Ndërkombëtarisht, 23-vjeçari përfaqësoi Malin e Zi në nivelin U21, përpara se të kalonte në Kosovë në vitin 2018, me 27 paraqitje të larta tani në emër të tij.
Muric deklaroi se është shumë i lumtur për këtë transferim dhe mezi pret që të takojë bashkëlojtarët e ri.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu, mezi pres të takoj shokët e mi të rinj të skuadrës tani dhe të filloj stërvitjen.
“Unë jam 23 vjeç tani, kështu që ndjej se është koha e duhur për të vazhduar më tej dhe po pres me padurim sezonin e ri.”
Një prej videove të prezantimin të tij, mund ta shikoni më poshtë. /KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama solli këtë mëngjes në vëmendjen e publikut pamje nga hedhjet me parashutë në aerodromin fushor të Gjirokastrës, sport që po tërheq gjithnjë e më shumë të apasionuar.
“Mirëmëngjes dhe dhe me këtë spektakël nga qielli mbi Aerodromin Fushor të Gjirokastrës, që tashmë me certifikimin e tij i hap rrugë një lloji të ri turizmi, atë të fluturimeve dhe hedhjes me parashutë, duke i dhënë Gjirokastrës historike edhe më shumë vlerë turistike, ju uroj një fundjavë të bukur”, u shpreh Rama në një postim në rrjetet sociale.
Për herë të parë pas më shumë se 30 vitesh, vitin e kaluar, në Gjirokastër u rikthyen fluturimet në aerodromin sportiv.
Rikthimi në funksion i aerodromit mbi 80-vjeçar të Gjirokastrës ka diversifikuar ofertën turistike në qytetin e gurtë, i cili vizitohet nga turistë vendas dhe të huaj.
Aerodromi i Gjirokastrës ka një histori gati njëshekullore. Fluturimet e rregullta në të kanë nisur zyrtarisht në vitin 1929 me linjën ajrore Tiranë-Gjirokastër-Tiranë. Fluturimet në Gjirokastër ishin ato për transportin e pasagjerëve, postës, fluturime për qëllime ushtarake, tregtare, diplomatike, madje edhe në rastet e emergjencave civile.
Qyteti i gurtë tashmë është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Botërore nën Mbrojtjen e UNESCO-s, duke bërë që Gjirokastra të jetë një nga qendrat më të rëndësishme të turizmit kulturor gjithëvjetor. /atsh /KultPlus.com
Do të vijë koha kur me një gëzim të papërshkruar do të përshëndesësh veten teksa mbërrin tek dera jote, në pasqyrën tënde dhe secili do të buzéqeshë për ardhjen e tjetrit
dhe të thuash, ulu këtu. Ha, pi. Dhe ta duash përsëri té panjohurin që ishte vetja jote. T’i japësh verë, bukë. T’i japësh zemrën tënde kësaj vetje, të panjohurit që të ka dashur.
të gjithë jetën, të cilin e ke shpërfillur për një tjetër, ai që të njeh përmendësh Merri letrat e dashurisë nga rafti,
fotografitë, shënimet e dëshpërimit, qëroje imazhin tënd nga pasqyra. Ulu. Gëzoju jetës tënde!/ KultPlus.com
Në organizim të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), sot, më 23 korrik, do të mbahet turneu kushtuar Legjendës, Fadil Vokrri, me rastin e ditëlindjes së tij.
Në këtë turne do të marrin pjesë veteranët e Përfaqësueses së Kosovës, veteranët e Kombëtares së Shqipërisë, veteranët e KF Llapit dhe veteranët e FC Prishtina.
Në ndeshjen e parë të turneut do të takohen Llapi-Prishtina, në orën 17:30, derisa në orën 19:00 do të zhvillohet ndeshja Kosovë-Shqipëri.
Ky turne do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK, teksa të ftuar do të jenë familjarët e Legjendës dhe ish-bashkëlojtarët, si Ramadan Cimili, Erdogan Celina, Skënder Shëngyli, Esat Mehmeti, Rafet Prekazi etj.
Po ashtu, të ftuar janë edhe drejtues të institucioneve të nivelit lokal të Podujevës dhe Prishtinës si dhe atyre të nivelit qendror.
FFK po ashtu u bën ftesë publike të gjithë dashamirëve të futbollit që të jenë të pranishëm në këtë turne, që në mënyrë sa më madhështore të nderohet vepra dhe karriera e Legjendës. /KultPlus.com
Fadil Vokrri njihet si “Legjenda e futbollit shqiptar” dhe mbetet futbollisti më i njohur dhe i adhuruar në Kosovë.
Në vitet ’80 Fadil Vokrri arriti kulmin e karrierës se tij. Ai e filloi karrierën e tij si futbollist me KF Llapi të Podujevës dhe më vonë kaloi tek KF Prishtina dhe luajti për një periudhë edhe me KF Partizani i Beogradit. Ai pati mundësi të arrinte edhe më shumë në karrierën e tij. Në vitin 1987 klubi i futbollit Juventus ishte i interesuar për të dhe i propozoi nënshkrimin e një kontrate disa vjeçare. Në atë vit Fadil Vokrri ishte vlerësuar si futbollisti më i mirë i vitit në Jugosllavi. Mirosllav Bllazhevic, trajneri i KF Prishtina e vlerësonte Fadil Vokrrin si sulmuesin e qendrës më të mirë në Jugosllavi. Mirëpo, në atë kohë Fadil Vokrri u thirr për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak. Sipas ligjit jugosllav, sportistët jugosllavë nuk mund të luanin jashtë Jugosllavisë në qoftë se ata nuk kishin kryer shërbimin e detyruar ushtarak përpara moshës 27 vjeç.
Fadili i rrethuar nga tifozët
Gjatë periudhës së shërbimit ushtarak ai luajti për KF Partizani i Beogradit. Në atë kohë Fadil Vokrrit iu propozua të luante edhe për Dinamo e Zagrebit. Fadil Vokrri e shpjegon kështu pse vendosi të luante për KF Partizani dhe jo Dinamo e Zagrebit: “Pikërisht “Partizani”, ka qenë ekipi i parë që ka shprehur interesim për mua. Arsyeja për të kaluar në radhët e “Partizanit”, së pari ka vendosur afërsia kilometrazhe Prishtinë-Beograd, pastaj siç dihet atëbotë të ish-Jugosllavisë, “Partizani”, ka pasur shumë simpatizues në Kosovë, sepse ky ekip gjithnjë kishte ndonjë shqiptar të aktivizuar në klub. Për nga shikueshmëria “Partizani” ka pasur Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, tri qendra kryesore për rekrutimin e lojtarëve. Edhe unë si fëmijë, si çdo moshatar i imi isha simpatizues i “Partizanit” të Beogradit, d.m.th. si shumica e kosovarëve, andaj këto ishin arsyet që unë kalova në radhët e ekipit të “Partizanit”. Kushtet që më pat ofruar ky ekip ishin shumë të mira, e qe besa edhe “Prishtina”, me transferimin tim tek “Partizani”, nuk është ndarë keq për nga “leku”, kështu që të gjitha komponentët u përmbushën që unë të bëhem lojtar i ekipit të “Partizanit”. Kam kaluar mirë në këtë ekip, mirëpo nuk kanë munguar edhe provokimet e ndryshme. Si p.sh. atëbotë kur minatorët e Trepçës, hynë në zgafellë, TV Vesti nga Beogradi, në emisionin në gjuhën shqipe në orën 17:00, më kanë ftuar që unë të bëja thirrje, që minatorët të dalin nga zgafella (kjo është hera e parë që këtë po e bëj publike), më janë paraqitur dy-tri herë emra të ndryshëm të sferës së politikës, mirëpo unë u thashë se nuk merrem me politikë dhe se janë politikanët të cilët mund të bëjnë thirrje …”.
Flamurtari – Partizani i Beogradit
Petro Ruci, lojtar i Flamurtarit të Vlorës e kujton kështu atë ndeshje dhe Fadil Vokrrin: “Detyra që na dha trajneri Leonidha Çuri ishte që unë dhe Rrapo Taho të koordinojmë veprimet tona për të ruajtur mirë sulmuesit më të rrezikshëm të Partizanit të Beogradit Milko Gjurovski dhe Fadil Vokrri. Për vetë mënyrën e lojës, që u krijua, më takoi mua të luaj ndaj bashkatdhetarit tim Vokrri. Ai ishte një lojtar i shpejtë, i fortë fizikisht, kërcente shumë në ajër dhe e godiste mjaft mirë topin me kokë. Ai ishte një futbollist mjaft i vështirë për çdo mbrojtje kundërshtare. Si i tillë, ai ishte i vështirë edhe për ne.”
Fadil Vokrri kujton nga këto 2 ndeshje: “Në takimin e parë që e zhvilluam në Vlorë, ekipi i “Partizanit”, ka qenë shumë i dobët, ku humbëm 2:0. Në Kavajë i kam 30 familje kushëri, babai im komunikonte me ta nëpërmjet letrave dhe ekipi ynë më të arritur në Vlorë, një natë para ndeshjes, kanë qenë 2000 tifozë, që më prisnin. Për mua ishte diçka madhështore, me këtë rast dua të falënderoj trajnerin tim në atë kohë Fahredin Jusufin (ish-trajner i Partizanit), i cili më dha leje speciale që të dal dhe të përshëndetem me atë tifozëri që më prisnin. Tani kur po flas po më rrëqethet trupi dhe bashkë me ta kam bërë dikund 1000 fotografi, ndoshta dikush brenda nga klubi më ka përcjellë, mirëpo lejen ma dha Jusufi. Ndërsa sa i përket lojës ““Flamurtari”, me plotë meritë fitoi 2:0″, ndërkaq në ndeshjen e kthimit në Beograd, Fadil Vokrri, shënoi golin e dytë, si dhe në Vokrrin shkaktohet penalltia, “Partizani” udhëheq 2:0, ekipi ynë luan shumë mirë, e po ashtu edhe Fadil Vokrri, njëri ndër lojtarët më të mirë në terren, mirëpo në fund të takimit Sokol Kushta shënoi gol, pastaj portieri i “Flamurtarit”, Arapi, ka qenë në formë shumë të mirë, kështu që “Partizani”, u eliminua nga garat. Humbja e “Partizanit” ka qenë shumë e rëndë, u pasqyrua shumë keq, ku thuhej se si është e mundur që një ekip si “Flamurtari”, ta eliminojë ekipin e “Partizanit” të Beogradit, me famë të madhe, kështu që vërtet humbja në Beograd, u përjetua shumë rëndë. Kjo u pasqyrua menjëherë në lojën për Kupën e ish-Jugosllavisë, kundër “Iskres” (anëtar i Ligës së Dytë), ku humbëm, kështu që humbja ndaj “Flamurtarit”, na destabilizoi në tërësi”.
Vokrri ka luajtur 12 ndeshje me ekipin përfaqësues të Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë dhe ka shënuar 5 gola.
Fadil Vokrri luan për një periudhë kohe për NIM, Francë.
Në vitet 1990-1992 luajti për ekipin e futbollit Fenerbahçe të Turqisë dhe korri shumë suksese për këtë ekip.
Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Fadil Vokrri u vendos me banim në Francë, ku u bë trajner i një ekipi futbolli të ligës së dytë.
Pas një kohe të suksesshme atje, Fadili u kthye në Kosovë dhe u bë president i Federatës së Futbollit Kosovar, FFK.
Vdiq në Prishtinë papritmas më 9 qershor 2018, pas një ataku kardiak.
Pas vdekjes së Vokrrit, stadiumi në vitin 2018 u riemërtua nga Stadiumi i Qytetit në Stadiumin “Fadil Vokrri”. Ndërsa, kujtojmë se sot shtatorja e legjendës së sportit shqiptar dhe ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), do të përurohet në stadiumin “Fadil Vokrri”. / KultPlus.com
Ishte viti 1958, një kafe rastësore tek “Vollga “,Tinka Kurtit, atë kohë i vjen premtimi për realizimin e një filmi nga regjisori Kristaq Dhramo, të cilin ajo nuk e njihte, por në sytë e saj i ngjante Shubertit.
“Isha e ulur në kafe Vollga me shoqëri në qytetin e bukur timin Shkodër. Në një tavolinë përball nesh ishte i ulur Kristaq Dhramo, ku e kishin rrethuar shumë artistë. I pyes këta të tavolinës time ,kush është Shuberti ? Jo ai është një artist i ri i cili mbaron studimet në Hungari. Pas pak ai u afrua në tavolinen tonë. Unë i thash a je Shuberti? – Ai qeshi dhe më tha me ty do realizoi filmin e parë e mbajti fjalën.”
64 vite pas shfaqet për publikun në kinemanë e Arkivit të Filmit “Tana “ tashmë i restauruar. Aktorja Tinka Kurti është e vetmja nga protagonistët e pranishme në premierë, pasi shumë prej korifejtë e kinemasë nuk jetojnë më, ndërkoh që regjisori Dhramo mungon për arsye shëndetsore. Kurti kujton se ka patur shumë makinacione që ajo të mos e marrë pjesë në film. ishin 7 aktore pretendente për të luajtur Tanën.
“Në Teatër Migjeni , nuk donin, pasi thonin se nuk e lejon biografia, këndej nga Tirana më donin. Kur unë shkova për kinoprovë gjeta në garë për këtë rol 7 aktore, mdaje unë gjeta të veshur Esmanë.”
Në magjinë e kinemasë, ishte po filmi i parë që shënoi edhe puthjen e parë, pas të cilit duhet të kalonin vite të tëra, deri në rënien e perdes së hekurt që ajo të përsëritej. Po si e kujton Tinka Kurti thyerjen e kësaj tabuje në kinema.
“Unë e kam luajtur Tanen në qefin tim. Nuk isha e kontraktuar. Naim Frashëri nuk e donte puthjen, unë nuk e kisha problem, megjithse koha ishte e vështirë dhe mentalitetit paragjykues. Ajo puthje është dhënë vetëm një herë , më pas u heq.”
Filmi i parë kaloi edhe në kalvarin e kritikave, si brenda dhe jashtë Shqipërisë, kujton Tinka.
“Por ëndrra e saj në moshën 90-vjecare është për te shkuar në Kiev i cili po lëngon nga Lufta.”
Drejtorja e arkivit të filmit Marinela Ndria jep lajmin e mirë, që tashmë filmi do të jepet jo vetëm në Korçë për të përmbushur dëshirën e regjisorit të shquat Kristaq Dhamo, por edhe në Francë.
Filmi i parë artistik shqiptare u realizua 7 vite pas inaugurimit të ish Kinostudios. Restaurimi bën që filmi të mund të shfaqet në kinema dhe të nis një jetë e re për të. /abcnews/ KultPlus.com
Mik Festival, do të rikthehet në Korçë këtë fund korriku në edicionin e tij të pestë.
Eventi që nis rrugëtimin në 29 Korrik dhe që zhvillohet nën kujdesin e sopranos Inva Mula bën bashkë artistë shqiptarë dhe të huaj.
“Ka qenë ideja e të madhes Inva Mula dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim sepse në Korçë vijnë artistë nga e gjithë e bota, artistë shqiptarë që kanë performuar në skenat e botës, kanë bërë emër andej dhe sigurisht çojnë emrin e Korçës dhe Shqipërisë në botë. Dëshiroj të them se do të kemi Elina Dunin dhe shumë e shumë artistë të tjerë”
Zamira Kita, Organizatore e Festivalit thotë se do të jenë tre netë të magjishme ku përveç muzikës së mirë do të ketë balet, pikturë dhe letërsi.
“Unë i ftojj të gjithë të vijnë në Korçë sepse përveç koncerteve,dhe këngëtarëve instrumentistë, ne do të kemi një natë me balet sepse kemi Ilir Shaqirin dhe gjithashtu në datën 31 do të shkojmë në Prespë, ku rezervojmë surpriza të bukura me të gjitah veprat e trashëgimisë sonë kulturore e historike.”
Në Korçë janë zgjedhur 4 vendndodhje që do të kthehen në skena muzikore për artistët.
Netët e festivalit do të nisin në teatrin “Andon Zako Çajupi” e do të vijojnë te hani i pazarit të vjetër, shtëpia muze e Strejo Spasse dhe ishulli i Maligradit.
Përveç edukimit me muzikë të bukur Mik Festival ka qëllim edhe promovimin e natyrës Shqiptare./ KultPlus.com
Ҫ’turp për njeriun e vetëm, që pa një mik, pa një mike, pa grua, shkon te kinemtografët, ku gjithmonë projektimet zgjasin kaq pak, dhe kaq të gjata janë intervale! Ҫ’turp për njeriun që në luftën e tij të fshehtë të nervave kundër përҫmimeve e çifteve, në holl, strehohet në një qoshe për të përtypur një ushqim duke u skuqur si për një mëkat. Më në fund, turpin, Ankthin Na mbledh në kompani të çuditshme, për shërbëtorë miqësish të padobishme që na ndjek deri në varr. Grupet formohen pa arsye : në disa grupe pihet, pihet, pihet, ne nuk japim dorëheqje për të gjykuar veten; në disa grupe të tjera merren problemet e rrobave dhe vajzave, në disa grupe të tjera flitet për çështjet ideologjike – në dukje – por po t’i shohësh mirë kanë të gjithë të njëjtën fytyrë … një mijë fytyrat e kotësisë! Herë në këtë, herë në kompaninë e zhurmshme … M’u shkrinë shumë herë – s’do të dija t’i llogarisja, tani në një kurth të ri u mbeta i kapur, por u lirova, lashë atje vetëm pak flokë! Prej tij shpëtova? Ti përpara meje, bosh i lirë, dreqi e di për çfarë duhesh! Më pëlqen, liria. Por edhe, si një grua disamata e besnike më erdhe vajzë. Dhe ti, e dashur, si ia çon? U lirove edhe ti nga kotësia? Të kujt janë tani sytë e tu të bukur bajame dhe shpatullat shumë të bardha, luksoze? Janë kaq pak vitet që nga ajo mbledhje, dhe tani – sa e neveritshme! Çfarë turpi, e dashur, çfarë turpi! Sigurisht, ti mendon se unë hakmerrem, dhe se tani po vrapoj me taxi për ndonjë aventurë të re, por edhe po në qoftë kështu, ku do duhet të ndalojë taksisti? Sepse çdo gjë është e kotë, ti shih, kotë është e pamundur që unë të shpëtoj nga ti. Me mua gratë tërhiqen në vetëvete, tani e ndjejnë që jam aq i huaj sa s’ka! Mbi gjunjët e tyre vë kokën: jo atyre – por ty të përkas unë. Por ja këtu është. Dëgjo: një ditë vajta në një shtëpi të mjerë të Rrugës Senaja. Ne varësen me brirë të varfër unë vara kapotën. Në dhomë ndodhej një bredh skiç në dhomë, ndriçuar nga flakë llambushkash, rrinte ulur pranë një gruaje, këpucët e saj të bardha farfuriin: e rreptë dhe e ngrysur në fytyrë – si një vajzë. Kishte qenë krejt kaq e lehtë – ftesa dhe leja
Për të ardhur – që shumë e sigurt për mua dhe me shumë paturpësi moderne, nuk i solla ca lule, por ca verë; pastaj doli, siç thuhet, pak më komlese Gruaja heshte, i shkëlqenin bulët e veshëve dy pika transparente – dy palë vathë jetimë. Si e sëmurë, duke më kërkuar me sy të pasigurtë, duke ngritur paksa trupin e saj të dobët, tha me zë të shrdhët: «Largohu … S’ka nevojë … E shoh: ti nuk je imi, i përket asaj … » Njëherë sapo ra në dashuri me një vajzë, me një thekë të shpërbërë mbi ballin e tij, me mënyrat e një fëmije, të egra,
dhe sy akulli, i zbehtë prej frikës dhe pikëllimit. Ishim në Krime. Një natë zuri një stuhi, dhe fëmija në magnezin e vetëtimave më thoshte nën zë: «Fëmija im? Fëmija im?»
dhe më mbuloi sytë me pëllambën e dorës. Çdo gjë përreth ishte e tmerrshme dhe solemne: dhe bubullima dhe gulçimi shurdh-memec i detit – dhe ajo pati një intuitë të papritur gruaje: dhe më bërtiti: «Ti nuk je imi, nuk je imi!» Lamtumirë, e dashura ime! Unë jam yti, zymtësisht, besnikërish, e kush është vetëm, është më besnik se të gjithë. Nga buzët e mia nuk mund të tretet në përjetësi dëbora e lamtumirës e dorashkës tënde të vogël. Në sajë të grave, në sajë të të gjitha grave të bukura dhe të pabesa, sepse e gjithë kjo zgjati një moment, sepse lamtumira e tyre nuk është një mirupafshim, sepse në falsitetin e tyre të plotë krenari sovrane, na japin vuajtje të shijshme dhe frutat e shkëlqyera të vetmisë.
Shtëpia e ankandeve Sotheby’s New York do të xhirojë për hënën javën e ardhshme, ndërsa nxjerr në ankand koleksionin personal të astronautit amerikan Buzz Aldrin, transmeton KultPlus.
Shitja ‘Buzz Aldrin: American Icon’ do të bëhet më 26 korrik. Ndër pikat kryesore është një xhaketë gjatë fluturimit që Aldrin veshi në misionin e uljes në Hënë të vitit 1969 Apollo 11, e cila ka një vlerësim të shitjeve prej rreth 1 milion dollarë deri në 2 milion dollarë.
“Kjo është një gjë tepër e rrallë,” tha Shefja Globale e Shkencës dhe Kulturës Popullore e Sotheby’s, Cassandra Hatton, duke shtuar se ishte e vetmja veshje e fluturuar nga misioni Apollo 11 në dispozicion për t’u blerë.
Një tjetër pjesë kryesore është një stilolaps që ekuipazhi i Apollo 11 përdori për të riparuar një ndërprerës të prishur, duke i shpëtuar jetën. Vlerësimi i tij është gjithashtu nga 1 milion deri në 2 milion dollarë.
Shumë nga ata që e kanë dëgjuar këngën “Kaçurrelat”, e kanë përcjellur me mall, nostalgji e madje dhe dhimbje, e cila vjen edhe më e fuqishme kur dihet se kjo këngë buron nga kompozitori shkodran Gac Çun e ka marrë rrjedhën e krijimit derisa ai po qëndronte në burg gjatë kohës së komunizmit, shkruan KultPlus.
Që nga lirimi nga burgimi i kompozitorit Gac Çuni, kënga nuk ka trevë shqiptare që nuk ka udhëtuar, duke e bërë të afërt me publikun e duke ngjallur emocione të forta që kanë zanafillën në një dashuri platonike, që shkon në përshkrimin e himnizimin e pamjes së personit më të dashur.
Një interpretim të rrallë të kësaj këngë e ka sjellë Frederik Ndoci me Alisa Barakun, duke e bërë mesazhin e këngës së tij lehtë të depërtueshëm me një saktësi muzikore mes dy zërave që vijnë si dialog./ KultPlus.com
Në 11-vjetorin e sulmit në Utøya, Ambasada e Kosovës në Norvegji, ka përkujtuar Leila Selacin, kosovaren e vrarë në këtë sulm bashkë me 66 persona të tjerë, përcjell KultPlus.
“Në 11 vjetorin e sulmit në Utøya, e patëm nderin ta përkujtojmë Leila Selacin, energjinë dhe vizionin e sajë. E falënderojmë përzemërsisht zonjën Yrfet Selaci #YrfetLeila, një grua e jashtëzakonshme, plot forcë dhe bujari.”, thuhet në postimin e Ambasadës.
Më 22 korrik, në orën 17:00, Anders Bering Breivik arriti në vendkalimin e trageteve pranë ishullit Utøya me makinë.
Në këtë kohë, kampi veror tradicional i të rinjve i Partisë së Punës në pushtet u mbajt në ishull, në të cilin morën pjesë 655 njerëz të moshës 14-25 vjeç.
I veshur me uniformën e një oficeri policie, Anders paraqiti një ID të rreme dhe njoftoi nevojën për një konferencë sigurie në lidhje me sulmin terrorist në kryeqytet. Duke u mbledhur rreth orës 17:22 të mbrëmjes disa dhjetëra të rinj socialdemokratë rreth tij, ai hapi zjarr mbi ta, duke vrarë 67 persona, e në mesin e tyre edhe Leila Selaci./ KultPlus.com
HBO më në fund ka publikuar trailerin e parë zyrtar për serialin e shumëpritur “Game of Thrones, House of the Dragon”.
Traileri epik na jep një ide paraprake të betejave dhe dragonjve, 300 vjet para ngjarjeve të Game of Thrones, duke u fokusuar në periudhën e trazuar të House Targaryen.
George R.R. Martin, autori i librave mbi të cilët bazohet seriali epik i HBO, pasi ka parë tashmë episodet e ardhshme, thotë se është shumë i emocionuar.
“Po, i kam parë të 10 episodet. Kam parë shumë prej tyre dhe më pëlqejnë. Skenari, regjia, interpretimet, gjithçka duket e mrekullueshme. Shpresoj që t’ju pëlqejnë po aq sa unë”, tha ai në një postim.
‘House ot the dragon’
“House of the Dragon do të përbëhet nga 10 episode. Ai bazohet në librin me të njëjtin emër nga George R.R. Martin dhe është vendosur 300 vjet përpara ngjarjeve të paraqitura në “Game of Thrones” duke u fokusuar në periudhën e turbullt të House Targaryen.
Krijuesit e serialit janë Ryan Condal dhe Miguel Sapconic. Autori amerikan ka marrë rolin e producentit ekzekutiv.
Kasti i serialit të ardhshëm përfshin aktorët: Paddy Considine (si Mbreti Viserys I), Emmy D’Arcy (Princesha Rhaenryat), Matt Smith (Prince Daemon), Rhys Ifans (Ser Otto Hightoëer), Olivia Cooke (Lady Alicent Hightoëer) dhe Fabien Frankel (Sir Christopher Cole). Gjithashtu: Steve Toussaint, Eve Best, Sonoya Mizuno, Ryan Corr, Jefferson Hall, David Horovitch, Graham McTavish, Mattheë Needham, Bill Paterson dhe Gavin Spokes.
House of the Dragon do të shfaqet premierë në HBO Max më 21 gusht/ KultPlus.com
U lind në Tragjas, në vitin 1920. Mori pjesë në LANÇ që në fillimet e saj. U rreshtua në radhët partizane dhe u shqua për trimëri e sakrifica. Ishte si një motër e dashur për shokët e saj partizanë.
Në nëntor 1943, rreshtohet në Brigadën V Sulmuese me detyrë komandante skuadre, më vonë komandante kompanie. Ajo e komandoi kompaninë me sukses në shumë luftime dhe u rrëmbente partizanëve e partizaneve një mirënjohje të veçantë. Emri i komandantes Zonja Çurre u bë i njohur për luftëtarët e Brigadës Partizane.
Ra heroikisht më 22 korrik 1944, në luftimet e përgjakshme me mercenarët në Qafëshkallë të Klosit, në rrethin e Matit.
Zonja Çurre është shpallur “Hero i Popullit”.
Në një shkëmb, në afërsi të fshatit Klos të rrethit të Matit, ishte ulur Zonja Çurre, zv/komandante e kompanisë së parë të batalionit katërt të Brigadës V Sulmuese, oficere me gradën aspirante, të dhënë nga Kongresi i Përmetit.
Me qëndrimin e saj si shqiponja mbi shkëmb, ajo mbante në duart e saj mitralozin që nuk e ndante kurrë. Rrinte e mendonte. Për çfarë mendonte kjo sokoleshë mali? Fytyra e saj e çiltër, flokët kaçurrela që i dilnin nga bustina me yllin partizan, syri i saj si shqiponjë, tregonin se nuk qenë mendime brengash, por që e bënin Zonjën të ishte krenare.
Lindur në Tragjas të Vlorës më 1920, ajo që në vitin 1942, ishte përgjegjëse e të rejave antifashiste të fshatit të saj. Kujtonte kohën kur, në dhjetor 1942 dhe në korrik 1943, ishte bashkë me partizanët e çetave në luftimet e ashpra që u bënë në fshatin e saj. Ajo nuk kurseu asgjë, por në ato kohë të vështira, ndau kafshatën e gojës me shokët e saj dhe me shembullin personal, u bë burim frymëzimi për shokët më të rinj.
Në janar të vitit 1944, Zonja rreshtohet partizane në Brigadën V Sulmuese, në Bramyshje, ku iu dha detyra e skuadërkomandantes, që ajo e kreu me aq trimëri dhe heroizëm.
Në Operacionin armik të Dimrit (1943-1944) kur në shpellat e Vunoit dhe në kishën e Shëndellisë, në atë acar të shkurtit 1944, ajo nuk u mposht nga lodhja, pagjumësia, uria, por qëndroi me heroizëm. Bashkë me shokët e saj. Ishte në detyrën e vështirë që iu ngarkua me skuadrën në kulmin e operacionit për të siguruar lidhjen me një nënrepart të brigadës, duke kaluar Qafën e Shëngjergjit. Ajo kujtonte qëndrimin heroik të shokëve, sesi luftoi dhe ra Lilo Asllani, si luftoi Petro Dhimitri që u plagos rëndë dhe u la në një shtëpi fshati dhe kur e rrethuan gjermano-ballistët, ai nuk ra në duart e tyre, por me dy granata të ndezura u hodh mbi armiqtë, duke shkaktuar panik dhe kërdi mbi ta. Kujtonte Kujtim Hoxhën e Azbi Metën, që acari u mori jetën. Kujtonte përpjekjet e saj, me këmbë të përgjakura dhe shokët në krah për të plotësuar detyrën, kujtonte rrugën luftarake plot heroizëm të Brigadës, nga Përmeti deri në Mat. Kjo luftëtare e papërmbajtur, ishte shumë e thjeshtë dhe e respektuar si motër, me shokët partizanë, prandaj dhe e donin shumë.
Qeshte me gjithë shpirt kur i kujtohej episodi i Halim Xhelos me Qazim Mulletin. Episodi ishte ky: Kur posta e xhandarmërisë kuislinge në Tujan të Tiranës, ra në duart e partizanëve dhe Halimi ngriti receptorin e telefonit se po binte zilja, dëgjoi zërin e Qazim Mulletit, Prefekti kuisling i Tiranës, me histerizëm u jepte urdhra xhandarëve si të luftonin kundër partizanëve.
Halimi iu përgjigj, duke u tallur me të se në telefon po fliste me Halim Xhelon, komandant i batalionit të dytë të Brigadës V Sulmuese dhe shtoi, na prit se po vijmë në Tiranë. Qeshnim të gjithë bashkë, duke përfytyruar se në ç’situatë qesharake ishte katandisur prefekti tradhtar. Kur lexonin gazetën e Brigadës “Buçima”, Zonjës i pëlqente të komentonim artikujt e saj dhe thoshte: “Më e ëmbël është vdekja, se jeta në robëri!”
Më 22 korrik 1944, Brigada zhvilloi luftime të ashpra. Batalioni i katërt luftoi në Qafë Shkallë të Klosit (Mat) Në këto luftime me një trimëri të rrallë luftoi dhe ra Zonja Çurre, Heroinë e Popullit. Lajmi i rënies heroike të saj u përhap edhe në brigadat e tjera, duke u bërë shembull frymëzimi për të gjithë partizanët që luftonin për çlirimin e Shqipërisë.
Në tetor të vitit ’36 të shekullit që shkoi, udhëtonte nga Shqipëria në një universitet të Francës, një djalosh elbasanas, poet, tepër i hijshëm, me sy tërë dritë e ëndërrues. Në fytyrën e tij të menduar, me ca tipare të harmonishme, herë pas here binte një hije melankolie përzier me nostalgji, sepse kishte braktisur një dashuri që mosha e adoleshencës ia jep dhuratë thuajse të gjithëve, por edhe pse po e merrte malli për vendin ende pa u larguar. Flokët e dendur e të valëzuar, të ndarë me vijë në mes, bënin t’i shquhej një ballë i lartë. I shëndetshëm dhe plot energji, i veshur si në perëndim me kostum të errët, ai dallohej për një sjellje aristokratike. Kishte mbaruar Liceun Francez të Korçës.
Ai që shkruante se qe “andërrtar i penduam”, ishte edhe komunist i ri. Kishte botuar dy libra poetikë dhe ishte vetëm 21 vjeç. Quhej Dhimitër Shuteriqi. Në dy librat poetikë “Kangët e rinis së parë” (1935) dhe “Kangë?” (1936) emrit dhe mbiemrit të tij i kishte shtuar edhe një S të madhe në mes, domethënë Simon, emri i të atit. Në universitet ai po shkonte me shpenzimet e familjes. Edhe pse kishte dalë me nota të shkëlqyera, qeveria e Zogut nuk mund t’i jepte bursë një revolucionari, ashtu si u dha disa të tjerëve. Simoni, i ati, i premtoi se do t’i jepte çdo muaj gjysmën e rrogës së vet mujore, si mësues, dhe kështu u bë. Qyteti që ka zgjedhur Dhimitri për të bërë studimet është Grënobla. Profesori i filozofisë në Liceun Francez të Korçës, pozitivisti Meyer, ia pati lavdëruar shumë universitetin e atjeshëm, si një qendër të madhe kulturore nga më të hershmet në Francë e në botë. Dhe, vërtet, atë vit që vajti ai, bëheshin festimet e 600-vjetorit të themelimit të universitetit.
Si rrëfimtar i madh që ishte, kur përshkruante Francën, Shuteriqi e niste gjithnjë me Tiranën. Gjatë ditëve që merrej me problemet e nisjes, ai njohu nga afër shkrimtarët e rinj që jetonin në kryeqytet: Aleks Çaçi, Nexhat Hakiu, Petro Marko, Shefqet Musaraj, Andrea Varfi e të tjerë. Mes tyre ai çmonte shumë Petro Markon, me të cilin ishte njohur në redaksinë e revistës “ABC”. Ndërsa, Andrea Varfi ishte edhe ai disi më i njohur se të tjerët, ngaqë kishte shkruar me dashamirësi për librin e tij të dytë. Ai u shoqërua kryesisht me Petro Markon dhe fjeti në shtëpinë e tij, në rrugën e Durrësit, pas centralit elektrik të dikurshëm. “Ishte një dhomë e varfër plot rrjeta merimange, me shtrat hekuri e me një karrige. Petroja ishte një djalë i gjallë, me flokë kaçurrela që i binin mbi ballë, përherë buzagaz. Ai shkruante e bënte jetë si poetët bohemë dhe kishte njohje të gjerë. Punonte redaktor te ‘Përpjekja shqiptare’ e Branko Merxhanit” (Bisedë, prill 1995). Edhe Petroja ishte me bindje komuniste.
Vërtet që poeti ynë ishte simbolist, bodlerian, por në botëkuptim kishte ndryshuar shumë qëkurse kishte hyrë në lidhje me idetë komuniste. Ato ditë ai dhe Petroja bënin diskutime, nëse mund të kishte një mendim filozofik shqiptar. Kur ndodheshin në redaksi, Brankoja futej në një mënyrë shumë interesante në diskutim, sa i bënte të rinjtë ta dëgjonin me vëmendje. Bisedonin pastaj për poezinë, për poetët, për përpjekjet e tyre nën regjimin censurues të Zogut. Sigurisht nëpër biseda kishte edhe çaste lirike si ai i ditës kur ai me Petron dhe Nexhatin, i kushtuan secili nga një poezi, një vajze në kafe Venecia. Në një nga ato ditë ai kishte pranuar që me këshillën e Petros të takonte edhe Etëhem Toton, megjithë mosbesimin që kishte ngjallur te të rinjtë revolucionarë. Por, sa ishte gjendur te dera e tij, i qe kthyer mendja. Dhe, të dy të rinjtë i kishin zbritur shkallët me vrap. Poeti i ri udhëton drejt Italisë me një vapor të vogël që niset nga Durrësi natën. Është si në balada, sepse në mëngjesin që gdhihet me diell, ai gjendet në Bari. Ka kapërcyer detin Adriatik dhe ngjan pak me personazhet mitikë që nisen në kërkim të fatit.
Në molo e pret shoku i liceut, Hajdar Delvina që kishte shkuar më parë dhe ishte regjistruar atje për farmaci. Bashkë me Hajdarin i uron mirëseardhjen edhe një shqiptar tjetër, një i mërguar politik i vitit 1924, Qamil Çela, shok i Avni Rustemit. Me Qamilin ai do të miqësohej më shumë, kur një vit më vonë, ai do të rimërgonte në Lion. Qamili kishte qenë edhe nxënës i Simonit. Do të dijë për shkollat shqipe dhe shumë gjëra të tjera, që i kujtonin mëmëdheun. Dhimitri i përgjigjet me krenari dhe ndihet edhe ai i lumtur që po njihet me një komunist të vjetër, i cili pas ardhjes në fuqi të Ahmet Zogut, ishte arratisur me demokratë të tjerë si: Zai Fundo, Selim Shpuza, Sejfulla Malëshova, Ali Kelmendi, Thanas Ziko e të tjerë. Ndërkohë pajtoni qëndron para hotelit “Moro” ku do të flejë. Rastësisht, ato ditë hoteli është plot me tregtarë elbasanas, që e shtojnë “ziafetin” kur vjen “çuni i zotit Simon”. Ata “jetonin si mos më keq, se gatuanin vetë dhe flinin disa vetë në një dhomë”.
Në Bari, Hajdari e shëtit në qytetin historik. Ndër të tjera ai viziton kishën e Shën Kollit, ndërtuar që në kohën e Normandëve në shekullin XI. Thuhej se aty ruhej gishti i Shën Jon Vladimirit, por ai nuk e pa. Një tempull mesjetar ishte i ruajtur mirë. Aty Mesjeta pati, si të thuash shfaqjen e saj të parë konkrete që më vonë ai do ta pasurojë shumë, megjithëse që në klasat e fundit të liceut, është njohur pjesërisht me poezinë mesjetare epike franceze, me disa këngë të kreshnikëve, si edhe me trubadurët. Ai kalon edhe nëpër shitoret që ndryshonin shumë nga tonat. Hajdari e ndihmoi të blinte një pardesy të mirë te një tregtar hebre, që në fillim u dha një çmim të lartë e pastaj e uli deri në gjysmë. Djali nuk i kupton ligjet e tregtisë, por ka marrë pak njohuri për sistemin e përfitimit në shoqërinë kapitaliste, kur lexonte në pranverë broshurat marksiste. Gjithashtu, Hajdari që e di poetin e ri “të virgjër”, një mbrëmje i bën një të papritur dhe e shpie në një shtëpi publike. Para tij del “një femër e bukur, e bardhë” që i hap krahët “e trëndafiltë” për ta pritur. Ai rri disa sekonda i shtangur para saj dhe befas kthehet mbrapsht e del me vrap jashtë “i tromaksur”. Hajdari që pret te dera, ngre supet i çuditur. Natën e dytë shkojnë në opera dhe shohin pjesën e famshme të Donizetti-t “Luçia di Lamermoor”.
“Italia ndryshonte krejtësisht nga Shqipëria. Në Itali bëhej jetë e gjallë kulturore. Ato ditë ishte hapur sezoni i fillimit të veprimtarive muzikore. Të nesërmen shkova në Romë bashkë me një shok që kishte qenë edhe ai student në lice dhe studionte mjekësi në Lion. Tomço e quanin. Në Romë u bëmë tre shqiptarë studentë dhe vizituam disa nga bukuritë arkitekturore të saj. Na la mbresa të pashlyeshme Koloseu dhe Katedralja e Shën Pjetrit. Kur po vizitonim Shën Pjetrin, para nesh kaloi një kor murgeshash që m’u dukën hyjnore dhe njëri nga shokët më pëshpëriste në vesh se Marksi nuk më linte të mendoja për Parajsë e për engjëj” (Bisedë, maj 1995).
Që nga Roma, rruga drejt Grënoblës përshkon bregdetin tirenian që atë mëngjes ishte derdhur në kaltri. Studenti i Lionit ndahet që në fillim të udhëtimit, se përgatitet për një provim, ndërsa Dhimitri rri me kokën në dritare, duke soditur peizazhet, tokën e qëndisur si me dorë, qytete të skalitura me bardhësi, fshatra si lule të shumëngjyrshme mes gjelbërimit. Djaloshi futet në ëndërrime, ashtu si ndodh me të gjithë poetët kur bien në hasje me bukurinë, por atij i tërheq shumë vëmendjen, një qytet që duket e zhduket duke u pasqyruar në një lumë, nën ca kodrina të mbjella me ullinj e limonë.
Pyet një udhëtar e ai i përgjigjet “Flloransë, monsieur, Flloransë” e zbret. Francezët i thonë Firences, Florence (Florans), por ai e shqiptonte me ll, dhe me ë në fund, i ndikuar nga dialekti i Jugut. Mbase ishte edhe francez që banonte në Firence, ku ta dish. Qyteti i Rilindjes, par excellence, Firencja, që ngrihet mbi lumin Arno, atë ditë shkëlqente dhe dukej sikur shqiptonte me zë melodioz emrat e mëdhenj Alighieri, Botticelli, Donatello e të tjerë. Dhe, sigurisht, në ajrin e qëruar mbase kishte zbritur nga parajsa Beatriçe Portinari, që e frymëzoi Danten për të shkruar një nga krijimet më të mëdha të njerëzimit. Shumë këngë të poemës “Komedia hyjnore” Dhimitri i ka lexuar në origjinal kur ishte në lice dhe po përpiqej të sillte ndër mend një strofë: “Ma dimmi: al tempo de’dolci sospiri, / a che e come concedette amore / che conosceste i dubbiosi disiri? (Më thuej, në koh’n e t’amblave psherëtime / si e në ç’rasë me njohë dashninë ju ra, / tue u përpëlitë n’dëshira e ndër dyshime (AligheriDante, Komedia Hyjnore, Ferri, përktheu Pashko Gjeçi, f.30).
Studenti që tashmë kishte ardhur në zemër të Evropës. Treni dukej sikur fluturonte. Para syve të tij vazhdonin të parakalonin qytete, fshatra, pyje me pisha, plantacione palmash, zona turistike, shkëmbinj si të vendosur me dorë. Një peizazh i mahnitshëm. Kaluan pastaj ca tunele të vegjël dhe papritur mes palmave doli në dritë një qytet i mermertë, si i mbirë nga ndonjë përrallë. Quhej Santa Margerita. Qyteti ishte vërtet ashtu si e kishte emrin, një Margaritë e gjallë, plot ngjyra jete dhe drite. Djali i ri mbërthen çantën dhe zbret nga treni “si era”. Shëtit gjer natën vonë si i magjepsur dhe të nesërmen që me natë niset për Torino. Paratë “e kanë pësuar” dhe ai herë pas here i heq sytë nga dritarja, se mos joshet për të zbritur prapë. Gjatë rrugës i ngjallen shumë kujtime, por Korça e kulturës, e poezisë dhe e dashurisë është si një pikë referimi në këtë udhëtim të gjatë.
Në stacionin kufitar, ndërron tren për të kaluar tunelin e Frejusit, që lidh Italinë me Francën. Në fillim djaloshi zmbrapset se mos ka gabuar klasin, se vagonët e veshur me pelush të kuq i duken të rinj dhe treni ndrin nga pastërtia, por fatorinoja e siguron se është në rregull. Ai ulet në trenin e rehatshëm francez dhe për një çast në trurin e tij kalon një mendim i errët: “Po sikur të vdiste në tokë të huaj?” Megjithatë, ai buzëqesh e pëshpërit heshtazi, se gjallë apo vdekur do të kthehej në atdhe. Në kabinën e ngushtë bisedohet diçka për Francën, jo ndonjë gjë e mirë, sepse burrat e ulin zërin kur shohin djaloshin që hap gazetën frënge “Le Temps “ (Koha), të cilën e pati blerë në Torino. Dikur njëri prej tyre e pyet. Kur djali i ri përgjigjet se është shqiptar dhe se shkon për të studiuar në Universitetin e Grënoblës, njëri prej tyre që me sa dukej ishte fashist, thotë me zë të lartë se Italia kishte me dhjetëra universitete dhe “shqiptarët nuk kanë pse shkojnë në Francë”.
Çudia e tyre shtohet kur djaloshi shton se në Shqipëri kishte vazhduar një lice francez. Por, ata zbresin në stacionin tjetër. Ai dëgjon aty një frëngjishte, që nuk i tingëllon si gjuha që fliste vetë ai, por me fjalë që kishin theks fundor e që shqiptoheshin në mënyrë të turbullt në rrokjet e para. Treni niset prapë dhe ecën me shpejtësi. Studenti shqiptar gjendet tashmë në atë tokë ku kishin jetuar Ronsard dhe Villon, Descartes e Pascal, Corneille dhe Racine, Voltaire e Hugo, Rousseau e Diderot, Danton e Luise Michel, Emilie du Chatelet e Marie Curie, Flaubert e Proust, Sarah Bernard e Paul Eluard dhe shumë të tjerë që i kanë dhënë dritë jetës dhe mendimit francez me veprën e tyre. Atdheu i tij i dytë, për të cilin kishte studiuar nëntë vjet dhe dinte për të gati më shumë se një francez, po i uronte mirëseardhjen. Ishte pajisur me një barrë dijesh, që do t’i pasuronte e zgjeronte. Kishte edhe një përvojë të re, një ëndërr utopike që priste të realizohej.
Në Grënobël treni mbërrin vonë. Qyteti që studenti italian në bisedë e kishte quajtur “mbreti i Alpeve”, ndriste nga dritat. I informuar nga ata me të cilët udhëtoi Dhimitri ndalet në hotelin pranë stacionit. Gjen një dhomë, papafingo që ka mbetur pa u zënë në katin e pestë dhe ngjitet menjëherë. Studenti i ri që tashmë ka ardhur në zemër të Evropës, pasi pushon pak nga rruga e gjatë, del në dritare dhe vështron qytetin që duket nga dritat si një qiell me yje i përmbysur. Një lumë me ujëra që shkëlqenin zgjatej tutje. Bie pastaj në një gjumë pa ëndrra dhe zgjohet herët me një bosh në shpirt. Në atë qytet të huaj ai ndien edhe gëzimin e një jete të re që do të nisë, por edhe trishtim. I duket vetja i vetmuar. Paguan dhe pas ca ditësh e merr vesh se aty flinte edhe një tjetër shqiptar, Petrit Dakli, student në inxhinieri, djalë i një patrioti të njohur elbasanas.
Njëri nga udhëtarët italianë, punëtori i cili i ka premtuar se do ta ndihmonte për të gjetur një dhomë me qira, e mban fjalën dhe vjen në hotel herët. Taksia ndalet ku thotë ai, në rrugën “Lieutenant Chanaron” numër 12. Derën ua hap një zonjë e moshuar. Dallohej, tek ajo, sjellja tipike aristokratike, kur i fton që të hyjnë. Marangozi mund të kishte punuar atje se zonja “ia lëvdoi punën”. Ai i kërkon një dhomë me qira dhe i flet me bindje për fisnikërinë e studentit shqiptar. Zonja as që e kishte dëgjuar ndonjëherë emrin Shqipëri. Dhimitri preket. Ai deshi të thotë se ne jemi të njohur si pasardhës të Ilirëve, por hesht se nuk është vendi dhe ndien një mëri ndaj historisë. Zonja pranoi t’i jepte një dhomë me një çmim të lirë dhe studenti i ri zgjohet nga përjetimet. Edhe pse ajo e quan lirë, atij prapë i duket shtrenjtë. Në të vërtetë, dhoma kishte qenë e lirë me 140 franga në muaj, por ai do ta mësojë më vonë këtë gjë.
Zonja i vë një kusht: Të mos sillte kënd në shtëpi, sepse bën mësime kantoje për vajzat e reja dhe i duhet qetësi. Ajo i tregon dhomën e tij, pianon që ishte në sallon, kopshtin dhe në çastin e ndarjes e fton për darkë, duke shprehur kështu mikpritjen tradicionale franceze. Kështu nis jeta e re e studentit shqiptar. Atë ditë ai gjen ndërtesën e fakultetit që është në qendër të qytetit dhe regjistrohet në dy fakultete njëherësh: drejtësi dhe filozofi. Këtë e bëri, siç thoshte, nga “dashuria për letërsinë”. Dhe, i riu mendon: “Si mund të jesh poet pa kaluar nëpër rrugët e filozofisë e të drejtësisë?”. Ai nuk mundi të regjistrohej për letërsi, sepse si kriter parësor ishte latinishtja që e braktisi dikur në lice. Gjithsesi, ai i premtoi vetes se do ta merrte si degë edhe letërsinë me kurse leksionesh të lira.
Në mbrëmje, gjatë darkës, zonja e pyet për udhëtimin. I bëhet qejfi që kishte të bënte me një djalë profesori. Ai nga krenaria i thotë se është poet, i tregon librin “Kangë?”. Nuk përmbahet dhe i thotë se i bie mandolinës: Në lice kishte qenë në grupin e mandolinistëve. Zonja tund kokën dhe i përgjigjet se do të ketë rast ta provojë sa virtuoz ishte. Ajo nuk u beson veshëve kur ai i flet për liceun francez në Shqipëri. Më në fund i jep një palë kufje për të dëgjuar muzikë. Kur shkon për të fjetur, ai dëgjon ende tingujt e veprave të Saint-Saëns, Debussy, Ravel e të tjerë.
Të nesërmen djaloshi nis leksionet. Jeta studentore hap siparin. Ky njeri me vullnet të hekurt dhe me pasion prej mistiku fillon të ndjekë leksione për filozofi e drejtësi, që i ka në program, por edhe leksione të lira për letërsi. I shkruan të atit dhe i shpjegon arsyet përse nuk u regjistrua fillimisht për letërsi. Ai bëhet menjëherë anëtar i bibliotekës së universitetit. “Ajo ishte një nga më të pasurat e Francës, me 300 mijë libra. Ishte parajsë e vërtetë” (Bisedë, prill 1995). Kurset e filozofisë janë thuajse të përditshme. Z. Chevallier, që ia kishte rekomanduar profesori i filozofisë në liceun e Korçës, zhvillonte leksione për filozofinë idealiste, që për djaloshin materialist nuk është edhe aq e këndshme. Dhimitri lexon dhe studion gjer në orët e vona të natës. Leximi është bërë natyrë e tij e dytë. Kuptohet që në universitet hapësira e leximeve bëhet e pafundme.
Pasi kalojnë dy javët e para, një ditë që nuk ka leksion paradite, ai i kushtohet njohjes së qytetit. Ka lexuar në një libër për historinë e tij: Në fillim qytet i Allobrozhëve (Allobroges, popullsi kelte në Galinë transalpine gjer në shekullin II p.e.s., kur u pushtua nga romakët, pastaj me emrin e perandorit romak Gratianus Gratianopolis). Në shekullin VIII dhe XI bënte pjesë në mbretërinë e Burgonjës dhe i bashkohet Francës në shekullin XIII. Në shekullin XIV, aty u ngrit një universitet i rëndësishëm, vazhdimësi e të cilit është universiteti që ndjek Shuteriqi në kohët moderne. Në qytet ka shumë ndërtesa klasike, si katedralja Notre Dame dhe porta e madhe Saint Laurent, të dyja ndërtime të shekullit XVII, por ka edhe ndërtime më të hershme, si kisha Saint-André dhe Saint Louis, të dyja të shekullit XIII, Pallati i Drejtësisë i shekullit XV dhe XVI etj., që ai i lë për një ditë tjetër dhe viziton muzetë.
Së pari hyn në Muzeun Bashkiak, një ndërtesë madhështore, e ngritur në kohën e mbretit Louis XIV dhe pastaj Muzeun e Arteve, muze i shquar, shumë i pasur; atë kohë i dyti në Francë pas atij të Luksemburgut. Dhimitri e shijon pikturën si profesionist, ai ka një dosje me qindra vizatime e skica të liceut, kur ishte nxënës i Vangjush Mios, por si njeri që vjen nga Shqipëria, një vend pa muzera, atij i bën përshtypje të fortë sidomos gërshetimi i traditës me bashkëkohësinë.
Dhe, atë ditë, paksa i nxituar se do që të vizitojë edhe një muze të vogël të piktorit Fantin-Latour para orës 14:00, ngatërron adresën dhe futet në një rrugicë të ngushtë, si rrugicat e Korçës. Aty i tërheq vëmendjen një tabelë me emrin “Coopé” (Restorant kooperativë për studentët e varfër, që e kishin ngritur çifutët polakë në fillim të viteve 1930) në katin e dytë e që kishte afishuar poshtë menynë për të ngrënë me çmime të lira. Ai ngjitet lart, ulet dhe porosit. Dreka i duket e mirë. Garsoni i premton se në darkë do të hante më mirë, se ngaqë ishte vonë “gjellët e drekës kanë mbaruar” dhe e shoqëron pastaj në kafe Glacière. Ai është student polak.
Dhimitri tani e zgjidh edhe problemin e të ngrënit. Të dielën, ai vazhdon vizitën në pjesën e vjetër të qytetit me ndërtime mesjetare. Muzeu Fantin-Latour i shekullit XIX ishte shtëpia e vetë piktorit. Atje mes të tjerash kishte një tablo për idhullin e tij Baudelaire, që e jep ulur në një kënd me libër në dorë e që poeti ynë e pëlqeu shumë.
Leksionet dhe seminaret vazhdojnë me ritme të reja. Z. Chevallier jep katër orë, pra dy herë në javë. Ditët e tjera ai i kalon në ndonjë universitet të Francës apo Evropës… Në universitet, atmosfera është e larmishme. Si njeri i shoqërueshëm që është, universitari i ri ka bërë menjëherë disa miq. I ka takuar pothuajse gjithë studentët shqiptarë. Madje, i pari fare e bëri të përballej me një qëndrim antisemit, kur i tregoi për pardesynë që kishte blerë te një shitës çifut në Bari. Me bllok në dorë, duke i bërë një portret, ai u largua atë ditë, pa i dhënë shpjegime. Nuk e takoi më.
Ai është i gllabëruar nga leximet filozofike e letrare, por duke qenë i angazhuar lexon edhe shkrime të majta në të përjavshmen “L’Humanité”, që ishte gazetë e seksionit francez të internacionales. Si komunist i ri, informohet se viti 1936 në Francë kishte ardhur edhe me vijën e ndarjes së qartë midis së majtës dhe të djathtës. E djathta ekstreme përpiqej t’i kundërvihej së majtës, që ishte bashkuar me qeverinë e Frontit Popullor (Front Populaire), drejtuar nga socialisti Léon Bloom, që ka ardhur në pushtet, me idenë e ndryshimit të kushteve të jetës dhe punës së punëtorëve. Kjo ide ishte shfaqur në luftën e tij si politikan, që më 1904 kur kishte filluar bashkëpunimin me Jean Jaurès (1859-1914), filozof dhe politikan, themelues i gazetës “L’Humanité” (1904), deputet i së majtës që më 1885, anëtar i partisë punëtore franceze, drejtues dhe udhëheqës i partisë socialiste që ishte për bashkimin e lëvizjes së majtë. Ka zhvilluar betejat socialiste me ligjin për një shkollë laike dhe për përmirësimin e jetës së klasës punëtore. U vra nga një nacionalist më 1914…
Në ditët e para të vajtjes në Grënobël studenti shqiptar është njohur dhe ka lidhur miqësi me studentin ukrainas, Alik Fichtenreich. Aliku ishte komunist i vendosur. Dy të rinjtë bëhen shokë ideali. Ata dëgjojnë së bashku me mallëngjim për parakalimet e rinisë në mbrojtje të Republikës dhe paraqiten në Komitetin Krahinor të Partisë Komuniste Franceze për t’u regjistruar si vullnetarë për në Luftën e Spanjës. Mbrojtja e Republikës ishte si “karta e identitetit” të një revolucionari të vërtetë. Spanja ishte shndërruar në simbol. Dhe të ishe student në atë kohë, do të thoshte ta kishe pjesë shpirtërore frymën e zjarrtë revolucionare.
Por, kur djemtë shkojnë përsëri në Komitet në ditën e caktuar të marrin njoftim për datën e nisjes, u kthejnë përgjigje negative. Për Alikun thonë se ishte sovjetik, kurse Dhimitrit nuk ia tregojnë arsyen. Duhej të priste. Dhimitri i shkruan edhe njërit prej shokëve të tij të ngushtë, ish-liceistit Gani Narazani, që tashmë ishte në Turqi, revolucionar, komunist me të cilin qe arrestuar në shkurt, por ai nuk i kthen përgjigje. Ndoshta nuk i vete letra. “Kur vonoheshin përgjigjet e Dhimitrit, babës i shkonte mendja se kishte ikur në luftën e Spanjës” (Bisedë me motrën e Shuteriqit, Lumnije Baba Shuteriqi, shtator 1998)…
Në këtë atmosferë të ndezur, meqë përpjekja për të shkuar në Spanjë dështon, Dhimitri e shton edhe më tepër zellin ndaj studimeve. Ai është lidhur me Partinë Komuniste Franceze që në fillim dhe merr pjesë nëpër mbledhje ku përgjithësisht diskutohet politika e ditës dhe shpallen direktivat e partisë. Është zgjedhur edhe sekretar i rinisë komuniste për kuotat në organizatën ku bën pjesë, duke patur njëkohësisht si detyrë të punojë me të rinjtë e lagjes së vjetër, të quajtur Lagjja Italiane. Dhimitri i zgjeron njohjet me revolucionarë edhe gjatë drekave apo darkave në “Coope”… Djali i ri vazhdon i qetë studimet. “ Bursa” e vogël që i ka dhënë Simoni, i mundëson që të bëjë një jetë të rregullt. Ai ndjek edhe leksionet e lira. Një fotografi e auditorit ku zhvillon leksione letërsie profesori Jacoubet, e tregon studentin shqiptar të përqendruar…
Studentin Shuteriqi e tërheq edhe një kurs për Edgar Poe-n dhe Baudelaire-in. Emri Baudelaire ka një kuptim të veçantë për të. Një profesor tjetër, Monglond quhej, ishte specialist i pararomantizmit. Ai jep leksione për dy përfaqësues të shquar të kësaj rryme: Benjamin Constant dhe Madame de Stael, e cila ishte një ndër gratë e ditura të kohës në Francë dhe kishte qenë e dashura e Constant-it. Duke zgjeruar njohuritë, ai i rizbulon romantikët Musset, Sand, Lamartine apo Goethe, që i jepnin një pasqyrë ideale melankolisë së tij natyrore. Ai mban shënime sistematike dhe lexon shumë. Në letrat që i dërgon të atit vihet re përpjekja për ta bindur se i ka hyrë shkollës seriozisht. Në një letër të datës 7 nëntor 1936, ai ndër të tjera shkruan: “ […] Po mos u trembni se do të mësoj fare mirë” (Arkivi familjar). Mos kanë shprehur ndonjë lëkundje prindërit e tij? Është disi e pabesueshme të kesh dyshim për një student që ka dalë i shkëlqyer në lice. Por, arsyen përse “tremben” ata e sqaron letra tjetër e pas tri javëve që mban datën 27 nëntor e që shpreh synime të qarta: “I dashur babë, punën e kam nisur me qejf e do t’ia dal në krye. Sivjet do të përgatis edhe një tjetër certifikatë […] Deri tani kam blerë tre libra latinishteje. Në orët e frëngjishtes kam edhe linguistikën frange; linguistikën romane dhe atë të gjuhës së vjetër franceze; certifikatën që duhet të bëj në vend të greqishtes së vjetër, do ta zgjedh më vonë”. (Arkivi familjar).
Fillimisht, leksionet e z. Chevallier iu dukën shumë të pasura Dhimitrit. Vërtet, z. Chevallier ishte pedagog i shkëlqyer, por ligjërata e tij ishte e mbrujtur aq shumë me teologji sa studentit materialist ndonjëherë i bëhet i padurueshëm. Po ta kishte ditur këtë gjë që në fillim nuk do t’i ndiqte leksionet e tij. Përveç mistikëve që i mbante si provë të ekzistencës së Zotit, ai edhe Platonin e quante provë të tillë. E quante “një i krishterë, të cilit i mungon hiri i shenjtë”. Njëherë studenti shqiptar debaton me profesorin e i thotë: “Platoni vështirë të futet në rrethin hyjnor, sepse ka jetuar disa shekuj përpara se të lindte krishterimi”. Profesori e argumenton me filozofinë idealiste që është e lidhur me paraekzistencën e ideve dhe që e tregon realiteti ynë mistik. Salla kthen kokën të shohë atë të huaj që e flet aq rrjedhshëm frëngjishten…
Ai nuk i lë pas dore leximet për letërsinë. Në Francë lexon poetët grekë, por edhe latinët, Virgjilin, Plautin, Terencin, Juvenalin, pastaj autorë të tjerë, spanjollë, anglezë , sidomos Shekspirin, poezinë skandinave, gjermane.
Kohën e lirë ai e kalon duke lexuar poezi, duke ndjekur jetën e pasur artistike të qytetit, atë që nuk ishte e kushtueshme, por edhe duke bërë flirte platonike me vajza. Te shtëpia e zonjës vijnë përditë çupa të bukura që ushtrohen në piano. Ndonjëherë vjen edhe një prift katolik, abati Fernand, i cili në rininë e vet kishte qenë poet i njohur. Ai donte të pajtonte pianisten me të birin që nuk fliste. “Si për ironi, hasja ime e parë me krijimtarinë e grënobleze, ishin poezitë e këtij prifti katolik” (Bisedë, nëntor 1995). Zonja ia prezanton si poet shqiptar. Abati e njeh pastaj me një poet të ri, njeri me kulturë që kishte dhënë ca kohë frëngjishten në universitetin e Abeerdenit në Angli, Louis e quanin. Ai foli për letërsinë shqipe në radion e Grënoblës dhe lexoi frëngjisht dy-tre poezi të Shuteriqit. Madje, një ditë nëntori, ai iu lut ta shoqëronte në Lion ku ishte laureuar nga Shoqata e Poeteshave Lamartiniane.
Shuteriqit i kujtohej befasia e tij kur priste të shihte vajza ta reja dhe u ndodh në mes ca zonjave flokëbardha. Klubi i tyre ishte një ndërtesë baroke e shekullit XVII. Ato qenë mbledhur në një sallon të madh dhe i pritën dy të rinjtë me duartrokitje. Ata zunë vend pranë kryetares dhe Roberti e paraqiti Dhimitrin si poet shqiptar. Zonjat bëhen shumë kureshtare. Mes tyre shumica e dëgjojnë për herë të parë emrin Shqipëri. Gjatë ceremonisë kur iu dha fjala të recitonte një poezi, të cilën e përktheu frëngjisht vetë në çast, kryetarja i bëri lëvdatë dhe e pyeti nëse kishin erotikë poezitë e tij. Djaloshi iu përgjigj se kishin edhe lirikë. Zonjat qeshën. Njëra i tha se ai duhej të ishte më i guximshëm si poet, sepse poezia që recitoi ishte e zhveshur nga erotizmi.
Ai zbulon edhe rrethinat me male të larta. Një shkrep në lindje, gati kërcënues për atë që e sheh për herë të parë, quhej “Le Casque de Neron” (Përkrenarja e Neronit). Dhimitrin e tërheq natyra në çdo kohë. Ai merret edhe me sport. Në Alpet e Grënoblës kishte pika për ski që njihen në të gjithë botën. Dimri me borë sillte gjallëri dhe bukuri nëpër lartësira. Në nëntor, një fundjave, ai shkon për ski me një grup djemsh e vajzash që ishin miq. E kalojnë natën në një lokal me qira. Dhimitrin e pëlqejnë vajzat, ngaqë ka sjellje të kulturuar, por edhe se është i pashëm. Pikërisht kjo gjë e bën pak të druajtur. /KultPlus.com
Sonte më lajmëruen se ka vdekë një njeri Prandej jam i trishtueshëm, Lule.
Dashunia ashtë e vetmja shtyllë guri Kur andej gardhit fluturojnë Shëgjetat e akullit.
Dy zemra bashkë janë ma rrufeprojse Se dy shpata tu për tu Me teha përjashta Ideja e sosjes, Lule, kur je ti pranë ik si shpend i egër andej kah vjen terri./ KultPlus.com
Një mural i realizuar pak ditë më parë në Prishtinë, që paraqet gruan transgjinore e njohur si Qerkica dhe shokut të saj, është dëmtuar sot nga persona të panjohur, përcjell KultPlus.
Artistja e cila realizoi këtë mural tek fakulteti Filologjik, Ermira Murati, thotë për KultPlus se murali është realizuar në kuadër të Manifestës.
Murati, bën thirrje që sa më shpejt të gjenden kryesit e kësaj vepre./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, të cilin e ka uruar për rizgjedhjen.
Sipas Presidentes Osmani është e rëndësishme që u sigurua vazhdimësia e përfaqësimit të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit dhe se Shaip Kamberi do të jetë zëri artikulues i kërkesave të shqiptarëve.
Presidentja Osmani theksoi se në të gjitha takimet me përfaqësues ndërkombëtar e ka ngritur shqetësimin për problemet me të cilat përballen shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit dhe se duhet thelluar përpjekjet për ndërkombëtarizimin e çështjes së shqiptarëve.
Sipas saj është i rëndësishëm koordinimi i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve shqiptarë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit për t`i adresuar të gjitha çështjet që ndërlidhen me pozitën e tyre.
Kurse deputeti Shaip Kamberi ka falënderuar Presidenten Osmani, e cila vazhdimisht ka folur për problemet me të cilat përballen shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit./ KultPlus.com
“Travel Fest Albania”, i mbështetur nga BE, nisi edicionin e tij të parë këtë javë si një festival unik kushtuar natyrës, jetës së egër dhe biodiversitetit.
Mbi 120 filma të shkurtër, nga me shume se 50 vende, do të konkurrojnë për 22 çmime, këtë të diel, gjatë finales së madhe.
“BE po punon së bashku me autoritetet shqiptare dhe komunitetin e gjerë për të përshpejtuar tranzicionin e gjelbër të vendit dhe për të mbrojtur natyrën e tij unike dhe trashëgiminë kulturore duke mbështetur turizmin e qëndrueshëm. Ky festival është thelbësor për të krijuar ndërgjegjësim për këto çështje thelbësore,” tha Hubert Perr, Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri.
Ky projekt mbështetet edhe nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
Shfaqja e filmave është organizuar në 4 pika të kryeqytetit, Parkun Rinia, Kinema “Millennium”, Kinema “Ten” dhe në Amfiteatrin e Tiranës.
Mbrëmë, tek Parku Rinia, shfaqja e filmave u shoqërua edhe me bisedën midis audiencës dhe autorit Enrique Garcia Herrera, nga Franca.
Organizatorët i ftojnë adhuruesit e filmit, të jenë të pranishëm që të mund të komunikojnë edhe me autorët e “Travel Fest Albania”.
“Travel Fest” shfaq filma që përqëndrohen tek zhvillimi i qëndrueshëm, turizmi i natyrës dhe udhëtimet nëpër botë./atsh/ KultPlus.com
Lionsgate lansoi trailerin e filmit të ri “John Wick: Chapter 4”, në të cilin me rolin kryesor paraqitet aktori Keanu Reeves.
Në fillim të 2022-tës, kjo studio filmike bëri të ditur se filmi i ri do të shfaqet në kinema në mars të vitit 2023, ndërkaq në CinemaCon në prill lansoi sekuenca nga traileri i tij.
Në filmin e ri “John Wick: Chapter 4” veç Reeves me role paraqiten edhe: Laurence Fishburne, Ian McShane, Donnie Yen, Hiroyuki Sanada, Rina Sawayama, Shamier Anderson e Lance Reddick.
Sipas disa burimeve rreth filmit, është bërë i ditur edhe emri i tij.
Aktori Shamier Anderson i është referuar me titullin John Wick Chapter 4-Hagakure.
Sipas aktorit Llorens Fishbern, filmi vazhdimësi Chapter 4 ofron për dashamirët e tij skena akoma më intenzive. Ato zhyten më thellë në kodin e vrasësit.
Tre filmat e parë John Wick kanë fituar $584.7 milion dollarë në boks ofisin botëror.
Pritet që edhe i katërti të arrijë sukses./21Media/ KultPlus.com