Beyoncé u rikthye në skenë pas 5 vitesh shkëputje nga performancat live, ajo dha koncertin e saj të parë në Dubai. Këngëtarja dhuroi një shfaqje të paharrueshme në hotelin luksoz Atlantis the Royal Resort.
E cilësuar si një “fundjavë ku ëndrrat e tua bëhen destinacioni yt”, shfaqja e Beyoncé-s përmbante 19 këngë që përfshinin gjithë karrierën e saj, duke përfshirë një duet surprizë të “Brown Skin Girl” me vajzën e saj 11-vjeçare, Blue Ivy, ndërsa bashkëshorti dhe prindërit e saj ishin në audiencë.
Megjithatë, ajo nuk performoi asnjë këngë nga albumi i saj shumë i vlerësuar i vitit 2022, Renaissance. Performanca e Beyoncé në resortin luksoz të Dubait është parë si e diskutueshme nga disa, të cilët janë ankuar për situatën e të drejtave të njeriut në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ngjarja u ndoq kryesisht nga të famshëm dhe gazetarë elitarë, duke përfshirë Kendall Jenner, Liam Payne, Ronan Keating, Rochelle dhe Marvin Humes, Chloe dhe Halle Bailey dhe redaktori britanik i Vogue Edward Enninful.
Të gjithë të pranishmit u udhëzuan të vendosnin telefonat e tyre dhe pajisjet e mundshme të regjistrimit në një kasë për të parandaluar të shpërndarjen e videove pa autorizim, por pamjet nga koncerti u publikuan përfundimisht në mediat sociale.
Disa nga të pranishmit madje arritën ta transmetonin koncertin drejtpërdrejt në rrjetet sociale, për kënaqësinë e shumë mbështetësve që nuk ishin në gjendje të merrnin pjesë. Lizzo postoi në Twitter të shtunën: Unë e kam parë Beyoncé të performojë live 10 herë në jetën time… dhe sot hera e 11-të ishte në një IG live dhe nuk më vjen turp.
Këngëtarja 41-vjeçare, fituese e shumë çmimeve, shoqërohej nga grupi libanez i kërcimit Mayyas. Sipas informacioneve nga Bloomberg, Beyoncé thuhet se ka marrë 24 milionë dollarë për paraqitjen e saj të suksesshme. /abcnews.al/ KultPlus.com
Korça prej kohësh është kthyer në qytetin e preferuar të shqiptarëve, të cilët e frekuentojnë jo vetëm në ditë festash, apo kur mbulohet nga dëbora, por përgjatë gjithë vitit.
Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo në vijim të promovimit të eventeve dhe objekteve që ia vlejnë të vizitohen nga banorët e Korçës por edhe vizitorët, solli për publikun imazhe nga shtëpia e piktorit korçar Koço Ristani e cila është kthyer në atraksion.
“Vendosur në zemër të një prej lagjeve historike të Korçës, “Ristani Art and Food” të fton të shijosh ushqimet tradicionale në sfondin e koleksionit të pikturave të mjeshtrit korçar të penelit Koço Ristani”, shkruan Filo.
Piktori restaurator Koço Ristani u nda nga jeta vitin e shkuar. Ai zë një vend të veçantë në historinë e restaurimit të veprave të artit në Shqipëri. Figura e Koço Ristanit është shumëplanëshe, pasi ai ka qenë piktor, skenograf, kostumograf, dekorator, grafist dhe restaurator i veprave të artit mesjetar.
Ristani ishte nxënës i Vangjush Mios, Abdurrahim Buzës, Kel Kodhelit, Sadik Kacelit, Janaq Paços, Sali Shijakut e Muntaz Dhramit. Në vitin 1980 Koço Ristani ishte pjesë e grupit të parë të restauratorëve të veprave të artit mesjetar në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, Korçë./atsh/ KultPlus.com
Një foto e rrallë e Ismail Qemalit e bërë më 1871 me përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha të kohës, diplomatë nga më të shquarit.
Ismail Qemali, më i riu midis tyre, në atë kohë vetëm 27-vjeçar, është President i Komisionit Evropian të Danubit, ndër më të rëndësishmit për kohën, Komision që akoma edhe sot është në funksion.
Fotoja është marrë nga libri “Anglo-Romanian relations after 1821”, botuar nga “Academia de Stiinte Sociale si Politice a Republichi Socialiste Romania”, 1983, f.98.
Fotografia është gjetur nga stërnipi i Ismail Qemalit, Darling Vlora./ KultPlus.com
Berat Hasani ka ofruar një vepër arti në ankand, shumë që shkon për të prekurit nga vërshimet e fundit në Kosovë, shkruan KultPlus.
Një burrë me veshje kombëtare paraqitet në këtë vepër të Berat Hasanit që është punuar me vaj, kurse këtë vepër arti e ka blerë Veton Gashi, të cilën e ka paguar për një një mijë euro. / KultPlus.com
Sot mbushen 75 vjet nga lindja e ish-kryetarit të PDSH-së në Maqedoni, Arbën Xhaferi.
Arbën Xhaferi u lind në Tetovë më 24 janar 1948. Ka punuar në redaksinë e Kulturës të Televizionit të Prishtinës dhe në fillim të viteve 90, ishte rikthyer për të jetuar në Tetovë, ku në vitin 1994 themeloi Partinë për Prosperitet Demokratik Shqiptar, e cila më pas ndryshoi emër në Partia Demokratike Shqiptare.
Ishte një nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit, por me zvarritjen e zbatimit të saj, ai synonte një marrëveshje të re midis shqiptarëve dhe maqedonasve.
Ai u nda nga jeta në moshën 64-vjeçare, pasi vuante nga sëmundja e Parkinsonit, e cila ishte edhe arsyeja e tërheqjes së tij nga politika. Ishte deputet i Parlamentit të Maqedonisë që nga viti 1994, ku synonte krijimin e një sistemi dy dhomësh në institucionin ligjvënës. Në kohën e konfliktit të armatosur në vitin 2001, partia e tij ishte në pushtet. / KultPlus.com
Prishtina. Kosovo 30 th October 2005
Arben Xhaferi is talking to the jurnalist during interview that he gave to Gazeta Express.
Të ftuarit duhet të vishen për nder të një prej stilistëve më të rëndësishëm në historinë e modës.
Siç u njoftua së fundmi, Met Gala e këtij viti i kushtohet trashëgimisë së mendjes më pjellore të modës, Karl Lagerfeld, një stilist, veshja e të cilit u bë absolutisht ikonë.
Me “Karl Lagerfeld: A Line of Beauty”, Andreë Bolton, kurator përgjegjës i Institutit të Kostumeve dhe bashkëpunëtorja e gjatë e Lagerfeld, Amanda Harlech, këshilltare krijuese e ekspozitës, do të përpilojnë karrierën e stilistit në rreth 150 pamje.
Është një moment ku të gjithë të ftuarit të nderojnë një nga figurat më të mëdha të modës. Lagerfeld ka bashkëpunuar për shumë shtëpi, duke përfshirë Balmain, Patou, Chloé, Fendi, Chanel dhe markën e tij me emër, që do të thotë se ka një koleksion të pasur materialesh, epokash dhe estetike për të marrë frymëzim.
Përveç kodit të veshjes për MET Gala 2023, janë shpallur edhe mikëpritësit e eventit të këtij viti, ku përveç Anna Ëintour, do të jenë aktorja dhe skenaristja Michaela Coel, aktorja spanjolle Penélope Cruz, kampioni botëror i tenisit Roger Federer dhe këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa. MET Gala zhvillohet çdo të hënë të parë të majit, që është 5 maji i këtij viti./abcnews.al/ KultPlus.com
Premiera e dokumentarit të Sean Penn, “Superfuqia”, i cili u xhirua në Ukrainë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të shfaqet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, në Berlin të muajit të ardhshëm, njoftuan sot organizatorët.
“Më shumë se një dokumentar, “Superfuqia” është kronika e një projekti filmik që realiteti e detyroi ta ndryshojë në diçka më pak të kontrollueshme, por më kuptimplotë”, thuhet në një deklaratë të festivalit.
Aktori dhe regjisori amerikan, fitues i çmimit Oscar, ishte në kryeqytetin ukrainas në shkurt 2022, ndërsa Rusia nisi sulmin e saj në shkallë të plotë.
“Vendi ynë i është mirënjohës për trimërinë dhe ndershmërinë që ai ka”, shkroi zyra e presidentit të Ukrainës në Facebook, vitin e kaluar.
Berlinale, e cila zhvillohet nga 16 deri në 26 shkurt, është një nga festivalet kryesore të filmit në botë, krahas atyre të Kanës dhe Venecias.
Në këtë edicion do të shfaqen 18 filma në garën për Ariun e Artë, çmimi kryesor i dhënë për filmin më të mirë.
Dokumentari i Penn nuk do të hyjë në garën e çmimeve, por do të shfaqet në serinë “Special Gala”.
Sot bëhen 201 vjet që nga vrasja e sunduesit dhe feudalit më të fuqishëm të Shqipërisë së Mesme dhe Jugore, Ali Pashë Tepelena.
I njohur si “Luani i Janinës”, Ali Pashë Tepelena, në historiografinë shqiptare njihet si themelues i Pashallëkut autonom të Janinës, si dhe si një kryengritës kundër pushtimit osman.
“Luani i Janinës”, kishte lindur rreth viteve 1740-1750 në Tepelenën e Labërisë dhe kishte vdekur më 24 Janar 1822, duke mbrojtur trojet shqiptare të Epirit nga forcat osmane. Ali Pasha më 1784 kishte gradën e Pashait, si komandant ushtarak pranë Valiut të Rumelisë në Sofje. Po këtë vit ai kishte siguruar me luftë qeverisjen e sanxhakut të Delvinës.
Në vitet 1786-88 ishte bërë derbendpashë dhe qeveritar i Sanxhakut të Tërhallës (Thesali) dhe shtiu në dorë, sidomos me përkrahjen e borgjezisë zejtare-tregtare të vendit, qeverisjen e sanxhakut të rëndësishëm të Janinës, duke shtrirë kështu pushtetin e vet mbi Epirin dhe një pjesë të trojeve jugore shqiptare. Rreth 1787, ishte i thirrur në Kostandinopojë Tepelenë Dervenci Ali-Pasha për gjithë e Thesalisë.
Si pronar i madh tokash, sipërmarrës i taksave shtetërore, si pjesëmarrës aktiv në veprimtari tregtare dhe duke mbrojtur interesat e çifligarëve të rinj po dhe të borgjezisë tregtare, të cilën e bëri për vete me një politikë tolerance të gjere fetare, Ali Pashë Tepelena i kishte mënjanuar përkrahësit e pushtetit qendror osman dhe “tiranët e vegjël” si shkaktarë të anarkisë feudale në vend.
Ai i shndërroi kështu trevat e përfshira nën sundimin e tij në një formacion shtetëror autonom, që dallonte nga viset e tjera të perandorisë për nga rregulli, qetësia dhe zhvillimi ekonomik e kulturor. Janina u bë një qytet nga më të rëndësishmit dhe më të begatë në viset Perëndimore të Ballkanit, qendër e tregut ndërkrahinor të Rumelisë Jugore, qe përfshinte edhe një varg krahinash të Shqipërisë, një vatër arsimore dhe kulturore ku filloi të përdorej si gjuhë shkrimi dhe shqipja.
Në vitet 1798-1812, duke nënshtruar me luftë qeveritarët rivalë të sanxhaqeve fqinjë si dhe krahinat e vetëqeverisura të Sulit, Himarës, etj. dhe duke shfrytëzuar situatën e vështirë të Perandorisë Osmane në periudhën e luftërave të Napoleon Bonapartit, Ali Pashë Tepelena arriti të zgjeronte e përforconte pushtetin e vet, duke përfshirë trevat që nga gjiri i Prevezës deri afërsisht në lumin Shkumbin. Pashallëku i Janinës ishte bërë një faktor me rëndësi ndërkombëtare në kushtet kur forcat franceze që ishin vendosur në Ishujt Jonianë si dhe Anglia, drejtuan vëmendjen e tyre ndaj sundimtarit të fuqishëm shqiptar dhe krijuan lidhje direkte diplomatike me të, duke kapërcyer Portën.
Ali Pashë Tepelena ishte bërë kështu një sundimtar faktikisht i pavarur, por gjithmonë i kujdesshëm, për të mos krijuar konflikte të parakohshme me pushtetin qendror osman, duke pritur një moment të volitshëm për t’u shkëputur prej këtij. Në vitet 1820 – 1822, Ali Pashë Tepelena kishte filluar luftën për mbrojtjen e vendit nga sulmi i forcave të Perandorisë Osmane dhe me këtë filloi faza më e lartë e veprimtarisë së, sundimtarit shqiptar për të shkëputur zotërimet e veta nga vartësia e Perandorisë.
Ali Pashë Tepelena i kishte bërë ballë rrethimit për një vit e gjysmë dhe bëri një qëndresë këmbëngulëse, deri sa i ngujuar në kalanë e ishullit të Liqenit të Janinës, u vra nga ushtria osmane. Turqit i prenë kokën, e dërguan në Stamboll dhe e ekspozuan në kamaren e Portës së Lartë. / KultPlus.com
Dita Ndërkombëtare e Arsimit është një ditë e përvitshme ndërkombëtare kushtuar arsimit e cila shënohet më datën 24 janar të çdo viti.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 24 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, në shenjë kremtimi të rolit të arsimit për paqen dhe zhvillimin.
Qëllimi i tjetër i caktimit të ditës kushtuar arsimit në nivelin ndërkombëtar është që të tërheq vëmendjen e qeverive dhe popujve për rolin dhe rëndësinë që luan arsimi si njëri ndër mjetet më të përshtatshme për të shpëtuar nga varfëria.
Pa arsim cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë dhe mundësi jetësore për të gjithë, vendet nuk do të kenë sukses në arritjen e barazisë gjinore dhe thyerjen e ciklit të varfërisë që po lë pas miliona fëmijë, të rinj dhe të rritur. /KultPlus.com
Sot janë bërë 104 vjet që kur ka vdekur kryeministri i parë shqiptar, Ismail Qemali, njeriu që më 1912 shpalli pavarësinë e Shqipërisë në qytetin e Vlorës.
Ai vdiq në rrethana misterioze më 24 janar në Peruxhia të Italisë, ku edhe është varrosur. Nuk ka të dhëna të sakta por mendohet se Qemali është helmuar.
Më 28 Nëntor të vitit 1912, Shqipëria shpalli Pavarësinë dhe Ismail Qemali ishte kryeministër i parë i Shqipërisë. Në shpalljen pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare.
Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi Qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali .
Njohja ndërkombëtare e pavarësisë, si dhe përcaktimi i kufijve të Shqipërisë u bë pas një viti në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, vendim i së cilës qe shpallja e Principatës shqiptare sovrane nga Perandoria Osmane nën mbikëqyrjen e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe lënia e gjysmës së territoreve të shtetit të porsaformuar jashtë kufijve të tij administrativë. /KultPlus.com
Mesfushori shqiptar, Granit Xhaka, është shpallur futbollisti më i mirë në Zvicër për vitin 2022.
Lojtari i Arsenalit ishte në konkurrencë me portierin Yann Sommer (Bayern Munich) dhe mbrojtësin Manuel Akanji (Manchester City).
“Faleminderit shumë për gjithçka. Faleminderit trajnerit, familjes sime dhe të gjithë njerëzve që besuan tek unë”. Por, edhe për njerëzit që nuk besuan në mua”, është shprehur me këtë rast Xhaka. /Telegrafi /KultPlus.com
Në përvjetorin e Isa Boletinit kujtojmë figurën e madhe të tij, i cili gjatë tërë jetës punoi për çështje atdhetare, shkruan KultPlus.
Pavarësisht pse ai ka vdekur, ajo që ka lënë pas përveç veprimtarisë së bujshme janë edhe intervistat e tij, përgjatë të cilave ai shprehi drejtpërdrejtë mendimet e tij për aktualitetet e asaj kohe.
Kohë më parë, Aurenc Bebja pati sjellur botimin e “Journal des débats politiques et littéraires” lidhur me deklartatat e Boletinit në intervistën për gazetën “Narodni List”.
Përveç që tha se deri në frymën e fundit do të vazhdoj të punoj për çështje të kombit, Isa Boletini shtroi edhe një pyetje që kishte bërë bujë në atë kohë.
KultPlus ua sjell deklaratat e Isa Boletinit në gazetën “Narodni List”:
Na telegrafojnë nga Shkodra se Isa Boletini, ministri aktual i luftës së qeverisë së Vlorës, gjendet momentalisht në këtë qytet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Shefi i famshëm shqiptar ka bërë për korrespodentin e gazetës “Narodni List”, të Fiumes, deklaratat e mëposhtme :
“Gjendem i sëmurë në momentin kur kanë më shumë nevojë për ndihmën time; por shpresoj të shërohem sa më shpejt që të kthehem në luftë.
Do të luftoj deri në frymën e fundit dhe derisa të ketë shqiptarë të armatosur, kështu Ballkani nuk do të jetojë në paqe.
E kam thënë këtë gjë në Evropë, e përsëris edhe sot para jush. Madje, ç’kërkojnë serbët në Kosovë !”
Gazetat në Beograd, të cilat riprodhojnë këtë deklaratë, pyesin nëse Austria do të gjejë një pretekst tjetër, kur Isa Boletini do të ekzekutojë kërcënimet e tij, për të parandaluar Serbinë që të mbrohet ndaj agresorëve të saj. / KultPlus.com
Alketa Tragaj Myshketa është artiste e akuarelit, e cila së fundmi ka çelur një ekspozitë në “MUST OFF Gallery”, galeria e Muzeut Historik të Leçes (MUST).
Ekspozita, e cila përmban 30 punime akuareli është titulluar “Variacion ngjyrash mbi arkitekturën”.
Alketa Tragaj Myshketa, është një artiste e gjeneratës së re, nga qyteti i Durrësit, por që ka lidhje shpirtërore me qytetin italian të Leçes, ku edhe ka pikturuar veprat e ekspozuara në këtë ekspozitë.
Ajo tregon se, ka pikturuar dhjetëra ndërtesa, kisha, rrugica, mure e porta, sepse sa herë viziton këtë qytet, merr me vete akuarelet.
Kritika e ka mirëpritur këtë ekspozitë. Ajo çfarë ka goditur më tepër është mënyra se si artistja ka vënë në dukje lojën e dritave dhe hijeve, mbi sipërfaqet e ndërtesave dhe se si ka nxjerrë në plan të parë elementet dekorative të fasadave të mrekullueshme të stilit barok.
Alketa Tragaj Myshketa u diplomua në Universitetin e Arteve, në Tiranë, në vitin 2014. Specializimi i saj në skenografi e ka tërhequr drejt ndërtesave historike të qytetit të pazëvendësueshëm të vendlindjes, Durrësit, si dhe së fundmi drejt Leçes, ku jetojnë familjarë të saj.
Gjendjen e saj emocionale të shkaktuar nga vëzhgimi pasionant mbi arkitekturën, që ka nisur të ndërtohet këtu e rreth 5-së shekuj më parë, e transmeton përmes iluzionit romantik, vizatimit dhe teknikës së akuarelit.
Alketa Tragaj Myshketa, në dukje ka marrë pozicionin e një faktuese të ethshme, për të dëshmuar, jo thjeshtë mbijetesën tredimensionale të ndërtesës, por për të nxjerrë në pah dhjetëra elemente të tjerë, që e lidhin drejtpërdrejtë me artin.
Nga njëra anë, si artiste e penelit, tenton të aplikojë mbi një sipërfaqe dydimensionale ndjesitë e saj të skicimit, për të pasqyruar në mënyrë realiste aftësitë krijuese dhe imazhe të objekteve të arkitekturës. Ndërsa, përmes ngjyrave delikate të akuarelit të japë atmosferën e individualitetit të saj.
Nga ana tjetër, pikturat e arkitekturës si artefakte, në mënyrë të vetëdijshme e ndihmojnë artisten të tërhiqet drejt kulturës dhe traditës së ndërtimit të qytetit. Gjithashtu, ato ndihmojnë, në ditët e sotme në edukimin me njohjen mbi trashëgiminë dhe funksionin e ndërtesave të tilla.
Artistja, në vendin e saj, kthehet në një zë koloristik të gjinisë së pikturës arkitekturore ose të pikturës së arkitekturës.
Në këto arsye piktura e Alketa Tragaj Myshketa, në dukje një ilustrim piktorik mbi ndërtesën historike, kthehet në një qëndrim estetik vetjak, i cili referon pikturimin me ngjyrat e ujit të ndërtesave arkitektonike dhe mjediseve të tjera. Ngjyrat e ujit ose akuarelet janë të dashura e të mahnitshme për delikatësën, transparencën dhe pozitivitetin e tyre.
Artistja ka arritur t’i bëjë për vete, dhe me artin e saj realist dhe stilin figurativ ka hyrë në marrëdhënie me objektet arkitektonike dhe mjediset urbane në natyrën e qytetit italian dhe shqiptar. Ata të vendosur në atmosferën natyrore, i kanë shkaktuar ndjesi emocionale romantike.
Artisja, me 30- të akuarelet e saj të zhanrit të pikturës arkitektonike, ka arritur t`i transmetojë më parë vetes dhe më pas publikut historitë ndërtimore në të shkuarën dhe ekzistencën e natyrës së tyre në të sotmen. Ajo, përmes artit të akuarelit na fal kënaqësi dhe tërheqje të vemendjes ndaj një të shkuare ekspresive e dinjitoze, që jeton me ne. /atsh /KultPlus.com
Luçie Miloti lindi më 11 Maj 1930 në Shkodër, në një familje me tradita muzikore. Për herë të parë ka dalë në skenë në moshën 12-vjeçare dhe çuditi spektatorët shkodranë duke kënduar përkrah me Bik Ndojën, File Gjeloshin, Pjetër Gjergjin e shumë të tjerë.
Rruga e saj artistike do të niste në Radion e Shkodrës dhe më pas do të angazhohej në shtëpinë e Kulturës të qytetit të Shkodrës, nën dirigjimin e Prenkë Jakovës. Në 1946, në moshën 16- vjeçare vjen në Tiranë, ku fillon karriera e saj si në skenat kryesore të vendit, ashtu dhe në festivalet kombëtare dhe ndërkombëtare. Transferimi i familjes në vitin 1946 do ta afronte në jetën artistike kryeqytetase. Ai që krijoi figurën e saj të plotë si këngëtare është profesori i saj, Pavlin Pali.
Fillimisht emërohet si soliste në Radio Tirana nën drejtimin e Paulin Palit dhe një vit më vonë emërohet si soliste në filarmoninë shqiptare me krijimin e institucioneve të tjera kulturore artistike profesioniste të kryeqytetit, Luçia u aktivizua në Estradën e Tiranës dhe në 1957, emërohet soliste në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore. Gjatë kësaj periudhe do të jenë të shumta këngët që do të kompozohen për zërin e saj. Do të vazhdojë si soliste në Ansamblin Popullor deri në moshën 45 vjeçare, kur del edhe në pension. Që nga kjo kohë u shkëputur nga skena. Në maj të vitit 2006 në Tiranë pas një sëmundje, Luçia ndërrojë jetë pak ditë pas ditëlindjes së 76-të të saj.
Disa kompozime e dedikuara kësaj artisteje të mrekullueshme janë kënga nga Pjetër Gaci, me titull: “Qytetit tim” , që e ka kënduar më vonë Sali Brari. Rud Gurashi, këngën me titull: “Shpend ma i parë i bukurisë”, Zef Leka, me këngën: “Synin tand larush moj çike”, të Xhevat Lishit, me tekstin e Lah Mema: “Zani yt, na sjell pranverë” dhe e këndon Meri Zefi. Në fund të 2004 nga kompozitori lezhjan, Agim Velaj: “Lauresha e Shkodrës”.
Në kujtimet e artistëve bashkëkohës me të, Luçie Miloti vjen si një këngëtare e veçantë. Skenën e pushtonte vetëm me zërin e saj, sepse asnjëherë nuk i përdorte gjestet shoqëruese. Në repertorin artistik numërohen 500 këngë të cilat këngëtarja i ka përcjellë edhe në botën e huaj. “Çila sytë, due me te pa”, “Për mue paska kane kysmet”, “Bishtalecat palë palë”, “Shpend ma i parë i bukurisë”, “Zanusha”, “Me zaman asaj furije?, “Çu çue Rushja”, etj do të ishin disa nga këngët që dëgjoheshin nëpërmjet Radio Tiranës. Në formimin profesional të mëtejshëm do të këndonte këngë si “Kaçurrelat e tu”, “Synin tënd larushe mij çike”, “Me t’shi hajtshamos” etj.
Luçie Miloti në karrierën e saj ka marrë pjesë në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, si në skenat e shume kryeqyteteve të Ballkanit dhe madje të botës. Në Varshavë është vlerësuar me titullin “Bilbili i Ballkanit”, ndërsa në Bullgari muzikologët e kanë cilësuar si “Bilbili me zë kristalor”. Për kontributin e saj muzikor, më 1961 ka marrë titullin “Artiste e Merituar” dhe urdhrin “Mjeshtër i madh” nga ish-Presidenti Rexhep Mejdani. Me vendimin e Bashkisë së Tiranës, një rrugë e Tiranës merr emrin e këngëtares së mirënjohur.
Luçie Miloti ndërroi jetë nga një sëmundje më 15 maj të vitit 2006, pak ditë pasi mbushi 76 vjeç./ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim zyrtar me Presidentin e Italisë, Sergio Mattarella, shkruan KultPlus.
Përmes një njoftimi në “Facebook”, Osmani shkroi se u konfirmuan marrëdhëniet miqësore në mes të dy vendeve dhe u diskutuan mundësitë e shumta për thellim të bashkëpunimit bilateral.
Postimi i plotë:
“Faleminderit për mikpritjen e ngrohtë, President Mattarella.
Në Romën historike pata kënaqësinë të mirëpritem nga Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, me ç’rast u konfirmuan marrëdhëniet miqësore në mes të dy vendeve tona dhe u diskutuan mundësitë e shumta për thellim të bashkëpunimit bilateral.
Me Italinë e historisë së jashtëzakonshme, artit botëror, traditës kulinare e pejsazheve magjepëse ka kaq shumë gjera që na bashkojnë. Por, mbi të gjitha na bashkon orientimi ynë i përbashkët për paqe, demokraci e sundim të ligjit. Andaj, së bashku diskutuam për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit si dhe për kontributin tonë të përbashkët për paqe e stabilitet në rajon”, thuhet në njoftimin e saj. /KultPlus.com
Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” këtë javë do të rivërë në skenë komedinë “Dita më e bukur”.
Komedia e David Foenkino, vjen me regjinë e Ledio Topallit dhe me një kast aktorësh të njohur dhe të pëlqyer nga publiku.
“Një shfaqje që sjell gëzim sepse është vendosur aty ku lind jeta dhe aty ku lind gëzimi çdo prindi, në Maternitet. Aty ku për çdo prind shkruhet në memorie Dita më e Bukur”, kështu është shprehur regjisori i komedisë e cila do të jetë në skenën për 6 netë rresht. Në rolet kryesore interpretojnë Gentian Zenelaj, Adelina Muça, Sheila Haxhiraj etj.
Autori i veprës, David Foenkinos është një nga romancierët më në zë të momentit në Francë. Ai ka shkruar edhe tri vepra teatrale e njëra nga ato është edhe komedia “Dita më e bukur”.
Komedia e pati premierën pranverën e vitit të shkuar dhe pati shumë interes nga publiku.
Ajo ka personazhe të skalitur dhe një dialog të shpejtë, inteligjent e plot humor e keqkuptime. Personazhet që kanë zili jetën e njëri-tjetrit, e bëjnë këtë vepër shumë interesante dhe tërheqëse për publikun. /atsh /KultPlus.com
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka thënë se qëndrojnë krah Kosovës dhe vlerësojnë ruajtjen e paprekshmërisë dhe integritetit territorial të shtetit. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Begaj ka thënë se Shqipëria e mbështet dialogun Kosovë-Serbi për arritjen e një marrëveshje përfundimtare që do të çojë në njohje të ndërsjellë.
Kreu i shtetit shqiptar ka përmendur zhvillimet e dhjetorit në veri në të Kosovës, ku grupe kriminale të Serbisë kishin vendosur barrikada, për çka Begaj ka thënë se ishte situatë delikate e cila nuk kontribuon në paqen dhe stabilitetin rajonal.
“Përgjatë gjithë vitit dhe në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, u ballafaquam me një situatë tepër delikate në veri të Kosovës, e cila nuk kontribuon në paqen dhe stabilitetin rajonal. Shqipëria është në krah të Kosovës dhe vlerëson ruajtjen e paprekshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, vlerëson rolin dhe kontributin e misionit KFOR të NATO-s në garantimin e paqes dhe sigurisë, respekton parimet e fqinjësisë së mirë, si dhe mbështet dhe inkurajon dialogun Serbi-Kosovë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për arritjen e një marrëveshje përfundimtare, që do të çojë në njohje të ndërsjellë”, ka thënë Begaj.
Begaj gjithashtu ka thënë se viti 2022, ishte i vështirë dhe sfidues edhe për sigurinë kombëtare në Shqipëri.
Ai ka përmendur sulmet kibernetike, përmbytjet gjatë dimrit, si dhe zjarret e krijuara gjatë periudhës së verës.
“Viti që sapo kemi lënë pas ishte i vështirë dhe sfidues edhe për sigurinë tonë kombëtare. Në muajin korrik, ne u përballëm me një nga sulmet më të rënda kibernetike të sponsorizuar nga struktura shtetërore të Republikës Islamike të Iranit, i cili jo vetëm shkaktoi probleme në infrastrukturën digjitale në vend, por ishte me qëllime të dukshme politike për të shkaktuar destabilitet. Gjatë vitit 2022 kemi kaluar situata të vështira që lidhen me përmbytjet gjatë periudhës së dimrit; situatë e vështirë është krijuar dhe këto dy javët e fundit, si dhe zjarret gjatë periudhës së verës. Gjithashtu, ka patur cenim të sigurisë publike nga fenomene të kriminalitetit, aktivitete të paligjshme të trafikut të lëndëve narkotike, krimit të organizuar, korrupsionit, emigracionit e të tjera. Të gjitha këto kanë ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve”, ka shtuar Begaj.
Ai shtoi se shtete me interesa jomiqësore, përmes instrumenteve të ndryshme, janë përpjekur të zgjerojnë influencën e tyre dhe të pengojnë proceset integruese euro-atlantike të vendeve të rajonit.
Begaj ka përmendur edhe agresionin e paprovokuar rus në Ukrainë, për çka ka thënë se ka shkaktuar krizën më të madhe të sigurisë në hapësirën euroatlantike.
Efektet e tij në fushën e ekonomisë, ka shtuar Begaj, janë shoqëruar me rritje të konsiderueshme çmimesh në sektorin ushqimor dhe të energjisë duke vështirësuar kështu jetën e qytetarëve.
Në këtë takim të thirrur nga vet ai, Begaj ka thënë se do të bëjnë një analizë të gjendjes së sigurisë kombëtare dhe sipas tij është e rëndësishme të diskutohen prioritetet për vitin në vijim. /Express /KultPlus.com
Një koproduksion mes Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit të Qytetit të Gjilanit dhe atij të Prizrenit “Bekim Fehmiu”, do të shihet sonte në skenë kur edhe jepet premiera e parë për këtë vit “Fausti”, shkruan KultPlus.
Me regji të Fadil Hysaj, “Fausti” do të jetë premiera në “Talian e Flakës” në Teatrin e Qytetit të Gjilanit, sonte me fillim nga ora 20:00.
Pasi Fausti kupton se ka shpenzuar jetën në kërkim të dijeve më të larta është i gatshëm që t’i shes shpirtin Mefistos në këmbim të edhe 30 viteve jetë, të cilat do të dëshironte ti përdorë për ta përjetuar dashurinë e munguar dhe mundësinë për të lëvizë në kohëra dhe hapsësira tjera që ta ngopë kurreshtjen e tij të pafundme …Por, në jetën që fiton në këmbim, Fausti bëhet pjesë e një bote të shfrenuar e mizore, në të cilën shpirti shitet dhe këmbehet për synime shumë më të ulëta se ato të Fausti…
Aktorët që do të luajnë janë: Shkëlzen Veseli, Adrian Morinam Xhevdet Doda, Beslidhje Bytyçi, Aurita Agushi, Shpëtim Kastrati, Kushtrim Qerimi, Sheqerie Buqaj, Liridona Shehu, Ali Demi, Alban Krasniqi, Zana Berisha, Emine Toska, Rifat Smani, Valmira Hoti, Mejreme Berisha dhe Alban Morina. /KultPlus.com
Kinema e vjetër, Kinema e braktisur, Ku prej kohësh më s’lozin filma të përsëritur, Ku s’bëjnë më zhurmë njerëzit me karriget, Ku në pushimet e seancave S’shesin kikirikë. Ekrani me njolla, Megafonët prishur, Stolat janë boshe si radhë të pashkruara; Këtë poemë stolash të gjatë, të braktisur Nga dera e vështroj Plot mall e i menduar. Kinema e fëminisë, Kinema e rrëmujës, Kam parë aq vende, Kam parë aq salla, Por n’asnjë prej tyre s’kam hyrë me aq bujë, Sa tek ti, E shtrenjta barakë, E rralla! Më mirë asgjëkund veten s’e kam ndier, As në sallat luksoze me kadife që shndrit, Megjithëse në to me leshverdha kam qenë, Kurse tek ti vija Me jevgun Rakip. Lekë, lekë, Të mbledhura me mundim paret, Tingulli i gëzuar në biletari, Afishet tek xhamia Dhe tek Qafë e Pazarit Të shkruara nga vetë portieri Qani.
Për të njëjtin film tek njëra afishe Shkruhej titulli ndryshe, Te tjetra. Por kjo asnjeriu punë s’i prishte.
T’i falnin ty të gjitha, E dashura, E vjetra.
Në atë copë ekran, Për herë të parë, Një copë të botës së gjerë ne pamë. Në gjashtë metra katrore.
Bota fund s’kish e anë, Bota ngjante e shkëlqyer, Ndonëse ekrani ish me arna.
Dhe ne ishim me arna, Me arna ish Republika, Koha, bërrylat, shtetet ishin me arna. Por në sytë tanë Kish të tillë dritë, Që nuk e patën kurrë Më të ndriturat ekrane.
Kinema e vjetër, Kinema e braktisur, Stola ku janë ulur varg Ditët e fëminisë, Cicëronjëse gjithmonë Si një rresht zogjsh Mbi një tel telefoni.
Kinema e vjetër, Kinema e braktisur, Stola të rëndë, të gjatë, të vithisur. Në çdo moshë që të hyj, Në çdo vend që të vete Si hamall këto stole Do t’i marr me vete. /KultPlus.com
Temperatura minimale në Mohe, qyteti më verior i Kinës, ra në minus 53 gradë Celsius të dielën, duke shënuar temperaturën më të ulët të regjistruar ndonjëherë në këtë qytet, transmeton KultPlus
Shifra theu rekordin e mëparshëm prej minus 52.3 gradë Celsius. Temperaturat në Mohe, Provinca Heilongjiang, kanë rënë nën minus 50 gradë Celsius për tre ditë rresht.
Ndërsa një raund i ri i të ftohtit ekstrem goditi Heilongjiang, një numër zonash në vargmalin e Madh Khingan kanë regjistruar temperaturat e tyre më të ftohta ndonjëherë.
Mohe ka një periudhë vjetore akulli dhe bore deri në tetë muaj, me temperaturë mesatare vjetore rreth minus 3 gradë Celsius.
Ndërsa sezoni i pikut të udhëtimit mbërriti gjatë Festivalit të Pranverës, turistët dhe qytetarët vendas këshillohen të qëndrojnë ngrohtë dhe të sigurt pasi dukshmëria e ulët mund të shkaktojë aksidente trafiku, sipas Xu Liling, kreu i stacionit meteorologjik Mohe. /KultPlus.com
Marrë nga “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”, Roland Qafoku
Nëse Ismail Qemali ishte truri i pavarësisë së Shqipërisë, Isa Boletini ishte krahu i armatosur i saj. Por vetëm 3 vjet e dy muaj nga dita më e madhe e kombit shqiptar, njeriu që luftoi aq shumë për këtë pavarësi u vra në një pusi nga 80 xhandarë malazezë dhe serbë.
Akrepat e orës shënonin 21.13 atë të diel të 23 janarit 1916 kur plumbat që vërshëllenin rreth e rrotull si grerëza të tërbuara, e lanë të vdekur Isa Boletinin në kalldrëmin e urës Ribnica në Podgoricë të Malit të Zi. Një bir i kohës së tij dhe që bashkë me vrasjen e tij, në fakt u vra edhe Kosova, duke ia shkëputur trupit të Shqipërisë.
Ç’mund të bënte Isa Boletini vetë i 9-të kur në të dy anët e urës Ribnica ishin 80 ushtarë që e kishin marrë në shenjë? Ose të dorëzohej ose të vritej duke luftuar bashkë më të gjithë.
Të ndodhur si peshqit në rrjetë, shqiptari i madh bëri atë që vërtetë do ta çonte drejt vdekjes së sigurt, por si hero: të shtënave iu kundërpërgjigj me të shtëna. Batareja e pushkëve solli bilancin tragjik: vrasjen e Isa Boletinit vetë i 9-të, por edhe vrasjen e 12 xhandarëve malazezë.
Si u organizua vrasja
Me etjen për hakmarrje, serbët dhe malazezët u bënë bashkë me rusët dhe francezët për ta eliminuar Isa Boletinin. Atë që nuk e kishin arritur ta bënin në luftë ballore në fushëbeteja, ata e bënë në urën e shtetit fqinj, Malin e Zi. Konsulli francez në Podgoricë, Bichoc, është njeriu që nisi aplikimin e kurthit duke e ftuar Isa Boletinin të shkojë në Cetinjë, në mënyrë që prej andej ta dërgonte jashtë Malit të Zi. Boletini i besoi kësaj ndihme pa e menduar se në fakt po shkonte drejt ekzekutimit. Teksa ndodhej në Podgoricë ai u gjend në një kurth që i solli vdekjen.
Në fakt, ajo nuk ishte thjesht një vrasje, por një kasaphanë. Dëshmitë e një masakre të organizuar vijnë nga të dy palët: viktimat dhe vrasësit.
I pari është Tafil Boletini, nipi i Isa Boletinit, në një rrëfim unikal të botuar në studimin e Skënder Luarasit.
“Nja 80 xhandarë kishin zënë pritë në të dyja anët e urës së Ribnicës, karshi prefekturës, afër kishës katolike. Unë me dy vëllezërit, sipas lajmërimit të kasnecit, po ktheheshim për në shtëpi, te axha (Isa), patrulla në krye të urës, që po priste ardhjen e axhës, na ndali. Kur oficeri urdhëron ndalimin, xhandarët me pushkët gati të qëllojnë pyesin:
Kush asht Isa Boletini?! Por oficeri ndërhyn duke u thënë: Mos shtini, nuk është asnjë nga këta!”. Por që tre vëllezërit nuk kanë mundësi të lajmërojnë Boletinin për vendimin e malazezëve, pasi me përdhunë, nën kërcënimin e armëve mbyllen në një shtëpi dhe mbahen të bllokuar. Në këtë kohë Isa Boletini, vet i tetë, kishte hedhur hapat e parë në dërrasat e urës së Ribnicës pa e dalluar se edhe nga pas krahëve xhandarët e mbyllën udhën që të mos kishte asnjë mundësi daljeje.
Një oficer komandues u kërkon shqiptarëve të dorëzojnë armët, por Isa Boletini kundërshton: Jo besa! S’ja kam dorëzue, as krajlit, as mbretit. Dhe nxjerr armën. I pari që shtie ishte njëfarë Pero Buriqi nga Vasoviçi. Menjëherë flakë për flakë përgjigjet edhe Isa Boletini dhe të tijtë me nga dy revolver në duar.
Brenda disa minutave, të rrethuar nga të gjitha anët nga dhjetëra xhandarë, vriten të gjithë, Isa Boletini dhe dy të bijtë, Halili dhe Zahidi, që ishte student në Vjenë, dy nipërit, Jonuzi dhe Halili, Hajdar Selim Radisheva, kunati i Isait, djali i vëllait të Hajdarit, Idriz Bilimi dhe Misin Bala nga Isniqi. Nga ana tjetër mbetën të vrarë tetë xhandarë dhe plagosen dyfishi. Shfaqja u sodit nga disa ministra malazezë të strehuar në prefekturën e qytetit”.
Rrallë ndodh që të rrëfejë autori i një vrasjeje masakre, për më tepër kur kjo ka ndodhur 100 vjet më parë. Në rastin e Isa Boletinit nuk kemi një, por dy rrëfime. I pari është I P.M.
Vojvodiq-it, oficer rezervë, bashkautor në këtë vrasje masive. Edhe dëshmia e tij është unikale dhe, për fat të mirë, u bë pjesë e një botimi të veçantë në vitin 1977.
“Isa Boletini ishte në katin përdhes të shtabit të ushtrisë malaeze. Unë si roje kam patur urdhër që ai të mos dalë nga dera. Në një rrethanë të papritur kanë shkrep armët te ura dhe Isa Boletini ka provuar të dalë në ndihmë të kreshnikëve të tij, por unë e kam plagosë duke e goditur në duar. Pas nja 10 minutave ka ardhur Nikolla Gjilas, babai i Millovan Gjilas dhe ka shtirë pesë herë në të. Ai i ka grabit Isës pushkën dhe revolet që i mbetën afër duarve.” .
Edhe pse u realizua një vrasje masive dhe pak ka kuptuar në atë kohë se çfarë ka bërë, nuk ka vlerë të vogël fakti që vetë Vojvodiq shpreh pendesë:
“Unë shumë vonë e kam mësuar se kë kam plagosur. Sot pendohem shumë se çfarë mëkati kam bërë. Po u rrëfeva se nuk jam fajtor. Unë kam qenë vetëm një oficer që zbaton urdhra. Urdhri ka ardhur nga lart. Këtë krim e kuptuam shumë vonë. Fajtor është përfaqësia franceze, qeveria dhe mbreti i Malit të Zi.”
Vojvodiq ishte dhe mbetet një profil i ulët zyrtar dhe publik, por dëshmia e dytë është shumë më e rëndësishme se kjo. Malazezi Milovan Gjilas, një shkrimtar dhe politikan me peshë gjatë regjimit komunist në Jugosllavi, sjell një dëshmi akoma më unikale të të atit, Nikolla Gjilas, njeriu që kishte vrarë me dorën e vet Isa Boletinin. Falë talentit si shkrimtar atij i ka rënë rasti ta “vizatojë”armikun duke e përshkruar me nota admirimi.
“Beteja e Isës me ushtarët e tij vullnetarë nuk kishte vazhduar shumë, pavarësisht heroizmit të rreptë të shqiptarëve. Nga kjo goditje kishte rënë udhëheqësi i tyre dhe besnikët e tij të devotshëm. Njerëzit më të afërt të Isës ishin likuiduar dhe të tjerët ishin shpërndarë në katër anë.
Isa Boletini ishte vrarë, por kishte luftuar trimërisht, madje për një kohë të gjatë, pavarësisht se kishte mbetur i vetëm në rrugë të madhe. Ashtu, i plagosur, ishte ngritur në gjunjë dhe sado që nuk kishte fuqi për të mbajtur pushkën, qëllonte me revole që të paktën të vriste ndonjë prej armiqve para se të jepte shpirt. Babai im ishte turrur me vrap drejt tij dhe shqiptari i pamposhtur e kishte kaluar revolen në dorën e majtë, por nuk kishte pasur kohë të hapte zjarr.
Një ushtar e kishte vënë në shenjë dhe Isa kishte rënë përdhe. Babai ishte afruar me vrap dhe Isa e kishte vështruar me sytë e mëdhenj dhe të përgjakur, kishte thënë çka në gjuhën e tij amtare dhe në atë çast kishte dhënë shpirt.
Çudia vjen nga historiani anglez Joseph Sëire që për ngjarjen në fjalë është furnizuar nga një letër që Edith Durham ia ka dërguar më 10 korrik 19284 të zbuluar në arkivin britanik nga studiuesi Bejdullah Destani, në të cilën ajo tregon për dëshminë që i kishte dhënë Qazim Kastrati për vrasjen e Isa Boletinit. Kastrati në atë kohë ishte fëmijë, por kishte qenë dëshmitar okular i masakrës.
Edhe pse Kastrati e ka rrëfyer me sinqeritetin e një fëmije, ngjarja vjen me shtrembërime nga Sëire 5. Në librin e tij kjo histori kalon me tre rreshta në të cilën anglezi më shumë i ngatërron detajet se sa i sqaron. Ai shkruan se malazezët provokuan një grindje dhe më shumë hedh dyshime për prezencën e Boletinit në Podgoricë, se jep detaje për një masakër për të cilën Qazim Kastrati i dhanë detaje mëse të vlefshme. Ja pjesa e letrës së Kastratit që Joseph Sëire nuk e ka parë të arsyeshme ta vendosë në libër:
“Një grup malazezësh hasi në dy prej djemve të Isa Boletinit pranë urës, i ndaloi dhe u kërkoi të dorëzonin armët. Ashtu si gjithë të tjerët në Mal të Zi, edhe ata mbanin lirisht armë. T’i kërkoje dikujt të dorëzonte armën ishte fyerje e madhe, prandaj dy djemtë refuzuan.
Malazezët u përpoqën të flasin me ta dhe pas kësaj krisi pushka. Njerëzit e tjerë të Boletinëve bashkë me Isën erdhën për t’i shpëtuar. Filloi një betejë e madhe. Boletinët mundën të grupohen në një vend prej ku mund të mbroheshin, por mbetën të rrethuar nga malazezët që ishin më të shumtë në numër. Lufta zgjati rreth tre orë.
Më në fund, malazezët përdorën një mitraloz dhe i kositën të gjithë, nëntë vetë gjithsej.”
Arma që vrau Boletinin, një trofe i rrallë
Se sa rëndësi ka patur për serbët dhe malazezët vrasja e Isa Boletinit e tregon një trofe që ndodhet ende në shtëpinë e familjes Gjilas në Beograd. Nikolla Gjilas, babai i Milovan Gjilas, ishte një nga autorët që qëlloi me pistoletë në trupin e Isa Boletinit. Këtë armë nuk e përdori më, por e ruajti në shtëpi si një trofe pa e ditur që i biri Milovan Gjilas do të bënte një karrierë si sekretar i Byrosë Politike dhe zëvendëskryeministër i Jugosllavisë dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Josif Broz Titos.
Në këtë mënyrë, arma që vrau një shqiptar safi dhe simbol të rezistencës ndaj tyre, do të ishte më shumë sesa simbolike: ishte një mburrje për këtë familje. Gjilasi i ri ka derdhur me fjalë të zgjedhura përshkrimin për heroin shqiptar.
“Babai e kishte marrë mauzerin e tij të gjatë me dorezë të stolisur argjendi dhe e kishte ruajtur si kujtimin më të shtrenjtë. Për çudi edhe ne fëmijëve na vinte keq dhe ndienim hidhërim dhe kishim mbajtur zi për Isa Boletinin. Edhe babait i vinte keq, megjithëse ai ishte krenar që ishte vrarë prej grupit të tij. Ky ishte një pikëllim i veçantë, ishte më tepër një admirim për një hero sypatrembur të Shqipërisë, që kishte luftuar deri në fund në një fushë të zhveshur, në mes të rrugës së madhe, pa iu lutur kërkujt dhe pa falur askënd, ashtu drejt në këmbë, i pambrojtur.
Admirimi për të bënte pjesë gjithashtu në pikëllimin tonë. Në qoftë se një njeri duhet të vdesë, do të ishte mirë të binte ashtu siç kishte rënë Isa Boletini. U kujtoftë për jetë nga ata që e panë dhe nga ata që kanë dëgjuar për të!
Shumë më vonë ne i patëm treguar babait dhe e ngacmonim për këtë, se kishim lexuar që Isa Boletini kishte vdekur në Shkodër. Babai nuk e pranonte një gjë të tillë. Por për të nuk kishte aq rëndësi nëse ky kishte qenë Isa Boletini vetë, apo ndonjë nga oficerët e tij, kryesorja ishte se shqiptarët që kishin luftuar në atë betejë dhe, sidomos prijësi i tyre, që nuk mund të ishte njeri tjetër veç Isa Boletini, ishte vrarë. Babait i kishin thënë se ky ishte Isa. Dhe kjo mjaftonte për të, fakti i rënies së tij ishte provuar për jetë të jetëve me zjarrin e pushkëve”.
Varrimi
Në janar të vitit 2014 të gjitha agjencitë e lajmeve, gazetat dhe televizionet publikuan një lajm që kishte lidhje me vrasjen e Isa Boletinit 98 vjet më parë. Instituti i Mjekësisë Ligjore në Universitetin e Strasburgut konfimoi se eshtrat e dërguar atje për ekzaminim ishin të Isa Boletinit.
Isa Boletini u varros dy dytë pas vrasjes në Podgoricë, çuditërisht në një ceremoni me pjesëmarrje masive, ndërkohë që Nasuf Dizdari nga Shkodra mbajti edhe një fjalim gjatë procesionit. Që nga ajo kohë rodhën shumë ngjarje dhe jo vetëm nderimi, por edhe përmendja e emrit të Isa Boletinit cilësohej një krim. Për vite e dekada varri ishte i braktisur, askush nuk shkonte atje, madje ai quhej një varr i humbur. Por në vitin 1973, gjatë asaj kohe që quhet liberalizimi i regjimit të Titos ndaj Kosovës, u bë kërkesa e parë për kthimin e eshtrave në vendlindje. Falë përpjekjeve të familjarëve dhe studiuesëve varri u zbulua dhe më 15 nëntor të vitit 1979 u krye zhvarrimi i kërkuar.
Në fakt këtë proces e shpejtoi dhe një projekti bashkisë së Podgoricës që në tokën ku preheshin eshtrat do të ndërtohej një park. Bashkë me eshtrat e Isa Boletinit u nxorën edhe eshtrat e të shtatë të vrarëve të tjerë të masakrës së 23 janarit 1916. Ishin dy fakte që vërtetonin se ato eshtra i përkisnin Isa Boletinit: Epitafi mbi gurin e varrit, por edhe mungesa te eshtrat e gishtit të mesit në dorën e majtë.
Sipas familjes Boletini, Isa e kishte prerë këtë gisht në moshën 3-vjeçare me sopatë. Eshtrat u vendosën me kujdes në një arkë dhe u varrosën në një kënd të oborrit në xhaminë e Mitrovicës në fshehtësi të plotë. Muhamet Shukriu, Latif Berisha, Asllan Murati ishin tre personat që u betuan me njëri-tjetrin që nuk do t’ia tregonin askujt këtë sekret. Një sekret që u mbajt deri në lirinë e Kosovës e më pas për të ndërtuar një memorial të veçantë.
Ndërkohë, pas 100-vjetorit të pavarësisë, nisi procesi i verifikimit të eshtrave për të kryer një ceremoni zyrtare varrimi. Pas verifikimit, i pari ishte kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili deklaroi se eshtrat e Isa Boletinit do të varroseshin në Vlorë pranë varrit të Ismail Qemalit. Rama caktoi edhe 10 qershorin e vitit 2015 si datën e kësaj ceremonie.
Por, si në të gjallë dhe si në të vdekur rruga e Isa Boletinit drejt Vlorës, qytetit ku u ngjiz shteti shqiptar, kishte të njëjtin fat. Shqipëria e shpalli pavarësinë më 29 Nëntor 1912, por Isa Boletini nuk arriti në kohë të ishte pjesmarrës. Pas 103 vjetësh edhe eshtrat e tij nuk mundën të arrinin atje. Më 10 qershor 2015, Isa Boletini u varros për herë të tretë, por jo në Vlorë siç deklaroi kryeministri Rama, por në oborrin e kullës së tij në Boletin të Mitrovicës. Ishte këmbëngulja e familjarëve që të bëhej kështu.
Vërtet Vlora ishte pika e dobët e Isa Boletinit, por Mitrovica ishte dhe do të jetë në përjetësi dashuria më e madhe e heroit, për të cilën ai shkriu jetën./konica/ KultPlus.com