Është mbajtur sot ceremonia e ndarjes së çmimeve në fushën e artit pamor, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve në fushën e artit pamor u mbajt në kabinetin e Ministrit Hajrulla Çeku.
Në emër të jurisë profesionale, fjalën e mori Arbana Hajredini e cila tregoi se çmimi për “Vepër Jetësore” në fushën e artit pamor shkon për Nusret Salihamixhiqin (postmortum).
Ndërsa çmimi për “Kontribut Vjetor për vitin 2022” u nda për Violeta Xhaferin, çmim të cilin e pranoi djali i saj Ilir Xhaferi. / KultPlus.com
Kur e pyetën për sekretin e bukurisë, Audrey Hepburn dha këtë intervistë, teksti i së cilës u lexua dhe gjatë funeralit të saj:
“Për buzë atraktive, flisni me mirësi.
Për sy të bukur, gjeni atë që është e mirë te njerëzit.
Për një linjë të mirë, ndani ushqimin me të varfërit.
Për flokë të bukura, lejoni fëmijët që me gishtat e tyre ti përshkojnë së paku një herë në ditë.
Për qëndrim të mirë, ecni me mendimin se kurrë nuk jeni vetëm.
Njerëzve, më shumë se gjërave, u duhet rinovim, rigjallërim, verifikim, gjykim dhe mbani mend: Kurrë mos e refuzoni askënd.
Mbani mend se po patët nevojë për ndihmë, do e gjeni në skajet e secilës dorë. Duke u rritur, do të zbuloni se keni dy duar: njërën për të ndihmuar veten, kurse tjetrën për të ndihmuar të tjerët.
Bukuria e gruas nuk qëndron në rrobat që ajo mban veshur, figurën e saj apo modelin e flokëve.
Bukuria e saj qëndron tek sytë, sepse ata janë dera e zemrës së saj, vendi ku dashuria buron dhe pushon.”/ KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani po merr pjesë në samitin e dytë të Komunitetit Politik Europian në Moldavi.
Derisa u realizua fotografia familjare e liderëve pjesëmarrës, presidentja Osmani shtrëngoi duart dhe shkëmbeu disa biseda me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili po ashtu është duke marrë pjesë në këtë samit.
Për këtë takim të shkurtë që pati, Osmani ka shkruar edhe në Twitter.
“Në kohërat kur është e rëndësishme se ku qëndroni, unë i shpreha solidaritetin tonë të plotë Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Askush nuk e kupton dhimbjen, luftën dhe qëndrueshmërinë e Ukrainës më mirë se populli i Kosovës. Asgjë nuk mund të pengojë vullnetin e një populli për të qenë i lirë”.
At times when it matters where you stand, I expressed our full solidarity to President @ZelenskyyUa. No one understands Ukraine’s pain, struggle and resilience better than the people of Kosovo.
Në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” u hap ekpozita fotografike me titull “1989-Para dhe Pas. Rishikimi i qytetit”.
Ekspozita vjen nga Muzeu i Bashkisë së Bukureshtit dhe mban për autor fotografin Andrei Birsan. Imazhet e kapura prej tij janë një dëshmi e ndryshimeve që ka pësuar qyteti ku ai jeton, që prej regjimit komunist e deri më sot. Sfida e artistit është të kapë detaje të ndryshimit përmes përvojës së një të mbijetuari apo një dëshmitari që i ruajti këto ndryshime në kujtesën e tij fotografike. Autori bashkangjit momente të jetës së tij, me kujtesën kolektive. Fotot ballafaqojnë nostalgjinë për regjimin e dikurshëm i cili ofronte paqe në këmbim të nënshtrimit, më të rinjtë që atë periudhë e shohin si rrënim sentimental.
Andrei Birsan thotë përmes ekspozitës së tij se ekziston dhe një grupim i tretë: ata që nuk e njohën kurrë të shkuarën dhe lindën pas një pragu historik. Ata jetojnë vetëm me realitetet e reja duke lënë të hapur shtegun e rrezikshëm të kthimit prapa.
Ekspozita ofron dhe imazhe të ndryshimit rrënjësor të përditshmërisë urbane të 30 viteve të fundit, me të njëjtat vende por me një notë ndryshe të sjelljes kolektive.
Nga ekspozita e fotografit rumun Andrei Birsan, fotot Agim Dobi. / atsh / KultPlus.com
Parashqevi Simaku është një këngëtare e njohur shqiptare ndërsa repertori i saj përfshin një numër të madh këngësh e interpretimesh.
Simaku njihet për zërin e saj të veçantë dhe të ëmbël, duke bërë kështu që arti i saj të frymojë ndryshe.
Ajo sot më së miri kujtohet më këngën “E duam lumturinë”, shkruan KultPlus.
Kënga “E duam lumturinë” është një këngë e kompozuar nga Pirro Çako. Këngëtarja Parashqevi Simaku, me po këtë këngë në vitin 1988 fitoi çmimin e parë te Festivali i 27-të i Këngës në RTSH. Kjo këngë për shkak të tekstit e interpretimit të fuqishëm është bërë një himn i dashurisë dhe sakrificave të nënave për fëmijët.
Kjo këngë fillon me një interpretim të këndshëm nga një kor që përbëhet nga fëmijët për të vazhduar më pas me interpretimin e këngëtares Parashqevi Simaku.
Sot, në Festën e Fëmijëve, KultPlus ju sjellë tekstin dhe videon e kësaj kënge:
Kur një zog, një pëllumb ne shikojmë duam krahë si ata të fluturojmë zemra jonë tik e tak kur troket me zemrat flet
Në çdo stinë kudo janë pranverojnë dhe në sy ata mbajnë jetën tonë dashurinë, lumturinë e pafund me ëndrra shumë
Kanë një botë me ëndrra janë të vegjël shumë mos lëndoni nënat syrin e pagjumë
(2 herë) Të gjitha do i dhuroja kaq të lumtur ti shikoja dhe fëmijët në gjithë globin anembanë
Mos ja u prishni lumturinë mos iu prekni dashurinë as kërrkush mos ta provojë se nënat s’ju lejojnë
Fjala “Nënë” kudo në botë zgjon në zemra dashurinë mirëmëngjes jetës i thotë se nëna e lind njerinë.
Kjo dorë që e tundi djepin gjithë botën e sundon
Mos ja u prishni ëndrrat janë të vegjël shumë Mos lëndoni nënat syrin e pagjumë
(2 herë) Të gjitha do i dhuroja kaq të lumtur ti shikoja dhe fëmijët në gjithë globin anembanë
Mos ja u prishni lumturinë mos ja u prekni dashurinë as kërrkush mos ta provojë se nënat s’ju lejojnë
Fjala “Nënë” kudo në botë zgjon në zemra dashurinë mirëmëngjes jetës i thonë se nëna e lind njerin
Kjo dorë që e tundi djepin gjithë boten e gëzon. / KultPlus.com
Revista “Variety”, më 14 prill 1993, në faqen 75 ka botuar intervistën e gazetares Deborah Young me aktorin e famshëm shqiptar, Bekim Fehmiun. Shkrimi është si më poshtë.
“I vetmi superyll i vërtetë i dalë ndonjëherë nga Jugosllavia, aktori i filmit dhe teatrit, Bekim Fehmiu, është i njohur më së shumti për karrierën e tij unike në Hollivud – si plejboj amerikano-jugor te ‘Aventurierët’ e ‘Paramount’-it më 1970.
Ai ishte gati për një kalim në Hollivud, pasi u bë yll ndërkombëtar me ‘Mbledhësit e puplave’. Ky shans i erdhi në momentin e fundit, kur një aktor rus, cigan i vërtetë, u largua.
Dy dekada më parë Fehmiu e vizitoi botën si superyll i ardhshëm. Tani përpiqet të mbijetojë në një Beograd të shkatërruar nga lufta, si shqiptar i izoluar dhe i rrethuar nga lufta.
Kur ‘Mbledëshit …’ morën çmim të madh në Kanë, dhe një audiencë amerikane më 1968, Fehmiu papritmas kërkohej. Gruaja e Dino De Laurentisit, Silvana Mangano, donte që ai të luante me të te ‘Edipi mbret’, por një angazhim tjetër e prishi atë projekt. Ndërkohë, gruaja dhe djali i Lewis Gilbertit panë ‘Mbledhësit …’ dhe regjisori i dha atij rolin e vrasësit të zonjave – Dax Xenos te ‘Aventurierët’.
Fatkeqësisht, kur gjithçka u tha dhe u bë, Fehmiu kaloi nga ‘Mbledhësi i lumtur’ në një fatkeq. Filmi prej 15 milion dollarësh – një nga më të shtrenjtët të realizuar deri në atë kohë – dështoi; Fehmiu mori përsipër një pjesë të madhe të fajit. Ai i shuajti shpresat e tij në Hollivud.
‘Gabimi i madh i Gilbertit ishte të qenit shumë besnik ndaj romanit të Harold Robbins’, thotë Fehmiu, duke u kthyer prapa në kohë. ‘E bëri atë sikur të ishte duke përshtatur ‘Luftën dhe Paqen’’.
Si 57 vjeçar, Fehmiu jeton në kryeqytetin serb, në Beograd. Edhe ai luajti rregullisht role dytësore në bashkëprodhime të huaja dhe pavarësisht se ishte ylli më i madh i Jugosllavisë në vitet 1960’70, një aksident i rëndë automobilistik e pengoi atë të interpretonte – nga viti 1978 deri në 1981. Edhe pse herë pas here ka xhiruar filma ose seriale televizive jashtë vendit, mendja e tij është fiksuar në luftën që ka copëtuar vendin e tij.
‘Nuk jam i interesuar të aktroj për momentin’, tha Fehmiu për ‘Variety’. ‘Jam shumë i shqetësuar për të gjithë situatën këtu’.
Ai aktualisht mbështet shkollimin e katër të afërmve të tij pasi lufta shkaktoi mbylljen e disa shkollave. ‘Duhet të bësh punën tënde në çdo mënyrë që mundesh’.
Fehmiu pranon se jeta nuk është e lehtë për të si shqiptar në Serbi. Ai jeton me gruan e tij dhe dy djem, njëri prej të cilëve, Uliksi, është aktor i ri në ngritje. Por, pavarësisht luftës dhe persekutimit të grupeve etnike, Fehmiu thotë se nuk do të largohet nga Beogradi. ‘Arratisja është gabimi më i madh. Ka serbë, shumë progresistë, por shumica e intelektualëve janë larguar nga vendi. Unë do të qëndroj dhe do të vdes këtu nëse kjo është e nevojshme”. /Darsiani/
Bekim Fehmiu (foto e vitit 2008, e bërë nga Fahredin Spahija)
Për çdo 10 rrugë që mbajnë emra burrash është një që mban emrin e një gruaje. Megjithatë, emri më popullor në rrugët e Evropës është ai i një gruaje: Virgjëresha Maria.
Të dhënat janë siguruar nga Mapping Diversity, një projekt që analizon përfaqësimin në emrat e rrugëve rreth e qark Evropës. Ekipi i kërkuesve kanë analizuar thuajse 146.000 rrugë në 30 qytete madhore në 17 shtete evropiane.
Më shumë se një e treta (thuajse 53.000) e rrugëve kishin emra njerëzish. Më konkretisht, 48 mijë kishin emra burrash dhe 4800 emra grash.
“Është një kujtesë se kë vlerëson shoqëria jonë, ose kush ka qenë vlerësuar, apo kush nuk vlerësohet”, thuhet në uebsajtin e projektit.
“Dominimi i figurave mashkullore në rrugët tona nuk është thjesht një provë e një fakti historik apo kulturor, por gjithashtu një forcë, në subkoshiencë, por konstante, që kontribuon në përjetësimin e margjinalizimit të kontributeve të grave në histori, art, kulturë apo shkenca.”
Në disa qytete, situata duket më optimiste se në të tjerë, por edhe në tri qytetet të renditura më mirë, Stockholm (19.5% e rrugëve kanë emra grash), Copenhagen (13.4%), dhe Berlin (12.1%), nuk i afrohen rezultatin 50-50.
Ndërsa qytetet ku ka më shumë rrugë me emra burrash janë Athina (4.5%), Praga (4.3%), dhe Debrecen (2.7%), qyteti i dytë më i madh i Hungarisë./ a2cnn / KultPlus.com
Java e Krenarisë, paralelisht me fuqizimin e personave LGBTQI+, synon të ngrisë vetëdijen kolektive dhe dukshmërinë e orientimeve seksuale dhe/ose identiteteve gjinore të ndryshme në shoqërinë kosovare, të adresojë çështje të situatës aktuale të personave LGBTQI+ dhe të luftojë diskriminimin dhe trajtimin e pabarabartë të personave LGBTQI+ në Kosovë.
Sipas organizatorëve të “Prishtina Pride” kjo ngjarje vjen për shkak të diskriminimit të vazhdueshëm në mënyrë sistematike, mospranimit e përjashtimit nga familja, shoqëria dhe shteti, personat LGBTQI+ përballen me një nivel të lartë të ankthit, stresit e depresionit në baza ditore. Si pasojë e krejt kësaj, mirëqenia emocionale, psikike dhe fizike është në gjendje shqetësuese. Shëndeti mendor është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe mbështetja e përhershme profesionale si dhe dashuria e pakushtëzume është më se e nevojshme për personat LGBTQI+ në Kosovë. Tutje, shteti vazhdon të mos ofrojë mbështetje institucionale adekuate për personat LGBTQI+ duke iu larguar përgjegjësisë që e ka në lidhje me këtë çështje dhe këtë grup shoqëror.
Sipas tyre, për të mbështetur të gjithë që janë duke u përballur me nivele të larta të stresit, ankthit, depresionit dhe problemeve të tjera të shëndetit mendor, edicioni i shtatë i Javës së Krenarisë, do të fokusohet në shëndetin mendor të personave LGBTQI+.
“Përmes slloganit “T’du qashtu qysh je” në këtë edicion duam të përçojmë një mesazh mbështetës për të gjithë që janë duke u përballur me sfidat e stresit, ankthit, dhe depresionit që janë pasojë direkte e homofobisë dhe transfobisë sistematike nga shteti, shoqëria, dhe familja. Me “T’du qashtu qysh je” duam t’ua rikujtojmë të gjithëve se nuk janë të vetëm. Dashuria, pranimi dhe ndërtimi i hapësirave të sigurta, përveç ndihmës profesionale është më se e nevojshme, për të mos thënë thelbësore, për parandalimin dhe kalimin e sfidave të shëndetit mendor. Mirëqenia psikologjike dhe emocionale e personave LGBTQI+ duhet të jetë prioritet i institucioneve dhe politikbërjes tonë. Kjo Javë e Krenarisë na rikujton që jetët e personave LGBTQI+ janë të rëndësishme”, thuhet tutje në njoftim.
Java e Krenarisë nis më datë 10 qershor në ora 17:00. / KultPlus.com
Është bërë dje mbrëma inaugurimi i hapësirës më të re dedikuar artit, i Qendrës së Artit “Agimi”.
E pranishme në këtë ngjarje ka qenë ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe kryebashkiaku Erion Veliaj. Ministrja ndau foto me ndjekësit e rrjeteve sociale ku duket transformimi i mjediseve të kinema “Agimit” që tashmë do të jetë më shumë se kinema.
“Kinema “Agimi” i rikthehet qytetit”, shkroi ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në rrjetet sociale. “Agimi” tashmë hap dyert jo vetëm si shtëpi e filmit, por si një qendër arti multifunksionale.
“Arti dhe kultura ka tashmë një hapësirë më shumë për festivale, takime muzikore, ekspozita e mbi të gjitha dialog”, ka deklaruar ministrja e Kulturës.
Kinema “Agimi” në Tiranë, është e njohur për historinë e saj të gjatë dhe kontributin në kinematografinë shqiptare. Ky transformim ka sjellë një frymë të re kreative në ambientet e saj. Tani, ky vend i veçantë ofron një hapësirë për shfaqje të filmave, ekspozita artistike, performanca teatrale dhe shumë aktivitete të tjera artistike. Qendra arti “Agimi” është një destinacion i favorshëm për dashamirësit e artit dhe kulturës që kërkojnë përvoja të reja dhe frymëzim artistik./ atsh / KultPlus.com
Sociologia, poetja, aktivistja dhe zëdhënësja e politikës, Sibel Halimi, shtjelloi një temë interesante dhe shumë atraktive të titulluar “Trupi dhe politika” mbrëmë në ambientin e librarisë Dukagjini në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Si një grua që mundohet t’i shtyjë gjithmonë përpara temat e problemet e ndryshme shoqërore e sidomos ato që lidhen me gruan, Sibeli edhe mbrëmë solli para publikut disa nga këndvështrimet e saj sociologjike mbi trupin dhe politikën.
“Trupi dhe politika” erdhi si një diskutim më ndryshe për politikën dhe trupin si konstrukt shoqëror dhe për politikën që mësyn kontrollin mbi trupin. Diskutim ky që kishte mbledhur një audiencë mjaft të larmishme të cilët ishin të interesuar për të njohur dimensione specifike të funksionit të shoqërisë dhe politikës në kontekstin e trupit.
Sibel Halimi është një grua që i ka tri botë të ndryshme brenda vetes: poezinë, sociologjinë dhe politikën. Këto tri sfera ajo arrin t’i gërshetojë në mënyrën më të mirë të mundshme me njëra tjetrën. Në sociologji identifikon problemet, merresh me çështje shoqërore, në poezi në formë poetike përmes figurave stilistike i përshkruan problemet shoqërore, ndërsa përmes politikës punon në rrugën se si përmes vendimeve të ndryshojmë jetën e njerëzve. Në pamje të parë, të tria këto janë botë të ndryshme por që arrijnë të bashkëveprojnë mirë me njëra-tjetrën.
Gjatë mbrëmjes së djeshme, në epiqendër të temës ishte studimi i sociologes Halimi mbi trupin dhe shtetin. Sipas saj secili prej neve ka lirinë e plotë të vendimmarrjeve mbi trupin. Në disa dimensione, trupi dhe politika janë në bashkëdyzim.
“Trupi shihet si një vend i pushtetit, i regjimit dhe i negociatave. Në mënyrë indirekte kontrollon riprodhimin, kontrollon gruan, abortin, natalitetin. Sa i përket trupit duhet të dallojmë çështjen natyrore dhe shoqërore. Në sociologji përfshihen tri çaste. Në rastin e parë, trupin e sheh si parashoqërorë. Natyra feministe është se ne nuk duam ta shohim trupin e gruas në kuptimin biologjik. Qasja e dytë, mendja dhe trupi bashkëjetojnë dhe ne nuk mund t’i shohim si të ndarë. Dhe qasja e tretë ku trupi shihet si shoqëror. Pra nëpërmjet konstruktivimit shoqëror, trupi nuk shihet vetëm në konotacionin biologjik por edhe shoqëror. Në femenologji, që është një drejtim fiziologjik, ekzistenca i prinë esencës dhe jo më esenca ekzistencës”, u shpreh Halimi.
Sipas Halimit, në qoftëse e shohim trupin në jetën e përditshme, shohim se çdo gjë lidhet me trupin. Se si dukemi, se si jetojmë, se si marrim vendime për jetën.
“Femenologjia thotë se trupi është vend i diskriminimit, vend i pushteteve. Është vend ku i gjithë konstrukti i një shoqërie të caktuar projektohet dhe formësohet përmes trupit. Por edhe në letërsinë shqiptare edhe filozofia popullore, gruan nëpërmjet nënës e kanë glorifikuar deri në atë nivel sa që e kanë humbur subjektivitetin e saj”, tha Halimi e cila shtoi gjithashtu se ka një poezi që shpreh dëshirën për ta parë lirinë e nënës.
Krejt në fund, sociologia, kërkoj mekanizma nga shteti për zhvillimin e trupit, lirinë e trupit dhe emancipimin e grave.
“Emancipim për gruan është kur ajo ka vetë vendimmarrjen mbi trupin e vet”, përfundoi Halimi. / KultPlus.com
Bekim Fehmiu u lind me 1 qershor 1936 në Sarajevë të Bosnje Hercegovinës. Njihet më së miri në filmat I Even Met Happy Gypsies (1967), Protst (1967) dhe The Adventurers (1970). Ishte i martuar me Branka Petric. Vdiq më 15 qershor, 2010 në Beograd.
Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë. Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha, ai është i madh për kontributin artistik në kinematografinë botërore.
U martua Branka Petric dhe kishte dy djem. Shqipërinë e ka vizituar në vitin 1972 dhe nuk e ka fshehur kurrë mallin që kishte për të. Në të gjithë hapësirën ballkanike është gati në përmasat e një miti. “Njeriu nuk duhet të fajësojë për diçka që i ndodhë as babanë as vëllezërit, as fqinjën, as perënditë, por vetëm veten. Njëra nga tragjeditë tona lidhet me atë, që duke jetuar për shekuj së bashku nuk kemi mësuar nga njëri-tjetri, por dhe kur e kemi bërë këtë kemi mësuar vetëm të keqen” – shprehet ai.
Kishte studiuar në Universitetin e Beogradit për film prej vitit 1956 deri me 1960 me prof. Mata Milosevic.
Si yll i filmit në ish-Jugosllavi dhe në përgjithësi në gjithë Evropën, Fehmiu fitoi çmime për film dhe një përkrahje të përzemërt nga gjithë populli shqiptar. Debutimi i tij në tregun amerikan me një rol tejet të rëndësishëm nuk ishte edhe shumë i suksesshëm për të, megjithatë figura e tij prej aktori mori përmasa të mëdha me role në filmat e tjerë dhe mbeti në kujtesë për shumë kohë.
Jeta e tij u zhvillua mes Beogradit, Prishtinës e Prizrenit.
Filmat në të cilët luajti Bekim Fehmiu: “The Odyssey”, “The Deserter”, “Ready for Anything”, “Special Education” etj.
Lidhur me vdekjen e tij ka supozime të ndryshme, njëra prej tyre ishte se kreu vetëvrasje në apartamentin e tij me revole, megjithatë nuk u konfirmua asnjëherë. Kur vdiq Fehmiu ishte 74 vjeç./ KultPlus.com
Universum, po ndryshon arsimin në Kosovë përgjithmonë! UNI – Universum International College fuqizohet dhe menaxhohet nga Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA.
Të gjithë studentët të cilët diplomojnë nga Universum International College – UNI, do të pajisen me diplomë “Fuqizuar nga Arizona State University”.
Partneriteti i ri bashkëpunues i Universumit me ASU-në do të sigurojë që studentët dhe mësimi të mbeten në qendër të fokusit të universitetit, duke hapur dyer të reja për studentët që të kenë qasje në ato që ofron kurrikula e ASU-së, mundësitë kërkimore-shkencore, si dhe mundësitë e reja për bashkëpunim dhe mësim të ndërsjellë për profesorët dhe stafin e UNI. Përveç ofrimit të programeve me diploma të dyfishta për studentët, gjithashtu do të krijohet një lidhje më e gjerë me industrinë dhe ndërmarrësinë globale.
Përmes këtij partneriteti, mund të përfitojnë edhe studentët nga institucionet tjera të cilët i TRANSFEROJNË studimet në Universum dhe të marrin diplomë të fuqizuar nga Arizona State University.
Transfero të gjitha provimet nga universiteti paraprak përfito 30% zbritje & shkëmbim semestral në njërin nga 221 Universitetet Partnere në 26 shtete të BE-së me BURSË të plotë. Shiko programet e akredituara https://bit.ly/uni_asu
ASU për të tetin vit radhazi, renditet në vendin e parë për inovacion nga US News & World Report, duke dalë para MIT, Stanford dhe Harvard.
Për më shumë informata ndiqni faqen në facebook, kontaktoni në [email protected] apo telefononi në +383 44 144 062.
Më 1 qershor 1850, lindi rilindasi i shquar shqiptar Sami Frashëri.
Që herët ai u largua nga vendlindja e tij, fshati malor i Frashërit dhe u vendos në Stamboll. Gjatë jetës së tij u shqua si mendimtar, patriot, demokrat dhe iluminist. Në një nga veprat e tij më të njohura “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, e cila mbahet dhe si manifesti ideologjik i Rilindjes, ai synonte të bënte të ditur se shqiptarët janë një nga popujt më të vjetër të Evropës dhe se gjuha shqipe është një nga gjuhët më të vjetra dhe më të bukura.
Një dimension pak i njohur i veprës së Frashërit ka të bëjë me vlerësimin e rolit të gruas në shoqëri. “Familje do të thotë grua” shkruante Frashëri në libërthin e tij të titulluar “Gratë”, ku përçon mendime përparimtare për kohën e publikimit.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell foton e Sami Frashërit me të bashkëshorten. Në dokumente paraqiten pjesë nga Abetarja e Gjuhës Shqipe, shkruar prej Frashërit. / atsh /KultPlus.com
Ditën e sotme, rreth 30 mijë maturantë në të gjithë vendin do t’i nënshtrohen provimit të parë të Maturës Shtetërore, ku do të testohen për gjuhën e huaj.
Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Sportit këtë vit provimeve të maturës do t’i nënshtrohen rreth 170 nxënës me aftësi ndryshe, për të cilët janë hartuar teste të veçanta.
Provimi i dytë për maturantët do të jetë ai i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë më 7 qershor dhe provimi i Matematikës më 13 qershor. Lënda me zgjedhje është dhe provimi i fundit, i cili do zhvillohet më datë 19 qershor./KultPlus.com
Dita e Fëmijëve shënohet më 1 qershor në mbarë botën, pasi në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë, në vitin 1925.
Në të njëjtën ditë, rastisi që konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko mblodhi së bashku një numër të konsiderueshëm fëmijësh jetim kinezë të festonin në festivalin e “Anijes së Dragoit”.
Dy vjet më pas 1 qershori filloi të festohet në të gjithë botën.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, do të takohen me nxënës nga komuna të ndryshme të Kosovës
Po ashtu, edhe organizata të fëmijëve do të shënojnë këtë ditë në mënyra të ndryshme, ndërsa në Komunën e Rahovecit do të përurohen dy çerdhe./KultPlus.com
Historiani Jusuf Buxhovi ka bërë kritika të forta ndaj akademikëve shqiptarë duke thënë se kërkimet shkencore të Shqipërisë nuk janë në asnjë vend të botës.
Në një intervistë për emisionin “Now” në Euronews Albania, ai tha se shkenca jonë nuk është e prezantuar nga institucionet ndërkombëtare ashtu siç do të duhej.
“Po shoh se gjithë puna shkencore dhe akademike në Shqipëri po kërkon që të reformohet, pra në njëfarë mënyre të kthehet aty ku ishte para disa viteve. Për mua nuk ka rëndësi forma, por ka rëndësi përmbajtja. Institucioni shkencor këto 20 vjetët e fundit, nuk ka qenë në përputhje me kërkesat që i ka imponuar tranzicioni i dy shteteve tona. Ne jemi pas në shumë pikëpamje. Shkenca jonë nuk është e prezantuar nga institucionet ndërkombëtare ashtu siç do të duhej. Ne nuk jemi të pranishëm në institutet amerikane, Në bibliotekat amerikane mungojnë tekstet elementare të Shqipërisë”- tha ai. / KultPlus.com