Komediani dhe imituesi Mike Yarwood ka vdekur në moshën 82-vjeçare. Ai u bë një emër i njohur në vitet 1960 dhe 1970, duke tërhequr audiencë të madhe televizive për imitimet e tij të politikanëve dhe figurave të tjera publike.
Shoë Mike Yarëood (1977) mban rekordin për audiencën më të madhe të ditës së Krishtlindjes prej 21.4 milionë shikuesish.
Ai i kaloi “vitet e tij të fundit” në shtëpinë e bamirësisë, Brinsëorth House në Twickenham, në jugperëndim të Londrës./KultPlus.com
Ka shumë gjëra për të mësuar në lidhje me Artin e të Jetuarit nga Lufta dhe Paqja e Tolstoit – për kotësinë dhe budallallëkun, xhelozinë seksuale dhe marrëdhëniet familjare. Por ne mund të mësojmë gjithashtu nga jeta e vetë mjeshtrit të romaneve.
Roman Krznaric
Tolstoi është anëtar i fisnikërisë ruse, nga një familje që zotëronte një pronë dhe qindra shërbëtorë. Jeta e hershme e kontit të ri ishte e zhurmshme, imorale dhe e dhunshme. “Unë vrisja njerëz në luftëra dhe i sfidoja njerëzit në duele me qëllim që t’i vrisja”, shkruante ai.
“Unë humbisja në bixhoz, konsumoja punën e fshatarëve, i dënoja me ndëshkime, jetoja i lirë, dhe i mashtroja njerëzit… kështu jetova për dhjetë vjet.” Por ai gradualisht filloi t’i largohej këtij stili jete prej racisti dekadent dhe i hodhi poshtë besimet e marrë prej tabanit aristokratik, duke adoptuar një këndvështrim jotradicional të botës, i cili i trondiste bashkëmoshatarët. Ja çfarë këshillash mund të na ofrojë rrugëtimi personal i Leon Tolstoit, për të riparë filozofinë tonë të jetës.
1. Qëndroni mendjehapur
Një nga dhuntitë më të mëdha të Tostoit ishte aftësia dhe dëshira e tij për të ndryshuar mendjen, bazuar në eksperienca të reja. Gjakderdhja e tmerrshme që ai pa ndërsa luftonte në Luftën e Krimesë në 1850-ën e shndërroi në një pacifist për gjithë jetën.
Në 1857-ën, pasi pa një ndëshkim publik në gijotinë në Paris – ai nuk e harroi kurrë zhurmën e kokës së prerë ndërsa binte në kutinë poshtë – ai u bë një kundërshtar i bindur i shtetit dhe i ligjeve të tij, duke besuar që qeveritë nuk ishin vetëm brutale, por në esencë i shërbenin interesave të të pasurve dhe të fuqishmëve. “Shteti është një komplot,” i shkroi ai një miku.
“Prandaj, unë kurrë nuk do t’i shërbej ndonjë qeverie ndokund”. Tolstoi ishte në rrugën e shndërrimit në anarkist. Ai ishte i pari që do të na nxiste të vinim në dyshim besimet themeltarë dhe dogmat me të cilat jemi rritur.
2. Praktikoni ndjeshmërinë
Tolstoi shfaqi një kapacitet të pazakontë për t’u prekur duke e vënë veten në vendin e njerëzve, jeta e të cilëve ishte shumë e ndryshme nga e tija. Në 1860-ën ai jo vetëm adoptoi veshjen fshatare, por filloi të punonte krahpërkrah me punëtorët e sapoemancipuar në pronën e tij, duke punuar me parmëndë fushat dhe duke riparuar shtëpitë e tyre me duart e tij.
Sigurisht që kishte një element paternalizmi, por e vërteta është se ai e shijonte shoqërinë e fshatarëve dhe në mënyrë të vetëdijshme i largohej elitës letrare dhe aristokratike në qytete. Tolstoi besonte se ju nuk mundet kurrë të kuptoni realitetin e jetës së njerëzve të tjerë, nëse nuk e provoni vetë atë.
3. Bëni ndryshimin
Ai u dallua nga moshatarët e tij të kastës së lartë duke ndërmarrë veprime praktike për të lehtësuar vuajtjen e njerëzve të tjerë, më evidente ishte puna e tij për lehtësimin e urisë. Pas dështimit të të lashtave në 1873-shin, Tolstoi ndaloi së shkruari Ana Kareninë-n për një vit, me qëllim që të organizonte ndihmë për ata që vdisnin urie. Në këtë kohë, ai i shkruante një të afërmi: “Nuk mund të shkëputem nga krijesa që janë reale, për t’iu kushtuar krijesave imagjinare”. Shokët e tij, ashtu si edhe familja, menduan se ishte çmenduri që njëri nga romancierët më të mirë t’i vendoste veprat e tij gjeniale në plan të dytë.
Ai e përsëriti këtë gjë gjatë zisë së bukës së 1891-shit, kohë kur kaloi dy vite duke punuar në “kazanët e supës” dhe për mbledhje fondesh. A mund ta imagjinoni dot një shkrimtar të sotëm, nga ata që shesin shumë kopje, që të lënë mënjanë librin dhe t’i kushtohen për dy vite punës humanitare?
4. Zotëroni artin e të jetuarit thjeshtë
Pas një krize nervore në fundin e vitit 1870, Tolstoi hodhi poshtë gjithë fenë e organizuar, duke përfshirë Kishën Ortodokse në të cilën ai ishte rritur. Ai adoptoi një lloj revolucionar të Kristianizmit i bazuar në jetën e thjeshtë shpirtërore e materiale. Ai i dha fund alkoolit, duhanit dhe u bë një vegjetarian.
Tolstoi frymëzoi gjithashtu krijimin e komuniteteve utopike të jetesës së thjeshtë, ku pasuria ishte e përbashkët. Këto komunitete “Tolstojane” u përhapën rreth e rrotull botës dhe e shtynë Gandin të themelonte një vendbanim fetar në 1910-ën, me emrin Ferma “Leo Tolstoi”.
5. Kujdes nga kontradiktat tuaja
Kjo jetë e re, më e thjeshtë nuk ishte pa mundime dhe kontradikta. Tolstoi predikonte dashuri universale, megjithatë ishte në mënyrë konstante në luftë me të shoqen. Veç kësaj, apostulli i barazisë nuk ishte kurrë i aftë të braktiste plotësisht pasurinë dhe jetën e privilegjuar.
Ai jetoi deri në moshë të madhe në një shtëpi të madhe me shërbëtorë. Por në fillim të 1890-ës ia doli – kundër dëshirës së familjes së tij – të hiqte dorë nga e drejta e autorësisë për një pjesë të madhe të veprave të tij letrare, si pasojë duke sakrifikuar një pasuri të tërë. Duke marrë me mend pozicionin e privilegjuar në të cilin Tolstoi e filloi jetën, transformimi i tij shpirtëror, gjithësesi është për t’u admiruar.
6. Bëhuni zanatçi
Tolstoi kuptoi që arritja e një ekuilibri midis mendjes dhe trupit ishte një pjesë thelbësore e procesit të tij krijues. Ai jo vetëm e linte vazhdimisht penën për të marrë plugun mespërmes fushës, por mbante një kosë dhe priste me sharrë duke u mbështetur pas murit ngjitur me tavolinën e shkrimit.
Në vitet e tij të fundit, kur gazetarë e shkrimtarë vinin të respektonin plakun e zgjuar me mjekër, ata gjithmonë befasoheshin kur gjenin një nga autorët më të famshëm botërorë të mbledhur kruspull mbi veglat e punës, duke bërë një palë çizme.
Nëse Tolstoi do të ishte këtu sot, ai pa dyshim do të na sugjeronte të fusnim ndonjë zanat në jetën. Më mirë se sa të kalonim kaq shumë kohë në twitter apo duke bërë mesazhe. /KultPlus.com
Po përse sakrifikojmë kaq shumë energji për artin tonë? Jo për t’iu imponuar të tjerëve, por për të mësuar së bashku me ta se ç’mund të na japë ekzistenca jonë, organizmi ynë, eksperienca jonë personale dhe e papërsëritshme; për të mësuar të shkatërrojmë pengesat që na rrethojnë dhe për të liruar veten nga frerët, nga gënjeshtrat të cilat i prodhojmë çdo ditë për veten dhe për të tjerët; për të shkatërruar kufizimet e shkaktuara nga injoranca jonë dhe mungesa e kurajës.
Me pak fjalë, për të mbushur boshllëkun që ndiejmë brenda vetes, për t’u realizuar. Arti nuk është as një gjendje e caktuar e shpirtit (në kuptimin e ndonjë çasti frymëzimi hyjnor e të jashtëzakonshëm) dhe as ndonjë pozicion i posaçëm i njeriut (në kuptimin profesional dhe shoqëror). Arti është një maturim, një evoluim, një zbulim që na aftëson të dalim nga errësira nën një rreze drite…/Hejza/ KultPlus.com
Kur ishte në universitetin e Kazanit nuk rrinte shumë me shokët, me të cilët pothuaj nuk njihej. Rrinte gjithnjë në një nga bankat më të largëta nga profesori. Këtë e bënte se gjatë mësimit lexonte vepra letrare dhe filozofike.
* Kur poezitë në prozë të Turgenievit patën në Rusi sukses të madh, Leon Tolstoi provoi të shkruajë dhe ai në këtë gjini. Për të pasur një gjykim sa më të paanshëm për punët e tij, ia dërgoi materialin me pseudonim një revistë që drejtohej prej një miku të tij. Tolstoi atëherë ishte i famshëm dhe shkrimi i tij si do që të ishte do të botohej, prandaj nuk e përdori emrin e vet. Redaktori e ktheu dorëshkrimin si të pabotueshëm, sepse autori nuk e kishte ende përvojën në artin e të shkruarit. Tolstoi nuk thuri më kurrë poezi në prozë.
* Tolstoi prekej shumë shpejt. Turgenievi, pas shtatëmbëdhjetë vjetësh që ishte zemëruar me të, shkoi për ta takuar në Jasnaja Poljana. Gjatë ditëve që ndenji atje foli shumë për veprat e tij dhe i lavdëroi ato. Pasi u kthye Turgenievi, Tolstoi i shkroi: “Kur dëgjoj për veprat e mia provoj një ndjenjë komplekse, ku elementi kryesor është turpi dhe dyshimi se po më tallin. Megjithëse besoj në mirësinë tuaj më duket se ju keni qeshur me veprat e mia. Më mirë do të jetë që të mos flasim më këtej e tutje me njeri-tjetrin”.
* Tolstoi ishte supersticioz dhe shpesh thoshte se numri 28 kushtëzohej me disa gjëra të jetës së tij. Ai kishte lindur me 28 gusht 1828 dhe ishte martuar në datën 28. Më 1910 i biri i tha një ditë i shkujdesur: – Ki kujdes baba se këtë vit t’i mbush 82 vjeç dhe numri 82 është 28-ta e përmbysur. – Ndoshta, – u përgjigj Tolstoi, – bëre mirë që ma the. Ai vdiq atë vit.
* Një ditë kur po shëtiste me kalë me të birin humbi rrugën në mes të pyllit. – E di se ku jemi këtu? – e pyeti djalin. I biri i tha se Jasnaja ishte përpara tyre. Dhe Tolstoi donte të kthehej në shtëpi, duke ndjekur atë drejtim. – Është e pamundur, – i tha i biri, – nga kjo anë ka shumë ferra që do të na i çjerrin duart. Tolstoi nuk deshi të kthehej mbrapa dhe i tha të birit: – Sidoqoftë le ta provojmë! Vazhdoi të ecte me kalë dhe ferrat e para nisën të gërvishin. I biri e pa krejt të gjakosur por aspak të shqetësuar. – Vështro biri im, – i tha, – siç e sheh unë jam çjerrë gjithandej nga ferrat, por ç’rëndësi ka? Unë kërkoj në çdo gjë rrugën e drejtë, dhe në qoftë se do të çirrem ende, prapë do kërkoj rrugën e drejtë që është edhe e vërteta.
* Një ditë shkoi për ta takuar nacionalisti i famshëm Derul dë Pol, që mbronte idenë e fitores ndaj Gjermanisë. * Leon Tolstoi që zakonisht me të huajt ishte i sjellshëm dhe shumë korrekt, këtë radhë e humbi durimin dhe iu përgjigj: – Kufijtë duhet të përcaktohen me marrëveshjen e popujve dhe jo me hekur dhe gjak. Dhe kur të ketë njerëz që do ta kuptojnë këtë atëhere nuk do të ketë më luftëra në botë.
* Kur e mbaronte së shkruari një kapitull të romanit ia kopjonte e shoqja ose një nga të bijat. Kjo kopje i duhej shkrimtarit të madh si një skicë për të punuar mbi të. Në pak ditë e mbushte me korrigjime, prishje me laps dhe me shtesa. – Atëhere kapitulli duhet kopjuar për së dyti. Ka disa kapituj nga romanet e tij që janë kopjuar deri edhe dhjetë herë.
* Kur Tolstoi besonte se kishte arritur qartësinë dhe përsosmërinë e dëshiruar, ua lexonte veprën e re njerëzve të tij të afërm nganjëherë dhe fshatarëve. “Pushteti i errësirës”, u lexua përpara fshatarëve, të cilët nuk e pritën mirë. Në pjesën më emocionale të dramës ata qeshën kur dëgjuan disa fjalë vulgare që përdorte në dialog Tolstoi.
* Tolstoi e donte shumë muzikën, sidomos muzikën e Bethovenit. Kur dëgjoi një pjesë të Bethovenit u emocionua shumë sa iu mbushën sytë me lot, por nga që nuk donte ta kuptonin të pranishmit, i tha së bijës: – Më jep pak shaminë se më ka zënë rrufa.
* Në shtëpinë e Tolstoit ishin piktori i shquar Rjepin dhe aktori Andrejev. Kur po bisedonin të tre së bashku, një zonjë, e cila kishte ardhur për t’i bërë vizitë zonjës së Tolstoit, u ul në piano dhe nisi të luajë me shumë ndjenjë “Sonatën e Krajtzerit” të Betovenit. Të gjithëve u la shumë mbresa. Atëherë Tolstoi tha: – A duhet të bëjmë edhe ne sonatën tonë Krajtzerit? Unë do ta shkruaj, Rrjepini do të pikturojë dhe Andrejevi do ta recitojë. Propozimi u pranua me entuziazëm, por vetëm Tolstoi e kreu detyrimin e tij. Tolstoi i tha Gorkit: – Po të isha mbret, do të nxirrja një ligj që do t’ia ndalonte të drejtën e të shkruarit atij shkrimtari që përdor një fjali kuptimisht të gabuar ose ai që do të bënte gabim gramatikor të fishkëllehej nga lexuesi. – Si, – u përgjigj Gorki, – po liria e të shkruarit? – Liria për të shkruar deri sa duhet, por jo liri për të shkruar keq.
* Pas krizës që pësoi më 1880 Tolstoi vishej shumë thjesht pothuaj fare pa kujdes. Një herë në Tula u dha shfaqja e një drame të Tolstoit, Tek artisti që drejtonte shfaqjen u paraqit portieri i teatrit: – Në hyrje, – i tha, – është një fshatar si gjysmë budalla, që kërkon me çdo kusht të hyjë në teatër dhe të asistojë në prova. Thotë se ju njeh, po mua më duket e pamundur, sepse është fjala për një fshatar injorant dhe të pagdhendur. Kryekomiku doli te hyrja dhe u gjend ballëpërballë me Leon Tolstoin që ishte veshur me rroba dhe këpucë të bëra vetë.
Në vitin 1891 Leon Tolstoi ishte i zënë me një punë shumë të rëndësishme. Kur shpërtheu zia e bukës, ai la çdo gjë dhe iu vu punës për organizimin e ndihmave për të uriturit. Atëherë hapi mbi dyqind mensa falas. Një herë, duke ditur që një grua e ve e varfër fshatare vetëm nuk mund ta korrte grurin, Tolstoi shkoi vetë me drapër në dorë për të ndihmuar, duke punuar përplasi gjurin pas një rrote. Pa u ankuar fare vazhdoi punën. Dhimbja iu shtua shumë. Nga ethet i hipi temperatura e lartë. lu desh të shtrihej në shtrat për disa javë, por nuk u ankua fare.
* Më 25 shkurt 1901 Leon Tolstoi u shkishërua nga Sinodhi i shenjtë. Atë ditë të gjitha kishat e Rusisë kishin lëshuar anathema kundër këtij “armiku të zotit dhe të perandorit”. Tolstoi atëherë ishte në Moskë. Atje po kalonte nëpër një rrugë kryesore. Menjëherë turma e njohu dhe e rrethoi me dashuri të madhe. Njeri prej tyre tha: – Po ky na paska qenë djalli me fytyrë njeriu?! Grumbulli i njerëzve e mbuloi me brohoritje dhe me thirrje: “Rroftë Tolstoi”. U desh ndërhyrja e xhandarmërisë për të shpërndarë grumbullin e madh të njerëzve.
* Ditën e shkishërimit, Tolstoi kaloi para pallatit të guvernatorit të përgjithshëm të Moskës. Kur e pa shkrimtarin grupi i ushtarëve, që bënin shërbimin e rojës para portës së guvernatorit, me një lëvizje të menjë-hershme, u vu në pozicion gatitu dhe për nder armë. Tolstoi iu kthye mikut që e shoqëronte dhe i tha duke qeshur: – Vështro more mik se si këtu te ne në Rusi, i bëjnë nderime ushtarake një krimineli të shtetit që është shkishëruar.
* Drejtori i “Gazetës zyrtare” shkruante në ditarin e tij: “Në Rusi tani kemi dy Carë: Nikollën II dhe Leon Tolstoin. Ky i dyti është ndoshta më i fuqishëm se i pari, sepse ndërsa Nikolla nuk mund të bëjë gjë kundër Tolstoit, ky minon çdo ditë e më shumë autoritetin e fronit të Nikollës II në Rusi”.
* Shumë punëtorë shkonin ta takonin Tolstoin që të bindeshin nëse ai vërtetë merrej me punë krahu. Një këpucar erdhi për të parë në se këpucët që kishte bërë Tolstoi ishin të punuara mirë dhe i dha disa këshilla profesionale shumë të vlefshme. Një herë tjetër u paraqit te Tolstoi një njeri i varfër, i zbehtë në fytyrë e me lot në sy. Ai i tregoi se gruan e kishte të sëmurë shumë rëndë nga tuberkulozi. Në pranverë do të vdiste pa tjetër: – E po, të lutem mjeshtër, të më shkruani një gisht letër dhe të më thoni a do të rrojë gjatë ime shoqe? E si të mos besojmë te Leon Tolstoi? Kështu të paktën ajo do të vdesë e qetë. Tolstoi u emocionua shumë. Ai ishte gati që ta shkruante letrën, por i tha vizitorit se kështu ai do të bënte një gënjeshtër kurse ai ishte mbrojtësi i së vërtetës absolute. I varfëri i kërkoi ndjesë. Kur u largua, Tolstoi psherëtiu i hidhëruar, duke menduar se nganjëherë gënjeshtra mund të ketë edhe anën e saj më të mirë.
* Tolstoi në vitet e fundit të jetës së tij ishte kundër artit për art dhe kundër metodave të mësimit të artit nëpër akademi dhe konservatorë. * Kur po bisedonte me disa miq për këtë temë një nga bashkëbiseduesit i tha: – E po mirë, le ta zemë se keni arsye dhe po mbyllën të gjitha institutet artistike. Po me çfarë do të zëvendësohen? Leon Tolstoi u përgjigj: – Vërejtja juaj është njësoj si kjo që do t’ju them tani: sikur ju të kini një ënjtje në faqe nga dhëmballa, vini tek unë dhe unë ua heq dhëmballën e sëmurë. Ju nuk do të kënaqeni me mua dhe do të më thoni: “Po kjo faqja ime që u shfry me se do të zëvendësohet?” – Me asgjë, nuk ka nevojë të zëvendësohet, – iu përgjigj bashkëbiseduesi.
* Leon Tolstoi hyri në sallon kur e shoqja po u lexonte fëmijëve një kapitull nga “Lufta dhe Paqja”. Ndenji në këmbë te praku i derës duke dëgjuar dhe kur kapitulli mbaroi tha papritur: – Sa i bukur që ishte!
* Leon Tolstoit i thanë se në të gjithë fshatin Jasnaja Poljana fshatarët e tij kishin vetëm tri lopata që nuk mjaftonin për punë. Ai nuk pranoi të blejë të tjera duke thënë: – Më mirë kështu! Fshatarët do t’ia huajnë njëri- tjetrit lopatat dhe do të mësojnë të ndihmojnë dhe të duhen ndërmjet tyre.
* Tolstoi e pati të shoqen një bashkëpunëtore të çmuar… Një mbrëmje ai i tha: – Merre këtë letër dhe më shkruaj të gjitha fjalët që të kam thënë kur të kërkova të bëheshe gruaja ime. Shpresoj se do të kujtohesh. E shoqja mori letrën dhe nisi të shkruante. E gjithë ajo që shkroi dhe që i shoqi e rikopjoi, ishte deklarata e fashme e dashurisë që gjendet te Ana Karenina.
* Një ditë Tolstoit i erdhi një zonjushe. Ajo kishte trashëguar një milion monedha të kushtueshme dhe kërkonte mendim se si t’i përdorte sa më mirë ato. – Digjeni atë fond, – e këshilloi Tolstoi. – Si thatë? Po me atë mund të ngrihet një azil për pleqtë ose një konvikt për fëmijët? – Dhe për këtë doni t’i shpenzoni? Jo, prindërit nuk duhet t’i çojnë prindërit në azil. Digjeni, më dëgjoni mua, është gjëja më e mirë që mund te bëni.
* Tolstoi hapi një shkollë për fëmijët e fshatarëve të tij ku zbatoi një sistem të ri mësimi. Mësimi nuk duhej të jepej mekanikisht dhe me pahir. Kur te nxënësit sbihte lodhje dhe mungesë dëshire për mësim e mbyllte shkollën. Pas një ndërprerje pak a shumë të gjatë ai dëgjoi të trokitnin në portën e tij. Zërat fëminore të nxënësve i thoshnin: – Ju lutemi hajdeni na bëni mësim, kemi dëshirë të studiojmë. / KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama solli sot pamje nga lumi Vjosa, ku adhurues të sporteve ujore gjejnë oaz freskie dhe mundësi për rafting.
“Nga Vjosa, i vetmi Park Kombëtar i një lumi të egër në Europë, që dhuron eksperienca të paharrueshme dhe peizazhe mbresëlënëse, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkroi Rama në rrjetet sociale.
Vjosa fillon në Greqi si Aoos, përpara se të kalojë në Shqipëri, duke gjarpëruar nëpër malet e Ballkanit dhe në fund të arrijë në detin Adriatik.
Gjatë rrugës, ajo kalon nëpër fusha të blerta dhe përgjatë shpateve malore duke krijuar kanione mbresëlënëse, ishuj rërë dhe kthesa të mrekullueshme.
Bukuria dhe domethënia e lumit e kanë fituar emrin “Zemra Blu e Evropës”.
Në 13 mars lumi i Vjosës, i fundit i egër në Europë, u shpall nga qeveria shqiptare “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, thjesht “park natyror”.
Në 13 qershor 2022 u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe organizatës amerikane “Patagonia” për nisjen e punës së përbashkët për ta shpallur Vjosën “Park Kombëtar”./ KultPlus.com
Më 9 shtator 1828, shkrimtari Leo Tolstoy lindi në provincën Tula të Rusisë. Ai ishte më i vogli nga katër djemtë. Kur nëna e Tolstoit vdiq në 1830, kushëriri i babait të tij mori përsipër kujdesin për fëmijët. Kur babai i tyre, konti Nikolai Tolstoi, vdiq vetëm shtatë vjet më vonë, tezja e tyre u emërua kujdestarja e tyre ligjore. Kur tezja ndërroi jetë, Tolstoi dhe vëllezërit e motrat e tij u transferuan me një teze të dytë, në Kazan, Rusi. Megjithëse Tolstoi përjetoi shumë humbje në moshë të re, ai më vonë do të idealizonte kujtimet e tij të fëmijërisë në shkrimet e tij.
Gjatë periudhave të qeta, ndërsa Tolstoi ishte një junker në ushtri, ai punoi në një histori autobiografike të quajtur ‘Fëmijëria’. Në të, ai shkroi për kujtimet e tij më të bukura të fëmijërisë. Në 1852, Tolstoi e dorëzoi skicën në ‘The Contemporary’, revistën më të njohur të kohës. Historia u pranua me padurim dhe u bë vepra e parë e botuar e Tolstoit.
Pas përfundimit të fëmijërisë, Tolstoi filloi të shkruante për jetën e tij të përditshme në postin e ushtrisë në Kaukaz. Megjithatë, ai nuk e përfundoi veprën, të titulluar Kozakët, deri në vitin 1862, pasi kishte lënë tashmë ushtrinë.
Në vitin 1854, ai kompozoi ‘Boyhood’ një vazhdim i ‘Fëmijërisë’, libri i dytë në atë që do të bëhej trilogjia autobiografike e Tolstoit. Në mes të Luftës së Krimesë, Tolstoi shprehu gjithashtu pikëpamjet e tij mbi kontradiktat e habitshme të luftës përmes një serie tre-pjesëshe, Përrallat e Sevastopolit. Në librin e dytë “Përrallat e Sevastopolit”, Tolstoi eksperimentoi me një teknikë relativisht të re shkrimi: Një pjesë e tregimit paraqitet në formën e rrymës së vetëdijes së një ushtari.
Në vitin 1873, Tolstoi filloi të punonte për romanin e dytë më të njohur, Anna Karenina. Anna Karenina imagjinoi disa ngjarje biografike nga jeta e Tolstoit, siç ishte veçanërisht e dukshme në romancën e personazheve Kitty dhe Levin, marrëdhënia e të cilëve thuhet se i ngjan miqësisë së Tolstoit me gruan e tij.
Tolstoi vdiq më 20 nëntor 1910. Ai u varros në pasurinë e familjes, Yasnaya Polyana, në provincën Tula, ku Tolstoi kishte humbur kaq shumë njerëz të dashur, por kishte arritur të ndërtonte kujtime kaq të dashura dhe të qëndrueshme të fëmijërisë së tij./ KultPlus.com
Aktivitetet për Javën Britanike vazhduan në Korçë.
Ambasada britanike në Tiranë njoftoi se në bashkëpunim me Universitetin Fan S. Noli të Korçës, Këshilli britanik në Shqipëri zhvilloi një diskutim të jashtëzakonshëm mbi të ardhmen e gjuhës angleze.
Të pranishme në aktivitet ishin zëvendësrektorja e Universitetit, Benita Stavre dhe zëvendësdrejtoresha e Këshillit britanik për Ballkanin Perëndimor, Majlinda Mazelliu.
Diskutimi u përqëndrua në gjetjet e librit të parë të Këshillit Britanik ‘E ardhmja e gjuhës angleze’, i cili do të japë një kontribut të rëndësishëm në të menduarit dhe kuptimin e rolit të gjuhës angleze në botë, në dekada që do të vijnë./atsh/ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, iu ka uruar forcë e shërim të gjithë të prekurve nga tërmeti shkatërrues në Marok.
E para e shtetit iu shprehu ngushëllime të gjithë familjeve që humbën më të dashurit e tyre sot.
“Populli i Kosovës solidarizohet me popullin e Marokut në këtë kohë tragjike”, shkroi Osmani.
Kujtojmë se Maroku është goditur nga një tërmet 6.8 shkallë të Rihterit, i cili i la të vdekur 820 persona ndërsa të paktën 672 persona u lënduan, duke përfshirë 205 të cilët janë në gjendje të rëndë. / KultPlus.com
Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovës (AKRK), pas takimit me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë, dhe Inovacionit, shqetësimet e publikut lidhur me blerjen e librave/teksteve shkollore, ka monitoruar tregun përkatës në Republikën e Kosovës.
“Gjatë monitorimit të tregut ka vërejtur se shtëpitë botuese të teksteve shkollore janë duke i kushtëzuar libraritë e këto të fundit prindërit/konsumatorët që përveç fletores së punës detyrohen të blejnë edhe librin kryesor/bazë nga klasa e VI-të deri në klasën e IX-të”, thuhet në komunikatën e AKRK
Sipas AKRK-së, këto veprime janë në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës Nr. 08/L-056, për faktin se ndërmarrjet/shtëpitë botuese kushtëzojnë ndërmarrjet/libraritë me detyrime shtesë krahas furnizimit me fletoret e punës, pranimin e librave/teksteve bazë nga klasa e VI-të deri në klasën e IX-të. Libraritë/pikat shitëse këtë praktikë e kanë zbatuar edhe tek prindërit/konsumatorët duke i kushtëzuar marrjen e obligimeve shtesë që krahas fletores së punës detyrohen të blejnë edhe librin bazë.
“Autoriteti i Konkurrencës kërkon urgjentisht që shtëpitë botuese dhe libraritë t’i furnizojnë me fletore pune nga klasa e VI-të deri në klasën e IX-të, të gjitha libraritë të cilat janë të interesuara t’i kenë në dispozicion këto materiale, me qëllim që konsumatori/prindërit mos të kenë kushtëzime në blerjen e teksteve shkollore dhe fletoreve të punës, por që të njëjtat blerësit t’i kenë në dispozicion”, thuhet në komunikatën e AKRK-së.
Autoriteti i Konkurrencës paralajmëron shtëpitë botuese dhe libraritë që nëse nuk marrin masa për të hequr kushtëzimin, jemi të detyruar të veprojmë konform Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës me qëllim të parandalimit të abuzimit me çmime dhe kushtëzimeve në treg, e në përputhje me nenin 37 dhe 49 të Ligjit Mbrojtjen e Konkurrencës, të nxjerrim konkluzion për fillimin e procedurës hetimore dhe të shqiptojmë Masat e Përkohshme (masa administrative). / KultPlus.com
Më 9 shtator 1946, në Postribë u organizua kryengritja e parë antikomuniste në vend.
Lëvizja qendrestare ishte e nxitur kryesisht nga kleri me mbështetjen e elementëve nacionalistë. Mbledhjet e para patën si qëllim pjesëmarrjen e gjerë të fshatrave dhe të banorëve të qytetit të Shkodrës. Në korrik, u mbajt një mbledhje në shtëpinë e Cin Serreqit. Në Shegaj të Ibros në Postribë, nën drejtimin e Osman Haxhisë, u mblodhën përfaqësuesit kryesorë të fiseve, edhe nga Hoti i Ri. Në këtë takim merrte pjesë edhe përfaqësuesi i njohur i fisit të Kazazëve, Jup Kazazi, i cili kishte një autoritet shumë të madh në Shkodër dhe në fshatrat rreth saj. Forcat nacionaliste të Ndoc Kol Bibës në Iball të Pukës dhe të Mark Gjonmarkaj në Mirditë, u solidarizuan me këtë mbledhje kuvendi nëpërmjet një letre që i dërguan atij.
Në kuvend u cilësua data e fillimit të kryengritjes, e cila do të kishte karakter të përgjithshëm dhe do të fillonte me çlirimin e të burgosurve politikë në burgjet e Shkodrës e më gjerë. Thirrja e djemve ushtarë, më datë 09.09.1946, nxiti mbledhjen e datës 07.09.1946 në shtëpinë e Abdullah Sahitit në fshatin Kullaj, ku u la që të nesërmen pas dreke të mblidheshin bajraktarët e paria e popullit, rreth 150 vetë në fshatin Kodër Boks në vendin e quajtur Shegat e Ibros. Prijësi Osman Haxhia i bindi pjesëmarrësit që kryengritja të fillojë më 09.09.1946. Kryengritja e Postribës u shtyp nga regjimi duke dërguar forca të shumta. Osman Haxhia, u kap dhe u dënua, ndërsa Jup Kazazi i rrethuar nga forcat shtetërore, u vetëvra dhe kufomën e tij e shëtitën rrugëve të Shkodrës për të dhënë një mesazh.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave solli dokumente për këtë ngjarje historike, ku paraqitet një raport i Komitetit Qendror të Partisë mbi kryengritjen e Postribës. Në foto shfaqen anëtarë të çetave të Ballit Kombëtar, ndër ta edhe Jup Kazazi, një nga drejtuesit kryesorë të kësaj lëvizjeje./atsh/ KultPlus.com
Viti i ri shkollor në Kosovë, prej kohësh, nuk nis pa ndonjë sfidë – sivjet ishte sigurimi i teksteve shkollore, vjet ishte greva e mësimdhënësve.
Por, ajo që e përcjell vazhdimisht, është mungesa e digjitalizimit të shkollave në epokën e bumit digjital.
Të dhënat e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit [MASHTI], të publikuara vitin e kaluar në Strategjinë e Arsimit 2022-2026, tregojnë se numri i kompjuterëve në shkollat publike të Kosovës është 9.138, apo mesatarisht 1 kompjuter për 35 nxënës.
MASHTI nuk i është përgjigjur interesimit të Radios Evropa e Lirë nëse këto statistika kanë ndryshuar.
Tekste shkollore për klasë të ndryshme të arsimit fillor, të ekspozuara në një librari në Prishtinë. 23 gusht 2023.
Por, në një konferencë në muajin prill, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka konfirmuar ato dhe ka thënë se Qeveria e tij ka ndarë një buxhet prej 18 milionë eurosh – për një periudhë trevjeçare – për blerjen e pajisjeve digjitale në shkolla.
REL-i pyeti Zyrën e Kurtit se sa shkolla janë pajisur, ndërkohë, me kompjuterë, por nuk mori përgjigje.
Përse është i rëndësishëm digjitalizimi i arsimit?
“Digjitalizimi e bën mësimdhënien dhe mësimnxënien më atraktive dhe është në përputhje me ‘modën e të rinjve’, të cilët janë gjithnjë e më shumë në internet. Atraktiviteti rrit, pastaj, përqendrimin dhe rezultatet e mësimnxënies”, thotë Jonuz Salihu, ekspert i çështjeve të arsimit, për Radion Evropa e Lirë.
REL-i vizitoi këtë javë Shkollën Fillore “Hilmi Rakovica” në Prishtinë, ku mësimi zhvillohet në mënyrë klasike, për shkak të numrit të pamjaftueshëm të pajisjeve kompjuterike. Aty nuk ka pasur ndonjë investim së voni.
Drejtori Skënder Halimi tha se shkolla me 1.276 nxënës ka 32 llaptopë në kabinetin e Teknologjisë Informative.
“Jo të gjithë llaptopët janë funksionalë, pasi janë të modelit të vjetër – të viteve 2012-2013. Këto pajisje i shfrytëzojnë nxënësit për lëndën e Teknologjisë Informative, por edhe arsimtarët dhe mësuesit për nevoja të shkollës”, tha Halimi.
Valbona, e cila ka dy vajza që i ndjekin mësimet në këtë shkollë, thotë se digjitalizimi i teksteve shkollore do të ishte një ndihmesë e madhe për të.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo thotë se, për shkak të peshës së rëndë të librave në çantë, detyrohet që çdo ditë t’i dërgojë dhe t’i marrë vajzat nga shkolla – njëra në klasën e pestë në ndërrimin e paradites, tjetra në klasën e shtatë në ndërrimin e pasdites.
“Digjitalizimi do të ishte shpëtim edhe për vajzat, edhe për mua… Vajzat kalojnë shumë kohë me telefona… Ndoshta do të ishte edhe më atraktive për mësim dhe do ta lehtësonte shkuarjen në shkollë”, thotë Valbona.
Edhe në Këshillin e Prindërve të Kosovës thonë se digjitalizimi i arsimit është një proces i domosdoshëm, meqë mësimnxënia aktuale nuk përkon me epokën digjitale.
“Do të kishim përfitime të mëdha”, thotë kreu i këtij këshilli, Besnik Dragusha. “Do të rritej cilësia, pamja vizuale e teksteve, si dhe do të bëhej përditësimi i tyre me informacione të reja”.
Për më tepër, shton ai, do të rritej ndërveprueshmëria e nxënësve, si dhe bashkëpunimi i tyre me mësimdhënësit.
Rinor Qehaja, drejtor i Institutit EdGuard në Prishtinë, i cili merret me çështje të edukimit, shprehet ngjashëm, por shton se ky proces, njëherësh, është edhe “kompleks”.
“Digjitalizimi nuk nënkupton vetëm kalimin e librave nga të printuara në elektronike, mirëpo kërkon shumë zhvillim, përmirësim të materialeve që duhet të jenë më interaktive”, thotë ai.
Në Kosovë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, mbi 94 për qind e ekonomive familjare kanë qasje në internet.
Digjitalizimi i arsimit është ndër pesë objektivat kryesore të Strategjisë së Arsimit 2022-2026, e cila është miratuar në fund të vitit të kaluar.
Në këtë dokument thuhet se gjatë një periudhe 5-vjeçare do të punohet, mes tjerash, në përgatitjen dhe prodhimin e materialeve mësimore digjitale për lëndë dhe klasë të ndryshme, si dhe në furnizimin e institucioneve edukative-arsimore me rrjet cilësor të internetit dhe me pajisje të nevojshme teknologjike.
Për këtë synim janë ndarë 52 milionë euro, nga rreth 323 milionë sa parashihet të jetë kostoja e përgjithshme e strategjisë.
Cilësia e arsimit
Sipas Agjencisë së Statistikave, Kosova ka mbi 300.000 nxënës që ndjekin shkollimin fillor dhe të mesëm në mbi 1.000 shkolla.
Cilësia e arsimit në sistemin parauniversitar të vendit është kritikuar shpesh nga institucionet ndërkombëtare.
Në një raport që ka publikuar Banka Botërore në vitin 2020, është thënë se nxënësit në Kosovë “kanë ngecje të madhe në mësimnxënie”.
Në dy teste të PISA-s më 2015 dhe 2018 – program ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve – Kosova ka dalë gati në fund të listës botërore.
PISA u mbajt edhe në vitin 2022, por rezultatet e këtij testi pritet të publikohen në dhjetor të këtij viti./REL/ KultPlus.com
Fansat e Marilyn Monroe në Los Angeles u revoltuan, pasi shtëpia në të cilën aktorja kaloi vitet e fundit të jetës së saj dhe ku u gjet e vdekur më 5 gusht 1962, rrezikoi shembjen. Këtë javë bashkia i dha pronarit lejen për të prishur rezidencën, një shtëpi e stilit spanjoll, 270 metra katrorë në një kat, me një kopsht dhe pishinë në pjesën e pasme.
Por të premten Këshilli i Qytetit të Los Anxhelosit votoi për të nisur një proces për caktimin e ish-shtëpisë së aktores Marilyn Monroe, një monument historik dhe kulturor, duke bllokuar planet për ta shkatërruar.
Mocioni për të filluar shqyrtimin e shtëpisë së stilit kolonial spanjoll në seksionin Brentwood të LA për ruajtjen historike u prezantua nga këshilltarja Traci Park dhe u miratua njëzëri në të njëjtën ditë.
Në përgjigje të votave 12-0, Bordi i Komisionerëve të Ndërtimit dhe Sigurisë së qytetit hoqi menjëherë lejen e prishjes që ishte lëshuar një ditë më parë. Vetë mocioni i Këshillit Bashkiak gjithashtu ndalon ndryshime të mëdha në pronë, ndërkohë që rishikimi i statusit të saj të mundshëm si një pikë referimi është duke u zhvilluar.
Paige tha se ajo vizitoi shtëpinë të enjten dhe se nuk ishte bërë asnjë punë në vend, aktualisht në pronësi të një entiteti pak të njohur të quajtur Glory of the Snow Trust.
E ndërtuar në vitin 1929, ajo qëndron në fund të një rruge të qetë pa rrugëdalje në Brentwood, një lagje luksoze ku vlera e tokës së ndërtimit tani po shkon në qiell. Pikërisht për këtë, pronari kërkon të prishë shtëpinë, e cila është mjaft modeste për parametrat aktualë dhe për zonën në të cilën ndodhet, dhe ta bëjë më fitimprurëse.
Ikona e Hollivudit ndërronte shumë shpesh vendbanimin në qytet. Por e vetmja shtëpi që ajo bleu për vete ishte shtëpia e bardhë në 12305 Fifth Helena Drive në Brentwood. Ajo e bleu atë në vitin 1961, në fund të martesës së saj me dramaturgun Arthur Miller, për 75,000 dollarë.
Shtëpia, e cila ka mbetur pak a shumë e pandryshuar, u shit për herë të fundit një muaj më parë, për 8.4 milionë dollarë. Përpara derës së hyrjes janë ende pllakat mbi të cilat Marilyn kishte shkruar latinisht “Cursum Perficio” (Udhëtimi im përfundon këtu). Një ogur i trishtë: disa hapa më tutje, në dhomën e gjumit, diva u gjet e vrarë nga një mbidozë droge në moshën 36-vjeçare./A2CNN/ KultPlus.com
Nëse rroku i viteve ’90 kishte një vit-flamur, ai ishte 1991. Viti kishte nisur me Operation Desert Storm në Irak dhe Luftën e Parë të Gjirit, por një “bombardim” jo më pak i rëndësishëm ndodhi disa muaj më vonë. Brenda vetëm 7 javëve, nga mesi i gushtit deri në fillim të tetorit, një seri albumesh dolën në treg, të cilët do të bëheshin jo vetëm më të shiturit e atij viti, por edhe do i jepnin formë dekadës së ardhshme.
Ata ishin “Black Album” i Metallica, “Nevermind” i Nirvana, “Use Your Illusion I” i Guns’n’Roses, “Ten” i Pearl Jam dhe “Blood Sugar Sex Magic”, i Red Hot Chilli Peppers. Të gjithë bashkë, sollën një epokë të re në historinë e rock-ut, të ngjashme me epokën e artë të viteve shtatëdhjetë.
Në fakt, gjërat kishin nevojë për një shkundje të fortë. Hard Rock-u i modës së vjetër po kapej fort pas “karrikes” së vet. Grupet e preferuar të të ashtuquajturve baby boomers, si Van Halen, Bryan Adams, Ozzy Osbourne dhe Scorpions ishin në të gjithë klasifikimet. “Extreme”, një grup funk rock-u nga Bostoni bëri bujë me baladën akustike “More than words”, ndërkohë që grupi nga New Jersey, Skid Row u ngjitën në vendin e parë me albumin e tyre të dytë, “Slave to the Grind”.
Kënga më e dëgjuar e vitit ishte “Bohemian Rhapsody” e Queen. Ishte realizuar në 1976, por ishte rikthyer në skenë pas vdekjes së Freddie Mercury. Dukej sikur, sa më shumë që gjërat ndryshonin, aq më shumë ato mbeteshin njësoj. Por, shumë shpejt një përmbysje do të ndodhte në shumë fronte.
Metallica dhe sidomos Guns’n’Roses ishin tashmë grupe që kishin sjellë hit-e të mëdha, dhe prapa tyre kishin kompani diskografike me peshë. Askush nuk u befasua prej suksesit të tyre. Po kështu, The Red Hot Chilli Peppers, kishin ndërtuar një bazë fansash që në mesin e dekadës paraardhëse, pasi kishin lënë pas varësinë nga droga dhe vdekjen e ish kitaristit, Hillel Slovak.
Por, ajo që po ziente në të vërtetë ishte skena e muzikës Grunge. Pearl Jam, Soundgarden dhe grupi nga Chicago, The Smashing Pumpkins, ishin në pararojë të kësaj lëvizjeje të re. E megjithatë, ishte albumi i dytë i një grupi me tre 20 e ca vjeçarë sarkastikë, që e futi në të vërtetë në hartë muzikën grunge dhe qytetin e Seattle.
Pak njerëz do kishin vënë bast që Nirvana do të bëheshin një prej grupeve më të mira të dekadës, edhe pasi ata kaluan tek kompania diskografike DGC Records. Por kënga e tyre e parë, një hit i mbushur me sarkazmë i quajtur “Smells like teen spirit”, u ngjit menjëherë në majat e hiteve të MTV dhe radiove. Albumi ku ajo bënte pjesë, Nevermind u ngjit dhe ai në majë të renditjeve të të gjithë botës, pas daljes në 24 shtator 1991.
Eshtë e kollajtë të harrosh sot, se shumë gjëra kishin ndodhur në të dy skajet e muzikës. Muzika alternative po futej në radarë me inaugurimin e festivalit të Lollapalooza në korrik, i cili shumë shpejt u bë një histori suksesi befasuese. Kjo edhe falë një serie grupesh si Jane’s Addiction, Siouxsie and the Banshees, Living Colour, Ice-T et.
Gjëra interesante po ndodhnin edhe në skajet e muzikës metal, nga heronjtë brazilianë Sepultura me albumin e tyre Arise deri tek disa të pakënaqur norvegjezë që digjnin kisiha dhe që hodhën themelet e skenës së black metal.
Por të gjitha këto nuk ishin asgjë, në krahasim me shkundjen e madhe që ndodhi në ato shtatë javë të lavdishme në fundin e verës dhe fillimin e vjeshtës. Në fund të vitit, Metallica ua kishin kaluar në shitje albumesh, por Nirvana ishin bërë flamuri përreth të cilit një brez i ri muzikantësh dhe fansash po mblidheshin me shpejtësi. Ndryshimi kishte ardhur, dhe fiks në momentin e duhur. / bota.al/ KultPlus.com
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se për shkak të garave ndërkombëtare çiklistike do të ketë bllokim apo ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të automjeteve në disa rrugë dhe autostrada.
Policia njofton se sot do të ketë bllokim të disa rrugëve nga ora 11:00 deri në ora 15:00.
“Etapa e tretë: më datë 09.09.2023, prej orës 11:00 deri 15:00, gara do të fillojë nga Hani i Elezit – Kaçanik-Ferizaj – Bardhosh (Gazimestan te Unaza) – Fushë Kosovë (Tranzit)- Komoran – Kroni Mbretit – Malishevë-Suharekë-Prizren – Morinë (kufiri me Shqipërinë) ku edhe është përfundimi garës (5 km afër kufirit Morinë) me gjatësi të përgjithshme 157.5 km”, ka njoftuar Policia.
Gjatë kësaj kohe, parashihet që të ketë bllokim/ndërprerje të qarkullimit të automjeteve në akse rrugore/autostrada (segmentet e lartcekura) dhe riorientim në rrugë të tjera alternative.
Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik rreth këtij bllokimi e riorientim të veturave në kohën sa do të jenë duke u zhvilluar garat.
“Andaj, qytetarët të planifikojnë me kohë qarkullimin në rrugë alternative në mënyrë që të mos krijohen tollovi e kolona të panevojshme”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com
Më 10 shtator 1922 u realizua shpallja e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare nga Fan Noli dhe klerikët ortodoksë shqiptarë në Kongresin kishtar të Beratit, një nga ngjarjet madhore të Kombit.
Ky kongres plotësoi aspiratat e ortodoksëve shqiptar, sepse vendosi përfundimisht pavarësinë e Kishës Ortodokse Shqiptare, të drejtën e zgjedhjes së Kryepeshkopit dhe të klerikëve të lartë me gjuhë e gjak shqiptari dhe përdorimin e gjuhës shqipe në kishë.
Me vendimin Nr. 807 të datës 18. 09. 1922 Këshilli i Ministrave bëri njohjen zyrtare shtetërore të vendimeve të Kongresit të Beratit dhe i miratoi ato plotësisht, sepse ishin mbështetur në parimin e pavarësisë. /KultPlus.com
Unë jam në një arkë, kjo është arka jonë mbushur me këmishë të bardha dhe sallatë jeshile troket kutia e akullit nga lëvizjet tona prej kënaqësisë dhe unë kam filmat në sytë e mi dhe ti ke vezët në tunelin tënd dhe kemi luajtur me çarcafë, me çarçafë, me çarçafë tërë ditën, dhe në vaskë si lunatikë. Por sot e lashë shtratin në flakë dhe tymi mbushi dhomën. Aq nxehtë u bë sa muret u shkrinë dhe kutia e akullit u shkri dhe një dhëmb i bardhë që e kisha të ngjitur.
Unë vë një maskë për të shkruar fjalët e fundit që janë për ty dhe i vendos në kutinë e akullit ku lemë vodkën dhe domatet. Dhe ndoshta janë vërtet fjalët e fundit. Qeni s’duket gjëkundi. Gjurmët e tij janë zhdukur. Letrat e vjetra janë kthyer në një bletë të zezë fustanet e natës janë grirë e bërë letra; të verdha, të kuqe, të purpurta shtrati duket kaq i bukur, çarcafët janë kthyer në ar- në ar të forte, të fortë dhe dysheku po puthet me një gur.
Sa për mua, i dashur Foxx vjershat e mia për ty, edhe mbërrijnë, edhe s’mbërrijnë te kutia e akullit. Dhe shpresa për një përjetësi divine a është e mjaftueshme për ty? Po emri yt krahas emrit tim për të drejtat e autorit? Në qofte se gishtat e mi s’të ngrenë dot unë do të tregoj tërë historitë- jo vetëm historinë e çarçafëve po dhe historinë e bizhusë në kërthizë dhe historinë qepallave të lyera të wiskit-thartuckave- historinë e thithkave të gjinjve- ta marrin me lopatë dashurinë tonë dhe ta flakin atje ku i takon.
Pavarësisht dorezave të mia prej asbesti nga kollitjet e shpeshta më mbushen mushkëritë me pluhur të kuq dhe të zi arka jonë e vogël zbret poshtë e më poshtë publikisht sa, pa kuptuar asgje, ju do te shikoni, në një akt solo krematoriumin e dashurisë. Ne, përkundrazi, na duket se po zbresim në një rrugë në Rusi flakët nxjerrin fshikullima kamzhikësh mbi kuaj kamzhikësh që rrahin e rrahin e ngjallin admirim të triumfit njerëzor ndersa mizat presin, plima plima vijnë drejt e nga United Fruit, Inc./KultPlus.com
Kombet e Bashkuara, përmes UNESCO-s, po bëjnë thirrje për rregulla strikte ndaj përdorimit të mjeteve të inteligjencës artificiale si ChatGpt në shkolla, duke përfshirë kufijtë e moshës për përdorim.
Në udhëzimet e reja për qeveritë, organi arsimor i Kombeve të Bashkuara paralajmëron se autoritetet publike nuk janë të gatshme të trajtojnë çështjet etike të futjes së programeve të IA-së në klasa.
Dhe se mbështetja në programe të tilla, në vend të mësuesve njerëzorë mund të ndikojë në mirëqenien emocionale të fëmijëve, duke i bërë ata të pambrojtur ndaj manipulimit.
“Inteligjenca artificiale gjeneruese mund të përfaqësojë një mundësi të madhe për zhvillimin njerëzor, por gjithashtu mund të shkaktojë dëme”, tha Audrey Azoulay nga UNESCO.
“IA-ja nuk mund të integrohet në arsim pa angazhimin publik dhe garancitë dhe rregulloret e nevojshme nga qeveritë”, shtoi ajo.
Programet gjeneruese të inteligjencës artificiale shpërthyen, në fund të vitit të kaluar me lançimin e ChatGpt, që demonstroi aftësinë për të gjeneruar ese, poema dhe biseda edhe me të dhëna dhe sugjerime të shkurtra.
Ajo ka ndezur frikën e plagjiaturës në shkolla, universitete dhe madje edhe në art.
Por, investitorët në këtë sektor e shohin arsimin si një treg të mundshëm fitimprurës.
Udhëzimi i UNESCO-s thotë se mjetet e IA-së kanë potencialin për të ndihmuar fëmijët me nevoja të veçanta ose si asistent kërkimor.
Por, mjetet do të ishin të sigurta dhe efektive vetëm nëse mësuesit, studentët dhe studiuesit do të ndihmonin në hartimin e tyre, dhe qeveritë të rregullonin përdorimin e tyre.
Udhëzuesi rekomandon gjithashtu një moshë minimale për nxënësit e shkollave, duke theksuar se ChatGpt nuk mund të përdoret për fëmijët nën 13 vjeç./KultPlus.com
‘Java britanike’, DJ vendas dhe britanikë sjellin këtë të shtunë muzikën elektronike Të gjithë të apasionuarit pas muzikës elektronike në vend do të kenë mundësi që të shijojnë muzikën e DJ më të mirë vendas dhe britanikë.
Me rastin e “Javës Britanike të Kulturës”, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj fton dashamirësit e kësaj rryme muzikore që të bëhen gati këtë të shtunë për të kërcyer gjatë gjithë natës.
“Të gjithë rebelët e muzikës elektronike në të gjithë Shqipërinë, së bashku! Këtë të shtunë, bëhuni gati për të kërcyer gjatë gjithë natës ndërsa ne festojmë “Javën Britanike” në MINUS1. Ne kemi jo vetëm një, por dy artistë nga Britania e Madhe që do t’ju çojnë në një tjetër dimension! Fillimisht, ne kemi Mia Mendi – dyshen dinamike elektronike të fuqisë që do të elektrizojë turmën me rrahjet e tyre marramendëse dhe energjinë infektive. Përgatituni të transportoheni në një dimension tjetër me performancën e tyre të paharrueshme”, shkruan kreu i bashkisë së Tiranës në rrjetet sociale.
Sipas Veliajt, në skenë do të jetë edhe edhe legjendarja Flava D.
“Dhe kjo nuk është e gjitha! Jemi të entuziazmuar të njoftojmë se legjendarja Flava D, një nga DJ-të më të mirë të drum në bass, do të jetë në skenë për një natë të paharrueshme. Bëhuni gati për një aventurë muzikore si askush tjetër! Mbështetur nga heronjtë tanë lokalë Edessa dhe Onlooop! Merr grupin tënd dhe shihemi me rebelët në Minus1”, shkruan Veliaj./KultPlus.com
Opera me një akt dhe tre skena: “1991 – Viti i Aurorës” u shfaq të martën në Qendrën Kulturore të Kompleksit të Katedrales Orthodhokse.
Ajo u kompozua nga tre kompozitorë të rinj, nga Italia, Shqipëria dhe Sllovenia.
Studenti i kompozicionit pranë Universitetit të Arteve Erli Lila, fitoi në një konkurrim të hapur mundësinë për të punuar mbi një nga skenat e libretit të regjisores Grazia Coppolecchia.
Shqipëria, Italia e Jugut dhe Sllovenia të lidhura përmes detit Adriatik bashkohen dhe ndahen në të njëjtën kohë. Titulli i veprës, të njeh me vitin e eksodit masiv të shqiptarëve në brigjet e Italisë, por edhe në vetë simbolikën e Aurorës, atë të agimit të një dite të re.
Orkestra përbëhej nga 21 instrumentistësh harqesh e instrumentash popullorë, nga të cilët nëntë artistë të rinj shqiptarë.
Dirigjenti i operës ishte Massimiliano Piccioli, ndërsa Regjia multimediale u realizua nga Angela Freno dhe Vincenzo Izzi./TopChannel/KultPlus.com
Sot janë bërë 53 vite nga vdekja e Dhimitër Berattit, një ndër nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, shkruan KultPlus.
Më 15 tetor të vitit 1886 lindi në Korçë Dhimitër Berati, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, atdhetar, politikan e publicist shqiptar. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa studimet e larta i kreu në Fakultetin e Shkencave Politike Administrative të Universitetit të Bukureshtit.
Më pas, po aty, kreu studimet edhe Fakultetin e Drejtësisë. Ndërkohë, u përfshi në lëvizjen patriotike të shqiptarëve të emigruar në Bukuresht,për mëvetësinë e atdheut, dhe në vitin 1904 u zgjodh këshilltar i kryesisë së tyre. Më 1907 u kthye në vendlindje dhe punoi si mësues i Shkollës Shqipe të Korçës, së bashku me patriotët Thanas Floqi, Thoma Avrami etj. Ishte anëtar i klubit patriotik “Dituria” të Korçës që në themelimin e tij më 1908.
Po atë vit mori pjesë në Kongresin e Elbasanit, kurse më 1910 në Kongresin e Dytë të Manastirit. Zgjidhet delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit. Ka firmuar aktin historik të Shpalljes së Pavarësisë, me siglën “D. Beratti”, në emër të kolonisë së Bukureshtit. Më 1924 ishte në Sofje me detyrën e kryekonsullit, kurse në vitet 1926-1934 punoi si sekretar në Ministrinë e Jashtme. Më 1935 ishte ministër i Ekonomisë Kombëtare. / KultPlus.com
Marc Anthony u nderua me yllin e tij në Hollywood Walk of Fame dhe mbërriti në ceremoni i shoqëruar nga njerëz të veçantë, dy nga shtatë fëmijët e tij.
Superylli latin ka pozuar për fotografët me gruan e tij, Nadia Ferrara, dhe dy djemtë e tij, Ryan, 19 vjeç dhe Cristian, 22 vjeç.
Marc Anthony mirëpriti së fundmi fëmijën e tij të parë me gruan Nadia Ferreira dhe është gjithashtu baba i binjakëve 14-vjeçarë Max dhe Emme me ish-bashkëshorten Jennifer Lopez. Anthony ndan djemtë Ryan Adrian dhe Cristian Marcus me ish Dayanara Torres, si dhe Chase, 27, dhe Ariana, 28, me Debbie Rosado.
Krahas dy djemve të tij, pranë yllit në këtë ditë të veçantë ishte edhe miku i tij shumë i mirë, David Beckham.
Ndërkohë, Nadia Ferreira Muñiz nuk ka mundur ta fshehë krenarinë për këtë moment të rëndësishëm të bashkëshortit të saj, e cila ka bërë një postim të butë në llogarinë e saj në Instagram./KultPlus.com
Mbretëria e Bashkuar shënon sot përvjetorin e parë të vdekjes së mbretëreshës Elizabeth II dhe fillimin e ngritjes në fron të mbretit Charles III.
Më 8 shtator 2022, mbretëresha Elizabeth II, e cila mbajti fronin për 70 vjet, ndërroi jetë gjatë vitit të saj të jubileut të Platintë, viti i 70-të në pushtet, ndërsa po pushonte në Balmoralin e saj të dashur në Skoci.
Ajo ishte 96-vjeçe.
Pavarësisht luhatjeve në opinionin publik pas vdekjes së mbretëreshës, sondazhi zbulon se shumica e britanikëve vazhdojnë të mbështesin institucionin e monarkisë.
Megjithatë, ndarja e theksuar e brezave nënvizon sfidën me të cilën përballet familja mbretërore për të tërhequr brezat e rinj.
Sipas sondazhit, 62 për qind e britanikëve besojnë se Mbretëria e Bashkuar duhet të ruajë monarkinë e saj, ndërsa 26 për qind janë për kalimin në sistem presidencial, me një president shteti të zgjedhur.
Të papërcaktuar ishin 11 për qind.
Këto shifra janë në përputhje me sondazhet e mëparshme, megjithëse ato u rritën shkurt në 67 për qind menjëherë pas vdekjes së Elizabeth.
Hendeku mes brezave bëhet i dukshëm kur shqyrtohen të dhënat. Midis 18-24-vjeçarëve, vetëm 37 për qind mbështesin monarkinë, ndërsa 40 për qind preferojnë president shteti të zgjedhur.
Grupmoshat më të vjetra mbështesin në masë të madhe monarkinë, ku 80 për qind të moshës mbi 65-vjeç mbrojnë vazhdimin e monarkisë.
Viti i parë i mbretit Charles III në fron është shënuar nga komente të përziera, 59 për qind të britanikëve shprehën miratimin e performancës së tij, ndërsa vetëm 17 për qind besojnë se ai nuk po e bën punën si duhet.
Këto shifra përputhen me trendet e vërejtura pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth kur vlerësimet e miratimit u rritën në 63 për qind, e ndjekur nga shifra të qëndrueshme në intervalin 58-60 për qind.
Perceptimi i publikut për monarkun e ri tregon një ndjenjë përgjithësisht pozitive, por gjithashtu pasqyron ndarjen e theksuar të brezave. Grupet më të reja demografike janë më pak entuziastë për mbretërimin e Charles, ndërsa britanikët më të moshuar shprehin mbështetje të fortë.
Të dhënat sugjerojnë se Charles dhe familja mbretërore mund të përballen me një sfidë të vazhdueshme për të kapërcyer hendekun midis brezave dhe për të siguruar të ardhmen afatgjatë të institucionit.
Derisa monarkia hyn në një epokë të re, mbetet të shihet se si do të evoluojë opinioni publik dhe nëse përpjekjet për t’u angazhuar me britanikët e rinj do të rezultojnë të suksesshme.
Barbara, një entuziaste mbretërore, tha për AA se ajo e admiron mbretin Charles për përkushtimin e tij ndaj kauzave të ndryshme bamirëse dhe çështjeve mjedisore.
“Ai përdor platformën e tij për të bërë ndikim pozitiv në botë, gjë që është e admirueshme për një monark modern”, tha ajo.
“Unë mendoj se ai është i mirë për të ardhmen tonë, aq sa mbretëresha ishte e mahnitshme për gjeneratat e mëparshme. Ai është njëri i popullit, me besimin e Princit dhe ai ka ndihmuar shumë njerëz dhe mjedisin gjithashtu”, shtoi Barbara duke iu referuar një bamirësie të themeluar nga princi i atëhershëm Charles në 1976 për të ndihmuar të rinjtë vulnerabël të moshës 11-30 vjeç që të jetojnë përsëri në rrugën e duhur.
Chloe, një tjetër britanike e cila ishte e shqetësuar për familjen mbretërore, tha: “Kam ndjenja të përziera për mbretin Charles. Ndërsa respektoj historinë e monarkisë, shqetësohem për koston e mbajtjes së familjes mbretërore dhe nëse është përdorimi më i mirë i burimeve tona”.
“Përdorimi i fondeve të taksapaguesve nga mbreti Charles për shpenzimet e tij personale ngre pyetje në lidhje me rëndësinë dhe kosto-efektivitetin e mbajtjes së monarkisë në shekullin e 21-të”, nënvizoi ajo.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po planifikon të rrisë ndjeshëm fondet publike për Mbretin Charles dhe monarkinë me 45 për qind duke filluar nga viti 2025, pavarësisht krizës së vazhdueshme të kostos së jetesës.
Këto plane u përshkruan në rishikimin e financimit mbretëror të lëshuar nga Thesari. Sipas rishikimit, granti i familjes mbretërore do të rritet nga 86 milionë në 125 milionë paund.
Ngjitja e Charles në fron shënon ndryshim të rëndësishëm për Mbretërinë e Bashkuar. Elizabeth mori zyrtarisht fronin në vitin 1953, në moshën 25-vjeçare dhe mbretëroi për 70 vjet mbresëlënëse, duke e bërë atë monarken më jetëgjatë në historinë britanike.
Mbretërimi i saj zgjati disa dekada të trazuara, duke e bërë atë një simbol ikonik të stabilitetit dhe qëndrueshmërisë për kombin.
Gjërat padyshim nuk janë të njëjta për Charles, pasi veçanërisht pas zbulimit të tradhtisë së tij martesore ndaj princeshës së ndjerë Diana, ai pësoi rënie të konsiderueshme në popullaritet.
Edhe pse që atëherë ka bërë përpjekje për të rikthyer imazhin e tij në sytë e publikut britanik, ai ende nuk ka arritur nivelin e lartë sa shumë anëtarë të tjerë të familjes mbretërore./KultPlus.com
Çka është letërsia queer? Kush është në të, kush e ndërton dhe kultivon atë? A është queer letërsia apo autorët/et, apo të dy?
Letërsia queer është term që i referohet letërsisë që eksploron temat, përvojat dhe identitetet seksuale që nuk janë heteronormative. Si e tillë, kjo letërsi edhe sfidon idetë e qëndrimet e deritanishme shoqërore, duke dashur të paraqesë sidomos tregimet në të cilat identitetet janë fluide. Kategoritë tradicionale të seksualitetit dhe gjinisë po zgjerohen dhe letërsia queer po e ndihmon këtë.
Për të diskutuar më shumë rreth letërsisë queer, që ndoshta ndër shqiptarë më shumë asocohet me këngët e dikurshme për dylberat dhe për ashikët, mbrëmë në kryeqytet, organizuar nga Instituti Sekhmet, u mbajt diskutimi ‘Letërsia queer në Kosovë: një lindje apo një pamundësi’. Një prej të ftuarve në panel, Bardh Rugova – akademik, profesor në Universitetin e Prishtinës dhe drejtor i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhë, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, tregoi se ndër vite ka pasur ndoshta ndërhyrje të vogla në letërsinë shqiptare drejt letërsisë queer por se ato nuk janë vërejtur e nuk janë komentuar shumë. Sipas tij, një pjesë e mirë e letërsisë shqipe nëpër vite ka qenë maskuliniste, shkruan KultPlus.
“Është e nevojshme që të shkruhet me një liri dhe një çiltërsi prej secilit prej nesh, edhe nëse kjo dikujt nuk i pëlqen. Në fakt do të ishte bërë që të bëhej zhurmë dhe të ketë debate më shumë rreth letërsisë queer dhe atyre që shkruajnë me një qasje të tillë, anipse letërsia shqipe gjithmonë kah anuar kah shprehja e dashurisë ndaj seksit tjetër” ka thënë mes tjerash Rugova.
Agon Rexhepi, i ftuari tjetër në panel, aktivist i të drejtave të njeriut dhe poet i ri që shkruan poashtu në frymën queer, tregoi se për momentin ka një shpërthim letrar të individëve që shkruajnë lirshëm, burrave që ju shkruajnë vargje burrave apo grave që ju thurin vargje grave tjera.
Gjatë diskutimit, Agoni ka renditur edhe disa burime e autorë shqiptarë të cilët sipas tij po e ndihmojnë një formim të një zhanri a letërsie që mund të cilësohet queer. Mes tjerash, ai ka përmendur shkrimtarin Pajtim Statovci, një kosovar që jeton në Finlandë dhe i cili në disa romane të tij për tematikë ka temat LGBT, platformën Dylberizmi, përmbledhjen ‘Pushimi i gjatë’ nga HAVEIT dhe së fundmi edhe librin ‘Trans në Kosovë’ shkruar nga Lura Limani.
Derisa në letërsinë botërore ekziston qëmoti ky term (po përmendim këtu, ndër tjerë, librat e James Baldwin, Virginia Woolf, Andre Aciman, Oscar Wilde), në Kosovë, letërsia queer është pothuajse në fillet e saj, dhe përmes këtij diskutimi u provua të diskutohej nëse në këtë peisazhin momental kulturor e letrar ka vend e hapësirë, por ka edhe gatishmëri për një depërtim a lindje të një zhanri si ky.
Ky aktivitet u mbështet nga Rrjeti Rajonal për Diversitetin Kulturor (READ). / KultPlus.com