Gjuha shqipe pjesë e Universitetit Harvard, flet studentja që mori nismën: E bëra për fëmijët e mi

Siç mund ta kujtoni, në fillimin e 2023, një lajmi i bukur erdhi nga një prej universiteteve më të mira në botë, ai i Harvard, ku listës së gjuhëve të huaja (që studiohen) ju shtua zyrtarisht edhe gjuha shqipe.

Kjo erdhi pas kërkesës së studentëve shqiptaro-amerikanë dhe mbështetjes së punonjësve shqiptaro-amerikanë në administratën e këtij universiteti, ndërsa në “krye” të kësaj nisme qëndronte studentja Edona Cosovic.

Që në verën e vitit të kaluar studentja shqiptare bëri kërkesën që gjuha shqipe të bëhej pjesë e studimeve në universitetin prestigjioz amerikan, ndërkohë që së fundmi, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Cosovic ka folur për këtë arritje dhe arsyen pse e bëri kërkesën.

Edona tha se ishte dëshira për të studiuar më shumë mbi origjinën e saj ajo që e shtyu të kërkonte përfshirjen e programit të gjuhës shqipe në Harvard, ndërsa po ashtu u shpreh se e bëri edhe për fëmijët e saj.

“Kjo është një arsye e rëndësishme për ta pasur këtë lëndë në Harvard. Unë kam dashur ta mësoj gjuhën, është shumë e rëndësishme për mua. Të dy prindërit e mi janë shqiptarë. Dua që edhe fëmijët e mi të flasin shqip, por dua ta kem edhe kulturën. Të mësoj më shumë edhe mbi historinë e Shqipërisë. Unë jam shqiptare nga Mali i Zi dhe nuk i di të gjitha ndodhitë në Shqipëri dhe Kosovë. Tash, pak nga pak, në çdo klasë unë mësoj më shumë”- tha Cosovic ndër të tjera. / KultPlus.com

Dren Abazi lanson brend të veshjeve ‘drenabazi brand”, përfshinë veshje për femra dhe meshkuj

Këngëtari i njohur Dren Abazi ka projektuar edhe brendin e tij të veshjeve, brend që do të lansohet sonte në ora 18:00, shkruan KultPlus.

“drenabazi brand” është brendi i këngëtarit, i cili është brend ekskluziv për femra dhe meshkuj, dhe varësisht prej stinëve, do të plotësohet dhe përditësohet.

“Të gjitha materialet, aksesoret dhe lënda e parë vijnë nga Evropa, sikurse:  Italia, Spanja, Franca dhe Gjermania dhe prodhimi bëhet në SAM sports wear, me bazë në Tiranë, fabrikë e specializuar për veshje sportive dhe jo vetëm.

Brendi i Dren Abazit tashmë ka edhe faqen zyrtare, faqe që do të lansohet sonte ku edhe keni rast të shihni të gjitha produktet që sjell ky brend.

KultPlus ju sjell linkun e brendit për të parë produktet e para që do të lansohen në këtë faqe./ KultPlus.com

Artizanët mirditorë përcjellin mjeshtërinë tek brezi i ri

EU4Culture e ka konsideruar një tjetër ditë feste në Shkodër, organizimin e eventeve në kuadër të Javës së OKB-së.

Artizanët mirditorë kanë shfaqur kostume të punuara me dorë dhe duke i kaluar brezit të ri mjeshtërinë e tyre shekullore të qëndisjes tradicionale. “As shiu nuk mundi të na e zbehte shpirtin”, shkruhet në faqen online të EU4Culture.

Edhe kryebashkiaku i Shkodrës iu bashkua fëmijëve pjesëmarrës gjatë masterklasave të qeramikës dhe qëndistarisë.

“Dua të shpreh bindjen se bashkia jonë është e hapur, e gatshme dhe e motivuar për të bashkëpunuar me çdo agjensi të Kombeve të Bashkuara, me synimet e përbashkëta për një të ardhme më të mirë për qytetarët”, u shpreh kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci.

Bashkia Shkodër dhe UNICEF nënshkruan edhe një marrëveshje që i hap rrugë krijimit të hapësirave inovative “Bibliotech” në mjediset e Qendrës Rinore “Atelie” dhe bibliotekës publike të Shkodrës. Një përvojë inovative për fëmijët dhe të rinjtë e Shkodrës nëpërmjet aftësive digjitale. / atsh / KultPlus.com

Në nëntor mbahet takimi vjetor i Iniciativës për rajonet e qymyrit në tranzicion në Ballkanin Perëndimor dhe Ukrainë

Iniciativa për rajonet e qymyrit në tranzicion në Ballkanin Perëndimor dhe Ukrainë i fton të gjitha palët e interesuara të bashkohen në takimin vjetor.

Ngjarja do të mbahet me 27 dhe 28 Nëntor 2023 në Bruksel dhe në formatin online.

Ngjarja do të mbledhë një grup të ndryshëm të akterëve, duke përfshirë autoritetet publike, organizatat ndërkombëtare, përfaqësues nga industria e energjisë dhe shoqëria civile, duke nxitur një diskutim të sinqertë dhe të hapur. Takimi vjetor do të shërbejë si një platformë për këto palë të interesuara që të përfshihen në biseda të drejtpërdrejta rreth statusit aktual, pengesave dhe rrugëve të mundshme për arritjen e tranzicionit të drejtë në Ballkanin Perëndimor dhe në Ukrainë.

Ngjarja do të përfshijë tema të ndryshme, duke përfshirë:

-Integrimin e tranzicionit të drejtë në Planet Kombëtare të Energjisë dhe Klimës

-Reflektimet në ndihmën teknike dhe përgatitjen për investime

-Mekanizmat e qeverisjes dhe angazhimit të palëve të interesuara të lehtësojnë e ndihmojnë tranzicionin e drejtë

-Qasjen në financat private, publike dhe ndërkombëtare

-Ngritjen e kapaciteteve për navigimin e tranzicionit të drejtë

Gjatë ngjarjes do të ketë përkthim në gjuhët shqipe, boshnjake, kroate, angleze, maqedonase, malazeze, serbe dhe ukrainase.

Iniciativa për rajonet e qymyrit në tranzicion në Ballkanin Perëndimor dhe Ukrainë synon të ndihmojë vendet dhe rajonet që të largohen nga qymyri drejt një ekonomie neutrale ndaj karbonit, duke siguruar që ky tranzicion të jetë i drejtë. Programi nxit dialogun ndërmjet rajoneve dhe ndërmjet palëve të interesuara përmes shkëmbimit të njohurive, ndërtimit të kapaciteteve dhe shkëmbimit ndërmjet rajoneve të qymyrit në Ballkanin Perëndimor dhe Ukrainë me ato në BE. Iniciativa udhëhiqet nga Komisioni Evropian dhe gjashtë partnerë ndërkombëtarë: Banka Botërore, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Evropiane e Investimeve, Fondi Kombëtar i Polonisë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Menaxhimin e Ujërave, dhe College of Europe në Natolin. / KultPlus.com

“Geborgtes Weiss” ku luan edhe Florist Bajgora në TV Arte të Gjermanisë

“Geborgtes Weiss” është filmi gjerman me regji të Sebastian Ko, ku luan edhe aktori kosovar Florist Bajgora, shkruan KultPlus.

Në këtë film ai luan rolin e Valmirit, kurse me role në këtë film janë të përfshirë edhe aktorët: Susanne Wolf, Ulrich Matthes, Rlia Gezer, Bruni Cathomas…

Filmi më 27 tetor do të shfaqet edhe në Televizion Arte të Gjermanisë, film që do të shfaqet prej orës 20:15

Florist Bajgora, njihet për rolet e tij në filmat “Enemy of the House”, “The Land Within Me” and “Lost Exile”, si dhe për rolin e tij episodik në serialin e famshëm londinez “Gangs of London”./ KultPlus.com

‘Nuk jam penduar për bombardimin e Serbisë, do t’i bombardoja prapë’

Hillary Clinton, ndër gratë më të fuqishme e më të zëshme të skenës politike, sot shënon 76 vjetorin e lindjes, shkruan KultPlus.

Bill Clinton do të mbahet mend si një ndër figurat ndërkombëtare më me ndikim në çlirimin e Kosovës nga okupimi serb. Mirëpo, ndikimi indirekt qe Hillary Clinton e ka pasur në këtë mes, nuk është për të mos u vënë në pah, pasi në disa dokumentar amerikan të realizuar rreth çështjes së Kosovës, ndikimi i Hillary Clinton-it në këtë drejtim nuk ka qenë i vogël.

Sot, KultPlus ju sjell një thënie të cilën Clinton e kishte thënë kohë më parë në një konferencë për media.

‘Nuk jam penduar për bombardimin e Serbisë, do t’i bombardoja prapë‘, ishte shprehur ajo me vendosshmëri të lartë. / KultPlus.com

Sonte nata e parë e Festivalit të Këngës në RTK

Sonte do të nis Festivali i Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës. Për tre netë me radhë, 18 këngë garuese dhe programi me mysafirë do t’i shoqërojë shikuesit e RTK-së dhe të pranishmit në sallën e madhe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në kryeqytet. Ndërkohë, gjithçka është gati dhe është punuar në detaje në mënyrë që edicioni i parë të jetë festë dhe të hyjë në historikun e këtij organizimi.

Programi me mysafirë është premtuar se do të jetë atraktiv, duke bërë bashkë artistë nga Kosova e Shqipëria. Në të njëjtën kohë do të ketë art në shumë dimensione, duke përfshirë edhe shfaqje, dramaturgji e shumë surpriza të tjera.

Drejtori i Festivalit të Këngës në RTK, Adi Krasta dhe prezantuesi Besim Dina do të jenë fytyrat televizive të kësaj ngjarje të rëndësishme. Pas tyre do të prezantojnë edhe Edona Kasapolli, Edona Reshitaj, Anjeza Shahini e shumë emra të tjerë të televizionit dhe botës artistike.

‘Post – Festivali’, panelet që ballafaqojnë opinionet për ngjarjen

Pas programit qendror, në dy netët e para të festivalit do të transmetohet edhe ‘post-festivali’, i cili nën udhëheqjen e Alketa Gashi Fazliut do të ballafaqojë mendimet për këngëtarët, paraqitjet skenike dhe të çdo detaji tjetër në formën e panelit. Ndërkaq, një maratonë televizive prej katër orësh do të transmetohet të dielën më 29 tetor, ku do të komentohet gjithçka një ditë pas shpalljes së fituesit/es së festivalit.

‘Kosova që shkëlqen’, për fituesin e edicionit të parë të Festivalit të Këngës

Ndërkaq fituesi/ja i/e edicionit të parë do të marrë një kupë, e cila ka simbolikën e ‘Kosovës që shkëlqen’. Gjithashtu do të shoqërohet me një medaljon, e që sipas asaj që ka bërë të ditur Krasta, është një shqiponjë e flamurit të shqiptarëve që ka 500 diamante.

Juria që do të vlerësojë këngëtarët dhe prurjet e tyre artistike në këtë garë përbëhet nga kryetarja Alma Bektashi, anëtarja që vjen nga Suedia dhe ka përfaqësuar shtetin e saj në “Eurovision”, Ulja Sjostrom si dhe anëtarët e tjerë si kompozitori nga Tirana, Adi Hila, këngëtari Alban Nimani dhe artistja e arteve pamore, Zake Prelvukaj. 

‘Euro Song’ dhe EBU të lumtur që Kosova ka Festivalin e Këngës

Edicioni i parë i Festivalit të Këngës ka marrë përkrahjen pozitive nga “Euro Song” dhe nga rrjeti evropian i transmetuesve publik (The European Broadcasting Union (EBU).

“Drejtori i ‘Euro Song’ dhe drejtori i EBU-së në një shkëmbim që kemi pasur kanë qenë jashtëzakonisht të lumtur që Kosova do të ketë festivalin e vet të këngës. Siç u shpreh njëri prej tyre, një qytet është më i bukur kur ka Festivalin e Këngës”, ka thënë Krasta në konferencën e së hënës.

Menaxhmenti dhe Bordi i RTK-së përkrahin Festivalin

Përkrahje pozitive ndaj këtij organizimi ka shprehur që nga fillimi edhe menaxhmenti dhe Bordi i RTK-së. Ambientetet ku do të mbahet festivali janë vizituar nga Bordi i RTK-së, nga drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj dhe drejtori i televizionit, Rilind Gërvalla. Dje në sallën ku po vazhdonin punimet ka qenë prezentë kryetari i Bordit, Besnik Boletini me anëtarë të tjerë, prej ku është shprehur i kënaqur me procesin.

“Në këtë sallë kur kam qenë për herë të parë me Adin, ka qenë një gjendje tepër e keqe, por kemi qenë të bindur se kjo sallë do të bëhet. Tani kjo sallë është bërë e mrekullueshme. Ka qenë qëllim primar që festivali të mbahet në qendër të qytetit. I gjithë ky projekt ka pasur sfida të shumta që nga fillimi, por të cilat janë tejkaluar bashkarisht, që nga sigurimi i mjeteve financiare, krijimi i rregullativës ligjore e deri të çështjet tjera organizative”, ka thënë Boletini.

Të rikujtojmë se netët e festivalit që do të mbahen në datat 26, 27 dhe 28 tetor, do të transmetohen në Radiotelevizionin e Kosovës, Radiotelevizionin e Shqipërisë dhe Radiotelevizionin e Maqedonisë së Veriut. / rtk / KultPlus.com

Kosova me renditje historike në ranglistën e FIFA-s

Kombëtarja e Kosovës ka arritur një ngritje historike prej gjashtë pozitave në ranglistën e FIFA-s. Aktualisht Kosova renditet në vendin e 105-të, që është renditja më e lartë në historinë e “Dardanëve”. Në ranglistën e muajit shtator, Kosova renditej e 111-ta, derisa renditja më e lartë ishte 106.

Në muajin tetor, Kosova zhvilloi vetëm një ndeshje edhe pse ishte paraparë të zhvillonte dy. Kombëtarja e Kosovës mposhti Andorrën me rezultat bindës 3:0, derisa ndeshje me Izraelin është shtyrë për shkak të situatës.

Top treshja nuk ka ndryshime me Argjentinën që mban vendin e pare, para Francës, Brazilit dhe Anglisë në vendin e katërt. Belgjika është në pozitën 5, para Portugalisë, Holandës, Spanjës, Italisë dhe Kroacisë, që mbyll Top 10-in. / KultPlus.com

Kalon Projektligji për Art dhe Kulturë, Çeku: Reforma më e thellë në fushën e kulturës



Pas 2 vite e gjysmë punë në analiza, konsultime, diskutime publike me komunitetin artistik, është hartuar një Projektligj për Art dhe Kulturë që trajton tërë sektorin e i cili ofron zgjidhje për probleme shumëvjeçare, si për institucionet publike të kulturës ashtu edhe për atë të skenës së pavarur kulturore.

Ministri Çeku është shprehur i lumtur dhe falënderues për secilin deputet që më votën e tyre e miratuan në lexim të parë projektligjin për art dhe kulturë.

“Falënderoj secilën e secilin deputet që me votën e tyre e miratuan në lexim të parë këtë projektligj, duke ndikuar kështu drejtpërdrejt në përmirësimin e ambientit kulturor dhe kushteve të punës së artistëve dhe punëtorëve të kulturës në vendin tonë”, ka shkruar ministri Çeku. / KultPlus.com

Shkolla kundërmuese e Ferizajt nuk i alarmon prindërit, vetëm 12 prindër në mbledhje

Bojkotimi i mësimit nga profesoresha e matematikës Zoja Lohaj Konjufca, si shenjë proteste për kushtet e tmerrshme në objektin e gjimnazit “Dr. Shaban Hashani” në Ferizaj, ka rezultuar me një mbledhje të prindërve, por mbledhje që nuk provokoi prindërit e nxënësve të kësaj shkolle, pasi që në këtë takim kanë marr pjesë vetëm 12 prindër, shkruan KultPlus.

Për këtë mbledhje që nuk solli ndonjë rezultat të kënaqshëm ka njoftuar vet profesoresha Zoja Lohaj Konjufca e cila është duke bërë përpjekje për kushtet e 1300 nxënësve.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e Lohaj Konjufca./ KultPlus.com

Nikos Kazantzakis, greku “heretik” i letërsisë që e shenjtëroi vepra monumentale e një shpirti të dritshëm

Nga Albert Vataj

U përjashtua nga Kisha i gjallë dhe i vdekur, por arriti, megjithëse në moshë të thyer të zinte një vend të merituar në thesarin e letërsisë botërore, jo si një “heretik”, por si një shpirt i trazuar që la gjurmë drite në udhën e përjetësisë.

Ndoshta nuk është edhe aq e andshme të nisësh një shkurtimë shprehëse për Nikos Kazantzakis, filozofin, poetin, romancierin, estetin, dramaturgun, tekstshkruesin grek më të përkthyer në shekullin XX, me çfarë shkruhet në epitafin e tij në Heraklion: “… Unë nuk shpresoj për asgjë. Nuk kam frikë nga asgjë. Unë jam i lirë.”, por është vetë ajo çfarë sintetizon gjithë aktin krijues që ai la në testamentin e letërsisë greke dhe botërore. Në ato fjalë të skalitura në mermerin e varrit të tij ai la tharmin e të kuptuarit të themeltë të një vepre, e cila edhe pse u keqkuptua dhe u keqinterpretua, u shpall si herezi, ishte dhe mbeti një monument i shpirtit krijues në thelb të së cilës qëndron njerëzorja.

Nikos Kazantzakis u lind më 18 shkurt 1883, Heraklion, Kretë, Greqi dhe u shua më 26 tetor 1957 në Freiburg, Gjermani. Megjithatë, ai nuk u bë vërtet i njohur deri më 1964, kohë kur u publikua filmi i Michael Cacoyannis “Zorba the Greek”, bazuar në romanin e Kazantzakis. Ai është gjithashtu autor i romanit të diskutueshëm për Jezusin e Nazaretit, “Tundimi i fundit i Krishtit”. Kazantzakis ishte një besimtar që humbi lidhjet shpirtërore dhe medituese me religjionin. Kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij, duke u munduar me paaftësinë e tij për të besuar. Ai ishte një ateist që donte të besonte, por nuk mund të përqafonte “Krishtin e besimit” të Kishës së Krishterë.

Ishulli i Kretës në të cilin u lind Kazantzakis, ishte ende nën sundimin turk dhe kishte përjetuar kryengritje të përsëritura në përpjekje për të arritur pavarësinë nga perandoria osmane dhe për t’u bashkuar me Greqinë .

Në vitin 1902, Katzantzakis filloi studimet e drejtësisë në Universitetin e Athinës, më pas shkoi në Paris në 1907 për të studiuar filozofi, ku u ndikua nga mësimet e Henri Bergson.

Me kthimin në Greqi, ai filloi të përkthente vepra filozofike. Në vitin 1914, ai u takua me Angelos Sikelianos. Së bashku ata udhëtuan për dy vjet në vendet ku lulëzoi kultura e krishterë greke, e ndikuar kryesisht nga nacionalizmi entuziast i Sikelianos.

Në vitin 1919, si Drejtor i Përgjithshëm i Ministrisë së Ndihmës Sociale, ai organizoi riatdhesimin e popullsisë greke pontike të rajonit të Kaukazit përsëri në Greqi, pas Revolucionit Rus të 1917-ës . Për Kazantzakisin, ky ishte fillimi i odisesë së tij personale në mbarë botën. Që atëherë, deri në vdekjen e tij më 1957, ai qëndroi në Paris dhe Berlin (nga 1922 deri në 1924), Itali, Rusi (në 1925), Spanjë (në 1932), dhe më pas në Qipro, Aegina, Egjipt (përfshirë malin Sinai), Çekosllovakia, Nice (ku më vonë bleu një vilë bregdetare, afër Antibes), Kinë dhe Japonia .

Ndërsa në Berlin, ku situata politike ishte shpërthyese, Kazantzakis zbuloi komunizmin dhe u bë një admirues i Leninit, por ai nuk u bë kurrë një komunist i qëndrueshëm. Rreth kësaj kohe, besimet e tij të mëparshme nacionaliste u zëvendësuan gradualisht nga një ideologji më universale .

Në vitin 1945, ai u bë kreu i një partie të vogël në të majtën jokomuniste dhe hyri në qeverinë greke si ministër pa portofol. Ai dha dorëheqjen nga ky post vitin e ardhshëm.

Në vitin 1946, Shoqëria e Shkrimtarëve Grekë rekomandoi që Katzantakis dhe Angelos Sikelianos t’i jepej çmimi Nobel për Letërsinë. Në vitin 1957, ai humbi çmimin nga Albert Camus me një votë. Camus më vonë tha se Kazantzakis e meritonte nderimin “njëqind herë më shumë” se ai.

Në fund të vitit 1957, edhe pse vuante nga leucemia, ai u nis për një udhëtim të fundit në Kinë dhe Japoni. I sëmurë gjatë fluturimit të kthimit, ai u transferua në Freiburg, Gjermani, ku vdiq. Ai është varrosur në murin që rrethon qytetin e Heraklionit, sepse Kisha Ortodokse e përjashtoi mundësinë e varrosjes së tij në një varrezë. Epitafi i tij lexon: “Unë nuk shpresoj për asgjë. Nuk kam frikë nga asgjë. Unë jam i lirë”. (Nuk ελπίζω τίποτε. Δεν φοβούμαι τίποτε.

Vepra e tij e parë ishte tregimi i vitit 1906, Gjarpri dhe Zambaku (Όφις και Κρίνο), të cilin ai e nënshkroi me emrin e stilolapsit Karma Nirvami. Në vitin 1909, Kazantzakis shkroi një dramë me një akt të titulluar Komedi, e cila rezonon jashtëzakonisht tema ekzistenciale që u bënë të përhapura shumë më vonë në Evropën e Pas Luftës së Dytë Botërore në vepra të shkrimtarëve si Sarte dhe Camus. Në vitin 1910, pas studimeve në Paris, ai shkroi një tragjedi, “Mjeshtri ndërtues” (Ο Πρωτομάστορας), bazuar në një mit popullor folklorik grek.

Kazantzakis e konsideroi poemën e tij epike të zgjeruar (33.333 vargje të gjatë) Odisea: Një vazhdim modern si veprën e tij më e rëndësishme. Filluar në vitin 1924, ai e rishkruan atë shtatë herë përpara se ta botonte më 1938. Sipas një autori tjetër grek, Pantelis Prevelakis, “[Unë] kam qenë një përpjekje mbinjerëzore për të regjistruar përvojën e tij të pamasë shpirtërore.” Sipas strukturës së Odisesë së Homerit, ajo ndahet në 24 rapsodi.

Romanet e tij më të famshme përfshijnë “Zorba” (1946) “Krishti i rikryqëzuar” (1950), “Liria dhe Vdekja”, “Tundimi i fundit i Krishtit” (1951),  dhe në (1956) ”Zoti i varfër: Shën Françesku i Asizit). Report to Greco (1961), që përmban elemente autobiografike dhe fiksionale, gjithashtu edhe përmblodhja filozofike “Vështrimi i Kretës”.

Që në rininë e tij, Kazantzakis ishte shpirtërisht i shqetësuar. I torturuar nga shqetësimet metafizike dhe ekzistenciale, ai kërkoi lehtësim në njohuri, në udhëtime, në kontakt me një grup të larmishëm njerëzish, në çdo lloj përvoje. Ndikimi i Friedrich Nietzsche- s në veprën e tij është i dukshëm, veçanërisht në ateizmin dhe simpatinë e tij për konceptin e mbinjeriut (Übermensch). Megjithatë, shqetësimet fetare e përndiqnin edhe atë. Për të arritur një bashkim me Zotin, Kazantzakis hyri në një manastir për një qëndrim të shkurtër prej gjashtë muajsh.

Figura e Jezusit ishte gjithmonë e pranishme në mendimet e tij, që nga rinia deri në vitet e fundit. Në librin “Tundimi i fundit i Krishtit” ai  ndan shqetësimet e dhimbshme metafizike dhe ekzistenciale të Katzantzakis, duke kërkuar përgjigje për pyetjet e tmerrshme dhe shpesh të ndara midis ndjenjës së detyrës dhe kauzës nga njëra anë dhe nevojave të tij njerëzore për të shijuar jetën, për të dashur dhe për t’u dashur dhe për të pasur një familje. Një figurë tragjike që në fund sakrifikon shpresat e veta njerëzore për një kauzë më të gjerë. Krishti i Kazantzakis nuk është një hyjni e pagabueshme, pa pasion, por një qenie njerëzore pasionante dhe emocionale, të cilit i është caktuar një mision, me një kuptim që ai po përpiqet ta kuptojë. Dhe kjo shpesh kërkon që ai të përballet me ndërgjegjen dhe emocionet e tij dhe në fund të sakrifikojë jetën e tij për përmbushjen e saj. Ai është subjekt i dyshimeve, frikës dhe madje edhe fajit. Në fund ai është Biri i Njeriut, një njeri, lufta e brendshme e të cilit përfaqëson atë të njerëzimit.

Shumë konservatorë fetarë grekë e dënuan punën e tij. Përgjigjja e tij ishte: “Më dhe mua një mallkim, unë të jap një bekim: ndërgjegjja juaj qoftë e pastër sa e imja dhe ju qoftë moral dhe fetar sa unë”.

“Tundimi i fundit i Krishtit”  në Indeksi i Librave të Ndaluar nga Kisha Katolike. Reagimi i Kazantzakis ishte të dërgonte një telegram në Vatikan, duke cituar shkrimtarin e krishterë Tertullian: “I dorëzoj ankesën time në gjykatën tuaj, Zot”. Shumë kinema e ndaluan filmin e Martin Scorsese, bazuar në roman, i cili u publikua në 1988.

Në kohën e Kazantzakis, tregu i materialeve të botuara në greqishten moderne ishte mjaft i vogël. Kazantzakis shkroi gjithashtu në greqishten moderne (demotike), gjë që i bëri shkrimet e tij edhe më të diskutueshme. Përkthimet e librave të tij në gjuhë të tjera evropiane nuk u shfaqën deri në pleqëri. Prandaj e kishte të vështirë të siguronte jetesën duke shkruar, gjë që e bëri të shkruante shumë, duke përfshirë një numër të madh përkthimesh nga frëngjishtja, gjermanishtja dhe anglishtja, si dhe kuriozitete të tilla si trillimet franceze dhe tekstet e shkollës fillore greke, kryesisht sepse ai nevojiten paratë. Një pjesë e këtij shkrimi “popullor” megjithatë u dallua, si librat e tij të bazuar në udhëtimet e shumta, të cilat u shfaqën në serinë “Udhëtim”, për Italinë, Egjiptin, Sinain, Japoninë dhe Kinën. / KultPlus.com

Prezantohet propozimi i konceptit për Muzeun e Artit Bashkëkohor, Halilaj: Do të jetë muzeu më i mirë në botë

Vjollca Duraku

Mbrëmë, Këshilli Iniciues në përbërje me Yll Rugovën, Zake Prelvukën, Sislej Xhafën, Flaka Halitin, Petrit Halilajn, Fisnik Abazin, Nita Salihun dhe Valdete Pacollin kanë iniciuar një koncept dokument për ndërtimin e një Muzeu të Artit Bashkëkohor, i cili është menduar të realizohet në ndërtesën e aneksit të ish-Rilindjes, shkruan KultPlus.

Në ambientet e menzës Ramiz Sadiku, në mesin e shumë artistëve dhe artdashësve  është prezantuar një koncept dokument për ndërtimin e një institucioni të veçantë që mëton të jetë pjesë integrale e një rrjeti artistik global, i cili krijon një platformë për dialog ndërkombëtar dhe shkëmbim ndërkulturor në kryeqytet.

Muzeu i Artit Bashkëkohor në Kosovë (MABK) konsiderohet të jetë një platformë e bazuar te idetë e artistëve aktual të skenës së artit modern të vendit mbi besimin në fuqinë transformuese të artit, të artistëve dhe komuniteteve të ndryshme, duke ofruar një hapësirë për eksperimentim, shprehje artistike, reflektim dhe dialog.

Në fillim të kësaj ngjarje, Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, theksoi që në një vend i cili vazhdimisht ka prodhuar art dhe kulturë duke prekur majat e sukseseve ndërkombëtare, ka qenë e qartë mungesa e një institucioni të tillë, duke e cilësuar të domosdoshme ndërtimin e Muzeut të Artit Bashkëkohor.

“Duke marrë parasysh natyrën komplekse të një institucioni të tillë mënyra më e suksesshme për të nisur e ndërtuar atë ishte që të vinte nga vetë komuniteti. Në këtë mënyrë me shumë këmbëngulje kemi arritur që të krijojmë një Këshill Iniciues të përbërë nga disa prej emrave më të çmuar të skenës së artit bashkëkohor dhe modern të Kosovës, të cilët tash e një vit kanë punuar pa ndalur për të krijuar një propozim të plotë se si duhet të duket Muzeu i Ardhshëm i Artit Bashkëkohor i Kosovë”, tha Ceku i cili tutje tregoi se këshilli iniciues gjatë këtij viti ka pasur takime të përjavshme, vizita studimore, punëtori të gjata disa ditore, konsultime të organizuara me komunitetin artistik siç ishte rasti me organizimin e simpoziumit vitin e kaluar dhe në këtë formë kanë rezultuar me një punë shumë të çmuar me fillimin e konkretizimit të saj do t’u shërbejë artistëve, qytetarëve, të rinjve, të rejave, vizitorëve dhe edukimit të përgjithshëm kulturor.

Më tutje Çeku bëri të ditur se Muzeu i Artit Bashkëkohor, pritet të themelohet ligjërisht sot, me Projektligjin për Artin dhe Kulturën në Kuvendin e Kosovës.

“Në momentin që do të themelohet edhe ligjërisht Muzeu i Artit Bashkëkohor, atëherë Ministrisë së Kulturës i mbetet të ofroj të gjitha kushtet dhe mjetet për të zbatuar në realitet propozimin e krijuar nga Këshilli Iniciues”.

Më pas kryesuesi i Këshillit për Inicimin e Muzeut, Yll Rugova përmes një prezantimi bëri paraqitjen integrale të muzeut duke përfshirë propozimin ideor e programor, konceptin e koleksionit, konceptin arkitektonik e atë të lokacionit.

“Në një ndërtesë si aneksi i Rilindjes, MAB do të merr mbi supe jo vetëm koleksionimin dhe ekspozimin e artit bashkëkohor por gjithsesi do të shërbente edhe si projekt flamurtar në fushën e trashëgimisë kulturore, duke shërbyer si një bërthamë qendrore për gjithë trashëgiminë e lëvizshme të vendit, përfshirë krijimin e kuadrove profesionale, arkivimin, konservimin dhe riparimin e eksponateve nga koleksionet e ndryshme të vendit. Për më shumë, MAB do të shërbente si një bërthamë përbashkuese për shumë iniciativa burimore të kulturës, artit e trashëgimisë që në njëfarë mënyre ose tjetrën aktivitetin e lidhin me aneksin e ish-Rilindjes”, ka thënë Rugova.

Ai më tej bëri të ditur se MABK do të ketë buxhet të veçantë vjetor, komision që përcakton blerjet vjetore të veprave.

“Muzeu i Artit Bashkëkohor është i rëndësisë së veçantë për Kosovën dhe do të krijonte një strukturë të re institucionale e cila do tu përgjigjej nevojave të sotme të artit. Krahas, Galerisë Kombëtare të Kosovës, ky muze do të ndërtonte kuadro të reja profesionale me fokus në hulumtim, interpretim të trashëgimisë pamore dhe mbledhjen e ruajtjen e veprave të artistëve bashkëkohor vendor dhe ndërkombëtar. Tutje do ta krijojmë një hapësirë më novatore dhe akomoduese për praktika të reja institucionale, të cilat do të mund të barteshin nëpër institucionet e tjera të vendit që kanë profil të njëjtë apo të ngjashëm”, ka thënë Rugova.

Pas këtij prezantimi në skenë dolën të gjithë anëtarët të cilët përmes një pune një vjeçare me takime të shumta kishin arritur deri te hartimi i një projekt-propozimi të tillë, për një diskutim të hapur me të pranishmit që ishin të shumtë në numër.

Fjalën i pari e mori artisti Sislej Xhafa i cili në një përgjigje mbi pyetjen se çka do të ndodhte me makinerinë dhe arkivin e gazetës Rilindja, ai tha se do të kenë një hapësirë të veçantë në këtë objekt pasi një trashëgimi e tillë si ‘Rilindja’ cilësohet boshti i rezistencës dhe si e tillë është pjesë e identitetit të cilin si artistë po ëndërrojnë ta mishërojnë me të ardhmen.

“Për ne si bord nuk është kjo vetëm si përvojë e kërkimit të hapësirës së muzeut, por kjo është emocion. Po flasim për një ndërtesë ku ka një histori, trashëgimi, ku ka dhe një të ardhme. Sa i përket aspektit fizik të makinave sigurisht do ta kenë një hapësirë të veçantë brenda në Rilindje. Ndërsa sa i përket konceptit të muzeut, ne nuk kemi ardhur vetëm të bëjmë një ndërtesë, por kemi ardhur me një pasqyrim të ditëve të sotme, duke e pasqyruar Rilindjen si një mishërim i një rezistence kohore, ku ne na ka ndihmuar sot të ekzistojmë si identitet, është i padiskutueshëm, i pamohueshëm”, tha Xhafa duke potencuar se Rilindja është rezistencë dhe gjithmonë është prezente.

“Arti është një rezistencë kohore, krijon lidhje, është e pamohueshme për të krijuar të ardhmen pa e definuar edhe të kaluarën e duke e inkorporuar të kaluarën”.

Artisti më tej tha se krijimi i një projekt-propozimi të tillë, për të personalisht ka qenë shumë sfidues pasi për të krijuar një gjë të tillë është dashur të paraqitej e tërë filozofia e tij si artist për të dhënë diçka unike e cila në vetvete prodhon ‘kohë të vet’ të ndryshme nga ajo e realitetit ekzistues.

“Ka qenë një ndër sfidat më të vështira për mua. Kështu që ka qenë njëfarë sfide konstante për shkak se sfida me kohën nuk është vetëm sfidë racionale e mendimit për të dorëzuar një dokument, por ka qenë sfidë me vetveten për shkak se ky muze nuk do të jetë vetëm një muze arkitektonik, por koncepti, filozofia, është një udhëtim një udhërrëfyes për të shpikur një ‘kohë të vet’. Si artet, artistët me veprën e tyre në mënyrë të pavetëdijshme shpikin një ‘kohë të vet’”, ka thënë artisti duke vazhduar t’i falënderoj të gjithë artistët për artin e tyre duke thënë që ata janë shtylla kryesore që bëri të iniciohej ky lloj muzeu.

Ndërsa Flaka Haliti tha se makinat dhe arkiva e Rilindjes do të jenë pjesë e Muzeut, në të cilat pjesë, përveç artistëve do të mund të kenë qasje edhe gazetarët e gjuhëtarët.

“Makinat ose arkiva e Rilindjes ka me qenë pjesë integrale e organogramit, arkitekturës, koleksionit. Makinat dhe arkiva do të bëhen pjesë integrale e atij hulumtimi, ku jo veç artistët por edhe gazetarët dhe gjuhësorët kanë qasje në ndërtesë për të hyrë dhe për t’i parë ato materiale dhe për t’iu përgjigjur atyre materialeve në ndërtimin e atij identiteti që ka histori, dhe ne jemi duke krijuar të ardhmen duke u bazuar në to”, ka thënë Flaka Haliti.

Për rëndësinë e makinave dhe materialit arkivor foli edhe Erëmirë Krasniqi e cila tha se janë të vetëdijshëm për rëndësinë që ka një trashëgimi e tillë si ajo e Rilindjes.

“Makinat janë pjesa kryesore, jemi shumë të vetëdijshëm që kemi të bëjmë me një aset të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore”, tha ajo.

Përderisa krejt në fund fjalën e mori artisti Petrit Halilaj i cili tha se nëse këtij projekti do t’i jepej drita e gjelbër për realizim do të jetë Muzeu më i mirë në botë.

“Sot e kemi vizituar hapësirën, ky është vetëm propozimi jonë por nëse ky muze aprovohet do të jetë muzeu më i mirë në botë”, përfundoi Halilaj, për t’i lënë radhë një bashkëbisedimi nga afër artistëve dhe të gjithë të pranishmëve me një koktej rasti për të biseduar gjerë e gjatë në një tre orësh të rezervar.

Sot, me projektligjin për artin dhe kulturën pritet që ky inicim të lexohet në votim të parë në Kuvendin e Kosovës nga ku edhe pritet që ligjërisht të hidhen themelet e Muzeut të Artit Bashkëkohor. / KultPlus.com

Rikthehet pas 170 vitesh teknika fotografike e të papërsëritshmit Pjetër Marubi

Në Muzeun “Marubi” në Shkodër, mbas 170 vitesh është rikthyer teknika fotografike e kolodiumit të lëngshëm, me të cilën Pietro Marubi filloi rrugëtimin e fotografisë shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga aplikimi i kësaj teknike në Shtëpinë e Fotografisë përmes asistencës së ekspertëve gjermanë.

Një ndër ekspertët gjermanë është Maximilian Zeitler, fotograf dhe specialist i realizimit të proceseve historike të fotografisë. Gjatë vizitës në muzeun “Marubi” Zeitlet shikoi nga afër disa prej xham negativëve të teknikës së kolodiumit të lëngshëm të realizuara nga Pietro Marubi.

Rama tha se “Shkodra e Artit dhe Kulturës ofron një udhëtim mbrapa në kohë përmes fotografisë, me eksperiencën e veçantë të teknikës që përdorej 170 vjet më parë nga i papërsëritshmi Pjetër Marubi dhe pasardhësit e tij gjenialë të dinastisë legjendare të Marubëve”.

“Kjo teknikë e aplikuar sërish në Shtëpinë e Fotografisë përmes asistencës së ekspertëve gjermanë, të cilët e aplikojnë ende metodën e fotove bardhë e zi të punuara manualisht, risjellë në Shkodër nga drejtuesi pasionant i muzeut unikal ku ruhet thesari i Marubëve, Luçiano Bedeni”, theksoi Rama.

Pjetër Marubi, ishte një italian nga Piacenza, i cili pjesën më të madhe të aktivitetit të tij artistik e zhvilloi në qytetin e Shkodrës.

Me ardhjen në Shqipëri, ai hapi të parën studio fotografike, të cilën e emërtoi “Dritëshkronja”, duke sjellë shqip fjalën fotografi, pra të shkruash me dritë. Studioja u themelua më 1856 e sot mban emrin Fototeka Kombëtare “Marubi”.

Pjetër Marubi përveç se fotograf, ishte edhe skulptor, arkitekt e piktor.

Ai la një trashëgimi të pasur fotografike, e cila përtej vlerave artistike, ka vlera dokumentare e historike që dëshmojnë për periudhën në të cilën ai jetoi e veproi. / atsh / KultPlus.com

Presidentja Osmani nderohet me “Çmimin për Qytetari Globale” në Iowa, flet për rrugën e Kosovës deri te pavarësia dhe sfidat sot

Drake University në Iowa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) e ka nderuar sot presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanin me “Çmimin për Qytetari Globale”, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në Facebook, presidentja është shprehur e nderuar për ndarjen e këtij çmimi lowas dhe ka treguar se ka pasur një bashkëbisedim përmbajtësor me profesorë e studentë në Drake University për rrugën e Kosovës deri të pavarësia si dhe për sfidat me të cilat përballet vendi.

“Në Drake University, kisha një bashkëbisedim përmbajtësor me profesorë e studentë, për rrugën e Kosovës deri të pavarësia si dhe për sfidat me të cilat përballemi sot.

Falënderoj Universitetin që më nderuan me ndarjen e Çmimit për Qytetari Globale. Bashkëpunimi në fushën e arsimit është kyç në avancimin dhe thellimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Iowas”, shkruan Osmani.

Në ditën e dytë të vizitës së saj në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Osmani tha se Kosova është rezultati dhe historia më e madhe e suksesit të politikës së jashtme amerikane.

Ajo në këtë ligjëratë para studentëve të Universitetit Drake e akuzoi Serbinë se po dëshiron të nxisë luftë në rajon. / KultPlus.com

Restaurohet kisha e Shën Triadhës, ndërtuar nga Muzakajt në 1470

Ekipi i mirëmbajtjes së DRTK Korçë ka qëndruar për disa ditë në fshatin Tudas, ku ka realizuar ndërhyrjen restauruese emergjente në çatinë e kishës së Shën Triadhës.

Kisha e Muzakajve e pozicionuar në anën veriore, rrëzë shkëmbit “Tudas”, me vlera historike dhe arkitektonike, shënon kulmin më të lartë malor të ekzekutimit të tipologjise bizantine ndërtuar nga Kirana Muzaka në vitin 1470.

Çatia prej kohësh ka shfaqur problematike dhe depërtim të lagështisë në brendësi të kishës.

Në këtë fazë të ndërhyjes është restauruar dhe plotësuar me rrasa guri e gjithe sipërfaqja e çatisë, sipas tipologjisë tradicionale të kishës.

DRTK Korçë i ka shprehur mirënjohjen komunitetit të zones, i cili ka bashkëpunuar dhe ka mirëpritur specialistët e DRTKK./ atsh / KultPlus.com

Ekspertët ndërkombëtarë të trashëgimisë kulturore, vizitojnë Shkodrën

Në Javën Kulturore të Kombeve të Bashkuara, Shkodra priti ekspertë të trashëgimisë jomateriale nga e gjithë bota, pjesë e programeve të trajnimit të UNESCO-s.

Gjatë vizitës së tyre në Shkodër ata patën mundësinë të njiheshin me qytetin si dhe me traditën e bukur familjare të ndërmarrjeve artizanale si një pjesë e pasurisë kulturore dhe trashëgimisë shkodrane.
Së bashku panë nga afër mënyrën sesi prodhohen dhe promovohen produkte të artizanatit si dhe ndikimin e tyre në kulturën dhe ekonominë lokale.

U diskutua gjithashtu mbi rëndësinë dhe vemendjen që UNESCO i kushton mbrojtjes dhe promovimit të artizanatit si një pjesë të trashëgimisë kulturore të njerëzimit si dhe mundësitë e bashkëpunimit në asistimin e specialistëve në ruajtjen e teknikave tradicionale dhe aftësive të lidhura me artizanatin.

Specialitët e DRTK Shkodër e kanë shoqëruar grupin e ekspertëve ndërkombëtarë në disa punishte si psh në argjendarinë “Gjonej” dhe në tezgjah “Gjino Mjeda”, mjeshtrat e të cilëve i kanë mikpritur me dashamirësi. / atsh / KultPlus.com

Hillary Clinton mbush 76 vjet, gruaja e fuqishme që ndihmoi shumë në çështjen e Kosovës

Hillary Clinton e lindur më 26 tetor 1947 është ish-sekretare e Shteteve të Bashkuara, senatore amerikane, dhe Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara nga 1993 deri në 2001.

Gjithashtu, ajo ka qenë kandidatja e parë grua e nominuar nga një parti mazhorante demokratike, si dhe e vetmja Zonjë e Parë që kandidoi për post publik.

Nga viti 2009 deri në vitin 2013, ajo ishte sekretarja e 67-të e SHBA-së, duke qenë nën presidencën e Barack Obamës. Ajo përfaqësoi herët Nju Jorkun në Senatin amerikan gjatë viteve 2001-2009.

Gjithashtu, si gruaja e presidentit Bill Clinton, ajo ka qenë Zonja e Parë nga viti 1993 deri në vitin 2001. Në zgjedhjet e vitit 2008, brenda partisë, Clinton ishte një kandidate kryesore për zgjedhjet presidenciale. Zonja Clinton është e admiruar në gjithë botën, dhe jo vetëm brenda SHBA.

Një banore autoktone e Illinois, Hillary nga fillimi ishte e angazhuar në politikë, si studente në Wellesley College në vitin 1969, pastaj dhe u diplomua si Juris Doctor në Yale Law School në vitin 1973, Yale University.

Pas diplomimit në universitetin e Jalës, Hillary u bë një avokate e shkëlqyer, duke këshilluar Fondin e Mbrojtjes të fëmijëve të Cambridge përpara se të bashkohet me ekipin e juristëve që këshillonin për Komisionin Juridik përfaqësues gjatë fajësimit të presidentit Richard Nixon për skandalin “Watergate”.

Pas një kohe të shkurtër si avokate e Kongresit ligjor, ajo u zhvendos në Arkansas dhe u martua me Bill Clinton në vitin 1975, të cilin e kishte njohur në universitet.

Rodham drejtoi gjyqin e Arkansas për Fëmijët dhe Familjet në vitin 1977. Ndërsa në vitin 1978, ajo u bë kryetarja e parë femër e Shërbimeve Ligjore të Korporatës, dhe në vitin 1979 ortakja e parë femër në Rose Law Firm.

Bill Clinton do të mbahet mend si një ndër figurat ndërkombëtare më me ndikim në çlirimin e Kosovës nga okupimi serb. Mirëpo, ndikimi indirekt qe Hillary Clinton e ka pasur në këtë mes, nuk është për të mos u vënë në pah, pasi në disa dokumentar amerikan të realizuar rreth çështjes së Kosovës, ndikimi i Hillary Clinton-it në këtë drejtim nuk ka qenë i vogël. / KultPlus.com

Media polake, “Podróże”: Shqipëria, “Maldivet evropiane” plot me atraksione dhe peizazhe mahnitëse

Nëse ëndërroni pushime magjike me pamje përrallore, duhet të zgjidhni me patjetër Shqipërinë.

Shqipëria është një vend evropian që po bëhet gjithnjë e më i popullarizuar, jo vetëm mes polakëve, por edhe mes turistëve nga e gjithë bota.  Nuk është çudi, pasi vendi ka shumë për të ofruar, shkruan në një artikull Izabela Nestioruk-Narojek, të botuar në të përditshmen polake “Podróże”.

Pushimet në Shqipëri nuk janë më të shtrenjtat.

Vendi ofron pamje befasuese, kuzhinë të shijshme dhe atraksione të mahnitshme.

Shqipëria, e konsideruar si “Maldivet europiane”, për shkak të ngjyrës së detit dhe vilave në ujë, ofron një arratisje të paharrueshme me çmime të përballueshme.

Ju mund të pushoni në Shqipëri me pak para.

Ia vlen të pushoni në Sarandë, e famshme për plazhet e saj të bukura në detin Jon, apo në vendpushimin e Ksamilit, i quajtur “Tropikët evropianë”.

Gjiret e vegjël po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve.

Shqipëria është një parajsë e vërtetë për turistët që janë në kërkim të ujrave të kaltër dhe plazheve me rërë.

Gjithashtu, ia vlen të shkoni në një nga restorantet lokale për të shijuar specialitetet tradicionale me çmime të përballueshme.

Shqipëria – çfarë ia vlen të vizitoni? Atraksionet më të njohura

Shqipëria është një vend me peizazhe të mrekullueshme. Ia vlen të vizitoni të paktën një nga liqenet më të njohura, liqeni i Shkodrësliqeni i Ohrit ose liqeni i Komanit.

Syri i Kaltër në Parkun Kombëtar të Thethit është një burim lumi që ia vlen të vizitohet.

Ai bën një përshtypje të madhe për shumë turistë.

Bjeshkët e Nemuna dhe Lugina e Valbonës janë një tjetër parajsë për adhuruesit e natyrës.

Gjithashtu Shqipëria ofron mjaft atraksione për adhuruesit e monumenteve.

Gjirokastra, ose qyteti me një mijë hapa, është një atraksion që duhet eksploruar me patjetër.

Berati, qyteti i një mijë dritareve, është një nga qytetet më të vjetra në Shqipëri.

Të dy qytetet janë të përfshirë në listën e UNESCO-s.

Kruja është një tjetër pikë turistike unike. Këtu do të gjeni një pazar turk (Pazari i Derexhikut) dhe një kala (Kalaja e Krujës).

Gjithashtu ia vlen të bëni një shëtitje nëpër rrugët e qytetit të vjetër. /atsh / KultPlus.com

Marin Beçikemi-Shkodrani, rektor i shkollave të Raguzës 529-vjet më parë

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët përmes një publikimi online na njeh me historinë interesante të një arbëreshi të shquar, i cili pas largimit prej trojeve arbërore arriti të bëhej rektor.

Bëhet fjalë për Marin Beçikemi-Shkodrani, i cili 529 vjet më parë, regjistrohej si rektor i shkollave të Raguzës.

Marin Beçikemi lindi në Shkodër në vitin 1468. Në moshën 10-vjeçare, kur Shkodra ra nën sundimin osman prindërit e tij u zunë rob dhe ai së bashku me të afërm të tij u shpërngul në Bresha, në atë kohë pjesë e Republikës së Venedikut. Pas përfundimit të studimeve në Bresha, më 1492 Senati i Republikës së Raguzës, duke njohur aftësitë dhe njohuritë e tij të rralla në gjuhët, letërsitë dhe retorikën klasike, e ftoi të bëhej profesor, dhe më 22 tetor 1494 e zgjodhi Rektor të shkollave të Raguzës.

Këtu Beçikemi (sipas dokumentit Marinum Becichi de Scutaro pro Rectore et magistro scholarum) bëri emër si pedagog erudit dhe mendimtar humanist në vitet 1492-1496; 1504-1505, dhe në vitet 1508-1510.

Gjatë qëndrimit në këtë qytet, dhe pikërisht në vitin 1495, ai ia kushtoi veprën e parë të njohur Princit dhe Senatit të Raguzës, me titull: “Castigationes et observations in Virgilium, Ovidium, Ciceronem, Servium et Priscianum! Ai shkruajti komente mbi Ciceroni-n, Plini-n dhe filozofë të tjerë klasikë. Disa vite më vonë, ai u bë profesor i retorikës në Universitetin e Padovës. /ATSH /KultPlus.com

Më fal trëndafil

Poezi nga Rifat Kukaj

Ç’po të buzqëshin petalet
Trëndafil bukurosh,
Si re të buta mbi male
Petalet që më shohin prore
Më ngjyrën rozë
Si npër qepallat qumështore

Më fal o mik për ngrysjen
Time dhe drithërime…
Unë do të t’shoh dhe verën tjetër
Po kurrë me sytë e nënës sime. / KultPlus.com

Botohet antologjia personale poetike “Mahnitja e parë” e poetit Demë Topalli

Këto ditë Botimet Rea, e udhëhequr nga Rozafa Bashota, si botues i ri në Kosovë, ka botuar disa libra të rinj të autorëve të njohur të letërsisë bashkëkohore shqipe. Në mesin e tyre, ndër të parët, është libri me poezi, i përcaktuar si antologji personale poetike “Mahnitja e parë” i poetit Demë Topalli. 

Libri është konceptuar në tri kaptina: ”Zani i tretë”, “Zani i dytë” dhe “Zani i parë”, i shoqëruar me tri pasthënie të studiuesve Sabri Hamiti, Sali Bashota dhe Rfat Ismaili. Këtu përfshihet krijimtaria e zgjedhur poetike mbi dyzetvjeçare e poetit Topalli, që nga botimi i librit të parë “Vera e ikur” (1972) e deri te libri i tij i fundit “Sytë që dinë me pa” (2016).  

Në pasthënien me titullin “Poezia e heshtjes”, që ka të bëjë me veprën poetike të Demë Topallit, studiuesi Sabri Hamiti, ndër të tjera, thekson: ”Zbulimi i mahnitjes së parë dhe i tundimit të parë, duke iu dhënë dajmonisë krijuese, për pasojë sjell edhe rënien e parë. Shenjtërimi i ligjërimit në substancë e në formë, i papajtuar me kohët kalimtare, për të arritur statusin e formës së përkryer; përvoja jetësore e personalizuar e bartur në përmasa të përhershmërisë. Më tutje, Hamiti konstaton se “Lutja si këndim elegjiak, dëshira si derivim i pamundësisë, rebelimi si garë me demiurgun në fushë të krijimit. Kjo bën që teksti të jetë i thellë në mendime e të tingëllojë spontan; që është i ndodhur aty, veçse duhen sytë që dinë me pa, krijuesi gojëzanë e heshtia, për ta krijuar gjendjen natyrale: me shkrue ”. 

Ndërkaq, studiuesi Sali Bashota, thotë se “Demë Topalli hyn në mesin e atyre poetëve që kanë botuar pak vepra, por që kanë thënë mjaft, duke sjellë vargje të bukura para lexuesve. Prandaj, bota e tij krijuese strukturohet përmes shenjave të veta autentike. Pikërisht aty shqiptohet koha dhe hapësira e pëshpëritjeve të zgjedhura shpirtërore, jo rrallë, me frymën e trajtave gjuhësore të paskajores, për të mbërritur efektin stilistik, figurativ dhe estetik”, për të vazhduar më tutje se 
“Demë Topalli është poet, i cili nuk vrapon pas figurave të zbehta as pas trajtave të mjegullta ligjërimore. Situatat, ngjarjet, detajet lirike apo metarrëfimet në poezinë e tij, e zbulojnë udhën e sigurt, nga fuqizohet dimensioni dhe kuptimi i meditimit lirik, ndjeshmëria e një urtie të mbivendosur në relacionet midis gjuhës, stilit, ritmit, figurës”. 


2 / 2

Duke i shfaqur pikëpamjet e tij për poezinë e Demë Topallit, studiuesi Rifat Ismaili, konston se poeti “aplikon poetikën e refleksioneve meditative, përmes së cilës shprehet natyra sugjeruese e poezisë së tij. Vepra ngërthen në vete përvojën jetësore dhe kreative të poetit, e cila ngjan me një shtegtim metaforik nëpër labirintet e kohës dhe të ekzistencës. Ajo reflekton ndjesitë e thella të shpirtit të poetit, të cilat burojnë dhe ruhen: “në misterin e shenjtë të Uni-t të krijuesit”, siç do të shkruante dikur Stevan Cvajg. Autori, pastaj, në veprën e tij manifeston dhe thellon misionin e tij krijues, i cili në arritjen e gjakimeve njerëzore, përkon me shtegun e Marathonomakut”. 

Botimi i librit “Mahnitja e parë” është përkrahur pjesërisht nga Drejtoria e Kulturës e  Komunës së Prishtinës. 

Shënime për autorin: 

Demë Topalli u lind më 1948 në fshatin Llugë, Komuna e Istogut. Ka kryer studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Një kohë të shkurtër ka punuar në arsim, kurse nga viti 1973 në Ndërmarrjen e Revistave që dilnin në kuadër të “Rilindjes”, ku një kohë të gjatë ka kryer punën e lektorit e të redaktorit gjuhësor. Nga gjysma e viteve ’90 dhe pas luftës ka qenë drejtues i kësaj ndërmarrjeje. Është marrë edhe me përkthime. Ka sjellë në shqip një numër esesh dhe tekstesh kritike të autorëve të huaj, si Antoine Compagnon, Harold Bloom, Tery Eagleton, Jury Loman, Charles Berstein etj. Në vitin 2013 ka përkthyer librin teorik “Poetika e postmodernizmit: Historia, Teoria, Fiksioni” të autores së njohur kanadeze Linda Hutcheon-it. 

Demë Topalli ka botuar librat poetikë “Vera e ikur” (1972), “Druri i fatit” (1978), “Haber i mirë” (1991) dhe “Sytë që dinë me pa” (2016). Më 1991në Mitingun e Poezisë në Gjakovë, libri me poezi “Haber i mirë” qe shpallur libër i vitit, kurse për librin “Sytë që dinë me pa”, më 2016 iu dha Çmimi Kombëtar “Ali Podrimja”. 

Aktualisht merret me botimin e revistave letrare të traditës “Jeta e re” dhe “Pionieri”. /KultPlus.com

Vdes në  moshën 81-vjeçare aktori legjendar Richard Roundtree

Ka vdekur në moshën 81-vjeçare aktori legjendar Richard Roundtree, i cili bëri historinë e filmit me rolin e tij si ‘Shaft’.

Richard Roundtree u diagnostikua me kancer pankreatik dy muaj më parë. Ai kishte familjen pranë tij kur dha frymën e fundit në shtëpinë e tij në Los Angeles, sipas njoftimit për vdekjen e tij.

Me interpretimin e tij në filmin “Shaft” ai u nominua për çmimin “Ylli i Ri i Vitit” në Golden Globes në 1972.

Ai ishte shfaqur edhe në vazhdimet e filmit ‘Shaft’s Big Score!’ dhe trilogjinë “Shaft In Africa” ​​të vitit 1973, dhe gjithashtu luajti në serialin televiziv “Shaft” të vitit 1973.

Ka marrë pjesë edhe në filmat “Rrënjët”, “Një herë … Kur ishim me ngjyrë”, “Man Friday”, “Shaft’s Big Score!”, “Shaft në Afrikë”, “Tërmete”, “Ikje në Athinë”. “, “Forca kundërshtare”, “Polic Maniac”, “Shtatë”, “George of the Jungle”, “Corky Romano”, “Brick”, “Speed ​​Racer” dhe “What Men Want”./KultPlus.com

Presidentja Osmani vizitë në Iowa, takohet me zyrtarë shtetërorë, profesorë, studentë dhe përfaqësues të bizneseve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron për vizitë në shtetin e Ioëas ku edhe ka vizituar Kolegjin DMACC, përcjell KultPlus.

Osmani nëpërmjet një postimi në Facebook ka njoftuar se është takuar me zyrtarë të shtetit, profesorë, student dhe përfaqëues të bizneseve, e të cilëve edhe u shprehu mirënjohje për mbështetjen ndaj Republikës së Kosovës.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e presidentes Osmani:

Përmbyllja e ditës në Kolegjin DMACC.

Takim me zyrtarë të shtetit të Iowas, profesorë, studentë dhe përfaqësues të bizneseve.

Përkushtimi i shtetit të Ioëas për edukimin dhe fuqizimin e rinisë së Kosovës është i jashtëzakonshëm.

Jashtëzakonisht mirënjohës për mbështetjen tuaj ndaj Republikës së Kosovës dhe rinisë sonë!/KultPlus.com

Melisa Ibrahimi dhe Alberta Troni vlerësohen me çmime të rëndësishme në ‘Debussy International Music Competition’

Pianistja kosovare Melisa Ibrahimi është vlerësuar me çmimin ‘Absolut First Prize’ në “Debussy International Music Competition”, përcjell KultPlus.

Një çmim po kaq të rëndësishëm mori edhe profesoresha e saj Alberta Troni e cila u shpërblye me çmimin ‘Teacher Award’.

Njoftimin e ka bërë vetë Ibrahimi nëpërmjet një postimi në Facebook.

Në vijim gjeni postimin e plotë të saj:

Vendi i I-re “Absolut First Prize” me 100/100 pike, dhe Çmimi special “Art of Musical Interpretation for exceptional interpreting and performing”, gjithashtu Profesoresha ime vleresohet me Çmimin “Teacher Award” per kontribut te jashtezakonshem dhe persosmeri ne mentorim, ne garen “Debussy International Music Competition”.

E vleresuar profesionalisht nga juria 12 antareshe, ne nje gare me konkurrente nga gjithe bota!

Profesoreshes sime prof. Alberta Troni i jam falenderuese pergjithmone per qdo sukses, dhe per punen e saj me dedikim, pasion e me gjithe forcen profesionale!/KultPlus.com