Mbrëmë janë ndarë çmimet në Festivalin Shqiptar të Teatrit “Moisiu”, ku aktorja Edona Reshitaj është shpallë aktorja më e mirë e këtij festivali, shkruan KultPlus.
Emocionet për këtë çmim i ka ndarë edhe vet aktorja, e cila është shprehur të jetë emocionuar për këtë vlerësim nga ana e jurisë profesionale, çmim që i është dhënë për rolin e saj në shfaqjen “Gadjo”.
Më poshtë, KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e Edona Reshitaj.
Mbrame ne Tiranë, m’u nda çmimi AKTORJA MË E MIRË, ne Festivalin Shqiptar te Teatrit “MOISIU”, me rolin tim ne shfaqjen “GADJO”.
Me emocionoi sigurisht, ashtu siç me emocionon ky rol, sa here qe e luaj. Mbetet nje prej roleve te mija shume te veçanta, teper te ndjeshme dhe shume dimensionale.
Faleminderit jurise per vleresimin, Festivalit per mikepritjen, publikut per duartrokitjet e pafundme dhe te gjithe juve qe personalisht me keni shtrengu n’gjoks me perqafime te ngrohta
Sapo është publikuar libri “Plagët e Luftës” nga Flamur Maloku, libër ky me poezi i cili ka bërë bashkë disa poetë shqiptarë të cilët kanë shkruar për dhimbjen e popullit shqiptar, shkruan KultPlus.
KultPlus ju sjell edhe parathënien e këtij libri që poashtu është përgatitë nga Flamur Maloku, i cili i mundëson lexuesit që të njoftohet në pika të shkurtra se në çfarë ujëra letrare është krijuar ky libër.
Plagët e Kosovës, të popullit shqiptar të saj, janë të mëdha, janë të llojllojshme, janë të paharrueshme. Dërrmuese. Gjurmët e tyre janë sot kudo në Kosovë. I kanë shkaktuar serbët. Sot nuk ka qytet në Kosovë, nuk ka fshat, nuk ka lagje që nuk ka një plagë të luftës. Edhe njëzet e katër vjet pas luftës përkujtohen masakra, vrasje, dhunime. Foshnja, fëmijë, gra shtatzëna, pleq, plaka, të vrara, pastaj të masakruara. Do të përkujtohen përjetë sepse plagët e luftës janë të pashërueshme dhe të pafalshme.
Edhe pse krimet serbe janë dokumentuar, Serbia ka mbetur pa ndëshkuar. Kam parë një regjistër të gjatë të librave të ndryshme për krimet e saj. Janë shkruar qindra monografi për krimet serbe në Kosovë. Janë shkruar dhjetëra romane për krimet serbe në Kosovë. Janë shkruar mijëra poezi për krimet serbe në Kosovë. Pra, autorë të ndryshëm, të rinj dhe të vjetër, kanë mbledhur plagët e luftës nga qytetet, fshatrat, lagjet dhe familjet e Kosovës dhe i kanë shtrirë dhe shkrirë në vepra shkencore dhe artistike.
Edhe unë, duke mbledhur krijime të tyre për plagët e luftës, duke i rikujtuar tmerret që edhe vetë i kam përjetuar në luftë si një djalë i ri, i bëra bashkë disa poetë shqiptarë në këtë përmbledhje dhe përzgjedhje poezish, në shenjë nderimi dhe kujtimi për të gjithë martirët e Kosovës. Fragment nga parathënia./ KultPlus.com
Në ambientet e mrekullueshme të Klan Arena të shtunën është mbajtur eventi më i madh i modës në botën shqiptare, “Miss Shqiptarja në Botë 2023”.
Ky event mban vulën e organizatorëve të spektakleve të modës dhe bukurisë në Kosovë, Gecjan Fashion Group.
Në këtë spektakël me titullin e bukurisë, u kurorëzua 15 vjeçarja, Dea Grosha.
Dea Grosha, në këtë spektakël u kurorëzua me tre tituj: Miss Prizreni, Miss social-media dhe në fund edhe titullin kryesorë, Miss Shqiptarja në Botë për vitin 2023.
Kurorëzimi i bukurisë për Dea Groshën u mirëprit jashtëzakonisht mirë nga publiku, ku duartrokitjet e brohoritjet jehuan në sallë.
Bukuroshja Dea Grosha u shpreh tejet e emocionuar pasi ju vendos kurora në kokë dhe përderisa sytë ende i kishte me lot u shpreh për media se këtë çmim ja dedikon nënës së saj e cila e vetme i rriti me shumë mund e sakrificë.
“Jam jashtëzakonisht e lumtur dhe ishte krejtësisht e papritur nga unë. Emocionet janë të mëdha dhe dua të falënderoj të gjithë ata që më mbështetën në këtë rrugëtim. Këtë çmim ja dedikoj nënës sime e cila mua, bashkë me motrën, na rriti e vetme me shumë mund e sakrificë por me një dashuri të jashtëzakonshme e cila edhe është frymëzim për ne”, është shprehur Dea teksa tutje ka thënë se të jesh grua në Kosovë nuk është aspak e lehtë por nënat shqiptare janë heroinat e ditëve të sotme.
Dea Grosha tashmë ka karrierën përpara dhe synon të shkelë edhe shumë gara të tjera edhe jashtë trojeve shqiptare. / KultPlus.com
Në qytetin e Vlorës, pranë monumentit të Pavarësisë, u zhvillua sot ceremonia e ngritjes së flamurit me rastin e 111- vjetorit të Pavarësisë.
Në ceremoni ishin të pranishëm Presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, kryetari i bashkisë së Vlorës Ermal Dredha, drejtues të pushtetit vendor, qytetarë, etj.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar presidenti Begaj, kryeministri Rama, kryeministri Kurti dhe kryeparlamentarja Nikolla vendosën kurora me lule dhe u përkulën me respekt pranë monumentit simbol të kurorëzimit të përpjekjeve shekullore për liri e pavarësi, si homazh në këtë ditë të rëndësishme kujtese mbarëkombëtare.Shqipëria feston sot 28 Nëntorin, 111 vjet nga shpallja e Pavarësisë. 28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës. / atsh / KultPlus.com
Njëri nga luftëtarët e “Betejës së Koshares”, ishte edhe Xhafer Gashi.
Ai ka përkujtuar me rastin e 28 Nëntorit, bashkëluftëtarin e tij Agim Ramadani-Katana.
Xhafer Gashi mban një mori kujtimesh të Agim Ramadanit.
Njëra nga to është arma origjinale e tij.
“Kjo është arma e Agimit, është origjinali dhe pas trajtimit ligjor e bllokimit të saj, që ka bërë Ministria e Punëve të Brendshme, bashkëshortja Shukrie Ramadani e ka sjell në Katanë dhe do të qëndrojë këtu derisa do të bëhet muze kombëtar dhe më pastaj të gjitha ato që i kemi, përfshirë flamurin, do t`i dorëzojmë në muze”.
Gashi foli për llojin e armës.
“Kjo është një armë, sig 226, është armë personale që e ka pasë Agimi, edhe në Zvicër, e edhe gjatë luftës dhe në rënien e tij heroike, e ka pasë me veti”.
Krahas armës, Xhafer Gashi ruan si kujtim edhe flamurin e shokut të tij të luftës, Agimit.
“Ky është flamuri i brigadës 138 Agim Ramadani, brigadës që ka vendos emrin pas rënies heroike pas rënies së Agimit Ramadanit, qëndron këtu deri sa të bëhet muzeu kombëtar dhe dorëzohet atje bashkë me armën e Agimit”.
Të dyja këto kujtime Gashi i mban në qendrën rekreative të tij në qytetin e Obiliqit mban emrin e komandant KATANA-së.
“Qendra Katana e mban emrin në nderim të tij, nofka e Agimit gjatë luftës ka qenë Katana, kemi bo llaf me familjen, nga respekti dhe dashuria për Agimin, ne kemi vendos që edhe kjo qendër rekreative trajnuese, ta bartë emrin apo nofkën e heroit kombëtar, Agimit”. Ramdani.
Fotografia mes bashkëluftëtarëve, Gashi kujton Katanën
Xhafer Gashi dhe Agim Ramadani ishin shokë lufte.
I pari mban në zyrën e tij në KATANA, një fotografi ku shihet bashkë me të dytin.
Gashi sqaroi kohën kur u bë fotografia.
“Njësia paramilitare që ishin vendos me pengu zhvendosjen e popullatës nga Dukagjini pas ofensivës që ka ndodh më 10 shtator 1998, gjatë kësaj periudhe, jemi munduar me ju ofruar, pritje, ushtarëve, eprorëve, qytetarëve, që kanë lëviz nga ajo trevë, pas përmbylljes së atij cikli se forcat paramilitare kishin ngrit një pusi në të cilën vëzhguesit e UÇK-së kishin ra në prit. Kanë mbet heroikisht aty”.
Gashi tregoi tutje historinë pas kësaj ngjarjeje.
“Agimi dhe shumë të tjerë që ishim atje, vendosi që 10 veta po rrimë, më tutjë po presim, mos po ka lëvizje, ishte zonë me lartësi mbidetare 2 mijë metra, afër Gjeravicës. Gjatë vëzhgimit fryma ja mori kapelën Agimit dhe ky e tha keni me ma pa sherrin, se nuk ua fali kapelën”, vazhdoi Gashi.
“Nesër përgatitem një plan duke u bazuar në informacionet që kishim për vendndodhjen e njësive paramilitare ishin 100 veta, 10 veta nga njësia që u ndalëm, 2 i lamë në pikën ku i nisëm, dy mbetën në kufi, për të bërë prit eventuale dhe 6 veta, mes tyre edhe Agimi, jemi fut në territorin e Kosovës, është hap zjarr i koordinuar mes gjithë neve dhe zollat që i kishim atë kohë, janë shkaktuar dëme të mëdha në njerëz dhe pajisjet që kanë pasë me vete dhe jemi tërheq në Shqipëri”, përfundoi Gashi.
Bashkëluftëtari: Më 1994, Agimi pikturoi vendin, ku disa vjet pas luftuam ne
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, njëherësh edhe bashkëluftëtar i Agim Ramadanit, tha se Katana kishte pikturuar më 1994 vendin ku ata luftuan më vonë kundër ushtrisë serbe.
“Kemi edhe një pikturë është realizuar më 1994 nga Agimi, është shumë interesant përshkrimi, në këtë pikturë, ngjason sikurse të ishte pjesë e planit operativ në Dukagjin, në Koshare”, u shpreh Gashi.
Gashi lartësoi intuitën e komandant Katana-së.
“Është vlerë ne intuitën e tij, ai e ka parandje, përshkruar komplet si ngjarje. Vërejeni kokën e shqiponjës, krahët e saj, llavat. Lirshëm mundemi më thanë këtu ka qenë kazerma, luftimet i ka përshkruar me llavina, pjesa ku ne kemi qene të shtrirë, ka qenë përafërsisht, kjo zona, ku është e pikturuar shqiponja”.
Si u takuan dhe si e kujton Xhafer Gashi mikun e tij të luftës, Agim Ramadani?
Xhafer Gashi ka treguar për Front Online se si e ka takuar për herë të parë Agim Ramadanin.
Takimi thotë se ndodhi në Zvicër.
“Agimin për herë të parë e kam parë në qendrën kulturore në Zvicër, ka qenë drejtor në Zvicër, për herë të parë më 1996 jemi takuar, më pastaj, kemi bashkë rrugëtuar në shumë procese, gjatë kohës sa kemi qenë në Zvicër. Na ka lidh ideali”, rrëfen Xhafer Gashi.
Ai tregon se kur u kthyen në Shqipëri.
“Kemi bërë shumë aktivitete të përbashkëta kulturore, kemi filluar me bë përgatitje, trajnime të ndryshme për pjesën e luftës, në mars pas rënies së familjes Jashari, kemi lëviz nga Zvicra në Shqipëri, u çel një qendër trajnimi për trajnimin e luftëtarëve. Kemi bërë planifikimin e thyerjes së Dubravës, që të burgosurit politikë të dilnin nga aty, t`i bashkohen ushtrisë çlirimtare. Agimi një prej kreatoreve të zhvillimeve të asaj kohe”.
Gashi ka treguar më shumë rreth karakterit të Agimit si luftëtar.
Agim Ramadani pos për veprimtarinë patriotike shquhej edhe për diçka tjetër. Ishte mjeshtër i fjalës artistike.
“Ka qenë njeri me karakter, njeri shumë familjar, ka qenë shumë i përgatitur për jetën, ka qenë shkrimtar, ka pasë shkrime të veta, por edhe ka pikturuar. Ka qenë i afërt me shokë, miq, punëtor i jashtëzakonshëm. Ka kërkuar shumë edhe ne aktivitetet e përgatitjeve për betejën e Koshares, e cila ka rezultuar me sukses të thyerjes së kufirit. Agimi ka qenë shef shtabi. Ka menaxhuar me të gjitha njësitë”, tha Gashi.
“Fitoi përjetësinë më 11 prill. Mendoj që ai nuk do të vdes kurrë sepse kujtimet, vepra e tij është e pavdekshme. Ai është hero. Gjaku i tij është bërë dritë. E kuptuam përmes Agron Jusufit që fillimisht është i gjakosur, njësitë tona e kanë tërheqë trupin dhe aty e kemi marr”.
Si e kuptuan lajmin për vdekjen e Katanës ushtarët e Betejës së Koshares? Flet Xhafer Gashi
Një plumb kishte goditur për vdekje Agim Ramadanin, derisa ky po shihte nëse plumbat e ushtarëve të UÇK-së kanë goditur armikun.
Xhafer Gashi, që ishte bashkëluftëtar i tij, tregoi se si e kuptuan lajmin.
“Unë dhe Agroni e kemi çu në Bajram Curr. Fillimisht është varros në Shqipëri dhe pas luftës, janë zhvendos tek varrezat e Kosharës. Lajm i rëndë për të gjithë neve sepse ishte një thyerje sepse ishte bindje e secilit prej neve që janë të pamundura rëniet heroike të bashkëluftëtarëve. Dhimbja është normale”.
Gashi thotë se pavarësisht dhimbjes humbja e Agimit nuk ua uli moralin shokëve të tij.
“Por kur është kuptuar lajmi se ka ra Agim Ramadani, Sali Çeku e të tjerë, ushtarët e dhanë edhe njëherë një betim se aty ku është derdh gjaku i Agimit nuk do të kthehet çizmja e ushtarit serb. S`i kane rimarrë ato pozicione më”.
A u përcoll në vend amaneti i Agim Ramadanit?
Agim Ramdani la pas vetës bashkëshorten Shukrie dhe fëmijët: Edonin, Lorinën dhe Jetonin.
Në nderim të emrit dhe veprës së tij, shumë sheshe, rrugë e institucione në Kosovë mbajnë emrin e tij.
Por, a po e çojnë në vend idealin e tij, të gjallët tash?
Për këtë ka folur shoku i tij i luftës, Xhafer Gashi.
“Mendoj që ndryshim ka. Është liri nga gjaku i tyre, është bërë shumë, ka ende për të bërë shumë”.
Gashi pati një apel.
“Mendoj që duhet të punojmë për të gjithë shtetin për ta përcjell amanetin e tyre deri në fund”. / KultPlus.com
Ylli botëror Rita Ora këto ditë është duke qëndruar për vizitë në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Mbrëmë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka organizuar një darkë në prag të Ditës së Flamurit ku bashkë me miq dhe disa artisë të suksesshëm nga Kosova kanë festuar arritjet e Rita Orës dhe gjithë shqiptarëve nëpër botë.
Presidentja ka uruar që arritjet e tyre të vazhdojnë të shërbejnë si frymëzim për gjeneratat e reja.
“Sukseset e Ritës kthyen sytë e botës kah vendi ynë, e prej atëherë ajo u ngjit lartë e më lartë duke ngjitur skenat e muzikës anekënd botës.
Sonte, në prag të Ditës së Flamurit, bashkë me miq dhe disa nga artistët më të suksesshëm nga Kosova, festuam arritjet e panumërta globale të Rita Orës dhe të shqiptarëve kudo që janë, duke uruar që arritjet e tyre të vazhdojnë të shërbejnë si frymëzim për gjeneratat e reja”, ka shkruar Osmani. / KultPlus.com
Në 111-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, Google ka bërë një “surprizë” në këtë ditë të shënuar për shqiptarët.
Google është ka ndryshuar imazhin, duke vendosur flamurin e Shqipërisë.
Në faqen kryesore të motorit të kërkimit është vendosur në gift flamuri kuqezi në një sfond qielli dhe nëse klikon mbi ikonën e flamurit mund të lexosh një shpjegim dhe urim për ditën e Pavarësisë.
Shqipëria feston sot 111-vite nga krijimi i shtetit.
Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur. 28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për mbarë shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës. / Express / KultPlus.com
Arbnora Fejza-Idrizi nga Skënderaj edhe njëherë ka sfiduar limitet e saj në artin e letrave origami, duke bërë me to flamurin kombëtar shqiptar më të madh ndonjëherë, në një sallë sporti në Skënderaj, qytet rreth 50 kilometër larg kryeqytetit kosovar, Prishtinës, raporton Anadolu.
Flamurin prej 120 mijë letrave origami, secila në formë piramidale, Arbnore Fejza-Idrizi thotë për Anadolu se e bëri me ndihmën e 70 nxënësve nga medreseja “Alauddin”, të cilët palosën rreth 50 mijë letra në formë piramidale, ndërsa rreth 70 mijë letra të tjera ajo i bëri vetë dhe me ndihmën e disa familjarëve të saj.
“Ka qenë një punë shumë e vështirë, meqenëse kësaj radhe kam zgjedhur një metodë më të vështirë të punës. Pjesa e letrës ka qenë piramidale, ku për secilën letër nevojiteshin dhjetë palosje”, thekson Fejza-Idrizi, e cila thotë se për gjithë punimin u deshën gjithsej rreth 1 milionë e 200 mijë palosje.
Ajo thotë se në këtë projekt, përpos familjarëve dhe nxënësve, është ndihmuar edhe nga një arkitekt, i cili ka bërë një plan specifik me parametrat e sakta, në mënyrë që flamuri kombëtar dhe shqiponja dykrerëshe në mes, të duken sa më proporcionale.
Fejza-Idrizi thotë se për përfundimin e projektit u deshën gjithsej katër ditë punë.
“Puna ka zgjatur prej orës 10 deri në orën 6 të mbrëmjes, ku e kemi bërë edhe shtrirjen komplet të mozaikut. Ky mozaik është 1.300 metra katrorë, është më i madh se mozaiku i kaluar”, thekson ajo.
Megjithëse mësimdhënësja nga Skënderaj në shkurt të vitit 2021 u bë pjesë e rekordit Guiness nëpërmjet flamurit shtetëror të Kosovës në origami të cilin e realizoi në të njëjtin vend, ajo thotë se puna e fundit e saj me flamurin kombëtar është puna më kulmore që ka bërë deri më tani.
“Ky është ndoshta projekti të cilin e kam punuar më me dashuri, meqenëse me këtë flamur jemi rritur. Duke parë sakrificat e popullit tonë ndër vite, ndër shekuj dhe ndër dekada që për këtë flamur kanë dhënë shumë, jam shumë krenare që kam arritur të bëj diçka për vendin tim që ta prezantoj përtej kufijve dhe njëkohësisht të certifikohet si rekord botëror. Edhe gjatë procesit të punës kam qenë me emocione dhe shumë e lumtur. Mirëpo, kur është finalizuar, ta them të drejtën, nuk kam ardhur pothuajse deri në fund ta shikoj nga lart se si po duket dhe kam ngelur me emocione dhe ndoshta dhe lotët më kanë dalë nga gëzimi”, theksoi ajo.
Fejza-Idrizi me optimizëm pret lajm të mirë nga juria e Guiness-it, ku thotë se rregullat për të thyer rekord me këtë art janë shumë strikte dhe kërkohet që letra të jetë rezistente, praktikuese dhe pesha e letrave të jetë specifike.
Me artin e letrës origami, Arbnora Fejza Idrizi ka hyrë në librin Guinness për herë të parë në vitin 2018 me lulen më të madhe në botë prej 8,7 metrash. Për herë të dytë, ajo u bë pjesë e librit të rekordeve në vitin 2019 me vazon më të madhe prej letre, me një lartësi 2,73 metrash dhe gjerësi 2,38 metra, në të cilën paraqiti në miniaturë flamujt e shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kurse për herë të tretë, pjesë e rekordit botëror me artin origami u bë në 2021 me flamurin shtetëror të Kosovës në përmasa prej 1 mijë e 216 metrash katrorë.
Arti origami ka lindur në Japoni, ndërsa nga ana kuptimore, “ori” do të thotë palosje dhe “gami” letër. Qëllimi i këtij arti është që të transformohet një fletë e sheshtë katrore prej letre në një skulpturë të përfunduar nëpërmjet teknikave të palosjes së saj. Praktikuesit modernë të origamit evitojnë përgjithësisht përdorimin e prerjeve, ngjitësve ose shënimeve mbi letër. / KultPlus.com
Sot u bënë 26 vjet nga dalja e parë në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
28 Nëntori nuk shënon vetëm festën e Ditës së Flamurit. Sa herë vjen ky muaj, Kosova kujton daljen e parë në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor të vitit 1997, në fshatin Llaushë të Skenderajt.
Ndërkaq, ajo që bëri që UÇK-ja të bëjë publike aktivitetet, ishte vrasja e mësuesit të shkollës së Llaushës, Halit Geci, dy ditë më parë nga forcat serbe.
Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi, kanë qenë të parët që kanë dalë për herë të parë publikisht para opinionit publik, në varrimin e tij, si ushtarë të UÇK-së.
Deklarata e UÇK-së për paraqitjen e saj të parë publike u përgatit nga vetë ushtarët e saj. / KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kreu i Kuvendi Glauk Konjufca kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, me rastin e 28 Nëntorit
Me këtë rast e para e shtetit tha se në këtë ditë po festohen tri festa Dita e Flamurit, ditëlindja e komandantit Adem Jashari dhe dalja për herë në skenë e UÇK-së.
Kjo ditë tha ajo na e kujton çmimin e lartë të lirisë dhe sakrificat që janë bërë ndër shekuj, madje tha se kjo ditë duhet të jetë ditë reflektimi për atë që kanë bërë të gjithë heronjtë.
Osmani pohoi se nderimi për Familjen Jashari do të jetë i vazhdueshme duke shtuar se për këtë familje respekti duhet të jetë i jashtëzakonshëm.
“Sot e fillojmë këtë ditë historike duke e nderuar një familje si familja është familja Jashari duke e shënuar ditëlindjen e heroit dhe daljen e UÇK-së. Kjo ditë na kujton çmimin e lirisë, çmimin e lartë të lirisë dhe sakrificave që janë bërë për shekuj që ne të jemi të lirë”.
“Është moment reflektimi për atë që heronj tanë kanë bërë që nga Skënderbeu e deri te Ismail Qemajli e te komandanti Adem Jashari. Lavdi të gjithë atyre që kanë dhënë për lirinë dhe respekt i jashtëzakonshëm për familjen Jashari”.
Nga ana tjetër, Konjufca ka shprehur nderimet për familjen Jashari dhe ka theksuar rëndësinë e vendit ku ndodhet kompleksi memorial në Prekaz.
Ai gjithashtu ka përmendur datën e 28 nëntorit si një ditë historike për popullin e Kosovës duke i lavdëruar sakrificat e dëshmorëve për liri.
“28 nëntori në Kosovë gjithmonë fillon në Prekaz këtu ku ka ndodhur sakrifica më e lartë E POPULLIT TË Kosovës për liri dhe këtu ku është ngjizur lufta e lavdishme e UCK-së. Po ashtu kjo datë është dalja publike e UÇK-së e po ashtu është ditëlindja e heroit Adem Jashari. Nëntorët do të festohen gjithmonë, uroj që neve të na gjejnë gjithmonë më të bashkuar e gjithnjë më të fortë. Lavdi dëshmoreve dhe urime dita e flamurit gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë ata”, ka deklaruar Konjufca para mediave. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UÇK-së, të cilat i bashkon flamuri kuq e zi dhe data 28 nëntor.
Presidentja ka thënë se flamuri ynë kombëtar është trashëgimi e përjetësuar në simbol që nga viti 1443 në Krujë, 1912 në Vlorë dhe 1999 në Prishtinë dhe se kjo ditë është dedikim për heronjtë tanë që prej Gjergj Kastriotit, Ismajl Qemajlit, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit e deri te Adem Jashari, vepra e të cilëve është vula e shtetit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës.
“Ditën e pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UÇK-së, i bashkon flamuri kuq e zi dhe data 28 nëntor.
Flamuri ynë kombëtar është trashëgimi e përjetësuar në simbol që nga viti 1443 në Krujë, 1912 në Vlorë dhe 1999 në Prishtinë.
Kjo ditë është dedikim për heronjtë tanë që prej Gjergj Kastriotit, Ismajl Qemajlit, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit e deri te Adem Jashari, vepra e të cilëve është vula e shtetit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës.
Republikës së Shqipërisë ia përcjell urimet më të ngrohta të qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës në këtë 111 vjetor. Kosova do të jetë gjithnjë në krah të Shqipërisë, duke thelluar më tej lidhjet ndërshtetërore, sikurse edhe ato ndërmjet motrave e vëllezërve!
Gëzuar të gjithëve! ”, shkruan presidentja Osmani. / KultPlus.com
Sot mbushen 111 vjet nga dita kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë. Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.
Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar.
Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.
28 Nëntori i vitit 1912 shënon një kthesë historike për popullin shqiptar, sepse nga njëra anë mori fund sundimi gati pesëshekullor i Perandorisë Osmane, nga ana tjetër u krijuan kushtet e reja politike për të dalë nga prapambetja e madhe dhe për zhvillimin e tij më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor.
Shpallja e Pavarësisë ishte një fitore e madhe e shqiptarëve edhe kundër politikës antishqiptare të monarkive fqinje ballkanike, kundër synimeve e planeve të tyre për copëtimin e plotë të Shqipërisë. Shpallja e Pavarësisë dhe ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë ishte fitore e përbashkët për të gjithë popullin shqiptar dhe për të gjitha forcat që kishin marrë pjesë në luftën për çlirimin kombëtar, me pushkë dhe me penë.
Për nder të festës së 28 Nëntorit, Komuna e Prishtinës ka planifikuar të organizoj disa aktivitete të rëndësishme.
Më poshtë është agjenda e ngjarjeve në kryeqytet:
10:00 Seanca solemne në Kuvendin Komunal
Respektimi i himneve
– Himni i Kosovës – Himni i Shqipërisë
– Dy pika muzikore
10:10 Hapja e seancës nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, Pëllumb Bajçinovci
10:15 Fjala e ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj 10:30 Fjala e kryetarit të Kryeqytetit, Përparim Rama
10:45 Foto në grup 10:50 Përfundimi i seancës 12:00 Libri shumëngjyrësh- teatri “Dodona” Shfaqje për fëmijë. 12:30 Ecje e kryetarit përgjatë sheshit në festimet e Kryeqytetit 13:00 Koncerti në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe shpalosja e flamurit – Performansë nga Nusret Muçiqi – Shpalosja e flamurit te hoteli “Grand” – Performansë nga grupi “Çamëria” – Performancë nga grupi “Labëria”
28 Nëntori nuk bën pjesë në kalendarin e festave zyrtare të Kosovës, ani pse kjo ditë festohet çdo herë dhe e njëjta shpallet ditë pushimi për të gjitha institucionet shtetërore. Historianë, edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës po kërkojnë që kjo festë të jetë pjesë e kalendarit të festave zyrtare.
Sipas tyre, në këtë formë po cenohen vlerat kombëtare.
Dita e Flamurit, 28 Nëntori, shënohet pothuajse kudo që flitet shqip.
Kjo datë në të cilin në vitin 1912 është shpallur pavarësia e shtetit shqiptar në katër vilajetet shqiptare, përbën edhe histori të tjera për shqiptarët.
Me 28 Nëntor është ditëlindja e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari dhe data kur UÇK doli për herë të parë publikisht, në vitin 1997 në varrimin e mësuesit Halit Geci në Llaushë të Drenicës.
Krejt këto bëjnë që emocionet e shqiptarëve në Kosovë në këto ditë nëntori të jenë të mëdha, dhe pothuajse çdo gjë merr ngjyrën e festës.
Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, në shkurt të vitit 2008, u vendos që festë zyrtare të jetë 17 Shkurti, dhe 28 Nëntori mbeti vetëm tek festat memoriale. Kjo doli nga pakoja e Ahtisaarit, përmes së cilës edhe u shpall pavarësia.
Derisa 28 Nëntori nuk bënë pjesë në kalendarin zyrtar të festave në Kosovë, aty ka data të tjera që shënohen me festë dhe ditë pushimi, por që konsiderohen si të panevojshme.
Aktualisht shteti i Kosovës ka 11 festa zyrtare: Vitin e Ri, Krishtlindjet Ortodokse, Ditën e Pavarësisë së Kosovës, Pashkët Katolike, Pashkët Ortodokse, Ditën e Kushtetutës, Ditën Ndërkombëtare të Punës, Ditën e Evropës, Bajramin e Madh, Bajramin e Vogël, dhe Krishtlindjet Katolike.
Festat si Dita e Kushtetutës, Dita e Evropës, apo 1 Maji, po konsiderohen të panevojshme në Kosovë, që të jenë festa zyrtare dhe në të njëjtat të jenë ditë pushimi. / KultPlus.com
Ti në kanape tani dremit Ndofta gjumi ende s’të ka zënë, Abazhuri mbi qerpikë ndrit Libri nga gishtërinjtë të ka rënë.
Para teje ndal mendimi im: Jemi dashuruar edhe sharë Jemi ndarë shpesh në udhëtim, Por drejt njeri-tjetrit kemi ngarë.
Dhoma hesht e rruga larg gjëmon Ti sheh ëndrra kaltëroshe shumë Unë, ndonëse pi dhe mogadon,
Mezi fle, se jam njeri pa gjumë. Të kam pasur ëndërr çast e orë, Ëndërr të trishtuar dhe të mire Po të jem vërtetë një Pitagorë Ti je teorema më e vështirë… /KultPlus.com
“Poezia, praa, si u paa, (e prandej deshtme ktû me folë pak si gjatë mii burrim t’sajë), âsht jehi i shpirtit t’nierit: pse ajo, n’gurrë t’vet s’âsht tjeter veç se nji fshâme qi ep shpirti, kuur kndellet n’ shkelxim t’rrezeve t’bukuriës. E tujë kênë se shkelximi i bukurtës i tfaqet nierit mas gjênjes s’shpirtit, a se mas zhdrivillimit t’mêndjes e t’shies estetetike t’tii: t’gjith nierzt nuk e kuptojnë bukuriën si nji nji: çiltas duket se shpirti i nji popullit, njifet mâa s’mirit prejë Poeziës popullore.”
Në vigjilje të Ditës së Flamurit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK) u mblodhën sërish në Prishtinë, për të prezantuar ekspozitën e radhës, “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës në dokumente arkivore”.
Të pranishëm në këtë aktivitet të zhvilluar në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ishin drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, homologu i tij, Bislim Bislimi, studiues, përfaqësues të institucioneve bashkëpunëtore dhe qytetarë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Bido theksoi se bashkëpunimet e këtyre përmasave, përkojnë me vizionin e kësaj date historike për një Shqipëri të bashkuar.
”Në këtë vigjilje të Ditës së Flamurit, që është edhe dita kur në mënyrë të vijueshme shqiptarët treguan se janë bashkë, të jemi sot në Prishtinë e nesër në evenimentet që do të organizohen në Tiranë, për të kremtuar Shqipërinë e pandarë nga kufijtë e imponuar prej të tjerëve, kufijtë artificialë politikë. Nesër do të festojmë ditën e Skënderbeut, të Pavarësisë, do të festojmë 28 nëntorin e Adem Jasharit, që po ashtu dha jetën për shqiptarinë”, u shpreh kreu i DPA-së.
Më tej, Bido shtoi se kremtimi i përbashkët i këtyre ngjarjeve me rëndësi kombëtare, dëshmon se nuk ka kufij kulturorë në hapësirën shqiptare.
“Komiteti është një nga organizatat politike më të mëdha që është krijuar ndonjëherë në trojet shqiptare, me përbërje të shqiptarëve të të gjitha trojeve, që ngritën zërin për Kosovën e shqiptarisë që ndodhej nën syrgjynosjen e Jugosllavisë. Është kënaqësi që sot përkujtojmë punën e palodhur të këtyre burrave dhe grave që mundësuan që identiteti shqiptar të mbijetonte në kushtet më të vështira të trevave të pushtuara. Janë themelet mbi të cilat Kosova do të ishte e pavarur 100 vite më vonë. Sot, kur shqiptarët gjenden në periudhën më të mirë të ekzistencës së tyre kombëtare, institucionet tona janë bashkarisht për të kremtuar këto data të rëndësishme të historisë kombëtare, që nuk kanë kuptim po u vendosëm kufij politikë. Nuk ka kuptim t’i ndjekim ata që tentojnë të krijojnë identitete të reja, shqiptariste ose kosovariste, në rrugët qorre që bëjnë”, përfundoi Bido.
Në fjalën e marrë, Bislimi vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm me DPA-në dhe nënvizoi se përmes ekspozitave të paraqitura, festat kthehen në momente reflektimi mbi idealet kombëtare. “Po takohemi sërish, pas katër ditësh, për të prezantuar një ekspozitë të radhës me një tematikë kuptimplotë. Kthimi në kujtesë i punës dhe i kontributit historik të Komitetit ‘Mbrojtja Kombëtare e Kosovës’ përmes dokumenteve arkivore, është padyshim është një gjetje e rëndësishme për t’i kthyer festat e nëntorit të lavdishëm të shqiptarëve në momente reflektimi për secilën nga veprimtaritë e rëndësishme që lanë gjurmë dhe përjetësuan idealet kombëtare,” tha Bislimi.
Materialet dokumentare dhe fotografike të ekspozuara ilustrojnë angazhimin dhe kontributin e anëtarëve të Komitetit në drejtim të mbrojtjes së shtetit të pavarur shqiptar dhe arritjes së lirisë së Kosovës.
Ky aktivitet u mbajt në kuadër të 111-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë./atsh/KultPlus.com
Personat optimistë kanë më shumë gjasa të jetojnë më gjatë sesa ata që kanë një qasje më negative ndaj jetës, ka gjetur një studim amerikan.
Njerëzit pozitivë kishin më shumë gjasa të jetonin deri në moshën 85 vjeçare ose më shumë.
Teoria është se optimistët mund ta kenë më të lehtë të kontrollojnë emocionet dhe kështu të mbrohen nga efektet e stresit.
Studiuesit thanë se pesimistët mund të përfitojnë duke bërë gjëra të tilla si imagjinata e një të ardhme, ku gjithçka rezulton mirë.
Studimi përdori dy grupe ekzistuese të njerëzve të rekrutuar për studime të ndryshme – 70,000 gra në Studimin e Shëndetit të Infermierëve dhe 1.500 burra në Studimin e Shëndetit të Veteranëve, transmeton Klan Kosova.
Hulumtuesit vlerësuan nivelet e tyre të optimizmit, si dhe shëndetin e tyre të përgjithshëm. Ata gjithashtu janë pyetur në lidhje me stërvitjen dhe dietat, si dhe sa shumë pinë duhan dhe alkool.
Mesatarisht, burrat dhe gratë më optimiste kishin një jetëgjatësi më të gjatë prej 11-15%, dhe kishin më shumë gjasa të jetonin në 85 krahasuar me grupin më pak optimist.
Ndërsa dihet shumë për faktorët e rrezikut për sëmundje dhe vdekje të hershme, shumë më pak kuptohet për ato që studiuesit i quajnë “faktorë psikosocial pozitivë” që mund të mundësojnë plakjen e shëndetshme./ KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur sot në Këshillin e Atlantikut mbi sfidat e rajonit dhe perspektivën evropiane të vendit dhe rajonit.
Rama u shpreh se “nesër është përvjetori i 111-të i Pavarësisë sonë dhe besoj që Shqipëria nuk ka qenë kurrë më mirë, por po kështu edhe rajoni nuk ka qenë kurrë më mirë”.
Ai tha se edhe Shqipëria dhe rajoni kanë nevojë shumë më tepër për të ndjerë për të qenë shumë më mirë.
“Kemi sfida që shtrihen përpara nesh dhe jam një person që beson fort te fakti që nuk mund të mendosh të jesh më mirë në këtë rajon, pa menduar të bësh një rajon më të mirë. Në këtë botë që është kaq e ndërlidhur, na duhet të mësojmë dhe të punojmë me bindjen e fortë se ajo çfarë na duhet të bëjmë është si përmirësimi i vendit tonë, rajonit dhe botës. Në të kundër të bësh njërën pa tjetrën nuk funksion”, tha kreu i ekzekutivit në një lidhje direkte nga Vlora.
Rama vuri në dukje se “kemi probleme për të zgjidhur. Kemi ende një elefant të madh në dhomë që ende nuk na jep atë pjesëzën e fundit që është njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”.
Ai shtoi se “kjo copëz politike më e vështira deri më sot në rajon, ka treguar se është vërtetë e domosdoshmëri. Në të kundërt kanë ndodhur hapa pas e mangësira, të cilat do të vazhdojnë të ndodhin”.
“Në kontekstin më të gjerë, në kuadër të agresionit rus në Ukrainë, dhe së fundmi në luftën mes Izraelit dhe Hamasit, efektet mund të jenë edhe më negative nëse nuk përqendrohemi dhe punojmë natë e ditë për ta mbajtur konfliktin jashtë kufijve të rajonit tonë”, deklaroi kryeministri Rama.
Më tej, Rama deklaroi se çështja mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të zgjidhet përfundimisht me njohjen e plotë të pavarësisë së Kosovës dhe vendosjen e paqes.
“Ne jemi një rajon shumë fetar. Shqipëria është një vend shumë fetar, ku myslimanët e të krishterët jetojnë në harmoni dhe deri më tani ky ka qenë aseti ynë fantastik, si një bazë për një shoqëri tolerante. Ja pse besoj pse lufta midis Izraelit dhe Hamasit është vërtetë e rrezikshme, sepse Hamasi dhe të tjerë që e mbështesin Hamasin janë agjentë të vërtetë kaosi dhe ky kaos që duan ta përhapin kudo jo vetëm në Lindjen e Mesme, mundet të ndikojë edhe rajonin tonë, në qoftë se nuk jemi plotësisht të vetëdijshëm për këtë dhe nëse nuk bëjmë gjërat në mënyrën e duhur për ta mbajtur kaosin jashtë dhe parandaluar që konflikti të na përfshijë të gjithëve”, shtoi ai.
“Kjo situatë që është përmirësuar shumë nëse marrim në konsiderate që deri 10 vjet më parë ne nuk flisnim as me njëri-tjetrin, duhet të trajtojë e të zgjidhë këtë çështje midis Kosovës dhe Serbisë me një njohje të plotë të Kosovës dhe praktikisht me paqen përfundimtare”, nënvizoi Rama.
Kryeministri solli në vëmendje se “ajo çfarë ndodhi në ngjarjen tejet tragjike pak muaj më parë, ishte absolutisht një shenjë shumë e fortë dhe një kambanë e mirëfilltë alarmi e potencialit që ka një çështje e tillë e pazgjidhur për t’u bërë një çështje vendimtare në rrezikimin e paqes dhe bashkëpunimit rajonal. Është shumë e qartë përgjegjësia jo vetëm e personave të përfshirë drejtpërdrejt në veprimet kriminale, por edhe përgjegjësi e Beogradit i cili nuk e dënoi, por në të kundërt shpalli ditë zie kombëtare në nder të këtyre kriminelëve. Megjithatë, edhe një herë, duhet të mos biem pre e konfrontimeve, e përshkallëzimeve, por të trefishojmë përpjekjet për t’u normalizuar dhe të bërë paqe”./rtk/KultPlus.com
Santino de Bartolo është një arbëresh i cili do të jetë i pranishëm në koncertin e 28 Nëntorit, ndërkohë që Shqipëria feston 111 –vjetorin e pavarësisë së saj, por do jetë i pranishëm edhe në festivalin e dhjetorit.
Ai ishte i ftuar këtë të diel në “Review” në Euronews Albania ku ka dhuruar edhe një performancë shumë të bukur në shqip.
Kitaristi tha ndër të tjerat se do donte të mësonte shqip, ndërsa ka zbuluar se ka bërë tatuazh simbolin tonë, shqiponjën.
Ai gjithashtu ka treguar se përse është bërë pjesë e festivalit të dhjetorit
“Ishte një ide e improvizuar e imja, kisha dëshirë të merrja pjesë në festivalin e këngës. Kjo është një aventurë, është një fitore për mua të jem pjesë në këtë festival”, tha De Bartolo./euronewsalbania/ KultPlus.com
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama sot në ‘Ditën e Forcës’ ka thënë që kjo është një ditë e veçantë për të nderuar guximin e pjesëtarëve të ushtrisë së Kosovës.
Këto fjalë Rama i ka thënë përmes një postimi në facebook.
“Urime Dita e Forcës Kosovë! Me krenari dhe respekt, festojmë Diten e Forcës, Ushtrisë së Kosovës! Një ditë e veçantë për të nderuar guximin, përkushtimin dhe profesionalizmin e pjesëtarëve të ushtrisë, të cilët me krenari mbrojnë vendin tonë. Jemi krenarë me FSK-në”, ka shkruar Rama./KultPlus.com
Një nënë australiane bëri gabimin e madh duke shitur një vepër arti për 200 dollarë para se të kuptonte se në fakt vlen 10 herë më shumë.
Sarah Bonner, nga Gold Coast, zbuloi se fillimisht kishte listuar pjesën abstrakte bardh e zi për 100 dollarë në Facebook Marketplace.
“Ai mbërriti vonë pasdite. Ai bisedoi dhe ishte vërtet i këndshëm”, tha nëna për Buletinin Gold Coast.
Megjithatë, të nesërmen, Bonner u informua nga dikush që e kishte parë reklamën e saj në internet se vlera aktuale e pikturës ishte 200,000 dollarë.
Duket të jetë një nga 200 veprat e koleksionit të Soulages të vitit 1957, “Lithografia nr. 3”, nga artisti dhe skulptori shumë i njohur francez Pierre Soulages.
Ai njihej gjithashtu si “mjeshtri i të zezës” dhe fatkeqësisht vdiq vitin e kaluar.
Ndërsa nuk dihet se sa pagoi fillimisht vendasja e Gold Coast për këtë pjesë, ajo i tha medias në Queensland se absolutisht do ta kishte rritur çmimin nëse do ta dinte origjinën e saj të vërtetë.
Në mënyrë të ngjashme, disa vite më parë, një grua bleu një pikturë për 4 dollarë në një dyqan të parave në New Hampshire, vetëm për të kuptuar se vlente 250,000 dollarë. / KultPlus.com