Bebe Rexha publikon pamjet nga Parada e Shqiptarëve në SHBA për 28 Nëntorin


Urimeve për 111 vjetorin e Pavarësisë i është bashkuar edhe këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha.

Këngëtarja ka postuar në Instagram një video nga parada e shqiptarëve me makina në Amerikë. Shqiptarët me flamurin kuqezi kanë dalë në rrugë dhe kanë festuar.

Krahas postimit Bebe shkruan në shqip: “Urime 28 Nëntori”, të cilën e shoqëron me këngën “Mora fjalë”. / KultPlus.com

Gjergj Kastrioti është Alfa dhe Omega i kombit tonë arbëror europian

Me këtë flamur arbëror kryezoti dhe kryeheroi ynë Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) shpalli lirinë dhe pavarësinë e Arbërisë.

Po me këtë flamur ai e mbrojti civilizimin e përbashkët të kombeve europiane.

Ky flamur u bë simbol i ynë i shenjtë.

Simbol i lirisë, i pavarësisë, identitetit kombëtar europian dhe frymëzimit.

Gjergj Kastrioti është Alfa dhe Omega i kombit tonë arbëror europian.

(Imazhi bashkëngjitur është nga vepra e M.H.H.L, e vitit 1588, dhe është botuar edhe në librat e Gjon Kekës, kushtuar jetës dhe veprës së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.) / KultPlus.com

Jennifer Lopez shfaq kopertinën e parë të albumit “This Is Me… Now”

Jennifer Lopez doli në rrjetet sociale të martën në mbrëmje për të ndarë një vështrim të parë në një nga kopertinat e albumit të saj të ri “This Is Me… Now”.

Këngëtarja 54-vjeçare, e cila ndau një video ngacmuese për projektin gjatë fundjavës, dukej magjepsëse me një stil flokësh të theksuar e të lëshuar mbi supe.

Ajo vendosi duart e saj nëpër flokët e saj, ndërsa i jepte kamerës një shikim të zjarrtë, shkruan DailyMail.

Këngëtarja e rritur në Bronx kishte veshur një bluzë të zezë, e cila ngacmonte dekoltenë e saj modeste teksa tregonte një gjerdan Chanel.

Në një mbishkrim për 253 milionë ndjekësit e saj në Instagram, ajo shkroi: “Kjo jam unë… tani. I para nga shumë kopertina të tjera të albumit.”

Ditët e fundit, JLo ka rritur publicitetin për rikthimin e saj në muzikë, duke krijuar pritje për incizimin e ri.
Koleksioni i këngëve të reja është frymëzuar nga martesa e saj me bashkëshortin Ben Affleck, me të cilin historia e saj e dashurisë filloi dy dekada më parë.

Të hënën, artistja dhe aktorja ndau një video me një pjesë të këngës së saj “Can’t Get Enough”.
Në dalje ajo veshi xhinse të gjera dhe çizme, një shenjë për edukimin e saj në New York./ KultPlus.com

AIDSSH kujton çlirimtarët: Persekutorët dënohen nga historia, të zgjedhurit bëhen pika referimi

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷199, në 79-vjetorin e Çlirimit shprehet se “sot është dita kur kujtojmë çlirimin e vendit nga pushtuesi nazist më 29 nëntor 1944 dhe përkulemi me respekt para atyre që ranë dëshmorë në luftën për liri të vendit”.

“Çështja e datës së çlirimit mbetet ende ndër më të debatuarat në dekadat pas-komunizmit, por edhe vetë tema e luftës antifashiste mbetet e tillë. Siç pohojnë historianët, studimet shkencore përshkruhen nga “tendenca e hapur politike e klasore, gjë që i ka dëmtuar në frymë dhe deformuar ato në përmbajtje”, thuhet në deklaratën e Autoritetit.

Autoritetit kujton disa prej emrave që kontribuan në Luftën Nacional-Çlirimtare të vendit, por që pushteti i ri i pas luftës i ndëshkoi për shpirtin e tyre demokrat dhe përparimtar.

Shumë prej intelektualëve dhe deputetëve që u ekzekutuan a dënuan në gjyqet e viteve 1947-1948 e kishin mbështetur dhe ndihmuar luftën nacionalçlirimtare dhe drejtuesit e saj.

Autoriteti rikujton disa nga emrat e sjell në vëmendje nga gazetarja Fatmira Nikolli ne tregimin e saj përgatitur për ekspozitën e AIDSSh-së : “Të zgjedhurit-76 vite nga dënimet që heshtën demokracinë”, mbajtur në 12 tetor 2023 në ambientet e parlamentit në kujtim të deputetëve opozitarë.

Deputeti Shefqet Beja ishte pjesëmarrës aktiv në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, ekonomist e financier, kontribuoi në daljen e gazetës “Bashkimi” organ i Frontit Nacionalçlirimtar, ishte nën President i Frontit Nacionalçlirimtar (Fronti Demokratik). Arrestohet në gjyqin e parë që njihet si grupi i deputetëve dhe pas disa muajsh hetim dhe gjykim, dënohet me vdekje, varje.

Në shtëpinë e Kol Kuqalit me dy djem dëshmorë, ishin mbajtur takime nga rezistenca, në shtypshkronjën e Loni Adamit ishte shtypur gazeta “Zëri i Popullit”, doktor Enver Szani dhe farmacisti Sulo Konjari qenë me partizanët ose kishin kuruar të plagosurit. Të gjithë ishin antifashistë, por jo të gjithë ishin komunistë. Mes të dënuarve, pos Halit Gjolenës, edhe dy të tjerë ishin komandantë lufte, Islam Radovicka dhe Mestan Ujaniku.

Radovicka u lidh me luftën nacionalçlirimtare në vitin 1943 kur u caktua komandant i zonës Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër, mori pjesë në luftën e Drashovicës dhe ishte komandant i trupave për çlirimin e Sarandës ku dhe u plagos. Pati detyra të ndryshme deri sa u bë kolonel më 1944 dhe deputet më 1945. U arrestua me akuzën se u kishte dhënë informacione ushtarake amerikanëve.

Po ashtu, Mestan Uljaniku, i njohur si legjenda e Skraparit, është themelues i një prej çetave të para antifashiste në Shqipëri, që luftoi për çlirimin e Çorovodës. Mestani do të emërohej komandant i Shtabit të Qarkut të Beratit, ndërsa pas çlirimit mbajti detyra të ndryshme; emërohet nënkolonel pranë Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë, më tej transferohet në Shkodër derisa gjyqi e dënon me burg, ku edhe vdes.

Një fat tragjik pati edhe një tjetër antifashist i lidhur me luftën që ia dhanë  pafajësinë pas vdekjes.

Avdyl Bani, partizan më 1943, arrestohet më 1947 dhe vdes në hetuesi për shkak të torturave. 24 vite pas vdekjes së tij, ngjarja pranohet në një dokument sekret të 18 gushtit 1971 bashkangjitur dosjes 1393.

“Persekutorët dënohen nga historia, të zgjedhurit bëhen pika referimi”, thekson Autoriteti./ atsh / KultPlus.com

Puna shkencore e Krenar Dolit, që lidhet me vendlindjen e tij Gjakovën, botohet në gjuhën angleze

Etnomuzikologu nga Instituti Albanologjik, Krenar Doli, një pjesë të mirë të studimeve të tij ja ka kushtuar Gjakovës e në veçanti është fokusuar në veshjet e grave dhe burrave të qytetit të Gjakovës.

Doli ka bërë të ditur sot se puna e tij kërkimoro – shkencore, me disa punime studimore të përzgjedhura, ka parë dritën e botimit edhe në gjuhën angleze.

Në ketë përmbledhje punimesh gjenden gjashtë punimet e fundit të Krenar Dolit, të botuara së fundi në vendet e ndryshme të botës, të cilat lidhen me vendlindjen e tij, Gjakovën, e që shtëpi botuese Eliva Books e pa të arsyeshme t’i botoj në një përmbledhje të veçantë punimesh.

Doli është shprehur shumë i lumtur për këtë publikim të ri në gjuhën angleze dhe shumë falënderues për të gjithë ata që e ndihmuan në këtë rrugëtim.

“Jam tej mase i lumtur, i emocionuar dhe i nderuar që puna ime kërkimoro – shkencore sot me disa punime studimore të përzgjedhura pa dritën e botimit edhe në gjuhën angleze.

Në ketë përmbledhje punimesh gjenden gjashtë punimet e fundit të miat të botuara së fundi në vendet e ndryshme të botës, të cilat lidhen me vendlindjen time, Gjakovën, e që shtëpi botuese Eliva Books e pa të arsyeshme t’i botoj në një përmbledhje të veçantë punimesh.

Me anë të këtij postimi gjej rastin t’a falënderoj nga zemra editorën e kësaj shtëpie botuese, Olga Sabazova, për përkushtimin e saj dhe për punën e saj këmbëngulëse në arritjen e kësaj marrëveshje bashkëpunuese. Gjithashtu dua të shpreh mirënjohje e falenderime për të gjithë ata persona që më ndihmuan në rrugëtimin tim te deritashëm.

Ju falenderoj nga zemra!”, shkruan Doli.

Libri mund të gjendet në:

https://www.elivabooks.com/en/book/book-1592515082

https://www.amazon.com/dp/B0CNLHV62G / KultPlus.com

“Mora fjalë” vjen edhe në versionin për piano nga Durim Rrahmani (VIDEO)

Kënga legjendare “Mora fjalë” kushtuar heroit Adem Jashari, e kënduar ndër vite nga Shkurte Fejza, tashmë është kthyer në një këngë që na përcjellë në çdo festë kombëtare e madje këtë vit u këndua live edhe në stadiumin Air Albania Stadium në ndeshjen Shqipëri – Çeki.

Kësaj radhe, “Mora fjalë” na vjen në versionin për piano nga pianisti Durim Rrahmani për nder të festës së 28 Nëntorit.

Pianisti është shprehur se ky është versioni i parë i këtij lloji.

“Për nder të festës së 28 nëntorit e kam sjell këngën “Mora Fjalë” në verisonin për piano që është e para e këtij lloji, një version artistik pa melizma të muzikës orientale”, thotë pianisti.

Edhe në këtë version, kënga “Mora fjalë” vjen mjaft emocionuese e të cilën Rrahmani e ka shoqëruar edhe me një video. / KultPlus.com

Blinken uron Shqipërinë: SHBA, krenare që punon me ju

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka uruar Shqipërinë për 111-vjetorin e Pavarësisë.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, uroj qeverinë dhe popullin e Shqipërisë dhe ju uroj një festë të gëzuar për 111-vjetorin e Pavarësisë. Shtetet e Bashkuara janë krenare që punojnë me ju si aleatë dhe partnerë të NATO-s të angazhuar për të forcuar përpjekjet e Shqipërisë për reformën në drejtësi, për të çuar më tej bashkëpunimin tonë për sigurinë kibernetike dhe për të vazhduar mbështetjen tonë të palëkundur për Ukrainën përballë luftës së agresionit të Rusisë”, thuhet në deklaratën e publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Sekretari Amerikan ka shprehur gjithashtu falenderime për mirëpritjen e afganëve dhe shprehu mbështetjen për anëtarësimin drejt BE-së.

“Ne ju falënderojmë për mirëpritjen tuaj bujare dhe me zemër të hapur të afganëve dhe mbështesim fuqishëm integrimin tuaj të plotë në komunitetin euroatlantik, veçanërisht përmes përparimit në reformat e sundimit të ligjit dhe drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”,është shprehur ai.

Zgjedhja e fundit e Shqipërisë në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, thekson Blinken, është një shenjë respekti ndërkombëtar për përparimin e fuqishëm që ka bërë kombi juaj në dekadat e fundit dhe një njohje e shërbimit të tij shembullor në 2015-2017.

“Ne jemi krenarë që shërbejmë përkrah Shqipërisë dhe presim me padurim të punojmë së bashku për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut në mbarë botën. Lidhjet midis kombeve tona, të bazuara në vlerat, kulturën dhe miqësinë e përbashkët mbeten të qëndrueshme. Le të vazhdojë të përparojë puna jonë së bashku”, ka deklaruar Blinken./ KultPlus.com

Shqipëria feston sot 79-vjetorin e Çlirimit, Rama uron qytetarët

Shqiptarët festojnë sot 29 Nëntorin, 79-vjetorin e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë.

Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë për festën e madhe të Çlirimit.

Në përkujtim të kësaj dite, pritet që krerët e shtetit të kryejnë homazhe në Varrezat e Kombit në nder të dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare.

Gjithashtu do të zhvillohen edhe disa aktivitete të tjera, ku në sheshin “Skënderbej”, do të mbahet sonte koncert festiv ose siç njihet ndryshe Nata e Bardhë.

Këtë datë politika e feston e ndarë. Të majtët respektojnë 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë dhe 29 Nëntorin si Ditën e Çlirimit, ndërkohë që të djathtët i përkujtojnë të dy festat më 28 Nëntor.

Prej 7 prillit 1939, Shqipëria gjendej nën vargonjtë e pushtimit fashist. Pas kapitullimit të Italisë në vjeshtë të vitit 1943, vendi pushtohet nga forcat gjermane.

Në dalje të nëntorit 1944, pas çlirimit të Tiranës, u çliruan edhe një pjesë e konsiderueshme e qyteteve në veri. Çlirimi i Shkodrës shënoi edhe ditën e çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi gjerman. / atsh / KultPlus.com

‘Zoti është shqiptar’, Ballist Morina sqaron banderolën e kritikuar

Në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Ishujve Faroe, në stadium u shfaq një banderolë me shprehjen “Zoti është shqiptar”, e thënë nga tifozi Ballist Morina.

Kjo deklaratë që mori shumë vëmendje dhe reagime të shumta, u sqarua për “Ftesë në 5” nga vetë Morina.

Tifozi tha se qëllimi i kësaj banderole nuk është negativ dhe se e kanë keqkuptuar. Një temë që u bë diskutim në rrjete sociale apo emisione nga komentues të ndryshëm por edhe futbollistë, duke e quajtur si veprim të tepruar.

“Zoti është shqiptar është sinonim i shprehjes së Pashko Vasës “Oj Shqipëri e mjera Shqipëri”. Unë jam mysliman. Një pjesë e shoqërisë se klerikëve më kanë keqkuptuar. Shprehja është metaforike. Nuk tregon realisht atë që shihet shabllon. Po jetojmë në një moment shumë të vështirë. Kjo ka qenë një mesazh përbashkues, komplet e kundërta nga çfarë jam akuzuar nga disa nga klerikët që më kanë akuzuar.  Zoti është i të gjithëve”, tha Morina./topchanel/KultPlus.com

‘Folk Fest’, koncerti që bashkon shqiptarët

Në Tiranë mbahet Folk Fest, koncert që ka bashkuar 500 artistë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Arbëreshët e e Italisë.

Ministria e Kulturës së Shqipërisë, njofton se në këtë koncert, artistët janë veshur me kostume popullore, me flamurin e Skënderbeut e të Ismail Qemalit.

“Grupe nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Arbëreshët, bëhen bashkë me më të mirat e Festivalit Mbarëkombëtar Folklorik të Gjirokastrës! 28 nëntori është dita e bashkimit!”, shkruhet në njoftimin e  Ministrisë së Kulturës.

Në mesin e personaliteteve dhe të ftuarve të shumtë, po merr pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Kryeministri Kurti: Prekazi, kryeqytet i kryengritjes shqiptare

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” me rastin e festës së 28 Nëntorit.

Në një prononcim para gazetarëve, ai ka thënë se Prekazi me epopenë e UÇK-së është shndërruar në kryeqytet të kryengritjes shqiptare, raporton Klan Kosova.

“Bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, nga Vlora erdhëm në Prekaz e pas Prekazit do të shkojmë në Prishtinë, ku kemi një koncert të filarmonisë, pra edhe dje kur kishim ditën e Ushtrisë sonë, edhe sot që e kemi 28 Nëntorin, këtë festën më të madhe të kombit shqiptar, kemi aktivitete të dendura publike, kulturore, historike. Në të njëjtën kohë po zhvillohet në Prishtinë edhe një diskutim interesant, me dy panelistë për 28 Nëntorin, në njërën anë është deputeti Ardian Gola dhe në anën tjetër është historiani Durim Abdullahu. E nesër mbrëma, sepse nuk kemi mundur t’i kemi të gjitha aktivitetet më 28 Nëntor, do ta shfaqim edhe filmin ‘Nëntori i Dytë’ në versionin përfundimtar të restauruar”, ka thënë Kurti.

Tutje, ai ka thënë se në këtë datë, përveç Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, kujton dhe përkujton edhe ditëlindjen e krye-komandantit Adem Jashari dhe njëkohësisht shpalljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Prekazi me epopenë e UÇK-së është shndërruar në kryeqytet të kryengritjes shqiptare dhe këtu ne e kuptojmë se sa i lartë ka qenë flijimi, sakrifica, çmimi për lirinë të cilën e gëzojmë, e ndaj të cilës duhet të sillemi me përgjegjësi institucionale dhe qytetare”, ka shtuar ai.

Në fund ai lartësuar familjen Jashari në krye me Adem Jasharin, UÇK-në dhe të gjithë dëshmorët e kombit./klankosova/KultPlus.com

Presidenti Begaj: Kemi fatin të kemi dy shtete shqiptare në rajon

Presidenti Bajram Begaj ka organizuar një pritje në Pallatin e Brigadave në kuadër të 111-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, ku morën pjesë zyrtarët më të lartë të shtetit.

Në fjalën e tij, Begaj pati edhe një mesazh për politikën, duke i kërkuar që të gjejnë kompromisin për t’i shërbyer qytetarëve.

“Bëj thirrje për përfaqësuesit e shqiptarëve në Kuvend që kokulur të punoni për një Shqipëri që sundohet nga ligji, që ka prioritet të mirën e të gjithëve. Në jetën tuaj parlamentare të udhëhiqeni nga interesi kombëtar mbi dallimet ideologjike, nga kompromisi dhe jo nga konfrontimi, nga përgjegjësia për të ardhmen dhe dashuria për Atdheun”, tha Begaj.

Për kreun e shtetit, 28 Nëntori është ditë kujtese, teksa theksoi se Shqipëria është para sfidave të ndërtimit të politikave strategjike brenda e jashtë vendit.

“28 Nëntori është dita e kujtesës dhe nderimet për të shkuarën dhe frymëzimin për të ardhmen. Sot është dita që të kujtojmë me mirënjohje sakrificën e shkruar me gjak të patriotëve shqiptarë. Një vend i vogël, aktor paqeje në marrëdhëniet ndërkombëtare, Shqipëria është para sfidave të ndërtimit të politikave strategjike brenda e jashtë vendit. Këto kanë të bëjnë së pari me përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë dhe finalizimit të integrimit në familjen europiane. Zhvillimet më të fundit në arenën ndërkombëtare kanë treguar se paqja nuk është asnjëherë e sigurt dhe mirëqenia asnjëherë e mjaftueshme”, theksoi Begaj.

Presidenti bëri thirrje edhe për bashkëpunim sa më të ngushtë me Kosovën.

“Kemi fatin të kemi dy shtete shqiptare në rajon. Bashkëpunimi me Kosovën, në pozita të barabarta si dy shtete të një kombi, duhet të jetë sa më i ngushtë, simetrik dhe përplotësues”, u shpreh Begaj./ RTSH/KultPlus.com

Barbarët e historisë së kulturës kosovare (VIDEO)

Katër objekte shekullore që u bënë ballë luftërave, nuk i rezistuan edhe lirisë.

Në më pak se tetë muaj, katër ndërtesa të trashëgimisë kulturore u kapluan nga flakët, ani se që të gjitha ishin në mbrojtjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

E bashkë me to u dogj edhe një pjesë e rëndësishme e kulturës dhe historisë që mbartin ato me dekada të tëra.

Më 14 mars, në orët e hershme të mëngjesit, shkolla e parë shqipe në Ferizaj, apo ish-gjimnazi “Ismail Qemali”, u përfshi nga flakët.

Flakët e kapluan atë vetëm 24 orë nga koha kur edhe kishte nisur restaurimi i saj.

Dëmet ishin të mëdha, derisa kjo ishte hera e pestë e djegies së këtij institucioni historik arsimor.

Për këto zjarre që kapluan objektin e shkollës shqipe, u fol shumë e u aludua se ishin të qëllimshme. Madje sipas qytetarëve në Ferizaj, zjarrvëniet e 2017 e 2019 kishin cak shkatërrimin e objektit, por në mënyrë që në atë tokë të ndërtohen ndërtesa të larta.

Por edhe pse kanë kaluar kaq shumë muaj, ende nuk është arrestuar askush, megjithëse thuhet se zjarrin e shkaktoi një person me probleme psikike.

Pak muaj më vonë, në Gjakovë, një tjetër objekt historik pati fatin e shkollës së parë shqipe.

Muzeu i muzikës në Gjakovë, i vetmi i këtij lloji në rajon, u bë shkrumb e hi.

Intervenimet e shpejta të zjarrfikësve në natën e 30 gushtit, nuk arritën të shpëtonin asgjë. Objekti ishte i ndërtuar nga druri dhe kjo bëri që flakët të përpinin në pak minuta.

Fati tragjik i objekteve të vjetra, që janë kryesisht në zonat me interes të ndërtimit të lartë e preku edhe një objekt tjetër.

Pa kaluar dy muaj, Mitrovica u zgjua në flakë, shtëpia më e vjetër në këtë qytet, ajo e familjes Koroglu, u dogj e tëra.

Historia ishte pothuajse e njëjtë me atë të djegies së shkollës së parë shqipe në Ferizaj, edhe në objektin e familjes Koroglu kishin nisur punime për konservimin e saj, pasi nga lagështia shtëpia kishte humbur një pjesë të saj.

Flakët e 31 tetorit ishin të pamëshirshme.

Listës së ndërtesave të djegura të trashëgimisë kulturore në muajin shtator iu shtua edhe djegia e shtëpisë më të vjetër në Gjilan, e cila kishte 200 vjet qëndresë.

Edhe kjo shtëpi ishte në mbrojtje të përkohshme të Trashëgimisë Kulturore të Republikës së Kosovës dhe po ashtu u tha se shkaktar i zjarrit ishte njeriu.

Megjithatë, për krejt këto vepra që konsiderohen penale, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, nuk është arrestuar ende askush.

E sipas të dhënave të Policisë së Kosovës edhe gjatë vitit të kaluar, katër monumente të tjera ishin cak i dëmtimeve e shkatërrimeve, nga persona të panjohur.

Ndërkaq, gjatë vitit 2021, ishin dy të tilla. /Klankosova.tv/KultPlus.com

Akademi përkujtimore për kritikun, studiuesin dhe prozatorin Sefedin Fetiu, në 80-vjetorin e lindjes

Nga Blerim Valla

Me rastin e 111- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Shoqata e Intelektualëve “Jakova” nga Gjakova, dhe në 80-vjetorin e lindjes së Dr. Sefedin Fetiut (1943-2000), kujtoi jetën, punën dhe veprimtarinë e tij si studiues, kritik letrar dhe shkrimtar.

23 vjet më parë, më 19 maj të vitit 2000, u nda nga jeta njëri prej shkrimtarëve që la gjurmë të rëndësishme në zhvillimin e romanit shqiptar, kritiku e studiuesi me qasje të dalluar kërkimore në fushën e dijes, atdhetari dhe veprimtari i madh i çështjes kombëtare (i Lëvizjes për Bashkimin të Shqiptarëve) Sefedin Fetiu, ish-punëtorë shkencor në Institutin Albanologjisë në Prishtinë dhe i cili në forma të ndryshme gjithë jetën ia kushtoi letërsisë, kritikës letrare por edhe luftës për çlirim dhe pavarësi të Kosovës.

Në hapje të kësaj akademie Dr.Ruzhdi Sefa, kryetari i shoqatës së Intelektualëve “Jakova” në emër të shoqatës ndau një mirënjohje pas vdekjes, për Dr. Sefedin Fetiun.

Në emër të familjes Fetiu foli djali i Sefedin Fetiut, aktori Nëntor Fetiu, i cili falenderoj shoqatën, kryetarin e shoqatës Sefa dhe të gjithë të pranishmit për organizimin e kësaj akademie përkujtimore, si dhe për ndarjen e mirënjohjes pas vdekjes për babain e tij.

Për të folur dhe ndriçuar figurën, personalitetin dhe veprën e Dr. Sefedin Fetiut, organizatori kishte ftuar tre panelist studiuesin Dr. Arben Hoxha, shkrimtarin dhe kritikun e letërsisë Mr.Kadrush Radogoshi, si dhe shkrimtaren e studiuesen Dr. Resmije Kryeziun, bashkëpunëtore e Sefedin Fetiut në Institutin Albanologjik të Prishtinës.

Kurse aktorja e njohur e Teatrit të Gjakovës Myrvete Kurtishi, para të pranishmëve lexoi poezi dhe fragmente të zgjedhura nga romanet e S.Fetiut.

Dr. Arben Hoxha, në fjalën e tij foli për kontributin e Sefedin Fetiut si krijues e studiues në shkencën letrare shqiptare, pra për rëndësin e veprës së tij. Duke treguar se cili ishte kontributi moral, epistemologjk në të cilën shfaqet si studiues Sefedin Fetiu i shtruar në rrafshin diakronik të zhvillimit të shkencës letrare shqiptare, Hoxha theksoi se  “Nga pas lufta e dytë botërore ekzistojnë 3 paradigma. Paradigma pozitiviste, Paradigma intergraliste dhe Paradigma individualiste. Paradigma e parë konsideron që fakti është vlerë, pra nuk ka dallim, njësohet autori me personazhin. Paradigma integraliste konsideron që vepra letrare është e kushtëzuar, ata e shohin veprën letrare zgjatim të sistemeve tjerë të komunikimit, siç ishte sistemi social, politik dhe ideologjik etj. Ndërsa, Paradigma individuale themelues i së cilës është akademik Rexhep Qosja, thotë; që vepra letrare është në marrëdhenie, raport me sistemet tjera të komunikimit mirëpo, e ka autoritetin e vet dhe çasje individualiste, i cili thotë që objekti nuk ekziston, janë entitetet mendore që përcaktojnë vlerën jashtë nesh.  Sefedin Fetiu, nuk i përmbahej asnjë paradigme. Në vitin 1977,  në veprën e tij të niohur  “Poetika e romanit shqipta” ai e fut konceptin e vet të poetikës, i cili në atë kohë nuk është dëgjuar si konceptj. Ai në studimin e vet e përfshin pikëpamje progresiviste si teori e njohjes. Që do të thotë; ai nuk mjaftohet vetëm me gjërat që janë realizuar në një moment të caktuar por, ai është i interesuar të shihen vlerat, qëndrueshmërin e vlerës, efektet e këtyre vlerave në vitalizimin e qenies shqiptare” , tha mes tjerash A. Hoxha.

Më pas fjalën e mori Dr. Resmije Kryeziu e cila në fjalën e saj potencoi se politikat shfarosëse të Jugosllavisë, Serbisë ndaj popullit shqiptar, gjithmon kishte qëllim të thente kurrizin shqiptar. Gjenerata të tëra u rebeluan kunder pushtueseve. Burgje të shumta ishin mbushur me të rinj shqiptar. Njëri prej tyre ishte  edhe i riu Sefedin Fetiu shkrimtar, studiues që edhe jetën e vet do ta jepte për çeshtjen e kombit. Në vazhdim profesoresha Resmije Kryeziu shpalosi marredheniet e bashkepunimit me Sefedin Fetiu me ardhjen e tij në Institutin Albanologjik. Ai kishte një “Njerëzorja e tij më ka ndihnuar shumë, sidomos pas burgosjes të burrit tim Ekrem Kryeziut. Për dallim nga miq tjerë të cilët nuk kanë komunikuar Sefedini po thuaj çdo ditë vinte të më vizitonte. Ai ka qenë siç thotë fjala popullore: Miku i mirë në ditë vështira. Këtë çasje të guximit e vërteton që nga vitet e adolshencës kur ju bashkëngjit lëvizjes patriotike kunder jugosllavisë në kuadër të atdhetarëve të Gjakovës. Fati i jetës ishte që ai mos ti shijoj frytet e jetes por, edhe të shkencë e leteresi sepse, sëmundja e goditi në moshën më të mirë”,  përfundoi mes tjerash dr. Kryeziu.

Kurse folësi i fundit në këtë akademi ishte shkrimtarit dhe kritiku i letërsisë Mr.Kadrush Radogoshi i cili e filloi ekspozeun e tij me këto fjalë: “Sefedin Fetiu në radhë të parë, ishte intelektual apo “enciklopedi që ecën”, siç e pat quajtur Konicën, poeti i shquar freng dhe botëror Gijom Apoliner e pastaj ishte studiues letërsie dhe prozator. Formimi i tij intelektual vazhdonte me njohuritë e gjera dhe të thella historiko-letrare dhe teoriko-estetike, por nuk përfundonte vetëm me kaq, vazhdonte me njohjen e thellë të historisë botërore e sidomos asaj kombëtare, me njohjen e psikologjisë së personalitetit dhe asaj sociale, me njohjen e antropologjisë sociale, të flozofisë antike dhe moderne e të sociologjisë. Metaforikisht Sefedin Fetiun do ta quaja Njeriu-Libër. Për fat të keq, ky njeri-libër, pak pasi doktoroi në letërsi dhe pritej një veprimtari shkencore e letrare së paku tridhjetë apo dyzetvjeçare, u sëmurë rëndë nga insuficienca renale dhe përfundoi në dializë. Megjithatë ai la gjurmë të pashlyeshme në letrat shqipe”. 

Mr. Radogoshi me pas si objekt interpretimi pati romanin e njohur të S. Fetiut “Në humbëtirat e kohës”, i botuar 43 vjet më parë, më 1980 dhe i cili sipas  Radogoshit është romani më i mirë në letërsinë shqipe. Ai tha se “Sefedin Fetiu, në këtë roman e redukton idenë kryesore të romanit të tij në tri fjalë: në dy emra të përgjithshëm (humbëtirë në shumës dhe kohë) të prirë nga parafjala “Në” për ta krijuar titullin e romanit. Humbëtirat në kuptimin vendor identifikohen me kasabën, e cila nuk është ndonjë vend fiktiv,  por në bazë të mikrotoponimeve dhe figurave njerëzore të njohura historikisht, kuptohet se fjala është për Gjakovën. Autori ka krijuar edhe dy kronotope tjera dhe ato janë Malësia e Gjakovës dhe Burgu i Diar Bekirit në Turqi. Emri i dytë i titullit “e kohës” sugjeron dimensionin kohor apo kohën në të cilën ndodhin ngjarjet. Në bazë të ngjarjeve dhe pjesëmarrësve në to, të cilët janë figura më të njohura historike si Sylë Vokshi, Haxhi Zeka, Ahmet Koronica, po edhe Bajrush Daklani (një deminutiv përkdhelie për Bajram Daklanin), Ali Bungu, Mon Dushmoni  etj. Kuptohet lehtë se është koha e pas rënies së Lidhjes së Prizrenit në vitin 1881e gjykimit në vitit 1885 e tutje dhe terrorit të ushtruar mbi popullsinë vendase nga ushtria osmane.

Narratori në këtë roman është personazhi kryesor Ferid Seferi, (që në fakt është vet Sefedin Fetiu) një mësues i medresës në Kasaba, i cili ka mbajtur shënime për ngjarjet, që kanë ndodhur në pesë-gjashtë vitet e pas rënies së Lidhjes së Prizrenit. Kjo ngjashmëri nuk është as e rastit e as e panjohur në praktikën letrare. Përmes narratorit fiktiv dhe shënimeve të tij pothuajse ka zgjedhur ta krijojë tipin e prozës në formë kujtimesh dhe ditari, e cila krijon mundësi të pakufizuara për rrëfimin e dramës së madhe njerëzore në perioda të rënda historike. Ferid Seferit, mësues i medresës në kasabë i bëjnë presion që ai para nxënësve dhe popullit ta nxijë sa më shumë figurën e Ahmet Koronicës e udhëheqësve tjerë të Lidhjes dhe ta shpallë diell, që ndriçon botën figurën e sulltanit. Meqenëse nuk pranon e largojnë nga puna, duke ia ndërprerë burimin e vetëm të të ardhurave për ta mbajtur familjen. Ky fragment i veprës na e kujton fatin pothuajse identik të vet autorit Sefedin Fetiu, të cilin në vitin 1971 e diferencojnë duke e larguar nga puna me arsyetimin se nuk e ka përkrahur të ashtuquajturën letër të Shokut Tito. Ky fakt dhe shumë të tjerë dëshmon se kjo vepër vlon nga elementet autobiografike, por që janë inkuadruar mirë në kornizën simbolike të kohës historike. Pra mund të konstatojmë se romani “Në humbëtirat e kohës” me vetëm 115 faqe është një strukturë e gjallë rrëfimtare, prandaj ka energji, e cila është krijuar prej tensionit të lartë që ekziston nga konflikti i individit me pushtetin dhe konflikti i përhershëm i popullit të pushtuar e të shtypur me një pushtues gjakatar e primitiv siç ishte Perandoria Osmane dhe me vonë Serbia ”, ishin fjalë përmbyllëse të Mr. Radogoshit.

Pas panelistëve fjalën e mori bashkëveprimtari i Sefedin Fetiut,  Sabri Novosella i cili evokoi kujtime per bashkëveprimtarin e tij. “Sefen e kam njohur nëpërmjet bashkëveprimtarëve Teki Dervishi e Kadri Kusari si shokë të burgjeve në vitin 1964 si veprimtar të lëvizjes revolucionare për bashkimin e shqiptarëve. Sefa , siç e kanë quajtur, është një prej burrave më të mëdhenj që ka pasur Gjakova”!, u shpreh ne fund të fjalës së tij

S.Novosella/ KultPlus.com

Rita Ora uron 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë (FOTO)

Këngëtarja shqiptare e njohur në botë, Rita Ora, ka uruar Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, me fotografi nga vizita e saj në Kosovë.

”Gëzuar Ditën e Pavarësisë Shqipëri nga familja jonë tek e juaja!”, ka shkruar Ora në Instagram,  përderisa shkrimin e shoqëron me disa fotografi nga mbrëmja e organizuarnga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me figurat vendore të artit dhe kulturës/ KultPlus.com

Dita e Ditëve

Nga Ag Apolloni

Kjo është dita që e festojnë të gjithë shqiptarët; dita kur të gjithë jemi një.

Përtej pompozitetit patriotik, Shqipëria dhe Kosova nuk bëjnë asgjë për të treguar që janë një, ose bëjnë gjithçka për të treguar që janë një … gjë që kundërmon.

Dita e 28 nëntorit 2023, na gjen pa asnjë plan të përbashkët kombëtar.

Në planin politik, Shqipëria më mirë i ka punët me Serbinë sesa me Kosovën.

Në planin arsimor, Shqipëria dhe Kosova kanë mbetë në klasë të parë (mburren veç me abetaren, për të cilën, me të njofshëm, mund t’ua japim një notë kaluese). Ministria e Arsimit në Shqipëri nuk quhet rastësisht Ministri e Arsimit dhe e Sportit (i pëlqen të luajë topa me arsimin), kurse Ministria e Arsimit në Kosovë tashmë është kthyer në OJQ. Për akademitë mos të flasim. Ato po katandisen në nevojtore për të cilat s’kemi nevojë.

Në planin kulturor, Shqipëria, krahas javës kineze, organizon edhe javën kosovare (pra, vazhdojmë me “vëllezërit kinezë dhe fqinjtë kosovarë”). Edhe kjo Ministri luan topa me kulturën tonë, ngjashëm më Ministrinë e Kulturës dhe Sportit (kjo edhe nga emërtimi, e arsyeton lojën e saj) të Kosovës. (Parantezë: nuk ka gjë më të kundërt në botë sesa Kultura dhe Sporti. Besomëni që shumë më normale do të ishte Ministria e Shëndetësisë dhe Sportit, apo e cilësdo ministër tjetër. Vetëm Ministria e Kulturës, ashtu si edhe Ministria e Arsimit, nuk duhet të lidhet me sport).

Kultura, që do të duhej të na bashkonte, sot vetëm na ndan.

Libri që do të duhej të na bashkonte, na ndan, gjithashtu.

Nuk kemi një panair kombëtar, por kemi dy panaire shtetërore, që janë, në thelb, zhvatëse të botuesve, të cilët paguajnë shuma marramendëse (sidomos në Shqipëri), dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, ato panaire sponzorohen edhe nga Ministritë e Kulturës. Pra, çka bëjnë ministrat? Favorizojnë organizatorët (mashat e tyre) dhe ndëshkojnë botuesit.

Nuk kemi një Qendër Kombëtare të Librit, as Agjenci të Librit, por kemi Qendër Kombëtare të Librit dhe të Leximit (pra, libri nuk e nënkupton leximin!), që vepron vetëm brenda Shqipërisë (edhe pse kombi/kombëtarja nuk do të duhej të kufizoheshin me kufij shtetërorë). Kosova nuk ka fare Qendër të Librit. E, në vend që të bëhej një Qendër e Librit për të dy shtetet, tash do t’i duhet Kosovës t’i kundërpërgjigjet Shqipërisë, duke themeluar Qendrën e vet.

Çmimet letrare vazhdojnë të jenë shtetërore, klanore, kurrë kombëtare. Edhe një çmim që ishte kombëtar (për dramën shqipe), para gjashtë-shtatë vitesh Kosova e ktheu në çmim shtetëror.

Çmimi Poeti Laureat, që do të duhej të ishte kombëtar, jepet vetëm për shkrimtarët e Shqipërisë (madje herën e parë, ia dhanë “yllit të xhaxhit”, shokut Rudolf, që kishte shkruar vargun lapidar: “Me Enverin malet bëhen më të lartë”). Meqë unë nuk dyshoj në vlerësimet që bën Qendra e Librit, sot jam ulur dhe po e shijoj poezinë e bukur të poetit të parë laureat të Shqipërisë. Ja dy vargje të tij për të cilat e meritoi kurorën prej dafine:

Është dita e ditëve kjo ditë nëntori,

Dita kur linde ti Parti.

Urime, urime, shokë dhe shoqe! Nuk di a t’jua uroj ditën e Pavarësisë, apo të Partisë, por gjithsesi urime!

Jemi një. Një…, për besë./KultPlus.com

Elbenita Kajtazi shkëlqeu në mbrëmjen artistike “Ta zbardhi ftyrën”: Kosova ka qenë e vogël për ëndrrat e mia të mëdha

Era Berisha
Fotografitë: Arlind Gashi

Edicionin e tij të gjashtë, projekti magjik i Prishtinës “Ta zbardhi ftyrën” që mbahet nën organizimin e gazetës online për art dhe kulturë ‘KultPlus’, e që sjell artistët më të suksesshëm shqiptarë nëpër botë, mbrëmë e shënoi me një interpretim me shumë emocione nga sopranoja e njohur shqiptare, Elbenita Kajtazi, e cila u shoqërua nga pianistja e mirënjohur Camille Lemonnier dhe Kori i grupit të fëmijëve “Okarina”.

Nëpërmjet perlave shqiptare dhe ato gjermane, këndshëm të përzgjedhura në një mënyrë të përsosur, mbrëmja ka kulmuar me zërin e Kajtazit, e cila si asnjëherë më parë, derdhi gjithë dashurinë, mallin, talentin e vuajtjet ndër vite, nga zëri i saj i ëmbël, për të krijuar një atmosferë që s’harrohet dot më.

Këngët e kënduara ekskluzivisht kanë ardhur në një formë të atillë që bëri që gjithë salla të jehojë me duartrokitje të kohëpaskohshme të publikut. Pasioni i saj qysh nga fëmijëria, duket se nuk ka humbur e nuk do të humbasë deri në frymën e fundit, andaj audienca përjetoi një mbrëmje ku interpretimi nga shqiptarët e suksesshëm në botë, për shqiptarët, ka dalë përtej limitit, shkruan KultPlus.

Amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës ka mirëpritur një numër tejet të madh të të pranishmëve që enkas kanë ardhur për të dëgjuar zërin e rrallë të sopranos Kajtazi.

Fytyra të reja, njerëz të moshuar dhe mosha nga më të ndryshmet, kanë mbushur hapësirën qosh më qosh. Dalja në skenë e artistes Kajtazi dhe korit “Okarina”, ka qenë diçka që mezi prisnin të ndodhte. Të pranishmit kanë përjetuar një mbrëmje të paharrueshme, duke marrë parasysh edhe ambientin e ngrohtë të krijuar nga reflektorët me ngjyrë të kuqe, kaltërt e bardhë në prapavijë dhe ato të ngrohtat në pjesën e tavanit që kanë ndihmuar në përcjelljen më të pastër të gishtërinjve të pianistes Lemonnier dhe qëndrimit të Korit “Okarina”.

Teksa ora po shënonte 20:00, duartrokitjet e shumta zënë vendin për të hapur këtë mbrëmje që u transmetua drejtpërdrejt në Radio Televizionin e Kosovës. Padurimi për të parë sa më shpejt artisten në skenë, qe e lartë, dhe kjo më së miri vërehej në sytë e çdokujt që lëvizte kokën majtas e djathtas.

Moderatorja, Fëllënza Çitaku, qe ajo që bëri hapjen e kësaj mbrëmjeje plot gjallëri.

“Një mbrëmje e jashtëzakonshme kulturore në kryeqytetin e Kosovës. Një mbrëmje që sjell magjinë e artistëve shqiptarë të suksesshëm në botë, magji që ata shpalosin para publikut të tyre nëpërmjet këtij formati. Sonte “Ta zbardhi ftyrën” do të mirëpresë në skenë një emër të madh të artit, një artiste e shquar e cila ka shfaqë talentin e saj të rrallë në teatro prestigjioze dhe ka arritur të frymëzojë audiencën në shumë vende të botës. Është fjala për sopranon Elbenita Kajtazi.”

Ndërkaq, hapjen zyrtare të edicionit të gjashtë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” e nisi drejtoresha e gazetës online për art dhe kulturë KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila ka shprehë mirënjohjen për gjithë këta artistë të suksesshëm shqiptarë, që asnjëherë nuk i kanë thënë jo ftesës së KultPlus.

“Faleminderit të gjithëve që keni ardhur, kësaj mbrëmjeje i keni dhënë magji me prezencën e juaj dhe Elbenita e ka dëshiruar këtë mbrëmje, sepse ajo është mësuar me skena prestigjioze, por ka nevojë për ngrohtësinë e vendit të vetë. “Ta zbardhi ftyrën” është një format shumë i veçantë për stafin e KultPlus, është një format që sjell artistë nga vende të ndryshme të botës. Në edicionin e parë, nga Amerika kemi sjell Sislej Xhafa, nga Parisi, Imer Kutllovci, nga Vjena, Flaka Goranci, pastaj Erza Muqollin nga Parisi, Gjon’s Tears nga Zvicra, Gëzim Myshketën e kemi sjellë nga Milano e Elbenitën nga Gjermania. Elbenita vjen nga ato skenat magjike në një vend ku ende mungon salla prestigjioze. Unë jam shumë e lumtur që kam arrit me i sjell këta emra së bashku me ekipin e KultPlus-it, ekip që edhe tash është duke punuar brenda kësaj salle. Shpesh them që Kosova ka pasaportën më të pafuqishme në botë,  por këta artistë na krijojnë një pasaportë më vete. Jemi shumë me fat që kemi nxjerr artistë kaq të mëdhenj. Unë ju uroj një mbrëmje shumë të këndshme, shijojeni”, ka thënë Pajaziti.

Në emër të Komunës së Prishtinës, për një fjalë rasti doli edhe Pëllumb Bajqinovci, i cili i uroj gazetës KultPlus, suksese të mëdha tutje.

“Ardianë, përgëzime për gjashtë vite, është me të vërtetë e vështirë pasi që kultura në kryeqytet në përgjithësi në këto vitet e fundit ka pësuar një ulje dhe ka nevojë për evente të tilla. Mendoj që gjashtë vite me artistë të mëdhenj por shqiptarë, e madhështon këtë ngjarje. Ne me në krye me kryetarin Përparim Rama, do të bëjmë çmos që ngjarjet e tilla të jenë prezente edhe më shumë. Gjeneratat e reja duhet të mësohen me art dhe kulturë të nivelit më të lartë, andaj juve KultPlus ju dëshiroj sukses”, ka thënë ai.

Pas këtij fjalimi, në sallë mbizotëruan brohoritjet dhe u krijua një energji e hatashme, kur sopranoja Elbenita Kajtazi doli në skenë, e shoqëruar më pastaj edhe nga pianistja Lemonnier. Mbrëmja u zhvillua fillimisht me një rrëfim jetësor dhe më pastaj me këndime, që krijuan kujtime të paharrueshme. Sopranoja Elbenita Kajtazi ka rrëfyer shumëçka nga jeta e saj qysh nga fëmijëria e deri më sot, copëza që kanë ndërtuar po këtë Elbenitë, po këtë shkëlqim të kësaj artisteje që po mbërthen teatro të mëdha nëpër botë.

Tutje, në një bashkëbisedim me moderatoren, Fëllënza Çitaku, sopranoja Kajtazi ka thënë se dashuria për vendin e saj është krejtësisht tjetër. Ajo tha se nëpër shfaqjet nëpër botë, ndjen respekt shumë të madh për publikun që vjen dhe i përcjell shfaqjet por këtu ajo ndjen një dashuri të pakrahasueshme për publikun, andaj dallimi për të është i dukshëm.

Biletat për koncertin ishin rezervuar brenda vetëm ditëve. Dhe krejt kjo për vajzën që vjen nga Mitrovica, një talent që siç e thotë edhe ajo vetë: buron nga uji i Ibrit.

Është kënaqësi shumë e madhe të jem këtu,  sepse mua më mungon shumë publiku i Kosovës, por nuk kam kohë të vij më shpesh. Gjithmonë i gjej disa momente të veçanta dhe vij gjithmonë me shumë qejf. Këtu çdonjërin në publik e njoh dhe është ndjenjë e mrekullueshme. Është kënaqësi me këndu për ata njerëz që ma kanë zgjatë dorën të parët dhe për mua është emocion i papërshkrueshëm. Këtë dashni mundohem me e dërgu në krejt botën, andaj suksesi është prezent”, ka thënë Kajtazi.

Me imazhet në ekranin në prapavijë që ndërroheshin kohë pas kohe, audienca hyri në fëmijërinë e Kajtazit, duke njohur edhe qoshet më të vogla të saj. Fotografia e parë shpërfaqi Elbenita Kajtazin si shitëse të qumështit, një fotografi e largët në kohë, por që sjell shumë emocion te artistja e skenave të mëdha, që Kosovën e bart tatuazh në krahun djathtë të saj.

“Flokët na i patën pre në luftë, megjithatë është një moment shumë i bukur i jetës sime. Para pak kohe, fotografinë ma dërgoi po kojshia që ia pata dërgu qumështin. Pas fotografisë qëndron një histori dhe dua ta ndaj me ju. Ishte një dasmë dhe unë isha duke e dërguar qumështin që më duhej t’a shisja. Dhe para disa kohe isha në Hamburg duke gatu, dhe për një moment më cingëroi telefoni, ma dërgoi po këtë fotografi, dhe fillova me qajtë kur e pashë fotografinë. Ne nuk kemi pasë shumë, por kemi pasë shumë dashni dhe me shumë qejf e kam dërgu këtë qumësht. Kam shumë dashni për kafshët dhe ato lopët që i kemi pasë, unë i kam dashtë shumë”, shpjegon sopranoja Kajtazi historinë e kësaj fotografie ku na shpërfaqë Elbenitën si shitëse të qumështit, dashurinë e saj për lopën, kafshë që u ka ndihmuar në mirëqenien e familjes së Elbenitës, por edhe krijimin e kontakteve me fqinjët, duke shitur qumështin në lagje.

Sipas saj, ajo kohë është një kohë që e ka bërë Kajtazin atë të cilën është sot. Kajtazi tutje u shpreh se ka dëshirë të flasë vetëm për kujtime të mira sepse ato të këqijat që janë përjetuar në luftë, secili i din dhe nuk ka nevojë me u përkujtu. Por, ato kujtime zakonisht i përmendin gjithmonë me shumë vendosmëri nëpër botë, nëpër çdo intervistë që ajo jep nëpër gazeta.

“Moment tjetër që e mbaj mend me shumë dashni është kur e kemi marr viqin e asaj lope dhe e kemi vendos në gepekun e kerrit. S’patëm mundësi me e mbajtë më dhe na u desh t’i hiqnim të dyja. Rrugës për Drenicë, viqi ish prapa neve, unë edhe tri motrat në kerr, babai dhe nëna para neve. Na ndali KFOR-i francez, për një moment ne u munduam mos me e lanë viqin me qu kryet por e qoi kryet. Ky është një nga momentet më të bukura të jetës sime,  sepse pastaj na dhanë rroba, dhe ne arritëm tek halla, të lumtur të gjithë”, ka thënë Elbenita për shpjegimin e fëmijërisë së saj.

Një foto tjetër doli në ekran dhe në atë foto, ishte e gjithë familja e Kajtazit, të buzëqeshur e të kapur për njëri-tjetrin.

“Këtu jemi të gjithë së bashku. Për mua, vlera më e madhe është familja ime. Meqenëse, fëmijëria ime më është cenu gjatë luftës, nuk mendoj që kam qenë fëmijë ndonjëherë. Gjithmonë kam mendu si e rritur, andaj në shtëpi motrat dhe vëllau më thërrasin ‘bac’. Edhe prindërit e mi të mrekullueshëm, kanë sakrifikuar shumë, por me shumë mundime na kanë rritë e na kanë shkolluar. Unë i kam pesë motra dhe një vëlla. Unë jam shumë krenare për motrat e mia. Motra ime e dytë është avokate që punon në Nju Jork, motra ime e tretë largon bombat e Luftës së Dytë Botërore në Hamburg, motra ime e katërt ka lindë në ditën që ka përfundu lufta në Kosovë dhe për momentin është duke studiuar regji të Operës dhe piano në Hamburg, motra e pestë ka përfunduar për infermieri dhe motra e gjashtë është duke përfunduar për infermiere, kurse vëllau im, Bardhi, dëshiron të shkoj në Amerikë.”

Ndonëse nuk kanë pasur edhe shumë fotografi në sitrarin e familjes, sopranoja Kajtazi e ka zgjedhë atë fotografi pikërisht ku aty shihen buzëqeshjet e secilit dhe e mban mend si moment shumë të bukur. Ajo ka thënë se prindërit e saj janë shembuj se si duhet të edukohen fëmijët.

“Babai im çdo javë ka ardhë në shkollën e muzikës me ditë se çfarë po bëj. Kurse nëna ime është po ajo grua që më ka inkurajuar për mësim. Nëse më ka parë duke punuar tentene, të njëjta mi ka shti në zjarr, sepse më ka thënë që librat janë për mua, dhe jo tentenet. Nëna më ka thënë që duhesh me lanë një pikë në këtë botë, duhesh me qenë e pavarur.”

Rrugëtimi nga Mitrovica në Prishtinë

Sopranoja Kajtazi më pas para të pranishmëve kujton ëndrrat e saj për Prishtinën, po për atë Prishtinë që nuk i përmbushi ëndrrat e saj.

“Kur kam qenë në Mitrovicë mendoja se si të arrij në Prishtinë, se a thua si do të jetë, dhe kur arrita aty mua më pëlqeu gjallëria e qytetit, por gjithmonë më ka mungu Mitrovica. Gjithsesi, kohën e studimeve e kam pas me shumë turbulenca emocionale. Kam qenë studente e mirë, por mu ka dukur pak Prishtina. Kosova ka qenë e vogël për ëndrrat e mia të mëdha. Nuk ka qenë e vështirë që unë të angazhohesha në Filharmoninë e Kosovës, por në të njëjtën kohë, përgjatë studimeve, prej gjithë profesorëve të fakultetit, ne kemi mësuar shumë dhe kemi qenë si shpuza, duke thithur informacione”, ka thënë Kajtazi, e cila po prej skenës bëri edhe një thirrje sa i përket po Fakultetit të Arteve. Sipas saj, ky institucion ka nevojë për një rigjenerim total, pasi që sipas saj,  artistët duhet ta kenë hapësirën e duhur për të studiuar. “Sepse unë për vete shumë shpesh kam hyrë në depresion dhe të gjitha gjërat më janë dukur gabim. Pritshmëritë e mia kanë qenë shumë të larta dhe pastaj kur nuk kam hasur në ato, jam dëshpëruar shumë”, ka thënë Elbenita po për periudhën e studimeve në Prishtinë.

Dashuria e saj, Ardiani

Dhe ndërtimi i karrierës opersitike do të ishte i pamundur pa mbështetjen e partnerit të saj, Ardianit, që sipas Elbenitës, bashkë më të i ka ndërtuar ëndrrat.

“Unë dashurinë time të jetës e kam takuar në Mitrovicë. Në shkollë të mesme, Ardianin e kam taku dhe e kam vërejtur se është djalë shumë i mirë. Ne kemi fillu lidhjen në bankat e shkollës së rokut në Mitrovicë. Ai është një person shumë i rëndësishëm i jetës sime, ai është shtëpia ime dhe qetësia ime. Asnjëherë se harroj momentin kur ishim të ulur dhe më pyeti për një katalog që e mbaja me vete të Maria Callasit, dhe më pyeti se kush është, iu përgjigja duke thënë se është diva e Operës dhe unë do të bëhem si ajo. Unë kam ëndërruar shumë dhe dore përdore ne jemi ngritur së bashku, por kemi pas edhe momente shumë të vështira, pasi që kemi qenë të ndarë për një kohë të gjatë për shkak të studimeve”, ka thënë Elbenita, e cila falënderuese ishte për Ardianin edhe nga skena e Prishtinës, duke shpjeguar se edhe pse nuk ishte i pranishëm në skenë, ai ishte i pranishëm me punën për këtë mbrëmje, pasi që, aranzhmanin e dy këngëve të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”, ishin realizuar po nga Ardiani.  

Ermonela Jaho – drita e fundit e tunelit

Në pjesën e bashkëbisedimit me Elbenita Kajtazin, e pashmangshme ishte paraqitja e fotografisë së sopranos së famshme Ermonela Jahos, që për Elbenita Kajtazin vazhdon të jetë motra e saj e madhe, pasi që, ajo vazhdon të jetë mbështetësja më e madhe në karrierën operistike.

“Unë Ermonelën e ndjej si motër. Ajo e ka një vend të veçantë në zemrën time, sepse e kam takuar në një prej momenteve më të vështira psikologjike të jetës sime. Ka qenë viti i fundit i studimeve, dhe kur erdhi ajo për një koncert, unë paraprakisht i pata thënë nënës se doja ta lija punën e studimeve. Në atë moment në televizion, kishte intervistë Ermonela dhe në atë kohë ajo debutoi në Londër, dhe unë e shihja me admirim ngaqë nuk e kisha njohur më herët. E dëgjova intervistën dhe më la përshtypje shumë intervista. Në atë moment nëna më tha pse nuk po kontakton me të, dhe e bëra pas insistimit të saj. E lash telefonin mbi piano, dhe derisa isha duke dalë prej dhomës, mora përgjigje menjëherë nga ajo. Ajo më dha shpresë të madhe dhe ajo mbetet për mua drita në fund të tunelit”, ka thënë Kajtazi, e cila fuqishëm ka vazhduar me bindjen se nëse për ëndrrat e tua punon fortë, do ia dalësh.

Karolina dhe Vera – shtyllat e forta të jetës

Dhe pos Ermonela Jahos, edhe dy gra të tjera kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për Elbenita Kajtazin. Karolina dhe Vera vazhdojnë të jenë çelësi i suksesit të sopranos shqiptare, e cila edhe më tej vlerëson përkushtimin e tyre në ndriçimin e karrierës së saj.

“Ndodhi një masterklasë në Kosovë dhe u zgjodha si studente që me shku në Amerikë. Atje takova Verën, ajo është regjisore dhe puna me të ka qenë shumë e thellë, shumë emocionale. Ajo e dalloi talentin tim e më tha se kam potencial, dhe më luti  që të marr një vizë për Evropë. Më premtoi që do të mi organizoj audicionet. Falë Verës, unë jam këtu ku jam, kam depërtuar në vende të ndryshme. Në anën tjetër, Karolina është profesoresha ime gjermane e këndimit që 15 vite. Ajo e bën një punë të shkëlqyer me këngëtarët operstikë si në Kosovë e Shqipëri, e që shumë njerëz nuk e dinë. Ajo i merr këngëtarët mbi supet e veta, i ushqen dhe i ushtron pa asnjë cent. Falë saj, unë jam këtu ku jam. Andaj, e falënderoj shumë, sepse është një pjesë e rëndësishme e muzikës klasike në Kosovë.”

Shtëpia operistike në Prishtinë – ëndërr e venitur

Dhe ëndrrat për një artist janë më se të natyrshme, por Kajtazi një ëndërr të venitur e quan ndërtimin e një salle operistike në Kosovë.

“Unë nuk pushoj së ëndërruari, por një ëndërr që e kam pikë është me këndu në shtëpinë operistike në Prishtinë. Gjithë ëndrrat e tjera kam përshtypjen se do të realizohen, por kjo është e vetmja ëndërr që shpresën e kam pak të venitur. Nuk e di se a do të bëhet, por këtë e ëndërroj”, ka thënë ajo.  

Titulli  “Ambasdore nderi”, ndarë nga presidentja Vjosa Osmani

Elbenita Kajtazi tashmë kishte mbërthyer audiencën me rrëfimin e saj, dhe natyrshëm ndau me ta edhe për emocionet që i dha presidentja Vjosa Osmani, kur i dha titullin “Ambasadore Nderi”.

“Është një kënaqësi shumë e madhe. Kam një vlerësim shumë të lartë për presidenten Osmani dhe për mua ajo ka qenë inspirim qysh një kohë të gjatë, sepse ka qenë nxënëse e babait tim. Gjithmonë e kam pasur pikësynim me qenë  e edukuar si ajo, e shkolluar. Unë pata një takim me të, dhe shkova aty me babin tim. Më pyeti se a e kam marr pasaportën gjermane dhe i thashë jo.  Sepse ata kërkonin që kjo e Kosovës të më hiqej. Natyrisht, nëse merr pasaportë gjermane, duhesh me e fshi identitetin kosovar dhe unë natyrisht që nuk kam pranu. Tash, në bisedë e sipër presidentja më tha shiko se çfarë duhet me bë për ta arritur atë, dhe ne të ndihmojmë. E pyeta një avokat dhe më tha se nëse në shtetin tënd vlerësohesh si artist i vendit atëherë asnjë shtet në botë nuk ka të drejtë me ta heq shtetësinë. Dhe, tashmë sot i kam tri pasaporta, të Kosovës, Shqipërisë dhe Gjermanisë”, ka thënë Kajtazi, artistja që dikur kishte problem për një vizë e tashmë posedon tri pasaporta.  

Eksluzivisht për KultPlus

Dhe se puna do angazhim, dhe se angazhimi të bën ëndrrat realitet, Elbenita e dëshmoi në këtë rrëfim me ndarjen e një ekskluzivieti, që për ta jetësuar këtë ëndërr, punon tash e 15 vjet.

“Në sezonin e ardhshëm do të këndoj në Operën Shtetërore të Vjenës. Që 15 vite jam duke punuar për me arrit aty dhe më në fund e arrita”, ka shpalosur Kajtazi në fund të krejt bisedës, bashkëbisedim që tregoi për fëmijërinë e saj, sfidat, sukseset, ëndrrat, pengesat dhe triumfin.

Më pas, me një video mesazh është lajmëruar baritoni Gëzim Myshketa, protagonisti i edicionit të vitit të kaluar të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” i cili ka përshëndetë organizatoren Ardianë Pajaziti, mysafiren Elbenita Kajtazin dhe gjithë të pranishmit.  

“Mirëmbrëma Kosovë, mirëmbrëma Prishtinë. Ju përqafoj të gjithëve,  por në veçanti Ardianë Pajazitin, e cila është një mike e shtrenjtë që u bë shkas për një mbrëmje, emocionet e së cilës i mbaj akoma thellë në shpirt, edhe pse ka kaluar një vit nga edicioni i pestë i ‘Ta zbardhi ftyrën’. Kam marr vesh me shumë kënaqësi që kjo mbrëmje i dedikohet sopranos me vlera të jashtëzakonshme, siç është Elbenita. E re nga mosha, por me një karrierë të shkëlqyer. Kam në kujtimet e mia momentet e para të takimit tim me të dhe nga ai moment dallova talentin e saj, dëshirën e saj për të kënduar. Mikja ime, të uroj suksese. Ju përqafoj me shumë mall, toka ime e shtrenjtë”, ka thënë mes të tjerash Myshketa.

Tashmë, dukej se çdo gjë ndali dhe erdhi koha për të shijuar deri në maksimum zërin e veçantë të sopranos Elbenita Kajtazi. Notë pas note, lëvizje pas lëvizje, ajo na dhuroi një mbrëmje që doli përtej imagjinatës. Duke kënduar vepra të mëdha siç është ajo gjermane “Për të gjithë shpirtrat”, një këngë që u dedikohet jetëve të humbura në luftë, deri tek kënga e dytë nga opera Manu, një rol që i ka dhënë asaj suksesin më të madh në jetë, e deri tek këngët shqipe si: Mallëngjimi, E duam lumturinë dhe Për ty atdhe.

Kënga “Mallëngjimi” nxori në skenë edhe një artiste tjetër, ku me ftesë të Elbenita Kajtazit, Zana Abazi Ramadani interpretuan këtë këngë, të cilat shkëlqyen dhe sollën shumë emocion tek publiku.

“Çdo kangë shqipe ma dridhë zemrën”, ka thënë Kajtazi para se të marr skenën e t’a pushtoj atë me gjithë qenien e saj.

Ndërsa, në këtë mbrëmje krejt në fund ajo ndau një kujtim që e kishte nga fëmijëria e saj.

“Kur kam qenë e vogël kam fillu me këndu në shkollën Ismail Qemali në Mitrovicë, aty ku ka dhënë mësim babai im në lëndën e gjeografisë. Gjithsesi, këngën “Lumturia” e kam këndu shumë herë në korin e shkollës dhe si e vogël e kam mendu që një ditë në jetën time do e marr korin e fëmijëve dhe do e këndoj këtë këngë. Andaj, sonte kam kënaqësinë që dy këngë t’i këndoj me Korin e fëmijëve ‘Okarina’.”

Si një buqetë me lule plot, ishin fëmijët që këndonin njëzëri me sopranon Kajtazi. Fotografitë e shumta, buzëqeshjet e pandalura u dalluan në moment. Prindërit krenarë që shikonin fëmijët e tyre të performonin, artdashësit e muzikës klasike si dhe asaj pianistike, kanë përjetuar një mbrëmje të paparë.

Për ta shpërblyer sopranon Elbenita Kajtazi me çmimin tradicional të mbrëmjes artistike ‘Ta zbardhi ftyrën’, në skenë doli drejtoresha Ardianë Pajaziti. Por, nuk mbaroi gjithçka me kaq, pasi që të pranishmit u ftuan në koktelin që ishte organizuar në KultPlus Caffe Gallery, ku sopranoja Elbenita Kajtazi gjithashtu u mirëprit me duartrokitje të forta e ku vazhdoi pastaj takimin me njerëzit dhe nënshkrimin e autografeve e një numër të pafund fotosh me gjithsecilin që shprehte dëshirë për të biseduar me të.

Ndërsa për KultPlus, profesoresha e muzikës, Besa Luzha ka thënë se projekti “Ta zbardhi ftyrën” organizuar nga KultPlus, është një platformë e shkëlqyeshme ku artistët bashkëbisedojnë më së miri.

“Elbenita është një soprano shumë e talentuar, me një zë të bukur e mirë të formësuar, atiste e cila mishërohet me rolin plotësisht, duke qenë shumë emocionale e temperamente. Pra, kur talenti dhe puna, kombinohen me përkrahje e mbështetje, suksesi është i garantuar. Elbenita, Marigona, Graniti e shumë të tjerë, që ishin studentë të UP, tash po korrin suksese në shfaqjet e ndryshme të shtëpive operistike, e neve po na bëjnë krenarë me arritjet e tyre. Një ditë, në të ardhmen e afërt këta artistë do t’i shohim duke performuar në shtëpinë operistike të Kosovës poashtu. Projekti “Ta zbardhi ftyrën” i KultPlus është një platformë e shkëlqyeshme ku këta artistë bashkëbisedojnë për jetën dhe profesionin e tyre, para publikut, për të cilin pastaj artistët edhe performojnë pjesë të zgjedhura, si një format unik. Elbenitës i uroj t’i realizohet ëndërra e saj shtytëse për t’u marr me këndimin-që ajo të bëhet një Maria Kallas e dytë, dalur nga trojet shqiptare e të vazhdojë të na bëjë krenarë ne dhe atdheun që ajo aq shumë e don.”

Po ashtu, dirigjenti Memli Kelmendi potencoi se gazeta KultPlus i ka sjellë një freski artit në Kosovë.

“Dua të përgëzoj Ardianën dhe KultPlus për organizimin dhe freskinë dhënë artit në Kosovë. Me Elbeniten jemi miq që nga studimet, çdoherë e ka dashur suksesin dhe sot ndihemi të gjithë krenarë për Elbeniten dhe suksesin e saj. Ishte një mbrëmje ndryshe prej të tjerave, e shijuam.”

Kujtojmë që në edicionet paraprake në “Ta zbardhi ftyrën” mysafirë ishin artistët e njohur si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli, Gjon’s Tears, Gëzim Myshketa, të cilët edhe kanë një karrierë të pasur në botën ndërkombëtare.

Projekti “Ta zbardhi ftyrën” u organizua nga gazeta online për kulturë dhe art KultPlus, dhe kjo mbrëmje është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte, Radio Televizioni Publik i Kosovës, Teatri Kombëtar i Kosovës, AMC, Coca Cola HBC Kosovo, Ujë Rugove, Frutomania dhe Agrocop. / KultPlus.com

Presidentja Osmani nga Kulla e Isa Boletinit: Nëse është nevoja nga këtu do të mbrohet çdo cep i territorit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga Kulla e Isa Boletinit në veri ka thënë se nga ky vend nëse është nevoja do të mbrohet çdo cep i territorit të Kosovës.

Osmani pasi bëri homazhe te varri i heroit Isa Boletini për nder të Ditës së Flamurit, tha se Kulla e Isa Boletinit dhe varri i tij dëshmojnë se shqiptarët kanë qenë në pjesën veriore ‘dem baba dem’ dhe do të vazhdojnë të jenë përgjithmonë.

“Sakrifica e shqiptarëve të Kosovës edhe në vitin 1912 ka qenë jashtëzakonisht e madhe. E nderojmë pikërisht këtu në kullën e tij, Kullën e Isa Boletinit ku është mbrojtur çdo cep i Republikës së Kosovës dhe nga ku nëse është nevoja do të mbrohet sërish çdo cep i Republikës së Kosovës. Pikërisht ky varri i Isa Boletinit në veri të vendit të vendit dhe kjo kullë dëshmon se shqiptarët kanë qenë këtu ‘dem baba dem’ dhe shqiptarët do të vazhdojnë të jenë këtu përgjithmonë”, tha ajo./rtv21/KultPlus.com

Flamuri 50 metra ngrihet në një urë të Elbasanit në nder të Pavarësisë

Këto pamje vijnë nga Ura e Bushtricës në Elbasan, ku është ngritur në 50 metra lartësi flamuri shqiptar, në nder të Pavarësisë së Shqipërisë.

Në pamjet e realizuara nga Shërbimi i Kërkim Shpëtimit Malor, flamuri shqiptar valëvitet poshtë urës duke dhuruar pamje spektakolare, që ka ngjallur interesin edhe tek personat që kalojnë poshtë urës./TCh/ KultPlus.com

Parada e shqiptarëve, ngrihet flamuri në sheshin “Skënderbej”(VIDEO)

Parada e shqiptarëve në Tiranë u përmbyll me ngritjen e flamurit në sheshin Skënderbej në Tiranë.

Në ceremoni ishin të pranishëm kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e kulturës, Elva Margariti, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryetarë të bashkive e komunave të tjera shqiptare, krerë të komunave arbëreshe në Itali, deputetë e politikanë të tjerë.

Nën tingujt e Himnit kombëtar të kënduar nga Vikena Kamenic, flamuri u ngrit pranë bustit të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.

E kthyer tashmë në një traditë në New York, shqiptarët nga e gjithë bota të veshur kuq e zi dhe me veshje popullore mbushën sot rrugët e Tiranës. Nën ritmin e muzikës shqiptare pjesëmarrësit krijuan një atmosferë festive në kuadër .

Në këtë ngjarje të shënuar janë bërë bashkë rreth 150 delegacione nga bashki dhe komuna shqiptare, bashkë me ansamblet e tyre. Pjesë e paradës janë edhe nxënës e studentë, si dhe përfaqësues që vijnë nga Plava, Gucia, komuna e bashki të vogla shqiptare të Malit të Zi, nga Presheva e Bujanovci, Kosova, Maqedonia e Veriut, 47 delegacione arbëreshe, etj.

Parada u organizua nga bashkia e Tiranës në bashkëpunim me shoqatën “Albanian Roots”./ atsh / KultPlus.com

U nis nga Prishtina duke vrapuar për të nderuar Festën e Flamurit, momenti kur arrin në Tiranë atleti Erzen Zyberaj

Atleti Erzen Zyberaj, i cili është nisur dje nga Prishtina për në Tiranë në vrap, ka arritur sot atje rreth orës 14:30. Ai ka shkuar në Tiranë për të nderuar Festën e Flamurit, 28 Nëntorin.

Pamje nga arritja e tij në Tiranë ka publikuar faqja “Maraton Albania”. Në këto pamje, ai shihet duke vrapuar me flamurin e Republikës së Kosovës në Sheshin “Skënderbe” në Tiranë.

“Mbërritja me suksese nga Skënderbeu i Prishtinës deri sheshin Skënderbe ne Tirane e maratonomakut Erzen Zyberaj. Jemi shume te lumtur qe morem pjese ne mbylljen e kesaj gare dhe ne si shoqata Maraton Albania i urojme Erzenit shume suksese 👏👏👏”, thuhet në postim.

“Një komb, një flamur”, Dua Lipa uron 111-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë

Një urim i veçantë ka ardhur për 111-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë edhe nga këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa.

Në një postim në rrjetet sociale ylli i popit ka ndarë një foto ku shkruhet “Një komb, një flamur, urime festa”.

Gjithashtu Dua Lipa ka ndarë një fotografi nga momenti kur ka marrë pasaportën shqiptare si dhe një me flamurin shqiptar të hedhur krahëve.Dua Lipa ka hyrë në tregun ndërkombëtar prej disa vitesh dhe ka arritur të prekë majat e suksesit. Kohët e fundit ajo ka arritur të rrëmbejë çmime mjaft të rëndësishme si “The Global Awards”, “Grammy Awards” etj./ KultPlus.com

Mbrëmë në Tiranë me shfaqjen “Shtëpia e Zotit” u mbyll edicioni i dytë i Festivalit të Teatrit Shqiptar “Moisiu”

Me sallën e mbushur plot, para publikut aktorët mjeshtërisht luajtën këtë shfaqje të fuqishme me autor Ledian Gjeçin dhe regji nga Ilir Bokshi, bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit Kombëtar të Shqipërisë dhe Teatrit Shqiptar Shkup.

Festivali u mbyll me ndarjen e çmimeve. Gjithsej u dhanë 12 të tillë. Shfaqja ”Vizita” nga Teatri “Migjeni” në Shkodër u zgjodh shfaqja më e mirë e festivalit, çmimin për aktoren më të mirë e mori Edona Reshitaj, aktori më i mirë u zgjodh Adem Karaga, çmimin e dramës shqipe e mori Refet Abazi.

Në këtë ngjarje morën pjesë Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, Ministri i Kulturës Hajrulla Çeku, Ministrja e Kulturës së Shqipërisë Elva Margariti, ambasadori i Kosovës në Shqipëri Skënder Durmishi, përfaqësues të Ministrisë së Kulturës së Kosovës dhe të Shqipërisë dhe personalitete të tjerë nga fusha e teatrit.

Festivali “Moisiu” ka nisur vitin e kaluar si iniciativë e Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, dhe Teatrit Shqiptar të Shkupit. Edicioni i parë u mbajt në Shkup, këtë vit në Tiranë dhe vitin e ardhshëm do të mbahet në Prishtinë./ KultPlus.com

Flaka Latifi shpallet aktorja e re më e mirë në Festivalin Shqiptar të Teatrit “Moisiu”

Aktorja Flaka Latifi është shpallur aktorja e re më e mirë në Festivalin Shqiptar të Teatrit “Moisiu”, që u mbajt së fundi në Tiranë, shkruan KultPlus.

Latifi është vlerësuar për rolin e saj në shfaqjen “1984”, ndërkohë Flaka Latifi është duke u dëshmuar si një aktore e madhe jo vetëm në dërrasat e teatrit skenik, pasi që ajo tashmë ka qenë protagoniste në disa filma të suksesshëm, duke përfshirë edhe festivale prestigjioze./ KultPlus.com