Aida Baraku sot është nga ato tekstshkrueset e njohura shqiptare, e cila punon me këngëtarë të ndryshëm në aspektin e tekstit dhe përshtatjes.
Dikur ajo këndonte edhe vet, dhe disa këngë të saj së fundmi janë edhe në Youtube me incizimet e tyre origjinale. Baraku, e cila ka bashkëpunuar edhe familjarët e saj që këndonin, përfshirë edhe Armend Rexhepagiqin, pati realizuar disa këngë dhe disa videoklipe.
Ndër to është kënga “Edhe pak”, një tekst për një dashuri të humbur të cilin Aida e ka shkruar vet.
Po e sjellim këtu këtë këngë të Aida Barakut, të cilën shumica e kujtojmë edhe me këngë por edhe me shkrimet e saj në të përditshmet kosovare para disa vitesh, ku kritikonte fenomenet e ndryshme. / KultPlus.com
Pas tri netësh magjike, Fest 62 do të kulmojë sonte me natën finale. Këtë mbrëmje jo vetëm do të argëtohemi nën ritmet e muzikës së mirë, por gjithashtu do të jemi nën ankthin e ndarjes së çmimeve të para.
Do të zgjidhet sonte fituesi i edicionit të 62 nga juria me 11 anëtarë profesionistë, ndërsa votat e publikut do të përcaktojnë përfaqësuesin e Shqipërisë për në Eurovizion 2024.
Në skenë sot do të performojnë 22 këngëtarë, 8 prej të cilëve janë artistë të rinj debutues, por në garën për në Eurovizion do të jenë të 31 pjesëmarrësit e këtij edicioni.
Ndërkohë, në sallën e Pallatit të Kongreseve, përkrah drejtuesve më të lartë të RTSH-së, si Drejtori i Përgjithshëm, Alfred Peza, kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Leka Bungo, janë edhe presidenti i Republikës, Bajram Begaj, shoqëruar nga bashkëshortja, kryeparlamentarja Lindita Nikolla, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, sociologu i njohur në Universitetin e Prishtinës, Ardian Gola, përfaqësuesja e zgjedhur e komunitetit etnik shqiptar, Ardita Sinani, kryetarja e Komisionit Parlamentar të Medias, Flutura Açka, drejtues të lartë të Bashkisë së Tiranës, nënkryetari, Andi Seferi, analisti Milaim Zeka dhe juristi, Genc Gjokutaj, si dhe shumë personalitete të tjera të hapësirës mbarëshqiptare.
Po ashtu, në natën finale, do janë të pranishëm edhe kantautori dhe një prej moderatorëve më të njohur në vend në botën e spektaklit, Ardit Gjebrea, sëbashku me bashkëshorten, regjisori Petri Bozo, çifti i famshëm Luiz Ejlli dhe Kiara Tito, komentatori i famshëm Dritan Shakohoxha e të tjerë.
Ndërkohë natën finale të Fest 62 do të kenë mundësi ta ndjekin gjithë shqiptarët e rajonit, pasi transmetohet drejtpërsëdrejti në disa televizione publike, në vendet ku ata jetojnë.
Për teleshikuesit nga Kosova, nata e fundit e festivalit transmetohet në kanalin kryesor të Radio Televizionit të Kosovës ndërsa tre netët e kaluara janë transmetuar në kanalin muzikor të RTK-së.
Nata finale e Fest 62 transmetohet drejtpërsëdrejti edhe në Maqedoninë e Veriut përmes valëve të kanalit të dytë maqedonas, atij në gjuhën shqipe.
Për herë të parë në historinë e festivaleve, nata finale e Fest 62 transmetohet edhe në Malin e Zi në kanalin shqip të radios së Malit të Zi, i vetmi kanal atje që transmeton shqip 24 orë.
Lista e këngëtarëve që do të performojnë sonte në natën finale:
Shkrepja me film është një traditë e hershme e fotografëve të qytetit të Shkodrës, prej ku merr rrugëtimin e saj dhe fotografia e ditëve të sotme.
Muzeu “Marubi” ka zhvilluar masterclass-in e dytë “Laboratori i fotografisë” i udhëhequr nga artisti Ergys Vela, në kuadër të aktiteteve të programit “Shkrue me dritë”. Ky program ka për qëllim të afrojë të rinjtë me procesin analog të fotografimit.
Këtij masterclass-i të veçantë i bëri jehonë edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila ndau në rrjetet sociale një album fotografish bardhë e zi, nga ky event.
“Jo vetëm mësimi i teknikave të hershme të fotografisë, por edhe një kujtim i bukur pragfestash”, shkroi ministrja Margariti.
Për të gjithë ata që do të dëshirojnë të kenë një foto çasti apo një shkrepje me film me atmosferën e festave të fundvitit, Ergys Vela do të qëndrojë përditë tek “shtëpiza e fotografisë”, një hapësirë e vënë në dispozicion nga Bashkia Shkodër, për t’i bërë edhe më të këndshme festat e fundvitit./KultPlus.com
Poezi nga Bertolt Breht Përkthyer nga Petraq Kolevica
Në atë ditë të muajit blu shtator, Nën atë pemë kumbulle të re, E mbaja atë, të zbehtën dashuri, të qetë, Në krahët e mi si ëndërr plot hare. Dhe sipër nesh, n’atë qiell të bukur vere Qëndroi një re, që e pashë gjatë atje, E bardhë, e bardhë ish, dhe tepër lart ish ngritur Kur desha prapë ta shoh, në atë vend më s’qe.
Prej asaj dite shumë e shumë muaj Kaluan e u shuan s’di se si. Dhe vetë kumbulla do jetë prerë, E po më pyete ç’u bë kjo dashuri? Ja ku të them: tani nuk më kujtohet, E di, megjithatë, ç’mendon dhe ti qyshkur, Po unë fytyrën vërtet e kam harruar, Veç një gjë di: e putha atë dikur.
Dhe puthja vetë krejt do të ish harruar Po të mos kishte qenë ajo re, Atë kujtoj dhe kam për ta kujtuar E bardhë qe dhe erdh që lart te ne. Sot, ndoshta, prapë kumbulla ka çelur, Ajo sot ndoshta ka të shtatin kalama; por reja atje u shfaq veç ca minuta, kur ngrita sytë ta shoh, nga era u shpërnda. / KultPlus.com
Faqja zyrtare e Eurovizion i ka kushtuar vëmendje të posaçme natës finale të Festivalit të 62 të Këngës.
Teksa i bën thirrje publikut ndërkombëtar që të shikojnë këtë natë magjike në kanalin e RTSH-së në youtube, Eurovizion thotë se këtë mbrëmje të gjithë sytë janë drejtuar nga Tirana, për të mësuar përfaqësuesin e Shqipërisë në Festivalin Europian të Këngës.
Po ashtu, Eurovizion ka publikuar edhe të 31 këngët konkurruese në Festival.
Janë 22 këngë që do të performohen në këtë natë finale, ndërsa juria e Festivalit do të përcaktojë fituesin e Fest 62. Ndërkohë do të jetë votimi i publik që do të vendosë se cila kënga që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision.
Të 31 pjesëmarrësit e këtij edicioni janë në garë për t’u zgjedhur si kandidatja e Shqipërisë në Eurovizionin e 68-të./rtsh/KultPlus.com
Mijëra njerëz përshëndetën lindjen e diellit me brohoritje, ndërsa ai ngrihej mbi Stonehenge, në Anglinë Jugore për solsticin e dimrit.
Ata që vëzhguan spektaklin në monumentin neolitik në Wiltshire u përballën me një mëngjes të turbullt dhe qiell të vrenjtur për të kapur një pamje të diellit për të shënuar ditën më të shkurtër.
Rebecca Eade e ”English Heritage” tha se ”ishte e mrekullueshme të mirëprisnim rreth 6 000 persona në Stonehenge këtë mëngjes për të festuar një solstic të ftohtë dimëror.
”Ne ishim të kënaqur që 98 500 njerëz të tjerë ndoqën lindjen e diellit drejtpërdrejt në internet nga e gjithë bota. Ishte një festë paqësore dhe pavarësisht nga një fillim i turbullt, njerëzit shijuan një agim të ndritshëm të solsticit dimëror”, theksoi ajo.
Stonehenge është një monument i ndërtuar në shtrirjen e lindjes së diellit në mes të verës dhe perëndimit të diellit në mes të dimrit.
Besohet se solsticët janë festuar në Stonehenge për mijëra vjet.
Data e ekuinokseve dhe solsticeve ndryshon sepse kalendari Gregorian nuk përputhet saktësisht me gjatësinë e vitit tropikal – koha që i duhet Tokës për të përfunduar një orbitë rreth Diellit.
Për të riorganizuar kalendarin me vitin tropikal, një ditë e brishtë futet çdo katër vjet dhe kur kjo ndodh, datat e ekuinoksit dhe solsticit kthehen në datën më të hershme./KultPlus.com
Berati, i përshkuar mespërmes nga lumi Osum, është spikatur si një qytet i veçantë, me ndërtesa të bardha mesjetare, të ndriçuara nga hapësira e ajrit të pastër dhe ngritur një mbi një në shpate mali. Pas viteve ’90-të është kthyer në një prej destinacioneve turistike më tërheqëse nga shqiptarët dhe turistët e huaj.
Në këtë fundvit, dhjetëra vepra arti në pikturë, skulpturë dhe grafikë janë ekspozuar në Galerinë e Arteve “Edward Lir”, Berat, duke shënuar rrugëtimin e tretë të lëvizjes dhe ekspozimit të veprave të Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë, pas suksesit të arritur në Galeritë e Arteve të Pogradecit dhe të Sarandës.
Projekti kulturor disaplanësh, me titull “Psikologjia Shqiptare në artet pamore”, me drejtues projekti Olsi Laska dhe kuratore Suzana Varvarica Kuka, vijon të përhapet në hapësira qytetesh, shkon pranë publikut të ri me qëllimin e njohjes së mjeshtrave të shek. XX dhe atyre më të rinj të shek. XXI.
Promovimi i dhjetëra artistëve të aksit jugor të qendrës së Shqipërisë, të cilët e kanë origjinën e tyre nga qytetet Berat, Fier e Lushnjë, shënon më parë ekzistencën e pasurisë sonë kombëtare në artet pamore. Veprat e tyre të përzgjedhura nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, ekspozohen në Berat dhe i japin jetë e atmosferë konceptit të ekspozitës “Artistë të njohur dhe Berati, qyteti i shkëlqyer modern i Antipatreas shekullore”.
Në këtë ekspozitë, nderohen veprat e artistit të shquar shkodran Simon Rrota, për të njohur e kujtuar se një pjesë të jetës së tij, gjatë Luftës së Parë Botërore e kaloi në Fier, i detyruar si përkthyes nga ushtritë e huaja dhe në mes të bombardimeve. Ndërsa veprat e artistëve të hershëm akademik Vladimir Jani dhe Dhimitër Buda ndiqen nga artistë realist e kontribues në zhvillimin e artit shqiptar të shek. XX si Nallbani, Kilica, Cini, Bushi, të cilët frymëzuan dhe nxitën në rrugën e arteve pamore qindra artistë më të rinj, si Polovina, Thaçi, Golemi, Filipi, Droboniku, Saro, Lena, Papathimiu, Boriçi, etj,
Veprat janë përzgjedhur duke veçuar cilësinë e vlerës artistike dhe përmbajtjen pozitive, historike dhe realiste të subjektit. Galeria e Arteve e Beratit u zgjodh nga stafi drejtues e kuratorial, pasi ky qytet i mrekullueshëm historik, turistik dhe i rinovuar, ka ruajtur traditat më të mira arkitektonike dhe shoqërore. Publikut të këtij aksi, përmes paketës edukative, do t’i tregohet se arti i artistëve të ekspozuar është shenjë serioze e kohës së tyre, është hallkë figurative e rëndësishme në historinë e artit shqiptar dhe, se interesat e tyre figurative, të cilat u shfaqën gjatë 40 viteve të fundit të shek. XX, kanë qenë të lidhura ngushtësisht me aftësimin profesional, me pasqyrimin e fenomeneve historikë, me ndryshimet dhe zhvillimin e shpejtë të shoqërisë, ekonomisë, natyrës, punës dhe kulturës shqiptare. Ndërsa, ato të artistëve që po jetojnë dhe krijojnë, në shek. XXI, janë të lidhura ngushtësisht me zbulimin e personalitetit të individit, si rëndësi e veçantë dhe bashkëkohëse në artet pamore.
Nisja e vizitës tuaj të artit në Galerinë e Arteve “Edward Lir”, Berat, mundëson të diskutojmë për shenjat figurative të artistëve tanë me emër, të njohim aftësitë e tyre, të zbulojmë temat dhe subjektet e sipërfaqeve dhe volumeve artistike, të cilët do të na çojnë në hapësirën natyrore dhe psikologjike të këtyre qyteteve dhe të përballjes me individët e atyre kohërave./atsh/KultPlus.com
Kritiku i artit, Kelly Grovier, ka bërë përzgjedhjen e 20 nga fotografitë më të fuqishme të vitit 2023.
Në këtë album, përfshihen fotografitë nga shpërthimi vullkanik islandez, fotografia nga arrestimi i Trumpit dhe një sulm me raketa ruse në një kishë ukrainase, shkruan BBC, transmeton Klan Kosova.
1. Lumi Rio Grande, Meksikë
Fotografia, e realizuar më 29 mars, kap momentin kur një djalë i vogël hidhet nga të tjerët mbi lumin Rio Grande, ndërsa një grup i madh migrantësh kalon kufirin nga Meksika për në Shtetet e Bashkuara.
2. Gadishulli Reykjanes, Islandë
Siluetat e banorëve duke fotografuar me telefonat e tyre të mençur, qiellin e çuditshëm sulfurik pranë shpërthimit të një vullkani në gadishullin Reykjanes në Islandën jugperëndimore më 19 dhjetor,
3. Qendra për Arsimin e Vajzave, Zaria, Nigeri
Kjo foto prekëse kap brendësinë e një banese në Zaria, Nigeri, ku një grup nënash adoleshente janë mbledhur me fëmijët e tyre të vegjël si pjesë e një programi mbështetës të administruar nga Qendra lokale për Edukimin e Vajzave.
4. Teleskopi James Webb
Marrë nga teleskopi hapësinor James Webb, një observator hapësinor kapi imazhin e kompleksit të reve Rho Ophiuchi.
5. Javier Milei, Argjentinë
Një foto emocionuese e Javier Milei-t, ekonomistit radikal libertarian që u zgjodh president i Argjentinës në nëntor.
6. Tempulli i Poseidonit, Greqi
Një foto e hënës së plotë që po ngrihej pas Tempullit të Poseidonit pranë Athinës, Greqi në fillim të korrikut, ishte mahnitëse.
7. Burning Man, Nevada, ShBA
Pamja klaustrofobike e automobilave të mbërthyer në një bllokim trafiku të gjatë dhe stresues në shkretëtirën Black Rock të Nevadës pas mbledhjes kulturore të Burning Man këtë verë, ishin në kundërshtim me etikën e shkujdesur njëjavore kushtuar artit dhe vetë-shprehjes.
8. Zjarri, British Columbia, Kanada
Një foto e pishave në flakë mbi një lagje banimi në West Kelowna, British Columbia në gusht, ishte tmerruese. Imazhi ishte vetëm një nga fotot e panumërta të shkrepura në këtë vit, vitin më të keq të Kanadasë për zjarret e regjistruara, të cilat lanë miliona hektarë të djegur.
9. Kibbutz Be’eri, Izrael
Një foto e shkrepur më 11 tetor 2023, katër ditë pas sulmit dërrmues të Hamasit në Kibbutz, Be’eri në Izraelin jugor. Zymtësia e frikshme dhe e zbrazët e kronizuar në imazh mund të ketë një jehonë të zbehtë në një pikturë të Cecil Constant Philip Lawson të një ferme të shkatërruar nga lufta në 1915 – një skenë që artisti ushtarak britanik e pikturoi gjatë Luftës së Parë Botërore.
10. Qyteti i Gazës, Gaza
Fotografia e një gruaje në qytetin e Gazës, e cila përpiqet të bëjë rrugën e saj mes kullave të rrënojave pas sulmeve ajrore të Izraelit kundër Hamasit në tetor, është tronditëse.
11. Refugjatja Rohingya, Indonezi
Hiri dhe ekuilibri me të cilin gruaja mban veten, duke balancuar një tufë në kokë në hapin statik të fotos goditëse, mund të duket, në pamje të parë, frymëzim prej afreskeve dhe pikturave të panumërta nga lashtësia e deri më sot.
12. Trump Mugshot, Atlanta, ShBA
Fotoja e Donald Trump e bërë në një burg në Atlanta pasi ish-presidenti amerikan u padit për komplot për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020 në Gjeorgji, u publikua pak çaste pasi u shkrep më 24 gusht.
13. Puthja e Rubiales, finale e Kupës së Botës për femra, Sydney, Australi
Kreu i federatës spanjolle të futbollit puthi në buzë mesfushoren Jennifer Hermoso në momentet pasi ekipi i saj fitoi titullin e parë të Spanjës në Kupën e Botës për femra. Më 20 gusht, ai gaboi rëndë. Ndërsa Rubiales ka mohuar akuzat për shtrëngim të paraqitura nga Hermoso, ajo këmbënguli në mediat sociale që fotot e tij duke e puthur dokumentonin një “vepër pa asnjë pëlqim nga ana ime”.
14. Mali Etna, Itali
Fotot e shkrepura nga Piazzale Funivia dell’Etna, Itali, më 1 dhjetor të shpërthimit të malit Etna – duke ndezur qiellin e natës me shkumëzat e djegura të shkëmbinjve dhe gazit të lëngshëm – ishin befasuese.
15. Kurorëzimi i Mbretit Charles III, Westminster Abbey, Britani
Duke marrë pjesë në kurorëzimin e gjyshit të tij, mbretit Charles III në maj, Princi pesëvjeçar Louis bëri çmos për të mbajtur veten të stimuluar nga procedurat solemne dhe serioze.
16. Katedralja e Shndërrimit të Shenjtë, Odessa, Ukrainë
Në foto duken famullitarët që pastrojnë rrënojat nga pjesa e brendshme e Katedrales historike të Shndërrimit të Shenjtë në Odessa qendrore, Ukrainë, pas një sulmi me raketa ruse mbi strukturën e shenjtë në korrik.
17. Dhoma e Përfaqësuesve, Uashington DC, ShBA
Këtu, kongresmenja kontroverse republikane dhe aleate e ish-presidentit Trump, Marjorie Taylor Greene, përpiqet të bindë një koleg, Matt Rosendale nga Montana, të flasë me Trump, të cilin ajo e ka në pritje në telefonin e saj të mençur.
18. Rezervuari i Woodhead, Britani
Një pistoletë e hedhur, e ndryshkur në vjetërsi, është nxjerrë në dritë duke ulur nivelet e ujit në rezervuarin Woodhead në Anglinë veriore. Shtrati i tharë i rezervuarit, i plasaritur dhe i etur, e kornizon armën e hedhur, sikur të ishte një vepër arti e gatshme, e ekspozuar përjetësisht në një ekspozitë kushtuar vdekjes së krizës klimatike.
19. Konferenca Botërore e Robotëve, Pekin, Kinë
Imazhet e robotëve duke gjestikuluar rrjedhshëm dhe duke bërë shprehje bindëse njerëzore në Konferencën vjetore Botërore të Robotëve në Qendrën Ndërkombëtare të Ekspozitave dhe Konventave të Pekinit Etrong këtë verë ishin vërtet mahnitëse.
20. Durdle Door, Britani
Fotografit Jack Lodge iu deshën katër vjet për t’u pozicionuar në mënyrë të përsosur në hapësirë dhe kohë në mënyrë që të kapte shembullin kalimtar kur drita nga lindja e diellit kalon përmes harkut gëlqeror natyror në Bregun Jurasik pranë Lulworth në Dorset, Angli./KultPlus.com
Më 22 dhjetor të vitit 1903, lindi njëri nga skulptorët më të njohur shqiptar, Odhise Paskali.
Studioi për Letërsi dhe Filozofi në Torino të Italisë, ku më pas vazhdoi studimet për histori arti në vitin 1927.
Vite më vonë, në 1931 krijoi shoqërinë “Miqtë e artit”. Në periudhën 1932-1937, në disa qytete të Shqipërisë, u ngritën disa monumente skulpturore, punime të autorit.
Skulptori i Popullit, Odhise Paskali mund të cilësohet pa frikë si themeluesi i skulpturës shqiptare dhe një nga personalitetet më të rëndësishme të artit shqiptar.
Ai u rrit dhe u edukua në një mjedis arsimdashës. Që në rini spikati zgjuarësia, shkathtësia dhe vullneti i tij për studime, aftësi që i bënë të mundur fitimin e së të drejtës së studimit të shkollës së mesme në Itali, ku u shqua si një ndër studentët më të mirë.
Po kështu, përfundon me rezultate të mira edhe Fakultetin e Letërsisë e Filozofisë në Torino dhe më pas studion edhe për histori arti. Që në vitet e hershme, Odhisea dallohet për shpirtin e iniciativës. Ai u bë nismëtar për krijimin e shoqërisë “Studenti shqiptar” në Torino dhe për botimin e revistës së studentëve shqiptarë të atjeshëm në vitet ‘20.
Ndërsa në vitet ‘30 e shohim nismëtar të shoqatës “Miqt e Arbrit”; si organizator të së parës ekspozitë të arteve figurative dhe të çeljes së Shkollës së Vizatimit në Tiranë. Hapat e para të karrierës së Odhisesë janë në fushën e publicistikës. Ai u shqua në estetikë dhe kritikë arti. Shkroi artikuj të ndryshëm me mendime e meditime për artin në mjaft organe shtypi të vendit apo të huaja.
Nëse mund t’u hedhësh një sy artikujve të tij të viteve ‘20, mund të vësh re aktualitetin e tyre edhe sot. Sikur këto shkrime të autorit të mblidheshin, mund të bëhej një botim i veçantë mbi publicistikën e tij. Odhisea dinte t’u përshtatej me shumë zgjuarsi situatave në çdo kohë.
Duke gjykuar se vendi në vitet ‘20-‘30 kishte mungesë skulptorësh, me të mbaruar fakultetin dhe studimet për artin, i përvishet punimeve plastike, pra artit të skulpturës pranë ateliesë së një skuptori italian realist e monumentalist të Torinos. Kështu ai bëhet skulptori i parë profesionist shqiptar.
Me pushtimin fashist të vendit, Odhisea si erudit në fushën e artit, caktohet anëtar i Institutit të Studimeve të atëhershme, por në mungesë edhe të porosive të mjaftueshme, për ngritje shtatoresh, detyrohet të çelë një punishte për përgatitje shkumësash për nevojat e shkollave të vendit.
Me çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë, krahas vazhdimit të krijimeve skulpturore për figurat e rilindasve, në tematikën e punimeve të tij zënë vend edhe heronjtë e popullit dhe dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Edhe pse Odhisea jetoi në Përmet vetëm 14 vjet dhe shumicën e jetës 82-vjeçare e kaloi në Itali dhe në Tiranë, ai ishte i lidhur me vendlindjen.
Përveç ecejakeve të herëpashershme pranë familjes në periudha të ndryshme para djegies së shtëpisë së tij në korrik të vitit 1943 nga fashistët, ai krijoi në vendlindje një sërë veprash.
Kur u emërua drejtor i Galerisë së Arteve aty nga vitet ‘60, ai nuk kishte dëshirë as t’i vinin telefon në zyrë, pasi zilja e tij e shqetësonte dhe nuk e linte të punonte.
Përveç punimeve konkrete, ai mbante shpesh shënime në formë ditari, qoftë për meditime mbi artin qoftë edhe kujtime historike, gjë që bëri të mundur, që një vit pas vdekjes së tij më 1986, të botohej libri “Gjurmë jete”, një material në fakt i shkurtuar e i cunguar.
Veprat artistike:
“I urituri”, “KETI”, “Malësori”, “Lufëtari Kombëtar”, në Korçë “Themistokli Gërmenji”, në Korçë; “Ushtari i panjohur”, “Partizani fitimtar” (Mathauzen, Austri) 1968; “Naum Veqilharxhi”, bust në bronx , në Korçë; “Monumenti i Skënderbeut në Tiranë” me bashkautorë, 1968; “Gjergj Kastrioti (Skënderbeu)” “Isa Boletini” “Fan Noli” “Onufri” “Jeronim De Rada”, në Tiranë “Pashko Vasa” “Zef Skiroi” “Çerçiz Topulli” “Naim Frashëri” “Vojo Kushi” “Migjeni” “Enver Hoxha” “Idriz Seferi” “Ahmet Zogu”, e shumë vepra të tjera. / KultPlus.com
22 dhjetori është dita e solsticit dimëror, që shënon hyrjen në stinën astronomike, stinë më të ftohtë të vitit.
Solstici ka ndodhur në orën 5:48 të mëngjesit. Kur flitet për solsticin dimëror nënkuptohet momenti kur dielli arrin distancën e tij maksimale këndore në lidhje me ekuatorin tokësor. Ky fenomen kushtëzon orarin e perëndimit. Solstici dimëror është në fakt dita më e shkurtër e vitit dhe nata më e gjatë e 2015-s.
Solstici dimëror dhe ai veror janë dy ditë në të cilat hemisfera veriore dhe ajo jugore marrin respektivisht minimumin dhe maksimumin e rrezatimit diellor. /KultPlus.com
Një muze me murale që datojnë rreth 1500 vjet më parë, nga koha e dinastisë së veriut Qi (550-557), u hap më 20 dhjetor në Taiyuan, kryeqyteti i provincës Shanxi të Kinës veriore. I vendosur në fshatin Wangdiafeng, Muzeu Mural i Dinastisë së Veriut Qi Taiyuan u ndërtua mbi bazën e zbulimeve arkeologjike në varrin e kësaj dinastie, i pari i këtij lloji në Kinë.
Varri i Xu Xiangxue, një zyrtari i lartë i kohës, ka pasur muralet më të ruajtura të periudhës së Qi-së veriore, duke mbuluar më shumë se 300 metra katrorë.
Muralet përfshijnë piktura që përshkruajnë jetën e Xu dhe gruas së tij, të tilla si skena banketesh dhe shëtitjesh, të cilat jo vetëm tregojnë nivelin më të lartë të aftësive artistike gjatë epokës, por gjithashtu ofrojnë një pasqyrë të stilit të jetesës luksoze të fisnikërisë së dinastisë.
Për të siguruar ruajtjen, varri mbyllet me temperaturë dhe lagështi të kontrolluar në muze dhe vizitorët mund të shijojnë muralet, me ndihmën e teknologjisë së realitetit virtual (VR).
Muzeu ka adoptuar shkencën dhe teknologjinë për të mbrojtur reliket kulturore dhe për të përmbushur më mirë nevojat kulturore të vizitorëve.
Disa murale të zbuluara në varret e Dinastisë së vonë Veriore (439-581) në provincë janë gjithashtu të ekspozuara në muze./KultPlus.com
Në një sallë përplot me të rinj të talentuar, edicioni i shtatë i konkursit më të pëlqyer nga të rinjtë, “Novelat grafike” u përmbyll sot me shpalljen e fituesve.
Ministrja e Kulturës Elva Margariti, publikoi në rrjete sociale foto nga ky eveniment i rëndësishëm, teksa vurinë dukje se, ““Novelat grafike” vjen si një dhuratë e bukur për Vitin e Ri dhe një stimul për të vijuar më tej në këtë zhanër erdhi ky çmim për 5 fitues”.
Margariti shprehu kënaqësi të veçantë, për organizimin e këtij konkursi që gjithnjë e më shumë po tërheq vëmendjen e të rinjve drejt qasjes me trashëgiminë kulturore.
“Ndava emocionet e bukura me të gjithë të rinjtë që u bënë pjesë e këtij konkursi, e në veçanti me Alesian që fitoi çmimin e parë me një nga rrëfimet më mbresëlënëse në fëmijërinë e saj, nga cikli “Tregime të moçme shqiptare”, “Ajkuna qan Omerin”, që tregon lidhjen e shëndetshme të brezit të ri me trashëgiminë kulturore shpirtërore të vendit tonë”, tha ministrja.
“Ministria e Kulturës do të vijojë të mbështesë të rinjtë në ndjekjen e ëndrrave të tyre”, deklaroi Margariti.
Fituesit e çmimeve të konkursit janë:
Çmimi i parë: Alesia Zhuli;
Çmimi i dytë: Rei Kërçova
Çmimi i tretë: Gea Qendro
Çmimi i katërt: Xhoen Hajdaraj
Çmimi i pestë: Arta Mumajesi
Ky është viti i 7-të (që prej vitit 2014) që Ministria e Kulturës realizon Konkursin “Novelat Grafike Shqiptare, në mbështetje të veprimtarive dhe si pjesë e politikave kulturore te kësaj Ministrie, me qëllim edukimin dhe formimin cilësor të brezit të ri nëpërmjet arteve, krijimtarisë aplikuese dhe konkurseve që rezultojnë ndër vite të suksesshme.
Qëllimi i këtij projekti kulturor është edukimi artistik dhe gjuhësor përmes vlerave të trashëgimisë kulturore materiale (konteksti) dhe jomateriale (shprehja), të aplikuara në gjininë e novelave grafike si dhe mbajtja gjallë e kulturës popullore.
Tematika e veprave që u paraqitën ka qenë nga letërsia, legjenda dhe përralla, tregime apo gojëdhënat, kinematografi, realitete të përditshme .
Rëndësi në këtë edicion iu kushtua teknikave të punimit, mënyrave të shprehjes së fabulës, përshkrimit të karaktereve, inkuadrimit të narracionit, përdorimit të elementeve simbolike si mjete të gjuhës apo të komunikimit.
Pjesëmarrja në edicionin VII të Konkursit Kombëtar “Novelat Grafike Shqiptare 2023”, ishte e hapur për çdokënd pa dallim moshe, gjinie, profesioni, arsimimi etj.
Në këtë konkurs morën pjesë nxënës të shkollave të mesme artistike në Tiranë, Elbasan, Korçë, Gjirokastër, Shkodër, Berat, Vlorë, Fier dhe Durrës, student nga Universiteti i Arteve, Fakulteti i Arteve Figurative etj, si edhe të tjerë individë të interesuar./KultPlus.com
Në kohën dixhitale të cilën po e jetojmë, gjeneratat e reja, por edhe ato që do të vijnë më pas, gjurma në internet për shkrimtaren Helena Kadare mbetet si: bashkudhëtarja jetësore e Ismail Kadaresë. Nuk është pak! Në fakt është e kundërta! Është dyfish më shumë sesa për ata shkrimtarë që “jetojnë” nën hijen e ahut gjigant siç është Ismail Kadare në letërsinë shqipe. Por Helena Kadare nuk do të duhej të jetë thjeshtë një zë narrativ i jetës përkrah Ismailit. Kjo hije mbase e ka bërë hijerëndë, megjithatë ajo peshon shumë më shumë se kaq.
Helena Kadare është një nga zërat më të veçantë të letërsisë së shkruar nga gratë, që nga vitet e ’60. Në harkun e disa dekadave, Kadare ka kontribuar ndjeshëm në portretizimin letrar të gruas, për botëkuptimin e saj, ecjen e saj në jetë por edhe për pengesat që hasë e kapërcen. Vepra letrare e Helena Kadaresë dallohet për nga kthjelltësia e mendimit e sensibiliteti i hollë i ndjenjave.
Preokupim i saj krijues është thurja artistike e dridhjeve të imta shpirtërore të gruas Në romanet e shkruara deri më 1990, protagonistet si Vera te “Shuaje dritën Vera”, Bardha te “Një lindje e vështirë” dhe Shpresa te “Bashkëshortët” qëndrojnë larg idealizimit konvencional të kohës. Ato konceptohen e krijohen si figura autentike dhe kjo ndodh sepse arrihet ngjizja midis figurës dhe idesë, prandaj ato vijnë të natyrshme dhe pa artifice. Helena Kadare nuk e sheh gruan, si personazh, në kundërvënie me burrin por i percepton ato në esencë superiore – më të afta se burrat në përballje me jetën e përditshme Këto personazhe tejkalojnë paradigmat konvencionale, dhe mbesin modele frymëzuese.
Përkushtini i saj të merret kaq shpesh e me kaq këmbëngulje me një sferë tematike dhe përherë të fiksoj, në këtë kuadër, një anë a dukuri të re, është dëshmi e forcës krijuese. Kërkesë e saj e brendshme është dëshira për t’i folur në letërsi gruas me zërin e një gruaje. Helena është “Një grua nga Tirana” me “Kohë të pamjaftueshme” ta bëj hijen e vet.
Në fund i kthehemi fillimit, për të thënë se në një kërkim në internet për Helena Kadarenë duhet të shkruhet se ajo është gruaja që e shkroi romanin e parë në letërsinë shqipe i cili titullohet “Një lindje e vështirë” (1972)./KultPlus.com
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në 110-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Petro Marko çelën të premten, më datë 22 dhjetor, ekspozitën “Petro Marko – 110-vjetori i lindjes”, me pjesëmarrjen e familjarëve të shkrimtarit, studiuesve, shkrimtarëve, përkthyesve, dashamirësve të kulturës etj.
Drejtori i BKSH-së, Piro Misha, dhe drejtorja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, duke vlerësuar personalitetin e letrave shqipe, vunë theksin në rëndësinë e veprimtarive të tilla si “forma më e mirë për të kujtuar dhe përcjellë te brezat e rinj gjurmën dhe trashëgiminë e personaliteteve që përbëjnë panteonin e kulturës shqiptare”.
Veprimtarinë e përshëndetën edhe shkrimtarja Diana Çuli, studiuesi Behar Gjoka, si dhe vajza shkrimtarit Arianita Marko, të cilët ndanë me të pranishmit vlerësimet dhe kujtimet për shkrimtarin.
Petro Marko konsiderohet së një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të letrave shqipe, i cili ka lënë një trashëgimi të pasur në botime me poezi, tregime, romane, drama, publicistikë, kujtime etj.
Botimet e para të krijimtarisë së tij nisim me gazetat dhe revistat e viteve ’30, si: “Illyria”, “Demokratia”, “ABC”, “Bota e re” apo “Shqipëri e re”, për të vijuar më pas në botimet e veprave të tij. / KultPlus.com
Është një ndër artistët më të rëndësishëm shqiptarë dhe veprat e tij kanë zënë vend edhe në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Tiranës, shkruan KultPlus.
Abdurrahim Buza ka trajtuar tema të ndryshme nëpërmjet artit të tij, por dukshëm vërehet dhimbja e popullit shqiptar, që ka reflektuar edhe në punën artistike të Buzës.
KultPlus kësaj radhe ka përzgjedhë veprën “Refugjatët”, vepër kjo që është realizuar në vitin 1957, dhe po kjo vepër është prezantuar edhe në Documenta 14./ KultPlus.com
AMC Hall, një investim milionësh, unik në Kosovë, i dedikuar për ngjarje kulturore, shpejt është bërë adresa kryesore për ngjarjet më të mëdha në vendin tonë.
Në një lokacion të përshtatshëm për organizimin e eventeve të ndryshme, panaire, konferenca masive, koncerte, xhirime televizive, videospoteve muzikore dhe xhirime filmash, ky investim në zonën e biznesit në Obiliq, përbëhet nga dy salla të ndara prej 1150m2 (koncerte deri në 3000 persona) dhe 400m2 nga AMC Corporation ofron ambient ideal për të gjitha llojet e eventeve.
Vetëm gjatë muajve të fundit, AMC Hall u bë qendra e disa prej organizimeve më të mëdha në vend, duke përfshirë këtu: Koncertin Festiv të Operës së Kosovës, Koncertet e Filharmonisë së Kosovës, Premierën e shfaqjes ‘Arrëthyesi’ nga Baleti Kombëtar i Kosovës dhe Filharmonia e Kosovës. Gjithashtu, ky vend ka strehuar Rave Festival, koncertin e Eda Zares, Euphoria Festival, si dhe xhirime të ndryshme si videospoti i Dafina Zeqirit në bashkëpunim me Afrim Muqiqin, xhirimet televizive të Radio Televizionit të Kosovës – RTK, T7 dhe KTV, dhe videoxhirimet e dizajnuesit të njohur Valdrin Sahiti.
Gjithashtu, AMC Hall tashmë është pronotuar edhe për shumë evente të tjera tejet speciale për vitin 2024. Me qëllim kryesor vendosjen e vazhdueshme të standardeve të larta, AMC Hall është një kuti e magjishme ku ngjarjet marrin jetë dhe ku pritshmëritë tejkalojnë çdo kufi. / KultPlus.com
Një histori e pabesueshme e dashurisë dhe përkushtimit ndaj kauzës që asnjë fëmijë të mos rritet i vetëm është shkruar nga një njeri i veçantë, miku i SOS Fshatit, Artan Hasani.
Ai, një punëtor, prind i përkushtuar dhe mbështetës i atyre që kanë nevojë, ka treguar anën e tij solidare, duke bërë një dhurim jashtëzakonisht të veçantë, një parcelë toke për fëmijët e SOS Fshatit.
Ky donacion është i veçantë jo vetëm për shkak të vlerës materiale të parcelës së tokës, por mbi të gjitha për ndjenjën e qëndrueshmërisë që sjell me vete. Artani ka kuptuar se jeta nuk është vetëm për të marrë, por edhe për të dhënë, për të ndarë dhe për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë.
Fëmijët e SOS Fshatit tashmë e kanë në zemër pushimin dimëror dhe veror, por me këtë parcelë të dhuruar nga Artani, ata do të kenë një shtëpi pushimi të veçantë për familjet e tyre. Megjithatë, rruga për të arritur këtë ëndërr është ende e vështirë. Planifikimi arkitekturor, ndërtimi dhe mobilimi janë sfidat e ardhshme që duhet të përballen.
“Por me solidaritetin dhe mbështetjen e miqve, mund të të ndërtojmë një shtëpi pushimi që do të mbetet një vend i magjishëm për fëmijët e SOS Fshatit. Faleminderit, Artan, për shembullin e jashtëzakonshëm të dhurimit dhe për tregimin që bën mbi fuqinë e një njeriu për të ndryshuar jetë”, thuhet në njoftimin nga SOS Fshati. / KultPlus.com
Mbrëmë në KultPlus Caffe Gallery u promovuan pesë libra të rinj të Botimeve REA, ku morën pjesë personalitete të jetës akademike dhe kulturore si profesorë, shkrimtarë, gazetarë, studentë e dashamirë të shumtë të librit.
Me këtë rast u promovuan librat: “Mahnitja e parë” (Demë Topalli), “Lexuesit e kartëmortaleve” (Binak Kelmendi), “Mëkati i buzëqeshjes” (Sali Bashota), “Misioni i Shkrimtarit” ese të nobelistit Elias Canetti (përkthyer nga Naim Kryeziu) dhe “Sytë flasin në heshtje” (Afërdita Bashota-Podvorica).
Aktivitetin e moderoi Rozafa Bashota, ku fillimisht falënderoi drejtoreshën e KultPlus Ardianë Pajazitin dhe të gjithë pjesëmarrësit e pranishëm. Rozafa, ndër të tjera, foli për projektet kryesore të Botimeve REA: “Padyshim se qëllimi ynë është të botojmë libra që janë në interes të lexuesve, si ata nga fusha e psikologjisë, letërsisë, libra biografikë, si dhe ribotime të autorëve të njohur të Kosovës që gjeneratat e reja kanë pak ose fare informacion për to.
Unë vetë jam nga fusha e Psikologjisë dhe e them me bindje që librat psikologjikë dhe përkthimet nga gjuhët e huaja do të jenë një shtesë e padiskutueshme e Botimeve REA. Përveç se janë të rëndësishëm ta ngrisim kulturën e leximit në vendin tonë, janë po ashtu të rëndësishëm në ngritjen e vetëdijesimit për çështje të ndryshme psikologjike, të cilat për fat të mirë po iu shërbejnë lexuesve në vendin tonë në gjetjen dhe njohjen e vetvetes”, tha Rozafa e cila tutje tregoi se një nga prioritetet e kësaj shtëpie botuese do të jenë edhe aktivitetet e ndryshme që ndërlidhen me arsimimin kulturor. Natyrisht bashkëpunimi me shkrimtarët dhe përkthyesit do të jetë një kaptinë me vete në realizimin e synimeve të tyre.
“Do të përpiqemi që t’i ndjekim standardet më të reja në praktikën botuese me qëllim të afirmimit të së drejtës së autorit, në kthimin e dinjitetit të autorit, duke respektuar mundin e tyre krijues.”
Në vazhdim, Alketa Gashi, interpretoi poezitë: “Koha” dhe “Heshti” të Demë Topallit, tregimin “Te pllaka përkujtimore” të Binak Kelmendit, pjesë nga eseja “Misioni i Shkrimtarit” të nobelistit Elias Kaneti, prozën poetike “Rrëfimi për pëllumbat e bardhë” të Sali Bashotës dhe poezitë “Ju jeni si qielli si dielli si hëna” dhe “Vetëm unë e kam emrin tim” të Afërdita Bashota-Podvoricës. Ndërsa me kitarë e përcolli Lind Bobi.
Ky aktivitet promovues i Botimeve REA kishte një organizim të veçantë meqë secili nga autorët foli për krijimtarinë e vet letrare, e sidomos për librin që u promovua.
Autori Demë Topalli në fjalën e tij u shpreh se për librin e botuar kishte dyshimet e veta për shkak të distancës së madhe kohore nga botimet e tij të fundit si: “Vera e ikur” “Druri i fatit, “Haber i mirë” dhe “Sytë që dinë me pa”.
“Përzgjedhja dhe bashkimi i këtyre poezive në një libër më dukej punë jo e qëlluar. Mirëpo, megjithatë, libri “Mahnitja e parë’’ doli. Doli me insistimin e gjatë të mikut tim, Sali Bashotës. E falënderoj shumë për këtë”, tha autori i cili tutje foli për përballjen e poetit me gjuhën dhe fjalët, kujtesën, për ndonjë përjetim që pas disa dhjetëra vjetësh vjen e bëhet poezi.
“Po e nis me fjalën gojëzanë, që vjen nga fëmijëria ime e hershme. Ndoshta shkaku që si fëmijë kam qenë paksa i druajtur dhe i mënjanuar, shpesh iu kam shmangur takimit dhe bisedave me njerëz. Një ditë prej ditësh, një grua e një familjeje fqinje me ne, thotë “ Moti s’e kam pa Demën, kurse një tjetër, plakë, ia pret: “Po ai nuk flet, iu ka nxan goja”. Këtë ma ka thënë më vonë motra ime më e madhe se unë, që nuk jeton më. Shumë herë gjatë jetës m’u kanë kujtuar këto fjalë. Mirëpo, kurrë s’e kam besuar që ato, pas dhjetëra vjetësh, do të vijnë e do të shkrihen në një fjalë-figurë, me një tingëllim e domethënie tjetër”, tha poeti teksa foli pastaj në veçanti edhe për disa nga poezitë e librit të tij e krejt në fund u shpreh shumë i kënaqur që libri i tij është libri i parë i botuar nga shtëpia e re dhe serioze botuese “Rea”, e drejtuar nga Rozafa Bashota.
Tutje, fjalën e mori autorit Binak Kelmendi. Ai u shpreh se promovimi i një libri mbetet gjatë në mendjen e autorit të tij dhe beson se mbetet gjatë edhe në mendjen e botuesit. Aq më shumë dhe sidomos mbetet gjatë në mendjen e një botueseje të re e plot dhunti, me iniciativë dhe ambicie siç është në këtë rast Rozafa Bashota.
Ndërsa për përmbledhjen e tij me tregime “Lexuesit e kartëmortaleve” e cila u promovua në këtë mbrëmje, Kelmendi tregoi se libri përmban 17 tregime nga gjithsej 55 tregimet e tij, botuar deri më tash në tri përmbledhje tregimesh.
“Vetëm tregimi “Lexuesit e kartëmortaleve”, nga i cili bart emrin përmbledhja, është tregim i ri që më duket se, siç themi ne nganjëherë, ka fjetur vetëm një vit për ta parë dritën dhe për t’u bashkuar me tregimet tjera që janë botuar edhe para më shumë se tridhjetë vjetësh”, tha autori.
Tregimet e përfshira në këtë libër janë tregime që përfshijnë periudhat tona kombëtare, madje që nga paraepoka siç është tregimi “Tërheqja zvarrë e Gentit nëpër Romë”, por edhe periudhat më të hershme e më të vonshme që i kaluam e disa edhe i përjetuam.
Në radhë, fjalën e mori përkthyesi Naim Kryeziu i cili në këtë mbrëmje promovoi “Misioni i Shkrimtarit” ese të nobelistit Elias Canetti. Sipas tij, kur flasim për Elias Kanetin atëherë kemi të bëjmë dhe flasim për një shkrimtar që ka rrënjët në Ballkan, për një shkrimtar vërtet të madh evropian, për një shkrimtar të përmasave botërore, pra, flasim për një nobelist.
“Elias Kaneti, të cilin kritika letrare e ka quajtur si një „klasik të gjallë“ dhe si një prej humanistëve më të mëdhenj të shekullit të njëzetë, më 1981 iu dha Çmimi Nobel për letërsinë. Në përmbledhjen e eseve me titull „Misioni i shkrimtarit“, Kaneti analizon dhe trajton veprat e shkrimtarëve dhe të filozofëve të kulturave të ndryshme, ku pastaj në eset e veta lexuesit i ofron ajkën e krijimtarisë letrare dhe filozofike të shkrimtarëve dhe filozofëve siç janë: Tolstoji, Byhneri, Kafka, Brehti, Krauzi, Hitleri sipas Shperit, Konfuci, Ditari i dr. Haçijës nga Hiroshima, etj.”, thotë Kryeziu.
Krejt në fund, fjalën e mori edhe autori Sali Bashota i cili zgjedhi disa fjalë për librin e tij “Mëkati i buzëqeshjes”.
“Përmes prozës poetike synoj për të shenjuar një cak tjetër, diçka midis poezisë dhe prozës. Atë që nuk e kam thënë në librat e mi me poezi, jam përpjekur ta artikuloj në prozën poetike. Jo rrallë më duket vetja se jam midis dy lumenjve, për të provuar se në cilin lumë do të notoj më shumë, por edhe më mirë. Fundja, nuk mund të bëj krahasime, prandaj poezia dhe proza poetike, pothuajse, janë i njëjti kërkim imi, i paraqitur në variante të ndryshme, ngjitur nëpër shkallët e imagjinatës, por edhe nëpër shkallët e jetës”, thotë autori.
Bashota, i cili në këtë mbrëmje po përjetonte një gëzim të dyfishtë, botimin e librit dhe përurimin e shtëpisë botuese të vajzës së tij.
“Vajza ime Rozafa, tash si botuese do të udhëtojë nëpër kohën e rigjetur, për ta kuptuar edhe më fuqishëm se çka është bota e librit. Tash është një tjetër kohë e imagjinatës që shfaqet në realitetin jetësor përmes veprës dhe që bëhet e pavdekshme”, u shpreh Bashota.
Librat “Mahnitja e parë” e Demë Topallit dhe “Misioni i Shkrimtarit” ese të nobelistit Elias Canetti, janë përkrahur për botim nga Komuna e Prishtinës. Ndërsa, veprat “Lexuesit e kartëmortaleve” e Binak Kelmendit dhe “Mëkati i buzëqeshjes” e Sali Bashotës janë përkrahur nga Komuna e Fushë Kosovës. / KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga puna që po kryhet me projektin e Parkut të Liqenit të Mbreshtanit, i cili do të shndërrohet në një pikë takimi me natyrën.
Rama theksoi se ky projekt përfshin shtimin e gjelbërimit dhe pedonalen e re rreth e përqark, për t’i bërë shëtitjet e qytetarëve edhe më të këndshme.
Berati vijon të mbetet ndër qytetet më të preferuara të turistëve.
Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit.
Por turizmi i natyrës është po ashtu atraksion më vete për vizitorët.
Me Parkun Kombëtar të Malit të Tomorrit i cili ka një sipërfaqe rreth 4000 ha dhe ndodhet në lindje të qytetit, Berati ka tërhequr gjithmonë edhe turistët e natyrës.
“Shtigjet e biçikletave” është një tjetër nismë që nxisin eksplorimin e natyrës në këtë qark./ atsh / KultPlus.com
Më 22 dhjetor të vitit 1903, lindi njëri nga skulptorët më të njohur shqiptar, Odhise Paskali.
Studioi për Letërsi dhe Filozofi në Torino të Italisë, ku më pas vazhdoi studimet për histori arti në vitin 1927.
Vite më vonë, në 1931 krijoi shoqërinë “Miqtë e artit”. Në periudhën 1932-1937, në disa qytete të Shqipërisë, u ngritën disa monumente skulpturore, punime të autorit.
Skulptori i Popullit, Odhise Paskali mund të cilësohet pa frikë si themeluesi i skulpturës shqiptare dhe një nga personalitetet më të rëndësishme të artit shqiptar.
Ai u rrit dhe u edukua në një mjedis arsimdashës. Që në rini spikati zgjuarësia, shkathtësia dhe vullneti i tij për studime, aftësi që i bënë të mundur fitimin e së të drejtës së studimit të shkollës së mesme në Itali, ku u shqua si një ndër studentët më të mirë.
Po kështu, përfundon me rezultate të mira edhe Fakultetin e Letërsisë e Filozofisë në Torino dhe më pas studion edhe për histori arti. Që në vitet e hershme, Odhisea dallohet për shpirtin e iniciativës. Ai u bë nismëtar për krijimin e shoqërisë “Studenti shqiptar” në Torino dhe për botimin e revistës së studentëve shqiptarë të atjeshëm në vitet ‘20.
Ndërsa në vitet ‘30 e shohim nismëtar të shoqatës “Miqt e Arbrit”; si organizator të së parës ekspozitë të arteve figurative dhe të çeljes së Shkollës së Vizatimit në Tiranë. Hapat e para të karrierës së Odhisesë janë në fushën e publicistikës. Ai u shqua në estetikë dhe kritikë arti. Shkroi artikuj të ndryshëm me mendime e meditime për artin në mjaft organe shtypi të vendit apo të huaja.
Nëse mund t’u hedhësh një sy artikujve të tij të viteve ‘20, mund të vësh re aktualitetin e tyre edhe sot. Sikur këto shkrime të autorit të mblidheshin, mund të bëhej një botim i veçantë mbi publicistikën e tij. Odhisea dinte t’u përshtatej me shumë zgjuarsi situatave në çdo kohë.
Duke gjykuar se vendi në vitet ‘20-‘30 kishte mungesë skulptorësh, me të mbaruar fakultetin dhe studimet për artin, i përvishet punimeve plastike, pra artit të skulpturës pranë ateliesë së një skuptori italian realist e monumentalist të Torinos. Kështu ai bëhet skulptori i parë profesionist shqiptar.
Me pushtimin fashist të vendit, Odhisea si erudit në fushën e artit, caktohet anëtar i Institutit të Studimeve të atëhershme, por në mungesë edhe të porosive të mjaftueshme, për ngritje shtatoresh, detyrohet të çelë një punishte për përgatitje shkumësash për nevojat e shkollave të vendit.
Me çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë, krahas vazhdimit të krijimeve skulpturore për figurat e rilindasve, në tematikën e punimeve të tij zënë vend edhe heronjtë e popullit dhe dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Edhe pse Odhisea jetoi në Përmet vetëm 14 vjet dhe shumicën e jetës 82-vjeçare e kaloi në Itali dhe në Tiranë, ai ishte i lidhur me vendlindjen.
Përveç ecejakeve të herëpashershme pranë familjes në periudha të ndryshme para djegies së shtëpisë së tij në korrik të vitit 1943 nga fashistët, ai krijoi në vendlindje një sërë veprash.
Kur u emërua drejtor i Galerisë së Arteve aty nga vitet ‘60, ai nuk kishte dëshirë as t’i vinin telefon në zyrë, pasi zilja e tij e shqetësonte dhe nuk e linte të punonte.
Përveç punimeve konkrete, ai mbante shpesh shënime në formë ditari, qoftë për meditime mbi artin qoftë edhe kujtime historike, gjë që bëri të mundur, që një vit pas vdekjes së tij më 1986, të botohej libri “Gjurmë jete”, një material në fakt i shkurtuar e i cunguar.
Veprat artistike:
“I urituri”, “KETI”, “Malësori”, “Lufëtari Kombëtar”, në Korçë “Themistokli Gërmenji”, në Korçë; “Ushtari i panjohur”, “Partizani fitimtar” (Mathauzen, Austri) 1968; “Naum Veqilharxhi”, bust në bronx , në Korçë; “Monumenti i Skënderbeut në Tiranë” me bashkautorë, 1968; “Gjergj Kastrioti (Skënderbeu)” “Isa Boletini” “Fan Noli” “Onufri” “Jeronim De Rada”, në Tiranë “Pashko Vasa” “Zef Skiroi” “Çerçiz Topulli” “Naim Frashëri” “Vojo Kushi” “Migjeni” “Enver Hoxha” “Idriz Seferi” “Ahmet Zogu”, e shumë vepra të tjera. / KultPlus.com
Më 22 dhjetor 2007, u nda nga jeta regjisorja Xhanfize Keko.
Kineastja e parë grua në Shqipëri ishte pionere e filmit shqiptar për fëmijë. Rrugëtimi i saj artistik nisi në vitin 1952, kur ushtronte profesionin e montazhieres dhe të dokumentaristes. Pas një përvoje të konsoliduar, në vitin 1971 do të ndërmerrte karrierën e regjisores.
Keko mund të cilësohet si regjisorja e “herëve të para”. Përgjatë angazhimit të saj 13-vjeçar, Keko realizoi 12 filma artistikë të mirëpritur edhe përtej vendit. Është edhe regjisorja e parë shqiptare e vlerësuar me çmime ndërkombëtare. Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë dhe të Rinj të zhvilluar në Xhifoni (Itali), ka fituar medalje për realizimet “Beni ecën vetë”, “Pas gjurmëve” dhe “Tomka dhe shokët e tij”. Për kontributin e saj në gjininë e filmit, u vlerësua me titullin e lartë “Artiste e popullit” në vitin 1984. / atsh/ KultPlus.com
Dramaturgu, romancieri dhe poeti irlandez fitues i çmimit Nobel, Samuel Beckett nderohet si një nga shkrimtarët më me ndikim të shekullit të 20-të.
Ai mbahet mend më së miri si babai i lëvizjes postmoderniste, vepra e së cilës ndikoi në një gamë të gjerë shkrimtarësh dhe kineastësh të mëvonshëm. Ai ishte gjithashtu shkrimtar i “Teatrit të Absurdit”, pjesë të zhanrit të trillimit absurdist. Puna e tij ka qenë e ngulitur me elemente të komedisë së zezë, humor të varur dhe ofron një pamje tragjikomike në natyrën njerëzore. Vepra e tij kryesore “Duke pritur Godet” është një klasik i përjetshëm që thellohej në absurditetin e ekzistencës njerëzore. Samuel Beckett u bë pjesë e lëvizjes së Rezistencës Franceze gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe iku për t’i shpëtuar këtij ferri vrastar. Gjatë viteve të luftës, ai ia kushtoi kohën shkrimit të disa prej veprave të tij më të vlerësuara. U kthye në Paris pasi gjermanët u larguan dhe arriti kulmin e karrierës së tij si shkrimtar. Disa nga veprat e tij më të njohura përfshijnë, “Malone Dies”, “Molloy”, “The Unnameable”, “Watt” dhe drama, “Endgame”. Veprat e tij janë përkthyer në më shumë se njëzet gjuhë.
Ai, Samuel Beckett ishte i zgjedhuri. Vinte për ta kthyer teatrin në një skenë ngjarjesh të mëdha, kumtimesh të epërme dhe transformimesh estetike.
Samuel Beckett, njihet prej mbarë nesh si novelist, dramaturg dhe poet. Djaloshi irlandez i lindur në Dublin rroku të hyjshmen e krijimit me pasionin e ngulmëtarit. Erdhi në letërsi dhe njiherash në artin e dramës, ashtu ngadalë, pa poterë e trumbeta lajmëruese. U ngjit duke sprovuar pa panikun e të pamundurës. Asgjë rastësore nuk vjen me të. Ai përgatitet për të gjitha dhe gjithçka që reflekton protagonismin e tij, është veçse vetja e një Sizifi që ngjitet. Teatri është Olimpi i këtij Zeusi që fal plotpushtetin por nuk i heq nga dora ushtat e zjarrit. Teatri, ai manifestim që përpëlitej në terrin dhe heshtjen, asgjësë dhe mykut të përtej siparit të së shkuarës dhe domosdosë së një shekulli ngulmëtar, kërkonte një zë, një zemëratë, një ëndërr gjërash të thyera që paralajmëronin ribërjen e botës.
***
Messhekulli XX tenton të ringrejë diçkanë në teatër si nga hiri Feniksin mitik. Vendosje elegante, kostume madhështore, intriga të spërdredhura dhe mbarime të lumtura, janë hope filluese. Ardhje që kërkonin të ngrinin të tjera ura komunikimi me një njeri që ndryshonte më shpejt koha, me një botëkuptim që kërkonte të ngrihej mbi gërmadhat e së shkuarës. Vetëdija konfuze e një individi që kërkonte shumëçka pa qenë në gjendje të vizualizonte se çfarë, më shumë se një rebus që kërkon zgjidhje ishte një dhimbjë që kërkon mbivendosjen e një tjetër dhimbje, për ta ndarë ngadalë nga terrori i padurimit të torturës së ferrit që kishte gatuar vetë. Samuel Beckett, ndoshta kishte diçka për të thënë, për të bërë, jo dhe aq për ta çkoduar këtë enigmë, se sa për të ç’burgosur këtë gjendje shpirtërore nga boshi, për t’i kthyer thelbësoren këtij njeriu përmes teatrit.
Ai na qaset me gjëra krejt të tjera, të ngjashme me gjendjen e zhveshur të një peme të vetme, pushtuar nga dy endacakë të rreckosur, që prisnin për dikë që nuk do të vinte kurrë.
Në këtë kohë boshe dhe me këto shpirtra të telendisur, shkrimtari na ofroi ne shëndetin e brutalitetit, dhembshurisë, shpresës dhe dëshpërimit, të gjitha në të njëjtën kohë.
Nga erdhi ky njeri, ky njeri, i cili ishte aq i përqendruar në më të keqen tonë dhe që nuk mund të na ndihmonte ne… për të zbuluar më të mirën. Por ai u përpoq, i bindur se njeriut që kishte marrë arratinë nga vetja, do ti lejohej të rivinte, pa pendim a shpagë.
E hapi derën e atij vendi, që dukej qartë si një dhomë e murrëtyer dhe na ftoi të futeshim brenda. Ngadalë… sytë tanë u mësuan me errësirën, dhe mundëm pak nga pak që t’i shikonim gjërat shumë më qartë.
***
Te teatri bashkëkohor i Samuel Beckett, dikush mund të shikojë se si ai zhvishet nga grackat konvencionale të trillimit artistik, duke u përpjekur tashmë që të zbresë deri te thelbësoren e gjërave. Dhe vërtetë ai e përlan me fushëpamje të gjithën këtë proces krijimi, këtë identitet që rreket të kërkojë të tashmen e vet.
Ndër krejt tekstshkruesit e plotkuptimtë modernë, Samuel Beckett, e veçon veten në një këndshikim të ndryshët të botës, reales, racionales, të kuptueshmes. Qëllimisht ai më bëhet se vendos të qëndrojë nga na e errët, nga ajo pjesë e reales së gjërave dhe gjëndjeve ku pahet fare me dritën, ose e ka refuzuar përgjithmonë këtë thërmi të gjallimit zjarmues.
***
Më 13 prill 1906 u lind ai, Samuel Beckett, novelist, dramaturg dhe poet, fitues i Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 1969, personazh që mban mbi vete ndikesën e fuqishme të një shekulli dhe barrën e rëndë të “teatrit absurd”. I fundmi modernist, i ethshmi tragjikomik, gjithëpoaq një themel i kështjellës së shëmbëllimit të vlerave të tetarit si altar predikimesh.
Vizionet e tij të ngrysura në lidhje me qenien dhe me ekzistencën njerëzore në themel të konceptimit, nxitojnë t’i hedhin mbi supe mantelin e një nihilisti. Sipas tij, fati i njeriut në të tashmen e përgjithmonshme është përgjithësisht i erret, ngase në çdo kapërcyell, në çdo kthinë, në çdo qoshkë e skutë, e përgjon sëmundja, mjerimi, vdekja. Në një njëfarë mënyre, kësaj krijese fatkeqe një Amok i vihet nga pas këmba-këmbës, nga djepi në varr duke mos e lënë për asnjë çast të qetë. Së këndejmi rrekemi të dëshifrojmë tek ai botekuptimin e një pesimisti të pandreqshëm, një lloj predikimi të Zarathustrës si Zot.
Situatat e ngjeshura dramatike në kumtin krijues të Samuel Beckett ngulmojnë të shpërfaqin vetëm episode të ngrysura, shterrur prej gjithëpamjes, të jetës. Vetmia, dobësia, degradimi, humbja e dinjitetit, janë kudhrat ku ai farkëton personazhin e tij absurd, me kast nevojën e tharmit të një mbinjeriu, për të cilin flet Niçe. Humori sarkastik që shoqëron skenat, situatat, gjestet dhe personazhet, e bën më klithës këtë pesimizëm që ngërthen skajet ku tendoset njeriu që ai njeh, njeriu që ai ka takuar, vetvetja që ai rreket ta predikojë si një mundësi për ta çliruar njeriun bashkëkohor nga plogështia, boshi dhe shterrimi.
Beckett duket qartë se është i apasionuar pas shpirtit spartan dhe nuk toleron kundrejt asgjëje që personazhet e tij të vijnë si një forcë që zhvendos atë që rrezikon vërtetë të tashmen duke nxjerrë në dritë një krijesë të gatshme për tu ndeshur. Forca përshkruese dhe thellësia depërtuese e brendisë dhe shpirtit të personazheve të tij e bëjnë Beckettin një ndër penat me të fuqishme të letërsisë moderne.
Ndoshta jo aq i pazakontë se sa i vetvetishëm, Beckett i rrethvjen nevojës së njeriut bashkëkohor të njihet me një pjesë të vetes së tij, të cilën ndonse e ka të vështirë ta pranojë, ai gjithqysh jeton me të. Sipas këtij deshifrimi të absurdit Beckettian, ky njeri duke e pranuar këtë vetvete, nuk ka pse druhet ta njohë, ta shikojë në sy, të flasë për të dhe të ndeshet me të, si me një sëmundje të cilën mund ta luftosh pasi e ke denoncuar, jo duke e fshehur, duke e strukur pas alogjizmit trashanik: se kur diçka e largojmë nga sytë e botës, ajo nuk ekziston. Harrojmë se rrugën për tek mjeku na e tregon gjithnjë sëmundja dhe shërimin na e predikon ndeshja dhëmb për dhëmb dhe jo përpjekja për të fshehur veten pas gishtit.
***
Kësosoj Samule Beckett e vendos veten në rendin e penave më të veçanta, më origjinalë dhe më të rëndësishëm të shekullit të 20-të.
Ai nuk ishte ekzistencialist si filozofi francez Jean-Paul Sartre.
Puna e tij ngjasonte në disa drejtime me atë të James Joyce, mësuesit të tij të parë, kryesisht në përdorimin e gjuhës.
Me Franc Kafkën ngjasonte në trajtimin e disa situatave herë-herë duke përcjellë frikë e terror.
Me Fjodor Dostojevskin, në nxjerrjen në pah të shpirtit njerëzor, të përjetimeve dhe vështirësive me të cilat ndeshet njeriu në jetë.
Me Dante Aligerin tek kryevepra botërore “Komedia Hyjnore” atë e pikëtakon frymëzimi.
Nëpërmjet romanit “Duke pritur Godonë” e cila është edhe vepra e tij më e suksesshme ai përcjell tek lexuesi shpirtin dramatik ku e konsideron veten një romancier të mirfilltë. “Duke pritur Godon” u shkrua në 5 Janar të vitit 1953 në Paris . Është konsideruar për shumë kohë si “best seller”. Krijimtaria letrare e Samuel Beckettit shpesh herë është përdorur edhe në teatër ku regjisorë me famë botërore kanë ngjitur vepra të ndryshme në skenë të cilat janë pritur mjaft mirë nga publiku dhe kanë patur shumë sukses. Duke bërë një shëtitje “virtuale” përmes Irlandës, Francës, Anglisë dhe Gjermanisë ai shkroi poema dhe histori nga më të ndryshmet duke treguar përjetime dhe situata nga më interesantet të cilat i skaliti me mjeshtëri në rrjeshtat që kanë mbushur librat e botuara prej penës së tij.
Ky është Samuel Beckett, predikuesi i absurdit si formë çlirimi e njeriut nga plogështia dhe boshi, sëmundje këto me të cilat e molepsi modernizmi.
Vdiq më 22 dhjetor 1989 në moshën 83 vjeçare në Paris të Francës. Ai u varros së bashku me gruan e tij në Cimetière du Montparnasse në Paris. / Nga Albert Vataj / KultPlus.com
Ambasada Amerikane në Tiranë ndau sot përmes rrjeteve sociale lajmin e mirë se do të angazhohet edhe më tej në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare. Në postimin e tyre online thuhet: “Jemi krenarë të shpallim një përpjekje të re për restaurimin dhe ruajtjen e manastireve mahnitëse të Luginës së Drinos”.
Trashëgimia Kulturore pa Kufij (Cultural Heritage without Borders-CHwB) do të zbatojë projektin me mbështetjen financiare të Fondit të Ambasadorëve të SHBA për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore (AFCP) dhe Fondit Botëror të Monumenteve.
Që prej vitit 2001, AFCP ka investuar më shumë se 1,6 milionë dollarë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare, përfshirë restaurimin e monumenteve të rëndësishme kulturore të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019.
Ambasada Amerikane ndau një album me foto mbresëlënëse të realizuara së fundmi, gjatë vizitës së të ngarkuarit me punë në Ambasadën e SHBA, David Wisner. Në postim nënvizohet se stafi i ambasadës është befasuar nga vizita në një nga manastiret e Luginës së Drinos. / atsh / KultPlus.com