Si e ndau një mollë, Ibrahim Rugova

Ahmet Selmani

Në vitin e largët 1989, kur isha student në Universitetin e Prishtinës, duke u solidarizuar me minatorët e Trepçës që ishin hedhur në grevë për të mbrojtur autonominë e Kosovës, ne ishim mbledhur në palestrën e sporteve mbi mensën e studentëve. Bashkë me ne, ia behnin edhe shumë profesorë universitarë, studiues, shkrimtarë, intelektualë etj. Në mesin e tyre më pat rënë në sy edhe dr. Ibrahim Rugova, i cili u afrua pranë një grupi studentësh prej 11 vetash, në mesin e të cilëve kisha rastisur edhe unë. Ngaqë nuk kishte vend për të gjithë, ne ishim ulur në parket. Po ashtu, edhe ai u ul këmbëkryq në mes nesh.

Ajo që më bënte përshtypje, ishin cigaret që i ndizte njërën pas tjetrës, qetësia engjëllore e tij, biseda e ngrohtë, modestia e pakundshok. Fliste pa asnjë eufori, por me një urtësi të rrallë. Teksa qëndronte me ne, në një çast më ra në sy se dikush u shpërndante mollë studentëve. Mirëpo, kur u afrua te ne, fatkeqësisht i mbeti vetëm një kokërr. Duke shprehur keqardhje që s’kishte për të gjithë ne, mollën e vetme ia zgjati dr. Ibrahim Rugovës, mbase në shenjë respekti si më i vjetër që ishte. Dhe ai e mori me një qetësi të mistershme duke e ngushëlluar atë që të mos mërzitej fare se do ta ndante bashkë me ne. Të them të drejtën, në fillim e mora si një shaka të tij. Por, pasi e përfundoi bisedën që e kishte nisur, ktheu kokën mbrapa dhe i numëroi sa veta ishim gjithsej përreth tij. Dhe, me gishtat e tij të gjatë e të ashpër e çau mollën përgjysmë. Pastaj ato i ndau në 11 pjesë të vogla dhe të gjithëve na e zgjati nga një copë. Më të voglën e mbajti për vete.

Kështu 11 studentë, si dhe dr. Ibrahim Rugova arritëm ta hanim një kokërr molle. E pabesueshme, por e vërtetë.Kështu u ngulit në kujtesën time ky njeri i jashtëzakonshëm. Dhe më vonë, kur u bë prijës i shqiptarëve të Kosovës, gjithnjë më binte ndër mend ndarja e mollës. Dhe thoja vetmevete: Ky njeri, një kokërr molle e ndan me gjithë Kosovën, e jo më me 11 veta sa ishim ne studentët afër tij. Këtë e dëshmoi deri në frymën e fundit, ai vetëm i dha Kosovës, nuk i mori asgjë./ KultPlus.com

Revista polake “MojChorzow”: Shqipëria perla e pazbuluar e Evropës

Shqipëria, e quajtur shpesh “perla e pazbuluar e Evropës”, ofron peizazhe të mahnitshme, histori dhe kulturë të pasur dhe ngrohtësinë e banorëve të saj vendas, shkruan në një artikull Justyna Romańczyk të botuar në revistën polake “MojChorzow”.

Në Shqipëri mund të përjetoni gjithçka që është më e mira në këtë vend magjepsës.

Ja disa arsye pse ia vlen të zgjidhni Shqipërinë për pushimet tuaja:

Eksperiencë unike: Shqipëria është një destinacion turistik më pak i njohur, gjë që i bën pushimet një eksperiencë unike, larg plazheve të mbushura me njerëz dhe rrugëve tipike turistike.

Bukuria Natyrore: Nga majat e maleve te plazhet e pacenuara e deri te ujërat e kristalta të liqenit të Ohrit, Shqipëria ofron bukuri të jashtëzakonshme natyrore.

Kultura dhe historia e pasur: Shqipëria ka një histori të pasur, që nga koha ilire, përmes ndikimeve romake dhe osmane, deri në të kaluarën e saj komuniste. Ju mund të eksploroni këto aspekte shumështresore të kulturës së vendit.

Shije unike të kuzhinës shqiptare: Shqipëria ofron një kuzhinë të larmishme dhe plot shije mesdhetare. Ju mund të shijoni specialitetet lokale.

Përballueshmëria: Shqipëria është një nga destinacionet më të përballueshme në Evropë e cila ofron çmime të përballueshme për pushime.

Akomodim i sigurt: Shqipëria ofron akomodime në hotele dhe resorte të sigurta që plotësojnë standardet e larta të sigurisë dhe rehatisë.

Zbulimi i vendeve të reja: Shqipëria ofron shumë vende dhe atraksione më pak të njohura, por po aq magjepsëse, që ia vlen të zbulohen. Ju mund të eksploroni këto xhevahire të fshehura.

Udhëtimi në Shqipëri është një mundësi për të zbuluar një nga vendet më unike dhe magjepsëse në Evropë, duke garantuar rehati dhe përvojë të paharrueshme. / KultPlus.com

71 vjetori i lindjes së poetit, Visar Zhiti

Shkrimtari, publicisti dhe përkthyesi Visar Zhiti feston sot 71-vjetorin e lindjes. Shkrimtari lindi në Durrës, 2 dhjetor 1952.

Në rininë e tij u përndoq nga regjimit komunist.  Ai ka mbajtur detyrat më të larta në institucionet shqiptare si deputet, ministër dhe diplomat i shtetit shqiptar.

Në vitin 1973, ai shkroi përmbledhje me poezi, Rapsodia e jetës së trëndafilave. Ishte koha e Plenumit të 4-t të KQ të Partisë së Punës, në të cilin Enver Hoxha filloi një fushatë të egër kundër të rinjve që tërhiqeshin nga kultura perëndimore.

Poeti i ri u bë një nga viktimat politike të diktaturës. Dorëshkrimi i përmbledhjes, dorëzuar për botim në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, u konsiderua si një krijim me gabime të rënda ideologjike dhe që nxinte realitetin socialist.

Ai u arrestua më datë 8 nëntor 1979. U dënua në një gjyq farsë në prill të vitit 1980 me trembëdhjetë vjet burg. Nga burgu i Tiranës transferohet në burgun e Qafë Barit dhe në vijim në burgun famëkeq të Spaçit, i njohur për kushtet e këqija, keqtrajtimet dhe torturat që pësonin të burgosurit.

Ai u lirua nga burgu në fillim të vitit 1987 dhe nisi punën në një fabrikë të prodhimit të tullave në Lushnjë. Mbas rënies së diktaturës komuniste karriera e tij si shkrimtar, publicist, diplomat pati vetëm arritje.

Visar Zhiti përfaqëson figurën e njeriut të bukur dhe të qëndrestarit, që nuk e theu regjimi me trajtimin mizor në burg e jashtë tij./ KultPlus.com

Osmani: Humbja e jetëve të grave nga duart e burrave është një njollë në ndërgjegjen tonë kolektive

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se vrasja e Liridona Ademajt është krim montruoz e që duhet të marrë dënimin e merituar. Reagimi i Presidentes vjen një ditë pasi u arrestuan tre të dyshuar për këtë rast, përfshirë edhe bashkëshorti i të ndjerës, Naim Murseli. 

Osmani ka thënë se ky “krim i tmerrshëm kërkon veprim të shpejtë dhe vendimtar” për t`u siguruar që drejtësia të mbizotërojë dhe që autorët ta marrin dënimin.

Më poshtë gjeni postimin e plotë:

Vrasja e Liridona Ademajt është krim monstruoz që duhet të marrë dënimin e merituar.

Femicidi është dëshmi rrënqethëse që shpërfaq pabarazinë e rrënjosur thellë dhe dhunën me të cilën përballen gratë. Është një rrëfim tragjik i jetëve të shkurtuara brutalisht vetëm për shkak të gjinisë. Humbja e jetëve të grave nga duart e burrave është një njollë në ndërgjegjen tonë kolektive.

Prandaj, është nevojë urgjente që të forcohet zbatimi i ligjit dhe kryerësit e krimeve të tilla të llahtarshme të përballen me dënimet më të ashpra të parapara me ligj.

Ky krim i tmerrshëm kërkon veprim të shpejtë dhe vendimtar për t`u siguruar që drejtësia të mbizotërojë dhe që autorët ta marrin dënimin, i cili pasqyron peshën e kësaj vepre makabre penale.

Në këto momente të rënda për gjithë vendin tonë, ndajmë dhimbjen me familjen e Liridonës, e në veçanti me fëmijët e saj të cilët humbën nënën e tyre të shtrenjtë në rrethanat më monstruoze të mundshme. / KultPlus.com

79 vjet nga lindja e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova

Sot shënohet 79-vjetori i lindjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Ibrahim Rugova lindi në Cerrcë më 2 dhjetor 1944 dhe ishte Presidenti i parë i Republikës së Kosovës, duke shërbyer në vitet 1992–2000 dhe përsëri në vitet 2002–2006. Ishte intelektual, akademik dhe kritik letrar i njohur shqiptar; u njoh si lider i lëvizjes më të madhe paqësore në Evropë, i lëvizjes së gjerë për emancipim, çlirim kombëtar e pavarësi të Kosovës.

Duke pasur si pikëmbështetje Shoqatën e Shkrimtarëve, qe ndër bashkëthemeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila ishte lëvizja e parë demokratike mbarëpopullore, e cila u shndërrua në parti, u nis një fushatë paqësore kundër Serbisë. U zgjodh që në fillim kryetar i saj që nga themelimi i saj më 23 dhjetor të vitit 1989 deri më 21 janar të vitit 2006 kur ndërroi jetë.

Ai udhëhoqi një luftë popullore për pavarësi, që avokoi një rezistencë paqësore ndaj sundimin jugosllav dhe loboi për mbështetje nga SHBA-të dhe Evropa, veçanërisht gjatë Luftës së Kosovës. Ai theksoi fort trashëgiminë e lashtë të Dardanisë, mbretëri e pavarur dhe më vonë provincë e Perandorisë Romake që përfshinte territorin e sotëm të Kosovës, për të forcuar identitetin e vendit dhe për të promovuar politikën e tij të marrëdhënieve të ngushta me Perëndimin.

Për shkak të rolit të tij në historinë e Kosovës, Rugova është quajtur “Ati i Kombit” dhe “Gandi i Ballkanit”, ndërsa pas vdekjes është shpallur Hero i Kosovës.

Presidenti Rugova vdiq më 21 janar të vitit 2006 dhe u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake./ KultPlus.com

Maria Kalas, fëmija i padëshiruar që u shndërrua në legjendën e skenave operistike

Maria Kalas, fenomeni i jashtëzakonshëm i një shpërthimi të beftë, që mbushi me dritë skenat e errta të tragjedive operitike dhe lartësoi në famë kumbimin drithërues të një zëri. Shkëlqimi i fuqishëm i këtij ylli do të reflektonte në një qiell që nuk ishte gjithnjë i kthjellët. Megjithatë ajo u shua duke mbetur një vezullim në universin e lavdisë.

U tha se ishte një fëmijë i padëshiruar, sepse lindi vajzë. Prindërit e Maria Kalas, pas vdekjes së djalit të vetëm Vassilis, të dëshpëruar, shkuan aq larg me padurimin e tyre për të patur një djalë, sa të këshilloheshin me një astrolog. Kur Maria lindi, e ëma ishte aq e shqetësuar dhe e zhgënjyer sa refuzoi ta shihte vajzën e vogël për katër ditë më radhë. Ndoshta edhe për shkak të këtij fillimi të keq, marrëdhënia e Marias me të ëmën kaloi për një farë kohe nëpër një terren të thyer. Vetë ajo rreket ta dëshmojë, duke shtuar se: “Motra ime ishte elegante, e bukur dhe miqësore dhe nëna ime preferonte gjithmonë atë. Unë isha rosa e shëmtuar, e shëndoshë dhe e plogët dhe jopopullore. Është mizore të bësh një fëmijë të ndihet i shëmtuar dhe i padëshiruar… Nuk do ta fal kurrë që më largoi tutje fëmijërinë. Gjatë gjithë viteve mund të kisha luajtur dhe të isha rritur, unë isha duke kënduar ose duke bërë para”. E megjithatë nëna mbetet nënë, dhe nëna e Marias e dëshmoi këtë përmes një sakrifice ngadhënjyese për të ndjekur me insistim ëndrrën e madhe të së bijës. Me mundësitë kundër ajo u përpoq dhe arriti.

Maria Kalas ishte dhe mbeti legjendë e shekullit që lamë pas. Çdo përpjekje e saj për të arritur majat do të kalonte nga një dritë e fuqishme si një shkrepëtime. Ajo diti se si të hidhte hapat për tu ngjitur në skenën e operës dhe atë të lavdisë. Kishte gjithnjë diçka ndryshe, një vezullim të hirshëm dhe një vokal të fuqishëm, melankolik, të mallshëm, pikëllues dhe shpërthyes. Zotëroi skenat e mëdha dhe pushtoi zemrat e një admiruesi të rafinuar mbarëbotërorë.

I ra të hidhej hovshëm në krahët e dashurisë dhe t’i blatonte një shpirt të pastër dhe të dritshëm këtij vullneti. U desh edhe të rrëzohej me plagë të rënda, të ringrihej dhe të luftonte, të dashuronte dhe të rrezatonte. Jetoi tragjikisht në skenë, në personazhe, por edhe në jetë.

Vallë po e ndiqte mallkimi i fëmijës së padëshiruar? Ndoshta shpesh shumë gjëra janë të parathëna, sepse përvojat e kaluara i ushqejmë hera-herës, siç bëri Maria, e cila megjithëse arriti të ngjitej ndoshta më lart se asnjëra e kohës së saj, zemra e çoi në delir, sikurse e degdisi në zemërthyerje. Faji i saj, i fatit, apo çfarë?!

Megjithatë ajo ishte dhe mbeti Maria Kalas, legjenda e një shekulli që u shua më 16 shtator 1977, nga një atak në zemër, kur ishte vetëm 53 vjeçe, kur kishte bërë të pavdekshëm kreshtat operistike, Violetta, Tosca dhe Norma,

“Shpërndani hirin tim në detin Egje. Do të përqafoj Ariston tim, nëpërmjet ujërave të detit?”.

Ky do të ishte amaneti i fundit i divës, këngëtares lirike Maria Kalas. Shkoi me paqe në shpirt dhe me plagë në zemër. Vdekja e saj ishte shuarja e një ylli. Ishte mbyllja e një sipari që magjepsi botën, fikja e një zëri që ende përshkon kujtesën e sublimes së artit. Ishte kapitulli mbyllës i një legjende, i një jete mbushur me lavdi dhe humbje, përshkruar nga lumturia e pamasë dhe hidhërimi i thellë; nga duartrokitjet e pambarimta, shprehje e suksesit në skenat botërore si dhe vuajtjet e shpirtit; një karakter dëshmues i një force të madhe dhe i një brishtësie delikate; një gërshetim cilësish dhe dobësish njerëzore, si rrallë herë të ndeshura tek një njeri, të mbizotëruara nga fama dhe dështimi, që përcaktojnë dritëhijet e jetës së artistes, por dhe të femrës së jashtëzakonshme.

Kalvari i gjatë i jetës artistike dhe i asaj private do të gërshetohej në mënyrë të tillë sa duket e pabesueshme për të qenë e vërtetë. Bota e artit do të kishte të pamundur të pikaste mes yjeve të shkëlqimta të skenës së një shekulli një personalitet të përmasave të tilla si Maria Kalas. Ajo jetoi duke rrokur një interesim të pagjasë të publikut, një ngulm të medies, një lavdi që ishte shkruar në skenë për të reflektuar në qiell. Edhe vdekja e saj e parakohshme rroku një pikëllim të të njëjtave përmasa sa dhe të gjallët, gjithçka e saj, nga hapi fillues në sfidat e skenës deri në pragun e beftë të ndalimit të zemrës. /albertvataj/ KultPlus.com

Britney Jean Spears sot feston ditëlindjen e 42-të

Britney Spears është këngëtare e huaj shumë e njohur. Britney Jean Spears ka aktruar dhe ka marrë pjesë në disa show televizivë që në moshë të vogël.

Albumi i parë i Spears, “…Baby One More Time”, u publikua në vitin 1999 dhe u bë sukses ndërkombëtar. Ai është albumi më i shitur nga një artiste adoleshente. më 12 Janar 1999 Britney Spears publikon albumin e parë të saj “…Baby One More Time” më 16 Maj 2000 nxjerr albumin e dytë “Oops!… I Did It Again” thyen rekordet e shitjeve. Më 31 Tetor 2001, Britney hodhi në treg albumin me titull “Britney” dhe në të njëjtën kohë mori pjesë në filmin “Crossroads”.

Më 12 Nêntor të vitit 2003 u publikua albumi i katërt, “In the Zone”, në të cilin përfshihet single-i hit “Toxic”. Në 2007-n, lufta personale e Spears me publicitetin e shumtë që kishte e çoi karrierën e saj drejt një boshllëku. Britney Spears u rikthye në treg me albumin e saj të pestë i cili u publikua më 25 Tetor 2007, “Blackout”, pjesë e të cilit janë hitet “Gimme More” dhe “Piece of Me”.

Problemet për këngëtaren vazhduan edhe në vitet pasuese. Rehabilitimet e shpeshta dhe çrregullimet nisën të ishin në qendër të vëmendjes. Në 28 Mêmtor 2008, Britney Spears publikoi albumin me titull “Circus” ku përfshihej kënga “Womanizer”. Për të promovuar albumin ajo zhvilloi tour-in “The Circus Starring Britney Spears”, i cili ishte një nga më të suksesshmit në vitin 2009. “3” është titulli i single-it të tretë i cili zuri vendin e parë në klasifikimet e “Billboard Hot 100″. “Femme Fatale” është albumi i shtatë i Britney-t, i cili u publikua në vitin 2011. Ai është albumi i parë i artistes ku tre nga single-at e tij, “Hold It Against Me”, “Till the World Ends” dhe “I Wanna Go”, u renditën në dhjetëshet më të mira në Shtetet e Bashkuara.

Britney Spears mori pjesë në jurinë e sezonit të dytë të talent show-t “The X Factor” në Amerikë. Albumi i tetë i artistes u publikua në vitin 2013, me titull “Britney Jean”, dhe ka shënuar numrin më të vogël të shitjeve në karrierën e saj. Britney Spears, ikona e pop-it të viteve ’90 dhe artistja adoleshente më e shitur e të gjitha kohërave konsiderohet si princesha e pop-it. RIAA e ka emëruar Spears-in si artisten e tetë më të shitur në Amerikë me 34 milionë albume të shitura. Në 2012-ën, në një klasifikim të Forbes për artistët më të paguar të vitit, Britney zuri vendin e parë me 58 milionë$. 

Në vitin 2005, Britney Spears publikon albumin “B In The Mix: The Remixes”. 

Në vitin 2007, Britney Spears publikon albumin “Blackout”. 

Në vitin 2008, Britney Spears publikon albumin “Circus”. 

Në vitin 2009, Britney Spears publikon albumin “The Singles Collection”. 

Në vitin 2011, Britney Spears publikon albumin “B In The Mix: The Remixes Vol. 2”. / KultPlus.com

Rama podcast me tenorin Ramë Lahaj: Një tjetër yll i Shqipërisë, Kosovës, shqiptarisë

Kryeministri Edi Rama në episodin e 12 të sezonit të dytë të Podkastit “Flasim” kishte të ftuar tenorin shqiptar me famë botërore Ramë Lahaj, të cilin e cilësoi një tjetër yll të Shqipërisë, Kosovës, shqiptarisë.

“Një zë i mahnitshëm, që si disa të tjerë zëra, por më pak i njohur si i tillë këtu në Shqipëri”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “ti ke një histori shumë interesante, në fakt si të gjithë ata shqiptarë të Kosovës që i përkasin këtij brezi, fëmijëria e të cilëve u përcaktua në njëfarë mënyrë brenda kornizës së një tragjedie dhe pastaj e kapërcyen atë kornizë dhe në fusha të ndryshme kanë arritur të bëjnë suksese të admirueshme. Dhe prandaj unë do ta filloja nga këtu. Ti në moshën 15 vjeçare, flas me ti, besoj nuk ke ndonjë problem, ne e kemi bërë këtë marrëveshje kur jemi takuar. Në moshën 15 vjeçare në mes të një situatë dramatike largohesh bashkë me familjen”.

Duke e falënderuar Kryeministrin Rama për ftesën, tenori Ramë Lahaj tha se “përsa i përket rrugëtimit për vite të tëra e kam provuar ta diskutoj mes miqsh kur kemi folur për rrugëtimet tona, kur fillimisht iu thosha që nuk kam shkuar as në kopsht sepse nuk kishte kopsht në fshatin ku isha rritur unë. Për shumë ishte periudha e viteve ’90 kur shkollat shqipe dhe po mbylleshin dhe gjithë shkollimi dhe i fillores, por dhe i shkollës së mesme ka qenë i improvizuar sepse mblidheshim nëpër shtëpi private siç e dini rrugëtimin e viteve ’90 të Kosovës. Pastaj në ’99 ngaqë lufta na kishte ardhur në shtëpi edhe sigurisht e ndihmonim luftën gjithsecili në formën e vet, por edhe unë si 15 vjeçar edhe pse isha kaq i gjatë sa jam sot, dashje padashje kam qenë pjesë e saj. Kam kaluar dhe e njoh dhimbjen në palcë të gjithë atij rrugëtimi edhe pse si fëmijë. Pastaj pas asaj kur u kthyem nga Shqipëria për në shtëpi, në Kosovë filloi lufta tjetër pas një kohe në Maqedoni dhe si mllef i kësaj të parës, ishim të vegjël, u bëmë disa shokë për ta ndihmuar atë luftën e dytë që ishte sot kur e mendoj, si duket mllefi, dhimbja ngarkesa ishte shumë e madhe dhe mendonim sikur po kontribuonim e po bënim diçka. Gjithsesi kam vazhduar pas luftës një shkollë që kisha nisur para luftës, një shkollë që ishte një drejtim i ri sepse ishte fundi i viteve ’99 edhe filloi atëherë një drejtim i ri që ishte për IT, që nuk kisha lidhje fare”.

Lahaj tha se “kam pasur privilegjin si fëmija më i vogël, i teti në radhë realisht t’i mbaroja studimet në Akademinë e Arteve dhe kjo ka qenë një lloj shtyse sepse vija pa background muzikor, gjithsesi talenti ishte sepse unë jam malësor në një farë forme. Ne jemi nga Rugova e Pejës. Jo, në familje përveç meje s’kemi pasur fare lidhje as me artin as me kulturën. Në vitet ’90, ne thjeshtë jetonim për të mbijetuar dhe fukarallëku që kishim, por dhe gjithë rrugëtimi tonë prandaj e lidha shumë shpejt me mbas luftën ku unë mbarova shkollën si IT që s’kishte fare lidhje se tipi im është shumë energjik, unë kam nevojë të dal, të jem aktiv, jo të mbyll ditën para një kompjuteri që bën zhurmë gjithë ditën. Pas mbarimit të shkollës së mesme, pas lufte kam pasur një vakum dy vjeçar ku nuk dija çfarë të bëja sepse nuk kisha bagazhin për të studiuar shkencën, por dhe e kisha emrin Ramë për t’ju bashkangjitur estradës, por e them kështu”.

Më tej Lahaj tregoi se si ka nisur studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë.

“Kam qenë diku në moshën 21 vjeçare kur kam filluar po them eksperimentimin se çfarë dua të studioj, çfarë dua të bëj. Dhe në atë periudhe pedagogët e parë që kam takuar, madje atëherë bëhej dasma Arbëreshe në Prishtinë. Ka qenë dhe profesor Kastriot Tusha dhe unë po i vrapoja mbrapa për t’i marrë një mendim nëqoftëse kam vërtete zë për të studiuar në muzikë sepse më dukej sikur muzika ishte më e kollajtë se shkon e bërtet dhe mbaron. Kështu që, gjithë takimet e para me pedagogë kanë qenë gjithmonë, ky ka qenë komenti që je shumë vonë”, theksoi Lahaj.

Në fakt, vijon Lahaj, mbase kam dështuar në audicionin e parë të Akademisë së Arteve për ato 3, 4, 5 muaj që kisha filluar të punoja me pedagogë, qoftë pak në solfezh, qoftë pak në kanto që unë jam dhe sot e kësaj dite shumë falënderues sepse vërtetë të më vijë mua sot një talent i ri me gjithë këto kualitete do ta kisha të vështirë të gjeja forcën ta suportoja me gjithë ato mungesa në një moshë të tillë, kështu që ka qenë pas dështimit të audicionit të parë të Akademisë së Arteve.

“Pastaj audicioni i dytë ka qenë pas 6-7 muajsh nëse nuk jam gabim dhe i jam futur studimit dhe në proces e sipër edhe ndihma po dhe vokali po zhvillohej dhe për mua ishte akoma interesante për të kuptuar dhe për të realizuar si një qenie humane mundej të nxirrte një vokal që ishte më shumë sesa normale që unë kisha dëgjuar edhe pse vija nga një zonë që komunikonim me dorë pas veshit”, tha Lahaj.

Tenori Lahaj vuri në dukje se pas Akademisë së Arteve ka pasur një moment pauze.

“Në fakt më kishte dalë një dirigjent gjerman që erdhi në Opera atëherë. Donte të më jepte një bursë për të bërë një master në Gjermani. Shkova, nuk më pëlqente shumë, nuk ishte ajo që kërkoja, ajo teknika italiane dhe e kisha lënë dhe isha kthyer në Prishtinë. Në Prishtinë si opsion i vetëm ishte televizioni, sepse në atë periudhë ndodhej vetëm filarmonia e Kosovës. Ajo kishte një kor, nuk e gjeja veten. Dhe kam filluar të punoja në televizion dy vjet për fatin tim shumë të mirë të, ku kam mësuar dhe shumë PR e televizioneve, nga prodhimi i emisioneve dhe shumë gjëra të tjera. Pas 1 vit e gjysmë afërsisht derisa prapë nga dora e shqiptarëve të tjerë, miq besoj shumë të përbashkët tanë, si Ermonela Jaho, Fadil Berisha, Sajmir Pirgu po ashtu, në takimet e tyre për punët e tyre ose “shooting” që i kam pasur për projekte të përbashkëta, Ermonela i thotë Fadilit që kam një djalë në Kosovë që ka kualitete shumë të mira, po s’kam asnjë kontakt. Dhe kështu ka filluar nga Ermonela tek Fadili, nga Fadili tek televizioni sepse kishte mik që unë punoja dhe shefen time të asaj kohe. Pastaj tek Inva Mula, pastaj tek Sajmiri që më jep dorën e artë për të vazhduar karrierën”.

Pyetjes së Kryeministrit Rama se cili ishte pastaj momenti i parë jashtë Kosovës ku u ngjit në skenë, Lahaj iu përgjigj se “edhe kjo ka qenë një rrugëtim që e ka pasur atë lloj sfide, ku vetëm forca dhe vetëbesimi i brendshëm që unë mund ta bëja, më ka mbajtur gjallë po themi, për ta vazhduar ëndrrën përpara. Në produksionin tim të parë që kisha bërë në një audicion në Gjermani, pas tre javëve, domethënë kisha bërë audicionin, më kishin dhënë rolin dhe kisha filluar provat. Pas 3 javësh unë s’isha akoma gati, pavarësisht kualiteteve, nuk isha gati as për skenën, as për aspektin muzikor dhe vjen drejtori e më thotë, me gjithë dëshirën për të të suportuar, për të ndihmuar nuk po funksionon, domethënë ke akoma shumë kohë. Edhe pse kisha studiuar për rolin 3 muaj, një pedagog që punoja atëherë në Itali, ishte edhe pedagogu i Sajmirit. Jam kthyer prapë, e kam rimarrë dhe njëherë edhe gjithë teknikën, gjithë gjërat në këtë rrugëtimin tim, gjërat që mungonin sepse nuk vija nga një feedback muzikor, edhe kam filluar në Gjermani prapë në një teatër më të vogël që është afër Hamburgut dhe pastaj për 3-4 vite pothuajse, kam bërë xhiro në teatrot më të rëndësishëm të asaj kohe”.

Rama tha se “çfarë ndodhi konkretisht me këta që thua se të dhanë dorën? Çfarë bëri Ermonela për ty? Çfarë bëri Sajmiri për ty? Çfarë bëri Inva për ty?”.

“Po fillimisht po të mos ishte Ermonela që kishte parë një koncert tek Radio- Televizioni i Kosovës, nuk do të shkonte muhabeti tek Fadili që është një mik i madh i shqiptarëve dhe unë kam privilegjin ta kem mik, i cili nuk ka lënë shqiptar të ekranit po them, pa ndihmuar kur ka pasur mundësinë dhe Fadili ishte në bashkëpunim shumë të afërt me Invën, i kishte bërë dhe asaj një llaf, pastaj njeriu i vetëm që e njihte shumë mirë dhe kualitetin tim vokal ishte Sajmiri dhe Sajmiri në atë periudhë po këndonte në teatrin më të rëndësishëm të Europës, domethënë ishte dora më e kollajtë sepse e dinte saktë çfarë më mungonte në natyrën e vokalit të një tenori dhe në atë periudhë më çon tek një pedagogu i tij dhe një menaxher që e kishte ndihmuar atë në fillim dhe kaq mjaftonte, sepse pjesën tjetër të punës pastaj e kisha vendosur shumë kohë më përpara që duhej të luftoja për të”, theksoi Lahaj.

“E mo mirë, flasim njëherë për “pushtimin” e skenave pastaj po deshe flasim edhe për “pushtimin” e zemrave se s’besoj të jesh me deficite edhe aty, por kjo është një pjesë që unë hyj vetëm me lejen tënde dhe pa lejen tënde, nuk futem aty. Dhe ke pasur edhe një moment, besoj unë, te bukur ndër shumë momente me Placido Domingon dhe me nderimin që të ka bërë ai ty, me një çmim, medalje”, tha Rama.

Tenori Lahaj theksoi se “në fakt, kjo ka ardhur pasi unë isha në sezonin tim të 4, 5, diçka të tillë. Unë doja ta bëja konkursin e Placidos, por atëherë kur unë kisha bërë aplikimin, nuk isha mjaftueshëm i mirë për të më selektuar për ta bërë konkursin. Pastaj, pas disa vitesh më merr ekipi, na kontakton ekipi i Domingos për edicionin që bëhej në Meksikë, Operalja, është pak a shumë – për njerëzit që nuk e njohin shumë botën e operas, – si të thuash Oskar i filmit është Operalja për botën operistike. Realisht unë isha në sezonin tim të 4, që kisha bërë xhiron e teatrove që më kishin dhënë mundësinë, pastaj privilegji ose eksperienca me Domingon ka qenë ajo që për 4 vite me radhë, pas Operales 2016 në Meksikë, ne kemi bërë xhiro në të gjithë botën duke bërë aktivitete bashkë. Domethënë në Ramën e ri, Domingo kishte gjetur temperament në këndim dhe në të gjitha ato që bënim bashkë, të një Placidos të ri dhe kjo ka qenë ajo kimia që na ka mbajtur për disa vite bashkë, domethënë për 4 vite me radhë, pas 2016, ai gjithmonë nëpër aktivitete të tij ka prezantuar Operalen me prezencën time me aktivitete nëpër botë, kudo”.

Tenori Lahaj foli edhe për “Ramë Lahaj International festival”.

“Tani ne jemi në vitin e 4, futemi në vitin e 4 të edicionit “Ramë Lahaj International festival”. Është emëruar kështu sepse ishte më kollaj të krijonim një pako ku dhe miqtë të na bashkëngjiteshin më kollaj sepse sigurisht nuk kishim fonde për të krijuar një platformë, për të mbështetur një platformë aq të madhe sa ç’e kisha unë me qejf. Unë jam i lumtur që, madje sot në rrjetet sociale para se të vija këtu, shoh disa studentë, madje njëri prej tyre po bënte një produksion në “La Scala”, i cili është edhe pjesë e Teatrit të Operas këtu dhe na është bashkëngjitur gjatë gjithë kohës në workshopet e verës ku ne e kemi mbështetur dhe me udhëtimin apo akomodimin e aplikacionet për gjithë këto audicionet, këto aktivitetet qe bëhen kështu që kjo më jep një lloj sodisfaksioni vërtetë shumë të madh. Më përmbush dhe ai 98% i përmbushjes sime ka ardhur më shpejt për të realizuar dhe projekte të tilla sepse e kam parë pas 10 vitesh, një dekadë që realisht nuk është shumë i rrugëtimit të karrierës sime, e kam parë që kam filluar të intrigohem për të bërë diçka në një vend ku ne nuk kemi pasur traditë operistike. Mua në shtëpi nuk më kanë kuptuar për muzikën dhe artin që kam bërë. E kemi filluar në 2019 diku me 700 ulëse ne sheshin e Prishtinës, ndërsa këtë vit ne kemi pasur afërsisht rreth 10 mijë spektatorë në shesh, që do të thotë edhe momenti që unë ua prezantoj miqve këtë lloj projekti, kur e shohin që sheshi i Prishtinës është i vogël për ta përmbledhur gjithë atë dashurinë e madhe po them edhe për Ramën, edhe për artin, edhe për shumë të tjera, më duket sikur i jam afruar atij 98% të imagjinatës sime për ëndrrat e mëdhaja që kam pasur”, nënvizoi Lahaj.

Kryeministri Rama u shpreh se “besoj që do të ishte bukur, sepse patjetër që koncertet apo festivalet janë njëra anë, janë një gjë fantastike. I japin larmi jetës kulturore dhe sociale, se nuk është diçka që ndodh shpesh që njerëzit mund të mblidhen në sheshin e Prishtinës apo të Tiranës për të admiruar dikë prej tyre, që nuk është një i rënë nga qielli, po është një i dalë nga toka dhe kjo është gjë e bukur. Por një sistem pak më i strukturuar për të përfituar po themi nga kjo fuqi që ju keni marrë tani, qoftë e impaktit të shembullit, qoftë edhe e eksperiencës dhe aftësisë për t’ia kaluar të tjerëve, do të ishte diçka shumë e bukur. Se siç e the edhe vet, edhe për hir të vërtetës të gjithë e kanë një histori të ngjashme në këtë botë të artit, të muzikës, ku konkurrenca është e jashtëzakonshme dhe duket bile çudi që si ka mundësi, sepse imagjino se sa janë ata që duan të ngjiten në skenë dhe duan të marrin po atë rol. Dhe historia e secilit është historia e një takimi, e një dore që shtrihet në vendin e duhur në momentin e duhur”.

Tenori Lahaj tha se “absolutisht meqë përmendët teatrin kryeministër, unë e kam për detyrë të të falënderoj për gjithë atë punë të mrekullueshme që është bërë në Teatrin e Operas, projektin e parë që e kanë. Biles një nga stafi juaj këtu po më thonte që në kohën e pandemisë unë kisha bërë një ripërpunim të këngës “Për ty Atdhe” dhe sigurisht introja, hapja e këtij projekti, e kemi xhiruar tek salla e Teatrit të Operas që s’ishte akoma gati për ta shfrytëzuar, perdet dhe një moment që na duhej në backstage. Kështu që unë jam lumturuar shumë me punën që është bërë, sepse tetari duhet të bëhej. Shqipëria ka shumë yje në botën operistike, sikundër i ka në fusha të tjera, sidomos për artin operistik. Unë jam lumturuar sepse është shtëpia ime dhe e gjithë artistëve. Jam shumë dakord dhe e kam parë Ermonelën që vjen kohë pas kohe, po kjo ka qenë në fakt edhe një lloj shpagimi, sepse unë po të mos ishin këto emra që ne i përmendëm, unë nuk do të isha këtu, nuk do të kisha këtë eksperiencë jetësore dhe profesionale”.

Kryeministri Rama theksoi se “realisht mua më vinte shumë zor kur hyja në atë teatër. Ai teatër ka qenë prej shumë vitesh aty, por kur unë isha nxënës në Liceun Artistik ose student në akademinë e Arteve, atëherë në institutin e Arteve dhe që shkoja herë pas here ne koncerte, ne s’kishim pika referimi, s’kishim pika krahasimi dhe ai dukej një gjë shumë e veçantë e megjithatë ishte në një farë mënyre i mirëmbajtur në atë varfërinë e vetë, pastaj mbasi ndryshuan kohërat dhe mbasi ndryshoi sistemi, ai teatër filloi të degradojë në një mënyrë të frikshme dhe kur unë mora këtë detyrë e kisha një nga objektivat në kokë që duhet bërë patjetër, por ti the Prishtina s’e ka akoma. Nuk besoj se ka, se akoma nuk i ka mundësitë që ta ketë. Edhe ne na u desh kohë për të krijuar mundësitë për ta patur dhe sot e kemi, besoj dinjitoz. Është bërë një punë shumë e kujdesshme për ta kthyer në një teatër, se dëgjoja atëherë që thoshin ky s’ka akustikë, ky është tmerr. Tani janë të kënaqur me akustikën sepse është bërë një punë shumë specifike dhe me akustikën për të vendosur dhe panele siç duhet e të tjerë, që ti i di shumë më mirë”.

“Kur kam hyrë tek Teatri i Kukullave aty jam tmerruar fare dhe thashë nuk mundet, nuk mundet, nuk mundet, duhet patjetër. Edhe ky është një borxh tjetër që dhe besoj do ta shlyejmë së shpejti sepse ka filluar puna për Teatrin e Fëmijëve, ashtu dhe për Teatrin Kombëtar, por këto janë investime realisht të rënda dhe jo në thonjëza për vende si tonat, që duhen bërë patjetër”, tha Rama.

Lidhur me ndryshimet në Shqipëri tenori Lahaj tha se “ajo ç’ ka unë shoh në të vërtetë është shoh një Tiranë që është zhvilluar shumë. Shoh një Tiranë që ka marrë formatin e një metropoli dhe ky trend i zhvillimit, sidomos në Shqipëri ne na mbush zemrën plot. Gëzohem kur shoh gjithë këtë zhvillim që po ndodh, qoftë në infrastrukturë, qoftë në gjithçka tjetër që nuk sillet vetëm rreth Tiranës, por rreth gjithë Shqipërisë, edhe në pikën e fundit atje që dikur kur bënim studimet, 2004-2005 kur shkonim në Dhërmi duhet të llogarisnim që duhej të udhëtonim 2 ditë e gjysmë”.

Ndërsa për prishtinën Rama tha se ” Prishtina po merr një frymë të re kohët e fundit, me mundësitë që i ka, sigurisht, dihet. Më herët e preka pak që ndoshta Prishtina dhe Kosova akoma nuk i ka mundësitë, por po besoj që me ato mundësi që ka ndryshimet mund të bëhen, ndoshta sepse nuk janë të mëdha, por ndryshimet mund të bëhen. Unë besoj që edhe në Prishtinë edhe në Kosovë ndryshimet po bëhen dhe unë shpresoj shumë që, duke bërë të gjithë ne presion nga fushat që vijmë, si unë me atë që dalim më shesh dhe i them gjithë sheshit dhe thërras dhe kryetarin e kryeqytetit”./atsh/ KultPlus.com

Mediat britanike shkruajnë për vizitën e Rita Orës në Kosovë, zbulojnë projektin që ajo po realizon në vendlindje

Rita Ora është bashkuar me ekipin që qëndron pas dokumentarit më të fundit të Nirvanas për të prodhuar filmin e saj për kulturën rinore në Kosovë.

Në një intervistë për tabloidin britanik The Sun, Rita tha: “Jam në mes të xhirimeve të një dokumentari për kulturën e nëndheshme të fëmijëve”.

“Gjashtëdhjetë për qind e popullsisë sonë është nën moshën 35 vjeç, e cila është super e re. Kjo tregon se ka kaq shumë zemërim dhe zhgënjim që po ndodh nën të gjitha kufizimet që na është dashur të shohim në historinë e vendit tonë. Kam punuar me producentë që janë vërtet të apasionuar pas Kosovës dhe prej nga jam unë. Të bësh muzikë dhe të jesh e hapur është padyshim e diskutueshme”, tha Rita për The Sun. / KultPlus.com

Elbenita Kajtazi: Emocione të papërshkrueshme kam përjetuar në mbrëmjen artistike “Ta zbardhi ftyrën”

Edicioni i gjashtë i mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” këtë vit u shënua me sopranon Elbenita Kajtazi, mbrëmje kjo që dhuroi tejet emocion e që po vazhdon edhe më tej.

Tejet e emocionuar nga kjo mbrëmje e organizuar nga gazeta KultPlus, ka mbetur edhe sopranoja Elbenita Kajtazi e cila sot i ka dedikuar një shkrim në shenjë falënderimi, organizatorëve të këtij eventi, KultPlus-it dhe themelueses Ardianë Pajaziti.

Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e plotë:

Sot arrita të ulem dhe të reflektoj ngadalë se çfarë emocione të papërshkrueshme kam përjetuar në mbrëmjen e 27 nëntorit.

Faleminderit nga zemra Kosova ime, faleminderit shumë e dashur Ardianë Pajaziti për ftesën faleminderit KultPlus.com për punën e palodhshme, të gjithë ju të rinjë e të reja që ju takova atë mbrëmje, jeni inspirim për mua.

Uroj që projekti “Ta zbardhi ftyrën” të vazhdoj të sjell emra që janë inspirues për të rinjët.
Qëllimi im ka qenë gjithmonë që një ditë edhe unë të frymëzoj fëmijët, e të gjithë ata që kanë ëndërra të mëdha, ashtu siç unë u frymëzova dhe gjeta forcën të ndjekë pasionin tim.
Unë falemnderoj nga thellësia e shpirtit secilin nga ju që ishit prezent në sallë,dhe të gjithë ju që u kujdesët për mua në mbrapa skenë, Flutura Dedinja për fustanin e bukurë, Arbëresha për grimin.Një faleminderim i veçant shkon për pianisten time të dashtun Camille Lemonnier të cilës saherë ja përmendi Kosovën nuk heziton asnjëherë të më bashkangjitet.

Uroj të kthehem shpejtë në tokën time, e edhe unë të jap kontributin tim ashtu siç ëndërroj gjithmonë.

Ju përqafoj të gjithëve shumë e me mall. / KultPlus.com

Presidentja Osmani përkujton Rugovën: I përjetshëm kujtimi për prijësin tonë historik

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar Presidentin Rugova në përvjetorin e lindjes së tij.

Kujtimi i plotë i Presidentes Osmani:

“Sot e kujtojmë ditëlindjen e ideatorit e arkitektit të Kosovës së pavarur, presidentit historik, dr. Ibrahim Rugovës.
2 dhjetori na e kujton rrugëtimin tonë drejt lirisë e pavarësisë dhe na e forcon bindjen për fuqizimin e përditshëm të saj, ngase ajo ndër të tjera, është e lidhur edhe me jetën e një njeriu, i cili i dha kuptim asaj, njëherë si shkrimtar e intelektual, e pastaj si prijës politik i popullit të vet, duke u bërë model për gjithë njerëzimin.
I përjetshëm kujtimi për prijësin tonë historik!”

Kisha e Shën Mëri Vllahernës në lagjen “Kala”, nga më të vjetrat e Beratit

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat ndau në rrjetet sociale një foto nga Kisha e Shën Mëri Vllahernës e veshur në afresk. Ishte Nikolla Onufri ai që e pikturoi këtë kishë, në vitin 1578.

Pikturat paraqesin portrete të profetëve dhe skena ungjillore. Kisha është shpallur Monument Kulture i kategorisë së parë dhe gjendet në lagjen “Kala”, në Berat.
Kisha e Shën Mëri Vllahernës daton në shek XIII-XIV dhe është një nga kishat më të vjetra të ndërtuara në qytetin e Beratit. Kisha ka një oborr ku mendohet të ketë ekzistuar një manastir i hershëm i shek. V dhe VI.

Ajo është e tipit kryq i brendashkruar dhe e ndërtuar me teknikën klausonazh (gur i rrethuar me tulla), karakteristikë për kishat Bizantine të shek. XIII-XIV.

Rindërtimi i kishës i përket shekullit të XVI. Nën dyshemenë e kishës ndodhet një sternë e cila mendohet të jetë rindërtuar më herët. Dyshemeja është e dekoruar me mozaik.

Mendohet se origjina e emrit vjen nga pallati i Vllahernës në Kostandinopojë. / KultPlus.com

Qyteza e Gajtanit, vendbanimi i lashtë pranë Shkodrës

Në kuadër të projektit për njohjen më të mirë të pasurive arkeologjike në arealin e Shkodrës, DRTK Shkodër prezanton “Qytezën” e Gajtanit, një vendbanim i lashtë, pozicionuar në shpatet e dy kodrave të larta.

Në shek. VII pr.K periudhë e lulëzimit të këtij vendbanimi, u rrethua me mure të gjëra, të cilat edhe sot janë të ruajtura mirë, dhe arrijnë një trashësi deri 3,5 metra. Ata janë të ndërtuar me gurë të mëdhenj me punim të paktë, që duken si shkëmbinj të mëdhenj, të vendosur një mbi një, pa ndonjë lidhje llaçi.

Është ruajtur edhe një portë e “Qytezës”, e zbuluar nga gërmimet e kryera aty në vitet `60.

Fortifikimi i Gajtanit është shpallur Monument Kulture i Kategorisë I, në vitin 1971. Vendbanimi i fortifikuar ilir i epokës së hekurit gjendet mbi një kodër të veçuar në verilindje të fshatit Gajtan, 5 km në lindje të Shkodrës. Shtresa më e hershme kulturore i takon bronzit të vonë e fillimit të epokës së hekurit. Kjo ndiqet nga shtresa kulturore e periudhës së hekurit të zhvilluar, gjatë së cilës vendbanimi ka pasur jetë intensive. Kësaj kohe i takojnë disa furra dhe shumë enë me trajta tipike të qeramikës ilire. / KultPlus.com

Apple paralajmëron përdoruesit e saj që të bëjnë përditësime urgjente për t’i mbajtur të sigurta pajisjet e tyre

Apple ka lëshuar një përditësim urgjent për shumicën e pajisjeve të saj.

Përdoruesve të iPhone, Mac dhe iPad u është kërkuar të instalojnë përditësimin e ri – ose të rrezikojnë që pajisjet e tyre të sulmohen nga hakerat.

Përditësimi rregullon një gabim sigurie që mund t’i lejojë sulmuesit kibernetikë të depërtojnë në pajisjet Apple përmes shfletuesit të tyre të internetit.

Shfrytëzimi i tij do të lejonte “ekzekutimin arbitrar të kodit”, termi teknik kur sulmuesit kanë akses të plotë për të ekzekutuar çdo kod që u pëlqen në një pajisje, shkruan The Independent.

Përditësimet e reja numërohen me iOS dhe iPadOS 17.1.2 dhe MacOS 14.1.2. Ekziston gjithashtu një përditësim për shfletuesin Safari që rregullon problemin.

Apple tha se ishte “në dijeni të një raporti që kjo çështje mund të ishte shfrytëzuar” me pajisjet që përdornin versionet e hershme të iOS. / KultPlus.com

Vdes Sandra Day O’Connor, gruaja e parë anëtare e Gjykatës së Lartë në SHBA

Ish anëtarja e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, Sandra Day O’Connor, një zë i palëkundur i konservatorizmit të moderuar dhe gruaja e parë që shërbeu në gjykatën më të lartë të vendit, vdiq të premten. Ajo ishte 93 vjeç.

Zonja O’Connor vdiq në Feniks, nga komplikimet që lidhen me demencian dhe një sëmundje të frymëmarrjes, tha Gjykata e Lartë në një njoftim për shtyp.

Kryetari i Gjykatës së Lartë John Roberts tha përmes një deklarate se “Gruaja nga pjesa jugperëndimore e Amerikës, Sandra Day O’Connor la gjurmë historike si gjykatësja e parë femër e vendit tonë”. “Ajo punoi me vendosmëri, aftësi të padiskutueshme dhe angazhim të sinqertë”.

Në vitin 2018, ajo njoftoi se ishte diagnostikuar me “fazat fillestare të demencias, me gjasë e shkaktuar nga sëmundja e alcajmerit”. Burri i saj, John O’Connor, vdiq nga ëasojat e të njëjtës sëmundje në 2009.

Ajo ishte mbesa e një amerikani që udhëtoi në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara nga Vermonti dhe ndërtoi fermën familjare rreth tre dekada përpara se Arizona të bëhej shtet. Zonja O’Connor ishte këmbëngulëse dhe kishte një shpirt të pavarur. Si fëmijë, që u rrit në një rajon rural t vendit, ajo punoi me kuajt, bagëti dhe makineri bujqësore si traktorët dhe kamionët.

“Unë nuk i bëra të gjitha gjërat që i bënin djemtë”, tha ajo në një intervistë për revistën ‘Time’ në vitin 1981, “megjithëatë, kam riparuar mullinjë ere dhe gardhe”.

Në Gjykatën e Lartë, ndikimi i saj ishte i theksuar në vendimet e gjykatës për abortin, çështja më përçarëse me të cilat u përballën gjykatësit. Zonja O’Connor nuk pranoi t’i lejojë shtetet të shpallin të jashtëligjshëm shumicën e ligjeve të abortit, duke refuzuar në vitin 1989 të bashkohet me katër gjyqtarë të tjerë që ishin gati të anulonin vendimin historik të vitit 1973 Roe kundër Wade, që e bëri abortin të drejtë kushtetuese.

Më pas, në vitin 1992, ajo ishte pjesë e shumicës prej pesë anëtrëve të Gjykatës së Lartë, që riafirmuan vendimin e vitit 1973 për abortin. “Disa e konsiderojnë abortin një ofendim të parimeve të tyre, por kjo nuk mund të ndikojë mbi vendimin tonë”, tha zonja O’Connor në gjykatë, duke lexuar një përmbledhje të vendimit të vitit 1992. “Detyrimi ynë është të përcaktojmë lirinë e të gjithëve, jo të fusim në fuqi kodin tonë moral”.

Tridhjetë vjet më vonë, Gjykatë e Lartë, me një shumicë konservatore përmbysi vendimin e vitit 1973 për abortin. Vendimin e shumicës e shkruajti gjykatësi Samuel Alito. Ai zëvendësoi zonjën O’Connor më 2006, pasi ajo doli në pension. Presidenti George W. Bush e emëroi zotin Alito në postin e anëtarit të Gjykatës së Lartë dhe kandidatura e tij u miratua nga Senati.

Në vitin 2000, zonja O’Connor ishte pjesë e shumicës në një votim që i dha fund zgjedhjeve të debatueshme presidenciale të vitit 2000 në favor të kandidatit republikan George Bush, i cili ishte në garë me rivalin e tij demokrat Al Gore.

Zonja O’Connor u vlerësua me shumë dashuri nga shumë kolegë të saj. Kur ajo doli në pension, gjyqtari Clarence Thomas, një konservator i vijës së ashpër, e quajti atë “një kolege të shquar, që fliste me kujdes kur votonte kundër shumicës (në Gjykatën e Lartë) dhe nuk mburrej kur votonte me shumicën”.

Sidoqoftë, ajo me raste i shprehte pikëpamjet e saj edhe në mënyrë më thumbuese. Një nga veprimet e saj të fundit si gjyqtare ishte vota kundër kundër vendimit të Gjykatës së Lartë për të lejuar qeveritë vendore të sekuestrojnë pronat personale për të lejuar kompanitë private të ndërtojnë qendra tregtare, ndërtesa për zyra dhe objekte të tjera. Ajo paralajmëroi se shumica e gjyqtarëve vendosi në mënyrë të pamatur duke u dhënë akoma më shumë pushtet entiteteve të fuqishme. “Fantazma e këtij vendimi tani rrezikon të gjitha pronat”, shkroi ajo. “Asgjë nuk e pengon tani shtetin që të zëvendësojë çdo shtëpi me një qendër tregtare, apo çdo fermë me një fabrikë.”

Zonja O’Connor, të cilën komentuesit dikur e quanin gruaja më e fuqishme e vendit, mbeti gruaja e vetme anëtare e Gjykatës së Lartë amerikane deri në vitin 1993, kur Presidenti Bill Clinton emëroi gjykatësen Ruth Bader Ginsburg, diçka që ajo e priti me kënaqësi dhe lehtësim. Gjykata aktualisht ka katër gjyqtare, numrin më të madh të grave anëtare në historinë e saj.

Reagimi i madh ndaj emërimit të zonjës O’Connor e kishte habitur atë. Ajo mori më shumë se 60,000 letra në vitin e saj të parë si gjyqtare, më shumë se çdo anëtar në historinë e gjykatës. “Nuk e kisha idenë kur u emërova se sa do të thoshte emërimi im për shumë njerëz në mbarë vendin”, tha ajo. “Emërimi im i preku njerëzit në një mënyrë shumë personale. Njerëzit e panë atë si një sinjal se ka mundësi të pakufizuara për gratë. Emërimi ishte i rëndësishëm për prindërit e vajzave dhe për vetë vajzat”.

Nganjëherë, publiciteti i vazhdueshëm ishte pothuajse i padurueshëm. “Unë kurrë nuk e kisha pritur këtë e as që kisha dëshirë të madhe të bëhesha anëtare e Gjykatës së Lartë”, tha ajo.

Pas daljes në pension, zonja O’Connor shprehu keqardhje që ajo nuk u zëvendësua me një grua. Ajo mbeti aktive në qeveri edhe pasi u tërhoq nga gjykata. Ajo punoj si gjyqtare në disa gjykata federale të apelit, mbrojti pavarësinë e gjyqësorit dhe shërbeu në Grupin Studimor të Irakut. Ajo gjithashtu u emërua në postin e nderit të kancelares në Kolegjin ‘William dhe Mary’ në Virxhinia.

Zonja O’Connor përmendi përballjen e të shoqit me sëmundjen e alcajmerit si arsyen për largimin nga gjykata.

Gjatë punës si anëtare e Gjykatës së Lartë, zonja O’Connor në përgjithësi favorizonte shtetet në mosmarrëveshjet që kishin me qeverinë federale. Ajo shpesh mbante anën e policisë kur ata përballeshin me pretendime për shkelje të të drejtave të njerëzve. Në vitin 1985, ajo e shkroi vendimin e gjykatës pasi u vendos që rrëfimi i një të dyshuari kriminal, të cilit i janë lexuar fillimisht të drejtat e tij, mund të përdoret si provë gjatë gjykimit edhe nëse policia ka shkelur të drejtat e të dyshuarit ndërsa ishte marrë në pyetje mëparë.

Zonja O’Connor ishte 51 vjeç kur ajo iu bashkua gjykatës duke zëvendësuar Potter Stewart që kishte dalur në pension. Një e panjohur në skenën kombëtare deri në emërimin e saj, ajo kishte shërbyer si gjykatëse e shtetit të Arizonës dhe para kësaj si anëtare e legjislaturës së shtetit të saj.

Ajo ishte diplomuar më rezultate të larta në fakulteti juridik të Universitetit të Stanfordit, në vitin 1952. Zonja O’Connor tha se shumica e firmave të mëdha ligjore atëkohë nuk punësonin gra, ndërsa ajo e filloi karrierën si sekretare.

Në fund të vitit 1988, zonja O’Connor u diagnostikua me kancer të gjirit dhe iu nënshtrua një operacioni për heqjen e gjirit. Gjatë kësaj kohe ajo nuk doli në punë vetëm për dy javë.

Zonja O’Connor u ndje e turpëruar në vitin 1989 pasi republikanët konservatorë në Arizona përdorën një letër që ajo kishte dërguar për të mbështetur pretendimin e tyre se Shtetet e Bashkuara janë një “vend i krishterë”. Letra e vitit 1988, e cila shkaktoi disa kritika të ashpra ndaj zonjës O’Connor nga studiues ligjorë, citonte tre vendime të Gjykatës së Lartë në të cilat diskutohej trashëgimia e krishterë e vendit.

Ajo tha se i vinte keq për përdorimin e letrës në një debat politik. “Nuk ishte qëllimi im të shpreh një pikëpamje personale mbi këtë temë”, tha në atë kohë zonja O’Connor./VOA/ KultPlus.com

Si arriti ChatGPT të ndryshojë botën brenda një viti?

Të enjten më 30 nëntor janë bërë 1 vit prej kur OpenAI lansoi chatbotin me Inteligjencë Artificiale, ChatGPT, një platformë që fitoi popullaritet të menjëhershëm në mesin e shumë përdoruesve.

Popullariteti i ChatGPT bëri që shumë gjigantë të teknologjisë sikurse Meta dhe Google të punonin në mjete të ngjashme me AI.

“Një vit më parë, këtë natë kemi qenë në zyrë me gjasë duke realizuar detajet e fundit në ChatGPT, përpara lansimit të nesërmen në mëngjes. Çfarë viti!”, ka shkruar CEO i kompanisë OpenAI, Sam Altman në rrjetin social X, për përvjetorin e parë të platformës.

Por pse ChatGPT fitoi kaq shumë popullaritet dhe si arriti që të transformojë botën përgjatë 1 viti? Euronews ka përmbledhur së paku tre ndryshimet që solli ChatGPT në botën e teknologjisë gjatë kësaj periudhe.

1 – ChatGPT përshpejtoi revolucionin e Inteligjencë Artificiale

OpenAl lansoi platformën për gjenerimin e imazheve nga teksti “DALL-E” dhe GPT-3.5, përpara se të lansonte ChatGPT-n më 30 nëntor të vitit 2022.

Chatboti u bë mjeti ‘online’ më i shpejtë i adoptuar në botë, me mbi 1 milion përdorues në 5 ditë. (Rekordi u thye nga Threads i Meta-s, i lansuar në korrik).

2 – ChatGPT sfidoi dominimin e Google

ChatGPT sfidoi dominimin e gjigantit teknologjik Google, në fushën e përkthimit dhe marrjes së informacionit. Microsoft investoi miliarda në OpenAl, duke integruar teknologjinë e ChatGPT në shërbimet e tyre si një pjesë e përpjekjeve për të rivalizuar Google.

3 – ChatGPT shpërfaqi aftësi të reja

Nga kodimi deri te përmbajtja krijuese, ChatGPT ka bërë teknologjinë e Inteligjencës Artificiale më të qasshme për publikun e gjerë. Përdorimi i këtyre mjeteve në fusha si puna dhe shkolla ka bërë që këto aftësi të sjellin një ndryshim të madh në mënyrën se si e përdorim teknologjinë në jetën tonë të përditshme.

Inxhinierët e Al-s, janë disa nga ekspertët më të kërkuar, me paga që pritet të arrijnë deri në 300 mijë euro në vit.

Megjithatë, ndonëse ka sjellë inovacion dhe mundësi të reja, ChatGPT nuk ka qenë pa polemika.

Shqetësimet për shkeljen e të drejtave të autorit dhe impaktin e saj në kulturë dhe art janë ende të diskutueshme.

Sidoqoftë ky vit i parë ka treguar një histori të ndryshimit dhe ndikimit të madh në fushën e teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale./alsatm/KultPlus.com

Vidhen pjesë të skulpturës të Anselm Kiefer në Francë

Hajdutët kanë vjedhur pjesë të një skulpture plumbi të artistit bashkëkohor gjerman, Anselm Kiefer nga një magazinë në Francë, që përfaqëson një humbje prej më shumë se 1 milion dollarë, tha një prokuror të premten.

Kiefer, 78 vjeç, është i njohur për skulpturat dhe instalimet e tij të zymta që përballen me të kaluarën naziste të vendit të tij, të cilat shiten për miliona.

Disa nga veprat e tij kanë paraqitur libra të mëdhenj të plumbit, shkruan Guardian, transmeton Klankosova.tv.

Hajdutët hynë në mjediset e magazinës së artistit në qytetin Croissy-Beaubourg, në lindje të Parisit, të enjten para agimit, sipas prokurorit në qytetin e afërt të Meaux, Jean-Baptiste Bladier.

Vjedhja është e fundit që synon Kiefer-in, me vjedhjet e mëparshme që mendohet se kanë pasur për qëllim fitimin e parave të vlerës së plumbit që ai përdor, në vend të vetë pjesëve të artit.

Artisti humbi artin me vlerë 1.5 milion dollarë në një grabitje në të njëjtin vend në vitin 2016.

Kiefer luajti në një dokumentar 3D të regjisorit gjerman Wim Wenders të titulluar Anselm, i cili u shfaq jashtë konkurrencës në festivalin e fundit të filmit në Kanë./KlanKosova/KultPlus.com

Mora lule sot…

Poezi nga Paulette Kelly

Nuk ishte ditëlindja ime ose ndonjë rast special.
Patëm zënkën e pare mbrëmë.
Ai tha shumë gjëra të këqija që më lënduan.
E di që i vjen keq dhe që nuk i mendon ato që tha.
Sepse ai më solli lule sot.

Mora lule sot.
Nuk ishte përvjetori ynë apo ndonjë rast special.
Mbrëmë, ai më përplasi pas murit dhe më goditi.
Dukej si makth.
Nuk mund ta besoja se ishte reale.
U zgjova e lënduar në mëngjes dhe me të nxira.
E di që atij duhet t’i ketë ardhur keq.
Sepse ai më solli lule sot.

Mora lule sot.
Nuk ishte Festa e Gruas ose ndonjë rast special.
Mbrëmë, ai më rrahu sërish.
Dhe ishte më keq se herën e kaluar.
Po e lashë atë, çfarë do të bëj?
Si do të kujdesem për fëmijët e mi?
Po për para’ si do ja bëj?
Por e di që atij duhet t’i ketë ardhur keq.
Sepse ai më solli lule sot.

Mora lule sot.
Sot ishte një rast special.
Ishte dita e funeralit tim.
Mbrëmë, më në fund ai më vrau.
Më rrahu për vdekje.
Sikur të kisha patur aq kurajë dhe forcë për ta lënë,
Nuk do të kisha marrë lule… sot.

Kryevepra e humbur e Botiçellit është gjetur në një shtëpi në Itali

Një pikturë e mjeshtrit të shekullit të 15-të, Sandro Botticelli, e regjistruar si e zhdukur që nga vitet 1980, është gjetur në një shtëpi në Italinë jugore.

Përshkrimi i Virgjëreshës Mari dhe Krishtit të mitur u zbulua në një shtëpi në qytetin e Gragnano, pranë Napolit, sipas Njësisë së Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore Karabiniere të Napolit, transmeton Klan Kosova.

Piktura e artistit të famshëm vlerësohet nga autoritetet italiane të jetë me vlerë të paktën 100 milionë euro (109 milionë dollarë). Ajo u porosit për Kishën Katolike Romake më 1470.

Vepra 58 x 80 centimetra e pikturuar me tempera në dru, ishte varur në një kishë në periferi napolitane të Santa Maria la Carità që nga fillimi i viteve 1900.

Kur një tërmet dëmtoi kishën në vitin 1982, piktura iu dha nga famullia një familjeje vendase të quajtur Somma për ruajtje, sipas një zëdhënësi të ministrisë italiane të kulturës, i cili i tha CNN-it se ekziston një dekret zyrtar në dosje që ua beson pikturën atyre, dhe ata nuk po përballen me asnjë hetim penal.

Për vitet e para pasi familjes iu besua piktura, autoritetet lokale kontrolluan gjendjen e saj, duke i këshilluar se ku ta mbanin dhe duke ndihmuar në lëvizjen dhe pastrimin e saj.

Por, për disa arsye kontrollet ndaluan në vitet 1990 dhe piktura u rendit në inventarin e punimeve të munguara të ministrisë së kulturës.

Lista përditësohet shpesh dhe këtë verë piktura u gjurmua te familja Somma, e cila e kishte ekspozuar në shtëpinë e tyre gjatë viteve, tha komandanti Massimiliano Croce gjatë prezantimit të gjetjes.

Pas gjurmimit të degës së familjes që mbante aktualisht pikturën, policia punoi me kryebashkiakun lokal, i cili tashmë ishte në dijeni të pranisë së Botticelli-t në shtëpinë e Somma-s dhe ndihmoi për të ndërmjetësuar marrjen e saj, tha Croce.

“Kjo është një vepër krejtësisht e panjohur për publikun, e cila tashmë do të ekspozohet sërish falë ndërhyrjes së shtetit. Ne vepruam në mënyrë administrative, pa iu drejtuar Prokurorisë apo sekuestrimit, falë edhe ndërmjetësimit të kryetarit të bashkisë”, tha Croce.

“Familja vazhdon të mbajë titullin e veprës, e cila megjithatë do të ruhet në një muze”, shtoi Croce.

Piktura, e cila do të ketë nevojë për restaurim të gjerë, tregon Virgjëreshën Mari, me flokë bionde të mbuluara nga një vello, duke mbajtur një foshnjë topolak Jezus në prehrin e saj – ngjashëm me përshkrimet e tjera nga Botticelli, sipas ministrisë së kulturës.

I mungon pak bojë dhe është gërvishtur, ndoshta gjatë tërmetit në vitet 1980 dhe në lëvizjet e mëpasshme të shtëpive.

Mendohet të jetë një nga pikturat e fundit të mjeshtrit, i cili vdiq më 1510.

Piktura përfundimisht do të ekspozohet në një nga muzetë kombëtarë në Napoli, por restaurimi do të zgjasë të paktën një vit, sipas ministrisë./KlanKosova/KultPlus.com

Po vjen liria, 25 vjet pas çlirimit

Sot është 1 dhjetor, por, për shkak të të shumëpriturit liberalizim vizash, sot ka filluar numërimi mbrapsht: 31, 30, 29, 28, 27,..1. Boom!

Shteti që s’po kthehet mbarë, do ta kuptojë që këto fishekzjarre nuk janë për Vitin e Ri, por për liberalizim vizash. Një kaçik në gojë nga darka e fundit, një kofer në dorë dhe… Evropë, pritmë se erdha! Do të nisemi me vargun e Fishtës në mend: Ah, Evropë, ti kurva e motit! Dhe kështu të frustruar e të eksituar do t’ia mësyjmë asaj. Nëse ajo nuk na jep çfarë kërkojmë, do t’ia marrim me zor. Do të punojmë dhe do t’ia punojmë.

Nga frika e të frustruarve, Evropa, po të kishte këmbë, para një janarit do të ikte të fshihej dikund mbrapa Azisë, apo mbrapa diellit. Por, s’ka këmbë. Italia duket si njëfarë këmbe, po s’mund t’i ikësh me një këmbë, atij që ta ka mësyrë me dy këmbë dhe me urrejtje ndër dhëmbë. Do ta zëmë Evropën dhe do t’ia bëjmë atë që ia bëri Zeusi Evropës. Na erdhi dita.

Sigurisht që e dramatizova pak, se pritja e gjatë dhe ardhja e ditës, më në fund, meritojnë pak dramë.

Tingëllon pak e çuditshme, por, për shumicën kosovare, vetëm një çerek shekulli pas çlirimit, vjen liria, ajo e madhja, liria e lëvizjes nëpër Evropë. Pra, ka një vijë suksesi: çlirimi (1999), pavarësia (2008) dhe liria (2024). Kjo e fundit është një sukses i shtetit, një sukses që do t’i nxjerrë në shesh dështimet e shtetit. S’ka punë këtu, shkon atje! S’ka shkollë këtu, shkon atje! S’ka pare këtu, shkon atje! S’të vlerësojnë këtu, shkon atje!

Kjo liri, më shumë se Evropën, duhet ta trembë Kosovën. Faktet thonë që Kosova është vendi më i vogël, më i varfër dhe më i shëmtuar në Ballkan. Patriotizmi thotë: sidoqoftë, është e jona. Pra, mendja e di, por zemra s’e pranon.

Megjithatë, gjatë 25 vjetëve (saktësisht: 24 e gjysmë), përveç atyre që edhe pse kanë marrë frymë në Kosovë, kanë pasur luksin të jetojnë jashtë realitetit kosovar, të gjithë të tjerëve në vazhdimësi u ka plasë zemra. Janë miliona arsye pse sot janë zemërplasur dhe me ditë të numëruara (duke pritur 1 janarin). Fajtorë për këtë janë të gjitha partitë politike, të gjitha qeveritë tona, të gjithë ATA dhe të gjithë NE.

Edhe pse nuk besoj që më 1 janar do të ndodhë mrekullia përrallore, që do të ikim dhe do të jetojmë të lumtur, prapëseprapë mendoj se një mrekulli e vogël do të ndodhë: mrekullia e të pasurit alternativë. S’të rrihet këtu, shko ku të duash! Deri tash, t’u nejtë, a s’t’u nejtë, është dashtë me trusë qaty, se s’ke mujtë me ikë.

Tash që po vjen liria e lëvizjes, secili mund t’i thotë vetes dhe tjetrit: lëviz, se nuk je lis!

Prandaj, 1 janari është njëfarë mrekullie.

Kulmi i patriotizmit ka qenë lufta. E mira e patriotizmit: çlirimi. Nga 1999 e këndej, patriotizmit veç sherrin ia kemi pa. Fëmijët e vitit 1999 (dhe ata të lindurit pak para luftës, ose kurdo pas luftës), nuk kanë pse të jenë viktima të nacionalizmit, as të patriotizmit; ata do të shohin se ku mund të jetojnë më mirë, dhe aty do të ndalen, do të shkollohen ku të duan, do të dashurohen e, po deshën, edhe mund të martohen, me kë të duan. Këta që shkojnë atje nuk janë si ata që vijnë këtu. Ata, fëmijët e diasporës sonë, janë viktima të nacionalizmit të prindërve të tyre. Ata jetojnë atje, por detyrohen ta gjejnë fatin (a taksiratin) këtu, punojnë atje, por duhet të investojnë këtu. Prandaj vetëm këta që kanë jetuar këtu pas lufte, e dinë (ose e marrin me mend, dhe shpejt do ta shohin me sy) se kudo tjetër është më mirë se këtu. Këtë e dinë edhe patriotët zemërplasur, e di çdo qytetar, i varfër e i pasur.

Unë edhe pse s’do ta shijoj epokën Post-2023 si shumë kosovarë (për shkak të shtetësisë shqiptare që kam, kjo epokë tek unë ka ardhë më parë), vazhdoj prej vitesh t’ia bëj vetes pyetjen, të cilën nga viti tjetër do ta bëjnë të gjithë kosovarët, nëse do të vazhdojnë të jetojnë në Kosovë: pse rri këtu, kur mund të shkoj kudo tjetër?

Janë dy arsye potenciale: patriotizmi dhe shprehia.

Por unë s’jam ndonjëfarë patrioti. Kam lidhje emocionale me vendlindjen, me njerëzit, sigurisht. Kam kujtime, por edhe ëndrra. Ëndrrat nuk i vras për kujtimet.

Duke lexuar dhe shetitur, e kam vrarë nacionalizmin dhe patriotizmin. Pra, për mua patriotizmi s’është arsye. E, megjithatë kam qëndruar (qëndruar, sepse të jetosh këtu, domethënë të qëndrosh, të rezistosh, t’i kesh zemrën dhe nervat e forta).

Atëherë, arsye mbetet shprehia.

Meqenëse shprehia në vetvete nuk është arsye, nuk lidhet me arsyen, s’kam përgjigje pse kam qëndruar këtu. Pra, kam qëndruar për shprehi, domethënë, pa arsye, ashtu kot. E, duke qenë se viteve të fundit më është bërë shprehi të udhëtoj, qysh po shkojnë punët këtu, nëse shteti nuk kthehet kah e mbara (domethënë, nëse nuk instalohet një meritokraci), një ditë, krejt papritur, mund të më bëhet shprehi të mos kthehem, ashtu siç mund të ndodhë nesër me të gjithë ata që do të dalin jashtë kësaj republike kaotike.

Shkrimtari im i dashur, Nikos Kazanxakis, që përveç shkrimtar, ishte edhe udhëtar i madh, thotë: “Zoti edhe duron, ç’i kushton koha atij? Është i pavdekshëm. Po njeriu?”

Ne, kosovarët, nuk jemi zota. Jemi njerëz. Durimi merr fund, sepse koha jonë është e kufizuar. 25 vjet shpresë kolektive. Edhe sa duhet të presim? Ne jemi një popull i burgosur, që na lirojnë më 1 janar 2024. Askush s’ka pse i duron rrahagjokset e politikanëve për trimëri e drejtësi, nëse ato s’i sjellin mirëqenie në shtëpi. Politikanët e tillë i lëmë në shekullin 19, kurse ne shkojmë atje ku jetohet shekulli 21.

Po ta kërcënoja unë shtetin, do të ishte qesharake, por kur realiteti e kërcënon, pushtetarët duhet t’i hapin sytë dhe veshët: nga 1 janari, nëse këtu vazhdojnë të mungojnë ofertat, qytetarët do t’i kenë alternativat, sepse atdheu dhe kombi janë përkatësi aksidentale, kurse shteti ku vendosim të jetojmë duhet të jetë zgjedhje racionale.

Prandaj, gjatë dhjetorit them ta shohim filmin e animuar “Lambert, The Sheepish Lion”, dhe të mendojmë se ndoshta nuk jemi dele, dhe ndoshta lejleku ishte i dehur kur na lëshoi në Kosovë./KultPlus.com

Zërat që ‘shërojnë’, Diellza Sylejmani dhe koncerti që përçon shpresë e optimizëm

Vjollca Duraku

Të bindur mbi fuqinë dhe karakterin e fortë të Diellza Sylejmanit, miqtë e saj të enjten mbrëma organizuan koncertin “Miqtë për Diellzën”, që erdh më shumë si simbolikë për diagnostifikimin e hershëm të kancerit, se sa si përkrahje ndaj përballjes së saj me kancerin e gjirit, shkruan KultPlus.

‘E njohim Diellzën’, ‘e fortë’, ‘pozitive’, ‘luftarake’, janë shprehje me të cilat iu referuan mexosopranos Diellza Sylejmani, kolegët e saj me të cilët kishte bashkëpunuar ndër vite.

Kjo njohje për së afërmi e mexosopranos Sylejmani, kishte bërë që miqtë e saj më shumë se për sëmundjen e cila e kishte sfiduar, ishin të vetëdijshëm për fuqinë e saj shpirtërore dhe për mesazhin që ajo këtë kohë po e përçonte në nivele më të thella, për diagnostifikimin sa më të hershëm të kancerit dhe për shtuar dashurinë e kujdesin e miqve ndaj njëri-tjetrit, i cili nga jeta dinamike disi është zbehur.

Mbrëmjen mes shumë të pranishmëve e hapi organizatori Dardan Noka, i cili pas fjalës përshëndetëse e ftoi aktoren Safete Rogova, e cila nën shoqërimin e pianistit Andi Duraku, recitoi fuqishëm vargjet “Dedikim për Diellzën”.

Më pas me veprat Vilja të Franz Lehar, Quando m’en vo të Giacomo Puccini, Ah Lieb… e  Allerseelen të Richard Strauss, dhe Këngën e Hënës të Antonin Dvorak në skenë performuan sopranoja Besa Llugiqi dhe pianisti Misbah Kaçamaku.

Pas interpretimit të tyre, i cili përveç profesionalizmit përçonte elegancë dhe paqe, në sallën me kushtet jo adekuate, dolën në skenë Kori i Grave të Filharmonisë së Kosovës.

“Moj e bukura More, Qenke veshur me të bardha, Trëndelinë të Thoma Simakut, The Rose të Ola Gjeilos, She Wepps Over Rahoon të Eric Whitacre u interpretuan nga Kori i Grave të Filharmonisë nën përcjelljen e klarinetistit Shkumbin Bajraktarit dhe pianistit Andi Durakut me dirigjimin e Hajrullah Sylës.

Interpretimit të Korit të Grave të Filhamonisë, krejt në fund iu bashkua edhe vetë Diellza Sylejmani, për të interpretuar një pikë së bashku me koleget e saj, e cila u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku, pasi qe një veprim i cili shpërfaqte ndërthurje energjish dhe zërash që përçonin forcë dhe optimizëm.

Pas koncertit në një prononcim për KultPlus, foli solistja Besa Llugiqi e cila Diellzën e konsideroi si pjesë të familjes së saj, pasi me njëra-tjetrën njiheshin prej fëmijërisë.

“Për mua ka qenë minimalja që kam mundur  të bëj për Diellzën dhe mendoj për të gjithë ata që sot kanë interpretuar, sepse e njohim prej të vegjël. Kemi punuar bashkë në kor të Filhamonisë,  kemi udhëtuar bashkë, kemi kënduar bashkë, kemi studiuar bashkë, ka shumë vite që Diellzën e njoh dhe gjendja e saj për ne është e papritur. Sigurisht edhe për mua ka qenë shumë e ndjeshme si situatë. Iniciativa e Dardanit ka qenë t’i ndihmojmë me aq sa kemi mundësi, mendoj që të gjithë artistët jemi të hapur dhe nuk kishte me thënë asnjë jo në këtë rast”, ka deklaruar Sopranoja Llugiqi duke thënë që me kënqësi e realizoi këtë koncert duke besuar fuqishëm që Diellza shumë shpejt do të marr veten dhe do të tejkalojë këtë sfidë, sepse e njihte si karakter shumë pozitiv, direkt, shumë luftarak.

Ndërsa oraganizatori Dardan Noka, deklaroi që Diellza e ka tejkaluar sfidën dhe që kjo mbrëmje është organizuar më shumë si mbështetje morale për të, deri në tejkalimin e plotë të sfidës.

“Sonte kemi dashur të mblidhemi, më shumë për ta mbështetur moralisht, në mënyrë që ajo të ndihet edhe më e fortë në këtë luftë, por në të njëjtën kohë edhe për të përçuar një mesazh për të gjithë që të kujdesen për diagnostifikimin sa më të hershëm. Diellza është një prej rasteve që e ka diagnostifikuar sëmundjen shumë herët, dhe unë e besoj që kjo ka për t’i ndihmuar shumë që ajo ta mundë sëmundjen”, ka thënë Noka.

Ai më tutje shtoi se artistët ftesës i ishin përgjigjur shumë pozitivisht, dhe se organizimi i një ngjarjeje të tillë ka qenë fare i lehtë, për shkak të gatishmërisë së artistëve.

“Për mua është e rëndësishme që ka ndodhur kështu për dy arsye. E para, në një kohë kur afrimiteti mes njerëzve mund të vihet në pikëpyetje për shkak të ritmit të jetës që e kemi, dhe janë këto momente kur ti e sheh që njerëzit prapë shpalosin shpirtin human. Janë këto momente që na bëjnë të reflektojmë për kujdesin për njëri-tjetrin në rrethana pa qenë vonë. Kështu që më vjen mirë që janë përgjigjur dhe kjo ka me qenë një ndihmesë për Diellzën në rrugën e saj, që është një rrugëtim shumë i gjatë derisa ajo ta mund plotësisht sëmundjen” ka thënë më tutje Noka.

Në fund të koncertit shumica e të pranishmeve iu bashkuan skenës për t’i dhuruar dashuri, mbështetje dhe respekt Diellza Sylejmanit, për të cilën edhe u organizua kjo mbrëmje artistike./KultPlus.com

Filmi i Javës: ‘Perfect Days’ – filmi më i mirë i Wim Wenders në dekada

Gjatë dekadës së fundit, regjisori veteran gjerman, Wim Wenders (Wings of Desire, Buena Vista Social Club) ka pasur një rezultat disi të çrregullt, me filmin e tij të fundit të mrekullueshëm që ishte dokumentari i vitit 2011 “Pina”. Tani, ai ka dhënë një nga karakteristikat e tij më të mira narrative në vite, një perlë magjepsëse në heshtje për të çmuar momentet kalimtare dhe për të përqafuar lidhje të rastësishme.

“Perfect Days” ndjek Hirayama (Kōji Yakusho), një pastrues i moshuar dhe i zellshëm tualeti në Tokio. Ai është një njeri i qetë, i vetmuar, që gjen gëzim në kënaqësitë e thjeshta të jetës: zgjimi para lindjes së diellit, ujitja e bimëve, leximi para gjumit. Kur ai nuk po e zbaton veten me ndërgjegje në profesionin e tij dhe nuk po i duron veprimet e kolegut të tij shumë më të ri Takashi (Tokio Emoto), ai është i armatosur me kamerën e tij të vjetër Olympia dhe merr pamje nga natyra ose shton një kasetë tjetër në koleksionin e tij muzikor, shkruan Euronews, transmeton Klankosova.tv.

Ritmi i rutinës së tij të përditshme ndërpritet kur mbesa e tij adoleshente Niko (Arisa Nakano) shfaqet në banesën e tij të vogël për një vizitë të paparalajmëruar. Ajo ka ikur nga nëna e saj, motra e larguar dhe e pasur e Hirayama.

“Perfect Days” filloi jetën si një projekt i porositur nga autoritetet urbane japoneze, për të festuar sistemin më të avancuar të tualetit publik të Tokios. Wenders i ofron shikuesit perëndimor mundësinë për t’u habitur nga shumëllojshmëria dhe dizajnet e objekteve japoneze, por është larguar nga përmbledhja. Duke bërë këtë, ai ka krijuar një studim vëzhgues të personazheve që është xhiruar me syrin e një dokumentari nga Franz Lusting./ KultPlus.com

Tragjikomedia ‘Shtëpia e Zotit’, vjen si bashkëpunim mbarëkombëtar

 Teatri Kombëtar në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe Teatrin Shqiptar të Shkupit sjellin sot dhe nesër veprën “Shtëpia e Zotit”.

Tragjikomedia, nga Ledian Gjeçi, i zhvillon ngjarjet në një “shtëpi bari”, në Shqipëri. Historia zhvillohet gjatë një feste të pazakontë, në shtëpinë ku prodhohet hashash, i cili grabitet pikërisht ndërsa personat e përfshirë në këtë biznes, ishin duke festuar. Kjo ngjarje pasohet me kaos dhe të gjithë i bren dyshimi për tradhëtinë e mundshme të njëri-tjetrit. Por ndërkohë që “shtëpia e barit” nuk është më sekret, lind nevoja urgjente për një tjetër vend të sigurt dhe dikush propozon një vend fantastik ku nuk hyn askush; një vend të përsosur për të jetuar, e për të vdekur, vend i cili do të jetë dëshmitar i ndodhive të jashtëzakonshme që do të pasojnë.

“Shtëpia e Zotit” do të shfaqet në sallën “Central 400” tek ArTurbina.

Regjisori i shfaqjes është Ilir Bokshi, koreograf Robert Nuha, skenograf Bekim Korça, kostumografe Njomza Luci, kompozitor Endri Sina, as/regjisore Dorina Çaushi. Vepra teatrore ishte përshëndetëse në festivalin “Moisiu” që pas Shkupit zhvilloi edicionin e dytë në Tiranë./atsh/KultPlus.com