Kryeministri Albin Kurti, mëngjesin e së dielës bëri homazhe në qytetin e Prizrenit, për të vrarët në masakrën e Tusuzit.
Ai vendosi kurora me lule te varret e të vrarëve, në nderim dhe përkujtim të martirëve e dëshmorëve të Lagjes së Trimave.
“Martirët dhe dëshmorët e kombit janë në njërën anë dëshmi e qëndresës sonë, e rezistencës së popullit, e atdhedashurisë për të jetuar në liri e në paqe në tokën stërgjyshore, por në anën tjetër janë gjithashtu edhe dëshmi e krimeve të Serbisë, e krimeve të kryera gjatë luftës, ku bëjnë pjesë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi”, tha Kurti.
“27 martirët e Tusuzit, janë sot 27 lule nga të cilët rritet liria jonë dhe gëzohet shteti ynë”, shtoi shefi i qeverisë.
Në këto homazhe, teksa përkujtoi të rënët e masakrës, kryeministri u shpreh se në lapidarin e të rënëve është i skalitur emri i Behar Abdylmexhitit, i cili atë kohë ishte vetëm 17 vjeçar, si dhe Fazile Maqkaj, e cila u dogj e gjallë në karrocën invalidore të saj.
Më tej, kryeministri duke përmendur djegien e mbi 300 shtëpive, dhe dhembjen për vrasjen e 27 civilëve nga forcat armike serbe, që sot janë martirë të kombit, theksoi se nevojitet edhe drejtësia e jo vetëm pavarësia e shtetit.
Teksa foli për këtë masakër, për të cilën vetëm dy persona mbahen në burg dhe katër të tjerë ndiqen, Kurti shtoi se numri i ekzekutorëve dhe urdhërdhënësve është shumë më i madh se kaq, tha Zyra e Kryeministrit në një kumtesë, raporton Klankosova.tv.
Kurti i bëri thirrje Prokurorisë së shtetit që me fuqinë dhe dijeninë e saj të bëjë gjithçka, në mënyrë që të ketë drejtësi ata që mungojnë tash e 25 vite.
Kryeministri tha se drejtësia i mbyllë plagët që kullojnë dhe sjellë paqe të qëndrueshme.
Kompozitori Richard M Sherman, i cili shkroi këngë për klasikët e filmit Disney si Mary Poppins dhe Chitty Chitty Bang Bang, ka vdekur në moshën 95-vjeçare në Beverly Hills.
Sherman bashkëpunoi me vëllain e tij të ndjerë Robert, dhe dyshja fituan dy çmime Oscar në 1965 për punën e tyre në Mary Poppins.
Disa nga këngët më të njohura të vëllezërve përfshijnë “The Jungle Book’s Trust in Me” dhe “Truly Scrumptious” të Chitty Chitty Bang Bang./bbc/KultPlus.com
Kulla e Sahatit, pjesë e trashëgimisë kulturore është objekti që ka identifikuar Tiranën ndër vite. Bashkë me xhaminë Et’hem Beu, janë konsideruar gjithnjë si “kartolina e kryeqytetit”.
Qendra e Tiranës është në çdo moment të ditës e mbushur me turistë të huaj. Shumica e tyre nuk largohen pa vizituar kullën e sahatit, shkruan abcnews.al.
Pasi ngjitin 92 shkallët, vizitorët qëndrojnë disa minuta në lartësinë e kullës së stilit otoman, ku nuk mungojnë shkrepjet e fotografive, të qendrës së Tiranës dhe ndërtesave të periudhave të ndryshme nga ato osmane siç është xhamia, ministritë e ndërtuara gjatë mbretërisë së Ahmet Zogut, muzeu kombëtar dhe pallati i operas dhe baletit gjatë diktaturës komuniste.
Kulla e sahatit është një nga monumentet kulturore të kategorisë së parë më të rëndësishme të Tiranës dhe simbol i trashëgimisë së vjetër të kryeqytetit. Ajo u ndërtua në vitin 1822 me iniciativë të Haxhi Et’hem Beut nga ndërtues të Tiranës dhe zonës së Gollobordës, të shquar për mjeshtrinë e tyre në ndërtim./KultPlus.com
Këngëtari i grupit rock “Iron Butterfly” Doug Ingle, ka vdekur në moshën 78-vjeçare.
Banori i Omahas, Nebraska ishte anëtari i fundit i mbijetuar i formacionit klasik të ‘Iron Butterfly’ që performoi në albumin e tyre të dytë në studio, albumin ‘In-A-Gadda-Da-Vida (1968)’.
“Me zemër të rëndë dhe pikëllim të madh njoftoj ndarjen nga jeta të Atit tim Doug Ingle. Babi ndërroi jetë në mënyrë paqësore të premten në mbrëmje në prani të familjes”, ka shkruar djali i tij, Doug Ingle Jr., në një postim në Facebook, siç raportohet nga Deadline./KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama u nis sot nga aeroporti ndërkombëtar i Rinasit për takimin në Milano me shqiptarët e Italisë, në kuadër të turit me diasporën.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama ndau pamje nga përgatitjet që po kryhen në pallatin e sportit “Busto Arsizio” ku do të zhillohet takimi i orës 11:00.
“Nga Rinasi ku po nisemi për vallen e dytë kuqezi në Europë, me shqiptarët e Italisë që sipas kërkesës së tyre do t’i mikpresim në një pallat sporti edhe më të madh se në Athinë, me shpresën që askush nuk do të mbetet pa gjetur vend siç fatkeqësisht na ndodhi në Greqi”, tha Rama.
Të dielën e 12 majit, Kryeministri Edi Rama nisi turin e takimeve “Krenar për Shqipërinë” me diasporën në Greqi, Athinë.
Turi i takimeve vjen në kuadër të takimit me bashkatdhetarët tanë që jetojnë e punojnë jashtë.
Rama pritet të takohet dhe me shqiptarë që jetojnë e punojnë në Londër, Mbretëri e Bashkuar dhe Dyseldorf, Gjermani./atsh/KultPlus.com
“Mbretëreshat e klubit të natēs” nga Shqipëria u prezantua në mbrëmjen e së shtunës në kuadër të PITF, ku kjo shfaqje solli historinë e aktorit Aleksander Moisiu, por në një formë krejt ndryshe, duke tentuar të përputhet me realitetin në Shqipëri.
Kurse sonte do jetë nata e fundit e Prishtina International Theater Festival, e cila sjell shfaqjen “Bloody Moon” nga Teatri Kombëtar i Malit të Zi.
Shfaqja “Bloody Moon” do luhet sonte nga ora 19:00 në Teatrin AAB “Faruk Begolli”, ndërsa menjëherë pas saj do ndahen çmimet për këtë edicion të PITF.
Këtë edicion shfaqjet janë duke u vlerësuar nga juria profesionale e përbërë nga: Fatos Berisha, Ana Vukotić dhe Amernis Nokšić, sikurse edhe juria e medieve: Ardianë Pajaziti- KultPlus, Teuta Arifaj – ATV Live dhe Lumira Kelmendi – RTK./ KultPlus.com
Filmi komik “Anora” i regjisorit Sean Bakerit ka marrë çmimin kryesor në Festivalin e Filmit në Cannes, “Palmën e Artë”.
Komedia amerikane flet për një punëtore seksi që martohet me djalin e një oligarku rus.
Bakeri pranoi çmimin bashkë me yllin e filmit, Mikey Madison, në ceremoninë e mbajtur të shtunën.
“Nuk e di se çfarë po ndodh tani”, ka thënë Bakeri pasi doli në skenë.
Përderisa “Anora” ishte filmi më i vlerësuar i serialit, konsiderohet edhe befasi. Shumë kanë pritur që drama indiane “All We Imagine As Light” ose filmi iranian “The Seed of the Scared Fig” të fitojnë. Të dy këta filma megjithatë morën çmime.
“All We Imagine as Light” fitoi “Grand Prixin”, çmimin e dytë më të rëndësishëm. Ishte filmi i parë indian që garoi në Cannes në 30 vjet.
Juria i dedikoi çmim special dramës iraniane “The Seed of the Sacred” të Mohammad Rasouloufit. Pak ditë para premierës së filmit, i përballur me dënimin prej tetë vjetësh burgim, ai u largua nga Irani në këmbë. Filmi i tij përmban pamjet reale nga demonstratat 2022-2023 në Iran dhe flet për shtypjen iraniane në një dramë familjare. Turma e Cannes e përcolli me ovacion të gjatë në këmbë.
Filmi “The Substance” me superyllin Demi More, mori çmimin për skenarin më të mirë.
U mendua se Moore do ta marrë çmimin për aktoren më të mirë, por ai shkoi për grupin e përbërë nga Karla Sofia Gascon, Zoe Saldana, Selena Gomez dhe Adrian Paz për mjuzikllin “Emilia Perez”. Gasconi, që e pranoi çmimin, është aktorja e parë trans që fitoi çmim të madh në Cannes.
“Emilia Perez” fitoi edhe çmimin e jurisë, duke u bërë ndër filmat e rrallë që marrin dy çmime.
Çmimin për aktorin më të mirë e mori Jesse Plemons për rolin e Yorgos Lanthimos në “Kinds of Kindness”.
Regjisori portugez Miguel Gomes mori çmimin për regjinë më të mirë në filmin “Grand Tour”.
Çmimi për “Kamerën e Artë” shkoi për filmin “Armand”.
Gjatë ceremonisë, u nderuan me çmime edhe Meryl Streep e Studio Ghibli./tema/KultPlus.com
Kalaja e Gjirokastrës, falë vlerave historike dhe arkitektonike që mbart vazhdon të ngelet monumenti më i preferuar për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në qytetin e gurtë.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër bën të ditur sot se “mbi 50 000 vizitorëve vizituan Kalanë e Gjirokastrës për periudhën janar-maj 2024”.
Sipas DRTK Gjirokastër vazhdon rritja e numrit të vizitorëve në Kalanë e Gjirokastrës, ku në periudhën janar-maj pati rreth 50% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të mrekulluar nga çfarë ofron Gjirokastra, turistët vijnë nga vende të ndryshme të botës për të prekur nga afër bukuritë, historinë, traditat e qytetit muze.
Në çdo stinë të vitit kalaja tërheq mijëra vizitorë duke e kthyer atë ne objektin më të vizituar të qytetit të gurtë.
Kalaja e Gjirokastrës shtrihet në një hapësirë prej 335 metra dhe ndodhet në kodër nga ku shihet gjithë qyteti, si për të dëshmuar historinë e gjithë rajonit në shekuj. Kulmin e historisë së saj e ka pasur në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot./atsh/KultPlus.com
Parku i liqenit të Mbreshtanit, 15 minuta larg qendrës së Beratit është një ndër atraksionet më të reja turistike, në liqenin e Mbreshtanit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky park, i cili ofron një bukuri mbresëlënëse falë dhe investimit për rehabilitimin e plotë të tij.
“Në mes të mrekullisë së natyrës në Mbreshtan të Beratit, buzë liqenit, ka tashmë një pedonale dhe park që e kanë shndërruar këtë fshat në një destinacion me plot potencial turistik”, shkroi Rama.
Qytetarët dhe turistët mund të zgjedhin të kalojnë mëngjeset apo mbrëmjet përreth liqenit.
Projekti për rehabilitimin e tij përfshiu shtimin e gjelbërimit dhe pedonalen e re rreth e përqark, për t’i bërë shëtitjet e qytetarëve edhe më të këndshme./atsh/KultPlus.com
Me lodhi mundimi në shpirt tërë jetën Ta them lakuriq të vertetën. Po s’munda ta them ngaherë të plotë, Se ishte zuskë kjo bote. Tani më vjen keq për aq sa gënjeva, Megjithëse gënjyen dhe Adami dhe Eva Të parët genjeshtarë të mjerë Dhe kjo me jep ngushellim herë-herë. /KultPlus.com
Në Ulqin u përuruan dy veprat e njohura të studiuesit Ismail Doda “Balada Popullore të shqiptarëve në Malin e Zi”, të cilat vlerësohen si krijimet popullore më interesante në folklorin shqiptar.
Studiuesi Agron Xhagolli, vuri në dukje, rëndësinë e regjistrimit të baladave ndër shqiptarët në Malin e Zi që, sipas tij, paraqesin një punë studimore në nivel përgjithësues.
“Dr.Doda si njohës i mirë i të folurës së shqiptarëve që jetojnë në Malin e Zi ka ditur që me kujdes dhe vëmendje të regjistrojë si një mbledhës serioz lëndën folklorike duke respektuar parimin fonetik. Vlerat e këtij botimi nuk kanë të bëjnë vetëm me cilësinë dhe vlerat e baladave të përfshira. Lënda e renditur është e përfshirë në dy ndarje të mëdha: balada legjendare dhe balada realiste dhe me grupime të shumët brenda tyre “, tha zoti Xhagolli.
Analisti dhe kritiku i artit, Qazim Muja këto balada i quan vepra të artit, jo vetëm për shqiptarët në rajon, por për tërë njerëzimin me një funksion të veçantë letrarë dhe artistik, të cilat, siç tha ai, duhet të ruhen dhe të mbrohen në mënyrë të veçantë.
“Poezia popullore, qoftë ajo epike apo lirike meriton vëmendje të veçantë për shkak të karakterit të veçantë. Ajo historikisht është më e rrezikuar karshi ndryshimeve dhe zhdukjeve. Në fakt ajo nuk shfaqet gjithmonë dhe gjithkund, nuk gjendet tek të gjitha kombet, por vetëm tek disa popuj siç është rasti i tej theksuar në letërsinë popullit tonë dhe për ruajtjen e mirëmbajtjen e saj kërkohen kushte të veçanta socio historike”, tha zot Muja.
Në këtë kuadër zoti Xhagolli, vuri në dukje, rëndësinë e këtyre veprave, të cilat do të jenë një ndihmesë dokumentuese për folkloristikën shqiptare.
“Vëllimi i baladave është një ndihmesë dokumentuese për folkloristikën shqiptare në përgjithësi. Bibliotekat tona me botimin e këtij vëllimi do të pasurohen me një vlerë të cilësuar me shumë interes,” tha studiuesi Xhagolli.
Studiuesi dhe mbledhësi i folklorit Ismail Doda përkujtoj punën e gjatë dhe të mundimshme si në shkollimin ashtu edhe në mbledhjen e lëndës folklorike (INC)
“I takoj asaj gjenerate të dënuar që nuk guxonim të mësonim në gjuhën shqipe dhe kur janë pjekur kushtet unë u ktheva në vendin tim si bleta dhe duke studiuar në Prishtinë”, tha autori Doada
Studiuesit vlerësojnë se këto botime janë vepra unike që hyjnë në fondin e veçantë të folklorit të popullit shqiptar, shprehur në të folmen e gegërishtes dhe si të tilla fitojnë përjetësinë në antropologjinë kulturore shqiptare./VOA/KultPlus.com
Martin Heidegger lindi në Messkirch, në një familje të borgjezisë së ulët e në gjendje të mirë ekonomike, gjë që i mundësoi shkollim solid në universitetin e Freiburg-ut ku kreu teologjine dhe filozofinë, ndoqi mësime të matematikës, të shkencave natyrore si dhe histori, shkruan KultPlus.
Emërohet profesor dhe më 1927 shkruan veprën kryesore « Qenia dhe koha » (Sein und Zeit). Gjatë vitit 1933, kyqet në krahun e social-nacionalistëve mirëpo pas disa muajsh tërhiqet dhe për shkak të kësaj, i ndalohen tekstet dhe mësimdhënia.
Nga kjo kohë, ai do të kthehet në univerzitet vetëm pas luftës, më saktësisht, në vitin 1950/51. Heidegger është themeluesi i egzistencializmit e filozofia e tij, i ka themelet e veta në çështjen e qenies e këtu nën « qenie » nuk bëhet fjalë për njeriun si që mendohej gjer vonë por për të qenunit – jam – egzistencë, që edhe është epiqendra e persiatjeve dhe platformës filozofike të tij.
Kur flet për fatin, filozofi gjerman thotë: “Fati juaj nuk mund të ndryshohet, por mund të sfidohet”. /KultPlus.com
Miles Davis ka qenë kompozitor i shquar i muzikës xhaz. Ai është konsideruar si një nga figurat me më së shumti ndikim në historinë e xhazit në shekullin 20, shkruan KultPlus.
Vitet 50 kanë qenë shumë të suksesshme për të. Me albumin “Kind of blue”, ai arriti t’i shesë 5 milionë kopje në ShBA.
Davis ndihmoi në ngjalljen e popullaritetit të muzikës xhaz. /KultPlus.com
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë ftoi vizitorët e qytetit bregdetar që të përfitojnë nga afërsia e Parkut Arkeologjik të Amantias me qytetin dhe të vizitojnë varrezën monumentale pranë saj.
Në varrezën antike të Amantias, gjenden një numër i madh varresh me arkitekturë monumentale, çka tregon jo vetëm praninë e një elite të pasur në këtë qytet antik, por edhe zhvillimin dhe pasurinë e madhe që karakterizonte qytetin në shekujt IV-II p.Kr.
Tipat më përfaqësues të varreve monumental në Amantia, janë varret me dhomë të mbuluar me qemer, që shfaqen në Iliri të paktën që nga fundi i shekullit IV p.Kr, madje ka studiues që mendojnë se Amantia është qendra ku këto monumente funerare dalin për herë të parë.
Një ndër më të njohurit prej tyre është varri me dhomë e paradhomë në nekropolin verilindor të Amantias, i dokumentuar prej arkeologut Carl Patsch që në vitin 1904. Monumenti ndodhet tashmë në itinerarin e vizitave të parkut arkeologjik dhe është një atraksion që mund të vizitohet nga kushdo./atsh/KultPlus.com
Fradl Shtok (1888 – 1952), shkrimtare hebreo-amerikane e gjuhës jidish. Ajo kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara nga Austro-Hungaria në moshën 19 vjeçare.
Në momentin që Hinde Giteli u kthye me të renë e saj të re, i gjithë qyteti mbeti i shastisur: e reja e Hindi Gitelit ishte bukuria vetë.
E shoqja e Alterit u drodh kur e pa për herë të parë atë. Ajo u tha grave të tjera se të qëndronte pranë asaj fytyre rrëzëllitëse ishte si të qëndronte në praninë e ndonjë princeshe.
A e di emrin e saj ndokush?
“Lantsi”.
“Lantsi?”.
Hinde Giteli, e ve, shiste produkte bulmeti nga shtëpia e saj. Çdo vit biri i saj i madh, Çaimi, ngrente një çadër në pazar për të shitur të mirat e tyre bulmetore. Përveç Çaimit aty ishte edhe Shloymeli, gjashtëmbëdhjetë vjeç.
Hinde Giteli ishte e frikësuar nga e reja e re. Çaimi e kishte dëshiruar nga çasti që ia kishte hedhur sytë për herë të parë. Edhe kur e morën vesh se mesiti kishte gënjyer dhe ajo s’kishte prikë, ai s’donte t’ia dinte të hiqte dorë prej saj. Sidoqoftë u martuan në atë qytet të largët. Kjo është arsyeja pse Hinde Giteli ishte aq e frikësuar. Ajo mendonte për vetveten, Çka do të ndodhë më vonë…
Shumë shpejt pas martesës Hinde Giteli i hodhi fjalën tërthorazi se mbase Lantsi, në ujdi me traditën hebreje, në fund do t’i priste flokët. Por Lantsi u acarua dhe me një zë të çuditshëm tha, “Jo”. Dhe kështu mbeti. Ajo nuk i preu flokët. Hinde Giteli po luante mendsh, nga sikleti si të dilte në qytet tash. Por prindërit e Lantsit i kishin ftuar ata me shumë mirësjellje t’u shkonin për vizitë. Sapo shkuan atje, nëna e Lantsit ia arriti ta bindte atë të bartte një parukë mbi flokët e saj.
Sidoqoftë, posa që Lantsi mbërriti te vjehrra e vet mëngjesin e nesërmë, për tmerrin e Hinde Gitelit, ajo e fshehu parukën në një sirtar, vuri një shami të kuqe të mëndafshtë me dantella ngjyrë kremi që nuk ia mbulonte tërësisht flokët dhe u ul pranë dritares. Hinde Gitel vejevinte duke psherëtirë. Kur një gërshet nxori kokën nga dantella, ajo u turr drejt Lantsit, duke e qortuar t’i fshehë flokët: “Nuk është e lejueshme, bijë. Një vajze hebreje nuk i lejohet t’i tregojë flokët e saj”.
Por, kur Lantsi e ndjeu dorën e vjehrrës, e shtyu kokën anash dhe i hodhi një shikim me një kryelartësi të tillë sa e la Hinde Gitelin krejtësisht të shushatur. Atëherë Lantsi shqiptoi tri fjalë të shkoqura: “Më lër rehat”.
Prej atëherë Hinde Giteli e la të qetë.
Të gjithë të tjerët u turren t’i hidhnin një sy. Gra e burra gjenin çdo shkas të mundshëm të ndaleshin para dritares së saj; vinin të blinin qumësht veç për ta parë atë. Sapo e shikonin në fytyrë njëherë më nuk mund t’ia shqitnin sytë.
Kasapi që jetonte mbrapa shtëpisë së Hinde Gitelit nisi të hynte në thertore nga rrugica e mbrapme. Ai e bindi veten se nëse kalonte përmes rrugës në të vërtetë arrinte më shpejt kështu që do të detyrohej për çdo ditë të hidhte shikimin përmes dritareve të Hinde Gitelit. Thënë të vërtetën, kjo i doli për hundësh. Ai vuante në heshtje, duke e ndëshkuar veten me gjysëm dite më shumë kohë pune. Po prapëseprapë detyrohej të shikonte.
Të gjithë ndiheshin të detyruar të shikonin. Lantsi i nxori të gjitha te dritarja, kështu që ata mund të shihnin atë dhe të dridheshin nga frika. Ata dyshonin se po u bënte ndonjë magji. Me sytë që u shkëlqenin dhe gojëhapur i pëshpërisnin njëri-tjetrit për të.
Ajo nuk dilte kurrë jashtë. Thjesht ulej te dritarja dhe nuk bënte gjë. Mund ta kalonte gjithë ditën te dritarja duke i larë duart, duke e spërkatur me ujë fustanin e saj. Kjo gjë e mërziti Hinde Gitelin.
“Në shtëpi, bijë, është mëkat të rrish me fustan mëndafshi. Dhe duart e tua janë ta pastra si argjendi; bijë, nuk duhet t’i lash aq shumë”.
Lantsi u përgjigj me fjalë të matura se ajo nuk i kishte mbaruar atë rroba thjesht për t’i mbajtur në dollap dhe se prapë do t’i lante duart. Ajo ishte e kujdesshme të mos e dëmtonte fustanin, por vazhdoi t’i sapuniste dhe lante duart.
E gjithë kjo natyrisht ishte nën dinjietin e saj. Ajo shtëpi me gjithë ato të mira bulmetore. Asaj s’i hynte gjë në punë. Ajo ishte vazhdimisht e merakosur me vetveten. Jeta e saj e brendshme ishte mister për të gjithë përveç vetë asaj. Vetëm ajo e kuptonte pse vepronte ashtu e përmbajtur, refuzonte idenë të prekte çkado me dorë, thua se gjithçka ishte e kontaminuar.
Çaimi ishte një i ri i rëndomtë me një mjekër të shkurtër të verdhë, i cili i shikonte punët e veta besnikërisht. Deri më tash kishte qenë një djalë i ri si çdo kush tjetër, por posa njerëzve u ra në sy gruaja e tij, nisën ta shikonin ndryshe edhe atë. Filluan t’i kushtonin vëmendje, ta dëgjonin me respekt të thellë dhe nuk ia ndërprisnin fjalën kurrë. Shikonin të gjenin një kuptim në gjithçka që thoshte a mendonte ai, Përnjëmend duhej të kishte diçka në të përderisa kishte një grua të tillë.
Njerëzit filluan t’i dilnin përpara, të shfaqnin zgjuarsinë e tyre, t’i vinin njëri-tjetrit ndërskamëza, ta nxirrnin në shesh gabimet e njëri-tjetrit ashtu që Çaimi të mund të shihte dhe mbase t’i fliste asaj për ta.
Gruaja e Alterit kallëzoi se si një herë shikoi përmes dritares dhe pa gruan e re të zgjohej natën, të lidhte gërshetë flokët, të vishte fustanin e kuq të mëndafshtë dhe të dilte në bahçen e priftit. Aty ajo dha e mori me lulet, duke mbledhur vesen dhe duke e larë me të fytyrën. Pastaj shkoi nga bahçja në bahçe gjatë gjithë natës, e përthithur nga lulet dhe duke e larë fytyrë me to. Mirë, jo më kot fytyra e saj flakërinte ashtu.
Dikush tha se ajo lahej me qumësht, duke u zhytur në të çdo natë. Jo më kot duart e saj ishin të pastra si argjendi.
“A e keni parë si i bën gërshetë flokët?”.
“Me këta dy sytë e mi”.
“Jo më kot ajo shkon rrotull me shami. Përposh asaj shamie ka dy gërsheta të gjata. Nuk i pret. Çfarë paturpësie. Vajzë hebreje, pale”.
Vëllai i vogël i Çaimit, Shloymele, ishte ai lloji i njeriut që mpakej së qeshuri edhe për gjënë më të vogël. Pasi që Lantsi erdhi në shtëpinë e tyre, ai zuri një qoshk. Nuk hante më rregullisht bukë dhe u zverdh. Pjesën më të madhe të kohës shmangte shtëpinë. Veç kur dilte në bahçe vetëm nuk ndihej në siklet ta ngritne kokën, ngase aty nuk ishte askush tjetër ta shikonte në sy.
Lantsi e pa se ai po rrinte mënjanë dhe e dinte pse. Pas së gjithash, ajo ishte e mësuar me diçka të tillë. Kështu që nisi të tregonte më shumë kudjes për të se për këdo tjetër dhe ta sillte vërdallë.
Njëherë, teksa ai po rrinte në dhomën tjetër, një vajzë erdhi për një çerek qumështi. Bukuria e pashoqe e Lantsit e bëri vajzën aq të vetëdijshme sa e fshehu katruvën në palët e fustanit. Shloymele ngarendi nga dhoma tjetër, ia mori katruvën dhe ia mati një çerek qumështi.
Kur vajza ia zgjati Lantsit gjashtë kruzerë, Lantsi nuk deshi t’i merrte dhe i tha Shloymelet, “Merri”.
“Jo, duhet t’i marrësh ti”.
“Nuk duhet të jesh kaq formal me kunatën tënde. Hajt, merri”.
Ai i mori gjashtë kruzerët dhe në pjesën tjetër të ditës qëndroi i shashatur – Nuk duhet të jesh kaq formal me kunatën tënde… Hajt, merri…
Atë mbrëmje Shloymele i kushtoi vëmendje të madhe Çaimit. Vërejti një shikim të çudtishëm në sytë e Çaimit, të cilit s’e kishte vërejtur kurrë më parë. Vëllai i tij disi ishte bërë më i dinjitetshëm. Dukej sikur donte t’i vërsulej botës. Po fliste për Lashkowitzin, se si e kishte me nguti të shkonte në Lashkowitz të merrte dhurata për të.
Po ajo? Lantsi? Nuk i hidhte sy. Vazhdonte të prekte fustanin e saj dhe t’i fuste gishtat nëpër flokë. Nuk do të vinte kurrfarë paruke.
Njëherë, pas darkës, kur Çaimi doli jashtë të kujdesej për lopët, ajo e thirri: “Shloymele. Njëra këpucë e imja po më vret këmbën. Ajo e atllasit të bardhë. Merre çoje te këpucari, a mundesh?
Ajo e nxori një këpucë të atllasit të bardhë dhe ia zgjati.
“Shiko, këtu po më vret”. Teksa u përkul drej tij, ai mundi t’u merrte erë flokëve të saj. Koka i erdhi rrotull; ia mori mendja se po vdiste.
Ajo u përkul drejt tij, afër e më afër, duke e mbajtur këpucën e atllastë, duke e lënë t’u merrte erë flokëve të saj. Zëri i saj e tronditi: “Shloymele!”.
Ishte hera e parë që ajo po e thërriste në emër.
Tingulli i thirjes së saj “Shloymele” nuk iu shqit kurrë. I vërtitej përreth si gjarpër me zile, një gjarpër i ëmbël, duke ia shtrydhur jetën.
Në hajatin e errët të këpucarit nxori këpucën nga kutia, e largoi kapakun e kadifenjtë dhe e futi këpucën brenda.
Balli kishte nisur t’i digjej.
Ajo u ul në kapelën e saj, duke shikuar nga dritarja. Kurdo që ndonjë grua vinte për qumështin e saj, ajo ngrihej, i hidhte një sy gruas dhe kovës së saj të qumështit dhe me kryelartësi i thoshte: “Mate ti vetë!”. Posa gruaja e habitur e maste qumështin e saj dhe paguante gjashtë kruzerët, Lantsi i fuste paratë në një tas në bufe, e shikonte gruan në sy, lane duart dhe kthehej te dritarja.
Në qytet njerëzia nisën të thoshin se jo më kot fqinji i tyre Menaçemi kishte nisur të vërdallisej si i marrë. Shpesh e më shpesh njerëz të ndryshëm kallëzonin se si ajo ngrihej natën, bënte flokët gërshetë dhe shkonte nga bahçja në bahçe.
Gruaja e Alteri bëri be: “E kam parë me sytë e mi se si ajo lante fytyrën mes luleve natën. Jo më kot fytyra e saj flakëron në atë mënyrë”.
Dhe të tjerët bënë be,”Ajo lahet në qumësht. Për çdo natë ajo bën banjë në qumësht. Jo më kot duart e saj janë si argjend…”.
/Marrë nga Fradl Shtok, Selected stories”, Northwestern University Press, 2002 /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com
Të dua baltë shqiptare Të dua egërsisht! dëshpërimisht! si ujku pyllin, si vala valën, si balta balten. Se gjer mbi gju jam brenda teje, se lerë kam këtu, si baba, si gjyshi. Të dua baltë shqiptare! se gjer mbi bel, e përmbi bel jam brenda teje s’dal dot se s’dua! Se ti më lidh e më mban me mjaltë e me pelin.
Se këtu vdekur ka, këtu, nëna dhe baba e gjyshër-stërgjyshi. Të dua baltë shqiptare Magjistare e ëmbël si vetë vdekja. se thellë jam këtu brenda teje gjer mbi gju gjer mbi bel e gjer mbi krye. Dhe dua fort të dehem të prehem (ah që tani!) Brenda teje./ KultPlus.com
Ekspozita In Memoriam “Nexhi Musaj dhe miqtë” çeli dyert në galerinë e arteve “Eduart Lear” ne Berat, në përkujtim të veprës së piktorit beratas dhe themeluesit të Galerisë së Arteve të qytetit, i ndarë nga jeta para pak kohësh.
Piktori Musaj do te kujtohet përherë si artisti me vlera të mëdha për qytetin duke lënë gjurmë të mëdha në themelimin e galerisë.
Me pikturat e tij artisti Musaj la shpirtin e tij për Beratin, pasi pjesa më e madhe tyre i janë kushtuar atij. Në ekspozitë u shfaqën punimet më të mira ndër vite të piktorit Nexhi Musaj.
Ekspozita In Memoriam “Nexhi Musaj dhe miqtë” do të qëndrojë e hapur për një javë për të gjithë artëdashësit./BalkanWeb/ KultPlus.com
Rudolf Stambolla ka qenë një këngëtar i njohur dhe muzika ku identifikohet më shumë është ajo e lehtë.
Njihet për zërin më melodioz dhe njëri prej pionierve të muzikës së lehtë Shqiptare të fund viteve ’60.
Stambolla iku duke lënë pas vetes një mori veprash që do të këndohen e dëgjohen gjithmonë.
Ndërkaq, KultPlus ju sjell këngën ”Kur gjethet bien në vjeshtë”, këngë kjo e cila është më e njohura e tij dhe është kënduar edhe nga shumë këngëtarë të ndryshëm, mirëpo është zëri i Stambollës ai që do ta përjetësojë gjithmonë këtë këngë.
Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës:
Kur gjethet bijnë në vjeshtë dhe m’dukesh n’vaj natyrë Për ty s’mundem me heshtë, si gjethja bahem n’ftyrë E zverdhun dhe e ngrime, si barnat në Kallnur Po del kjo kanga ime ankuse thellë n’krahnur.
Ti m’ke braktisë, qofshin haram ndjenjat e mija Se larg dashnisë, të lindi n’zemër pabesia Ke me u pendue, por at’herë ka me qen’ von dhe tuj lotue do t’vij nermen dashnia jonë.
T’kujtohen ty pranverat ah puthjet me pasion Dhe fjalët e tua nga hera kjo zemër si harron Nëqoftse gjethet ranë të vyshkuna mbi dhe At’her kam me besue se sa e pabesë je.
Ti m’ke braktis, qofshin haram ndjenjat e mija Se larg dashnisë, të lindi n’zemër pabesia Ke me u pendue, por at’her ka me qen’ von dhe tuj lotue do t’vij nermen dashnia jon.
Për mua lulet e verës nuk kanë ma bukuri, Jan vyshk n’qoshe t’pinxheres, të mjerat në saksi As lot nuk kanë t’i ngjallin, janë shterrur lot e rinisë Veç kur më merr mu malli, i knoj un dashurisë.
Ti m’ke braktisë, qofshin haram ndjenjat e mija Se larg dashnisë, të lindi n’zemër pabesia Ke me u pendue, por at’her ka me qen’ von dhe tuj lotue do t’vij nermen dashnia jonë. / KultPlus.com
Le occasioni është përmbledhja e dytë poetike e Montales, botuar nga Einaudi, në tetor të vitit 1939 dhe përmbante 50 poezi. Në edicionin e dytë, një vit më pas, përmbledhjes i ishin shtuar edhe pesë poezi të tjera.
NË PARKUN E KAZERTËS
Nga Eugenio Montale
Ku mjellma e pashpirt spitullohet e përdridhet, në sipërfaqen e hurdhës, mes gjethnajes, rizgjohet një sferë, dhjetë sfera, një pishak nga fundi, dhjetë pishakë, dhe një diell baraspeshohet me zor në ajrin e parë, mbi kupe të gjelbëreme dhe globë të shtrembër të aurakaries, që i tret si lianë krahët e gurit, lidh pa derman atë që kalon andej dhe nxjerr nga skaji më i largët rrënjë dhe theka. Noçkat e Nënave pezmatohen, kërkojnë boshllëkun.
***
Nga Tiziana de Rogatis
Në parkun e shekullit XVIII të mbretërisë së Kazertës merr formë imazhi shqetësues i një bote të përmbysur. Ndajfolja e vendit në incipit në të vërtetë vë në dukje elementin likuid të «hurdhës» (v.3) në pasqyrën shpërfytyruese të së cilës do të reflektohet i gjithë skenari i kompozimit. Nga ana tjetër, është i përmbysur edhe reprezantimi i «mjellmës» (v.1), figurës që e gjallëron peizazhin. Duke kthyer mbrapshtë pjesën e hijshme dhe dekorative të një tradite të gjatë, kafsha do të jetë «e pashpirt» (v.1) dhe e prirë për përdredhje agresive të qafës së saj dredha-dredha (v.2). Dielli i sapolindur dhe i gjithë realiteti rrethues nisin të shtrëngohen dhe të deformohen mbi sipërfaqen e zhubravitur; metamorfoza e përfshin edhe kalimtarin e rastit, që “vegjetalizohet” dhe privohet pastaj nga vetë limfa e tij jetësore (vv. 11-14). Në mbyllje të poezisë shfaqen «Nënat» (v. 15), figura primordiale të Gëtës që nuk e drejtojnë më – si te Fausti – ripërtëritjen e jetës. Vetë ecja e tyre solemne këtu përmbyset në një gjest groteskt: rojet e jetës, të kapluara nga perceptimi i boshllëkut, përpëliten (v. 16). Harmonia e përbërë neoklasike e parkut sjell në jetë kështu një kaos iluzionesh dhe vdekjeje.
Teksti është shkruar më 1937.
/Marrë nga Eugenio Montale, ‘Le occasioni’, Mondadori, 2011
Jenny Erpenbeck (1967), shkrimtare dhe regjisore teatri. Më 2015 ka fituar Independent Foreign Fiction Prize për romanin ‘Aller Tage Abend’ (The End of the Days – Fundi i ditëve), të botuar më 2012; më 2024 International Booker Prize për romanin ‘Kairos’.
SI SHKRUAJ
Nga Jenny Erpenbeck
Kam mbaruar universitetin. Kam diplomën time, kam një punë afatshkurtër, punoj tri ditë në javë në një furrë buke dhe mbledh ndihma publike. Gatuaj vezë të ziera gjatë dhe bëj simitet sanduiçë, u jap fëmijëve biskota në banak, mbarështoj copat e kekut në enët e pjekjes dhe laj me leckë dyshemenë çdo mbrëmje pasi kohës së mbylljes, dy herë radhazi: herën e parë për t’i nxjerrë thërrimet, herën e dytë vetëm derdhjen e mbeturinave. Kam mbaruar universitetin, po punoj tri ditë në javë në një furrë buke dhe përveç kësaj kam kohë sa të duash.
Kam shkruar gjithmonë. Për ditëlindjen time të katërmbëdhjetë prindërit e mi ma dhuruan një makinë shkrimi të kaltër të ndritshme. Nuk e kam studiuar shkrimin, titulli im s’ka të bëjë me këtë, por është një pjesë e imja, krejt çka më duhet që të mund të shkruaj është vetja ime, makina e shkrimit e kaltër dhe koha.
Mbaj mend historinë e një gjëje që ndodhi kur isha katërmbëdhjetë vjeçe. Është historia e një vajze e cila në të vërtetë nuk është vajzë më. Kjo është historia që po dua ta shkruaj.
Është ora pesë e mëngjesit dhe unë jam duke qëndruar para pasqyrës, duke i lidhur flokët bishtkali për turnin e mëngjesit, kur befas më duket se po ashtu dukem si vajzë, por prapë nuk jam më vajzë. Kështu që mbase mund ta marr jetën time të vërtetë si lëndë, s’ka lëndë më të mirë se jeta e vërtetë.
Është fundi i gushtit, koha që të fillojë shkolla. Jam tridhjetë e shtatë vjeçe, kam mbaruar universitetin dhe me në fund kam kohë ta nxjerr realitetin nga jeta ime. Kësodore bëra ca telefonata, bëra ca vizita dhe brenda tri ditësh gjeta një drejtor që ishte i gatshëm të më lejonte të kaloj në klasën e njëmbëdhjetë me një emër të rrejshëm, me një adresë të rrjeshme dhe me një datë të lindjes të rrejshme, në mënyrë që të mund të mbledh material për librin tim.
Më 1 shtator dal para klasës si “vajza e re” – dhe në të vërtetë bëri punë. Askush nuk ma var, askush nuk qesh me mua. Në një çast të vetëm jam bërë dhjetë vjet më e re dhe ulem aty ku më thotë mësuesja të ulem. Për tri javët e ardhshme harroj se më duhet të vozis, e harroj të dashurin tim, e harroj universitetin dhe punën time në furrën e bukës. Në vend të asaj, mësoj si duket dorëshkrimi i një shtatëmdhjetëvjeçari, mësoj të them emrin tim të rremë, mësoj se mund të jem budallaçkë sa të dua, përderisa notat e mia s’do të kenë pasoja të vërteta. E paketoj çantën time para se të shkoj të fle, mbaj dosje të kaltra dhe të kuqe që dalëngadalë po u përthyhen skajet, më duhet ta ngre dorën kur më duhet të flas në klasë dhe në sallën e gjimnatikës jam në siklet nga trupi im i rritur. Saherë që dikush më pyet çka dua të bëhem kur të rritem, i them: ende s’e di. Kur kemi teste, e ndih vashën bri meje, por unë marr një F për veten time dhe s’më prish punë fare. Jam e lirë si engjëll, ngase në fund të këtyre tri javëve, kur fletroja ime është përplot me realitet, thjesht mund ta braktis shkollën përsëri.
Pas kësaj, punoj në furrën e bukës prapë, tri ditë në javë, përgatis vezë të ziera fort dhe bëj simitet sanduiçë, u jap fëmijëve biskota në banak, mbarështoj copat e kekut në enët e pjekjes dhe laj me leckë dyshemenë çdo mbrëmje pasi kohës së mbylljes. Në kohën time të lirë, punoj në një histori mbi një grua që nuk dëshiron të rritet.
Nëntor 2006
/Marrë nga Jenny Erpenbeck, “Not a Novel: A Memoir in Pieces”, A New Direction, 2020/Përkthimi Gazeta Express/ KultPlus.com
Shqipëria zotëron pyllin më të madh të gështenjave në Ballkan, me sipërfaqe 10000 hektarë, 30% e të cilit ndodhet në Tropojë.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bashkë me zëvendësambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar, në Tiranë, Mia Marzouk, ishin në Tropojë, ku morën pjesë në përurimin e një ambienti të ri frigoriferik për ruajtjen e gështenjave, financuar nga Britania e Madhe.
Me dy ambiente për ruajtjen e gështenjave, një ambient freskues dhe një ambient ngrirës, frigoriferi arrin një kapacitet prej 40 metër kub. Ky proces siguron ruajtjen e gështenjave në kushte optimale, zgjat jetëgjatësinë, ruan cilësinë dhe përmirëson mundësitë për tregtim duke rritur të ardhurat për familjet që varen nga ky sektor.
Denaj tha se, ky investim nuk i shërben vetëm sipërmarrjes që ka ngritur këtë qendër frigoriferike, por të gjithë zonës.
Sipas saj, kjo pikë ofron një kombinim perfekt të agroturizmit me bujqësinë, pasi pika frigoriferike dhe e grumbullimit janë hallka që do të rrisim vlerën e produktit të stampuar.
“Me anë të këtij investimi, po punojmë për krijimin e të gjitha kushteve për të garantuar mbështetje dhe mbrojtje nga të gjitha anët për sipërmarrësit dhe produktin”, tha ajo./atsh/ KultPlus.com
Ylli i muzikës rok, Bruce Springsteen është bërë tekstshkruesi i parë i huaj që nderohet me një çmim nga Akademia e Ivors që nderon emra të njohur të muzikës në Britaninë e Madhe.
Ai mori çmimin nga këngëtari i njohur, Paul McCartney dhe u vlerësua për kontributin e tij të jashtëzakonshëm që ka dhënë në muzikë jo vetëm përmes këndimit, por edhe shkrimit të teksteve të këngës.
“Fakti që jam artisti i parë ndërkombëtar që merr këtë çmim, veçanërisht si amerikan, duke qenë se gjithmonë mendoja se britanikët ishin paksa dyshues ndaj mënyrave tona të çuditshme, e bën një përvojë shumë domethënëse për mua”, është shprehur Springsteen.
Pas shumë paraqitjeve pianistike brenda dhe jashtë Kosovës, pianistja e njohur Lule Elezi së fundi është paraqitë me një koncert recital edhe në Konsullatën e Republikës së Shqipërisë në Poloni, koncert që është mbajte para një audience të përzgjedhur, shkruan KultPlus.
Pianistja Elezi ka ndarë momente nga kjo mbrëmje pianistike, e cila ka shpjeguar se ky koncert ka ardh si rezultat i ftesës nga ana e Pawel Michalak, Konsull i Nderit i Republikës së Shqipërisë. Elezi në këtë mbrëmje është paraqite me vepra të njohura shqiptare, por edhe me vepra të Chopin.
KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e Lule Elezit.
Miq të dashur,
Me ftesë të Konsullit të Nderit të Republikës së Shqipërisë z. Pawel Michalak, kisha nderin e veçantë të mbajë koncert solistik në ambientet e Konsullatës së Republikës së Shqipërisë në Łódź të Polonisë.
Në praninë e një publiku të mrekullueshëm performova vepra nga kompozitorë të njohur shqiptarë dhe botërorë, në veçanti nga kompozitori romantik polak Frédéric Chopin , i cili njihet si “ Poet i pianos”.
Një falenderim të veçantë ia dedikoj Konsullit të nderit z. Pawel Michalak, dy shoqatave Poloni-Kosovë, me kryetar Haxhi Dulla dhe Poloni-Shqipëri, me kryetare Dorota Horodyska, të cilat inicuan në organizimin e koncertit.
Prania e përfaqësuesve të Ambasadës së Kosovës dhe Shqipërisë që erdhën nga Varshava në Łódź, gjatë performancës sime në koncert më dhanë emocione të veçanta dhe të paharruara./ KultPlus.com