Rexhep Hoti priti në takim disa përfaqësues të kulturës nga Komuna e Bujanocit

Sot zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, priti në takim drejtorin e Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, Jetmir Ismaili, i shoqëruar nga koordinatori i Shtëpisë së Kulturës, Nevzad Lutfiu.

Në takim u diskutua rreth përkrahjes dhe mbështetjes për artistët e rinj nga Kosova Lindore, e sidomos në promovimin e vlerave artistike për komunitetin shqiptar në këtë komunë.

Përfaqësuesit nga Bujanoci kërkuan nga institucionet kosovare, gjegjësisht nga Ministria e Kulturës, që të mbështesë aktivitetet kulturore, si dhe të rritet bashkëpunimi në fushën e kulturës.

Në fund, u kërkua që Komuna e Bujanocit të vizitohet nga krerët e institucionit të MKRS-së dhe të rritet kontakti e komunikimi nga Kosova me këtë komunë. / KultPlus.com

Prova finale e shqiptares Eleni Foureira në Eurovizion (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare Eleni Foureira sot ka realizuar provën gjenerale në skenën e Eurovizionit.

Para se të këndojë në Eurovizion ajo ka bërë provën e fundit, dhe duket më e freskët se asnjëherë.

Kënga e saj ritmike mban titullin “Fuego” dhe do të performohet në gjysmëfinalen e parë të Eurovizionit, në ditën kur këndon edhe këngëtari shqiptar Eugent Bushpepa.

Kjo poshtë është performanca apo prova e dytë e Elenit në Eurovizion.

Filmi ‘Martesa’ në konkurrencë zyrtare në Transilvania International Film Festival

Filmi “Martesa” i regjisores Blerta Zeqiri do të jetë pjesë e konkurrencës zyrtare në Transilvania International Film Festival në Rumani.

Filmi do të jetë një nga konkurrentët në edicionin e 17-të të festivalit që do të nisë me 25 maj në Cluj Napoca në Rumani.

Krahas filmit kosovar në këtë konkurrencë janë edhe “Touch me Not” nga Adina Pintilie dhe “Charleston” nga Andrei Cretulescu, dy filma fitues në Berlinale.

Festivali do të përfundojë me 3 qershor, shkruan KultPlus.

Filmi “Martesa” mbetet ndër produksionet filmike më të mira të viteve të fundit në Kosovë. Aktorët Genc Salihu, Alban Ukaj dhe Adriana Matoshi – në rolet kryesore, kanë bërë të pamundurën që në fund projekti filmik të dalë sa më mirë.

Filmi thumbon temën e një trekëndëshi dashurie, ndërsa preket me temën e komunitetit LGBT.

Me datë 2 qershor do të shpallen edhe fituesit e festivalit, nga juria e përbërë nga Stephane Foenkinos, Dagur Kari dhe Rebecca Lenkiewicz. / KultPlus.com

Rita Ora, Bebe Rexha, Charli XCX dhe Cardi B sjellin këngën ‘Girls’

Rita Ora, Bebe Rexha ,Charli XCX dhe Cardi B janë bërë së bashku për të sjellë këngën “Girls”, përcjellë KultPlus.

Këtë e kanë bërë të ditur vet këngëtaret të cilat e kanë ndarë lajmin me fansat e tyre përmes rrjeteve sociale.

Kënga pritet të dal më 11 maj. / KultPlus.com

Pyetje

Poezi nga Marin Sorescu

Ç’është sot?
E hënë?
Po e hënë ishte
javën e kaluar.

E martë?
E martë vitin e kaluar ishte,
e martë që as topi se luan.

E mërkurë?
Me sa di një e mërkurë i binte,
shekulli i kaluar.

E enjte,
po Kartagjena
një të enjteje u plugua,
një të enjtjeje u dogj
Biblioteka e Aleksandrisë.
E pamundur qysh atëherë
të mos ketë kaluar asnjë ditë.

E premte? E shtunë?
Edhe tjetërherë kam dëgjuar
për këto ditë.
Mos më shuani me rrena!

Mos vallë e diel?
Koha para gjenezës
e mbaj mend mirë
e diel quhej.

O Zot, të gjitha ditët kanë qenë,
nuk ka mbetur asnjë ditë,
e re.

Përktheu Valton Marku

“Rrugë, rrugë, rrugë…” nga Fitnete Tuda (VIDEO)

Kur e kujtojmë Fitnete Tudën, sot gazetare dhe më larg muzikës, kujtojmë secilën këngë të saj.

I veçantë është secili emocion që vjen prej këngëve të saj.

Sidomos “Rrugë”, është një këngë që u këndua në vitin 1995 në edicionin e 34-të të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Asokohe një vajzë e re dhe një zë tepër unik, Fitnetja do të ngjitej në skenë me një tekst melodioz dhe me një këngë nostalgjie.

https://www.youtube.com/watch?v=1eJxXfKARQk

“Rrugë, rrugë, rrugë, Rrugë që më ftojnë diku, Dhe më pyesin për ku, për ku” është refreni i këngës së Fitnetes të cilën sonte po e sjellim në vëmendje të lexuesit. / KultPlus.com

Alban Skenderaj e MC Kresha së shpejti sjellin këngën e re

Këngëtari nga Shqipëria, Alban Skenderaj dhe reperi nga Mitrovica, MC Kresha kanë konfirmuar bashkëpunimin e tyre.

Përmes rrjeteve sociale ata kanë bërë të ditur se së shpejti do të sjellin këngën “Ping Pong”.

Alban Skënderaj më parë kishte bashkëpunuar edhe me reperin kosovar, Elinel, me të cilin kishte sjellë këngën “Kam Nevojë”.

Nxënësit lirohen nga pagesa e Testit të Maturës

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka marrë dy vendime që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e Provimit të Maturës Shtetërore.

Vendimi i parë është vendimi për lirimin nga pagesa për nxënësit që hyjnë në Provimin Shtetëror të Maturës dhe vendimi i dytë që nxënësve që i nënshtrohen Testit të Maturës Shtetërore t’u ndalohen telefonat mobil në qendrat e testimit, si dhe kopjimi gjatë mbajtjes së Provimit.

Këto vendime, Ministria i ka marrë në bazë të rekomandimeve të Komisionit Shtetëror të Maturës, i cili unanimisht ia ka rekomanduar këto vendime ministrit Bytyqi në mbledhjen e mbajtur sot.

Me këto vendime, nxënësve që u gjendet telefonat mobil në qendër të testimit, ose zihen duke kopjuar, do të përjashtohen nga testi për atë afat të testimit. / KultPlus.com

Ramë Lahaj, me 8 maj vjen me koncert në Prishtinë

Tenori i njohur Ramë Lahaj po vjen në Kosovë.

Me datë 8 maj, tenori me ftesë nga Ambasadorja Apostolova do të mbajë koncert në Prishtinë, në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare në Kosovë.

Lahaj nuk ka koncertuar asnjëherë në Kosovë prej kohës kur nisi të merrte famë.
Koncerti do të jetë i hapur për të gjithë por biletat duhet siguruar paraprakisht.

Koncerti po vjen në kuadër të “Ditëve të Evropës” që festohen në Kosovë, me organizim të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Lahaj një ditë më pas do ta mbajë një masterklasë në të njëjtin lokacion.

Lahaj ishte njëri ndër fituesit e çmimit OPERALIA ndërsa së fundmi ka koncertuar bashkë me Placido Domingon. Ai është ndër tenorët më të mirë të gjeneratës së tij dhe premton shumë në botën e muzikës klasike. / KultPlus.com

Ambasada Amerikane dhuron 560 libra për Departamentin e Gazetarisë në UP

3 maji, Dita Botërore të Lirisë së Shtypit u manifestua në mënyrë të ndryshme në Kosovë.

Pikërisht në këtë ditë, Ambasada e ShBA-së në Prishtinë, i ka dhuruar Departamentit të Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” një donacion prej 560 librash të fushës së medieve.

Richard Mei nga Ambasada Amerikane ka vizituar sot Institutin e Medias në Fakultetin Filologjik, ku është pritur nga profesoresha Remzie Shahini- Hoxhaj dhe ligjërues e studentë të këtij departamenti. Mei, gjatë kësaj vizite, është njoftuar edhe me punën e studentëve të Departamentit të Gazetarisë, kryesisht me punimet e tyre në lëndën Marrëdhënie me Publikun dhe Etikë e Medias.

Richard Mei u shpreh se në emër të Ambasadës Amerikane ndihet i gëzuar që sot ishte në mesin e ligjëruesve e studentëve të Departamentit të Gazetarisë, veçanërisht për t’iu dhuruar këta doracakë të gazetarisë Universitetit të Prishtinës.

“Liria e shprehjes është esenciale për demokracinë e një vendi andaj dëshiroj ta përgëzoj Departamentin e Gazetarisë dhe Universitetin e Prishtinës që e marrin shumë seriozisht këtë punë dhe dëshiroj që të vazhdoni në mënyrë të tillë pasi që kjo është shumë e rëndësishme për vendin”, është shprehur Mei gjatë kësaj ceremonie, i cili shtoi se shpreson se këto libra do të shërbejnë në edukimin e shumë gjeneratave të reja.

Profesoresha Remzie Shahini- Hoxhaj gjatë ceremonisë u shpreh se ky donacion pre prej 560 librash në sferën e gazetarisë është shumë i rëndësishëm për edukimin dhe arsimimin të gazetarëve të rinj dhe të hapjes së dijes në këtë sferë. Shahini- Hoxhaj për KultPlus u shpreh se dhurimi i këtyre librave për Departamentin e Gazetarisë plotëson një zbrazëti të madhe për literaturën në sferën e medias, sidomos për studentët e gazetarisë dhe studiuesit e medias në përgjithësi.

Favoritja për të fituar Eurovizionin realizon provën e dytë (VIDEO)

Sot ka pasur provën e dytë dhe kësisoj provën e fundit në Eurovizion këngëtarja nga Izraeli.

Ajo në gati secilin sondazh del të jetë favoritja për të fituar Eurovizionin këtë vit.

Kënga “Toy” e kënduar nga Netta do të mund t`ia sjellë fitoren Izraelit në Eurovizionin e këtij viti. Prova e dytë e realizuar para pak minutash duket pozitive për këngëtaren e re në moshë, por me përvojë në muzikë.

Provat do të vazhdojnë deri me datë 8 maj kur edhe mbahet gjysmëfinalja e parë e Eurovizionit, me 10 maj gjysmëfinalja e dytë dhe me 12 maj është finalja.

Në këtë edicion të Eurovizionit marrin pjesë mbi 40 shtete, ndërsa në mesin e favoritëve për të fituar janë edhe Norvegjia, Australia, Qipro dhe Bullgaria. / KultPlus.com

Nesër Eugent Bushpepa do të ngjitet në skenë për provën gjenerale

Data 3 maj shënon edhe provën e dytë të Shqipërisë në skenën e Eurovizionit.

Eugent Bushpepa nesër do të ngjitet në skenë për herë të dytë dhe të fundit para se të këndojë në gjysmëfinalen e Eurovizionit.

Bushpepa do të këndojë këngën e tij “Mall” herët në mëngjes, në kuadër të ditës së provave.
15 këngëtarë nesër do të këndojnë për herë të dytë në provë, para se të ngjiten në skenën e madhe.

Eurovizioni fillon me 8 maj, me 10 maj është gjysmëfinalja e dytë dhe me 12 maj është finalja e madhe.

Me datë 4 maj do të jetë prova e parë e shqiptarit Ermal Meta – i cili përfaqëson Italinë, ndërsa provën e dytë Ermali e ka me 6 maj.

Provat janë të rëndësishme pasi juria i përcjellë ato dhe vlerëson secilën pikë të performancës. / KultPlus.com

Do të dalin në ankand dorëshkrime të panjohura të Marcel Proust

Me datë 24 maj, Sotheby – Shtëpia e njohur e ankandeve do të vendosë në ankand rreth 70 dorëshkrime të shkrimtarit të njohur Marcel Proust.

Koleksioni deri tash i përkiste vajzës së të vetmes mbesë të shkrimtarit, me emrin Marie-Claude Mantel.
138 letra të botuesit të Proustit, Gallimard, mes tyre edhe një plan për veprën “Në kërkim të kohës së humbur” (A la Recherche du temps perdu), do të jenë pjesë e këtij ankandi.

Vetëm kjo korrespondencë dhe ky plan mendohet të shiten për rreth 150 mijë euro.

Madje, edhe një përkthim që Proust i ka bërë veprës së Ruskin mendohet se do të shitet në ankand rreth 10 mijë euro.

“Hija e vajzave të reja” është një prej dorëshkrimeve të Prostit që nuk ka dalë asnjëherë për publikim dhe që poashtu do të jetë pjesë e ankandit.

Shkrimtari francez lindi në vitin 1871 dhe vdiq në vitin 1922, në Paris të Francës. Puna e tij “A la recherché du temps perdu” është botuar në mes të viteve 1913 – 1927. / KultPlus.com

Regjisori Fisnik Maxhuni me film në Festivalin e Kanës

Irani verior. Një djalë i ri i pajisur me motoçikletë është në kërkim të një guri mitik që do ta sjellë lumturinë në jetën e tij. Ai udhëton rreth Detit Kaspik, maleve e qyteteve.

Në këtë rrugë ai takon edhe të tjerë njerëz, që kërkimin e kanë nisur para tyre.

Kjo është historia e filmit “LA VALLÉE HEUREUSE” me regji nga Fisnik Maxhuni.

Filmi do të jetë këtë vit pjesë e Festivalit të Kanës, sukses ky i madh për regjisorin Maxhuni, shkruan KultPlus.

Filmi do të jetë pjesë e “Coup de Coeur” në Short Film Corner në Festivalin e Kanës. Nga data 12-17 maj, Visceral Films – kompania filmike e këtij filmi do të prezantohet me projektet filmike në Festivalin Prestigjioz të Kanës.

“Me këtë rast po tregoj që filmi im në proces pune është përzgjedhur si pitch për këtë festival” ka shkruar Maxhuni, duke treguar edhe një sukses tjetër.

Në filmin 17 minutësh luajnë Ali ARYANI dhe Amir RAIESZADEH.

Maxhuni ka marrë pjesë edhe në Dokufest dhe në festivale tjera të filmit nëpër Evropë ndërsa është një prej regjisorëve më të mirë të gjeneratës së tij, i cili edhe premton shumë me kreativitetin e tij të shprehur në kinematografi. / KultPlus.com

Eugenti apo Eleni, kush e pati provën e parë më të mirë në Eurovizion?

Të dy shqiptarët që këtë vit marrin pjesë në Eurovizion, nga tre gjithsej, tanimë kanë mbajtur provat e tyre të para në skenën e madhe të muzikës.

Eugent Bushpepa dhe Eleni Foureira kanë mbajtur provat e para, i pari për Shqipërinë ndërsa Eleni për Qipron.

Të dy performancat janë komentuar pozitivisht, pasi Eurovizioni publikon vetëm pak sekonda nga provat jo dhe tërësinë e tyre. Eugenti ka marrë kritika positive për zërin e tij ndërsa është komentuar rreth mundësisë së përmirësimit të skenografisë.

Ajo që ka qenë në zjarr me provën e saj të parë është Eleni Foureira. Ajo tanimë ka marrë rreth 400 mijë shikime në vetëm dy ditë, me provën e saj, dhe kënga “Fuego” duket se e konfirmon titullin e saj.

Derisa presim provat e dyta në skenën e Eurovizionit, cila mendoni ju se ishte prova më e mirë, ajo e Eugentit apo ajo e Elenit ? Është ende herët por mund të gjejmë të mirat dhe dobësitë e këtyre performancave. / KultPlus.com

Ku shkojnë ditëlindjet?

Rrezearta Reka

Janë ca gjëra që nuk harrohen kurrë në jetë, si: simpatia e klasës së parë, kolektive kuptohet, se të njëjtin pëlqenin edhe 27 vajza të tjera; puthja e parë apo përpjekja për një të tillë, e që romantike kishte vetëm sytë e mbyllur; koreografinë e vallëzimit në programin e shkollës fillore me këngën “Let’s talk about sex” të Salt’N’Pepa (jo shumë arsimtarë atëherë dinin gjuhën angleze), dhe ora e parë, pas lindjes. Larg dukjes së jashtë-tokësores Kate, kur je vetëm në dhomën tënde, larg bip-bipeve të aparateve të sallës së lindjes, e veshur me këmishën e natës që mban erë sterile të spitalit, me flokët gjithandej të shpupurisura, porsi mendja, derisa mban sytë ngulur drejt mrekullisë që sapo ke bërë. Gjendje shoku, e përzier me emocione ndër më të fuqishmet që të marrin mendët dhe të ndalin frymën. Pesë vitet e para të fëmijës sikur kalojnë pahetueshëm, mbase edhe të sforcuara me padurim për të parë fëmijët e rritur dhe të hequr doresh. Ndërkaq, pesë vitet e tjera, dhe të gjitha të tjerat në fakt, vijnë shpejtë, pa paralajmërim, të hovshme, dhe çdo vit, marrin nga pak fëmijëroren nga fëmija, për ti dhënë gjithnjë e më shumë madhoren.

Dhe sot, fare pranë ditëlindjës së 9 të Malit, ndjenjë pothuajse e ngjashme shoku. Përpiqem nostalgjinë e viteve të shkuara dhe të tjerave që po vijnë vrullshëm, ta fus nën “tepihun” e ankesës së organizimit të festës së ditëlindjes. Kinse ky është problemi me të cilin preokupohem dhe jo fakti që Mali sot është larg asaj mrekullie fytyrë-bardhë e buzë-kuqe, që me sytë nën vetullat e padukshme, më kërkonte qumështin me vaj këmbëngulës, në dhomën 309. Transformimi ndodh pahetueshëm, me çdo vjet që shkon, me çdo ditëlindje që festohet. Vit më vit, shtohen qirinjtë ndërkaq ndryshojnë gjërat. Sot e vërejta që byrektoren e vjetër, ku haja drekën në punën time të parë, e kishte zëvendësuar një zyre për shitjen e peletit djegës. Shtëpitë e vjetra në po të njëjtën rrugë tashmë i kalojnë së kaluarës, derisa hapësira e boshatisur pret lejen e ndertimit të banesave kolektive. Në shkallët e ambulantës ku kishin përjetuar rininë tash pushojnë farmacistet gjatë kohës së pauzës.

Fizika dhe graviteti na mësojnë që çdo gjë që shkon lartë, detyrimisht kthehet poshtë. Besime të ndryshme pastaj, e kanë thënë që çdo gjë që mbaron, detyrimisht kthehet në formë tjetër pastaj. Madje edhe religjionet kryesore bashkohen rreth postulatit të njëjtë se të Zotit jemi dhe te ai do të kthehemi. Po ditëlindjet ku shkojnë? Sikur mbështillen në vorbullën e kohës, në vërtitje të përsëritshme, për të mbetur pafundësisht në centrifugën e kohës. E kjo e fundit, s’ka gjë më tinzare se kjo. Të jipet, ndërkaq sa e si, nuk t’a thonë. E përvjedhshme, e rrëshqitshme, e pakapshme. Të bëhet sikur e gjatë, e në fakt, s’ndalë asnjëherë tik-taket. Të jep gjithçka, ndonjëherë edhe më shumë se ç’mund të përballohet, derisa një ditë të ndalojë, për të treguar se kush është shefi. T’i ha ditëlindjen një nga një, t’i kapërdinë për të gogësirë më pas kujtimet e mbetura. E mbase këtu dalim fitues. Te kujtimet sepse të njëjta s’mund dot ti përbijë koha. Ato janë tonat, për sa kohë jemi të pranishëm kokë e këmbë në çastet e ditëve. Të pranishëm në netët e paflejtura, kur deri të na bënin sytë xixa, nuk ndaleshim së fërkuari barkun e fëmijëve, në shtrëngimin e dorës korridoreve në ditën e parë të shkollës, në puthjen e vrragëve të gjurit pas përleshjes së parë, në ledhatimin e fytyrës dhe më shumë zemrës, në humbjen e ndeshjes së futbollit, në vitet dhe ditëlindjet për të festuar ato vite. Të pranishëm në çastin dhe jo në dëgjueset që vendosim në vesh. Për të dëgjuar se si tingëllon pllaka e prishur në rrugën që ecën, si qesh fëmija kur blen flokë-sheqerin në Shesh, si pajtohen dy të rinjë pas përleshjes në tavolinën e fundit të lokalit.

Si krejt bota, dhe ne, bëmë 1 majin në Shqipëri. Derisa po ktheheshim dje dhe vetura po tërhiqej zvarrë në kollonën kushedi sa kilometërshe, po i thoja Borës dhe Malit: “Mbani mend këtë udhëtim dhe të tjerat që do të vijnë. Jo shumë gjatë prej këtu, kur ju të jeni jo shumë më të mëdhenj se sot, ju nuk do të doni të vini më me ne dhe ky udhëtim do të jetë veçse një kujtim”. Qetësi nga ulëset e prapme, derisa përfundi syzeve të diellit i vështroj: fytyra të skuqura nga dielli, kokrra zalli të mbetura në fijet e zbardhura të flokëve, dhe qepalla të njomura nga deti dhe të qeshurat.

E kam me të dëgjuar që në disa kultura, gogësima është shenjë falemnderimi për gostinë e mirë. Atëherë i them kohës, veç a ke ti bark boll, se gosti ka për të patur edhe shumë. Dhe kur t’i rikthehem inçizimeve të kohëve të shkuara, dhe kur me buzëqeshjet ndër lot, do të shoh fytyrat e vogla të mrekullive të mija, do të di që e kam mundur kohën: unë do të kem zemrën plot, e koha, do të vazhdojë të gogësijë! Mal, lëvizja është jetë, prandaj vazhdo të godasësh topin: në fushë dhe në jetë, me zemër!

‘Në rrugët e Skënderbeut’ fillon rrugëtimin historik e kulturor në Shqipëri e Kosovë

Konsullata e Nderit të Shqipërisë në Kalabri, në bashkëpunim me Shoqatën “Magna Grecia Off-Road” (Rossano – Itali), Bashkinë e Krujës dhe Institutin e Librit dhe të Promocionit (Tiranë), në kuadrin e “Vitit të Skënderbeut”, organizojnë veprimtarinë: “Në rrugët e Skënderbeut”, shkruan KultPlus.

Kohëzgjatja e kësaj veprimtarie përfshin ditët nga 1 deri më 8 Maj 2018, ndërsa itineari i këtij aktiviteti është i shtrirë në një Off-Road historik, kulturor dhe turistik në Krujë, viset Veriore të Shqipërisë dhe në Kosovë, me pjesëmarrjen në ceremoninë e hapjes në Krujë, të Presidentit të Republikës të Shqipërisë Ilir Meta.

“Magna Grecia Off-Road”, në aventurat e saj shqiptare dhe ballkanike ndjek, shpeshherë rrugë të gjata, plot pluhur dhe të panjohura, për pjesën më të madhe të njerëzve, me dëshirën për të kaluar përmes “historisë” dhe nuk i sheh ato vetëm si vendmbërritje me një bukuri të veçantë apo të vështira për t’u arrirë. Këto histori shpeshherë janë të gërshetuara me vetë historitë tona dhe e gjithë kjo merr një kuptim madhështor pikërisht këtë vit: në fakt dy ngjarje mbivendosen në një mënyrë thuajse “magjike”, shkruhet në komunikatën për media.

Data 18 janar 2018 përkon me 550 vjetorin e vdekjes të heroit Gjergj Kastriot Skënderbeu; 17 shkurt 2018 përkon me përvjetorin e dhjetë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Për më shumë, “Magna Grecia Off-Road” e ka selinë e saj në Rossano, në qytetin që ruan “Codex Purpureus” (kodikët e purpurt), trashëgimi e rrallë e njerëzimit, shpallur dhe mbrojtur nga UNESCO, po ashtu si edhe Berati i mrekullueshëm ruan Kodikët e vet të Purpurt si dëshmi e marrëdhënieve të vazhdueshme e të hershme në kohë.

“Magna Grecia Off-Road” nuk mund të humbiste takimin me historinë. Kjo shoqatë do të jetë e pranishme me mënyrën e saj origjinale: përmes udhëtimit nëpër ato rrugë, ato shtigje ku gati 6 shekuj më parë, prijësi Gjergj Kastriot Skëndërbeu, u kthye për të qenë në krye të shqiptarëve në skenën që mbrojti Krishterimin perëndimor nga zgjerimi i mëtejshëm i Perandorisë Osmane.

Si përherë, një nga objektivat e “Magna Grecia-s Off-Road” është ai i bamirësisë, aktivitet ky që këtë vit u dedikohet fëmijëve të vegjël e të rinjve në vështirësi.

Specifikisht është organizuar një dhurim i drejtpërdrejtë i disa të mirave të nevojshme Fondacionit “Betania”, që në Krujë ka themeluar dhe drejton me mjaft zotësi një shtëpi për fëmijë me vështirësi familjare, që mban emrin “Shoqata Betania”. Ky institucion kujdeset për rreth 90 fëmijë, që nga fëmijëria e hershme deri në adoleshencë. Ai mbijeton vetëm falë zemërgjerësisë së shumë dhuruesve dhe falë punës vullnetare të vetë bashkëpunëtorëve. “Magna Grecia Off-Road” do të ketë nderin e madh të ndihmojë materialisht por edhe shpirtërisht këtë vepër të madhe humanitare që u dedikohet fëmijëve me më pak fat./ KultPlus.com

Erion Isai, drejtori i ri i Teatrit të Kukullave

Erion Isai do të jetë drejtori i ri i Teatrit të Kukullave.

Ai do të zëvendësojë Monika Lubonjën e cila pak kohë më parë dha dorëheqjen nga ky post. Isai është I njohur në angazhim që ka pasur si aktor në emisionin e njohur të humorit “Portokalli”, por dhe në angazhimin në shfaqje të ndryshme teatrale. Zgjedhja e Isait ka ngjallur reagime në rrjetet sociale, pas qëndrimeve të tij pro shembjes së Teatrit Kombëtar.

“Artisti i madh Erion Isai, ai që ishte pro ndërtimit të 6 kullave në oborrin e Teatrit Kombëtar dhe kundër protestës për mbrojtjen e Teatrit, pasi protesta sipas tij qenka e politizuar, u zgjodh Drejtor i Teatrit të Kukullave, nga një njeri “jopolitik”, si Kryeministri Rama. Pra aktori që mbron artin nga politizimi imagjinar prej opozitës sakrifikon aktorllëkun dhe regjisorllëkun për drejtorllëk! Ironia është po aq therëse sa dhe realiteti. Kukullat e qeverisë e kanë qepur gojën për të mbrojtur teatrin, ndërsa

Kryeministri di sesi t’i shpërblejë aktorët më të mirë në mbrojtjen e interesave të tij dhe oligarkëve. Erioni ndërkohë mund të bëjë të vetën duke shpërndarë dekorata të tipit “Master of puppets” ose “Toc Kuklle i Popullit” për ata artistë që mbajnë lart ndërgjegjen klasore dhe vetëdijen politike, siç bëri me Luftarin e madh që sot nuk indinjohet më si dikur për brekët e Violeta Manushit. Kush është pro Teatrit Kombëtar, dhe kundër Estradës së Kukullave, le të vijë sot në orën 19 në dëgjesën e radhës në oborrin e Teatrit”, shkruan aktivisti Ergys Mërtiri.

Mural me portretin e Dua Lipës në Malajzi

Këngëtarja me origjinë nga Kosova dhe yll botëror i muzikës, Dua Lipa është bërë pjesë e një murali në Malajzi.

Pak ditë para se të mbajë koncertin e saj në Malajzi, një grup artistësh kanë vendosur të bëjnë mural fituesen e “Brit Awards” për sivjet.

Dua është duke mbajtur turnetë e saj muzikor dhe aktualisht po përgatitet për koncertin në Malajzi. Babai i saj Dukagjin Lipa ka postuar një video në Instagram,në të cilën shihet fytyra e Duas në një mural.

Dua in #Malaysia #graffiti #artist @dualipa #asia #tour @katun_

A post shared by Dukagjin Lipa (@dukagjinlipa) on

“Dua në Malajzi”, ka shkruar ai në postimin në të cilin e ka lidhur edhe një grup të titulluar @katun_ të cilët si duket e kanë bërë pikturën e Duas pasi që në faqen e tyre kanë postuar fotografi të artit të tyre, ku shihet fytyra e yllit botëror nga Kosova, Dua Lipa. / KultPlus.com

S’kam ardhur të këndoj

Poezi nga Leon Felipe. Përkthyer nga Aurel Plasari.

S’kam ardhur të këndoj, mund ta merrni kitarën.
As të mbush dosjen time s’kam ardhur,
Që pas vdekjes shenjtor të më bëjnë.
Kam ardhur të shoh fytyrën time në lotët që rrjedhin
Drejt detit
Me lumin
E me retë.
Në lotët që fshihen në fund të pusit
Nëpër natë
E nëpër gjak.

Kam ardhur të shikoj fytyrën time në gjithë lotët e botës
Të vë një pikël zhive, vajtimi, një pikël hequr prej lotëve të mi
Mbi këtë pasqyrë të paskaj ku të mund të më shohin e vetveten
Të njohin ata që do të vijnë.
Kam ardhur të dëgjoj sërish atë sentencë të vjetër në terr:
Me djersën e ballit bukën ta fitosh
Dhe dritën me dhimbjen e syve të tu.

Burim lotësh e burim drite janë sytë e tu.

Një njeri ecën serioz

Rafael Alberti

Një njeri ecën serioz
Për të hyrë brenda.
Hyn gojëkyçur.
Del.
Nëse lëviz gjethet bashkë me tokën,
Nëse ngatërron trungjet e pemëve,
Nëse s’do t’ia dijë as nga të nxehtit as nga të ftohtit,
Dhe ndalet,
Si të harrokësh se është në jetë,
Ju lëreni.

Ai është në jetën e të vdekurve të tij larg,
Dhe i dëgjon në erë.

Përkthyer nga Aurel Plasari:

Ministri Gashi viziton YMCA-në në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Me ftesë të organizatës për rini YMCA, dega në Amerikë, ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në kuadër të vizitës, ministri do të qëndrojë në dy selitë e kësaj organizate, në Nju Jork, për të parë nga afër përvojat e organizatës dhe si i zhvillojnë aktivitet në SHBA, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Gjatë kësaj vizite Gashi do të takohet me udhëheqësit më të lartë të YMCA Amerika, ndër të tjerë, me Adriana Statoviq, që është udhëheqëse e programeve ndërkombëtare, e cila njëkohësisht ndjek programin e YMCA-së edhe në Republikën e Kosovës.

Gashi synon që përmes kësaj vizite të marrë mbështetje nga YMCA-ja, për shtrirje të saj në Republikën e Kosovës, ku te rinjve kosovarë do t’u jepet rasti që të jenë pjesë e këtij rrjeti të fuqishëm në mbarë botën.

“Mbetet përkushtim i yni, që përmes marrëveshjeve të nënshkruara që do të arrijmë në këtë vizitë, që ta bëjmë shtrirjen e kësaj organizate shumë të fuqishme rinore në të paktën disa prej qyteteve të Kosovës: si në Gjakovë, Prizren, Istog, Rahovec si dhe në disa komuna tjera”, është shprehur Gashi.

“Angazhimi ynë nuk do të mungojë që kjo organizatë të ketë shtrirje në të gjithë territorin e Kosovës, përmes së cilës do t’i jepet mundësia mijëra të rinjve për të qenë pjesë e aktiviteteve që zhvillon kjo organizatë”, është shprehur ndër të tjera ministri.

Gjithashtu, Gashi, do vizitojë edhe dy kampe rinore të cilat zhvillojnë aktivitete me mijëra të rinj nga mbarë bota dhe për të parë se si ato menaxhohen.

YMCA është organizata e te rinjve, e para për nga madhësia në Botë, e themeluar në vitin 1844. Kjo organizatë e fuqishme rinore ka shtrirje në 119 shtete të botës. YMCA i shërben 58 milion të rinjve në vit në mbarë botën.

Letra e Vorea Ujkos për Dritëro Agollin

Firmo 26/10/1981

I dashur Dritëro

Unë e ndiej largësinë nga ju . Jam gjithmonë i detyrueshëm për mikëpritjen vëllazërore dhe nuk di si t’ia shpërblej mëmës Shqipëri . Po unë e di se ti je i kënaqur kur unë i shërbej atdheut . Unë jam poet si edhe Ti je poet .Po , je poet . Kam rilexuar në këto ditë “Nënë Shqipëri” e më qan shpirti dhe m’u mbush me gëzim . Ajo është historia gjeologjike , panoramike , legjendare, heroike, filozofike, kombëtare, politike, shoqërore, popullore e gjithë Shqipërisë. E ti askurrë s’je spektator por jeton me çdo çast të kësaj historie, je i ngatërruar me çdo ngjarje dhe mishëron në vjershat dashurinë për atdheun , ndjenjën e dëshirat e njeriut shqiptar.

E gjithçka janë mish e gjak . Ti je plot nerva , zemër e tru. Je i rreptë dhe i butë , krenar i përvuajtur , i përflaktë e i akullt, serioz e sarkastik , i trishtuar dhe i gëzuar. Nëse isha një romantik do të thoja engjëll e demon. Me ty Shqipëria bëhet zemra e botës.

Mes dy malesh me dëborë Ka një trim vetullhollë O ju korba, mos më ngani Sytë e zez ju mos m’i hani…

Sigurisht ashtu këndonte De Rada e kjo është një raspodi e shkëlqyeshme arbëreshe.

Cila letërsi vallë e ka këtë perlë?

E tashti si kritik do të doja që Dritëroi ta shpinte vëmendjen , që askurrë s’është skeptike, por përherë serioze dhe e angazhuar , rreth temave të njeriut e të jetës, rreth temave të Lorkës , Pasternakut, Nerudës, Quasimodos, Montales, etj Do të ishte një ndërprerje mes luftës, pushimi i luftëtarit . Jam i bindur se do të fitosh çmimin Nobel .Ndryshe i vë zjarr Suedisë. Tani jam duke shkruar një kritikë mbi Dritëro Agollin , por nuk e harroj poezinë. Akoma nuk e kam lexuar as te Drita as te Nëntori poezinë që të kam kushtuar. Pse? Vallë s’të pëlqeu? Tuk-tuk ! Hape!Jam unë! As kamarad, as tavarish . Hape!

Jam Vorea Ujko e zemrën e kam të bardhë. Bëjani qejfin poetit.

“Drita” kërkon përshtypjet e mia për vendin tonë. Le t’i shkruajnë të huajt. Për mua Shqipëria është mëma e nuk shkruhen mbresa mbi mëmën . Mëma këndohet. Ti më kupton. Asgjë akoma nga vëllezërit Kosovarë . Unë i kam shkruar Esadit por nuk kam pasur përgjigje. Falënderime për Llazar Siliqin që shkruan bukur për arbëreshët. Të fala të përzemërta Vehbiut, Fatmirit , Ismailit , Fatosit , Aleksit , partizanit Andrea, Spahiut, Ibrahim Fehmiut, Bardhylit , Nasho Jorgaqit , L.Qafëzezit etj

Kur do të takohemi ? Qofsh i lumtur me familjen!

Të përqafoj , Vorea Ujko

The Guardian: Serbët në Kosovë po e mësojnë shqipen – po tentohet të shërohen plagët e vjetra

Në një fshat piktoresk në veri të Kosovës, Marko Gjuriqi piu nga një shishe birre e Gazimestanit dhe buzëqeshi para kamerave. Në një vizitë në këtë zonë disa javë më parë, Gjuriqi u arrestua nga forcat speciale, u fut në një furgon policie dhe u deportua shpejt-e-shpejt. Kësaj radhe, njeriu kyç i Serbisë për çështjen e Kosovës u lejua të qëndrojë, ndonëse me një helikopter mbi kokë për të mbajtur rojë.

Gjuriq ishte në Kosovë, të cilën Serbia ende e konsideron provincë të veten, për një vizitë në një mikro-birrari që prodhon birrë me emrin që nderon betejën mesjetare që është kyçe për lidhjen emocionale të Serbisë me Kosovën. Ai vizitoi edhe një vend-pushimi, në ndërtim e sipër për t’u kujdesur për pelegrinët serbë në manastirin e shekullit të 14-të të Banjskës.

“Është detyrë imja të jem këtu dhe të qëndroj me krenari me popullin tonë”, tha Gjuriqi para ekipeve të mbledhura televizive. “Ftoj të gjithë qytetarët serbë të vijnë këtu pa paragjykim, dhe të përjetojnë vendet e shenjta këtu në Kosovë e Metohi”, tha ai, duke përdorur emrin serb për provincën, raporton “The Guardian”.

Pothuajse dy dekada pasi forcat serbe u tërhoqën nga Kosova më 1999 pas një fushate bombarduese ajrore të NATO-s kundër Sllobodan Millosheviiqit, dhe një dekadë pasi Kosova shpalli pavarësinë, çështja më e ndjeshme e vendit është fati i banorëve të mbetur serbë, si dhe statusi politik i zonave ku jetojnë. Masat ndëshkimore nga guerilët shqiptarë të Kosovës pas goditjes së Millosheviqit ndaj popullatës shqiptare në të ’90-at, e përcjellë nga pavarësia, çuan në një largim të qëndrueshëm të serbëve, dhe tani ata përbëjnë rreth 5% të popullatës 1.8 milionëshe të Kosovës, transmeton Koha.net.

Në bazë të një marrëveshjeje të nënshkruar në Bruksel më 2013, qeveria e Kosovës është pritur të themelojë të ashtuquajturin Asociacion të komunave serbe, që do t’i sillte zonat me shumicë serbe në sistemin e saj dhe do t’u jepte edhe zë kolektiv. Beogradi dhe Prishtina ende janë duke u marrë me formatin final, derisa i afrohen një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim të raporteve dhe potencialisht të hyjnë të dyja në BE.

Avni Arifi, shef i stafit të kryeministrit të Kosovës, ka thënë se garancitë kulturore dhe përfaqësimi politik për serbët veçse janë mishëruar në Kushtetutën e Kosovës, dhe ka akuzuar Beogradin se po dëshiron të krijojë një kalë Troje, të ngjashëm me Republikën Serbe, entiteti vazhdimisht e më i pavarur serb në brenda Bosnjës. “Ata po kërkojnë t’u japim më shumë, por falja është krejt çka mund t’u japim sepse gjithçka tjetër është e zënë”, tha Arifi.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, javën e kaluar tha se Kosova ka bërë “asgjë” për të zbatuar premtimet e saja. Vuçiqi ka qenë duke punuar në qarkun diplomatik, duke kërkuar mbështetje për koncesione në Serbi (detajet ende nuk dihen), si dhe të përgatis opinionin publik në vend për kompromise potencialisht të dhimbshme.

Një nga sugjerimet e Beogradit, që vazhdimisht po përmendet në media, është ndarja përgjatë lumit Ibër, që veriu i Kosovës t’i shkojë Serbisë mundësisht si pjesë e një këmbimi që përfshin rajonet me shumicë shqiptare në jug të Serbisë. “Të gjithë serbët do të thonë se kjo është një prej zgjidhjeve”, tha Vuçiq, ndërsa nuk pranoi të komentonte nëse kjo është një prej qëllimeve specifike në negociata, transmeton Koha.net.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka hedhur poshtë këtë opsion. “Nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Nuk do të ketë shkëmbim territoresh”, tha ai. Edhe diplomatët perëndimorë kundërshtojnë ashpër këtë ide, së paku pjesërisht për shkak të precedentit që mund të vë për kufij tjerë të kontestuar në Ballkan.

Veç kësaj, shumë serbë jetojnë në enklava në jug të lumit, siç është Graçanica, pak kilometra larg Prishtinës. Një fotografi e madhe e Vuçiqit dominon sheshin kryesor, ku valojnë flamujt serbë. Aty pranohen dinarët serbë, sikurse edhe eurot, valuta zyrtare. Manastiri ortodoks i Graçanicës, i ndërtuar më 1321, është i mbushur me freska të skenave biblike, e më e dukshmja është një e Gjykimit të Fundit bashkë me mëkatarët duke u djegur. Janë manastiret mesjetare të Kosovës që ngjallin emocione për shumë serbë, që e shohin atë si zemër të kombit dhe fesë së tyre.

Këtu, forca policore ofron një fije të hollë shprese për ata që dëshirojnë të shohin një Kosovë të integruar e multi-etnike. Nga policët e stacionuar në Graçanicë, 41 janë serbë dhe 12 janë shqiptarë. Svetlana Kapetanoviq, një police serbe 43 vjeçare që flet shqipen rrjedhshëm, thotë se viteve të fundit incidentet e motivuara etnikisht kanë qenë shumë të rralla, ndërsa pjesa më e madhe e punëve të Policisë ka të bëjë me luftimin e krimit të vogël. Policët të gjithë veshin uniformat me flamurin e Kosovës, në kundërshtim me gjithë flamujt serbë nëpër qytet.

Kapetanoviq tha se vendosi të mësonte shqipen pas një incidenti në fillim të karrierës së saj si police më 2003, kur u thirr me një grup policësh shqiptarë në një incident të dhunshëm shtëpiak ku ishte përfshirë një grua e re shqiptare.

“Isha e vetmja police femër, dhe vajza po me jepte shikime, sikur dëshironte të komunikonte diçka me mua pa ua thënë burrave. E shihja se kërkonte ndihmë nga unë dhe unë doja të flisja me të por s’dija të flisja shqip dhe as ajo s’dinte të fliste serbisht. Dyshova se aty mund të ketë pasur përdhunim, dhe e raportova tek komandanti im. Më vonë, doli se kisha pasur të drejtë. Atëherë e kuptova se më duhet të mësoj shqipen”, ka thënë Kapetanoviq, transmeton Koha.net.

Si person që e flet rrjedhshëm gjuhën shqipe, Kapetanoviq është serbe e rrallë. Ndërsa ende është një gjeneratë shqiptarësh të Kosovës që e kujtojnë serbishten, në mesin e të rinjve kjo gjuhë është e rrallë. Fëmijët në shkolla serbe, që ende zhvillojnë mësimin me kurrikula të shtetit serb, nuk mësojnë shqip, e edhe e kundërta.

“Fatkeqësisht ende kemi një situatë ku serbët dhe shqiptarët jetojnë jetë të ndara”, ka thënë Dalibor Jevtiq, zëvendëskryeministri serb i Kosovës, që flet shqip. Ndërsa i shmanget çështjes së qëndrimeve të tija për sa i përket statusit të Kosovës, Jevtiq thotë se të gjitha palët duhet të kenë një qasje konstruktive në lidhje me gjuhën. Ndonëse partia e tij, Lista Serbe, ka lidhje të forta me Beogradin, ai thotë se nuk i takon Serbisë t’u tregojë serbëve të Kosovës se si të jetojnë.

“Nëntëdhjetë për qind e serbëve në Serbinë qendrore nuk kanë qenë kurrë në Kosovë. Nuk i kuptojnë jetët tona dhe unë s’i marr shumë seriozisht kur më tregojnë si të jetoj jetën time me fqinjët e mi”, tha ai.

Megjithëse shumica e serbëve të Kosovës janë ende të shqetësuar me idenë e pavarësisë, shumë prej tyre tani e shohin papunësinë dhe diskriminimin ekonomik si kërcënime më të mëdha sesa tensionet etnike. Ka edhe ndasi përbrenda komunitetit, që ilustrohet më së miri me vrasjen e Oliver Ivanoviqit në janar, një politikan serb i Kosovës që kundërshtonte Listën Serbe, që dominon skenën serbe politike. Ivanoviq u qëllua për vdekje në Mitrovicë, qytet ky i ndarë mes palëve serbe dhe shqiptare nga Ibri. Askush nuk është arrestuar për vrasjen.

“Nuk është e sigurt të flasësh lirshëm në këtë qytet, por të themi se nuk ishin shqiptarët ata që e vranë atë”, ka thënë Marko Jakshiq, bashkëpunëtor politik i Ivanoviqit, gjatë një interviste në veri të Mitrovicës, transmeton Koha.net.

Disa serbë të Kosovës thonë se Beogradi dhe Prishtina janë barabar të frustruara në shfrytëzimin e situatës së tyre për të fituar pikë. Vizitat e profileve të larta në Kosovë nga Gjuriqi dhe të tjerët shpesh shihen si të dedikuara për opinionin publik në Serbi sesa për të bërë përmirësime materiale për ta. “Për Beogradin, Kosova është një çip pokeri për t’u luajtur në rrugën e Serbisë drejt integrimit në BE”, thotë Jakshiq. “Vuçiqi është i gatshëm të luajë atë, dhe Gjuriqi është i dedikuar të veprojë si qetësues që i lehtëson gjërat për ne”.