Hapet thirrja për të qenë pjesë e Sarajevo Talents

Është hapur thirrja për të qenë pjesë e Sarajevo Talents.

Programi Sarajevo Talents mbahet në kuadër të Festivalit të Filmit në Sarajevë, që këtë vit mbahet nga 11 deri me 16 gusht.

Deri me datë 15 maj, aktorët, fotografët, regjisorët, kritikët e filmit dhe producentët e skenaristët nga Kosova, Shqipëria, Rumania, Serbia, Bosnja, Kroacia, Qipro, Greqia e shtete tjera mund të aplikojnë për programin i cili është një punëtori e veçantë dhe mësim i nevojshëm për secilin person që bën pjesë në njërën prej këtyre profesioneve.

Gjatë këtyre ditëve, të përzgjedhurit dëgjojnë ligjërata, marrin pjesë në panele, në punëtori të ndryshme, marrin pjesë në masterklasa dhe takohen me artistë të ndryshëm nga mbarë bota.

Këtë vit mbahet edicioni i 24-të i Festivalit të Filmit në Sarajevë, ndërsa këtë vit programi do të fokusohet në nevojën për të gjetur qetësi në një botë plot dinamikë dhe kaos.

Më shumë informacione rreth programit dhe se si mund të aplikoni, klikoni në këtë link. Në të kaluarën ka pasur disa pjesëmarrës nga Kosova e Shqipëria në këtë program që ndihmon në ndërtimin e aftësive personale. / KultPlus.com

Gruaja nga Jugosllavia që lindi fëmijë në trenin për Aushvic

Gjatë një prej masakrave më të mëdha që kanë ndodhur në shekullin e kaluar, Holokausti, miliona hebrenjë nga vende të ndryshme të Evropës gjetën vdekjen në kampet e përqëndrimit.

Holokausti, tmerri që nisi nga Hitleri dhe u përqafua nga shtetet tjera evropiane, ka prekur asokohe edhe qytetarët e Jugosllavisë. Sidomos vlen të kujtohet historia e Lea Ofner Szemere, një grua e cila pati fatin e keq të mos e shijojë asnjëherë jetën e saj.

Po e kujtojmë Lea Ofner Szemere. E lindur në vitin 1922, në Sombor të Jugosllavisë, sot një pjesë e Vojvodinës, Lea do të shkonte në Vjenë ku e kaloi fëmijërinë.

Nëna e saj po jepte mësim në Austri, gjuhët angleze dhe franceze. Fëmijëria e saj do të ishte e këndshme në Vjenën e bukur. Ajo megjithatë nuk do ta dinte çka po e priste, njëjtë si shumë hebrenjë të tjerë.

Në mesin e viteve 1933-1939 ajo çdo verë do të kthehej në Sombor në Jugosllavi për të qenë më afër familjes së saj. Këtu do të kalonte kohë të mirë me vëllaun – Francis, dhe me motrën Julia.
Në vitin 1940-44 Lea shkon në Budapest ku punon si infermiere në një spital për hebrenjtë. Këtu edhe gjen dashurinë e jetës, Tamasin, një doktor, me të cilin ajo më pas martohet.

Në vitin 1944, ajo ishte shtatzënë kur trupat gjermane pushtojnë Hungarinë. Bashkë me 96 hebrenjë të tjerë, Lea dhe burri i saj dërgohen për në Aushvic, aty ku thuhej se njërzit po vriteshin në baza ditore dhe më as nuk po mbahej llogari. Tri ditë, ky udhëtim do të kalonte pa ujë e pa ushqim, shkruan KultPlus.
Kur hapet treni nga burrat e SS, Lea është e vdekur me foshnjën e saj të cilën e kishte lindur gjatë udhëtimit. Tamas është i shtrirë afër tyre, ai e ka vrarë veten.

Pos kësaj historie, janë edhe të tjera histori të tmerrshme të grave nga Jugosllavia të cilat pësuan në Holokaust. / KultPlus.com

Vaçe Zela në Greqi, koncerti ku ajo pështyu gjak

Më 6 shkurt 2014 muzika shqiptare mbeti pa mbretëreshën e saj. Vaçe Zela ndërroi jetë në Bazel të Zvicrës duke lënë një boshllëk të madh në muzikën dhe artin shqiptar.

Në këtë katër vjetor, Hysni Zela, vëllai i daj në një intervistë për gazetarin Roland Qafoku në emisionin “Debati në Channel One” ndau shumë emocione, por edhe fakte dhe detaje që vijnë për herë të parë .

“Vaçen nuk e shpallën fituese të konkursit për në Lice, e quajtën të paaftë!

Është një humbje e madhe. Nuk humba vetëm unë motrën dhe familja jonë njeriun e dashur. Por është një humbje e madhe për të gjithë muzikën dhe kulturën shqiptare veçanërisht për popullin. Është rasti të them se nuk ka një njeri që e zbuloi talentin e saj. Vaçja zbuloi veten në shtëpinë tonë në Lushnje, se ne kemi lindur të gjithë në Lushnje. Madje ka një fakt interesant.

Vaçja lindi ditën që Italia pushtoi Shqipërinë, por nuk e përmendin këtë dhe vitin e lindjes ia shënuan me qëllim në 1938. Kishim një bahçe përpara shtëpisë dhe Vaçja aty këndonte çdo ditë dhe imagjinoni edhe pse ishte fëmijë ajo bënte vokalica. Këndonte çdo lloj këngësh, shqiptare e të huaja. Nisi të këndonte në shtëpinë e pionierit në qytetin e Lushnjës dhe aty spikati. Aty u zbulua si talent dhe e kërkuan të vinte në Tiranë. Erdhi në Tiranë në moshën rreth 15 vjeçare dhe filloi shkollën.

Në fakt në fillim konkurroi për në Liceun Artistik, por për habi nuk fitoi konkursin duke e nxjerrë të paaftë. Kur e kanë marrë në pyetje ka qenë në komision Marie Kraja. Bashkë me të ka qenë edhe një soprano bullgare. Ka shumë mundësi që bullgarja të ketë menduar se Vaçja nuk ka qenë për muzikë lirike dhe kjo duhet të ketë qenë arsyeja që nuk ia ka dhënë konkursin.

Më pas Vaçja kreun gjimnazin “Qemal Stafa” dhe më pas fitoi konkursin për në institutin e Arteve në degën dramë. Por e ndërpreu, pasi mbaroi vitin e dytë dhe nuk u diplomua. Madje, ka luajtur edhe një dramë. Ajo e ndërpreu shkollën edhe me arsyen se duke qenë familje e varfër dhe me shumë fëmijë të gjithë ushqimet ti merrte Vaçja. Ishte momenti që ajo bëri shkëputjen e madhe si këngëtare dhe ajo nuk mund të ishte edhe aktore edhe këngëtare. Kënga ishte ajo që qëlloi në shenjë.

Pak kohë pasi erdhi në Tiranë ajo na mori të gjithë familjen të 6 fëmijët dhe prindërit. Tirana na dukej si Amerika. Kur shikonim një makinë me targën LU ngazëlleheshim. Kam dëgjuar që disa thonë se jemi me orgjinë nga Kosova. Unë nuk e di këtë, mund të jetë e largët por nuk e di.

Unë di që jemi lushnjarë autoktonë aty kemi qenë prej shumë e shumë kohësh. Ne merreshim me bujqësi. Babai e shiti shtëpinë kur erdhëm në Tiranë. Ishim shumë të varfër dhe jetonim me prodhimet e tokës që e punonin prindërit. Vaçja e vogël vizitonte shpesh tokën ku punonin prindërit, por ishte e vogël dhe nuk punonte”.

Për vdekjen

“Ishte një humbje e madhe. Vaçja shkoi pas vitit 1990 në Zvicër te e bija. Ajo kishte mundësi jetese më të mirë dhe Vaçja duke qenë e sëmurë ishte nën kujdesin shëndetësor. Sivjet u mbushën 4 vjet nga humbja e Vaçes.

Vaçja vdiq në Bazel, por sipas amanetit e varrosën në Tiranë. E bija Irma dhe bashkëshorti Pjetër herë pas herë vijnë në Tiranë. Madje duhet të themi se këtë varr të veçantë Irma ia ka sjellë nga India. Më kujtohet një koncert që Vaçja dha në Greqi. Kthyem vizitën këngëtares Marinela. Ajo vetë ishte në sallën me 2 mijë spektatorë. Kur këndoi Vaçja këngën e saj në greqisht salla u ngrit në këmbë.

Shfaqja mbaroi dhe Vaçja shkoi direkt në garderobë. Iu afrova dhe ajo mbylli derën. Ishte bërë e bardhë borë. U tremba shumë. Duket se i harxhoi të gjitha turbinat e trupit. Aty pashë që për herë të parë pështyu gjak. Kishte kaluar momente shumë të forta. Ndoshta aty ka nisur sëmundja e saj.

‘O dheu im, përkëdhelma fytyrën’, këngë për vëllezërit Gërvalla (VIDEO)

KultPlus ju sjellë këngën “Baladë për mikun tim” kënduar nga grupi Foleja.

Grupi u formua në vitin 1978 nga një grup të rinjsh nga Kumanova si: Qenan Ismaili, Enver Latifi, Shenoll Aliu, Besnik Arifi së bashku me Edita Ramizin (e cila iu bashkua grupit më vonë).

Kjo këngë është krijuar në momentin kur janë kthyer arkivolet e vëllezërve Gërvalla në Kosovë në mars të vitit 2002, dhe iu kushtohet atyre. Ata u vranë në një atentat në Untergrupenbach të Gjermanisë.

Ti mos qaj,
ti mos qaj o toka ime
se po vi sot unë
po vij krenar tek ti

Dhe të pushoj,
të pushoj në gjirin tënd unë
se sot po ndjejë
po ndjejë amshim të plotë

O dheu im
përkëdhelma fytyrën
se aroma jote
më mungon aq fortë

O ti mos qaj
ti mos qaj o nëna ime
se toka ime o nënë
sot mua më ledhaton / KultPlus.com

Ferdonija kujton më të dashurit e zemrës, në përvjetorin e vrasjes

Ferdonije Qerkezi

Sot më 27 prill 2018 u mbushën plotë 19 vite që nga dita kur dora gjakatare serbe mi rrëmbeu më të dashurit e zemrës. Kriminelët serbë ma morën bashkëshortin tim Halimin, bijtë e mi Artanin, Armendin, Ardianin dhe Edmondin dhe I dërguan në drejtim të panjohur. Vite me radhë shpresoja se një ditë do të kthehen por shpresa ime u venit kur kuptova se të gjithë të dashurit e zemrës sime i kishin ekzektuar.
Unë e mbylla dhembjen dhe e gjeta forcën e shpirtit për ta mbajtur gjallë kujtimin për ta. Jetoj me dashurinë e tyre në shtëpinë tonë të madhe, flas me ta, i përkëdhel fotografitë e tyre dhe u premtoj se nëna do të qëndrojë e fortë deri në frymën e fundit.
Tani shtëpia jonë u shndërrua në “Shtëpia tradicionale e Familjes Qerkezi- Muzeu historik, 1999” dhe në këtë vend të shenjtë përjetësisht do të flasin kujtimet dhe faktet!
Ju jetoni dhe frymoni bashkë me lirinë e Kosovës

Fëmijët tanë ulen nëpër banka të shkreta e të dëmtuara

Shkruan: Ndue Ukaj

Ndërkohë që ne merremi vetëm me tema të mëdha politike, madje kemi guxim të japim këshilla edhe për probleme ndërkombëtare, fëmijët tanë, nëpër shkollat tona, ulen nëpër banka të shkreta. Jam i vetëdijshëm se, ky mund të jetë ndoshta problemi më i vogël, kur e di çfarë tekste të mjera kanë fëmijet tanë përpara. Mos të flaism pastaj për eksperimentet që bëhen me sistemin arsimor, dhe mendësinë komuniste, prej të cilës lëngon ende shkolla jonë.

Mirëpo, këto banka dhe karriket ku ulen fëmijët tanë, për mua flasin shumë. Ato më kujtojnë bankat e kohës komuniste, kur unë shkoja në shkollë, por shumë më të dëmtuara dhe më të shëmtuara.

Në këto banka të ngushta dhe të dëmtuara, është problem të formohen fëmijë me ndjesi për të bukurën dhe të dobishëm. Sepse, fëmijët aty kalojnë shumë kohë.

Aty formohen.

Duke u marrë me tema të holla dhe të mëdha, ne harrojmë të shohim ku ulen fëmijët tanë. Çfarë ushqimi shpirtëror e kulturor marrin ata. Harrojmë se, ata të cilët ulen në banka të tilla të shëmtuara, nesër do të bëhen drejtuesit e vendit tonë, mjekë e pedagogë, juristë e artistë…

Kjo pasqyrë, për mua, është mënyra më e mirë m’ e pa sa pak dashni i kemi dhanë vendit. Sa pak kemi investuar te brezat e Kosovës së nesërme.
Ne, ende nuk e dimë çfarë shkolle duam. Nuk e dimë, mbi çfarë parime etike e arsimore duam t’ i edukojmë brezat e ri.
Pra, Kosovën e nesërme.
A në fakt, në këto banka ngjizet e ardhmja e disa dekadave.
Kjo fotografi është marrë në një nga shkollat kryesore të kryeqytetit tonë.

Peshkopi Teodosije e dënon arrestimin e Marko Gjuriqit

Arrestimi i Marko Gjuriqit dje në Prishtinë po cilësohet si një veprim absurd e banal edhe nga Peshkopi i Rashkës në Prizren – Teodosije.

Teodosije, i njohur për deklaratat e tij të forta kundër shqiptarëve edhe pse një njeri që proklamon dashuri për trashëgiminë kulturore e shpirtërore të popujve të botës, kësaj radhe ka thënë se me këto arrestime po rrezikohet i tërë rajoni.

Peshkopi i Rashkës dhe i Kishës Ortodokse Serbe në Prizren, Teodosije, kërkon urgjentisht nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe KFOR-i që të ndërmjetësojnë në lirimin e Marko Gjuriqit, për të parandaluar përshkallëzimin e situatës e cila mund të ketë pasoja serioze. Kjo ndodhi para se Gjuriq të lirohej.

“Dioqeza e Rashkës dhe i gjithë populli serb në Kosovë e Metohi me shqetësim morën lajmin për aksionin brutal të njësive speciale policore të Kosovës “ROSU” në Mitrovicën e Veriut, aksion ky gjatë të cilit pjesëmarrësit ishin sulmuar fizikisht nga policia dhe disa njerëz lënduan Marko Gjuriqin, kreun e Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovë dhe Metohi, të cilin e arrestuan. Ky është një veprim pa precedent i policisë që nga viti 1999” ka deklaruar në mes rreshtash në një komunikatë të lëshuar Peshkopi Teodosije.

“Një reagim i tillë i policisë dhe njësisë speciale “ROSU” në veriun e Kosovës, në kundërshtim me marrëveshjet e mëparshme midis Beogradit dhe Prishtinës, kërcënon direkt vazhdimin e dialogut dhe sigurinë e qytetarëve. Arrestimi i Gjuriqit është një skandal dhe provokim i madh për të gjithë serbët që jetojnë në këtë rajon” ka shkruar Teodosije.

Më vonë, Gjuriq u lirua ndërsa sot ‘spektakli’ i tillë politik po vazhdon me deklarata nga vetë Gjuriq dhe nga palët tjera, duke dhënë kështu detaje tjera rreth këtij arrestimi që ndodhi gjatë ditës së hënë të 26 marsit. / KultPlus.com

Dëshmia e Saranda dhe Fatos Bogujevcit dhe lajmërimi i Natasha Kandiqit

Tragjeditë dhe humbjet njerëzore gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk duhet harruar asnjëherë.

Marrë shkas nga tregimi i Saranda Bogujevcit, e cila mbrëmë në Beograd pati mundësinë që para audiencës të flasë për familjen e saj dhe për krimet e Serbisë në Kosovë, ne sot po e rikujtojmë këtë histori e cila nesër, me 28 mars, bëhet një histori e vuajtjes 19 vjeçare.

Natasha Kandiq, një aktiviste për të drejtat e njeriut, kësisoj e përshkroi lajmërimin e rastit Bogujevci në Prishtinë, në vitin 2008.

“Me ne janë Saranda dhe Fatos Bogujevci nga Podujeva. Më 28 mars të vitit 1999 ajo kishte dy muaj pa i bërë 14 vjet; Fatosi kishte 12 vjet, pas gjithë asaj që ndodhi, në korrik ai i mbushi 13 vjet. Ata i kishin familjet e tyre, vëllezërit e tyre, motrat e tyre. Dolën nga ajo ngjarje, asnjëri prej tyre nuk ka më nënë dhe ajo që ata përjetuan, ajo që u ndodhi atyre nëse do të mund të mos i ndodhte asnjë fëmije në botë do të ishte diçka e natyrshme për t’u kërkuar, për të pritur dhe për të luftuar për atë. Unë do ta lus Sarandën dhe Fatosin që ata bashkërisht të përpiqen të tregojnë se çka u ka ndodhur dhe ata janë të parët. Në viitn 2003 ata erdhën në Beograd për të dëshmuar. A mund ta paramendoni, në vitin 2003, kjo është pra pas më pak se katër vjet të plota, ata të dy, baballarët, vëllezërit dhe motrat e tyre vendosën të vinin dhe të dëshmonin përpara gjykatës në Beograd sespe ata e kuptuan se kjo është e vetmja gjë që ata mund të bëjnë për të gjithë ata që u vranë më 28 mars. Nuk ishte e lehtë që fëmijët të cilët me sytë e tyre i shikuan vrasjet të vinin në Beograd dhe të shihnin uniforma në rrugë. Por edhe Saranda edhe Fatosi që atëherë kishin kuptuar se e vetmja gjë që ende mund të bënin, ishte të përpiqeshin që faktet të vërtetoheshin, në mënyrë që ata të mund të dëshmonin publikisht. Dhe pastaj vetëm Saranda dëshmoi përpara gjykatës së hapur, përpara publikut, Fatosi ishte i mitur, ai dëshmoi në seancën e mbyllur por askush nuk mund ta përballonte dhe të ballafaqohej me atë për të cilën Saranda fliste. Nëse ekziston ndonjë drejtësi, atëherë unë ndjeva se ajo që u ka ndodhur atyre prapëseprapë ndryshon diçka. Një pjesëtar i Skorpionëve u lajmërua atëherë dhe më tha, ai kishte qenë atje në atë kohë, kishte parë se çka kishte ndodhur dhe ka dalur para gjykatës dhe ka folur për atë që ka ndodhur. Por unë nuk do të flas më për këtë sepse tani në Beograd ende po zhvillohet gjykimi ndaj katër pjesëtarëve të ri të Skorpionëve të cilët gjithashtu morën pjesë në këtë ngjarje. Por ja, do ta lus edhe njëherë Sarandën dhe Fatosin që të përpiqen ta tregojnë ngjarjen, e këtu, në rendin e tretë është Enver Duriqi dhe unë e lus që të përmbahet, sepse ai i ka [humbur] të katër fëmijët e tij, bashkëshorten, i kanë mbetur vetëm rruzujt lodër të cilët i mban në xhep që nga ajo kohë. Asgjë nuk i ka mbetur më pas kësaj. Pas atij 28 marsi.”

Më poshtë po e sjellim edhe dëshminë e Saranda Bogujevcit bashkë me vllaun e saj, Fatosit, në vitin 2014-të, në kuadër të iniciativës KOMRA. / KultPlus.com

Kosova është Shqipëri në dokumentarin e fundit nga Al Jazeera (VIDEO)

Televizioni Al Jazeera ka realizuar një dokumentar për bukuritë e Shqipërisë.

Dokumentari, në fakt vetëm pjesa e parë e tij e cila është publikuar sot, rrëfen historinë, trashëgiminë dhe bukurinë e Shqipërisë, potencialin turistik dhe të tjerat pika të forta të shtetit të bukur evropian.

Ekipi i Al Jazeera Channel ka vizituar kohët e fundit Shqipërinë ku ka realizuar një dokumentar, mirëpo dokumentari nuk përfundon vetëm me Shqipërinë pasi aty është përfshirë edhe Kosova.

Në dokumentar mund të shihet edhe alpinistja Uta Ibrahimi por edhe pjesë nga Kosova. Ekipi realizues i dokumentarit ka qenë edhe në Kosovë, ku kanë provuar “Zip-line” në qytetin e Pejës.

“Udhëtari” është një program i cili mundohet që të zbulojë vendet atraktive të Evropës dhe të shpalosë historinë dhe bukuritë e tyre duke vënë në pah mundësitë për turizëm, shkruan KultPlus.

Në dokumentar flitet edhe për kanunin. Njëri prej banorëve tregon edhe për historinë e kullave të cilat janë përdorur për pajtimin e gjaqeve, ndërsa dëgjohen edhe këngë e shihen veshje e ushqime tradicionale të cilat eksplorohen dhe promovohen përmes këtij dokumentari. / KultPlus.com s

Eneda Tarifa e Landi Hysi interpretojnë në burgun e grave në Tiranë

Eneda Tarifa, Kristi Karkanaqe dhe Landi Hysi, tre këngëtarë të njohur të estradës muzikore shqipe, dhanë intepretime të jashtëzakonshme dje në burgun e grave në Tiranë, duke festuar Muajin e Historisë së Grave me një ditë të veçantë për mamatë dhe fëmijët, shkruan KultPlus.

Me mbështetjen e këtij instituti dhe ish-pjesëmarrësve në programet e shkëmbimit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, më shumë se 60 gra dhe fëmijët e tyre që kishin ardhur për t’i vizituar shijuan muzikën, lojërat, si dhe u takuan me përfaqësuesit nga shoqëria civile, biznesi, akademia, gazetaria, ekspertë vendas dhe studentë.

Muaji mars është Muaji i Historisë së Grave dhe gjithmonë veçohet si muaj kur duhet reflektuar mbi gratë e fuqishme dhe ato që nuk lanë vështirësitë ti rrëzojnë në tokë. / KultPlus.com

Mësuesit dhe arsimtarët në Pejë, në vitet 50’të

Duke kujtuar kohërat e vjetra, gjithmonë sjellim në pah mentalitete të ndryshme por edhe realitete kur sidomos edukimi ka qenë më cilësor se sot.

Rreth viteve 50-të është realizuar kjo fotografi, në Pejë. Një grup i mësuesve e arsimtarëve në Pejë shihen në këtë fotografi e cila sjellë kujtime, dhe emra që rritën gjeneratat.

Hamdi Tabaku, Kamber Pajaziti, Hamza Begolli janë vetëm disa prej emrave në këtë fotografi.

Fillet e arsimit të lartë në Pejë datojnë që nga viti 1960, atëherë kur me vendimin e Këshillit Ekzekutiv të KSAK ishte themeluar Shkolla e Lartë Ekonomike – Komerciale në Pejë. Fillimisht shkolla kishte vetëm Seksionin e Afarizmit Komercial në Ndërmarrje dhe një numër të vogël mësimdhënësish. Në vitin e parë të studimeve 1960/61 ishin të regjistruar 120 studentë.

Në këtë fotografi, në të cilën më pas janë identifikuar edhe emra të tjerë, është edhe Lejtore Krajku, Gjylizare Syka, Pervere Zatriqi, Lytfi Kotorri, Nexhmije Hoxha, Shadije Kotori dhe emra të tjerë mësuesish e arsimtarësh. / KultPlus.com

Fotografia: Bajri Luljeta / Facebook

Sytë

Poezi nga Timo Flloko.

Sytë shohin, shihen; fshehin, fshihen;
Sytë ikin largohen, …sytë mërgohen.

Sytë ndrijnë, qeshin; ndizen, ndezin,
Sytë dashurojnë, dashurohen …sytë verbohen.

Sytë lotojnë, pikëllojnë; fiken shterohen,
Sytë ftohen, s’flasin, ….sytë vrasin.

Shtati kallkan ngrin,
sytë mbesin,
hapur, kur vdesim.

“Disa e dëgjojnë Marko Gjuriqin, e disa të tjerë Saranda Bogujevcin”

Saranda Bogujevci, një prej të shpëtuarave të luftës në Kosovë, mbrëmë ka qenë e ftuar në një debat në Beograd, në Qendrën për Dekontaminim Kulturor.

Menjëherë pas debatit, Goran Miletic – Drejtor për Evropë i Civil Rights Defenders, organizatë kjo që punon për të drejtat e njeriut në mbarë Evropën dhe me fokus në Ballkan, ka shkruar disa rreshta rreth ngjarjes së mbrëmshme që ‘përplasi’ para syve të Beogradit edhe njëherë mizoritë që ndodhën në Kosovë para 19 vitesh.

“Disa kanë dëgjuar e parë sot Marko Gjuriqin, e të tjerët tregimin e Saranda Bogujevcit në CZKD. Serbia do të bëhet vend më i mirë nëse secili qytetar do ta dëgjojë këtë tregim të Sarandës, cfarë i ka ndodhur asaj dhe familjes së saj” ka shkruar Miletic, përcjellë KultPlus.

Bogujevci mbrëmë ka rrëfyer përsëri vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar para 19 vitesh, kur si 13 vjecare ajo i shpëtoi serbëve.

Kujtojmë se para disa vitesh, Saranda pati hapur një ekspozitë në Beograd, ekspozitë kjo e cila u përfol shumë asokohe pasi arriti që të përcillej edhe nga zyrtarë serbë të cilët deri asokohe refuzonin të dëgjonin e shihnin krimet e Serbisë në Kosovë.

Kanë qenë të shumta reagimet rreth tregimit të Sarandës në Beograd, në rrjete sociale, nga mendje-ngushtët e Serbisë por edhe nga ata që kanë ecur përpara dhe e kanë kuptuar realitetin e dy dekadave më parë. / KultPlus.com

Saranda Bogujevci tregon para publikut në Beograd vuajtjet dhe shpresat e saj

Mbrëmë në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd, Saranda Bogujevci ka sjellë prapë diçka nga dhimbja e saj pasi një pjesë e familjes së saj u vra gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Saranda, një nga të shpëtuarat e vrasjeve që ndodhën në Podujevë, mbrëmë ka folur në Beograd se si u ka shpëtuar 16 plumbave në trupin e saj, si një 13 vjeçare në kohën kur ndodhi lufta.

Ajo ka treguar se si e humbi një pjesë të çmuar të familjes së saj në krimin që ndodhi në Podujevë, nga forcat “Skorpions” me 28 mars të vitit 1999, shkruan KultPlus.

Saranda bashkë me Selatin Bogujevcin mbrëmë kanë qenë të pranishëm në mbylljen e ekspozitës “ICTY: Kosovo Case 1998-1999”, e cila tregon për tmerrin e masakrave dhe vrasjeve që këtë vit kujtohen në 19 vjetorin e tyre.

Saranda ka treguar gjatë panelit në Beograd se është e gatshme të ndihmojë në një përmirësim të gjendjes dhe tensioneve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në të kaluarën, ajo ka treguar se ka nevojë për drejtësi për të gjitha viktimat e luftës në Kosovë.

Nesër mbrëma, të mërkurën, në Beograd do të shfaqet edhe filmi “Depth Two” nga Ognjen Glavonic, film ky që hulumton varresat masive në Batajnicë dhe pjesë tjera të Serbisë, prej kah dalin trupat e shqiptarëve të pajetë.

Sasha Cvjetan, pjesëtar i “Skorpionëve”, u dënua me 20 vjet burg, në vitin 2005 nga Gjykata Serbe Për Krime Lufte.

Në vitin 2009, u dënuan edhe tre “Skorpionë” tjerë. Dragan Borojeviq e Dragan Mediq, u dënuan me 20 vjet burg, ndërsa Miodrag Sholaja me 15. 20 vjet burg iu dhanë edhe Zhelko Gjukiqit, në vitin 2010. / KultPlus.com

Juria e Çmimit ‘Kadare’ fillon takimet për këtë edicion

Juria e çmimit “Kadare” ,një prej ngjarjeve më të rëndësishme në letrat shqipe ka bërë takimin e parë zyrtar, pas ceremonisë së shpalljes publike të hapjes së edicionit të katërt të këtij konkursi. Në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës pesë anëtarët e jurisë janë mbledhur për të përcaktuar procedurën e vlerësimit të librave dhe për të ndërtuar një skemë mbi të cilën do të operojnë në vazhdim.

“Juria e çmimit Kadare, bëri takimin e parë i cili do të vijojë me një sërë takimesh të tjera, për të mbërritur në takimin që do ti paraprijë takimit final të majit, ku do të mund të bëjë publik dhe emrat e disa kandidatëve të mundshëm për këtë çmim, një prej të cilëve do të jetë fituesi i edicionit të katërt të kësaj ngjarjeje të madhe letrare. Gjatë diskutimeve u arrit të përcaktohet linja e vlerësimit që anëtarët e jurisë do të ndjekin, komunikimi që do mbajnë më njëri tjetrin në mënyrë që të arrijnë në një vlerësim sa më të drejtë e transparent”, thotë Alda Bardhyli, koordinatore e këtij edicioni. Sipas saj edhe pse ka vetëm një muaj nga shpallja e këtij konkursi interesi i shkrimtarëve për të qenë pjesë e garës është i madh.

“Numri i dorëshkrimeve të mbërritura në adresën zyrtare të këtij çmimi deri tani është i madh, po kështu dhe interesi i autorëve për të qenë pjesëmarrës, të cilët vijojnë të interesohen mbi kriteret dhe afatet e konkurrimit, çka do të thotë se këtë vit pritet të këtë një numër më të madh dorëshkrimesh në konkurrim. Duke parë emrat e autorëve që kanë dorëzuar deri tani dorëshkrimet për konkurrim, më vjen mirë që krahas autorëve të rinj, janë dhe emra që tashmë janë konsoliduar si autorë në tregun e librit çka tregon se në vetëm katër vite jetë, ky çmim ka arritur të ndërtojë atë çfarë është e rëndësishme për një konkurs letrar, institucionin e besimit”, thotë Bardhyli. Dorëshkrimet e mbërritura deri tani kanë nisur të lexohen nga juria e cila gjatë takimit analizoi disa prej tyre.

Çmimi letrat “Kadare” është një prej çmimeve më të mëdha letrare që ndahet çdo vit për një autorë shqiptar. Harta e konkurruesve për këtë çmim është zgjeruar nga viti në vit, ku krahas autorëve nga Kosova dhe Maqedonia marrin pjesë dhe autorë shqiptarë që jetojë në vende të ndryshme të botës. Këtë vit autorët do të gjykohen nga një juri e përbërë nga :Genciana Abazi, Eni Vasili, Ledia Dushi, Agim Baci dhe Kim Mehmeti i cili është dhe kryetar i jurisë së këtij edicioni.

Fituesi pritet të shpallet gjatë Ditëve Letrare të Razmës, ku organizohet dhe një konferencë shkencore mbi letërsinë, në fund të majit maj. Përgjatë dy ditëve Razma kthehet në hapësirën e letërsisë pasi festës së Çmimit Kadare i bashkohen emra të njohur të letrave shqipe. Çmimi ka një vlerë prej 10 mijë euro që akordohet nga Instituti Europian Pashko me mbështetjen e Universitetit Europian të Tiranës. Vjet me këtë çmim u nderua shkrimtari Musa Ramadani ndërsa më parë janë vlerësuar autorët Shkëlqim Cela dhe Rudolf Marku. / KultPlus.com

“Hardh Fest” po vjen, publikohen datat e këtij edicioni

Festa e Vjeljes së Rrushit – Festivali “Hardh Fest”, edicionin e kaluar shënoi një sukses të madh, ku numri i pjesëmarrësve arriti mbi 50 mijë vizitor nga mbarë bota.

Festa e Vjeljes së Rrushit “Hardh Fest 2018” do të mbahet më datë 7, 8, dhe 9 shtator 2018, në Rahovec.

Ky edicion, do të organizohet nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi dhe Partnerëve të Festivalit.

“Hardh Fest” këtë vit do të sjellë edhe shumë risi dhe do të vijë edhe më i fuqishëm se kurrë më parë.

Qëllimi i festës së vjeljes së rrushit “Hardh Fest”, është promovimi i rajonit vreshtar të luginës se Rahovecit, Vertarisë, Rakisë, trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore si dhe turizmin rural ne Kosove. Gjithashtu, Hardh Fest kapër qëllim të ruaj traditat dhe zakonet e lidhura me vreshtarinë, verën dhe enologjinë, promovimin dhe fuqizimin e bashkëpunimit dhe lidhjeve, në të gjithë zinxhirin prodhues, si dhe mundësi për promovimin e turizmit rural të Komunës së Rahovecit në Kosovë, rajon dhe mbarë botën. / KultPlus.com

Edhe ministrit të Kulturës të Serbisë i ndalohet hyrja në Kosovë

Pas ndalimit të vendosur ndaj Marko Gjuriqit dhe Aleksandar Vulinit, edhe ministrit të Kulturës së Serbisë, Vladan Vukosavljeviç, nuk i është lejuar të hyjë sot në territorin e Kosovës.

Siç raportojnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, rreth orës 11:30, policia e Kosovës e ndaloi kalimin e ministrin Vukosavljeviç në kufirin e Jarinjes, megjithëse vizita e tij ishte paralajmëruar.

Sipas mediave serbe, ministri serb ka thënë se mos lejimi që ai të vizitojë sot dhe nesër manastiret dhe tempujt është një gabim serioz dhe një dështim i madh që nuk kontribuon në gjendjen e përgjithshme.

Ndërkohë, Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media, ka bërë të ditur se forcat e shumta të policisë në Jarinje kanë dalë për shkak të ndalimit të hyrjes në Kosovë të zyrtarëve serbë Aleksandër Vulin dhe Marko Gjuriq.

Monica Bellucci: Bukuria zgjatë vetëm pesë minuta nëse nuk ke asgjë tjetër

Ajo e ka të qartë faktin se është e bukur, por dëshiron të mos etiketohet gjithmonë vetëm si një grua e bukur.

Monica Bellucci, aktorja e njohur italiane dhe një prej aktoreve më të mira e aktive, në një intervistë të saj të moçme ka treguar se sa i ndihmon dhe sa e dëmton bukuria në botën e filmit.

“E di që bukuria i bën njerëzit të jenë kurioz. Por, sic ka thënë Oscar Wilde, bukuria zgjatë vetëm pesë minuta nëse nuk ka diçka tjetër që e mban këtë kuriozitet. Nuk do ta kisha këtë karrierë me vetëm bukurinë time. Regjisorët nuk të ftojnë për bukurinë tënde, por për talentin tënd. Bukuria ka qenë pengesë për mua, sidomos duke e ditur që vij nga industria e modës. Pasi jam e bukur, të gjithë mendojnë se jam budallaqe. Është si një maskë të cilën duhet ta largosh e ti tregosh botës se ke më shumë sesa bukuria. Duhet ti tregosh njerëzve se ka diçka në ty që mund të zbulohet nga ata” pati thënë Monica Bellucci.

Aktorja është e njohur për rolet e saj në “Malena”, “Spectre”, “Irreversible” dhe “Passion of the Christ”. Ajo është 53 vjeçare dhe ka dy fëmijë.

Monica Anna Maria Bellucci ka lindur në Città di Castello, Umbria, Itali. Ajo vazhdimisht në intervista tregon se nuk dëshiron të njihet vetëm si një grua e bukur, por si një grua që jep maksimumin në rolet e saj filmike dhe provon të hyjë në karakter në secilin rol që merr. / KultPlus.com

Nuk besoj më në fjalët e poemave

Poezi nga Antonin Artaud

Nuk besoj më në fjalët e poemave,
sepse nuk ngrejnë asgjë
e asgjë nuk bëjnë.
Dikur kishte poema që e dërgonin një luftëtar t’ia shqyenin grykën,
por me grykë të shqyer
luftëtari ishte i vdekur,
e ç’i mbetej pastaj nga lavdia ?
E kam fjalën, nga zelli i vet ?
Asgjë.

Ishte i vdekur,
e kjo shërbente për të edukuar nëpër klasa gomerët dhe të bijtë e gomerëve që do të vinin pas tij e
që kanë shkuar në luftra të reja
atomikisht të kurdisura,
më duket se ka një gjendje ku luftëtari
me grykë të shqyer
dhe i vdekur, qëndron aty
vazhdon të luftojë
dhe të bëjë përpara,
nuk ka vdekur ai,
ec përpara për përjetësinë.

Por kush do të donte kështu
përveç meje
E mua, le të vijë pra ai që do të ma shqyejë grykën
po e pres.

Saranda Bogujevci sonte rrëfen tregimin e saj në Beograd

Saranda Bogujevci, një nga të shpëtuarat e mizorive të forcave serbe gjatë luftës në Kosovë, do të flasë për eksperiencën e saj tragjike, para audiencës në Beograd.

Sonte, në përvjetorin e 19-të të vrasjes së anëtarëve të familjes Bogujevci nga trupat “Skorpionët” e Serbisë, Saranda Bogujevci dhe Selatin Bogujevci do të flasin në Beograd në një panel i cili i kushtohet këtyre mizorive.

Saranda nuk ka ndaluar së kërkuari të vërtetën e krimit që ndodhi në Kosovë. Drejtësia gjithmonë vonon por Saranda ka pasur gjithmonë vendosmëri për të kërkuar të vërtetën. Në këtë panel ajo do të flasë për fëmijërinë e saj dhe të anëtarëve të familjes së saj.

Në ngjarjen tragjike u vranë shtatë gra e shtatë fëmijë, në Podujevë, ndërsa Saranda dhe disa anëtarë tjerë kanë shpëtuar.

Të plagosur rëndë, pesë fëmijë atëherë shpëtuan, ndërsa tre prej tyre tashmë të rritur dhe të shndërruar në artistë, e kanë rikonstruktuar nëpërmjet fotografish e filmash tragjedinë personale.
Paneli fillon sonte prej orës 19:00 në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd, organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Disa nga “Skorpionët” që kryen krimin, janë dënuar në Serbi, shkruan KultPlus.

Sasha Cvjetan, pjesëtar i “Skorpionëve”, u dënua me 20 vjet burg, në vitin 2005 nga Gjykata Serbe Për Krime Lufte. Në vitin 2009, u dënuan edhe tre “Skorpionë” tjerë. Dragan Borojeviq e Dragan Mediq, u dënuan me 20 vjet burg, ndërsa Miodrag Sholaja me 15. 20 vjet burg iu dhanë edhe Zhelko Gjukiqit, në vitin 2010.

Saranda, Jehona e Fatosi, mbajnë mend që familjen e tyre ta kenë sulmuar 15-16 persona të uniformuar.

Më 28 mars 1999, ditën kur u vranë Bogujevcët e Duriqët, aviacioni i NATO-s, kishte hyrë në ditën e katërt të bombardimit të ish-Republikës Federale Jugosllave, pikërisht për shkak të dhunës, vrasjeve dhe deportimit të shqiptarëve. / KultPlus.com

Violeta Rexhepagiqi, romantika që nuk harrohet (VIDEO)

Një revolucion në muzikën shqipe, Violeta Rexhepagiqi lehtë mund të njihet nga fotografitë e rinisë së saj të hershme.

Një grua e bukur, e mençur, një stil unik dhe i veçantë e deri asokohe edhe i paparë për syrin e shqiptarëve, nga një shqiptare, Violeta Rexhepagiqi nisi një karrierë të suksesshme e cila do të ndërpritej pas një aksidenti të tmerrshëm.

https://www.youtube.com/watch?v=p5eMQmFSogI

E lindur në vitin 1965, ajo mbetet një prej këngëtareve më avangarde të një kohe tjetër në Kosovë.
Mësimet e para Violeta i ndoqi në shkollën e qytetit – “Faik Konica”. Pas suksesit me këngë dhe si spikere për programe të fëmijëve në “Radio Prishtinë” ajo filloi të ndjekë mësimet edhe në shkollën e ultë të muzikës.

Ajo ka interpretuar rreth 40 këngë për fëmijë për të kaluar më pas në një dimension tjetër, në këngët për të rritur, aty ku edhe dolën hitet e saj si solo këngëtare por edhe bashkë me Armend Rexhepagiqin e Aida Barakun.

https://www.youtube.com/watch?v=X0dQe-O2B2U

Dy herë ajo tentoi të përfaqësonte Jugosllavinë në Eurovizion. Viti 1986 e solli atë në garë me këngën “Nora”, ku ajo përfundoi e shtata në listë, ndërsa një vit më vonë ajo kthehet në festivalin përzgjedhës për këngën në Eurovizion – Jugovizija, me këngën “Nuk të harroj” dhe me këngën “Fedora” në kuadër të grupit Vivien.

https://www.youtube.com/watch?v=MgOWWLmvpSM

Një grua me plot elegancë dhe e suksesshme, ajo punoi për një kohë edhe pranë televizioneve të huaja, duke raportuar edhe rreth luftës në Kosovë. Violeta në ndërkohë punoi edhe në Radio Televizionin e Kosovës.

Sot, më larg skenës, Violeta nuk e ka humbur muzikalitetin që e karakterizon. Ende kujtojmë këngët “Romantika” apo “Zhurmë e erërave të dikurshme” nga Grupi Vivien, të cilat gjithmonë na e sjellin në kujtesë një grua që ka sjellë një pamje të re për kosovarët dhe hapi rrugën për të tjerët këngëtarë më pas që të sfidonin rregullat dhe normat e shoqërisë shqiptare. / KultPlus.com

Shkarkohet drejtori i TKK-së, Agim Sopi

Këshilli drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës sot e ka shkarkuar nga pozita e drejtorit të TKK-së Agim Sopin.

Shkarkimi është bërë me gjashtë vota për e një abstenim.

Në janar Agim Sopi kishte akuzuar anëtarët e Këshillit Drejtues të TKK-së si njerëz të ndikuar nga politika që po censuron programin e këtij teatri. / KultPlus.com

Kanagjegji i Shqipes dhe traditat shqiptare, në fokusin e Martha Stewart (FOTO)

Blogerja Martha Stewart, një personazh i njohur në Amerikë, së fundi në blogun e saj ku më së shumti ka artikuj që lidhen me dasma ka shkruar edhe për një kanagjegj i cili është mbajtur në New York.

Blogerja e cila ka qenë e ftuar në këtë festë përmes shkrimit të saj ka vënë në pah detaje të traditës shqiptare.

Në artikull blogerja Martha vë theksin se nusja ka përgatitur shumicën e gjërave vet, duke përshirë edhe ushqimet, e këtu ajo përmend edhe nënën e nuses e cila kishte përgatitur për të pranishmit pite me spinaq.

“Në më pak se tri javë do të jetë dasma e asistentes sime Shqipe Berisha dhe të fejuarit të saj Zenel Lulanaj. Për këtë javën e kaluar Shqipja ka organizuar kanagjegjin e saj. Aty ishin të ftuar 60-të familjarë të saj duke përfshirë edhe kosovarë të cilën kishin ardhur nga Kosova për të marrë pjesë në këtë festë. Ky organizim ishte i mbushur me traditë shqiptarë, madje Shqipja ndërroi disa herë veshjen e saj, ajo veshi jelek të qëndisur me ngjyrë ari, fustan, madje mbante edhe shamia të qëndisura më dorë dhe bizhuteri”, fillon shkrimi i Stewart.

Ajo që fillimisht i kishte lënë përshtypje blogeres, personalitetit tw njohur televiziv dhe biznesmenes ishin dy shami të dorës të cilat i kishte qëndisur motra e nuses.

“Është e zakonshme që shqiptarët të mbajnë shami të tilla të zbukuruara nëpër ngjarje të tilla. Këto janë dy shami që Buqja, motra e Shqipes, i ka qëndisur. Rruazat më ngjyra të katërta janë si shenjë e mbrojtjes nga ‘syri i keq’”, ka shkruar Stewart e cila ka treguar se nusja e ardhshme ka vallëzuar me muzikë tradicional gjersa ka valëvitur në ajër shaminë që kishte në dorë.

Tutje ajo ka përshkruar disa nga rrobat tradicionale që Shqipja ka veshur e që asaj i kanë lënë mbresa.
“Fillimisht Shqipja ka veshur Dallama me shallvare, e cila është një jelek i gjatë dhe pantallona të dekoruar me ari. Të gjitha këto janë të qëndisura me dorë dhe me fije ari”, ka shkruar ajo duke treguar se edhe nuset e tjera të cilat kanë qenë të pranishme kanë mbajtur veshje të tilla.

Tutje ajo tregon se Shqipja pastaj ka veshur edhe veshje të tjera mirëpo ajo që i ka lënë përshtypje ka qenë fakti se ajo ka mbajtur ‘lira’ rreth qafës së saj, prandaj edhe i ka bërë një fotografi nga afër për t’u vërejtur më shumë.

“Këto kostume tradicionale shqiptare nuk kanë nevojë që të vishen në një rend të caktuar, kjo vendoset vet nga vajzë që do të bëhet nuse. Kurse fustani i bardhë është gjithashtu një tjetër ‘adet’ “, ka shkruar ajo duke treguar se nusja kishte edhe vathë në të cilët mund të vërehej shqiponja e që lidhet me traditën shqiptare.

Ajo gjithashtu ka shkruar edhe për dimijat me jelek, veshjen e katërt dhe të fundit të Shqipes për këtë natë, aty ajo ka treguar se pantallonat punohet nga 17 metra material të cilat pastaj lidhen rreth belit dhe poshtë të këmbët. / KultPlus.com

Çfarë lloj kosovari jeni?

Falë përpjekjeve të përbashkëta të Termokissit, Asociacionit të Shoqatës së Shkëmbimeve Kulturore të Kosovës dhe Taivanit në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës, më 28 mars duke filluar nga ora 17:00, mund të merrni pjesë në diskutimin i cili mundohet të sjellë përgjigje për pyetjet: kush jemi dhe çka po bëjmë këtu, shkruan KultPlus.

Kjo punëtori do të zhvillojë edhe një test online me pyetjet e krijuara nga të pranishmit të cilat pastaj do të jenë pjesë e ekspozitës “Kosovo Future Exhibition”.

“Ky debat nuk ka me u përqendru në dallimet ndërmjet grupeve të ndryshme etnike në Kosovë, por ka me u fokusu në ato që sjell’ popullsinë e Kosovës së bashku. Ne shpresojmë që përmes komunikimit, kemi me qenë në gjendje t’i shuajmë barrierat shekullore n’mes nesh e po i bijmë n’fije se çka do të thotë të jesh kosovar”, thuhet në njoftim.

Tutje diskutimi do të sillet rreth pyetjeve si: Çfarë lloj personi jeni ju? Çfarë lloj kosovari jeni ju? Çka i bjen m’u kon Kosovar?

Ngjarja do të ndodhë me 28 mars, në ora 17:00 në Muzeun e Kosovës. / KultPlus.com