Inspiruar nga Arta Dobroshi, publikohet videoja mbi natyrën dhe ambientin (VIDEO)

“Anti-Litter” është një film i shkurtër prej tre minutash i lansuar sot nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe Këshilli Rinor i kësaj Ambasade.

Inspiruar nga aktorja Arta Dobroshi, e cila në shumë fjalime të saj i referohet ambientit dhe botës si një vend më i mirë për të jetuar, filmi tregon rëndësinë e ambientit dhe natyrës por edhe kujdesin ndaj njëri tjetrit, shkruan KultPlus.

“Natyra është diçka më e madhe se ne. Uji që buron nga malet, ndjenja e harmonisë mes njeriut dhe natyrës” thuhet në një pjesë të kësaj videoje.

Pamje tregojnë aksione të ndryshme për të pastruar Kosovën dhe ambientet e ndotura. / KultPlus.com

Gjergj Kastrioti është i vetmi shqiptar që e shkeli dhe e dogji Serbinë!


Shkruan: Gani Mehmetaj

Gjergj Kastrioti -Skënderbeu është i vetmi shqiptar që e shkeli Serbinë nga Piroti në Beograd, duke djegë dhjetëra katunde e qytete serbe. Gjergj Kastriot është i vetmi prijës shqiptarë që e ndihmoi aleatin e tij Janosh Huniadin në luftë kundër turqve, mirëpo ishin prijësit serbë ata që ia patën më të pabesë mbretit të arbërorëve, e forcuan aleancën me Sulltanin, i dolën në prit ushtrisë shqiptare dhe e vonuan në betejën përfundimtare përtej Savës e Danubit.
I zhgënjyer me vrasjen e aletit të tij Huniadit, që e kishte nën zotërim një pjesë të madhe të Serbisë, i dëshpëruar që komitët serbë me ushtarët turq e vonuan të arrinte në betejën afër Beogradit të sotëm kundër turqve, Kastrioti u hakmor si asnjëherë më parë. Vrau shumë serbë, aleatë të Turqisë, dogji qindra katunde e qytete te tyre për ta ndëshkuar tradhtinë.
Me t’u kthyer në Shkup, dëboi serbët e mbetur, e mori qytetin dhe e forcoi Kështjellën për betejat e ardhshme. Gjergj Kastrioti e rimori edhe një herë Shkupin nga turqit e serbët disa vjet më vonë.

Shtatorja e Gjergj Kastriotit ne Miçigan -ShBA

“Një shqiptar radikal nuk mund të hyjë në restaurantin serb ‘Korcagin’…”

Është princip i restaurantit që të servojnë vetëm ushqim nga shtetet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur.

“Korcagin”, një restaurant në Serbi, funksionon i tëri bazuar në këtë mentalitet dhe ideologji.

VICE ka realizuar një mini-dokumentar me pronarët por edhe me ata që hanë në këtë restaurant, i cili muret i ka të mbuluara me fotografi të Stalinit, Titos e Leninit.

Ushqimi përgatitet nga kuzhinierët serbë, ndërsa mes ushqimit mund të gjesh diçka nga Bjellorusia apo edhe nga Guinea-Bissau, shkruan KultPlus.

Pronari Vojin Vujic i ka thënë mes tjerash VICE se ata që hanë në restaurant, edhe edukohen.
“Më pas, klientët tanë mund të shkojnë në shtëpitë e tyre dhe të njoftohen më shumë me kulturën dhe me shtetet në fjalë. Shtetet që nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës janë plot, prandaj kemi punë” tregon Vujic.

Mes tjerash, kur është pyetur se a do të ishte i mirëseardhur një shqiptar në këtë restaurant ku gastronomia është më ndryshe se në restaurantet tjera, ai ka dhënë këtë përgjigje.

“Patjetër, nëse nuk është një shqiptar ekstremist. Çdokush është i mirëseardhur” ka thënë Vujic.
Vujic ka treguar se është kundër homoseksualizmit dhe se beson se një pjesë e mirë e serbëve kanë po këtë qëndrim, karshi homoseksualitetit por edhe karshi Kosovës dhe pavarësisë së saj. / KultPlus.com

150 poezi aplikojnë në konkursin e poezisë ‘KultStrofa’

Është përmbyllur kësisoj aplikimi për konkursin e poezisë ‘KultStrofa’.

Janë gjithsej 150 poezi të cilat kanë ardhur në adresën e KultPlus, nga autorë e poetë të moshave të ndryshme, për të provuar të kualifikohen në dhjetë poezitë më të mira.

Konkursi i poezisë “KultStrofa” edhe këtë vit sjellë dhjetë poezitë më të mira në një paraqitje para publikut në Prishtinë.

150 poezi, shumëzuar me qindra emocione që jep secila, tanimë po shikohen nga juria e këtij konkursi, e cila do të bëhet e ditur me kohë. Poezitë na kanë ardhur nga duart magjike të shkrimtarëve nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi e diaspora.

Numri i poezive është i kënaqshëm dhe e ka tejkaluar numrin e poezive që kanë aplikuar në edicionin e parë të konkursit “KulStrofa”, gjithsej 101.

Sponsor gjeneral i këtij edicioni të dytë të konkursit që organizohet nga KULTPLUS, është PROCREDIT BANK.

Ditëve në vazhdim në KultPlus do të prezantojmë edhe jurinë e konkursit por edhe finalistët të cilët do të ftohen në natën e konkursit të poezisë, aty ku edhe mund të vijnë e të dëgjojnë poezitë të gjithë lexuesit e KultPlus dhe ata që e dashurojnë poezinë. / KultPlus.com

A nuk ndiheni edhe ju të vrarë?!

Nga Entela Resuli

Sa herë ndodh një vrasje, tre ditë diskutohet për të. Studiot televizive mbushen plotë me specialistë, mjekë, psikologë, gazetarë, shkencëtarë, gjithollogë, të gjithë dalin e… flasin. Është rasti i tyre, është puna e tyre. Të gjithë bëhen të mirë, të ndjeshëm, fryjnë e shfryjnë mbi viktimën, autorin… shoqërinë, madje kërkojnë edhe falje. I kërkojnë falje të drejtpërdrejtë viktimës edhe pse nuk e kanë njohur, edhe pse nuk kanë bërë asgjë për ta ndryshuar këtë realitet.

Për tre ditë rrjeti mbushet plotë me “engjëj” dhe më pas… jeta vazhdon!

Ata (njerëzit) kthehen në hiena për njëri-tjetrin, madje, në rrjetet online, kur ka data ditëlindjesh, urojnë “suksese dhe lumturi në jetë” dhe sapo e shohin “mikun” apo “mikeshën” ta prekë atë (suksesin), nxijnë nga zilia dhe iu bie tension…!

Dhe sot flitet për vrasje…

Këtu të vrasin çdo ditë dhe ngadalë… Të vret mentaliteti dhe njerëzit rreth e rrotull, që dinë çdo hall tëndin. Të vret pamundësia për të realizuar një dëshirë apo ëndërr që ke. Pengesat që me dashje t’i vendosin në rrugëtimin tënd. Të vret politika me show-n e përditshëm, të vret shoqëria me indiferencën e saj…Të vret stresi i përditshëm dhe i vazhdueshëm për mbijetesë! Të vrasin çmimet e larta, pagat e ulëta. Të vret mungesa e sistemit të shëndetësisë. Të vret mjeku që të nxjerr diagnozë tjetër për tjetër. Të vret mungesa e ilaçeve, shtrenjtësia e tyre… Të vret ndotja e ambientit. Të vret luksi i shfrenuar diku dhe varfëria ekstreme diku tjetër.

Të vrasin analistët e përnatshëm në ekranet televizive që bëjnë si të brengosur për hallet e popullit dhe këtej kur qeshin me të madhe u shfaqet dhëmbi i floririt…

Të vret…

A nuk ndiheni edhe ju të vrarë?!

Zojës n’rrug’ teme

Poezi e shkruar nga Erenestina Gjergji Halili.

Rrug’s teme, e kqyri nji zojë t’hijeshme,
Flok’t her’ ia merr era e herë s’ja don,
Duert i çon rreth qaf’s, dikur si bora,
Her’ m’doket se kjan’e her’ se k’ndon…

S’di kush ia merr njat’ sy larushë,
a dera, qi msheli, kur duel me ecë,
a péngu, q’i varet n’gji si ujdhesë,
A- dâmi dikur, qi mâ dam s’ban…

E bukur njajó zojë, qi t’trand n’naze
N’rrug’ teme, e kqyri kur jam tuj ecë,
Prej vedit, reg’timet, nji gjâ e mundon…
N’kapak t’shpirtit, prore jeta gjamon.
Her’ m’doket se k’ndon, her’ se loton…

Ministrja viziton Tinka Kurtin në spital

Para pak orësh mediat raportuan që aktorja e mirënjohur Tinka Kurti është shtruar me urgjencë në spital për shkak të shqetësimeve shëndetësore.

Aktorja e mirënjohur është vizituar në spital nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Ministrja madje ka publikuar edhe një fotografi të vizitës së saj në spital ku ndodhet e shtruar aktorja Tinka Kurti.

Krahas fotos Manastirliu shkruan:

“Të shkuara Tinka Kurtit, yllit të skenës shqiptare e të fëmijërisë së të gjithëve ne dhe gruas që gjithnjë frymëzon gratë me fisnikërinë, energjinë e kurajon e saj”. / KultPlus.com

Shqiptari Arian Asllani, në film bashkë me Al Pacinon dhe De Niron

Action Bronson, një shqiptar i njohur në Amerikë për muzikën e tij por edhe për emisionin e famshëm të cilin e modern, do të jetë pjesë e një projekti filmik në NETFLIX.

Asllani i është bashkuar ekipit të filmit “The Irishman” me regji nga Martin Scorsese.

Siç shkruan Billboard, Action Bronson do të jetë pjesë e filmit ku luajnë De Niro, Al Pacino dhe Joe Pesci.

Nuk dihet ende natyra e rolit të Bronson në projektin filmik në fjalë Ariani është 34 vjeçar, ndërsa në vitin 2012-të nënshkroi kontratë me Warner Bros. Records, për të kaluar më pas tek Vice Records, shkruan KultPlus.

Religious Art.

A post shared by Action Bronson (@bambambaklava) on

“The Irishman” do të publikohet vitin 2019-të ndërsa është bazuar në librin “I Heard You Paint Houses: Frank ‘The Irishman’ Sheeran and the Inside Story of the Mafia, the Teamsters, and the Final Ride by Jimmy Hoffa” shkruar nga Charles Brandt. / KultPlus.com

Adelina Ismaili, tanimë pjesë e serialit ‘O sa mirë’

Vetëm pak kohë pasi paralajmëroj se do të largohet nga muzika për t’iu përkushtuar aktrimit, Adelina Ismailin e pamë pjesë të serialit “O sa mirë”.

Ndryshe nga të famshmit tjerë që sprovojnë veten në aktrim në këtë serial, këngëtarja e njohur nuk do të jetë më vetëm mysafire, shkruan GazetaExpress.

Adelinën do ta shohim sërish. Ajo tashmë është bërë pjesë e kastës së aktorëve të serialit dhe do të ketë rolin e drejtoreshës së shkollës së famshme.

Adelina tashmë ka arritur një marrëveshje me epikën realizuese të “O sa mirë”, por nuk do ta shohim në çdo episod.

GazetaExpress mëson se pjesëmarrja e saj në këtë projekt do të jetë afatgjatë me shfaqje të kohë pas kohëshme.

Sigurisht arsye për këtë është edhe jeta e saj në Zvicër pranë bashkëshortit dhe djalit të saj e larg Prishtinës ku dhe realizohen pjesa më e madhe e xhirimeve.

Ndryshe kjo nuk është hera e parë që Adelinën e shohim si aktore. Këngëtarja ka qenë pjesë e disa skeçeve të humoristit Sevdai Radogoshi dhe më vonë edhe te “Stpupcat”.

Interesante për të ardhmen do të ishte ta shohim në ndonjë rol serioz në ndonjë projekt filmik a po serial. / KultPlus.com

“Frymëmarrje në gardh”, mbron imazhin e të kaluarës e të identitetit kombëtar (FOTO)

Gili Hoxhaj

“Gjuha âsht tulit e gjithshka bluen, “Goia s’qet kend në giak”. “Fiala mort sbân”. Aj, qi shkon tuj mjellë e tuj hapë fjalë të kqija e gergasa herë per njânin herë per tjetrin, me gojë të kanûnit thirret “Argat i keq”. Fjala e gojës s’ême hîn në vesh të tjetrit, e i treti e perdoron per rrênim të kuej, un rri e tallem. A fola a s’fola, goja nuk vûlosë gjâ. Fjalët e sterkqive kanûja s’i mêrr para sysh. Mikut do t’i bahet nderë. “Mikut i lshohet kryet e vendit”, janë këto fjalët e Kanunit që vijnë përmes dy personazheve të veshura në veshje kombëtare e që jetësojnë instalacionin e ekspozitës “Frymëmarrje në Gardh” e artistit Mentor Berisha.

“Aj, qi shkon tuj mjellë e tuj hapë fjalë të kqija e gergasa herë per njânin herë per tjetrin, me gojë të kanûnit thirret “Argat i keq”, janë fjalët e gruas së veshur në veshje kombëtare në shtëpinë prej gardhi.

Në mënyrë shumëdimensionale, artisti Mentor Berisha kishte punuar për një vit për ta sjellë këtë ekspozitë në këtë format të tillë. Çdo gjë erdhi e ekspozuar nën dritë e zbehtë në të gjelbër, e vizitorët e Galerisë së Ministrisë së Kulturës silleshin rreth gardhit të ndërtuar që ishte bërë shtëpi për dy personazhe, një burrë dhe një grua qëndronin të ndarë nga krejt ata që i rrethonin.

Ky gardh ishte si një galeri e ndërtuar nga artisti, pasi brenda mbante edhe përkrenaren e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, parzmore e shpata, me kafkat e heronjve nga koha e lavdishme. Përmes telave pikturat ishin shtrënguar fort në degët e këtij gardhi, në të cilat ishin ngrirë figurat e burrave dhe grave me veshje tradicionale. Ky gardh kishte zhvendosur vëmendjen e rëndomtë të shikuesve nga muri i kësaj galerie, në të cilën rëndom ekspozohen punët e artistëve.

Kuratori i kësaj ekspozite, profesori Fadil Hysaj, shprehet se artisti Mentor Berisha edhe pse i përket brezit të ri të artistëve figurativ të Kosovës, ai kultivon një stil të veçantë pikturimi dhe skulpturimi, që rrallë e ndeshim tek artistët e brezit të ri. Ai tregon për KultPlus se bashkëpunimi i tyre ka ardhur nga Festivali “EtnoFest”.

“Figura e gardhit krijon një frymëmarrje, një korrelacion mes njerëzve dhe një lloj kufiri të cilin ne shpesh dëshirojmë ta kalojmë duke i hyrë tjetrit në jetë. Pra gardhi si gardhi në një hapësirë ngulfatëse, ka një frymëmarrje, krijon disa kufij por që nuk janë kufij definitiv”, u shpreh Hysaj.

Ai tutje tha se ky lloj koncepti në një mënyrë e sfidon qytetarinë primitive dhe sjellë një vlerë arkitekturore nga e kaluara e hershme dhe madje ai tha se simbolet dhe gardhi vijnë pa asnjë ndjenjë të turpit dhe gardhi karshi murit ndihet më superior.

“Zhdukja e gjërave tona me vlerë, zhduk edhe diçka brenda nesh, ne nuk kemi të drejtë të sillemi ndaj traditës tonë në mënyrë gjenocidale, duke e keqtrajtuar apo mohuar në emër të diçkaje të re”, është shprehur Hysaj për KultPlus duke shtuar se kjo ekspozitë dëshmon se e reja më të vjetrën komunikojnë mjaft mirë. Artisti Mentor Berisha tha se kjo ekspozitë kishte qenë pjesë e EtnoFestit të 2016-ës, ndërsa më tutje është zhvilluar për të ardhur në këtë format, me një qëllim kryesor, për t’i ikur ekspozimit në muret e Galerisë.

“Me zhvillimin e idesë i kam inkorporuar edhe pjesët e instalacionit dhe në këtë rast gardhin që shërben edhe si dhomë dhe shtëpi e aktorëve, por njëkohësisht u jep frymë pikturave dhe skulpturave të ekspozuara”, tha artisti Berisha për KultPlus.

Vrimat e gardhit kishin një hapësirë që të mundësonte të shihje pak nga pamja e personazheve, të cilët lëviznin në ndërveprim me citate kanunore për gojët e hallkut, kështu duke thumbuar kureshtjen e rëndomtë prapa dyerve të shtëpisë. Me vendosmëri të plotë ata hedhin shikimin tek ata që i rrethojnë për të konfirmuar kureshtjen e çdo njërit. E gjithë kjo performancë vjen nga aktorët Rajmonda Ahmetaj dhe Afrim Muçaj.

Ata shfaqen në çdo moment e më të zhveshur, duke u larguar kështu me një valixhe të vetme, e dukë lënë pas fjalët “Mikut i lëshojet kryet e vendit”, për tu lënë kështu hapësirën të gjithë vizitorëve që të shijojnë përkrenaren e Skënderbeut që gjendet në qendër të këtij gardhi. Për ta sjellë këtë ekspozitë në një format multidimensional, e për të përfshirë shumë qasje artistike, piktori Berisha thotë se në këtë ekspozitë i ka shkrirë të gjitha përvojat e tij qoftë ato në skenografi teatrale, në filma, si regjisor i shfaqjeve për fëmijë, e përvojat e tjera në pikturë e ekspozita. “Pjesa e performancës mendoj se e ka begatuar pjesën tjetër të ekspozitës, më vonë me zhvillimin e idesë kemi menduar që edhe gardhin mos ta lëmë statik, ku kemi futur edhe elemente shtesë që i japin një dinamikë atij”, tha artisti Berisha.

Ai krejt në fund tha se planet e tij janë që këtë ekspozitë ta zhvendosë edhe në hapësira të tjera më të gjera, duke shtuar se shpreson në jetëgjatësinë e ekspozitës ashtu siç është me instalacion e elemente të tjera. / KultPlus.com

Fjalët e fundit dhe kafeja e djegur e Faik Konicës

Për shqiptarin më të veçantë në historinë tonë, edhe vdekja ashtu duhej të ishte. Nuk e prishi rregullin Faik Konica në momentet e fundit të jetës së vetë.

Është e shkruar nga studiuesi i njohur i tij, Nasho Jorgaqi, që një ditë më parë se t’i ndahej shpirti nga trupi, Konicës iu dogj kafeja në dhomën e tij. Dhoma iu mbush me tym dhe u deshën ca minuta të mira të vendosej normaliteti.

“Nuk më duket shenjë e mirë kjo”, mësohet t’i ketë thënë Nolit. Por, çudia nuk mbaroi këtu. Hëngri drekë të rëndë, një bërxollë shumë të madhe dhe kur mbaroi tha: “Nuk do ha mish për tri ditë”. Por, në mbrëmje ai vdiq nga një atak në zemër.

Megjithatë, historia e fjalëve të fundit apo testamentit që ka lënë Konica nuk mbaron këtu.

Deri më sot ekzistojnë dokumente dhe dëshmi që Konica të ketë lënë një testament, sipas të cilit nuk do ta treste dheu nëse nuk do ta varrosnin në atdhe. Këtë e ka përforcuar Fan Noli, i cili në disa letra dërguar Enver Hoxhës i ankohej se Faikun e kishte në “dollap”, domethënë në morg, dhe shteti shqiptar duhet të financonte varrimin në atdhe. Por, Enveri e kishte shpallur armik me kohë Konicën dhe nuk e bëri këtë.

Mbështetur në këtë dëshmi, në vitin 1995, eshtrat e Konicës rivarrosen në Shqipëri në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës. Mendohet se testamenti i është lënë Sejfulla Malëshovës dhe kjo është përmendur, por për hir të vërtetës, testamenti origjinal i tij nuk është botuar asnjëherë. / KultPlus.com

I biri e kujton Fehmi Aganin në 86 vjetorin e lindjes (FOTO)

Mentor Agani e ka përkujtuar sot babain e tij Fehmi Aganin në 86 vjetorin e lindjes së tij.

Mentori e ka publikuar një fotografi të Aganit kur ka qenë i ri.

Fehmi Agani ka lindur më 23 janar të vitit 1932 në Gjakovë dhe është vrarë më 6 maj të vitit 1999 nga forcat serbe.

Fehmi Agani në Gjakovë mbaroi shkollimin fillor, ndërsa të mesmin e kreu në Prishtinë. Studimet për filozofi i mbaroi në Universitetin e Beogradit. Studimet pasuniversitare në shkencat politike i mbaroi poashtu në Universitetin e Beogradit, duke marrë gradën shkencore Magjistër i shkencave politike me temën Pjesëmarrja e punëtorëve në procesin e vendimmarrjes në Gjermani, më 1965.

Gradën doktor i shkencave të sociologjisë e mori në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës më 1973, duke mbrojtur me sukses tezën Partitë dhe grupet politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Më 1993 u zgjodh anëtar korrespondent, ndërsa më 1996 anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Akademik Fehmi Agani ishte bartës i shumë dekoratave, ndër të cilat edhe i Dekoratës Urdhri i Lartë Skënderbeg me të cilën e dekoroi presidenti i Shqipërisë dhe Urdhri i Lidhjes së Prizrenit me të cilën e ka dekoruar kryetari i Kosovës.

Për idetë dhe angazhimet e tij për çlirimin e Kosovës, u vra afër Lipjanit nga forcat ushtarake e policore serbe më 6 maj 1999 . Fehmi Agani ishte nënkryetar shumëvjeçar i LDK-së dhe deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

Osho, rrëfimi mbi egon dhe parajsën

“Ai tregimi i lashtë biblik është i tejmrekullueshëm: Adami dhe Eva janë të përzënë nga kopshti i Edenit sepse kanë ngrënë pemën e ndaluar – pemën nga trungu i diturisë. Kjo është një nga parabolat më të bukura në botë.
Përse pema nga trungu i diturisë ka qenë e ndaluar? Thjesht për atë se me diturinë vjen egoja. Posa ta dini se jeni, keni rënë. Ky është mëkati burimor.
Kurrkush Adamin dhe Evën s’i ka larguar nga parajsa. Po atë moment që janë bërë të vetëdijshëm për veten, për veçantitë e veta, kopshti parajsor është zhdukur. Për sy të tillë, sy të mbushur ego, parajsa nuk mund të ekzistojë.
Nuk është fare e saktë se ata janë përjashtuar nga parajsa – parajsa është këtu dhe tash. Aty është, skaj jush. Ajo parajsë ju përcjellë kudo që ju të shkoni, por ju nuk mund ta shihni. Po qe se egoja zhduket, Kopshti Parajsor përsëri bëhet i dukshëm. Përsëri jeni në të. Edeni është i zbuluar. Kurrë as që keni qenë jashtë tij.”

OSHO

U nis me urgjencë në spital, kjo është gjendja e Tinka Kurtit

Aktorja e madhe shqiptare Tinka Kurti është shtruar paraditen e sotme me urgjencë në spital, por gjendja e saj aktualisht është e stabilizuar, ndonëse nën kujdesin maksimal të mjekëve të Spitalit Amerikan.

Burime nga ky spital pohuan për “Gazetën Shqiptare” se zonja Kurti është shkëputur nga provat ku ka qenë paradite, pasi ishte planifikuar që të interpretonte në operën e famshme “Carmen” të baritonit Gëzim Myshketa.

Madje ka qenë ky i fundit që e ka shoqëruar aktoren e madhe që një muaj më parë mbushi 85 vjeç në spital.

Ajo ndodhet në terapi për të trajtuar një infeksion pulmonar. Po kështu do t’i nënshtrohet një sërë ekzaminimeve të tjera.

Por mjekët e këtij spitali pohojnë se gjendja e saj është nën kontroll.

Disa nga thëniet më kuptimplote të Arthur Schopenhauer

“Ai që shkruan për budallenjtë, audiencën e lartë e ka të sigurtë.”

“Kur e bleni një libër, ju në mënyrë optimiste mendoni se po e bleni edhe kohën për ta lexuar atë.”

“Njerëzit e mëdhenjë janë sikur shqiponjat; ata i ndërtojnë folet e tyre në lartësitë e vetmuara.”

“Të gjitha të vërtetat e mëdha kalojnë nëpër tre faza: fillimisht ato përqeshen, pastaj ato kundërshtohen dhunshëm dhe në fund ato pranohen si vetë – evidente.”

“Pasuria është si uji i kripur, sa më shumë të pish, aq më i etur je. Kjo vlenë edhe për lavdinë.”

“Dhembshuria për kafshët është e lidhur ngushtë me mirësin e karakterit, dhe mund të pohohet me siguri se ai që është mizor me kafshët, nuk mund të jetë kurrë njeri i mirë.”

“Secila dashuri, sado qiellore të duket, rrënjët e saj i ka në instiktin seksual.”

“Një njeri mund të jetë vetja vetëm për aq kohë sa ai është i vetëm; dhe nëse ai nuk e don vetminë, ai nuk do ta dojë as lirinë; sepse vetëm atëherë kur ai është i vetëm, ai është vërtetë i lirë.”

“Asgjë nuk mund të jetë e bukur pa të vërtetën.”

“Zakonisht është humbja ajo që na bënë ta dim vlerën e gjërave.”

“Një shkallë e lartë e intelektit priret ta bëjë njeriun të pashoqërueshëm.”

““Natyra e tregon se me rritjen e inteligjencës vjen e rritur edhe aftësia për të ndjerë dhimbje dhe se vetëm në shkallën më të lartë të inteligjencës, dhimbja e arrit pikën e saj supreme.”

““Doktori e sheh të gjithë dobësinë e njeriut, gjykatësi e sheh të gjithë ligësinë dhe teologu të gjithë budallallëkun e tij.”

““Talenti e godet shënjestrën të cilën askush nuk mund ta godas. Gjeniu e godet shënjestrën të cilën askush nuk mund ta shoh.”

“Ne rrallë mendojmë për atë që e kemi, ndërsa shpesh për atë që na mungon.”

“Njerëzit e zakonshëm thjeshtë mendojnë se si duhet ta shpenzojnë kohën e tyre; I talentuari tenton ta përdor atë.”

– Arthur Schopenhauer

Eugent Bushpepa, në muajin prill performon në Amsterdam

Kjo është mundësia e parë e këngëtarit Eugent Bushpepa që të afrohet me adhuruesit e tij nga tërë Evropa.

Këngëtari shqiptar që do të përfaqësojë Shqipërinë këtë vit në Eurovizion, ka konfirmuar pjesëmarrjen në “Eurovision in Concert” në Amsterdam.

Eurovision in Concert mbahet çdo vit, ndërsa në të marrin pjesë këngëtarët që do të këndojnë në Eurovizion.
Bushpepa do të jetë i pranishëm në koncertin e datës 14 prill në AFAS Live në Amsterdam. Ky është edhe koncerti më i madh jashtë Eurovizionit, por me këngëtarë të këtij festivali, shkruan KultPlus.

https://www.youtube.com/watch?v=ZuZoTKTbwUA

Eugenti është i pari këngëtar që ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në këtë organizim. Bushpepa në dhjetor të 2017-tës e fitoi Festivalin e Këngës në TVSH me këngën “Mall” dhe kësisoj do të provojë të sjellë rezultat të mirë për Shqipërinë në Eurovizion.

Eurovision in Concert ditëve në vazhdim do ti bëjë publik edhe emrat e këngëtarëve tjerë që do të jenë pjesë e koncertit.

Ende nuk dihet se në cilat vende Bushpepa do të udhëtojë për të promovuar këngën e tij përfaqësuese. / KultPlus.com

Ah, krizat e tua…

Poezi e shkruar nga Edmond Tupja.

Ah, krizat e tua,
dhimbje e sfidë
janë për mua!

Që t’u ngjitem,
të mos u shqitem,
pa ngurrim t`u vërtitem,
pa pushim të përpëlitem,
për ty pa fund të vritem.
Kundër tyre të kacavirrem,
gjer në gjak gjatë të çirrem,
mendtë mos më merren,
fuqitë të mos më bjerren,
sytë të mos më erren,
shpresat të mos më teren.

Ah dhimbje e sfidë
janë për mu
Krizat e tua!

Hafsa Zyberi, zëri që e kënaqë shpirtin e zemrën (VIDEO)

Një prej këngëtareve që kënaqë zemrën e shpirtin, Hafsa Zyberi për vite ka sjellë këngë dhe emocione që nuk arrin ti fshijë askush.

“S’paske pasë një pikë mëshire”, “Ti pëlqeva ato sy” dhe “Balluket e tuja” janë disa prej këngëve të cilat Hafsa i ka ‘qëndisur’ me zërin e saj magjik.

Folklori shqiptar nuk do të ishte i njëjtë pa Hafsën, njëjtë sikur se këto këngë nuk do të ishin të njëjtat po ti këndonte dikush tjetër.

Afër Bibilit të këngëve të Shqipërisë së Mesme, Hafsës, janë edhe Nexhmije Pagarusha e Fitnete Rexha, secila me një botë tjetër që nuk përtuan ta ndajnë me shqiptarët dhe pasionantët e muzikës.

Ajo është nëna e këngëtares Fatma Zyberi dhe mësuesja e Merita Halilit, mes tjerash. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=aVae3yi3134

Poezi e Nënës Terezë për gruan

Vargje të shkruara nga Nënë Tereza

Mos harro se lëkura rrudhet,
e flokët mbulohen me borë;
Ditët bëhen vite…
por më e rëndësishmja
nuk ndryshon kurrë!

Forca jote e bindja jote s’njohin moshë.
Shpirti yt e shtrin pëlhurën e merimangës
që mosha ta endi mbi fytyrë!

Pas çdo pikarritje, ka një pikënisje.
Pas çdo suksese, një zhgënjim.
Përderisa je gjallë, gjallëro!

Në qoftë se të mungon çka bëje më parë,
bëje përsëri,
mos rri duke parë fotografi
të zverdhura nga koha!
Mos e lerë të ndryshket hekuri
që ke brenda vetes.

Sillu në mënyrë që, në vend të mëshirës,
të gëzosh respekt.
Kur të rëndojnë vitet e s’mundesh më të vraposh,
ec shpejt.
Kur s’do të mundesh as të ecësh shpejt,
ec!
E kur as të ecësh s’do të mundesh,
përdore shkopin e shko…
Veç për t’u ndalë,
ti kurrë mos ndalo!

Akademik Rexhep Ismajli, anëtar nderi i Shoqatës së Linguistëve të Amerikës

Akademik Rexhep Ismajli është zgjedhur anëtar i përhershëm nderi i Shoqatës së Linguistëve të Amerikës (Linguistic Society of America (LSA) që është institucioni më i rëndësishëm shkencor për çështje të gjuhësisë.

Njoftimi është dërguar të martën nga drejtoresha ekzekutive e LSA-së Alyson Reed. Akademik Ismajli do t’i ketë të përjetshme statusin dhe përfitimet e anëtarësisë.

“Kushtetuta jonë thotë se ‘një studiues i huaj i shquar në fushën e studimeve gjuhësore e që nuk është banor i SHBA-së, mund të zgjedhet anëtar nderi i Shoqatës, në bazë të rekomandimeve të Komitetit Ekzekutiv’”, ka shkruar drejtoresha Reed në letrën e njoftimit për anëtarësimin e Ismajlit.

Linguistic Society of America (LSA) është themeluar më 1924 dhe shërben për promovimin e studimeve shkencore në fushën e gjuhësisë. Është pandan i Akademisë së Shkencave për çështje të gjuhësisë. Boton dy revista, ndër më prestigjiozet në botë: “Language” dhe “Semantics and Pragmatics”.

Rexhep Ismajli (1947) është anëtar i ASHAK-ut që nga viti 1993. Ndër anëtarët e tjerë të nderit të LSA-së janë disa nga autoritetet më të mëdha të gjuhësisë botërore përfshirë: Michael Halliday, John Lyons, Randolph Quirk, Wolfgang Dressler e Peter Trud. / KultPlus.com

Cilin libër nga Fatos Kongoli e pëlqeni më shumë?

Për Fatos Kongolin, është më mirë të flitet pak, se vetë librat e tij flasin shumë.

Një prej atyre shkrimtarëve që nuk e do fort kamerën dhe paraqitjet, por më shumë penën e shkrimit dhe fletën e bardhë, Fatos Kongolin e kemi takuar shpesh në personazhet e tij.
Shumë prej nesh, kemi pasur fatin të lexojmë diçka nga imagjinata e mendjes së tij, shpalosur në personazhet e librave të tij.

I nisur për matematicient, një shkrimtar si Kongoli nuk është rastësisht në vendin letrar shqiptar, aty ku edhe përket.

I lindur në Elbasan në vitin 1944, Kongoli ka nisur të shkruajë në vitet 70-të, dhe me të njëjtin zell duket se vazhdon të shkruajë edhe sot. Derisa e pyesim lexuesin tonë se cili libër i Kongolit është më i pëlqyer, i sjellim këtu tre libra të Kongolit, prozë që ja vlen të lexohet për ti zbuluar historitë që më pas do të na mbesin në mendje gjatë.

I HUMBURI
Romani hapet me përshkrimin e ikjes së mijëra shqiptarëve, në mars të vitit 1991, nga Shqipëria. Ikje jo aq nga rreziku i persekutimit policor, ngase regjimi totalitar ishte në shembje e sipër, sa nga vendi ku ishin shtresëzuar pasojat e sundimit të këtij regjimi. Libër i vitit 1992, “I humburi” është një libër politik që vë në pah, me anë të mjeteve letrare, botën e personazheve kongol-iane. Njëri nga këto mjete ka të bëjë me figurat e ndryshme të kafshës dhe lidhjet e tyre me trajtat e vdekjes që shpalosen në këtë roman.

JETË NË NJË KUTI SHKREPËSESH
296 faqe që do të duhet ti lexojmë sa më mirë e më ngadalë. Autori kërkon rrënjët e skizofrenisë kolektive, që ka shoqëruar dhe vazhdon të shoqërojë ecjen e shoqërisë së sotme shqiptare, veç të tjerash, edhe në përmasat e ndrydhura të hapësirave të saj të jetesës. “Hapësirën njeriu e ka brenda vetes. Edhe lirinë, apo mungesën e lirisë. Mund të them se unë sot gjej lirinë time vetjake. Kaq”. Diku, në një apartament luksoz, në një prej pallateve të larta më të reja të kryeqytetit ndodh një krim. Vrasësi është një gazetar, pronar i apartamentit, i cili, pas një bashkëjetese prej dy vjetësh, sapo është ndarë me mikeshën e tij, gjithashtu gazetare, drejtuese e një emisioni të përjavshëm televiziv me VIP-a. Romani zhvillohet në dy kohë.

ILUZIONE NË SIRTAR
Ky “pothuajse roman”, me personazh qendror vetë autorin, na sjell pamje të papërsëritshme epokash, të djeshme dhe të sotme, dhe një varg protagonistësh të letërsisë shqipe, të kulturës, arteve dhe politikës etj., ashtu siç i ka njohur autori, që nga fëmijëria e hershme e deri më vonë, në kohë të qeta dhe të trazuara, gjatë periudhës së diktaturës e pas saj. Për herë të parë Kongoli i kthehet këtu disa episodeve traumatike e të rëndësishme në jetën e tij. / KultPlus.com

“I inkurajoj bizneset dhe të interesuarit që të sponsorizojnë në kulturë…”

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar Rregulloren për përcaktimin e kritereve, procedurave dhe formës për vërtetimin e sponsorizimit në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, përmes së cilës përcaktohen kriteret e përgjithshme dhe të veçanta për sponsorizime, lëshimin e vërtetimit dhe formën e tij si dhe procedurën e raportimit vjetor për sponsorizimin e realizuar.

Sipas rregullores parashihet që dhënësit e sponsorizimit, të cilët mund të jenë persona juridik ose fizik, vendor apo të huaj, aktivitetin e tyre duhet ta kenë të regjistruar, licencuar dhe fiskalizuar ndërkaq përfituesit qofshin ata fizik apo juridik, të këtij sponsorizimi duhet të jenë të regjistruar nëpër organizatat, institucionet përkatëse për kulturë, rini dhe sport qoftë në nivel lokal apo qendror.

Ministri Kujtim Gashi e cilësoi këtë akt nënligjor jashtëzakonisht të rëndësishëm i cili do të ndikojë drejtpërsëdrejti në përkrahjen më të madhe të aktiviteteve që planifikohen të organizohen në fushat e kulturës, rinisë dhe sportit.

“Përmes kësaj rregulloreje qartësohet mënyra dhe procedurat e sponsorizimit për ata që duan ta bëjnë një gjë të tillë. I inkurajoj bizneset dhe të interesuarit e tjerë që të sponsorizojnë në kulturë, rini dhe sport, sepse kësisoj do të rritet numri i aktiviteteve dhe do të avancohen këto fusha. Synojmë që përmes kësaj politike të re do të ngritët edhe cilësia”, tha ministri Gashi. / KultPlus.com

Kur bashkohen Dua Lipa dhe Beyonce! (VIDEO)

Dikujt i është kujtuar se shkojnë shumë mirë bashkë dy këngë të dy këngëtareve të njohura.

“IDGAF” e Dua Lipës dhe “Irreplaceable” e Beyonce janë miksuar kësisoj për të sjellë një melodi, por edhe një videoklip amator të mrekullueshëm.

“Irreplaceable” e Beyonce është këngë e realizuar në vitin 2006 ndërsa kënga e Duas ka vetëm pak ditë që është lansuar.

Në këtë videoklip që po e sjellim poshtë, vetëm një nga qindra të tjerë në Youtube, mund ta dëgjojmë se si tingëllon zëri i Duas në këngën e Beyonce dhe vargjet e këngës së Beyonce në melodinë e këngës së Dua Lipës.

Për vetëm 1 javë, videoja ka marrë 60 mijë shikime. / KultPlus.com