“Mein Kampf”, sukses i jashtëzakonshëm në Gjermani

Në gjashtë botime të njëpasnjëshme, në Gjermani janë shitur tanimë 100 mijë kopje të librit “Mein Kampf” të Adolf Hitlerit.

“Shifrat janë të kënaqshme” tregon drejtori i Institutit të Historisë Bashkëkohore të Munihut, Andreas Wirsching, përgjegjës për botimin e parë të librit që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Edicioni i parë i librit erdhi në vitin 2016-të.

Libri përmban 3700 faqe në origjinal dhe peshon 5.4 kilogram.

Gjithçka në libër fillon me kapitullin “Në shtëpinë e prindërve të mi” ndërsa vazhdon me kapitujt për luftën, revolucionin, racën njerëzore, shtetin, federalizmin si maskë, lëvizjen nacional-socialiste dhe përfundon me kapitullin mbi të drejtën e mbrojtjes emergjente.

Pas vdekjes së Hitlerit, të drejtat mbi librin i kaluan qeverisë së Bavarisë, e cila ndaloi botimin dhe publikimin e librit deri në vitin 2016-të kur nisën edhe debatet e para dhe libri u bë i qasshëm për njerëzit.

Në Indi janë shitur mbi 100 mijë kopje të librit, ndërsa në Holandë shitja e librit është e ndaluar me ligj. Në Turqi libri është kthyer në bestseller. / KultPlus.com

Drita Agolli, regjisorja e parë shqiptare e diplomuar e skenës

Fjalët për Drita Agolli janë plot dritë, njëjtë si emri i saj. Regjisorja e parë shqiptare e diplomuar e skenës, aktorja, profesoresha Drita Agolli, la gjurmë e kujtime me vokacionin e saj, të përmbushura me përjetime të shumta e me përvoja të plota.

Si regjisore, Agolli vuri në skenë të Teatrit Popullor dhe të Operës 13 drama, përveç premierave me studentët e Institutit, ndërsa si aktore interpretoi disa role.

Në vitin 1950 fillon punë në Teatrin Popullor si aktore. Roli i parë i Drita Agollit ka qenë Marieli tek “Zëri i Amerikës” nga Lavrenjev, në vitin 1951.

Ja një pjesë e tregimit të saj në librin “Ecje nëpër kujtesë” me autore Sanije Gashin

Mirëpo, Drita, në fakt, ëndërr jetësore do ta ketë – regjinë. Kështu, si shpirt jo i qetë artistik, studimet e larta për skenografi dhe kostume teatri i ndjek në Institutin e Arteve të Bukura në Bukuresht, ndërsa dy vjet më pas, në vitin 1956, ato për regji teatri në Institutin e Artit Dramatik të Moskës, me emrin Lanacarskit (GITIS), të cilat i mbaron me sukses të lartë.

Kthehet në atdhe, mirëpo zhgënjimi vjen kur ajo, pas katër vjetësh studimesh për regji, detyrohet të punojë si aktore. Atëherë Drita nis punën dhe si pedagoge e jashtme në Shkollën e Lartë për Aktorë “Aleksandër Moisiu” ndërsa me themelimin e Institutit të Lartë të Arteve emërohet pedagoge në degën e dramaturgjisë ku punon krahas personaliteteve të shquara të artit dramatik si Andrea Malo, Kujtim Spahivogli, Mihallaq Luarasi, Esat Oktrova.

Porse Drita më në fund ia arrin ëndrrës së saj në fushën e regjisë.

“Ky profesion më dha mundësinë që të realizoja diçka në jetë, që e bën me pasion, ndërsa kënaqësitë dhe shqetësimet i vijnë si dhe përballimet e tjera, e formojnë si njeri dhe si artist.

Drita Agolli ka botuar një sërë artikujsh kritikë në lëmin e artit skenik, si dhe një libër autobiografik “I paemri”, i pritur ngrohtë nga specialistët e fushës dhe publiku i gjerë. Më 1 tetor 2017, u nda nga jeta Drita Agolli. / KultPlus.com

Lot gazetarucësh

Çun Lajçi

Vajtojnë korbat pelegrinë
Për nji pis njeri
Vra nga pisfisi i vet
Pak t’zeza iu duken pendlat
Këtij soji
T’mitë largqoftë
E t’mitë po
Sa shpirtat i veshën
Gri
Me katër “s” zemrash
Krokodilqe derdhen lot
Për engjëllin vrasës
Lavde i thurën
T’gatshem
Edhe n’varr me hy
Vetëm ai të ngjallej
E shkruan e folën
Si t’ishte shpetimtar
Mo’Zot i Kombit
Këta gazetarucë
Me emna prapanicash
B e B
Krejt amorf.

Moj e bukura More!, nuk është një grua a një dashuri

Moj e Bukura More! Shumë e këndojnë por pak e dinë se kujt i kushtohet kjo këngë. More! Është një pasthirrmë?!… një vajze e bukur?! Jo!

More është Peloponezi i sotëm i Greqisë. Sipas një studimi të botuar në Itali në vitin 1886, nga filologu arbëresh Dhimitër Kamarda, More është një trevë e madhe së cilës grekët i kanë ndryshuar emrin dhe e kanë kthyer në Peloponezi.

Kënga O e bukura More… memorizon kujtesën e madhe të një atdheu të humbur. Sipas filologut arbëresh është një toponim i këtij vendi nga ku u larguan shumica e arbëreshëve të sotëm të Italisë.

I vetmi dokument i kësaj kënge, është si material në librin e shkruar prej filologut arbëresh Dhimitër Kamarda i cili jetoi në vitet 1821-1882. Ai e ka botuar librin me titull: “Appendice Al Saggio Di Grammatologia Commprata Sulla Lingua Albanese”, dhe është publikuar nga shtëpia botuese “F. Albergueti E.C.” në vitin 1866. Në këtë libër është publikuar për herë të parë teksti i kësaj kënge i shkruar në shqip.

Në libër sqarohet se teksti burimor popullor me ritëm tresh është i vetmi version dhe tekst origjinal i këngës “O e bukura More… Kjo këngë këndohet prej 600 vitesh dhe ka marrë më shumë përmasat e një këngë mërgimtarësh e njohur dhe shumë e dashur jo vetëm për arbëreshët por edhe për arvanitasit e Greqisë dhe shqiptarët e të gjitha trevave.

Një version i jashtëzakonshëm i këngës arbëreshe “O e Bukura More”, vjen përmes interpretimit mjaft interesant të dy artistëve të njohur Italian, Lavinia Mancusi, Gabriele Gagliarini. / KultPlus.com

Ti je e lodhur

Poezi nga Edward Estlin “E. E.” Cummings. / Përktheu Beti Njuma

Ti je e lodhur,
(mendoj)
nga ky mister i vazhdueshëm i të jetuarit e vepruarit.
Edhe unë.

Ndaj,
eja me mua
të ikim larg e më larg-
(veç unë dhe ti, kupton!)

U argëtove,
(mendoj)
dhe i bëre copë e çikë lodrat e tua më të shtrenjta,
e tani disi e lodhur je;
E lodhur nga gjërat që thyhen, dhe-
Thjesht e lodhur.
Edhe unë.

Por sonte vij me një ëndërr në sytë e mi,
dhe trokas me një trëndafil në portën e pashpresë të zemrës sate-
Hapma!
Do të të rrëfej për vende që Askush s’i di,
e nëse do,
vendin e përsosur për të marrë një sy gjumë.

Ah, eja me mua!

Hënën do ta shfryj, atë bulë të mrekullueshme,
që kurdoherë pluskon dhe një ditë;
do t’këndoj këngën e zymbylit
të yjve të mundshëm;

Do kuturis nëpër stepat e qetë të ëndrrës
derisa të gjej Lulen e Vetme
që do ta ruajë (mendoj) zemrën tënde të vogël
kur hëna del nga deti.

Një “poet në shumës”, Fernando Pessoa

Mund të mendojmë për një galaksi kur flasim për Pessoa-n: ai është një, dhjetë, një mijë. Është një “poet në shumës”, “një kontradiktë e gjallë”: janë përdorur numra, cilësorë për të bërë të mundur përcaktimin e këtij autori të pakapshëm

Mund të mendojmë për një galaksi kur flasim për Pessoa-n: ai është një, dhjetë, një mijë. Është një “poet në shumës”, “një kontradiktë e gjallë”: janë përdorur numra, cilësorë për të bërë të mundur përcaktimin e këtij autori të pakapshëm.

Duhet fillimisht të pyesim veten se cili është Pessoa. Mbiemri i tij (që do të thotë “person”) duket se jep një përgjigje të përafërt, por përsëri mbetet enigmatik. Pseudonimet kanë bërë që të shpërthejë “miti i Pessoa”-s: pranë Ricardo Reis-it, helenisti; Alvaro de Campo-s, avangardisti; Alberto Caerio-s, “mjeshtri”; Bernardo Soares, autori i librit Shqetësimi, që ndër vite na vjen në edicione të reja dhe me interpretime të reja, ekzistojnë të paktën shtatëdhjetë “alias”që shoqërojnë këtë autor.

ULIKSI
Ç’është miti? Asgjëja që është gjithçka!
Është i njëjti Diell që përhapet qiejve –
Mit drite i heshtur –
Trup i gjallë i Zotit,
Por edhe i vdekur dhe lakuriq!
Uliksi që përherë bujti
Njësoj si të mos qe i pranishëm
Edhe pa ekzistencë qe krejt i mjaftueshëm
Erdhi për të mos qenë i ardhur
E na krijoi!
Kështu miti ndërfutet
Në realitet, duke e pllenuar,
Pastaj gjithçka rrjedh
Në uljen e jetës
Pjesa e asgjësë vdes!

Pessoa, fillimisht përkthyes për shoqëri import-eksporti, do të bëhej një nga nxitësit kryesorë të modernizmit portugez. Për herë të parë, me të, por gjithashtu edhe me pseudonimet dhe personazhet e gjalla që e rrethojnë (Almanda Negreiros dhe Mario de Sa-Carniero, ndër të tjerë), letërsia portugeze eci me kohën e saj. Me vdekjen e tij, librat e tij janë thuajse të panjohur, ndërsa artikujt e tij në gazeta dhe revista janë të famshëm. “Rasti Pessoa” shpërthen fillimisht në vitet 1940 në Portugali, dhe njëzet vjet më vonë në Europë e më pas në botë. Që atëherë, nuk është reshtur kurrë së publikuari çka është gjetur në vargun e madh ku kish grumbulluar, me shumë imtësi, një pjesë të madhe të prodhimtarisë së tij (më shumë se 25000 tekste!).

Si ta ravijëzosh një autor, i cili shkruan: “Unë jam në pjesën më të madhe vetë proza që shkruaj”? Apo: “Jam bërë personazh romani, një jetë e lexuar.”? Si të flasësh kur ai kish deklaruar vetë përmes fjalëve të Alberto Caeiro-s, një nga identitetet e tij: “Nëse pas vdekjes sime, do të doni të shkruani biografinë time, s’ka gjë më të thjeshtë. Ka vetëm dy data – ajo e ardhjes sime në botë dhe ajo e vdekjes sime. Midis të dyjave, të gjitha ditët më përkasin”.

Përktheu: Bisej Kapo

Korzoja e Divan Jollit, aty ku dikur zhvilloheshin miqësitë (FOTO)

Në kohën e Shqipërisë, korzoja – shëtitorja ka qenë në rrugën e Divan Jollit, nën drurët freskues në të dy anët përgjatë rrugës. Aty dilnin meshkuj e femra, po jo edhe shqiptaret. Motrat Hasan Beu, meqë e kishin shtëpinë në atë rrugë, përskaj, po i sodisnin ato ecejake të kohës.

Më vonë, korzoja është mbajtur në qendër të Çarshisë së Vjetër, në rruan me kalldrëm që çonte te posta e dikurshme (tashti ndërtesa e Qeverisë dhe e Kuvendit të Kosovës), ndërsa pak më vonë kalon në rrugën e sotme Nëna Terezë, dhe niste nga teatri deri përtej ndërtesës së Komitetit të Atëhershëm.


Fotografi: Facebook / Prishtinalia

– Ama, në kohën e Shqipërisë, ishte lezet, nuk di ta përshkruaj atë kënaqësi! – shprehet zonja Zhyzide me memorie shumë të kthjellët. – Ne, robërit, ishim zgjuar, kishim shpëtuar! Pastaj, e tërë Shqipëria erdhi këtu të na shkollonte. Ne nxënësit, kishim gardërobë të bukur shkollore: fund të zi, xhaketë të bardhë, shall kuq e zi, edhe në gërshet vinim fjongo kuq e zi! Prof. Luan Gashi na e mësoi himnin – Rreth flamurit të përbashkuar… Ah sa e bukur ishte!

Bile, Luani, djalë i ri, para se të ikte në Amerikë ka qenë fshehur në Gërmi, se aty ka qenë selia e Ballit Kombëtar.
Korzoja e mëvonshme, nga vitet 60-të e këndej, ishte thjesht institucion social, që sot aq shumë po mungon.
Netët e verës lënë vend për përsiatje të tilla dhe shumëkush nga brezat e dikurshëm me nostalgji kujton kohën kur korzoja e Prishtinës ishte vendi më i parapëlqyer dhe i vetmi ku takoheshin të rinjtë, ku zhvilloheshin miqësitë, lindnin dashuritë..

Burimi: Sanije Gashi – Prishtina e fëmijërisë sime / KultPlus.com

( Asokohe femra i takonte hapësirës së brendshme, përderisa jeta publike i takonte meshkujve. Dy indet – rrugët kryesore që e ndikuan zhvillimin e atëhershëm ishin: “divanjolli”, apo indi lindje – perëndim që vinte nga Taukbahçja dhe kalonte mu përmes qendrës së qytetit në Prishtinë, ku zinte vend çarshia dhe vazhdonte deri te stacioni i vjetër i trenit (në Arbëri) i njohur si indi i jetës publike në qytet. Indi tjetër veri – jug ishte më shumë i një rëndësie ekonomike për qytetin, përmes të cilit, karvanët kalonin për në qytetet e tjera të rëndësishme të Ballkanit. Përgjatë kohës kjo rrugë do të shndërrohej në një bosht të zhvillimit fizik të qytetit ) – http://onupmagazine.com/2012/07/3174/

Letrat e dashurisë që Melisa e Alzeida i dërgonin Skënderbeut

“Mos harro, dashuria e sulltan Muratit për mua nuk do të më bëjë kurrë të harroj që dikur ju kam pas dashuruar …”. Me këto rreshta, Melisa, e preferuara e sulltan Muratit, mbyll letrën e shkruar pas mesnate për princin shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Ndërsa jehona e emrit dhe forcës së tij po rritej brenda Perandorisë Otomane, po kështu po rritej dhe rreziku që vinte nga xhelozitë brenda oborrit. Por Melisa donte ta mbronte me forcën e një gruaje që kërkon ta ruajë nga çdo gjë dashurinë e saj.

Ajo nuk ishte veçse e bukura e sulltan Muratit, por dhe gruaja që kujdesej të kapte në kohë çdo rrezik që mund t’i kanosej të dashurit të saj sekret … “Skënderbeu ose aventurat e princit të Shqipërisë” quhet romani që gjendet në arkivat e Bibliotekës Kombëtare që daton në vitin 1732. I botuar për herë të parë në Francë, për shumë vite libri do të kthehej në një nga romanet më të përfolura në sallonet parisiene.

Kjo, pasi personazhi kryesor i kësaj romance të shkruar thjesht, ishte një prej figurave më të rëndësishme të Europës së shekullit XVI-XVII. E frymëzuar nga heroizmi, por dhe portreti i një burri që kishte mundur të rebelohej ndaj Perandorisë Otomane dhe të ngrinte fortesën në vendlindjen e tij, Shqipëri, kjo shkrimtare anonime ka dashur ta shohë më thellë këtë personazh.

Përtej ambicieve për pushtet, ajo kërkon të hulumtojë brenda psikikës së Skënderbeut si një burrë i pashëm, i gjatë dhe që ëndërrohej nga çdo vajzë e asaj periudhe. Ai ishte princi ideal që çdo vajzë do të donte t’i mbërrinte një ditë në derë. Por në këtë roman, është sulltanesha bullgare me emrin Alzelidë që e dashuron atë. Romani është i ngritur mbi intrigën, gjë e cila ishte normale brenda një perandorie të madhe.

Është Melisa ajo që nëpërmjet një letre e njofton Skënderbeun për dashurinë që Alzelida ka për të. Por qëllimi i Melisës nuk ishte vetëm lumturia e Skënderbeut, por dhe eliminimi i një rivaleje në sytë e sulltan Muratit. Ja çfarë i shkruan ajo: “Nuk mund të rri pa ju lajmëruar, o trimi Skënderbej, që të ruheni nga joshjet e sulltanës Alzelide. Nuk ka në saraj asgjë që të mund të krahasohet me atë për sa i përket bukurisë, ndonëse sulltani nuk ka dhënë akoma asnjë shenjë që të ndiejë dashuri ndaj saj.

Shikimet e saj, ngulur mbi ju, gjatë ndeshjes, ndrojtjen që ajo shfaqte gjatë çdo rreziku që ju kërcënonte, më kanë bindur krejtësisht që ajo ju dashuron. Po kjo ndrojtje po më detyron gjithashtu të zbuloj para jush një dashuri, të cilën ajo nuk do të guxonte kurrsesi t’ua shfaqte vetë. Prandaj shikoje nesër në ballkon, nëse jua lejon shëndeti. Ajo do të gjendet në ballkon po në këtë orë bashkë me mua. Ju lutem që të më njoftoni nëpërmjet të njëjtin eunuk, vullnetin tuaj”.

Pasi lexon këtë letër, Skënderbeu del që të nesërmen në ballkon të sarajit, ku me sy të magjepsur për herë të dytë ai ishte goditur rëndë nga bukuria e sulltaneshës Alzelidë. Ajo iu duk një mijë herë më e bukur nga ç’i ishte dukur, ndonëse kishte rënë tashmë në dashuri me të, që në kohën kur sulltani ia kishte hapur sytë mbi të gjitha kryeveprat e bukurisë.

Më pas ai ulet dhe i kthen përgjigje sulltaneshë Melisës, duke i thënë se: “Skllav i vockël i një Zotërie kaq të Madh, a mundem vallë të shpresoj për të marrë nga dora e saj një thesar kaq të çmueshëm, të cilin tërë gjaku im i derdhur nuk do ta meritonte kurrë? Në rast se fatmirësi e tillë më ndodh, këtë ia detyroj mirësisë tënde, si dhe asaj të tim zoti për tërë çastet e jetës sime, të cilët nuk do t’i shpenzoj veçse për prodhimin e lavdisë së armëve të tij …”. Pasi mori këtë përgjigje Melisa nuk mendonte gjë tjetër veçse si ta çonte deri në fund planin, për të bashkuar Skënderbeun me Alzelidën.

Skënderbeu kthehet i gjithi në një burrë romantik, kur Alzelida mbërrin në sarajin e tij. Ja si e përshkruan shkrimtarja momentin kur ai i duhet t’i ngrejë vellon mbi ballë. “Nëse një fatkeqësi e papritur na godet aq rëndë sa të na ngrijë ndjenjat, befasia dhe gëzimi i qejfeve, për shkak të një akti të kundërt, na merr gojën dhe nuk na lejon që të veprojmë.

Pikërisht një gjë e tillë i ndodhi dhe princit të Shqipërisë, të cilit iu desh shumë kohë që ta merrte veten nga kjo habi e madhe: gjuha e tij penguar e tëra nga emocionet nuk mund të shpjegohej; kishte mbetur fare e palëvizur; por, pas ca kohësh, ai i foli kështu së bukurës Alzelidë: Cila do të ketë qenë ajo Zanë e mirë që, për të më bërë më të lumturin e burrave, ma ka zbritur këtë yll që nga qielli dhe cili delfin mizor, o zonjë e madhe, po e ndryshon fatin tuaj të lumtur për hir të një skllavi fatkeq, të cilin po e lumturojnë me një dhuratë që ai nuk e ka merituar? …

Zonjë e madhe, i tha ai, unë nuk do ta quaja asgjë, lavdinë e një dueli; të cilën i tërë gjaku im nuk do të kishte mjaftuar për t’Ju merituar, në qoftë se nuk do të shpresoja që dashuria ime e pamasë do të më bënte të denjë për një thesar kaq të çmuar? Ah, Alzelida ime e bukur! – vazhdoi ai, të lutem me përgjërime të mos e refuzosh lutjen time për ta hequr atë vello që ma mbulon nurin e bukurisë tënde dhe nuk do të abuzoja aspak me pushtetin e sulltanit, i cili të bën timen, o e bukura Alzelidë, në kundërshtim me dashurinë.

Antonio Xonkarda ka shkruar më shumë se dy shekuj më parë një tjetër roman dashurie për Skënderbeun. Duke treguar rrugën e prijësit shqiptar drejt triumfit ndaj Perandorisë Osmane, ai ndalet në një histori dashurie që e bën të kthejë sytë nga Stambolli. Është Zulejka, vajza e Sulltan Muratit, ajo që i ka rrëmbyer zemrën. “Skënderbeu e deshi Zulejkën. Turkesha me sytë e zinj dhe flokët që i binin lehtë mbi qafën e hollë e kishte magjepsur qysh fëmijë. Mbrëmjeve ai lutej për portretin e saj dhe mëngjeseve nuk mendonte gjë tjetër veç të shihte siluetën e saj larg tek ecte me fustanin e gjatë në kopshtin e oborrit mbretëror. Dashurinë ia shprehu përmes letrash.

Në kartën e bardhë i shkroi me duart që i dridheshin gjithë atë çfarë zemra e tij mbante brenda prej vitesh. I tha se ishte gati të bënte luftëra dhe do të ishte gjithnjë një kalorës i denjë për dashurinë e saj. Ajo i ruante me kujdes letrat të gjitha bri shtratit ku flinte, derisa një mbrëmje doli fshehurazi nga pallati për të shkuar aty ku ushtari i pashëm nga Shqipëria flinte, për t’i thënë se zemra e saj i përket të tijës”, shkruan Xonkada.

Por kthimi në Shqipëri, pas vdekjes së të atit, do të ishte fatal për dashurinë mes tyre. Shkrimtari italian tregon se Skënderbeu i ruajti gjithmonë letrat e shkruara nga Zeljeka. Por ndërsa shkrimtarët e huaj, të ndërtojnë jo vetëm një hero, por edhe një dashnor të madh, në historinë e letërsisë shqipe romanet kushtuar Skënderbeut janë të karakterit patriotik. Janë të shumtë librat kushtuar këtij personazhi. Gjergj Zheji, do të përjetonte këtë personazh në romanin “Kalorësi i Skënderbeut”.

Dramaturgu spanjoll, Luis Velez de Guevara do të shkruante tri komedi rreth Skënderbeut. Komedia e parë do të shkruhej në vitet 1608-1610 me titullin “Ushtari shqiptar”, e dyta “princi Skënderbe”, e shkruar në periudhën 1620-1628, dhe e treta “Princi sllav” më 1629. Më 1634, shkrimtari Giambattisa Basile do të shkruante një libër frymëzuar nga Skënderbeu. Janë të pafundme krijimet letrare frymëzuar nga historia e Skënderbeut, një histori e cila është padyshim krenaria jonë. Një pjesë e tyre janë të pazbuluara bibliotekave të botës, të shkruara nga adhurues, apo shkrimtar që panë tek ai modelin më të mirë për personazhin e tyre…

Letër e sulltanës Melisë dërguar Skënderbeut

Nuk mund të rri pa ju lajmëruar, o trimi Skënderbej që të ruheni nga joshjet e sulltanës Alzelide. Nuk ka në Saraj asgjë që të mund të krahasohet me atë për sa i përket bukurisë, ndonëse Sulltani nuk ka dhënë akoma asnjë shenjë që të ndiejë dashuri ndaj saj. Shikimet e saj, ngulur mbi ju, ngjatë ndeshjes, ndrojtjen që ajo shfaqte gjatë çdo rreziku që ju kërcënonte, më kanë bindur krejtësisht që ajo ju dashuron. Po kjo ndrojtje pò më detyron gjithashtu të zbuloj para jush një dashuri të cilën ajo nuk do të guxonte kurrsesi të ju shfaqte vetë. Prandaj shikoje nesër në ballkon, nëse jua lejon shëndeti. Ajo do të gjendet në ballkon po në këtë orë bashkë me mua. Ju lutem që të më njoftoni përmjet të njëjtin Eunuk, vullnetin tuaj.

Përgjigje e Skënderbeut, Sulltanës Melisë

Skllav i vockël i një Zotërie kaq të Madh, a mundem vallë të shpresoj për të marrë nga dora e saj një thesar kaq të çmueshëm, të cilin tërë gjaku im i derdhur nuk do ta meritonte kurrë? Në rast se fatmirësi e tillë më ndodh, këtë ia detyroj mirësisë tënde si dhe asaj të Tim zoti për tërë çastet e jetës s’ime të cilët nuk do t’i shpenzoj veçse për prodhimin e lavdisë së armëve të tij:

Skënderbej

Letër e Alzelidës

Nuk jua fsheh, Imzot, ngjarjet që pak më parë e tronditën shpirtin tim, katër vjet e mbyllur me kyç në Saraj; e braktisur në dhembjen time, duke përjetuar një jetë lëngimtare, unë e bekoja Zotin që po më jepte vuajtje, për shkak se atë pak kënaqësi që nuk ia detyroja veçse moshës sime të re, fshiheshin, mbuloheshin e humbitnin nga dhembjet dhe rënkimet e mia, e njëheri i largonin nga unë shikimet e sulltanit. Kështu që unë jetoja shumë e qetë në mes të një shtrëngatë të madhe, kur natyra, në kundërshtim me natyrën dhe qëndrimin tim, atë pak bukuri që kisha dikur, më bëri t’u frikësohesha tekave të tij të padenja. E tillë ishte gjendja e ime, Imzot, kur ju pashë për herë të parë. Çmimi me të cilin sulltani urdhëroi të nderonte Lavdinë tuaj, më bëri atëherë që të mos dëshiroja të shihja tjetër gjë dhe t’ju pëlqeja vetëm syve të tu… Nuk do t’u them aspak se ka qenë dashuria që ma ka nxitur këtë dëshirë. Unë nuk ndiqja tjetër qëllim veçse të dilja nga skllavëria ime e tmerrshme. Cilado situatë, që të ishte ajo, do më dukej më e ëmbël. Këto ishin pra ndjenjat e mia… Por, kur ju pashë me armë në dorë dhe të rrezikuar ndaj furisë së Tartarit nuk rri dot pa jua thënë, ca tronditje shpirtërore sekrete më bënë që të interesohesha për fatin tuaj më shumë nga ju vetë. Ndruhesha tmerrësisht se mos ju humbisja me këtë rast. Kuraja e Juaj e shkëlqyer, më dha të kuptoja se cilat ishin ndjenjat e zemrës suaj. Të tilla mendime i gjallëruan pa masë dëshirat e mia. E parandjenja se ndër duart e juaja do mund të shikoja përfundimin e skllavërisë sime. Isha e sigurt se ju nuk do të abuzonit kurrë mbi një viktimë të dobët e të mjerë. Dhe së fundi mendoja se, duke e lëshuar veten në pellgun e lotëve të mi, vetë ndjenja e nderit do të ju bënte të përbuznit një dhuratë të çmuar e madje dhe t’ia zinte frymën fare dashurisë.

Pesë vjet nga heqja e lapidarit në Preshevë

Janë bërë pesë vjet qëkur forca të shumta të xhandarmërisë serbe hoqën lapidarin e UÇPMB-së në Preshevë.

Pesë vjet më parë më 19 janar 2013 forca të shumta të xhandarmërisë serbe hoqën pllakën me emrat e ushtarëve të vrarë të UÇPMB-së në Preshevë.

Atëherë, herët në mëngjes pjesëtarët e xhandarmërisë bllokuan sheshin ku ishte i vendosur lapidari, ndërsa më pas një ekskavator e hoqi atë.

Lapidari u ngarkua pastaj në një kamion dhe u largua në drejtim të panjohur.

Gjatë heqjes së lapidarit nuk pati ndonjë incident. / KultPlus.com

Ermonela Jaho dhe Placido Domingo bashkojnë forcat në Pekin

Sopranoja Ermonela Jaho do të ngjitet në skenën e Qendrës Kombëtare të Arteve në Pekin në rolin e Thaïs, personazhit kryesor të operës me të njëjtin titull. Ajo do të jetë në krah të baritonit me famë botërore Placido Domingo, që në veprën e kompozitorit francez, Jules Massenet, do të ketë rolin kryesor të murgut, Athanael.

Ngjarjet zhvillohen në Egjiptin bizantin të shekullit të IV para erës sonë. Murgu Athanael që jeton në Aleksandri, përpiqet të konvertojë kurtizanen e quajtur Thais në krishterim, por zbulon mëkatin trupor dhe e gjen veten të nënshtruar ndaj hijeshisë së saj.

“Thaïs është shumë ndryshe, është një vepër më elegante. Do një lloj meditimi. Çdo gjë ka një përgatitje psikologjike, nuk është e drejtpërdrejtë si muzika italiane që shpërthen, siç është tek ‘Madame Butterfly’ apo tek ‘Traviata’, ndërsa ‘Thaïs’ vërtet ka ato shpërthimet e veta, por me një lloj kontrolli. Edhe njerëzit e kontrolluar kanë atë zjarrin e brendshëm që mendoj që karakteri ynë ballkanas e mesdhetar e ndihmon për t’i dhënë një ngjyrë. Ndihem shumë mirë, por përsëri është një sfidë, sepse pavarësisht se i këndon operat me qindra herë, çdo ditë ka gjëra për të zbuluar,” thotë Jaho për CRi Shqip.

“Për një kohë të gjatë, ‘Thaïs’ ka qenë një ndër veprat më të njohura, por që nga mesi i shekullit të XX, ajo dalëngadalë u la në harresë”, thotë konsulenti i teatrit, Giuseppe Cuccia.

Forca krijuese që fshihet pas prodhimit të ‘Thais’-it nga Qendra Kombëtare e Arteve e Pekinit, është regjisori argjentinas Hugo de Ana. Ai është gjithashtu skenografi dhe kostumografi i shfaqjes.

“Opera ndjek rrugëtimin e murgut ndaj do të përdorim multimedian për peizazhet e lëvizshme,” thotë regjisori. “Për publikun, ndjekja e kësaj opere do të krijojë eksperiencën e kalimit nëpër rrugëtimin e mugut, si për shpëtimin e shpirtit ashtu dhe të mëkatit trupor.”

Regjisori De Ana shton se muzika e veprës është “jashtëzakonisht e bukur, si kur përshkuan kufizimet fetare, ashtu dhe betejat e brendshme të karaktereve.”

Opera ‘Thaïs’ është vepra e parë e Qendrës Kombëtare të Arteve të Pekinit për kalendarin e vitit 2018.

Liria

Poezi e shkruar nga Basri Çapriqi.

asgjë e re s’ndodh dhe do të shkojmë në fund
në fund të fundit
liria është një mut i madh dhe s’e vlen as jetën
ta japësh për të, as atë cikrrimë lirie si s’i lodh
ata hanë hekur me dhëmbë, liria është faj i
rëndë që bartim lidhur në qafë e shpiejmë diku larg
ku s’dinë as ata që hedhin hapa mamutësh liria
është një mut i madh të lodhin heronjtë dhe kurvat
të mbesin në qafë ata hanë hekur me dhëmbë ato hanë
hekur me dhëmb dhe të shtrydhin me fjalime të gjata
për paqen dhe pastertinë e racës ata i lodh paqja
ma sjellin lirinë në pjatë dhe thikën në tryezë
ma marrin frymën kur u pëlcet lëvozhga nga qetësia

Prishtinë, 1996

I jepet lamtumira e fundit Ibrahim Sefë Gashit

Në Mleqan të Malishevës, qytetarët ia bënë nderimet e fundit Ibrahim Gashit.

Ymeri, vëllai i vetëm i gjallë nga katër sa ishin në grupin e njohur si “Bijtë e Sefës” thotë se vendin e 66-vjeçarit nuk mund ta zë askush.

Ibrahimi bashkë me vëllezërit e tjerë kanë kënduar në kohë të vështira duke e mbajtur të gjallë frymën e atdhedashurisë ndër breza.

Ata kënduan këngë patriotike si në kohën e regjimit serb në Kosovë ashtu edhe gjatë luftës.

Pas luftës, për shkak të moshës dhe humbjes së njërit vëlla në luftë, heroit Beqir Gashi, aktiviteti i tyre u zvogëlua.

Ende nuk janë mbushur dy vjet, qëkur ka vdekur edhe vëllai tjetër i Ibrahimit, Osmani.

Klan Kosova ka përgatitur një kronikë nga varrimi i rapsodit të njohur që në popull është njohur si Brahim Sefa.

Camila Cabello këndon “Havana” me instrumente për fëmijë (VIDEO)

Camila Cabello ka disa muaj që është pjesë e pothuajse të gjitha emisioneve televizive në Amerikë, ku po i performon live këngët e reja, me qëllim të promovimit të albumit të saj të parë si solo artiste. Dhe secilën herë ajo ka ardhur më e veçantë se kurrë.

Por në paraqitjen e saj të fundit televizive, ajo e sjellë një performancë unike të hitit të saj “Havana”, ku në vend të instrumenteve profesionale melodia e këngës vjen nga instrumentet për fëmijë, derisa Camila e tregon vokalin e saj të fuqishëm live, transmeton emisioni Express në KTV.

Prej se është publikuar videoja e perfomancës së Camilas bashkë me ekipin e instrumentistëve të emisionit “The Tonight Show Starring Jimmy Fallon”, si dhe prezantuesin e këtij shou, videoja është klikuar pothuajse 1 milion herë brenda 24 orëve.

https://www.youtube.com/watch?v=P6K9Y6FWo74

Cabello ishte e suksesshme si pjesë e grupit “Fifth Harmony”, por tashti këngëtarja po shënon suksese edhe më të mëdha si solo artiste, dhe duket se nuk e ka ndërmend të ndalet. Ajo madje po konsiderohet si një prej pop këngëtareve me zërin më të mirë në industrinë e muzikës, për momentin. / KultPlus.com

Nga ditari i së premtes

Poezi e shkruar nga Azem Shkreli.

Natën e mirë, asgjë s’mundi të ndodhë
gjithë ditën, mezi qe e premte, mezi lindi
pak diell vonë pasdreke sa të jetë
data katërmbëdhjetë, sa të flenë
mbi barin e urtë të Tafr Toskës
xixëllonjat, natën e mirë mundime
sendesh të vogla, flini,

unë sonte
vetëm do ta vë një gur fjale nën kokën
e lodhur të ditës, vetëm ujë të verdhë
do të derdh për shëndetin e bimëve
të verdha

e do t’vete se asgjë s’mundi
të ndodhi pos të jetë e premte sa të flenë
mbi barin e urtë të Tafr Toskes

xixëllonjat, datë e lënguar, nëse fyshkesh sate
s’do të përshkohesh lakuriq si krimbi
date e lënguar, po të le mes numrash
harrimit po të lë dhe vetë po nisem
një mendimi qe s’na e fle moshën të premteve.

Në Zvicër, akademi përkujtimore dhe ligjërim mbi Skënderbeun

Në datat 26,27 dhe 28 janar në Zvicër do të mbahet një Akademi përkujtimore për nder të 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.

Manifestimi do të përcillet edhe me program artistik e me meshë në Frauenfeld, në selinë e Misionit Katolik Shqiptar në Sirnach, ndërsa do të ligjërojnë At Antonio Bellusci, Arben Arifi dhe Dom Lush Gjergji, me pjesëmarrjen edhe të një ansambli arbëresh nga Kalabria, shkruan KultPlus.

Ky organizim është në vazhdimësi të organizimeve tjera që po mbahen kudo nëpër Evropë, kudo ku ka shqiptarë, për të kujtuar 550 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Grupi Folklorik “Vëllezërit Arbëresh” nga Kalabria dhe këngëtari Sinan Vllasaliu do të jenë njashtu pjesë e kësaj Akademia dhe këtyre ditëve. / KultPlus.com

Vojsava apo Jella, dilema e familjes së Skënderbeut

“Ndërkohë, Gjon Kastrioti kishte krijuar një familje me një karvan fëmijë. Burimet tregimtare pajtohen kur thonë se ai ishte martuar me Vojsava Tribaldën, e bija e sundimtarit të Pollogut (trevë midis Gostivarit dhe Tetovës). c, të lëshuar më 15 mars 1439, e cila do të trajtohet në Kreun VI, sh.6, e shoqja e Gjon Kastriotit quhet Jella, kurse sipas biografëve të Heroit, Jella ishte vajza e tretë e Gjonit. Para se të hidhet poshtë njoftimi i burimeve tregimtare duhet lexuar me kujdes dorëshkrimi në origjinal, i cili në gjendjen e botuar nga L. Malltezi është i palexueshëm. Por edhe nëse në prokure quhet Jella nuk përjashohet mundësia që ajo të kishte dy emra, fenomen të cilin e ndeshim edhe në familje të tjera në radhët e bujarëve mesjetarë. Sidoqoftë për shkak të emrit, disa historianë e konsiderojnë Vojsavën sllave nga familja. Por të tjerë, duke u nisur nga lehtësia me të cilën shqiptarët kanë përdorur emra të huaj, (Karl Thopia dhe Gjergj Arianiti kishin vajza me emrin Vojsava), nuk e gjykojnë kombësinë e tyre as nga emri, as nga mbiemri, ndonëse në këtë rast, mbiemri Tribalda nuk është me origjinë sllave, por ilire. Ndër shkrimtarët e hershëm, Gjon Muzaka e thotë shkoqur se Tribaldët qenë shqiptarë.”

Kristo Frashëri, “Skënderbeu”, Tiranë, 2002, fq. 71

Mos i qorto të moshuarit

Nga Çapajev Gjokutaj

Mos i qorto të moshuarit. Aq më pak të lejohet t’u bësh gjyq: pse bëre atë e s’bëre këtë, pse thua ashtu e jo kështu.

Plaku e plaka mund të kenë më pak informacion të ri sesa ti, por kanë përvojë me thes dhe i njohin burgjitë e kësaj jete më shumë se ti dhe smartphon-i yt.

Ka edhe një arsye më të thellë, më humane që të grish të jesh i butë dhe mirëkuptues me të moshuarit: vetëqortimet dhe autogjyqet i kanë me shumicë brenda vetes. Zgjasin nga mëngjezi në darkë, madje shpesh s’u shqiten edhe në ëndrra.

Ky vetëqortim s’është huq, por mekanizëm psikologjik. I ndihmon që të zhvleftësojnë veten. Ashtu të vetëzhvleftësuar e kanë më të lehtë ta pranojnë natyrshëm, pa ankth e pa tmerr, vdekjen që u qaset përditë e më afër.

Mendohu dy herë përpara se të qortosh të moshuarin🤠

( Nga cikli ‘Kioska e këshillave’ )

Filmi ‘Përjetësisht Fëmi’, edhe në tri festivale të rëndësishme ndërkombëtare

Filmi i shkurtër ‘Përjetësisht Fëmi’ /Eternally Child/ i Lorena Sopit do të jetë pjesë e programeve zyrtare edhe në tri festivale të rëndësishme ndërkombëtare.

Nga data 02 – 09 shkurt do të jetë pjesë e edicionit të 20 jubilar në Spokane International Film Festival – Usa, nga data 20-24 shkurt në I Filmmaker International Film Festival i cili mbahet në Malaga të Spanjes, kurse nga data 03- 09 mars në Sharm El – Sheikh Film Festival në Kajro të Egjiptit.

‘Përjetësisht Fëmi’ deri më tani ka prezantuar Kosovën në 36 festivale të ndryshme ndërkombëtare dhe ka fituar tetë çmime kinematografike.

Çmimet:

Accolade Global Film Competition – La Jola, USA 2017 – Award of Merit

Wendy’s Short Film Festival – Austin, USA 2107 – Best Drama Short

Texas Short Film Festival – San Diego, USA 2017 – Best Foreign Short

Bangalore Short International Film Festival – Bangalore, India 2017 – Special Jury Prize

Gold Movie Awards – London, UK 2017 – Best Short Film

Hellfire Film Festival – Kent, UK – Best Short Film

Pink City International Film Festival – Jaipur, India – Best Director

Montecatini International Short Film Festival – Montecatini, Italy 2017- Special Prize

Filmi Përjetësisht Fëmijë trajton raportin e rrënuar familjar mes babasë autoritar dhe fëmijut të mitur. Moni, një djalë dhjetë vjeçar, jeton me të atin Xhemën në varfëri të madhe. Gjatë një dreke fatale, i ati Xhema vret aksidentalisht djalin e tij, Monin. Gjatë gjithë jetës së tij, Xhema do të ndjenë peshën e mallkimit, duke bartur mbi vete fajin për atë që ka ndodhur. Në ditët e tij të fundit, në moshë të shtyer, Xhema kthehet në shtëpinë ku ka ndodhur vrasja për të kërkuar falje nga djali i tij i vdekur,me shpresë se do të liroj shpirtin nga pesha e fajit dhe do të pushoj i qetë në jetën e përtejme.

Në rolin kryesor paraqitet aktori i njohur Xhevat Qorraj, kurse në rolin e fëmiut Miran Zymberaj. Në rolet e tjera vijnë Sheqerije Buqaj, Beslidhe Bytyqi, Kosovare Hoti, Joni Thimi, etj.

Dejtori i fotografisë është Latif Hasolli. Kompozitor Naim Krasniqi. Montazhier Nexhmi Mehmeti. Kostumografe Samka Ferri. Mjeshtër zëri Gëzim Rama. Skenograf Uran Duli. / KultPlus.com

Radhë e gjatë para Bibliotekës ‘Hivzi Sylejmani’ në Prishtinë

Fotografia që po qarkullon në rrjetet sociale tregon se ka një interesim të madh para Bibliotekës ‘Hivzi Sylejmani’ në kryeqytet.

Fotografia është realizuar sot, rreth orës 18:00, ndërsa kanë qenë të shumtë komentuesit që kanë menduar e supozuar se po pritet në rend për diçka tjetër, dhe jo për lexim a punë në Bibliotekë.

Fotografia në Facebook është postuar nga Visar Jasiqi.

Biblioteka e qytetit të Prishtinës është institucion kulturor, edukues e informues që grumbullon, pasuron, përpunon, mirëmban dhe ruan koleksionet e veta nga fushat e ndryshme të krijimtarisë dhe të veprimtarisë intelektuale me qëllim që t’ i bëjë të njohura dhe t’ ua vërë në dispozicion shfrytëzuesve për t’i lexuar, hulumtuar e studiuar dhe për t’ i lënë trashëgim gjeneratave të ardhshme.

“Prapë e do kjo zemra ime, djalin e Kosovës time…” (VIDEO)

Edona Lalloshi edhe sot bën pjesë në estradën muzikore.

Megjithatë, një prej këngëve me të cilat Edona shumë moti ka rrëmbyer zemrat e adhuruesve të saj është edhe “Djali i Kosovës sime”.

“Prapë e don kjo zemra ime, djalin e Kosovës time” është një prej vargjeve të këngës së Edonës, realizuar rreth viteve 90-të dhe asokohe incizuar edhe në xhirimet e ndryshme televizive.

Kënga origjinale është kënduar nga Emine Hasimi, ndërsa më pas është marrë nga Edona për tu realizuar në një version tjetër.

Siç kujtojmë shpesh dhe kthehemi në retrospektivë, sonte po e sjellim këtë këngë të Edonës të incizuar vite më parë, për ta sjellë emocionin e asaj kohe dhe për të ndjerë nostalgji me një këngë dhe kohë si kjo. / KultPlus.com

Fadil Kraja, dramaturgu i madh shkodran dhe një cigare (VIDEO)

Fadil Kraja është një prej shkodranëve me të cilët duhet krenuar.

Kraja ka mbi 40 drama dhe komedi të shfaqura në të gjithë teatrot profesioniste të Shqipërisë si dhe në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni dhe në diasporë, mes tyre “Fisheku në pajë”, “Sinjalet e natës”, “Shpartallimi”, “Baca i Gjetajve”, “Gjaku i Arbërit”, “Djem të mbarë”, “Çështja e Blertës”, “Flamur në dasëm”, “Rozafa”, “Kur flasin zemrat”, “Luani i shtëpisë”, “Çështje familjare” si dhe shumë drama për fëmijë, librete operash e operetash.

“Zoja Shkodër” në Facebook na e sjellë dramaturgun duke recituar poezinë “Një Cigare”.

Mjeshtri i madh shkodran punoi si mësues i letërsisë në shkolla të mesme dhe më vonë pedagog i letërsisë së huaj në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë të Universitetit “Luigj Gurakuqi” – Shkodër.

Nga viti 1972 gjer më 1992, ai ishte shkrimtar në profesion të lirë duke vazhduar si pedagog i jashtëm në fakultet dhe njëkohësisht Kryetar i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për Degën e Shkodrës.

Vëllimi i parë poetik “Kënga ime” (1954) fitoi çmimin e parë në Konkursin Kombëtar të Letërsisë. Pastaj me radhë ka botuar vëllimet poetike “Melodi malësore”, “Jehona malesh”, vëllimet me tregime “Kandidatja e fundit”, “Fajin e kishte Besa”.

Fadil Kraja ka luajtur një rol të madh edhe në gjallërimin e Gjimnazit të Shkodrës, shkruan KultPlus.

Fadil Kraja është një nga penat më të ndritura të dramaturgjisë tonë kombëtare. / KultPlus.com

Ritet e martesave të arbëreshëve në Kozencë (VIDEO)

Me regji të Lionel Konomit, shihni këto rite martesash tek arbëreshët e Italisë në Provincën e Kozencës. Ato janë ritet e të parëve tanë, nipërve, mbesave dhe pasardhësve të Skënderbeut, që janë ruajtur me aq fanatizëm, deri në ditët e sotme.

Kostumet e traditës Arbëreshe janë veshje të identitetit; pëlhurat shumë ngjyrëshe dhe trashëgimia e qëndisjes së pasur me ar e argjend, janë shenja që shënojnë një pasuri të llojllojshmërisë të krijimtarisë kulturore arbëreshe.

Funksioni i traditës është i shumëfishtë; prakticiteti, estetika, imagjinata dhe ritualet, niveli klasor, gjinia, mosha puna, gëzimi, hidhërimi, përkatësia fetare si dhe gjendja martesore.

Këshu është ende edhe sot mënyra e veshjes, e cila e përcjellte gruan italo-shqiptare në të gjitha momentet me rëndësi të jetës së saj. E këto veshje festive, janë bartur me rastin e martesave, festat fetare, etj.