Mentor Shuki: Poezia për mu është profesioni më i kotë në botë

I ftuar në një emision televiziv dhe aspak kompetent për të folur mbi poezinë, Mentor Shuki ka dhënë disa deklarata interesante.

Shuki, një personazh i njohur televiziv dhe një stand-up komedian, në një pjesë të emisionit Debat D PLUS me Ermal Pandurin, flet për poezinë.

“Poezia për mu është profesioni më i kotë në botë” thotë mes tjerash Shuki në këtë emision televiziv ku asgjë nuk duket fort serioze.

Emisioni i transmetuar me datë 28 dhjetor moderohet nga Panduri, ndërsa në emision janë edhe të tjerë gazetarë të TV Dukagjinit, si dhe krahas Shukit, aktori Lulzim Bucolli. Në emision komentohen në mënyrë ironike, dhe jo ironike, ngjarje dhe personazhe të ndryshme kosovare, gjatë vitit që po lëmë pas.

https://www.youtube.com/watch?v=TfnuJV6Py48&t=2483s

“Gjema një poet që është okay, krejt janë pak që e kanë rrafshu ata sistemin me neve” thotë Shuki, derisa në emision përmenden Shpëtim Selmani dhe Arbër Selmani, në formë sarkastike nga personat brenda në studio.
Shpëtim Selmani është poet dhe aktor nga Kosova, madje edhe The Guardian ka shkruar për të dhe vargjet e tij. Arbër Selmani, në anën tjetër, është gazetar dhe redaktor i kulturës nga Prishtina. / KultPlus.com

Elton Deda: Festivali i TVSH-së ishte më i mirë se vitet tjera

Pjesëmarrës në festival, kantautori i njohur Elton Deda pohon se ajo që i ka pëlqyer më shumë ka të bëjë me kualitetin e këngëve.

“Ajo që mua më ka pëlqyer më tepër në Festivalin në RTSH është kualiteti i këngëve dhe rikthimi i disa artistëve. Si kualitet këngësh kanë qenë më të mira se në festivalet e mëparshme, dhe kjo nuk është risi por detyrë. Kishte ritëm, stil, pra kualiteti i këngëve është përmirësuar ndjeshëm. Festivali ishte më mirë se sa vitet e tjera, duke filluar që nga prezantuesi Adi Krasta, që bëri goxha diferencë me çfarë ka qenë më parë në festival”, pohon kantautori Deda.

https://www.youtube.com/watch?v=ZuZoTKTbwUA

Por ai shton se faza përgatitore për festivalin duhet të nisë më shpejt për të mbërritur në muajin e fundit të vitit.

“Faza përgatitore duhet të nisë më shpejt, dhe në rast se duhet të bëhen me paramentrat që duam ne që të mos ketë vuajtje të minutave të fundit apo lodhje të stërgjatura duhet patjetër që të merren masa, që orkestra dhe regjia të ketë më shumë mundësi për më shumë prova. Për mua festivali u zhvillua pa aksidente dhe incidente dhe kjo ishte pikërisht meritë e regjisorit Pali Kuke”, shprehet Deda për Festivalin e Fundvitit në Radio Televizionin Shqiptar. / KultPlus.com

Ilire Zajmi, për fundvitin dhe dhuratat

Poezi e shkruar nga Ilire Zajmi.

Për fundvit mos më bli unazë diamante
parfum me erë jasemini
biletë për një udhëtim ëndrrash
dua të më dhurosh Kohën
pak kohë të marr frymë
një grimcë kohe të buzëqesh
të mbyll sytë e të udhëtoj në një tjetër botë
më nevojitet pak kohë
të arratisem të qaj ngeshëm të shoh qiellin e përflakur
mjegullnajën sipër qytetit pa shpirt
se di si u katandis koha ime
në rrugët e pista gotat e zbrazura kafeneve të mykura
në pako cigaresh muhabete të panjohurish.

Nëse do të më bësh një Dhuratë
më fal pakëz kohë
një orë një minutë pak sekonda vetëm një çast
të bëhem njësh me gazin e një fëmije
të puth me buzët e etura të një të dashuruare
jam mbretëreshë e shfronësuar bjerrakohëse
mos më sill as lule as libra
në do të më dhurosh diçka më dhuro pak kohë.

E nëse s’e gjen askund për ta blerë
grabitja atyre që shesin gjakun me këste trupin me fajde
vidhjau atyre që iu tepron së shijuari bota nga mërzia
atyre që vrasin miza e pështyjnë veten në pasqyrë
nëse do të më japësh frymë më dhuro Kohën
Ajo është gjithçka që vdekatarët kanë.

Cili është emri më i gjatë dhe ai më i shkurtër në Kosovë?

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Emrat dhe mbiemrat në Kosovë”.

Të dhënat në këtë publikim janë paraqitur sipas bazës së grumbullimit të të dhënave nga Regjistrimi i Popullsisë së Kosovës, i kryer në vitin 2011.

Një raport i tillë publikohet për herë të parë nga ASK-ja, transmeton kp.

Këto të dhëna tregojnë se në Kosovë në vitin 2011, numri i emrave të ndryshëm është gjithsej 68 122 emra, ndërsa numri i mbiemrave të ndryshëm në Kosove është gjithsej 26 557 mbiemra.

Sa i përket shpërndarjes së emrave në Kosovë, emri më i gjatë (më së shumti shkronja) ishte ai Ismailqemail me gjithsej 12 shkronja dhe Mirandolinda me gjithsej 11 shkronja, ndërsa emri me i shkurtër ishte me vetëm dy shkronja: Al ose Ad.

Ndërsa, nëse i shikojmë emrat sipas shkronjës së parë, sipas alfabetit, më së shumti emra fillojnë me shkronjën A ndërsa më së paku me shkronjën C. Gjithsej 8 026 emra fillojnë me shkronjën A, ndërsa gjithsej 407 emra fillojnë me shkronjën C.

Emri më i përbashkët (shpeshtë) te femrat në Kosovë ishte emri Fatime me gjithsej 8 626 persona, ndërsa emri më i përbashkët te meshkujt ishte Bajram.

Sa i përket mbiemrave, Krasniqi është mbiemri më i përbashkët (shpeshtë) në Kosovë me më shumë se 58 199 persona, që mbanin këtë mbiemër.

E mbijetuara e Aushvicit, me mesazhin për jetën dhe buzëqeshjen

Poezi e shkruar nga Charlotte Delbo – e mbijetuar e Aushvicit – (1971).

Ti që kalon këtej pari,
Ty, ty të lutem
Që të bësh diçka
Që ta mësosh hapin e parë të një vallëzimi
Diçka që e dëshmon ekzistencën tënde.

Diçka që të jep të drejtën
Të jesh veshur me lëkurën dhe me qimet e trupit.
Mëso të ecësh e të buzëqeshësh
Sepse përndryshe nuk ka asgjë kuptim, nuk do të kishte kuptim.

Sepse janë shumë që kanë vdekur
E ti je gjallë
Dhe nuk bën asgjë me jetën tënde.

Përktheu: Arbër Selmani
( Charlotte Delbo ka lindur në vitin 1913 dhe ka vdekur më 1985. Shkrimtare franceze, ajo përfundoi në kampin e Aushvicit, dhe shpëtoi e gjallë. Më pas botoi trilogjinë “Auschwitz and After”, ndërsa bashkë me Primo Levin, Elie Wiesel dhe Anne Frank renditet në mesin e personazheve që lanë gjurmë dhe dorëshkrime mbi përvojën në Kampin e tmerrshëm në Holokaust ).

Mes bërrylash e reagimesh, Eugent Bushpepa do të japë maksimumin në Eurovizion

Rok-këngëtari shqiptar, Eugent Bushpepa, ka arritur që karrierën e tij ta ndërtojë falë performancave të shumta ‘live’ sidomos nëpër emisione televizive. Ai vlerësohet si një prej vokaleve më të mira mashkullore shqiptare dhe “Maska e madhështisë” është hiti më i madh i tij.

Këngëtarin e kem parë shpesh nëpër festivale, por që suksesi i tij më i madh doli të jetë këtë vit në Festivalin e RTSH-së, në të cilin arriti të fitojë çmimin e parë dhe në këtë mënyrë që të jetë pikërisht ai i cili do të përfaqësojë shtetin shqiptar në garën më të madhe evropiane të këngës, “Eurovizion 2018”, i cili vitin e ardhshëm do të mbahet në Portugali.

Eugenti u prezantua me këngën “Mall”, një krijim tërësisht i tij, transmeton “Express” në KTV.

Si zakonisht, përzgjedhja për “Eurovizion” gjithmonë zgjon debat të ashpër në media, por edhe në vetë komunitetin e këngëtarëve.

Pos tjerash, një reagim të gjatë ka pasur nga këngëtarja Manjola Nallbani, e cila ka qenë një prej këngëtareve pjesëmarrëse këtë vit në RTSH. Ajo ka vënë në pah faktin se si fituese është ditur shumë më herët, ashtu siç ka ndodhur deri tash.

“Nuk kam asgjë me fituesin, sepse Eugenti është këngëtari i mirë e kënga ishte e bukur, por një gjë nuk kuptova. Po kaq këngëtarë e këngë të mira ishin edhe të Elton Dedës, Mariza Ikonomit, Redon Makashit e ndonjë tjetër, dhe sigurisht kënga ime “I njëjti qiell”, por për asnjë nga to nuk kisha dëgjuar që do të ishin fituese që para 20 ditësh si për fituesin aktual, megjithëse kënga fituese kuptohet vetëm në momentin kur këngëtari këndon ‘live’ në skenë, apo jo? Sa për jurinë, unë akoma sot nuk e di e sata u rendita në këtë festival”, ka shkruar –pos tjerash këngëtarja e njohur në postimin e saj.

https://www.youtube.com/watch?v=ZuZoTKTbwUA

Edhe vetë këngëtari fitues ka pasur një reagim pas gjithë diskutimeve të bëra, megjithëse urimet për të nuk kanë munguar nga emra të njohur si Aurel Gaçe e Juliana Pasha, sipas së cilave, Bushpepa e ka merituar këtë fitore.

Ndërkohë, në reagimin e tij përveç tjerash, Eugenti ka shkruar: “Mësohesh me mbyllje shtigjesh dhe goditje bërrylash. Bën paqe me to dhe i lë gjërat të rrjedhin, duke ushqyer dilema mbi ekzistencën tënde si artist. Befas një dritë në horizont e lënë ndezur nga dikush enkas për mua për zbulimin e një shtegu të ri nis dhe me ushqen një tjetër ndjenjë, atë të mbivlerësimit. Mos vallë jam mbivlerësuar dhe prandaj u la ndezur? Ajo dritë ndriçon aq shumë, saqë arrij të shoh se rruga që vazhdon pas saj mbart plot sfida, por ndihem i fortë t’u bëj ballë falë mbështetjes së fytyrave të bukura që më shoqëruan deri te kjo dritë, në këtë fillim rrugë të re”.

Këngëtari ka thënë se do të japë maksimumin për një përfaqësim sa më të denjë në skenën e madhe të “Eurosong”-ut.

Muaj më parë, Eugenti mbajti një koncert në Pejë në kuadërtë edicionit të 8-të në “Ainbar”-it. Ai arriti të krijojë një atmosferë fantastike me performancat e tij të cilat u shoqëruan me shumë duartrokitje dhe brohoritje dhe këtë ai e quajti ‘pritje fantastike’.

Në një intervistë për emisionin “Express”, ai pati bërë të ditur se po punon për albumin e ri.

Këngëtari deklaroi se nuk ka një kohë të caktuar se kur do të lansohet albumi, por që kishte premtuar se një promovim do t’i bëjë edhe në Kosovë.

Përfaqësuesja e fundit e Shqipërisë në “Eurovizion”, Linda Halimi, nuk pati arritur kualifikimin për finalen e madhe, ndërkohë pritet të shihet nëse Eugent Bushpepa do ta kapërcej fillimisht këtë sfidë, me të cilën nuk ai kanë dalë dot shumë përfaqësues të tjerë. / KultPlus.com

Ibrahim Rugova i konvikteve, rrëfimi nga cimerët (VIDEO)

Pesëdhjetë vjet më parë, në dhomën numër 509 të konviktit të parë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, kishte nisur studimet Ibrahim Rugova, i cili dy dekada më pas do të shndërrohet në udhëheqësin kryesor të popullit të Kosovës në rrugën e gjatë për liri, pavarësi dhe demokraci.

Në vitin 1967 Rugova kishte regjistruar në Prishtinë Fakultetin Filozofik, Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe dhe ishte vendosur në dhomën 509 të konviktit bashkë me tre studentë tjerë: Rexhep Ismajlin, tashmë akademik, Shaban Shabanin dhe Xhemaledin Salihun, studentë nga Presheva. Në këtë dhomë shpesh gravitonte edhe Riza Halimi, tashmë politikan nga Presheva.

Salihu gjatë një rrëfimi për gazetën “Zëri” jep detaje nga jeta studentore e ish-presidentit Ibrahim Rugova, duke e vlerësuar si shqiptarin me zemër të pastër dhe studentin që thellohej në lexime edhe kur shokët e dhomës nuk ndaleshin së biseduari me zë të lartë.

Salihu thotë se në atë kohë në Qendrën Studentore të Prishtinës ishte vetëm një konvikt, ndërsa në dhoma ishin nga dy shtretër, ku flinin katër studentë. / KultPlus.com

Kam nevojë për ndjenja

Poezi e shkruar nga ALDA MERINI / Përktheu Beti Njuma

S’kam nevojë për para.
Kam nevojë për ndjenja,
fjalë, fjalë të zgjedhura me urti,
për lule të ashtuquajtura mendime,
për trëndafilë të ashtuquajtur prani
për ëndrra që banojnë pemëve,
për këngë që çojnë peshë statujat në vallëzim,
për yje q’u pëshpërisin dashnorëve rrëzë veshit.
Kam nevojë për poezi,
kjo magji që djeg rëndesën e fjalëve,
që zgjon ndjenja dhe fal ngjyra të reja.
Poezia ime është e rrufeshme si zjarri
më përshkon gishtërinjtë si një rruzare.
Nuk lutem ngase jam poeti i gjëmës
që hesht, hera-herës, dhimbjet e një lindjeje mes orëve,
jam poeti që çirret dhe luan me britmat e veta,
jam poeti që këndon dhe s’gjen fjalë,
jam kashta e thatë mbi të cilën rreh tingulli,
jam ninulla që përlot fëmijët,
jam mendjemadhësia që vetërrëzohet,
jam petku i hekurt i një lutjeje të gjatë
të hidhërimit të shkuar që s’sheh dritë.

Shpallet fituesja e ekspozitës ndërkombëtare ‘Onufri’ në Shqipëri

Shpallet fituesi i ekspozitës ndërkombëtare “Onufri XXIII”, me koncept kuratorial Au fil du temps – Kujtesë kolektive, kujtime personale, kuruar nga Gaetano Centrone.

Artistja fituese është Jelena Tomasevic nga Mali i Zi, për veprën Mixed Memor, në mix media, e vlerësuar nga juria si puna më e arrirë e kësaj ekspozite.

Artistja nga Mali i Zi Jelena Tomaseviç është shpallur dje, fituese e edicionit të 23-të në ekspozitën ndërkombëtare “Onufri”, me veprën “Mixed memor”, e vlerësuar nga juria si puna më e arrirë e konkursit. Duke iu referuar konceptit kuratorial të këtij viti “Au fil du temps- Kujtesë kolektive, kujtime personale”, për jurinë e përbërë nga tre artistë Lumturie Blloshmi, Greta Lami dhe Ledia Kostandini – shfaqja e sjellë në mix media nga artistja malazeze ka ngacmuar në përshkrimin e këtij motivacioni: “Jelena Tomasevic arrin të përcjellë një kolazh eksperiencash njerëzore nëpërmjet narracionit dhe metaforës, në një tablo të gjerë përjetimesh. Ajo koleksionon impulset që i ofron memoria. Tomaseviç filtron eksperiencën kolektive përmes një gjuhe figurative tejet simbolike, duke ofruar qëndrimin e saj personal ndaj fenomeneve të ndryshme sociale”. ​


jelena_tomasevic-01-12-49 “Apparent Servitude”

Tomaseviç ka një proces pune të veçantë, shfaqur edhe në këtë konkurrim në mix media: instalacion në mur, qelq, dru dhe letër. Ato janë skicime dhe fotografi me vizione pothuaj periferike. Disa prej tyre janë ngarkesa surreale, figura e objekte, herë dhe brutale që qëndrojnë në vende të bardha të papërcaktuara. Në fakt ky është dhe gjithë “politika” figurative e punëve të saj, dhe nga ana tjetër ajo krijon imazhe stereotipike të feminitetit dhe ankthit, që rezultojnë nga presioni shoqëror.

Këto fragmente që na vijnë tek Onufri si duket shkojnë drejt këtyre përjetimeve, edhe pse e “detyruar” t’ia përshtatë këto punë “kujtesës” kolektive të sugjeruar nga kuratori Gaetano Centrone. Për artisten malazeze punët e saj pothuaj janë fragmente kujtese, ëndrrash absurde, ironike, melankolike dhe me humor, krijimtari e “qëllimshme” për të çuar vizitorët në botën e spektaklit, dhe si artisti tregon “botën e kujtesës kolektive”. Me këtë vlerësim në Tiranë, Tomaseviç përveç trofeut, shkon në vendin e saj e vlerësuar edhe financiarisht me shumën prej 300 000 (treqind mijë) lekësh.


Zero Degree of Representation w/ Jelena Tomasevic & Jovana Stokic

Në këtë edicion të Ekspozitës Ndërkombëtare “Onufri” morën pjesë dhjetë artistë nga vende të ndryshme të botës: Zeni Ballazhi, Adi Haxhiaj, Koja, Perino & Vele, Leonard Qylafi, Calixto Ramírez, Jelena Tomasevic, Vangjush Vellahu, Alketa Xhafa Mripa, Fani Zguro. Ekspozita “Onufri XXIII”, do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datë 30 Janar 2018. / KultPlus.com

Qendra fetare islame në Kampusin e Universitetit të Prishtinës, reagon Shpend Ahmeti

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli insiston në idenë e tij që të transferohet Kampusi i Universitetit të Prishtinës nga zona e qendrës, në një zonë periferike të kryeqytetit.

E në zonën ku momentalisht ndodhet Kampusi Universitar, Pacolli thotë se është paraparë ndërtimi i një xhamie. Sipas Pacollit, kjo do të bëhet vetëm atëherë kur të sigurohet hapësira e nevojshme për studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

“Aty unë e kam paraparë ndërtimin e një faltoreje, e cila është një arkitekturë super moderne dhe është një arkitekturë e cila rrallë kund mund të shihet”, ka thënë Pacolli për televizionin Kohavision.
Por, ai ka thënë se fillimisht duhet të arrihet një kompromis me Universitetin e Prishtinës.

“Nëse ne arrijmë kompromisin që të zhvendoset Kampusi universitar jashtë zonës së qytetit, atëherë vije pika 2 – do të ishte hipokrite që të paramendohet se ne do të ndërtojmë një xhami mbi universitet”, deklaroi nënkryetari i Prishtinës.

Idetë e Pacollit nuk i mbështetë Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës.

“Momentalisht e kemi atë lokacion. Unë e kam diskutu disa herë me Bashkësinë Islame për ta pa mundësinë e ndërrimit të lokacionit, por nuk ka pasë gatishmëri” ka thënë mes tjerash në reagim Ahmeti.

Universiteti i Prishtinës, në anën tjetër, ende nuk ka dalë me asnjë qëndrim rreth këtyre zhvillimeve. / KultPlus.com

Selim Pacolli insiston në ndërtimin e një qendre fetare islame në Kampusin e UP-së

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli insiston në idenë e tij që të transferohet Kampusi i Universitetit të Prishtinës nga zona e qendrës, në një zonë periferike të kryeqytetit.

E në zonën ku momentalisht ndohet Kampusi Universitar, Pacolli thotë se është paraparë ndërtimi i një xhamie. Sipas Pacollit, kjo do të bëhet vetëm atëherë kur të sigurohet hapësira e nevojshme për studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

“Aty unë e kam paraparë ndërtimin e një faltoreje, e cila është një arkitekturë super moderne dhe është një arkitekturë e cila rrallë kund mund të shihet”, ka thënë Pacolli për televizionin Kohavision.

Por, ai ka thënë se fillimisht duhet të arrihet një kompromis me Universitetin e Prishtinës.

“Nëse ne arrijmë kompromisin që të zhvendoset kampusi universitar jashtë zonës së qytetit, atëhere vije pika 2 – do të ishte hipokrite që të paramendohet se ne do të ndërtojmë një xhami mbi universitet”, deklaroi nënkryetari i Prishtinës.

Një projekt të tillë, Selim Pacolli e kishte paraqitur gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale, kur ai kandidonte për kryetar të Komunës së Prishtinës, nga radhët e AKR-së.

AKR dhe Vetëvendosje kanë një marrëveshje koalicioni mes vete, për të qeverisur me Komunën e Prishtinës. / KultPlus.com

N’Shqipni, secili gjun me allti kur don dhe ku don…

“Shumë prej tyne murmuritën në shenjë mohimi, ndërsa një njeri i madh i fuqishëm, një ushtar kambësorie, tue dalë nga radhët, foli me za të naltë dhe tha:

“Për cilin gabim Rexhepi (kështu quhej i burgosuni) qenka fajtor? Ka gjujtë me allti në qytet, por nuk e ka lëndu askënd. A asht ky krim? Ban me qenë sipas bindjesh angleze, por jo sipas atyne shqiptare.”

“Shko”, tha aj tue m’u drejtu mue,”në Shqipni, veç një ditë udhë larg, dhe shih se çfarë zakonesh ka atje. Secili gjun me allti kur don dhe ku don. Na nuk kemi hy në shërbimin anglez për me u trajtu si fëmijë e me gjujtë me armët tona vetëm kur të marrim leje me e ba këtë. Jo,” vazhdoi ai, “shqiptarët nuk munden me u trajtu në këtë mënyrë, dhe unë, ashtu si të tjerët, kundërshtoj dënimin me kamxhikosje të Rexhepit”.

Shumë njerëz i duertrokitën folësit e unë menjëherë e kuptova se kisha një punë të vështirë para meje.”

Edward Money, “Dymdhjetë muej me bashibozukë”, Llondon, 1857, fq. 153.
Ilustrim nga libri: “Ushtar shqiptar bashibozuk”.
Marrë nga Agim Morina.

Zbulohen kartolinat e rralla të Dritëro Agollit

Në familjen Agolli është i pari Vit i Ri, pa shkrimtarin. Kur po afrohet 1-vjetori i ikjes së tij, familja e ndjen ende më shumë mungesën, kur kolltuku në dhomën e drunjtë, ku shkrimtari rrinte para një gote rakie me cigare në dorë, është bosh.

“Muaji i dhjetorit, muaji përmbyllës i vitit, për familjen tonë ngjyrosej me larmi kuptimesh, ndjesish, emocionesh. E ndërsa ditët ndiqnin njëra-tjetrën, shumë shpejt nisnin porositë për kartolina, bisedat për gjelin e detit, për verën e porositur e për shumëçka lidhej me natën e ndërrimit të viteve”, kujton e bija, Elona Agolli, teksa rrëmon në sënduqet e t’et. I kujtohen fraza bisedash të mbetura prej pothuaj pesë dekadave pranë babait. “Po ‘Klik’-u nuk ka bërë sivjet kartolina? – thoshte ai tërthorazi, si për t’i drejtuar kërkesën e kartolinave të urimit. “Im atë askurrë nuk harronte t’u shkruante e dërgonte për miqtë e të njohurit e tij. Vitet e fundit i ndante një pjesë me Sadijen, mamanë time, pasi dora i lodhej më shpejt dhe gërmat formonin figura të çuditshme, me të cilat edhe vetë habitej, por edhe argëtohej jo rrallëherë”, rrëfen Elona. Imazhe prej kartolinave e dorëshkrimeve që botohen sot në “Gazeta Shqiptare” për herë të parë, kujtojnë jo vetëm zakonin e përvitshëm të shkrimtarit, por edhe marrëdhënien e tij me ata që deshi më shumë.

Për Agollin, shkrimi i kartolinave të urimit niste nga më të afërmit e dashur, e më pas vijonte me miq e shokë. Ja një prej tyre, drejtuar Elonës: “E dashur guguçja ime e bukur dhe e shumëmira Lonë, Unë, ati yt dhe Babagjyshi i Vitit të Ri, të uroj jetë të lumtur dhe të gëzuar me të pamposhturin Luan dhe të shkathëtin tigër Luel.
Gëzuar 2010-ën
Dritëroi”.

Një tjetër kartolinë, i drejtohej së mbesës, Annës, një prej njerëzve që e deshi fort, mbase edhe sepse e pat rritur pothuajse vetë. Kartolina për ‘vajzën e gjyshërve’ është shkruar kështu:
“E dashur Anna, me dy n, të uroj Vitin e Ri 2011, urime të kesh edhe në vitin 2122, kur të bëhesh mbi 100. Gjyshi dhe nëna të kanë ëngjëllushe dhe kur nuk je ti në Tiranë themi: ‘Ku është dhe çfarë bën ëngjëlli?’
Të puthëm.
Gjyshi dhe nëna.
31.12.2010”

Tri vite më vonë, Dritëroi ishte po aq i përzemërt ndaj mbesës.
“E dashur Anna,
Unë dhe nëna të urojmë gëzuar Vitin e Ri 2014. Ne gëzohemi për arritjet e tua në universitet dhe jemi të bindur që këto arritje do të shumëfishohen; se ne të duam aq sa kur të pritet pak gishti, na dhëmbin neve të 20 gishtat, 10 të gjyshit e 10 të nënës. 20.12.2013”.
FLETË
DITARI
E ndërsa kënaqësia e të shkruarit të urimeve përmbushej, natën vonë, kur asgjë nuk pipëtinte, niste të frymëmerrte ditari i shënimeve. Dukej ato çaste më i sinqertë se kurrë, kur i vetëm para një flete, me shkrimin që e tradhtonte, shënonte përjetimet e orëve të vona. Ishin orët kur ishte i vetëm përballë vetes. / KultPlus.com

Rita Ora kujton vitin 2017 me një seri fotosh

Këngëtarja me prejardhje nga Kosova, Rita Ora, ka shijuar një vit të suksesshëm që prej rikthimit në skenën muzikore.

Rita është treguar nostalgjike për vitin 2017 të enjten kur postoi në Instagram fotografi nga momentet e saj më të mira për sivjet.

Këngëtarja, 27-vjeçare, postoi një seri të fotove me stil, por në disa të tjera bëri shaka me fustane që treguan më shumë seç duhet për yllin nga Kosova. / KultPlus.com

Babagjyshat rikthehen në qytetin e shkatërruar (FOTO)

Tringëllima e zileve të Babagjyshit nuk dëgjohej prej vitit 2013 në qytetin Sirian të Rakës.

Dy burra të veshur si Santa Klaus parakaluan përmes qytetit të copëtuar nga lufta, duke habitur dhjetëra qytetarë që i shkonin nga pas. Në vitin 2014, grupi xhihadist i Shtetit Islamik pushtoi qytetin, duke e bërë atë kryeqytetin “de facto” të Kalifatit, e duke zbatuar interpretimin e tyre strikt të Islamit ndaj kujtdo. Por, forcat e mbështetura nga SHBA i dëbuan xhihadistët në muajin tetor pas një beteje disamujore.

Dy djem që shtynin një karrocë me kabllo elektrike nuk mund ta përmbanin gëzimin teksa shihnin babagjyshat që sollën pak atmosferë festash atje.

Pasi ndaluan në atë që ka mbetur nga Kisha Katolike Armene në qendër të qytetit, Santat u shpërndanë lodra atyre pak familjeve të pranishme. Gjithashtu, disa artistë kontribuuan për t’u dhënë gëzim të mbijetuarve të luftës. Ata thanë se donin t’i jepnin ngjyra qytetit të shkatërruar. / KultPlus.com

John Lennon, veç dy fjalë për dashurinë

Na kanë bërë të besojmë se dashuria, ajo e vërteta gjendet vetëm një herë në jetë dhe në përgjithësi para moshës 30 vjeç, nuk na kanë thënë që dashuria nuk ka kohë e nuk mbërrin në një moment preciz. Na kanë bërë të besojmë se secili prej nesh është gjysma e një portokalli e se jeta ka kuptim vetëm kur arrijmë të gjejmë gjysmën tjetër. Nuk na kanë thënë se kemi lindur Të Plotë e që asnjë në jetën tonë nuk meriton të mbajë mbi supe përgjegjësinë për të kompletuar atë që na mungon: rritemi me veten. Nëse jemi në shoqëri të mirë është thjesht më e këndshme. Na kanë bërë të besojmë në një formulë të quajtur “dy në një”, dy njerëz që mendojnë njësoj, që veprojnë njësoj e që vetëm kjo mund të funksiononte. Nuk na kanë thënë se vetëm duke qenë individ me personalitetin tënd, të lejon të kesh një marrëdhënie të shëndetshme. Na kanë bërë të besojmë se martesa është domosdoshmëri e se dëshirat jashtë saj duhen shtypur. Që ekziston një formulë e vetme për lumturinë, e njëjta për të gjithë ata që dalin jashtë kësaj janë të dënuar të margjinalizohen. Nuk na kanë thënë se këto formula nuk funksionojnë dhe e tjetërsojnë njeriun. Nuk na kanë thënë se askush nuk do na i tregonte të gjitha këto. Secili nga ne do ti zbulojë vetë. Dhe kështu kur të duash vetveten, do jesh po aq i lumtur e do mund të duash dikë tjetër.

John Lennon

Elsa Lila dhe Fanfara Tirana festojnë në Pallatin e Kongreseve (VIDEO)

Elsa Lila gjithmonë ka ditur të sjellë magjinë në skenë. Një prej këngëtareve shqiptare më të arritura dhe një fituese e disa festivaleve në Shqipëri, Elsa gjithmonë e ka ruajtur pozitën e saj të respektuar si një vokal i mirë dhe që transmeton emocionin.

Po kthehemi sot në një kohë kur Elsa u bashkua për një performancë sa spontane aq edhe të mahnitshme me Fanfara Tirana, shkruan KultPlus.

Elsa solli “Margjelo”, në versionin shqip dhe më pas edhe në një frëngjishte simpatike, në Festivalin e Fundvitit në Radio Televizionin Shqiptar, në dhjetorin e vitit 2008.

Ajo në skenë realizon edhe një dialog me publikun. Elsa ka marrë pjesë në Festivalin e TVSH-së në vitin 1996 dhe 1997 ndërsa ka triumfuar në të dyja tentimet e saj. Elsa Lila ka marrë pjesë dy herë në Sanremo në Itali. / KultPlus.com

Promovohet libri ‘Reflektime demokratike’ i Jakup Krasniqit

Kontributi i ish-kryetarit të Parlamentit të Kosovës, është vlerësuar shumë me rastin e promovimit të librit të tij “Reflektime demokratike”, që është një përmbledhje e periudhave të ndryshme të përjetuara nga vetë autori, i cili shpalos pjesë nga to.

Autori Jakup Krasniqi nuk foli shumë për librin, por vetëm e sugjeroi atë si një udhërrëfyes për ata që duan të hyjnë në jetën politike.

“Ky libër do t’i shërbejë atij që sapo ka hyrë në politikë, atij që është dhe atij që mendon të hyjë”, tha ai.

Shkrimtari, njëkohësisht edhe botuesi i këtij libri Abdullah Zeneli, tha se kishte insistuar që ky libër të botohej më shpejt për shkak të vlerës që ka, transmeton kp.

Ndërsa studiuesi letrar Adem Gashi librin e quajti “Reflektim për reflektimin”, si titull i dytë i mundshëm.

“Jakupin tashmë e ka pensionuar mosha, por nuk e ka lënë as librin e as politikën”, u shpreh ai.

Bashkim Musliu, profesor, shkrimtar dhe kritik, tha se sipas tij kjo vepër do të shërbejë për ta ruajtur kujtesën historike dhe se ky libër përbëhet nga fjalimet e autorit kur ishte në pozitën e kryetarit të kuvendit dhe kryesisht pjesë nga jeta e tij në politikë.

“Autori është personalitet me jetë të gjatë në sferën politike, ka qenë pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve për të cilat flet. Së pari kombi, pastaj shteti dhe krejt në fund partia”, tha ai.

Përkthyesi nga Shqipëria Elvi Sidheri, foli për marrëdhëniet shpirtërore që ka me Kosovën.

“Kosovën e kam konsideruar si lloj amaneti nga gjyshi”, tha ai.

Sa i përket librit, ai e vlerësoi punën e autorit mjaft shumë dhe shprehu besimin që ka për subjektin e librit.

Ky është libri i dymbëdhjetë i radhës nga Jakup Krasniqi. / KultPlus.com

Nusja nga Kosova

Poezi e shkruar nga DRITËRO AGOLLI.

Kam dashur t’i gjeja dhe nipit tim të vogël një nuse
Andej nga Kosova në fshatrat e thella,
Po kjo ka qenë një ëndërr pas zjarrit me flakë të kuqe
Si valë e flamurit tek shpella.

Ka qenë vërtet një ëndërr në viset e mia me gurra,
Ku Rrjedhin ujërat, por unë etjen e verës zor se e shuaj.
Kam dashur nusen e nipit të mos e marr me vetura,
po veç si qëmoti me kuaj.

Një muaj të tërë le të zgjaste udhëtimi me kalë,
Me pluhur mbi vello të vinte nusja e nipit tek unë,
me dorën time t’ia shkundja duvakun palë mbi palë
Atje tek oxhaku, ku kafja në xhezve bën shkumbë.

Dhe s’kishte gjë, le të binte pluhur i udhës së largët
Në vatrën time të vjetër sa përralla,
Po kjo nuk ndodhi mes botës së ligë e të varfër,
Ku rron ky fisi i ynë i ndarë në dysh plot andrralla,

Ku s’merr dot një nuse për nip a për djalë,
Se fisin e ndanë kufiri me dy pasaporta;
Këto pasaporta s’te lënë të marrësh nuse me kalë,
As me vetura, as me trena dhe as me aviona ndofta…

Kam ëndërruar t’i gjeja një nuse tim nipi të dashur
Në fshatarat e thella andej nga Kosova,
Se s’desha të shkoja në tjetrën botë me buzë të plasur,
Ta shuaja etjen e mallit për aq sa të rroja.

“Askush s’mund ta zhvendosë Universitetin e Prishtinës për ta kthyer në Qendër Islamike…”

Organizata e studentëve Demokracia Studentore reagon ndaj deklarimeve të nënkryetarit të Komunës së Prishtinës , Selim Pacollit, i cili tha se ‘ideja ime për zhvendosjen e Universitetit të Prishtinës për ta rikthyer atë në një qendër Islamike do të përkrahet edhe nga Shpend Ahmeti’.

Mexhid Ramusa nga Organizata “Demokracia Studentore” shprehet se ‘ne studentët e Republikës së Kosovës jemi të shqetësuar nga deklaratat dhe planet e nënkryetarit të Komunës së Prishtinës nga radhët e AKR-së Selim Pacolli në lidhje me planin e zhvendosjes së UP-së për ta shndërruar në një qendër Islamike’.

“Ne studentët ja rikujtojmë Pacollit që as Serbia në kohen e okupimit nuk ka mundur ta zhvendos universitetin e Prishtinës në objekt kishtar e cila me dhunë ka tentuar dhe e ka vendosur Kishën Ortodokse ne Kampusin Universitar dhe as një herë nuk ka mundur ta vë në funksion, por as ju nuk mundeni pasi UP-ja është tempull i dijes dhe jo tempull i objekteve fetare”, thuhet në reagim.

“Ne si student të republikës se Kosovës, kemi nevojë për zhvillimin e sektorit te Teknologjisë Informative Laboratorë liberalizim të vizave, depolizim të universiteteve, punësime e jo për qendra islamike”, përfundon reagimi. / KultPlus.com

Qyteti i vetëm në Kosovë që nuk është ndriçuar për fundvit

Qyteti i Pejës është i vetmi qytet në Kosovë që nuk është stolisur për festat e fundvitit.

Babadrimi i vendosur në qendër të Pejës është dëshmia e vetme që tregon ardhjen e festave në Pejë.

Kjo mungesë e ndriçimit me drita dhe stoli në prag të ndërrimit të moteve ka hatëruar banorët e kësaj komune.

Komuna e Pejës është arsyetuar duke thënë se nuk ka pasur buxhet të mjaftueshëm.

Shefi i kabinetit të kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se patën probleme financiare, prandaj qyteti nuk është stolisur. / KultPlus.com

Mina Krasniqi sfidon realitetin e nuseve symbyllura në ekspozitën personale (FOTO)

Gili Hoxhaj

Mina Krasniqi sonte shtriu realitetin dhe ëndrrën e nuseve shqiptare në rreth njëzetë punime, të cilat i prezantoi në Hanin e 2 Robertëve, ku edhe bëri hapjen e ekspozitës së saj personale.

Piktorja Mina Krasniqi, tash e sa kohë stilin e saj e kultivon me besnikëri të plotë ndaj “nuseve”, të cilat i sjellë përmes ngjyrave të ndryshme, por në një pozicion pothuajse të njëjtë. Vizitorët ndeshen me bukurinë, sensualitetin e çdo gjë tjetër pos syve të tyre. Mina përmes kësaj përkufizon realitetin dydimensional të nuseve shqiptare. Duke fshehur sytë e saj, ajo hap kapitullin e jetës së tyre i cili orvatet mes dëshirës së brendshme, dhe kufizimeve të jashtme, shkruan KultPlus.

Nuset e Minës, duket sikur qëndrojnë të varura në pikëllimin e tyre, dhe gjejnë prehje vetëm brenda ëndrrës për liri. Pikturat e Minës kanë vetëm një shenjë të mentalitetit në sytë e tyre të mbyllur, por veshja dhe pozicioni në të cilin ajo i sjellë, e shfaqin anën e modernizuar të dukjes së tyre. Por për piktoren ndryshimi nuk vjen vetëm në pamje, e nga jashtë nëse gjurmët e tij nuk kanë prekur vërtetë thelbin e jetës së tyre për ta udhëhequr kohën përmes syve të tyre.

Skënder Boshtrakaj, i cili së bashku me piktoren uruan mirëseardhje të pranishmeve, po ashtu tha se ndihet i lumtur ta bëj hapjen e ekspozitës të një piktoreje siç është Mina. Ai tha se Mina fsheh një mesazh në secilën pikturë, ndërsa e falënderoi piktoren që për shumë vite insiston në këtë temë.

“Nëse thonë se syri është dritare e mbyllur, pasi që i kam parë pikturat e Minës me symbyllur, unë tash jam i sigurt se syri i mbyllur është shpirti vet. Femra që jetojnë dy botëra, jetojnë jetën e dhënë nga jashtë dhe ëndrrën e tyre imagjinare. Këtu mund ta shohim Minën të identifikuar me secilën femër që ndoshta kur i hap sytë, e lakmon një botë që i është ndaluar dhe kur i mbyllë sytë kthehet në ëndrrën e vet”, ishin fjalët e Boshtrakajt që përkufizonin punën e piktores në këtë ekspozitë.

Boshtrakaj gjatë ceremonisë hapëse u shpreh tejet i lumtur që kjo ekspozitë po prezantohet në një institucion që ka promovuar artistët edhe në kohërat më të rrezikshme. “Janë disa dekada që ky institucion mbijeton dhe përmban kujtesën e kafe galerive, që gjatë viteve të 90’ta kanë qenë një ushqim shpirtëror për artistët dhe qytetarët”, tha Boshtrakaj sonte.

Vizitorët e kësaj ekspozite ndeshen me njëzetë piktura të shpërndara në tërë ambientin e kafegalerisë, por para se të vijnë në sytë e vizitorëve, dedikimi dhe vëmendja e piktores ishte e ndarë në disa piktura njëkohësisht. Kur Mina futet në botën e pikturimit, brushat e saj zhyten ndonjëherë në ndërtimin e katër pikturave njëkohësisht. Ajo tregon për KultPlus se asnjëherë nuk i ka ndodhur të ulet dhe të punojë vetëm në një pikturë.

Mina Krasniqi tha se me këtë ekspozitë ka dashur që në këtë fundvit ta nxjerrë në pah punën e saj gjatë këtij viti. Ajo tregoi për KultPlus se kjo ekspozitë erdhi me emrin “Nuset”, për ta shpërfaqur mentalitetin e shoqërisë, i cili prek në një kohë kur martesat për nuset vinin në formë imponimi.

“Arsyen përse sytë e tyre janë të mbyllur e lidhi me ëndrrën e tyre për martesën, gjithmonë duke e shprehur mentalitetin se si nusja gjatë ceremonisë së dasmës është dashur t’i mbajë sytë poshtë. Zakonisht ngjyrat i sjellë ma të lehta, në mënyrë që të përshtaten me shpirtin femëror dhe përmes mjegullinës kam përshtatur ëndrrën e saj, kurse përmes luleve vjen një simbol femëror. Shumica prej tyre e kanë ngjyrën e flokëve më të hapur, për shkak se përmes këtij detaji dua ta paraqes atë se si femrat para martesës i japin rendësi lyerjes së flokëve”, tregoi Mina për konceptin dhe detajet e pikturave të saj sonte.

Stili i Minës orvatet në të kaluarën dhe prek edhe sot mentalitetin kosovar karshi nuseve. Detajet e shumta që fshihen në punimet e saj bëjnë që mesazhi i pikturave të saj të vijë sa më natyrshëm tek publiku dhe të jetë sa më origjinal.

Pikturat për Minën, nuk janë vetëm një shprehje artistike në të cilën ajo e ka gjetur veten. Punimet e saj duan të pasqyrojnë realitetin e trishtë dhe të lobojnë në përmbysjen e tij. Madje për ta arritur këtë ajo në mesin e pikturave shpalosë edhe një autoportret me veshje tradicionale.
“Përmes punës time kam dashur ta përcjellë mesazhin që femra nuk është një skllave pasi që ka raste se kur ato martohen, shihen si skllave që duhet vetëm të shërbejnë. Unë dua të tregoj se femra është sensuale, edhe punëtore”, shtoi piktorja Krasniqi.

Mina Krasniqi këtë ekspozitë e ndau me artdashës, piktorë e profesorë të cilët për shumë kohë e kishin përcjellë punën e veçantë të saj. Piktorja Bardha Buza tha për KultPlus se Mina duke trajtuar ëndrrat e femrës, sjellë një stil jashtëzakonisht të veçantë. Ajo u shpreh se edhe pse ka shumë artistë sot, janë të paktë artistët si Mina që merren me një figuracion dhe përmbajnë po ashtu një mesazh.
Për të gjithë ata që duan të shijojnë punën artistike të kësaj piktoreje, ekspozita do të qëndrojë e hapur për tri javë tek Hani i 2 Robertëve, afër Fakultetit të Arteve. / KultPlus.com

Hamami i Sarajevës dhe ankesat e Nexhmijes mbi tymin e duhanit (FOTO)

Në Sarajevë, në vitin 1984, do të këndonte në kuadër të Olimpiadës Dimërore që po mbahej në këtë qytet.

Ajo po e prezantonte kulturën e Kosovës në Qendrën Kulturore Boshnjake – Hamam Bar, me këngë shqipe dhe me meloditë që veç ajo di ti sjellë.

Në disa fotografi të publikuara nga Luan Koshi, është pikërisht ky koncert në Sarajevë dhe Nexhmija me grupin e saj duke kënduar. Një nga këto paraqitje ka qenë edhe fundi i karrierës muzikore të Nexhmije Pagarushës edhe pse ajo vazhdoi të ishte pjesë e projekteve të ndryshme muzikore më vonë.

Pikërisht mbi këtë paraqitje, Nexhmija ka treguar se si i ka humbur zëri dhe se si ishte e zhgëjyer me paraqitjen e saj.

“Kisha disa vështirësi me zërin kohët e fundit, për çfarë edhe e kisha konsultuar një mjek në Beograd, i cili sa herë që mbaja koncerte atje, vinte bashkë me të shoqen e më nderonte me buqetë lulesh. Më pati preferuar: zonjë, juve ju nevojitet një periudhë qetësie, s`kemi nevojë për ilaçe. Ndërprerja definitive e zërit, ndërkaq, ndodhi në Sarajevë, në Lojërat Dimërore Olimpike 1984. Radio Prishtina më çoi bashkë me orkestrën që të këndoja për mysafirët e ardhur nga e gjithë bota. Këndoja në një lokal që i thonin Hamam Bar, përnatë, dhjetë ditë. Kjo ishte e tepërt për mua, në atë tym duhani. Pastaj, isha nervoze, ngase orkestra zbavitëse nuk dinte të më shoqëronte. Kur erdhi Ansambli Shota, bashkë me Luan Hajrën, u gëzova. Këndova dhe të nesërmen mbrëma me këtë ansambël, gjë që askush në botë nuk do të dilte të këndonte me atë zë që pata atë natë! Por, më vinte keq t`i lija, se ndërmjet pikave kur unë dilja, ata të ansamblit ndërronin gardërobën për paraqitjen e radhës. Ajo natë për mua ka qenë e tmerrshme, disa tone mund ti këndoja, disa jo, ndërsa djersët më shkonin, salla ishte përplot, megjithëkëtë duartrokitnin” tregon Nexhmija në librin e Sanije Gashin – Ecje nëpër kujtesë, derisa flet se si nisi zëri i saj të marrë ngjyrim tjetër shkaku i disa viteve performanca por edhe paraqitjeve në lokacione ku zëri i saj përzihej me tymin e duhanit.

“E kisha një koleg të ri, mik, që studionte në Sarajevë, i cili m`u afrua: Nexhi, ti më kështu nuk bën të këndosh! – E di, i thashë. Dhe kurrë më në jetë nuk kam kënduar! Ishte një mbrëmje e ftohtë, e ftohtë, si dimrat e Sarajevës më. Kjo ishte përshëndetja ime e fundit me skenën, me këngën, me zërin” tregon Pagarusha rreth periudhës kur u largua nga muzika për tu rikthyer vite më pas në një tjetër rrethanë dhe ndihmuar nga miqtë e saj këngëtarë. / KultPlus.com

Gustave Flaubert i shkruan Louise Colet letrën më të sinqertë të dashurisë

Sonte nata është e ngrohtë dhe e butë; tani që po të shkruaj, papuçet e tua të vogla i kam këtu, para syve, i vështroj. Veç gëzim do desha të të ngjallja dhe me lumturi të patrazuar dhe të pareshtur të të rrethoja, si shpërblesë për gjithçka që më ke falur me dashurinë tënde fisnike. Druaj mos dukem I ftohtë, i akullt, egoist dhe vetëm zoti e di se ç’po më ngjet këtë çast. Sa kujtime! Dhe sa ëndje! Më duket që po shkruaj keq; s’po të shkruaj asgjë nga ato që dua të të them. Frazat e mia përpiqen si psherëtima; për ti kuptuar ato duhet mbushur ai boshllëk që ndan njërën nga tjetra; do ta bësh apo jo? A do të ëndërrimesh pas çdo shkronje, pas çdo shenje shkrimi? Si unë, që duke vështruar papuçet e tua bojë kafe, përfytyroj lëvizjet e këmbëve tua tek i veshin ato…shamia është ende brenda…

..A e di ç’po mendoj? Fytyrën tënde të zbehtë e serioze, kur ti rrije përdhe, mbështetur mes gjunjëve të mi…dhe llambën! Mos e thyej, lëre; ndize çdo mbrëmje ose më mirë në ndonjë ditë solemne të jetës tënde të brendshme…A e di se në çfarë qëndrimesh të përfytyroj? Në studio duke pozuar: nga njëra anë të ndriçonte dita, unë të kundroja në anën tjetër; dhe pastaj në mbrëmje, në hotel të shoh të shtrirë në shtratin tim, flokët derdhur mbi nënkresë, vështrimin drejt qiellit, e venitur, duarlidhur, duke më dërguar fjalë çmendurie. Kur u veshe ishe e freskët posi buqetë lulesh. Në krahët e mi një ngrohtësi e ëmbël, kapitëse dhe dehëse buron prej teje. Po unë si të dukem? Si ngrihet shëmbëlltyra ime para syve të tu?… Sa dashnor i mjerë qenkam. Ajo që më ndodhi me ty kurrë s’më kishte ngjarë. Kisha frikë se do të më urreje. Duhej pra të të dashuroja fort, meqë ndieja të kundërtën e asaj që ndjeja për të tjerat, s’ka rëndësi cilat. Ti do më bësh mua pagan, o muza ime!!!…

….Para se të të njihja isha i qetë, po hyja në një periudhë burrërie për nga shëndeti moral. Rinia më kishte ikur. Ndërkohë ti erdhe në majë të gishtave dhe e trazove gjithë këtë. Llumi i ndenjur zjeu sërish, liqeni i zemrës sime fërgëlloi porse stuhia për oqeanet është. Po u turbulluan pellgjet vjen erë e keqe. Të dua pa ti them këto. Po munde harromë. Shkule shpirtin me duart e tua dhe eci sipër për të fshirë gjurmën time. Hajde mos u zemëro…

…Ndihem i trishtuar, i mërzitur, tejet i tendosur. Po më mbërthen, si para dy vjetësh, një ndjeshmëri therëse. Kursemë; ndiej marramenth prej dashurisë tënde. Duhet të jemi të bindur se nuk mund të jetojmë tok. Duhet ti jepesh një jete më pak të spikatshme, më të cekët. Do të doja të të takoja, ta bëja zakon këtë, në mënyrë që shëmbëlltyra mos të të djegë e ngushëllojë, por të ngrohë dhe dëshpërojë…duhet të të qortoj diçka që më lëndon dhe skandalizon, për merakun tënd të pakët në lidhje me Artin. Mirë për lavdinë, skam kundërshtim që nuk merakosesh; por jo për Artin, që është e vetmja gjë e vërtetë më e mirë në jetë! A mund ta krahasosh atë me një dashuri tokësore? A mund ta parapëlqesh adhurimin e një bukurie të përkohshme ndaj kultit të së vërtetës?….

….Sa më kënaq kuvendimi më ty. Pena shkruan si t’ia ketë ënda pa e vrarë mendjen se vajti vonë. Çlodhem kur ti dërgoj ashtu kuturu të gjitha mendimet e zemrës.
E dashura Luizë, ti më flet për mjerimet e femrës; dhe unë jam në këtë mes. Do ta shohësh që do të më duhet të zbres poshtë në pusin e ndjenjave. Po të jetë i mirë libri im, ai do të miklojë ëmbëlsisht shumë plagë femërore të cilat do të buzëqeshin duke njohur aty veten e tyre. I njoh mirë ato dhimbjet tuaja, të gjorat shpirtra të errët, njomur prej trishtimit të fshehtë, si ato oborret e pasme në provincë, muret e të cilëve i ka mbuluar myshku.
Kam jetuar dashuri të zjarrta, që kullosnin në zemrën time si kuajt në lëndinë. Disa të tjera qenë akull të ftohta, mbështjellë rreth vetes, si gjarpërinjtë kur tretin ushqimin. Kam pasur më shumë epshe, se flokë të rëna. Tani u plakëm bukuroshja ime; qofshim hija jonë e fundit, gënjeshtra jonë e fundit; qoftë e bekuar, sepse është e ëmbël! Uroj të mbajë sa më shumë, sepse është e fortë.