Revista suedeze “Vagabond”: Shqipëria, destinacioni kryesor për vitin tjetër

Vagabond është revista më e madhe e Suedisë për udhëtime dhe ka listuar 35 destinacione në gjashtë kategori: vendet më të mira, qytetet më të mira, aventurën më të mirë, më të mirët e diellit dhe banjot, udhëtimet më të mira ushqimore dhe udhëtimin më të mirë buxhetor, ku Shqipëria renditet e para.

Lajmi është postuar në faqen e ministrise për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku thuhet: “Shqipëria po promovohet nga mediat ndërkombëtare si një nga destinacionet më të mira turistike për vitin e ardhshëm 2018. Vendi është në krye të 35 destinacioneve për t’u vizituar në 2018, sipas Vagabond Beresta Editorial”.

Në artikullin kushtuar Shqipërisë thuhet se “Fituesi në kategorinë më të mirë është Shqipëria – një vend që së fundi ka qenë një ushqim i mirë në botën e udhëtimit, pasi ajo ka gjithçka, nga majat e thyera malore deri te plazhet e artëa mesdhetare”.

“Shqipëria lë prapa dy vende: Botsvana dhe Zvicra. Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave (INSTAT) konfirmuan se numri i turistëve nga tregu europian në 2016 vizitorët nga Suedia u rritën me 63 për qind”, citon Vagabond. / KultPlus.com

Një lutje e mahnitshme e Shën Terezës shqiptare

Shën Tereza, krenaria e të gjithë shqiptarëve, sot njihet në mbarë planetin për të bëmat e saj por edhe për kujdesin ndaj të varfërve dhe predikimet e saj të fuqishme.

Nënë Tereza e Kalkutës, siç e njohin të gjithë, është ende shpirtërisht e gjallë ndër njerëzit tek të cilët ajo predikoi lutjet e saj, dëshirën e saj për shëndet e mundësi të mirë jetese, shkruan KultPlus.

Po e sjellim në këtë mëngjes një pjesë të një prej lutjeve dhe predikimeve më të pastërta dhe njerëzore të Shën Terezës shqiptare.

“Në jetë mos fajëso askënd. Njerëzit e mirë të japin lumturi, të tjerët të japin eksperiencë, të gabuarit të japin mësim, të dashurit të japin kujtime të paharrueshme…”

Sa e mundur është ti japësh vetes bekimin e kësaj paqeje shpirtërore që na e predikon e shenjta Nënë Terezë? Sa e magjishme dhe sa e hyjshme është ta rrokim me këtë urtësi momentin kur trazimi na i errëson sytë na e ndërkryen turrin, kur zemërata na cingërin nervat dhe gjuhën na helmon.
Nënë Tereza: Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyre, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes tënde, gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!

“Eja eja lule borë”, një krenari shkodrane për të gjithë shqiptarët (VIDEO)

E shkruar në vitin 1946 nga poeti shkodran Zef Pali dhe e kompozuar nga Simon Gjoni, kënga “Eja, eja lule borë” mbetet ndër këngët më të bukura shqiptare.

Një këngë që i ka rezistuar kohës, shtatë dekadave jetë, edhe sot këndohet e dëgjohet me ëndje.

Po e sjellim sonte një performancë të këngës e cila nuk është vetëm shkodrane, por një krenari e të gjithë shqiptarëve, shkruan KultPlus.

Po e bashkëngjisim edhe tekstin origjinal të këngës.

Në ish-Bashkimin Sovjetik, Lule borë, ishte kaq e përhapur sa që shqiptarëve iu drejtoheshin: “A…, ju jeni nga vendi i Lule borë”, kujton këngëtari Avni Mula, një nga interpretuesit më pikantë të kësaj kënge në atë kohë, por që nuk e ka harruar pa një interpretim lirik të mirëfilltë në disa koncerte edhe vajza e tij, sopranoja Inva Mula. / KultPlus.com

Eja, eja lule borë

Tue kerkue n‘mal e n‘koder
tue prek‘ lule e gjeth‘ me dore
veç nji kopsht ma t‘bukur Shkodër
ty te gjeta Lule Borë

Ref
Je e vogel por je plot
Ty t‘ kerkoj une tash sa mot
Tash sa mot une ty t’ kerkoj
N‘gzim me ty jeten ta çoj

Eja eja lule bore
se me ty do t‘thur kunor
eja eja lule bore
se me ty do t‘thur kunor

Pash ma t’ buk’ren stinë pranvere
pash mbretneshen trandofil
mos t‘i falish kujt Ti eren
se per mue vetem ke çil

Fjalet e mija deh ndigjoi
ma ke ftyren porsi zane
une prej gjumit do’t zgjoj
veç me t pa ne drit t’ksaj Hane

Priyanka Chopra merr çmimin ‘Nënë Tereza’ për bamirësi

Priyanka Chopra është një prej personaliteteve që ka marrë këtë dhjetor çmimin “Nënë Tereza” për drejtësi shoqërore.

Chopra e ka pranuar çmimin për shkak të ndihmës së saj në Siri, vizitës së saj atje ku edhe takoi refugjatët dhe dëgjoi për nga afër vuajtjet e tyre.

Chopra njihet për aktivitetet e filantropisë dhe është Ambasadore e vullnetit të mirë në UNICEF.

Chopra është 35 vjeçare, ndërsa çmimin e ka marrë nëna e saj e cila ka treguar se është krenare për vajzën e saj dhe për humanizmin që ajo ka treguar, shkruan KultPlus.

“Qysh si fëmijë, Priyanka ka qenë shumë e dhënë pas Nënës Terezë. Ajo gjithmonë e ka ditur se sa më shumë të japësh, aq më shumë do të marrësh” ka thënë Madhu Chopra, nëna e Priyanka Chopra.

Chopra është zgjedhur më e bukura e botës në vitin 2000. / KultPlus.com

Huffpost: Dhjetë arsyet për ta vizituar Shqipërinë e bukur (FOTO)

Koloradoja rurale, ku unë jam rritur, nuk kishte asgjë tërheqëse çka rriti dëshirën time për të parë botën. Udhëtoja tërthorazi nëpërmjet faqeve të ”National Geographic” që më kishte blerë gjyshja. Mbushja fletoret me listat e vendeve që duhet të shihja, shkruan Monique Alvarez për HuffPost, e cila ka mbi 10 vjet eksperiencë në sipërmarrje dhe lidership për të ndihmuar gratë në të gjithë botën që të bëhen sipërmarrëse të suksesshme. Ajo është e ashtuquajtur ”nomade digjitale”, jeton në Tiranë me bashkëshortin dhe dy fëmijë.

”Ndërsa Shqipëria, që nuk e arriti asnjëherë këtë listë, do të bëhej vendi që gjeti rrugën thellë në zemrën time. Pas një udhëtimi veror në Meinmar, vendosa të ndiqja një trajnim në Floridan Qendrore, ku mësova të jetoja pa gjërat që shumë prej nesh i marrin të mirëqëna, si uji i pijshëm dhe energjia elektrike. Një natë, ndërsa po darkonim nën dritën e qirinjve, diskutimi na çoi në krizën e Kosovës dhe sesi një jetimore në Shqipëri po kërkonte vullnetarë.
Shqipëria nuk më hiqej nga mendja”, thekson ajo.

”Pak para ditëlindjes sime të 22-të nuk kisha asnjë ide se ku po bëhesha gati të shkoja dhe tani jam e lumtur. Nuk më nevojitej të dija sa do të rritesha apo mësimet që do të nxija, por duhej vetëm të ndiqja zemrën time sepse kisha një takim me fatin. Shumë persona më pyesin, pse Shqipërinë? Në këtë vend të vogël unë gjeta veten dhe jetën që dëshiroja të bëja. Tirana, Shqipëria ku unë erdha 18 vite më parë ka ndryshuar tmerrësisht shumë. Ky nuk është një vend i ngecur në të shkuarën. Ky është një vend plot me premtime dhe optimizëm dhe sigurisht një nga perlat më pak të çmura në botë”, shkruan Alvarez duke renditur më poshtë edhe 10 arsye që do t’ju bënin të rezervonit biletën tuaj në Shqipëri këtë vit:

1. Për shumë vende nuk është e nevojshme të aplikohet për vizë para mbërritjes. Në fakt, amerikanët të cilët janë të interesuar të qëndrojmë më gjatë mund të përfitojnë viza njëvjeçare. Në përfundim të vizës mund të aplikoni për leje qëndrimi tremujore. Nëse jeni të interesuar të jeni familje udhëtuese apo edhe të dilni në pension këtu harrojini afatet e vizave dhe shijojeni vendin çdo 12 muaj të plotë.

2. Shqipëria është një nga vendet më tolerante në botë. Këtu ka të krishterë, ortodoksë dhe myslimanë, të gjithë jetojnë paqësisht. Feja e vërtetë këtu është tradita e tyre e lashtë e mikpritjes.

3. Bukuritë natyrore të Shqipërisë janë befasuese. Ajo ka male të mrekullueshme, plazhe mbresëlënëse, liqene dhe lumenj. Ne shijuam verën në Ksamil dhe tani jemi në kryeqytetin, Tiranë. Kam qenë pothuajse kudo dhe mund t’ju them se çdo vend ka një bukuri të veçantë.

4. Kostoja e të jetuarit është E ULËT. Nëse po planifikoni dy javë pushime ose po mendoni të zhvendoseni, do të gjeni çmime shumë të leverdisshme në Shqipëri. Taksitë zakonisht kushtojnë rreth 2-4 dollarë, një vakt i bollshëm mund të shkojë në 15 dollarë, një apartament me dy dhoma në një zonë të mirë të qytetit mund t’ju kushtojë nga 400-500 dollarë.

5. Ushqimi është, oh sa i mirë! Janë të gjitha mundësitë, që nga adhuruesit e mishit dhe peshkut dhe deri te vegjetarianët. Kudo ka restorante dhe madje mund ta merrni vaktin tuaj edhe te dera e shtëpisë nga mbi 80 restorante në Tiranë kur shkarkoni aplikimin ”Baboon” në smartfonin tuaj. Tregjet e fruta-perimeve të freskëta janë në çdo cep rruge dhe ushqimet ”bio” janë një normë këtu. Nëse doni të takoni turistë apo bashkatdhetarë shkoni te qendra ”Stefan”.

6. Është vend i sigurt. Krimi pothuajse nuk ekziston. Gratë mund të ecin vetëm, madje edhe natën, dhe të mos jenë të shqetësuara. Unë rregullisht dal vetëm me fëmijët e mi dhe përdor shërbimin lokal të taksive pa asnjë problem. Unë gjithmonë befasohem sesa shpesh bëhet kjo pyetje, pasi ndihem më e sigurt këtu sesa në Amerikë.

7. Shqiptarët nuk janë mësuar ende me turistët, megjithatë ata i duan të huajt. Ata emocionohen kur ne vizitojmë apo lëvizim në vendin e tyre dhe kanë mënyrën e tyre për të të ndihmuar me gjithçka që të nevojitet. Transporti është shpesh gjëja më e vështirë për të udhëtuar, por furgonët janë mënyra më e mirë për këtë gjë.

8. Shumë banorë lokalë flasin anglisht. Në fakt, pjesa më e madhe e shqiptarëve flasin katër apo pesë gjuhë të huaja përfshirë greqisht, italisht, spanjisht apo gjermanisht. Siç edhe mund ta imagjinoni, ata ngazëllehen kur ju përpiqeni të mësoni disa fjalë në shqip. Nuk është ende shumë e qartë nga vjen gjuha shqipe. Ajo nuk ka të afërm të mbijetuar, madje edhe paraardhëset e saj janë të mjegullta. Shpesh mendohet se ajo rrjedh nga ilirishtja, por nuk ka fakte të mjaftueshme për të arritur në konfirmimin e kësaj.

9. Interneti është i shpejtë dhe i përhapur gjerësisht. Nëse punoni online ashtu siç bëjmë ne, kjo është pabesueshmërisht e rëndësishme. Edhe nëse jeni në zona rurale, pjesa më e madhe e restoranteve dhe bareve ofrojnë wi-fi pa pagesë. Nëse doni të qëndroni më shumë, interneti mund të instalohet brenda një apo dy ditëve me shpejtësi 100mb për rreth 30 dollarë në muaj.

10. Shqipëria është në një pozicion perfekt gjeografik për të shijuar Evropën Perëndimore, Evropën Lindore dhe Ballkanin. Nëse udhëtoni nga Greqia ka linjë ajrore, anije dhe autobusë. Një nga mënyrat më të lehta për të shkuar në jug të Shqipërisë është fluturimi deri në Korfuz dhe prej andej merr anijet. Fluturimet nga Roma, Londra, Frankfurti dhe Stambolli nga Tirana dhe drejt saj janë të zakonshme.

Nëse doni të vizitoni një vend tjetër të mrekullueshëm përpara se të rriten çmimet dhe përpara se të tejmbushet me turistë, shkoni në Shqipëri.

“Kur ne verbërisht e pranojmë një religjion, ne ndalojmë së rrituri”

“Ne nuk i shohim gjërat ashtu siç ato janë, ne i shohim ashtu siç ne jemi.”

“Ne udhëtojmë, disa nga ne përgjithmonë, për kërkuar një shtet tjetër, një jetë tjetër, një shpirt tjetër.”

“Kur ne verbërisht e pranojmë një religjion, një sistem politik, një dogmë, ne bëhemi automatë. Ne ndalojmë së rrituri.”
“Mos e kërko ‘sepse-në’ – në dashuri nuk ka ‘sepse’, nuk ka arsye, nuk ka zgjidhje.”

“Jeta njihet vërtetë vetëm nga ata që vuajnë, që humbasin, ata që i durojnë vështirësitë, ata që pengohen nga disfata në disfatë.”

“Ëndrrat janë të domosdoshme për jetën.”
– Anais Nin

Kapali Çarshia e Prishtinës, vendi i zanatlinjve e zejtarëve (FOTO)

– Çarshia e Mbulueme ose e mbyllur, e njohur si Kapali Çarshi, ka qenë pjesa më atraktive e qytetit, diçka fantastike! – kujton z.Islam Mumxhiu.

– Unë, madje, mund ta vizatoj si është dukur ajo çarshi, si ka qenë, aq kthjellët më kujtohet! Kanë qenë dyqanet me qepena, kalldrëmi turk, ndenjëset para duajve, zanatlinjtë… Ai kompleks dyqanesh, nja 400 sosh, ka qenë me arkitekturë tipike orientale. Qëllimi i prishjes, i rrënimit të Çarshisë më 1946 e këtij ka qenë humbja e gjurmëve të Prishtinës, ndërsa qendra e qytetit ka qenë pikërisht aty, me të gjitha begatitë. Ka pasur shumë rrugica, bile një objekt, pjesë e Çarshisë, ndodhet në hyrje të ish-shtëpisë së Eminxhikëve (Muzeu Etnologjik sot). Asgjë tjetër nuk ka mbetur nga ato gjurmë.

Aty, pra kanë qenë zanatlinjtë, zejtarët e shumtë prishtinas. Në Çarshi ka pasur edhe shumë dyqane të jahudinjve, aty ka qenë dhe SINAGOGA e madhe, faltore e besimtarëve hebraikë. Edhe atë e kanë rrënuar pa mëshirë. Në Prishtinë ka pasur shumë familje hebraike. Te Kinema “Rinia” ku është edhe sot, e ndërtuar pas luftë, ka pasur shumë dyqane të tyre. Me jahudinjtë kemi kaluar shumë mirë. Bile, varrezat e tyre ndodheshin në kodrën mbi Tauk Bahçe, u kujtohet mirë vendësve, porse viteve të fundit në atë pjesë janë ndërtuar shumë shtëpi. Mirëpo, kur hyri gjermani, një pjesë e tyre ikën, një pjesë shkuan në Shqipëri, ndërsa të tjerët i morën!

Kapali Çarshia ndodhej në hapësirën ku është Enti Social sot, ku është ndërtesa e Qeverisë, deri këtej Kuvendit të Komunës. Një pjesë e kësaj çarshie ka qenë e mbulueme, e muruese me tulla, ndërsa të tjerat pjesë kanë qenë të hapura. Shumë thellë në Kapali Çarshi, në qendër të saj, ka qenë një shatërvan, rreth e rreth me dyqane, sokak pas sokaku. Aty ka qenë edhe dyqani i Osman Navakazit, prishtinas. Kënaqësi e madhe ka qenë përpara, ka qenë pastërti e madhe, kalldrëm të larë, mure të pastra, lyer me gëlqere…eh, atëherë ka qenë e detyrueshme ta mbanim pastërtinë!

Burimi: Sanije Gashi – Prishtina e fëmijërisë sime

Ti do të më dashurosh patjetër

Poezi e shkruar nga Fatos Arapi.

Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër.
shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër.
Në mallin tënd ky karafil i egër,-
Ti do të më dashurosh patjetër!

Në sytë e tu diej të vegjël
e ndezën natën dhe ditën e ndezën.
Mirë sot, po si durohet pa ty nesër?-
Ti do t’më dashurosh patjetër.

Kapërcej ty e kapërceva veten,
dhe përtej vetes kapërceva jetën,
dhe përtej jetës kapërceva vdekjen,-
I hapa krahët të pushtoj ty vetëm:

Ti do t’më dashurosh patjetër!

“Çka do t`ju themi nënave…”

Para pak ditësh e sollëm një këngë të Hana Cakulit dhe Kushtrim Hoxhës, një bashkëpunim fenomenal i cili edhe sot dëgjohet e shijohet.

Sot po e vazhdojmë me Hanën. Hana, tanimë një nënë e përkushtuar dhe pak më larg muzikës, ka disa këngë të mahnitshme në repertorin e saj.

“Çka do t`ju themi nënave” është këngë e shkruar nga Aida Baraku, e kënduar nga Hana, shkruan KultPlus.

Kënga ka qenë pjesëmarrëse në Top Fest 2008, pra ka rreth dhjetë vite jetë dhe mbetet një baladë e fuqishme për dashurinë e humbur.

Po e sjellim këtu edhe tekstin e këngës në fjalë, në këtë periudhë kur çdo ditë po i rikthehemi këngëve më të vjetra të cilat i përkisnin një tregu tjetër muzikor.

Vdes per dy gota nes
si nje ndertese e rende me ra krese
kete mengjes,per vdekje qelloi
fjala e fundit si e plumbit,nga buzet shpetoi.
e vend i vogel eshte ky,
cdo kalimtare do te na ndal..ndaaaaal te pyes per ne te dy.

cka do t’iu themi nena…ve
cka do t’iu themi shok…eve
cka do t’iu themi,shembull do te jemi per taaa…
si shemben dashurite e medha.

mal i pyetjeve
si biciklete e vjeter,rrezohet para kembeve
u nise ngadale duket se gjeja me e veshtire
eshte te thuash me fal,

pasqyre e madhe prane nesh
sa i shemtuar me dukesh , ti…
per nje moment,DASHURI…….

cka do t’iu themi nena…ve,
cka do t’iu themi shok…eve
si do t’iu themi qe shpoi kah qielli
dhe raaa… (nje pallat nga rëra)

cka do t’iu themi nena…ve
cka do t’iu themi shok…eve
cka do t’iu themi,force a do te kemi ne
cka do t’iu themi,zemer a kemi per ta
fjale magjike s’kaaaa…
sot shemben dashurite e medhaaaa….
sot shemben dashurite e medhaaaa….
sot shemben dashurite e meeedhaaaa…. / KultPlus.com

Reshat Arbana rikthehet në teatër me rolin te ‘Babai’

“Babai”, vepra e Florian Zeller rikthen në skenën e Teatrit Kombëtar aktorin e njohur Reshat Arbana. Përkrah tij interpretojnë aktorët Elia Zaharia, Flaura Kureta, Hysen Mullajonuzi dhe Mario Elezi. Në qëndër të veprës është historia e një burri të moshuar me demencë. Por Zelleri thotë se ai nuk u nis nga një ide për ta shkruar dramën.

“Unë nuk përpiqem të them diҫka kur filloj të shkruaj. Unë e zbuloj në fund se ҫfarë dua të them. Kur shkrova ‘Babain’ nuk u mundova kurrë të bindja veten ose që të bëja ҫmos të shkruaja një dramë për demencën. Me mua ndodhi ndryshe. Unë fillova të shkruaja dhe personazhi erdhi natyrshëm…Në fund të dramës, unë u habita kur zbulova se drama ishte për demencën”, shprehet autori i veprës.

“Të shkruash romane është punë vetmitare”, -shprehet Zeller, “kurse kur shkruan për teatrin dramaturgu nuk është asnjëherë vetëm. Kjo ndodh pasi dramaturgu gjithnjë ka parasysh fytyrat e aktorëve, që në fillim, ai nuk është vetëm. Kjo është një mënyrë për të parë diҫka më të madhe se vetvetja.”

Zelleri nuk e krahason shkrimin e dramave me asnjë përvojë tjetër: as me leximin, shkuarjen në kinema ose degjimin e muzikës që interpretohet ‘live’. Kjo sipas tij ndodh sepse “spektatori ka shpirt, një shpirt të veҫantë, për një natë dhe unë nuk e kuptoj përse kjo gjë më emocionon së tepërmi. Ajo që ai sheh në një shfaqje nuk do të përsëritet më kurrë, është diҫka që do të zhduket.

Vepra do të jetë në skenën e Teatrit Kombëtar në datat 21-22-23-24 Dhjetor në Teatrin Kombëtar.

Florian Zeller u lind më 28 Qershor 1978 në France. Është romancier dhe dramaturg . Vepra e tij është botuar dhe vënë në skene në të gjithë botën. Ai ka fituar disa ҫmime Molier në France. Ҫmimi Molier ështe ҫmimi më i lartë në France në fushën e dramaturgjise. Florian Zeller, sipas gazetës prestigjoze The Guardian, është “dramaturgu më i mirë i epokës sonë”.

Dua Lipa bën pite, Merita Halili këndon ‘Doli goca në penxhere’ në Amerikë (VIDEO)

Asnjëherë më parë një emision në Amerikë nuk ka frymuar shqip kaq shumë, sa episodi i radhë i “The Untitled Action Bronson Show”.

Action Bronson, me origjinë shqiptare, bashkë me Dua Lipën dhe artistët shqiptarë Merita Halili e Raif Hyseni, mbrëmë kanë sjellë në emisionin 30 minutësh ushqim shqiptar dhe melodi si “Doli goca penxhere”.

Dua fillon të bëjë pite bashkë me Action Bronson- emri i vërtetë i të cilit është Arian Asllani, i cili sikur për shaka thotë se nuk e di gjuhën shqipe dhe i vjen turp ta flasë këtë gjuhë. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=e7uvaLvYoVo

Kjo është renditja e këngëve në Festivalin e TVSH-së

Janë bërë publike sot të gjitha këngët dhe renditja e tyre e paraqitjes në Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Shqiptar.

Njëra prej këtyre këngëve do ta përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion, ndërsa spektakli vjen me datë 21,22 dhe 23 dhjetor në Tiranë.

Po e sjellim këtu renditjen e këngëve në të dyja netët gjysmëfinale, për të parë më pas se cilat prej tyre arrijnë finalen.

1.
Elton Deda – Fjalët
Mariza Ikonomi – Unë
Endri & Stefi Prifti – Mesazh
Evans Rama – Gjurmët
David & Genc Tukici – Të pandarë
Voltan Prodani – E pamundur
Eugent Bushpepa – Mall
Rezarta Smaja and Luis Ejlli – Ra një yll
Bojken Lako – Sytë e shpirtit
Manjola Nallbani – I njëjti qiell
Redon Makashi – Egziston

2.
Orgesa Zaimi – Ngrije zërin
Denisa Gjezo – Zemër ku je
NA and Festina Mezini – Tjetër jetë
Lorela Sejdini – Pritëm edhe pak
Artemisa Mithi – E dua botën
Ergi Bregu – Bum bum
Akullthyesit – Divorc
Xhesika Polo – Përjetë
Inis Neziri – Piedestal
Tiri Gjoci – Orë e ndalur
Lynx – Vonë

Ndahen çmimet ‘Harpa’, kujtohen edhe Hajrie Rondo e Dritëro Agolli

Lorik Llanaj

Edicioni i pestë i çmimeve “Harpa”, mblodhi në një mbrëmje gala, figura të njohura të artit, kulturës, letërsisë, medias e politikës të ardhur nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia.

Ky eveniment i kthyer tashmë në një traditë, ka akorduar disa çmime, duke vlerësuar emra e personalitetet më të spikatura gjatë vitit 2017.

Në fjalën e çeljes së aktivitetit, presidentja e fondacionit “Harpa”, Majlinda Rama, u shpreh se aktivitete të tilla kanë si qëllim të promovojnë vlerat dhe kontribuuesit e artit dhe kulturës kombëtare.

“Në hapësirën tonë shqipfolëse ka me dhjetëra e qindra emra të spikatur në fushat ku ata veprojnë. Një pjesë e tyre, dalin jashtë vëmendjes vlerësuese për shkaqe harrimi. Ne po përpiqemi që t’u themi ‘Faleminderit!’, si emrave të shquar me kontribut disavjeçarë, ashtu edhe disa të rinjve të talentuar që premtojnë në fushat ku ata janë të fokusuar. Kultura është identitet i një kombi, prandaj ajo duhet të ketë më shumë vëmendje se të gjithë sektorët e tjerë”, – ka vijuar ndër të tjera Rama.

Pas përshëndetjeve të rastit nga prefekti i qarkut Fier, Baki Bala, kryetari i qarkut Fier, Vangjel Ndreka etj, nisi ceremonia e dorëzimit të çmimeve. Kështu, akademiku Ali Aliu dorëzoi çmimin e madh “Harpa” për aktoren Natasha Sela, si aktore e spikatur për interpretim me plastikë të veçantë, që dallohet për rolet e arrira femërore dhe lojë dinamike. Sela ndër të tjera falënderoi organizatorët ndërsa u përlot kur tha se çmimin ia dedikon te shoqit, aktorit të njohur, Fatos Sela, i cili nuk jeton më.

”Njeriu i vitit” u shpall publicisti dhe shkrimtari Luan Rama, si promovues i vlerave të artit bashkëkohor shqiptar, me një rol të veçantë në ndërveprimin e kulturave franko-shqiptare.

Studiuesi Nasho Jorgaqi dorëzoi çmimin për poetin më të mirë të vitit, i cili shkoi për poetin Faslli Haliti, si autor me individualitet të lartë krijues, i mendimit dhe mesazheve të fuqishme, me ndikim të cilësuar në letërsinë tonë kombëtare.

Për aktorin Todi Llupi do të jepej çmimi i karrierës me motivacionin: “Një nga emblemat e humorit shqiptar. Një jetë të tërë ka ditur t’i dhurojë publikut mbresa dhe kënaqësi gjatë interpretimit të tij, përmes dhjetëra karaktereve të papërsëritshme”.

Veç shumë çmimeve të tjera, Fondacioni “Harpa” ndau edhe disa çmime In memoriam, në nderim të figurave që nuk jetojnë më, mes të cilëve poetit Dritëro Agolli “Për kontribut të jashtëzakonshëm në letërsinë tonë kombëtare. Personalitet i shquar i letrave, duke na lënë pas një trashëgimi të çmuar në mbarë kulturën shqiptare”, kompozitorit Aleksandër Lalo si “Emër i shquar i muzikës shqiptare, duke i sjellë asaj një erë të re zhvillimi. Një kompozitor i shkallës sipërore, që krijoi kolanë të veçantë dhe në filmin shqiptar” dhe aktores Hajrie Rondo si “Një aktore e madhe, mjeshtre e aktrimit, që u bë e përjetshme me rolin e Tanës, por duke gdhendur dhe një mori të gjerë personazhesh të të gjitha tipologjive”. / KultPlus.com

Jetoj brenda syve të tu

Poezi e shkruar nga Xhevahir Spahiu.

Jetoj brenda syve të tu,
në sytë e mi ti ke shtëpinë.
S’jemi vetvete
secili është tjetri.
Vera ime ka dy skaje:
njëri në pranverë, tjetri në vjeshtën tënde.
Ti hyn në të djeshmen time
humb rrugën si ai që ka humbur kujtesën.
Unë hyj në të ardhmen tënde,
Humb rrugën si ai që në pyll s’ka kaluar asnjëherë.
Sa do doje të kishe në duar të djeshmen time!
Sa do të doja të kisha në duar të ardhmen tënde!
Kë të pyes? Cilin yll? Cilën kohë?
Për të djeshmen time ti mund të pyesësh një lumë,
dy lisa, një dem,
edhe varrin,
varrin e nënës.
Krejt e kotë.
T’i lëmë pyetjet. Pyetjet le të marrin një sy gjumë.
Sonte jemi vetëm e sotme.

Sot 20 vite nga ‘TITANIC’, këto janë kuriozitetet më interesante nga filmi

Ishte 19 dhjetori i vitit 1997, kur në sallat kinematografike amerikane shfaqej filmi “Titanik”, kryevepra e firmosur nga James Cameron, fitues i 11 çmimeve Oscar dhe arritja e rekordeve të fitimeve në sallat e kinemave të të gjithë botës.

Kanë kaluar 20 vite, por pamja e vështrimit të Leonardo DiCaprio (Jack) që pikturon Rose (Kate Winslet) që mban të veshur vetëm Zemrën e Oqeanit vazhdon të jetë në mendje të të gjithëve.

Sot e kësaj dite, është filmi i dytë me më shumë fitime në historinë botërore.

Më poshtë do të zbuloni, në 20 kuriozitete, historinë e Rose DeWitt Bukater, e detyruar të martohej me 30-vjeçarin Cal Hockley (Bill Paxton) dhe Jack Dawson, artist i varfër dhe joshës.

Kate Winslet dhe Leonardo DiCaprio ishin në atë kohë respektivisht 22 dhe 23 vjeç, që të dy i kanë mbijetuar për mrekulli suksesit të jashtëzakonshëm të filmit dhe vazhdojnë të jenë miq të ngushtë. Kur DiCaprio, më në fund, fitoi çmimin Oscar 2016 për filmin “The Revenant”, i Alejandro Gonzalez Inarritu, ishte Rose e tij në krahë dhe po fluturonte nga lumturia.

1) Rose & Jack shkëmbejnë 13 puthje gjatë gjithë filmit. Jo pakë nëse mendohet se si dashuria e tyre ishte e ndaluar. Dy personazhet i përkasin pafundësisht dy klasave të ndryshme sociale dhe dashurohen, sikurse e dimë, gjatë udhëtimit tragjik inagurues të transatlantikut Titanik në vitin 1912.

2) Puthja e tyre e parë zgjati 27 sekonda dhe ndodhi pikërisht pas skenës së famshme “Po fluturoj, Jack!”.

3) Nuk e kishim vënë re 20 vite më parë, por Jack e Rose janë vazhdimisht në kërkim të njëri-tjetrit. Aq sa Jack thërret “Rose” plot 50 herë.

4) Po Rose? Vetëm në 45 minutat e fundit të filmit Rose thërret “Jack!” 26 herë. Nuk është e vështirë që të besohet, nëse mbahet parasysh se këto janë ekzakt minutat e fundosjes së Titanikut.

https://www.youtube.com/watch?v=DNyKDI9pn0Q

5) Rose ndërron veshjet 12 herë gjatë filmit (+1, nëse marrim në konsideratë skenën nudo të pikturës). Me gjithë këto shfaqje ishin të nevojshëm 50 persona dhe 365 ditë për të realizuar të gjitha kostumet.

6) Rose dhe Jack kalojnë 673 sekonda duke u përkëdhelur dhe vështruar në sy. Nëse nuk është dashur…

7) Sa e kami dashuruar personazhin e Rose? Shumë, sidomos për ato gjeste pak të çmendura për atë kohë dhe për një vajzë të re të shtresës së saj sociale. Nëntë herë gjatë filmit Rose kryen diçka të palogjikshme si për shembull t’i bështyjë në fytyrë bashkëshortit të saj të ardhshëm dhe të godasë me grusht një pastrues të dëborës që përpiqet ta ndalojë.

8) Janë 5 cigaret e pira nga Rose dhe Jack.

9) Sa vjeç është Rose kur hipën mbi dëbore? 17. Mosha prefekte për burrë, jo! Ndoshta për atë kohë.

10) Nëse do të kishim dëshiruar të hipnim tek Titaniku dhe të udhëtonim në suitën më të mirë në klasin e parë do të kishim paguar 4 350 dollarë (rreth 75 000 dollarë sot). Në klasin e tretë do të kishim udhëtuar me 32 ose 40 dollarë, rreth 800 dollarë sot.

11) Distanca e përshkruar nga Titanikut mes 10 prillit 1912 (me nisje nga Sauthempton) dhe përplasjes me akullnajën në mbrëmjen mes 14 dhe 15 prillit 1912 ishte e barabartë me 2 070 milje detare.

12) Në bordin e Titanikut ishin 16 850 shishe vere dhe likeri.

13) Duket e pabesueshme, por u deshën 73 vite për të gjetur reliken e Titanikut. Kjo ngjarje ka ndodhur në shtator 1985, kur një ekim kërkuesish francezë dhe anglezë gjejnë një derë të relikes në jug të Njufaundlend, rreth 3657 metra thellësi.

14) Ai me DiCaprio dhe Winslet nuk është i vetmi film mbi historinë e Titanikut. Janë edhe tre të tjerë, “Titanic” (1953), “A Night to Remember” (1958) dhe një serial (1996).

15) 200 milionë dollarë kundrejt 7,5 milionë dollarë, kostoja e prodhimit të filmit në raport me atë të realizimit të anijes në fillim të vitit 1900 (ekuivalente me rreth 150 milionë dollarë sot).

16) Për të rikrijuar oqeanin e skenave përfundimtare është përdorur një pishinë e thellë prej pak më pak se 10 metra thellësi. Në të gjitha shfaqjet, aktorët vishnin tuta polumbarësh përveç Kate Winslet, që në fakt më pas u sëmur me pneumoni.

17) Në skenën finale të filmit (që imagjinohet nga Rose e moshuar) në të cilin Rose dhe Jack takohen tek shkallët, ora tregon 2:20 të mëngjesit. Është ora e saktë kur Titaniku u mbyt.

18) Filmi do të zgjaste 2 orë e 40 minuta nëse do të ishin vetëm skenat që kanë ndodhur në vitin 1912 dhe koha që iu desh Titanikut për t’u fundosur në ujërat e oqeanit, duke u thyer në dy pjesë.

https://www.youtube.com/watch?v=8jk-OrAXYtU

19) Kundërfigurat në sallat e makinerive ishin të gjata 155 centimetra, që motorët dhe hapësirat të duken më madhështore.

20) 28 638 131 dollarë janë të ardhurat që regjistroi filmi në SHBA gjatë fundjavës së parë në kinema (19-21 dhjetor 1997). Titanik është shfaqur në sallat e gjithë botës për 287 ditë.

Burrnesha shqiptare kthehet prapë në Berlin

Kur flet shqip dhe kur luan rolin e një burrnesheje, Alba Rohrwacher shkëlqen në aktrimin e saj.

Aktorja italiane do të rikthehet përsëri në Berlinale. Ajo e cila luajti rolin kryesor në “Sworn Virgins” nga Laura Bispuri, me të njëjtën regjisore prapë vjen në Festivalin prestigjioz të Filmit në Berlinale 2018.
Rohrwacher është pjesë e filmit “Figlia Mia”, i cili do ta ketë kësisoj premierën botërore. Në këtë film luajnë edhe Valeria Golino, Sara Casu dhe Udo Kier.

Filmi është një bashkëproduksion mes Italisë, Gjermanisë dhe Zvicrës dhe është pjesë e garës kryesore në edicionin e 68-të të Berlinales.

Regjisorja Laura Bispuri solli historinë e burrneshave shqiptare, grave që përbetohen të jetojnë si burra tërë jetën e tyre, në edicionin e Berlinales në vitin 2015-të, ku morri kritika pozitive.

“Figlia mia”, (Vajza ime) filmi i saj i ri, flet për një vajzë e cila gjendet mes dy emocioneve, mes dashurisë për nënën biologjike dhe për nënën e cila e ka adoptuar.

Berlinale 2018 mbahet nga 15-25 shkurt, ndërsa këtë vit mes regjisorëve që sjellin filmat e tyre janë edhe Wes Anderson me “Isle of Dogs”, “Dovlatov” me regjisor Alexy German Jr dhe “Mug” nga Malgorzata Szumowska, në mesin e emrave tjerë. / KultPlus.com

Muharrem Qena me profesorët e tij në Gjimnazin “Sami Frashëri” (FOTO)

Gjimnazi “Sami Frashëri” në Prishtinë mbetet një prej shkollave më të mira në vend, dhe një institucion arsimor që i ka dhënë shumë fushës së edukimit në vend.

Edhe pse kjo shkollë nuk e ka mbajtur këtë emër në periudha të ndryshme, identifikohet si Gjimnazi “Sami Frashëri” sepse me këtë emër kjo shkollë ka marrë fizionominë e një institucioni me karakter te vërtetë të arsimit kombëtar dhe edukativo-kulturor.

Në këtë gjimnaz ka vijuar studimet edhe aktori, këngëtari e regjisori i njohur Muharrem Qena.
Këtë fotografi poshtë, marrë nga Mensur Deva në Facebook, e sjellim sot duke dashur të kujtojmë emrat si vetë Muharremi, më pas edhe profesorin Musa Deva, Nijazi Devën, Izet Badivukun, Enver Gashin, Basri Agollin, shkruan KultPlus.

Fotografia thuhet të jetë e vitit shkollor 1942\43.

Qena, i lindur në vitin 1930, pasi vijoi këtë shkollë vazhdoi studimet e filmit në Beograd, për të vazhduar më pas me rreth 200 shfaqje të cilat i krijoi dhe realizoi gjithandej.

Në vitin 1941, pas pushtimit të Jugosllavisë nga Gjermania dhe Italia, për shqiptarët që kishin qenë nën sundimin serb u krijuan kushte të reja dhe të favorshme për shkollim. / KultPlus.com

Ti…

Poezi e shkruar nga Liridona Jakupi.

Ti qielli i vetëm pa re
Thesari më i çmuar i rrugëtimit tim
Pushtuesi i çdo qelize
Sy që shndërruan çdo përfundim në rilindje
Ëmbëlsi e çdo agimi
Zëri që më rikthen në vend të gjitha copëzat e mia të përplasura nëpër kohë

Ti që më bën sy patrembur
Ajo lule e vetme në kopshtin tim të ujitur me trishtim
Ilaç e frymëzim.

Ti shpresa ime për çdo dhimbje
Ai që fshihet pas çdo buzëqeshje
Përkrahë teje çdo fjalë është e pavlerë
Krenaria ime e mbuluar me ar e varur në qafe si qaforja më e bukur
Kryevepra magjike qe më mbanë gjallë.

Ti jetë e vogël e universit tim
Duar të vogla që kthejnë lotët në shprese e te nesërmes i japin tjetër kuptim
Fleta më e bardhë e rrugëtimit tim

Ti që frymove brenda meje
Ti i përsosuri im
Mrekullia ime e përjetshme
Me kokën lart e dorën ne gji sa të jetoj do të shkruaj për ty
Për ty engjëll
Për ty BIRI IM.

Ministri Shyqiri Bytyqi viziton Institutin e Historisë

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka vizituar Institutin e Historisë, më ç’rast është pritur nga drejtori Sabit Syla me bashkëpunëtorë. Qëllimi i kësaj vizite ishte për të parë nga afër dhe për t`u njoftuar me punët dhe sfidat me të cilat ballafaqohet ky institucion.

Ministri Bytyqi fillimisht ka falënderuar punonjësit e këtij Instituti për punën e që ata bëjnë në rrafshin profesional, hulumtues e shkencor, ndërsa theksoi se Instituti i Historisë është ndër institucionet e rëndësisë së veçantë për hulumtimin dhe ruajtjen e vlerave historike kombëtare.

Ministri Bytyqi, po ashtu tha se është i interesuar që të ketë një bashkëpunim të mirëfilltë ndërinstitucional dhe se MAShT, brenda mundësive do ta mbështesë veprimtarinë kërkimore-shkencore të Institutit, ndërsa do të angazhohet edhe për të gjetur një zgjidhje edhe sa i përket objektit ku duhet të vendoset Instituti.

Drejtori Syla e falënderoi ministri Bytyqi për vizitën, ndërsa e informoi për veprimtarinë shkencore të Institutit ndër vite, njëherësh e njoftoi me projektet dhe aktivitet që i kanë në program për t’i zhvilluar vitin që vjen me rastin e shënimit të përvjetorëve dhe ngjarjeve të rëndësishme kombëtare.

Drejtori i Institutit e njoftoi Ministrin se brenda a periudhës 4 vjeçare janë botuar rreth 30 tituj shkencor, ndërsa po ashtu theksoi se ka filluar projekti për hartimin e Historisë së Kosovës, i cili do të përfshijë ngjarjet më të rëndësishme kulturohistorike që nga Ilirët deri në ditët e sotme dhe ku janë të angazhuar 50 hulumtues shkencorë eminentë brenda dhe jashtë vendit, projekt ky që do të zgjasë rreth 3 vite.

Më pas, ministri Bytyqi i shoqëruar nga punonjësit e këtij Instituti ka vizituar bibliotekën dhe hapësirat tjera ku zhvillon veprimtarinë ky institucion, ndërsa tha se do të angazhohet që të bëjë një zgjidhje sa i përket çështjes së objektit , njëherësh tha se MAShT, do të mbështes edhe projektin madhor “ Historia e Kosovës “ si një projekt të rëndësisë veçantë me vlerë gjithëkombëtare. / KultPlus.com

“Për një çast më ndali zemra”, e vjetër 16-të vite (VIDEO)

Ndoshta një prej këngëve më të mira shqipe që flet për dashurinë, “Për një cast më ndali zemra” është krijim muzikor i veçantë i Rovena Dilos dhe Pirro Cakos.

Një prej hiteve më të mëdha shqiptare, kënga morri pjesë para disa viteve në Festivalin ‘Kënga Magjike’ në Shqipëri. Në vitin 2001, saktësisht, kënga morri vendin e parë në këtë festival, shkruan KultPlus.

https://www.youtube.com/watch?v=YyUnH9FV134

Në këngë kanë punuar Timo Flloko dhe Pirro Cako, si tekstshkrues e kompozitor, ndërsa zëri i Rovenës veç sa i ka dhënë jetë edhe më shumë një kënge legjendare si kjo.

Asokohe edhe Rovena edhe Pirro tanimë ishin të njohur për publikun shqiptar, me pjesëmarrjet e tyre nëpër festivale dhe ngjarje kulturore të asaj kohe. Të dytë edhe sot janë emra të njohur, ndërsa kjo këngë mbetet himni i karrierës së tyre. / KultPlus.com

Dua Lipa, Merita Halili dhe Raif Hyseni gatuajnë e këndojnë në emisionin e Arian Asllanit (VIDEO)

Këngëtarja Dua Lipa ka treguar në Twitterin e saj se do të jetë e pranishme në emisionin e Action Bronson – një reper i njohur amerikan me origjinë shqiptare.

Dua Lipa, bashkë me Bronson – emri i vërtetë i të cilit është Arian Asllani, do të jenë të pranishëm në emisionin e këtij të fundit, ku mes tjerash do të ketë edhe muzikë shqipe.

Merita Halili dhe Raif Hyseni, bashkë me artistët tjerë do të jenë të pranishëm në një emision ku ka edhe lojëra, argëtim por edhe kësaj radhe traditë e muzikë autoktone shqipe, shkruan KultPlus.

Në emision, Dua bashkë me Bronson do të gatuajnë diçka nga kuzhina e pasur shqiptare.

Emisioni do të transmetohet sonte në kohën lokale amerikane, ndërsa të ftuar janë edhe emra të tjerë. Emisioni në fjalë fton edhe kuzhinierë të ndryshëm dhe njerëz nga bota e artit, kulturës e showbizit ndërsa është në sezonin e parë të tij, në episodin 31. / KultPlus.com

Shkrimtari Akbar Ahmed: Duhet t’u kërkojmë falje çamëve

Nga Akbar Ahmed

Çamët, Rohingya e Europës?

Tragjedia e çamëve dhe e popullit Rohingya ilustron rreziqet e urrejtjes etnike dhe fetare. Ne lutemi që Rohingya të mos ketë të njëjtin fat si çamët në Greqi.

Ashtu si Rohingya po përballet me zhdukjen apo atë që Kombet e Bashkuara e kanë quajtur “spastrim etnik”, populli çam është përballur me një fat të ngjashëm një shekull më parë në Europë.

Ndryshe nga Rohingya e Myanmar, çamët janë europianë, vijnë nga një kontinent që e cilëson veten përfaqësues të modernizimit, të drejtave të njeriut dhe qytetërimit. Kam studiuar komunitetin për botimin tim të ardhshëm, Udhëtim në Europë: Islami, Imigrimi dhe identiteti dhe gjendja e tyre duhet t’i sillet botës në vëmendje.

Pak prej tyre kanë dëgjuar për myslimanët çamë të cilëve u kanë marrë emrin, identitetin dhe territorin.

Çamët janë shqiptarë që flasin dialektin e tyre të gjuhës shqipe dhe janë indigjene nga zona e njohur si Çamëria, e cila ndodhet në bregun e Adriatikut dhe kryesisht në provincën e Epirit të sotëm verior të Greqisë. Gjatë Luftërave Ballkanike në 1912 dhe 1913, rajoni i tyre u aneksua nga Greqia dhe çamët mbetën jashtë kufirit të Shqipërisë. Menjëherë pas kësaj filluan vrasjet nëpër fshatra.

Mijëra njerëz u arratisën, shumë të tjerë vdiqën nga lodhja, nga uria dhe nga tifoja dhe një grup çamësh emigruan në vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Çamët shiheshin nga grekët si grekë që tradhtonin vendin duke u konvertuar në fenë islame kur osmanët sunduan Greqinë. Arsimi në gjuhën shqipe ishte i ndaluar, gjithashtu dhe të folurit e gjuhës shqipe publikisht dhe privatisht.

Filloi një fushatë për të asimiluar çamët myslimanë, të krishterë dhe ortodoksë me grupe paramilitare që sulmuan fshatrat dhe siç kanë shkruar studiuesit Robert Elsie the Bejtullah Destani: “Terrorizuan popullatën dhe qindra të rinj u deportuan në kampe në ishujt e detit Egje. Sipërfaqjet e mëdha të tokave u shpronësuan nën pretendimin e një reforme agrare.”

Përpjekja përfundimtare e ushtrisë greke ishte në vitet 1944 dhe 1945 ku rreth 25,000 çamë të goditur nga terrorizmi kalonin kufirin në Shqipëri. Grekët vetëm në një fshat të vetëm, në Filat, vranë 1286 njerëz. Një grua çame, 12 vjeç në atë kohë ka treguar tmerret e përjetuara në Filat. “Ata na urdhëruan të gjithë ne, burra, gra, vajza e djem, gjithsej 3500 persona që të mblidheshim në sheshin kryesor. I ndanë burrat nga një anë edhe gratë nga tjetra. Burrat i vranë, disa me thika e të tjerë i copëtuan. Tre djem i kishin lidhur dhe iu prenë veshët, iu hoqën sytë, iu prenë këmbët. I lanë të vuanin për së gjalli duke u dridhar si pula në një thes. Gratë dhe vajzat u zhveshën, u përdhunuan dhe u vranë.”

Fushata e “spastrimit” ishte e suksesshme dhe çamët u zhdukën nga Greqia. Gjatë një periudhe prej më pak se 10-vjeçare, siç thotë dhe studiuesi Lambros Baltsiotis, “pothuajse të gjitha xhamitë dhe sidomos minaret, simbolet e dukshme mylimane u shkatërruan.”

Çamët u pastruan edhe nga dokumentet greke. Tani ka rreth 250,000 çamë në Shqipëri dhe rreth 400,000 në vendet e tjera. Çamët vazhdojnë të kërkojnë të drejtën e kthimit në tokat dhe pronat e tyre në Greqi. Një memorial për çamët u ndërtua në Konispol, në vitin 1994 dhe në përkujtim të vrasjeve dhe dëbimit, me 27 qershor çamët kanë organizuar çdo vit një marshim nga Konispoli deri në kufirin grek. Komplikimi vjen nga fakti se Shqipëria dhe Greqia kanë qëndruar teknikisht në gjendje lufte që nga viti 1940.

Çamët kanë një parti politike në Shqipëri që i përfaqëson, Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila aktualisht ka tre vende në Parlament. Qeveria greke pohon se çamët lanë Greqinë me iniciativën e tyre, ndërsa të moshuarit çam të lindur në Çamëri dëshirojnë të vizitojnë vendin ku kanë lindur, siç na informon Robert Elisie, “kthehen rregullisht në kufirin greko-shqiptar. Nganjëherë pasaportat u janë grisur përpara syve nga ndonjë frikë e paarsyeshme që këta njerëz, gra të vjetra në shumicën e rasteve, mund të destabilizojnë shtetin grek”. Çamët përmenden nga kronikat televizive greke si “pseudo-çamët”ose “të vetëashtuquajturit çamët”. Ministria e Jashtme greke deri në shtator 2016 ka pohuar se “Çështja Çame nuk ekziston”.

Tragjedia e Çamërisë dhe Rohingya ilustron rreziqet e urrejtjes etnike dhe fetare. Ne lutemi që Rohingya të mos ketë të njëjtin fat si çamët në Greqi. Kur Papa Françesku u takua kohët e fundit me disa nga refugjatët e Rohingya, ku janë më shumë se 600,000 të cilët muajt e fundit kanë ikur përtej kufirit në Bangladesh, ai dhe populli Rohingya qanë. Ai u tha atyre: “Në emër të të gjithëve, të atyre që ju përndjekin, të atyre që ju kanë bërë keq, mbi të gjitha në emër të indiferencës së botës, unë ju kërkoj falje. Unë tani i bëj thirrje zemrës suaj të madhe, që ju të jeni në gjendje të na jepni faljen që ne kërkojmë. ”

Ashtu si Papa i kërkoi Rohingyas, ne gjithashtu duhet t’i kërkojmë Çamërisë që të na falë ndërsa qajmë për njerëzimin tonë të përbashkët.

*Autori është shkrimtar, poet, regjisor, dramaturg dhe është Kryetari i Studimeve Islame Ibn Khaldun, Universiteti Amerikan në Uashington, DC. Ai më parë ka shërbyer si Komisioner i Lartë i Pakistanit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë.

Tinka Kurti: Sa të jem gjallë për popullin tim do të merrem me kinematografi (VIDEO)

Shkodra feston datëlindjen e aktores së njohur Tinka Kurti. Për këtë përvjetor të 85-të të lindjes nuk mungojnë urimet e sinqerta të artistëve Zef Deda, Roza Anagnosti dhe Margarita Xhepa.

Diva e teatrit dhe kinematografisë shqiptare rikthehet në skenën e teatrit “Migjeni”. Kishte kohë, që e priste një ftesë për një ditë të veçantë të jetës së saj. Jo për të interpretuar, por për të festuar, kësaj here datëlindjen e 85-të.
“Kam kënaqësinë që të vij sërish në teatër, e sa të jem gjallë të merrem me kinematografi, e këto nuk i bëj për egoizmin tim, por vetëm e vetëm për popullin tim, për Shqipërinë time”, rrëfen në ditën e lindjes e madhja, Tinka Kurti.

Mes emocioneve Tinka Kurti, e cila përherë ka ditur që të bëjë për vete këdo që e ka njohur, jo vetëm me elegancën e saj, prej një zonje të vërtetë, por edhe me humorin e hollë, që vetëm, një artiste, si ajo mund ta bëjë u shpreh se: “Mos kujtoni se jam pa emocione, sepse ky është vendi që kam lind e jam rritur, si artiste. Kam punuar 17 vite dhe nuk mundet ta harroj kurrë sa të jem gjallë”. (Preket) Ajo kujton me mall, me nostalgji dhe respekt, mjeshtrit e mëdhenj, të cilët e kanë marrë përdore, sapo kishte mbaruar shkollën. “U jam mirënjohëse për këtë festë që më bëni sot. Kam kaq vite, që pres që Shkodra të më bëjë një urim, e kjo është një gjë e madhe. Kam kënaqësinë që të vij sërish në teatër, e sa të jem gjallë të merrem me kinematografi, e këto nuk i bëj për egoizmin tim, por vetëm e vetëm për popullin tim, për Shqipërinë time”, u shpreh aktorja.

Më pas recitoi një poezi për Shën Terezën. Për të cilën, thotë se pavarësisht se nuk është poete zhgarravit dhe shkruan herë pas here. Kurti i rikthehet një poezie, të cilën e ka shkruar në vitin 1997, kur Shën Tereza u nda nga jeta. “O Nëna Terezë, o nënë, unë ty të them nënë, gjithçka të kam thënë. E vogël me trup, por me shpirt edhe zemër të madhe, edhe në botën e largët shumë mall kam. Edhe sot që shpirti yt prehet në amshim, nuk je e qetë, se ti do të lutesh sërish për botën, për nanën Shqipëri, prej bekimit tënd, ne nuk jemi të këqij…”. Tinka Kurti rrëfen se ka pasur fatin të punojë me artistë të mëdhenj të skenës shqiptare, fillimisht me autorë klasikë dhe me ata modernë, të cilët ishin të kontrolluar, deri në vitet e para të demokracisë.

Ato i shohim përherë bashkë, aq sa kushdo që i njeh e ka të vështirë, që të veçojë mes tyre. Prandaj kurrsesi nuk kishte se si ajo të mos ishte prezente në këtë aktivitet festiv, që i dedikohej Tinka Kurtit në 85-vjetorin e lindjes. “Dikur më pyetën: Kush është aktori më i madh në teatër? I thashë faleminderit për pyetjen, por po të them tre emra do të gaboja, po të them trembëdhjetë sërish do të gaboja. Pse? Sepse, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Korçë e Shkodër etj., të tërë artistët ishin të mëdhenj, ishin të një mendje.

Kemi punuar me përkushtim dhe dashuri të jashtëzakonshme”, nis rrëfimin e saj, ikona e kinematografisë, Margarita Xhepa. Aktorja e cilëson Tinka Kurtin një artistë të madhërishme, që shquhet për punën cilësore dhe për figurat e mrekullueshme, që ka bërë në dramaturgjinë tonë dhe të huaj në dy kahe; në dramë, tragjedi, por edhe në komedi. “Do ta theksoj me të madhe për komedinë, se ka pasur edhe aktorë të mëdhenj të komedisë në Shkodër, të cilëve nuk u harrohet puna, vlerat dhe arti i madh, që i kanë dhënë artit shkodranë dhe shqiptar. Edhe populli ynë, e dashur Tinkë, është mirënjohës, edhe kurrë nuk do të harrojë, sepse puna jote është e madhe”, shprehet Margarita Xhepa.

Getoar Selimi e krahason veten me Naim Frashërin

Hip hop superylli, Getoar Selimi gjithnjë befason me publikimet e tij.

Reperi i madh i skenës muzikore shqiptare ka vazhduar me publikimet e tij në rrjetet sociale.

Tash, ai në Instagram ka publikuar një kolazh ku shihet ai në ngjyra bardh e zi me Naim Frashërin dhe Abdyl Frashërin, dy prej ikonave të shkrimit dhe historisë shqiptare.

Nuk dihet nëse Geti vërtet ka tentuar të krahasohet me mendjet e ndritura të historisë shqiptare.

Ka mundësi, që reperi të konsiderojë veten si tekstshkruesin më të mirë ndonjëherë shqiptar bashkë me Naimin dhe Abdylin, një pretendim që sërish do të ishte i ekzagjeruar.

Nuk munguan as komentet e ardhuruesve, ku shumë prej tyre e pranonin krahasimin si me vend, e disa madje kritikuan Geasyn pse krahasoi veten me vëllezërit Frashëri.

Geasy së fundmi erdhi me ritme rap-patriotike në projektin “Bisha me dy Koka” që pati sukses të konsiderueshëm. / KultPlus.com