Offchestra e MC Kresha publikojnë ‘Jena pa’ (VIDEO)

Grupi i njohur muzikor, Offchestra, ka publikuar projektin e ri në bashkëpunim me reperin MC Kresha.

Për tekstin e “Jena pa” janë kujdesur vetë Offchestra dhe MC Kresha, ndërsa për muzikën Faruk Banjska.

Kjo këngë ishte paralajmëruar moti nga grupi i njohur, që këtë këngë do ta përfshijë në albumin të cilin do ta publikojë së shpejti. / KultPlus.com

Ajo

Poezi e shkruar nga Luljeta Aliu.

Unë jam ajo
Tjetër kurrë nuk bëhem
Plagët e mia të pashëruara lëpij natën vonë
I pastroj tinëzisht me vajin e shpirtit
Gjithmonë në strukje nga rrebeshet burrërore
Nuk harroj të vëj në fytyrë buzëqeshjen e frikësuar
Që mësova e donit aq shumë
Dhimbjet e mia dëshmi e forcës suaj
E unë ju adhuroj
Heshtja e botës ju shëlbon
Unë tjetër nuk bëhem
E mira
e urta
e vyeshmja
e pafjala
e pagoja jam

Në botën time sytë nga ngjyrat nuk dallojnë
Por nga gjuha tek thonë
ul kokën e mos bëzaj
buzëqeshja ime ju përgjigjet urdhërave tuaj
leshrat e mia të shprishura dje nga fshikullimi
sot gëzof i shkëlqyer vezullojnë
janë kërkimfalje për trillin
që fjalët e mia pyetje të shtrojnë

Unë jam ajo
Kurrë tjetër nuk bëhem
argëtuesja
dëgjuesja
përkëdhelësja
gatuesja
Unë, uzurpuesja e çatisë suaj
falem për bukën që ndani me mua
e fal vonesat, harresat, dashuriçkat tuaja
Jeta ime zog i pakrahë në grushtin e fortë
Trupi im përplot ngjyra dëshmi dashurie
Përkujtim i juaji për natyren time
Në trup e shpirt qëndisur
Nga dëshira juaj të më përkujtoni
Të mbetem ajo që ju aq shumë e doni .

Unë jam ajo
Nuk bëhem kurrë tjetër
Bota juaj nuk është vend për mua
Që në djep më thanë se unë një tjetër botë kam
Ku nuk ka njeri, ka vetëm grua
Vëlla e mik kafshët e tyre i lejojnë që unë të loz me to
Unë jam ATO

Unë përhera do të jem ajo
Varësja juaj e artë në qafë më rëndon
Me ndalë frymën të ju tregoj
Se jam unë, kafsha juaj e preferuar
E kurrë nuk do të mund të them
Se unë jam KJO, jam UNË, dëgjo !
Nuk më njihni, nuk më njeh ?
Jam unë, o lal, kjo nëna, gjyshja, vajza, kjo gruaja juaj
Jam halla e tezja e motra e mbesa
Si ka mundësi të harroni
Kafshën tuaj përkëdhelëse që aq shumë e doni.

L.A., 19.11.2017

Gratë e familjes së Bajram Currit, princeshat dhe hanëmllaret e Kosovës!

Nuk flitet shumë për të, por ajo ka pasur një jetë me vuajtje e me gëzime, një fazë vuajtjesh e një fazë lumturie, ndonëse kjo e dytë ishte më e shkurtër.

Hajrie Curri, vajza e Bajram Currit – Plakut të Maleve, ka pasur një jetë plot peripeci. Vajza e saj, Mimoza, tregon për vështirësitë e kësaj jete, për gjyshen Ajkunë dhe për motrën Valdete.

Po e sjellim këtë pjesë ku Hajrie Curri, vajza e Bajram Currit dhe vajza e saj Mimoza rrëfejnë, në librin “Ecje nëpër kujtesë” nga Sanije Gashi.

Ne kemi qenë shtëpia më moderne e Shqipërisë në Shkodër. Nëna ime (gjyshja), Ajkuna, nuk e ka veshur kurrë çarçafin, ka dalë me mantel. Edhe unë, kur u martova, nuk vija më çarçaf. Kur shkoja në Tiranë, ose kur dilja në Shkodër, vishesha alla franga. Pyetjes se si I trajtonin shkodranët, Hajria i përgjigjet plot dashuri e mirënjohje: – Uh, sa na ka dashur Shkodra, sa na kanë respektuar shkodranët, shumë, shumë! Kur na takonin paria, na dilnin përpara e thoshin: Princeshat e Kosovës! Hanëmllaret e Kosovës! Na pritnin me fjalët më të mira! Tash është prishur njerëzimi, të parët ishin ndryshe.
****

Në saje të emrit që kishim edhe unë e motra kemi qenë të respektuara gjithkund – ndërlidhet me admirim Mimoza. Mirëpo, pas martesës, sidomos pas burgosjes së të shoqit, për Hajrien fillojnë vitet e vuajtjeve. Të shoqin, Ragip Metën, regjimi komunist e dënon me vdekje, por më pastaj i falet jeta dhe bën 17 vjet burg. Kur e burgosin të shoqin, Hajria mbetet më të bijën, Mimozn, dhe shtatzënë. Pas tre muajsh lind vajza e dytë, Valdetja, e cila me të atin takohet për herë të parë pas daljes nga burgu, si vajzë 17 vjeçe! (1962)

=

Bajram Curri (1866-1925) ishte udhëheqës popullor, ushtarak, senator i Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë nga 27 mars 1920 deri më 20 dhjetor 1920.

Ishte ndër udhëheqësit kryesorë të forcave demokratike revolucionare që shpartalluan repartet zogiste dhe i hap rrugën fitores së Lëvizjes së qershorit 1924, shkruan KultPlus. Në vjeshtë të vitit 1924 shkoi në Gjenevë për të paraqitur para Lidhjes së Kombeve çështjen e të drejtave të popullsisë shqiptare të Kosovës të shtypur egërsisht nga serbët. E vazhdoi luftën kundër reaksionit të brendshëm dhe shovinistëve serbë edhe pas shtypjes së Lëvizjes së qershorit.

Curri u vra nga forcat zogiste dhe agjentët e shovinistëve serbë në Dragobi të prirë nga Ceno beg Kryeziu më 1925. / KultPlus.com

Gazetari Marin Mema nderohet me çmimin ‘Hasan Prishtina’

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit “Hasan Prishtina” për gazetarin Marin Mema, të cilin e jep Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta.

Kryeministri Haradinaj, tha se është një numër i madh i atdhetarëve shqiptarë që rrugëtimin e tyre e kanë përmbyllur me flijim për atdhe.

“Njëri nga ta që nderon shqiptarët në shumë parametra është Hasan Prishtina. Çmimi ‘Hasan Prishtina’ është i lidhur me një kauzë tepër të dhimbshme për shqiptarët, pra me shpërngulje, por edhe krenari se nuk është hequr dorë për kthimin në atdhe”, tha kryeministri Haradinaj, duke falënderuar kryetarin e Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, Jahja Lluka, për angazhimin e tij në sensibilizimin e shqiptarët për kthimin në atdhe.

Me tej, kryeministri Haradinaj tha se ndarja e çmimit nga Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, për gazetarin Marin Mema dallon, sepse Marini nuk është nga ata që e ka përmbyllur karrierën e tij jetësore, por është prej atyre shqiptarëve të rinj që nuk është ndalur së gjurmuari atë se kush janë shqiptarët.

Kryeministri Haradinaj, ka uruar që shqiptarët kudo që janë të forcohen dhe të bashkohen në trojet e tyre me vëllezërit e gjakut, të shpërngulur nga atdheu i tyre në të gjitha kohërat.

Kryetari i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, Jahja Lluka, tha se çmimi “Hasan Prishtina”, nuk është vetëm një çmim që ndahet nga kjo Shoqatë, por është një çmim që në bazën e tij ka dhimbjen, vuajtjen e popullit shqiptarë, por edhe krenarinë dhe luftën për liri.

Fituesi i çmimit “Hasan Prishtina”, gazetari Marin Mema, tha se çmimi ka rëndësi të dyfishtë për të, e para ngase mbanë emrin e njërit prej figurave më të mëdha të kombit shqiptar, Hasan Prishtinës, dhe së dyti sepse është detyrim për të ardhmen, detyrim për të ecur përpara dhe për të sjell sa më shumë të vërteta historike.

Kur Kasandra erdhi në Shkup, qytetarët e pritën me plot dashuri (FOTO)

Kur aktorja Coraima Torres erdhi në Shkup para disa vitesh, një pjesë e mirë e qytetarëve doli ta priste e ta përshëndeste.

Torres ka qenë aktorja kryesore në serialin e famshëm “Kasandra”, i cili për disa vite është transmetuar në plot shtete të Ballkanit, dhe në rreth 100 shtete në mbarë botën.

Kasandra e bukur erdhi në Shkup para disa vitesh dhe fotografitë poshtë tregojnë se si ajo u prit nga qytetarët e Shkupit.

“Kasandra” për herë të parë u transmetua në vitin 1992 ndërsa zgjati der në vitin 2012-të. Seriali është nga Venezuela, prodhuar nga RCTV. Tregimi bazohet në një vajzë e cila punon në një shtëpi të pasur, por më vonë e realizon se rrënjët e saja brenda shtëpisë janë më të thella sesa ajo kishte menduar, shkruan KultPlus.

Për një kohë, “Kasandra” u transmetua edhe në Kosovë. / KultPlus.com

Zbulohen këngëtarët që do të performojnë në Natën e Bardhë në Tiranë

Janë zbuluar sot emrat e artistëve shqiptarë të cilët do të hapin Natën e Bardhë.

Këtë vit në Tiranë, Nata e Bardhë me 29 nëntor në Sheshin Skënderbej do të festohet më veçantë se kurrë.
Pos këngëtares së njohur Emeli Sande, Alban Ramosaj dhe Kamela Islamaj do të jenë pjesë e një koncerti të madh në Tiranë, shkruan KultPlus.

Erion Veliaj ka zbuluar lajmin për të dy artistët, Ramosaj një zë i veçantë në skenën shqiptare dhe Kamela tanimë një vokaliste e dalluar dhe trajnere e talenteve të reja.

Koncerti i madh këtë vit vjen tradicional pasi gjithmonë në këtë datë në Shqipëri festohet Nata e Bardhë. / KultPlus.com

Dua Lipa nuk ndalet as në New York (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare, Dua Lipa po vazhdon të japë performanca të bukur në turin e saj nëpër botë.

Pas Torontos, ajo ka dhënë performancë të jashtëzakonshme edhe në New York, në të cilën ka kënduar hitet e saj.
Ajo e cilëson këtë performancë si një nga më të mirat e saj.

“New York, një nga shfaqjet e mia favorite, 24.11.2017, ‘The self-titled tour’”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale.

Më poshtë keni disa video nga performanca e saj e fundit, në të cilat mund të shihni se edhe publiku këndon së bashku me të.

Ana Kodra kërkon votën tuaj për Junior Eurovision 2017

Këngëtarja Ana Kodra nga sot kërkon votën tuaj për suksesin e saj në Junior Eurovision 2017.

Votimi online realizohet për herë të parë, ndërsa të gjithë, me pak mund, e ndihmojmë kësisoj Ana Kodrën të pozicionohet mirë në festivalin e Eurovizionit për më të vegjlit.

https://vote.junioreurovision.tv/ – është adresa ku duhet ta votoni Anën dhe këngën e saj “Dont touch my tree”. Duhet të zgjidhni së paku tri këngë që vota juaj të jetë valide, shkruan KultPlus.

Poshtë po e sjellim edhe një provë të Anës në skenën e madhe. Tekstin e këngës e ka shkruar Jorgo Papingji ndërsa kompozimi është realizuar nga Kristi Popa.

Ana Kodra do të këndojë nesër mbrëma, me 26 nëntor, e dhjeta në renditje. / KultPlus.com

Çdo gjë shqip në Panairin e Krishtlindjeve në Bruksel (FOTO)

Për herë të parë, Shqipëria po merr pjesë në një nga Panairet më të mëdha të Krishtlindjeve “Winter Pret -Christmas Market” i cili zhvillohet në Bruksel, në datat 24 Nëntor deri me 31 dhjetor 2017.

Në ceremoninë zyrtare të hapjes së këtij eventi, mori pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Brukselit, Philip Closse.

Veliaj tha se kjo është një mundësi fantastike, që shërben si kartolinë e bukur për kryeqytetin dhe Shqipërinë në sytë e vizitorëve dhe të investitorëve.

Ai tha se sot shqiptarët kanë një detyrë historike për të treguar vlerat më të mira të vendit tonë dhe shprehu bindjen se marrëdhëniet që do të krijohen në këtë panair mes njerëzve, janë ato që na bëjnë realisht europianë.

Veliaj falenderoi dhe ambasadën tonë në Bruksel dhe organizatat e ndryshme që veprojnë në diasporë për mbështetjen dhe përpjekjet e tyre në këto vite për ruajtjen dhe përcjelljen tek brezi i ri të kulturës dhe të traditave të vendit tonë.

Kryetari i Bashkisë së Brukselit, Philip Closse e cilësoi vendin tonë dhe Tiranën, kryeqytetin e shqiptarëve, si të ftuarit e nderit të këtij edicioni të panairit “Winter Pret”.

Më herët, kryebashkiaku Veliaj u prit në zyrën e tij nga homologu i tij, Philip Closse, ku biseduan rreth shtimit të marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit mes dy qyteteve, si dhe realizimit të projekteve të përbashkëta. Në shenjë mirënjohje dhe vlerësimi për kontributin e dhënë për mbështetjen e shqiptarëve që jetojnë atje, Veliaj i dhuroi homologut të tij belg, Kullën e Sahatit të Tiranës.

Panairi i Brukselit është një nga më të mëdhenjtë në Europë, që vizitohet çdo vit nga më shumë se 2.000.000 vizitorë nga e gjithë bota.

Shqipëria do të përfaqësohet me një seri aktivitetesh si Konferenca Ndërkombëtare “Tiranë – Bruksel, rrugëtimi historik i shqiptarëve”; takimeve dypalëshe midis përfaqësuesve të biznesit shqiptar dhe atyre europianë; vendosje të marrëdhënieve bashkëpunuese midis operatorëve turistikë shqiptarë dhe europianë, si dhe një seri eventesh dhe programesh artistike-kulturore. / KultPlus.com

Lajmi kur u lirua Flamuri Kombëtar (FOTO)

Bajram Mjeku

Ditën e diel më 6 tetor të vitit 1968, në ballinën e të përditshmes Rilindja, shqiptarët e Kosovës u njoftuan zyrtarisht për lirinë e përdorimit të Flamurit Kombëtar në Kosovë dhe viset tjera shqiptare në ish-Jugosllavi.

Në fakt, regjimi komunist mori vendim një ditë më parë për përdorimin e lirë të shkabës dykrenare.

Në faqen e parë botohet edhe komenti i gazetarit Jusuf Kelmendi me titull: “Nji logjikë e shëndoshë” dhe thotë: “Ishte kjo nji logjikë e shëndoshë marksiste, e cila tue shtrue këtë çashtje njiherit dënoi qëllimet e politikës burokratike dhe etatiste të grupit frakcionist të Rankoviqit dhe bashkëmendimtarëve të tij, grup ky që vjet me radhë thuri intriga ma banale në lidhje me përdorimin e flamurit nga ana e pjesëtarëve të kombësisë shqiptare…”.

Dita e 5 tetorit të vitit 1968, ishte shenjuese në historinë e shqiptarëve në Kosovë. I hapi udhë themelimit të Universitetit të Prishtinës, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe institucioneve tjera më të rëndësishme, të cilat u bën shtylla në sendërtimin e pavarësisë së Kosovës plot 40 vjet më vonë.

Falënderoj mikun tim Izet Avdyli, sekretar i Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, i cili më siguroi ballinën e të përditshmes Rilindja për publikimin e këtij postimi.

Ekspozita me fotografitë e rralla të Dhimitër Vangjelit sjellë në Prishtinë thesarin e çmuar të Kolonjës

Gili Hoxhaj

Ekspozita “Dhimitër Vangjeli, një arkiv i shpëtuar dhe i dokumentuar” mbrëmë solli një udhëtim vizual përmes fotografive që zunë vend brenda Muzeut të Kosovës në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Këto fotografi prekin Kolonjën në gjysmën e parë të shekullit 20-të, ndërsa pamjet që vijnë përmes tyre e dëshmojnë fuqishëm që Dhimitër Vangjeli nuk ishte një fotograf i studios. Studioja e tij ishte natyra dhe jeta e njerëzve. Studioja e tij ishte bota jashtë. Ai me aparatin e tij fotografik ishte ndalur pothuajse në pragun e çdo familjeje në Kolonjë, duke reflektuar jetën e njeriut të varfër dhe të pasur, të riut dhe të vjetrit.

Fotografitë e tij sjellin para syve të shikuesit përditshmërinë e banorëve të Kolonjës e deri tek ngjarjet më të rëndësishme të kësaj zone. Përmbajtjet e fotografive të Vangjelit reflektojnë gëzimin dhe dhimbjen. Në fotografitë e tij janë gdhendur portrete grash dhe burrash ndërsa pasqyrohen përjetimet e tyre në momente të lumtura si martesat dhe pagëzimi e deri tek ceremonitë mortore. Përmes këtij fotografi na kalojnë para syve ritet dhe zakonet kolonjare, veshjet tradicionale dhe moderne. Ndërsa disa nga pamjet dokumentojnë banda muzikore, zanatçinj, portrete të ndryshme popullore dhe bashkëjetesën fetare, shkollat dhe manifestimet me qindra njerëz duke festuar festat kombëtare.

Arti i tij të prekë edhe më fuqishëm kur dihet që puna e Dhimitër Vangjelit nuk bazohej nga një shkollë e fotografisë, por ishte gërvishtja e talentit të tij që sot edhe pas shumë kohësh e paraqet fotografinë në një dimension profesional.

“Mirëserdhët kolonjarë dhe ishte kënaqësi që me ardhjen tuaj këtu na bëtë të zbulojmë edhe një komunitet të kolonjarëve në Kosovë. Aq sa jam gëzuar që Dhimitër Vangjeli erdhi në Muzeun e Kosovës, aq jam gëzuar edhe për kolonjarët të cilët siç duket nuk e kemi ditur që i kemi këtu prezent në Kosovë” ishin disa nga fjalët e Drejtorit të Muzeut të Kosovës – Skënder Boshtrakaj, në hapjen e ekspozitës.

Silva Breshani nga Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore, ekspozitën e mbrëmshme e cilësoi shumë më tepër se një protokoll ndërministror ndërsa theksoi se puna e Dhimitër Vangjelit është një thesar i çmueshëm për identitetin dhe kulturën tonë.

“Kjo ekspozitë a nisur si një histori para dy viteve ku edhe filloi pjesa e dokumentimit ndërsa ky takim është edhe një amanet ndaj një mikut tim që më nuk jeton, ish-kryetarit të bashkisë, Arben Malo i cili na krijoi mundësinë e parë për të shpëtuar këto thesare. Kjo ekspozitë më shumë se sa një aktivitet është një thirrje për ndërgjegjësim, e kemi titulluar “Dhimitër Vangjeli një arkiv i shpëtuar dhe i dokumentuar” sepse nuk është thjesht puna jonë vetëm të dokumentojmë por që nëse dokumentojmë atë që na është trashëguar do të thotë që kemi shpëtuar jo vetëm historinë por edhe atë që na përfaqëson identitetin, kulturën dhe trashëgiminë”, tha mes të tjerash Silva Breshani.
Para dokumentimit të këtyre fotografive, emri i Dhimtër Vangjelit ishte shndërruar në një legjendë urbane, pasi fotografitë e tij gjithnjë ishin botuar duke e mohuar autorësinë e tij.

Fondi i negativëve i ishte blerë familjarëve të fotografit dhe ishte marrë në ruajtje nga Bashkia Kolonjë pasi rrezikonte shkatërrimin pas vdekjes së Dhimitër Vangjelit, por asnjëherë nuk u regjistrua si fond në inventarët e muzeut apo bashkisë. Ky fond për shumë kohë kishte qenë i rrezikuar nga pluhuri i harresës pasi që ndodhej në një arkë të vjetër armatimesh, që askush nuk e kishte guxim ta hapte. Breshani mes të tjerash mbrëmë rrëfeu edhe për historinë në të cilën kishte kaluar ky fond për të dalë në dritë para publikut.

“Kur e kemi zbuluar këtë koleksion, ishte në një arkë armatimesh dhe shumëkush na thoshte mos e hapni se do të shpërthej dhe do të shpërtheni edhe ju bashkë me muzeun. Kur e hapëm arkën ajo çfarë na emocionoi është se i pamë fotografitë tek flinin që ndoshta myku i kohës i kishte lënë aty të ruheshin dhe të zbeheshin pak”, tregoi përplot emocion Silva Breshani.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj, tha për KultPlus se këtë ekspozitë e cilëson si disa herë të rëndësishme për Muzeun e Kosovës, ndërsa shton se ky është edhe një shembull se si duhet të mbrohet trashëgimia kulturore.

Fotografitë e vendosura mbrëmë në Muzeun e Kosovës sollën jetën dhe traditën e kolonjarëve para një shekulli, kurse kolonjarët e Shqipërisë mbrëmë këtë traditë e bartnin edhe përmes veshjeve e sofrës kolonjare që e kishin sjellë me vete, me ushqime të lehta, raki rrushi dhe manaferre. Kolonjarët e Kosovës së bashku me ata të Shqipërisë e përmbyllën këtë mbrëmje të bashkuar në mes të ekspozitës ku dhuruan këngë nga shpirti e dashuri për njëri-tjetrin.

Për të gjithë ata që duan të njihen me jetën e banorëve të Kolonjës dhe punën e fotografit të madh Dhimitër Vangjeli, kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 28 nëntor, në Muzeun e Kosovës. / KultPlus.com

Fëmijët e Sarajevës kujtojnë luftën pak ditë pas përfundimit të saj (VIDEO)

Fëmijët e lindur në fundin e viteve 80-të dhe fillimin e viteve 90-të të shekullit të kaluar, në Bosnje, janë ata që kanë parë me sytë e tyre dhe janë rritur afër krimit, vrasjeve e masakrave.

Dokumentarë të ndryshëm tregojnë se fëmijët që kanë arritur të shpëtojnë nga Srebrenica, apo edhe nga Saga e Sarajevës, kanë traumat e tyre dhe përballen shpeshherë me të kaluarën e tyre, të kaluarën e prindërve të tyre.

Pamje poshtë tregojnë fëmijët të cilët flasin për luftën, në ditët e fundit të saj, por edhe pas përfundimit të saj. Madje, për disa është e pakuptueshme se si fqinjët e tyre janë kriminelët, dhe se ata nuk do të mund ta lëndonin shokun a shoqen e tyre, siç po bëjnë “fqinjët” – kriminelët e Serbisë, shkruan KultPlus.

Ata vizitojnë edhe varrezat ku vajtojnë dhe qajnë bashkë me mësuesit e tyre, për humbjen e familjarëve dhe më të dashurve të tyre.

Saga e Sarajevës ka nisur me 5 prill 1992 e deri me 29 shkurt të vitit 1996. Ajo do të ishte pilot-testi i parë i tmerrshëm i Serbisë para se diçka e tillë të provohej në Kosovë, vetëm pak vite më pas. Lufta megjithatë përfundoi falë Marrëveshjes së Dayton-it.

13 mijë e 952 njerëz kanë humbur jetën në këtë Sagë. Sarajeva dhe Bosnja në tërësi sot merr frymë më lirë pasi Ratko Mladic, Radovan Karadzic, Dragomir Milloshevic dhe Stanislav Galic kanë marrë dënimin e tyre të merituar për këto krime. / KultPlus.com

Një çast

Poezi e shkruar nga Mire Prenaj.

Ky është çasti.
Po, kjo është jeta e ditës së mirë.
Eshte rrezja e ngrohtë!
Kaltërsia e gëzimit, gjethet e skuqura të
dashurisë së drunjve të vjeshtës,
toka e mbuluar me gjethe plot ar,
të vije të shtrihesh mbi to;
të përjetosh këtë çast plot jetë.
Kjo është lumturia.
Vetja ime;
E mbështjellur lehtë me dridhjen e blinjëve
ç’më ngjall kujtimin e të qenurit fëmijë,
e dlirë kur mendoja se bota sillej rreth meje,
duke shijuar dhe lumturuar secilën gjethe të rënë në tokë!
Dhe folet e pritjes së zogjëve në degë seç i shtojnë bukurinë k’ti çasti!
Nuk e lë të ikë ky çast!
Kjo është jeta,
Ky është çasti!

Milano
24 Nëntor 2017
Mire Thaqi Prenaj

Lum shqiptarët për ty, Tefta Tashko-Koço! (VIDEO)

Këngëtarja e fuqishme lirike nuk ka vdekur për veshin e dëgjuesit shqiptar.

Artiste e Popullit e Shqipërisë, Tefta Tashko Koço ka lënë një mal me këngë të bukura shqiptare, disa prej tyre të incizuara edhe në Paris e në Milano. E lindur në vitin 1910 në Egjipt, ajo ndërroi jetë në Tiranë.

Tefta ishte vajza e patriotit të shquar shqiptar nga Frashëri i Përmetit, Thanas Tashkos i cili prej vitit 1910 qe vendosur familjarisht në Egjipt. Me vdekjen e Thanas Tashkos më 1915, familja e tij kthehet në Korçë në vitin 1921.

Në Korçë kemi aktivizimet e para të Teftës si këngëtare dhe data 26 qershor 1926 mbahet si koncerti i saj i parë në publik.

Tefta Tashko u martua me Kristaq Koçon dhe pati një djalë me të, dirigjentin Eno Koço, Artist i Merituar.
Po i sjellim sot katër këngë të Teftës, të cilat këngëtarët tjerë ndër vite kanë provuar ti sjellin në versionet e tyre. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=3M9HIHyLdyU

https://www.youtube.com/watch?v=E2zBbHkn-aU

https://www.youtube.com/watch?v=h1nvre_qhNc

Martesa e dështuar e Adelina Mamaqit, dhe poezitë për dy djemtë

Adelina Mamaqi mbetet ndër shkrimtaret më të njohura të letërsisë për fëmijë. Për rreth tri dekada ajo botoi libra me poezi, tregime, fabula e përralla.

Ajo spikati qysh me botimin e përmbledhjes së parë, – “Ëndrra vashërie”.

Jeta e Adelinës megjithatë nuk ka qenë fushë me lule a këngë e bukur. Në bashkëbisedim me Sanije Gashin, për librin – Ecje nëpër kujtesë -, Adelina tregon mes tjerash edhe raportin me burrin e saj dhe me fëmijët e saj. Një martesë e dështuar ndoshta ka qenë inspirim për Adelinën, me poezitë e së cilës janë rritur mijëra e mijëra fëmijë kudo ku ka shqiptarë.

Ja çfarë thotë ajo mes tjerash në libër:
Poetja është ndër gratë e rralla që sinqerisht rrëfen të kaluarën e saj, ashtu çiltër, pa komplekse, si në rininë e saj kur shkruante poezi dashurie:
Unë ka pasur një dashur platonike, që s`u realizua kurrë…
Ishte martuar e re me këngëtarin e operës, Thoma Nova (tani i ndjerë), mirëpo kjo martesë nuk qe e mbarë.
E dini pse? Unë, që natën e parë, ndjeva zhgënjimin e martesës! Ndoshta pse ishte martesë me një fejesë shumë të shkurtër, që nuk arrita ta njihja bashkëshortin tim. Qava dhe i thashë: ne do të ndahemi! Megjithatë, vazhduam të jetonim bashkë. Unë pritja me lumturinë më të madhe lindjen e fëmijës, i cili erdhi pas dy vjetësh. E pagëzova Darling. Ja pse: kisha lexuar një roman, më kishte bërë përshtypje emri Darling, por edhe duke qenë një cikë nën ndikimin e gjuhës angleze, që në shtëpinë tonë e flisnin mama, babai, xhaxhai dhe tezja (dy vëllezër të martuar me motra), që të gjithë me shkolla amerikane. Po e dëshiroja këtë fëmijë, ishte gjithë dashuria ime. Darling do të thotë i dashur.

Darli, bir, ti se di
Telefoni s`është tingull
Është dridhje e shpirtit:
Sa herë bie – je ti!

Darli, bir, ti s`e di
Zgjimi im s`është zgjim,
Gjumi im s`është gjumë
Jetë e ëndërr je ti!
Darli bir, ti se di!

Pas tij linda djalin e dytë po kaq të dashur e të dëshiruar, ai ka emër të vjetër shqiptar, Bledar, këtu jam shqiptare – qesh. Atij, në mërgim, i kushtoj vargjet:

Biri im, o dritë, o jetë
Qielli pus e deto hon
Midis tyre, nënë e shkretë,
Për ty vdes, e për ty rron!

Jetova me Thomain pesë vjet dhe i thashë: Mjaft më, nuk ecën! Ishim të natyrave të ndryshme. I morra fëmijët dhe e kalova jetën tek prindërit.
Unë i dua njerëzit. Veçse jap shumë, e marr pak. T`jua them, unë kam një të mirë, rrëzohem, po sërish ngrihem në këmbë! Ky ka qenë edhe mërgimi im. Ndoshta pse vuajta shumë atje, atë stres ia kam përcjellë edhe tim biri, e që duhej ta bëja të kundërtën- / KultPlus.com

“Vetëm ata njerëz që janë të aftë për të qëndruar vetëm, janë të aftë për të dashuruar”

“Aftësia për të qëndruar vetëm është e lidhur më aftësinë për të dashuruar. Mund të ju duket paradoksale, por nuk është. Kjo është një e vërtetë ekzistenciale: Vetëm ata njerëz që janë të aftë për të qëndruar vetëm, janë të aftë për të dashuruar, për të ndarë, për të depërtuar në bërthamën më të thellë të tjetrit – pa e poseduar tjetrin, pa u bërë të varur nga tjetri, pa e reduktuar tjetrin në diçka të pa rëndësishme.

Ata i lejojnë tjetrit lirinë absolute, sepse e dijn se edhe nëse tjetri ikën, ata do të jenë po aq të lumtur sa janë edhe tani. Lumturia e tyre nuk mund të merret nga tjetri sepse ajo nuk u është dhënë nga tjetri.”

– Osho

Zeni Ballazhi vjen me ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë

Galeria Kombëtare e Arteve ka kënaqësinë të hapë dyert e saj në Natën e Bardhë.

29 Nëntori, dedikuar natës së gjatë të muzeve, vjen në GKA me inagurimin e një ekspozite të re.

Në koleksionin “Pa titull” që artisti kosovar Zeni Ballazhi propozon për publikun shqiptar dhe të huaj, përpiqet që nëpërmjet artit të rindërtojë shpirtërisht unitetin e njeriut, t’i rijapë atij energji dhe tension, për të transformuar raportin e tij personal me botën.

“Koncepti i artit përqaset me nevojën për të futur të gjithë elementet e gjallë në raport me botën dhe komunikimin ndërmjet tyre, pa privilegjuar asnjë…”shprehet Ballazhi.

Në vizionin e tij mbi artin bashkëkohor artisti është i vetëdijshëm se ndikimi i realitetit që e rrethon, tek artisti është mjaft i rëndësishëm dhe se ai vlerëson artin tek emocioni që ai i transmeton publikut si edhe tek profesionalizmi që artisti shfaq përmes disa mediumeve si: video-instalacion, pikturë, disenjo, fotografi, skenografi filmi dhe teatri, kostumografi, land art.

Ekspozita do të hapet në orën 18:00.

Në mbrëmjen e “Natës së Bardhë”, deri në orët e para të mëngjesit publiku do të ketë mundësi të vizitojë të gjitha sallat e Galerisë Kombëtare të Arteve, siç është linja muzeale me krijimtarinë e artistëve të traditës si: Kol Indromeno, Simon Rrota, Ndoc Martini, Spiro Xega, Zef Kolombi, Vangjush Mio, si dhe tablotë me vepra të artit të propagandës komuniste që u realizuan në Shqipëri nga viti 1944-1990. Në dy salla të veçanta të Galerisë, gjatë Natës së Bardhë, do të vazhdojnë të jenë të hapura dy ekspozitat e përkohshme: Kotësia e Dallime të Vogla” nga GRAYSON PERRY dhe ekspozita e artistes së njohur gjermane ROSAMARIE TROCKEL. / KultPlus.com

Në vdekjen time…

Poezi e shkruar nga Qendrim Badalli.

Në vdekjen time se dua askënd.
Dua t’vdes i vetëm, pa të tjerët.
Dua t’vdes siç s’mund t’jetoja: me veten në mesin e të tjerëve!

Në vdekjen time të heshtin të gjithë!
S’dua të më flitet pranë varrit,
Është folur shumeë. Kanë folur të gjithë.

Tani lërmeni t’vdes në heshtje.
Le t’pajtohemi njëherë, se asnjëherë su pajtuam.
Në vdekjen time mos më ngushlloni!
Se nuk friksohem nga ferri, atë sapo e kalova.
Askush.
As ai!
Ai ka genjyer gjithë jetën.

Në vdekjen time t’du ty, Qiell!
Ty t’du. E Dua shiun dhe ylberin tënd, hënën dhe diellin tënd.
Se e dua të bukurën, prandaj ty.
E dua tokën, dua mikëpritje nga ty!

Atë se gjeta mbi ty prandaj nën ty. O madhështi!
Mbi tokë e nën qiell, e dua femrën!
Femrën e dua.
Me fustan t’bardhë, se m’simbolizon paqen!
Me flokë t’gjata se m’simbolizon brishtsinë!
Këmbzbathur, duarhapur, trupdrejt. Kështu e dua, se m’simbolizon thjeshtësinë.
Me kokë lart, me qeshje t’lehtë se m’smibolizon t’përjetshmen, dashurinë!
Kështu e dua, si se gjeta asnjëherë!
Në vdekjen time,
e dua qiellin, tokën dhe femrën!
Se t’vertetën e dua.

Kleofina Pnishi, me rroba banje në fotografinë zyrtare për Miss Franca (FOTO)

Kleofina Pnishi, e vetmja shqiptare në garë për më të mirën e Francës këtë vit, ka pozuar kësisoj me rroba banje në fotosesionin e radhës.

Kjo edhe është fotografia zyrtare e saj për këtë garë, bashkë me vajzat tjera të cilat kanë realizuar fotografitë për kategorinë e rrobave banjo, shkruan KultPlus.

Vajzat kanë pozuar pasi kanë përfunduar testin e njohurive elementare mbi artin, kulturën dhe politikën evropiane.
Fotografi Laurent Vu ka qenë ai që ka fotografuar vajzat dhe trupat e tyre në Hotel La Quinta.

Kleofina Pnishi, shqiptarja që konkurron këtë vit në Miss Franca 2018, është zgjedhur paraprakisht Miss Provence.

Ajo do të garojë me vajzat tjera me datë 16 dhjetor kur edhe mbahet ceremonia e shpalljes së më të bukurës së Francës. / KultPlus.com

Viti 1911, kur për bukurinë e vashës shqiptare shkruhej në ‘New York Times’

Kur kthejmë vështrimin nga historia e vendit tonë, dominuese janë betejat për liri, lavdi dhe varfëria e vuajtjet e pafundme të këtij kombi.

Literatura, mediat, e historianët janë fokusuar gjithnjë te beteja e vështirë për t’iu përcjellë brezave realitetin e kohërave të vështira falë të cilave kemi një të tashme. Probleme ka edhe sot, por tashmë kemi një Shqipëri të pavarur që ka armik vetëm veten.

Në morinë e dëshmive është folur edhe për gratë. Kryesisht për ato që morën pushkën, luftuan e u flijian. Por sa është komentuar bukuria e vashave shqiptare? Gjithnjë e më shumë po u “hiqet pluhuri” fotografive që nuk dihet se ekzistonin. Fotgrafët, gazetarët dhe historianët e huaj na e kanë bërë këtë “nder”.

Në kohët kur Shqipëria e trazuar luftonte të bëhej shtet, të huajt nuk kishin se si të mos ndalnin shikimin e apartët e tyre përballë bukurisë natyrale të vajzave shqiptare.

Një fotografi e publikuar nga prestigjiozja “New York Times” në vitin 1911 është dëshmi e qartë për këtë.

Vajza shqiptare e veshur me elementë të kostumit popullor, e lirshme para aparatit sikur të kishte një jetë që pozon dhe e stolisur me hijeshi na tregon një Shqipëri të bukur që pak njihet. / KultPlus.com

Fotografi të rralla të Durrësit në vitin 1913-të (FOTO)

Në vitin 1913, Auguste Leon dhe Jean Brunhes u nisën për një ekspeditë të fotografisë nëpër Ballkan.

Mes tjerash, ata vizituan edhe Shqipërinë, për të dokumentuar jetën e qytetarëve, zakonet, traditat, kostumet, religjionin e tyre, dhe e dokumentuan atë me anë të fotografive dhe portreteve në disa qytete.

Për dyshen, myslimanët dhe katolikët e asaj kohe në Shqipëri ishin të një interesi të veçantë. Fotografitë janë të rralla por të bukura për tu parë në Shqipërinë e sotme, shkruan KultPlus.
Brunhes madje ishte edhe drejtor shkencor i Archives de la Planete, i ftuar nga Albert Khan. Ai vdiq në vitin 1930-të, pasi udhëtoi në Ballkan, në Kanada, në Spanjë, në Libi, në Siri e në Francë.

Sonte po i sjellim disa fotografi nga Durrësi i tetorit të vitit 1913-të. Para disa ditësh sollëm Prishtinën dhe Prizren.

Në vitin 1912-të, shteti shqiptar u bë i pavarur. Ky do të ishte një vit plot ngjarje në Rumeli.

Nga gushti, Qeveria Otomane e pranoi autonominë e Shqipërisë. Shqipëria e shpalli pavarësinë në nëntor të 1912-tës, me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike – liga Ballkanike kundër Perandorisë Otomane. / KultPlus.com

Këto janë rolet e Donald Trump në filmat dhe serialet amerikane ndër vite (VIDEO)

Donald Trump, njeri kryesor i politikave amerikane, dikur ka qenë i pranishëm në disa emisione televizive, seriale e filma.

Donald Trump, krijuesi i “The Apprentice” dhe një prej personazheve më të përfolura në botën e të pasurve, dikur është paraqitur në serialet si “Princi i Bel Air”, “Sex and the city” apo “Home Alone 2: Lost in New York”, shkruan KultPlus.

Trump ka befasuar me paraqitjet e tij si statist dhe me rolet shumë të vogla në krahasim me serialet e tilla, disa mjaft të suksesshme. Në Spin City ai erdhi krahas aktorëve kryesorë, ndërsa ishte edhe në krah të Fran Drescher tek “The Nanny”. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=yosAVMB47-Y

Tre dokumentarë për Srebrenicën, Mladicin dhe krimet e Serbisë (VIDEO)

Bosnja mbetet një prej plagëve tjera të Ballkanit dhe luftërave që goditën Ballkanin jo shumë kohë më parë.

Ratko Mladic, gjenerali serb që e dirigjon Masakrën e Srebrenicës, ka marrë dënimin e tij me burg të përjetshëm.

Derisa e shohim këtë dënim dhe e festojmë atë, në emër të drejtësisë për të vrarët në Srebrenicë, po sjellim këtu edhe tri dokumentare tjera që do të na ndihmojnë ta njohim më mirë këtë pjesë të historisë së përgjakshme të Ballkanit.

MISS SARAJEVO (1995)
Bill Carter, një vullnetar amerikan, xhiron në Sarajevë vuajtjet e qytetarëve gjatë luftës që zgjati rreth tri vite. Carter realizon fotografi dhe bindë anëtarët e grupit U2 për të ndihmuar qytetarët e Sarajevës dhe për ta shpërndarë lajmin në mbarë botën.

https://www.billcarter.cc/films

SREBRENICA: A CRY FROM THE GRAVE (1999)
Realizuar nga BBC, dokumentari dokumenton Masakrën e Srebrenicës e cila u iniciua e dirigjua nga kasapi Mladic. Kombet e Bashkuara dështuan të shpëtonin mijëra qytetarë që u vranë nga regjimi serbomadh i asaj kohe.

THE DEATH OF YUGOSLAVIA (1995)
BBC ka realizuar edhe këtë dokumentar ku tregohet fytyra e vërtetë e Jugosllavisë, rritja e nacionalizmit dhe politika e tmerrshme që çoi deri në luftën në Kroaci dhe Bosnjë. Dokumentari na ofron edhe njohuri të reja në atë sesi Kosova u fut në lojën e krimeve dhe gjenocidit dhe se si konteksti jugosllav e bëri Kosovën një viktimë tjetër të luftës.
https://m.youtube.com/watch?v=DdS9M7oSVOg

Marrë nga: Casey Cooper Johnson / KultPlus.com