Jonida kërkon ndihmën e institucioneve dhe bizneseve për përfaqësimin në Eurovizion

Kanë mbetur edhe disa muaj deri tek Festivali Evropian i Këngës – Eurovision.

Këngëtarja Jonida Maliqi, e cila këtë vit përfaqëson Shqipërinë në Eurovision me këngë “Ktheju Tokës”, ka nisur përgatitjet për një prezantim sa më dinjitoz.

Përveç këngës e cila pritet shumë shpejt të publikohet në versionin final bashkë me videoklip, rëndësi më të madhe ka paraqitja në skenën e madhe të festivalit i cili ndiqet nga 200 milionë shikues.

Jonida dhe grupi i saj që pritet të udhëtojnë drejt Tel Avivit në muajin maj, dhe kanë nisur të kërkojnë financim nga institucionet dhe bizneset, pasi RTSH ka një buxhet të kufizuar për prezentim në Eurovision, transmeton Magazina.al.

Këtë e ka konfirmuar edhe kompozitorja e këngës Eriona Rushiti, e cila ka thënë se po e bëjnë këtë që të mos kenë probleme me realizimin skenik dhe që Shqipëria të ketë një paraqitje sa më dinjitoze në skenën evropiane.

https://www.youtube.com/watch?v=463I8UT_3n4

“Po kërkojmë mbështetje edhe nga pushteti edhe nga bizneset, që të dyja na duhen. Jonida nuk përfaqëson veten në Eurovision, por gjithë shqiptarët, ndaj një mbështetje nga të gjithë i bën mirë Shqipërisë. Kjo do të thotë që të mos kemi problem me pamundësinë e realizimit skenik për shkaqe financiare”, ka thënë kompozitorja e këngës “Ktheju Tokës”.

Eurovizioni këtë vit mbahet në Tel Aviv, më datat 14,16 dhe 18 maj, kurse Shqipëria do të prezentohet në natën e dytë. / KultPlus.com

Ermal Meta, muajin tjetër me një koncert në Tiranë

Me datë 4 mars, në Tiranë do të rikthehet Ermal Meta.

Artisti i njohur shqiptar i cili po bën famë në Itali dhe gjithandej Evropës, do ta vizitojë Tiranën për të performuar me katër artistë të talentuar nga Italia, shkruan KultPlus.

Një superkoncert po vjen me Ermalin dhe me pjesëtarët e GnuQuartet, si pjesë e një turneu nëpër qytete të ndryshme në Itali. Këtu nuk mungon Tirana shqiptare.

Koncerti do të mbahet në ora 20:15 në Palllatin e Kongreseve në Tiranë

Ermali vizitoi së fundmi Shqipërinë ndërsa vitin e kaluar fitoi në Sanremo dhe u radhit në pozitën e pestë në Eurovizion, duke përfaqësuar Italinë. / KultPlus.com

Kërkohet që UNESCO mos ta njohë Lahutën vetëm si të serbëve

Ka afër dy muaj që nga koha kur shteti serb ka arritur që instrumentin e Lahutës ta regjistrojë si pjesë të kulturës së saj në UNESCO.

Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara tashmë e ka pranuar se “të kënduarit me GUSLE”, në këtë rast, Lahuta, i takon trashëgimisë kulturore të Serbisë.

Institucionet e kulturës në Shqipëri dhe Kosovë, po vazhdojnë të reagojnë, duke insistuar se Lahuta si instrument muzikor, u takon edhe popujve të tjerë ballkanas, raporton “Express” i KTV-së.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka deklaruar për KTV-në se Ministria të cilën e drejton, tashmë ka krijuar një dosje në të cilën argumentohet se Lahuta është përdoruar që nga periudhat e lashta në trojet shqiptare.

Nga ana tjetër, Komisioni parlamentar për Kulturë i Kuvendit të Kosovës, e ka dërguar një letër në adresë të UNESCO-s, në të cilën shkruan se instrumenti për këngët epike nuk i takon vetëm popullit serb.

Letra e komisionit të cilit i prin deputeti Ismajl Kurteshi, fillimisht është dërguar në Ambasadën e Kosovës në Paris, me synim që kjo e fundit ta dërgojë atë në adresë të UNESCO-s.

“Lahuta nuk shpreh identitetin kulturore të një populli të vetëm, në këtë rast atij serb. Lahuta është instrument i vjetër muzikor Kardofon. Ky instrument muzikor ka pasur përhapje në Evropë e jashtë saj. Edhe sot, disa popuj e përdorin lahutën, me disa dallime nga njëri-tjetri. Nga këto argumente të seleksionuara të cilat i posedojnë institucionet në Shqipëri dhe Kosovë, kemi për qëllim të dëshmojnë se lahuta nuk i takon vetëm një populli, por shumë popujve, e në mesin e tyre, edhe shqiptarëve. Shpresojmë se si të tillë do ta trajtoni edhe ju këtë instrument”, shkruan në letrën e Komisionit.

“Qëllimi i Komisionit është që së paku të themi që ky instrument muzikor nuk u takon vetëm serbëve, por edhe popujve të tjerë, përfshirë edhe shqiptarët dhe për këtë, japim argumente. Shpresoj që shtetet tona do të fillojnë të punojnë sa i përket kësaj çështjeje”, ka deklaruar deputeti Ismajl Kurteshi, i cili aktualisht i prin Komisionit parlamentar për Kulturë.

Ditë më parë në Kohavision, epikologu Zymer Neziti, kishte deklaruar se komisioni profesional i UNESCO-s në bazë të argumenteve, nuk është dashur të deklaronte se “Gusla” apo “Lahuta” është instrument që i përket rajonit.

Ministrja e Kulturës në Shqipëri, Mirela Kumbaro, kishte thënë se “nga delegacioni i Shqipërisë në UNESCO është vënë sërish në dukje se praktika kulturore e “Të kënduarit me lahutë” është historikisht e pranishme dhe është një praktikë kulturore e gjallë në një zonë shumë të gjerë të Evropës Juglindore, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Mal të Zi, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci”.

Sa para dërguan diaspora në Kosovë?


Vendet nga të cilat më së shumti mërgimtarët i kanë dërguar paratë në Kosovë prinë Gjermania, e përcjellë nga Zvicra, SHBA dhe vendet tjera

Edhe pse kanë kaluar 20 vjet nga lufta në Kosovë, ekonomia e Kosovës, po varet nga remitencat.

Zëdhënësi në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) Kushtrim Ahmeti, bëri të ditur se nga muaji janar deri në muajin tetor të 2018-ës, vlera e mjeteve monetare të dërguara nga mërgimtarët ka arritur shifrën e 662.9 milionë euro.

“Ndërsa në vitin 2017, vlera e remitencave të dërguara nga mërgimtarët arriti në vlerën prej 758.7 milionë eurosh”, tha Ahmeti për televizionin publik të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Sipas tij, në vitin 2017 dhe deri në muajin tetor të vitit 2018, vendet nga të cilat më së shumti mërgimtarët i kanë dërguar paratë në Kosovë prinë Gjermania, e përcjellë nga Zvicra, SHBA dhe vendet tjera.

Kurse ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Safet Gërxhaliu, tha se megjithëse diaspora po ndihmon shumë para në Kosovë, kjo po ndikon në konsumin ditor dhe nuk ka ndonjë agjendë të qartë për mjetet nga diaspora dhe nuk ka politika të mira ekonomike për to.

“Duhet të bëjmë më shumë për kategori, institucionet e Kosovës duhet të krijojnë politika që ato para që janë qindra miliona euro të jenë në shërbim të zhvillimit dhe jo vetëm të konsumit dhe të eksportimit të parasë së gatshme”, tha ai për televizionin publik.

Gërxhaliu i cili vitin e kaluar është emëruar sekretar gjeneral në Forumin Investiv të odave ekonomike të Ballkanit Perëndimor në Trieste të Italisë, tha roli i diasporës në zhvillimin e Kosovës, është multidimensional.

Ndryshe diaspora kosovare llogaritet si njëra ndër ato që dërgon miliona euro në vendlindje.

‘Meshkujt vënë gjithmonë mirëqenien e tyre të parën, faji i nënave që i rrisin si pasha’

“Meshkujt vënë gjithmonë mirëqenien e tyre të parën”, tha aktorja. “Faji qëndron tek nënat e tyre, të cilat i rrisin si pasha të vegjël dhe kështu kur rriten ata bëhen lloji që i shohin femrat si një vajzë e urtë. Ndonjëherë është më i mirë dielli sesa një shoqëri e keqe”.

Aktorja kurrë nuk e ka fshehur faktin se nuk dëshiron të ketë fëmijë, dhe për këtë ajo është sulmuar shpesh. Në një intervistë të shkuar, ajo i është përgjigjur kritikuesve: “Ekziston një presion që gratë të bëhen nëna, dhe nëse nuk bëhen, atëherë ato konsiderohen si mallra të dëmtuara. Ndoshta qëllimi im në këtë planet nuk është të riprodhojë. Ndoshta ka të tjera gjëra që duhet të bëj. Shumicën e kohës qesh me këto tituj absurd, por përqendrohem te puna ime, miqtë, kafshët e mija dhe si mund ta bëjmë botën një vend më të mirë, pjesa tjetër janë mbeturina”./revista psikologjia

Burimi / www.huffingtonpost.it 

Çka mendojnë ata ministra, zv ministra, koordinatorë, keshilltarë, diplomatë që janë në dijeni se postet e tyre realisht nuk ekzistojnë?!

Nezir Kraki

Shpesh e pyes veten, pa e thënë publikisht, athua çka mendojnë ata ministra, zv ministra, koordinatorë, keshilltarë, diplomatë etj… që janë në dijeni se postet e tyre realisht nuk ekzistojnë?! A e vërejnë athua edhe ata inekzistencen e tyre?!

Ose thënë thjesht, si mundet njeriu të jetojë jasht realitetit? Çfarë e shtyen atë ta « shlyej » veten pa u obliguar nga askush?

Nejse…
Ndoshta edhe ky shekull fiksion do jetë ose, siç do thoshte Michel Onfray, realja ende s’ka ndodhë.

Vaki filozofike..

‘Lahuta e Malcis”, Fishta-Abat Doçi dhe origjina e tyre Mirdita-Autoktone-Ilire…

Nga Besnik Paci.

“Lahuta e Malcis”, Fishta-Abat Doçi dhe origjina e tyre Mirdita-Autoktone-Ilire, dhanë kushtrimin për Lirinë e Kombit nga pushtimi 500 vjeçarë otoman dhe pavarsuan gjuhen shqipe, nga alfabeti, turko-sllav.

Kryevepren shqiptare “Lahuta e Malcis” Fishta e filloj, duke u frymzuar nga origjina e tij Mirdita Krenare dhe me nxitjen e Abatit te Mirditës Preng Doçit..!
Ndjenja e origjines, do t’a qonte, poetin e madh Atë Gjegj Fishtën, vazhdimisht te vendlindja e te pareve te tij, te Mirdita e papërkulur, ku filloj bashkpunimin, me Abatin e Mirditës, bashkpunim që qoj në themelimin e shoqërisë të parë, te alfabetit shqip “Bashkimi” nga Abat Preng Doçi i Mirditës si dhe fillimet letrare të Fishtës, ku mbas disa viteve do finalizonte Kryevepren e Tij “Lahuta e Malcis”

FORUMI SHQIPTAR, i dt. 17.04.2006 , shkruan si më poshte vijon, mbi lidhjet e At Gjergj Fishtes me Mirditen dhe Abat Preng(Prend) Doçin..!

Mjaft deshmi shkrimore kane pohuar origjinen e Fishtes nga Mirdita, deshmi që të qojne tek “kulla” e te pareve te tij, të familjes Paci, ne Domgjon te Fanit te Mirdites. Familja e tij ishte shperngulur ne Zadrime ashtu si mjaft familje mirditase asokohe. Femijeria e poetit qe fshihte brenda gjeniun e ardhshem u perkund duke u mekuar me folklorin karakteristik te Mirdites. Si te mos mrekullohej shpirti i tij nga ajo materie e çuditshme qe rreshqiste mbi telat e lahutes e te çiftelise, here ne trajten e lirikes elegjiake, here ne formen e satires origjinale? Por nuk do te ishin vetem origjina, femijeria apo folklori qe do t’a shpinte poetin e madh vazhdimisht te vendlindja e te pareve te tij, te Mirdita krenare.

Thuajse menjehere pas perfundimit te arsimit te larte, aty nga viti 1893, Gjergj Fishta do te caktohej famullitar ne Gomsiqe, të Mirditës, ku do t’u printe punimeve per ndertimin e nje pjese te kishes. Aty fillojne lidhja, miqesia, bashkepunimi me Abatin e Mirdites Preng Doçi, i cili qe nder te paret qe parandjeu tek Fishta poetin e madh te kombit. Dihet nxitja qe ai i beri Fishtes te vazhdonte te shkruarit e Lahutes, duke kenduar si nje rapsod homerian i maleve shqiptare.

Lidhjet e mirditorëve me Poetin e Madh bëhen më të qarta, jo vetem nga origjina e Fishtes, nga Mirdita, por duke analizuar dy të dhëna të pavlerësuara sa duhet deri sot. E para ka të bëjë me shoqërinë “Bashkimi” e themeluesin të saj Abati i Mirditës Preng Doçi dhe, e dyta, me botimet e para të Gjergj Fishtës, që sipas gjasave, vijnë si rrjedhojë e aktivizimit të Gjergj Fishtës në shoqërinë “Bashkimi”.

Sherbimi i parë i Fishtës në Mirditë, forcoj bashkpunimin e tij me Abat Doçin, i cili nxiti Fishtën, për shkrimin e “Lahutes te Malcis” dhe lidhja e tyre u kthye, në Levizje e Rilindjes Kombëtare.. KUSHTRIM… për ngritjen e Shqiptarve, kunder poshtimit 500 vjeçar, Otoman dhe hapin e parë kjo levizje e mori, me krijimin e shoqërisë “Bashkimi” për pavarsinë e gjuhës shqipe nga alfabeti Turko-Sllav.

Shoqeria Kulturore “Bashkimi” me kryetarë Abat Doçin, u themelu ne vitin 1899, me perkrahjen e Austriakeve dhe Hungarezve, me të cilet mbante lidhje Abat Doçi, dhe ne grupin themelues të Shoqërise, ”Bashkimi” në krah të Abat Doçit, ishte Fishta, me klerike misionarë e intelektualë atdhetarë të tjerë, të cilë themelun shkronjat e para shqipe, ABC-nê. që flasim sot, ku ALFABETI I SHOQERISË “BASHKIMI” U MIRATU SI ALFABET I GJUHËS KOMBËTARE, NË KONGRESIN E MANASTIRIT(1908), ku vetë Fishta ishte Kryetarë Vendimarrës i Alfabetit Shqip, në Kongresin e Manastirit dhe përfaqsonte, Abat Doçin dhe Shoqerinë “ Bashkimi”.

(si më poshtë vijon)
Vlersimi i Studiuesit Gjerman, MAKSIMILIAM LAMBERTZ, për Fishtën..!

Viti 1899 shënon themelimin e shoqërisë “Bashkimi” nga abat Doçi i Mirditës si dhe fillimet letrare të Fishtës, duke paralajmëruar Poetin Kombëtar të shqiptarëve, që, sipas studiuesit gjerman MAKSIMILIAN LAMBERTZ: -“Gjuha Shqipe e ka si “nji fat të madh e të jashtëzakonshëm, çka nuk e patën popujt e tjerë, veçse mbas qindra vjetsh të një jete letrare”. Prandaj kanë të drejtë mirditorët që e duan Poetin e tyre Kombëtar, por jo vetëm ata.

“Shqipnia pat nji fat t’ madh e 
t’jashtzakonshem, shka nuk e paten popujt e tjer, veçse mbas qindra vjetsh të nji jete letrare, pat të madhin, të naltuemin përmbi t’gjith, atë, qi u pshtet në popull t’vetin e n’ gjuhen e tij e qi me vjersha t’veta ndezi flak zemrat n’popull, pat zhenin poetike t’At Gjergj Fishtes”. (MAKSIMILIAM LAMBERTZ)

Gjithë Shoqeritë Atdhetare të asaj kohe ne Diasporë, do shkruanin, për themelimin e Shoqërisë “Bashkimi”, dhe Abat Preng Doçin, nder to “Kalendari i Maleve” i Faik Konices..!

Për të parën, pra, për themelimin e shoqërisë “Bashkimi”, “Kalendari i Maleve” i vitit 1900 i FAIK KONICËS, shkruante:
“Ma e madhia ndodhinë për kombin shqiptar më 1899, asht krijimi i shoqnisë “Bashkimi” ne Shkoder, per përparimin e gjuhës kombetare. Kjo shoqni zgjodhi për Kryetar Imzot Preng Doçin, Abatin e Mirditës. I shkëlqyeshmi Abat i Mirdites ka me vedi besimin edhe uzdajen e gjith shqyptarve, te shka do fes qi ne qofshim.”

GJERGJ FISHTA “ shkruante për Abatin e Mirdites Preng Doçin: “….Mundet më u thanë për siguri se nuk asht kund nji skaj Shqipnjiet, ku burrat e mendshem e të kalemit mos të kenë ndie e përmend ket emën. Kudo ndrit duka e tij, a nder Pari Kishe, a ndër Kren të vendit, ase ndër njerëz të diplomacisë, gjithkund i la nder vetit e nam kombit të vet.

ISMAIL QEMALI: do shkruante, “Ne e bëmë si e bëmë Shqipërinë, por Abat Preng Doçi prej Mirdite, do e bënte edhe pa ne edhe më mirë”.

Vlersime të tilla , nuk kanë nevojë për koment kur është fjala për rolin e Mirditës dhe të njerëzve të saj të shquar si Prend Doçi e Gjergj Fishta, në historinë e Shqipërisë.

Si ka ndikuar shoqëria “Bashkimi” në fillimet letrare të një poeti e shkrimtari si Fishta?
Gjergj Fishta ka qenë njëri ndër themeluesit e shoqërisë “Bashkimi”, ku bënin pjesë personalitete të letrave shqipe, si: Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Ndoc Nikaj, Mati Logoreci etj.

Aso kohe Atë Gjergj Fishta, ishte famullitar në Gomsiqe të Mirdites, që i përkiste Abacisë së Doçit. Në Mirditë filloj bashkpunimi i ngushtë i Fishtës me Abat Doçin, për Lirinë e Kombit, bashkpunim, qe qoj ne krijimin e shoqerise të parë të shkrinjave shqip, me emrin “Bashkimi” ne vitin 1899. 
Ajo që duam të theksojmë këtu, është që fakti i shkrimit të parë i Fishtës, më saktë, dy shkrimet e para të botuara të tij, datojnë në nëntor të vitit 1899, disa muaj pas themelimit të shoqërisë “Bashkimi” (janar-qershor 1899). Shkrimi i pari është një poezi satirike që titullohet “Zoti Anselmo Lorecchio në Vienë” dhe, i dyti, një ese e shkurtër që titullohet “Një hije e zezë” (N’I HIE’ E’ ZEZE). Të dy shkrimet botohen në revistën “Albania” të Faik Konicës kur Fishta ishte 28 vjeç. Botohen me alfabetin e revistës dhe i pari mban pseudonimin e Popullit, ndërsa i dyti është pa emrin e autorit dhe pa ndonjë pseudonim të tij.

Ja si e percjellin studiuesit koheqendrimin e Fishtes ne Gomsiqe te Mirdites dhe lidhjet e tij me vendorigjinen Mirditen Krenare..!

KARL GURAKUQI shkruan se “Fishta ne Gomsiqe te Mirdites ne perpjekje te perditshme me popullin e maleve, gurre e paster gjuhe dhe jete shqiptare, nxori ato visare te çmueshme frazeologjike, gojedhenash, dokesh, kanuni, mendesie dhe natyre arbnore, qe me aq mjeshteri e natyrsi dijti t’i gershetonte nder veprat e ndryshme te veta e sidomos ne kryevepren “Lahuta e Malesise”.

NAMIK RESULI shton se “koheqendrimi i Fishtes ne Mirdite, ne nje nga krahinat me konservatore te Shqiperise, ku tabiatet dhe doket ishin njesh, qe nje faktor percaktues ne formimin e poetit te ardhshem, ngaqe tashme ai qe ne lidhje te drejteperdrejte me kulturen e Malesise, e vetmja ndoshta Mirdita, qe kishte mbetur e pacenuar dhe rrezatonte karakteristikat me thelbesore te malesoreve shqiptare ne gjendjen e tyre natyrore… vlera qe pati qendrimi i Fishtes ne Mirdite shihet qarte ne kryevepren e tij “Lahuta e Malesise” .

ENGJELL SEDAJ pohon se “qendrimi ne keto krahina te veriut, ne fillim si famullitar i ri ne Gomsiqe, do te jete nje faktor vendimtar ne pergatitjen e poetit te ardhshem, ne njohjen me te drejteperdrejte te kenges popullore, te lahutarit shqiptar”.

Me pseudonimin PAL DUKAGJINI, AT DANIEL GJECAJ (Theth, 14 tetor 1913 – Romë, 30 gusht 2002) qe frat françeskan, studjues, publicist dhe shkrimtar shqiptar. shkruan se 
“kontakti i perditshem i Fishtes me mirditasit, e shtyni famullitarin ta kundronte shqiptarin ma per se afermi… ai si psikolog i vertete depertoi ne shpirtin fisnik te fshatarit. Aty, syni i tij i mprehte pau e lexoi, me nje pelhure te endun ne vege ilirase, se bujaria, ndera, besnikeria, trimnia, urtia, zotnimi i vetes, squetsia e deri krenaria e fisit, ashtu porsi drejtesia kanunore, ndonjehere e vrazhde kryqezoheshin e laracoheshin me vuajtje, vorfni e pashkollim…

Miku i ngushte i Pader Gjergj Fishtes , Kleriku Italian, Filozof, Shkrimtare ,Albanolog, FULVIO CORDIGNANO, shkruante te “Hylli i Drites” per Pader Gjergjin…, qe nder bajraktë e malsisë, fis te vetin paraqet Mirditën e fortë e krenare…, marre nga origjinali i Hyllit te Drites, si me poshte vijon..!!
PER MA TEPER AT FISHTA ASHT SHPREHJA ME E GJALLE E MA FUQISHMJA, PER GJITH NI ATO VENDE, QË NJË FAT I MJERUESHËM BJEN ME VEDI: GJITHDUER VUATJESH E PËSIMESH , MBI POPULLIN E TIJ, AI QE NDËR BAJRAKTË TË MALSISË E FIS VETIN PARAQET MIRDITËN E FORTE E KRENARE…!!!

Ne takimin e parrë që kishte me Fishten ne Romë…, Kleriku Atdhetarë Monsinjor ZEF OROSHI, shkruan: Kur i tregova se isha nga Mirdita: ”Edhe unë nga Mirdita jam, tha Fishta, e trojet e të parēve, nuk i kam shitē as si kam falë”.

Si me poshtë vijon eshtë pjese nga shkrimi : 
Dy shkrimet e Fishtes, para 1889_es.

“ shkrim te dt.23.08.2015 nga Urim Gjata, me nje grup studiuesish, të cilet hulumtojnë ofigjinen dhe lidhjet e Fishtes, me Mirditen dhe Abat Preng Doçin.

Disa studiues po grumbullojnë të dhëna për prejardhjen e të parëve të Gjergj Fishtës. Ata faktojnë se trungu është në Domgjon të Mirditës, fisi Paci.

Në raste të tilla mua më vjen nëpër mend një aforizëm i Niçes. Ai ka thënë diku se një popull nuk vlerësohet nga numri i njerëzve të shquar që ka nxjerrë nga gjiri i tij, por nga qëndrimi që ai popull mban ndaj figurave të veta të shquara.

Qëndrimi që kanë mbajtur mirditorët ndaj Fishtës është si për njeriun e tyre: e duan Poetin Kombëtar dhe veprën e tij. Shumëkush ka ditur vargje të tëra përmendësh nga “Lahuta e Malcis” dhe i ka përcjellë ata gojë më gojë edhe atëherë kur vepra e Fishtës ishte e ndaluar dhe bënte fajësi të dënueshme për agjitacion e propagandë për këdo që e lexonte qoftë edhe për kënaqësi vetjake.

Lidhjet e mirditorëve me Poetin e Madh bëhen më të qarta duke analizuar dy të dhëna të pavlerësuara sa duhet deri sot. E para ka të bëjë me shoqërinë “Bashkimi” e themeluesin e saj Abat Doçin dhe, e dyta, me botimet e para të Gjergj Fishtës, që sipas gjasave, vijnë si rrjedhojë e aktivizimit të Gjergj Fishtës në shoqërinë “Bashkimi”.

Për të parën, pra, për themelimin e shoqërisë “Bashkimi”, “Kalendari i Maleve” i vitit 1900 i Faik Konicës shkruante:
“Ma e madhia ndodhinë për kombin shqiptar më 1899, asht krijimi i shoqnisë “Bashkimi” ne Shkoder, per përparimin e gjuhës kombetare. Kjo shoqni zgjodhi për kryetar Imzot Prenn Doçin, Abatin e Mirditës. I shkëlqyeshmi Abat i Mirdites ka me vedi besimin edhe uzdajen e gjith shqyptarve, te shka do fes qi ne qofshim.”

Një ndër gratë më të fuqishme në botë kryen vet blerjet për shtëpi

Angela Merkel mbetet një nga personalitet më të fuqishme politike, që arriti të mbajë postin e Kancelares Federale të Gjermanisë që nga viti 2005, ndërsa që 10 prilli 2000, kryetare e Unionit Demokristian të Gjermanisë(CDU).

Angela Merkel ka luajtur rëndësishëm në politiken Europiane prandaj me 31 Dhjetor 2014 u zgjodh personi i vitit nga revista prestigjioze NEW YORK TIMES. Merkel krahas kësaj mbetet një person modest dhe shumë njerëzor.

Aktori Jeton Zogjani e ka publikuar një fotografi të Merkel derisa shihet duke kryer blerjet në një super-market në Gjermani./ KultPlus.com

Ç’më ndodhi me një shkronjë?

Poezi për fëmijë nga Tasim Gjokutaj.

Me rrëmujë detyrat
i bëri Besniku,
la fletoren hapur
dhe në lojë iku.

E mora fletoren,
bobo, ç’të lexoj,
në çdo fjalë të shkruar
mungon nga një shkronjë.

Atë ditë Besnikun
e hoqa nga loja:
– Sot, – i thashë, – je ngopur,
se ke ngrënë… shkronja!

– Lërmë, o babi, lërmë,
lërmë të shkoj në lojë,
se s’bëhet hataja
vetëm për një shkronjë!

– Nuk bëhet hataja
vetëm për një
shkronjë?!
Eja, bir i babit,
bashkë ta shikojmë.

Për një d-ë
që ti s’e vë,
fjala derë
bëhet erë
dhe shtëpia
ngel pa derë…

Për një m-ë
që ti s’e vë,
fjala mik
bëhet ik…

(Ç’bën kështu,
more Besnik,
a i thuhet
mikut ik?!)

Shih pa shih,
ka dhe më keq:
për një b-ë
që ti e heq,
fjala bujk
bëhet ujk.

(Bujkun tonë
që prodhon bukë,
për një shkronjë
ti e bën ujk…)

Sytë e Nikut
mbushen lotë…
Do të flasë,
por çfarë të thotë?!

Burimi: filozofia.al

Rrëfimi i Valmires: bëra master e doktoraturë pa mundur të shoh, lexonte nëna për mua

Unë jam Valmire Berisha, vajza që qysh në fëmijërinë e saj përballet me një aftësi të kufizuar – verbërimin, mirëpo pa marrë parasysh sfidat e shumta që unë kam hasur në jetën time, ia kam dalë dhe sot gëzoj titullin Magjistre e Shkencave Juridike në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Edhe pse jeta për mua është treguar shumë e ashpër dhe sfiduese qysh në hapat e mi të parë, unë permes ndihmës së nënës time që gjatë gjithë kohës ka lexuar për mua, kam arritur që të shkollohem, të avancohet shumë dhe të jap kontributin tim edhe për personat me aftësi të kufizuara, me çka nga shumë organizata të huaja kam marrë dekorime të ndryshme.

Ambicia, vullneti dhe puna e palodhshme ka bërë që unë sot të kem edhe organizaten time te quajtur “Kërko të drejtën tënde”. Qëllimi i kësaj organizate është mbrojtja e të drejtave të njeriut e në veçanti lufta për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

Përpos këtyre, unë merrem edhe me muzikë, këndoj këngë me motive religjioze dhe kombëtare. Jam aktive edhe në media, qoftë ato vendore apo rajonale duke trajtuar çështje të ndryshme juridike veçanërisht ato që prekin personat me aftësi të kufizuara.

Në vitin 2013 kam marrë pjesë në Konferencën ndërkombëtare për personat me aftësi të kufizuar në Republikën e Turqisë. Tani jam edhe duke ndjekur edhe studimet master në Psikologji dhe studimet e doktoraturës në jurisprudencë.

Gjithmonë kam dashur te jem një shembull dhe motiv për njerzit, sepse pa marrë parasysh sfidat me të cilat na përqafon jeta, ne asnjëherë nuk duhet të dorëzohemi e heqim dorë nga ëndrrat dhe dëshirat tona!

Autore: Valmira Berisha
supergrate.net

Një shtet për Facebook dhe Instagram

Shkruan:  Endrit Hoxhaj

Një shtet për Facebook dhe Instagram… ! Rrojmë një kohë virtuale. Shqiptarët, absolutisht po jetojnë në kohën virtuale dhe kanë harruar atë realen. Sot pakënaqësitë ndaj pushtetit shprehen virtualisht! Protestat dhe vlerësimet negative ndaj qeverisjes së Shqipërisë bëhen përmes internetit. Edhe statistikat e qeverisë varen nga rrjetet sociale! Jetojmë në një kohë ku qeveria, ministrat, deputetët etj., e drejtojnë Shqipërinë nga rrjetet sociale. Performanca e punës së çdo ministrie a institucioni varet nga share/like-t që merren në rrjetet sociale…

Sot çdo i pashkollë bëhet i rëndësishëm falë vëmendjes që ai merr në rrjetet sociale! Vetëm përmes tyre i jepet vëmendje çdo krimineli, banditi, injoranti njësoj si një nobelisti! Rrjetet sociale kanë sjellë tek shqiptarët më shumë vrasje, dhunë, tradhti dhe mjerim të vlerave njerëzore. Para disa ditësh, nga Instagrami, njerëzit u vranë për tradhtinë bashkëshortore…

Sot çdokush jeton në luksin virtual dhe vuan në ambientin real! Aktualisht, në rrjetet sociale të gjithë shqiptarët duket sikur jetojnë mes mirëqenies së madhe (me makina të shtrenjta, pushiume në çdo cep të botës etj., por realisht është e kundërta e medalies).

Sot përmes internetit çdo fëmijë e di si bëhet seksi, si vritet njeriu, si bëhet korrupsioni, si gënjehet, si përdhunohet! Sot seksi bëhet në rrjetet sociale jo në krevatin real…! Sot çdo femër e lumtur në Facebook, nuk ekziston e tillë jashtë Facebook-ut. Sot shkuesija dhe njohjet po bëhen në rrjetet sociale! Shqiptarët martohen në rrjete sociale e ndahen në jetën reale.

Sot celebrimi ka më shumë vlerë në Facebook se në gjendje civile! Sot zhveshja është marketing për vëmendje të pamerituar në shoqëri! Sot edhe hija është më e famshme se Ismail Kadare! Sot më vlerë ka by..a sesa mendja!

Sot, sallat e operimeve dhe spitalet jane ne Facebook, sot mendimet dhe veprimet jepen dhe merren nga “miqtë” virtualë në rrjete.

Sot bëhet vetëm show, sepse janë të paktë ata që i duan dhe repsektojnë vërtet prindërit dhe familjarët jashtë rrjeteve sociale…! Edhe fëmijët po lindin dhe rriten në rrjetet sociale… Virtualitet për shumë njerëz nuk është bota reale e tyre!

Sot, virtualiteti i ka bërë njerëzit me personalitet të dyfishtë dhe ky është problemi më i madh i jetës sonë. Akoma më i dhimbshëm është sot personaliteti i dyfishtë, me të cilin po rritet brezi i ri… E keqja më e madhe që po sjellin momentalisht rrjetet sociale, janë dëmtimi i vlerave shoqërore, dëmtimi i trurit shqiptar, humbja e ralitetit, ftohja mes njerëzve dhe mbi të gjitha amoraliteti…!

Dua Lipa, pretendentja kryesore për të fituar në Grammy Awards

Tashmë është zyrtare se dy shqiptare njëra nga Kosova e tjetra nga Shqipëria, janë të nominuara për çmimin prestigjioz Grammy si Artisti/ja më e Mirë e Re.

Janë Dua Lipa dhe Bebe Rexha, ato që janë renditur në mesin e tetë artistëve që janë nominuar në këtë kategori.

Ndërsa sa i përket zërave se kush do ta fitojë këtë çmim prestigjioz, gjasat më të mëdha sipas shkrimit të fundit në Forbes nga kritiku i muzikës Hugh Mclntyrem janë për kosovaren Dua Lipa, shkruan Insajderi.

“Dua është ylli më i ri i globit”, thuhet ndër të tjera në shkrimin e Forbes, ndërsa ky çmim do t’i siguronte një të ardhme të sigurt ndërsa do i shtonte edhe më shumë presionin për një çmim tjetër Grammy.

Çmimet prestigjioze Grammy, mbahen më 10 shkurt ndërsa Dua Lipa është e nominuar në dy kategori që janë: “Artistja më e mirë e re” dhe “Kënga më e mirë e zhanrit Dance”. / KultPlus.com

Sopranoja Blerta Zhegu vlerësohet në Itali me “La boheme”

Sopranoja shqiptare Blerta Zhegu po vijon një aktivitet më vlerësime në skenën italiane.

Këto ditë sopranoja shqiptare ishte pjesë e veprës operistike “La boheme” në skenën e Teatrit Goldoni të Livornos në Itali. Po me këtë vepër sopranoja do të jetë dhe në muajin mars në Lucca. Vepra ishte bashkëpunim dhe me Teatro dell’Maggio Fiorentino, dhe dirigjente Gianna Fratta. Sopranoja shqiptare u ngjit në skenë me rolin e Musettës, ku mori vlerësimet nga publiku dhe kritika. Ajo tregon se është munduar ti japë këtij personazhi një identitet sa më origjinal. “Duke qenë se kisha të bëja me një personazh shumë të njohur për publikun italian si ai i Musettës në “La boheme” mu desh të mundohesha ti jepja një identitet sa më origjinal këtij personazhi duke evidentuar cilësi të tilla si eleganca, kokëfortësia, antikonformizmi apo sensualiteti që përbëjnë pikërisht sharmin e saj”, tregon sopranoja. Vepra e Puçinit pati sukses në skenë dhe për sopranon roli i Musettës është më i dashuri.

“Nuk jam një zë “puçinian” dhe nuk janë të shumta rolet e këtij kompozitori që mund të interpretoj, por ndër rolet më të dashura të të gjithë repertorit tim mbetet Musetta, për entuziazmin që ajo sjell në skenë dhe freskinë që i jep operës. Gjithashtu është dhe një rol, i cili më ka sjellë gjithmonë fat”, tregon sopranoja Blerta Zhegu.

Musetta në “La boheme” është roli i parë në 2019 të cilin sopranoja shqiptare e interpretoi në premierën e operës në Teatrin Goldoni të Livornos. Por ajo shprehet se është po aq e lumtur, që do të jetë dhe në Lucca. “Rolit do ti rikthehem në mars në Teatro del Giglio të Lucca-s. Jam e lumtur që do të debutoj këtë rol në Lucca, në qytetin e Puçinit siç pata kënaqësinë në dhjetor të interpretoj protagonisten e operetës “Si” të Mascagnit në qytetin e tij, Livorno. Ndërsa në shkurt do të jem në Teatrin Filarmonik të Veronës si Norina, protagonistja e operës “Don Pasquale” të Donizetit”, vijon të tregojë sopranoja shqiptare Blerta Zhegu që po merr vlerësime në skena ndërkombëtare. Opera puçiniane “La boheme”, marrë nga romani fejton: “Skena nga jeta e bohemit” të Henri Murger, u gërshetua në katër akte me libret të Luigi Illica dhe Giuseppe Giacosa. Ajo rrëfen telashet e një grupi të vogël artistësh që mundohen të jetojnë, për më shumti arrijnë të çalltisin, për pasionin e tyre më të madh: artin, ngazëllyer nga atmosfera gjallëruese pariziane e atyre viteve.

Mësuesi te ‘Debatiku’, Sulejman Pitarka kujtohet në 95-vjetorin e lindjes

95 vjetori i lindjes së aktorit të madh Sulejman Pitarka u përkujtua në prani të familjarëve, miqve dhe artistëve në sallën Goethe, të TKEKS. 

I njohur i aktori i karaktereve, Pitarka do të tërhiqte vëmendjen e publikut që në interpretimin e parë në kinematografi, në rolin e mësuesit tek filmit “Debatik” më 1961. Më pas, ai do të interpretonte rolin e “Sokratit”, tek “Horizonte të hapura” më 1968. Më 1976 do të jetë Galip Shkëmbi, tek “Tinguj lufte”, ndërsa në vitin 1977, do të ndërtojë një nga karakteret më të vështirë, atë të Gjeneralit tek “Gunat përmbi tela”.

Tek filmi “Ballë për ballë”, ai interpreton Zhelezbovin, komandantin rus të bazës më vitin 1979. Por, përtej kinematografisë, Pitarka do të kujtohet dhe për interpretimet e shkëlqyera në kryeveprat e teatrit botëror, në teatrin shqip.

Sulejman Pitarka lindi me 2 shkurt 1924, ne Dibër. Ai ka luajtur me sukses 50 role në Teatrin Kombëtar të Tiranës dhe 20 të tjerë në kinematografi. Ka hyrë në historinë e dramës shqipe si autor i dramës “Familja e peshkatarit”.

Luajti rreth 50 role, duke shkëlqyer njësoj, si në dramë, ashtu edhe në komedi. / KultPlus.com

Fëmijët kosovarë mund të mbesin pa shtesa edhe këtë vit

Fëmijët kosovarë duket se do të mbesin pa shtesa edhe këtë vit, edhe pse ishte paralajmëruar që ndarja e tyre do të fillojë nga janari i këtij viti.

Rezoluta e votuar në Kuvendin e Kosovës ende nuk është hartuar në ligj nga Ministria e Punës dhe rrjedhimisht kjo çështje nuk do të mund të përfshihet as në buxhetin e vitit 2019. E sociologu Leotrim Sahiti tha se skema e propozuar nuk stimulon rritje të natalitetit.

Rezoluta e miratuar nga Kuvendi i Kosovës, me iniciativë të deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, për ndarjen e një shume të caktuar për të gjithë fëmijët nga lindja deri në moshën 16 vjeçare në Kosovë, tashmë ka kaluar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila ende nuk ka hartuar legjislacionin përkatës.

24-28 June 2000 NATO Press Tour of Kosovo. – Visit to CIMIC reconstruction project in a Kosovo-Albanian village. Children of the village with the KFOR troops.

Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi, tha për televizionin publik se ekzekutivi i vendit e ka mirëpritur këtë rezolutë, mirëpo ende nuk i ka gjetur vend zbatimit të saj në projektbuxhetin e vitit 2019.

“Në këtë fazë është ende herët për të dhënë datë apo informacione të sakta, duhet parë në parametrat ekonomikë se si do të mund të implementohet, kjo dhe është fushë që i takon edhe Ministrisë së Financave dhe ministrive të tjera apo linjave të tjera buxhetore për të parë se si dhe kur do të implementohej kjo rezolutë”, tha Gashi.

Edhe njohësit e çështjeve sociale në Kosovë e përshëndesin iniciativën e deputetëve, megjithëse thonë se shuma e propozuar për t’u ndarë për secilin fëmijë, është shumë e vogël, gjë që tregon edhe përkushtimin e vogël të shtetit ndaj kësaj kategorie.

Sociologu Leotrim Sahiti tha se shuma e shtesës për fëmijë duhet të jetë më e lartë dhe caktimi i shumës është dashur të jetë konform nevojave që kanë fëmijët. Ndërsa, zbritjen e shumës së përfituar për fëmijën e dytë e më shumë, Sahiti e ka quajtur të gabuar.

Iniciativa e deputetes Donika Kadaj-Bujupi e kthyer në Rezolutë nga Kuvendi i Kosovës parasheh që çdo familje të përfitojë 10 euro në muaj për fëmijën e parë, 5 euro për të dytin dhe 2,5 euro për të tretin, ndërsa, sipas deputetes Bujupi, nga kjo skemë do të përfitonin rreth 500 mijë fëmijë.

Michel Houellebecq, pjesëmarrës në festivalin KROKODIL në Beograd

Shkrimtari i njohur francez Michel Houellebecq do të vizitojë Beogradin.

Shkrimtari, ndër më të mirët në Evropë, do të jetë pjesë e Festivalit të Letërsisë KROKODIL në Beograd, gjatë verës së këtij viti.

Lajmin e ka dhënë pa shumë detaje drejtori i festivalit, shkrimtari Vladimir Arsenijevic, i cili ka thënë se ditëve në vazhdim do të jepen më shumë detaje.

Houellebecq ka shkruar mes tjerash edhe ‘Thërrmijat elementare’ dhe ‘Nënshtrimi’, libra të përkthyer në shqip, ndërsa ka edhe librat ‘Platform’, ‘The map and the territory’, ‘The possibility of an island’ dhe libra të tjerë, shkruan KultPlus.

Personazhet e Houellebecq, që të gjitha pa përjashtim, shpërfaqin gjendjen dehumanizuese të njeriut bashkëkohor, në kushtet e një shoqërie të tregut, që më së paku ka si synim njerëzoren. Njerëz të zvetënuar, pa ambicie, të pazotë që të lidhin qoftë edhe një raport njerëzor – personazhet e Houellebecq na bëjnë që, qoftë edhe për një moment të vetëm, të mendojmë për gjendjen në të cilën ndodhet njeriu i sotëm.

Michel Houellebecq është shkrimtar francez, prozator, poet dhe kritik i letërsisë. / KultPlus.com

Valixhja e andrrave

Poezia fituese e Çmimit PENA E FLAKËS 2019 ( e zgjedhur me votat e poetëve konkurues )

Rozafa SHPUZA

Ditën kur kuptova se dashnitë virtuale janë të virgjëna,
u nguta me i palue në valixhen mbi raftin me dru
arret
që erdh n’pajë ndër shpatlla hamejsh.

– Merre karrigen me mbërritë,
m’porosit’ kujtesa e cfilitun, teksa nën karrige
zbardhin datat e nji dasme
ku nusërova mes turmës së dashnive të pamujtuna.
Druej mos hepohem
anipse ritmi i valles më ngujon si sinor legjendash.
Bam – bum… bam – bum…
hedhin valle andrrat që më përcollen në altarin e agsholeve të përgjumuna.

– Ma parë ban palë krahët,
s’pranë tue m’porositë kujtesa
që saora merr trajtën e mëkateve t’shkrrame
diku te shtroja e kambëve në pragderë.
Dashnitë krahthyeme stivohen shkujdesun
e naftalina i përshkon përdhuni si vargje duhanit.

Nuk di sa zgjati ky ritual
veçse tash jam ulë mbi valixhe
e pres sirenën e nisjes a
tje në stacionin ma skajnor.

Shqiptarja Ava Max performon në emisionin e James Corden (VIDEO)

Shumë prej nesh ndoshta nuk e kanë njohur, por ajo me vetëm një këngë arriti të krijojë imazhin e saj të veçantë në muzikën botërore.

Është shqiptar, dhe emri i saj artistik është Ava Max. Madje, atë e ftoi Bebe Rexha në një postim në Twitter kur kërkoi prej saj, Dua Lipës dhe Rita Orës që të gjitha ta bëjnë një bashkëpunim  muzikor.

E derisa këngën “Sweet but Psycho” ajo e realizoi në gushtin e vitit 2018-të, paraqitjet e para live i ka pasur tek këtë javë, në disa emisione televizive në Amerikë.

Të ndjehemi krenarë me shqiptaren Ava Max, dhe me këto performanca fantastike. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=LRhNObyvbPw

Lamtumirë

Arshi Pipa

Mos loto, q’i n’kujtesë
Të ruej pa turbullue
Kqyrjen tënde plot shpresë
Magdalenë e pikëllue!

Mos qaj! Fisnike zija
kur veten nuk e shpalle
Ashtu nga dashunija
ti vdiqe tue u ngjall.

E zymtë asht dita e motit
Nuk dij a kem’me u pa….
N’se jo,ti lutju Zotit,
Se mirë na jemi nda.

12 ekspozita për 500 vjetorin e vdekjes së Da Vinçit

Për ta shënuar 500 vjetorin e vdekjes së Leonardo Da Vincit, 144 punë të piktorit të madh botëror do të udhëtojnë nëpër Angli..

12 ekspozita do të hapen në 12 lokacione të ndryshme, prej Londrës e deri në Belfast, Sunderland e Bristol.

Organizatorët kanë treguar se rreth 34 milionë njerëz do ta kenë mundësinë të njoftohen me punën e Leonardos, sepse jetojnë afër galerive ku do të hapen ekspozitat.

Leonardo da Vinci, A study of a woman’s hands, c.1490, Charcoal, metalpoint, white heightening, on pale pinkish-buff prepared paper. Royal Collection Trust / © Her Majesty Queen Elizabeth 2019. Single use only .Not to be archived or passed on to third parties.

Në këto lokacione do të hapen ekspozitat:

Ulster Museum, Belfast
Birmingham Museum and Art Gallery
Bristol Museum and Art Gallery
National Museum Cardiff
Derby Museum and Art Gallery
Kelvingrove Art Gallery and Museum, Glasgow
Leeds Art Gallery
Walker Art Gallery, Liverpool
Manchester Art Gallery
Millennium Gallery, Sheffield
Southampton City Art Gallery
Sunderland Museums and Winter Gardens

Vizatimet dhe punët do të dalin prej Royal Collection në Londër, dhe kjo do të jetë mundësi e mirë për qytetarët të shohin për nga afër punën e Da Vincit.

Leonardo da Vinci, Cats, lions and a dragon, c.1517–18, black chalk, pen and ink, wash (Bristol Museum & Art Gallery exhibition). Royal Collection Trust / © Her Majesty Queen Elizabeth 2019.

Da Vinci kishte interes në vizatim, pikturë, arkitekturë, shpikje, shkencë, muzikë, matematikë, gjeologji, astronomi, hartografi e histori, mes fushave tjera. Ai ka lindur në vitin 1452 në Itali. / KultPlus.com

‘Gjaqet faleshin për atdheun’, 29 vite nga nisma për pajtimin e gjaqeve

Më 2 shkurt 1990 me nismën e Anton Çetës nisi në Kosovë aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve, që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit.

Ky konsiderohet edhe si viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë.

Nuk kishte kaluar shumë kohë nga formimi i Lëvizjes Gjithëkombëtare si përgjigje e Millosheviqit për vetë emërimin si “kral” i të gjithë serbëve në Fushë Kosovë, mbylljes së shkollave, helmimit, mbylljen e universitetit, gazetave e mjeteve tjera të informimit, zgjimi i vetëdijes kombëtare ishte i pa evitueshëm.

Rinia shqiptare e shëndoshë filloi aksionin e pajtimit dhe pa hezitim timonin e pajtimit ia dhuroi Prof. Anton Çetës dhe profesorëve tjerë nga Instituti Albanologjik, intelektualëve kudo që gjendeshin, akademikëve, punëtorëve e fshatarëve, aktivistëve nga mbar trojet tona etnike.

Njerëzit në atë kohë në krye me Prof. Anton Çetën, marshonin para qindra ekipe profesorësh, studentësh, aktivistësh, këngëtarësh e poetësh, pajtonin popullin, pajtonin ata që deri dje ishin armiq, për tu bërë miq e vëllezër. Heronjtë e këtij aksioni kombëtar, padyshim ishin ata që falnin.

Gjaqet faleshin për atdheun. Në këto tubime madhështore që organizoheshin anë e mbanë Kosovës e trojeve tjera etnike, si në Kaçanik e Lug të Drinit, Rrafsh të Dukagjinit, Verra të Llukës, Shalë, Karadak, Llap, Drenicë, Gollak, Has, Rekë, Podrime, Llapushë, Podgur, Rugovë, Rrafsh i Kosovës dhe kudo, e kudo në viset tjera, tregonte se për popullin tonë e atdheun kishte kris ora më e madhe e historisë sonë.

Shqiptarja nga Zvicra fiton çmim të rëndësishëm në film

“Filmi i shkurtër, i krijuar me smartfon, paraqet përfshirjen dhe aktivitetet e mija në Zvicër”, shkruan Arbela Statovci.

“Shumë e lumtur që filmi im ka fituar në kategorinë

“Best Diaspora Success Story”, pjesë e Life Safety Festival në mesin e shumë pjesëmarrësve nga 91 shtete të botës.

Filmi i shkurtër, i krijuar me smartfon, paraqet përfshirjen dhe aktivitetet e mija në Zvicër.

Falënderoj jurinë ndërkombëtare të festivalit që zgjodhi filmin tim si më të mirin në këtë kategori.

“Life Safety Festival, me një organizim të mrekullueshëm dhe shumë profesional, i mbajtur për herë të parë në Prishtinë, u jep mundësi të gjithëve të shpalosin kreativitetin e tyre përmes kamerës së telefonit në xhepin e secilit”, është shprehur Statovci në rrjetet sociale.

Arbela Statovci është gjithashtu kandidate për deputete për Parlamentin e Cyrihut në zgjedhjet që do të mbahen në muajin mars të këtij viti.

“Jam një ndërmarrëse nga Cyrihu, pronare e firmës “massgekocht”, dhe angazhohem në bordin e FDP-s Wallisellen, në Bordin e fakultetit HWZ dhe si mentore ngrihem për rininë tonë, duke i ndihmuar ata që të zhvillojnë potencialin e tyre dhe të gjejnë një hyrje optimale në botën profesionale”, ishte shprehur Statovci për albinfo.ch./ KultPlus.com

Erion Veliaj takon Adelina Ismailin, një koncert ende në mister

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka mirëpritur sot (e premte) në zyrën e tij këngëtaren Adelina Ismiali.

Dyshja në fjalë publikuan fotografi në rrjetet sociale nga takimi i tyre, ku dukeshin të buzëqeshur teksa pozonin para kamerës.

“Një takim i mrekullueshëm, me një njeri të mrekullueshëm në një qytet të mrekullueshëm”, ka shkruar Adelina në Instagram.

Ndërkohë, kryebashkiaku Veliaj ishte pak më misterioz në mbishkrimin e fotografisë, duke lënë në dyshime ardhjen e këngëtares nga Prishtina në Tiranë.

https://www.instagram.com/p/BtWIqMGhsGc/?utm_source=ig_web_copy_link

Kjo ka lënë të aludohet se vizita e saj atje mund të ketë të bëjë me realizimin e mundshëm të një koncerti në Tiranë, gjë për të cilën Ismaili nuk ka dhënë detaje deri më tani.

Erion Veliaj ka nderuar me mirënjohje këngëtaren nga Kosova, e cila i ka dhuruar shumë artit shqiptar, gjersa edhe një pjesë të karrierës e ka ndërtuar duke u prezantuar në festivalet e Shqipërisë. /