Kur kujtojmë Reçakun, kujtojmë njeriun e madh William Walker

William Walker ishte zëri më i fuqishëm për gjenocidin në Reçak.

Lufta e bërë në Reçak, e cila kulmoi me Masakrën e Reçakut, u bë lajm i botës me anë të fotografive por edhe zërit të diplomatit amerikan William Walker.

Masakra e 15 janarit 1999 ishte ndër më të tmerrshmet në Kosovë, dhe Walker ishte ai që e përhapi nëpër botë lajmin se në Kosovë popullësia po vritej nga serbët.

Walker morri detyrën të hetonte më shumë këtë Masakër, ndërsa vetëm tri ditë më pas, Qeveria e Jugosllavisë e shpalli atë persona non grata.

Ai po i bënte presion patologes francize Helena Ranta e cila ishte kryesuese e forenzikës asokohe, për të ndihmuar në zbardhjen e masakrës së tmerrshme.

Për shqiptarët, William Walker mbetet heroi i kësaj kohe, dhe i përjetshëm, në kërkim të drejtësisë për Masakrën e Reçakut por edhe për të gjithë të vrarët.

Këtë vit shënohet një tjetër përvjetor i kësaj Masakre makabre. / KultPlus.com

Masakra e Reçakut e 15 janarit, turpi i madh i Serbisë

Këto ditë shënohet përvjetori i Masakrës së Reçakut.

Në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 janar 1999 ashtu siç ishte planifikuar në Beograd, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, militare dhe paramilitare serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara. Sipas dëshmitarëve që kanë mbijetuar krimin, aty rreth orës 6.30 minuta forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të granatojnë fshatin, prej vendeve të quajtura „Pishat“, „Gështenjat“, „Rrasa e Çallakut“ dhe nga „Çesta“ përmbi Reçak. Pas ndërprejes së granatimeve forcat kriminale serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet shtëpi për shtëpi.

Në këto momente mjaftë të rënda, fshatarët janë përpjekur të largohen nga fshati apo të gjejn një vendstrehim më të sigurt, por rrethimi i hekurt e ka bërë të pamundur një gjë të tillë.

Forcat policore serbe që ishin futur përmes rrugës kryesore të fshatit kishin arrestuar në oborrin e shtëpisë (afër xhamisë) Banush Azem Kamberin, ndërsa familja e tij pak kohë më herët kishte braktisur shtëpinë. 

Pikërisht në rrugicën e “Gropës së Bebushit” ashtu siç kanë qenë duke ecur në kolonë, njësitë kriminale serbe me rafale automatiku nga afër i ekzekutojnë pamëshirshëm 24 burra, ndërsa me këtë rast (meqë ishin të fundit në kolonë) arrijnë të shpëtojnë: Ramë Shabani, Bilall Bilalli, Nesret Shabani, Ali Qazimi dhe Immer Imeri.

Më 15 janar 1999, në këtë ditë të kobshme, në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua. / KultPlus.com

“…të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!”

Nga Ali Asllani

Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,
nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!
Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,
Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!

Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit,
ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!
Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri,
dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!

Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;
hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot e maskarenjve;
Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,
ekselenca dhe shkëlqesa, tuti quanti come vuole!

Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion,
ju shkëlqen në kraharuar dekorata “Grand Cordon”!
Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t’ju thërres’
gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkëlqes’
dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’,
në ka zot dhe do duroj’, posht ky zot, ky palo zot!

Grand Kordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur,
ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të veremosur;
dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’,
ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!
Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh,
kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!

E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde,
mbasi dora e armikut ty me shok’ të heq për hunde.
Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh,
të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal’ në vesh!

Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet
dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet!
Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë
nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë!

Mirpo ju që s’keni pasur as nevoj’ as gjë të keqe,
më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: “Peqe!”
Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,
sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!
As ju hahet, as ju pihet, vetëm titulli ju kihet…
Teksa fshat’ i varfër digjet… kryekurva nis e krihet!

Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira,
ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira!
Ç’na pa syri, ç’na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri:
te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!

Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,
dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’
Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi
që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!

Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,
dylli bëhet si të duash, kukuvajk’ dhe dallëndyshe…
kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar,
nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!

Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera
kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…
Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,
koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!

Edhe ju të robëruar, rob në dor’ të metelikut,
fshini sofrat e kujtdoj’, puthni këmbën e armikut!
Që ta kesh armikun mik e pandehni mençuri,
mjafton bërja pasanik, pasanik dhe “bej” i ri,
dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura,
kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!

Vendi qenka sofr’ e qorrit, vlen për goj’ e për lëfytë,
bëni sikur veni vetull’, shoku-shokut kreni sytë…
Dhe për një kërkoni pesë, po më mir’ njëzet e pesë.
Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!

Po një dit’ që nis e vrëret do mbaroj’ me bubullimë,
ky i sotmi zër’ i errët, bëhet vetëtimë
dhe i bije rrufeja pasuris’ dhe, kësi lloj,
nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit’ për goj’!

A e dini që fitimi brenda katër vjet mizor’
nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror,
ësht’ i syrit në lot mëkuar, ësht’ i vendit djegur, pjekur,
Ju do thoni si të doni… po e drejta dërmon hekur!

Rita Ora paralajmëron projektin e ri

Këngëtarja kosovare në Britani, Rita Ora, është duke punuar në disa projekte të reja të cilat pret t’i lansojë së shpejti për fansat e saj.

Në postimet e saj të fundit në rrjetin social Instagram, kjo mund të kuptohet më së miri, kur ndër të tjerash ajo shkruan edhe “Coming soon”.

“Nuk mund të presë deri në fundjavë pasi po punoj shumë këtë javë me të gjitha gjërat mahnitëse që unë kam përgatitur për të gjithë fansat e mi! Mezi pres që ju të shihni gjithçka”, ka shkruar Ora në një postim në Instagram.

https://www.instagram.com/p/BsfJwS_Hv7V/?utm_source=ig_web_copy_link

Elvini, shqiptari që mahniti jurinë e emisionit ‘Talang’ në Suedi (VIDEO)

Një talent që do ta mbani mend për një kohë të gjatë.

Djaloshi Elvin Xhinovci, me origjinë shqiptare por i cili jeton në Suedi, ka marrë pjesë në Talang I TV4, një emision televiziv i njohur për zbulimin e talenteve në Suedi.

Shqiptari ka kënduar disa këngë, dhe ka sjellë zhanrin rep duke imituar idollin e tij, Samir Badran.

Elvini është një tjetër djalë që po na bën krenarë me suksesin e tij në skenën ndërkombëtare ndërsa videoja e tij në Youtube ka rreth 32 mijë shikime në vetëm ditën e parë të lansimit. / KultPlus.com

Urime ditëlindja, Haruki Murakami!

Kur fillon të lexosh librat e Murakamit, jeta nis të marrë hijen e tyre. Kjo është karakteristika magjike e romanëve të shkrimtarit japonez Haruki Murakami.

Në një intervistë për klubin e librit Guardian në Festivalin Ndërkombëtar të Librit në Edinburg, Murakami ka ndarë me lexuesit e tij eksperiencën dhe ëndrrat.

Shumë pak i shfaqur në publik apo në media, Murakami ishte i qeshur, i qetë dhe shumë argëtues teksa u përgjigjej të gjitha pyetjeve në anglisht. “Kam jetuar në Havai për disa kohë, ndaj anglishtja ime është e ndryshme nga juaja”, paralajmëroi ai. Megjithatë, asistonte edhe një përkthyese, që sipas shkrimtarit, një herë e një kohë kishte qenë kameriere në një bar ku kishin shkuar Murakami dhe gruaja e tij Yoko.

Autori i 13 romanëve dhe shumë tregimeve, pranoi se kishte harruar plotësisht çfarë kishte shkruar; gjë që dukej se nuk e bezdiste aspak. “Vërtet?” dhe “Nuk më kujtohet kjo”, ishin dy nga përgjigjet e tij më të shpeshta. Ai e bënte audiencën të qeshte sa herë përgjigjej: “Është botuar 20 vjet më parë dhe nuk e kam lexuar që atëherë!”

***

E kam shkruar romanin e parë në vitin 1979. Që atëherë, i kam shkruar të gjithë romanët e mi në vetën e parë. Kam provuar disa herë të shkruaj në vetë të tretë (m’u deshën 20 vjet), i pari ishte “Kafka në Breg” – dhe nuk ndihem rehat, më duket sikur i shoh personazhet nga lart-poshtë. Dua të qëndroj në të njëjtin nivel me personazhet e mi. Kështu është demokratike.

***

“Imagjinata ime është një lloj kafshe. Ndaj veprimet e mia e mbajnë gjallë”

Jam i fiksuar me puset. Elefantin. Frigoriferin. Macen. Dhe hekurosjen. Nuk mund ta shpjegoj.

***

Kur filloj të shkruaj nuk kam asnjë ide se çfarë do të vijë më pas. Për shembull, te “Kronika e Zogut Kurdisës” e vetmja gjë që kisha në fillim ishte cicërima e një zogu, dhe për shkak se dëgjova një zog në kopshtin pas shtëpisë, m’u duk sikur po parashikoja diçka dhe doja të shkruaja rreth kësaj. Pastaj po gatuaja spageti – këto janë gjëra që më ndodhin mua! Po gatuaja spagetit kur dikush më thërriti. Kisha këto dy gjëra për t’ia nisur. Për dy vite vazhdova të shkruaj. Është qejf! Nuk e di se çfarë do të ndodhë më pas, çdo ditë! Zgjohem, i afrohem tavolinës, ndez kompjuterin dhe i them vetes: “Pra, çfarë do të ndodhë sot?” Është argëtuese!

Vendimet jetësore që duhet t’i merrni këtë vit

Është koha t’i ndryshoni disa gjëra. Është koha t’i harroni të gjitha çmenduritë që ju kanë ndodhur vitin e kaluar dhe nuk ka nevojë të bëni hapa gjigand, por ka disa gjëra që mund t’i bëni. Këto janë sfida të vogla por me vlerë të cilat do t’jua zbukurojnë vitin që në fillim.

Mësoni t’i pranoni kritikat. Mos i merrni gjërat personalisht. Nëse dini të pranoni kritikat qëllimmira, do të bëheni njeri më i mirë.

Bëhuni të fortë dhe largohuni nga njerëzit helmues. Mos lejoni dikë t’ju shtyjnë të bëni gjëra që nuk i doni. Çlirohuni nga helmi në jetën tuaj!

Nëse doni dikë, thuajuani! Mos pritni ditë të veçanta për t’u thënë njerëzve se i doni. Jeta është e shkurtër dhe gjithçka mund të ndodhë!

Asnjëherë nuk është vonë për t’i realizuar ëndrrat. Mos u bëni shumë e rreptë ndaj vetes, bëni një plan, përqëndrohuni, por mos u nervikosni nëse nuk shkon gjithçka vaj.

Mos u obsesiononi me ide rreth asaj se ku duhet të mbrrini për disa muaj apo për një vit. Nëse vazhdimisht mendoni për këtë, vet do t’i krijoni vetes shtypje të panevojshme.

Largohuni nga njerëzit që jua shterrin energjinë. Këta janë njerëzit që veç marrin, por nuk japin asgjë.

Ushtroni. Filloni të bëni diçka që do t’ju bëjë më të lumtur dhe më të shëndetshëm.

Gjeni një hobi. Gjeni diçka që çdoherë keni dashur ta bëni, por asnjëherë nuk keni pasur kohë. Investoni ne veten tuaj dhe mësoni diçka interesante dhe të dobishme.

Provoni gjëra të reja për të cilat nuk keni menduar më herët.

Kaloni më pak kohë në rrjete sociale. Ato jua ndikojnë negativisht humorin.

Pranojini gabimet tuaja. Mos u përpiqni çdoherë të gjeni një fajtor, mos kërkoni arsyetime. Qëndroni pas veprave tuaja dhe përpiquni ta përmirësoni atë që keni gabuar.

Çmojeni veten. Trupi juaj është i shenjtë. Ruajeni dhe çmojeni veten!

Lexoni libra! Por ama libra të vërtetë. Nuhatini faqet, shtrihuni në krevat dhe lexoni!

Luftoni për veten. Nëse nuk pajtoheni me diçka, thuajeni! Nuk do të thotë se duhet të krijoni mosmarrveshje e drama, por mos heshtni për gjërat që nuk ju përshtaten./ Burimi: skopjeinfo.mk Përshtatja: supergratë/ KultPlus.com

Ushtarët shqiptarë të cilët i shërbyen Napoleonit

Kjo është një gravurë e ushtarëve shqiptarë që shërbenin në trupat e Napoelonit në Ishujt Joniane. Ata kishin krijuar një regjiment që përveçse përvojës shumë të çmuar ushtarake që afronte, mori nga administrata franceze dhe principet e Revolucionit.

Intelektualët dhe udhëheqësit kombëtarë ballkanikë të shek XIX, do të ndikoheshin nga dy doktrina politike me prejardhje evropianoperëndimore: liberalizmi që buronte nga idetë e iluminizmit në shek e XVIII; dhe nacionalizmi.

Përballë këtij realiteti të ri në Ballkan, fillimisht nën një zgjim kulturor dhe pastaj nën një zgjim politik të nxitur më së tepërmi edhe nga Kriza Lindore, shqiptarët reaguan duke sendërtuar format e para të një ndërgjegje kombëtare të avancuar që kërkonte një shtet shqiptar në rajon.

Ndaj për shumë studiues serioze Ishujt Joniane dhe territoret përballë tyre quhen një nga vatrat e para ku lindin lëvizjet kombëtare në Ballkan.

Saga në tavernën Lora

Bajram Mjeku:
Në kujtim të mikut tim të mirë, poetit e dramaturgut norvegjez Erling Kittelsen dhe borës që i rrinte aq bukur Oslos pak orë mbas ndërrimit të Mileniumit të ri.

Në tavernën Lora jam ulur sonte
Në sheshin Henrik Ibsen në Kristiani
Shpejtojnë njerëzit duke çarë borën
Siç erdhi mbrëmë Mileniumi i ri.

Në tavernën Lora ka veç rrëzëllim
Në secilën tryezë ndezur nga një qiri
Unë pres dhe nuk më bëhet vonë
Durueshëm siç pritëm shekullin e ri.

Dera e vjetër e përplasi heshtjen
Me hapa të rëndë dikush po vjen 
Është shkrimtari Erling Kittelsen
Sagat skandinave mbi supe i çon.

Nga acari fërkon duart e thotë
Sonte do të flasim vetëm për lirikë
Harro plojën e luftës, gjithçka harro
Vetëm maskarenjtë bëjnë politikë.

Erlingu flet me pasion për lirikat
Të njëjta, si lirikat tona në Ballkan
Dy kultura të vagullta në Polin e Veriut
Vetëm acari dhe ngrohtësia i ndanë.

Derisa pijmë verë në tavernën Lora
Lora e gjallë ecte udhës natën vonë
Përtej xhamave ajo dhe bora e bardhë
Tundonte lirikat thellë në shpirtin tonë.

(Oslo, janar 2000)

Solistë shqiptarë dhe të huaj, në koncertin e Orkestrës së RTSH

Veprat e kompozitorëve të njohur si Beethoven, Martinu, Brahms do të interpretohen mbrëmjen e sotme në koncertin  Orkestrës Simfonike të RTSH.

Nën dirigjimin e mjeshtrit Oleg Arapi në skenë do të jenë dhe solistët Zamir Kabo në piano, Lena Neudauer në violinë, Leonhard Roczek në violonçel. Ky është dhe koncerti i parë për këtë vit në skenën e Universitetit të Arteve, që do të vijojë më pas dhe me të tjera aktivitete me artistët tanë, por nuk do të mungojnë dhe të huaj që do të jenë të ftuar gjatë këtij viti. Mjeshtri Oleg Arapi ka dirigjuar koncerte me solistë shqiptarë dhe të huaj.

Ka drejtuar formacione të ndryshme orkestrale në Avellino, Napoli, Salerno, Brindisi, Dibër të Madhe, Strugë, Prizren, Prishtinë, Sarajevë, në Katedralen Angleze dhe Qendrën Ndërkombëtare të Muzikës në Moskë, në Kapelën Perandorake në Shën-Petersburg. Ka drejtuar koncerte me Orkestra Filharmonike: në Poloni, Moskë,  Ukrainë, Ecuador, Pragë, Shenzhen Kinë, Mendoza Argjentinë, Kazan, Voronezh.

Repertori i Dirigjentit përfshin veprat më të mira të kompozitorëve shqiptarë dhe atyre të huaj. Në 29 Prill 2014 vuri në skenë Premierën Botërore të Operës “La cartomante” të kompozitorit Italian Salvatore Valente. Në Prill 2013, dekorohet nga Akademia Internacionale “Imperiali” e Italisë, me medaljen “Ylli i Artë”. Pianisti Zamir Kabo ka qenë i ftuar si solist nëpër festivale të ndryshme ndërkombëtare për të interpretuar: “Nei suoni dei Luoghi””-Itali, “Ohrid Summer Festival”- Maqedoni,  “Ëe gather friends”- Salla Rachmaninov e Konservatorit Çajkovski – Moskë (Rusi), koncerte të fondacionit “Eutherpe”-Spanjë, koncerte të qytetit Graus-Spanjë. Në koncertet brenda vendit ai ka sjellë për publikun shqiptar gjithmonë vepra premierë. Pianistja Cordelia Hofer ka një aktivitet artistik është shumë të gjerë, duke përfshirë koncerte solo me orkestra të njohura në shumë vende të Evropës, në SHBA dhe në Japoni.  Violinistja Lena Neudauer ka një aktivitet të pasur artistik. Ka luajtur me Orkestrën Simfonike MDR, Orkestra Gjermane e Radio Filarmonisë Saarbrucken, Orkestra e Kamerës së Mynihut, Simfonika e Nurembergut, Simfonika e Bernës, etj. Violonçelisti Leonhard Roczek në përvojën e tij orkestrale përfshin shfaqje me Filarmoninë e Vjenës dhe Camerata Salzburg. Për më tepër ai shpesh luan trio, duo me piano dhe solo violonçel.   

Kada se sruse sve kuce izgledaju isto

Shkruan: Alban Ukaj
(Dedikim ndaj Bekim Lumit)

Kada sam prvi put pročitao trilogiju Spašeni, Stolica i Nigdje nikog nemam, imao sam osjećaj da su napisane tu negdje iza ugla sobe u kojoj čitam drame. Uronio sam u fiktivni svijet E. Bonda, koji daje realnom svijetu smisao. Ljudska stvarnost je fikcija, i tako je stvarnost posljedica psihoze likova u njegovim dramama. Likovi Edwarda Bonda su oštri u jeziku. Njihove riječi su kao sjekira. Iako često inspirisan Joneskom, Bondov apsurd ima drugu dimenziju, onu tragičnu koja potiče iz grčke tragedije. U grčkoj tragediji su se likovi sukobljavali sa bogovima a kod Bonda bog je vlast. Postojale su dvije velike krize čovječanstva u historiji. One su prethodile nastanku dvije drame: grčkoj tragediji i onoj elizabetanskoj. Bondove drame kao i drame savremenih engleskih pisaca pripadaju trećoj krizi, ovoj koju mi živimo. U našoj krizi Antigona se ne bi ubila već bi glasala za stranku koja bi bila opozicija Kreontu. Edip ne bi oslijepio sebe nego bi bio smješten na psihijatriju. Voltaire je rekao da ako nema boga bilo bi neophodno da ga izumimo. Ali ako ljudski rod ne bi postojao, ne bi ga mogli izumiti. On već postoji i okrenuo se protiv sebe. U grčkoj tragediji ljudi su se žrtvovali bogovima. Mi ne prinosimo žrtvu bogovima ali pravimo hramove za bogove zbog kojih su žrtve požrtvovane. Mi ubijamo u njihovo ime. Zločine opravdavamoriječima “jer je bog tako htio”, prelijepo, zar ne?

U distopijskom svijetu u kome žive bračni par Sara i James nema pobune. Zabranjena su sjećanja. Pojava Grita kao stranca koji se predstavlja kao Sarin brat unosi nemir. Jesu li Sara i Grit u srodstvu? Bond kaže: “Ne znam, zato što to nije bitno. Jednom kad se to pitanje postavi predstava mora ići iznad tog odnosa”.

Na kraju komada Sara ne počini samoubistvo da bi pobjegla iz realnosti, već da bi lišila vlast od mogućnosti i satisfakcije da joj oni oduzmu život. To je jedini bunt u tom svijetu. Sara se vraća sebi. Često pomislim kako u snimcima pogubljenja Srebreničana od strane Škorpiona nema opiranja, ne traži se milost, nema plakanja. Imamo osjećaj da su ti ljudi preselili prije egzekucije. Egzekucija postane samo fizički čin. Sačuvalo se dostojanstvo.

U nepravednom društvu pravda postane osveta. A šta je pravda? Šta je namjera pravde? Namjera pravde je da dokaže su krivci krivi, a nevini slobodni. Jednostavno zar ne? Samo što nije tako jednostavno. Svako ima svoju istinu i nećemo da se bavimo prošlošću. Još uvijek je oko nas toliko razrušenih kuća prošlosti, a bolna je činjenica da sve razrušene kuće izgledaju isto.

Sonte në Sarajevë vjen premiera e shfaqjes nga Alban Ukaj

Aktori Alban Ukaj do ta provojë vetën si regjisor.

Pas një viti me plot suksese dhe projekte, Ukaj po kthehet me regjinë e shfaqjes ‘Nigdje nikog nemam’.

Sonte, premiera e shfaqjes vjen në SARTR në Sarajevë, dhe duket se Albani është i lumtur që ka punuar në këtë projekt.

Teksti flet për jetën e njeriut modern dhe për të ardhmen e tij. Një burrë i ekspozohet një regjimi totalitar, ndërsa ngjashmëria vërehet edhe me distopinë e Orwellit.

“E di fort mirë çka do të thotë regjim që shtypë, sepse jam rritur dhe kam qenë adoleshent në një regjim të tillë. Historia jonë shpesh përsëritet. Ky tekst është shkruar disa vitesh dhe gjithmonë ka qenë kontraverz” tregon në një intervistë për Klix – Alban Ukaj.

https://www.youtube.com/watch?v=-1H944zHxZA

Albani do të jetë edhe aktor në këtë shfaqje, duke mos e harruar ‘zanatin’ e tij të vjetër. Teksti i shfaqjes është shkruar nga Edward Bond, shkruan KultPlus.

Snežana Bogićević dhe Jasenko Pašić i bashkohen Albanit në lojën brenda shfaqjes.

Shfaqja fillon në ora 20:00 në Sarajevskog ratnog teatra (SARTR). / KultPlus.com

Gjuetarët në Ferizaj thonë se kafsha e vrarë nuk ishte rrëqebull

Isuf Idrizi, kryetar i Shoqatës së Gjuetarëve “Shqiponja” në Ferizaj, ka thënë për portalin Koha.net se kafsha e vrarë nga një anëtar i tyre nuk është rrëqebull.

Në raportin e Policisë së Kosovës të premten është raportuar se në fshatin Varosh të Ferizajt është vrarë një rrëqebull. Sipas këtij raporti, gjyqtari pas vrasjes së kafshës kishte postuar fotografitë në Facebook.

Idrizi ka thënë se kafsha e vrarë nga gjuetari i anëtarësuar në këtë shoqatë, ishte një mace e egër.

“Rasti nuk ka ndodhur në Varosh. Rasti ka ndodhur në malet e Pleshinës. Edhe gjuetari është i Pleshinës. Ai ka ardhur në shoqatë dhe ka pranuar ta ketë vrarë kafshën, por ajo ishte macë e egër, jo rrëqebull”, ka thënë Idrizi për portalin Koha.net.

“Rrëqebulli në majat e dy veshëve ka tufa qimesh dhe është më i madh sesa macja e egër”, ka sqaruar ai.

Studentët e Fakultetit Juridik përplasen me Policinë (VIDEO)

Studentët e Juridikut të ngujuar prej mëngjesit të djeshëm në Fakultet e kanë nisur aksionin sot herët në mëngjes për zhvendosjen e karrigeve dhe bankave në hyrjen e Fakultetit.

Kjo ka sjellë tensione dhe përplasje mes tyre dhe policëve privatë që gjenden në godinë. Videot i siguroi gazetari i Ora News, Xhoi Malësia.

Policia private ndërhyri edhe natën te Juridiku

Në mesnatë policia private ka ndërhyrë tek Juridiku duke nxjerrë jashtë karriget dhe bankat që studentët i kishin vendosur si barrikadë për të bllokuar hyrjen.

“Ky është fundi i demokracisë, ne po bojkotojmë pa prishur asgjë. Do  të vazhdojmë të qëndrojmë këtu, Policia të tërhiqet .Ky është terrori i Edi Ramës. Kryeministri do na ketë këtu dhe në shtëpinë e vet.Roja bashkë me punonjës policie është futur brenda Fakultetit pa na dhënë asnjë shpjegim. Policia e Shtetit kur bën kontroll në orën 01:00 duhet të ketë një mandat. Poshtë diktatura!Mos guxoni të prekni njeri me dorë” janë shprehur studentët.

Aktori Xhevdet Jashari, pjesë e filmit i cili pranohet në Berlinale

Ferstivali i Filmit në Berlin – Berlinale, ka shpallur një pjesë të programit për këtë edicion.

Siç e do rendi, Berlinalja – festival i kategorisë A dhe një prej festivaleve më prestigjioze të filmit në botë, programin e saj e sjellë copë copë deri në finalizim.

Sukses i madh është fakti se në program këtë vit merr pjesë edhe një shqiptar, me rolin e tij në një film të veçantë. Xhevdet Jashari është pjesë e filmit ‘Gospod postoi, imeto i’ e Petrunija’ i cili është pjesë e garës në Berlinale.

Filmi është bashkëproduksion mes Sllovenisë, Kroacisë, Maqedonisë, Belgjikës dhe Francës, me regji nga Teona Strugar Mitevska.

Zorica Nusheva, Labina Mitevska, Simeon Moni Damevski, Suad Begovski, Violeta Shapkovska, Stefan Vujisic, Xhevdet Jahari dhe Andrijana Kolevska janë aktorët në këtë film, i cili në këtë festival do ta ketë edhe premierën e tij botërore.

Petrunija është një historiane, e papunë, e cila jeton me prindërit e saj. Gjatë kthimit nga një intervistë e punës, ajo e sheh ceremoninë e përvitshme në Maqedoni, e cila ndodhë çdo 19 janar – prifti e hedhë një kryq në ujë. Ajo kërcen në ujë, bëhet senzacion, dhe çka pason është një histori e mishëruar në film.

Berlinale sivjet mbahet prej 7 deri me 17 shkurt, dhe aty mbledhet ajka e kinematografisë botërore momentale, shkruan KultPlus.

Për shqiptarin Jashari, ky është një sukses i madh dhe gëzimin aktori e ka shprehur edhe me anë të rrjeteve sociale. / KultPlus.com

Kosova vonohet në reagimin për lahutën në UNESCO

Komisioni parlamentar për arsim, shkencë, teknologji, kulturë, rini, sport, inovacion dhe ndërmarrësi është vonuar sa i përket letrës që planifikonte t’ia dërgonte UNESCO-s. Pasi ajo nuk është dërguar gjatë dhjetorit siç ishte paralajmëruar, planifikohet që kjo të bëhet këtë muaj.

Komisioni planifikon që t’ia bëjë me dije UNESCO-s që lahuta është edhe instrument shqiptar. Por ky reagim do të shkojë në selinë e UNESCO-s më shumë se një muaj prej kur Serbia ia ka arritur qëllimit: “Të kënduarit me gusle” është regjistruar në emër të Serbisë.

Miratimi i propozimit është marrë pas sesionit të trembëdhjetë të Komitetit Ndërqeveritar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore të Paluajtshme që u mbajt në Port Louis, Republika e Mauritit, prej 26 nëntorit deri më 1 dhjetor 2018, në Qendrën Ndërkombëtare të Konventës Swami Vivekanada. Aty u vendos që “Të kënduarit me gusle” të merret nën mbrojtje. Studiuesit e kësaj fushe kanë thënë se shtetet shqiptare janë vonuar edhe sa i përket reagimit pas rrethanave të reja. Në mbledhjen e 10 dhjetorit të vitit të kaluar, në Komision ishte miratuar propozimi dhe ishte paralajmëruar që në adresë të UNESCO-s letra të dërgohej pas datës 13 të atij muaji.

Deputeti Smajl Kurteshi, kryetar i Komisionit parlamentar, kishte qenë ai që e dha propozimin. Të enjten, fiks një muaj pas asaj mbledhjeje, ka thënë se e kanë shkruar letrën dhe janë në fazën finale. Sipas tij, janë angazhuar disa persona për këtë. Ka thënë se të hënën fillojnë punën në Kuvend dhe do të finalizohet letra. / KultPlus.com

Kjo ishte Prishtina në vitin 1996 (VIDEO)

Prishtina ka qenë gjithmonë e bukur. Ndër vite, herë më pak e zbukuruar e herë më shumë, ndërtesa të shumta janë larguar e të tjera janë ndërtuar në kryeqytet.

Institucionet kryesore të shtetit e bëjnë sot Prishtinën një vend simpatik dhe një pikëtakim për njerëzit, por edhe për turistët.

Një video na e tregon Prishtinën në vitin 1996, me pamje nga lagje të ndryshme të Prishtinë së bukur asokohe, para se të ndodhte edhe lufta në Kosovë.

Shijojeni Prishtinën e dikurshme. / KultPlus.com

Sod àsht kollaj..?!

Nga Donart Rexhbogaj

Nganjiherë
Jetën e shohim si lojë!
Me dalë prej lëkurës
Nuk àsht çudi..
Vet i dyti me jetue
Sod àsht lehtë
Bile,
As kryet mos me kthye mas
S’ka dert?!
I përkambë rrug’t
Që kurr’ s’i ke shkelë..
Kapërcen gardhiqet e therrat
Si hajni kur e ka me vrap..
Nuk t’mbetet gjá tjetër 
Veç,
Inadeve m’u grahë përpara
Si deleve n’torishtê..
Parazit duhesh mu bà me zor
Pasqyrën me p’shtye fshehtas
F’tyrën me g’rrithë vet,
E me thanë ma g’rrithi dashnorja..

Lojërat Olimpike në Japoni do të festohen me pikturat e Van Gogh

Galeria Kombëtare e Londrës ka vendosur që lulet e Van Gogut t’i dërgojë në Japoni.

Vitin tjetër, luledielli i dorës së Van Gogut do të rrugëtojë për në Japoni, në dy muze të njohur të Japonisë.

Kjo do të ndodhë pikërisht në vitin 2020 kur në Japoni do të mbahen Lojërat Olimpike Verore.

Punët e Van Gogut, rreth 60 të tilla, do të udhëtojnë në muajin mars në Tokio dhe në muajin tetor në Osaka.

Kjo do të jetë hera e tretë që këto piktura do të dalin prej Londrës. Në dy rastet e kaluara kjo ndodhi kur ato u bënë pjesë e ekspozitave në Amsterdam.

Toshio Yamanashi nga Muzeu i Otakës ka treguar se është i lumtur që Van Gogh do të jetë i pranishëm në Japoni.

“Zemra ime është e mbushur me pritje, kjo është një mundësi e rrallë të përjetohet Van Gogu dhe pikturat e tij, secila një tregim në vete” tregon Yamanashi.

Van Gog ishte piktor i njohur holandez i cili krijoi mbi 2100 piktura dhe me to u bë i famshëm në mbarë botën. / KultPlus.com

Jehona Sopi këndon ‘Dashurinë ku e kam’ nga Armend Rexhepagiqi

Ka kohë që Jehona Sopin nuk e kemi parë me projekt të sajin personal muzikor.

Megjithatë, këngët që ajo i ka sjellë ndër vite janë secila e veçantë dhe secila e ka gjetur audiencën e saj.

Jehona Sopi u paraqit së fundmi në xhirimet e Vitit të Ri duke sjellë pikërisht një këngë të Armend Rexhepagiqit, për një prej televizioneve tona.

“Dashurinë ku e kam” është këngë e Armendit por që iu besua Jehonës në këtë projekt – ‘Kartolinë nga Kosova’.

Jehona ka bashkëpunuar në disa këngë të saja me Armendin dhe me Aidën, duke përfshirë këtu “O tradhtar” dhe “Do t’i laj këmishat tua’. / KultPlus.com

Kur Pitagora e krahason jetën me Lojërat Olimpike


Pitagora, një figurë e njohur e botës intelektuale greke, i ndihmoi jo vetëm matematikës dhe dashurisë për këtë fushë.

Idetë e tij më pas influencuan edhe Platonin, Dekartin, Keplerin, Njutonin e Ajnshtajnin. Ai ishte filozof por veten e quajti gjithmonë ‘dashnor i urtësisë’ ndërsa na ka lënë edhe disa fjalë mbi kuptimin e urtësisë dhe jetës.

Ja një pasazh i marrë nga Fermat’s Enigma: The Epic Quest to Solve the World’s Greatest Mathematical Problem, ku Pitagora e krahason jetën me Lojërat Olimpike.

“Jeta.. mund të krahasohet edhe me këto Lojëra Olimpike sepse disa janë mbledhur këtu për dëshirën për fitore, e të tjerët për shpresë dhe ambicie, për famë dhe për lavdi. Por megjithatë ka edhe të atillë që kalojnë për të kuptuar çka po ndodhë. Njëjtë është me jetën. Disa influencohen prej dashurisë për paranë ndërsa të tjerët për dëshirën për pushtet dhe dominim, por njeriu më i mirë është ai që e kërkon domethënien e vetes, qëllimin e jetës. Ai dëshiron ta zbulojë sekretin e natyrës. Ky është njeriu që unë e quaj filozof, edhepse asnjë njeri nuk është i tëri i mençur, por e shfrytëzon urtësinë si çelësin për të zbuluar sekretet e natyrës” – janë fjalët e Pitagorës, shkruan KultPlus.

Pitagora u lind në ishullin grek Samos, midis 592 dhe 572 para erës sonë. Që i vogël shfaqi shumë dhunti të veçanta që më vonë do të krijojnë një legjendë. / KultPlus.com

Arsimi në grevë nga data 14 janar

Këshilli Drejtues i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) në një mbledhje të jashtëzakonshme ka vendosur që ta shpallë grevën e përgjithshme në arsim, që do të nisë nga 14 janari, ditë e hënë, raporton Koha Ditore.

Gjatë kësaj mbledhje përfaqësuesit e sindikatës nga të gjitha komunat e Kosovës janë shprehur të vendosur që të futen në grevë. Ata kanë thënë se nuk do të tërhiqen nga greva nëse nuk ngritët 30 për qind koeficenti i mësimdhënësve në projektligjin për paga. Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka deklaruar se ai është i obliguar që ta dëgjojë vullnetin e sindikalistëve.

“Më 14 janar i tërë sistemi arsimor do të futet në grevë. Nëse nuk ka ngritje 30 përqind të koeficientëve ne nuk do ta anulojmë grevën”, ka theksuar Jasharaj.

Derisa po zhvillohej mbledhja e Këshillit Drejtues të SBASHK-ut aty ka ardhur edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) Shyqiri Bytyqi. Ai ka provuar t’i bind sindikalistët që të mos futen në grevë pasi sipas tij, kështu po dëmtohet procesi mësimor.

“Greva nuk do të zgjidhë problemin por vetëm sa do ta vështirësojë procesin. Greva është vendim i gabuar sepse kështu po dëmtohen fëmijët. Të ulemi të zgjidhim problemet pa pasur nevojë për presione”, ka deklaruar Bytyqi.

Unë me 35 këshilltarët e mi

Arbër Selmani

Marr shkas sepse lexoj. Dhe anash leximit për pesë palë qejfe, lexoj për Haradinajn dhe shokët e tij. Ja çfarë thotë një lajm që e lexoj 2 minuta pasi kam pirë ilaçin kundër streptokokut:

‘Haradinaj bëhet me 35 këshilltarë, zv/kryeministrat me nga 9-11 të tillë’

I mendoj dy gjëra. Këshillimin si veprim, dhe faktin se bakteria e streptokokut qenka më e poshtër e problematike se e paskam menduar unë kohë më parë. Por, të ndalemi tek e para.
E mendoj Haradinajn dhe them me vete, lum si ky që po këshillohet nga të katër anët e botës. E këshillon ky, e këshillon ajo, këshillohet sigurisht prej familjes së tij, këshillohet prej kolegëve të afërm që nuk janë këshilltarë por prapë kanë talentin e thuktë të këshillimit, këshillohet prej miqve, këshillohet prej unit brenda tij, prej Haradinajt brenda tij që padyshim është edhe ai këshilltar.

***

Ta mendosh më pas Kosovën si vatrën e këshillimit. Këshillat e babës, që shkuan kurrkund, më shpejt se rrotat e veturave në rrugën B. Ta mendosh se këshillohemi nga familjarët, kolegët, këshillohemi në rrugë, nga taksisti, këshillohemi për lidhjet e dashurisë nga shoqet që kanë frikë të shkruhen me burrat që ju pëlqejnë. Këshillohemi me mjekun për antibiotikun, anipse antibiotiku ishte ai që më çoi në spital para pak muajve. Këshillohemi. Këshillohemi. Sa e thellë këshilla e gjithsecilit.

Ta mendosh më pas Kosovën si djepin e këshillimit. Nisemi prej piramidës – ata lartë këshillohen çdo ditë, madje në obligimet e punës sigurisht ju shkruan – TA KËSHILLONI SHEFIN TUAJ – ose – ÇDO DITË, KËSHILLIMI I NJERIUT TË CILIT I DETYROHENI KËTË RROGË. Nëse jo kështu, atëherë në njërën prej pikave të kontratës figuron – GJATË DITËS, TROKITNI NË DERËN E LARTMADHËRISË DHE KËSHILLOJENI MBI ÇKADO QË E MUNDON ATË. Pra në këtë Kosovë të shkretë ka burra dhe gra të cilët pa pasur diplomë psikologu a sociologu a filozofi a filozofe a matematikani a psikiatri a neuropsikiatri, vazhdojnë këshillimin. Kokat e mëdha këshillohen si të vishen, si të printojnë faqen në të dyja anët, si të respektojnë folësin përballë, normalisht nuk janë këshillat të njëjtat si për udhëtimin në Bruksel apo atë në Nju Jork – gjithçka ndryshon. Mbledhja e së premtes mëngjesore është e tëra e përkushtuar për KËSHILLIMIN. Ku janë këshilltarët? Le të dalin para dhe të na flasin për më të rejat në fushën e këshillimit…..

Vazhdoj dhe prapë i kthehem të njëjtit lajm, të njëjtave rreshta:

Haradinaj bëhet me 35 këshilltarë, zv/kryeministrat me nga 9-11 të tillë

U ndala dhe thash, ta kthej pak pasqyrën kah vetja. Unë dhe 35 këshilltarët e mi. Jam i sigurtë që më i madhi, trupmadhi im, do të më këshillonte kur ta marr Ksanaksin dhe kur ta marr Leksiliumin, sepse nuk e do rendi që këto dyja të goditen njëkohësisht në edukatën mjekësore. Ai do të duhej të lexonte mbi depresionin, simptomat, miligramët, paraditet, masditet, kohët e pas-ushqimeve, barkun e thatë, gjumin e keq, gjumin e mirë, ecjen e mëngjesit, ecjen e mëngjesit që nuk ndodhi kurrë. Këshilltari i dytë, i tretë, i katërt dhe i pestë do ta këshillonin të parin. Pra do ta ushqenin atë, që ai të ishte i fortë, do t`ja lanin këmbët dhe do t`ja puthnin sytë. Këto këshillime nuk dua ti shoh, kuptohet, çka ndodhë mes këtyre gjashtë këshilltarëve nuk më intereson sepse kam plot broçkulla personale. 14 këshilltarët tjerë do ti detyroj të lexojnë libra, që çdo vikend të mund të më vijnë me ndonjë pasazh libri të cilat do t’i shfrytëzoja për ti dhënë një frymë të fundit vdekjes time intelektuale. Mbesin 15 këshilltarë. Disa prej tyre kanë studiuar jashtë vendit, disa prej tyre më organizojnë mbijetesën në rrjete sociale, njëri është mekanik, dhe ajo çka mbetet në fund është shoferi, që do të më këshillojë derisa unë jam në ulësen e pasme të veturës që e paguaj vet, unë edhe komshia im. E këshillat janë nga më të ndryshmet: 

Mukoza është e tmerrshme për shendetin e njeriut –  Kadareja i ka disa libra por unë e gjeta “Prillin e thyer” dhe qenka kërrsh, jashtë e brenda – Letrës së bardhë në psikologji shpesh i thonë tabullarasë, si mendja e njeriut kur është e pashkruar – Anton Çetta është kartë e mirë nëse dëshiron ta përdorësh brenda ndonjë shkrimi tënd – Mukoza, qysh më tha një shok, mundet me të shkaktu probleme me zemrën –  Neve që kemi studiu në Amerikë na kanë shumë inati këtu, veç si këshilltarë po nab ëhet një vend.

Kaq shumë këshilla, kaq pak kohë për të jetuar. Unë me 35 këshilltarët e mi.

***

Hec e mos u çmend me kaq shumë këshilla. Çka bën një person që nuk ka lidhje mbi diplomacinë, edhe me 5 milion këshilltarë? Nuk po e mendoj Haradinajn, kuptohet, veç edhe shokët e tij? Çka bëjnë një grup i burrave dhe grave që duhet ta kalojnë jetën e tyre të mjerë duke këshilluar të tjerët, kur as këshillat nuk ndihmojnë në këtë kuti ku vjen erë e keqe e ku pretendojmë se po jetojmë?

Ose, çka janë këta këshilltarë? Çka është këshillimi për njerëzit që pak dëgjojnë e më shumë flasin? Çfarë mendime i rrahin tërë kjo klasë politike kur bëhen bashkë në odat e tyre, për të zgjidhur çështjet madhore? Hyn në fjalor dhe e kontrollon kuptimin e fjalës: Këshillim? Kush kë e këshillon: aktivi pasivin apo pasivi aktivin? Studiuesi amaterin apo amateri studiuesin? Ku u shkolluat ju, që të vije kjo ditë për ju e këshillat tuaja? E ardhmja ime, se po bëhem qesharak, varet diku prej këshillave tuaja? Na tregoni dy këshilla që na shpëtuan, na jepni tri këshilla që na dhanë jetë, ose rrëfeni dhjetë këshilla që na nxjerrin prej tunelit pa dritë.

***

E lexoj lajmin në portale, versionin e gjatë të tij, dhe nuk më tundon asgjë më shumë se fjala këshilltarë*

Haradinaj bëhet me 35 këshilltarë, zv/kryeministrat me nga 9-11 të tillë

Kthehem te piramida dhe e kuptoj se, në këtë Kosovë, kur nuk ke çka bën, mendja jote automatikisht ka pjellur një këshillë që fluturon në ajër derisa e gjen viktimën e vet. Para disa vitesh, pata dalë në takim me një psikologe, sepse kisha nevojë për seks. Disa javë më vonë, edhe me një psikolog, por edhe me këtë nuk shkoi mirë për asnjë qëllim. Të dytë kishin nevojë për këshillim, siç kisha unë. Asnjëri edhe sot nuk i kemi 35 këshilltarë që paguhen prej parasë së skamjes. Kjo shoqëri nuk e ka dashur kurrë veten, askush se ka mësuar ta dojë veten, askush se ka mësuar asnjëri ta dojë vetveten, dhe prapë vazhdojmë të këshillohemi kokë-më-kokë, duke menduar se politikisht këshillimi është gjë e drejtë.