Shpallen tre finalistët e Çmimit ‘Artistët e së nesërmes’ 2018

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka kënaqësinë të shpallë vendimin e jurisë për finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmës” 2018.

Me 20 shtator 2018, juria e përbërë nga Charles Esche, drejtor i Van Abbemuseum, Eindhoven, Erëmirë Krasniqi, studiuese dhe drejtoreshë e Oral History Kosovo, Jelena Vesić, kuratore, shkrimtare, redaktore dhe ligjeruese, Adrian Deva, artist dhe edukator arti dhe Amanda Parmer, drejtore e programit e Independent Curators International (ICI), Nju Jork, ka zgjedhur tre finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmës” 2018, përmes deklaratës më poshtë:

Juria ka qenë e ngazëllyer nga interesimi i treguar për çmimin dhe nga llojllojshmëria e qasjeve të ndryshme ndër aplikimet këtë vit. Anëtarët e jurisë të cilët kanë qenë pjesë e jurisë në vitin 2017 kanë vërejtur se ka pasë përmirësim në përgjithësi në kualitetin e punës artistike si dhe të propozimeve.

Anëtarët e jurisë me shumë ngazëllim kanë diskutuar propozimet, për tu kthyer tek një numër i aplikimeve disa herë, duke lëvizur ngadalë deri në vendimin përfundimtar.

Ne ishim të lumtur që ishim në gjendje për të ardhur në një vendim unanim, duke e vënë në pyetje njëri tjetërin dhe si ne i përgjigjemi punës të secilit kandidat, dhe duke ndarë vëzhgimet se çfarë mund të imagjinojmë se ata do të krijojnë për ekspozitën e çmimit dhe rezidencën në Nju Jork.

Në fund, ne kemi zgjedhur tre artist, punët e të cilëve mbulojnë një rrafsh të gjërë të praktikës artistike aktuale në Kosovë, duke përfshirë, pikturën, tekstin, instalacionin, grafikën dhe fotografinë. Punët ndajnë një interesim të përbashkët për marrëdhëniet mes kontekstit lokal dhe jetës bashkëkohore si dhe gjetjen e trajektores personale të procesimit të materialit dhe ambientit psikologjik të qyteteve kosovare.

Një intimitet gjendet në shumë prej punëve, ndërsa implikimet janë shpesh shoqërore dhe politike.

Të gjithë ne ndihemi që të tre artistët finalist do të përfitojnë nga ballafaqimi me sfidën e ekspozitës dhe të rezidencës në Nju Jork, dhe ne me padurim presim për të parë punën e tyre në ekspozitën në dhjetor, kur juria do të takohet në Prishtinë për të zgjedhur fituesin e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018. Juria dëshiron të falenderoj Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë për organizimin e sesioneve aq mirë dhe për përkrahjen e treguar për ne gjatë tërë procesit.

Ne jemi shumë të kënaqur të shpallim që finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018 janë Qëndresë Deda, Altin Krasniqi and Dion Zeqiri.

Fituesi i çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018 do të shpallet me 5 dhjetor 2018 në Klubin e Boksit në Prishtinë, në mbylljen e ekspozitës së finalistëve të “Artistët e së nesërmes” 2018. / KultPlus.com

Andrea Bocelli dhe Dua Lipa së shpejti publikojnë këngën ‘If Only’

Këngëtari i njohur italian, Andrea Bocelli, së shpejti do të publikojë albumin e tij të ri, ku ka bashkëpunuar me artistë të njohur si Ed Sheeran, Matteo Bocelli, Josh Groban.

Në mesin e artistëve më të cilët Andrea Bocelli ka bashkëpunuar në albumin e ri, është edhe këngëtarja Dua Lipa, më të cilën ka realizuar këngën e katërt të albumit, “If Only”, e cila pritet të publikohet së shpejti, shkruan Radio Plus.

Albumi i ri nga Andrea Bocelli mbanë titullin “SI” dhe pritet të publikohet më 26 tetor.

Kjo është lista me këngët e albumit “SI”:

1. “Ali di Libertà”
2. “Amo Soltanto Te” – feat. Ed Sheeran
3. “Un’Anima”
4. “If Only” – feat. Dua Lipa
5. “Gloria The Gift Of Life”
6. “Fall On Me” – feat. Matteo Bocelli
7. “Ëe Ëill Meet Once Again” – feat. Josh Groban
8. “I Am Here”
9. “Vertigo” – ëith Raphael Gualazzi at the piano
10. “Vivo”
11. “Dormi Dormi”
12. “Ave Maria Pietas” – feat. Aida Garifullina
13. “Meditation”
14. “Miele Impuro”
15. “Sono Qui” (acoustic version)
16. “Ali di libertà” (acoustic version)

Nënat sipas Azem Shkrelit

Azem Shkreli
(Shokut tim për nënën)

Ato lahen në gazin
tonë e në lotët e tyre.

Bëhen rojë murane
te krojet e shtera të gjirit.

Në ballin tonë për herë
u bëjnë dritë shejt gishtat.

Ditët na i prarojnë dhe rrugët
me nga një bekim më t’mirin.

Me rrëmetën e krrusur t’moteve
na ruajnë nga hijet e liga.

Një ditë shkojnë si të shkonin,
të mos vijë më vdekja.

E s’na kërkojnë asgjë,
pos një grusht dhe mbi krye.

Shkojmë. E sa herë vdes nënë,
vdes nënëmira ime.

Këngëtarja Elhaida Dani vjen me një bashkëpunim muzikor

Elhaida Dani ka bërë rikthimin e saj në muzikë.

Në muajin tetor, ajo do të publikojë këngën e saj më të re, e cila vjen si bashkëpunim dhe është gërshetim i gjuhës angleze dhe italiane.

Bashkëpunimi vjen me Nathaniel Willemse, shkruan KultPlus.

“Kjo tregon qe tashme bota eshte kaq e vogel …
Nga Kanadaja ne Australi krijuam një kenge qe e dua shume dhe mezi pres t’jua tregoj !
Ja nje paradhenje te ktij dueti me @itisnathaniel qe do jet publik ne tetor” ka shkruar Elhaida në Facebook ku ka prezantuar pak nga kënga.

Elhaida ka vazhduar karrierën e saj më shumë në muzikë klasike me performancat e saj në Paris dhe jo vetëm. Së fundmi atë e kemi parë në Festivalin Kënga Magjike dhe në Eurovision Song Contest, me dy këngë të bukura të cilat i ka mishëruar mirë ashtu siç di ajo. / KultPlus.com

‘Populli e di kur duhet bërë kryq me tre e kur me pesë gishtërinj’

Mirko Gashi / Populus Illyricus

Populli
e di
kur duhet bërë kryq
me tre
e kur
me pesë gishtërinj
e kur
të thuhet dova
Ai
më së miri
të thotë
s’ka përëndi të tjerë
përvec meje
Populli të thotë
se s’ka kryeplak
më të urtë se fshati
Ai e ka meteorologjinë
e vet
në gjunjtë e pleqëve e të plakave
kur ky yll apo ai
gjendet këtu apo aty
Populli di
pse
s’duhet përqeshur lumin
për rrugën e tij gjarpërore
rrjedhën mund ta gabojë ndonjë pikë
po lumi kurrë

2.-
pasi vetëm ai e di
rrugën e vet
vallen e popullit
askush
s’do ta mësojë
as t’i marrë erë
për një jetë kalimtare
Kurrë mos humb besë
ndaj Zotit tënd të ri
beso
e po të besoj
në këtë aksiomë

Populli e di
se vetëm fëmijët dhe kafshët
të duan pa hile

Cdo fjalë që të thuhet
për Popullin
është e stërvockël
Ai e ka celësin
për cdo rebus
vetëm për të s’ka enigma
Eu
Ai
di
se cili mashkull i shtëpisë
është për pazar
e cili jo
Ai e di
mu si Luli i vocërr

3.-
ku është hija
e ku gjendet dielli
kush është Mark
kush Januz
e kush Janus
Populli e ka syrin
të thellë
sa një oqean
populli të thotë
se kënga
është vaji i burrit
se kështu e ka jeta
Ai ka
cka s’ka
asnjë kryevepër s’e ka krijuar Dante Aligieri
apo ndonjë tjetër
po Ai
i mjeri
Për cdogjë që ke ndier
mos beso as ti
po populli
e di
Ai
para se ta capojë
të njëmbëdhjetin hap
dhjetë i ka kaluar
Populli
s’ka epiqendër
të gjitha trojet
e skajet
e tij
ashtu mund të quhen

4.-
Populli të mëson
me proverba
ai të thotë:
“I di Meta punët e veta”

HAVEIT, të premten në TruAktiv Talks në Prishtinë

Teknikat e subversionit artistik – çka dhezë e çka jo?

Të premten, me datë 21 shtator, nga ora 20:00 në qendrën kulturore Termokiss, Sbunker prezanton kolektivin artistik HAVEIT në serinë e rradhës të TruAktiv Talks.

Në këtë ngjarje do të diskutohet për modele të ndryshme të aktivizmit të përdorura nga HAVEIT për përçimin e mesazheve për barazi sociale, rendësinë e performancave të artit publik dhe rolin e artit si formë e protestës për thyerjen e stereotipeve dhe sfidimin e stigmave shoqërore dhe kodeve morale të një vendi.

Në TruAktiv Talks do të marrin pjesë edhe pjesëmarrësit e TruAktivSummit 2018.

Ky grant është financuar nga projekti ‘Përkrahja e Luksemburgut për Shoqërinë Civile në Kosovë’, financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

HAVEIT përbëhet nga Hana, Vesa, Alketa dhe Lola dhe janë i vetmi kolektiv artistik i këtij formati në Kosovë, të njohura për përdorimin e mediumeve të ndryshme artistike dhe intervenimeve artistike. / KultPlus.com

Monumenti në Mitrovicë, pjesë e librit që do të promovohet në Londër

Shkrimtari dhe fotografi amerikan Donald Niebyl do të promovojë me datë 27 shtator në Londër një libër interesant rreth monumenteve të veçanta “spomenik” të kohës së Jugosllavisë.

Ai ka kaluar disa vite nëpër territorin e shteteve ish-jugosllave për të hulumtuar socializmin dhe arkitekturën e dalë prej asaj kohe.

Memorialët që përfaqësojnë luftën në forma të ndryshme janë pjesë e librit.

Pjesë e librit është edhe monumenti në Mitrovicë. Në vitin 1959, Bogdan Bogdanovic u caktua të dizajnonte një monument i cili do të përkujtonte luftëtarët që morrën pjesë në Trupat e Minatorëve në luftë me nazistët në korrikun e vitit 1941. Trupat e Minatorëve më pas u bashkuan me Lëvizjen Partizane të Kopaonikut, shkruan KultPlus.

Dy kolonat vertikale patën qëllimin të simbolizojnë punën e përbashkët të serbëve e shqiptarëve.
Memoriali i Minatorëve të Rënë apo Përmendorja e Minatorëve u ndërtua tek në vitin 1973. Kur u ndërtuar, ky ka qenë monumenti më i vizituar në regjion.

Libri “Spomenik Monument Database” ka përmbledhur 80 monumente të tilla dhe historitë prapa tyre, përfshirë këtu edhe Jasenovacion, Sremska Mitrovicën në Serbi dhe Kosmaj në Beograd.

Memorialet u ndërtuan mes viteve 1960-1990, në kohën e Josip Broz Titos në sundim të Jugosllavisë. / KultPlus.com

Filloi sot konferenca ‘Rishikimi i ballafaqimit me të kaluarën dhe drejtësinë tranzicionale në Ballkan’

Arbër Selmani

Ballafaqimi me të kaluarën edhe sot mbetet një prej sfidave kryesore në Ballkanin ku u përgjak gjithçka jo shumë kohë më parë. Aty ku sot zë vend optimizmi, dikur kanë zënë vend masakrat, lufta, gjenocidi dhe ideja për të shfarosur një popullsi të tërë. Në lojë ishin disa shtete, me figurat të cilat ose janë gjallë edhe sot dhe janë të angazhuara në politikë, ose me pasardhësit produkte të asaj kohe.

“Rishikimi i ballafaqimit me të kaluarën dhe drejtësinë tranzicionale në Ballkan” është konferenca e cila filloi sot në Prishtinë, duke dashur të fokusohet në procesin e ballafaqimit me të kaluarën dhe me plagët që sot ndikojnë te familjarët e viktimave por edhe faktin se shumë shpesh, janë po këto viktima që po përdoren për propagandë të panevojshme dhe më shumë se atyre, rëndësi po iu kushtohet agresorëve, kryerësve të krimeve.

Në ditën e hapjes, Muhamet Mala nga Fakulteti Filozofik në Universitetin e Prishtinës, tregoi për rëndësinë e konferencave të tilla.
“Njohja e mirë e historisë na bashkon, ndërsa keqinterpretimi i të kaluarës na ndan prej njëri tjetrit. Ka ardhur koha që në Ballkan të veprohet me anë të penës, e jo me anë të armës. Jam i lumtur për këtë konferencë pasi të tilla organizime ndihmojnë që popujt e Ballkanit ti sqarojnë mes vete paragjykimet, problemet dhe të kaluarën” tha Mala në fjalën e hapjes së konferencës tre ditore.

Konferenca që nisi sot e do të vazhdojë të premten e të shtunën mbledhë studiues nga fusha të ndryshme akademike dhe ekspertë të paradigmave të ndryshme tematike dhe teorike të cilët eksplorojnë qasjet e ballafaqimit me të kaluarën dhe të drejtësisë tranzicionale në shtetet që pasuan ish-Jugosllavinë dhe më gjerë.
Vjollca Krasniqi, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës, ka treguar se një konferencë e tillë vjen në një kohë kur realiteti politik në Kosovë është në një fazë turbulente, ndërsa Nehar Sharri nga ForumZFD në Kosovë tregoi se konferenca është vazhdimësi e dy konferencave të tilla paraprake në Beograd e Sarajevë.

Anja Becky nga Ambasada Gjermane në Kosovë, mbështetës të konferencës, ka treguar se procesi për ballafaqimin me të kaluarën merr kohë, por shembull i mirë mbetet raporti Gjermani-Francë, marrë parasysh ngjarjet në retrospektivë mes dy shteteve.
“Në Gjermani tash e disa vite është me rëndësi të kuptohet e analizohet mirë e kaluara. Kjo ka ndodhur me anë të shkollimit, seminareve e shkëmbimeve me të rinjtë. Për Gjermaninë sot është prioritet një reflektim mbi të kaluarën. Ne mbi të gjitha besojmë se Bashkimi Evropian është një projekt për paqen dhe prandaj me ngadalësi duhet lëvizur drejt këtij reflektimi se çfarë ka ndodhur në të kaluarën dhe se si mund ta kthejmë atë në një fuqi për të sotmen” shtoi Becky.

Në hapje të konferencës kanë folur edhe Kuno Schlaefli nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë dhe Gudrun Steinacker nga Shoqata e Evropës Juglindore.

Pasoi edhe ligjërata e Eric Gordy nga UCL në Londër, i cili foli më shumë rreth tribunaleve dhe kriminelëve të cilët si duket asnjëherë nuk e marrin dënimin e merituar në këtë pjesë të botës, në Ballkan.

Nesër, e premte, dhe të shtunën, panele dhe ligjërata të ndryshme vijnë në kuadër të konferencës e cila po mbahet në Fakultetin Filozofik, përballë Bibliotekës Kombëtare. Kollapsi i drejtësisë tranzicionale në Serbi, krimet e luftës në Kosovë dhe në Ballkan, projektet e ndryshme që ndihmojnë të mos harrohet e kaluara, gjykimet nëpër Tribunalin e Hagës dhe të tjera tema do të diskutohen në panelet dhe ligjëratat në konferencë.
Konferenca po organizohet nga Universiteti i Prishtinës dhe ForumZFD. Programin e plotë të ditës së dytë e të tretë e gjeni në fotografitë poshtë. / KultPlus.com

Për gruan burri i së cilës zhduket çdo ditë pas orarit të punës…

Për gruan burri i së cilës zhduket çdo ditë pas orarit të punës…
Për gruan e cila po e vuan dështimin e një shtatzënie për të cilën nuk e diti askush…
Për gruan e cila vazhdon të jetë e para, edhe pse është e humbur brenda…

Për gruan e cila u largua nga puna sepse u vonua për të katërtën herë, dhe ka qenë zgjuar tërë javën për tu kujdesur për fëmiun e sëmurë…
Për nënën vetëushqyese e cila nuk e di a do t`i dalë në fund këtij muaji…

Për gruan e cila ka kaluar në dy In Vitro Fertilizime, ka provuar për pesë vite të ketë një fëmijë dhe prapë është aty kur shoqet e saj kanë festat e fëmijëve të tyre…
Për gruan e cila ende e fajëson veten për abortin e para 20-të vitesh…

Për gruan të cilën e gjykojnë sytë e të tjerëve derisa numëron centat e saj dhe lë diçka anash në supermarket…
Për gruan e cila hapë derën dhe kupton se ia kanë vrarë burrin tre javë para se ai të vinte në shtëpi…
Për gruan e cila jeton me ankth sepse të tjerët nuk e dijnë për çka ajo është e stresuar…
Për gruan e cila i jep gjithçka familjes, dhe ka nevojë për pushim…

Për gruan e cila i buzëqesh secilit të huaj, por çdo natë vajton në dhomën e saj të vetmisë…
Për gruan e cila dëshiroi që gjithçka të marrë fund, por prapë gjen forcën të vazhdojë…
Për gruan që sot dëgjoi thashethëmet rreth saj…

Për gruan e cila fle afër një të panjohuri, çdo natë…
Për gruan e cila asnjëherë nuk do të duket si ajo në ballinën e një reviste…
Për gruan e cila duron lidhjet e dështuar një pas një, sepse nuk pati një baba afër ti tregonte çka është dashuria…
Për një grua që po e rritë një vajzë pa baba, dhe për lutjen e saj që historia të mos përsëritet….
Për gruan që dashuron me krejt forcën e saj, e cila është e dëshpërtuar të jetë e dashuruar nga të tjerët…

Për secilën grua që vajton derisa pastrohet, që askush mos ta vërejë. Sepse nëse ti nuk je e fortë – askush nuk është.
Vetëm sepse uji i largon lotët, kjo nuk do të thotë që nuk duhet të qash. Vetëm sepse qan, nuk nënkupton se nuk je e fortë të përballosh.
Unë jam ti. Unë të shoh. Unë jam me ty, unë qaj me ty. Unë të dua.

Brittany Latham / Përktheu: A.S / KultPlus.com

Zemra e shokut

Lasgush Poradeci

Të kam shok nga koh’ e vjetër
Shok prej zemre – edhe prej gjaku…
Shok të ri eme bese plaku
Nuku kam, nuku ke tjeter.

Se çdogas e mall të shkretë
M’i ke thënë-emër më emër,
Unë – i mbylla mun në zemër
Gjer sa zemra të mos jetë.

Se ti mban në kraharuar
Shentërinë-e një dhurate:
Mban në fund të zemrës s’ate
Ç’të kam thënë-i llaftaruar.

Ish e bardhë-e nuku kishte
Dredhëri zemra bujare:
Bënte botën zilitare
Zemër e bukur shokërishte.

Shkrimtari bullgar Slaveykov: Në Kosovë kam gjetur një atmosferë shumë të mirë për të shkruar

Gili Hoxhaj

I përcjellur me një gotë verë të kuqe, mes diskutimit nxjerrë edhe cigaren, e të pranishmit i mbante fort të koncentruar me ndërveprimin e fjalëve të tij me emocionet.

I veshur në të zeza, herë heqë xhaketën e herë e veshë atë. Është ky shkrimtari bullgar Yordan Slaveykov, i cili po qëndron për disa ditë në Kosovë ndërsa sonte në një mbrëmje lexoi kapitullin e parë të novelës së tij dhe ndau mendimet e tij në diskutim me të pranishmit.

Kjo mbrëmje e organizuar në hapësirën “Monet” nga Qendra Multimedia bëri që të pranishmit të zbulojnë mbi subjektivitetin e artin e Yordan Slaveykov, i cili me novelën e tij “Hapi i fundit” të botuar në vitin 2015 ka fituar dy çmime kombëtare të letërsisë në vitin 2016. Ai tashmë po bën hapa drejt novelës së tij të dytë, ndërsa qëndron në atë së nuk ka fund të lumtur dhe tenton t’i qëndrojë besnik këtij fakti. Sa i përket poezisë, ai thotë se nuk është që nuk e ka provuar por duhet ta pranojë që nuk është i mirë në poezi. Duke qenë se vjen nga një vend ku “korrupsioni” është kryefjala tash e disa vite, ai thotë se tanimë është e mërzitshme edhe të shkruash për të.

Ai ka lindur në Vratsa, Bullgari në vitin 1976. Njihet si regjisor i teatrit, ligjërues, dhe shkrimtar e dramaturg. Ka diplomuar si regjisor i teatrit nga Akademia Kombëtare e Teatrit dhe Filmit në Sofie në vitin 2001.Në vitin 2008 ka diplomuar si aktor në Moskë në Akademinë e Dytë Verore Ndërkombëtare të Teatrit. Dramën e tij të parë “Marimanga” e shkroi në vitin 2011, performancë që u shfaq në festivale në Moskë, Shën Petersburg, Nju Jork, Bruksel, etj.

Kishte filluar të shkruante derisa nuk pëlqente atë që lexonte nga autorët bullgarë. Ata nuk i kishin ngjallur asnjë ndjenjë për të tashmen dhe të ardhmen. Duke qenë një autokritik, ai thotë se është shumë i kujdesshëm me atë që shkruan dhe atë që vendos në skenë. Ai fillimisht kishte filluar të shkruante nga dëshira për të krijuar dhe për të nxjerrë energjinë e tij. Ai tregoi sonte për suksesin ndërkombëtar që pati drama e tij e parë “Marimanga” e cila në Bullgari kaloi pa u vërejtur si e tillë.

“Kam filluar të shkruaj novela sepse janë pjesë e jetës time, askush s’më ka ftuar të bëj një performancë për pesë vite dhe mendoja se a jam i mirë por ndodhi. Kur e vendosa fillimisht në skenë tekstin tim “Marimanga” pati një sukses internacional dhe shkruan media të njohura si NY Times por në Bullgari as që u cilësua si profesionale. Unë kam dëshirë që të krijoj diçka që qëndron në mua dhe dëshiron të dalë sepse e di që kjo energji është në trupin tim dhe duhet të zbulohet dhe mund të përdoret edhe për të keq andaj fillova të shkruaj novelën time të parë. Fillova të shkruaj novelën vetëm sepse dëshiroja të krijoja”, tregoi Slaveykov.

Sipas tij letërsia e mirë dhe teatri i mirë duhet t’i kenë sytë tek qeniet njerëzore. Tek njerëzit dhe jo tek idetë.
“Personi për të cilin shkruaj mund të mos jetë i vërtetë por duhet të ketër karakteristika të një personali real”, thotë mes të tjerash ai.

Ai po qëndron disa ditë në Kosovë në kuadër të rezidencës “Prishtina nuk ka lum” nga programi i Qendrës Multimedia. Edhe pse thotë se fillimisht nuk ka qenë edhe një javë shumë produktive, ai këtu ka gjetur një atmosferë të mirë për të krijuar dhe është impresionuar nga bukuria e disa vendeve.
“Ndihem më shumë se i mirëpritur këtu, i kam vizituar disa vende këtu, jam impresionuar nga “Ujëvara e Mirushës” dhe nuk kam ndonjë përshtypje të përgjithshme pasi që nuk kam kaluar edhe shumë kohë këtu por mund të them se këtu kam gjetur një atmosferë shumë të mirë për të shkruar, kështu që kam shkruar” tregon autori.

Mes idesë për të futur më shumë dashuri në novelën e dytë, ai thotë se edhe kjo vjen si një përgënjeshtrim dhe novela e dytë do të jetë vetëm një foshnjë e cila do të “mbijetojë”, ndërsa shpreson se gjenerata e ardhshme do të jetë më e zgjuar.
“Është e përzier, gjithmonë kam dashur të shkruaj një novelë me më shumë dashuri. Mendoj se nuk ka mjaftueshëm dashuri, dua të ndjehem që dikush në këtë botë më do gjatë gjithë kohës dhe nëse e arrij këtë do të jem një “person i mirë”. Si gjeneratë kemi dështuar, fokusi duhet të jetë në të ardhmen. Në çdo vend, kemi dështuar tërësisht”, shprehet Slaveykov.

Programi rezidencial “Prishtina nuk ka lum” mbështetet nga TRADUKI dhe Goethe Institut. / KultPlus.com

Vehbi Rexhepi, fotografi i LUX dhe njeriu i ambicieve

Foto Studio LUX, lokali i parë nga e majta, në lokalet e rrëzuara tashmë te tresheshirat, nër katedrale.

Vehbi Rexhepi (1923-1997)

Njeriu me ambicie të pashterura. Autodidakt dhe fliste 5 gjuhë: shqip, serbisht, turqisht, gjermanisht, italisht.

Vehbi Rexhepi ekzekutonte në piano, harmonikë melodike, harmonikë të buzëve, qifteli, fyll. Një kohë ishte kryetari i parë i Srezit të Gjilanit, ishte Gjyqtar i Gjykatës së Qarkut të Gjilanit.

Pas kthimit nga burgu famëkeq “Goli Otok”, si i burgosuri politik (së bashku me vëllain e tij, 1950-1953), deri në vdekje 1997, punonte si fotograf. I vetmi në Kosovë që riparonte aparatët fotografik (mekanizmi preciz). / KultPlus.com

Letër për nxënësit, ‘shkolla nuk të bën të ditur’

Letër një shkollari nga Ledi Shamku

E diela jote e fundit e pushimeve të verës. Këtë javë do t’i kthehesh shkollës. Lum ti! Ta them sinqerisht, edhe unë do doja të isha sërish në shkollë! Shumë hapa do t’i hidhja ndryshe, ndaj dua të flas me ty që je ende në kohë.

Së pari të them që shkolla nuk të bën të ditur; shumë po shumë dije do t’i marrësh vetë, me sprova e lexime e punë, pasi ta kesh mbaruar shkollën. Shkolla është një lloj shigjete e Kupidit, një rreng i bukur, më i bukuri i rrengjeve që ti të mbetesh përherë i varur nga dija, që ti të duash të dish derisa të rrosh. Këtë rreng e kanë në dorë mësuesit po e ke edhe ti vetë. Mos lejo askënd të shuajë pikëpyetjet e tua! Mos u lodh e mos u mërzit nga tekste që mund mos të të joshin, as nga provime të hartuara mërzitshëm! Gërmo te ato që të pëlqejnë, gërmo shumë! Lexo ç’të mundesh për ato që të pëlqejnë. Lexo pa paragjykim, s’ka rëndësi në janë lexime shkollore, në janë libra apo informacione interneti, s’ka fare rëndësi – vetëm lexo, gërmo, pyet, mendo dhe fol! Pyet dhe mendo!

Të hënën në darkë, para se të gdhijë fillimviti i ri shkollor, pyete veten se cili a cila don të jesh në jetë. Jo çfarë don të bëhesh, këtë nuk e ke ende të qartë, po cili don të jesh, çfarë njeriu don të jesh! Pyete veten të hënën në darkë dhe pyete çdo darkë! Njoh plot njerëz moshatarë me mua (pra shumë më të mëdhenj se ty) që këtë pyetje nuk ja kanë bërë ende vetes, ma beso! Dhe tash ata kanë hyrë në t’atillë ritëm jete që s’kanë më as kohë e as dëshirë për një pyetje-përgjigje të këtij lloji. Pyete veten – përgjigjen e ke te shkolla! Shkolla të bën të lirë, ta dish! Një njeri i shkolluar mirë nuk është një njeri dosido; një njeri i shkolluar mirë është një njeri i lirë. I LIRË dhe me shtyllë të plotë kurrizore për t’i qëndruar mandej kurtheve të jetës nga të cilat po të përmend veç dy më të zorshmet: servilizmin e mendjes dhe korrupsionin e shpirtit. Pyete veten çdo natë a don të mbrohesh nga këto dy kurthe. E nëse vetja të thotë po, atëherë shkollohu mirë, studio fort dhe do gjesh mbrojtjen!

Mbaji fort shokët e klasës, sidoqofshin mbaji fort! Mos u tut t’i ndihmosh kur kanë nevojë, edhe në iu dashtë ndonjë kopjim a tregim i vockël në provimet e kapitullit! Në fazën e formimit të karakterit ku ti je ka më shumë vlerë solidariteti sesa dija, ma beso!

Pyet për atë që s’di dhe thuaje atë që di, ashtu si ta dish, pa patur hall në ta aprovon apo jo zysha. Thuaje siç e mendon; ca vite më vonë për ty do ketë më shumë rëndësi si të gjykon vetja sesa si të ka gjykuar zysha. Dëgjo dhe pyet, mos u kurse, mos ki frikë si dukesh! Druaj si je jo si dukesh!

Tash po të lë të qetë të shijosh të djelën tënde të mbrame të pushimeve se më duket të shkrova gjatë. Por kam merak për ty dhe madje të kam zili! Të qoftë vit i mbarë e i vlertë. Koha shkollore nuk kthehet pas. Jetoje me mend e me dinjitet.

Me gishta kryqëzuar për ty shkollar, cilido qofsh ti!

‘Njani shkoi me u rrue tu ni berber’

Njani shkoi me u rrue tu ni berber. Berberi e kish pase zakon m’u livdue shume.
Kur e rruejti myshterine, filloi me i thane:
Valla boll mire t’kam rrue, valla boll mire t’kam rrue.
Myshteria edhe i nej gati e i tha:
Valla edhe une boll mire t’kam nejt.

Proza popullore e Drenicës
nga: Anton Çetta

Anton Çetta, lindi në vitin 1920 në Gjakovë dhe vdiq në vitin 1995 në Prishtinë, ishte shkrimtar, profesor letërsie e patriot shqiptar, i njohur për pajtimin e gjaqeve në Kosovë. Ai mbaroi shkollën fillore në vendlindje, ndërsa të mesmen në Tiranë dhe Korçë. Studimet i mbaroi në Universitetin e Beogradit, ku diplomoi në gjuhë dhe kulturë romane.

Sislej Xhafa për KultPlus: Letra e reagimit nuk është shkruar nga unë

Një shkrim me titullin “Refleksion / Sis’lej Baglat” nga një e-mail enigmatik sonte ka ardhë në adresën e KultPlus.

Shkrimi nuk ka një autor brenda tij ndërsa asocon si një përgjigjje e artistit Sislej Xhafa ndaj kritikave se ekspozita e tij e fundit në Prishtinë ishte një goditje ndaj kafshëve dhe ishte abuzim me lopët në oborrin e Galerisë.

Letra erdhi nga një e-mail që përngjanë shumë me e-mailin e Sislej Xhafës, me të cilin kontakton KultPlus.

“E vlerësoj shkrimin në fjalë, qenka profesional, por nuk e kam shkruar unë” tregon Sislej Xhafa.
Teksti, i botuar edhe në KultPlus, është ribotuar më pas nga mediat tjera shqiptare, si reagim i Sislej Xhafës.

“E-maili nga i cili ky tekst u është dërguar mediave nuk është imi. Ky është një shkrim fake” tregon Sislej Xhafa. / KultPlus.com

Edhe Shqipëria do të marrë pjesë në Eurovizion 2019

Shqipëria e ka konfirmuar pjesëmarrjen në Eurovizionin e vitit 2019-të.

Eurovision Song Contest do të mbahet në Izrael në majin e vitit 2019-të. Shqipëria e ka konfirmuar pjesëmarrjen ndërsa kënga përfaqësuese si gjithmonë do të jetë kënga fituese e Festivalit të RTSH-së, i cili mbahet në muajin dhjetor.

RTSH ka hapur aplikimin por nuk ka një datë të caktuar deri kur mund të aplikohet me këngë, shkruan KultPlus.

Shqipëria ka debutuar në Eurovizion në vitin 2004, ndërsa rezultatet më të mira i kanë shënuar Rona Nishliu, Anjeza Shahini dhe Eugent Bushpepa. / KultPlus.com

Më në fund, artisti Sislej Xhafa reagon – “Sis’lej baglat”

Shkruan: Sislej Xhafa

“Të bashkuar për kafshët.” //​ “Vuajtja nuk është art” //​ “Sis’lej baglat!” //​ “S. Xhafa, ke pak mirëkuptim.”
Mirëkuptim?
Për kend?
Për lopët? Për Ty? Për Juve?

Arti nuk është mirëkuptim. Madje, arti nuk kërkon mirëkuptim; nuk do të duhej të kërkonte mirëkuptim. Arti nuk mund të mendohet përmes kornizës së mirëkuptimit. Mirëkuptimi korrupton artin. Ndërsa, roli i artit është që të korruptoj mirëkuptimin. Vet fakti që ju keni kërkuar mirëkuptim nga Unë, do të thot që arti im ju ka korruptuar. Ju jeni subjekte të korruptuara të artit tim. Prandaj, unë i gëzohem këtij fakti. Edhe lopët festojnë nga ky korruptim i disa subjekteve nga arti im. Unë dhe Lopët festojmë. E gëzohemi.

Baglat?

Fabrizio de Andre, njëri prej kantautorëve më të njohur italian këndonte: “Nga diamantët nuk lind asgjë, nga baglat lindin lulet.”. E kuptuat? Nga baglat e lopëve lindi një krijim artistik, dhe si pasojë e tij, një subjekt i korruptuar. Për këtë arsye unë i çmoj baglat. Tek e fundit, kush jam unë që mos t’i çmoj baglat? Askush. Për (mikro)borgjezinë kosovare bagla përfaqëson figurën e fytyrërreshkurit/es. Ata/o që jetojnë nga baglat. Dhe jo nga diamantët. Ata/o që përbuzën nga (mikro)borgjezia. Baglat në artin tim janë formë e solidaritet me fytyrërreshkurit/et e Kosovës. Prandaj, siç do të brohoritej në Shqipërinë e të gjashtëdhjetave: “Rrofshin baglat.”. Hm, ndoshta ky do të jetë titulli i performancës së ardhshme!

Vuajtja nuk është art?

Oh, sa e pakuptimtë. Sa bajate! Moralizuese! Nuk e kuptuat ende që arti, pëveç se nuk kërkon mirëkuptim, aq më pak kërkon moral. Morali të rrijë me moralizuesit. Sikurse Ju. Vuajtja nuk është art!! Theodor Adorno shkruante: “Njëri prej kushteve të së Vërtetës është që të lejojë vuajtjen të flasë.” Dhe, Vuajtja foli. Foli përmes moralizuesve që kërkuan mirëkuptim. Subjektet moralizuese që kërkuan mirëkuptim nga arti im jo vetëm që u korruptuan, por arritën që ti japin zë vuajtjes. Fytyrërreshkurve të Kosovës. Viktimave të konsumerizmit. Viktimave të borgjezisë. Viktimave të aparatit shtetëror. Viktimave të mushkonjave. Viktimave të spektaklit. Oh, spektakli! Ky opium që ka për qëllim që t’i identifikojë subjektet me komoditete dhe kënaqësinë me mbijetesë.

Të bashkuar për kafshët.
Të bashkuar për viktimat e konsumerizmit.
Të bashkuar kundër (mikro)borgjezisë.
Të bashkuar kundër aparatit shtetëror.
Të bashkuar kundër mushkonjave.
Të bashkuar kundër spektaklit
Të bashkuar me të gjithë fytyrërreshkurit/et e Kosovës.
Edhe Unë ju bashkohem.
Le të bashkohemi!

Shtator 2018, Ahër

“T’pres si fëmija që e pret prindin në çerdhe”

Arbër Selmani

T`pres me ardhë e me m`marrë,
Si fëmija që e pret prindin në çerdhe.
T`pres me ardhë me të tregu se nuk kam qenë mirë
Se muajt e fundit më asht krue trupi,

Kam pasë frikë me dashuru
Kam pasë drojë me dalë jashtë vetes,
Kam pasë inati me botën, smirë me grimcat e mendjes time.

T`pres me ardhë e me të tregu se,
Jeta ka ecën ndryshe kur më iku dashnia e fundit,
Jam krue shumë, muajve të fundit, jam plandos përtokë
Pa ditë emën e mbiemën,
Rallë kam qajtë, se lotët kujt nuk ia heqin valixhen e mërzisë.

Se di çka kam pasë, veç diçka mirë jo
Dashnisë së fundit i ka ecur jeta kristal,
Unë e kam pasë timen si një pikturë që çdo herë ngjyroset keq
Keq një vijë, keq një ram vendosës, keq gjithçka, i keq piktori

Zoti ka qenë i keq me mua së fundmi,
Zoti nuk qe i zotshëm për mu, i mërzitshëm si fytyrë
Zoti se di a i dëgjon lutjet,
Zoti ndonjëherë më duket si fjalë që si duhet fjalorit.

T`pres ty me ardhë e me u harru,
T`pres se të tjerëve u erdhën të dashurit,
Të gjithë morën frymë lehtë, disa humbën virgjërinë,
T`pres se kam pasur kohëra të vështira në këtë trup timin.

Emrin nuk ta di,
E di që t`pres e me siguri ke me ardhë rrëmujshëm.

T`pres me ardhë e me ta tregu një rrëfenjë,
Një libër që e kam në mendje e nuk kam shpirt me e këndue,
T`pres se e di që mundesh me qenë ti, duart që duhet t`më përthekojnë.
Andrra që me siguri kam me e dënesë,

Vaji i gojës së mbushur me bukën e tokës së bekuar t`dashnisë.
T`pres, se pritja zgjat ma pak se grithja që i bëj këmbëve ditëve t`nemuna.

T`pres siç pritet fundi i botës,
Qetësisht, i zhveshun, t`më prekë uji i valës së madhe
Ka me e marrë Parisin, Londrën, ka me e mbytë femrën ma të bukur që diku bën gjum,
Po nuk du i vetëm me qenë i kapshëm prej ujësisë.
T`pres, t`pres sikur me e ditë që vonohen vjeshtat e kësaj jete,

Kam shpresë që mundesh me ardhë.

Kopshti i Çehovit erdhi mbrëmë në mes të zilisë dhe pushtetit në Prishtinë

Gili Hoxhaj

“Kopshti i Vishnjeve” është një nga veprat e fundit që dramaturgu dhe shkrimtari Anton Çehov i la botës, e pas së cilës emri i tij qëndron fort i lidhur.

E shkruar në vitin 1903, për herë të parë u shfaq në vitin 1904 në teatrin e Artit në Moskë, për të lëvizur në shumë teatro të botës, gjithnjë në një përplasje të konceptit të veprës së shkruar nga autori dhe mënyrës së trajtimit nga regjisorët, pasi vet Çehovi e trajtonte si komedi, e kishte kundërshtuar mënyrën e trajtimit të saj më tepër si një tragjedi nga regjisori që e vuri për herë të parë në skenë – Konstantin Stanislavski.

Frymën e artit të Anton Çehovit, i cili njihet si një nga tri figurat themelore në lindjen e hershme të modernizmit në teatër, mbrëmë e përjetoi edhe publiku prishtinas, nën regjinë e Ilir Bokshit. Pasojat që mund të sjellin ndryshimet sociale janë dukshëm të trajuara përmes lojës së aktorëve Shengyl Ismaili, Adrian Morina, Ernest Malazogu, Armend Smajli, Semira Latifi, Qëndresa Jashari, Shpëtim Kastrati, Ylber Bardhi, Vlera Pylla, Besfort Berberi dhe Luan Jaha.

Secili në skenë ka një histori kujtimi, një lidhje të fortë me “Kopshtin e Vishnjeve”. Atje duket se të gjithë janë vetvetja. Atje duket që të gjithë janë të etur. Dikur as që mund të mendohej për pronësinë e kësaj hapësire nga ata që nuk i përkasin shtresës së aristokratëve, ndërsa sot të gjithë janë pretendues, ani pse jo të drejtpërdrejtë nga kërkesat, duke e marrë atë në mënyrë krejt tinëzare. Dikur martesa ndaj dy shtresave as s’mund të mendohej, sot një gjë e tillë veçse kërkohet. Mes dëshirës për t’i ruajtur kujtimet së bashku me hapësirën, ata që nuk ndajnë kujtime fort të mira me këtë vend do ta shkatërrojnë për të ndërtuar diçka krejtësisht tjetër.

Shfaqja si e tillë nuk e përcakton vendin se ku ndodhet, duke lënë hapësirë për të ngritur paralale me kontekstin kosovar. Lidhur me inskenimin e kësaj shfaqje me gjuhën e Çehovit në një vend e kohë krejt tjetër, Bokshi thotë se konteksti në esencë vazhdon të ketë shumë lidhshmëri edhe me Kosovën.

“Është e vështirë me e realizu Çehovin pasi që flet me një gjuhë të një kohe tjetër, të një epoke tjetër, pasi kërkesat dhe detyrat e aktorëve, personazheve janë të tjera, pra nuk ka telefona mobil apo pajisje tjetër. Dallojnë pra sa i përket kohës ndërsa në parim nuk dallojnë shumë pasi që gjysëm-analfabetët po e udhëheqin shtetin, mos të them fshatarët pasi që nuk kam asgjë kundër tyre por kur e them këtë term e kam fjalën për ata që janë të pagdhendur dhe të paditur për ta udhëhequr shtetin, që e ka thënë edhe Çehovi para një shekulli e gjysmë”, shprehet regjisori Ilir Bokshi.

Njëherit kjo shfaqje hapi edhe programin e muajit shtator, duke i hapur dyert e Teatrit për publikun, pas grevës nëntë ditore të këtij institucioni dhe institucioneve të tjera vartëse të Ministrisë së Kulturës.

Si pasojë e grevës, shfaqja “Kopshti i Vishnjave” e paraparë të mbahet më herët u zhvendos për këtë datë pas pezullimit të grevës së aktorëve. Regjisori Bokshi shprehet i lumtur që janë plotësuar kërkesat e aktorëve rezidentë të TKK-së ndërsa thotë se procesi i punës në rrethana të tilla nuk është se ka qenë shumë i lehtë.
“Nuk është e thjeshtë që fillimisht t’i bësh dy ose tri parapremiera pasi që procesi i ndërprerë është pak më i vështirë që të arrish tek prova gjenerale dhe të arrish tek prova gjenerale pas dhjetë ditësh”, tregoi Bokshi për KultPlus.

Në fokus të shfaqjes është përplasja mes dy personazheve, Ljubova Andreievna Ranevskaya që erdhi në rolin e Shengyl Ismailit e cila kthehet nga Parisi në vendin ku ka lënë shumë kujtime ndërsa sot është në një gjendje jo dhe të mirë financiare, dhe Llopahini që erdhi në rolin e Adrian Morinës e që përfaqëson një tregtar i cili i përkiste shtresës më të ulët sociale, paraardhësit e të cilit kishin derdhur gjak pikërisht në “Kopshtin e Vishnjeve”, e të cilin ai sot pasi që e blenë, do që ta shkulë.

Për Adrian Morinën ishte kënaqësi e jashtëzakonshme ta luante një kryepersonazh të Çehovit. Ai thotë se mbrëmë u ndje i lumtur për prezencën e publikut i cili ka ardhur përkundër vakumit të ditëve të kaluara, ndërsa tha se ka qenë shumë demotivuese që të mbajnë provën gjenerale një ditë më parë dhe premiera të mos shfaqet të nesërmen.
“Ka qenë ëndërr e imja të luaj në një vepër të Çehovit, ndoshta jo këtë vepër pasi që secila vepër e tij ka qenë kryevepër. Nuk e kam besuar që është kaq e vështirë dhe ka qenë e vështirë që e kemi zhvilluar shfaqjesn në procesin e grevës pasi ka qenë një demotivim shumë i madh por ka ndikuar që ne të kuptojmë veprën më mirë. Kënaqësi e jashtëzakonshme që të punojmë me këtë ekip”, tregoi Morina për KultPlus.
Kryepersonazhi tjetër i ishte besuar Shengyl Ismailit e cila tha se kjo shfaqje është e veçantë për të pasi që punon për herë të parë me Ilir Bokshin dhe me një tekst të Çehovit.
“Kjo ka qenë një shfaqje shumë e vështirë për t’u punuar, kam luajtur një rol goxha kompleks, një grua naive që shpenzon para dhe që ia marrin pushtetin njerëzit më të afërt të saj. Ky tekst edhe pse është shkruar më parë, korrespondon me aktualitetin sot, që një njeri për pushtet dhe para bën gjithçka”, u shpreh Ismaili për KultPlus.

Erson Zymberi, regjisor, u shpreh për KultPlus se koncepti regjisorial erdhi lehtë tek publiku duke u bazuar në energjinë e aktorëve.
“Shfaqja më pëlqeu, veçmas funksionimi i ansamblit dhe energjia që e dhanë ata si ekip. Ajo çfarë e bëri të lehtë formën e konceptit regjisorial dhe perceptimit të aktorëve dhe të lojës së tyre ishte energjia e aktorit dhe besnikëria ndaj tekstit pasi që Çehovi është një nga dramaturgët, karakteret e të cilit nuk kanë shumë konflikte të jashtme por vlojnë përbrenda vetes së tyre”, tha Zymberi.

Repriza e parë e shfaqjes do të jepet sonte dhe nesër me fillim nga ora 20:00.
Kostumografinë për këtë shfaqje e ka bërë Vesa Kraja, muzikën Art Lokaj, Ass.regjie- Butrint Pasha dhe skenografia nga Petrit Bakalli. / KultPlus.com

Ka shtatë lloje dashurish, por pak njerëz e provojnë të fundit

Çfarë është dashuria? Shkenctarët dhe psikologët janë përpjekur gjithmonë ti japin një përgjigje kësaj pyetjeje. Në 1980 psikologu amerikan Robert Stenberg zhvilloi një teori rreth dashurisë që përfshinte 3 çështje (intimitetin, pasionin dhe angazhimin). Sipas tij këto ishin pikat kryesore në të cilën mbështetej kjo ndjenjë kaq e përfolur në këngë, filma, poezi etj. Më pas këtyre 3 çështjeve ju shtuan dhe 4 të tjera.

1- Dashuria pasionante.
Kjo është dashuria në të cilën dy persona me zor e njohin njëri-tjetrin por tërheqja midis tyre është shumë e fortë dhe e dukshme. Nuk kanë shumë gjëra të përbashkëta por megjithatë vazhdojnë qëndrojnë me njëri-tjetrin. Sipas psikologut kjo lloj dashurie ka pak mundësi që të kthehet në dicka serioze me kalimin e kohës.

2-Pëlqimi.
Në këtë lloj dashurie njerëzit janë të lidhur nga interesa të përbashkëta dhe mund të jenë gjithmonë vetvetja. Sipas Stenberg kjo është më tepër një lidhje që kthehet në shoqëri.

3-Dashuria boshe.
Njerëzit që përjetojnë këtë lloj dashurie zakonisht e trajtojnë atë thjesht si një angazhim dhe nuk e vazhdojnë sepse kanë dëshirë apo ndjenjë. Me kalimin e kohës kjo gjë mund të ndryshojë dhe të shfaqen ndjenjat.

4-Dashuria e zakonshme.
Është lloji më i përhapur në një lidhje. Ndodh kur dy persona kanë shumë tërheqje midis njëri-tjetrit dhe e çojnë angazhimin e tyre në martesë dhe krijojnë një familje.

5-Dashuria romantike.
Kjo dashuri përfshin pasion dhe intimitet. Dy personat që janë në këtë lidhje ndihen shumë mirë në shoqërinë e njëri-tjetrit por nuk janë gati të marrin hapa të tjerë.

6-Dashuria që të shoqëron gjithë jetën.
Kjo dashuri përfshin dhe angazhimin dhe intimitetin por ka mungesë pasioni. Psikologët thonë që me kalimin e viteve kjo dashuri mund të kthehet në perfeksion.

7-Dashuri e përkryer.
Kjo ka 3 llojet e cilësive kryesore që përmendëm më lart, pasionin, intimitetin dhe angazhimin. Jo gjithmonë këto tre karakteristika janë të barabarta por e rëndësishme është që janë të treja të përfshira. / Përshtati në shqip JOQ.al / KultPlus.com

‘Dhe dashuria është toka, buka dhe vera, është qielli’

Mësime sendesh
Enrike Badosa

Buka është e drejta e përditshme
e atij që punon dhe thotë të vërtetën.

Vera është detyra e njerëzve të kujdesshëm
që ditën vënë në jetë ëndrrat e natës.

Qielli është letra ku shkruajmë
me dorën tonë fjalën “liri”.

Deti është etja e freskët që na flladit
buzët e lodhura nga heshtja e gjatë.

Toka është rasti për të jetuar përballë
atyre që paqen nuk duan ta pranojnë.

Dhe dashuria është toka, buka dhe vera,
është qielli, deti dhe mirësia.

Përktheu Aurel Plasari

Shaqe Çoba, e para nga gratë shqiptare që studioi Shkenca Politike

E para nga gratë shqiptare që studioi Shkenca Politike në Firencë gjatë shekullit XIX.

Shaqe Çoba (Shkodër, 1875 – 1954) qe e para grua intelektuale shqiptare që u përpoq për çështjen e ngritjes së grave të klasës së lartë.

U lind në Shkodër, ishte e bija e Zef Shirokës dhe halla e poetit rilindas, Filip Shiroka. Mësimet fillore i mori në vendlindje, ndërsa të mesmen në një kuvend në Zagreb, ku mesoi italishten, gjermanishten dhe serbo-kroatishten. Më 1904 shkoi në Itali që të vijonte shkollimin e lartë, në Venecia. Atje u takua me bashkëshortin e saj të ardhshëm, Ndoc Çobën, të cilit i la mbresë formimi i Shaqes dhe i kërkoi dorën familjes së saj.

View this post on Instagram

E para nga gratë shqiptare që studioi Shkenca Politike në Firencë gjatë shekullit XIX. Shaqe Çoba (Shkodër, 1875 – 1954) qe e para grua intelektuale shqiptare që u përpoq për çështjen e ngritjes së grave të klasës së lartë. U lind në Shkodër, ishte e bija e Zef Shirokës dhe halla e poetit rilindas, Filip Shiroka. Mësimet fillore i mori në vendlindje, ndërsa të mesmen në një kuvend në Zagreb, ku mesoi italishten, gjermanishten dhe serbo-kroatishten. Më 1904 shkoi në Itali që të vijonte shkollimin e lartë, në Venecia. Atje u takua me bashkëshortin e saj të ardhshëm, Ndoc Çobën, të cilit i la mbresë formimi i Shaqes dhe i kërkoi dorën familjes së saj. Më 3 gusht të vitit 1920 themeloi komitetin "Gruaja Shqiptare", me kryetare nderi Habibe Bekteshin, sekretare Paulina Lekën dhe llogaritare Albina Ashikun. Komiteti pati si qëllim nistor mbledhjen e fondeve në ndihmë të Ushtrisë Shqiptare që po përballej me mësymjet serbe në Koplik. "Gruaja shqiptare" mblidhte fonde në qytet e krahinë dhe ua shpërndante ushtarëve, vullnetarëve dhe familjeve që u kishte mbetur ndonjë dëshmor në luftë. Për të informuar publikun lidhur me punën e bërë nga «Gruaja Shqiptare», nga nëntori i vitit 1920 deri në korrik të 1921 komiteti botoi edhe revistën «Gruaja shqyptare». Në vitet 1925 – 1939 ishte nënkryetare e degës së Shoqërisë «Gruaja Shqyptare» për Shkodrën. Mori pjesë në luftë bashkë me të shoqin, Ndoc Çobën. Pas luftës u dënua për qëndrimin kundër pushtetit komunist.

A post shared by Albanian Women (@albanian.women) on

Më 3 gusht të vitit 1920 themeloi komitetin “Gruaja Shqiptare”, me kryetare nderi Habibe Bekteshin, sekretare Paulina Lekën dhe llogaritare Albina Ashikun. Komiteti pati si qëllim nistor mbledhjen e fondeve në ndihmë të Ushtrisë Shqiptare që po përballej me mësymjet serbe në Koplik. “Gruaja shqiptare” mblidhte fonde në qytet e krahinë dhe ua shpërndante ushtarëve, vullnetarëve dhe familjeve që u kishte mbetur ndonjë dëshmor në luftë. Për të informuar publikun lidhur me punën e bërë nga «Gruaja Shqiptare», nga nëntori i vitit 1920 deri në korrik të 1921 komiteti botoi edhe revistën «Gruaja shqyptare». Në vitet 1925 – 1939 ishte nënkryetare e degës së Shoqërisë «Gruaja Shqyptare» për Shkodrën.

Mori pjesë në luftë bashkë me të shoqin, Ndoc Çobën. Pas luftës u dënua për qëndrimin kundër pushtetit komunist. / Albanian Women – Instagram / KultPlus.com

“Ta pastrojmë Kosovën” vazhdon edhe në Liqenin e Badovcit

Aksioni “Ta pastrojmë Kosovën” ka vazhduar edhe në liqenin e Badovcit. Qytetarët kanë shkuar edhe në këtë pjesë për t’i larguar mbeturinat e hedhura.

Kësaj nisme i është bashkuar edhe kryeministri, Ramush Haradinaj i cili përmes një shkrimi në rrjetet sociale ka thënë se aksioni “Ta pastrojmë Kosovën”, është një nisje premtuese për një ndryshimin rrënjësor, sa i përket ambientit të Kosovës.

Ai ka falënderuar të gjithë ata që po marrin pjesë në këtë aksion, si nga radhët e institucioneve të ndryshme, po ashtu edhe organizatat joqeveritare. / KultPlus.com

Indiferenti

Hose Ierro

Tani do të jemi të lumtur
kur asgjë ç’të presim s’ka.

Le të bien gjethet e thara
le të çelin lulet e bardha,
pa çka!

Le të ndrijë dielli në qiell
Le të bjerë shiu mbi xham
A s’janë të gjitha gënjeshtra
të vërteta të gjitha a s’janë?
Le të mbretërojë mbi botë
pranvera që vdekje s’ka
le të marrë të tatëpjetën jeta
pa çka!

Le të ketë melodi endacake
pa çka!

Ç’na hyjnë në punë meloditë
kur asgjë ç’të kendojmë s’ka.

perktheu Aurel Plasari