Isa Boletini dhe Ismail Qemali në vitin 1913: Kosova dhe Mitrovica duhet t’i bashkohen Shqipërisë

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 27 Prill 2020

“Le Soir” ka botuar, të shtunën e 12 prillit 1913, në ballinë, një shkrim në lidhje me deklaratën e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit bërë askokohe një gazetari të medias së njohur austriake “Neue Freie Presse” në Vjenë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Çështja shqiptare

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Vjenë, 11 prill.

Ismail Qemali dhe Isa Boletini mbërritën mbrëmë në Vjenë. Ata i bënë deklaratën e mëposhtme një redaktori të Neue Freie Presse :

Kosova dhe Mitrovica duhet t’i kthehen Shqipërisë. Përndryshe, shqiptarët do të privoheshin nga pjesa më pjellore e vendit dhe ata kurrë nuk do ta pranonin atë.

Paqja në Ballkan do të jetë e pamundur nëse ruhet demarkacioni aktual i Shqipërisë. / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/ismail-qemali-dhe-isa-boletini-redaktorit-te-neue-freie-presse-ne-vjene-1913-kosova-dhe-mitrovica-duhet-t-i-rikthehen-shqiperise-perndryshe-me-kete-demarkacion/?fbclid=IwAR2Y_ivJHIcSGhhppTrwTRbjC6IDgzbqEHYQYFK1tEvh3gQaJfkZFDA3gVU

Mitrovica në dy kohë paralele

Shkruan: Elvi Sidheri

Kur nisesh për në Mitrovicë, doemos njëfarë ndjesie e veçantë, krejt e pandier më parë, të fanitet, duke të paralajmëruar paraprakisht, se je duke ndërmarrë një udhëtim të pangjashëm me asgjë tjetër.

Aktualisht në Europën djep të qytetërimeve, dy qytete njihen botërisht si të ndara, kryeqyteti i Qipros, Nikozia, dhe pikërisht Mitrovica në veriun e Kosovës, ndaj do të mjaftonte thjesht ky fakt për t’u bindur se një rrugë për Mitrovicë nuk është kurrë diçka e rëndomtë, sepse ky qytet, ngërthen prej vitesh, pikëndarjet, kontrastet, dritëhijet dhe thuajse gjithë vegimet e së shkuarës së dhimbshme të luftës së fundit në Kosovë, duke e ngrirë vuajtjen e saj në kohë, pa u shëruar akoma nga plagët tejet të prekshme edhe sot e kësaj dite.

Sakaq, vetë udha për në Mitrovicë, ndryshe nga shumica e rrugëve të Kosovës (që po përmirësohen pareshtur), ende vijon në punime e sipër, dhe kur i afrohesh Vushtrisë, dëshira për ta kundruar urën madhështore të gurit, të tretet për shkak të vonesave në trafik, pluhurit dhe vapës së skajshme të kësaj vere me mot tepër të paqendrueshëm.

Peripecitë e njëjta rrugore të shoqërojnë gjer në Mitrovicë sidoqoftë, por këshëria ta mposht lodhjen e rrugës, teksa nuk e honeps as varganin e makinave ku pa dyshim prijnë mërgimtarët që si përherë janë kthyer në Kosovë, për t’u gjendur sërish pranë familjeve dhe njerëzve të tyre ne atdhe, sipas një tradite të mbrothët patriotike, që përveç Kosovës, vështirë ta hasësh tjetërkund.

Më në fund pastaj kalojmë mbi një lumë me shtrat të gjerë dhe rrjedhë fort të mbushur ujërash, pas një tuneli të gjatë nën malin mbrapa të cilit pastaj shpaloset ky qytet kaq unik, që vijon të frymojë plot gjallëri, përkundër ndarjes tashmë më shumë se dy dhjetëvjeçarëshe, paçka se plagët akoma i kanë vragat therëse, ndonëse pikëtakimet që ngërthehen në gjirin e tij, rëndom shndërrohen qëllimisht në përplasje të volitshme për orekset shoviniste të fqinjëve veriorë.

Stacioni i vjetër i autobusëve, të shpërfaq gjithsesi një imazh dikur madhështor, teksa mendja jote nis të tjerrë përfytyrime të së kaluarës kur Mitrovica vlonte nga jeta, zhvillimi, mirëqenia, arti, kultura, muzika, përparimi i gjithanshëm thuajse në çdo fushë, ndërsa sot qyteti rreket t’i shtyjë ditët e veta, në pritjen e përhershme që diçka e mirë të ndodhë, dhe sakaq mos të mbytet tinëzisht nga ndasitë etnike që as ujërat e Ibrit të bukur nuk i dëlirësojnë dot.

Bulevardi i madh Mbretërsha Teuta, menjëherë të jep një përshtypje të këndshme, jo vetëm nga emri i tij, por gjithashtu edhe ngaqë vetvetiu mund ta përfytyrosh madhështinë e mëhershme të këtij qyteti, falë një bulevardi të tillë, të gjerë e të gjatë, në anët e të cilit dallohen ende godinat e dikurshme, që sidoqoftë janë “plotësuar” nga një mori ndërtimesh të reja, të cilat, megjithëse të ngritura kuturu, në mënyrë tipikisht shqiptare (dukuri që haset kudo në viset shqiptare, nga Tirana në Tetovë, gjer në Mitrovicë), prapë dëshmojnë dëshirën e shqiptarit për të ndërtuar pareshtur diçka të re.

Kur kam filluar të lodhem nga ecja, i çlodh pak sytë me pamjen e monumentit të Nënë Terezës, e cila me mirësinë, përuljen dhe uratat e saj të përzemërta, duket se vazhdimisht bekon këtë qytet të plagosur, dhe pasi me bisht të syrit lexoj edhe “Belediye” në turqisht poshtë “Komuna e Mitrovicës”, çaj sërish përpara, me bindjen se Ura e Ibrit tanimë nuk është larg.

Durimi më tutje më shpërblehet, dhe lumi famëmadh, bashkë me urën botërisht të njohur që lidh dy brigjet e tij (tejet të ndara etnikisht, politikisht dhe… thelbësisht qëllimisht), më shfaqet papritmas, teksa duket sikur mirëseardhjen ma uron Isa Boletini, simboli shqiptar i Mitrovicës, nga përmendorja e tij aty pranë, dhe një qendër moderne tregtare në anën shqiptare, është hapi i fundit, përpara kalimit të urës, drejt veriut.

Bregu shqiptar i Ibrit është i sistemuar me shije, ndërsa nuk mungojnë as grafitet artistike, ku në mendje më ngulitet një syresh që denoncon dhunën ndaj gruas, sigurisht një kauzë fort e ndjeshme dhe bashkëkohore, që bie qartas ndesh me çfarë has njeriu në anën kundruall, domethënë në pjesën serbe, ku gëlojnë simbolet antishqiptare porsa ke shkelur në krahun matanë, megjithëse fatmirësisht ata që i kanë shkruar, kanë harruar se shkrimi cirilik në serbisht, nuk është fort i kuptueshëm për turistët e huaj që do të mund të kishin kureshtje t’i lexonin dënglat në fjalë.

Ndërkohë, bulevardi i Mitrovicës së Veriut, është dukshëm më i shkurtër se bulevardi madhështor në anën shqiptare përballë, ndonëse baret dhe lokalet janë të shumta, dhe atmosfera duket e shtendosur, tipikisht për një ditë përtace verore, teksa klientët janë të pakët, dhe nëpër mure tek-tuk gjen njoftime për pushimet në “Crnogorsko more”, bregdetij malazez, që siç duken bathët, është vendi ku vendasit serbë i kalojnë pushimet.

Grafitet nëpër muret e Mitrovicës së Veriut janë rëndom me sfond nacionalist, dhe njeriu habitet së tepërmi, ku befas has një të tillë, ku për çudi, është vizatuar Mahatma Gandi, simbol i shquar i paqes, që ndodhet pak më tutje monumentit të kniaz Llazarit luftarak.

Gjithsesi, shëtitja nëpër Mitrovicën e fjetur Veriore, mbaron shpejt, sepse kjo pjesë e qytetit matanë Ibrit është mjaft e vogël, njëfarë zgjatimi i Jugut, që ka ngrirë në kohë qysh në epokën jugosllave, ku flamujt serbë kanë inflacion të çmendur përdorimi (inflacion edhe më të madh se vlera e dinarit të drobitur serb, qe bën ligjin përtej urës së Ibrit), ku godinat, pallatet, infrastruktura dhe arkitektura, duket sikur vijnë drejtpërdrejt nga ndonjë kronikë e televizionit të Beogradit të viteve 1970.

Mitrovica e Veriut duket mirëfilli si njëfarë relike jugosllave, ku pas çdo hapi të hedhur, njeriu pret të shohë ndonjë murale të Titos, largqoftë Millosheviçit apo ndonjë udhëheqësi tjetër të dikurshëm jugosllav, ndonëse vendasit serbë janë kujdesur që nëpër rrugët e pjesës së tyre të qytetit, të himnizojnë vetëm mbretërit e tyre mesjetarë, krahas çdo figure, emri apo simboli, që bën haptas të ditur, se janë zotërit e asaj toke.

Të krijohet përshtypja sikur në vazhdimësi orvaten t’ia kujtojnë vetes këtë gjë, nëpërmjet çdo flamuri, çdo slogani çetnik nëpër mure, çdo simboli nacionalist, gjithçkaje pafundësisht, në përpjekjen e tyre të pareshtur për t’i bërë bisht realitetit prej shumë vitesh tashmë, sikur në anën përkundruall të lumit, mos të gjendeshin ballë për ballë me shqiptarët dhe gjithashtu me një realitet krejt të ndryshëm, me një shtet ku me pahir apo jo, bëjnë sidoqoftë pjesë, përkundër mohimit të gjendjes faktike.

Mitrovica e Veriut përfundon me disa pallate të zgjyrosura, aty ku ndodhen varrezat e shqiptarëve, në dalje të qytetit, teksa disa oxhaqe të lartë në distancë, tregojnë me gjasë për traditën shumëshekullore minerare të këtij qyteti historikisht.

Ndërkaq, thuajse kudo të ndodhesh në këtë anë veriore të Mitrovicës, vetvetiu të bie në sy lart në kodër, monumenti i famshëm i minatorëve, simbol që gjithmonë figuron në imazhet e qytetit, rrëzë të cilit gjendet kisha e Shën Dhimitrit, shenjtorit të Selanikut që i ka dhënë emrin edhe vetë këtij qyteti.

Kthimi në jug, në pjesën shqiptare, kurorëzohet me takimin me dy karabinierë dremitës italianë në hyrje të urës në anën serbe, të cilët koten dhe shtyjnë kohën duke soditur kalimtarët.

Kur u flas në italisht, gjallërohen në çast, dhe nisin të tregojnë sa të kënaqur ndihen për qetësimin e ujërave (jo vetëm të Ibrit, që e ka rrjedhën më të mpakur në stinën verore) dhe mundësinë që ura të kalohet lirisht nga të dyja anët e lumit.

Ndahemi me karabinierët pasi u kam thënë “Questo è anche merito vostro” (“Keni edhe ju meritën tuaj për këtë gjë”), ndërsa ata më përgjigjen çiltërsisht: “Il merito e di chi ci vive in questa meravigliosa città” (“Meritën e kanë banorët e këtij qyteti të mrekullueshëm”).

Bregu shqiptar i Ibrit më pret përsëri vëllazërisht, dhe kësaj radhe Mitrovica më duket edhe më e madhe sesa përpara se ta kaloja urën për në veri.

Gjithsesi më bëhet sikur porsa kam dalë nga ndonjë film i zbërdhulur i realitet jugosllav, dhe po kthehem sërish në botën e sotme të mirëfilltë, paçka se rrëmuja tipike e qytetit shqiptar, zhurmat, vapa, pluhuri, gjallëria, fillimisht çoku të bien në kokë, e thuajse të trullosin në vend.

Është gati e pamundur të kthjellohesh për faktin se ndodhesh sidoqoftë në të njëjtin qytet, në Mitrovicë!

Më pas, me ditët që kalojnë pas kësaj vizite mbresëlënëse, mbresat të nguliten edhe më thellë në kujtesë, krahas bindjes që pata krijuar prej kohësh, kryesisht nga miqtë e mi mitrovicas, që më shtyjnë të mendoj se ky qytet dhe banorët e tij, kanë diçka tepër të veçantë, një kulturë, kryeneçësi, vullnet dhe karakter të rrallë.

Mitrovica, me lumenjtë e saj të shumtë, natyrën e bukur, mineralet e saj të pashtershme, trashëgiminë mahnitëse kulturore, me urat, arkitekturën, bulevardet, njerëzit e saj, me historinë dhe çdo tipar të saj, me jugun dhe veriun, do të mundej fare mirë të shndërrohej në simbol të ringjalljes së Kosovës, pikërisht për shkak të këtyre vlerave të saj unike në çdo këndvështrim.

Qenësia e këtij qyteti në dy kohë parelele, vetëm e dëmton Mitrovicën më shumë, duke i larguar brigjet e Ibrit më tepër se largësia e mirëfilltë midis bregut shqiptar dhe atij serb, të këtij lumi. / KultPlus.com

Aktivisti alarmon për mundësinë e rrënimit të një objekti tjetër në Mitrovicë

Duke alarmuar se objekti i “Shtëpisë së Armatës” mund të rrëzohet nga komuna, aktivisti nga Mitrovica, Besart Peci, thotë se kjo ndërtesë duhet të ruhet e të shërbejë si rrëfim për torturat dhe ndjekjet që shqiptarët i kanë përjetuar në kohën kur objekti u ndërtua nga shteti jugosllav.

Pas rrënimit të objektit të shkollës së parë shqipe në Mitrovicë, aktivisti i shoqërisë civile thotë se një tjetër objekt i vjetër mund të rrënohet. Bëhet fjalë për objektin “Shtëpia e Armatës”, i cili, sipas Pecit, duhet të ruhet e të shërbejë si memorie kolektive e periudhës së viteve ’50-’60.

“Gjeneratat e tri dekadave të fundit kanë të drejtë të dijnë për “Dom Jugosllovenske Narodne Armije”  dhe “Sekretarijat unutrasnjih poslova” dhe tmerrin që e kanë shkaktuar këto entitete politike, së bashku me post-blloqet policore dhe burgjet. Duhet të dijnë sidomos për vitet 50-ta dhe 60-ta, e njohur si periudha “e Rankoviçit”, kohë kur u ndërtua objekti në fjalë, gjatë së cilës u shpallë gjendje e jashtëzakonshme e kishte shumë përndjekje dhe persekutime të mëdha politike.”

Duke përmendur rrëzimin e para disa ditëve të objektit të dikurshëm të shkollës “Tefta Tashko”, aktivisti thotë se edhe objekti i “Shtëpisë së Armatës” rrezikohet nga ‘bageri’ i komunës.

“Shtëpia e Armatës është monumenti që rikthen njohuritë tona mbi të kaluarën. Është rasti i Komunës së Mitrovicës që t’i mbushë muret e saj me kujtime, rrëfime dhe dëshmi të torturave të bashkëqytetarëve tanë, për të ndërtuar një kujtesë. Praktikat aktuale na lënë të kuptojmë që ky objekt rrezikohet nga “bageri” i pushteteve komunale, që ka dëshmuar tashmë veten”, ka shkruar ai.

Shkrimi i plotë dhe pa ndërhyrje i aktivistit:

SHTËPIA E ARMATËS: A DO TË RRËNOHET EDHE NJË OBJEKT TJETËR HISTORIK NË MITROVICË NGA KOMUNA E SAJ?

Strukturat monumentale që janë lënë si trashëgimi nga pushteti jugosllav gjithandej Kosovës, doemos shihen si lidhje e ngushtë politike nga gjenerata që ka përjetuar epokën e atëhershme dhe si një mungesë e njohurive mbi historinë nga gjenerata e re.

E tillë është edhe “Shtëpia e Armatës Jugosllave” në qendër të qytetit të Mitrovicës, e ndërtuar në vitet e 60’-ta. E kam përmendur edhe më parë, se objektet që kanë shërbyer në të kaluarën për ushtrinë jugosllave duhet ruajtuar (mbrojtje), për të kujtuar (muze), sepse qyteti, në vetëvete është kujtesë kolektive.

Gjeneratat e tri dekadave të fundit kanë të drejtë të dijnë për “Dom Jugosllovenske Narodne Armije”  dhe “Sekretarijat unutrasnjih poslova” dhe tmerrin që e kanë shkaktuar këto entitete politike, së bashku me post-blloqet policore dhe burgjet. Duhet të dijnë sidomos për vitet 50-ta dhe 60-ta, e njohur si periudha “e Rankoviçit”, kohë kur u ndërtua objekti në fjalë, gjatë së cilës u shpallë gjendje e jashtëzakonshme e kishte shumë përndjekje dhe persekutime të mëdha politike.

Shtëpia e Armatës është monumenti që rikthen njohuritë tona mbi të kaluarën. Është rasti i Komunës së Mitrovicës që t’i mbushë muret e saj me kujtime, rrëfime dhe dëshmi të torturave të bashkëqytetarëve tanë, për të ndërtuar një kujtesë. Praktikat aktuale na lënë të kuptojmë që ky objekt rrezikohet nga “bageri” i pushteteve komunale, që ka dëshmuar tashmë veten.

Ka ekzistuar një përpjekje e pushtetit para disa viteve që objektin ta shndërrojë në parking publik, por ka qenë zbrapsur nga presioni i qytetarëve nëpërmjet reagimeve publike, që rezultoi me futjen e tij në listën për trashëgëmi kulturore për mbrojte të përkohshme.

Në Planin Zhvillimor Komunal potencohet qartazi tek infrastruktura publike “Ndërtimi i muzeut të qytetit përballë shtëpisë së armatës”, duke lënë hapësirë për dyshime se çfarë do të ndodhë me “Shtëpinë e Armatës”, sidomos kur lexohet fusha e “prioriteve strategjike për krijimin e hapësirave për zhvillimin e aktiviteteve kulturore, “Muzeu i qytetit planifikohet të ndërtohet përballë  shtëpisë së Armatës” që nënkupton, përtej rrugës Shemsi Ahmeti, e cila ndanë pronat tërësisht dhe largazi.

Komuna e Mitrovicës asnjëherë nuk e ka bërë të qartë qëndrimin zyrtar lidhur me objektin në fjalë, as nëpërmjet shkresave zyrtare, prononcimeve apo postës elektronike. Ajo së fundmi ka rrënuar një objekt të një historie të veçantë, ish-objektin e shkollës së parë në Mitrovicës, “Tefta Tashko” që nuk u parapa në planifikimet e saja për Hartën Zonale Komunale. Mungesa e transparencës, në mospublikimin e procesverbaleve në takimet me qytetarë shton dyshimet se “Muzeu i Qytetit” po përdoret si pretekst për të rrënuar “Shtëpinë e Armatës”.

Andaj, Komuna e Mitrovicës duhet të publikojë qëndrimin e saj zyrtar dhe të nis hapat për futjen e objektit në listën e trashëgimisë kulturore për mbrojte.

Qytetarët/et e Mitrovicës do të rezistojnë fuqishëm po qe se Komuna mëton avazin e rrënimeve të objekteve të rëndësishme kulturo-historike sikur pushtetet e kaluara. Disa viktima të rrënimeve ishin: Kinemaja Tesla, Teatri i Qytetit, Shtëpia e Arsim Leniqit dhe e fundit ish-objekti i shkollës së muzikës “Tefta Tashko”.

Jeta kulturore, kujtesa kolektive, vriten e shuhen në një qytet ku pushteti i shërben oligarkëve e jo banorëve. / KultPlus.com

Në mbrojtje të trashëgimisë kulturore të rajonit të Mitrovicës do të bëhen edhe disa ndërhyrje restauruese

Ka nisur restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, një monument i rëndësisë së veçantë. Pas përfundimit të punëve restauruese, monumenti do të jetësohet me funksione institucionale dhe komunitare.

Në mbrojtje të trashëgimisë kulturore të rajonit të Mitrovicës do të bëhen edhe disa ndërhyrje restauruese. Gjatë vitit 2022 do të ndërhyhet në Hamamin e Qytetit, xhaminë e djegur “Mulla Ilaz Broja” në Brojë të Skënderajt, xhaminë e Mazhiqit, përfshi projektet për revitializim të qytetit të vjetër të Trepçës dhe ekspozitën e përhershme në Kompleksin e kullave të Isë Boletinit.

Në kuadër të masave emergjente gjatë këtij muaji do të nisin ndërhyrjet me karakter shpëtimi në Xhaminë e Mazhiqit, Kishën Katolike Sase në Stantërg dhe Shtëpinë e Islam Shipollit, ndërsa grupi i dytë i ndërhyrjeve emergjente do të definohet javëve në vijim.

Muzeu i Qytetit dhe Muzeu i Kristaleve janë institucione të rëndësisë së veçantë për kulturën dhe trashëgiminë kulturore jo vetëm të Mitrovicës. Nga diskutimet me zyrtarët e muzeve u njoftua për sfidat aktuale dhe potencialin e madh zhvillimor të këtyre institucioneve. Ministria gjatë vitit 2022 do të zbatojë programin e investimeve në një numër të konsiderueshëm të muzeve në gjithë vendin.

Teatri i qytetit të Mitrovicës vazhdon të funksionojë në kushte të vështira. Ministria e Kulturës ka mbështetur dy shfaqjet e këtij teatri në fund të vitit të kaluar, si pjesë e Programit të Ringjalljes. Megjithatë, sfidat edhe më tej janë të mëdha, veçanërisht ato infrastrukturore. Gjatë këtij viti janë planifikuar disa ndërhyrje renovuese në ndërtesat e institucioneve të kulturës, ndërsa teatrot e qyteteve do të trajtohen me prioritet.

Gjatë qëndrimit në Mitrovicë, MKRS-ja vizitoi edhe Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Bibliotekën Komunale dhe Arkivin Ndër-komunal. Gjithashtu, si vazhdimësi e diskutimeve me komunitetin artistik për procesin e reformës kulturore, u mbajt takim me organizatat e skenës së pavarur kulturore të Mitrovicës. Së shpejti do të organizohet një diskutim të gjerë me komunitetin e kulturës dhe trashëgimisë kulturore në Mitrovicë, për të vazhduar me komunat e tjera të Kosovës, në përpjekje për të dëgjuar secilin dhe hartuar bashkërisht dokumentet e reformës në kulturë, nga koncept dokumenti deri te ligji unik dhe strategjia kombëtare për zhvillimin e kulturës.

Vizita në Mitrovicë u përmbyll me vizitën në Kullën e familjes Kadriu, e cila gjendet në lagjen Kroi i Vitakut. Brenda kullës qëndron e hapur për vizitorë galeria me ekspozitën e përhershme të pikturave të artistit të ndjerë Kadri Kadriu, të vrarë nga forcat serbe në mars të vitit 1999. Në hapësirën tjetër të galerisë, vazhdon të qëndrojë e hapur ekspozita e Hajriz Kadriut, e financuar nga Ministria e Kulturës, me motive nga arkeologjia dhe etnografia shqiptare. Hajrizi është nipi i piktorit të ndjerë Kadri Kadriu, djali i Ali Kadriut, i cili ka pritur dhe shoqëroi MKRS-në gjatë kësaj vizite, duke i paralajmëruar për ekspozitën e tij të skulpturës. / KultPlus.com

Publikohet lista e shteteve më të rrezikshme për vitin 2022, Kosova vend i sigurt por me disa probleme

Së fundmi është publikuar një hartë e re që përfshin shtetet me shkallë të lartë të rrezikut për vitin e ardhshëm, transmeton KultPlus.

Në këtë hartë të publikuar nga “International SOS”, konkludohet se Libia, Siria dhe Afganistani janë në mesin e vendeve më të rrezikshme në botë.

Kjo listë është hartuar në bazë të rrezikut të paraqitur nga dhuna politike, përfshirë terrorizmin, kryengritjet, trazirat e motivuara politikisht dhe luftën e dhunën sociale.

(Harta: International SOS)

Evropa vazhdon të mbetet si njëri ndër vendet më të qeta dhe rrjedhimisht më të sigurta në botë, shtatë shtete duke përfshirë Islandën, Danimarkën, Norvegjinë, Finlandën, Zvicrën, Slloveninë dhe Luksemburgu u vlerësuan si shtete me nivel të ulët rreziku.

Gjithashtu, edhe Britania e Madhe është vlerësuar me rrezik të ulët, njësoj si Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Australia. /KultPlus.com

Amerika shpërndanë edhe 2.2 trilionë dollarë për qytetarët e saj | inFokus

Eugent Bushpepa elektrizon Mitrovicën

Pas një jave me plot aktivitite edukative dhe kulturore, mbrëmë u mbyllë edicioni i njëmbëdhjetë i ”Green Fest”, transmeton KultPlus.

Pas performancës së bendit arbëreshë Shega, ishte Eugent Bushpepaj ai që “ndriti” ngjarjen mē të madhe kulturore në qytetin e Mitrovicës, festivalin multidiciplinarë ”Green Fest”.

Krejt në fund DJ Wise gjallëroi audiencën duke mbyllur një edicion të ndërtuar e kuruar në nivele të standardeve ndërkombëtare.

Green Fest krahas ekspozitave, instalacionit, ligjeratave, shfaqjes së filmave, debateve, aksioneve mjedisore e punëtori vizionuese, arriti të përmbyllet me dy net muzikore të organizuara në hapësirën e qendrës Fatime Xhaka, në Mitrovicë.

Ky program gjeti partnerë nga Muzeu i Qytetit, si dhe qe mbështetur nga MKRS, Komuna e Mitrovicës, programi Human Rightivism, ndërmarrja Trepça, e sponzorë si Raiffaisen Bank, Lab Smart Investing, e biznese të ndryshme vendore.

Ky manifestim u organizua sipas masave parandaluese e në fuqi për parandalimin e COVID-19. / KultPlus.com

“Shtojzovalle”, murali që sjell artistikisht gruan në hapësirë publike

Gruaja merr banim artistikisht në muralin e titulluar “Shtojzovalle” të punuar nga Sabri Behramaj në qytetin e Mitrovicës, shkruan KultPlus.

Ky mural i cili nëpërmjet artit ngrit edhe një herë vëmendjen për gruan në qytetin e minatorëve, u realizua në kuadër të Festivalit të Letërsisë “Zana” nga Fondacioni Dhemetra. I punuar mjeshtërisht nga Behramaj, ky mbetet murali i tij i parë në hapësira publike të Mitrovicës për sulptorin e këtij qyteti.

Punimi “Shtojzovalle” ka sjellë ngjyra, vibrim, eho këngeje e tinguj grash në vallëzim në një hapësirë ku rindërtimi i qytetit, akoma na prezantohet vrazhdë”, thuhet në njoftim.

Ky aktivitet u përkrahë nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim, Green Fest 10, si dhe SHFMU “Anton Zako Çajupi” në Mitrovicë. / KultPlus.com

Drejtoria e Shëndetësisë shpërndan rreth 1000 maska për qytetarët kalimtarë në sheshet e Mitrovicës

Me iniciativë të Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, sot janë shpërndarë rreth 1000 maska për qytetarët kalimtarë në sheshet e qytetit të Mitrovicës.

Me këtë rast, nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, së bashku me drejtoreshën për Shëndetësi, Erseka Hasanaj Barani, dhe drejtorët komunal, Nehat Bahtiri, Tafil Peci, Nazan Kërveshi, Shukri Gashi, Hysni Ahmeti, dhe Hysen Muzliukaj, kanë bërë shpërndarjen e maskave dhe disa broshura informative për qytetarët.

Ky aktivitet simbolik kishte për qëllim realizimin e fushatës vetëdijesuese, përmes së cilës të arrihet ndërgjegjësimi i qytetarëve për rëndësinë dhe domosdoshmërinë e përdorimit të maskave, që konsiderohet një prej masave më mbrojtëse ndaj virusit COVID-19.

Gjatë shpërndarjes së këtyre maskave nënkryetari Faruk Mujka, ka informuar qytetarët për rëndësinë e përdorimit të maskave në këtë kohë pandemie, si dhe ka kërkuar që të jenë të kujdesshëm dhe të mbrojnë shëndetin e tyre, pasi që në këtë mënyrë ruajnë familjen dhe shoqërinë.

Ndërkaq qytetarët e mirëpriten dhe u shprehën të kënaqur me iniciativën e marrë nga kjo drejtori, me shpresën që këto aktivitete të jenë më të shpeshta. /KultPlus.com

“Krahët kur m’i zgjat ti unë të përqafoj, mbaju zemër se tani dua për ty të rroj”

Haki Misini vokalisti i grupit “Mak” të formuar në Mitrovicë më 1973, vazhdon të mbetet figura kryesore që solli një frymë të re në historinë e muzikës rok në Kosovë, shkruan KultPlus.

Haki Misini është vrarë nga forcat serbe gjatë vitit 1999, tri orë para se të nënshkruhej marrëveshja për ardhjen e forcave të NATO-së në Kosovë, duke e lënë një zbrazëti të madhe në familjen e tij dhe në artin kosovar.

Këngët e tij më të njohura janë: ‘Fuqia e dashurisë’, ‘Në syrin tënd pashë një lot’, ‘Dashuri e humbur’, ‘Moj e mira te pojata’ etj. Këngë këto që dëgjohen edhe sot e kësaj dite që kanë kaluar më shumë se 20 vite prej publikimit të tyre,

KultPlus ju sjell njërën këngën “Fuqia e dashurisë”, një lirikë e ndjerë që hyn në plejadën e këngëve shqipe, dhe padyshim është njëra nga këngët më të pëlqyera të Haki Misinit. /KultPlus.com

Edicioni i nëntë i Green Fest vjen për “nanën natyrë”

Nga data 21 deri më 26 korrik në qytetin e Mitrovicës, për vitin e nëntë me radhë organizohet Festivali Green.

Ky edicion organizohet nën temën “Për nanën natyrë” duke vënë në spikamë rolin e gruas dhe nënës në raport me mjedisin dhe burimet natyrore, duke synuar rritjen e ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit të qytetarëve mbi zhvillimin e qëndrueshëm.

Gjatë këtyre ditëve të festivalit do të ketë shfaqje të filmave, muzikë, punëtori artistike, murale, debate, si dhe aksione mjedisore.

Të dielën në hapësirën e 7 Arte do performojnë dyshja latino-amerikane Helado Infinito dhe në vijim për tre net me radhë do shfaqen tre filma dokumentar si: “Solar Mama”, “Permakultura si rrugë drejt paqes” dhe “Ferdonija”.

Derisa në anën tjetër organizata holandeze Hope Box do të organizojë dialog artistik nën temën “Çfarë po ndodhë me Nënën Natyrë” që do fasilitohet nga artistja me renome ndërkombëtare Rienke Enghardt.

Me datën 26 korrik, parashihet të mbyllen aktivitetet përmes natës muzikore ku do të performojnë  bende dhe artistë të ndryshëm si Mr Rez (DJ reggae), Sytë, Flaka Krelani, Gima & Band dhe Elton Deda.

Këtij edicioni i ka paraprirë ekspozita e fotografive nën titullin “Në mbrojtje të Faunës” me autor Arian Mavriqi, si dhe punëtoria “Code 4 Green” e organizuar nga Girls Coding Kosova me qëllim të zhvillimit të ideve e aplikacioneve që do ndihmonin gjendjen e mjedisit tonë./ BotaSot/ KultPlus.com

Mitrovica mes identiteteve

Në kuadër të projektit “Hapësirat Kulturore të Kosovës” 7Arte organizoi diskutimin publik “Mitrovica në mes identiteteve të ndryshme” ku folës kryesor qe politologu Nexhmedin Spahiu.

Pas një retrospektive historike mbi rolin e Mitrovicës dhe zhvillimin e identiteteve nëpër dekada, Z.Spahiu konkludoi se është interes i Kosovës, në radhë të parë i Mitrovicës, që të krijojë lidhje dhe ura me Sanxhakun, sepse kjo do na mundësonte një diversitet shumë më të madh kulturor dhe do krijonte efekte shumë më pozitive edhe për botën e jashtme.

Në anën tjetër, Adem Zhitopotoku, drejtor i Teatrit të qytetit “Muharrem Qena” nxorri një paralele nga identiteti i dikurshëm i Mitrovicës, si qytet i zhvillimeve të mëdha kulturore dhe shprehu shqetësimin e komunitetit të kulturës me çrast theksoi se gjendja e tanishme me hapësirat kulturore në këtë qytet nuk qëndron mirë.dhe se pikërisht tash kur pritet të hartohet Plani Zhvillimor Komunal do duhej të shtrohet kërkesa për krijimin e hapësirave më adekuate për sektorin e artit dhe kulturës.

Në anën tjetër Nora Prekazi Hoti, (Antropologe urbane) u ndal tek zhvillimet e fundit në qytetin e Mitrovicës me theks të veçantë tek investimet kapitale që donator kryesor kanë Bashkësinë Evropiane dhe që ky trend zhvillimesh është duke lënë gjurmë në të dy anët e qytetit, gjë që Mitrovicën do e qonte drejt një identiteti të ri, qytet evropian e i hapur ndaj kulturave të ndryshme, e trendeve të globalizmit. Z.Spahiu, shtoi se Mitrovica për shumë dekada ishte gjenerator i proceseve, ndërsa sot mund të shihet si një qytet problematik, e që po të trajtohej si duhet, ky qytet ka potencialin e duhur për të qenë pikë fokale për gjithë botën.

Ky aktivitet është mundësuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian, në kuadër të projektit ‘Hapësirat Kulturore të Kosovës’ të implementuar nga Anibar, Lumbardhi, 7Arte dhe Pogon. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e 7Arte dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Publikohet “Mitrovica” kënga plot dashuri e dhembje që ka bërë së bashku disa artistë

Është publikuar kënga e titulluar “Mitrovica” e cila vjen e interpretuar nga një grup artistësh, shkruan KultPlus.

Gili, Enis Potoku, Teuta Kurti, Vullnet Marigona dhe Linda Hakaj kanë shkrirë zërat e tyre në këtë këngë e cila vjen me tekst dhe muzikë nga Ilir Berani, ndërsa e orkestruar nga Florent Boshnjaku./KultPlus.com

Monumenti në Mitrovicë, pjesë e librit që do të promovohet në Londër

Shkrimtari dhe fotografi amerikan Donald Niebyl do të promovojë me datë 27 shtator në Londër një libër interesant rreth monumenteve të veçanta “spomenik” të kohës së Jugosllavisë.

Ai ka kaluar disa vite nëpër territorin e shteteve ish-jugosllave për të hulumtuar socializmin dhe arkitekturën e dalë prej asaj kohe.

Memorialët që përfaqësojnë luftën në forma të ndryshme janë pjesë e librit.

Pjesë e librit është edhe monumenti në Mitrovicë. Në vitin 1959, Bogdan Bogdanovic u caktua të dizajnonte një monument i cili do të përkujtonte luftëtarët që morrën pjesë në Trupat e Minatorëve në luftë me nazistët në korrikun e vitit 1941. Trupat e Minatorëve më pas u bashkuan me Lëvizjen Partizane të Kopaonikut, shkruan KultPlus.

Dy kolonat vertikale patën qëllimin të simbolizojnë punën e përbashkët të serbëve e shqiptarëve.
Memoriali i Minatorëve të Rënë apo Përmendorja e Minatorëve u ndërtua tek në vitin 1973. Kur u ndërtuar, ky ka qenë monumenti më i vizituar në regjion.

Libri “Spomenik Monument Database” ka përmbledhur 80 monumente të tilla dhe historitë prapa tyre, përfshirë këtu edhe Jasenovacion, Sremska Mitrovicën në Serbi dhe Kosmaj në Beograd.

Memorialet u ndërtuan mes viteve 1960-1990, në kohën e Josip Broz Titos në sundim të Jugosllavisë. / KultPlus.com

Biblioteka e qytetit në Mitrovicë pasurohet me tituj të rinj

Të martën, biblioteka e qytetit të Mitrovicës “Latif Berisha” është pasuruar me tituj të rinj të cilat i dhuroi për qytetarët mitrovicas, shkrimtari i njohur Minir Ismet (Begu) Dushi –Pasha.

Kjo nuk është hera e parë që veprimtari, Minir Ismet (Begu) Dushi – Pasha dhuron ekzemplarë të ndryshëm për bibliotekën “Latif Berisha”, sepse nga i njëjti autorë në vitin 2006 biblioteka e qytetit ishte pasuruar me shumë ekzemplarë të tjerë.

Në fjalën e tij, drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Tafil Peci, ka falënderuar letrarin Minir Dushi, për gatishmërinë e tij që të mbështes bibliotekën e qytetit të Mitrovicës më tituj të rinj letrarë, ku theksoj më pas se drejtoria e DKRS-së dhe lexuesit e qytetit u janë shumë mirënjohëse për këto libra të dhuruara.

“Ne jemi shumë mirënjohës që edhe këtë herë keni zgjedhur bibliotekën “Latif Berisha” ta pasuroni me vepra letrare, duke mundësuar kështu rritjen e fondit librar dhe pasurimin e bibliotekës me tituj të rij. Besoj që falënderuesit më të mëdhenj janë lexuesit cilët tani kanë mundësi që në duar të tyre të mbajnë ekzemplarë letrarë nga veprimtari të ndryshme”, ka shtuar ndër të tjerash drejtori Peci.

Ndërsa shkrimtari Dushi –Pasha, pasi dhuroi veprat e tij letrare, me shumë emocione foli për bibliotekën qytetit të Mitrovicës “Latif Berisha” .

Ai më tutje ka prezantuar gjashtë ekzemplarët e librit më të rinj “Shtigjet e Jetës sime”, duke theksuar se librat e tij i ka dhuruar për qytetarët Mitrovicas me shumë dëshirë dhe të gjithë adhuruesve të librit, nga thellësia e zemrës ju dëshiron lexim të këndshëm.

Në Mitrovicë u hap Panairi i Shkencës dhe Kulturës 2018

Në ambientet e qendrës se kulturës “Rexhep Mitrovica“ është hapur Panairi i Shkencës dhe Kulturës 2018

Ky panair tashmë është tradicional dhe organizohet nga nxënësit e gjimnazit “Frang Bardhi“ , ndërsa në panairin e organizuar për këtë vit marrin pjesë edhe nxënësit e shkollave tjera të mesme të Mitrovicës.

Anëtarët Këshillit organizativ Rexhep Avdiu dhe Endrit Haliti kanë thënë se në panair do të tregohen vlerat e nxënësve që kanë arritur në lëndët shkollore si Kimi, Fizikë, Biologji, Astronomi dhe sektori multimedial e teknologji, ato nga kultura e muzika dhe trashëgimia kulturore etj, si dhe do të ketë aktivitete nga fusha e bamirësisë.

Panairi është vizituar nga kryetari i komunës, Agim Bahtiri dhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci.

Kryetari Bahtiri e cilësoi këtë panair si ngjarje me rëndësi për qytetin për dëshmimin e punës së madhe që bëhet në këtë shkollë si burim i dritës dhe edukimit, raporton KALLXO.

“Puna juaj është tregues i mirë i aktiviteteve dhe angazhimit që bëhet në këtë shkollë, andaj ju do keni mbështetjen e vazhdueshme edhe në të ardhmen për organizime të këtilla, sepse në ju mbetet e ardhmja e vendit” tha Bahtiri.

Ndërsa drejtori i gjimnazit Ismet Ferizi shprehu kënaqësinë që nxënësit e kësaj shkolle, ashtu sikur edhe në të kaluarën, me këtë organizmin pasqyrojnë punën e madhe që bëhët në këtë tempull të dijes në drejtim të edukimit dhe arsimimit të gjeneratave të reja.

Në panair, i cili është organizuar që nga dita e merkurë, ndërsa sot është dita e fundit, po marrin pjesë rreth 200 nxënës.

Sipas një komunikatë të Komunës se Mitrovicës nxënësit janë organizuar në 28 sektorë.

Kurse panairi qysh në ditën e parë zgjoi interesim të madh te të rinjtë dhe qytetarët tjerë të Mitrovicës, raporton KALLXO.

Organizatorët presin që panairin ta vizitojnë rreth 6.000 qytetarë./kallxo.com