Gjuha e Arbërit vazhdon të flitet në familjet shqiptare në Itali

Emilia Conforti, ka ruajtur me xhelozi gjuhën shqipe, ashtu sikurse e ruajtën edhe shumë arbëresh të tjerë të Italisë ndër shekuj. Madje ajo nuk është mjaftuar me kaq, ka ardhur në Kosovë që të përvetësojë gjuhën shqipe, në lexim dhe në të shkruar.

Ajo është bashkëpunëtore në Universitetin e Kalabrisë, ku edhe bënë hulumtime, ndërsa më parë ka qenë e angazhuar edhe në Universitetin e Prishtinës.

Në një intervistë për KosovaPress, Conforti tregon se gjuha e arbërit vazhdon të flitet në familjet shqiptare të cilat u shpërngulën në Italinë Jugore pas vdekjes së Skënderbeut, para 5 shekujsh.

Sipas saj, arbëreshët kanë huazuar fjalë të shumta edhe nga italishtja, por duke u dhënë prapashtesa nga shqipja. Teksa shton se arbërishtja nuk i ka marrë fjalët standarde të shqipes, duke e bërë që të duket dialekt tjetër.
E pavarësisht këtyre, ajo thotë se nëse një arbëresh dhe shqiptar duan të komunikojnë së bashku, munden pa problem. Përveç gjuhës, ajo tregon se arbëreshët kanë ruajtur edhe traditat shqiptare.

Për të ndihmuar komunitetin arbëresh në Itali, ajo tregon se kanë krijuar disa fonde kombëtare përmes së cilave kanë organizuar kurse për të mësuar gjuhën shqipe.

Ndërsa kur jemi tek ruajtja e traditës, është pikërisht dëshira për të lexuar dhe mësuar këngët shqip. Ajo që e ka shtyrë Confortin që pastaj ta mësojë gjuhën shqipe në universitet.
Ajo thotë se edhe arbëreshët e tjerë, kanë interesim të dukshëm për të mësuar dhe përvetësuar shqipen. Ndryshe, viti 2003 për arbëreshen Emilia Conforti shënon vizitën e saj të parë në Kosovë, për të ndjekur Seminarin e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, gjë që i ka ndihmuar të flas më rrjedhshëm.

Një pianiste i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje

Pianistja Indira Çipa është anëtarësuar në Lëvizjen Vetëvendosje.

Këtë e ka konfirmuar kryetari i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

“Me Prof.Indira Çipa e cila na u bashkua në Lëvizje erdhëm bashkë në EtnoFest në Kukaj, i cili u hap mbrëmë me ekspozitat e veprave të dy artistëve tanë të mëdhenj Simon Shirokës dhe Rexhep Ferrit. Znj. Indira Çipa vjen nga qyteti i Prizrenit, ku ka mbaruar shkollën fillore e të mesme, për t’i vazhduar studimet universitare për muzikë në drejtimin e pianos në Prishtinë, magjistraturën në Shkup ndërkaq tash është në përfundim të doktoraturës në Tiranë, mbi veprat pianistike të kompozitorit Zeqirja Ballata”, ka shkruar Kurti.

“Ka botuar dy libra dhe dhjetëra punime shkencore. Anëtarësimi i Prof. Indirës në VETËVENDOSJE! na bën nder, përbën vlerë dhe na sjell dobi. Edicioni i tetë i EtnoFestit i cili zgjat pesë ditë mbrëmë vazhdoi me një videoinstalacion të inspiruar nga Samuel Beckett dhe me koncert të këngëtares Nezafete Shala”, ka vazhduar ai. / KultPlus.com

‘Veç nusja paska punue’

Prozë popullore nga Drenica…

Ni i vërbovcas ish kanë shpi e madhe.N’vakt t’korrave,hinë n’arë nja tridhetë argat,burra e gra.N’bisht t’renit,korrke ni nuse,
qi e kishin marrë n’ato ditë.
I zoti i shpisë,kah dreka,duel me kqyrë si po shkon puna n’arë edhe e pa si ish punue fort për gut edhe keq.U bërtiti fort, po krejt fjalët u munuen me ja lanë nuses.
-Kush korri kaq nalt?-veti i zoti i shpisë.
-Nusja valla!-i thanë
-Kush la kaq shumë kajzi?
-Nusja.
-Kush i qiti dorzat,kaq keq,nëpër duej?
-Nusja!
-Kur u kthyen dreka e u rrethekuen n’sofër,i zoti i shpisë i thei bukë veç nuses.
-Pse s’po na then bukë edhe neve,po veç nuses?
-Se veç nusja paska punue,e ju paskeni kqyrë.

Mbledhur nga Anton Çetta. Anton Çetta ishte njëri ndër intelektualët dhe folkloristët më të shquar në Kosovë. Çetta lindi në Gjakovë më 1920. Shkollën e mesme e kreu në Tiranë dhe Korçë, ndërsa tri vjetët e fundit të liceut-drejtimi klasik- në Milano të Italisë.

Fillon sot në Prishtinë Festa e Shën Nënë Terezës

Ipeshkvia e Kosovës për Festën e Shën Nënë Terezës 2018, nga sot deri më 4 shtator do të mbaj aktivitete të ndryshme në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.

Sipas njoftimit të Ipeshkvisë, sivjet, në mënyrë të veçantë do të kujtojmë 1-vjetorin e shugurimit të Katedrales dhe 90-vjetorin e nisjes së Gonxhe Bojaxhiut – Shën Nënë Terezës për misione në Kalkuta të Indisë.

Përveç meshave dhe ligjëratave për jetën e Nënë Terezës, do të jetë edhe shpërndarja e ushqimit për të varfër dhe aktivitete me fëmijë.

Programi

Treditëshi i Festës [2-4 shtator 2018]

Aktivitetet me fëmijë dhe të rinj gjatë treditëshit do të mbahen në sheshin e Katedrales

DITA I (E DIELE, 2 SHTATOR 2018)

11:00 – 12:00 Mesha në Katedrale

16:00 – 18:30 Aktivitete në pikturë me fëmijët e Famullisë dhe me Sindromin Down (Kl 1-8)

20:00 – 20 :15 Ligjëratë për jetën e Nënë Terezës (pjesa I) – Don Lush Gjergji

20:15 – 21:00 Muzikë nga të rinjtë e Famullisë së Prishtinës

DITA II (E HËNË, 3 SHTATOR 2018)

12:30 – 13:30 Mensa e të varfërve – shpërndarja e ushqimit për të varfër

16:00 – 18:30 Aktiviteti me punë dore (crafts) me fëmijë të Famullisë dhe me Sindromin Down (kl 1-8)

19:00 – 19:45 Mesha në Katedrale

20:00 – 20:15 Ligjëratë për jetën e Nënë Terezës (pjesa II) – Don Lush Gjergji

20:15 – 21:00 Muzikë nga të rinjtë e Famullisë së Prishtinës

DITA III (E MARTË, 4 SHTATOR 2018)

17:00 – 18:00 Ligjëratë mbi Katedralen: historiku, stili arkitektonik, veprat artistike (Don Dominik Qerimi, ideatori dhe projektuesi i veprave artistike në Katedrale)

19:00 – 19:45 Mesha në Katedrale

20:00 – 20:15 Ligjëratë për jetën e Nënë Terezës (pjesa III) – Don Lush Gjergji

20:15 – 21:00 Muzikë nga të rinjtë e Famullisë së Prishtinës.

DITA E FESTËS (E mërkurë, 5 shtator 2018)

11:00 – 12:00 Mesha solemne e Festës në Katedrale, e udhëhequr nga Delegati Apostolik për Kosovë, Sh. T. Mons. Juliusz Janusz dhe Imzot Dodë Gjergji.

12:30 – 13:30 Koktej rasti për të pranishmit.

Austria hapë thirrjen për shkrimtarët nga Kosova e Shqipëria

KulturKontakt në Austri ka hapur thirrjen për shkrimtarët e rinj dhe ata më të formuar nga Kosova.

Writers-in-Residence, apo Rezidenca për shkrimtarë, ka hapur aplikimin për vitin 2019-të, për të interesuarit që dëshirojnë të kalojnë 1 apo 2 muaj në Vjenë në kuadër të programit letrar.

Programi i ka të mbuluara shpenzimet e akomodimit dhe një rrogë mujore ndërsa i lejon autorëve fitues që të kalojnë kohë në Vjenë, përfshirë këtu edhe në MuseumQuartier në Vjenë, dhe të njoftohen me jetën kulturore në këtë qytet.

Për momentin nuk ka një afat të aplikimit por vendimet merren nga juria e cila e sheh të arsyeshme përzgjedhjen e autorëve shumë shpejtë pasi ata aplikojnë.

Në të kaluarën ka pasur disa pjesëmarrës nga Shqipëria dhe Kosova në këtë program rezidencial për shkrimtarë, gjatë të cilit shkrimtarët njoftohen me qytetin dhe në fund kanë mundësi të prezantojnë projektin e tyre letrar. Pos shkrimtarëve nga Kosova, për këtë program mund të aplikojnë edhe shkrimtarët nga Shqipëria dhe rajoni.

Për më shumë informata mund të klikoni në këta dy linka poshtë të cilët do t`ju qartësojnë procesin e aplikimit. / KultPlus.com

https://www.kulturkontakt.or.at/html/E/wp.asp?pass=x&p_lcd=en&p_title=24858&rn=92410

https://www.kulturkontakt.or.at/html/E/wp.asp?pass=x&p_lcd=en&p_title=8889&rn=92375

Aktori Arti Lokaj, në nëntor para producentëve dhe agjentëve në Chicago

Në mesin e një audicioni të rreptë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Arti Lokaj ka arritur të triumfojë.
Aktori i ri nga Kosova ka mahnitur në një audicion në Nju Jork.

Tanimë pjesë e disa filmave në Kosovë, Lokaj ka arritur që të jetë i vetmi i pranuar në mesin e mbi 170 pjesëmarrësve në këtë audicion nga Launchshowcase.

Në muajin nëntor, Lokaj – i cili së fundmi ka qenë pjesë e filmit “Gardhi” nga Lendita Zeqiraj, do të paraqitet para producentëve dhe agjentëve në Chicago për të provuar veten drejt një karriere filmike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Javën e kaluar, performanca e tij ka bërë që ai të përzgjedhet në mesin e 179 fëmijëve tjerë.

Arti Lokaj ka luajtur edhe në “Aga’s House” dhe “Rooftop Story”. / KultPlus.com

Kosovare Asllani feston golin duke bërë shqiponjën

Sportistja Kosovare Asllani sonte ka festuar duke bërë shqiponjën.

Asllani, e cila luan futboll prej kohësh dhe është pjesë e ekipit kombëtar suedez, ka shënuar golin e katërt të sajin në këtë sezonë.

Ajo shënoi sonte kundër Ukrainës, ndërsa festoi më pas duke bërë shqiponjën, traditë kjo tanimë e sportistëve shqiptarë në mbarë botën.

Asllani ka shënuar golë në minutën e 51, ndërsa Suedia ka fituar me rezultat 3 me 0.

Momentalisht po zhvillohen lojët e Kampionatit Botëror të Futbollit për Femra. / KultPlus.com

Llavë dhimbjeje e familjarit të të pagjeturit

Teuta S. Haxhimusa

Ke ecë vit pas viti, edhe kur s’ke ndjerë ndërrimin e stinëve!
Herë-herë edhe vetë beson se ke harruar dhe plaga është përtharë!
Por, një lajm, një bisedë kuturu të kthen prapa, e të degdisë shtigjeve të panjohura!
E ti kapesh për një fije shprese, mbase të kotë!

Ah, kjo grimcë shprese që fiket e ndizet pambarim, ta shpërthen vullkanin e heshtur të dhimbjes!
E llava e tij të mbulon, e të mbytë shtresë, shtresë…!!!

Në agoni të pritjes, kur qepallat t’lëshohen plumb mbi sytë e lodhur!
Një zhurmë, një dritare që leviz nga era, një parmak që troket nga pika shiu – të zgjon!
E si rrufeja t’shkreptinë mendimi i parë, i çmendur “Mos vallë është ai”!
Dhe ti ngrihesh, e vrapon, në borë e në shi, në çdo stinë, mu në mes te ërresirës, në çdo cep të shtëpisë kërkon, e kërkon!
Endesh si somnabul, plandosesh para derës së oborrit në dyzim deliri!
Në grykë të mbërthejnë penjtë e mpleksur të realitetit e imagjinatës, e plaga vetëm pikon, e pikon…!

Ah, kjo grimcë shprese që fiket e ndizet pambarim, ta shpërthen vullkanin e heshtur të dhimbjes!
E llava e tij të mbulon, e të mbytë shtresë, shtresë…!!!

Teuta Haxhimusa- Çerkini, 30 Gusht 2018
(Në shenjë bashkëndjenjeje e respekti për secilin familjar që ende jeton në agoninë e pritjes se lajmit për fatin e më të dashurve të tyre, gati edhe 20 vjet pas luftës)

‘347, zero po vonon, dhe jeta ime është në avion’ (VIDEO)

Një këngë e veçantë është ajo e Soni Malajt dhe Flori Mumajesit.

Kënga “Fluturimi 3470” ishte pjesë e festivalit Kënga Magjike para disa vitesh, në kohën kur këngëtarët ishin çift dhe sollën këtë baladë si një bashkëpunim që do të mbetet në muzikën shqiptare.

Një tekst unik i solli dy artistët në skenë, për një histori dashurie në prapavinë e kësaj melodie. Edhe dashuria e tyre nuk zgjati shumë, megjithatë.

Ne sonte po e sjellim këtë këngë e cila është e mishëruar nga artistët dhe mbetet në historinë e festivalit si një këngë që solli edhe puthjen mes dy artistëve. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=rxHNXi2zhkc

Nuk ka rend pa drejtësi: Kosova ka nevojë për revolucion shoqëror

Visar Xhambazi

Kur dëgjojmë fjalën revolucion, gjërat e para që na vijnë në mendje janë diktatura, dhuna dhe kaosi.
Revolucionet shoqërore megjithatë mund të jenë të padhunshme; arma dhe ushtarët e saj më të fuqishëm janë qytetarët dhe zërat e tyre që mbështesin ndryshimin në shoqëri. Sipas definicionit të Universitetit të Oksfordit, revolucioni shoqëror është “një ndryshim i shpejtë në strukturën dhe natyrën e shoqërisë.” Ky lloj revolucioni nuk fokusohet domosdoshmërisht në ndryshimin e sistemeve politike, por në transformimin kulturor dhe atë socio-politik. Një transformim në mendësi, në analizë të mirëfilltë ndaj rrethit, një luhatje në sentimentin dhe moralin kolektiv.
Në rast të suksesit eventual, çdo revolucion shoqëror prodhon dy gjëra: tërheq zëra të rinj dhe forcon opozitën.

Në Kosovë, logjika e haraçit, klientelizmit dhe nepotizmit ka korruptuar dhe zvogëluar idealin tonë, atë të transformimit të Kosovës në një shtet funksional bazuar në standarde dhe principe demokratike. Populli i Kosovës është duke kaluar në një fazë të trushpërlarjes deri në pikën e pranimit të ideve të politikanëve keqdashës dhe filistinë (antikulturë) se korrupcioni është pjesë e pashmangshme e jetës sonë. Janë po këta politikanë dhe kjo klasë e tyre të cilët kanë ndihmuar në krijimin e epidemisë mendore duke e ulur entuziazmin në shoqërinë tonë, gjë e cila ka prodhuar një realitet të hidhur, një lumpenproletariat të palëvizshëm.

Kosova ka probleme bazike të cilat me siguri nuk shihen në vendet tjera evropiane: qytetarët parkojnë në trotuare dhe injorojnë në mënyrë ç’njerëzore të drejtën e lëvizjes së personave me aftësi të kufizuar; mësuesit/arsimtarët protestojnë për rritje të pagës por kurrë për përmirësimin e cilësisë së arsimit; qytetarët festojnë duke gjuajtur me armë nëpër dasma dhe vrasin aksidentalisht të afërmit e tyre; gjykatat marrin vite për të zgjedhur lëndët e tyre dhe mohojnë të drejtat e qytetarëve të cilat garantohen me Kushtetutë; një kryeministër i cili dyfishon pagën e tij por mban pagën minimale në 170 Euro; një person i cili shpallet fajtor për një krim, largohet nga vendi dhe kthehet pas tre viteve si një person i lirë; një qeveri e cila shpenzon afro një miliardë euro në një autoudhë por kurrë nuk publikon kontratën e saj…Një listë e gjatë e cila demoralizon qytetarin i cili për më tepër duket se tash e dy dekada ka rënë në humnerën e apatisë dhe depresionit, prej nga, pos disa tentimeve aty-këtu, është e vështirë dalja dhe shpëtimi.

Në novelën e tij epike, Të Mjerët, Viktor Hygo tejkalon nocionin e mëshirës si një mundësi e dytë për falje. Mëshira—sipas Hygos—si nocion nuk i dedikohet vetëm dhembshurisë por edhe faljes së gabimeve dhe ofrimit të mundësisë së dytë për ta bërë botën një vend më të mirë për të jetuar. Liderët dhe politikanët kosovarë kanë pasur dhjetëra mundësi të shpaguajnë vetveten e tyre, dhe për pasojë Kosova sot është në një gjendje të mjerueshme. Hygo ka folur për “të çmendurit e përmbajtur” të cilët “prishin rrugën e ferrit.” Sot, tashëgimtarët e Hygos promovojnë mesazhin: Rend para drejtësisë. Por fakti është, nuk ka rend të tillë, asnjë rend nuk eksizton pa drejtësi.

Në këtë gjendje distopike, thirrja për revolucion shoqëror mund të jetë gjithçka përveç revolucionare. Martin Luter King gjunior ka shkruar më parë, “kur ke të drejtë, nuk mund të jesh shumë radikal; kur e ke gabim, nuk mund të jesh shumë konservativ.” Kosovarët kanë personalitete të ndryshme, interesa financiare të llojllojshme dhe aspirata të shumë-natyrshme. Ka kosovarë të cilët janë të korruptuar dhe të pakorruptuar. Sidoqoftë, kjo nuk duhet ti pengojë askujt. Çdo shoqëri posedon një pjesë të oportunistëve, profiterëve dhe parazitëve. Lajmi i mirë është se këta njerëz janë pakicë në shoqëri. Fatkeqësia është se ekziston një shumicë e heshtur dhe një klasë e mesme pasive—thelbi i çdo shoqërie—pa të cilët asnjë ndryshim i madh nuk mund të iniciohet.

***

Kosovës i nevojiten zëra të rinj dhe një opozitë e bashkuar. Kosova ka nevojë të thejë një herë e përgjithmonë normën e injorancës dhe mediokritetit dhe të promovojë aktivizëm shoqëror. Kjo nuk është idealiste edhe pse mund të tingëllojë e tillë. Ndryshimi mund të bëhet në forma dhe aspekte të ndryshme.
Studentët nuk duhet të regjistrohen nëpër klasa ku ligjërojnë politikanë të korruptuar; qytetarët duhet të ndalojnë së paguari bakshishe për trajtim më të mirë për më të dashurit e tyre në spitale publike; të rinjtë duhet të votojnë masivisht kur mbahen zgjedhjet dhe të deklarojnë vullnetin e tyre; gratë nuk duhet të heqin dorë nga e drejta e tyre ligjore për trashëgimi. Skeptikët mund të argumentojnë se këto ndryshime janë të vogla dhe se nuk mund të kenë ndonjë efekt në shoqëri. Megjithatë, nëse këto ndryshime të vogla fillojnë të ndodhin kanë potencial të transformojnë shoqërinë tonë brenda një intervali kohor afatmesëm dhe afatgjatë. Tek e fundit, një udhëtim i gjatë fillon me një hap.

Eshtë një aksiomë për ndryshim shoqëror që asnjë revolucion nuk mund të ndodhë pa një metodologji të caktuar që i përshtatet rrethanave të kohës. Perveç kësaj, asnjë revolucion nuk ekzekutohet si një operë, instrumentet, zëri dhe gjestet e saj nuk janë të dizajnuara dhe të precizuara. Kosovarëve nuk ju nevojiten armë për një revolucion të tillë, ata posedojnë armën më të fuqishme që ekziston: bindja që ata kanë të drejtë në kauzën e tyre.

Fillimisht e botuar në Balkanist.

Rama: Shqiptarët thonë pushimet janë shumë të shtrenjta, turistët thonë të kundërtën

Kryeministri e vlerëson me nota maksimale sezonin turistik. Siguria, pastërtia, cilësia e shërbimit këtë vit, sipas tij kanë qenë shumë më të larta se vitet e shkuara.

Atyre që ankohen se çmimet janë të larta, Rama iu kundërvë opinionet e turistëve të huaj që kanë pushuar në Shqipëri.

“Atyre që thonë çmimet janë të larta, iu them: Turistët e huaj vijnë në Shqipëri dhe thonë është shumë e bukur, çmimet janë të lira dhe mikëpritja është e jashtëzakonshme. Ndërkohë, shqiptarët thonë pushimet janë shumë të shtrenjta. Ose turistët e huaj janë nën efektin e drogës ose pastaj ka një problem me vetë këta që komentojnë. Çmimet i vendos tregu jo qeveria. Nuk ka çmime të larta që e lënë restorantin apo hotelin bosh sepse falimenton. Përderisa ka klientë, atëherë do të thotë që ka një balancë. Nuk diskutohet që në Shqipëri pushimet janë shumë të lira. Numri i shqiptarëve që zgjedhin të pushojnë jashtë shtetit është rritur. Kjo tregon rritje të fuqisë së konsumit”, u shpreh Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij.

Kryeministri dhe ministrat e Turizmit dhe Bujqësisë bashkëbiseduan ne plazhin e Gjirit të Lalëzit me të rinjtë e angazhuar në projektin Smile Albania, një projekt që ata premtojnë se do të vijojë edhe vitin e ardhshëm pasi pati suksese.

“Ka lezet t’ju shohin ju turistët, jo ata barkëderrat që duken se kanë 3 koka sa të miat në bark”.

Një mijë të rinj u vendosën në 9 pikat hyrëse kufitare për të mikëpritur, orientuar apo dhënë asistencë turistëve të huaj.

‘Të jetosh në Kosovën e Dua Lipës, Rita Orës dhe Era Istrefit’

Stefan van Dijk për herë të parë e ka vizituar Kosovën në vitin 2004.

Ndoshta as ai vetë nuk e ka menduar se pas kaq vitesh, ai do të niste jetë me familjen e tij pikërisht në Kosovë. Ai vjen nga Holanda, atje ku Dua Lipa është e para në toplistën e këngëtareve më të dëgjuara.

Dhe Stefan ka vendosur që pak nga koha e tij ta kushtojë për të shkruar rreth yjeve botërore që janë kosovare.

“Kosova – Jeta në një tokë të popstarëve” është teksti i holandezit që jeton e vepron në Kosovë. Ai shkruan për luftën e fundit në Kosovë, dhe më pas e tregon anën tjetër të Kosovës – vendit prej nga po dalin emrat e mëdhenj të muzikës, përcjellë KultPlus.

“Nga ky vend është edhe Rita Ora dhe Era Istrefi. Jo keq për një vend me 1.8 milion banorë” shkruan Stefan, i cili monitoron tri faqe të cilat tregojnë për të vërtetën mbi Kosovën, për të treguar se vend i bukur dhe me potencial është Kosova.

Tekstin e plotë të Stefan mund ta gjeni në një prej web-faqeve ku prezantohen potencialet evropiane dhe ku dalin zërat e rinj të opinionistëve mbi tema të ndryshme – Emerging Europe. / KultPlus.com

Haruki Murakami në listën e ngushtë për çmimin alternativ Nobel

Rreth 100 figura letrare të Suedisë kanë pyetur librashitësit që të vijnë me një listë të shkurtër të autorëve për një çmim zëvendësues për Nobelin për Letërsi.

Akademia Suedeze e ka anuluar çmimin Nobel për Letërsi për këtë vit për shkak të skandaleve seksuale brenda Akademisë.

Megjithatë, një çmim zëvendësues ka gjetur shkrimtarin Haruki Murakami dhe britanikun Neil Gaiman në një listë të ngushtë për të triumfuar, shkruan KultPlus.

Murakami ka qenë për disa vite në listën e ngushtë edhe për Nobelin prestigjioz letrar, i cili është anuluar ndërsa po tentohet të jepet tek në vitin 2019-të.

Fituesi do të shpallet në muajin tetor, ndërsa janë katër autorë në këtë listë të ngushtë. Çmimi do të ndahet nga New Academy, e formuar pas skandaleve të Akademisë Suedeze.

Qëllimi i këtij çmimi është të zgjedhë autorin që tregon historinë e njerëzve të botës, për dallim nga Nobeli për Letërsi i cili jepet për shkrimtarin që prodhon një punë të rëndësishme letrare në një drejtim ideal.

Nobelin e fundit për Letërsi e morri Kazuo Ishiguro, ndërsa francezët prijnë me fitore, me 16 shkrimtarë që e kanë fituar këtë çmim. / KultPlus.com

Arusha Ema dhe lëvizjet e saj simpatike në Pyllin e Arinjve në Prishtinë

Nuk ndodhë shpesh që ti shohim arushat në lëvizje fantastike.

Në Bear Sanctuary Prishtina – një vend magjik për arushat e shpëtuara, Ema është ajo që bën lëvizjet më të mira.

Një arushë e dashur sikur të gjitha të tjerat, në këtë video të postuar nga Bear Sanctuary Ema shihet duke kërcyer, e lumtur në këtë ambient.

Bear Sanctuary Prishtina është shndërruar në një parajsë për këto kafshë të bukura dhe lozonjare. Roni, në anën tjetër, është arushi që nuk duket fort i entuziasmuar nga ky vallëzim, për dallim prej neve tjerëve. / KultPlus.com

Na jemi fmijët qe kanë me ju përndjekë tanë jetën…

(Për ata që s’janë)

Se jemi top i zhytyn n’baltë,
Lojë e lame n’gjysëm
Jemi kolli i thatë që dëgjohet
nëpër korridore të ngushta t’spitaleve
Që i pikon tavani

Na jemi fmijët e sokaqeve
Me rrugë t’pashtrume
Ku dëgjohen sorrat
Dhe ku i l’kund era
Kpucat e vjerrta nëper kabllo t’rrymës

Jemi paqja
Dhe lufta

Jemi shpina ku ngulet thika
Jemi hala n’sy

Na jem fustan i grisun i nan’dhjetë e nantës,

Sytë tanë kanë pa shumë
Për me i thanë fminisë veç lojë
E rritës lumni.

Na jemi lulet e kuqe që çelin n’pranverë…

Jem’ dy gishtat e tet’dhjetë e nantës

Na jemi nanat që gjinin
S’na lat’ me ua ba hallall…

Për vitet që na i morët,
Për andrrat që na i shuet
Për shpirtin që na e k’putet…

…na jemi piskama që keni me dëgju tanë jetën…

Blega Sheholli

Shtator/2016

‘Moti i madh’ i Skënderbeut në letërsinë shqipe

Lexuar nga Flamur Maloku në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Nuk ka ndonjë periudhë të letërsisë, që evidenton historia e letërsisë shqiptare, që heroi kombëtar – Gjergj Kastrioti (Skënderbeu), të mos ketë qenë protagonist i ngjarjeve historike të kohës së tij. Me këtë figurë kombëtare shkrimtarë shqiptarë, por dhe të huaj, kanë identifikuar, në pjesën më të madhe, kulturën dhe qytetërimin shqiptar. Së këndejmi, një pjesë e madhe e autorëve shqiptarë, prej atyre që janë në programe të shkollave e të fakulteteve, të mos ketë shkruar për Skënderbeun, të paktën, një poezi, një poemë, një tregim, një roman, a një shkrim publicistik a një tjetër artistik për strategjinë dhe të bëmat e tij. Udhëtimi i këtij heroi nacional në letrat shqipe zë fill në veprat historiografike, tek ato të letërsisë së vjetër, kryesisht në të Frangut, të Barletit dhe të Bardhit, duke vazhduar bujshëm në veprat e shkrimtarëve të Rilindjes Kombëtare, të De Radës,të Naimit, të Çajupit etj., të cilët himnizuan “motin e madh” të Skënderbeut. Po kaq sa rilindësit, për heroin kombëtar dhe për çështjen kombëtare në letërsi, shkruan edhe klasikët dhe modernët shqiptarë: Noli, Godoja, Kadareja, të cilët, nëpërmjet depërtimit të madh dhe të shpejtë në letërsinë e huaj, qytetërimin shqiptar e bartën dhe e treguan jashtë kufijve shqiptarë, me vepra poetike, romanore dhe publicistike.

Miqtë

TIMO FLLOKO

Kot e ke, më tha ndërgjegja,
Njerëzit s’janë përherë miq.
Ti pandeh se ata të duan,
Por në fakt i ke “armiq”!

I them vetes, pse, s’kanë shkak,
S’kam pushtet, as ofiq…
Nuk urrej askënd në jetë,
S’ndaj të mirë dhe të liq!

S’ka të bëjë, ata s’të duan,
Afërmendsh i ke “miq”!
(Dashuri. ti s’fal. thotë Krishti.
Po s’i deshe dhe armiqtë!)

S’është çudi në këtë jetë.
Midis miqsh ka dhe “armiq”.
Helm i egos i ngërthen…
Dhe i bën, oh sa të liq!

Mos u lig, mos u mpak.
Thotë vetvetja, je një hiç.
I pavlerë në këtë botë,
Po nuk pate dhe “armiq”I

Nesër hapet ‘data: mars – aktivizmi i harruar i grave në Kosovë – mars 1998’

forumZFD programi në Kosovë dhe Programi për Studime dhe Hulumtime Gjinore – UP ju ftojnë të merrni pjesë në hapjen e ekspozitës data: mars.

Ekspozita ‘data: mars – aktivizmi i harruar i grave në Kosovë – mars 1998’ është një përpjekje kuratoriale kolektive me bazë në hulumtim për të kujtuar aktivizmin dhe mobilizimin politik të grave gjatë viteve të nëntëdhjeta në Kosovë. Përmes gjurmimit në arkiva dhe kujtesës personale të grave pjesëmarrëse, me anë të intervenimeve artistike, kjo ekspozitë nënvizon simbolikat e përdorura në protestat e grave në mars 1998.

Hapja është me 30 gusht 2018, e enjte, në orën 19:00, në hapësirën e Muzeut të Kosovës.

Kjo ekspozitë realizohet nga forumZFD programi në Kosovë dhe Programi për Studime dhe Hulumtime Gjinore – UP, në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës dhe mbështetje të Ministrisë Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik të Gjermanisë (BMZ).

Era Istrefi lirohet nga spitali

Këngëtarja shqiptare Era Istrefi, parmes imazheve të publikuara, njoftoi për lirimin e saj nga spitali.

Ajo u operua nga apendisiti, dhe tani gjendja e saj duket tejet stabile.

Këtë e konfirmon vetëm pamja e këngëtares, në fotografitë e fundit.

Kujtojmë se, Era ishte tejet e angazhuar, falë sukseseve të njëpasnjëshme që pati, të cilat e ngritën mjaft në arenën ndërkombëtare. / KultPlus.com

Tollumbat e Lulit të vocërr kanë me e hangër mësuesin

Migjeni

Askush s’e njef Lulin.
As shokët e tij, që përpara tij lozin, nuk e njofin.
Ma mire me thanë se e njofin, por ata lozin për hesap të vet, e Luli i shikon për hesap te vet.
Sot gjithkush ka punet dhe telashet e veta, ashtu dhe fëmijtë, ashtu dhe Luli.
More Lul!
Shumë heret ke fillue me shikue punën tande!
Kur Luli hyn n’oborr të shkollës, buza i qeshet nga pak, por askuj, asnji fjalë s’i thotë.
Ecë ngadale, tue shikue djathtas e majtas, po gjithnji tue ecë deri sa të mbrrijë në cak të vet.
Aty, te dera e rruginës shkollore, shumë i pëlqen të qëndrojë.
Aty asht caku i tij, i praruem me rrezet e ngrofta të diellit në këto ditët e vjeshtës.
Mbështetet Luli për mur, grushtat e vogjël i shtje ndër xhepa, hundën picrroke të kuqun nga të ftoftit e mëngjesit ja sjell diellit dhe…shikon.
Gjaja që ma tepër tërhjek vëmendjen janë çizmet që i kanë të veshun disa shokë të tij.

Sa te bukura janë!
Si shkëlqejnë! – mendon Luli dhe pa dashtje i shkojnë sytë ndër tullumbat e veta, nëpër të cilat shifen fare mirë të pesë gishtat e kambëve të zbathuna.
Nga kurreshta i afrohet nji shokut që ka çizmet ma të reja.
Ulet dhe shef në lustrin e çizmes kambët e veta të zbathuna – aq shumë shkëlqejshin çizmet!!!
Mbasi shoku me çizme fluturoi, Luli ngadalë shkoi te caku i vet, në diell, t’i ngrohi kambët.
– Por kur s’ka diell, si ia ban i shkreti Lul?
Ndoshta ia bajnë hallin apostujt e mëshirës dhe të dashunis…
Ndoshta, ndoshta…
Nganjiher i afrohet mësuesi Lulit.
Dhe kur Luli e ka ftyrën e dlirë dhe pa puça, mësuesi ia ledhaton faqet, gushën, e Luli i afrohet, ja merr dorën, e shikon me sy pëllumbi, dhe kishte me dashtë t’i falë diçka mësuesit.
Por vjollca nuk ka.
Veç në i faltë tollumbat e veta, që kanë hapun gojën si me dashtë me e hanger mësuesin.
Po, po, tollumbat e Lulit të vocërr kanë me e hangër mësuesin.

Ca pëlqejnë poezinë

Wisława Szymborska

Ca –
që domethënë jo të gjithë.
Madje as shumica e atyre të gjithëve, veç pakica.
Pa përfshirë këtu shkollat, se aty duhet,
si dhe poetët dora vetë,
në tërësi mbeten nja dy në njëmijë vetë.

Pëlqejnë –
por dikujt i pëlqen makar dhe supa e pulës,
dikujt i pëlqejnë përgëzimet dhe ngjyra blu,
dikujt i pëlqen një shall i vjetër,
dikujt i pëlqen të ketë në dorë dikë tjetër,
dikujt i pëlqen të kujdeset për një qen.

Poezinë –
ore, po ç’na është vallë kjo poezia?
Më tepër se një përgjigje tërthorazi
ka marrë një pyetje e tillë.
Por s’e di që s’e di dhe mbahem fort pas saj
si pas një parmaku.

(shqip – e.q.)

Inva Mula, pjesë e festivalit të njohur në Ulqin

Ulqini do të mirëpresë sopranon me famë ndërkombëtare, Inva Mula, në Festivalin Ndërkombëtar “Belcanto Dolcinio”.
Festivali do të mbahet në Ulqin në datat 7-9 shtator.

Sopranoja do të performojë së bashku me pianistin virtuoz Genc Tukiçi, në pjesën e vjetër të qytetit turistik, aty ku edhe do të kenë mundësi shumë qytetarë ta përcjellin koncertin e Inva Mulës.

Sopranoja do të koncertojë me 9 shtator, në ora 20:00.

Mula ka lindur në vitin 1963 ndërsa ka fituar disa konkurse të rëndësishme, përfshirë Operalia, Butterfly në Barcelonë dhe çmimin “Këngëtarja Shqiptare” në fund të viteve 80-të.

Jeta e saj është e ndarë më së shumti mes Francës dhe Shqipërisë. / KultlPlus.com

Zotimi i Ramush Haradinajt në takimin me Leonora Jakupin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është zotuar sot para këngëtares, Leonora Jakupi se eshtrat e babait të saj, Qazim Milazim Jakupi, do të kthehen në vendlindje.

“Pas përfundimit të suksesshëm të rivarrimit të dëshmorëve dhe heronjve nga Polaci në Marinë, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për kthimin e eshtrave të Kolonel Ahmet Krasniqit në vendlindje. Duke qenë se, dëshmori Qazim Milazim Jakupi, është i varrosur me Kolonel Krasniqin, të bijën, këngëtarën e mirënjohur Leonora Jakupi e sigurova se edhe babai i saj do të prehet në vendlindje, sipas amanetit të tij dhe dëshirës së familjes”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. / KultPlus.com

‘RugovaNoise’ – mes muzikës, ajrit të pastër dhe natyrës së mrekullueshme

Malet e Rugovës tashmë janë shndërruar në një atraksion turistik për shumëkë në vend, rajon por edhe botë. Ju mund ta vizitoni në çdo stinë këtë krahinë të mrekullueshme, duke qenë të sigurt për argëtimin tuaj, i cili fillon me shëtitjet në natyrë, me gjelbërimin marramendës, me ekspedita të gjata zbuluese të vendeve më të bukura, me shijimin e ushqimeve natyrale dhe mikpritjes së pashoqe.

E për këtë të shtune ky vend ka rezervuar dhe diçka tjetër për juve. Kjo grykë do të kumbojë nga katër DJ të ndryshëm, ndër më të mirët që do të jenë pjesë e një organizimi të veçantë deri më tani.

E ky organizim do të bëhet nga djemtë dhe vajzat që po ashtu organizojnë festivalin Into the Park, të cilët po kthehen pak më ndryshe.

“RugovaNoise” – do t’iu japë mundësinë që ta përjetoni një përvojë të paharrueshme të muzikës elektronike mes ajrit të pastër e natyrës që është treguar vërtetë bujare me këtë vend.

Yjet do të shndërrisin pastër në hapësirat e amfiteatrit në Drelaj të Rugovës, vend ky ku edhe është rezervuar për këtë ngjarje muzikore. Tingujt e muzikës elektronike dhe tekno në një amfiteatër të hapur do ja japin një veçanti kësaj ngjarje.

“Vendin e kemi vendosur për shkak të veçantisë që e ka si amfiteatër dhe lokacionit (në mes të malit) e kemi vlerësuar si vend perfekt për të realizuar performance muzikore të zhanrit techno. Të gjithë DJ- të po ashtu do të lëshojnë muzikë tekno”, kanë thënë organizatorët.

“RugovaNoise” është projekt i organizatës jo qeveritare Into the park, organizatë kjo që për disa vite rresht ka organizuar edhe festivalin Into the Park.

“RugovaNoise” do të zë vend të shtunen duke filluar prej orës 16:00 e deri në orët e mëngjesit. Po ashtu është menduar edhe transporti për të gjithë ata që nuk kanë mundësi të udhëtojnë me veturat e tyre nga qyteti i Pejës e deri në Drelaj, aty ku dhe do të zhvillohet kjo ngjarje.

Ju mund t’i gjeni të gjitha informacionet në faqet e tyre në Facebook dhe Instagram.