Të gjithë e keni pasur këtë foto në kompjuter, shikoni si duket sot vendi më i famshëm në botë

Fotoja e shkrepur në vitin 1988 nga Charles O’Rear është një ndër më të shikuarat në botën dixhitale. Ajo u ble nga Bill Gates dhe u përdor si foto ikonë e Windows XP-së.

Në një kohë që nuk dihet ende se sa ka paguar Gates për këtë foto, ajo që dihet është se ajo është shkrepur në distriktin Sonoma të Kalifornisë në SHBA.

Ndërsa tani, ky vend ka ndryshuar në mënyrë drastike. Zhgënjimi është i madh për të gjithë që shikojnë gjendjen aktuale të këtij vendi përrallor në 1988. Barit të gjelbër ia kanë zënë hardhi dhe barishte të tjera të zverdhura.
Reagimet kanë qenë të shumta në median sociale e po ashtu edhe kritikat për autoritetet lokale që nuk kanë treguar kujdesin e duhur për mirëmbajtjen e kësaj zone.

Njomëza Lipaj, dëshmorja më e re e UÇK-së, e cila u vra në moshën 14 vjeçare

Njomëza Lipaj u lind më 12 shtator të vitit 1985, në fshatin Temal (ish-Kamenicë), të komunës së Burimit.

Në bankat shkollore, Njomëzes iu shtuan ëndrrat për jetën dhe të ardhmen e saj. Ëndërronte të bëhej mjeke që ta luftonte sëmundjen e t’i shëronte njerëzit. Mirëpo, kjo ëndërr nuk u realizua. Në vend se të bëhej mjeke që ta luftonte sëmundjen, ajo u bë luftëtare e lirisë për ta çliruar Kosovën.

Njomëza ishte nxënëse e shkollës fillore në Tedel (ish-Vrellë). Ajo edhe për nga natyra, me gjallërinë, shkathtësinë, inteligjencën, me përkushtimin në mësime, me sjelljet, e me prirjet e saj, sikur jepte për të kuptuar se ishte një vajzë e jashtëzakonshme që po rritej për një vepër të madhe, që po rritej për Kosovën.

Me fillimin e luftës çlirimtare, Njomëza dëgjonte e përcillte tërë sy e vesh, ato që fliteshin e thuheshin për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kureshtja e saj për UÇK-në shtohet gjithnjë e më shumë, atëherë kur në shtëpinë e saj hyjnë e dalin luftëtarët e lirisë, të cilët shkonin për në Shqipëri për furnizim me armatim dhe ktheheshin që atje të armatosur deng.

Ajo përjetonte ndjenjë krenarie kur këtyre luftëtarëve, të lodhur nga pesha e nga rruga e gjatë dhe plot krajata e rreziqe, të cilët në shtëpinë e Njomëzes e kishin derën të hapur, ku çlodheshin, ushqeheshin dhe merrnin veten, u shërbente me ujë a me ndonjë gjë.

Në ato çaste kjo vajzë e re përvidhte me bisht syri armët e luftëtarëve dhe ua kishte zili atyre që i mbanin e i bartnin.

Një ngjarje e vçantë, që te Njomëza krijon emocione të pashlyeshme dhe ndikim të fuqishëm, ishte rënia e dëshmores Myrvete Maksutaj nga Orrobërda, të cilën e kishte kushërirë nga nëna. Myrvetja, ushtare e UÇK-së, kishte rënë në vjeshtë të vitit 1998, në një përleshje me policinë serbe te qendra spitalore në Pejë.

Heroizmi i saj bëhet frymëzim për Njomëzen, e cila merr pjesë edhe në ceremoninë e vorrimit të saj. Pas kthimit nga kjo ceremoni, por edhe shumë herë të tjera, ajo i kishte thënë së ëmës se po të binte sikur Myrvetja, nuk do t’i dhimbsej jeta.

Këtë ceremoni varrimi të filmuar në shirit, Njomëza e shikonte shpeshherë.

Ngjarjet si kjo kishin ndikuar në formimin e shpejtë të personalitetit të Njomëzës, në pjekjen dhe edukimin atdhetar, si dhe në rritjen e ndjenjës së guximit e të vetëbesimit individual.

Sa herë që i ofrohej mundësia ajo shfaqte dëshirën dhe kërkonte të armatosej e të bëhej ushtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mirëpo mosha e saj shumë e re nuk lejonte një gjë të tillë.

Pas formimit të Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, në janar të vitit 1999, edhe fshati i Njomëzes do të kontrollohet nga kjo brigadë.

Tani mundësitë për kontakte me UÇK-në i kishte pasur të përditshme, meqenëse në radhët e saj, nga dera e Lipajve rreshtohen: Ylber Lipaj, Demë Lipaj, Enver Lipaj, Blerim Lipaj, Fadil Lipaj, Liridon Lipaj e Isa Lipaj. Nga kjo derë, jashtë radhëve të UÇK-së kishin ngelur vetëm gratë, fëmijët dhe pleqtë.

Në fillim të muajit mars, në UÇK mobilizohet edhe Njomëza. E ëma ia kishte prerë e qepur kapelën e uniformës ushtarake.

Me këtë mobilizim asaj i realizohet dëshira e flaktë për të gëzuar epitetin ushtare e lirisë.

Si ushtarja më e re, pjesëtare e Policisë Ushtarake që vepronte në kudrin e brigadës, Njomëza të cilën shokët e armës e thërritnin “Sugaricë”, tregon entuziazëm të madh për të përvetësuar mënyrën e përdorimit të armatimit dhe për t’u kalitur fizikisht shtatin e saj të njomë. Ajo merrte pjesë në stërvitjet e rregullta ushtarake të organizuara nga shtabi i Brigadës 133, që ndodhej në fshatin Studenicë.

Brenda një kohe të shkurtër ishte aftësuar të përdorte armët, si automatikun, bombën e dorës, e të tjera.

Në fund të marsit të vitit 1999, sikurse popullata e fshatrave të tjera përreth, edhe popullata e Temalit ishte deryruar të largohej nga shtëpitë e veta. Nga shtëpia u largua edhe familja e Njomëzes, e cila vendoset në Studenicë. Ajo qëndron aty deri në rënien e pozicioneve të UÇK-së në fshatin Tedel (ish-Vrellë), pas ofansivës serbe të datës 12 prill, kur ajo largohet nga Kosova dhe arrin në Shqipëri.

Në mëngjesin e 13 prillit, Njomëza, pa e ditur se forcat kriminele serbe kishin arritur të depërtonin në fshatin Studenicë, përkatësisht në shtëpinë e Haxhi Zeqirajt, ku gatuhej dhe përgatitej ushqimi për pjesëtarët e UÇK-së, shkon atje bashkë me disa vajza të tjera për të marrë ushqimin. Me të arritur aty kapet në befasi nga ushtria serbe.

Njëkohësisht me Njomëzen kapen dhe masakrohen edhe Haxhi Zeqiraj, pronari i shtëpisë; Sala me të bijat Qëndresën e Mirdonën; Sabria me të bijën, Lindihanën; Hajria, Mejremja.

Viktimat e masakruara, ushtarët serbë i hodhën në pusin e oborrit të shtëpisë ku bënë masakrën.

Ata u gjetën pas përfundimit të luftës, kur në këto troje të Kosovës kishte ngelur vetëm hija e krimit, e lënë pas nga forcat serbe.

Trupi i dëshmores më të re të UÇK-së, Njomëza Lipaj u varros më 26 qershor të vitit 1999, në varrezat e fshatit të lindjes, Temal.

Dy muaj më vonë, trupin e saj e zhvarrosi ekipi i patologëve ndërkombëtarë, për të konstatuar krimin e bërë mbi të.

Prindërit e Njomëzes dhe gjithë familja, sot ruajnë kujtimin për dëshmoren, duke e hequr mallin përmes fotografive, jelekut të uniformës së policisë ushtarake, unazës dhe orës së dorës , të cilën në momentin e ndarjes prej saj, ia kishte dhënë për kujtim të ëmës, Zizës, për kujtim.

Burimi: Kosova e Lirë

Shqipëria më 1919 i kërkoi ShBA-së të administrojnë Çamërinë dhe Epirin e Veriut

“Paris-Midi” ka botuar, të dielën e 7 marsit 1919, në ballinë, një shkrim në lidhje me propozimin e delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris që SH.B.A-të të ndërhyjnë në administrimin e çështjes shqiptare, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Shqiptarët bëjnë thirrje për plebishit

Delegacioni shqiptar, pasi u dëgjua nga komisioni i ngarkuar për çështjen greke, i dërgoi një shkresë shtesë Kryetarit të Këshillit të Dhjetëve.

Në rast se kërkesat e parashtruara në memorandumin e paraqitur në konferencë nuk pranohen, ai (delegacioni) kërkon që Asambleja e Lartë t’i japë një mandat Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të marrin dhe administrojnë për një vit territoret e pretenduara nga shqiptarët, domethënë, Çamërinë e jugut, si dhe territoret shqiptare të aneksuara nga Mali i Zi dhe Serbia.

Nëse Konferenca do të pranojë këtë propozim, shqiptarët do të pajtoheshin, sipas të njëjtave kushte, që i njëjti mandat t’u jepej trupave amerikane për okupimin e Epirit të Veriut, i cili i përket shtetit shqiptar, por që pretendohet nga Greqia.

Në këtë gjendje, njerëzit, pa ndonjë kufizim, mund të shprehen, të lirë, dhe të manifestojnë vullnetin e tyre në lidhje me aspiratat e tyre kombëtare. — (Havas.)

Image

Natë çame

Poezi nga Bilal Xhaferi

Ndali çapin kopeja e ulqve
Në errësirën e thinjur me flokë bore.
Ndali çapin pranë staneve të heshtura
Kopeja e egër e pyjeve çame.
S’dëgjohen të lehura, s’dëgjohen blegërima,
Nuk duken më zjarret ku dremitin çobenët.
Vetëm deti rreh bregdetin me dallgë pa pushuar,
Vetëm hëna porsi dele e ndarë nga kopeja
Nëpër shtigjet e reve baret e vetmuar.
Ndali çapin kopeja e ulqve
Dhe përgjon e uritur në errësirën thinjoshe.

Ku ini ju çobenë me gunat e bardha?
Ku i kini delet që blegërinin kullotave?
Ku i kini qiprat, ku këmborët si këmbana?
Ku i kini qent e staneve që ulurinin si luanë?
Murrot, balot, gudot – armiqtë tanë të vjetër?
Ku janë që t’u tregojnë me çatallet e hekurt
Se si në shesh të luftës luftohet për jetën?

Hesht në errësirë Çamëria shkretëtirë,
vetëm dallga rreh parreshtur shkëmbenjtë kryeulur
Dhe jehona e saj e gjerë nëpër natën joniane
Përzihet me ulurimen e ulqve të uritur.

U botua në revistën “Krahu i shqiponjës”
nr.2, 1997 me pseudonimin Kiman Halil Çami

Monotonia dhe depresioni e kanë kthyer Madonën në muzikë

Madonna u kthye në studio kur filloi të ketë monotoni dhe depresion në Portugali.

Superylli i popit e përfundoi kohët e fundit një pauzë muzikore pesëvjeçare duke e paralajmëruar publikimin e albumit të saj të ardhshëm Madame X, ndërsa gjatë një eventi të MTV në Londër të mërkurën, ajo shpjegoi se ideja për projektin erdhi gjatë një periudhe të vështirë në jetën e saj pas zhvendosjes në Lisbonë.

“Shkova atje dhe mendova se do të ishte super argëtuese dhe aventureske, por më pas e pashë veten vetëm duke shkuar në shkollë dhe duke i marrë fëmijët,” tha ajo për moderatorin Trevor Nelson. “E kisha një depresion të vogël. Duhej të bëja miq dhe të takoja njerëz. Kështu që fillova t’i takoja njerëzit dhe të dilja nga pak. Nuk është se jam ndonjë adhuruese e daljeve. Por doja të takoja njerëz.”

E pyetur se pse e zgjodhi Lisbonën, 60-vjeçarja tha, “Djali im donte të ishte lojtar futbolli. Ai kurrë nuk do ta kishte trajnimin e duhur në Amerikë. E rrotulluam globin dhe bëmë shumë hulumtime dhe i gjetëm pesë akademitë kryesore për djemtë për t’i stërvitur, dhe Lisbona përfundoi si qyteti im i preferuar prej opsioneve.

“Kështu u bëra nënë futbolli. Është një histori e çmendur, e di, dhe kjo është gjëja e fundit që do të prisja nga një vajzë kontroverse si unë”.

Por një gjë e mirë erdhi nga aventura e saj në Lisbonë – ajo u takua me shumë muzikantë portugezë, të cilët ia dhanë asaj një stil të ri të muzikës për ta dëgjuar: “Kam takuar njerëz dhe shumica e njerëzve që takova ishin artistë dhe piktorë. Fillova të ftohesha në shtëpitë e njerëzve. Ata kishin gjëra që i quanin seanca të dhomës së ditës. Të gjithë do të vinin dhe do të sillnin verë, do të sillnin ushqim, do të uleshin rreth tryezës. Papritmas njerëzit do të ngriheshin dhe do të fillonin të interpretonin instrumente dhe të këndonin.

“Mendova, ‘Prit, çfarë po ndodh këtu? Artistët që ngrihen, nuk po paguhen dhe thjesht po e bëjnë këtë për argëtim dhe pasion?’”

“Madame X” – Albumi i 14-të i Madonnës – do të dalë më 14 qershor. Ajo e publikoi të mërkurën videon e saj për singlin e ri Medellin, në të cilin performon ylli kolumbian Maluma.

Shënohet Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale

Sot në të gjithë botën shënohet Dita e Pronësisë Intelektuale, me aktivitete të ndryshme që kanë për qëllim promovimin e të drejtës së pronësisë intelektuale dhe mbrojtjen e kësaj pronësie.

Pronësia intelektuale që përfshinë pronësinë industriale dhe të drejtat e autorit, në Kosovë është e garantuar me ligj.

Ndërsa, që nga viti 2000 më 26 Prill të çdo viti të gjitha vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) kremtojnë Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale, e cila organizohet nën juridiksionin e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (OBPI).

Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale (WIPO), në shënim të Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale përzgjedh një slogan për të frymëzuar komunitetin global të krijuesve, mbrojtësve të pasurisë intelektuale, por edhe për të evidentuar një aspekt të sistemit unik të bashkëpunimit ndërplanetar, sigurimit të vijimësisë së krijimtarisë.

Për nder të kësaj dite edhe në Kosovë sot do të mbahet konferenca konferenca kombëtare “Të Drejtat Pronësore Intelektuale.

Ansambli “Shota” me këngë e valle festoi pensionimin e këngëtarit Riza Bytyqi

Me këngën “Topolakës” nën interpretimin e këngëtarit të njohur Riza Bytyqi filloi mbrëmë koncerti “T’i këndojm pranverës”.  Këtë koncert tashëm tradicional, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, ia dedikoi solistit Bytyqi me rastin e pensionimit.  Në këtë koncert Riza bytyqi dëshmoi se akoma ka shumë për ti dhënë këngës duke mahnitur të pranishmit me fuqinë e tij interpretuese. Përmes zërit të tij kumbues ai solli disa nga perlat e muzikës shqipe si “Vijnë vaporrat”, “Dua të them një fjalë”, “Topolakës”, apo “Kur përendon dielli”, shkruan KultPlus.

Riza Bytyqi ka vite që ëshët bërë pjesë e ansamblit dhe këngët që erdhën mbrëmë sollën në një mënyrë një retrospektivë të krijimtarisë së tij artistike.

Mirpëo magji kësja natë nuk i dha vetëm Bytyqi. Në skenë së bashku me të u ngjitën edhe këngëtarë të tjerë. Ai së bashku me Albulena Misini, solli këngën “Kur perëndon dielli”. Ndërsa më vonë këngën “O këngët e vendi tim” e solli Ardiana Bytyqi e cila tashmë ndjek hapat e babit të saj.

Drejtori i Ansamblit “Shota”,  Shefqet Gjocaj vlerësoi lartë kontibutin të cilin këngëtari i njohur Riza bytyqi e ka dhënë ndër vite në ansabël.

“Në një mbrëmje artistike të tillë, fjalët e tepërta janë fukarallak. Sot përmes këtij koncerti dua ta shpreh falënderimin e madhe që ka ansambli “Shota” ndaj Riza Bytyqit, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm që ka dhënë në muzikën tonë përgjithësisht ndaj Ansambli “Shota”, tha Gjocaj.

‘Dasma thonë nuk bëhet pa miq’ e as koncerti mbrëmë nuk do të kishte atmosferë aq të  mrekullueshëm nëse nuk do të ishin pjesë edhe miqtë e dëshmuar të Ansamblit “Shota”. Kështu  në skenë u ngjitën këngëtarët e mirënjohur nga Tetova, Besarta Murtezani i cili solli këngën “Për mu paska kenë kismet” dhe Jetmirë Rexhepi i cili interpretoi këngën “Kumuri e Elbasanit”. Kjo mbrëmje u mbyll me këngën “Prej Podrimës, po vjen haberi” nën interpretimin e Riza Bytyqit./ XHENETA UKA/ KultPlus.com

Rona Nishliu dhuron të ardhurat nga promovimi i albumit të ri për fëmijët e braktisur

Rona Nishliu me grupin e saj “Rona Nishliu Quartet” dhuron të ardhurat nga koncerti promovues i albumit të saj “Mindil”, për fëmijët e braktisur.

Këngëtarja e mirënjohur Rona Nishliu me grupin e saj “Rona Nishliu Quartet” ka lansuar albumin e saj “Mindil”, ku të ardhurat nga ky recital promovues i ka dhuruar për mbështetjen e fëmijëve të braktisur në SOS Fshatrat e Fëmijëve.
Rona Nishliu është pjesë e platformës avokuese Miqtë e Fëmijëve, platformë kjo e inicuar dhe e koordinuar nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF.
“Miqtë e Fëmijëve” është platformë avokuese e përbërë nga personalitete me karrierë të suksesshme nga fusha e diplomacisë, artit, kulturës, sportit etj, e cila do të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe promovimin e mbrojtjes së fëmijëve në të gjithë Kosovën, duke synuar rritjen e vetëdijesimit të institucioneve relevante dhe popullatës së gjerë, mbi rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve dhe investimin afatgjatë në fëmijë./KultPlus.com

Kryebashkiaku Veliaj priti në takim violinistin Olen Çezari

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj priti sot në takim violinistin Olen Çezari dhe grupin e tij.

Veliaj theksoi se Çezari është “krenari për të gjithë shqiptarët; Tirana një qytet kozmopolitan” Violinisti shqiptar me famë botërore Olen Çezari dhe grupi i tij “International Clandestine Orchestra” sollën dje në mbrëmje për publikun kryeqytetas magjinë e tingujve të instrumenteve nga e gjithë bota, e cila do të ripërsëritet sot në një tjetër natë fantastike. Një pjesë e “ushtrisë” së muzikantëve dhe teknikëve që bënë të mundur këtë spektakël, u pritën sot në një takim nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili i falenderoi ata që zgjodhën edhe Tiranën si stacion të turit të tyre muzikor.

Ai theksoi se grupi dhe muzika që u interpretua në skenën e Pallatit të Koncerteve përfaqëson më së miri atë që është sot Tirana, një qytet ku jetojnë shumë kombësi të ndryshme. “Miku, vëllai ynë, Oleni solli një “minikombe të bashkuara” në Tiranë, çka në fakt përputhet me atë që është sot Tirana. Jam i lumtur jo vetëm për koncertin mbrëmë, por se aty pashë “tironsa” me origjinë nga Kina, nga Argjentina, nga Italia apo edhe nga shumë vende të tjera, kubanezë, të cilët u ndjenë jo vetëm pjesë e një qyteti kozmopolitan, por edhe ajo që pamë në skenë, falë talentit të Olenit, ishte një mozaik i “kombeve të bashkuara” të Tiranës”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai vlerësoi talentin e Olen Çezarit, duke theksuar se është një nga emrat më përfaqësues dhe që bën të ndihet mirë çdo shqiptar në botë. “Unë jam shumë krenar për ty dhe them se flas në emër të të gjithë qytetarëve të Tiranës, që tek ty shohin realisht më të mirën tonë. Ne kemi nevojë për më shumë dashuri, për më shumë mirësi, kemi nevojë të jemi disi më të përulur me njëri-tjetrin, por kur e shohim të materializuar tek ty dhe skuadra jote, e shohim si një mision të mundur. Ne mund të jemi më të mirë dhe të falënderoj për të gjithë mirësinë dhe dashurinë që na solle në Tiranë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës ftoi qytetarët që të shfrytëzojnë mundësinë që u ofrohet ta ndjekin nga afër natën e dytë të koncertit të Olen Çezarit dhe grupit që e shoqëron atë. “Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët, ata që kanë mundësi, që në minutë të fundit t’i bashkohen sot koncertit në Pallatin e Kongreseve; do të ndiejnë një krenari, jo vetëm të të qënit shqiptar, por të të qënit shqiptar kozmopolitan dhe kjo falë talentit të Olenit. Jam shumë i lumtur që edhe bashkia e Tiranës ishte pjesë e asaj pakete dashamirësish që e duan të mirën tënde; por, kur duan të mirën tënde duan dhe të mirën e një produkti “made in Albania”, që është sot një nga produktet më të mira në botë”, nënvizoi Veliaj. /atsh

Kujdes me fjalën

Poezi nga Dritëro Agolli

Kujdes me fjalën, zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri
Pushteti i fjalës është i veçantë
Gatuan male dhe kakërdhi.

Me fjalën rrjedhin përrenj me mjaltë,
Pikojnë çezma me helm të zi
Kujdes me fjalën, zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!

Nga fjala humbën Judë e Pilatë,
Strategë e mbretër me mbretëri
Kujdes me fjalën, zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!

Kur fjala nxiret nga buzët jashtë
Si dallëndyshja s’vjen në shtëpi
Kujdes me fjalën, zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!

Unë fjalën vetë e shtroj në kartë
Dhe brenda syve se ç’është e di…
Kujdes me fjalën, zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!

Jahjaga takon figura të rëndësishme, bisedon për të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë

Ish-presidentja Atifete Jahjgaga ka takuar disa persona të rëndësishëm këto ditë.  Ajo ka takuar  Amal Clooney, avokaten për të drejta të njeriut si dhe  fituesin e Çmimit Nobel për Paqe, Denis Mukwege, shkruan KultPlus.

Jahjaga përmes një postimi ka treguar se kanë biseduar për statusin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. KultPlus ju sjell postimin e plotë të Jahjagës.

Në Zvicër promovohet libri “Bllaca, dhimbja e lirisë”

Pasi është promovuar në Prishtinë, Tiranë dhe në disa vende të tjera, libri i autorit Emin Azemi “Bllaca, dhimbja e lirisë” do të promovohet edhe në Zvicër.

Organizatorë janë Lidhja Shqiptare në Botë dhe Këshillimtorja ABSM, Basel.

Promovimi do të organizohet më 27 prill (e shtunë), ora 15:00 në Bowling Center, Lotzwilstrasse 66, 4900 Langenthal (BE), Zvicër.

Libri përmban një kronikë të gjatë të ngjarjeve që lidhen me eksodin e para 20 viteve, që filloi qysh nga marsi i 1999-tës. Në shiritin e kujtesës së autorit kanë ngelur shumë detaje, rrëfime, imazhe, e mbi të gjitha shumë fytyra pleqsh të shqetësuar, tronditje grash e fëmijësh të trishtuar, dhe shumë të humbur e të hutuar në labirintin e ferrit të Bllacës, aty ku gjatë ditëve të ftohta të mars/prillit 1999 po vihej në skenë një prej tragjedive më makabre të njerëzimit.

“Njeriu dhe Uni i tij”

           

Shkruan: Arbresha Maliqaj

Romani “Rruga 66” e autorit Binak Kelmendi trajton ballafaqimin e reales me imagjinaren, si dhe të një mendje të ndarë në dysh. Një udhëtim dramatik përmes trajtimit të ngjarjeve në të kaluarën dhe atyre në të tashmen. Konflikti në mes reales që përcillet nga personazhi i Japdheut, si dhe imagjinares me personazhin e Mardheut.

Romani ndërtohet nëpërmjet dialogëve, konflikteve dhe kundërshtive të cilat janë të përhershme në mes Japdheut dhe Mbinjeriut i cili gjithmonë ndodhet aty për ta kundërshtuar.

Japdheu e nis udhëtimin e tij duke kujtuar të mirat dhe të këqijat që e kanë përcjellë jetën e tij, duke kërkuar gjetjen e lirisë, mirëpo udhëtimi i tij po shkonte drejt asgjëje.

Japdheu të gjithë atë rrugë të cilën e kishte kaluar, me përjetime të llojllojshme: dashuri, luftë, demonstrata, ikje e shumë të tjera, vendosi t’i quante me një emër Route 66, ose rruga 66. Pyetja të cilën çdo herë e bënte Mardheu ishte se ku gjendej ajo rrugë, në cilën pjesë ndodhej, e përgjigjja e Japdheut, ishte se ajo gjendej në çdo vend: në Paris, afër Drinit, pranë Shkumbinit, në këndin e ngushtë të rrugëve me zhurmë makinash, pra në çdo vend që ata mund të kalonin.

Japdheu e quante këtë rrugë: rruga e trupit, e mendjes dhe e zemrës, sepse aty ai kishte përjetuar emocionet dhe zhgënjimet dashurore.

 Imagjinarja Mardheu dhe realja Japdheu, gjithmonë shfaqen në kundërshti në mes tyre. Japdheu dëshironte të gjente lirinë, të gjente dashurinë e tij, sepse edhe gjuha, edhe drita, edhe dashuria, edhe mendimi për Japdheun janë dashuri. Ndërsa Mbinjeriu, gjithmonë pranë për t’i kujtuar se asgjë nuk ka më të vlefshme sesa atdheu, se ai qëndron mbi të gjitha. Mardheu çdo herë theksonte:

       “ Vetëm Atdheu dhe vetëm Ideali për Atdhe nuk kanë humbur dhe nuk kanë për të humbur kurrë. Atdheu dhe Ideali duhet të futen në drynin e zemrës. Të tjerat , të gjitha janë të përsëritshme në jetë. Si dita dhe nata. Si vdekja dhe si lindja. Me dhe pa dashuri. “Atdheu është mbi të gjitha. Për atdhe, jepet jeta, pasuria, dashuria, çdo gjë jepet për atdhe. Edhe nëse atdheu të vret, atdheu është i yti”.

Japdheu vazhdonte udhëtimin në kërkimin e gjetjes së dashurisë, siç e thekson ai “çelësit të çdo gjëje”, gjetjen e destinacionit të lirisë dhe largimit të shprehjeve: atdhe, tradhti, të cilat ia zinin frymën, sikur edhe theksonte çdo herë se atdheu po ia hante shpirtin.

Destinacioni i lirisë po kërkohej , mirëpo s’mund të gjendej. Në njërën anë, nga Mardheu, theksohej se ishte ideali dhe atdheu ata të cilët e përbënin atë, ndërsa nga ana tjetër Japdheu theksonte se ishte dashuria. Ajo dashuri që ai nuk mund ta gjente askund, madje autori thekson se kërkimi i saj kishte mbërritur deri në Paris, mirëpo ishte e kotë, sepse gjithmonë një hap përpara do të gjendej gjysma tjetër e mendjes së tij Mardheu i cili do t’ia kujtonte vetëm rrugën e atdheut.

“Destinacioni nuk mund të gjendet, sepse nuk ka kurrë një destinacion të saktë, ai çdo herë ndryshon pavarësisht vendit ku ne shkojmë. Vetëm një destinacion është i saktë e ai është vdekja”.

Në romanin e tij, autori Binak Kelmendi thekson edhe pjesën historike, me theksimin e figurës së mbretëreshës Teuta, si dhe maltretimet ushtarake të cilat përcillen me ngjarje të vështira. Ai thekson ndodhitë të cilat i ndodhin një ushtari.

Në roman gjithashtu autori përmes fjalëve të personazhit Mardheut, trajton figurën e flamurit, e cila është një temë e ndjeshme për të gjithë ne popullin shqiptar. Pa marrë parasysh se nga do të shkojmë, gjithmonë flamuri ynë do të mbetet më i miri për ne, siç e thekson edhe autori.

Në roman autori thekson një luftë të brendshme shpirtërore të njeriut. Në njërën anë, kërkimi i së thjeshtës, kërkimi i dashurisë, kërkimi i lirisë për të cilat kishte nevojë ai. Japdheu gjatë udhëtimit të tij, kujton dashurinë e pamundur, të parealizueshme, vendet ku ai kalon tani më i  dukeshin të panjohura sepse nuk ishte aty askush ta priste.

Ndërsa në anën tjetër autori thekson dhe kërkon të vështirën, trysninë e cila i bëhet Japdheut nga uni i tij, për largimin nga të gjitha gjërat të cilat i dukeshin të kota, për të shkuar vetëm drejt të vetmes dhe reales, drejt atdheut.

Edhe fjalët tradhti, tradhtar dëgjoheshin shumë shpesh nga Mardheu, i cili i akuzonte shumë persona me këtë shprehje, e në veçanti Japdheun, një tradhtar të cilit nuk i interesonte fare për vendin e tij, i cili vraponte vetëm pas kënaqësive të jetës. Këndvështrimi ishte i menjëhershëm nga Japdheu ku theksonte, se ai kishte hequr dorë nga atdheu, ia kishte lënë në dorë atij, dhe se nuk i interesonte fare se çfarë ndodh me të. Vetëm mallin për dashurinë e largët dhe lodhjen që ai e përjetonte duke e pritur dhe e kërkuar atë. Rrugët ishin të mundimshme, nuk po iu vinte fundi asesi, jeta i dukej sikur një fotografi, ku një shikues i thjeshtë nuk kupton asgjë nga ajo, apo si një roman të cilit nuk i dihej fundi.

Shpesh Japdheu, shpresonte të mbetej vetëm, të qetësohej gjendja e tij shpirtërore dhe ndonjëherë sikur e arrinte atë, mirëpo pas ca sekondave pjesa tjetër e mendjes së tij, ishte aty duke i përkujtuar misionin të cilin ai duhej ta kishte në mendje gjithmonë dhe të mos e harronte, misionin për atdheun dhe lirinë.

Qysh në fillim të veprës shohim konfliktin e personazheve. Japdheu po e kërkonte lirinë, rrugën që të dërgonte deri tek ajo, mirëpo gjithmonë binte në kundërshtimin e Mardheut, i cili theksonte se ai kurrë nuk ka për ta parë atë liri. Qysh në fillim autori thekson se Japdheu ishte i sunduar nga uni i tij. Pra, gjendja shpirtërore e njeriut çdo herë është në kundërshtim me vetveten. Çdo herë del një pikëpyetje që ne na bënë të biem në dilemë me veten.

Autori përmes gjuhës së bukur dhe të pastër,si dhe përmes përdorimit të figurave na sjellë tema të cilat lidhen çdo herë me jetë e një personi. Qysh në titull te veprës shtohet kureshtja, se çfarë domethënie ka ky libër, e pas përfundimit të tij çdo lexues do të dojë te kthehet edhe një herë në fillim. Gjatë leximit të veprës ne shohim se edhe ne mund të ballafaqohemi ndonjëherë me dy personazhet në jetën tonë. Vetja jonë dhe mbinjeriu, që ndonjëherë bie në kundërshtim me ne, e ndoshta kjo ndodh edhe shumë shpesh.

Në romanin e tij, autori me një mjeshtri të jashtëzakonshme trajtoi rëndësinë e dy gjërave, që kanë vlerë të madhe, në njërën anë, dashuria dhe në anën tjetër, atdheu. Pa marrë parasysh çdo gjë, madje ndonjëherë edhe konfliktin që kemi me vetën tonë nuk do të mund t’i ndajmë asnjëherë ato./KultPlus.com

“Autorja eshte studente ne Fakultetin e Filologjise, dega Letersi Shqipe, ne nivelin e studimeve Master. Shkrimi eshte paraqitur ne lenden Letersi aktuale shqipe dhe botohet per here te pare.”

“Nën urën tonë edhe Ibri vajton”

KutPlus ju sjellë një kënge të viteve të 80-ta të kënduar nga Vera Oruqaj, në të cilën i këndohet Urës së Ibrit në Mitrovicë. Kënga titullohet “Ura e Ibrit”.

Në ora 18 po të presë diku

Po s’më erdhe sonte s’më sheh kurrë

Hapat përmbi urë zemrën ma qetësojnë

Mbi supe dy duar më ledhatojnë

Nën urën tonë edhe Ibri vajton

Këtë shushurimë ma dëgjon

Nën urën tonë edhe loti pikon…. për më shumë klikoni në videon më poshtë. / KultPlus

The Voice Albania ka shpallur zërin më të mirë, fiton Altea e skuadrës Gjoka

Altea është shpallur zëri më i mirë i The Voice Albania, shkruan KultPlus. Në këtë garë të fortë që ka nisë tash e sa muaj, në mbrëmjen e së premtes ka dalë të jetë fituese Altea, e cila në finale ishte me dy zëra të tjërë: Erza dhe Anisa.

Në The Voice Albania të këtij edicioni është vlerësuar se ka pasë mjaftë zëra të fuqishëm, por sukadra Gjoka arriti të rrëmbejë këtë cmim, kurse trajnerë të tjerë të këtij edicioni sihte Miriam Cani dhe Arilena./KultPlus.com  

100 vizatime dhe vjersha të fëmijëve kosovarë gjatë eksodit 1998-1999 në Shqipëri

Të mbijetosh përmes Ngjyrash Qendra për Hapje dhe Dialog hapi ekspozitën “Një rrugëtim i vështirë- 20 vjet pas” e cila realizohet në bashkëpunim me QSHDNJ, ku ekspozohen 100 vizatime dhe vjersha të fëmijëve kosovarë gjatë eksodit 1998-1999 në Shqipëri.

“Mobilizimi i shqiptarëve për të ndihmuar kosovarët e dëbuar dëshmoi vlerat e një kombi të bashkuar. Kjo ekspozitë sot është dëshmi e kujtesës, e fëmijëve që i mbijetuan luftës, falë ndihmës së Qendrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut ”- u shpreh Eridana Çano, Drejtoresha e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje. Dhuna dhe terrori serb detyroi mbi 600 mijë kosovarë të largohen nga trojet e tyre drejt Shqipërisë gjatë periudhës Qershor 1998 – Korrik 1999, e cila arriti pikën kulmore të dëbimeve në datën 16 prill 1999.

Qendra Shqiptare për të Drejtat e Njeriut (QSHDNJ) organizoi 36 shkollat verore argëtuese, ku mësues dhe ekspertë të edukimit u angazhuan për rehabilitimin e fëmijëve kosovarë. Nga ky projekt përfituan rreth 40 mijë refugjatë në Tiranë e Durrës. Mikpritja dhe ngrohtësia vëllazërore e popullit shqiptar lehtësoi sadopak dhimbjen dhe traumën që ata po përjetonin. Gjurmët e traumës psikologjike shprehen qartazi në shumë nga punimet e para të vogëlushëve, traumë e cila gradualisht u arrit të mposhtej duke u zëvendësuar me vizatime gjithmonë e më optimiste, për një të ardhme në paqe dhe për një rikthim sa më të shpejtë në shtëpitë e tyre në Kosovë.

“Kosova na mbledh sot në këtë ekspozitë për të na treguar dëshirën e jetës dhe fuqinë e mbijetesës edhe në eksodin më të rëndë të historisë së saj”- u shpreh Kozara Kati, drejtuese e QSHDNJ. Ndërsa Feride Rushiti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës theksoi se “Kjo ekspozitë i kontribuon memories kolektive të Kosovës. Nuk mund të ndërtojmë të ardhmen tonë pa kujtuar të shkuarën”. Emocionuese pjesëmarrja e Merita Durakut në këtë ekspozitë me dy vizatime të krijuara në moshën 14- vjeçare. “Falenderoj të gjithë shqiptarët që na u gjendën pranë në momentet më të vështira të luftës dhe na dhanë shpresën për të jetuar përmës shkollave verore, të ngritura nga QSHDNJ. Ne mbijetuam falë shpresës që na dhatë të gjithë JU”- u shpreh e emocionuar Merita.

Në ditët e eksodit kosovar ndihmuan edhe shumë mësues dhe vullnetarë nga Kosova si Familja Sheremeti në Shkallnur, Familja Duraku nga Krusha e Madhe, Nesip Gashi nga Prizreni, të cilët u falenderuan nga të pranishmit për angazhimin në shkollat verore dhe kontributin në rehabilitimin e një numri të madh të fëmijëve të traumatizuar kosovarë. E vështira e kësaj ekspozite është rrugëtimi i fëmijëve kosovarë nga përjetimi i ngjarjeve tragjike të luftës drejt shpresës dhe lirisë. E përbashkët mbetet ëndrra për një vatër të ngrohtë dhe familjare në Kosovën e lirë. Shtëpia- është vizatimi që do të shohim të ripërsëritet në çdo ngjyrë të hedhur nga fëmijët në këtë ekspozitë. 20 vjet më pas le t’ju urojmë këtyre Fëmijëve tashmë “Të rritur” një të ardhme të lumtur në trojet e tyre legjitime! Ekspozita do të qëndrojë e hapur në COD nga data 18 prill-5 maj 2019. /KultPlus.com

Festivali i Cannes hapë portën për regjisorin shqiptar, “The Van” në konkurrencë zyrtare

Filmi i metrazhit të shkurtë “The Van” me regji të Erenik Beqirit është përzgjedhur në konkurrencë zyrtare në Festivalin e Filmit në Cannes, një ndër festivalet më prestigjioze në botë, shkruan KultPlus.

Ky film i metrazhit të shkurtë më kooproduksion mes Shqipërisë dhe Francës është përzgjedhë në mesin e 11 filmave në këtë kategori.

Për këtë emocion të përzgjedhjes zyrtare të këtij filmi të metrazhit të shkurtë është shprehur edhe njëri nga aktorët kryesorë të këtij filmi, i cili ka thënë se kjo është ndjesia më e mirë që mund ti ndodhë një aktori.

“Fillimisht dua të theksoj që jam shumë i lumtur që jemi pjesë e Festivalit prestigjioz të Cannes…, është gjëja më e mirë që mund ti ndodh një aktori. Falenderoj regjisorin që me dha mundësië të jem ndër rolet kryesore në këtë film dhe puna jonë të prezantohet në këtë festival të madh”, ka thënë Afrim Mucaj, i cili ka thënë se për rolin e tij ka punuar një kohë të gjatë më Erenik Beqirin, dhe sipas tij, ka qenë një përkushtim i jashtëzakonshëm. “Është bërë një punë e madhe dhe jam i lumtur që po shpërblehemi në këtë formë”, ka thënë Mucaj.

Me role kryesore në këtë film janë aktorët: Phenix Brossard , Arben Bajraktaraj dhe Afrim Mucaj. /KultPlus.com

‘Për të fundit herë në këtë jetë’

Poezi nga Arjola Zadrima

Për të fundit herë në këtë jetë
shihen veç të gjallët.
Ata që ecin në kalldremin e qyteteve fantazëm,
kishat gotike 
të Dielën lusin Pashkët,
unë rri.
Gjithmonë kam mendu se vij prej botës përtejme,
ku gjenezat i bajmë
me baltë e hi,
diku në thik malesh je ngjizë , ti.

Sa kisha dashtë
që në ditën e ringjalljes
të vish si KRISHTI,
në të majtën teme
e ti jap fund kësaj të rrejshme,
që nuk më përngjet.

Për të fundit herë 
në këtë jetë lamë një lamtumirë,
e nji kujtim gri 
që mi grish krejt sonatat e shpirtit,
por unë vij prej botës së përtejmë
ku nji ditë kena me u gjetë 
sy më sy,
ndoshta veç me dashtë
a me u përhimu njaty…

Hapet sonte edicioni i 17-të i Festivalit Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”

Hapet sonte edicioni i 17-të i Festivalit Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”.

Duke i bërë jehonë këtij aktiviteti të rëndësishëm artistik, Kryeministri Edi Rama i uroi suksese yjeve të rinj të lirikës botërore.

“15 konkurrentë të përzgjedhur mes 270 artistëve nga vende të ndryshme të botës, do të garojnë për çmimin e artistes tonë të madhe, Marie Kraja”, tha Rama.

Konkurrentët pjesëmarrës në këtë Festival vijnë nga vende të ndryshme të botës si: Itali, Spanjë, Rusi, Ukrainë, Turqi, Kinë, Kore, Shqipëri, Francë dhe Greqi.

Një repertor me ariet më të bukura dhe këngët legjendë të këtyre vendeve do të jetë pjesë e programit të festivalit.

Në këtë edicion do të marrin pjesë edhe dy të ftuar specialë, tenori me famë botërore Murat Karahan dhe virtuosi i violinës, fituesin e disa çmimeve ndërkombëtare Elvin Hoxha./A.T.SH/ KultPlus.com

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës sonte hapet ekspozita “METAXYUM”

Në ambientin e hapësirës së Galeria Kombëtare të Kosovës sonte do të hapet ekspozita Grouping – Moving – Spreading” METAXYUM”. Kjo ekspozitë ballafaqon revizionin e një ekspozite të ndaluar, e një ekspozite për të kundërtën e saj, shkruan KultPlus.

A ju kujtohet pranvera e vitit 1987? A i kujtohet ndonjë ekspozitë e FILOART në Prishtinë e cila ishte e ekspozuar vetëm për një natë? A ju kujtohet kur ajo ekspozitë ishte hapur ne Rijekë të Kroacisë dhe menjëherë pastaj ishte ndaluar me pretekst politik, nga shteti i atëhershëm? Shumë nga këto pyetje do ti gjeni përgjigjen gjatë kësaj ekspozite.

Kësaj radhe keni mundësinë t’i rikujtoni, shihni veprat e ekspozitës, dikur shumë të përfolur me titull: “Kjo nuk është ekspozitë por e kundërta e saj!!!!”.

Ekspozita përcjellët me video, dokumente dhe artefakte në kontekst kohor. Po ashtu mund të shihen pamje nga hapja e Ekspozitës në Prishtinë më 20 Prill të vitit 1987.

Ekspozita është një lloj Polytichon-i, e ndërtuar në disa nivele. Ajo përmban veprat e: Grupit FILOART 1986-1989; Lëvizjes FILOART: Sammlerfamilie, Psychiatriepatienten, D.N.K. (Dashuria Ndaj Katrorit), L.E.O., Mrs. Brainwash, U.R.A., Globalodromia, P.M.S.  prej 1991 deri tani; Arkivin per FILOART dhe Metaxyum.

Galeria Kombëtare e Kosovës do ti mundëson publikut të saj të shohë, vlerësojë dhe të ndërtojë mendimin për këtë ekspozitë, pa paragjykime si ishte rasti para 30 vitesh, por vetëm me vepra dhe dokumente.

“Grouping – Moving – Spreading” METAXYUM është e kuruar dhe organizuar nga The Activists dhe W.A.S.(World Anonimous Society). Hapja e ekspozitës bëhet duke filluar nga ora 20:00./ KultPlus.com

Benit

Serafina Lajçi

(Me po t’njëjtin mall, sot, si çdo mot) 

N’kujtesën time t’brishtë

ti ende e ke shikimin e thellë

e sytë t’ngjyrosur n’kaltërsinë e qiellit

Ende je Beni ecën vetë

kur imagjinata jeme

zinte yjet e ti m’diftoje 

se unë isha zana e malit

e bjeshkës…tande

Ende kur dehem nga aromë e Rugovës

e filloj vrapoj si ortek i rr’qethun

tu e ndje botën n’duar t’mija

Diçka m’thotë që aty 

Ti tash

Je fryma, paqja e qetësia

(Në shenjë kujtimi për njëzetvjetorin e rënies heroike të dëshmorit, Besnik Lajçi) 

Rita Ora publikon kolonën zanore të filmit “Detektivi Pikachu”

Rita Ora ka publikuar këngën e re “Carry On”, një bashkëpunim më Kygo për filmin me të ri Pokemon: Detektivi Pikachu, shkruan KultPlus.

Rita në videoklipin e këngës shihet e veshur me të verdhë dhe luan rolin e një detektive e cila është në kërkim të personazhit kryesor të filmit./ KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/BwbKnO9Fag1/?utm_source=ig_embed&utm_medium=loading

Ermonela Jaho ekskluzive për KultPlus: Brenda vitit do të paraqitem me një koncert në Tiranë

Sopranoja e famshme shqiptare brenda këtij viti do të prezantohet me një koncert në Tiranë, shkruan KultPlus.

Ky koncert do të mbahet në Tiranë, përkatësisht në sheshin “Nënë Tereza” e cila ka të bëjë me kauzën “Fjongo Rozë”, që i dedikohet luftës së kancerit të gjjirit.

Ermonela Jaho për këtë koncert në Tiranë ka konfirmuar për KultPlus e cila ka thënë se koncerti i Tiranës do të jetë në një periudhë të ngjeshur të paraqitjeve të saj nëpër botë, pasi që, dy koncerte të tjera po në atë periudhë janë paraparë edhe për Barcelonë.

Jaho ka thënë për KultPlus se ky koncert është një kontribut i saj personal për Shqipërinë, sikurse që ka konfirmuar se ky koncert do të mbahet në muajin tetor të këtij viti./KultPlus.com