“Familja ime Ylber”, Kroacia boton përralla ku përfshihen martesat e të të njëjtës gjini (FOTO)

Në Kroaci për herë të parë janë publikuar libra për fëmijë, në të cilët portretizohen familje të çifteve të të njëjtës gjini. Libri “My Rainbow Family” (Familja Ime Ylber) në pamje të parë duket si të gjithë librat e tjerë që u dedikohen fëmijëve, me shumë figura dhe i lehtë në përmbajtje.

Mirëpo shpejt mund të vëreni ndryshimet dhe risitë që sjellë ky libër me përralla. Fillimisht mund të lexohet nga fundi në fillim, ngaqë ka dy histori që takohen në mes. Pastaj këtu portretizohet një vajzë që ka dy baballarë dhe një djalë i cili ka dy nëna, shkruan klankosova.

Kjo është hera e parë e publikimit të një libri me përralla në Kroaci, ku trajtohet martesa e të njëjtës gjini./KultPlus.com

12 vjet më parë, homazhet për Ibrahim Rugovën (FOTO)

Vdekja e presidentit historik të Kosovës ishte shndërruar një dhimbje gjithë popullore, dhe jo vetëm, shkruan KultPlus.

Shumë qytetarë, në atë kohë kanë pritur me orë të tëra për të bërë homazhe pranë trupit të pajetë të Ibrahim Rugovës, edhe pwrkundër temperaturave tejet të ulta, deri në -15 gradë C.
Dhe jo vetëm shqiptarët kishin treguar këtë dhimbje, pasi që, në varrimin e Ibrahim Rugovës kishin marë pjesë me dhjetëra burrështetas, nga shtetet më të fuqishme në botë, duke u konsideruar si lamtumira më e madhe në rajon.






Presidenti i Kosovës, njëherësh kryetar i LDK-së, Ibrahim Rugova, ndërroi jetë më 21 janar 2006 në orën 11:38 në rezidencën e tij në lagjen Velania të Prishtinës. Presidenti për disa muaj vuante nga kanceri në mushkëri./KultPlus.com



“Fjala shqipe s’blihet në pazar”, nën interpretimin e mahnitshëm të aktores Margarita Xhepa (VIDEO)

Vargjet e poetit të madh shqiptar Dritëro Agollit tashmë janë ngulitur edhe në këngë të Ilir Shaqirit e Selami Kolonjës, kurse me një emocion të jashtëzakonshëm e sjellë edhe aktorja e madhe shqiptare, Margarita Xhepa, shkruan KultPlus.

Poezia “Poçari”, është shkruar vite më parë nga poeti i njohur shqiptar Dritëro Agolli. “Fjala shqipe s’blihet në Pazar”, është një nga fjalitë e fuqishme të kësaj poezie që tregon rëndësinë e gjuhës për një mërgimtar. Kjo poezi tregon se si në një dyqan në Stamboll, një vazo e thyer nxjerrë një sharje në gjuhën shqipe, e që e shuan mallin e poçarit shqiptar për të dëgjuar qoftë edhe një sharje në këtë gjuhë.

KultPlus ju sjellë tekstin e plotë të kësaj poezie.

Vajta në Stamboll të bëj pazar,
për kujtim të ble një vazo balte:
– Paqe dhe selam, usta poçar,
Vazon më të mirë po e pate
Paqe dhe selam, usta poçar!

Vazoja nga dora shkau e ra
Dhe m’u bë njëzet e pesë copë,
Më erdhi rrotull deti Marmara
Dhe m’u hap dyqani turk si gropë,
Më erdhi rrotull deti Marmara.

Pa më shau poçari keq turqisht,
Unë e shava shqip e mend i rashë;
Për çudi poçari nuk u ligsht,
Veç dy lot në sytë e kuq i pashë,
Për çudi poçari nuk u ligsht!

Mos u çmend ky turk, ky musliman?
Unë e shaj, ai me duar në qafë!
Poçe tjetër mori në dyqan
Dhe më tha: ” Më shaj, për besë, prapë!”
Poçe tjetër mori në dyqan.

Psheretiu si unë: ” Jam shqiptar,
Shqip, vëlla, ti shamë dhe një herë,
Fjala shqipe s’blihet në pazar,
Në dyqan ka vjet që s’e kam ndjerë,
Fjala shqipe s’blihet në pazar!”

Ikën nga dyqani burra e gra,
Unë e një poçar e tjetër s’kishte,
Vazot frynte deti Marmara,
Vazove poçari shqip u fliste,
Vazot mbushte deti Marmara./KultPlus.com

Tashmë kemi më tepër budallenj të bukur se budallenj të pabukur

Shkruan: Edison Ypi

Budallenj të bukur kemi pasur edhe më parë. Por ishin të pazararshëm, shihnin punën e vet, budallallëkun e vet. Koha kur njerëzia thoshin, “sa budallenj të bukur ka bota, le ti kemi dhe ne tanët”, iku. Tani që budallenjtë e bukur janë shtuar si hordhia e karkalecave mbi fushën me grurë, duket çudi si ndodhi që tashmë kemi më tepër budallenj të bukur se budallenj të pabukur.
Të veshur, të mbathur, të larë, të krehur, me muhabete të thjeshta dhe të rrafshëta deri në neveri, pa asnjë vullnet për të bërë diçka të dobishme, budallenjt tanë të bukur çfaqen kudo si tulla të njëllojta që sapo kanë dalë nga fabrika.

Me pamje të jashtëme të studiuar gjatë para pasqyrës, qasje nazelie ndaj interesimeve komunitare, budallai ynë i bukur duket si një kërmill i mbështjellë në guackë plot jargë budallallëku.
Budallai ynë i bukur s’ka haber nga puna, lodhja, sakrifica, frymëzimi, ndjeshmëria, dashuria.
Budallai ynë i bukur s’ka muhabet tjetër veçse Euro, aeroplana, orare, pizza, bileta, spagheti, receta, restorante, dreka, darka, pasarela, plazhe, udhëtime nëpër vende të huaja.

Tashmë budallenjtë tanë të bukur i kanë zënë pothuaj të gjitha fërngjitë e politikës, zyrat e ndryshme, Shoqërinë Civile dhe mediat vizive ku budallenjtë tanë të bukur bëjnë hatanë me lëvizje gjymtyrësh, kostume të errëta, kravata me ngjyra, ora të shtrenjta, dhe natyrisht budallallëk të pafundëm.
Budallai ynë i bukur është një tyç i azhornuar, një antikonformist që mposht me llafe mullinjtë e erës, një revolucionar i asgjësë, progresist hipokrit, modern i përvjellur.

Palestra, masazhi, plazhi, vrapi, kqyrja e datave të skadimit mbi kutitë e ushqimeve të ambalazhuara, celulari, kompjuteri, rrjetat sociale, janë shokët e pandarë të budallait tonë të bukur.
Autostradat, aeroportet, tunelet, urat, alumini, Interneti, birra, pijet freskuese, për budallain tonë të bukur nuk janë shpikur dhe nuk janë ndërtuar kurrë. Ato aty kanë qënë në jetë të jetëve në pritje të budallait tonë të bukur për t’ja kollajsuar jetën. / KultPlus.com

Portreti i rrallë i familjes së aktorit të madh Bekim Fehmiut (FOTO)

Aktori i shquar me prejardhje shqiptare Bekim Fehmiu, ka lenë gjurmë të pashlyeshme në kinematografinë ballkanike dhe në atë botërore, shkruan KultPlus.

Ky aktor i madh rridhte nga një familje e shquar nga Gjakova, ndërsa babai i tij Ibrahim Fehmiu njihej si një aktivist i shquar i gjuhës shqipe. KultPlus ju sjellë një fotografi në të cilën shihet familja e aktorit të madh Bekim Fehmiu, derisa ai ishte ende fëmijë.

Në këtë fotografi shihet nëna, gjyshja, motrat dhe vëllezërit e Bekim Fehmiut kurse vet Bekimi është mes nënës dhe gjyshes, para babait të tij. Fotografia është realizuar rreth vitit 1938./KultPlus.com

“Zois” i Bujar Alimanit do të prezantohet në Queen’s World Film Festival

Rrëfimi mbi piktorin shqiptar që u arratis duke kapërcyer edhe rrethojat elektrike do të prezantohet në “Queen’s World Film Festival”

Dokumentari “Zois” me regji të Bujar Alimanit, është përzgjedhur të jetë pjesë e edicionit të tetë te festivalit “Queen’s World Film Festival”, shkruan KultPlus.

Ky film dokumentar është bërë me regji të Bujar Alimanit, i përbërë nga prodecentet Damian Pervizi dhe Dritan Haxhia, edituar nga Sabir Kanaqi, kurse muzika është kompozuar nga Fatrin Krajka dhe zërimi nga Elvis Ikonomi.
Filmi përfshin një rrëfim rreth piktorit shqiptar Zois Shuttie, i cili u arratis nga komunizmi, duke kaluar edhe rrethojat elektrike dhe goditjes së plumbave nga rojet kufitare, ndërsa ky ishte vetëm fillimi i një udhëtimi të gjatë nga Evropa Lindore drejt SHBA-së./ KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=MLgCeabraqA

Ferma ”Grand Albanik”, ferma që ndërthurë kulturën shqiptare me atë franceze (FOTO)

Ferma ”Grand Albanik” është një kompleks agro-turistik i ndërtuar mbi një koncept sa modern aq edhe tradicional. E drejtuar nga një çift franko-shqiptar, kjo fermë është një ndërthurje shumë e mirë midis dy kulturave, asaj autentike shqiptare dhe kulturës së pasur e te rafinuar franceze, shkruan Nëntor Oseku, i cili ka shpërndare disa foto të cilat të magjepsin me bukurinë e kësaj ferme, shkruan KultPlus.

Kjo fermë ndodhet 17km, nga Këlcyra, 33 km. nga Përmeti, 58 km. nga Gjirokastra, 33km. nga Berati, e vendosur praktikisht midis dy luginave të rëndësishme turistike të Vjosës dhe të Osumit.


Tutje Oseku ka shpjeguar se kjo Ferma-bujtinë-restorant-kamping etj, është një destinacion ideal për vendpushim nga mund të shijohen bukuritë e pafundme të kësaj zone të mrekullueshme të Shqipërisë. Ndërsa një arsye tjetër fortë për ta vizituar është edhe kuzhina shumë elegante e Madjid-it, shefit francez që aq mirë i ndërthur specialitet franceze me prodhimet e çmuara të kësaj zone, aq shumë e njohur për vlerat kulinare. Ambienti i këndshëm dhe mikpritja e zotëve të shtëpisë do ta bëjnë qëndrimin tuaj shumë të rehatshëm, në mënyrë që të ndiheni si në shtëpinë tuaj./ KultPlus.com



Kalaja e Ulqinit është veshur Kuq e Zi (VIDEO)

Në kuadër të 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut qyteti i Ulqinit, më saktësisht Kalaja e qytetit është “veshur” kuqezi.

Në pamjet mbresëlënëse mund të shihen në murin e Kalasë së Ulqinit pamja e flamurit shqiptar dhe ajo e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut./KultPlus.com


Kënga arbëreshe “Na martohet Jurendina” e lashtë sa gjuha shqipe (VIDEO)

Këngetari Pino Kakoca (1957), është një arbëresh nga katundi Shënd Dimitër Koroni në Kalabri, prej nga ishte edhe shkrimtari e poeti, Jeronim de Rada. Fakti se kjo pjesë e ka ruajtur më shumë fanatizëm traditën shqiptare dëshmohet edhe përmes kësaj këngë arbëreshe e cila është e lashtë po aq sa gjuha shqipe, shkruan KultPlus.com

Kjo këngë flet për martesën e Jurendinës, ndërsa fton burra, gra e vasha të stolisura që të jenë pjesë e këtij ahengu për ta përcjellur martesën e saj me dhurata, valle, daulle, çifteli e dolli.
KultPlus po ju përcjellë këtë këngë arbëreshe të shoqëruar me pamje të jetës dhe kulturës arbëreshe në Itali, atje ku ata ruajtën traditën për 600 vite me radhë.

“Ngini (ngitni, ngani), oj gjindë të mira
Me dhurat’ e me dafina
Se martohet Jurendina
E ju, gra më të mëdha
Vjershëroni ju në dasmë
Lumturinë e Jurendinës
E ju, vashës të stolisur
Dridhni vallet të nisur
Me daull e çifteli
Ngrëni qelqet për dolli
Më fund e helqni këta raki
Për harenë e Jurendinës
Dehëni burra se na ndodhet
Një ditë çë s’mënd harrohet
Na martohet Jurendina
Qesh, oj më’, pa lot ndër sy
Nusja vete në Venetì
E Kostandini është besnik”.

Arbëreshët e Italisë Jugore (pjesa më e madhe) janë me prejardhje nga Shqipëria Jugore nga emigrimet e viteve 1400-1500-ës, si dhe nga viset arvanite të Greqisë jugore të po atyre viteve (pjesa më e madhe e tyre nga Labëria/Viset Çame nën Sarandë (Xarra, Butrinti, Markati apo Konispoli)./KultPlus.com

Hapet “thesi” per rrugen e Thethit, 6.2 milion euro investim

Kryetarja e Bashkisë e Shkodrës zj. Voltana Ademi ka patur sot një takim në Tiranë me drejtues të Bankës Botërore (BB) dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH) për projektet e infrastrukturës në zonën e Thethit dhe saktësisht mbi projektin e rrugës së Thethit, segmenti nga Qafë Thore në Theth.

Delegacioni i Bashkisë Shkodër kryesohej nga kryetarja zj. Voltana Ademi ndërsa Banka Botërore përfaqësohej nga Jing Xiong- Team Leader i Programit të Infrastrukturës të Mbështetur nga BB , Simon Ellis- Program Leader i Programit të Zhvillimit të Qëndrueshëm për Ballkanin Përendimor.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit përfaqësohej me nëndrejtorin Blendi Bushati. Diskutimi është përqendruar në termat e referencës që duhet të plotësohen për një projekt sa më të mirë për infrastrukturën jo vetëm për rrugën por për të gjithë fshatin Theth. Në emër të Bashkisë, kryetarja zj.

Ademi ka falenderuar Bankën Botërore që e ka përzgjedhur projektin e saj për ta mbështetur në kuadër të Programit për Mbështetjen e Infrastrukturës së Rrugëve Rurale. Bashkia Shkodër ka aplikuar me 3 projekt- propozime dhe ky projekt është shpallur fitues. Nga ana tjetër, BB do të mbështesë Bashkinë e Shkodrës me asistencën teknike dhe më konkretisht, qoftë me mirëmbajtjen në vazhdimësi të kësaj rruge dhe rrugëve të tjera rurale, por edhe për projekte të zhvillimit të zonës së Thethit dhe për komunitetin e Thethit, në veçanti për menaxhimin e bujtinave, menaxhimin e territorit, zhvillimin e lehtësive për shërbime dhe të tjera aspekte që për zonën e Thethit janë prioritare.

Gjatë takimit, kryetarja e Bashkisë zj. Voltana Ademi adresoi edhe problematika të tjera të rëndësishme për zonën e Thethit siç është furnizimi me energji elektrike të të gjithë zonës si një nevojë që pret zgjidhje me fonde nga qeveria shqiptare apo donatorë të tjerë. Energjia elektrike është një nga shërbimet kryesore të munguara për Thethin.

Ndërsa shërbimi i mbledhjes, transportit për në landfill i mbetjeve, shërbimet për turistët, guidat turistike, asistencë për pjesën e ndërtimit arkitekturor të bujtinave po bëhet i mundur nga Bashkia Shkodër, zj. Ademi kërkoi që të zgjidhet cështja e pronësisë për bujtinat dhe tokën për banorët e Thethit- problem ky akoma i pazgjidhur.

Megjithëse përpjekjet e Bashkisë Shkodër vazhdojnë në këtë drejtim, çështje që lidhen me procedura të pamiratuara nga Ministria e Financave, nuk i japin mundësi Bashkisë të pajisë me dokumentacionin përkatës të pronësisë të banorëve të Thethit qoftë për bujtinat apo edhe tokat për të cilat nuk ka një ligj specifik në fuqi, shkruan shkodra info.

Projekti i rrugës së Thethit është propozim i Bashkisë Shkodër. Në këtë program të BB, është aplikuar me 3 projekte:

projekti i rrugës së Thethit, projekti i rrugës së Drishtit, projekti i rrugës që lidh fshatin Bardhaj me fshatin Rrenc në NJA Guri i Zi, projekti i rrugëve të brendshme të Velipojës. Fokusi i programit të mbështetur nga BB ka qënë tek zonat që kanë potencial të zhvillimit të turizmit dhe të agro- turizmit. Deri tani, është shpallur fitues projekti i Thethit që do të marrë zgjidhje me fondet e Bankës Botërore.

Marrëveshja e kredisë në mes Bankës Botërore dhe Qeverisë Shqiptare për financimin e projektit, pritet të lidhet ne mars të këtij viti dhe ka një vlerë 6.2 milion euro.

Kaçurrelat, perla e muzikës shqiptare e kompozuar në burgun komunist

Ka dy lloj burgjesh për njeriun: I pari për trupin dhe i dyti për shpirtin.
Burgosja e trupit gjatë komunizmit nuk ishte në dorën tonë, ama ajo e shpirtit po. E pkërisht me këtë motiv, kompozitori dhe muzikanti shkodran, Gac Çuni kaloi vitet e burgimit të padrejtë nga një sistem padrejtësish.

Një natë, të gjithë të burgosurit u çuditën kur nga një prej qelive, një zë i ëmbël hyri si dritë mes errësirës së vuajtjes e terrorit. Ishte zëri i Gac Çunit që i këndoi një këngë të jashtëzakonshme një vajze me të cilën e lidhte ndjenja platonike e dashurisë!, shkruan konica.al.

Këngë me natyrën e këngëve të dikurshme greke, pa muzikë të regjistruar e pa tekst të shkruar, por të transmetuar për vite me radhë ndër qelitë e vogla të burgjeve, deri kur pas ’90-tës, bashkë me të burgosurit, fitoi lirinë e saj duke dalë në botën e vërtetë në kërkim të atij frymëzimi platonik që shtyu Gacin të bënte këtë perlë.

Më poshtë janë vargjet e kësaj kënge dhe partitura me notat e saj muzikore, marrë nga libri “250 Këngë qytetare Shkodrane” me autorë Tonin Dajinë e Tonin Zadejën.
Kaçurrelat

Natyra t’fali, bardh – o si bora,
Unë permbas tejet, jeten e bora;
Oh! Se dy sytë m’i kanë verbue,
M’i kanë verbue moj kaçurrelat
Kaçurrelat e tu.
Aman kaçurrelat, kaçurrelat e tu!

M’i ke faqet, t’kuq – o si gjaku,
Se me ty vashë m’ka xan maraku;
Oh! Se marakun ma kanë shtue
Ma kanë shtue moj kaçurrelat,
Kaçurrelat e tu.
Aman kaçurrelat, kaçurrelat e tu.

Kënga “Mall” në versionin e një muzikanti anglez (VIDEO)

Kënga “Mall” e Eugent Bushpepa realizohet cover nga muzicientë të huaj shkruan KultPlus.

Danny McEvoy është një muzikant i ri nga Anglia, i cili ka interpretuar shumë këngë të njohura. Ai gjatë interpretimit të këngës “Mall” të Eugent Bushpepës, shfaqet me shenjën e flamurit të Shqipërisë. Pas përfundimit të këngës ky muzikant kërkon falje për shqipen e tij gjatë këndimit të kësaj kënge./ KultPlus.com

Zbulohet menuja e rrallë e vitit 1944, ja si festuan komunistët njëmujorin e çlirimit (FOTO)

Hotel Dajti në Tiranë sot është një godinë e vdekur, por dikur ky hotel shkëlqente në luks dhe komoditet që ndoshta asnjë hotel nuk e ka arritur ende në Shqipëri.

Flasim për vitet 30 dhe 40, kur Hotel Dajti ishte vendi i vetëm që ofronte një shërbim unikal dhe të pakrahasueshëm. Gjatë viteve të ashpra të luftës, Hotel Dajti qëndroi i hapur dhe i paprekur. Me hyrjen e komunistëve në Tiranë, Hotel Dajti u kthye në rezidencë, zyrë dhe ambjent pritjesh për Enver Hoxhën. Dalëngadalë, ky hotel i magjishëm në Tiranë e humbi shkëlqimin nën komunizëm.

Në vitin 1944, kur komunistët kishin 1 muaj në pushtet, aleatët britanikë organizuan një darkë festive për Vitin e ri në Hotel Dajti. Ftesa e britanikëve për udhëheqjen politike dhe ushtarake komuniste ka mbijetuar deri më sot. Brenda saj është menuja e darkës festive, e shkruar në frëngjisht me një larshmëri gatimesh, edhe pse vendi ndodhej në një varfëri të skajshme dhe i sapodalë nga lufta.
Pjesë e menusë ishin gatime që ndoshta sot nuk shijohen më në restorantet e Tiranës si troftë e zier nga liqeni i Ohrit me salcë majoneze, rosto viçi gatuar sipas mënyrës angleze, pulë e pjekur Kavaje, eskallopë etj, dhe sigurisht pa munguar ëmbëlsirat, vera e mirë, konjaku, xhini apo uiski. Studiuesi Erald Kapri në një shkrim për newsbomb.al ka publikuar disa foto të rralla nga menuja dhe nga festa e komunistëve.

Fotot e darkës tregojnë për një shërbim aristokratësh, të një Shqipërie që humbi gjatë diktaturës.

Në festën e britanikëve Enver Hoxha nuk mori pjesë, por të gjithë ministrat e tij po, bashkë me udhëheqësit e tjerë komunistë. Kjo do të ishte darka e fundit mes komunistëve shqiptarë dhe aleatëve perëndimorë si britanikët dhe amerikanët. Shumë shpejt ata u larguan nga vendi.

QKK me delegacion në Trieste të Italisë

Qendra Kinematografike e Kosovës vitin e kaluar ka arritur marrëveshje me When East Meets West, i cili është forum i bashkëprodhimit me fokus vjetor në Evropën Lindore dhe Perëndimore, shkruan KultPlus.

Ky forum ndihmon producentët të identifikojnë fonde të ndryshme dhe fonde alternative, si dhe ndihmon në mundësitë e distribuimit në rajonet që kanë më shumë vëmendje. Gjithashtu, lehtëson në procesin e bërjes së politikave mes territoreve në fokus, në mënyrë që të nxiten bashkëprodhime të reja ndërmjet industrive që ende nuk janë të lidhura mirë.

Edicioni i vitit 2018 do të filloj më datë 21 deri 23 janar në Trieste të Italisë, ku pjesë e delegacionit të udhëhequr nga drejtori i QKK-së, janë filmbërësit me projektet e tyre filmike, si: Bujar Kabashi me projektin ‘Aga’, Ujkan Hysaj me ‘Hana’, Blerim Gjoci me ‘Kodra e Diellit’, Besnik Krapi me ‘Fusha e Mëllenjave’ dhe Fatmir Spahiu me projektin ‘Njeru i Dosjeve’. Gjatë këtij forumi tre ditor, drejtori i QKK-së, Arben Zharku, do të jetë pjesë e paneleve të ndryshme të diskutimit./KultPlus.com

Mbërrin në Tiranë, shqiptari i nisur nga Londra me ZIL (FOTO)

Gent Jakupi sëbashku me menaxherin e firmës së tij, Rob Gerrish kanë mbërritur në Tiranë pasi kanë përshkruar 2600 kilometra me një automjet të vjetër ushtarak rus, ZIL, shkruan top channel.

Po rrugën e kthimit për në Londër, Gent Jakupi duket se nuk do ta bëjë me ZIL-in rus, por me avion, duke thënë gjatë intervistës me Juli Krisafin se automjetin që çdokujt i kujton periudhën e komunizmit do ta lërë në Shqipëri në dispozicion të filmave dhe TV./KultPlus.com

Kishat e Voskopojës në listë rreziku

12 kisha të Voskopojës dhe Vithkuqit janë nominuar nga organizata “The past for the Future” si kisha në rrezik. Sipas organizatës në fjalë objektet janë të neglizhuara tërësisht dhe nën menaxhimin e Institutit të Monumenteve. Dëmet janë cilësuar të ardhura nga hyrja e ujit në çati dhe nga dritaret, ndërsa flitet për dëme në afreske.

Organizata “The past for the future” ka kërkuar që këto kisha të futen në listën e objekteve të rrezikuara të Europa Nostrës për vitin 2018. Në të njëjtën listë, organizata kërkon të fusë edhe Gjirokastrën.

Duket se i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Ministrisë së Kulturës. Kjo e fundit përmes postimeve të ndryshme, ka bërë me dije ndërhyrjet në kishat e Voskopojës dhe restaurimet e bëra së fundmi sikundër projektet e realizuara dhe ato të miratuara për Gjirokastrën. Ministria hedh dritë pikërisht mbi investimet që kanë nxjerrë nga rreziku kishat në atë zonë, që sidomos në dy vitet e fundit ka pasur një vëmendje të madhe duke tërhequr fonde të konsiderueshme.
Reagimi i ministrisë:
Në fshatit turistik Voskopojë ka përfunduar projekti për restaurimin e strukturave në kishën e Shën Nikollës, Shën Marisë, manastiri i Shën Prodhomit dhe kisha e Shën Ilisë ka njoftuar Ministria e Kulturës.
“Me një ndërhyrje me mbi 12 milionë lekë të reja kemi nxjerrë këto kisha nga rreziku. Korça është një nga hambarët e turizmit kulturor dhe itinerari i rrugës së besimit në Korçë e ka pikën kulmore në Voskopojë, për të vazhduar me kantieret në Dhërmi, Vuno, Gjirokastër”, pat deklaruar ministrja Mirela Kumbaro nga Voskopoja.

Ministria bën me dije se Kisha e Shën Nikollës, Voskopojë ka rëndësi të veçantë, si në aspektin historik dhe atë arkitektonik si dhe ka vlera të çmuara për pikturën murale dhe artin e dekorit në interier. Restaurimi i kryer konsiston në ndërhyrjet për përmirësime dhe për ruajtjen, rinovimin e objektit në drejtim të kohëzgjatjes së tij si monument. Përveç arkitekturës në këtë projekt, më vonë do të ketë dhe trajtime të pikturave murale në pjesët e tyre të brendshme dhe të jashtme. Të dyja ndërhyrjet do të rritin vlerën e objektit dhe njëkohësisht pritet që të rritet vizitueshmëria.
Investimi për rehabilitimin e qendrës historike të Voskopojës kap vlerën 365 milionë lekë të reja dhe, përveç rikonstruksionit të 4 kishave, përfshin edhe investime në infrastrukturën rrugore të fshatit.
Në Voskopojë po ecën me ritme të shpejta një nga investimet më të rëndësishme të qeverisë shqiptare, me synimin që ta kthejë këtë qytezë në një pikë turistike të vizitueshme për 12 muaj. Projekti përfshin rikonstruksionin e plotë të rrugëve, qendrës, sistemit të ndriçimit dhe restaurimin e plotë të 4 kishave të shpallura Monument Kulture.

Manastiri i Shën Prodhromit ndodhet në anën veriore të Voskopojës. Është ndërtuar në një pozitë të bukur natyrore, në mes të një pylli pishash dhe me pamje të gjerë të peizazhit rrethues. Kisha, e ngritur në mes të oborrit, formon qendrën kompozicionale të manastirit. Sipas mbishkrimit të gdhendur në një pllakë mermeri, të vendosur mbi portën e hyrjes ndërtimi i kishës është bërë në vitin 1632, ndërsa pikturimi në vitin 1659. Gjendja e konakëve ka qenë e degraduar dhe rrezikonte të shembej. Ndërhyrja restauruese e përfunduar para disa muajsh na jep sot këtë pamje të plotë.
Gjirokastra
Vetëm dy ditë më parë u bë me dije se 18 banesa në qytetin e Gjirokastrës do t’i nënshtrohen restaurimit. Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të KKR-së, e cila miratoi projektet restauruese të hartuara nga IMK dhe Drejtoria Rajonale e Kulturës në Gjirokastër në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës. Në listën e shtëpive që do të restaurohen janë edhe ato më të rrezikuara si banesa e Kabilatëve, banesa Çano, Lolomani, Skënduli etj, të cilat do t’i nënshtrohen një restaurimi tërësor sipas projekteve specifike për secilën prej tyre.
Një seri e banesave që do të restaurohen të cilat janë: banesa Kabilatët; Zeko; Lolomani; Batha; Skënduli; Kokobobo; Gurgai ; Ish-Radio dhe banesa Çano janë pjesë e projektit “Shtëpitë e shkrimtarëve”, një projekt i cili parashikon ndërhyrje në strukturën e brendshme dhe të jashtme të këtyre banesave të trashëgimisë materiale, për të evidentuar dhe konservuar vlerat historike dhe artistike të tyre, bazuar në modelin e shtëpisë së Kadaresë.

Përveç banesave që janë pjesë e projektit “Shtëpitë e Shkrimtarëve”, KKR miratoi edhe projektet e restaurimit dhe rehabilitimit të fasadave në lagjen Hazmurat dhe Pazari i Vjetër në Gjirokastër për banesat, “Avdi Bozgo”, “Familja Aliko” , “Zapanaja Alimatët”, “Pajtim Ahmeti” , “Hirov Spahiu”, “Vëllazëria Dudumi”, “Kamberi dhe Krongo” , “Familjes Jaupi”, “Familjes e Sevo Caro”.
Ndërhyrjet restauruese të parashikuara në banesën ZEKO do të jenë kryesisht në punimet e brendshme për restaurimin e elementeve drusorë, elementeve arkitektonikë të interierit, restaurimin e çatisë ekzistuese si dhe sistemimin e ambientit të jashtëm. Banesa BATHA ka pësuar ndryshime kryesisht në ndarjet e brendshme, hapje dritare dhe dyer të reja si dhe shtesa anësore të jashtme që lidhen me objektin ekzistues fillestar. Meqenëse banesa paraqitet në gjendje të mirë konservimi, ndërhyrjet e parashikuara në të konsistojnë kryesisht në restaurimin e elementëve drusorë testekëve, zëvendësimi i dyer dritareve, zëvendësimi i shtrimit të dyshemesë, restaurim i brezit lidhës, restaurimi i fasadës, restaurimi i çatisë me rasa guri. Banesa Batha në lagjen Hazmurat, është një ndërtesë gjirokastrite me një kompozim të thjeshtë që çon në variantin fillestar të tipit të banesave gjirokastrite.

Banesa Çano ndodhet brenda Qendrës Historike të qytetit të Gjirokastrës ka një vlerë shumë të madhe për kompozimin e saj tepër të thjeshtë, që i përket variantit të pazhvilluar me dy krahë. Gjatë viteve, kjo banesë ka pësuar ndryshime të shumta në katet e banuara duke zvogëluar ambientet fillestare, për të rritur numrin e tyre dhe për pasojë ka humbur shumë nga elementet origjinalë të saj.

Rita Ora publikon këngën e re të inspiruar nga storjet e fansave (VIDEO)

Pas bashkëpunimit të saj të sukseshem me Liam Payne i cili është duke e bërë rrugën e tij deri në Billboard Hot 100, Rita Ora ka shumë për t’u krenuar me fillimin e këtij viti. Por së pari, ajo po i ndihmon fansat e saj që të ndihen krenare përmes një fushate dhe përmes kënges së sapopublikuar, shkruan KultPlus.

Ora është fytyra e “The Open Mic Project”, që po “bashkon zërat e krijuesve të ndryshimeve dhe fansave të guximshëm” duke avokuar biseda të hapura përmes tregimeve të pranimit. Tregimet e paraqitura nga tifozët janë arkivuar në faqen zyrtare të projektit, por janë gjithashtu të ilustruara në këngën e fundit të Ritës, e cila titulliher “Proud”. “Jam më shumë se e lumtur të shpërndaj këngën time të inspiruara nga storjet e juaja”, ka shkruar këngëtarja shqiptare në “Instagram”. /KultPlus.com

Galeria mahnitëse, kur New York ishte një fshat (FOTO)

New Yorku sot është një nga vendet më të zhvilluara, ku ngrihen kulla nga më të lartat në botë.
Gjithsesi, shumë pak njerëz e dinë se shumë vite më parë, ky vend ka qenë thjesht tokë bujqësore, ku ngriheshin disa ferma.

Muzeu i koleksionit online të Qytetit të New Yorkut zbulon një sërë fotosh që tregojnë se si dukej qyteti në atë kohë.

Galeria përmban ilustrime dhe fotografi të kodrave New York City, të cilat më vonë u shkatërruan për të krijuar atë që është sot.


Edhe dy ditë deri në mbyllje të konkursit të poezisë “KultStrofa”

Konkursi mbarëkombëtar i poezisë “KultStrofa”, hapë thirrjen për edicionin e dytë të këtij konkursi. Konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë edhe të rinjtë.

Organizatorët kanë bërë të ditur se në këtë konkurs mund të aplikojnë të gjithë të interesuarit me vetëm nga një poezi, poezia duhet të jetë e pabotuar dhe duhet të dërgohet me emër dhe mbiemër, në adresën [email protected], me subjektin “Për konkursin e poezisë “KultStrofa”. Nuk pranohet asnjë poezi që vjen nëpërmjet formave tjera.

Dhjetë poezitë më të mira do të përzgjidhen nga juria profesionale, kurse nga dhjetë poezitë, më pas do të zgjidhen tri poezitë më të mira, të cilat edhe do të shpërblehen nga organizatori.
“KultStrofa”, organizohet nga gazeta online për kulturë dhe art www.kultplus.com, kurse sponsor gjeneral i këtij edicioni është ProCreditBank.

Thirrja do të jetë e hapur deri më 20 janar. /KultPlus.com

Në të kaluarën tonë, shtënia me armë kishte qëllim konkret, sot shpërfaqë “folklorizëm”

Shkruan: Elizabetë Qarri

Megjithëse trashëgimia e një populli konsiderohet si tërësi unike kulturore, individi trashëgon specifika vendore regjionale të cilat në rrethana të caktuara dhe i motivuar nga stimuj të ndryshëm, shpërfaq ato si fenomene të cilat reflektojnë përkatësi kulturore gjeografike, por jo rrallëherë edhe inercion momental arkaik.

Harta dhe konteksti gjeografik duke pasur parasysh jetën sociale si faktor kulturor, janë determinantë kryesorë të përcaktimit të sjelljeve njerëzore në shoqëri, e rrjedhimisht edhe fenomeneve të ndryshme që shfaqen në një kontekst të caktuar shoqëror.

Disa procese që lidhen me historinë e një populli apo edhe me vetë jetën e individit si qenie, ashtu sikur kanë kohën kanë edhe momentin e tyre. E tillë ishte edhe shtënia me armë, e cila në të kaluarën tonë kishte qëllim dhe funksion konkret, pra kushtrimin përkatësisht lajmërimin e krushqve kur “merrnin nusen“ apo manifestimin e ceremonialeve e gëzimeve të ndryshme familjare. Por, bartja e këtyre fenomeneve nga një hapësirë autentike burimore para një populli nga përmbajta heterogjen, në rrethanat e sotme ka një transpozicion të madh si emocional ashtu edhe psikologjik dhe si e tillë shkakton gjendje objektivisht të papranueshme.

Një popull i qytetëruar ruan dhe çmon kulturën e tij autentike, por keqinterpretimi dhe keqpërdorimi i karakteristikave apo ritualeve të caktuara në emër të “tradicionales” qoftë me apo pa vetëdije, cenon vlerat e secilit popull, komb apo edhe vetë individit. Në qoftëse problemit i qasemi nga pikëpamja socio – kulturore, bartja e “ritualit” të shtënies me armë nga origjina e tij autientike paraqet një problem tejet kompleks për shoqërinë tonë, e mbi të gjitha shpërfaq një mentalitet të ashtuquajtur ”folklorizëm” i cili qoftë edhe nga ky këndvështrim i trajtuar, dëmton sërish trashëgiminë shpirtërore të popullit.

Tipar kundërthënës neve shqiptarëve na kanë karakterizuar historikisht, si psh. temperamenti në njërën anë dhe durimi në anën tjetër, por jo rrallëherë këto karakteristika janë përcjellur edhe me nevojën e pamposhtur për tu identifikuar me “tiparë burrërorë”. Deliri i manifestimit të gëzimit bashkë me dramën e rrezikut për jetën brenda një uniteti binar, sintetizon egon njerëzore dhe logjikën e stoicizmit, e këto bashkë shpeshherë për bilans kanë sjellë fatalitetin njerëzor, fenomen ky që na ndjek edhe sot, e fatkeqësisht, akoma nuk po ia dalim të mohojmë akte të tilla.

Duhet të kuptojmë se me ndryshimin e kushteve dhe rrethanave të jetës, natyrshëm ndodhin edhe transformimet në shoqëri. Si pranimin, ashtu edhe refuzimin e fenomeneve të caktuara në shoqëri, duhet trajtuar si probleme socio-kulturore, që lëndojnë integritetin njerëzor por dhe të pengojnë emancipimin e tyre. Duke qenë shoqëri në zhvillim, duhet të kuptojmë se krahas saj evoluojnë edhe proceset shoqërore në përgjithësi, pra evoluimi ecë paralelisht me të gjitha transformimet që ndodhin brenda saj në të gjitha sferat e jetës, e këto etapa duhet akceptuar si normale.

Përveç tjerash, evoluimi nënkupton edhe trasnformimin e nivelit të traditës nga një periudhë kohore në një tjetër. Duke e ndjekur këtë trasnformim në shoqëri, njeriu modern i nënshtrohet një dinamike të caktuar shoqërore, duke respektuar një rend sistematik, i cili apriori nënkupton respektim të normave të asaj shoqërie. Pra, ç’do tendencë për të justifikuar apo relativizuar aktin e fenomeneve të tilla qoftë edhe aktin e shtënies me armë gjithnjë në emër të ”tradicionales”, paraqet elementë të theksuar të problematikave etnopsikologjike.

Në anën tjetër, paraqitet fenomeni homo duplex dhe individi i ndrydhur në mes veprimeve e dëshirave të nxitura nga instikti, si dhe kufizimeve shoqërore si ndërgjegje kolektive, e cila në njëfarë mënyre disiplinon dëshirat e vullnetit individual. Në këtë antagonizëm, gjejmë rivalitet midis integrimit apo jo të individit brenda normave shoqërore. Në shoqëritë e bazuara në lidhje farefisnore ndërgjegjia kolektive është më e ulët, që do të të thotë se sa më i pa integruar të jetë komuniteti, aq më “normal” cilësohet fenomeni. Duke qenë homogjene për nga struktura, në këto rrethana është mjaft i theksuar solidariteti, i cili poashtu është nxitës i madh i këtyre dukurive. Në të kundërtën, një shoqëri e integruar dhe me ndërgjegje të lartë, marrëdhëniet shoqërore i vendos në funksion të artit dhe shkencës ndërkaq perspektivën e saj e ndërton drejt normave universale, si parime të vetme të një një mjedisi modern./KultPlus.com

Gresë Lahu sjellë ekspozitën “Nature in and out”

Gresa Lahu këtë të shtunë do të sjellë ekspozitën “Nature in and out”, në Traffic Gallery, shkruan KultPlus.

Fjalën “keramikë” kur e dëgjojmë na kujtohen filxhanët e kafesë ose pllakat, ose shume gjëra të tjera që na shërbejnë për të jetuar më lehtë. Duke përdorur qeramikën për të bërë art, dhe duke e studiuar, më ka lënë mbresa fakti që i gjithë materiali për qeramikë si mella dhe ngjyrat vijnë nga natyra, është një copë e tokës me të cilën unë krijoj diçka”, ka thënë artistja në njoftimin e kësaj ekspozite.

“Dhe siç e dimë njeriu duke punuar me tokë qoftë duke e punuar për të sjellë fryte si perimet ose pemët, qoftë duke e përdorur për të krijuar diçka .. ai kontakt me natyrën kthehet në meditim sepse siç e kam dëgjuar shpesh nga bujqit si shprehje “toka ta thith energjinë e keqe”, ose kam parë artikuj si puna me qeramikë e shëron depresionin. Duke u bazuar edhe nga përvojat personale dhe duke e parë këtë fenomen tek të tjerët kam filluar të dashurohem edhe më shumë në natyrë dhe në punën me qeramikë, dhe në çdo punim kam paraqitur natyrën tonë njerëzore dhe lidhjen që e kemi me natyrën rreth nesh”
, ka shpjeguar artistja Lahu lidhur me këtë ekspozitë.

Ekspozita do të hapet këtë të shtunë duke filluar nga ora 20:00 në Traffic Gallery./KultPlus.com

Dalai Lama: Njeriu jeton sikur nuk do të vdes asnjëherë, por pastaj vdes pa jetuar kurrë

Ai në vend që të ketë rrudha të thella në fytyrën e tij, ai ka vezullim në sytë e tij. Dalai Lama është njëri nga budistet më me influencë të madhe politike në Tibet.

Nga shumë thënie të qëlluara ai ka dhënë edhe një përgjigje mjaftë interesante lidhur me atë se çfarë e çudit më së shumti tek njerëzimi. Lidhur me këtë pyetje, kryefjala e përgjigjes së tij ishte “Njeriu”.

“Njeriu. Sepse ai sakrifikon shëndetin, për të fituar para. Pastaj, ai sakrifikon paratë, për të rifituar shëndetin. Dhe pastaj, ai është kaq në ankth për të ardhmen e tij, saqë nuk shijon të tashmen; rezultati është që ai nuk jeton as në të tashmen, as në të ardhmen; ai jeton sikur nuk do të vdesë asnjëherë, por pastaj vdes, pa jetuar kurrë”./ KultPlus.com

Bill Clinton: Njerëzit nga mbarë bota donin të dëgjonin rrëfimin për gurin e Rugovës (VIDEO)

Bill Clinton e kishte vizituar Kosovën në nëntor të vitit 2009, me rastin e ngritjes së statujës së tij në Prishtinë, ku gjatë kësaj vizite ai në një fjalim në Parlamentin e Kosovës kishte përfshirë edhe rrëfimin e tij për vizitën e Rugovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan KultPlus.

Bill Clinton e fillon fjalimin e tij me falënderim për njerëzit të cilët nuk janë të pranishëm por që kanë kontribuar mjaft shumë në sigurinë e Kosovës, kishte thënë se atë moment dëshironte ta shfrytëzonte për ta përkujtuar presidentin historik, Ibrahim Rugovën.
“Do të doja të kujtoj paraardhësin tuaj i cili ishte një njeri i shkëlqyer”, pat thënë Clinton gjatë këtij fjalimi.

Tutje ish- presidenti i SHBA-së pat treguar për rëndësinë e një dhurate që i kishte dhuruar Rugova gjatë vizitës së tij në SHBA, dhe se si ky gur unik u bë i njohur gjatë trajtimit të problematikës së Kosovës në Shtëpinë e Bardhë.

“Kur më dhuroi një gur unik i cili ishte gjysmë kristal, gjysmë diçka tjetër nuk më tha krejt çka është, i cili u bë i njohur në Shtëpinë e Bardhë, derisa merreshim me problemin e Kosovës. Ai u bë i njohur si “guri i Rugovës” dhe njerëzit vijnë nga mbarë bota dhe dëshirojnë të dëgjojnë rrëfimin, kështu që kam një gur tjetër sot që do ta vendos në Nju Jork në mënyrë që të ju kujtoj” kishte thënë Clinton.

Po ashu Clinton pat treguar edhe rrëfimin që kishte ndarë me Rugovën lidhur me rëndësinë e kësaj dhurate për të dhe lidhjen që kishte kjo me vendlindjen e tij. Më pas Clinton tregoi dhe përgjigjen që kishte marrë nga presidenti Rugova, pas rrëfimit të tij.

“Mirëpo nuk e thash pjesën tjetër të rrëfimit kur presidenti Rugova më dha këtë kristal të bukur, unë ia sqarova atij se unë jam rritur në një vend që nga aspekti gjeologjik ishte i ngjashëm me Kosovën, vendlindja ime ishte burimi më i madh i kristalit të papërpunuar çdo kund në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe kur shkova larg në Universitet, unë si i ri fillova një kurs në gjeologji dhe kisha një profesor i cili nuk dinte se nga isha dhe ditën e parë që ishim në mësim më tha, vendi më interesant në SHBA nga aspekti gjeologjik është shteti i vogël i Arkansasit, aty ku isha rritur unë, dhe pastaj e përmendi vendlindjen time. Kështu kur ia tregova rrëfimin presidentit Rugova më tha ‘Atëherë duhet të na ndihmosh sepse është fati i tillë’, dhe është nder për mua që të jem këtu”, ishte shprehur Clinton gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës.

Presidenti historik Rugova gjatë vizitës së tij në SHBA gjatë vitit 1998, kishte vizituar Shtëpinë e Bardhë dhe ishte takuar me presidentin Clinton ndërsa ishte takuar edhe me media pas takimit me presidentin. Atë ditë Rugova e kishte cilësuar si ditë historike për Kosovën, shkruan KultPlus.
“Zonja dhe zotërinj sot ishte një ditë historike për Kosovën. Pranimi i kryetarit të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë është një ngjarje historike. Jam shumë i nderuar dhe kërkuam që të bëhet diçka urgjentisht në ndaljen e dhunës dhe sulmeve në Kosovë. Zgjidhja më e mirë për Kosovën është një Kosovë e pavarur dhe kërkuam një fazë transitore për Kosovën që të ndalet dhuna dhe të kërkojmë një zgjidhje politike. Gjithsesi kërkuam një prezencë më të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe një mbrojtje më të madhe”, kishte thënë presidenti Rugova pas këtij takimi./KultPlus.com