Krijo suksesin tënd, me edukim amerikan në UNI – Universum International College, fuqizuar nga Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA dhe nr. #1 për Inovacion, për të nëntin vit me radhë.TRANSFERONI studimet në Universum dhe merrni diplomë të fuqizuar nga Arizona State University.
Regjistrohu Online për informata: https://universum-ks.org/apliko/
Të gjithë studentët të cilët diplomojnë nga UNI – Universum International College, do të pajisen me diplomë “Fuqizuar nga Arizona State University”.
Përmes këtij partneriteti, mund të përfitojnë edhe studentët nga institucionet tjera të cilët i TRANSFEROJNË studimet në Universum dhe të marrin diplomë të fuqizuar nga Arizona State University.
Transfero të gjitha provimet nga universiteti paraprak përfito zbritje & shkëmbim semestral në njërin nga 221 Universitetet Partnere në 26 shtete të BE-së me BURSË të plotë.A dëshironi edhe ju t’i transferoni studimet në Universum, t’i ndjekni ligjeratat me orar fleksibil pa shkëputje nga puna dhe pastaj t’i vazhdoni ato jashtë vendit me bursë të plotë? Shiko programet e akredituara për studime në UNI-Universum International College duke klikuar KËTU.Në partneritet me Arizona State University,
UNI – Universum International Collegeofron:
- Mundësi për diplomë të dyfishtë nga Arizona State University
- Qasje në kurrikulen e Arizona State University
- Studime me standarde amerikane
- Studime në 26 shtete të BE-së dhe Turqi me bursë të PLOTË
Për më shumë informata ndiqni faqen në facebook, kontaktoni në [email protected] apo telefononi në +383 44 144 062.
Autor: Kult Plus
Presidentja Osmani takoi Presidentin e Gambisë, Adama Barrow
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në New York është takuar me Presidentin e Gambisë, Adama Barrow.
Osmani është shprehur se kanë pasur një diskutim të frytshëm me Barrow.
“Diskutim i frytshëm me Presidentin e Gambisë, Adama Barrow, në New York. Mundësi e shkëlqyer për ta rikonfirmuar përkushtimin tonë ta përbashkët për forcimin e marrëdhënieve midis dy shteteve tona, si dhe për ta avancuar bashkëpunimin në dobi të qytetarëve tanë”, ka shkruar Presidentja Osmani./KultPlus.com
Redaksitë e “Enciklopedisë shqiptare” takohen në Prishtinë
Në Prishtinë u zhvillua takimi i redaksive të fushës “komunikim dhe mjete të komunikimit” për hartimin e fjalësit të njësuar.
Në takim mori pjesë edhe zëvendëskryeredaktori i “Enciklopedisë shqiptare” akad. Mehmet Kraja. Ai vlerësoi punën e bërë nga dy redaksitë dhe paraqiti disa sugjerime për të përmbyllur me sukses fazën e parë të hartimit të kësaj vepre të madhe.
Akademik Kraja theksoi se “Enciklopedia” jonë do të jetë enciklopedi kombëtare për vlerat më të mira që kanë dhe kanë krijuar shqiptarët në historinë e tyre.
Përgjegjësi i redaksisë së Kosovës, Binak Kelmendi dhe përgjegjësi i redaksisë së Tiranës, Naim Zoto, si dhe prof. dr. Valbona Toska (nga redaksia e posaçme për trashëgiminë shqiptare në Maqedoninë e Veriut) informuan për punën e redaksive dhe problematikat e evidentuara. Anëtarët e këtyre redaksive dhanë mendime sidomos në lidhje me kriteret për përfshirje dhe proporcionet strukturore mes artikujve.
U konkludua që koha deri në fund të shtatorit duhet të shfrytëzohet që lista e përbashkët e artikujve të rishihet edhe një herë për të reflektuar vërejtjet e apo sugjerimet gjatë kësaj konsulte ballafaquese.
Ky projekt i përbashkët i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës mbështetet dhe bashkëfinancohet nga qeveria e Shqipërisë dhe e Kosovës./atsh/KultPlus.com
Letërsi e muzikë në Javën e Kulturës Kineze
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në kuadër të Javës së Kulturës Kineze, çeli sot një ekspozitë me libra të autorëve kinezë më të spikatur, të përkthyer në shqip.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun përgjatë gjithë kësaj jave në hollin kryesor të BKSH-së.
Ndërkohë dita e djeshme solli një mbrëmje të paharrueshme në Katedralen Ortodokse në Tiranë, në nder të 75-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Shqipërisë.
Publiku pati kënaqësinë të dëgjonte melodi të veçanta nga trashëgimia mijëra vjeçare kineze, të interpretuara me mjeshtëri nga artistët kinezë. Ritmet tradicionale përfshinë shpirtin e muzikës kineze, të mbushur me filozofi dhe spiritualitet.
Ndërkohë Teatri Kombëtar i Operas e Baletit kishte përgatitur një surprizë për artistët kinezë. Ansambli Popullor interpretoi një valle shqiptare në formë përshëndetjeje për të pranishmit, duke i ftuar edhe ata të bëheshin pjesëmarrës e duke treguar se muzika është ura më e bukur që bashkon kulturat dhe njerëzit./atsh/KultPlus.com
Kur ne prindërit mbesim jetimë
Është një periudhë kur ne prindërit
mbesim jetimë prej fëmijëve tanë.
Se fëmijët rriten
pavarësisht nesh, si
pemë zhurmuese e zogj të pakujdesshëm.
Rriten pa i marrë leje jetës.
Rriten me një tringëllimë të gëzueshme e,
ndonjëherë, me arrogancën mburrëse.
Por nuk rriten çdo ditë, rriten papritur.
Një ditë ulen pranë teje dhe me një natyrshmëri të pabesueshme të thonë çfarëdolloj gjëje
që të bën të mendosh se ajo krijesë
e pelenave, tash është rritë!
Kur u rrit e ti nuk e vure re?
Ku mbeten festat fëminore,
loja në rërë, ditëlindjet me palaço?
Fëmija rritet në një ritual
të bindjes organike dhe mosbindjes civile.
Tash je aty, në derën e diskotekës
duke pritur jo vetëm që të mos rritet,
por që të shfaqet.
Aty janë shumë prindër në timonë,
duke pritur që të dalin.
E aty janë fëmijët tanë, ndërmjet
hamburgerëve dhe pijeve të gazuara.
Me uniformën e gjeneratës së tyre dhe
çantat jokomode dhe të rënda në shpatulla.
Atje jemi ne, me flokët e thinjur.
Dhe ata janë fëmijët tanë, të cilët
i duam pavarësisht nga goditjet e erërave,
nga të korrat e pakta të paqes,
të lajmeve të këqija dhe diktaturës së orëve.
Ata u rritën të ushtruar, duke vëzhguar e duke mësuar
me gabimet dhe të vërtetat tona.
Para së gjithash me gabimet që
shpresojmë të mos përsëriten.
Është një periudhë kur ne prindërit shkojmë duke mbetur jetimë prej fëmijëve tanë.
Tash nuk do t’i kërkojmë më
në dyert e diskotekave e të kinemasë.
Kaloi koha e pianos, futbolli, baleti, notimi.
Dolën nga ulëset e pasme dhe kaluan në timonin e vetë jetës së tyre.
Do duhej të kishim shkuar më shumë pranë shtratit të tyre, në mbrëmje,
për të dëgjuar shpirtin e tyre duke frymëmarrë biseda e konfidenca mes çarçafëve të fëmijërisë, e të adoleshencës
shtretër të mbuluar nga ato pjesë figurash, afishesh, agjendash shumëngjyrëshe dhe disqesh të zhurmshëm.
Por u rritën pa e shterrë me ta krejt dashurinë tonë.
Në fillim shkuan në fshat, në plazh, krishtlindje, pashkë, pishina e miq.
Po, kishte grindje në makinë për dritaren,
e kërkesat për muzikën e kohës.
Pastaj erdhi koha kur të udhëtuarit me prindërit ishte një sforcim,
një vuajtje,
nuk mund t’i linin miqtë e tyre
dhe të dashurit e tyre të parë.
Mbetëm ne prindërit të izoluar nga fëmijët.
Kishim vetminë që gjithmonë e kishim dëshiruar, dhe na erdhi momenti në të cilin vetëm shikonim nga larg, luteshim shumë, (në atë moment e kishim harruar) që të zgjidhnin mirë në kërkimin e lumturisë dhe të pushtonin botën në mënyrën më pak komplekse të mundshme.
Sekreti është të presësh.
Në ndonjë moment do të na japin nipër.
Nipi është ora e dashurisë pa kushte dhe loja e pa provuar në
fëmijët tanë.
Prandaj, gjyshërit janë kaq të papërmbajtshëm e shpërndajnë kaq
dashuri të pakontrollueshme.
Nipërit janë mundësia e fundit për të korrigjuar dashurinë tonë.
Kështu është.
Mësojmë të jemi fëmijë, pasi jemi bërë prindër; e mësojmë të jemi prindër,
pasi jemi bërë gjyshër.
Si përfundim, duket sikur mësojmë të jetojmë vetëm pasi jeta na ikën.
T’i shijojmë fëmijët tanë në secilën prej etapave të tyre,
për aq kohë sa jemi gjallë. / KultPlus.com
“Silence of Sirens” regjisori Gazmend Nela prezanton filmin e tij në TIFF
Dita e katërt e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, TIFF vijoi me shfaqjen e një morie filmash të sesioneve të ndryshme. Një pjesë e tyre i përkisnin sesionit Live Action, fituesit e të cilit do të kualifikohen për konkurrim në Oscar dhe European Film Awards.
Në sesionin PerspecTIFF u shfaq në kinema Millennium filmi “Silence of Sirens”, me regji e skenar të Gazmend Nelës. Filmi prej 93 minutash, është bashkëprodhim i Kosovës, Zvicrës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Ai rrëfen historinë e Avniut, një polic rrugor në një qytet të vogël të Kosovës. Së bashku me partnerin e tij Gëzimin, ai merr rryshfet nga shoferët që ndalojnë për shpejtësi. Një natë, duke vazhduar rutinën e tyre, ata ndalojnë një prokuror të huaj, që ngiste makinën në gjendje të dehur dhe që në bagazh kishte një çantë plot me para. Avniu dhe Gëzimi e gjejnë veten të përfshirë në një rast korrupsioni që u del nga kontrolli.
Filmi është duke marrë pjesë në festivale të ndryshme ndërkombëtare, ndërkohë në TIFF ishte i pranishëm edhe vetë regjisori Gazmend Nela.
Një tjetër aktivitet që erdhi për kineastët në kuadër të festivalit ishte masterclass-i i zhvilluar dje në mjediset e Qendrës së Artit Agimi, me temë ”Lidhja midis arsimit dhe industrisë së filmit”. Në panel ishin të ftuar Hazir Sh. Haziri, dekan i Fakultetit të Arteve dhe Ismet Sijarina, shefi i Departamentit të Filmit dhe TV në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës./atsh/KultPlus.com
“Inkandeshente”, ekspozita e Bashkim Dervishit në galerinë FAB
U çel mbrëmë në Tiranë, ekspozita vetjake e piktorit Bashkim Dervishi. Ekspozita me titull “Inkandeshente” është në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura, FAB dhe do të qëndrojë aty deri më 5 tetor.
Kuratori i “Inkandeshentes”, Ardian Isufi shkruan se, Bashkim Dervishi i thur himn “Gruas”, magjisë së saj, brishtësisë dhe njëkohësisht forcës së saj pamore në situata të ndërmjetme, diku në përditshmëri dhe diku në kapërcyell të historisë së artit.
“Ai është Adami postmodern që e ndjek Evën në kopshtin e artit të tij, duke na servirur të zhveshura jo thjesht figurat femërore, por duke zhveshur historinë”, shkruan kuratori pro. asoc. dr Isufi.
Sipas tij, “Mona Lisa e Da Vincit” bëhet më e fortë dhe tunduese në “Nudon/Mona Lisa të Dervishit”, apo “Motra Tone e Idromenos” fiton fuqinë e brishtësisë femërore në nuditetin e fshehur në “Motrën Tone të Dervishit”.
Ambiguiteti i imazheve nga i njëjti imazh është një koncept dhe gjendje e qartë artistike i tij duke analizuar si ndikojnë në jetën tonë të përditshme imazhet e një kulture popullore (Pop Arti) që Andy Warhol e nënvizon: “Fillova të përsëris të njëjtin imazh sepse më pëlqen mënyra se si përsëritja ndryshon të njëjtin imazh”.
Vetë artisti Bashkim Dervishi është shprehur se, çdo penelatë e tij është si të pikturosh një dritë të brendshme, një inkandeshencë shpirtërore./atsh/KultPlus.com
Me ftesë të Shtëpisë së Bardhë Presidentja Osmani iu bashkua liderëve të tjerë botëror në samitin e radhës për Ukrainën
Me ftesë të Shtëpisë së Bardhë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani iu bashkua liderëve të tjerë botëror në samitin e radhës për Ukrainën, i cili kësaj radhe u mbajt në New York.
“E nderuar me ftesën e Shtëpisë së Bardhë që t’i bashkohem liderëve të tjerë botëror në samitin e radhës për Ukrainën, i cili kësaj radhe u mbajt në New York, në kuadër të javës së nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara”, ka shkruar Presidentja Osmani./KultPlus.com




26 vjet nga masakra në Abri të Epërme, ishin masakruar 23 anëtarë të familjes Deliu
Më 26 shtator të vitit 1998, në fshatin Abri e Epërme, forcat serbe kishin kryer një nga masakrat më mizore gjatë luftës në Kosovë.
Në këtë ditë ishin masakruar 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq, nga mosha gjashtë muajsh deri në 94 vjeç.
Nga 25 shtatori, familja Deliu ishte strehuar në mal, për t’i shpëtuar sulmeve serbe, transmeton KultPlus. Një ditë më vonë, më 26 shtator, rreth orës 10:00 paradite, aty kishte depërtuar këmbësoria serbe. Me këtë rast ishin dëgjuar të shtëna armësh e britma njerëzish.
Pas sulmit u zbulua, se të gjitha viktimat, fëmijë, pleq, gra e të rinj, ishin qëlluar në kokë nga afërsia. Trupat e të ekzekutuarve tregonin dëshmi të qarta të një kasaphane. / KultPlus.com
Sot, Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Plotë të Armëve Bërthamore
Sot është Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Plotë të Armëve Bërthamore.
Arritja e çarmatimit bërthamor global është prioriteti më i lartë i Kombeve të Bashkuara për çarmatimin. Ishte objekt i rezolutës së parë të Asamblesë së Përgjithshme në 1946, e cila themeloi Komisionin e Energjisë Atomike (shpërbërë në 1952), me një mandat për të bërë propozime specifike për kontrollin e energjisë bërthamore dhe eliminimin e armëve atomike dhe të gjitha armëve të tjera të shkatërrimit në masë.
Kombet e Bashkuara kanë bërë përpjekjeve të mëdha diplomatike për çarmatimin bërthamor. Çdo Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së e ka promovuar në mënyrë aktive këtë qëllim.
Megjithatë, sot kanë mbetur rreth 12,512 armë bërthamore. Vendet që posedojnë armë të tilla kanë plane afatgjata të mirëfinancuara për të modernizuar arsenalin e tyre bërthamor. Më shumë se gjysma e popullsisë së botës ende jeton në vende që ose kanë armë të tilla ose janë anëtarë të aleancave bërthamore.
Ndërsa numri i armëve bërthamore të vendosura ka rënë ndjeshëm që nga kulmi i Luftës së Ftohtë, asnjë armë bërthamore nuk është shkatërruar fizikisht në përputhje me traktatin. Për më tepër, asnjë negociatë për çarmatimin bërthamor nuk është duke u zhvilluar aktualisht. / atsh / KultPlus.com
Rama: Turistë nga të gjitha kombësitë në Muzeun Ikonografik të Onufrit
Muzeu Ikonografik i Onufrit është shndërruar në një prej atraksioneve turistike më të preferuara nga vizitorët vendas dhe të huaj.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamjet e një dite të zakonshme shtatori në Berat, ku në Muzeun Ikonografik të Onufrit mblidhen turistë nga gjithë kombësitë.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemer Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë.
Nën dyshemenë e absidës me 12 gusht të vitit 1968, janë gjetur dy Kodikët e Beratit, “Codex Purpureus Beratinus” i shek. VI pas Krishtit dhe pas Krishtit “Codex Aureus Anthimi” i shek IX.
Kodikët në fjalë janë përmendore të kulturës dhe qytetërimit si dhe enciklopedi të vërteta të mendimit të krishterë. Dy Kodiket e Beratit janë regjistruar në listën e veprave më të rëndësishme të njerëzimit, të njohur me emrin “Memoire du Monde” nën mbrojtjen e UNESCO-s./atsh/KultPlus.com
33 vite nga referendumi për pavarësi të Kosovës
Më 26 shtator të vitit 1991 është mbajtur referendumi për shpalljen e Kosovës shtet të pavarur.
Në këtë ditë, me shumicë absolute janë deklaruar pro pavarësisë së Kosovës, me ç’rast u vërtetuan edhe Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që u patën miratuar një vit më parë dhe u pasuan me mbajtjen e zgjedhjeve të para demokratike, parlamentare e presidenciale, të vitit 1992.
Referendumi për Pavarësinë e Kosovës u shënua në të gjitha dokumentet relevante ndërkombëtare si një akt sublim i vullnetit politik të popullit të Kosovës./KultPlus.com
Rama në Nju-Jork: Pas shumë përpjekjesh garantuam votën e diasporës
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot, në një bashkëbisedim me përfaqësuesit e 100 shoqatave të shqiptarëve të Amerikës në Nju-Jork se “Shqipëria ka tashmë një ligj që garanton votën e diasporës”.
Rama u shpreh se ky është një fakt tashmë i vulosur në ligjin e Kuvendit të Shqipërisë, në fund pas shumë vitesh përpjekjesh.
“Por në rastin e ligjit të zgjedhjeve duhet një shumicë më e madhe sesa shumica që ne kemi pasur në dispozicion dhe falë edhe një presioni pozitiv më të organizuar dhe më të ndjeshëm në Tiranë të vetë përfaqësuesve të Diasporës, ne tani e kemi këtë ligj”, theksoi Rama.
Kryeministri u shpreh se “të gjithë shqiptarët që janë jashtë dhe që kanë dëshirë të marrin pjesë në procesin zgjedhor kanë të drejtën dhe mundësi të votojnë përmes një sistemi të thjeshtë”.
“Është një sistem si këtu në Amerikë, ku për të votuar duhet të regjistrohesh dhe pastaj, në momentin që regjistrohesh, në rastin e këtij sistemi që ne kemi, të vjen zarfi, ti aty brenda ke fletën e votimit, shënon në kutinë që dëshiron, shprehjen e vullnetin tënd, mbyll zarfin dhe e poston mbrapsht”, tha ai.
Kryeministri sqaroi se në sistemin tonë vota shkon aty ku ke vendbanimin e regjistruar në Shqipërisë, pra aty ku figuron në listën e zgjedhësve.
“Vota numërohet si pjesë e votave të atij qarku ku bën pjesë bashkia, nga ku buron emri yt si rezident në Shqipëri, pra në atë adresë ku je i regjistruar në Shqipëri dhe ku ke vendbanimin”, theksoi ai./atsh/ KultPlus.com

‘Aurora’
Poezi nga Carl Spitteler
Përktheu: Skënder Buçpapaj
Aurora
E ka parë kush Aurorën, motërzën time, vallë?
Ajo është nusja ime, ndaj atë dua ta kem prapë.
Ne po kërcenin bashkë. Pastaj erdhi murlani
Dhe ma mori të ngratit.
E pra unë e di se ç’pati:
Ajo është e bukur tejet,
Dhe gjithë prej ajri!
Shtatin kaq latuar e flatrat kaq praruar
Dhe në skaje flatrat sipër
Plot me lajlelulexhingëlamingël! “”
Seç ia behu Aurora mu tek unë flakërimë,
Qull e lagur, krahët thyer, e pafrymë.
“Oh Zot!” thirri ngjethshëm, me ankth e drojë,
“Ç’kohë janë, vallë, këto që ne jetojmë!
Vetëm hidhërim dhe pikëllim miliona herë,
Dhe frikë, dhe zemërim dhe vuajtje paprerë!
Papritur në çast:
Rashë në lum sakaq.
Dhe po të mos ishte mrekullia vetë
Pra, më s’do kishe dëgjuar për mua në kët jetë;
Dhe unë nuk do të isha ulur më atje.
– Çfarë mendoni se ka ndodhur, de?
Dy njerëzushë shumë të bukur pak të bardhë, sa unë kurrë nuk kam parë të tillë kaq të bardhë,
U ngjitën deri në lum me mamanë e tyre krah për krahu bashkë.
Unë nuk e di si quheshin dhe kush ishin vallë.
Në kokë në vend të flokëve ata kishin ar,
Dhe gojë të vogël! – Gojë të vogël! Të thashë ty! Për gjiri!
Dhe në sytë e tyre ata manushaqe kishin.
– Papritmas, gruaja e bukur mua m’u vërvit zëçjerrë:
“Ah, pa shihni atje në ujë,” bërtiti ajo, “kafsha e mjerë!
Si përpëlitet dhe përplaset nëpër shtjellë
Dhe me brirëthit lutet e kërkon ndihmesë! ”
Dhe djemtë e mirë kishin një fletë në duar
E me të katra për tek unë u çapëluan
Gati me një frymë.
Ata mua më shtynë
Dhe në breg me butësi edhe kujdes më nxorrën mua.”
“Dhe të ndriçoi ideja
T’i falënderosh nga zemra?”
“Oh, nuk arrita dot ta shqiptoj falenderimin, do pranuar hapur:
Në frikë dhe përshtjellim e pashë veten të kapur! ”
” E pra, kjo shihet qartë me sy!
– Uluni për pak çaste
Tek këto manushaqe
Dhe thani kockat mirëfilli
Nën këto rreze dielli.
Më pas fluturojmë për në shtëpinë e njerëzve
Dhe iu trokasim shpëtimtarëve të jetës tënde.
Ty të pëlqen në gojët e tyre të vogla të shuash etjen.
Por kryesorja, ata sytë e saj të manushaqtë
I puth unë tashmë vetë, njëzet e katër herë pa ndarë.
Ajo e ka merituar atë. Mos jini ziliqarë! “./KultPlus.com

Përfundon restaurimi i Kishës së T’Shëlbuemit në Rubik
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore njoftoi se ka përfunduar ndërhyrja konservuese/restauruese në pikturën murale të Kishës së T’Shëlbuemit në Rubik.
Falë programit të EU4Culture dhe punës së restauratores Edlira Çaushi dhe ekipit të saj, gjatë këtyre muajve u kryen punime konservuese/restauruese duke i dhënë një pamje tjetër të gjithë ambientit në pjesën lindore të kësaj kishe.
Specialistët e Sektorit të Veprave të Artit në IKTK mbikqyrën nga afër ecurinë e këtyre punimeve. Risi e ndërhyrjeve ishte zbulimi i fragmenteve të pikturës murale në faqet jugore dhe veriore duke plotësuar në mënyrë harmonike të gjithë bërthamën e kishës së vjetër.
Kisha e T’Shëlbuemit ose siç njihet ndryshe me emrin Kisha e Rubikut, është një ndër ikonat e krishtërimit shqiptar.
Manastiri mesjetar benediktin është i pozicionuar në një vend të favorshëm, në një truall të dukshëm shkëmbor të një kthese natyrore të lumit Fan, mbi qytetin e Rubikut.
Historiografia ka njohur abacinë e T‘Shëlbuemit si dhe kishën famullitare me të njëjtin emër. Dikur françeskane, në qytetin e Rubikut dhe në rrethin e Lezhës si dhe historikisht pjesë e kësaj dioqeze, sot përfshihet në peshkopatën më të re atë të Rreshenit.
Kisha e T‘Shëlbuemit qysh prej vitit 1166 e deri në vitin 1972, përmendet plot 34 herë. Kisha aktuale e Shpëtimtarit është njënefshe dhe fryt i disa fazave radikale të rindërtimit dhe restaurimit. Që nga fundi i shekullit XIX deri në vitet e para të këtij mijëvjeçari ndërhyrjet i kanë ndryshuar plotësisht pamjen origjinale ndërtesës./atsh/ KultPlus.com



Bukowski: Do të të duhet të vdesësh disa herë përpara se të jetosh me të vërtetë
Thënie nga Charles Bukowski
• Nuk e di për të tjerët, por kur unë zgjohem në mëngjes dhe vesh këpucët, mendoj: Zot, po tani çfarë?
• Do të të duhet të vdesësh disa herë përpara se të jetosh me të vërtetë.
• Shumë shpesh njerëzit ankohen se ata nuk kanë bërë asgjë me jetën e tyre; dhe pastaj ata presin që dikush t’ju thotë se kjo nuk është kështu.
• Gjenialitet do të thotë të kesh aftësinë për të thënë një gjë mjaft të thellë në mënyrë të thjeshtë.
• Ne të gjithë do të vdesim, të gjithë ne, çfarë cirku. Kjo duhet të na bënte të gjithë të donim njëri-tjetrin por jo. Ne jemi të terrorizuar nga rivaliteti me njëri-tjetrin.
• Pa letërsi, jeta është një ferr
• Disa njerëz nuk bëjnë asnjëherë çmendurira, sa të tmerrshme duhet të jenë jetët e tyre.
• Nëse do ta provosh me të vërtetë, shkoi deri në fund. Ndryshe, as nuk e ke filluar fare. Nuk ekziston një ndjenjë më e mirë se sa ajo. Do të jesh vetëm me Zotat. Një luftë e vërtetë
• Ne jemi këtu për t’i jetuar jetët tona aq mirë, sa që vdekja të trembet për të na marrë.
• Problemi me pijen është ky: mendova teksa pija. Nëse një gjë e keqe ndodh, ti pi për të harruar, por nëse diçka e mirë ndodh, atëherë pi për të festuar, dhe nëse nuk ndodh asgjë, ti pi për të bërë diçka të ndodhë.
• Të pirit është një gjë emocionale. Të nxjerr nga rutina e jetës së përditshme, nga të qenit çdo ditë njësoj. Të vendos me shpatulla pas murit. Kam ndjesinë se të pirit është një formë vetëvrasjeje ku të lejohet të kthehesh në jetë dhe ta fillosh jetën nga fillimi. Është si të vrasësh veten e më pas të ringjallesh. Besoj se deri tani kam jetuar 10-15mijë jetë
• Mbahu për birra. Birra është një gjak i përhershëm; një dashnore e përjetshme…
• Mendoj që kemi nevojë për një pije. Pothuajse të gjithë kanë nevojë, thjesht nuk e dinë.
• Më pëlqen t’i ndryshoj shpesh dyqanet e pijeve sepse nëpunësit fillojnë t’i dinë zakonet e tua nëse ke shkuar çdo natë dhe ke blerë sasi të mëdha alkooli. E ndjej tek mendojnë se si ka mundësi që nuk kam vdekur akoma dhe kjo më bën të mos ndjehem rehat. Mbase ata nuk e mendojnë diçka të tillë, por kjo më është kthyer në paranojë
• Të deheshe ishte diçka e mirë. Vendosa se gjithnjë do më pëlqente të bëhesha tapë.
• Patëm vendosur të çonim ilaçe në Afrikë… por, tek të gjithat shkruhej: pas buke!
• Të shkruash poezi nuk është e vështirë. Të jetosh është e vështirë.
• Secili ka të metat e tij, dihet. Por unë isha tri herë më lart se persekutorët e mi.
• Kaloja para dyqind vetave dhe nuk arrija të shikoja qoftë dhe një qenie njerëzore.
• Mendoni për miliona veta që jetojnë së bashku edhe pse nuk iu pëlqen, e urrejnë punën por kanë frikë ta humbasin, nuk ka pse të çuditësh që e kanë atë fytyrë të cilën e kanë.
• Jam i sigurt që do të më jepet një minutë për t’i menduar të gjitha herët që doja ta ulërija atë që ndjeja, por kam heshtur nga frika se nuk do të kuptohem, dhe do të pendohem për synimet të cilat i kam braktisur ngaqë frika se do të dështoja më ka ndaluar t’i vazhdoja.
• Kjo jetë është një e përdalë. Shkon kështu çakërqejf, sepse ka çaste që të lënë shije të hidhur në gojë, e të tjera çaste aq të bukura sa të bëjnë të harrosh paudhësitë e pafundme të jetës.
• Ndryshimi midis një demokracie dhe një diktature është se në një demokraci ti voton një herë e pastaj i merr urdhrat; në një diktaturë nuk e shpenzon fare kohën duke votuar.
• Nëse një ditë më dëgjoni të flasë për dashuri, e yje… ju lutem, më vrisni!
• Filloni ta shpëtoni botën duke shpëtuar një njeri çdo herë; gjithçka tjetër është romantikë madhështore ose politikë.
• Është e mundur të dashurosh një qenie njerëzore nëse nuk e njeh atë më tepër se duhet.
• Ka gjithmonë diçka që na i rrënon jetët tona. Gjithçka varet se cila prej tyre nga bie hise e para.
• Ne të gjithë jemi pengje dhe jemi të gatshëm të merremi peng./ KultPlus.com

Poezia e Asdrenit kushtuar Kosovës dhe Çamërisë
Poezia e Asdrenit, poetit të madh kombëtar, kushtuar Kosovës dhe Çamërisë është botuar në gazetën “Tomori” më 28 nëntor 1941, në 29-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në gazetën “Tomori” poezia është titulluar: “Shqipëria e Madhe”
Mir’ se erdhe midis nesh, o e bukura Kosovë!
Mir’ se erdhe motër, po të them dhe përsëri,
Mbas vuajtjeve dëshmove gjatas që dhe provë
Të hysh hirplotë në gjinjt e Mëmës Shqipëri.
Me vrer në buzë prisje të gjeje pak ndihmë e dritë
Ta ngrehësh vehten prej njëj territ të pafund,
Me flijime pa numër dhënë ditë për ditë,
Të ngopej bisha, sot përdhe, pa shpirt që u mund…
Me vargje trupin lidhur, kombi më gjakpirës
Pak frymë për të marrë vehten nuk të linte,
Të çorri faqe e sy me thonjt e tij grirës,
Me drapër gjith po korrte pleq dhe të rinj.
Dhe zëri t’ ishte shuar, lotët e syve tharë
Në fshamë e mbytur dhe në vojtje pambarim,
Ndër aq vjet s’pe një ditë pak të mbarë:
E zhveshur edhe e zbathur pa pikë përdëllim!
Një copë truall nuk të linte për jetesë
As bukë për fëmijët s’kishe për ushqim,
Dëshirë e tija: farë e jotja të mos të mbesë:
Në dhe të huaj larg të shporte me qëllim!
Mundime tmerri që s’tregohen dot me fjalë
Grabitje me pahir te gjësë pa pushim,
Në trollin tënd ai të kishte si një halë,
Çdo çast për ty s’mendonte veçse për shkatërim!
Sa burra nuk e derdhën gjakun kot së koti,
Për një të drejtë shpirt që dhanë me një plumb,
Mëshirë s’gjenin as kur binin pika loti,
Shtëpin’ e plengun zjarri kur ua bënte hi e shkrumb!
Kish heshtur kënga pleqërishte dhe dasmore
Lahutë-e fyell derthnin tingull vajtimtar,
Me drojë dilte bjeshkës vajza malësore,
Kurrkujt si qeshte buza, në aq tym e zjarr!…
Dhe ti e shetrenjta Çamëri si trime e rallë
Dikur që të ngjallej greku pate falur gjak,
Si mirënjohje flijimi prite plumb në ballë;
Pa faj dhe miq dëshmorë ranë keq në lak!
Mirë se erdhe pranë Mëmës, vajzë-e dëshiruar
Plot mall o bijë e shumëvojtur Çamëri,
Në gjinjt’ e saj të ngrohtë drejt në kraharuar
Gjith po të priste pa durim me dhempshuri.
Dy bija të përmallshme, Gurë të paçmuar
Si dy florinj të ndritshëm derdhur bukuri,
Mi ball të Shqipërisë, Mëmës së-adhuruar,
Si hyj po ndritni, ju, Kosovë e Çamëri!
Dy zotër të pashpirt me të egër se dy bisha
Mbë nj’anë serbi, fis i poshtër gjakatar
Ndaj tjetrës greku dhelpër, vrasës gënjeshtar;
Dy faqezes pa Perëndi, me kryqe-e kisha!
Me shufra dhe shuplaka, grykës dhe tërkuza,
Për ‘ta ju s’ishit veç një farë bagëti,
Ata me tallje, juve ju përcilte buza:
Po kthenje fjalë, ca më keq, si mjerë ti!
Por Ora-e fundit, Ora e tmerrit e shpërblesës
Çdo faj me të përdhunë bërë që s`e fal
Pluhur dhe hi u-bënë shkelësit e Besës
Rrufe mërije Zoti rrymën që s’ia ndal!…
Dikur Dodona plakë parathoshte Fatin
Që çdo shpirtlik e çojnë Hyjit drejt në Ferr
Dhe sot po gjith ata mizorët më të ngratin
E marrin shpagën prej njëj gjyqit që të therr!
Kur më të dobtin don e shkel me të përdhunë
Ndeh dorë lakmimtare me padrejtësi
Më shpejt a von të pret po gjith ajo furtunë
Që s’le pa mos përmbysur çdo paudhësi!
Ju me vullnet të fortin tuaj s’u-përkulët
Çdo sulm të bishës e përballtë me guxim,
Se vetëm kombet jetë-skllavë dhe shpirt-ulët
Durojnë zgjedhën qafës, pa një murmurim.
Mbërdhe përfare ranë hekurat e rënda
Përjetë-u shduk tirania që s’durohej dot
Sot flamuri kuq-zi ndeh flatrat siç i kënda
Mbi viset ku Shqiponjat motit qenë zot!
Sot Djell i ri ju ngrohn me rreze çlirimtare
Sot zgjedha e rëndë-e robërisë mori fund
Mëngjezi-i ndritshëm njaj prandvere shkëlqimtare
Mbi tokën t’uaj po përhapet me sa mund;
Sot ndër qytetet dhe katundet gazi ndjehet
Vëllazërimi-i tërë Kombit plot hare
Me këngë dhe kremtime populli dëfrehet
Fatlum për atë se lindi Jetë krejt e re!
Çdo Vatër e Kosovës dhe e Çamërisë
Le të tërhidhet me vallzime të pafre
Se Terri perëndoj, arthi Drita e Lirisë
Mbi malet tona po shëndris një qiell pa re.
Që tash, o burra djem, ju mbetet juve barra
T’i bëni ballë çdo rrezikut që ju del,
Të shohë vendi i ynë ditë më të mbara
Me vrrull t’a mbroni, këmbë-armiku kur e shkel!
Me krenari vazhdoni trimërinë e motshme
Qysh nga të Parët tanë mbetur trashëgim
Hovplot forcoheni me diturit’ e sotshme
Mos merrni Fenë parasysh për një Bashkim.
Si burra plot vullnet kësaj fatlume radhe
Të bëhemi me ndihmën e të Madhit – Zot,
Një Komb i fortë në një Shqipëri të Madhe
Që mundi i aq Dëshmorëve të mos vejë kot.
Fatosavet dhe Prijsavet u-qofshim falë
Me ne, dy kombe miq, që derdhën gjak bujar
Nër luftra ngadhnjimtare zot që kanë dalë
Kurorë Nderi plot shkëlqim për çdo luftar!
Ushtrive të lavdishme Mike dhe Mbrojtare
Me krahun e pathyershim vetëtimtar
Q ëu-shëmb armiku më mos ngrehë krye fare:
Nderime-e Mirënjohjen t’onën, shqiptar!
Asdreni
(“Tomori” 28 nëntor 1941). /KultPlus.com

‘Kapedani’ i restauruar, premiera në sesionin TIFF Classics
“Kapedani”, një film ikonë e kinematografisë shqiptare mblodhi në festivalin TIFF dhjetëra dashamirës të artit dhe kulturës.
Për herë të parë në kuadër të këtij festivali u prezantua versioni i përmirësuar 4K i filmit “Kapedani”, në një ceremoni speciale, organizuar nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit si edhe nga TIFF. Gjatë ceremonisë u nderuan me Çmimin e Mirënjohjes grupi i krijuesve dhe aktorëve protagonistë të filmit: Muharrem Fejzo, Fehmi Hoshafi, Albert Vërria, Nikolin Xhoja, Robert Ndrenika, Valbona Simixhiu, Ilia Terpini e Shyqyri Sako.
AQSHF ka falenderuar gjithë të pranishmit në këtë mbrëmje e veçanërisht familjet Vërria, Hoshafi, Fejzo e Xhoja që udhëtuan nga larg për të festuar edhe njëherë “Kapedanin” e për të nderuar kujtimin e të dashurve të tyre në këtë mbrëmje të bukur. Gjithashtu falenderime të veçanta pati për aktorin Robert Ndrenika, i pranishëm në sallë si dhe për Shyqyri Sako, familjarët e aktores Melpomeni Çobani dhe për skenaristin Skënder Plasari.
Filmi “Kapedani” është realizuar 52 vite më parë nga regjisorët Fehmi Hoshafi dhe Muharrem Fejzo.
Restaurimi i tij është një projekt i AQSHF-së, financuar nga ACE – Association des Cinémathèques Européennes që u soll tek publiku me mbështetjen e Tirana International Film Festival në programin TIFF Classics. /atsh/ KultPlus.com


MKRS restauron në tërësi kullën e Tal Belit në Gjakovë
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë me dije se Kulla e Tal Belit në Krelan të Gjakovës, “nga shkatërrimi në restaurim të tërësishëm”.
Sipas njoftimit të ministrit Hajrulla Çeku, punimet në këtë aset, që është shembull i kullave të fund të shek. XVIII, po zhvillohen duke i kushtuar rëndësi çdo detaji që të ruhen karakteristikat dalluese të saj, që janë një mori gurësh me mbishkrime dhe motive kryesisht gjeometrike.
DPA sallë studimi online, Spiropali: Platformë e dobishme për studiuesit
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) prezantoi platformën “Salla e studimit online”, ku studiuesit mund të hulumtojnë dokumentet arkivore falas nga shtëpia në çdo orë, në Shqipëri dhe jashtë vendit, me të njëjtën procedurë dhe formë, si të ishin në sallën e studimit të DPA-së.
Në vazhdën e procesit të suksesshëm të dixhitalizimit të dokumenteve, DPA-ja u vjen në ndihmë studiuesve, duke e bërë lëndën arkivore lehtësisht të aksesueshme. Për dy muaj me radhë, bazuar në këtë platformë online të studimit, dosjet e porositura të dokumenteve do të mund të konsultohen falas.
Në prezantimin e kësaj platforme ishin të pranishëm kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, studiues, të rinj dhe studentë të shumtë, të cilët janë në fokus të nismave të njëpasnjëshme të DPA-së. Në fjalën e tij për mediet, Bido u shpreh se përmes kësaj risie, i ofrohet gjeneratës së re një mundësi për të shpënë përpara studimet albanologjike.
“Salla e studimit online mund të përdoret nga kushdo, kudo dhe në çfarëdo ore, si të ishte në sallën e studimit në DPA. Kjo besoj se na veçon në këtë drejtim në tentativën për t’u qasur te të rinjtë, të cilët janë pikërisht ata që do të çojnë përpara studimet albanologjike, duke u ofruar mundësi që të përparojnë në këtë fushë shumë të rëndësishme për kombin”, tha kreu i DPA-së.
Në fjalën e mbajtur, kryetarja e Kuvendit, Spiropali e cilësoi platformën si mjaft të dobishme për studiuesit nga diaspora, për të ruajtur identitetin, kulturën dhe rrënjët shqiptare.
“Arkivat nuk janë vetëm një çështje e historisë për ne, por edhe një çështje identiteti, e kulturës dhe e rrënjëve tona. Më vjen shumë mirë që i keni dhënë këtë vëmendje studimit të historisë dhe uroj që kjo hapësirë të përdoret jo vetëm nga studiuesit, por edhe nga të rinjtë, që duan të kuptojnë të shkuarën dhe të studiojnë më thellë. Është shumë i rëndësishëm edhe qasja që mund të kenë studiues nga diaspora, pasi tek ata malli dhe interesi për rrënjët është më i madh”, tha kryeparlamentarja.
Ndërmarrja e kësaj nisme u adresohet veçanërisht studentëve, të cilët krahas tarifave favorizuese për përftimin e burimeve bibliografike gjatë kryerjes së punimeve të tyre akademike, inkurajohen më tej për të njohur historinë dhe trashëgiminë dokumentare kombëtare.
Me rreth 19 milionë dokumente të dixhitalizuara në 5-vjeçarin 2019-2024, DPA-ja përfaqëson arkivin qendror më të dixhitalizuar në Europë.
Korpusi dokumentar i DPA-së është i aksesueshëm kudo dhe kurdoherë, edhe falë çeljes së këndeve arkivore në dhjetëra qytete, brenda dhe jashtë Shqipërisë, ku materialet arkivore shërbehen njësoj si në sallën e studimit në Tiranë.
Jetësimi i projekteve novatore të DPA-së është rezultat i investimeve të qeverisë shqiptare. Në këtë vit që përkon me 75-vjetorin e saj të themelimit, DPA-ja është shndërruar në një kompleks të mirëfilltë kulturor.
Veprimtarisë së “Auditorium”-it, të kinemasë/teatrit veror me kapacitet prej 140 ulësesh dhe të hapësirës së studimit në natyrë, do t’i shtohet edhe muzeu arkivor, i cili paraqet një alternativë kulturore bashkëkohore, që pritet të hapë dyert së afërmi./atsh/ KultPlus.com

Nesër promovohet libri ‘Arti i Bashkëbisedimit’ i autorit Sali Bashota
Të enjten, më 26 shtator 2024, në orën 11:00, në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani”, në Prishtinë promovohet libri i Sali Bashotës me titullin “Arti i bashkëbisedimit” – (Avni Spahiu, publicist, diplomat, përkthyes).
Për librin do të flasin: Ibrahim Berisha, Avni Spahiu, Naime Beqiraj dhe Sali Bashota.
Botimi i librit është përkrahur nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport – Komuna e Fushë Kosovës.
Organizatorë të promovimit janë Biblioteka “Hivzi Sulejmani” e Prishtinës dhe Botimet REA./ KultPlus.com

EBC Cosmetics organizon eventin e lansimit të brendit të njohur Yves Saint Laurent në pikën në Prishtina Mall
EBC Cosmetics është kompani lidere në industrinë e kozmetikës në vend e cila njihet për origjinalitetin e saj dhe për sjelljen e brendeve ekskluzive ndërkombëtare.
EBC Cosmetics ka organizuar eventin për brendin Yves Saint Laurent më datë 13 Shtator ku nuk mungonte muzika, pijet, dhuratat dhe te ftuarit të cilët kanë qenë fytyra te njohura për publikun.
Për të gjitha blerjet e klientëve atë ditë, janë dhënë dhurata nga brendi Yves Saint Laurent, mini produkte të cilat konsiderohen të jenë artikujt më të shitur.
Këndin Yves Saint Laurent dhe produktet e këtij brendi mund ta vizitoni në dyqanin e EBC Cosmetics në qendrën tregtare Prishtina Mall në katin 1, dhe në EBC SHOP duke klikuar në këtë link.
Më poshtë mund t’i shihni disa pamje nga eventi:









Ekspozita e Lala Meredith Vulës: ‘Një udhëtim me babanë tim’
Artistja britaniko-kosovare Lala Meredith Vula do të mbaj bashkëbisedim që do të mbahet të martën më 1 tetor në ora 17:00 në Hamamin e vjetër të Prishtinës, për të shënuar hapjen e një ekspozite të veprave të përzgjedhura nga seria e Lalës “Bathers”.
Fotografia e Lala Meredith Vula kapi momente nga mënyra e jetesës së njerëzve në këtë rajon në vitet 1980 dhe 1990. Përveç dokumentimit të raportimit të luftës dhe rezistencës, Shtëpia e Reportingut është gjithashtu krenare për të vënë në qendër artistët dhe fotografët, puna e të cilëve ndriçon jetën shoqërore të së kaluarës.
“Kjo seri fotografish është shumë prekëse për mua, sepse ishte një udhëtim që bëra me babanë tim dhe ai po ndante me mua dashurinë e tij për arkitekturën në vitet 1980 dhe 90. Ajo që pashë ishte entuziazmi dhe gëzimi i tij në arkitekturë. Ajo që kam përjetuar janë këto fotografi”, tha Meredith Vula.
Babai i Vulës ka punuar në institucionin e Kosovës për mbrojtjen e monumenteve në vitet 1970 dhe 1980 dhe është specializuar në ruajtjen e hamameve të vjetra. Ai e merrte vajzën e tij me vete në punë dhe në këtë mënyrë ajo përjetoi Hamamin e Prishtinës në vitet 1980. Kjo bëri që ajo të fillonte të fotografonte hamame nëpër rajon pasi Hamami i Prishtinës kishte rënë në përdorim. Gjatë hulumtimit të saj ajo gjeti një hamam të punës pranë kufirit shqiptar me Maqedoninë dhe i fotografoi këta larës të cilët sot janë kthyer në një hamam, siç e kanë përjetuar atëherë, katër dekada më parë.
“Bathers” merr temën e artistëve të shkelur mirë për një pamje të grave që lahen, e riprodhuar në piktura të panumërta klasike të pozuara. Lala e ka sfiduar tropikën me një kthesë moderne, spontane, instinktive.
“Në kërkimin tim, u përplasa në një botë të fshehur ëndrrash të qetësisë dhe pastërtisë, një vend i sigurt me bukuri misterioze. Këto fotografi i kushtohen shpresës dhe bukurisë që gjeta në mesin e këtyre grave”, tha Vula.
Biseda moderohet nga Jeta Xharra, producente e Reporting House dhe është e hapur për publikun Pyetje dhe Përgjigje.
Ekspozita është kuruar nga Gazmend Ejupi./ gazetaexpress/ KultPlus.com

‘Pornografia në internet është vendi i djallit’, paralajmërimi i Papa Françeskut: Bota teknologjike ka sekte satanike
Gjatë audiencës së përgjithshme këtë të mërkurë, Papa Françesku foli rreth figurës së djallit.
“Sot ne jemi dëshmitarë të një fenomeni të çuditshëm në lidhje me djallin. Në një nivel të caktuar kulturor, besohet se ai thjesht nuk ekziston. Do të ishte një simbol i pavetëdijes kolektive, ose i tjetërsimit, me pak fjalë, një metaforë”.
Ai vazhdoi, duke cituar Charles Baudelaire: “Por dinakëria më e madhe e djallit është t’i bëjë njerëzit të besojnë se ai nuk ekziston, siç ka shkruar dikush”.
Megjithatë, Papa nënvizoi: “Bota jonë teknologjike është plot me magjistarë, okultizëm, spiritualizëm, astrologë, shitës faturash dhe amuletesh dhe për fat të keq sekte aktuale satanike. Dhe nëse je supersticioz, në mënyrë të pandërgjegjshme po flet me djallin. Nuk i flet djallit”.
“Pornografia në internet është vendi i djallit. Teknologjia moderne, përveç shumë burimeve pozitive që duhen vlerësuar, ofron edhe mjete të panumërta për t’i dhënë mundësi djallit, dhe shumë bien në të. Mendoni për pornografinë në internet, pas së cilës ka një treg të lulëzuar. Ne të gjithë e dimë, është djalli në këtë punë. Ky është një fenomen shumë i përhapur, nga i cili të krishterët duhet të ruhen me kujdes dhe të cilin ata duhet ta refuzojnë me forcë. Çdo telefon celular ka akses në këtë brutalitet”, shtoi Papa./ Top Channel/ KultPlus.com
