“Heshtja e Sirenave” nga Gazmend Nela prezantohet suksesshëm në Festivalin e Filmit Mostra në Brazil

Filmi “Heshtja e Sirenave” këto ditë pati premierën botërore në edicionin e 47-të Festivalit të Filmit Mostra në Sao Palo, Brazil, një prej festivaleve më prestigjioze në botë, shkruan KultPlus.

Ky film vjen me regji dhe skenar nga Gazmend Nela.

Ikonë studio, sot ka ndarë edhe pamjet e para nga premiera e këtij filmi në Brazil, teksa kanë falënderuar të gjithë ekipin e filmit për punën dhe përkushtimin.

“Kemi nderin të ndajmë pamje nga premiera botërore e filmit “Heshtja e Sirenave” me regji nga Gazmend Nela, në edicionin e 47 të festivalit prestigjioz të filmit “ Monstra” São Palo, Brazil.

Ky film është një bashkëprodhim nga Kosova, Zvicra Maqedonia, si dhe Shqipëria, nga produksionet: Frame production, Ikonë Studio, Alva Film, Skopje Film Studio, Albasky Film, RTS Radio Télévision Suisse dhe In My Country Post Production.

Ky projekt është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Një falënderim i veçantë i shkon ekipës së mrekullueshme dhe aktorëve super të talentuar që mundësuan realizimin e këtij filmi.”, thuhet në njoftim nga Ikonë Studio. / KultPlus.com

‘Heshtja e sirenave’ me regji dhe skenar nga Gazmend Nela, pjesë e programit “Work in Progress” në Festivalin e Selanikut

Në edicionin e 63-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Selanik të Greqisë, i cili do të mbahet përgjatë datave 3-13 nëntor 2022, filmi kosovar i metrazhit të gjatë artistik “Heshtja e sirenave” me regji dhe skenar nga Gazmend Nela, do të jetë pjesë e programit “Work in Progress”.

Filmi ka për producentë Arben Shalën, Valon Bajgorën, Yll Ukën, Britta Rindelaub dhe Thomas Reichlin, kurse bashkëproducentë janë Tomi Salkovski dhe Paskal Semini. Në rolet kryesore luajnë aktorët kosovarë Sunaj Raça dhe Allmir Suhodolli.

“Heshtja e sirenave” flet për përditshmërinë e një polici në Kosovë dhe ballafaqimin e tij me pasojat e një shoqërie të korruptuar, pjesë e së cilës është edhe vet ai.

Projekti filmik është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës në konkursin për subvencionimin e projekteve filmike për vitin 2018, dhe është bashkëprodhim i katër vendeve: Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Zvicrës dhe Shqipërisë. / KultPlus.com

“Histori maje kulmi” nisi dekadën e parë të PriFest-it

Alberina Haxhijaj

“Histori maje kulmi”, me regji të Gazmend Nelës, ka qenë filmi i cili ka shënuar hapjen e edicionit të 10-të të PriFilm Fest. Sot, siç e do edhe tradita e këtij festivali është mbajtur edhe konferenca për media për të mësuar më shumë rreth filmit nga regjisori Gazmend Nela, skenaristi Arian Krasniqi si dhe aktori Xhevdet Doda.

Fatos Berisha nga PriFilm Fest u shpreh i lumtur që ky film ka bërë hapjen e edicionit të 10-të për faktin se është një film vendor dhe pikërisht ky edicion është i veçantë pasi që 11 filma nga Kosova do të jenë pjesë e tij.

https://www.facebook.com/Rooftopstoryfilm/videos/289692948187724/

Filmi mbrëmë ka pasur premierën në Kosovë pas premierës në Kanada në Festivalin e Filmit “Montreal World Film Festival”, ndërsa në PriFilm Fest ai është në garë në kategorinë e filmave ballkanik.

Për regjisorin Gazmend Nela rikthimi në PriFilm Fest pas 10 viteve është shumë i rëndësishëm për të. Kujtojmë se ai kishte marrë pjesë në këtë festival në edicionin e parë të festivalit.

“Pas 10 vite jam rikthyer përsëri në PriFilm Fest. Filmi është xhiruar në Prishtinë në qytetin ku kam lind e jam rritë. Në Kanadë ka pasur emocione mirëpo këtu ka qenë krejtësisht ndryshe pasi që emocionet ishin shumë më të forta”, u shpreh regjisori.
E veçantë e këtij filmi është se ai është bardh e zi. Diçka e cila sipas regjisorit është bërë në mënyrë që të largohet nga ngjyrat, nga realiteti, në mënyrë që filmi të mos krijojë përshtypjen e dokumentarit.

Konceptualisht filmi i ka dy veçanti sipas skenaristit Arian Krasniqi. 98% e filmi është xhiruar në ambient të hapur ku qyteti i Prishtinës ka shërbyer si skenografi e filmit. Pastaj, për më shumë se 1 orë sa zgjatë edhe filmi, paraqitet e gjithë ngjarja që ndodh brenda një ditë.

“Filmi është xhiruar për 30 ditë për të krijuar përshtypjen se ngjarja po ndodh brenda një dite”, theksoi skenaristi.

Ai u shpreh se së bashku me regjisorin mund të konsiderohen bashkautorë në skenar pasi që janë bashkuar rreth idesë për të treguar sipas tij një histori jo të zakonshme të Prishtinës në një rrëfim kinematografik.

“Ndjenja që ta jep vizaulizimi, momenti kur ti punën tënde në letër e sheh në ekran të madh është një ndjenë e papërshkrueshme. Kjo është magji e ekranit, magjia e filmit që të bënë të ndihesh i veçantë”, u shpreh skenaristi.

Filmi është një dramë psikologjike dhe flet për një profesor i cili e humb familjen e tij dhe në luftën për mbijetesë shndërrohet në një të pastrehë . Ai takohet pastaj me një vajzë e cila po ashtu e ka humbur fëmijën çfarë mund të konsiderohet edhe fillimi i dramës.

Aktor Xhevdet Doda, u shpreh shumë i lumtur që ka qenë pjesë e ekipit të filmit.

“E mira e këtij roli ka qenë që së bashku me regjisorin kam punuar gjatë gjithë kohës dhe kam pasur kohë të mjaftueshëm për t’u përgatitur për këtë rol. E kam ditur se çfarë kam dashur dhe kam vendosur disa pikë mbi të cilat kam dashur që ta ndërtoj rolin të cilat janë përkrahë edhe nga regjisori”, u shpreh aktori Doda.

Në këtë film me rolet e tyre luajnë aktorët: Xhevdet Doda, Mona Mustafa, Art Lokaj, Ismet Azemi, Sylejman Lokaj, Safete Rugova, Florist Bajgora, Ermal Gerdovci, Defrim Salihu, Selatin Ademi e të tjerë. Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

“Rooftop Story” u shfaqë mbrëmë në dy lokacione: tek Teatri Kombëtar i Kosovës dhe tek platoja në Sheshin Zahir Pajaziti në kryeqytet, njëlloj siç do të ndodhë edhe me filmat e tjerë.

Për programin e plotë të PriFest mund të klikoni në këtë link, e ku do të njoftoheni për filmat dhe të gjitha ngjarjet që do të ndodhin këtë javë në kuadër të Prifest. / KultPlus.com

“Histori në çati” me regji të Gazmend Nelës, hapë Festivalin PriFest

Në edicionin e dhjetë jubilar, PriFest ka vendosur që fokusin ta drejtojë në kinematografinë e Kosovës. Për hapjen dhe mbylljen e festivalit, PriFest ka përzgjedhur dy filma nga Kosova, me qëllim që të vazhdojë promovimin edhe më të madh të krijimtarisë vendore.

Edicioni i dhjetë i PriFest-it, që mbahet nga 17 deri 22 korrik, do të hapet me filmin “Histori në çati” (The Rooftop Story) të regjisorit Gazmend Nela, derisa filmi përmbyllës i festivalit do të jetë “Kthimi” (The Return) i regjisorit Kastriot Abdyli. Filmi i regjisorit Abdyli është edhe koproduksioni i parë zyrtar në mes Kosovës dhe Maqedonisë.

Sikur edhe çdo edicion, PriFest ka një program të veçantë Focus, ku prezanton krijimtarinë filmike të një shteti apo autori të veçantë, siç ishin në vitet e kaluara bashkëpunimet me Francën, Italinë, Japoninë, Amerikën Latine, Indinë, etj.

Këtë vit, PriFest ka në Focus: Kosovën

Janë plot 11 filma nga Kosova të përzgjedhur për t’u shfaqur gjatë ditëve të festivalit në kategori të ndryshme, më shumë se çdo herë tjetër. Të gjithë filmat, me përjashtim të filmave “Martesa” dhe “Me dasht me dasht me dasht” të cilët do të shfaqen në kategori jo-garuese, 9 filmat e tjerë do të shfaqen për herë të parë në Kosovë (disa nga ta edhe në botë) në kuadër të PriFest-it. Që të gjithë 11 filmat janë bërë nga regjisorë vendor, prej atyre me një përvojë më të madhe e deri te emrat më të rijnë, ndërkohë që shumica e këtyre filmave janë përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Por, kjo nuk është e tëra. Brenda programit special Focus: Kosova, do të bëhet promovimi i Kosovës në shumë aspekte.

Kosovo ready to roll (Kosova e gatshme për xhirim) – është moto që do të përcjell tërë platformën e zhvillimit të industrisë së filmit PriFORUM, duke i dhënë rëndësi të veçantë promovimit të vendit për mundësi të xhirimit të projekteve filmike ndërkombëtare në Kosovë.

Do të organizohen prezantime të lokacioneve për xhirim në mbarë Kosovën për kineastët ndërkombëtarë, mysafirë të festivalit, si dhe prezantimi i projekteve filmike të Kosovës që janë në fazën e post-produksionit brenda programit PriView – Works in Progress. Poashtu do të promovohen kapacitetet e kompanive të produksionit, kapacitetet njerëzore, ekipet filmike si dhe aktorët kosovarë të gatshëm për angazhim në produksione filmike të huaja (Kosovo Raising Stars).

‘Jemi shumë entuziast që në edicionin jubilar, do të kemi në fokus vendin tonë, Kosovën. Me një numër rekord filmash që do të shfaqen brenda javës së PriFest, audienca jonë do të ketë kënaqësinë e shijimit të veprave vendore kinematografike, disa prej tyre do të shfaqen madje për herë të parë te ne, pa filluar ende udhëtimin në festivalet ndërkombëtare, pra janë premiera botërore. Kjo na bën krenarë, dhe njëkohësisht e përmbush misionin tonë të festivalit, që përveç shfaqjes së kinemasë botërore në Kosovë, është edhe promovimi i kinematografisë vendore. Posaçërisht më gëzon fakti që nga 11 filmat e Kosovës, 3 janë bërë nga regjisore femra. Shpresoj që në vitet në vijim ky numër do të rritet.

Më gëzon poashtu fakti se do të prezantojmë edhe kapacitetet që ka Kosova për të mirëpritur produksionet e huaja filmike. Do ta bëjmë këtë në bashkëpunim me Shoqatën e Producentëve të Kosovës, Qendrën Kinematografike të Kosovës dhe një përkrahje të madhe do ta kemi nga Swiss Contact, një organizatë që e promovon Kosovën si vend turistik, kësaj radhe do të jetë partner i yni për të promovuar lokacionet e xhirimit që ka Kosova duke organizuar dy ekskursione brenda festivalit për vizitë të këtyre lokacioneve. Do të ketë edhe shumë befasi të tjera që do t’i shpalosim në ditët në vijim’, theksoi Vjosa Berisha, drejtoreshë e PriFest.

Lista e plotë e filmave të Kosovës që do të shfaqen sivjet në PriFest:

1. ‘A Prishtina Story’ (Një histori Prishtine), në regji të Burbuqe Berishës,
2. ‘Rooftop story’, (Histori në çati) në regji të Gazmend Nelës,
3. ‘The Return’ (Kthimi), në regji të Kastriot Abdylit
4. ‘Klithma’, në regji të Korab Lecajt,
5. ‘Martesa’, në regji të Blerta Zeqirit,
6. ‘Bini’, në regji të Erblin Nushit,
7. ‘Forgive me’ (Më fal), në regji të Besim Ugzmajlit,
8. ‘Gjumë dhe dashuri’, në regji të Arsim Halitit,
9. ‘Me dasht’ me dasht’ me dasht’’, në regji të Ilir Hasanajt,
10. ‘The Wheel’ (Rrota), në regji të Doki Qerimit.
11. ‘Dielli’, në regji të Mjellma Istrefit.

Audienca e PriFest, mes datave 17-22 korrik do të mund t’i përcjellë filmat në hapësirat e Teatrit Kombëtar (dy salla), Kinemanë nën qiellin e hapur te Sheshi “Zahir Pajaziti” si dhe në hapësirën tonë më të re,“Kino Armata”. Gjithashtu, sikur në edicionet e kaluara, edhe sivjet PriFest ofron mundësinë e blerjes së kartelave “All in One”, të cilat kushtojnë 10 euro dhe mundësojnë përcjelljen e të gjithë filmave të festivalit. Për të marrë këtë kartelë mund të na shkruani në [email protected] apo të thirrni në zyrën e festivalit (+38343714944), ndërsa biletat e filmave, të cilat kushtojnë 3 euro, mund t’i gjeni në biletarinë e Teatrit Kombëtar gjatë ditëve të festivalit./ KultPlus.com

Kosova gjatë vitit 2017 ishte e pranishme në 5 festivale të kategorisë ‘A’

Filmat e mbështetur nga QKK, ndër vite kanë pasur suksese të shumta në festivale ndërkombëtare, duke qenë të pranishme edhe në shumë festivale të kategorisë ‘A’.

Vetëm brenda këtij viti filmat kosovar kanë pasur premierë në 5 festivale të kategorisë ‘A’, gjë që shënon suksesin më të madh deri më tani.

Duke filluar me filmin ‘T’padashtun’ nga Edon Rizvanolli i cili u dha premierë në Karlovy Vary International Film Festival dhe në International Film Festival në Indi Goa, pastaj filmi ‘Rooftop Story’ nga Gazmend Nela i cili pati premierën në Montreal World Film Festival, filmi shkurtër ‘Një Muaj’ nga Zgjim Terziqi që u shfaq premierë në Cairo International Film Festival si dhe filmi i metrazhit të gjatë ‘Martesa’ nga Blerta Zeqiri që pati premierën në Tallinn Black Nights Film Festival, gjithashtu festival i kategorisë ‘A’, nga ku triumfoi me dy çmime, çmimi i kritikës ‘Fipresci Award’ si dhe çmimi special për ansamblin më të mirë të aktorëve.


Këta filma përveç premierës u shfaqen edhe në festivale tjera ndërkombëtare, pa lënë anash edhe filmat e vitit 2016, të cilët vazhduan shfaqjen në festivale të ndryshme si: filmi ‘Home Sweet Home’ nga Faton Bajraktari, ‘Eho’ nga Dren Zherka, ‘Home’ nga More Raça etj./KultPlus.com

Lansohet traileri i filmit “Rooftop Story” (VIDEO)

Me skenar të Arian Krasniqit dhe Gazmend Nela e me regji të po këtij të fundit, filmi “Rooftop Story”, që ka pasë premierën në Montreal Film Festival tash ka lansuar edhe trailerin zyrtar, shkruan KultPlus.

Në këtë film me rolet e tyre luajnë aktorët: Xhevdet Doda, Mona Mustafa, Art Lokaj, Ismet Azemi, Sylejman Lokaj, Safete Rugova, Florist Bajgora, Ermal Gerdovci, Defrim Salihu, Selatin Ademi…Ky film është mbështetë nga Qendra Kinematografike e Kosovës./KultPlus.com