‘Fluturat 2017’ nis sot në Prizren

18 Shtator, 2017 - 8:58 am

Festivali i këngës për fëmijë “Fluturat 2017”, mbahet sonte nga ora 19:30 në kopshtin e Kinema Lumbardhit në Prizren, me ç’rast 19 fëmijë do ta shpërfaqin talentin e tyre.

Organizatori i Festivalit studio Helix, njofton se edhe përkundër kohës së shkurtër që e kanë pasur në dispozicion janë bërë të gjitha përgatitjet. Janë përzgjedhur 19 këngë me vlera të mirëfillta që i përshtaten karakterit të festivalit.

“Për shkak të anulimit dy herë të tenderit dhe kohës shumë të shkurtër në dispozicion për organizimin e festivalit kemi bërë të pamundurën që edicioni i sivjetmë të jetë cilësor si për nga këngët që do të paraqiten, ashtu edhe në aspektin teknik të organizimit të festivalit” tha Istref Krasniqi drejtor i studio Helixit.

Në skenën e përgatitur enkas për festivalin Fluturat 2017 do të paraqiten: Ardena Gjonbalaj me këngën “Jam një Zanë nga Plava e Gucia”; Sara dhe Isak Krasniqi me këngën “Faliminderit që na sollet lirinë”; Kada Hodaj me këngën “Balerinë”, Ela Kazaz me këngën “Yeni Yel”, Natyra Vorfaj me këngën “Nëna ime”; Ardian Miftaraj dhe Argita Zaka me këngën “Shoku dhe shoqja Këndojnë”; Jasmina Dervishi me këngën “Preke dhimbjen”; Blenis Vorfaj me këngën “Un i dua kerret”; Mario Zaja me këngën “Duet me dallëndyshen”; Hyrije Begaj me këngën “Princeshat”; Lorent Qerimi me këngën “Bota ime”; Kejxhi Bilalaj me këngën “Elefanti në qytet”; Emi Bakia me këngën “Kush e hëngri mjaltin”; Risa dhe Sara Ramadani me këngën “Manekenet”; Flutura Osmani me këngën “Udhëtimi” ; Ester dhe Gjina Kraki me këngën “Dy motrat këndojnë”; Anjeza Sejdia me këngën “Sikur të flasin dhe ata”; Nikol Ndoi me këngën “Ngriva shkriva”; Hira Bajraktari me këngën “Familje sikur na”.

Drejtori i Festivalit Istref Krasniqi njofton se për tri vendet e para do të ndahen këto çmime: Për vendin e parë 500 euro dhe Flutura e argjendtë, për vendin e dytë 300 Euro dhe për vendin e tretë 200 Euro.

Do të ndahen edhe çmimet: debutuesi më i mirë, dueti më i mirë, paraqitja më e mirë skenike dhe çmimi i Studio Helix-it./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme