Kampi i “Super vullnetarëve” kësaj radhe fokusohen në Kaçanik

27 Shtator, 2018 - 8:30 pm

Organizata Kosovare për Talent dhe Arsim “Toka”, po vazhdon me kampe edhe në shtator dhe tetor. Kampi i radhës i “Super-Vullnetarëve” do të fokusohet në Komunën e Kaçanikut. Përveç se do të ketë 8 pjesëmarrës nga Kaçaniku, do të realizohen dy projekte vullnetare të cilat do të përmirësojnë ambientet e shkollës fillore “Idriz Seferi” dhe asaj të mesme “Feriz Guri & Vëllezërit Çaka” në Kaçanik.

Gjatë kampit 40 të rijnë nga e gjithë Kosova do të zhvillojnë shkathtësi të reja, përderisa janë duke kontribuar në komunitet. Këta të rijnë do të mësojnë si të punojnë me dru, si të krijojnë dollape dhe shporta nga materiale të ricikluara. Përgjatë kampit ata do të zhvillojnë aftësitë e tyre të prezantimit publik dhe planifikimit në grup. Qëllimi i këtij kampi është që të zhvilloj shkathtësi dhe të nxisë qytetari aktive tek të rinjtë në Kosovë.

“Mezi po pres të filloj kampi! Do të takoj bashkëmoshatarë dhe do të punojmë një projekt vullnetar. Besoj se do të mësoj shumë gjëra të reja, si të bëjmë plane për punë vullnetare dhe si të punoj me dru. Jam shumë e gëzuar që jam pranuar të marrë pjesë në kampin e Super-Vullnetarëve”, është shprehur Elita Cermjani, nga Gjakova, pjesëmarrëse në kamp.

Ky kamp financohet nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Kampi po ashtu përkrahet nga Komuna e Prishtinës dhe kompania KIVO Kosova./KultPlus.com

Të ngjajshme