Karnavalet i japin jetë fundjavës në Berat

24 Shkurt, 2019 - 11:00 am

Nga Erjola Azizolli

Festa e karnavaleve ka mbushur me ngjyra fundjavën në qytetin e UNESCO-s.

Fëmijë të maskuar me maskat e personazheve të botës së tyre kanë emocionuar prindërit dhe qytetarët që i kanë ndjekur në një paradë të vërtetë. Aktiviteti është zhvilluar përgjatë pedonales së qytetit dhe është ndjekur me mjaftë interes nga qytetarët.

Karnavalet, kanë sjellë botën e maskuar të shumë personazheve, ndërkohë që fëmijët kanë sfiduar temperaturat e ulëta të së shtunës. Plotë ngjyra, energji dhe interpretime në një festë të vërtetë që ka zgjatur gjatë gjithë paradites. Fëmijët e talentuar kanë demonstruar dhe numra artistik, të cilët kanë qenë pjesë e një feste të vërtetë. Protagonistë kanë qenë fëmijët e të gjitha kopshteve publike dhe jo publike të qytetit, të cilët ishin përgatitur me mjaftë mjeshtëri nga stafi i edukatorëve, ndërkohë që nuk ka munguar dhe ndihma e dhënë prej prindërve.

Nën kryetarja e Bashkisë, Afize Skëndo, u shpreh se ky aktivitet i fëmijëve ishte pjesë e një programi që bashkia ka miratuar që në fillim të vitit për të pasur një jeta kulturore dhe artistike në qytet.

“Sot, ishte radha e fëmijëve që na mbushën qytetin me jetë. Aktiviteti bëri bashkë një sërë institucionesh dhe u arrit që jo vetëm të gëzonim fëmijët, por ti jepnim ngjyra qytetit”, tha nënkryetarja e bashkisë.

Aktivitete kulturore parashikohet që të ketë për çdo festë kalendarike sipas Skëndos me qëllim që ti jepet larmi qytetit veçanërisht në fundjavë, ku dhe pse në stinën e dimrit nuk mungojnë vizitorët. / KultPlus.com

Të ngjajshme