Laureatët e ‘Prishtina ime’ magjepsen me vizitën në Turqi, gjithçka nis me Stambollin

17 Korrik, 2017 - 1:48 pm

Kjo vizitë është një kujtim i këndshëm veçanërisht për gjashtë fëmijët fitues të konkursit ‘Prishtina ime’, të cilët pas kësaj do të hapnin një ekspozitë modeste në Shoqatën ‘Prizreniler’, shkruan KultPlus.

Sarandë Selimi

Qendra Kulturore e Fëmijëve të Prishtinës dhe Yunus Emre Enstitüsü në Prishtinë, me rastin e ’11 Qershorit Ditës së Prishtinës’, patën organizuar konkurs të pikturës dhe fotografisë, me ç’rast tre vendet e para në secilën kategori do të shpërbleheshin me një vizitë kulturore në Turqi. Kësisoj, gjashtë fituesit: Erika Arllati, Enea Lajqi, Diella Valla, Adea Hajrizi, Lend Haliti dhe Dion Asllani, të mërkurën mbrëma, bashkë me tri mësuese, përfaqësuesin e Komunës së Prishtinës dhe përfaqësues të Yunus Emre, morën rrugën për në Turqi, përkatësisht Stamboll, ashtu siç ishte premtuar edhe shpërblimi. Pas mbërritjes në Stamboll, këta fëmijë mëngjesin e së enjtes nisën vizitën e tyre ku gjithçka nisi me Xhaminë ‘Sulltanahmet’ apo ‘Blue Mosque’ për të vazhduar aty afër edhe me Muzeun Ayasofia, ndryshe katedralen e kthyer në xhami.

Histori pas historie tregonte cicëroni me të cilin fëmijët bashkë me pjesën tjetër të ekipës si dhe me dy pjesëtarët e shoqatës ‘Prizreniler’, u nisën për të bërë një vizitë me anije nëpër Bosfor edhe kjo një kujtim i këndshëm veçanërisht për gjashtë fëmijët fituesit e konkursit ‘Prishtina Ime’, të cilët pas kësaj do të hapnin një ekspozitë modeste në Shoqatën ‘Prizreniler’.

Bashkë me pikturat dhe fotografitë e tyre, fëmijët u nisën tek shoqata, aty ku nikoqire ishte Gylen Tyrker-Drejtoreshë e Shoqatës ‘Prizreniler’. Ajo përveç që bëri nga një fotografi me secilin fëmijë veç e veç, dhe u dhuroj atyre nga një dhuratë modeste, për KultPlus, tha se është kënaqësi e veçantë të ketë këso lloj bashkëpunimesh me Kosovën, pasi që, edhe vetë ideja e shoqatës është e tillë.

“Jemi një shoqatë që si qëllim primarë për ne është që të kemi lidhje të forta mes Turqisë e Kosovës, dhe mendoj që me këto lidhje që kemi na ndihmon që të njohim rininë e Turqisë e poashtu edhe rininë e Kosovës, ku mendoj që do të jetë një bashkëpunim i frytshëm për njohjen e tyre. Kam kënaqësinë që jam pjesë e projektit të ekspozitës për fëmijët e Kosovës. Kur më ka ardhur ftesa nga Yunus Emre, ka qenë kënaqësi e veçantë dhe me qejf e kam pranuar”, u shpreh Tyrker.
Ndërkohë, në fund të kësaj dite, fëmijët patën rastin të shohin nga afër pallatin e fundit të ndërtuar nga Perandoria Osmane.
Edhe pse ishte ditë pushimi për punëtorët e këtij pallati, pra e enjtja nuk ishte ditë për vizitorë në këtë pallat, administratori i DolmaBahce Sarayi-Palace, vinte nga Kosova dhe padyshim që hapi pallatin për këta fëmijë ku për shumicën nga ta ishte hera e parë që vizitonin Turqinë dhe njiheshin nga afër me kulturën turke.

Një pallat jashtëzakonisht i madh ku secila pjesë përmbante një histori në vete, ishte ai që magjepsi vizitorët nga Kosova dhe nuk mbet pjesë e tij pa u arkivuar në një fotografi.
Sinan Sisman-Administrator i DolmaBahce Sarayi-Palace tha për KultPlus, se ky pallat përgjatë një javë mirëpret nga 3000 deri në 5000 vizitorë, dhe krejt kjo kërkon një punë e angazhim shumë të madh. Ai poashtu u shpreh i lumtur me këtë vizitë.

“Unë po e ndjejë vetën shumë të lumtur, më duket sikur ka ardhur një pjesë e familjes sime, sepse edhe unë kur e kam vizituar Kosovën e kam ndjerë këtë gjë kështu që njëjtë është. Sa i përket vizitave në këtë pallat, në javë vijnë nga 3000 deri në 5000 njerëz. Çdo punëtorë që është i punësuar këtu është i specializuar në drejtimin e vet, duke nisë nga mirëmbajtja, gjendja arkitektonike e kështu me radhë dhe kjo ndoshta e bënë më të lehtë punën tonë, normal është e vështirë të menaxhosh gjithë këtë pallat por kemi punëtorë të mrekullueshëm”, pohoi Sisman.

Rrugëtimi i fituesve të ‘Prishtina Ime’ që organizohet nga Qendra Kulturore Turke në Prishtinë Yunus Emre, nuk përfundon këtu. Ata do të kenë mundësin që edhe përgjatë tri ditëve të tjera qëndrim në Turqi të vizitojnë edhe Bursan. Një qytet tjetër, mjaft interesant që mbetet për tu shpalosur nga fëmijët prishtinas nga e premtja./ KultPlus.com

Të ngjajshme