Një ngjarje e trishtë riktheu në ekran Paolën e ëmbël të Piter Panit

3 Maj, 2019 - 5:20 pm

Është vetëm 5 vjeç, por CV-ja e Paola Qibinit është mjaft e pasur, aq sa kushdo nga ne do ta kishte zili. Piter Pani ishte porta e parë që iu hap vogëlushes e cila numëron në llogarinë e sociale më shumë se 70 mijë ndjekës, sepse pas spektaklit, nisën një nga një kompanitë e ndryshme ta kërkonin Borëbardhën si modele: “Kam marrë pjesë si modele”, – thotë ajo pa modesti para Rudina Magjistarit pasi kjo e fundit e pyeti për eksperiencat e saj pas Piter Panit.

Nga Piter Pani, Paola fluturoi në Rumani, ku mori pjesë në një konkurs bukurie, si përfaqësuese e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës, në Miss Globe 2018. Por nuk e la me kaq “modelingun”. Megjithatë, për momentin, ka provuar veten në një “profesion” të ri  – në këngë.

Ajo mungon” është kënga e re që ka protagoniste kukullën e ëmbël të Piter Panit. Profesori i saj i muzikës, Denis Taraj, sapo ka publikuar një klip të ri, fabula e të cilit, fatkeqësisht lidhet me një histori të trishtë të Paolës.

Kjo kënga i dedikohet tezes sime që është lart në qiell dhe më mbron gjithmonë. Kjo është kënga ime e parë dhe më ka pëlqyer shumë…”,- tha Paola.

Tezja e vogëlushes është ndarë nga jeta para kohe dhe e gjithë kjo humbje është shkruar në vargjet e këngës. Paola është shumë e vogël për ta kuptuar të gjithën, por ajo është treguar një zonjushë e vërtetë, madje edhe një aktore, e cila para publikut luan rolin e vajzës që ka humbur nënën.

Me sytë që i shkëlqejnë, pak nga lotët e dhimbjes e shumë nga ëmbëlsia engjëllore, Paola tregon se është shumë e lumtur që kjo këngë i është kushtuar tezes së saj. Por nuk do ta lërë me kaq karrierën, përkundrazi. Është e bindur se do të bëjë gjëra shumë më të bukura në të ardhmen, aktore, kërcimtare, këngëtare, prezantuese: “Do t’i bëj të gjitha…” – thotë ajo me naivitetin e pastër të fëmijës.

Kush nuk e beson dhe nuk ia uron Paolës t’i arrijë të gjitha këto një ditë? Sidoqoftë, derisa të kalojnë edhe pak vite, Paola do të mbetet kukulla e ëmbël e Piter Panit… Tani, edhe me një engjëll më shumë që e sheh nga lart. /classlifestyle/ KultPlus.com

Të ngjajshme