Australia ndalon DeepSeek nga sistemet dhe pajisjet e qeverisë

Australia ka ndaluar shërbimet e DeepSeek AI nga të gjitha sistemet dhe pajisjet qeveritare.

Me këtë është bërë një nga vendet e para që ka ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta kundër një startup kinez të inteligjencës artificiale që tronditi Silicon Valley dhe tregjet globale këtë vit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Tony Burke tha në një deklaratë të martën se të gjitha produktet, aplikacionet dhe shërbimet e DeepSeek do të hiqen nga sistemet qeveritare për arsye të sigurisë kombëtare, menjëherë.

Një vlerësim i kërcënimit nga agjencitë e inteligjencës së vendit zbuloi se teknologjia përbënte një rrezik të papranueshëm, tha ai.

E themeluar në Hangzhou vetëm 20 muaj më parë, teknologjia e DeepSeek bëri bujë në janar me një aplikacion të ri celular që paraqet chatbotin e tij të AI – që dukej se sugjeronte që AI i nivelit të lartë mund të zhvillohej pa investime të mëdha në harduer.

Aksioni nuk shtrihet në pajisjet personale të qytetarëve privatë.

Megjithatë, australianët mund të “lexojnë diçka në faktin se qeveria ka vendosur që nuk është e sigurt të ketë në telefonat e qeverisë”, tha Ministri për Punësimin dhe Marrëdhëniet në Vendin e Punës, Murray Watt./alsatm/ KultPlus.com

65 vite më parë mbyllte sytë Kamy’, që përjetoi pavdekësinë kur ishte ende gjallë

Më 4 janar 1960, Alber Kamy’ (Albert Camus) u nda nga jeta, në moshën 46-vjeçare, në një aksident tragjik automobilistik pranë fshatit francez, Villeblevin.

Ai po udhëtonte me redaktorin e tij, Michel Gallimard, i cili gjithashtu nuk i përballoi dëmtimet.

Fillimisht, Kamyja kishte planifikuar të kthehej në Paris me tren, por vendosi të pranonte udhëtimin me Gallimard.

Në makinë u gjet një kopje e papërfunduar e dorëshkrimit të romanit të tij ”The First Man”, i cili do të botohej pas vdekjes.

Kamy’ u bë, ende gjallë, një nga intelektualët e mëdhenj të angazhuar në mbrojtjen e jetës njerëzore dhe luftimin e të gjitha formave të totalitarizmit.

Ai fitoi çmimin Nobel në Letërsi (1957) kur ishte vetëm 44 vjeç.

Vepra e tij më e njohur botërisht është ”I huaji” (”The Stranger”).

65 vjet pas vdekjes së tij, puna e tij e larmishme vazhdon të fitojë rëndësi përballë sfidave bashkëkohore.

Trashëgimia e tij jeton në prodhimtarinë artistike, teatër, letërsi, filozofi dhe në mendjet e shqetësuara që vazhdimisht kërkojnë të vënë në dyshim natyrën e realitetit shoqëror dhe ekzistencial.

”Por njerëzit vdesin, pavarësisht vullnetit të tyre, pavarësisht maskimit të tyre”, shkruan Kamy’.

”Atyre u thonë ‘kur të jeni shëruar…’, por ata vdesin. Unë nuk e dua këtë. Po, nëse ka ditë kur natyra gënjen, ka të tjera kur ajo thotë të vërtetën”, shton ai.

”Për mua, përballë kësaj bote, nuk dua të gënjej apo të gënjehem. Dua ta çoj kthjelltësinë time deri në fund dhe ta përballoj fundin tim me gjithë bollëkun e xhelozisë dhe tmerrit tim”, shton Kamy’./ atsh/ KultPlus.com

Presidentja Osmani e ftuar nderi në drekën Ndërparlamentare Ndërkombëtare në Capitol Hill dhe në Forumin Ndërparlamentar të Sigurisë në Washington D.C.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë sot në drekën Ndërparlamentare Ndërkombëtare në Capitol Hill, si e ftuar nderi, ndërkaq në Forumin Ndërparlamentar të Sigurisë, pati një adresim.

Gjatë Drekës Ndërparlamentare Ndërkombëtare, të organizuar në kuadër të Takimit Vjetor të Lutjes Kombëtare, presidentja Osmani foli për rrugëtimin e popullit të Kosovës nga sfidat më të mëdha deri te arritjet e sotme, si dhe angazhimin e paluhatur për luftim të forcave dhe ndikimit malinj në Kosovë.

Në Drekën Ndërparlamentare Ndërkombëtare, presidentja ishte e ftuar përkrah Mbretit dhe Mbretëreshës së Burundit, kryeministrit të Fixhit, si dhe kongresistëve amerikanë, ministrave e deputetëve të shumtë nga mbarë bota. Me këtë rast, ajo pati mundësi të diskutoj me ta për thellimin e raporteve bilaterale.

Ndërsa në Forumin Ndërparlamentar të Sigurisë, presidentja Osmani u fokusua në rolin strategjik të Kosovës në luftimin e ndikimeve keqdashëse të Kinës, Rusisë dhe Iranit, duke theksuar partneritetin e palëkundur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Investimi dhe angazhimi amerikan në Kosovë, përveç se është në dobi të sigurisë dhe zhvillimit tonë, është po ashtu në përputhje me objektivat e Administratës Trump. Kjo do të pengonte po ashtu përhapjen e luftës hibride ruse, ndikimin ideologjik të Iranit dhe presionin ekonomik të Kinës në rajon. Kosova është një aleat i palëkundur që forcon ndikimin e SHBA-së në Evropë dhe Ballkan”, theksoi Osmani.

Sipas Osmanit, Kosova është një aset strategjik për SHBA-të në përballjen me ndikimet destabilizuese në Evropë dhe mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj interesave strategjike të Shteteve të Bashkuara.

Ndër të tjera, Osmani ritheksoi rëndësinë e investimeve amerikane dhe investimeve në infrastrukturën kritike të Kosovës duke siguruar pavarësinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të vendit./ KultPlus.com

Po kthehet Lufta e Ftohtë në Arktik?

“Për sigurinë kombëtare dhe lirinë në mbarë botën, Shtetet e Bashkuara besojnë se zotërimi dhe kontrolli i Groenlandës janë një domosdoshmëri absolute.” Kjo deklaratë e Donald Trump, e bërë ende pa e marrë detyrën, vuri në alarm gjysmën e Europës.

Më pas, ishte djali i tij, Donald Trump Jr., që me vizitën e tij të shkurtër në ishull shkaktoi një furtunë politike: “E dimë si i trajtoni inuitët në Alaskë,” i thanë në aeroportin e Nuuk-ut, duke e pritur me gjeste fyese. “Groenlanda është e jona, i përket popullit të Groenlandës dhe nuk duam të jemi amerikanë,” sqaroi për të gjithë kryeministri groenlandez, Múte Egede.

Ndërkohë, kryeministrja daneze Mette Frederiksen, e cila që në vitin 2019 kishte refuzuar një kërkesë të ngjashme të Trumpit, përsëriti se ishulli “nuk është në shitje.”

E kolonizuar nga vikingët dhe më pas e kaluar në duart e danezëve, Groenlanda është sot një shtet autonom brenda Mbretërisë së Danimarkës, me një qeveri, parlament, gjykatë dhe polici të vetën; vetëm politika e jashtme, mbrojtja dhe financat mbeten në duart e Kopenhagës. Po pse është kaq i rëndësishëm ky ishull për SHBA-në?

Mjafton të shikosh një hartë për ta kuptuar. Ky ishull pothuajse i pabanuar, i mbuluar nga akujt në 90% të territorit të tij, është pika e fundit strategjike e NATO-s përpara kontinentit ruso-kinez. Përtej Polit të Veriut shtrihet Arktiku ruso-siberian, me 25,000 kilometra vijë bregdetare, qytete të mëdha si Arkangelsku dhe Murmansku, baza ushtarake, porte, hekurudha dhe infrastrukturë të rëndësishme.

Një sulm ndaj Amerikës mund të vijë vetëm nga ky rajon, duke kaluar mbi Groenlandë, e cila megjithatë është pothuajse e pambrojtur ushtarakisht: përveç bazës amerikane në Pituffik, në skajin verior të ishullit, që është jetike për mbrojtjen nga raketat dhe për komunikimet satelitore, si dhe katër anijeve të Marinës daneze, nuk ka asgjë tjetër. “Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishulli u vu nën mbrojtjen e Aleatëve. Më pas, gjatë Luftës së Ftohtë, danezët i dhanë SHBA-ve të drejtën për të ndërtuar një bazë ajrore. Por që nga viti 2008, kur groenlandezët morën të drejtën për të menaxhuar në mënyrë të pavarur burimet e tyre natyrore, gjërat kanë ndryshuar,” vëren Robert Peroni, një ish-alpinist nga Tiroli i Jugut, i cili prej dyzet vitesh jeton në Tasiilaq, në bregun lindor, ku ka hapur Casa Rossa, një hotel që ofron edhe të vetmen mundësi punësimi për komunitetin lokal.

“Danimarka bën shumë për Groenlandën,” shton ai. “Gjysma e buxhetit të saj varet nga subvencionet e Kopenhagës, që arrijnë mbi gjysmë miliardë euro në vit.”

Është e vërtetë që ishulli është i pasur me minerale strategjike, por shfrytëzimi i tyre do të kërkojë vite, për shkak të kushteve të vështira klimatike, logjistike dhe infrastrukturore. “Industria e vetme është peshkimi, edhe pse turizmi po zhvillohet, por vetëm në bregun perëndimor,” përfundon Peroni.

Ndërkohë, shkrirja e akujve po e bën Arktikun të lundrueshëm. Rrugë detare dikur të famshme për ekspeditat epike, si Kalimi i Veriperëndimit, i kryer për herë të parë në fillim të viteve 1900 nga norvegjezi Roald Amundsen, tani janë gjithnjë e më të aksesueshme, jo vetëm për turizmin e kroçerave, por edhe për anijet tregtare. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, cisternat ruse dhe kineze kanë filluar të anashkalojnë sanksionet duke kaluar përmes ujërave arktike.

Moska dhe Pekini po përpiqen të zgjerojnë sferat e tyre të ndikimit në rajonin polar duke përfituar nga ndryshimet klimatike. Sepse me një rritje të temperaturave katër herë më të lartë se mesatarja globale (+0.75°C për dekadë), që brenda fundit të kësaj dekade mund të ketë verë pa akull në këtë zonë. Dhe një Arktik “blu”, i përbërë nga det i hapur, përbën një kërcënim edhe për superfuqinë amerikane. / bota.al/ KultPlus.com

Ikonat e valles shqipe, Lili Cingu dhe Rexhep Çeliku në interpretim të përbashkët në vitin 1988(VIDEO)

Rexhep Çeliku dhe Liliana Cingu, shquhen si mjeshtër dhe ikona të vallëzimit të valles shqipe, shkruan KultPlus.

Çeliku dhe Cingu për vite me radhë kanë qenë antarët më të dalluar të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë.

Për kontributin e dhënë gjatë jetës së tyre në prezantimin dhe ruajtjen e valles shqipe, iu janë dhënë çmimet ‘Nderi i Kombit’nga Republika e Shqipërisë.

KultPlus ju sjell një vallëzim të mahnitshëm të legjendave të valles shqipe, të realizuar në vitin 1988/KultPlus.com

Osmani pas takimit në State Department: Sa më i fortë bashkëpunimi me SHBA, aq më e fortë dhe e sigurt Kosova

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron në SHBA dhe është takuar me Ndihmës Sekretarin e Shtetit në detyrë, Louis Bono.

Ajo pas takimit ka shkruar në Facebook, të mërkurën se me Bono ka biseduar për forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së në përputhje me objektivat Administratës Trump.

Osmani ka thënë se sa më i fortë bashkëpunimi me SHBA-të, aq më e fortë dhe e sigurt do të jetë Kosova.

“Në Washington D.C., në Departamentin e Shtetit, takova Ndihmës Sekretarin e Shtetit në detyrë, Louis Bono, me të cilin diskutuam për forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përputhje me objektivat e Administratës së Presidentit Trump, si dhe për avancimin e bashkëpunimit në fusha kyçe si mbrojtja,  ekonomia, paqja e stabiliteti rajonal dhe integrimi euroatlantik i vendit tonë.  Sa më i fortë bashkëpunimi me SHBA-të, aq më e fortë dhe e sigurt do të jetë Kosova”, ka thënë Osmani./ KultPlus.com

Trupa e Baletit Kombëtar sjell motiv e shpresë përmes premierës ‘Hope’ në Ditën Ndërkombëtare Kundër Kancerit

Vjollca Duraku
Foto: Qëndrim Morina & Vjollca Duraku

Mbrëmë, në hapje të sezonës artistike 2025, Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës ka përcjellë mesazhe shprese përmes shfaqjes premierë “Hope” me koreografi të Sead Vuniqit, në kuadër të Ditës Botërore Kundër Kancerit, shkruan KultPlus.

Një udhëtim emocional që trajton një sfidë madhore, atë të përballjes së individit me sëmundje të Kancerit u paraqit mbrëmë në Atelienë e Pallatit të Rinisë përmes lëvizjeve artistike të balerinëve profesionistë, duke dhuruar emocione të përziera që në fund triumfojnë me shpresë, paqe e dashuri.

Një ambient i errët e shoqëroi rrjedhën e pjesës së parë të shfaqjes, e cila në mënyrë simbolike paraqiste ditët e para kur personi ballafaqohet me sfidën, kur individi është i thyer, i vrarë dhe i mbyllur përbrenda.

Skenës i shtohen edhe balerinët të cilët përfaqësojnë familjarët dhe njerëzit që janë pjesë e jetës së individit i cili sfidohet me Kancer, kurse balerina Behie Murtezi e cila është e veshur në të bardha prezanton rolin e personit të sfiduar me sëmundje. Fustani i bardhë paraqet shpresën dhe fuqinë e pashterrshme brenda saj, që ndriçon rrethanat dhe ambientin e zymtë.

Çdo prekje që ajo me plotë emocion e bënte në trupin e saj shprehte në mënyrë jo dramatike molisjen dhe plagët që ishin shkaktuar nga dhimbja. Ato dhimje fizike që përjetoheshin nga personazhi kryesor përcilleshin në formë të dhimbjeve emocionale te tërë rrethi i saj, që shpesh herë ‘shtriheshin përdhe’. Ndërkaq, një dritë që ndizej vetëtimthi nënkuptonte që personazhi kryesor kishte shpresë dhe motiv për jetë dhe se bashkë me të ‘ringriheshin’ edhe familjarët duke i dhënë mbështetje dhe dashuri.

Në prapavijë qëndronte një pemë, e cila në mënyrë figurative po ashtu portretizonte personazhin kryesor, rrënjët dhe degët e së cilës ishin të thara fillimisht. Mirëpo, motivi dhe dëshira për të jetuar e paraqitur mjaft bukur nga artistët e skenës, fillojnë t’i japin personazhit dhe pemës sythe të reja, gjethe dhe rrënjë plotë jetë e vitalitet në fund të shfaqjes artistike, përfundimisht duke paraqitur triumfin mbi sëmundjen.

Shfaqja “Hope” dedikuar ndërgjegjësimit dhe luftës ndaj stigmatizimit të ndërlidhur me sëmundjet ka ardhur si bashkëpunim i Baletit Kombëtar të Kosovës në përbërje me balerinët: Aulonë Nuhiu, Donmir Bilalli, Fatmir Smani, Jeta Musolli, Luljeta Ademi, Marigonë Hoxha Beha, Rigon Krasniqi, Isa Beg Gjocaj dhe organizatës “Action For Health”.

Nezaqete Rukovci, udhëheqëse e organizatës “Action For Health” ka thënë se është nder për organizatën që Baleti Kombëtar i Kosovës shfaqjen e parë për vitin 2025 i ka dedikuar një kauze që i prek të gjithë, në mënyra të dukshme dhe të padukshme.

“Sot, jam krenare të them se baleti ynë do të qëndrojë për një kauzë të rëndësishme-ngritjen e ndërgjegjësimit dhe luftën kundër stigmatizimit që lidhet me sëmundjet, veçanërisht kancerin. Baleti, në formën e tij më të pastër, nuk është vetëm një art; është një gjuhë e shpirtit. Ai flet me zemrat tona përmes lëvizjes, emocioneve dhe bukurisë. Si balerinë, keni aftësinë jo vetëm të shprehni përvojën njerëzore, por edhe tu jepni zë atyre që mund të ndihen të heshtur nga lufta e tyre” ka thënë Rukovci.

Më tej, ajo ka falënderuar artistët që kanë dhuruar talentin e tyre të jashtëzakonshëm për një kauzë që prek shumë jetëra njerëzish.

“Kjo nuk është vetëm shfaqje. Është një deklaratë uniteti dhe dhembshurie. Është një thirrje për shoqërinë tonë që të jetë edhe më empatike më mirëkuptuese dhe më mbështetëse ndaj atyre që kanë më shumë nevojë. Është një moment që na kujton se arti, dhe baleti në veçanti, ka një aftësi unike të na bashkojë të githëve, pavarësisht prejardhjes sonë, për të qëndruar së bashku përballë sfidave”, ka thënë Rukovci.

Ndërkaq, koreografi Sead Vuniqi ka falënderuar kolegët e tij balerinë për atmosferën e mrekullueshme të punës, e cila është respektuar edhe më pasi koreografia është realizuar nga pjesëtarët brenda institucionit.

“Gjatë procesit të punës me balerinë normalisht ka qenë pak e vështirë pasi kemi pasur një kohë mjaftë e shkurtë për përgatitje, e përveç kësaj edhe angazhime të tjera. Ne jemi një institucion që sfidohemi shumë, por që gjithmonë i tejkalojmë ato dhe mundohemi t’i arrijmë sukseset që i posedojmë. Mjedisi i punës me balerinë ka qenë shumë i mirë për shkak se janë shokët e mi, unë jam rritur me ata. Shumicën e kohës e kaloj me ta, kështu që për të punuar në cilësinë e koreografit është një ndjenjë jashtëzakonisht shumë e madhe. Ata gjithmonë janë përkrahës, por sidomos kur e dinë që produkti është nga brenda përkrahja është edhe më e madhe” ka thënë koreografi Vuniqi, i cili është i vetëdijshëm për kohën e limituar me të cilën është dashur të realizohet kjo shfaqje, si dhe për vullnetin e jashtëzakonshëm të kolegëve të tij brilant.

Ndërkaq, balerina Behie Murtezi ka thënë se për BKK ka qenë shumë e rëndësishme të trajtoj një aspekt me tematikë të rëndësishme dhe të ndjeshme në shoqëri.

“Mendoj që ne si Balet i Kosovës kemi bërë sado pak për njerëzit që janë të prekur me këtë sëmundje, ndjehem shumë e lumtur për këtë aspekt. Jam shumë e lumtur që të paktën e kemi dhënë një shfaqje që i ndërgjegjëson dhe ju jep shpresë të gjithë atyre që janë të sëmurë. Uroj që aktivitete të tilla të kemi edhe më shpesh” ka thënë balerina Behie Murtezi, duke potencuar edhe brengën e saj sa i përket realizimit në aspektin e kohës.

“E vetmja gjë që e kam si brengë është koha e shkurtë që e kemi pasur për realizimin e kësaj shfaqje. I gjithë procesi ka qenë shumë i shpejtë, kurse për emocionet të cilat janë shumë të forta që i bartim përmes kësaj shfaqjeje ndoshta do të duhej një kohë pak më e gjatë për tu përgatitur. Mirëpo, megjithatë shfaqja ka dal shumë mirë dhe mendoj që publiku e priti jashtëzakonisht mirë” ka thënë gjithashtu ajo.

Kurse, balerini Isa Beg Gjocaj ka përmendur edhe sfidat tjera të cilat e përcollën realizimin e këtij projekti, për të cilin ka punuar me plot pasion e përkushtim.

“Me sfida jemi duke u ballafaquar me vite të tëra, prej kohës kur është mbyllur Teatri i Kosovës. Si trupë e Baletit kemi mbetur pa shtëpi. Nuk e kemi sallën tonë adekuate por duhet në njëfarë mënyre ta huazojmë. Ushtrimet dhe provat janë mbajtur te salla e Ansamblit “Shota”. Këtë herë kemi pasur ballafaqime me disa sfida akoma më të mëdha, pasi skena e amfiteatrit të cilën e kemi pasur në shfrytëzim është jashtë përdorimit për shkak të grevës nga ana e aktorëve. Po ashtu e kemi pasur një kohë shumë të shkurtë për përgatitje të këtij projekti, pasi në fillim të këtij viti e kemi qenë në një udhëtim në Berlin të Gjermanisë me një shfaqje tjetër. Të gjitha këto kanë qenë bllokada në njëfarë mënyre. Por edhe këtë herë ja dolëm fatmirësisht”, ka thënë Gjocaj.

Tutje, ai ka thënë se si Trupë e Baletit janë shumë të kënaqur me rezultatin që është arritur mbrëmë pas reagimeve të publikut pas performancës së tyre.

“Shfaqja e sotme e ka një rëndësi shumë të madhe për ne, sepse ka pasur një tematikë mjaftë prekëse. Besoj që të gjithë e kanë përjetuar, së paku kushdo që ka pasur një përvojë të tillë, apo ndonjë të afërm që është ballafaquar me këtë, e kuptojnë sfidën emocionale dhe fizike që vijnë me sëmundjen. Normalisht, ka qenë prekëse edhe për ne. Shpresoj që ja kemi arritur ta realizojmë, në një mënyrë jo shumë dramatike, ngase ky ka qenë synimi ynë kryesorë, që mos ta bëjmë dramatike, dhe të shpërndajmë shpresë që gjithçka mund të kaloj me mundin dhe ndihmën e njerëzve rreth nesh”, ka përfunduar balerini Gjocaj./ KultPlus.com

Sunny Hill cakton datat e mbajtjes së festivalit

Sunny Hill Festival ka njoftuar se festivali në kryeqytet do të mbahet më 01-03 gusht, shkruan KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi në facebook, nga faqja zyrtare e festivalit.

”Shënoni në kalendar. Po ju flasim nga vera. 01-03 gusht i përkasin Festivalit Sunny Hill.

“Sunny Hill Festival”, organizohet nga këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa dhe konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme artistike në trevat shqiptare.

Festivali përgjatë viteve ka sjell në vend yje nga e gjithë bota./ KultPlus.com

KQZ tregon se në përfaqësi diplomatike mund të votojnë vetëm 20,324 shtetasit që janë regjisturar paraprakisht

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sqaruar se shtetasit e Kosovës që nuk janë regjistruar si votues jashtë Kosovës për të votuar në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike, nuk do të mund të votojnë në këto përfaqësi më 8 shkurt 2025.

Ky sqarim është dhënë nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se në Listën Votuese jashtë Kosovës janë vetëm emrat e shtetasve që janë regjistruar për të votuar në ndonjërën përfaqësi diplomatike.

Numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar për të votuar në 30 përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës është 20,324 votues.

“Në përfaqësi diplomatike mund të votojnë vetëm shtetasit e Kosovës të cilët kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi në momentin kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës, gjatë periudhës së regjistrimit 29 gusht – 26 dhjetor 2024. Pra, në Listën Votuese jashtë Kosovës, e cila dërgohet në përfaqësi diplomatike, janë vetëm emrat e shtetasve që janë regjistruar për të votuar në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, njoftoi Elezi.

Sipas tij, në ditën e votimit më 8 shkurt, një votues i regjistruar për të votuar në përfaqësi diplomatike mund të identifikohet përmes dokumentit identifikuar të lëshuar nga Republika e Kosovës.

“Sipas Rregullores së KQZ për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, me rastin e votimit në vendvotimin në përfaqësi diplomatike, votuesi identifikohet përmes dokumentit identifikues të lëshuar nga Republika e Kosovës, si: letërnjoftim, pasaportë ose patentë shoferi”, tha Elezi./ KultPlus.com

Muzeu “Marubi ”drejt UNESCO-s, këtë vit parashikohet një program i pasur

Programet e edukimit dhe ekspozitat ndikuan pozitivisht në arritjen e numrit rekord të vizitorëve prej 22 500, në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” përgjatë vitit 2024.

Politikat e këtij institucioni do të vijojnë orientimin drejt bashkëpunimeve ndërkombëtare.

Organizimi i një konference shkencore është një nga objektivat e gjysmës së parë të këtij viti.

Pjesë e programit të edukimit do të jetë edhe një konferencë shkencore. Këtë vit, muzeu do të mirëpresë një konferencë disaditore me ekspertë të rëndësishëm të Mesdheut. Do jemi si një kryeqytet për fotografinë”, tha Luçjan Bedeni, Drejtori Muzeut Kombëtar i Fotografisë “Marubi”.

Për vitin 2025-së parashikohet çelja e katër ekspozitave dhe vijimi i programeve të lidhura me Javën e Ditëve të Fotografisë Antike si dhe Javën Europiane të Trashëgimisë. Muajt e ardhshëm janë vendimtarë për procesin e përfshirjes në UNESCO.

Ne presim rezultatet e para në fund të muajit shkurt. Besoj se muaji prill do të jetë muaji i cili e konfirmon ecurinë”, tha Bedeni.

Muzeu i Fotografisë “Marubi” mbetet një destinacion i rëndësishëm për vizitorët e interesuar në histori, kulturë dhe art, duke ofruar për ta një dritare unike përsa i përket zhvillimit të fotografisë dhe ruajtjes së trashëgimisë vizuale të vendit tonë./rtsh/ KultPlus.com

Presidentja Osmani në ShBA takon Bonon: Kosova e përkushtuar për të bashkëpunuar me ShBA-në

Presidentja Vjosa Osmani është takuar me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit, Louis Bono, derisa është duke qëndruar për vizitë në Washington.

Në njoftimin e lëshuar për media, presidenca bën me dije se takimi u fokusua në forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përputhje me objektivat e Administratës së Presidentit Trump, si dhe në avancimin e bashkëpunimit në fusha kyçe si mbrojtja dhe ekonomia.

“Gjatë takimit, Presidentja Osmani riafirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për të bashkëpunuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara, duke thelluar marrëdhëniet bilaterale. Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e forcimit të sigurisë rajonale dhe nevojën për një qëndrim të fuqishëm parandalues përballë kërcënimeve të vazhdueshme nga Rusia, Serbia dhe aktorë të tjerë keqdashës. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani nënvizoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit të ngushtë për të ruajtur stabilitetin dhe paqen në rajon”, thuhet në njoftim.

Ndër tjera, presidenca deklarion se Osmani foli për rëndësinë e integrimit të Kosovës në NATO, gjë që përveç se do të fuqizonte sigurinë në Kosovë e rajon, është përfundimisht edhe në harmoni me objektivat strategjike amerikane për paqen dhe sigurinë globale.

“Ajo konfirmoi se Kosova ka rritur tashmë buxhetin për mbrojtje në 2% të Bruto Produktit Vendor dhe është në proces të rritjes së këtij buxheti për të përmbushur objektivin strategjik të anëtarësimit në NATO. Tutje, Presidentja Osmani konfirmoi gatishmërinë e Kosovës për angazhim aktiv në drejtim të realizimit të Dialogut Strategjik, i cili iu ofrua Kosovës në fillim të këtij viti, për të adresuar sfidat dhe përparësitë e përbashkëta në fusha të ndryshme”, thuhet në njoftim.

Louis Bono është emëruar nga Administrata e Presidentit Trump si ushtrues detyre në pozitën e Ndihmës Sekretarit të Shtetit me datë 20 janar 2025.

Franz Kafka: Zoti t’i jep arrat, por nuk t’i thyen ato!

Franz Kafka (3 korrik 1883 – 3 qershor 1924) ishte shkrimtar hebre nga Bohemia. Shkruante në gjuhën gjermane, ndërsa njihet më shumë për tregimet e shkurta. Kafka vlerësohet si një nga figurat kryesore të letërsisë së shekullit XX.

KultPlus sot ju sjell disa nga theniet m ëtë mira të Kafkës:

Shenja e parë e fillimit të kuptimit është dëshira për të vdekur.

Njeriu i veprimit i detyruar të mendojë, është i palumtur deri në çastin që ia arrin të dalë nga kjo situatë.

Një shkallë që nuk konsumohet nga hapat e njerëzve, nisur nga pikëpamja e saj, është vetëm diçka e rëndomtë prej druri.

Gjithmonë fillimisht merrte frymë thellë pasi çlirohej nga kotësia dhe vetëkënaqësia.

Kushdo që nuk arrin të gjejë kuptimin e jetës së tij, ndërkohë që ai është gjallë, ka nevojë që një dorë ta ruajë paksa nga dëshpërimi ndaj fatit të tij… por, me dorën tjetër ai nuk mund të zhdavaritë çfarë shikon në mes të rrënojave.

Kushdo që ruan aftësinë për ta parë bukurinë, nuk ka për t’u plakur kurrë.

Shoqërimi me qenie njerëzore çon në vetëvëzhgim.

Atlasit i ishte lejuar opinioni se ai ishte i lirë, nëse donte, ta kapte Tokën dhe ta hidhte tutje; por ky opinion ishte e vetmja gjë që i ishte lejuar.

Të besosh në progresin nuk do të thotë të besosh se është bërë ndonjë progres.

Duke besuar me pasion në diçka që ende nuk ekziston, ne e krijojmë atë. Joekzistuesja është çfarëdo gjëje që ne nuk e kemi dëshiruar mjaftueshëm.

Duke ia imponuar një përgjegjësi tepër të madhe, për më tepër, të gjithë përgjegjësinë, vetvetes, ti e rrënon vetveten.

Fatkeqësia e Don Kishotit nuk është përfytyrimi i tij, por Sanço Pançoja.

Mos u dëshpëro, madje as nga fakti se ti nuk dëshpërohesh.

Çdo revolucion avullon dhe lë prapa vetëm lëmashkun e një burokracie të re.

E ligë është çdo gjë dëfryese.

Nga një pikë e caktuar e lëvizjes përpara nuk ka më kthim prapa. Kjo është pika e cila duhet arritur.

Zoti t’i jep arrat, por nuk t’i thyen ato.

Ai që kërkon nuk gjen, por ai që nuk kërkon do të gjendet.

Qielli është memec, ai i bën jehonë vetëm memecërisë.

Si mund të gjesh kënaqësi në botë nëse nuk e ke atë për strehë?

Unë nuk i lexoj reklamat. Sepse do ta harxhoja gjithë kohën duke kërkuar gjëra.

Unë kam ndjesinë e vërtetë të vetes sime vetëm kur jam tej mase i palumtur.

Dembelia është fillimi i të gjitha veseve, kurora e të gjitha virtyteve.

Nëse unë do të jetoj përjetësisht, si do të ekzistoj nesër?

Në njëfarë kuptimi e mira është e parehatshme.

Në luftën midis teje dhe botës, përkrahe botën.

Në teori ka një mundësi të lumturisë së përkryer: Të besosh në elementin e pashkatërrueshëm brenda dikujt dhe të mos përplasesh me të.

Është e rehatshme të mendosh se shpërpjesëtimi i gjërave në botë duket se është vetëm aritmetik.

Është shpesh më e sigurt të jesh në zinxhirë se të jesh i lirë.

Sa tmerrshëm e pakët është njohja e vetes sime, krahasuar me njohjen e dhomës sime.

Lejomë ta kujtoj fjalën e moçme: njerëzit e dyshuar janë më normalë se të tjerët, gjersa ata rrinë në baraspeshë pa e ditur këtë gjë, duke qenë të peshuar bashkë me mëkatet e tyre.

“Frika” ime është thelbi im, dhe ndoshta pjesa ime më e mirë.

Parimi im prijës është ky: Faji nuk duhet dyshuar kurrë.

Ende pa i thënë gjërat, i bën – kështu vepron njeriu me vlera.

Askush nuk mund ta shohë të vërtetën, por mund të jetë e vërteta.

Një përparësi në mbajtjen e ditarit është se ju nuk i vini re ndryshimet nga të cilat vuani pa pushim.

Frytshmëri është të bësh gjëra që nuk ishe i aftë t’i bëje më parë.Vetëkontroll do të thotë të dëshirosh të jesh i frytshëm në një pikë në rrezatim të pafund me ekzistencën time shpirtërore.

Sa kohë që e ke kafshatën në bojë, atëherë i ke zgjidhur të gjitha problemet e momentit.

Fillo me çka është e drejtë sesa të fillosh me çka është e pranueshme.

Vuajtja është elementi pozitiv i kësaj bote, në të vërtetë është e vetmja lidhje midis kësaj botes dhe pozitives.

Dashuria sensuale është mashtruese si dhe dashuria hyjnore; ajo nuk mund të bëhet vetë, por gjersa e ka pavetëdijshëm elementin e dashurisë hyjnore brenda vetes, mund të bëhet edhe kështu.

Historia e njerëzimit është çasti midis dy hapave të udhëtarit.

Fakti që synimi ynë është i matur saktësisht me jetën tonë, na e jep ne përshtypjen se jemi të përjetshëm.

Shpirti bëhet i lirë vetëm kur ai të pushojë së qeni një mbështetje.

Ka vetëm dy gjëra. E vërteta dhe gënjeshtrat. E vërteta është e pandashme, gjersa ajo nuk e njeh veten; të gjithë ata që duan ta njohin, vetëm sa gënjejnë.

Ne të gjithë kemi flatra, por ato nuk na duhen ne për asgjë dhe nëse do të mundnim, do t’i shqyenim.

Rinia është e lumtur, sepse ajo e ka mundësinë ta shohë të bukurën. Të gjithë ata që janë të aftë ta shohin të bukurën, nuk plaken kurrë.

Ne jemi mëkatarë jo vetëm se kemi ngrënë Pemën e Dijes, pore edhe sepse nuk e kemi ngrënë Pemën e Jetës. Gjendja në të cilën ndodhemi është mëkatare, pavarësisht nga faji. / KultPlus.com

‘Vetëm ai që e di se çfarë është vetmia, e njeh vlerën e vërtetë të takimit me të dashurit e tij’

Thënie nga Erich Maria Remarque:

“Askush nuk mund të bëhet më i huaj, sesa personi që dikur e dashuronit”.

“Sa me ngathtësi sillet një person, që ka rënë vërtet në dashuri! Sa shpejt zhduket vetëbesimi i tij! Dhe sa i vetmuar ndihet; të gjitha përvojat e tij të lavdëruara duket se janë zhdukur, ashtu si mjegulla, dhe ai ndihet kaq i dobët dhe i pafuqishëm”.

“Vetëm ai që e di se çfarë është vetmia, e njeh vlerën e vërtetë të takimit me të dashurit e tij”.

“Një grua bëhet më e zgjuar kur ka rënë në dashuri, ndërsa një burrë thjesht e humbet toruan”.

“Vetëm kur e braktisni dikë, bëheni plotësisht të hipnotizuar nga gjithçka që sillet rreth tij. Ky është paradoksi i dashurisë!”.

“Vetëm njeriu i palumtur e vlerëson lumturinë. Një njeri i lumtur, nuk ndien më shumë gëzim sesa një manekin. Ai vetëm sa e shfaq, por nuk e zotëron atë. Drita nuk ndriçon në dritë; ajo shkëlqen në errësirë“.

“Një njeri është më i fortë sesa fati i tij, deri në momentin kur dorëzohet”.

“Sa më primitiv është një njeri, aq më shumë konsiderata të larta ka për vetveten”.

“S’ka asgjë më të lodhshme, sesa të shohësh se si një person e tregon intelektin e tij, veçanërisht nëse nuk ka asnjë të tillë”.

“Cinikët kanë karakterin më tërheqës, idealistët më të keqin. A nuk është e çuditshme?”

“Gratë duhet të adhurohen ose të braktisen. Çdo gjë tjetër është vetëm një gënjeshtër”.

“Çfarëdo që ju nuk mund ta keni, duket gjithmonë më e mirë se çdo gjë që keni. Kjo është romanca dhe budallallëku i jetës sonë!”.

“Thonë se jeta është e vështirë 70 vitet e para. Pastaj gjërat fillojnë të përmirësohen”.

“Jeta është si një varkë me vela, që ka aq shumë marinarë në bord, sa që mund të përmbyset në çdo kohë”.

“Pendimi është gjëja më e padobishme në botë. Asgjë nuk mund të kthehet pas, apo të ndryshohet. Asgjë nuk mund të fiksohet. Përndryshe të gjithë do të ishim shenjtorë. Jeta nuk do të thotë se që ne të jemi të përsosur. Ata që janë të përsosur, duhet të vendosen nëpër muzeume”.

“Ndonjëherë duhet të thyeni parimet tuaja. Përndryshe ato nuk do t’iu sjellin kurrë kënaqësi”.

“Është më mirë të vdesësh kur dëshiron të jetosh, sesa të jetosh kur dëshiron të vdesësh!”.

“Çfarëdo që ndodh me ju, mos e merrni kurrë si personale. Asgjë në këtë botë nuk është aq e rëndësishme”./ KultPlus.com

Shtëpisë-muze të Dritëro Agollit i shtohen të tjera objekte personale të shkrimtarit të madh

 Në shtëpinë-muze të prozatorit dhe poetit të madh Dritëro Agolli, mbrëmja e djeshme zhurmoi nga vizitat e miqve, adhuruesve e gazetarëve të shumtë, të pranishëm në ekspozitën me dorëshkrimet e letrave të dashurisë mes shkrimtarit dhe njeriut të tij të zemrës, Sadijes.

Të pranishmit e kujtuan të madhin Agolli mes letrave të dashurisë, objekteve personale dhe zërit të tij, që është kudo në shtëpinë ku jetoi me familjen e tij të madhe.

Ishte e bija e Dritëroit, Elona, ajo që kontribuoi me dorëshkrime e objekte të tjera, për këtë ekspozitë.

Drejtoresha e Shtëpive Studio Kadare-Agolli, Anisa Ymeri tha për ATSH-në se me përfundimin e ekspozitës, e cila do të qëndrojë e hapur për një muaj, dorëshkrimet, objektet personale etj. do të qëndrojnë në fondin e shtëpisë-muze.

Në shtëpinë e Dritëroit u ekspozuan: veshje të çiftit nga koha e rinisë, kur shkruanin letrat e dashurisë, orët e të dyve, një gjerdan me perla i Sadijes, dy portrete nga Lumturi Blloshmi, një bust i Dritëroit nga Ilmi Kasemi, objekte shtëpiake, si dhe stilografi i tij funksional, me të cilin po shkruhen letra gjatë ekspozitës.

“Të shënojmë stacione të rëndësishme të jetës së shkrimtarit, është misioni ynë, në këtë shtëpi,” u shpreh Anisa Ymeri, duke theksuar se është një ekspozitë e veçantë që mund të vizitohet nga e gjithë familja.

Besim Zekthi, mjeshtri i madh i valles popullore

 Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit kujtoi në ditën e tij të lindjes, mjeshtrin e madh të valles popullore shqiptare, Besim Zekthi (1936-2020).

TKOB e cilësoi Besim Zekthin si “figurën e ndritur që la një trashëgimi të pashlyeshme në artin koreografik dhe interpretimin skenik”.

Besim Zekthi, një legjendë e skenës shqiptare, interpretoi mbi 200 valle si solist, duke krijuar qindra figura artistike që mbeten të paharrueshme.

Gjithashtu ai ishte koreografi i disa prej valleve më ikonike: “Dasma e Rugovës”, “Për flamur, për atdhe”, “Valle me motive të Mirditës”, etj. Ai ishte virtuozi që i dha Shqipërisë “Gjerdanin e Artë” në Festivalin e Dizhonit në Francë dhe që me energjinë, temperamentin dhe mjeshtërinë e tij, magjepsi spektatorët në skenat e Ballkanit, Europës, Azisë dhe Afrikës.

Besim Zekthi, laureat i dhjetëra çmimeve e titujve, u vlerësua edhe me titullin më të lartë, “Nder i Kombit”./atsh/ KultPlus.com

Besim Zekthi, mjeshtri i madh i valles popullore

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit kujtoi në ditën e tij të lindjes, mjeshtrin e madh të valles popullore shqiptare, Besim Zekthi (1936-2020).

TKOB e cilësoi Besim Zekthin si “figurën e ndritur që la një trashëgimi të pashlyeshme në artin koreografik dhe interpretimin skenik”.

Besim Zekthi, një legjendë e skenës shqiptare, interpretoi mbi 200 valle si solist, duke krijuar qindra figura artistike që mbeten të paharrueshme.

Gjithashtu ai ishte koreografi i disa prej valleve më ikonike: “Dasma e Rugovës”, “Për flamur, për atdhe”, “Valle me motive të Mirditës”, etj. Ai ishte virtuozi që i dha Shqipërisë “Gjerdanin e Artë” në Festivalin e Dizhonit në Francë dhe që me energjinë, temperamentin dhe mjeshtërinë e tij, magjepsi spektatorët në skenat e Ballkanit, Europës, Azisë dhe Afrikës.

Besim Zekthi, laureat i dhjetëra çmimeve e titujve, u vlerësua edhe me titullin më të lartë, “Nder i Kombit”./KultPlus.com

Muzikë në lëvizje

Poezi nga Frederik Rreshpja

Çiftet përqafuar në shkallaret e shesheve,
si akrepat e orës në çast të tingëllimit,
nëse një ditë ndahen, nëse një natë s’shihen?

Bëhen fotografë të verbër në qytet,
s’mbështeten asnjëherë mbi shkopin e urrejtjes,
armiq të mirë mbesin.

Muzikë në lëvizje është puthja pa u fshehur./KultPlus.com

Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe, në fazën e redaktimit letrar dhe korrektimit gjuhësor

Në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u mblodh sot grupi i redaktorëve letrarë dhe korrektorëve gjuhësorë të Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe.

Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë bëri me dije se procesi ka hyrë në fazën e përfundimit e veprës, çka nënkupton që krahas mbylljes së hartimit, redaktimit shkencor, plotësimeve, saktësimeve dhe verifikimeve brenda lëndës së hartuar, ka filluar puna për redaktimin letrar dhe korrektimin gjuhësor të saj.

Në takim u fol hollësisht për kriteret dhe unifikimin e teknikave dhe të paraqitjes leksikografike të veprës, krahas redaktimit gjuhësor që kërkon një vepër e nivelit akademik.

Në takim morën pjesë: akad. prof. dr. Valter Memisha (bashkëdrejtues, zëvendëskryeredaktor), prof. as. dr. Anila Kananaj (koordinatore, hartuese), prof. as. dr. Teuta Toska (hartuese, redaktore gjuhësore), prof. as. dr. Rozana Rushiti (hartuese, redaktore gjuhësore), dr. Resul Telhaj (hartues, redaktor gjuhësor), dr. Olger Brame (hartues, redaktor gjuhësor) dhe dr. Engjëllushe Karaj (hartuese, redaktore gjuhësore), të cilët ranë dakord që takimi i radhës të bëhet mbas tri javësh./atsh/KultPlus.com

Poçari i Agollit

Poezi nga Nerimane Kamberi

Babës,

Kryeqyteteve të Evropës,
e le rininë tënde,
i huaj, në vend të huaj, me një gjuhë të huaj,
si poçari i Agollit.

Sot, në një kryeqytet të Evropës,
po të kujtoj,
po mendoj ku të të vë lule
në përvjetorin tënd.

Apo të pres kur kthehem,
t’i vë te varri yt, te vendi yt
ku u ktheve
nga dheu i huaj./KultPlus.com

“Diplomacia dhe Kultura”, cikël takimesh i ambasadorit të Kosovës, Skënder Durmishi

Në kuadër të muajit të Pavarësisë së Kosovës, ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, hapi ciklin e takimeve me temë “Diplomacia dhe Kultura”.

Takimi i parë u zhvillua në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD). Në mjediset e Bibliotekës së Kryeministrisë pati një audiencë të zgjedhur diplomatësh, historianësh, studiuesish dhe studentësh.

Ambasadori Durmishi ndau përvojën dhe reflektimet e tij mbi “Soft Power”, sfidat e diplomacisë dhe rolin e grave në këtë fushë. Ky takim erdhi në kuadër të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, me pjesëmarrjen e figurave të njohura si Megi Fino, Arta Dade, Paskal Milo dhe Elsa Skënderi Rakipllari.

Gjatë vitit 2025 do të zhvillohen të tjera takime me diplomatë, ish-diplomatë, studentë dhe punonjës nga institucione të rëndësishme të vendit, duke i parë këto takime si një mundësi për të eksploruar diplomacinë kulturore dhe rëndësinë e ambasadorëve në forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare./atsh/KultPlus.com

Një portret i rrallë i kryembretit arbëror Gjergj Kastriotit

Nga Gjon Keka

Shumë autorë, historian, kronist, shkrimtar dhe poet e kanë përshkruar në frymën e tyre më të lartë karakterin e personalitetin mbikohor të kryezotit e mbretit arbëror Gjergj Kastriotit, poashtu edhe si një burrështetas, strateg, diplomat, komandant, gjeneral, vizionar e njeri i urtë e i papërsëritshëm.

Por, janë gjithashtu edhe piktorët, skulptorët e artistë të ndryshme që e kanë nxjerrë në dritë imazhin e tij nëpërmjet, gravurave, portreteve e skultpturave nga më të ndryshme, por gjithnjë duke u bazuar edhe në përshkrimet që janë bërë nga bashkëkohësit e tij, autorët, kronistët e historianët etj.

Me një fjalë ikonografia e kryembretit tonë arbëror Gjergj Kastriotit është tepër e pasur, dhe me përshkrime të ndryshme të imazhit të tij gjithnjë sipas syrit, dorës, frymëzimit dhe vendit që artisti e ka realizuar atë pikturë, gravurë, protret apo skulptur.

Kjo tregon se kemi me mijëra e mijëra portrete ,gravura etj që e pasqyrojnë në mënyra të ndryshme imazhin e Gjergj Kastriotit. Sidoqoftë një gjë nuk ka munguar asnjëherë ,imazhi i tij kudo që është portretizuar,është realizuar ashtu sikur të ishte e një burrështeti, strategu, mbreti dhe vizionari e udhëheqësi të madhë shtetëror, ushtarak etj.

Edhe ky portret i rrallë të cilin e gjeta në një kronikë të vitit 1540 tregonë në vazhdimësi imazhin e këtij kryembreti, kryeheroi të arbërisë dhe europës i cili la gjurmë jo vetëm në themelet e ngjizjes së identitet kombëtare e shtetëror arbëror ,(sot shqiptar) të kombit tonë, por edhe në themelet e Europës, të idesë së bashkimit dhe civilizimit të saj. /KultPlus.com

Fytyrat e para të Radio Televizionit të Prishtinës

Radio Prishtina filloi punë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore më 1945 në Prizren, pastaj u transferua në Prishtinë. Pas luftës në Kosovë materiali dhe ndërtesat e Radio Televizionit të Prishtinës janë nën administrimin e Radio Televizionit të Kosovës.

Deri atëherë, i vetmi medium informativ ishte Radio Prishtina (në funksion prej vitit 1945). Do të kalonin 19 vjet deri kur Televizioni i Prishtinës filloi transmetimin në vitin 1974.

Fatmir Nushi, Masar Murtezai, Vera Gjevori, Faik Hima, Antigona Nimani, janë disa nga pjesëtarët e ekipit të Radio Televizionit të Prishtinës, në fillimet e tij.

Pas mbarimit të luftës së Kosovës në vitin 1999, u hap rruga për themelimin e televizioneve kosovare në mënyrë të lirë. Njëri prej tyre ishte Radio Televizioni i Kosovës i cili mori vend në të njëjtën ndërtesë si ish-RTP, në rrugën “Xhemajl Prishtina” në Prishtinë.

Në fillim të vitit 1974, RTP nuk ka pasur teknologji elektronike, por i gjithë materiali për program xhirohej me teknikë filmike e pastaj dërgohej në TV Beograd ku filmi zhvillohej e më vonë montohej për transmetim.

Transmetimi deri më 29 nëntor 1975 bëhej nga TV Beogradi. Ndërkaq, në verën e vitit 1974 nga Anglia pati ardhur autoreportazhi (OB Van) i parë me 4 kamera bardhë-e-zi. / KultPlus.com

“Mosmirënjohja është thelbi i poshtërsisë”

Immanuel Kant, kunguesi i “Kritikës së arsyes së kulluar” në mendimin filozofik, mëtuesi i postulatit: “Qielli me yje mbi mua, ligji moral në mua”…

Immanuel Kant (1724 — 1804) ishte një filozof i madh gjerman dhe një ndër filozofët më të shquar.
Vepra e tij “Kritikë e arsyes së kulluar” shënon pikë-kthesën qendrore në historinë e filozofisë dhe fillimin e filozofisë moderne.

Lindi në vitin 1724 në Kënigsberg, Prusi (sot Kaliningrad, Rusi) si fëmija i katërt nga nëntë fëmijë.

Kanti ishte një nxënës i mirë, megjithëse jo i shkëlqyer.

Ai u rrit në një shtëpi pietiste, një Lëvizje pas Luteriane që dallohej për një përkushtim të fortë, dhe një lexim të hollësishëm të Biblës.

Për pasojë, Kanti mori një edukim të ashpër dhe të rreptë, ndëshkues dhe disiplinor gjë që e ndihmoi atë në mësimin fetar, të latinishtes, dhe rreth shkencave dhe matematikës.

Kanti ishte i pari i cili predikoi dhe hodhi hipotezën se planetët formoheshin nga mjegullnaja grimcash dhe pluhuri, kundrejt idesë teologjike fetare, e cila ishte akoma ideja dominante në kohën e kur ai jetoi, se planetet janë të krijuar nga fuqia hyjnore.

Ai gjithashtu do të predikonte për ekzistencën e galaktikave të tjera përveç galaktikës tonë.

Filozofia e Kantit pati një ndikim të jashtëzakonshëm në mendimin perëndimor.

Gjatë jetës së tij, mendimi i tij pati një vëmendje të madhe, shumica kritikë, megjithëse ai pati një ndikim pozitiv të Fishte, Shelingu, Hegeli dhe Novalisi gjatë viteve 1780 dhe 1790.

Nga studimet e rëndësishme të periudhës parakritike është interesante sidomos vepra e Emanuel Kantit “Historia e përgjithshme e natyrës dhe teoria e qiellit”, në të cilën paraqiti hipotezën e njohur të tij mbi krijimin e botës nga thërrmijat materiale të panumërta kaotike që bashkohen atje ku ekziston forca më e madhe e tërheqëse.

Sistemi ynë diellor është, ndërkaq, vetëm një pjesë e universumit, thotë Immanuel Kant.

Duke dalluar në këtë studim të madhërishmen dhe të bukurën, Kanti konsideronte se e madhërishmja duhet gjithmonë të jetë e madhe, ndërsa e bukura mund të jetë edhe e vogël.

Immanuel Kant vdiq ne 12 Shkurt, 1804, ndërkohë që shumë nga veprat e tij i gjejmë dhe sot, e janë ende të vlefshme.

Në vijim, supershendeti.com ju sjell 21 aforizma nga Immanuel Kant…

25 thënie nga Imannuel Kant

1. “Ai që e bën veten krimb, nuk mund të ankohet pastaj kur të tjerët shkelin mbi të me këpucë”.

2. “Çdo gjë që është shkruar nga meshkujt në lidhje me femrat duhet të mbesë e dyshimtë, duke qenë se ata janë në të njëjtën kohë edhe gjykatës edhe pjesë e çështjes”.

3. “Më është dashur ta refuzoj njohjen, për të t’i bërë vend besimit”.

4. “Njeriu duhet të jetë i disiplinuar, sepse për nga natyra ai i papërpunuar dhe i egër”.

5. “Kush është mizor ndaj kafshëve është po aq i pandjeshëm edhe ndaj njerëzve”.

6. “Një veprim, për të qenë moralisht i denjë, duhet të bëhet nga përgjegjësia”.

7. “Rregullat e lumturisë: diçka për të bërë, dikë për ta dashuruar dhe diçka për të shpresuar”.

8. “Vepro duke e konsideruar njerëzimin, si tek vetja si tek të tjerët, gjithmonë si qëllim, kurrë thjesht si mjet”.

9. “Nuk ka virtyt aq të madh, sa të jetë i sigurt prej tundimit”.

10. “Ata që thonë se bota do të shkojë gjithnjë siç ka shkuar deri sot, kontribuojnë që parashikimi i tyre të dalë i vërtetë”.

11. “Yjet e qiellit përmbi mua, ligji moral në mua”.

12. “Miq të njerëzimit, mos ia mohoni arsyes privilegjin e të qenët guri i fundit i krahasimit me të vërtetën”.

13. “Vepro në atë mënyrë që, parimi juaj i veprimit të bëhet vetvetiu një ligj për të gjithë botën”.

14. “E gjithë dija jonë fillon me shqisat, vazhdon pastaj tek kuptimi dhe mbaron me arsyen. Nuk ka asgjë më të lartë se arsyen”.

15. “Të gjitha interesat e arsyes sime, spekulative si dhe praktike, ndërthuren në tri pyetjet e mëposhtme: 1. Çfarë duhet të di? 2. Çfarë duhet të bëj? 3. Çfarë mund të shpresoj”?

16. “Përvoja pa teorinë është e verbër, por teoria pa përvojë është një lojë intelektuale e mirëfilltë”.

17. “Nga një dru i shtrembër si ky nga është bërë njeriu, asgjë e drejtë nuk mund të krijohet”.

18. “Lumturia nuk është një ideal i arsyes, por e përfytyrimit”.

19. “Papjekuria është paaftësia që dikush të përdorë inteligjencën e vet, pa u udhëhequr nga dikush tjetër”.

20. “Para ligjit njeriu është fajtor kur dhunon të drejtat e tjerëve. Para moralit ai është fajtor, nëse vetëm mendon ta bëjë këtë gjë”.

21. “Mosmirënjohja është thelbi i poshtërsisë”.

22. “Përtej çdo dyshimi, çdo dije fillon me përvojën”.

23. “Nuk është vetëm vullneti i Zotit që na bën të lumtur, por ne duhet ta bëjmë veten tonë të lumtur”.

24. “Është e domosdoshme që unë të jetoj i lumtur, por është e domosdoshme që sa të jetoj, të jetoj me nder”.

25. “Shkenca është dije e organizuar. Mençuria është jetë e organizuar”. /KultPlus.com

80 vite më parë nisi punën Radio Televizioni i Prishtinës

Radio Televizioni i Prishtinës, i pari televizion në Kosovë, sot shënon 80-vjetorin e themelimit. RTP filloi punën së pari në Prizren menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore teksa më pas u transferua në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Ka qenë viti 1945 fillimi i këtij rrugëtimi të gjatë dhe të mundimshëm, fillimisht në kuadër të Forcave Aleate në Mitrovicë ku edhe ka funksionuar stacioni radiotelegrafik.

Në datën 5 shkurt të atij viti, 1945, në Prizren u themelua stacioni i parë profesional me programin e rregullt ditor në gjuhën shqipe, pastaj dhe në atë serbe.

Pas zhvendosjes në Prishtinë, Radio Prishtina vazhdoi rritjen e saj krahas kërkesave të shoqërisë. Falë zhvillimit të teknikës dhe aftësimit të kuadrit u zgjerua dhe u begatua radio-programi.

Kështu Radio Prishtina arriti të bëhet institucion i fuqishëm informativ, arsimor e kulturor brenda dhe jashtë vendit.

Me ato programet cilësore informative, politike, dokumentare, arsimore e kulturore, RTP-ja u bë institucioni i vetëm radioteleviziv që ofronte hapësirë për të gjitha etnitetet që të shprehen në gjuhët e tyre.

“Akordet e Kosovës”, “Mikrofoni i artë”, “Zambaku i Prizrenit”, “Kosovarja këndon” e shumë të tjera janë programet cilësore muzikore që padyshim mbesin thesar i kësaj krijimtarie televizive.

RTP-ja që sot shënon 78-vjetorin është sinonimi i qëndresës kombëtare shqiptare. /KultPlus.com