Shprehje që nuk përsëriten nga Viktor Hygo

Thënie nga Viktor Hygo

“Muzika shpreh atë që nuk mund të thuhet, dhe për të cilën nuk mund të heshtësh.”

“Kur një grua është duke të folur, dëgjo atë që po thotë me sytë e saj.”

“Djalë, vëlla, baba, i dashur, shok. Ka hapësirë në zemër për të gjitha dashuritë, ashtu sikurse ka hapësirë në qiell për të gjithë yjet.”

“Jeta është lulja, për të cilën dashuria është mjalti.”

“Iniciativa është të bësh gjënë e duhur, pa ta thënë kush.”

“Kur diktatura është fakt, atëherë revolucioni bëhet një e drejtë.”

“Një ferr inteligjent, do të ishte më mirë se sa një parajsë idiote.”

“Ndrysho mendimet, por mbaju parimeve; ndrysho gjethet, por lëri të paprekura rrënjët.”

“Buzëqeshja e gëzimit është më pranë lotëve, se sa të qeshurës.”

“40 është mosha e vjetër e rinisë; 50 është mosha e re e pleqërisë.”

“Shpirti ka iluzione, ashtu si zogu që ka krahë; ai mbahet pas tyre.”

“Reagimi – një varkë që shkon kundër rrymës, por që nuk e pengon rrymën të vazhdojë të rrjedhë.”

“Ka baballarë që nuk i duan fëmijët e tyre. Por nuk ka asnjë gjysh që nuk e adhuron nipin e tij.”

“Qëndresa – sekreti i të gjithë triumfeve.”

“Kurioziteti është një prej formave të guximit femëror.”

“Ka një spektakël më të madh se sa deti, dhe ai është qielli; ka një spektakël më të madh se sa qielli, dhe ai është brendia e shpirtit të njeriut

“Për të krijuar të ardhmen, nuk ka asgjë më të mirë se sa një ëndërr.”

“Kafsha është injorante për faktin që di. Njeriu është i vetëdijshëm për faktin që është injorant.”

“Njerëzimi nuk është një rreth me një qendër, por një elips me dy pika qendrore, nga të cilat faktet janë njëra dhe idetë tjetra.”

“Shpresa është fjala që Zoti e ka shkruajtur në ballin e çdo njeriu.”

“Trishtimi është një frut; Zoti nuk e vendos atë mbi degë që janë shumë të brishta për ta mbajtur.”

“E qeshura është Dielli që dëbon dimrin nga fytyra e njeriut.”

“Shoqëria është një republikë. Kur një individ përpiqet të ngrihet mbi të tjerët, ai ulet poshtë prej masës, ose përmes talljes, ose përmes shpifjes.”

“Sa herë që një mik të thotë që dukesh i ri, të jesh i sigurtë se po plakesh.”

“Askush më mirë se një grua, nuk di të thotë gjëra që janë njëkohësisht të buta dhe të thella.”

“Ai që hap një shkollë, mbyll një burg.”

“Çfarë është historia? Një jehonë e të kaluarës në të ardhmen; një refleks i të ardhmes në të kaluarën.”

“Asgjë tjetër në botë… as edhe të gjithë ushtritë, nuk janë më të fuqishme se sa një ide, të cilës i ka ardhur koha”./KultPlus.com

Lasgush Poradeci: Poezia është hyjnore, prandaj kur shkruan poezi, duhet ta kesh shpirtin të shenjtëruar

Lasgush Poradeci, shkroi vargje që depërtuan aq thellë në shpirtin e shqiptarëve saqë ata vendosën, pa u marrë vesh me njëri-tjetrin, që një qytet të tërë ta quajnë: “Pogradeci i Lasgushit”.

Përveç poezive, Lagushi ka lënë si testament edhe këshilla për poetët.

Maria Poradeci, vajza e Lasgushit, pati ndarë dikur me ndjekësit e saj në Facebook një pjesë ku Lasgushi flet për poezinë dhe poetët.

“Poezia është hyjnore. Prandaj kur shkruan poezi, duhet ta kesh shpirtin të shenjtëruar. Çdo poezi, duhet të jetë një xhevahir dhe xhevahir duhet të jetë çdo varg i saj dhe çdo fjalë e saj. Prandaj poezi mund të shkruash vetëm pak, se ku t’i gjesh gjithë ata xhevahirë?

Mos ki frikë se ke shkrojtur gjatë jetës tënde vetëm dhjetë poezi. Frikë të kesh po të kesh shkrojtur njëqind poezi.”

Lasgush Poradeci / KultPlus.com

“Gënjeshtra” shfaqja e re në Teatrin e Gjilanit

Kanë filluar provat e para të shfaqjes më të re në Teatrin e Gjilanit, “Gënjeshtra” me autor Florian Zeller dhe regji të Ekrem Sopit.

Pas suksesit të jashtëzakonshëm të shfaqjes “E vërteta” të po këtij autori e cila që nga premiera e saj (maji i vitit 2021) ka arritur të ketë mbi 75 repriza, e që vazhdon të rikthehet në repertor vazhdimisht, Teatri i Gjilanit sjell një tjetër kryevepër të dramaturgut francez Florian Zeller, “Gënjeshtra”.

Një tekst i mprehtë dhe provokues, që eksploron kufijtë delikatë mes të vërtetës dhe mashtrimit, dashurisë dhe dyshimit.

Luajnë: Gani Rrahmani, Qendresa Jashari, Alban Shahiqi, Safete Mustafa Baftiu.

Premiera do të luhet në qershor./ KultPlus.com

Prezantohet thesari prej 47 monedhash të zbuluara pranë Manastirit të Ballshit

Një koleksion i jashtëzakonshëm monedhash që datojnë në shekullin e XIII-të është gjetur në Manastirin e Shën Mërisë në Ballsh. 47 monedhat konsiderohen prej arkeologëve si një thesar i vërtetë, pasi kanë rëndësi të veçantë jo vetëm për përmbajtjen dhe formën e tyre, por edhe për lidhjen që ato kanë me historinë e Manastirit.

Disa prej tyre janë restauruar tashmë, ndërsa të tjerat janë në proces restaurimi. Monedhat kanë figura të qarta, me imazhe të perandorëve dhe shenjtorëve të njohur të asaj periudhe.

Thesari prej 47 monedhash u prezantua në Institutin Arkeologjik nga restauratori Frederik Stamati, i cili tha se, restaurimi ishte një proces shumë delikat dhe kërkoi ndërhyrje të kujdesshme për t’i bërë ato të lexueshme.

Ky koleksion përfshin monedha bizantine prej bakri dhe ofron një panoramë të vlefshme për politikën monetare të periudhës mesjetare, duke hedhur më shumë dritë mbi këtë periudhë të rëndësishme historike. Thesari i zbuluar dhe i restauruar do të ekspozohet në stendat e muzeut arkeologjik të Tiranës./atsh/KultPlus.com

“Zullulandia” në Teatrin Eksperimental, 4 net shfaqje mbi motivet e veprës së Konicës

“Zullulandia” është produksioni i Teatrit Kombëtar Eksperimental që do të shfaqet për publikun në datat 22, 23, 24 dhe 25 maj, në ArTurbina.

Shfaqja bazohet mbi motivet e veprës së Faik Konicës dhe vjen me regji dhe dramatizim të Endri Çelës, interpretuar nga aktorët: Sokol Angjeli, Neritan Liçaj, Adriana Tolka, Brendi Bega, Katerina Fili, Anxhelo Dauti.

“Zullulandia” është një festë e madhe me nota satirike dhe një zgjim mbi realitetin ku po jetojmë. E punuar mbi motivet e veprës së Faik Konicës, “Zullulandia” është plotësuar me ngjarje të realitetit të sotëm shqiptar.

Zullulandia, një vend në Afrikën e Lindjes, me popullin e saj të prapambetur e të nënshtruar, kërkon më shumë të drejta nga Evropa. Prandaj dërgon në Paris dhe në Londër ambasadorin e saj, Denizullu-Serpen. Ky fodull dhe injorant vihet në lojë prej kancelarëve të huaj, ndërsa, kur kthehet në Zulluland, mirëpritet prej zulluve me festa e nderime për “lavdatat” e marra. I vetmi që e ka kuptuar talljen është Plugu. Tani atij i duhet që t’u hapë sytë një populli të tërë zullush për talljet e Evropës ndaj Zullulandisë./atsh/KultPlus.com

10 teatrot më të bukura në botë

Brendësia e disa prej teatrove dhe sallave të muzikës më të mëdha në botë është po aq magjepsëse sa edhe shfaqjet që organizojnë.

Por nuk mbeten pas as pamjet e jashtme të këtyre ndërtesave madhështore, të cilat shpesh janë vepra arti në vetvete. Disa prej tyre janë bërë ikona arkitekturore dhe destinacione turistike të rëndësishme.

Teatri San Karlo, Itali – Teatro di San Carlo madhështor i Napolit është vendi më i vjetër i operës në botë që është vazhdimisht aktiv, pasi është hapur në vitin 1737.

Pallati Garnier, Francë – Vendndodhja e romanit të Gaston Leroux të vitit 1910 “Fantazma e Operas”, Pallati i zbukuruar Garnier u përfundua në vitin 1875 për Operën e Parisit me urdhër të Napoleon III.

Shoqata e Muzikës, Austri – E njohur për miliona shikues si vendi ku zhvillohet Koncerti vjetor i Vitit të Ri në Vjenë, salla e koncerteve Musikverein daton që nga viti 1870. Akustika e shkëlqyer e “Sallës së Madhe” (Großer Saal) e vendos atë ndër sallat më të mira të koncerteve në botë.

Globi i Shekspirit, Angli – “Globi i Shekspirit” është një rindërtim i Teatrit “Globi”, një teatër elizabetian për të cilin William Shakespeare shkroi dramat e tij. Teatri origjinal u ndërtua në vitin 1599 dhe u shemb në vitin 1644.

Teatri Bolshoi, Rusi – “Teatri Bolshoi” në Moskë është shtëpia e Baletit Bolshoi dhe Operas Bolshoi ndër kompanitë më të vjetra dhe më të njohura të baletit dhe operës në botë. Vendi u hap në vitin 1825 dhe ka pritur shumë premiera historike, duke përfshirë ‘Voyevoda’ dhe ‘Mazeppa’ të Çajkovskit.

Teatri Kombëtar i Filmit Urania, Hungari- I ndërtuar si kabare dhe sallë koncertesh nga arkitekti i lindur në Gjermani Henrik Schmahl në vitin 1896, sot ky monument kulturor i Budapestit shërben si Teatri Kombëtar i Filmit.

Shtëpia e Operas Margraviale, Gjermani – Kjo perlë absolute e teatrit të operës baroke e vendosur në qytetin e Bayreuth-it paraqet një ambient të brendshëm vezullues prej druri të praruar, të ruajtur në gjendjen e tij origjinale të mesit të shekullit të 18-të.

Teatri Fox, SHBA – I hapur në vitin 1928 si një pallat filmash kryesor në zinxhirin e Theatres Fox, Teatri Fox i Detroitit është ndërtesa më e madhe e mbijetuar e këtij lloji që nga vitet 1920. Ai ka pritur një numër legjendar personazhesh të famshëm, përfshirë Elvis Presley-n, i cili performoi këtu në vitin 1956.

Concertgebouw, Holandë – Concertgebouw i Amsterdamit daton që nga viti 1888 dhe është i njohur për akustikën e tij të shkëlqyer. Gjatë viteve 1960, salla e koncerteve priti grupe të njohura të kohës, duke përfshirë The Who, Pink Floyd dhe madje edhe Led Zeppelin. Por është vendi më i përshtatshëm për muzikën klasike.

Teatri Colón, Argjentinë – I konsideruar akustikisht si një nga pesë vendet më të mira të koncerteve në botë, Teatro Colón në Buenos Aires që nga viti 1908 ka pritur disa nga artistët më të famshëm nga bota e operës, muzikës klasike dhe baletit.

La Scala, Itali – Një nga teatrot më të famshme të operës në botë, Teatri “La Scala” në Milano daton që nga viti 1778. La Scala priti prodhimet e para të shumë operave të famshme dhe kishte një marrëdhënie të veçantë me Verdin.

/rtsh.al/ KultPlus.com

Ekspozita ‘Venus!’ në Muzeun e Fotografisë ‘Marubi’

Ekspozita “Venus” dhe bisedë me kuratorin Lek Gjeloshi o të mbahet më 23 maj nga ora 19:00 në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.

Ekspozita vjen si rezultat i një kërkimi të gjatë të kuratorit Lek M. Gjeloshi në fondin arkivor të Dedë Jakovës, Gegë Marubit dhe Pjetër Rraboshtës. Përzgjedhja dhe ndërtimi i saj konceptual, ndjek gjurmët e një skulpture që e përshkon repertorin e të tre autorëve në fjalë, duke u ba fill narrativ i historisë së një shtëpie dhe i historisë së një oborri, ku u zhvilluen ngjarje të posaçme e, ma tej, edhe shndërrime të pakthyeshme.

Kristoforidhi, kontribuesi i madh për gjuhën letrare shqipe

Më 22 maj 1827, lindi gjuhëtari Kostandin Kristoforidhi.

Veprimtaria e tij e ngjeshur në rrafshin e gjuhësisë dha kontribut të dallueshëm në zhvillimin e kulturës dhe të arsimit në Shqipëri. Në këtë optikë që i jepte përparësi rolit të gjuhës amtare në zgjimin kombëtar, Kristoforidhi u angazhua gjithashtu edhe në radhët e lëvizjes kulturore, politike dhe shoqërore të Rilindjes.

I qëndroi fund e krye bindjes së tij lidhur me rëndësinë e kultivimit të gjuhës shqipe dhe përparimit të arsimit në drejtim të shtetformimit.

Kryevepra e gjuhëtarit Kristoforidhi është “Fjalori i Gjuhës Shqipe”, një gurrë e njëmendtë e shqipes me rreth njëzetmijë fjalë dhe kuptime fjalësh. Qe autor i prozës “Gjahu i malësorëve”, dorëshkrimi i së cilës gjendet në Arkivin Qendror i Shtetit dhe i është nënshtruar restaurimit.

Me përkthimet e tij ka dhënë ndihmesë vendimtare për themelimin e një gjuhe letrare shqipe, veçanërisht me përkthimin e Dhiatës së Re. Vdiq më 7 mars 1895./ KultPlus.com

75 vjetori i themelimit të Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” shënohet me koncert dedikim për kompozitorin Mark Kaçinarin

Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” shënon 75 vjetorin e themelimit, dhe ky përvjetor do të shënohet me një tribunë muzikologjike dhe koncert, të dy ngjarjet me dedikim për kompozitorin Mark Kaçinarin, me rastin e 90-të vjetorit të lindjes, shkruan KultPlus. 

Tribuna muzikologjike do të mbahet më 29 maj, prej orës 12:00 në sallën e koncerteve në Prenk Jakova, kurse koncerti do të mbahet në Amfiteatrin e Bibliotektës Universitare, po më 29 maj, me fillim në ora 18:00./ KultPlus.com 

QKK: Hapet konkursi për subvencionimin e projekteve filmike

Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar se është hapur konkursi për subvencionimin e projekteve filmike.

Këtë vit, përbrenda thirrjes është prezantuar edhe një kategori të re: të filmit të metrazhit të gjatë me buxhet të ulët – avant garde/eksperimental.

Përmes subvencionimit, projektet filmike do të mbështetën në këto kategori:

– FILM I METRAZHIT TË GJATË – ARTISTIK

– FILM I METRAZHIT TË GJATË – DOKUMENTAR

– FILM TË METRAZHIT TË GJATË –  ME BUXHET TË ULËT – AVANT GARDE/EKSPERIMENTAL

– FILM I METRAZHIT TË SHKURTËR ARTISTIK

– FILM I SHKURTËR – I ANIMUAR

– FILM I SHKURTËR – DOKUMENTAR

– FILM I SHKURTËR STUDENTOR

– ZHVILLIM I SKENARIT PËR FILM TË METRAZHIT TË GJATË – ARTISTIK DHE I ANIMUAR

– POST-PRODUKSION PËR FILM TË METRAZHIT TË GJATË – ARTISTIK DHE DOKUMENTAR

– BASHKËPRODHIM MINOR PËR FILM TË METRAZHIT TË GJATË 

– ZHVILLIM I PROJEKTIT PËR FILM TË METRAZHIT TË GJATË – ARTISTIK, DOKUMENTAR DHE TË ANIMUAR

– FILM I SHKURTËR – I ANIMUAR

Aplikimi bëhet online përmes faqes zyrtare të QKK.

Për më shumë informata rreth kategorive përkatëse, klikoni në kutinë KONKURSI.

Afati i aplikimit për mbështetje të projekteve filmike: 22.05.2025 – 25.06.2025/ KultPlus.com

Lansohet Kampanja ‘Merr diplomë që të vyn, jo veç me pas’ nga Universum International College, powered by Arizona State University

Universum International College ka lansuar sot kampanjën e re “Merr diplomë që të vyn, jo veç me pas”, e cila ka për qëllim të inkurajojë studentët e rinj dhe ata aktualë të përfitojnë nga mundësitë e jashtëzakonshme që ofron ky universitet, në bashkëpunim me Arizona State University (ASU).

Lansimi i kampanjes, u mbajt në ambientet moderne të Universum, ku u theksuan përfitimet e shumta që studentët mund të marrin si rezultat i partneritetit strategjik ndërmjet Universum International College dhe Arizona State University. Ky partneritet sjell mundësi të shumta, si përfitimi i kurrikulave të avancuara nga Arizona State University, mundësitë për të studiuar me bursë të plotë në Evropë, si dhe mundësinë e diplomës së dyfishtë nga ASU.

Pse të zgjidhni Universum International College?

Kurrikula të avancuara që mbështeten në materialet e Arizona State University

Mundësi për të marrë diplomë të dyfishtë nga Arizona State University dhe Universum

Shkëmbime dhe mundësi studimi në 27 shtete të BE, me bursa të plota

Ligjërata nga profesorë ndërkombëtarë dhe mundësi për të punuar në projekte reale

Mbështetje për zhvillimin profesional dhe mundësi punësimi në nivel global

“Merr diplomë që të vyen, jo veç me pas” është një thirrje e fortë për të gjithë studentët që duan të bëhen pjesë e një rrugëtimi akademik që ofron vlera reale dhe që do t’i përgatit ata për të ardhmen. Ky është një mundësi e shkëlqyer për të bërë diferencën në një treg pune gjithnjë e më konkurues.

Merr diplomë që t’vyn, jo veç me e pas! Krijo suksesin tënd, me edukim amerikan në UNI-Universum International College fuqizuar nga Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA dhe nr. #1 për inovacion. Kerko informata per Studime: https://universum-ks.org/kerko-info// KultPlus.com

Artistja spanjolle, Merche Blasco me performancë unike në Rezidencën 17

Shtatëmbëdhjetë nis programin “Sesionet e kopshtit” për vitin 2025 me një performancë unike në Rezidenca 17.

Artistja spanjolle Merche Blasco do të prezantojë një performancë improvisuese live duke përdorur një set instrumentesh dhe artefaktesh veçanërisht të rkijuara. Përmes eksplorimit të materialeve dhe lëvizjeve ekspresive të trupit, Merche sjell një emocion të veçantë nga materialet sonike, të cilat janë serioze dhe të thella: nga incizimet e ekosistemeve të brishta dhe të kërcënuara deri te goditjet e mpiksura të basit “jashtëtokësor”, një përzierje dinamike e teksturave dhe ritmeve që shuhen nga kallomi i tingujve të paparashikueshëm.

Për këtë performancë, Merche do të bashkohet me pjesëmarrësit e punëtorisë së saj, duke e shkrirë në pjesën e performancës instrumentet unike që ata krijuan së bashku përgjatë dy ditëve në Rezidenca 17. Kjo punëtori dy-ditor i prezantoi pjesëmarrësit me elektronikën bazë dhe projektimin e qarqeve, duke i udhëzuar ata në ndërtimin e sintisajzerit të tyre analog portativ. Instrumenti i përgjigjet kushteve të dritës mjedisore dhe ndërveprimeve trupore përmes sensorëve të presionit dhe shtrirjes që mund të vishen.

Merche Blasco është artiste dhe kompozitore multimediale që e ndan kohën e saj midis Berlinit dhe Barcelonës. Ajo projekton dhe ndërton bashkësi teknologjike të pasakta që katalizojnë format e mishëruara të kompozimit elektroakustik live dhe mënyra të reja të dëgjimit. Përmes pajisjeve që krijon, Merche përpiqet të krijojë një marrëdhënie më horizontale me entitete të tjera, duke u distancuar nga parametrat e precizitetit, fuqisë dhe kontrollit. Si një formë alternative e performancës, ajo projekton hapësira bashkëpunuese me instrumente që kanë veprimin e tyre, në kompozime ku trupi i saj dhe eksplorimi live i materialeve organike janë elementë qendrorë. Puna e saj gjithashtu përqendrohet gjithnjë e më shumë në projektimin e performancave zanore pjesëmarrëse në hapësira publike për të lidhur personat e huaj dhe mjedisin e tyre përmes krijimit dhe dëgjimit kolektiv të muzikës./ KultPlus.com

Filmbërrësit e rinj bëhen me Festival

Mbrëmë, në Burgun e Idealit, në Prishtinë, është hapur Edicioni i parë i Festivalit të Filmbërësve të rinj të Kosovës ( Kosovo Young Filmmakers Festival), që iu dedikohet zërave të rinj të moshave 15 – 25 vjeçare.

Ky Festival synon të krijon hapësirë të re, për të shfaqur të rinjtë veprat e tyre alternative. Të rinjtë e shohin botën mjaft qartë, me guxim, kërkesa të shumë-llojshme dhe me urgjencë. Ata tashmë do të kenë mundësitë për të kërkuar, për të krijuar, eksperimentuar dhe imagjinuar ndryshe.

Në botën e këtyre grupmoshave vazhdimisht ndodh diçka e veçantë dhe e papartishme, me shqetësime, tendenca, zbulime, metafora e kontradikta të llojllojshme. Filmi mbetet medium më i mirë për ta shpalosur më së miri këtë kaos dhe këto energji krijuese.

KYFF – synon të jetë një platformë e besueshme për ta, për historitë e tyre dhe për mundësitë alternative që të rinjtë të dëgjohen më shumë.

Me këtë rast në hapje të festivalit u shfaqën dy filma dokumentarë jashtë konkurrencës: GOLI OTOK (2010) të regjisores Mrika Krasniqi, film dokumentar që shpalosë historinë e vërtetë tragjike nga i ashtuquajturi ISHULLI BURG – FERRI I ADRIATIKUT, burgu famëkeq në ish-Jugosllavi ku kanë vuajtur, mbijetuar edhe shumë shqiptarë ish të burgosur politik.

DHE filmin TROKITJE (2010) nga Bekim Sele & Mumin Jashari kushtuar veprimtarit Fadil Vata.

Filmat tjerë në konkurrencë, në kategoritë përkatëse: dokumentar, narrativ dhe animacion mund të përcillën nga publiku çdo ditë deri më datën 23 maj, në Termokis. Ky Edicion organizohet nga Organizata MOLLA E KUQE si dhe nga mbështetësit, sponzoruesit si

MKRS – ja ,Banka Ekonomike,Burgu i Idealit, Che Bar..

Ndarja e çmimeve do të bëhet në hapësirat e Burgut të Idealit, të premën, më 23 maj nga ora 20:00./KultPlus.com

Tetova, Tirana dhe Prishtina bashkë në manifestimin ‘Ura me tri harqe’

Edicioni i XV-të i manifestimit tradicional artistik “Ura me tri harqe”, do të mbahet më 22-23 maj 2025, i cili këtë vit do të zhvillohet në ambientet e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës.

“Ura me tri harqe” është një projekt i përbashkët kulturor i tre institucioneve të arsimit të lartë në hapësirën mbarëkombëtare: Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, Universitetit të Arteve të Tiranës dhe Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, transmeton klankosova.tv.

Për dy ditë me radhë do të ketë, shfaqje të filmave të metrazhit të shkurtër, ekspozitë, shfaqje teatrale, koncert, dhe bisedë me piktorin dhe profesorin Gazmend Leka.

Në këtë edicion do të nënshkruhet edhe një marrëveshje bashkëpunimi mes tri Universiteteve.

‘Vajza e Agamemnonit’ në kohën e diktaturës shqiptare

Nga Maja Piasecka

Dy histori, dy hidhërime, një jetë në Shqipëri. Ismail Kadare, një shkrimtar që hyri jo vetëm në historinë e letërsisë shqipe, por edhe në atë botërore, në veprën e tij e prezanton lexuesin me realitetet e jetës së përditshme komuniste plot mosbesim, frikë dhe dëshprim.

Një burrë i ri është plot forcë, energji dhe vitalitet para të cilit bota qëndron e hapur, për të cilin gjërat e pamundura nuk ekzistojnë, por jo në Shqipërinë komuniste. Jo në Shqipëri, ku edhe dashuria ishte e ndaluar. Një Shqipëri që ndalonte të qenit njeri duke të transformuar në krijesa gri, pa ndjenja. Tirania, një sinonim i ‘sui generis’ për sundimin komunist të Enver Hoxhës, përfshinte çdo pjesë të jetës shqiptare, madje edhe dashurinë.

Narratori anonim në romanin e ‘Vajza e Agamemnonit’ ndërthur dy histori. Njëri prej të cilëve është romantik, madje dramatik, pasi e dashura e protagonistit, Suzana e cila e ka përfunduar marrëdhënien për ndonjë arsye të panjohur. Ndoshta ajo e di arsyen – babai i saj ka të ngjarë të pasojë udhëheqësin që po vdiste, duke i ndaluar vajzës së tij të dashurohet me një burrë anonim, jopartiak, me armikun e dyshuar.

Narratori pret më kot Suzanën, duke ecur nga apartamenti nëpër rrugët e shkreta, nëpër koridoret e policisë, afër turmës që përpiqet të hyjë në tribuna, drejt destinacionit e tij, një vend për të përzgjedhurit. Kjo rrugë përfshin gjithashtu një udhëtim mendimesh dhe përpjekje për të kuptuar dhe gjetur arsyen e largimit të Suzanës, një vendim i shtyrë nga babai i saj apo një vendim
i pavarur nga Suzana.

Së bashku me hidhërimin që ajo krijon, narratori e identifikon Suzanën me Ifigjeninë mitologjike, vajzën e komandantit të përgjithshëm, Agamemnon, e cila do të bëhej sakrificë njerëzore e babait të saj, duke i mundësuar ushtrisë greke të arrinte në Trojë. Ajo njihet si “Suzana – vajza  
e Agamemnonit”, vajza e mjeshtrit të madh të të gjitha sakrificave. Jeta
e personazhit kryesor ishte e zbrazur nga ngjyrat, dhe vdekja metaforike e të dashurit të tij, që nënkuptonte largimin e saj, ishte një simbol i tharjes së jetës. Dashuria ishte njëkohësisht një ilaç dhe murtajë, helm. Historia e dashurisë është një element i rëndësishëm, por është edhe një temë anësore e romanit të Kadaresë, duke treguar se si hidhërimi i realiteteve të regjimit mund të infektojë edhe dashurinë, kështu që thëni “Dashuria gjithmonë fiton” nuk gjen vend në Shqipërinë komuniste.

1 Maji, Tirana, festa më e rëndësishme shtetërore komuniste dhe një mjet i fuqishëm
i propagandës. Festimi është drejtuar me kujdes, duke luajtur një rol të rëndësishëm në mirëmbajtjen dhe ekspozimin e imazhit të pushtetit, duke i shkaktuar njerëzit e munduar nga realiteti komunist në një botë të bukur iluzioni plot gëzim dhe ngjyra. Narratori përsërit rrjedhën
e ngjarjeve, duke mos e lënë lexuesin pa mendimet, krahasimet dhe kritikat e tij.

Narratori u ftua zyrtarisht për të festuar ngjarjen nga stenda e vizitorëve. Ai u zgjodh, i mirosur, por pse? Çfarë e shkaktoi fuqinë e partisë ta nxirrte atë nga masa pa formë që qëndronte përgjatë rrugëve dhe t’i jepte një vend të rehatshëm në stenda? Cilat janë meritat e tij? Apo cilat janë të metat e tij?

Gjatë rrugës së tij, narratori takon njerëz, jo rastësisht të dukshëm për realitetet e jetës së përditshme në atë kohë. Mungesa e besimit, akuzat, arrestimet, frika, kontrollet, censura. Mungesa totale e logjikës dhe koherencës së sistemit është skizofrenia, ilustrohet nga disa marrëdhënie, duke përfshirë përvojën e vetë narratorit. Paranoja, ankthi, analiza e kujdesshme
e fytyrave të njerëzve që të shikojnë drejtpërdrejt. Ky është realiteti i përshkruar nga Kadare.

Përveç referencës për Ifigjeninë mitologjike, Kadare citon një përrallë popullore shqiptare për rënien e Qerimit. Fillon qetësisht, si çdo përrallë, zhvillohet në një drejtim përrallor, por me kalimin e kohës zhvillohet në një histori tragjike. Narratori e krahason jetën në komunizëm me historinë e Qerimit si një përkufizim të marrëdhënies së tij me sistemin, sikur të kishte rënë në një gropë, duke fluturuar derisa ra në një botë nëntokësore, që simbolizon gjithçka që është
e keqe, e errët. Duke u përpjekur të gjejë rrugën e tij, gjen shpresën, shqiponjën që e ktheu përsëri në botë. Një udhëtim i pafund mbi shqiponjën, e cila për të mbijetuar dhe për ta përfunduar udhëtimin, Qerimi duhej të jepte copa mishi të tij, për të dhënë veten. Me të arritur në botën më të lartë, të duhur, shqiponja ishte thjesht një shqiponjë që mbante një skelet njerëzor. Në të vërtetë, simboli i copës së mishit mund të jetë një metaforë për heqjen dorë nga mishi
i dikujt tjetër për të shpëtuar veten, dorëzimin e moralit dhe njerëzores ose heqjen dorë nga vetja për të mbijetuar, për të fituar për të arritur “një të nesërme më të mirë”, ku arrin i vdekur.

Është historia e një burri, i cili për të ndaluar rënien e tij nga hiri i regjimit komunist, që e ushqen veten jo vetëm me trupin e tij, duke e shkatërruar veten, por edhe me trupat e të tjerëve për të gjetur rrugën e tij drejt një jetë të lirë dhe pa shqetësime. ‘Vajza e Agamemnonit’ është lufta dhe realiteti i Trojës që ndodh përsëri në Shqipërinë komuniste.

Narratori impersonal është syze përmes së cilës ai ndërthur tregimin me të tjera tekste kulturore, të cilat lejojnë të kuptojnë më të mirë veprimet e personazheve. Duke analizuar hipertekstin dhe integrimin e tij me veprën e Kadaresë, arrijmë në përfundimin se kohërat mund të ndryshojnë dhe shumë gjëra në jetë mund të ndryshojnë, ndërsa njerëzimi mbetet i njëjtë. Viktimat, tiranët dhe sistemet transmetohen brez pas brezi.

Tregimi i  Kadaresë nuk ka të bëjë vetëm me Shqipërinë. Është një përshkrim universal për vendet me sistem komunist. Përfshirja në mënyrën se si përshkruhet historia, u lejon individëve nga i gjithë Blloku Lindor të jenë më të arritshëm, gjë që ka ndihmuar edhe në pranimin jo vetëm të kësaj vepre, por të gjithë krijimtarisë së Kadaresë në Evropë. Për më tepër, dashuria është një emocion, një gjendje, një kujtim, një realitet me të cilin pothuajse të gjithë mund të identifikohen.

Pjesërisht histori, pjesërisht biografi, pjesërisht kritikë, vepra ‘Vajza e Agamemnonit’ është një udhëtim nëpër dy histori të ndryshme, por të njëjta. Të dyja flasin për ndjenjat, dashurinë, urrejtjen, zhgënjimin, humbjen e shpresës dhe kalimin e pakthyeshëm të asaj që ishte. Është një vepër që i referohet mitologjisë, folklorit ose një heroi kombëtar, të gjitha me qëllim për të përcjellë, pa ambivalencë dhe gjysmëmasa, hidhërimin e kohërave, duke folur qartë për regjimin shqiptar.

Nuk është një vepër e lehtë, megjithatë Kadare ka përcjellë hidhërimin në mënyrë unike, që shoqëronte shqiptarët që jetonin nën regjimin e Hoxhës. Ai i ka hedhur në letër mendimet, që si të vetmet nuk ishin të ndaluara dhe të censuruara. Për shqiptarët, albanologët apo ata që janë të interesuar për Shqipërinë, është e qartë se kjo vepër, ashtu si pjesa tjetër e veprës së Kadaresë nga kjo periudhë, është një shprehje e heroizmit, e nevojës për të folur hapur dhe për të rrezikuar jetën, të cilat nxjerrin në pah një mesazh të zymtë të romanit.

‘Vajza e Agamemnonit’, si e gjithë vepra e Kadaresë, mund të përshkruhet me një oksimoron. Ajo lexohet lehtë, megjithëse përmbajtja e saj është mbytëse dhe e dendur./ KultPlus.com

Angjelin Preljocaj, anëtar i Akademisë së Arteve të Francës

Koreografi dhe artisti i njohur francez me origjinë shqiptare, Angjelin Preljocaj, është pranuar zyrtarisht anëtar i Akademisë së Arteve të Bukura të Francës.

Ai është një emër i madh në historinë botërore të baletit modern, dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, transmeton klankosova.tv.

Në ceremoninë speciale, të mbajtur në Institutin e Francës, Angjelin Preljocajt iu dorëzua Shpata e Akademikut e krijuar posaçërisht për të, nga artistja franceze e dizajnit me famë ndërkombëtare, Constance Guisset.

Përkujtohen 117 të burgosurit e vrarë në masakrën e Dubravës

Janë përkujtuar sot 117 të burgosurit e vrarë në masakrën e Dubravës, e cila ndodhi 26 vjet më parë, gjatë datave 19-24 maj 1999.

Në këtë ngjarje të rëndë u plagosën mbi 300 të tjerë, ndërsa shumë prej tyre mbijetuan për të rrëfyer tmerrin që përjetuan, transmeton Klankosova.tv.

Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë ish-të burgosur, familjarë të viktimave, të mbijetuarve, si dhe qytetarë.

Mentor Zymberaj përzgjedhet Anëtar i Jurisë së Përhershëm të Festivalit “Mono Fest” në Kazakistan

Tashmë është mbajtur Nata Solemne e Përmbylljes së Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës MONO FEST në Kostanay, Kazakistan, shkruan KultPlus.

Në këtë festival, artisti Mentor Zymberaj është përzgjedhur Anëtar i Jurisë (Ekspertëve) së Përhershëm të Festivalit.

“Nderim dhe vlerësim i veçantë”, thuhet në njoftimin e tij./ KultPlus.com

Ditëlindja

Poezi nga Agim Vinca

Në Paris, rastësisht, i mbusha pesëdhjetë e sa vjet.

Tani jam një vit më i madh se Naimi,
dyfish më i moshuar se Migjeni
dhe – mjekërbardhë si Lasgushi.

Për ditëlindjen time
pimë nga një gotë verë
me Veronikën nga Kili
dhe Mihain nga Bukureshti.

Ç’rastësi!
Të tre kemi njohur nga një diktaturë
                                                            (unë dy a tri)
dhe kemi ëndërruar botën e lirë.
I cakërrojmë gotat dhe themi:
                                                Gëzuar!
Secili në gjuhë të vet;
në Paris, në botën e lirë
(A thua, vërtet?)

Në ditëlindjen time të njëqindepesëdhjetë!./ KultPlus.com

Në Ulqin do të mbahet konferenca shkencore ‘Gjuha dhe kultura e shqiptarëve në Malin e Zi’

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” do të organizojë konferencën shkencore me temë “Gjuha dhe kultura e shqiptarëve në Malin e Zi”, që do të mbahet në Ulqin, më 24 maj 2025.

Qëllimi i konferencës është që krahas vënies në pah të të arriturave të shqiptarëve në Malin e Zi në fushat e gjuhës dhe kulturës, përmes një analize shkencore shumëdimensionale t’i identifikojë, vështrojë dhe analizojë problemet dhe dukuritë në këto fusha, shkaqet e gjendjes ekzistuese dhe pasojat për të ardhmen, duke ofruar edhe ide për zgjidhjen e tyre.

Në konferencë do të paraqiten 13 kumtesa të studiuesve nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova, ndërsa artikujt e lexuar do të botohen në një përmbledhje të posaçme.

Mbajtjen e konferencës shkencore e kanë mbështetur Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave dhe Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi./ KultPlus.com

Promovohet libri ‘Ecje mbi plojë’, i veprimtarit Ramadan Bunjaku-Dani

Shoqata e ish të Burgosurve Politikë, në bashkëpunim me Shoqërinë “Lëvizja”, organizoi “Orë Përkujtimore”, me rastin e njëvjetorit të ndarjes nga jeta të ish të burgosurit politik dhe ish veprimtarit të çështjes sonë, Ramadan Bunjaku- Dani, ku me ç`rast u promovua edhe libri i tij autobiografik “Ecje mbi plojë”.

“Atdheu nuk është pasion për ta udhëhequr! Atdheu është dashuri!”

Këto janë ndër vargjet në librin autobiografik të veprimtarit të çështjes kombëtare Ramadan Bunjaku- Dani, i cili u promovua me rastin e njëvjetorit të ndarjes nga jeta.

“Një vit më parë ndërroi jetë një nga të dënuarit politikë që la boshllëk në familjen dhe shoqërinë tonë”, tha Shefik Sadiku, kryetar i Shoqatës së Burgosurve Politikë të Kosovës.

“Historia e përshkruar në libër nuk është tregim personal, por pasqyrim i vështirësive dhe padrejtësive që u bënë ndër shekuj popullit shqiptar. Ai nuk u përkul kurrë dhe nuk reshti së punuari për një Kosovë-Shqipëri. Në qelinë e burgut ai asnjëherë nuk u ndal në kauzën kombëtare”, tha Ismet Hajrullahu, veprimtar.

“Ky libër është dëshmi kohore që arriti ta shkruante para se të vdiste, duke lënë një dëshmi të dorës për atë çfarë ka ndodhur. Në çdo faqe të librit gjeni shpirtin e pathyeshëm të tij dhe kjo vepër meriton të lexohet”, tha Hysen Berisha, recensues.

Edhe familjarët u shprehën krenarë për kontributin e tij për atdheun.

“E kisha pas vëllain si shkëmb dhe gjithmonë ka qenë i nderuar. Jemi krenarë me të”, tha Zeq Bunjaku, vëllai i Ramadanit.

“Kujtojmë jetën dhe veprën e tij si simbol i qëndresës dhe guximit. Simbol i punës së palodhshme. Gjatë jetës së tij ai shërbeu me dinjitet”, tha Artan Bunjaku, biri i Ramadan Bunjakut.

Ndërsa bashkëshortja e Danit, Drita Bunjaku, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në promovimin e librit.

139 vite pa Viktor Hygon, shkrimtari francez që pasurinë e tij e la amanet për të varfërit

139 vite më parë, më 22 maj 1885 ndali trokun e vet të drobitur nga vitet dhe dhimbjet, zemra 83-vjeçare, e Viktor Hygoit, babait të romantizmit dhe atit të kombit francez, dalëzotësit të paepur të të nëpërkëmburve, të varfërve, të gjithë atyre që i kishte ndëshkuar më shumë se fati, koha.

Bota e humanizmit me vdekjen e Viktor Hygo, ndahet me një emblem, me një shëmbëlltyrë të pashembullt dhe vetanake në udhëprirjen e njerëzimit përnga barazia, toleranca, drejtësia dhe besimi.

Karroca e të varfërve me kurmin e tretur së gjalli të Hygoi u vendos për një natë nën Harkun e Triumfit dhe u shoqërua nga 12 poetë. Dy milion persona asistuan në ceremoninë e lamtumirës. Franca dhe bota mbarë do të ishte dëshmitare e një prej akteve më solemne të mirënjohjes, e denjë për zotër dhe etër. Ai ishte ati i shpirtrave të shërbyer prej njerëzores. Nga çdo cep i Francës kishin ardhur atë ditë për tu ndarë me zërin e zemrave të tyre. Ajo ishte dhe mbeti për shumë kohë një nga ceremonitë e lamtumirës më madhështorja që njerëzimi kishte parë.

 Viktor Hygoi iku për të mbetur jo vetëm në bibliotekë, në mëndje dhe në përjetime, por edhe në të tashmen, si i gjithkohëshëm.

Të 50.000 frangat që kishte kapital ai e la me amanet për të varfëritë.
I tillë ishte ai. E tillë, pikëlluese dhe e pazëvendësueshme ishte humbja e tij. Me ikjen ai la kryeveprën monumentale, la personazhet, Zhan Valzhanin, Anzholrasin, Gavroshin, Mirielin, Guinplenin, Kazimodon, Esmeraldën, të cilët gjallojnë në frymimin e përgjithmonshëm të penës së tij humaniste, shpirtit të tij të madh, zemrës që troket atëditë e sot në kalldrëmet e fateve të krisura, që zvarget hekakeqe edhe tash mbas 135 vitesh në baltën që përlyen ndërgjegjen e kohërave, për të qenë përherë një zë denoncues, një ndëshkim, një fshikull, një akuzë. /albertvataj / KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare për Biodiversitetin

Sot është Dita Ndërkombëtare për Biodiversitetin, nën temën “Harmonia me natyrën dhe zhvillimi i qëndrueshëm”.

Dita Ndërkombëtare e Biodiversitetit është shpallur nga Kombet e Bashkuara në vitin 1993, për të theksuar rëndësinë e diversitetit biologjik. U vendos data 22 maj për të përkujtuar 22 majin e 1992, datën e miratimit të Konventës së Diversitetit Biologjik.

Ndërsa komuniteti global është thirrur të rishqyrtojë marrëdhënien tonë me natyrën, një gjë është e sigurt: pavarësisht nga të gjitha përparimet teknologjike, ne mbetemi plotësisht të varur nga ekosistemet e shëndetshme: për ujin, ushqimin, ilaçet, rrobat, karburantin, strehimin, energjinë etj.

Në dhjetor 2022, bota u bashkua dhe ra dakord për një plan global për të transformuar marrëdhëniet tona me natyrën. Miratimi i Kornizës Globale të Biodiversitetit Kunming-Montreal, vendos 23 objektiva për vitin 2030 dhe 5 objektiva globale për vitin 2050 për të ndaluar dhe rikthyer dëmet që i janë shkaktuar natyrës në 25 vjet.

Kjo fushatë synon gjithashtu të nxisë një ndjenjë urgjence për të vepruar sa më shpejt, pasi mbeten vetëm pesë vjet për të përmbushur objektivat afatshkurtër të Kornizës Globale të Biodiversitetit dhe SDGs.