Konkursi Ndërkombëtar i Letërshkrimit për të Rinjtë

Universal Postal Union, agjenci e specializuar e OKB-së me seli në Zvicër, sjell edicionin e 54-t të Konkursit Ndërkombëtar të Letërshkrimit për të Rinjtë.

Tema e këtij viti është: “Imagjinoni se jeni oqeani. Shkruajini dikujt një letër, duke i shpjeguar pse dhe si duhet të kujdeset mirë për ju”.

Aktiviteti do të realizohet në kontekstin e Konferencës së Oqeanit të OKB-së 2025, që do të zhvillohet në muajin qershor.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL) tha se kjo garë ndërkombëtare e letërshkrimit synon përmirësimin e letraritetit përmes artit të të shkruarit. Në këtë garë shkrimi mund të marrin pjesë fëmijët nga 9 deri në 15 vjeç.

Garimi synon të inkurajojë pjesëmarrësit që të shprehin kreativitetin dhe aftësitë e tyre gjuhësore.

Universal Postal Union (UPU) nuk pranon shkrime të cilat dërgohen nga shkollat apo individët. Të interesuarit që duan të jenë pjesëmarrës duhet të kontaktojnë Operatorin Kombëtar Postar ose organizatën, e cila merret me këtë kompeticion ([email protected]). Afati i dorëzimit të shkrimeve është deri më 5 maj 2025.

Ky aktivitet organizohet në partneritet me Organizatën Ndërkombëtare Detare (IMO) dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO)./oranews/ KultPlus.com

‘Kurora Labe’, grupi që u ngrit në tabanin dhe traditat e zonës së Picarit

Në zonën e Gjirokastrës, zë polifonisë labe i dha edhe Picari.

Gjithçka e trashëguar nga të parët filloi të merrte vëmendje në vitet 60 me aktivizimin e të rinjve të cilët e ngjitën për vite me radhë këngën picariote në skenën e festivalit. Në nëntor të vitit 2001 zëra bilbilash u bënë bashkë për të krijuar grupin “Kurora Labe”.

Kënga labe ka ardhur brez pas brezi që nga kohët e lashta e deri në ditët e sotme. Lebërit në shekuj kanë ditur të ruajnë vlerat dhe trashëgiminë që është sa e bukur dhe e vështirë. Labëria, si burrat dhe gratë i kanë kënduar me mjështëri Lirikës, epikës historisë dhe e kanë përcjellë në breza. Ajo ka ardhur herë lozonjare e herë si gjëmim i rëndë në shekuj.

Kënga labe s’të lë dot

Vjen nga shekujt deri sot

Me derte, gëzime plot

Ti më njohe dhe në botë

Të bekoj i madhi Zot!

U këndofsh për jetë e mot!

Në të kaluarën, kultura muzikore polifonike labe, si mbarë arti ynë muzikor popullor, është krijuar, interpretuar e përjetuar kryesisht në mjedise të ngushta, thjesht familjare. Ajo nisi të dalë nga mjedise të tilla vetëm pas gjysmës se dyte të shekullit 20. Kultura muzikore polifonike labe ështe shquar gjithmonë nga një gjallësi dhe densitet i madh.

Si bashkudhëtarë e ditëve të gëzuara e të trishtuara të malësorit të Jugut, polifonia labe simbolizonte vazhdimisht një art tepër të dashur për të.

Polifonia labe gjallon në krahun jugperëndimor të Shqipërisë, duke u kënduar në mënyre të pjesshme ose të plotë nga popullsia e rretheve: Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër, Sarandë, Përmet, Fier.

Ja si vijnë kujtimet e Çerçiz Vehipit, rritur mes polifonisë labe dhe dashuruar me të edhe pse nuk është një këngëtar i mirëfilltë i saj.

Kënga labe është e veçantë, sidomos për ne që na është mësuar veshi, sepse është kënduar nëpër dasma. Por sipas të parëve tregohet se dikur mblidheshin 3/4 lebër dhe këndonin labçe, pra hiqnin mërzinë por edhe argëtoheshin. Më pas kënga labe mori të tjera përmasa sidomos pas viteve ’60 ku grupet labe u bashkuan nëpër Vatrat e Kulturës në atë kohë që ishin në çdo qendër fshati. Kjo u kthye dhe në bazën kryesore të argëtimit për zonat, por njëkohësisht solli dhe zhvillimin e këngës labe. Aty u përzgjodhën duke u seleksionuar zëra duke u koordinuar,” tha z. Vehipi për RTSH-në.

Ishte nëntori i vitit 2001, kur zëra bilbilash u bënë bashkë për të krijuar grupin “Kurora Labe”, e përbërë nga xhevahirët.

  • Dhurim Saraçi, anëtar i grupit “Kurora labe“
  • Dituri Thana, anëtare e grupit “Kurora labe“
  • Banush Malo, anëtar i grupit “Kurora labe“
  • Idriz Isaraj, anëtar i grupit “Kurora labe“
  • Shyqyri Hysi, anëtar i grupit “Kurora labe“
  • Xheli Shkurti, anëtar i grupit “Kurora labe“
  • Ladin Çeli, anëtar i grupit “Kurora labe“
  • Shpëtim Çoçka, anëtar i grupit “Kurora labe“
  • Donatella Nora, anëtare e grupit “Kurora labe“
  • Engjellushe Peçi, anëtare e grupit “Kurora labe“
  • Mustafa Nora, anëtar i grupit “Kurora labe“
  • Seit Selfo, anëtar i grupit “Kurora labe“
  • Valbona Nora, anëtare e grupit “Kurora labe“

Banush Malo e priti me interes ftesën për të qënë pjesë e këtij grupi, ndërsa kujton dhe punën që ka bërë në organizimin e të rinjve në vitet kur ai ishte mësues.

“Si unë dhe ata ishim lebër. Unë e kisha qejf këngën labe, e kisha në gjak dhe doja që ta trashgoja. Për shkak të profesionit tim kisha një të mirë që duke punuar me fëmijët kisha si qëllim dhe të trashgoja këtë pasuri të këngës labe. Nga viti 2001 u organizuam të gjithë si shoqëri dhe krijuam këtë grup polifonik që është edhe sot,“ tregon Banush Malo, hedhës i grupit “Kurora Labe”.

Instrumentist i grupit “Kurora labe”, Musa Budo theksoi se “Kënga polifonike e Picarit ka qenë me tradita të vjetra dhe kjo është mbajtur, është kënduar jo vetëm nga picariotët, por edhe nga fshatrat përreth Labërisë“.

Përkrah burrave ndër vite në këndimin e këngës labe u rreshtuan edhe gratë. Pas viteve 60 femra u aktivizua edhe në festivale. Një ndër to ishte edhe Dituri Thana, e cila u kthye nga emigracioni në kohën kur iu dërgua sinjali për ngritjen e “Kurorës Labe”.

“Ishin shumë faktorë që unë mora pjesë në këtë grup. Kishte pjesëmarrje të gjerë dhe ishin shokët e mi të grupit që kisha kënduar shumë herë më ata. Ishte poeti i dashuruar me këngën labe, Mufit Celi që mori këtë nisëm me këmbënguljen e korifejve të spikatur,” thotë këngëtarja.

Njeriu i penës, Mete Peci, e vlerëson “Kurorën Labe” si një nga grupet që u ngrit në tabanin dhe traditat e zonës së Picarit, për ta përcjellë atë në breza.

Poeti dhe gazetari Aleksandër Çipa e vendos Mufit Celin në panteonin e atyre krijuesve që kontribuan në pasurimin e traditës, duke e vlerësuar si një ndër të spikaturit në ditët e sotme.

“Autorësia e këngëve popullore të Jugut të Shqipërisë, në mënyrë të veçante të polifonisë shqiptare është e bashkëshoqëruar me autorësinë e poetëve që kanë marrë përsipër realizimin e teksteve të këngëve. Në shumicën e studimeve shqiptare shpesh është folur raporti ndërmjet muzikës në mënyrë të veçantë dhe muzikës që mbart teksti si fjalë,” shprehet z. Çipa.

Portretin e tij Mufit Çeli e ka shkruar vetë mes qindra poezive që këndohen nga grupe të ndryshëm popullorë shprehet Ylli Muho, një prej njerëzve me të cilët ka bashkëpunuar.

Prej vitesh jeton në Austri, duke mbajtur detyrën e pedagogut të ekonomisë në një prej universiteteve të Vjenës.

Enea Saraçi u rrit mes këngës labe dhe pse larg mundohet ta mbajnë gjallë aty. Ai shprehet se kjo muzikë duhet të vlerësohet si ajo e kompozitorëve botërorë Moxart e Bethoven.

Gazetare: Yllka Ponde

/rtsh.al/ KultPlus.com

Pjesëmarrja e Ismail Qemalit në Kongresin e Xhonturqve

Më 4 shkurt të vitit 1902, Ismail Qemali mori pjesë në Kongresin e Parë Xhonturk, në Paris, me devizën: “As me turqit e vjetër dhe as me turqit e ri, por të punojmë për vatanin”.

Në këtë kongres të organizuar prej princit Sabahedin dhe princit Lutfullah, krahas Ismail Qemalit, si përfaqësues të palës shqiptare ishin: Dervish Hima, Ibrahim Temo dhe Jashar Erebara.

Përfshirja e eksponentëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Lëvizjen e Xhonturqve, që synonte rivendosjen e kushtetutës së vitit 1876, motivohej nga synimi i njohjes së kombësive joturke, të të drejtave të tyre politike si dhe të përhapjes së gjuhës dhe të shkollave amtare.

Mes polemikash të mprehta, në radhët e turqve të rinj, morën formë dy rryma mendimi: njëra që favorizonte nacionalizmin turk dhe tjetra, otomanizmin liberal.

Duke iu qendruar besnik bindjeve të tij, Ismail Qemali nuk u pajtua me politikën nacionaliste të xhonturqve që kanoste jo vetëm ekzistencën e popullit shqiptar, por edhe të vetë kombit turk, të rimëkëmbur falë revolucionit të udhëhequr nga Mustafa Qemal Ataturku./ atsh/ KultPlus.com

Shfaqja ‘Vojçeku’ premierë këtë muaj

Gjatë muajit shkurt ‘Artpolis’ ka njoftuar se do të mbahet një premierë teatrore “Vojçeku” me regji të Zana Hoxhës.

Shfaqja “Vojçeku”, e bazuar në dramën origjinale të Georg Büchner, është një portret i fuqishëm dhe thellësisht emocional i vuajtjes njerëzore dhe efektit shkatërrues të padrejtësive shoqërore. Në adaptimin e Jack Thorne (një prej dramaturgëve anglez më të inskenuar momentalisht), historia vendoset në një realitet të dhimbshëm dhe brutal ku kufijtë midis dëshpërimit, dashurisë dhe çmendurisë, zhduken.

Vojçek, një ushtar i varfër dhe i shtypur, përballet me realitetin e zymtë të jetës së tij: mungesa e sigurisë financiare, shfrytëzimi nga eprorët dhe degradimi si objekt eksperimentesh mjekësore.

Ai përpiqet të sigurojë jetesën për gruan e tij Marian dhe fëmijën e tyre të vogël, por presioni i varfërisë dhe dhuna psikologjike fillojnë ta çojnë drejt shpërbërjes mendore.

Autor: Georg Büchner, Adaptimi: Jack Thorne

Regjisore: Zana Hoxha/ KultPlus.com

Botohet në italisht libri i Dibran Fyllit ‘Anche questa e parte della vita’

U botua në gjuhën italisht libri i autorit kosovar Dibran Fylli, regjisor, aktor, poet, akademik, drejtor i revistës fizike Orfeu dhe i portalit Orfeu.al, “Anche questa e parte della vita” – “Edhe kjo është pjesë e jetës”.

Parathënia u shkrua nga gazetarja, shkrimtarja e njohur kalabreze, Drejtoresha e revistës Saturno Magazine Francesca Gallello.

Në zemër të romanit Edhe kjo është pjesë e jetës ndërthuren histori vuajtjeje, guximi dhe shprese, duke treguar një periudhë historike që ka shënuar thellësisht fatin e një populli. I vendosur në një Kosovë të shkatërruar nga lufta, libri na kthen pas në një kohë kur dhuna dhe urrejtja dukej se mbizotëronin çdo cep të jetës së përditshme. Nëpërmjet rrëfimit të autorit, i cili ka përjetuar nga afër tragjedinë e atyre ditëve, lexuesi shoqërohet në një udhëtim emocionues, ku qëndrueshmëria e shpirtit njerëzor shfaqet në gjithë forcën e saj. Autori, regjisor, aktor dhe shkrimtar, përshkruan ngjarjet tragjike të luftës përmes historisë delikate dhe të dhimbshme të dashurisë mes dy protagonistëve. Pavarësisht se lufta shkatërroi dhe la shenjë në trupat dhe shpirtërat e tyre, dashuria e tyre mbetet e pandalshme, si një dritë shprese që sfidon errësirën e konfliktit dhe vuajtjes.

Ky roman nuk është vetëm një dëshmi historike, por edhe një himn për kujtimin e asaj që ka qenë, që e kaluara të mos harrohet kurrë dhe plagët që ka lënë lufta të bëhen, përfundimisht, një shtysë për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë.

I ftoj lexuesit të zhytet në faqet e këtij rrëfimi, duke zbuluar nuancat e tij, pa zbuluar shumë nga ngjarja, për të mos i privuar nga ndikimi i fuqishëm emocional që vetëm leximi direkt mund të ofrojë. Kosova ka jetuar vite të tmerrshme, një vuajtje që nuk mund të përshkruhet lehtësisht. Por si çdo periudhë e errët, edhe kjo është e destinuar të lërë hapësirë për dritën e rilindjes. Kujtimi i atyre mizorive, sa më i dhimbshëm të jetë, duhet të mbetet i gjallë që historia të na mësojë se luftërat dhe dhunimet nuk sjellin veçse lot dhe shkatërrim. Vetëm përmes paqes dhe kujtimit mund të shpresojmë për një të nesërme më të mirë, ku kujtimi i asaj që ka qenë, të shërbejë si një paralajmërim për brezat e ardhshëm.

Tregimi i historisë së një vendi që ka përjetuar luftën, është një akt i rëndësishëm kujtimi, një urë mes të kaluarës dhe të ardhmes, që i mundëson brezave të rinj të mos harrojnë mizoritë që janë përjetuar dhe kryer.

Vende si Kosova, që kanë kaluar përmes konflikteve të tmerrshme, ruajnë në zemrat dhe mendjet e atyre që i kanë përjetuar një dhimbje që nuk mund të fshihet lehtësisht. E megjithatë, është pikërisht përmes shkrimit që mund të sigurojmë që ai kujtim të mos humbasë. Të shkruash për luftën, për tmerrin dhe shkatërrimet e saj, nuk është kurrë një detyrë e lehtë. Për ata që kanë jetuar me lëkurën e tyre ato vite të tmerrshme, ta bësh këtë do të thotë të kthehesh pas në kohë, të rivizitosh plagë që nuk janë shëruar plotësisht. Është një proces që kërkon guxim, sepse çdo fjalë e shkruar është një akt ndarjeje, e një dhimbje të thellë, një kujtim që nuk mund dhe nuk duhet të harrohet. Megjithatë, është e nevojshme ta bëjmë këtë. Është e nevojshme që brezat e rinj të kuptojnë përmasat e atyre momenteve, jo vetëm për të shmangur që historia të përsëritet, por edhe për të nderuar sakrificën e atyre që vuajtën dhe humbën gjithçka. Të shkruash për luftën, veçanërisht kur e bëjmë këtë përmes një romani që bashkon dashurinë dhe dhimbjen, është edhe më e vështirë, sepse rrezikohet të përkthehet në fjalë e pamendueshmja.

Nëse, më tej, protagonistët e asaj historie janë realë, nëse janë njerëz që kanë përjetuar vërtet atë torturë, peshën e narrativës e bën edhe më të dhimbshme. Në këto histori, çdo emocion, çdo vuajtje, rezonon në intensitetin e saj maksimal. Për këtë arsye, dua të shpreh lavdërimin tim më të sinqertë për autorin e këtij libri të jashtëzakonshëm. Ai më dha mundësinë të zhytet në një botë që, fatkeqësisht, nuk është shumë larg, por që është tepër e rëndësishme për t’u treguar. Aftësia e tij për t’i dhënë zë këtyre përvojave, për t’i shndërruar ato në fjalë që prekin shpirtin, është diçka e rrallë dhe e çmuar. Dëshiroj ta falënderoj nga zemra për këtë mundësi për të ndarë me mua një histori që më ka emocionuar thellë, që më ka bërë të reflektoj dhe që, pa dyshim, do të më shoqërojë gjatë.

E dua Kosovën, një vend që e vizitoj shpesh me kënaqësi, ku kam shumë miq të dashur dhe të sinqertë. Plagët e luftës janë ende të dukshme, por forca, qëndrueshmëria dhe bukuria e kësaj toke dhe e popullit të saj janë po aq të dukshme. Pikërisht kjo tokë na mëson, me shembullin e saj, se sa e rëndësishme është të mos harrojmë kurrë, por gjithashtu sa e domosdoshme është të vazhdojmë të shohim përpara me shpresë dhe guxim.

(Francesca Gallello Gabriel Italo Nel Gòmez, botuese, gazetare, kritike letrare, skenariste, shkrimtare, poete, promovuese).

Përgatiti: Alketa Gashi- Fazliu /rtk/ KultPlus.com

Orkestra e RTSH-së do të sjell koncert me krijimtarinë e kompozitorit Limos Dizdari

Krijimtaria më e mirë e kompozitorit të njohur shqiptar, romantikut të fundit Limos Dizdari, do të vijë e interpretuar në një mbrëmje të magjishme nga Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar, nën dirigjimin e maestros Ermir Krantja.

Nuk është një koncert i zakonshëm. Bën pjesë në ato mbrëmje muzikore që herë pas here i organizojmë me veprat e një autorit të vetëm, në rast jubilesh, ditëlindjesh etj. Është rasti që të përdorim këtë mrekulli, që është krijimtaria e Limos Dizdarit, do të thosha kompozitori i fundit i romantikëve, por me një gamë të gjerë emocionale, melodish,” shprehet maestro Krantja.

Kompozitori Limos Dizdari, i vlerësuar edhe me titullin Artist i Merituar, njihet për kompozimet e muzikës së shumë filmave të njohur, për veprat simfonike, si edhe për kompozimin e këngëve të muzikës së lehtë mbështetur në traditën popullore shqiptare.

Do të ketë një vepër madhore, që është Simfonia e tij nr.1. Gjithashtu do të shoqërohet nga koncerti për piano dhe orkestër me soliste Merita Rexhën, e cila njihet për cilësitë e saj si muzikante dhe pianiste. Do të jenë edhe dy kolona zanore nga ‘Rrugë të bardha’ dhe ‘Fjalët e qiririt’ nga filmi ‘Mësonjëtorja’,” thotë dirigjenti Krantja.

Për të gjithë artdashësit, koncerti i Orkestrës Simfonike të RTSH-së do të mbahet në datën 7 shkurt në sallën e Universitetit të Arteve./rtsh/ KultPlus.com

Filharmonia dhe ‘Prenk Jakova’ nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi, ofrohet praktikë profesionale për nxënësit e Shkollës së Muzikës

Një memorandum bashkëpunimi është nënshkruar sot ndërmjet Shkollës së Mesme të Lartë Profesionale të Muzikës “Prenk Jakova” dhe institucionit më të lartë të muzikës në vend, Filharmonisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Ky memorandum bashkëpunimi i nënshkruar nga drejtoresha e shkollës “Prenk Jakova”, Jeta Dida – Bujari dhe nga u.d. drejtori i Filharmonisë së Kosovës Dardan Selimaj synon:

• Rregullimin e bashkëpunimit për ofrimin e mundësive të praktikës profesionale për nxënësit e shkollës në Filharmoninë e Kosovës.

• Krijimin e një platforme bashkëpunimi për zhvillimin e praktikave profesionale për nxënësit e shkollës, përmes angazhimit dhe përvojës në aktivitete dhe projekte.

• Ngritje dhe përmirësim të cilësisë profesionale të nxënësve, duke ofruar mundësi praktike dhe përvojë të vlefshme në fushën e muzikës.

Në përfundim të praktikës, nxënësit do të pajisen me certifikatë vlerësimi për përvojën e fituar brenda institucionit të Filharmonisë së Kosovës../ KultPlus.com

Sonte, jepet premierë shfaqja ‘Hope’ nga Baleti Kombëtar i Kosovës

Baleti Kombëtar i Kosovës, sonte në Ditën Botërore Kundër Kancerit jep premierë shfaqjen “HOPE”, shkruan KultPlus.

Sipas BKK “HOPE” është një udhëtim emocional që trajton sfidën më të madhe të jetës – përballjen me një sëmundje të rëndë dhe luftën për të ruajtur shpresën. Duke eksploruar kufijtë e forcës njerëzore, dashurisë dhe solidaritetit, baleti na fton të ndjekim një histori që fillon në një moment të brishtë dhe të pasigurt, por që përfundon me triumfin e shpirtit njerëzor.

“ Në terrin e frikës, një dritë lind ngadalë,
një shpirt që lëkundet, mes dhimbjes dhe mall.
E vetme qëndron, mes heshtjes së ftohtë,
por duar të ngrohta e ngritin sërish lart.
Mes dhimbjes dhe forcës, mes humbjes dhe shpresës,
një zemër që rreh, nuk dorëzohet lehtë.
Në dashuri gjen dritën e humbur,
në krahët e tjetrit, guximin e fshehur.
Dhe fundi sjell lulëzimin e saj,
një pemë që rritet nga loti dhe sharmi.
Sepse shpresa mbetet, s’ka frikë që e shuan,
në zemrat që duan, ajo kurrë s’fundoset “.

Premiera jepet sonte në Atelienë e Pallatit të Rinisë, në ora 19:30./ KultPlus.com

Zgjomë shpejt nesër në agullim

Poezi nga Sergej Esenin

Zgjomë shpejt nesër në agullimm,
O nëna ime durimtare, e shenjtë!
Do të eci rrugës matanë kodrës,
Do takoj mikun tim të shtrenjtë.

Sot, mbi livadh, në pyllin e dendur
Kam parë vija rrotash shumë gjatë.
Era nën një pelerinë të hollë resh
Tund e dredh dogan* e saj të artë

Nesër në agullim do të kaloj si shigjetë,
Duke shkelur hënën- e plotë nën gëmushë,
Dhe pela do të tund e shkund me shaka
Bishtin e saj të gjatë e të kuq nëpër fushë.

Zgjomë shpejt nesër në agim,
Dhe dritën në dhomë ma ndis.
Flitet se së shpejti do të bëhem
Poeti më i famshëm i Rusisë

Do të këndoj për ty dhe mikun,
Stufën tonë, gjelin dhe çatinë…
Qumështi i lopëve të tua shegane
Do derdhet në këngët, vargun tim.

*Hark druri mbi kalin e trojkës

Shpallet “Viti Maks Velo”, institucionet nënshkruajnë marrëveshje për organizimin e aktiviteteve të ndryshme

Në hapësirat e Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, u shpall “Viti Maks Velo”, me iniciativën e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Kjo nismë u mbështet nga Autoriteti i Dosjeve, Biblioteka Kombëtare si dhe Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe”. Institucionet nënshkruan edhe marrëveshjen e rastit, për organizimin e aktiviteteve të ndryshme në homazh të intelektualit të shquar Maks Velo, në 90-vjetorin e lindjes dhe 5-vjetorin e ndarjes nga jeta.

Në ketë ceremoni u vlerësua figura e shumanëshme e Maks Velos, angazhimi e kontributi i tij në letërsi, pikturë, arkitekturë dhe shoqëri, si aktivist i shquar.

Maks Velo ishte piktor, studiues, arkitekt dhe shkrimtar. I diplomuar ne Inxhinieri Ndertimi dhe i specializuar ne Arkitekture, Velo mori pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë (1960) dhe më pas ka punuar pranë Byrosë së Projektimit në kryeqytet. Vitet ’78-’79 ishin më të vështirët të jetës së tij, pasi u arrestua dhe u dënua me 10 vite burg.

Vuajti dënimin në burgje gjatë regjimit komunist dhe një pjesë e krijimtarisë së tij i është kushtuar dimensionit të lirisë në diktaturë. Gjatë viteve të fundit të jetës mori pjesë gjallërisht në debatet për menaxhimin e hapësirës publike përmes artikujve publicistikë dhe aktiviteteve të tjera.

Velo është autor i një sërë botimesh si “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Betonizimi i demokracisë”, “Hetimi”, “Spaçi”, “Jeta ime në figura”, “Klubi Karavasta”, “Përkthyesi”, “Jetë paralele” etj./atsh/KultPlus.com

Të rinjtë në QSPA: Më shumë autorë arbëreshë në kurrikulat e arsimit të mesëm

Projekti shkollor “Arbëreshët” mblodhi sot në mjediset e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve (QSPA), nxënësit e gjimnazit publik “Luan Hajdaraga”, për të trajtuar tema të ndryshme mbi arbëreshët.

Nxënësit, të shoqëruar nga mësuesja e tyre e italishtes Mirela Pasha u pritën nga drejtoresha e QSPA, prof. Diana Kastrati si dhe stafi i qendrës.

Të ndarë në grupe nxënësit trajtuan tema të ndryshme me në qendër arbëreshët e Italisë dhe trashëgiminë e tyre kulturore. Secili prej të rinjve prezantoi temën përkatëse brenda projektit dhe drejtuan pyetje që lidheshin me të: Sa ka ndikuar organizimi gjeografik i arbëreshëve në mbijetesën e këtyre komuniteteve? Si paraqiten pabarazitë në zhvillimin e këtyre komunave? Si ruhen dhe transmetohen ndër breza ritet dhe muzika e arbëreshëve? Çfarë mund të bëjë më shumë shteti shqiptar dhe vetë të rinjtë për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore arbëreshe?

Vetë nxënësit shprehën shqetësimin e orëve të reduktuara në kurrikulën shkollore të letërsisë dhe mungesës së autorëve arbëreshë në kurrikulat e arsimit të mesëm në sistemin arsimor shqiptar.

Prof. Diana Kastrati theksoi rëndësinë e njohjes së arbëreshëve nga të rinjtë, ekspedita dhe bashkëpunimet dypalëshe të nxënësve shqiptarë dhe atyre arbëreshë, integrimit të teksteve dhe autorëve arbëreshë në kurrikulën shkollore të këtij cikli, si dhe i ftoi të rinjtë të vizitojnë sërish ambientet e qendrës në të ardhmen dhe të shfletojnë librat dhe literaturën mbi arbëreshët në ambientet e qendrës./atsh/KultPlus.com

Më 4 shkurt të vitit 2004 lindi rrjeti social Facebook

Më datën 4 shkurt të vitit 2004 lindi rrjeti social Facebook, duke shkaktuar një revolucion në fushën e medias, shkruan KultPlus.

Studenti 19-vjeçar Mark Zuckerberg i Universitetit të Harvardit hapi për herë të parë këtë faqe e cila që nga atëherë ka arkëtuar 33 miliardë dollarë.

Uebfaqja më e popullarizuar e botës së rrjeteve sociale Facebook, u lansua pikërisht në datën 4 shkurt të vitit 2004.

I frymëzuar, Zuckerberg krijoi “The facebook” një rrjet fillimisht i dedikuar vetëm për studentët e Harvardit. Miku i tij dhe më vonë kolegu Dustin Moskovitz pretendon se brenda 24 orëve nga hapja e faqes më 4 shkurt, ishin të regjistruar 1200 deri në 1500 studentë.

Tani, Facebook ka miliarda përdorues aktivë që e përdorin atë për të mbajtur kontakte me miqtë dhe të afërmit, për të mësuar më shumë në atë që iu intereson si dhe për të shkëmbyer informacione dhe fotografi.

Pas disa ndryshimeve, një vit më vonë në vitin 2005 faqja u riemërua Facebook dhe u bë e qasshme për këdo mbi moshën 13-vjeç me një adresë të vlefshme e-maili.

Deri në vitin 2008, ajo ishte faqja më e përdorur në botë. /KultPlus.com

“Arkitektja”, romani historik që rrëfen mbi arkitekten e parë në historinë moderne

Instituti Italian i Kulturës në Tiranë prezantoi në Bibliotekën Kombëtare – Qendra “Sotir Kolea”, librin “Arkitektja” (L’architettrice) të shkrimtares italiane Melania Mazzucco. Në takim ishte e pranishme edhe autorja Mazzucco.

Libri vjen në shqip nga Ornela Islami, pasi ka marrë vlerësime të shumta në vendin fqinj si: çmimin Stresa 2020, çmimin Giuseppe Dessì 2020, Finalist i çmimit letrar “Rapallo” 2020 për shkrimtaret gra, Finalist i çmimit letrar Corrado Alvaro.

“Arkitektja” rrëfen se si gjeniu Xhovani Briço, i shpërfillur nga shtresa e lartë, më 1964 i mëson së bijës pikturën dhe e hedh në botën e artit. Plautila e ka të vështirë të dalë në pah në mjedisin e artistëve romanë, i sunduar nga Bernini dhe Pietro nga Kortona. Takimi me Elpidio Benedetin, që ëndërron të bëhet shkrimtar, i përzgjedhur nga kardinal Barberini si sekretar i Mazarinit, do t’i ndryshojë asaj jetën. Me ndihmën e këtij bashkudhëtari të pazakontë, ajo do të bëhet shumë më tepër nga sa kishte guxuar të imagjinonte i ati.

Shkrimtarja Melania Mazzucco, teksa rrëfen për lavdi, intriga, dhunë dhe mjerime të qytetit të papëve dhe zjarrminë e një shekulli njëherazi fanatik e libertin, na dhuron portretin e një gruaje të jashtëzakonshme të shekullit XVII, e cila realizoi sipërmarrjen që do të shpërblente një jetë të tërë: ndërtimin e një vile origjinale haresh në kodrën që sundon mbi Romë, të skicuar, projektuar dhe realizuar nga ajo. Kështu ajo u bë Plautila, arkitektja e parë në historinë moderne./atsh/KultPlus.com

Letra e panjohur e Musine Kokalarit: Ky qe fati im, më i hidhur se vdekja

Ese mbi dy shpirtra të letërsisë dhe kulturës

Nga Uran Butka

Qysh në vitin 1992, si një brengë pamundësie të mëparshme, hulumtova nëpër arkiva veprat e shkrimet e Musine Kokalarit, gazetën e saj “Zëri i Lirisë”, dokumentet arkivore mbi fatin e saj tragjik dhe shkrova esenë “Mesazi i Musine Kokalarit” si edhe një skenar filmi dokumentar për të. Meqenëse këto sprova ishin të paplota dhe joshteruese, jam marrë në vazhdimësi, çdo herë duke gjetur diçka të re në jetën dhe veprën e saj, ende te pazbuluar tërësisht.

Në Arkivin e Shtetit zbulova këto ditë një letër të panjohur të Musine Kokalarit drejtuar mikut dhe dijetarit Sotir Kolea. Në arkiv ruhen gjithashtu disa letra të shkrimtares me personalitetet kulturore të botës shqiptare e të huaj, që hedhin dritë mbi personalitetin e saj intelektual të jashtëzakonshëm për atë kohë, procesin e saj krijues, vetëdijen e shkrimit dhe veprimtarinë e saj jetësore, kulturore e politike. Më i spikatur është letërkëmbimi me Midhat Frashërin, Aleksandër Xhuvanin, Sotir Kolenë, Ernest Koliqin, Eqrem Çabejn, Xhuzepe Skiron, Angelo Leotin etj., letërkëmbim tashmë i botuar.

Sotir Kolea ishte studiues, leksikograf, autor i një fjalori disagjuhësh me bazë shqipen, autor i “Një tufë proverbash”, publicist dhe botues i gazetës “L’Albanie” në vitin 1914 në Zvicër, si edhe veprimtar i spikatur i çështjes sonë kombëtare, drejtor i Bibliotekës Kombëtare gjatë viteve 1928-1937. Pas kësaj kohe, ai u vendos në Elbasan, qendër e arsimit dhe e studimeve shqiptare. Pikërisht atje ia dërgonte letrat Musineja dhe i kërkonte gjykim kritik për veprat e saj të para, meqenëse mungonte një kritikë e vërtetë, siç shkruante ajo: “Në Shqipëri nuk gjen kënaqësi ose nxitje, se nuk ka një kritikë në kuptimin e vërtetë të fjalës”.

Shkrimtarja e parë shqiptare ishte e ndërgjegjshme për udhën që kish zënë, origjinalitetin, por edhe vështirësitë në drejtimin letrar të saj dhe botimet, duke u nisur që nga libri i parë (1944) “Siç më thotë nënua plakë”, ku botën ajo e vështëron me sytë e mendësinë nënos plakë, ndërsa te libri me përralla “Rreth vatrës” (1944), rrëfimi përrallor vjen nga gjyshja plakë, por bota këqyret dhe jepet me syrin dhe mendësinë e fëmijës edhe për fëmijën. Musineja, siç e pohon edhe vetë, del nga vetja e zbret në moshën e fëmijëve, komunikon e dialogon thjeshtë me ta si një fëmijë, ndryshe nga shumë shkrimtarë të tjerë që flasin e shkruajnë së lartmi nga mosha e përvoja e tyre letrare dhe mbeten të ftohtë e të huaj. Ndonëse disa shkrimtarë të njohur të asaj kohe kishin shkelur ne këtë taban, si Mitrush Kuteli me “Tregime të moçme shqiptare”, Ali Asllani me “Hanko Halla”, apo Ernest Koliqi me “Hija e maleve” etj., por ndryshe nga ata, vepra e të cilëve është mirëfilli letrare, apo ndryshe nga “Përrallat” e Sotir Kolesë që ishin mirëfilli nga goja e popullit, Musineja ndjek udhën e vet origjinale, ndërmjet narrativës popullore dhe autorësisë së saj letrare.

“Mendimi im ka qenë që t’u jap të vegjëlve një libër, që të mos i lodhë dhe vehten e tyre të mos e gjejnë në një botë të huaj. Në një botë shqiptare, në një vatër, ku edhe të mëdhënjtë të thonë se vërtet kështu kemi rrojtur. Kur e kam shkruar, nuk kam qenë unë, po një Musine e vogël dhe si e tillë- me mendime të thjeshta dhe gjuhën pyetje-përgjigjeMë duket që kam mundur të hyj në shpirtin e të vegjëlve” – përsiat Musineja.

Po ju dërgoj ‘Dasmën gjirokastrite’ – i shkruante ajo Kolesë në një letër të mëparshme – “por jo të gjithë, mbasi ende nuk ka mbaruar. Puna ecën ngadalë në shtypshkronjë. U rri në kokë punëtorëve, por megjithëkëtë ka disa gabime. Të shohim sesi do ta gjeni ju”…

Letra e sapozbuluar, mban datën 8 shkurt 1945, është e panjohur dhe e papërfshirë në botimet e Musinesë. Ajo e shkruan këtë letër në çastin më të mjeruar të jetës së saj. Dikush mund të mendojë se koha më e tmerrshme e jetës së saj ishte ajo e burgut të Burrelit, më pas e internimit të gjatë dhe e sëmundjes së rëndë të kancerit që i mori përfundimisht jetën. Por jo, këto periudha të vuajtjes së parrëfyer të jetës së saj ajo i kishte përballuar me dinjitet, me forcën e karakterit, të vetmisë dhe të lirisë së brendshme.

Shpirti ka nevojë për vetminë për të qenë i lirë” – shkruan ajo. “Ne e kërkojmë lirinë jashtë vetes, ndërkohë që ajo është brenda nesh”.

Në letrën që po shqyrtojmë, gjejmë momentin më të keq shpirtëror të jetës së saj, “e goditur rëndë, e mbuluar me zinë dhe në dallgën më të madhe të jetës”.

Sapo regjimi komunist i kishte pushkatuar pa gjyq vëllezërit e saj, Muntazin dhe Vesim Kokalarin. “Plumbat që shtrinë përdhe Muntazin dhe Vesimin të vdekur, na kanë goditur edhe ne, nuk na lënë kufoma të gjalla për jetë, për të vuajtur gjithnjë sa të jemi në jetë” – shkruan hidhur ajo në këtë letër.

Musineja ishte nga një familje e njohur e Gjirokastrës. Vajzë e vetme e juristit të njohur Reshat Kokalari, motër e vëllezërve Muntaz, Vesim dhe Hamit Kokalari, veprimtarë të shquar të kulturës shqiptare, themelues të librarisë “Venus” dhe të shtëpisë botuese “Mesagjeritë shqiptare”, themeluar më 1942, që botonte dhe përhapte vepra të vyera nga literatura botërore e shqipe, si “Hamleti” e “Makbethi” të Shekspirit, “Rubairat” e O. Khajamit, “20 vjet ngatërresa ballkanike” të Durhamit, “Ivanhoe” të Skottit, “Kosova – djepi i Shqiptarizmit” të Hamit Kokalarit, librat e Musinesë e të tjera.

Vetë Musineja ishte një intelektuale që ishte ushqyer me ideologjinë kombëtare të rilindësve tanë të mëdhenj, e quante veten nxënëse të Sami Frashërit, kishte idhull Naimin dhe Mid’hat Frashërin, ndërkohë qe kishte kulturë perëndimore, ishte demokrate dhe kundërshtare e çdo ideilogjie e praktike totalitare.

“Në odën time të vogël” – shkruan ajo në ditarin e saj – “përballë kam vënë fotografinë e iluministit të shquar, Samiut, të poetit Naim, të patriotit Sotir Kolea, të punëtorit të gjuhës shqipe e të lëvizjes Kombëtare, Jani Vreto, të arsimtarit Koto Hoxhi, të mendimtarit Naum Veqilharxhi, të të nderuarit De Rada dhe të të urtit Aleksandër Xhuvani. Në vetminë time nuk jam vetëm, jetoj me njerëz të nderuar, të ditur e demokratë, që kanë punuar për vendin, për mëmëdhenë gjersa mbyllën sytë…Unë jam nxënësja e tyre…”

Kryetari i komunistëve, Enver Hoxha, i cili e kishte kushërirë të dytë Musinenë, nuk e kurseu jo vetëm atë, por tërë fisin e Kokalarëve. Më 12 nëntor 1944, terrori i kuq me urdhër të tij dhe zbatuar nga Kristo Themelko, pushkatoi pa gjyq e pa faj pranë hotel “Bristol”, 11 personalitete të shquara të Tiranës, ndërmjet tyre vëllezërit e saj Muntaz Kokalari dhe Vesim Kokalari. Po ashtu u pushkatuan pa gjyq Syrja dhe Emin Kokalari, Hivziu vdiq në burg dhe Isai në internim. Muniri vrau veten. Musineja u burgos dhe u internua. Bijtë dhe nipërit e tyre u hodhën rrugëve, u internuan dhe u persekutuan pafundësisht.

Arsyen e këtij persekutimi familjar na i rrëfen Muntaz Kokalari, vëllai i Musinesë, tek një letër më 9 nëntor 1944, që e kishte shkruar për znj. Makbule tri ditë para pushkatimi të tij:

“Po përjetojmë ditë të vështira. Kam vendosur me brengë në zemër, të largohem nga Shqipëria ime e bukur, nga familja e dashur… Këtë vendim e mora mbasi më njoftuan disa nga miqtë e mi të besuar, se jeta ime dhe e të afërmve të mi është në rrezik nga bashtua, Enver Hoxha. Ai ka urdhëruar djajtë e kuq kundër nesh. Kjo kuptohet: thjesht për motive personale.Kjo është fatkeqësi e kombit tonë dhe e Shqipërisë së gjorë, që ka rënë në duart e një njeriu të përbindshëm, tinzar, hakmarrës, inatçi, dinak, megaloman, egoist, kumarxhi e gënjeshtar, që i do njerëzit nën vete; edhe kur qe jashtë për studime nuk dha asnjë provim, mbeti pas kabareve, kazinove etj. Ne intelektualët gjirokastritë ia dimë të gjitha sa i vlen lëkura, prandaj kërkon të na asgjësojë..”

Dhe i asgjësoi.

Musinenë e vrau shpirtërisht persekutimi absurd e kriminal i familjes së saj. “Ky qe fati im, më i hidhur se vdekja” – i  shkruante ajo S.Kolesë.

Njëherësh, edhe fati hidhur i ndërprerjes së dhimbshme të krijimtarisë së saj:

“Sot mora nga shtypi librin e parë dhe po jua dërgoj. Ta kini për vete si kujtim të punës sime më të mirë, që pandeh se kam bërë, dhe të fundit. E mbani për vete, mbasi nuk e nxjerr në shitje. E para, se është dasmë dhe në zi’ duket qesharake; e dyta, se nuk dua më as të punoj, as të shkruaj”.

Është fjala për librin “Sa u tund jeta” (Dasma gjirokastrite, ku shkrimtarja paraqet saktësisht antropologjinë, ritet, zakonet, veshjet, dialogët, këngët e vallet, lotët dhe gëzimet e dasmës shqiptare, rezultat i një punë të gjatë, pasionante e të palodhshme ndaj folklorit – por në funksion të tekstit letrar) ), libër që M. Kokalari ia dërgonte të porsabotuar Sotir Kolesë si një kujtim të mbramë në një kohë zije, por që e konsideronte edhe si punën e saj më të mirë, që për fat të keq ishte edhe botimi i saj i fundit, sepse nuk mund të shkruante më.

“Përse të punosh? Përse të shkruash? Përse të jetosh?” – klithte shkrimtarja Kokalari, në dëshpërimin e saj të pafund.

Ky dëshpërim, por edhe revoltë njerëzore dhe intelektuale e përfshin edhe atin e saj shpirtëror, Sotir Kolenë, të nderuarin atë – siç i thoshte ajo. Në letrën e përgjigjes së Sotirit (dorëshkrimi gjendet në Arkivin e Ministrisë së brendshme, Fondi 140, dosja 2912, viti 1945, letër e pabotuar më parë), gjejmë dhimbjen e lotët e Kolesë për humbjen vëllezërve të saj Muntaz dhe Vesim Kokalari, për të cilët “kam qarë së largu dy miqtë e çmuar që hikën’ e na lanë në lulen’ e moshës; kam qarë të dy të rinjtë që nuk qenë vetëm lavdijë për të vehtët, po qenë së bashku dhe shpresa për ne, për të paskëtajmen, se kombi ka nevojë për bij që qenë Mumtazi dhe Vesimi, me zëmër për së mbari, me gjykim të matur dhe mendje të pjekur”, por gjejmë edhe papajtueshmërinë e tij ndaj persekutimit “me kaqë egërsim”.

Ai i shkruan Musinesë: “Shuplaka e fatit’ që shkrepi mbi ju, zonjëzë dhe mbi der’ të juaj është aq e tmerrshme sa ndofta as emër nuk ka të posaqëm në gjuhën tënë, në gjuhën e një kombi që për të gjat’ shekujve, ka pas’ qënë rrahur dhe pjekur’ e djegur’ ndër cen e rrëbjera. As fjalë ngushëllimi nuk kam ku t’i gjenj se helëm i zi, që ju shtrydhi zemrën juve dhe të juajve, është nga ata që nuk kan të zbutur me fjal as me lotë. Bashkë me ju dhe me miqt të mirë të derës’ së juaj, kam qarë së largu dy miqtë e çmuar që hikën’ e na lanë në lulen’ e moshës; kam qarë të dy të rinjtë që nuk qenë vetëm lavdijë për të vehtët, po qenë së bashku dhe shpresa për ne për të paskëtajmen, se kombi ka nevojë për bijë që qenë Mumtazi dhe Vesimi, me zëmër për së mbari, me gjykim të matur dhe mendje të pjekur. Zemërës së juaja dhe Zotit Hamit ju qoftë ngushëllimi të kryerët të detyrave të ra dhe të rënda që her’ e prap’ e sotëme ju shtroj mbi gjithë të tjerat edhe faqe pindërvet dhe faqe të miturve dhe nënave të tyre, që jeta nëpërkëmbi me kaqë egërsim”.

Gjithsesi, i urti Kolea, edhe ai në prag të vdekjes, i jep kurajë, forcë dhe uzdajë Musinesë, për ta vazhduar jetën dhe punën e saj, se puna është ilaçi i gjithçkaje, por edhe detyra ndaj vetes, njerëzimit, kombit dhe botës.

Një gurrë ngushullimi gjithë aq të vërtetë do t’ ju falinj puna, kjo detyra e shenjtë edhe faqe vehtesë edhe faqe botësë, që është prejt’ e zemrës, shëndet i trupit dhe pus’ i harrimit për troces të jetës; detyrë faqe vehtes jo vetëm sa rreh zemëra po dhe më pas, se jeta zgjatet pak a shumë edhe përtej varrit, detyra faqe hjerësvet, që ka njeriu te të vetët dhe faqe atyre që kanë qenë më parë, detyra faqe miqve dhe faqe njerëzimit, detyra faqe kombit, atdheut edhe botës”. /GazetaExLibris/ KultPlus.com

Java e Evropës prej 19 deri më 31 maj, BE hap thirrjen për artistët

Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri fton regjisorët, aktorët, muzikantët, koreografët, kërcimtarët, artistët vizualë, konceptualë dhe krijuesit ndërdisiplinorë për të sjellë në jetë idetë e tyre gjatë Javës së Evropës 2025, që do të zhvillohet nga data 19 deri më 31 maj.

Zyra e BE-së në Tiranë, publikoi sot në rrjetet sociale thirrjen për të gjithë artistët shqiptarë, që të aplikojnë për t’u bërë pjesë e Javës së Evropës 2025.

Përmes një sërë aktivitetesh artistike që përfshijnë disiplina të shumta, java synon të mëkojë prodhimin dhe performancën artistike dhe angazhimin e komunitetit, duke frymëzuar dhe lidhur komunitetet vendore në mbarë Shqipërinë. Këto aktivitete duhet të paraqesin rolin jetik të artit për përparimin e vizionit kulturor dhe social të Evropës.

Për këtë arsye, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri fton artistët dhe aktorët kulturorë shqiptarë të bëhen pjesë e programit të Javës së Evropës këtë vit, duke dorëzuar propozime për krijime artistike në disiplina të ndryshme. Këto propozime duhet të pasqyrojnë në mënyrë origjinale aspiratat e popullit shqiptar për integrim në BE dhe vizionin e tyre lidhur me kuptimin e BE-së, duke festuar këndvështrimet e ndryshme dhe shprehjet artistike që i paraqesin shqiptarët si pjesë integrale të BE-së.

“Çdo artist që kërkon një skenë për të shfaqur krijimtarinë e tij këtë vit, Java e Evropës 2025 do të jetë hapësira për të krijuar në: Performanca teatrore; të muzikës live; ekspozita të artit pamor ose konceptual; performancat e dansit bashkëkohor; ekspozita ose performanca artistike ndërdisiplinore,” njofton Zyra e BE-së në Tiranë.

BE ndau në rrjete sociale linkun: https://bit.ly/4103KqY, për detaje më të plota, teksa njoftoi se të gjitha kostot e performancës janë të mbuluara dhe aplikimet janë hapur deri në datën 3 mars 2025, me e-mail: [email protected]

Propozimet e përzgjedhura do të shpallen në 7 Mars 2025 në rrjetet sociale të BE-së.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri feston çdo vit Ditën e Evropës dhe Deklaratën Historike të Schuman të vitit 1950, e cila hodhi themelet e BE-së. Java e Evropës promovon vlerat e BE-së, angazhon qytetarët dhe thekson arritjet e BE-së përmes veprimtarive dhe aktiviteteve të ndryshme. Shfaqjet kulturore, seminaret dhe nismat edukuese mëkojnë bashkimin në diversitet, ndërgjegjësojnë lidhur me BE-në, dhe frymëzojnë pjesëmarrje, veçanërisht tek të rinjtë. Duke theksuar demokracinë, të drejtat e njeriut dhe qëndrueshmërinë, forcohen partneritetet dhe theksohet angazhimi i BE-së për përparim të përbashkët.

Nëpër fusha e nëpër male, fryn murlani me stuhi…

Poezi nga Ndre Mjeda

Nëpër fusha e nëpër male
Fryn murlani me stuhi
O murlan, njat frymën ndale
Ndal ti, o akull, mos më ngri.
Mos ma ngrini këtë pikë gjak!
-Struku, struku, i shkreti plak.
Po del dimni me kosë në dorë,
Gjeth e bar i ka kositë;
Qet ballkoni pjalm e borë,
E plak-shkreta, tue mërdhitë,
I thotë vedit me za pak:
-Struku, struku, i shkreti plak. / KultPlus.com

Dorothy Thompson, gazetarja që u konsiderua si gruaja më me ndikim në Amerikë

Dorothy Thompson (1893-1961) ishte një gazetare dhe transmetuese amerikane që raportonte nga Gjermania gjatë viteve të hershme, duke paralajmëruar botën për rreziqet e fashizmit.

Ajo ishte korrespondentja e parë e huaj e dëbuar nga Gjermania naziste në vitin 1934 dhe ishte një nga komentueset e pakta femra të lajmeve në radio gjatë viteve 1930.

Thompson lindi në Lancaster, Nju Jork, dhe pasi u diplomua në Universitetin e Sirakuzës, ajo shkoi të punonte për Partinë e Votimit në Nju Jork. Pas kalimit të Amendamentit të 19-të në 1920, ajo u zhvendos në Evropë për të ndjekur një karrierë në gazetari. Fliste rrjedhshëm gjermanisht, në vitin 1927 ajo ishte shefe e zyrës gjermane për New York Post.

Në fund të viteve 1920, ajo u bë e vetëdijshme për rritjen e Partisë Naziste dhe intervistoi Hitlerin në vitin 1931. Në fillim ajo e përçmoi Hitlerin, duke shkruar: “Ai është pa formë, pothuajse pa fytyrë, një njeri fytyra e të cilit është një karikaturë, një njeri korniza e të cilit duket e trashë, pa kocka. Ai është i paqëndrueshëm dhe me humor, i sëmurë dhe i pasigurt. Ai është vetë prototipi i njeriut të vogël”, shkruan abcnews.al.

Ajo e kuptoi shpejt rrezikun që përfaqësonte dhe shkroi një libër, “Unë pashë Hitlerin”, i cili vuri në dukje rreziqet e fitimit të pushtetit. Hitleri e gjeti librin e saj dhe artikujt rreth tij si ofendues dhe u dëbua nga Gjermania në gusht 1934. Ajo u kthye në Shtetet e Bashkuara dhe me krenari krijoi dhe shfaqi urdhrin e saj të dëbimit.

Në vitin 1936, Thompson filloi të shkruante një kolonë javore të sindikuar, “On the Record” për New York Herald Tribune. Ajo gjithashtu punoi si transmetuese radio për NBC. Ndër temat që ajo përmendi ishte rreziku i Gjermanisë naziste.

Gjatë viteve 1930 dhe ‘40, edhe para shpalljes së luftës, Thompson u kërkoi amerikanëve t’i kushtonin më shumë vëmendje kërcënimit që Gjermania naziste që përbënte për demokracinë dhe hebrenjtë e Evropës.

Në vitin 1939, revista Time e quajti atë “pa dyshim gruaja më me ndikim në Amerikë” pas Zonjës së Parë Eleanor Roosevelt. Shkrimet dhe transmetimet radiofonike të Thompson paralajmëruan publikun për persekutimin e hebrenjve nga Gjermania naziste dhe kërcënimin që nazizmi përbënte për demokracinë dhe paqen ndërkombëtare.

Në vitin 1928, Thompson u martua me romancierin Sinclair Lewis, por dashuria eb tyre përfundoi në divorc në vitin 1940. Në vitin 1943, ajo u martua me artistin çekosllovak Maxim Kopf. Për Kopf, ajo shkroi: “Ai është njeriu me të cilin duhet të martohesha në fillim”, shkruan abcnews.al.

Pas përfundimit të luftës, Thompson vazhdoi të shkruante, por artikujt e saj mujorë në “Ladies’ Home Journal” fokusoheshin në tema shtëpiake dhe familjare si fëmijët, kafshët shtëpiake dhe kopshtaria. Ajo vazhdoi të shkruante për Journal deri në vitin 1958, kur shëndeti i keq e detyruan të tërhiqej./KultPlus.com

4 shkurti, 81 vjet nga raprezaljet ndaj qytetarëve të Tiranës

Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot Masakrën e 4 shkurtit 1944.

81 vjet më parë, nëpër shtëpitë dhe familjet e Tiranës u kryen bastisje të befasishme nga pushtuesi nazist gjerman dhe bashkëpunëtorët e tij. Dhuna e përgjakshme i kushtoi popullit të Tiranës rreth 84 të vrarë, si dhe arrestimin e mbi 300 të tjerëve.

Qëllimi i masakrës ishte të frikësohej populli e të detyrohej të hiqte dorë nga lufta e nisur, të sigurohej qetësia e rendi që kërkonte pushtuesi gjerman.

Organizatorë dhe drejtues të kësaj masakre ishin bashkëpunëtorët e pushtuesit gjerman Xhaferr Deva, ministër i brendshëm dhe Xhelal Staravecka, komandant i xhandarmërisë së Tiranës. Masakra nuk arriti të ndalte luftën e qëndresën antifashiste të Shqiptarëve./atsh/KultPlus.com

11 vite nga vdekja e Ibrahim Madhit, virtuozit të violinës shqiptare

Ibrahim Madhi, gjatë rrugëtimit të tij artistik u bë pjesë e institucioneve më të rëndësishme të vendit, si Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar, Teatrit të Operës dhe Baletit, Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, si dhe të Institutit të Lartë të Arteve duke qenë mbamëndje e pashlyeshme e memories së tyne, si një virtuoz që ka rrëmbyer ovacionet dhe afrinë e publikut, shqiptar dhe atij të huaj, duke qenë njëheras dhe ambasadori i vlerave shpirtërore shqiptare në skenat konceptore n vende të ndryshme të votës.

Violinisti i tingullit të bukur, elegant dhe shprehës, ka treguar individualitetin e tij të spikatur artistik në skenat e Shqipërise, Kosovës, Turqisë, Rumanisë, Kinës, Greqisë, Italisë, Austisë, Francës, Gjermanisë, Zvicrës etj. duke marrë vlerësime dhe duartokitje frenetike. Me përgjegjësi dhe kualitet të lartë artistik ka interpretuar pothuajse të gjithë repertorin violinistik shqiptar, duke i bërë premierën shumicës së tyre. Ai ka shumë or inçizime e regjistrime në studio apo direkt nga sallat e koncerteve me Radio Tiranën, Televizionin Shqiptar, Radio Prishtinën, Radion e Pekinit (Kinë), Radion e Gracit (Austri) etj., të cilat vazhdojnë të jenë në transmetim.

Ibrahim Madhi është nderuar në vite me çmime dhe Mirënjohje të veçanta, si dhe i janë akorduar çmimet: Artist i Merituar në vitin 1976 dhe Artist i Popullit në vitin 1990.

Mungesa e tij ka nëntë vite në mes. Por kurrsesi nuk ka të fundit kurrçka tjetër që e lidh me atë; violinist virtuoz, njeri të mirë, bashkëshort të dashur, prind të përkushtuar, profesor korrekt dhe mik të pashoq. /Albert Vataj / KultPlus.com

Sot, dita ndërkombëtare e luftës kundër kancerit

E njohur si dita ndërkombëtare e vetëdijesimit në agjendën globale të shëndetit, “Dita e Kancerit” është me 4 shkurt. Kjo ditë është bërë për të bashkuar njerëzit që të luftojnë kundër kancerit, dhe për të ndihmuar e për të shpëtuar miliona jetë nga vdekja e parandaluese duke rritur edukimin dhe vetëdijen dhe duke përfshirë njerëzit, komunitete dhe qeveritë për të marrë vendime të nevojshme.

Çka e shkakton kancerin?

Shpesh përshkruhet si një betejë që dikush duhet të luftojë për të mbijetuar, rreziku nga kanceri është rritur shumë.

Me ndryshimet në jetën social-ekonomike që janë shfaqur ne glob, mënyra e jetesës dhe zakonet për dieta kanë bërë një ndryshim të madh. Pirja e duhanit, dieta me shumë yndyrë dhe kimikatet toksike janë disa shembuj që mund të jenë faktorë rreziku për disa kancere të të rriturve.

Ndërsa një faktor rreziku nuk është domosdoshmërish përgjegjës për sëmundjen, ai mund ta bëjë trupin më pak rezistent ndaj tij. Prandaj, është thelbësore të familjarizohesh me rreziqet dhe shkaktarët dhe të marrësh masat e duhura në përputhje me to.

Mënyra e shëndetshme e jetesës dhe kujdesi

Llojet më të zakonshme të kancereve, d.m.th., Oral, mushkëri dhe kolorektal, janë shkaktuar kryesisht nga konsumi i lartë i duhanit dhe shëndeti i dobët i përgjithshëm trupor duke e bërë edhe më të rëndësishme që duhet bërë ndryshime të vetëdijshme të jetesës që sigurojnë parandalimin në kohë. Mbajtja e një peshe të shëndetshme mund të ulë rrezikun e llojeve të ndryshme të kancerit, duke përfshirë Kancerin e gjirit, prostatës, mushkërive, zorrës së trashë dhe veshkave.

Prandaj është e rëndësishme të përfshihen lloje të caktuara të ushqimit, veçanërisht perime kryesuese si brokoli, lakër, në dietë, ndërsa gjithashtu të ndaloni konsumin e duhanit dhe të mbeteni të vetëdijshëm për ruajtjen e shëndetit të mirë me Yoga dhe ushtrime të rregullta. Një kombinim kolektiv i këtyre është provuar të thyejë grupe të qelizave që kanë pësuar mutacion në përbërje biologjikisht aktive duke zvogëluar rrezikun e kancerit në një masë më të madhe.

Për më tepër, duhet bërë edhe një shqyrtim i rregullt mjekësor një përparësi që ndihmon në zbulimin e hershëm të sëmundjes, duke ndihmuar në rritjen e shanseve të trajtimit dhe shërimit.

E rëndësishme është edhe sigurimi i mbrojtjes së duhur financiare për kancer, sepse bazuar në llojet e kësaj sëmundje trajtimet për kancer kanë kosto të lartë. / KultPlus.com

Edicioni i pestë i Festivalit të Letërsisë ‘ZaNa’, hapet thirrja për poezi

“Zana Literature Festival” ka njoftuar se është hapur thirrja për poezi, në edicionin e pestë të këtij festivali.

“Festivali i Letërsisë ZaNa ka kënaqësinë të shpallë thirrjen e hapur për dorëzimin e poezive për edicioni i 5-të, me temën “Udhëtimi”. Qoftë një udhëtim nëpër vende, kujtime, emocione apo zbulime të vetvetes, ju ftojmë të eksploroni dhe ndani interpretimet tuaja poetike”, thuhet në njoftim.

Afati për dorëzim është hapur me datë 25 janar dhe do të mbyllet më 25 shkurt të këtij viti.

“Veprat e përzgjedhura do të kenë mundësinë të ndriçojnë skenën e festivalit, duke festuar fuqinë e fjalëve për të lidhur dhe frymëzuar”, thuhet tutje në njoftim.

Poezitë mund t’i dërgoni dhe të gjeni më shumë detaje në [email protected] ose në www.zanaliteraturefestival.org./KultPlus.com

Konkursi Ndërkombëtar i Letërshkrimit për të Rinjtë

Universal Postal Union, agjenci e specializuar e OKB-së me seli në Zvicër, sjell edicionin e 54-të të Konkursit Ndërkombëtar të Letërshkrimit për të Rinjtë.

Tema e këtij viti është: “Imagjinoni se jeni oqeani. Shkruajini dikujt një letër, duke i shpjeguar pse dhe si duhet të kujdeset mirë për ju”.

Aktiviteti do të realizohet në kontekstin e Konferencës së Oqeanit të OKB-së 2025, që do të zhvillohet në muajin qershor.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL) tha se kjo garë ndërkombëtare e letërshkrimit synon përmirësimin e letraritetit përmes artit të të shkruarit. Në këtë garë shkrimi mund të marrin pjesë fëmijët nga 9 deri në 15 vjeç.

Garimi synon të inkurajojë pjesëmarrësit që të shprehin kreativitetin dhe aftësitë e tyre gjuhësore.

Universal Postal Union (UPU) nuk pranon shkrime të cilat dërgohen nga shkollat apo individët. Të interesuarit që duan të jenë pjesëmarrës duhet të kontaktojnë Operatorin Kombëtar Postar ose organizatën, e cila merret me këtë kompeticion ([email protected]). Afati i dorëzimit të shkrimeve është deri më 5 maj 2025.

Ky aktivitet organizohet në partneritet me Organizatën Ndërkombëtare Detare (IMO) dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO)./atsh/KultPlus.com

Tano Banushi, figura emblematike e humorit shqiptar

Athanas Banushi, njohur si Tano Banushi (Shkodër, 4 Shkurt 1927 – 7 gusht 1993) ka qenë një nga aktorët më në zë i humorit shqiptar, ku spikati në gjininë e estradës. Për meritat e tij në këtë lëmë është dekoruar me titullin Artist i Popullit.

Në qershor të 1945 Banushi kreu klasën e shtatë të gjimnazit të shtetit dhe u përfshi në veprimtarinë e Shtëpisë së Artit dhe Kulturës, krijuar pas hyrjes së komunistëve, më 18 janar 1945. Në ditët e fundvitit shkollor, Kompleksi Filarmonik i BRASH-it pranë Liceut Shtetnor paraqitet me dramën “Dje dhe sot” të shkruar nga prof. Filip Ndocaj.

Në këtë dramë, Banushi luajti rolin e Gjinit, shërbëtor i një familjeje shkodrane. Shfaqjet e tjera që u zhvilluan në sallonin e shoqërisë “Vllaznia” ishin si “Klasa e shtatë” dhe “Jak, o Jak”, ku Tanoja u prezantua si humorist, ishin mbase paroditë e para të përdorura për shfaqje variete. Më 1946 luajti rolin e një të dehuri në dramën “Armiku i Popullit” i Ibsenit.

Po atë vit interpretoi në komedinë “Pashuku” të Ndocajt dhe më pas vijoi të përfshihej në veprimtaritë e shumta të klubit “Vasil Shanto” dhe të grupeve artistike të Shtëpisë së Artit e të Kulturës (më vonë Shtëpia e Kulturës dhe e Krijimtarisë Popullore). 

Pas një transferimi në Vlorë, u aktivizua edhe në grupet artistike që i drejtonte miku i tij Tish Daija. Pas gati tre vitesh shërbimi ushtarak, në fund të 1949 u emërua korrespondent i Shkodrës për gazetën “Zëri i Popullit”. Pas një kohe kaloi instruktor në Komitetin e Rinisë në sektorin e agjitacion-propagandës dhe u emërua drejtor i Klubit të rinisë “Herojtë e Vigut”, ku ishte organizator kryesor i mbrëmjeve rinore. Aktivizohej si konferencier në shfaqet e estradës së Klubit të punëtorëve “Vasil Shanto” dhe nuk ndërpreu veprimtarinë artistike, qoftë në korin e Shtëpisë së Kulturës, si instrumentist e humorist në Radio-Shkodra dhe si aktor ndër shfaqet teatrale.

Në korrik të 1958 u krijua në Shkodër estrada profesioniste, e përfshirë në kuadrin e teatrit “Migjeni” të porsandërtuar, ku Banushi u emërua aktor profesionist. Më 14 nëntor të po atij viti doli premiera e parë e Estradës së Shkodrës me titullin “Reparti i operacionit të zemrës”, ku Tanoja ishte edhe inspektor skene.

Më 19 shkurt 1959 u shfaq premiera e dytë “Po ta këndoj kangën me saze”, sipas titullit të një kënge shkodrane, libreti u shkrua nga Paulin Sekuj dhe Banushi. Premiera e tretë u dha më 4 qershor të po atij viti, e titulluar “Pastro kopshtin, bahçevan!” Më 1962 estrada nisi turnetë në mbarë Shqipërinë, u dekorua me Urdhërin e Punës të klasit I dhe në njëzet vjetorin e saj më 1978 u dekorua me Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit I

Më 5 shkurt 1986 doli në pension, 4 vjet pasi kishte mbushur moshën e pensionit. Megjithatë, e vijoi veprimtarinë artistike, duke shkruar e botuar edhe skeçe, tregime humoristike e anekdota.

Ndërroi jetë më 7 gusht 1993./KultPlus.com

Shtim vizitorësh në kalatë e Shkodrës dhe Lezhës

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bëri publike statistikat e muajit të parë të vitit 2025 sa i përket vizitueshmërisë së dy parqeve arkeologjike, kalasë së Shkodrës dhe asaj të Lezhës.

“Me kënaqësi konstatojmë trendin rritës të vitit të kaluar, të ruhet dhe në muajin e parë të vitit 2025. Shifra që na bëjnë optimistë për një vit edhe më të suksesshëm se ai që lamë pas,” shkroi DRTK Shkodër në rrjetet sociale.

Në Parkun Arkeologjik Shkodër (Kalaja Rozafa) gjatë janarit 2025 pati 3 836 vizitorë, me një rritje prej 8% krahasuar me janarin e vitit 2024.

Ndërsa në Parkun Arkeologjik Lezhë (Kalaja e Lezhës) pati 275 vizitorë, një rritje me 45 % krahasuar me janarin e 2024-ës.

Gjatë vitit 2024 Kalaja e Rozafës, një prej atraksioneve kryesore turistike të qytetit, u vizitua nga 157 827 vizitorë. Ndërsa Kalaja e Lezhës priti 7771 vizitorë gjatë vitit 2024. Të dyja këto kala po bëhen gjithnjë e më të njohura si destinacione turistike të rëndësishme./atsh/KultPlus.com