Fotografitë e Sotirit, dokumentim i jetës së korçarëve në fillimshekullin XX

Kristaq Sotiri dhe fotografitë e tij janë emblema të qytetit të Korçës. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë publikoi në rrjetet sociale disa fotografi të Sotirit, të shkrepura në Pazarin e Vjetër të qytetit, në vitin 1932.

“Fotografia e Kristaq Sotirit është përdorur si një burim i vlefshëm prej ku mund të identifikoheshin momente të rëndësishme për sa i përket historisë së qytetit të Korçës”, shkruan DRTK Korçë.

Seria e fotove të Pazarit të Vjetër, përbën një ndër punët më të spikatura dhe interesante të fotografit në kohën kur zhvillohej tregtia për blerjen e qypave, prodhimeve të artizanatit, qilimave, gunave etj.

Tek fotografitë e Pazarit të Vjetër të Korçës, spikat jo vetëm elementi racional, strukturor, arkitekturor e dekorativ por edhe lëvrimi i aktivitetit tradicional, artizanal, tregtar, social-kulturor.

Artisti i Popullit Kristaq Sotiri lindi në fshatin Mborje, në 1883 dhe vdiq në Korçë, në 1970-ën. Sotiri ka lënë një pasuri shumë të madhe prej 13726 negativë filmi dhe rreth 1500 foto ku pasqyrohet Korça nga viti 1922-1963, Pogradeci dhe fshatrat përreth, foto të cilat janë në gjendje shumë të mirë në koleksionin privat të familjes së tij.

Falë punës së tij të madhe, Korça e rrethinat e saj të fillim shekullit të 20-të, vijnë të dokumentuara deri në ditët tona./ KultPlus.com

Kosova dërgon kontingjentin e ri të FSK-së për trajnimin e ushtarëve ukrainas në Mbretërinë e Bashkuar

Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci, së bashku me Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, pritën kontingjentin e radhës të Forcës së Sigurisë së Kosovës që do të zbarkojë në Mbretërinë e Bashkuar për të vazhduar misionin trajnues për personelin ushtarak ukrainas në kuadër të Operacionit Interflex.

Përmes një postimi në Facebook, ministri ka shkruar se profesionalizmi i ushtarakëve në këtë mision është duke u vlerësuar jashtëzakonisht lartë nga nikoqirët britanik.

Sipas tij, operacioni Interflex është një mision shumëkombësh që ka për qëllim trajnimin e ushtarëve ukrainas në taktikat dhe teknikat luftarake.

“Performanca dhe profesionalizmi i ushtarakëve tanë në këtë mission është duke u vlerësuar jashtëzakonisht lartë nga nikoqirët britanik por dhe pjesëmarrësit tjerë. Operacioni Interflex është operacion shumëkombësh që ka synim përgatitjen dhe trajnimit e ushtarakëve ukrainas në taktikat dhe teknikat luftarake.Republika e Kosovës po vazhdon të jetë kontribues aktiv në mbështetjen e luftës së drejtë të popullit ukrainas”, shkroi Maqedonci./ KultPlus.com

Arrestimi i Musine Kokalarit, intelektuales disidente të regjimit komunist

Më 23 janar të vitit 1946 arrestohej një prej intelektualeve më në zë të Shqipërisë, Musine Kokalari. Pas kësaj date nisi një kalvar i gjatë vuajtjesh për këtë intelektuale, e cila konsiderohet edhe si disidentja e parë e regjimit komunist.

Musine Kokalari lindi në 10 shkurt 1917 në Adanë të Turqisë. Tre vite pas lindjes, familja e Musinesë u kthye në Shqipëri. Musineja mori mësimet e para në qytetin e Gjirokastrës. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Romës, ku u diplomua me rezultate të larta në degën e Letërsisë.

Ajo spikati që në moshë të hershme për veprimtarinë e saj politike dhe letrare. Në vitin 1939, ende student, botoi librin e saj të parë “Siç më thotë nënua plakë”. Në vitin 1943, së bashku me një grup intelektualësh, themeloi Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”.

Vendosja e regjimit komunist do të sillte ndryshime rrënjësore në jetën e Musinesë. Në nëntor 1944 u pushkatuan pa gjyq dy vëllezërit e saj, Mumtas e Vesel Kokalari. Pas arrestimit të saj në 1946-ën, procesi gjyqësor e dënoi me 20 vite heqje lirie. Vuajti 16 vite në burg, dhe më pas u internua në Rrëshen të Mirditës, ku jetoi në kushte tejet të vështira ekonomike dhe plotësisht e izoluar nga shoqëria.

Musine Kokalari ndërroi jetë në internim më 13 gusht 1983 nga një sëmundje e rëndë. Pas shembjes së diktaturës, figura dhe vepra e saj dolën në pah dhe u vlerësuan nga institucionet e sistemit demokratik. Në vitin 1993 iu dha titulli “Martir i demokracisë”./ KultPlus.com

Hapet Muzeu i Fëmijëve të Luftës: Fëmijët janë një muze i gjallë, kujtesa e tyre është kujtesa më reale që mund të shihet

Vjollca Duraku

Organizata “Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut”- YIHR mbrëmë në Prishtinë ka hapur Muzeun e Fëmijëve të Luftës përmes ekspozitës “Loja e ndërprerë”, në të cilin prezantohen objekte personale, video-dëshmi dhe ekspozita të kuruara që theksojnë përvojat e fëmijëve gjatë luftës së fundit në Kosovë,  shkruan KultPlus.com

Ky muze i cili përmban edhe krijime të artistëve Petrit Halilaj dhe Ervina Halili paraqet ndërprerjen simbolike të fëmijërisë së fëmijëve të Kosovës në vitin 1999, dhe për qëllim ka ruajtjen e kujtimeve të fëmijërisë nga lufta e fundit, duke siguruar që përvoja personale e luftës të mos harrohet. 

Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë 1.024 fëmijë, përderisa 109 prej tyre vazhdojnë të figurojnë në listën e personave të zhdukur. Në këtë kontekst lufta nuk ka ndërprerë vetëm jetën e fëmijëve të vrarë, por edhe të fëmijëve të tjerë që kanë mbijetuar duke u shkaktuar përjetime traumatike.

“Loja e ndërprerë” vjen si pasojë e dhjetëra rrëfime të personave që gjatë luftës kanë qenë fëmijë. “Si akt kreativ dhe nevojë zhvillimore loja është kujtim tek i cili individët rikthehen gjithmonë loja mundëson ikjen mendore nga realiteti dhe, në të njejtën kohë triumfon mbi dhunën e luftën, duke ofruar hapësira në të cilat kreativiteti fiton përmbi frikën dhe pasigurinë”, thuhet në konceptin kuratorial të ekspozitës.

Në ceremoninë hapëse, drejtoresha e Muzeut të Fëmijëve të Luftës, Bjeshkë Guri, ka thënë se ekspozita fton në përballje me të vërtetat e luftës dhe me të kaluarën që s’duhet ta lejohet të bëhet e tashme .

“Një ekspozitë që do të ju çoj në ikje, frikë, fshehje, lojë emocione komplekse që vetëm lufta mund t’i sjell. Loja e ndërprerë adreson pikërisht fëmijëritë e ndërprera dhunshëm nga lufta dhe na fton të reflektojmë në mënyrë kritike jo vetëm të kaluarën e Kosovës, por edhe të tashmen në botë. Ky muze është një përpjekje simbolike, që dënon luftën si mjet të dominimit dhe të dhunës strukturore, duke avokuar për drejtësi sociale, dhe paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe kudo në botë”, ka thënë drejtoresha Guri, duke potencuar që “Loja e Ndërprerë” duhet përdorur si një ftesë për të imagjinuar një të ardhme të ndërtuar mbi solidaritet, drejtësi dhe barazi.

“Muzeu i fëmijëve na fton të njohim, të reflektojmë dhe të angazhohemi për të ndërtuar një të ardhme ku çdo fëmijë mund të jetojë një fëmijëri të plotë, të lirë nga dhuna dhe shtypja. Lojën e ndërprerë nga lufta ta përdorim si një ftesë për të imagjinuar të ardhme të reja- të ardhme të ndërtuara mbi solidaritet, drejtësi dhe barazi”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, drejtoresha e organizatës “YIHR”, Marigona Shabiu ka thënë se ekspozita e parë e këtij muzeu e titulluar “Loja e ndërprerë” është dëshmi e fuqisë së kujtesës kolektive.

“Kjo ekspozitë shpalos një rrugëtim të fshehjes, ikjes në kushte ekstreme, përballjes traumatike me humbjen dhe vdekjen, si dhe të situates së krijuar pas përfundimit të luftës. Ky muze është dëshmi e fuqisë së kujtesës kolektive dhe një mundësi për të siguruar që këto histori të dokumentohen, mbahen mend dhe të jenë qendrore në formësimin e politikave të pajtimit”. 

Drejtoresha Shabiu më tej ka bërë thirrje që ky muze të jetë një vend ku mësohet jo vetëm për dhimbjen por edhe për forcën e shpresës dhe rezistencës.

“Urojmë gjithashtu që kjo hapësirë alternative për informim të jetë një hapësirë solidariteti dhe të kontribuoj sadopak në rrugëtimin e vështirë e të gjatë të shërimit kolektiv- ne e kuptojmë rëndësinë e pranimit dhe njohjes të së kaluarës me gjithë tmerret dhe traumat e saj, sepse vetëm kështu mund të shërojmë plagët kolektive emocionale që vijnë si pasojë e luftës”, ka thënë drejtoresha Shabiu.

Kurse, artisti i njohur ndërkombëtarisht, Petrit Halilaj, një vepër e të cilit u ekspozua në “Loja e ndërprerë”, u shpreh i lumtur që në Kosovë është hapur një muze i tillë, sipas tij i domosdoshëm për t’i ndarë eksperiencat të cilat i ka përjetuar populli i Kosovës.

“Ishte shumë emocionuese sepse një vizatim që është ne ekspozitë është prej vitit 1999, kur unë isha në kampin e refugjatëve në Shqipëri. Ne si familje i kemi dy vizatime në ekspozitë, pasi edhe Blerina motra ime po ashtu e ka edhe një vizatim. Për ne ka qenë shumë me  rëndësi, sepse të shprehurit përmes vizatimit qysh prej vitit ’99 për eksperiencat tona të luftës, ka qenë fillim i një shërimi shpirtëror. Jam shumë i lumtur që Kosova po merr hapa të tillë sepse janë hapa të domosdoshëm që ne të kujtojmë dhe t’i ndajmë këto eksperienca që në fakt na kanë bërë ata që jemi sot”, ka thënë artisti Halilaj.

Ai gjithashtu ka rrëfyer edhe takimin e tij me Sekretarin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara-OKB, Kofi Anann, në kampin e refugjatëve të luftës në Kukës, në maj të vitit 1999, të cilit ishte refuzuar t’ia dhuronte një vizatim të ngjajshëm me atë të ekspozuar në muze.

“Për mua ka qenë shumë me rëndësi për t’i treguar përmes vizatimeve se çfarë kemi përjetuar në Kosovë. Unë si fëmijë kam menduar dhe kam shpresuar që ai vizatim do të ndikonte që të ndalte luftën. Në fakt, aq shumë për mua ka qenë me rëndësi vizatimi saqë kur më ka pyetur Anann nëse mund t’ia jap vizatimin, unë kam refuzuar, kjo pasiqë kur je në luftë humb shtëpinë dhe gjithçka që ka të bëj me jetën tënde. Prandaj, për mua ka qenë aq i rëndësishëm vizatimi saqë kam vendosur mos t’ia jap por ta mbaj për vete”, ka thënë Halilaj i cili në atë kohë kishte qenë 13-të vjeçar.

Ndërkaq, artistja Ervina Halilaj ka thënë se është me rëndësi që Muzeu të ketë mbështetje institucionale pasi sipas saj fëmijët janë një muze i gjallë, dhe se kujtesa e tyre është kujtesa më reale që mund të shihet. 

“Muzeu më i gjallë, dhe arkivimi më i gjallë është kujtesa dhe memoria e fëmijëve. Këtë e kam menduar gjithmonë sepse fëmijët çdo gjë e zhvillojnë dhe e përjetojnë përmes lojës. Fëmijëve u duhet një kohë e gjatë për të kaluar në atë pjesën transitore nga loja te përceptimi i realitetit, edhe pse deri në një moshë fëmijët edhe relitetin e përceptojnë si lojë”, ka thënë artistja Halili, e cila në këtë muze ka kontribuar përmes një copëze ditari të viteve 1995-1997.

“Kontrbuti që kam dhënë unë këtu ka qenë një pjesë e ditarit, kryesisht e viteve 95-97. Jam shumë e lumtur që njëra ndër poezitë e mija të para e shkruar në atë ditar është pjesë e Muzeut. Poezia është shkruar në protestat e vitit ‘97 të Universitetit të Prishtinës, ku edhe unë vetë atë realitet në moshën 11- vjeçare e kam kam përceptuar në formë të lojës gjithmonë duke qenë e inspiruar prej filmave vizatimor. Edhe poezia që e kam shkruar unë e sheh realitetin e protestave në formë të reve të bardha që në atë kohë më është dukur shumë surreale, pa e kuptuar ende që ajo lojë është shumë serioze”, ka thënë artistja Ervina Halili. / KultPlus.com

Para 109 viteve, heroi Isa Boletini u vra në Podgoricë

Isa Boletini ka udhëhequr forcat kryengritëse për çlirim nga pushtuesi Osman më 1912, ka qenë përkrah Ismail Qemalit në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila është copëtuar në konferencën e Londrës më 1913-të.

Isa Boletini ishte lindur në fshatin Boletin të Mitrovicës, në një familje me tradita patriotike. Në moshën 17-vjeçare ka marrë pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në betejën e Slivovës (22 prill 1881) kundër forcave osmane. Ai ka përkrahur Haxhi Zekën dhe atdhetarët e tjerë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë e qarqeve shoviniste fqinje.

Më 1901-1902 ishte vënë në krye të qëndresës popullore në Kosovë kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi, Rusisë e Austro-Hungarisë në Shqipëri. Boletini ka udhëhequr luftëtarët në betejat e zhvilluara me ushtrinë turke në zonat Shtimlje-Carralevë më 1910, ka mbështetur kryengritjen antiosmane të vitit 1911, ka udhëhequr forcat kryengritëse në zonën e Drenicës, Mitrovicës, Podujevës dhe Prishtinës në vitin 1912. Gjatë Luftës Ballkanike në tetor 1912, ishte vënë në krye të çetave të armatosura vullnetare për mbrojtjen e trojeve shqiptare kundër pushtuesve serbë.

Në ditët e Pavarësisë, në krye të përfaqësuesve të Kosovës, ishte ndodhur përkrah Ismail Qemalit në Vlorë dhe mori pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar, së bashku me Ismail Qemalin ka shkuar në Londër, ku ka protestuar me forcë kundër vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë.

Më vonë, Isa Boletini ka kaluar përsëri në Kosovë, ku ka organizuar qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë. Duke e kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, ai ka fituar autoritet të madh si udhëheqës popullor.

Isa Boletini e ka lidhur jetën e tij e të familjes me fatin e atdheut, dashurinë e besnikërinë ndaj të cilit e ka shprehur me fjalët “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”.

Isa Boletini më 23 janar 1916 ishte vrarë pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë, së bashku me të bijtë, Halilin dhe Zahidin, nipërit Jonuzin dhe Halitin, si dhe tre bashkëluftëtarë të tjerë. / KultPlus.com

Historia e balerinës e cila u bë e para që realizoi turne rreth botës

Përbrenda historisë së artit, shumë persona kanë gdhendur emrat e tyre, një artiste e rëndësishme është edhe Anna Pavlova, e cila daton si balerina që për herë të parë bëri turne rreth botës, shkruan KultPlus.

Përderisa sot shënohet 94-vjetori i vdekjes së saj, kujtimi për të mbetet i veçantë.

Turneu i saj rreth botës arriti që të depërtojë artin e saj rreth Amerikës së Jugut, Indisë dhe Australisë, teksa Pavlova ishte pjesë e Baletit Rus Perandorak dhe Baletit të Sergei Diaghilev. “The Dying Swan” është një vallëzim soloografik i realizuar nga Mikhail Fokine në “Le Cygne të Camille Saint-Saëns” për balerinën Anna Pavlova, e cila e interpretoi atë rreth 4,000 herë.

Shumë më vonë, kur kompozitori u takua me Pavlova, atëherë, e kënaqur me performancën e saj, bërtiti: “Zonjë, falë jush, kuptova se kam shkruar muzikë të lezetshme!”

Në Hagë, në teatrin e qytetit për shumë vjet në përvjetorin e vdekjes së Pavlov, po zhvillohej një shfaqje e çuditshme: perdja po ngrihej, muzika e Saint-Saens po luante dhe një qendër e vëmendjes bosh lëvizte përgjatë skenës së zbrazët, duke ndjekur lëvizjet e një kërcimtari të padukshëm. / KultPlus.com

Salvador Dalí, një gjeni që arriti të na magjepste me ‘çmenduritë’ e tij

Ai ishte një i “çmendur” që arriti të na magjepste me “çmenduritë” e tij, ishte zëri më i buçimshëm i penelit. Erdhi për të bërë epokë dhe vetë epoka mori emrin e tij.

Në mëngjesin e 23 janarit 1989, duke dëgjuar muzikën e tij të preferuar, gjëmimim Ëagner-ian, “Tristani dhe Izolda”, zemra e Salvador Dalí ndalon së rrahuri, në moshën 84-vjeçare. Do të shuhej kështu të gjallët e një gjeniu. Thyehet një prej majave që ngërthehej ngulmues përnga lartësitë më të epërme të tablosë. Shuhet për mbetur i vezullimtë në gjithçka që sendërgjoi ai solemnitet krijues. Ngriti dhe shkallmoi për të rindërtuar rishtaz gjithçka nga fillimi, gjithçka nga tharmi i atij shpirti të epur shpengimit e çatrafilisjes.

Ai ishte dhe mbetet një artist shumëdimensional dhe një njeri i padeshifrueshëm, me një jetë larushitëse, dengur gjer në buzë me çmosgjë. Në vërshimin e rrëmetshëm, jeta dhe peneli krijuan më shumë se një vepër të tjetërllojtë, ngjizën dhe na kumtuan një njeri si ai, një prurje galaktike e shkasit për befasi.

Nuk ka një fushë të krijimtarisë artistike ku ai të mos ketë dhënë një kontrobut, të mos ketë lënë gjurmë të plazmuara vezullueshëm. Asnjë oaz i të qenit mishërisht dhe shpirtërisht i lidhur me krijimin, nuk ka mundur të jetë i palakmuar nga Dalí dhe i papërfshirë nga shtjella përpirëse e këtij krijuesi. Por gjithsesi ai ishte dhe mbetet një nga surrealistët më kokëkrisur dhe më përfaqësues. Një pervers dhe model i njeriut të përkushtuar për të bukurën, për mesazhin dhe gjithseçka që përkon me afrinë që arti ngas me artdashësit. Dalí padyshim ishte dhe mbeti një ndër personazhet më të spikatur në memorien e arteve figurative. Ishte kreshta e ngërthyer në eter e surrealizmit. Ai do të mëtonte kësaj rryme një revulucion botkuptimor dhe ideor, artistik dhe estetik, duke bërë që kohë pas kohe admiruesit e surealizmit të kuptonin në të atë qasje figurash të shndritshme të messhekullit XIX, Dalínë si protagonistin. Sepse i tillë ishte ai. Mbeti as më shumë e as më pak, një shpërthim. Si në tablo edhe në jetë ai ishte një individualitet i patëdytë. Ndoshta edhe nga temperamenti, e pse jo edhe nga një mistikë e përbrenshme që e kudodrejtonte atë, ishte dhe mbeti sot dhe do të rrok pa asnjë mëdyshje edhe shijet e brezave që do të vijnë, si një tipar i radhë.

Në galerinë botërore të pikturës, Salvador Dalí është një prej penelave më të jashtëzakonshëm. Nuk kanë nguruar ti bashkëngjiten këtij vlerësimi shumë ekspert dhe kritik arti, shumë njohës të korpusit të tij krijues. Megjithëse kritika e kohës do ta lëndonte tej mase, duke e ngasur mbase të zgjojnë tek ai atë piktor të përmasave të mëdha që njohim. Në këtë prag dallojmë qartazi se si një forcë rrapëllitëse të deng me pamëshirën e saj, me qëllimin e vetëm të të vërë përfundi. Por ai u rrit nga kjo, u formëzua në stuhitë e forta të kohës dhe nga relievi i thukët ku fati e kishte degdisur, veçojmë këtu në pozitat e tij familjare. Këto pikënisin që me vdekjen e vëllait, të nënës, me divorcin e të atit, me përplasjet që kishte me përfaqësuesit të kampit surrealist.

Shumëdimensionalizmi i formës, mendimit, idesë, mesazhit, e pse jo dhe revoltës qasen përnga një kumt që e tipizon këtë personalitet të niveleve eterne të krijimit. Dalí në një masë të kosniderueshme përfshin, gjithrrokë në tansinë e veprimtarisë së tij artistike zhanre që vetë piktura i mbart. Ose më saktë, ajo është ama e tyre, si filmi, fotografia, skulptura, arkitektura, etj. Uni babëzitës tek ai ishte dhe një tipar që rrugëtoi atë drejt shumë theqafjesh, prej të cilave nuk mund të themi se ia doli dhe aq paq. Ai kishte një tërheqje të pazakontë për pjesëmarrje në sjellje dhe i madhërishëm, në mënyrë për të përthithur vëmendjen ndaj vetes. U ndesh me një kritikë që duke e u përpjekur ta anatemonte e bëri më të vëmëndshëm për artdashësit. Kjo në një farë mënyre e himnizoi magjinë e tij të përfaqësimit në art.

Ky ishte Salvador Dalí, një spanjoll që shkrepëtiu në ritmin e kohës dhe vërshon ende në nevojën për të matur caqet e mundshmes dhe talentit, në një botë e cila mund të të mos mirëpresë, por nuk ta privojë sfidën, atë që e shndërroi në triumf të pathyeshëm. /albertvataj/ KultPlus.com

Dhimitër Anagnosti, kineasti i mirënjohur feston sot 89-vjetorin

Kineasti i mirënjohur, Dhimitër Anagnosti, feston 89 vjetorin e lindjes, ai është një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX.

I vetmi regjisor shqiptar që ka patur guximin të meditojë publikisht mbi rolin e vet si kineast brenda propagandës së realizimit socialist, Dhimitër Anagnosti është njëkohësisht ndër ata që më pak se kushdo kanë qenë pjesë e kësaj propagande.

Filmat e tij janë ndër të paktit që edhe sot paraqesin interes nga ana artistike. 

Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10-të Filmit Shqiptar. Viti 1991 e gjen të impenjuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin zgjidhet edhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996).

Në 12 pril 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen. Anagnosti është ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”. Mban titulllin “Nderi i Kombit”. / KultPlus.com

“Në jetë zemra e njeriut thyhet, por edhe me zemër të thyer jetohet”

Historia e Bajronit është plot skandale, udhëtimet ekzotike; jeta e tij pompoze la përshtypje të thella, dhe emri i tij filloi të nënkuptojë njeriun e ndërlikuar; romantik, arrogant, të errët, cinik; shpërthim krijues, shije intrigues në veshje, muzikë, dhe seksualitet, dinak i pabesë, i poshtër (të gjitha përmblidhen në fjalorin urban nën “byronic”.

George Gordon Byron lindi në Aberdeen, Skoci, në vitin 1788. Këmba e çalë dhe mjedisi i varfër ia bënë të vështirë fëmijërinë, por në moshën 10 vjeçare Bajroni trashëgoi titullin Lord nga ungji i tij. Kjo i dha mundësi të dilte nga skamja, të shkonte në shkollë pastaj në Kolegjin Trinity, Kambrixh, ku u zhyt thellë në borxhe, në jetë të shthurur dhe marrëdhënie të pasionuar me gra e burra. Vëllimi i tij i parë i botuar me poezi, Orët e përtacisë (1807), u hodh poshtë nga kritika, sidomos në Skoci; dhe nw librin e tij të dytë, “English Bards and Scotch Reviewers” (1809), Bajroni sulmoi krijimtarinë dhe kritikën letrare angleze. Po atë vit, ai udhëtoi për në Portugali, Spanjë, dhe në Lindjen e Afërme për dy vjet. Përvojat e tij përfshihen në veprat e mëvonshme, si në “Childe Harold’s Pilgrimage” (1812 ), që i solli sukses të menjëhershëm në Angli; “u zgjova një mëngjes dhe e gjeta veten të famshëm”, do të shprehej Bajroni; dhe poezia, sjellja, moda, shijet e tij filluan të imitoheshin gjerësisht.

Më 1815, Bajron u martua me Anne Isabella Milbanke, dhe më 1816, çifti u bë me vajzë, Ada, e cila kur të rritej do të shquhej në fushën e matematikës, dhe sot konsiderohet nga disa si programuesja e parë e kompjuterit. Martesa nuk zgjati shumë dhe çifti Bajron u nda ligjërisht. Në këtë kohë, shpërthen skandali mbi incestin e dyshuar të Bajronit me gjysmë-motrën e tij, Augusta Leigh, dhe i përçmuar nga shoqëria, detyrohet të largohet nga Anglia. Fillimisht u vendos në Zvicër, Gjenevë, afër poetit Percy Bysshe Shelley dhe gruas së tij, Mary Wollstonecraft Shelley. Atje, Bajroni përfshihet në marrëdhënie intime me motrën e gruas së Shellit, Claire Clairmont; nga kjo lidhje më janar 1817 lindi vajza tjetër e Bajronit, Allegra. Pas kësaj, Bajroni ikën në Venecia ku marrëdhënie të ngjashme nuk iu ndanë.

“Në fshehtësi u takuam –

Në heshtje u pikëllova,

Se një ditë do t’më harrosh,

Shpirti yt mund të mashtrohet.

Kur unë të dalë përpara

Pas viteve të gjata ,

Si duhet të përshëndes ty? –

Me heshtje dhe lot”

Në vitin 1819, ai u lidh me konteshën Tereza Guiccioli, gruaja e re e një konti të moshuar. Lord Bajron gjithashtu mbeti gjithmonë një mbështetës i zjarrtë i çështjeve të lirisë dhe pavarësisë kombëtare, duke mbështetur luftën greke për pavarësi. Ai u bashkua me kauzën e lirisë, udhëtoi e vizitoi Shqipërinë jugore, oborrin e Ali pashë Tepelenës, u takua me shqiptarë, arvanitas, qëndroi me suliotë, adhuroi zakonet, sjelljet, gjuhën, armët e veshjet, udhëhoqi stërvitjen e tyre në Missolongi, ku vdiq nga ethet, pak pas ditëlindjes së tij të 36-të. Bajroni jetoi ashtu siç shkroi ose anasjelltas: “Në jetë zemra e njeriut thyhet, por edhe me zemër të thyer jetohet”. / KultPlus.com

Vildane Dibra-Zhubi: Në mes zemrës së Londrës u mblodhem shtegtarët udhëtarë të përjetshëm nga Shqipëria, Ulqini dhe Kosova

Një mbrëmje e bukur, një natë ndryshe dhe një mysafir që përmbushi këtë natë të hënë me aq vlera ,dijeni dhe një muhabet aq spontan , me informata , modesti dhe plot humor.

Vildane Dibra Zhubi

Një vend në mes dhe zemrës të Londrës ku mblidhen gjithë artistët e famshëm botëror të teatrit dhe filmit por ku kemi fatin të mblidhemi edhe ne shtegtarët udhëtarë të përjetshëm nga Shqipëria, Ulqini dhe Kosova.

Shqipëria na ftoi dhe është Kosova ajo që na bashkon të gjithëve. Nuk e kam fjalën për patriotizëm, aspak, sepse patriotizëm jemi ngopur boll, por e kam fjalën për atë Kosovë që nuk i ndahet kurrë Ulqinit dhe nuk ia sjell shpinën edhe kur në pikë të verës pret me orë në kufirin shqiptaro-malazez.

Një vizitë e një shkrimtari, krijuesi aspak të moshuar nga mendja dhe biseda, por aq të ri në kujtimet e veta, e shndërroi me aq mjeshtri natën e hënë në një të shtune. ku të gjithë të lodhur nga puna dhe jeta relaksohen me bisedë, gaz dhe atmosferë të këndshme.

Nga Prishtina në Londër, edhe pse në moshën 80-të vjeçare me rrugëtimin që sigurisht ishte i lodhshëm, me shumë kënaqësi dhe pa përtesë bisedonte rreth librit “Misioni Rus”, por edhe mbi shumë tema tjera prej rinisë, kur kishte hëngër pendrekun e parë, nga dora serbe, e deri në botimin e gjithë krijimtarisë që kurrë nuk është ndalur. Nuk e di pse, por një grup i mbledhur rreth këtij zotërie, më la edhe një herë të mendoj se sa shumë të pa fat si komb kemi qenë dhe ndoshta ende jemi. Jemi komb që fatin gjithmonë e lypim jashtë vendit tonë por s’ arrijmë ta gjejmë dot, këtë përgjigje se gjej dot?!

Pyetje, kureshtje, humor gjatë gjithë bisedës ku secili kishte pes minutat e veta t’i bashkëngjitet shkrimtarit, e bëri natën edhe më të bukur.

U diskutua shumë edhe për vallen shqiptare ku bisedën e nisi Tom Kokona Arts-Management , prej asaj kohë kur vallja lindi, u transformua nga hapat dhe lëvizjet e fluturës në at vallen e kohës të komunizmit brutal , e deri në lëvizjet e shpatullave të gabuara që rrezikon origjinalitetin e vet. Përmendëm Shotën dhe aty ishte prezentë edhe valltarja Shotës Edi Ta; përmendem vallen e Osman Takës, vallen e Kukësit. Përmendëm Teki Dervishin, Ibrahim Rugovën, vizitat e autorit në Shqipëri, rrugëtimin e gjuhës shqipe . U përmend dhe lufta në Sarajevë, arti dhe krijimet e shqiptarëve në Londër dhe biseda mori vallen!

Vërtetë një natë për lakmi.

Qershia mbi tortë e kësaj të hëne ishte libri që më dhuroi autori për tragjedinë e Tivarit mbasi mbesa i kishte treguar që jam nga Ulqini dhe unë isha më afër Tivarit, se të tjerët mbrëmë ishte orë e shndërruar në sekonda, por në një shekull të gjatë nga bisedat e shkrimtarit që i kishte përjetuar në dekadat e kaluara.

Të Faleminderit zotëri Ibrahim Kadriu . Respekt dhe nderimet e mia.

Faleminderit Lirka Kadriu për ftesën, përveç që njoha shkrimtarin e nderuar takova dhe disa njerëz të ri që me aq kureshtje dhe interesim frymonin çdo fjalë të mysafirit nga Prishtina! Ishte një çast kur kalohet bukur, përmbush librin e kujtimeve tona dhe na përçon larg mendimeve dhe sfidave që i kemi çdo ditë.

Mes bisedës autori i shumë veprave, por në mes tyre edhe romani “Pas kthimi” nga i cili u realizua seria e njohur televiziv “Fidani” “Fidani”, Zotëri Kadriu ,na tregoi edhe këtë ngjarje: Deri sa ndërtonte shtëpinë autori, në një lagje në Prishtinë, del dhe i ndihmon mjeshtrit që kishte në oborr. Mjeshtri atë ditë ishte shumë i nevrikosur dhe shante gjithë kohën: heeee nanën e Fidani, hé nanën e Fidanit “-dhe nuk ndalej. Po mirë, e pyet zotëri Kadriu, perse po shan kaq shumë, ti po më ofendon!

Pse, çka ke ti me Fidanin, pse po të ofendoj unë ty? Unë e pësova keq puna Fidanit. Djali në vend që të kujdeset për lopët, ishte ulë me shiqu serialin e Fidani dhe lopët kishin marrë dhënë! Gjithë natën i kam lype nëpër male heeee nanën e Fidanit- vazhdonte mjeshtri!

Po unë more jam autor i Fidanit ia kishte kthye z.. Kadriu, ti po me shan mu! Megjithëkëtë, mjeshtri nuk ndalej dhe ende shante…..sepse ishte mundua shumë me i gjet lopët…

Këtë bisedë në Londër e mundësoi Tomorr Kokona, Arts-Management & British Albanian Culture & Arts Association në koperim me Koha Bar!/KultPlus.com

Rama: Koleksioni i 300 objekteve shqiptare në Muzeun Etnografik të Budapestit, në qershor në Tiranë

Rreth 300 objekte si bizhuteri dhe veshje shqiptare që ndodhen në Muzeun Etnografik të Budapestit, Hungari, të cilat i janë shitur dikur këtij muzeu nga një tregtar me emrin Paolo Lazza, do të ekspozohen në qershor të këtij viti në Shqipëri.

Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale, ku ndau edhe fotografi nga këto objekte, duke i cilësuar një pasuri kulturore të jashtëzakonshme.

“Këto objekte i janë shitur muzeut në Budapest nga Palokë Laca në shek.XX, një personazh që po rilind në dritën e hulumtimeve të thella dhe bashkëpunimit mes Muzeut Marubi dhe muzeologëve hungarezë”, tha Rama.

Kryeministri Rama bëri të ditur se “në qershor 2025, ky koleksion unik do të ekspozohet për herë të parë në Shkodër, në Muzeun Marubi, duke ofruar një mundësi të pazakontë për t’u njohur me artizanatin shqiptar dhe lidhjen e tij me kulturat e tjera”.

Drejtori i “Marubit”, Luçian Bedeni, së bashku me kuratoren Kim Knoppers dhe dizajnerin e modës Jozef Martini (njëherësh kushëri i Palokë Lacës) zhvilluan një vizitë dyditore në Muzeun e Etnografisë së Budapestit, ku panë nga afër koleksionin e mrekullueshëm.

Në maj 2024 pranë Muzeut Marubi erdhi një kërkesë për informacion nga Muzeu Etnografik i Budapestit, referuar një personi të quajtur Paolo Lazza. Nga hulumtimi i vënë në dispozicion, rezultonte që ai i kishte shitur departamentit të Muzeut Kombëtar të Etnografisë së Budapestit, rreth 300 objekte si bizhuteri dhe veshje shqiptare.

Bazuar në të dhënat e muzeologëve të Muzeut Etnografik të Budapestit, Dr. Vera Schleicher dhe Dr. Boglárka Macsa, rezultoi që personi quhej Palokë Laca. Gjatë kësaj periudhe, u ndërtua pema gjenealogjike e tij, u gjetën disa fotografi të familjes, si dhe kontaktet e pasardhësve që jetojnë në Shkodër dhe në Itali. Më pas, në shtator të 2024 muzeologet vizituan Shkodrën me qëllim hulumtimin më në detaje të figurës së tregtarit Palokë Laca. Nxjerrja në pak e kësaj figure si dhe zbulimi i këtyre reparteve në Budapest vjen në mesin e një pune të ngritur prej disa muajsh nga kuratorja Kim Knopper mbi një projekt që do të realizohet në Muzeun Marubi, me fokus etnografinë dhe artizanatin./atsh/KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Ditë historike, nënshkruam Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me shtetet anëtare të Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA)

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se në Davos kanë nënshkruar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me shtetet anëtare të Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA).

“Ditë historike në Davos – nënshkruam Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me shtetet anëtare të Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA). Jemi vendi i vetëm në rajon që me shtetet e EFTA-s kemi marrëveshje edhe për tregti të mallrave edhe të shërbimeve”, ka shkruar Kurti.

Tutje, ai tha se ajo paraqet kapitull të ri të forcimit të lidhjeve dhe shkëmbimeve ekonomike ndërmjet republikës sonë dhe Islandës, Lihtenshtajnit, Norvegjisë dhe Zvicrës, mundësi të madhe për prodhuesit dhe kompanitë vendore si dhe shtysë të fuqishme për zhvillimin e hovshëm ekonomik të vendit.

“Falënderoj qeveritë e shteteve anëtare të EFTA-s dhe ministren tonë të Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari për angazhimin e madh e me mirëbesim të plotë deri në arritjen e kësaj marrëveshje, nga e cila jemi të bindur që do të përfitojnë bizneset, industritë dhe qytetarët e vendeve tona”, ka shkruar tutje Kurti.

“Janari në festën e filmit shqiptar”, Gonxhja: Promovon vlerat më të mira

Aktiviteti dimëror kinematografik “Janari në festën e filmit shqiptar” çeli 2025-ën në fushën e filmit.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau në rrjetet sociale momente nga shfaqja e filmave shqiptarë në Pragë, Çeki.

“Me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, ky aktivitet promovon vlerat më të mira të kinematografisë shqiptare, jo vetëm në Shqipëri, por dhe për shqiptarët e Pragës në Çeki dhe në Dibrën e Madhe- Maqedonia e Veriut”, tha Gonxhja.

Aktiviteti i cili mundësohet nga shtëpia Kinematografike Production Cinemania, po ndiqet me mjaft interes nga dashamirësit e kinemasë.

Pas Çekisë, nga data 23 janar deri më 25 filmat shqiptarë do të shfaqen në Dibrën e Madhe në Maqedoni të Veriut.

Në këtë aktivitet shfaqen disa prej titujve më të mirë të filmave, si filmi “Kapedani”, “Gjeneral Gramafoni”, etj, pjesë e tyre është dhe dokumentari “Lamtumirë filmi 35 mm”, si dhe “Bekim Fehmiu” që është shumë i mirëpritur në trevat shqipfolëse.

Filmi dokumentar për aktorin Bekim Fehmiu është shfaqur edhe në disa shtete të tjera, ku janë realizuar dhe xhirimet e tij, por u shfaq për herë të parë në Gjirokastër.

Aktiviteti “Janari në festën e filmit shqiptar” vijoi në datat 10-11-12 janar në qytetin e Gjirokastrës, 17-18-19-20 janar në Pragë- Çeki dhe do të përfundojë ditët me filmat shqiptarë në Dibër të Madhe./atsh/KultPlus.com

Ambasadori Kapiti pret shkrimtarin Ibrahim Kadriu 

Prej disa ditësh ndodhet në Londër për një vizitë tek mbesa e tij, Lirka Kadriu, shkrimtari i mirënjohur dhe i vlerësuar nga Kosova, Ibrahim Kadriu.

Shkruan Fatmir Terziu

Me këtë rast atij i ka rezervuar një takim në ambientet e Ambasadës së Kosovës, Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Kosovës në Mbretëri të Bashkuar, SH. T. z. Ilir Kapiti. Ky i fundit në një poestim në rrjetet sociale është shprehur: „Sot pata kënaqësinë të mirëpres shkrimtarin e shquar, Ibrahim Kadriu, një figurë e spikatur në letërsinë tonë kombëtare. Gjatë këtij takimi, ndamë mendime dhe diskutime frymëzuese për rëndësinë e letërsisë dhe kulturës shqiptare si ura që lidhin të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë.“

Në ditët e qëndrimit të shkrimtarit Ibrahim Kadriu në Londër pritet që të organizohet dhe një takim kulturor prezantues në ambientet e Restorantit të mirënjohur „Koha“ në Leicester Square, pronë e intelektualit dhe patriotit shqiptar Fadil Maqedonci, që njihet për bujarinë dhe mikpritjen e tij në këto raste.   

Kush është Ibrahim Kadriu

Ibrahim Kadriu u lind më 8 janar të vitit 1945 në Zhegër (Gjilan). Shkollimin fillor e mbaroi në Zhegër, të mesmen (Normalen) në Gjilan, Fakultetin (Albanologjinë) në Prishtinë.

Nga viti 1968 punoi në gazetën “Rilindja” (deri në mbyllje të saj), pastaj në të përditshmen “Zëri”. Nga viti 1973 redaktor i kulturës i “Rilindjes” e pastaj dhe në “Zëri”. Redaktor në revistën letrare “Plejada”, botuar më 1971 si dhe kryeredaktor i revistës

“Hareja”, botuar gjatë viteve të nëntëdhjeta deri më 2001.

Më 1985 ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Jeton dhe vepron në Prishtinë.

Veprat kryesore të tij janë: “Netët e Karadakut”, poezi (1969), ”Diçka po ndodh”, poezi (1972), ”Kohë e të korrave”, roman (1979), ”Kroi i ilaçit”, roman (1980), ”Zogjtë fluturojnë vetë”, roman (1986), ”Loja e fundit”, roman (1993), “Shtëpia e fantazmave”, roman (2004), “Çuni i kohës së Lekës”, roman ( 2006), “Kalorësi i Karadakut”, roman (2007), “Frymëmarrje në shtjellë”, poezi (2007), “Gloria në mes”, roman (2010),“Buzëqeshje miqsh” eseistikë (2011) ,“Misioni rus”, roman (2016); “Të vdekurit e gjallë”, roman (2018), “Varri i shitur në Damask”, roman (2019), “Pengu”, roman (2020), etj.

Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja: “Koprena vremena”, serbokroatisht, poezi (Veli i kohës) – (1984), “Lekovit izvor”, roman, serbokroatisht (Kroi i Ilaçit-1987), “Na ramas timp pentru sarbatori” (S’mbet kohë për kremte), Bukuresht poezi rumanisht (2005), “Dreni dhe Drenusha”, novelë, ilustracion shqip-norvegjisht, (2005), “Narod je kriv” (Populli është fajtor) përzgjedhje e poezisë në gjuhën malazeze (2013),“Gloria ortada” (Gloria në mes) Stamboll, roman turqisht (2014), “Tempo incenerito nelle puçille” (poezi italisht) Pelegrini – Kozenca (2015),“Korsningar” (Udhëkryqe) poezi suedisht, Boras (2019) “Përtej binarëve” (roman arabisht) Oman, Jordani (2020), “Mission russe” (frëngjisht), Paris 2021,“La mort d’Anila” romnan, Paris 2021, “Canele cu cratita (Qeni me tenxhere) Bukuresht, 2021, “Pjella e dreqit” frëngjisht: La progwenture du diable, Paris 2022, etj.

Gjithashtu ka botuar vepra të llojeve dhe zhanreve të ndyshme, në fushën e publicistikës dhe të letërsisë, ndërsa vepra të tij janë ekranizuar si radiodrama, seri humoristike dhe seriale televizive.

Është përfaqësuar në shumë antologji brenda dhe jashtë vendit, si dhe është nderuar me mirënjohje, shpërblime dhe çmime letrare kombëtare dhe ndërkombëtare./KultPlus.com

Shkolla e muzikës “Amadeus” implementon projektin “MusiKos”, do të përfshihen nxënësit e talentuar në mësime të muzikës

Drejtoresha e shkollës së muzikës “Amadeus”, Hana Petrovci – Fetahu, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se kjo shkollë do të implementojë projektin për përfshirjen e nxënësve të talentuar në mësime të muzikës.

Jam shumë krenare dhe e lumtur që Shkolla e Muzikës “Amadeus” Music School do të implementojë projektin për përfshirjen e nxënësve të talentuar në mësime të muzikës, instrumenteve dhe këndimit”, ka shkruar ajo.

Ajo tregoi, se këtë projekt të quajtur “MusiKos” e kanë inauguruar sot, i cili mbështetet nga ambasada gjermane dhe ajo franceze në Kosovë./KultPlus.com

22 janari shënon Ditën Kombëtare të Shkrimit të Dorës

22 janari shënon ditën kombëtare të shkrimit të dorës, shkruan KultPlus.

Shkrimi i dorës është një formë e vërtetë arti dhe një nga mënyrat e pakta se si mund të shprehemi në mënyrë unike.

Ka diçka poetike në kapjen e një instrumenti shkrimi dhe të ndjesh se ai godet letrën ndërsa mendimet e tua rrjedhin nëpër gishta dhe derdhen në fjalë.

Shkrimi i dorës na lejon të jemi artistë dhe individë gjatë një kohe kur shpesh përdorim kompjuterë, fakse dhe e-mail për të komunikuar.

Fontet janë të njëjta pavarësisht se çfarë kompjuteri përdorni ose si e përdorni dhe atyre u mungon një prekje personale.

Shkrimi i dorës mund të shtojë intimitet në një letër dhe të zbulojë detaje rreth personalitetit të shkrimtarit.

Gjatë historisë, dokumentet e shkruara me dorë kanë ndezur lidhje dashurie, kanë nisur luftëra, kanë vendosur paqen, kanë liruar skllevër, kanë krijuar lëvizje dhe kanë shpallur pavarësinë. /KultPlus.com

Si i drejtohej Zef Jubani nëpërmjet poezisë Elena Gjikës

Zef Jubani i lindur në Shkodër, Jubani ka qenë nëpunës, ekonomist, folklorist, shkrimtar e ideolog i Rilindjes Kombëtare.

Ai është i njohur për botimin e një Koleksioni të Këngëve Folklorike Shqipe dhe Rapsodive në dialektin geg. Jubani mbrojti krijimin e një alfabeti unik të gjuhës shqipe.

Në shkurt të 1868 i kushton një poezi Elena Gjikës, me titullin “Princesha prej fisit të Zotnive të Shqipnisë – Kangë lavdit për të nderueshmen Zojë e dijetare në shkrim Dora d’Istria”, ku autori nënshkruan Sepi Ndokë Illija-Jubani.

Përmend sesi princesha, me punë e art ishte përpjekur të ndriçonte Shqipërinë, duke ndihmuar shqiptarë e arbëreshë.

Nëna e tij ishte nga Malta, kështu që midis 1830 dhe 1838 ai studioi atje ndërsa jetonte me xhaxhain e tij. Pas kthimit në Shkodër ai punoi që nga viti 1848 si sekretar në konsullin francez të qytetit dhe gjithashtu u bë asistent i zv/konsullit të Mbretërisë së Bashkuar në 1853.

Jubani kaloi një pjesë të konsiderueshme të jetës së tij në Trieste, Venecia dhe Mali i Zi modern. Ndërroi jetë më 1 shkurt 1880. / KultPlus.com

QKLL dhe Instituti Italian i Kulturës me projekte të përbashkëta për 2025-ën

Në mjediset e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit u diskutua sot për projektet e përbashkëta, mes kësaj qendre dhe Institutit Italian të Kulturës sa i takon vitit 2025.

Në takim ishte e pranishme drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli dhe drejtori i Institutit Italian të Kulturës, Alessandro Ruggera.

Dy drejtuesit e institucioneve diskutuan për krijimin e një fondi të përbashkët për të mbështetur përkthyesit shqiptarë që sjellin në gjuhën shqipe autorë nga letërsia italiane, krijimin e hapësirave për rezidenca për përkthyesit, apo promovimi i veprave të autorëve të kësaj letërsie në gjuhën shqipe, si dhe dhënien e mbështetjes ndaj botuesve.

Viti 2025 shënon dhe 50-vjetorin e ndarjes nga jeta të Pier Paolo Pasolini-t, figurë e shquar e kulturës italiane. Bashkë me Institutin Italian të Kulturës, QKLL do të nderojë veprën dhe kontributin e tij në kulturën botërore, përmes disa aktiviteve. Pasolini ishte poet, shkrimtar, regjisor, skenarist, dramaturg dhe gazetar./atsh/KultPlus.com

Konferenca IX Mbarëkombëtare e Arkivistikës do të zhvillohet në Kalabri

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave bëri të ditur se, Konferenca IX Mbarëkombëtare e Arkivistikës do të mbahet në Shën Mitër, në Arbërinë kalabreze.

Konferenca e 9-të Mbarëkombëtare e Arkivistikës do të organizohet më 13-17 qershor 2025, në një epiqendër të shqiptarisë, siç është Shën Mitri (San Demetrio Corone), në Kalabri të Italisë. DPA ftoi të gjithë studiuesit dhe interesuarit për të aplikuar për kumtesa. Konferenca do të bashkorganizohet nga DPA, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës dhe Komuna e Shën Mitrit.

Pas Prishtinës, Shkupit, Sarandës, Tuzit, Boletinit, Manastirit dhe Elbasanit, Shën Mitri është ndalesa e radhës e kësaj konference periodike, që mbledh ekspertë, arkivistë dhe studiues të arkivave nga mbarë trevat shqiptare, për të bashkëndarë rezultatet dhe për të koordinuar veprimtarinë arkivore në rang kombëtar.

Qëllimi i kësaj konference është të mbledhë ekspertët dhe studiuesit e arkivave të vendeve shqipfolëse, të arkivave të rajonit dhe jo vetëm, të cilët diskutojnë çdo vit për problematikat, metodologjinë e studimit, digjitalizimin dhe përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionin, si dhe vizionit të punës së arkivave në realitetet e sotme.

Një panel i veçantë në konferencë do t’i përkasë studiuesve të cilët do të paraqiten me tema që kanë të bëjnë me gjuhën, historinë dhe kulturën e arbëreshëve.

DPA është i vetmi institucion shtetëror shqiptar që ka prezencë fizike në arbëreshët e Italisë, nëpërmjet 12 Këndeve Arkivore të çelura në Sicili dhe në Kalabri./atsh/KultPlus.com

“Trashëgimi me ngjyra”, platformë digjitale për të njohur fëmijët me kulturën dhe historinë e Prishtinës

Ministria e Kulturës dhe Sportit e Kosovës njoftoi për nxjerrjen në tregun digjital të platformës “Trashëgimi me ngjyra”. Bëhet fjalë për një libër interaktiv me aktivitete për fëmijë.

Platforma e shkarkueshme në të gjitha pajisjet, qofshin IOS apo Android, ofron metoda përfshirëse dhe emocionuese për të mësuar mbi trashëgiminë kulturore. Duke u zbavitur, fëmijët mund të mësojnë dhe të lidhen me thesaret kulturore dhe historike të komunës së Prishtinës. Ata mund të kënaqen duke ngjyrosur e duke luajtur dhe njëkohësisht duke i dhënë krahë kreativitetit të tyre.

Platforma është e mbushur me ilustrime për t’u ngjyrosur, lojëra argëtuese që u kërkojnë fëmijëve të përfshihen, udhëzime hap pas hapi për secilin aktivitet, si dhe tregime të shkurtra për trashëgiminë kulturore të Prishtinës.

Qëllimi është që fëmijët të njihen herët me trashëgiminë kulturore dhe të nxiten që ta vlerësojnë dhe ruajnë historinë për brezat e ardhshëm./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani shpreh ngushëllime për vdekjen e gazetares ukrainase Olha Pridako

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të gazetares ukrainase Olha Pridako.

“Me pikëllim të thellë mësuam lajmin për ndarjen nga jeta të gazetares ukrainase Olha Pridako, e cila jetonte në Prishtinë prej dy vitesh. Olha ishte një zë i guximshëm i gazetarisë dhe një dëshmi e forcës dhe qëndresës në rrethana të vështira”, është shprehur Osmani.

Tutje, ajo ka shtuar se prania e saj në Kosovë, së bashku me djaline saj Yaroslavin, ishte një shembull i shpirtit human dhe vlerës së lirisë, që lidh popujt tanë.

“Në këto çaste të rënda për familjen, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e saj, veçanërisht për djalin Yaroslavin, koleget e saj që ndodhen në Prishtinë, dhe për të gjithë ata që e njohën! Kujtimi për Olhën do të mbetet gjithmonë në mendjet dhe zemrat tona!”, ka shtuar tutje presidentja Osmani./KultPlus.com

Bajroni: Gratë shqiptare në rast rreziku shkojnë në luftë përkrah burrave 

Si mësuese letërsie prej më shumë se tri dekada,kam pasur fatin qe ta studioj dhe ta komentoj veprën e Bajronit me nxënësit e shkollës së mesme. E shoh me vend për situatën e tanishme të bëjmë një udhëtim imagjinar me Bajronin nepër trojet shqiptare, në ato vende,ku i ka lënë të shkruara në kujtimet e tij.

Nuk di deri më sot të jetë bërë një promovim kaqë i detajuar i Bukurive natyrore dhe njerëzore të Shqipërisë siç e ka bërë Bajroni për ne. Nuk ka dokument më autentik se letrat e Bajronit drejtuar nënës dhe miqëve të tij ,200 vjet më parë,që vertetojnë vendbanimet shqiptare deri në Prevezë,ku ai i përshkoi me këmbë.
Brezi i ri duhet ta njohi këte poet, si njeri me temperament të lirë,me aftësi dhe mprehtësi konceptimi,me pjekuri dhe prirje drejt virtytit.Edhe pse mbarte titullin Lord, dëshironte të ishte pranë njerëzive të thjeshtë dhe të eksploronte në vende të pashkelura, të cilat i gjeti, kur erdhi në Shqipëri.
Eshtë krenari për ne shqiptarët, që një i huaj,si Lordi Bajron t’i drejtohet Shqipërisë me këto vargje:”Shqipëri,lejomë të kthej sytë e mi // Mbi ty,o nënë e rreptë burrash t’egër.
Shqipëria për Bajronin qe një botë sa e fshehur aq dhe interesante ku shkruan “Me të vërtetë që unë e kam parë Shqipërinë më shumë se kushdo anglez tjetër, sepse është vend i vizituar rrallë,ndonëse i bollshëm në stoli natyrore .

“Në vendet e Ilirisë dhe të Epirit ka vende pa emër dhe lumenj të pahedhur në hartë,mundet që një ditë, kur të njihen më shumë, të jenë temat më të çmuara e të dorës së parë për penën”….
Ai nga leximet e veta dinte, se Shekspiri i kishte vendosur disa ngjarje në Iliri.Kjo e la me kuptue se këto vise nuk ishin të zbrazta,por kishin vlera historike, kulturore dhe pasuri shpirtërore. Qëndrimi i tij në Patra ,në Prevezë,në gjirin e Artës drejtë Tepelenës,….në majat e Papingjit ……. mrekullohesh duke thënë “Kudo që shohim : rrotull,sipër,poshtë,na lë pa mend magjia ngjyrë ylberi..të gjithë njerëzit që takuam me fustanellat e bardha përshëndetnin shqiptarçe,ushtarët nuk dallohen nga fshatarët nga veshja, të gjithë mbajnë armë të stolisura…..Kur arritëm në Epirin e qëmotshëm,afër malit të Tomorrit,u mirëpritëm nga i pari i vendit Ali Pasha.”

Duke qëndruar në ato vende,kishte mësuar se deri ku shtriheshin krahinat shqipfolëse,si provincë e Turqisë Evropiane ………”Në perëndim ka gjirin e Venecias,në lindje Maqedoninë,Thesalinë dhe Greqinë.Ndërsa në jug mbërrinë deri në gjiun e Lepantos ose , gjiri i Artës”
Tablonë e Shqipërisë së jugut,sidomos pjesën e Çamërisë,poeti anglez e paraqiti me admirim.Ashtu siç bëri më vonë anglezja Meri Edith Durham për Shqipërinë e veriut.
Të dy bashkë e plotësojnë tablonë e Shqipërisë dhe shqiptarët i përshkruajnë trima, të ndershëm dhe bujarë,edhe në varfërinë e tyre.
Kur Bajroni mbërriti në Qefaloni,suliotët të përqëndruar në lartësitë në lindje te Paramithisë, dëgjoheshin së tepërmi me kapedanin e tyre, Marko Boçari.Ata ishin thjeshtë shqiptarë. Ja disa vargje nga “Çajld Harold” ,-Kush ia shkon në trimëri suliotit brun//Me të bardhë fustanellë e me gunë”
Ishin suliotët ata që kërkonin ta kishin si prijës Bajronin në periudhën e Revolucionit Grek.Ishin ata që Bajroni i vlerësonte si luftëtarët më të mirë dhe më besnikë.Edhe pse për Bajronin ishte një detyrë përtej mundësive të poetit, Ai e mori përsipër sepse i printe Ideali i Lirisë,para të cilit nuk tërhiqej kurrë.

Historianët kanë faktuar se Gjon Boçari (paraardhësi i Marko Boçarit) ka qenë një nga luftëtarët më besnikë të Skenderbeut,prandaj Bajroni i drejtohet Shqipërisë:
“O Shqipëri,ku lindi Iskanderi,këngë e trimërisë,fanar i të urtëve.//Dhe Iskanderi tjetër që i tmerroi armiqtë me kordhen e tij kreshnike.(Thuhet se Aleksandri i Maqedonisë e kishte nënen epirote P.L.) Në letrat dërguar miqëve shkruante :
“I dua shumë shqiptarët….nuk janë të gjithë myslimanë,disa nga fiset janë të krishterë, porse feja nuk i bën të ndryshojnë zakonet dhe sjelljet e tyre dhe se janë kaq tolerantë dhe kaq të lirë në paragjykimet fetare..Me sa kam parë vetë….Ata shëmbëllejnë me malësorët e Skocisë,në veshje,në fytyrë dhe në mënyrën e jetesës,trupi i tyre i hollë dhe i gjatë,dialekti keltik dhe zakonet e tyre te rrepta më shpien në Morven .”
Duke u nisur nga këto vlerësime që Bajroni u bënte shqiptarëve,Marko Boçari i përgjigjet letrës së Bajronit “Ju falenderoj për mendimin e mirë që keni për bashkatdhetarët e mi.

Ju falenderoj akoma më shumë për kujdesin,që me kaq zemërgjerësi keni treguar për ta, Me besnikëri, Marko Boçari”
Bajroni duke qenë për një kohë në mes të shqiptarëve,kishte mësuar edhe shumë fjalë shqip ,që i duheshin për të komunikuar.
Interes kishte për këngët popullore siç janë vargjet
e këngës,Tamburxhi, në veprën e tij “Çajd Harold”
“Tamburxhi,Tamburxhi,//Kushtrimi yt u jep shpresë trimave në luftë i cyt //
Ngrihen bijt e maleve si ndonjë sqotë//Himariotë,Ilirë,ezmerët suliotë”
Polifoninë e kishte për zemër, Ai mundi të regjistronte fjalët e disa kengeve popullore:
Në sevda tënde u lavosa//Vetëm u përvëlofsha,//Ah,vajzë më përvëlofshe,//Zemërën më lavose,//Unë të thashë rroba s’dua//Po sytë e vetullat e tua.

Këte këngë Byron edhe e përktheu:”I am wounded thy love,and have loved,//but to scorch muself .// Thou hast consumed me! //Ah maid !Thou has struck me to the heart//
I have said I wish no downy,//But thine eyes and eyelashes//”
Keto këngë Byron i këndonte në shtëpi dhe në rrethe të ngushta.
Kishin kaluar 5 vjet që Bajroni ishte larguar nga Shqipëria,por kënga i zgjoi kujtimin e atij vendi të mrekullueshëm duke u thënë miqëve së bashku me poetin Shellin, me të cilët po bënte një shetitje në Liqenin e Gjenevës:”Tani bëhuni sentimentalë e dëgjomëni me tërë vëmendjen tuaj “Dhe melodia e këngës labe tingëlloi fuqishëm dhe mori udhë bashkë me valet e liqenit.
Shumë pëlqente meloditë baritore, i kishte mbetur në mendje,një djalë 15 vjeçar që kishte bërë një fyell prej krahut të shqiponjës nga ku nxirrte melodi rrenqethëse.

Bajroni kur ishte në Shqipëri, argëtohej duke parë vallet e bukura,sidomos ato me karakter luftarak,që shoqëroheshin me këngë trimërie dhe kërceheshin rreth zjarrit para ose pas përpjekjeve e luftimeve.Sidomos vallja Çame,vallja e vjetër e Konispolit me ate çastin kulminant kur valltari përkulet pas në “urë” me kokën mbështetur përdhe,të tjerët kalojnë mbi gjoksin e tij,duke shprehur kështu guximin e sakrificën sepse: armiqtë do ta shkelin këte truall ,vetëm kur të shkelin mbi gjokset e tyre.
Bajroni pëlqente akoma më shumë veshjen shqiptare,të cilën e quante,petkun më të bukur në botë.”Shih të egrin shqiptar me fustanellë // e rrobat të qëndisura me arë,//
Armët të lara me flori,sa bukur!”
I mahnitur nga kjo bukuri,Bajroni kishte marrë disa veshje popullore .Me kostumin shqiptar Ai pozoi për piktorin Tomas Filips. Ky portret ndodhet në Galerinë Kombëtare të Portreteve në Londër (National Portrait Gallery) dhe paraqitet në çdo botim të denjë për Bajronin.
Duke qenë Bajroni përhapës i tematikës shqiptare,me përmbledhjen e këngëve
popullore shqiptare u bë objekt studimi nga albanologët si Gustav Myer,apo baronesha Xhuzepina Knorr,albanologe e njohur austriake, cila për misionin e
Bajronit u shpreh: “T’i bësh mirë njerëzimit është dëshira më bujare” Ndërsa për letrën e Bajronit dërguar nënës së tij ajo thekson se Bajroni e ka marre frymëzimin për Liri nga shqiptarët.
Për burrat shqiptarë ,- shkruan Bajroni – kanë trupa shumë të mirë,nuk shquhen si
kalorës,por në këmbë janë të palodhur dhe shumë të duruar.Armën kur e hedhin supit të djathtë e mbajnë pa asnjë sforcim,ndërsa vrapojnë përpjetë maleve të tyre me lehtësi e zhdërvjelltësi.Ndoshta jane raca më e bukur në botë.

Nga tiparet edhe gratë janë të hijëshme,vajzat arnaute janë shumë të bukura dhe kostumi i tyre është shumë piktoresk.Ata edhe hijeshine e trupit e ruajnë më gjatë pasi rrojnë përjashta në ajër të lirë.Ata bëjnë jetë patriarkale,por kjo ndrydhje e përkohshme e personalitetit të tyre u duket e natyrshme,madje u jep krahë për të gjetur kuptimin e jetës në dashurinë dhe detyrën amtare.Janë po ata gra që në raste rreziku e nevoje shkojnë në luftë përkrah burrave dhe kurrë nuk dorëzohen për të mbrojtur nderin e tyre…..Ishin gratë e fshatit Dhoksat që ndërtuan urën e prishur nga përroi i rrëmbyer,kur morën vesh se do të kalonim ne në udhën e bllokuar nga gurët”
Edhe një numër piktorësh u frymëzuan nga vepra e Bajronit si Eugene Delacroix(1798-1863).
Nuk është rastësi që Delakrua,i cili nuk erdhi kurrë në Shqipëri, por u frymëzua nga vepra e Bajronit duke dhënë kryevepra me temën Suliotët si “Burrë me veshje suliote”, “Etyd për Boçarin”.etj.


Apo kështu Arry Scheffer me pikturën “Gratë e Sulit” frymëzohet nga Bajron për aktin heroik të suliotëve.
Mbi të gjitha, vepra e Bajronit frymëzoi luftëtarët e Lirisë dhe pati jehonë në të gjithë botën,në Spanjë lufta kundër pushtuesit Francez e përjetësuar me vargjet “Vajza e Saragosës “në veprën “Çajld Harold”.Në Itali në luftën kundër pushtimit austriak, ku Bajroni mori pjesë në lëvizjen e Karbunarëve. Më vonë projektuesi i bashkimit të Italisë, Giuzeppe Mazzini.,i çoi më tutje idetë për liri,pavarësi dhe unitet për mbarë Evropën.Vlen për t’u përmendur ndikimi tek arbëreshët,të cilët e treguan veten si luftëtarë të Garibaldit.Pa përmendur,De Raden,Dora D’Istria,Kulluriotin ,Rilindësit tanë, të cilët e kishin në qendër të vëmendjes,Lirinë ,Pavarësinë dhe bashkimin e shqiptarëve .


Jehona e poetit të lirisë arriti deri në Amerikë:Ishte koha e ashpërsimit të kontradiktave ndërmjet pushtuesve anglezë dhe kolonive në Amerikën e Veriut që arriti në luftë të armatosur, deri në fitoren e pavarësise.Ai e gjeti veten të përshkruar në gazetat e kohës si poeti më i preferuar i amerikanëve “The favourite poet of the Americans”
Në Shqipëri,Bajroni njohu një popull kryengritës,të lirë e të pavarur në shpirt,trim, besnik,të paepur,krenar,të ndershëm e mikpritës,me të cilët luftoi në “Betejën e Mesolongjit “.
Jehona e tematikës shqiptare në botë në sajë të veprave të Bajronit ishte shumë e gjerë dhe me shtrirje të madhe në kohë.Të gjitha këto shtojnë nderimin dhe mirënjohjen e popullit shqiptar për Bajronin,të cilin askush s’e detyroi të pohonte kaq hapur në favor të shqiptarëve.Bajroni të gjitha këto i gjeti të mbjellura në tokën e Ilirëve, në Sul,Paramithi, në Çamëri.Edhe sot vepra e e Bajronit është nxitje për brezat,për të njohur trojet e shqiptarëve dhe trimëritë e tyre ,që luftuan me Bajronin,prijësin e tyre ,së bashku me luftëtarët grek kundër pushtuesve turq deri në pavarësi,për të cilin vend Bajroni dha edhe jetën.


Vdekja e Bajronit në Greqi është simboli më i bukur i misionit të artit. Bajroni kishte bërë një betim,pa kushte, me kauzën e popullit kur thotë: “Për ty Greqi dhashë gjithçka …..tani po jap edhe jetën.” I gjithë ky angazhim i mendimit dhe veprimit të Bajronit në luftën për liri të popujve kishte të vetmin ideal, emancipimin e shoqërisë njerëzore.Kështu poezia e tij e realizoi misionin e vet, për atëhere edhe për sot, për të zgjidhur kontradiktat mes popujve,si në rastin e shqiptarëve me fqinjët.Në rastin në fjalë,luftëtarët e Sulit dhanë jetën, kundër pushtuesit otoman për lirinë dhe pavarësinë e Greqisë dhe sot shtetet përkatëse duhet t’i venë në ballancë veprimet e tyre në aleanca të ndershme për t’i bërë ballë sfidave të kohës,me urtësi,paqë e drejtësi. Pertefe Leka / KultPlus.com

27 vite nga sulmi në familjen Jashari

Sot shënohet 27-vjetori i sulmit të dytë të Serbisë mbi familjen e komandantit legjendar Adem Jashari, në Prekaz.

Më 22 janar 1998, në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municionit të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar drejt Kullës së Jasharëve, për ta sulmuar atë me armë të llojeve të ndryshme.

Meqë atë natë Adem Jashari nuk ndodhej në shtëpi, rezistencë sulmit të policisë serbe i kishin bërë Shabani e Hamza, me nipa e mbesa.

Sulmi i tretë i Serbisë në familjen Jashari kishte ndodhur më 5 mars 1998. Pas një lufte që kishte zgjatur tri ditë, kishin rënë heroikisht 59 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK, Adem Jasharin. / KultPlus.com

Delegacioni Presidencial takohet me Zv. Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Alexander Kasanof

Dje, gjatë vizitës në Washington D.C., Shefja e Stafit të Presidentes, Learta Hollaj, dhe Këshilltarja për Politikë të Jashtme, Rejhan Vuniqi, janë takuar me Zv. Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Alexander Kasanof.

Gjatë takimit janë diskutuar zhvillimet e fundit në marrëdhëniet bilaterale, me theks të veçantë te Dialogu Strategjik Kosovë-SHBA i cili u arrit me iniciativë të Presidentes, fushat që do të mbulohen nga ky dialog strategjik si dhe pritshmëritë nga ky proces, e poashtu çështje të tjera të interesit të përbashkët.

Gjithashtu, duke qenë dita e parë e punës e administratës së re të udhëhequr nga Presidenti Trump, Presidenca konfirmoi përkushtimin e saj të plotë për thellimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit, duke potencuar rëndësinë e ruajtjes dhe avancimit të sigurisë si dhe fuqizimit dhe afirmimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Nga ana e Zv.Ndihmës Sekretarit të Shtetit, Kasanof, u theksua rëndësia e vazhdimit të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, ndërsa nga Presidenca u ritheksua nevoja që Dialogu të përqendrohet në njohjen reciproke./ KultPlus.com