Eli Vizeli, i mbijetuar i Holokaustit një engjëll amerikan për Kosovën

Ag Apolloni

Ishte koha kur Shtëpia e Bardhë qortohej nga intelektualët publikë dhe nga populli amerikan për ndërhyrje në punët e shteteve të tjera. Presidenti Klinton kishte disponimin e mirë për të na ndihmuar, prandaj kishte vendosur të intervenonte ushtarakisht. Por befas u ndodh mes një sulmi të brendshëm. Për shkak të këtij intervenimi, ai kritikohej ashpër dhe, kështu, e kuptoi se po e humbte besimin te qytetarët e tij. Pra, atij i duhej një figurë e madhe morale për ta justifikuar veprimin e tij, një figurë kundër së cilës nuk mund të dilnin intelektualët dhe populli amerikan. Kjo figurë morale ishte Eli Vizel (Elie Wiesel), i mbijetuar i Holokaustit dhe fitues i çmimit Nobel për paqe. Vetë Bill Klinton, vite më vonë, ka thënë: “Ka qenë një forcë e vetme që e ka ndryshuar rrjedhën e politikës amerikane. Ajo forcë quhet Eli Vizel”.

Eli Vizel, një engjëll amerikan për Kosovën, kur Amerika ende dyshonte në ‘intervenimin humanitar’ të NATOS-së, shkoi në Shtëpinë e Bardhë dhe mbajti një fjalim për domosdoshmërinë e atij intervenimi për ta shpëtuar Kosovën nga spastrimi dhe gjenocidi. Pastaj, me kërkesë të presidentit amerikan, ai erdhi në kampet e shpërnguljes në Maqedoni dhe Shqipëri, për t’i vizituar kosovarët, dhe përgatiti një raport mbi vuajtjet tona. Këtë raport ia dërgoi Shtëpisë së Bardhë. Pak ditë më pas, ndodhi çlirimi i Kosovës.

Më poshtë keni një fragment nga romani dokumentar “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, ku, në bazë të dokumenteve të shumta nga arkiva të ndryshme, përfshirë edhe “arkivin e ngrirë të Shtëpisë së Bardhë”, Ag Apolloni ka ndërtuar figurën e shkrimtarit dhe humanistit Eli Vizel në raport me Kosovën. Ky fragment publikohet me rastin e 7-vjetorit të vdekjes së Eli Vizelit, i cili vdiq më 2 korrik 2016. Romani tashmë gjendet edhe në gjuhën angleze.

“Një fije shprese, një fije shkrepëse”

Në anën tjetër të Atlantikut, Eli Vizel shikon TV dhe mendon. Kishte disa ditë që e shmangte darkën. Nuk shkojnë bashkë darka dhe lajmet, thoshte. Si mund të hash rehat duke shikuar në televizor kolona njerëzish të uritur të dëbuar nga shtëpitë e tyre? I kujtohet koha kur bota nuk bëri zë. “Babës tim i shkonin lotët çurg. Ishte hera e parë që e shihja të qante. Kurrë s’e kisha menduar se do të vinte ajo ditë, ndërsa nëna ime ecte pa thënë as edhe një fjalë të vetme, e zhytur thellë në mendime, me fytyrën e ngrirë si një maskë. I hodha një shikim motrës sime, të voglës Cipora, me ato flokët e verdha të krehura me kujdes dhe me atë pallton e saj të kuqe të hedhur krahëve: një vogëlushe shtatëvjeçare. Në shpinë mbante një çantë tepër të rëndë për të. Nofullat i shtrëngonte fort: e dinte shumë mirë që s’ia vlente të ankohej. Aty-këtu policët ishin lëshuar me shkopinjtë e tyre duke goditur majtas e djathtas dhe duke na shtyrë: Nxitoni! Luani këmbët!”   

Njëra duhej shmangur: o darka, o lajmet. Mund t’i shmangte lajmet dhe të hante darkë i qetë, por çfarë do t’i thoshte babës së ndjerë kur të takoheshin një ditë? Që kishte mbyllur sytë dhe veshët dhe s’kishte hapur gojën, si atëherë kur baba në agoni e thërriste emrin e tij? 

Në televizor sheh një luginë plot me njerëz dhe një fëmijë që mban lart një karton me fjalën Help, pastaj dhjetëra duar të ngritura në pritje të një buke, të cilën nuk shihej kush po e mbante matanë telave. Bie në kujtime: “në vagonin ku kishte rënë copa e bukës, nisi një përleshje. Burrat po grindeshin duke shtyrë, kacafytur, gërvishtur dhe sakatuar njëri-tjetrin. Bisha grabitqare që kacafyteshin dhe sytë u xixëllonin nga urrejtja kafshërore. Ata sikur u pushtuan papritur e pa kujtuar nga një gjallëri e jashtëzakonshme, e cila ua mprehu sakaq thonjtë dhe dhëmbët”. Pastaj i kujtohet sesi në vagonin ku ndodhej ai, biri e kishte mbytur babën për t’ia marrë bukën. Në ekran duken burra, gra, fëmijë të mbështjellë me batanije. “Mbi batanijet tona po grumbullohej një shtresë e trashë bore. Na dhanë bukë, racionin e zakonshëm. I kollofitëm sa hap e mbyll sytë. Dikujt i shkrepi një ide se si ta shuante etjen, duke ngrënë borë. Shumë shpejt të gjithë filluan ta imitonin. Meqë nuk na lejohej të përkuleshim, nxorëm lugët tona dhe hëngrëm borën, që kish rënë mbi supet e fqinjëve. Një copë buke e shoqëruar me një lugë bore. Ushtarëve SS, që s’na i ndanin sytë, u pëlqeu shfaqja që po jepnim”.

Mbaron darka, e cila për të kishte mbaruar sapo kishin filluar lajmet. Mbarojnë lajmet, por ai e di se tragjedia zgjat më shumë se edicioni i lajmeve, më shumë se një rrotullim i diellit. Gruaja dhe djali janë të merakosur teksa e shohin ashtu, se e dinë ç’kujtime i ngjallin ato pamje.

Kështu, ai përditë i sheh lajmet me shqetësim dhe gëzohet kur kupton që NATO, më në fund, intervenon. Ka reagime nga qytetarët dhe nga disa intelektualë, se Amerika s’duhet të përzihet në punët e të tjerëve, mjafton t’i rregullojë të vetat që i ka lëmsh. I sheh i mbijetuari i Holokaustit këta intelektualë dhe qytetarë, dhe s’mund t’u besojë syve, as veshëve. I kujtohet Ruzvelti kur, për të mos u përzier në punë të huaja, e ktheu mbrapsht anijen me një mijë hebrenj, të cilët mezi kishin arritur pranë bregut të atij që e konsideronin shpëtimtar, i cili në moment të fundit ua ktheu shpinën. “Nuk e kuptoj. Ruzvelti ishte njeri i mirë, njeri me zemër. Ai i kuptonte ata që kishin nevojë. Pse nuk i la këta refugjatë të zbarkonin? Një mijë njerëz – në Amerikë, në këtë vend të madh, me demokracinë më të madhe, më bujare nga të gjitha kombet në historinë moderne. Çfarë ndodhi? Nuk e kuptoj. Pse kjo indiferencë, në shkallën më të lartë, ndaj vuajtjes së viktimave?”

Cingërrr!, bën telefoni. E thërret Shtëpia e Bardhë, për ta pyetur nëse mund të shkonte të fliste kundër rreziqeve të indiferencës.

Pas pak, ai e gjen veten në dhomën e punës duke shkruar: “Ç’është indiferenca? Etimologjikisht, kjo fjalë do të thotë  ‘no difference’. Një gjendje e çuditshme dhe e panatyrshme që e zhbën kufirin mes dritës dhe errësirës, mes mugëtirës dhe zbardhjes, mes krimit dhe ndëshkimit, mes egërsisë dhe dhembshurisë, mes të mirës dhe të keqes”. E shikon orën, pastaj shkruan, fshin dhe shton: “Por gjatë këtij shekulli kanë ndodhur edhe gjëra të mira, si humbja e nazizmit, rënia e komunizmit, rilindja e Izraelit në tokën stërgjyshore…”    

Nëpër mendje i kalojnë: varrosja e orës në kopsht, deportimi me tren, ndarja nga nëna dhe motra, fëmija i varur në litar, i vdekuri i ngrirë pranë violinës, kalimi në Buhenvald, vendosja e numrave, kokat e rruara, vrasja e babës…, mandej  fotografitë me rreshtat e njerëzve duke hyrë në dhomat e gazit, oxhaqet e furrave të kampit dhe… ftesa e presidentit Klinton për të mbajtur ligjëratë në Shtëpinë e Bardhë, ku para pak ditësh ishte marrë vendimi për të intervenuar ushtarakisht diku në Ballkan, për ta shpëtuar Kosovën nga spastrimi etnik dhe gjenocidi. Kur ky ishte fëmijë në kampin e përqendrimit në Buhenvald, Kosova ishte pjesë e Shqipërisë dhe kishte strehuar dhe mbrojtur plot familje hebreje. Ato, familjet shqiptare, e kishin thënë fjalën e vet, kur bota heshtte. Ai e dinte këtë, prandaj ndihej i lumtur që presidenti i tanishëm nuk po ua kthente shpinën viktimave.  

Dora e tij vazhdon të shkruajë: “…dhe pastaj, natyrisht, vendimi i përbashkët i Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s për të ndërhyrë në Kosovë dhe për t’i shpëtuar ato viktima, ata refugjatë, ata që u rrënuan nga një njeri për të cilin besoj se për shkak të krimeve të tij, duhet të akuzohet për krime kundër njerëzimit. Këtë herë, bota nuk heshti”.

 I kujtohen dita e lirisë, valët e jetës, pastaj zgjimi në mesnatë dhe kthimi në vendlindje për ta kërkuar orën e varrosur. Sheh veten duke shkuar në kopsht para mëngjesit dhe duke gërmuar. Ora është aty ku e ka lënë, por në shtëpinë e tij nuk janë më as baba, as nëna, as motra. Ai e rivarros orën, sepse ajo orë e vjetër mat një kohë tjetër.   

Ai palos letrën dhe shpalos mendjen: “Ky intervenim a do të thotë që kemi mësuar nga e kaluara? A do të thotë që shoqëria ka ndryshuar? Që njeriu është bërë më pak indiferent dhe më shumë njerëzor? A kemi mësuar vërtet nga përvojat tona? A jemi më pak të pandjeshëm ndaj vuajtjeve të viktimave të spastrimit etnik dhe formave të tjera të padrejtësive në vendet afër dhe larg? A është kjo ndërhyrje e arsyeshme në Kosovë, e udhëhequr nga ju, zoti President, një paralajmërim i qëndrueshëm se kurrë më nuk do të lejohet dëbimi, terrorizimi i fëmijëve dhe prindërve të tyre kudo në botë? A do t’i dekurajojë kjo diktatorët e tjerë në vendet e tjera që bëjnë të njëjtën gjë?”

Në East Room, në Shtëpinë e Bardhë, mes presidentit Klinton dhe Zonjës së Parë, Hillari, para një publiku të zgjedhur, shkrimtari hebre e mbyll fjalimin me fjalët: “Dhe kështu, mendoj edhe një herë për djaloshin hebre nga Malet e Karpateve. Ai e ka shoqëruar plakun, që jam unë, gjatë gjithë këtyre viteve të kërkimit dhe të luftës. Dhe së bashku ne të dy ecim drejt mijëvjeçarit të ri, me frikë të thellë dhe shpresa të jashtëzakonshme”.  

Zëri i tij i butë, si i një rabini që lexon Talmudin, ka hyrë nëpër veshë dhe ka depërtuar në zemra.  

Heshtje.

Pastaj duartrokitje. 

Teksa dalin nga East Room, Presidenti pret që Shkrimtari ta kapë prapë për krahu, si disa vite më parë, kur në një takim, i emocionuar nga ajo që kishte parë në Bosnje, i kishte thënë: Bëj diçka, zoti President!

Tani Presidenti po e shihte të njëjtin njeri që i dridhej zëri duke folur për atë që po ndodhte në Kosovë. Duke e parë se sa shumë i kishte përjetuar lajmet e mbrëmjes, me pamjet përplot masakra e refugjatë shqiptarë, Presidenti i afrohet dhe i thotë me zë të ulët:

– Pse nuk shkon atje?

Shkrimtari ngre kokën, shikon fytyrën e përzemërt të Presidentit dhe e kupton që e ka seriozisht.

– Sikur të mund të bëja diçka, do të shkoja,- ia kthen. 

– Sigurisht që mundesh,- i jep zemër Presidenti.

Kur e sheh veten në avion, mbi retë e bardha që i japin ndjesinë e parajsës dhe paqes, laureati i Nobelit për paqe e kupton se nuk po udhëton vetëm nëpër hapësirë, por edhe nëpër kohë. Nuk po udhëton thjesht nga Amerika në Ballkan, por nga Lufta e Dytë Botërore në Luftën e Kosovës.

Kur zbret nga qielli dhe futet mes refugjatëve shqiptarë, e kupton se ky është udhëtimi më i gjatë në jetën e tij, nëpër një rrugë që zgjati pesëdhjetë e katër vjet, nga dita kur doli nga kampi i shfarosjes deri tash kur po shkonte drejt kampeve të shpërnguljes. 

Për shkak të ngjashmërisë së persekutimit, Presidenti e kishte angazhuar atë të shkonte në kampet e shqiptarëve, për të bërë një raport në lidhje me gjendjen e refugjatëve. Shkoni, shihni, dëgjoni dhe flisni me ta!, i kujtohen të mbijetuarit të Buhenvaldit fjalët e Presidentit, derisa ecën mes fëmijëve në kampin e Çegranit, në Ditën e Fëmijëve. Ky është një nga kampet më të mëdhenj në Maqedoni, me mbi pesëdhjetë mijë refugjatë, rreth dyzet për qind e të cilëve janë fëmijë.

– Qindra fëmijë morën pjesë në këtë ngjarje të organizuar nga UNICEF-i dhe organizata të tjera në kampin e Çegranit. Ky ishte një rast që fëmijët shqiptarë të argëtoheshin sadopak. Aktivitetet e tyre përfshijnë ngjyrosjen e fytyrës dhe këndimin e këngëve tradicionale shqiptare. Emisari amerikan, i mbijetuar i Holokaustit, thotë se është prekur shumë nga ajo që ka parë në kamp,- raporton gazetarja e Associated Press.

Duket Shkrimtari duke ecur mes fëmijëve, dy prej të cilëve ua ka hedhur duart mbi supe. Ecën dhe flet: 

– Jam këtu për t’i parë fëmijët, këta ma copëtojnë zemrën.

Gazetarja e pyet:

– A keni folur me njerëzit derisa jeni endur nëpër kamp?

Ai përgjigjet:

– Ende s’kam folur me të rriturit. Tash për tash po flas me këta fëmijë. I dua fëmijët. Po e shoh pafajësinë e këtyre fëmijëve të sulmuar, të izoluar dhe të keqtrajtuar… 

Në kuadrin tjetër duket një fëmijë që këndon Oj Kosovë, o djep lirie… dhe një tjetër që reciton një vjershë për Adem Jasharin, ndërsa Shkrimtari i shikon me dashamirësi dhe mban veshin te përkthyesja. 

Në kuadrin e radhës, ai flet për udhëheqësin serb: 

– Millosheviqi është një njeri që dëshiron të sundojë, të sundojë patjetër, qoftë edhe mbi një varrezë. Ai është i çmendur.

Dhe kështu ai vazhdon të endet përditë nëpër kampe, në Maqedoni dhe Shqipëri. Njëri nga shoqëruesit, duke i parë fëmijët, i thotë:

– Këta duken mjaft të lumtur, shihi si qeshin! Nuk duket se janë të traumatizuar.

– Fëmijët e jetojnë të tashmen më shumë se ne. Ata qeshin sot, i përshtaten frymës së festës, por nesër do t’u kujtohet çfarë kanë parë, si i kanë dëbuar dhe kjo do të lërë pasoja. Ata kanë nevojë për terapistë, dhe ne duhet t’ua sigurojmë, sepse trauma godet pas festës.  

– Pse po ua bën Millosheviqi këtë?

– Sepse dëshiron të hyjë në histori.

– Do t’ia arrijë?

– Po, ai do të hyjë në histori për turpin e tij.

Një gazetar i New Yorker raporton për vizitën e humanistit hebre nëpër kampet e refugjatëve shqiptarë. Ai thotë se zyrtarët e administratës kanë thënë se vizita ka për qëllim ta përqendrojë vëmendjen në argumentin moral të fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër Jugosllavisë. Nga katër rrjetet kryesore televizive amerikane, vetëm CNN e mbulon vizitën e emisarit amerikan, dhe zyrtarët atje thonë se zbehja e interesit për historinë e Kosovës po i ndërlikon përpjekjet e tyre për ta ndërtuar një konsensus të fortë publik mbi veprimet ushtarake. Njerëzit e kanë të paqartë pse ne po bëjmë atë që po bëjmë, thotë një zëdhënës i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara. I pyetur nga reporteri se pse e kishin zgjedhur pikërisht laureatin e paqes për ta dërguar mes refugjatëve të luftës, ai i përgjigjet: Na duhej një person si ai për ta mbajtur në vijë filozofinë morale.   

– Kam mësuar diçka nga përvojat e mia si bashkëkohës i kaq shumë ngjarjeve,- i thotë Shkrimtari reporterit amerikan.- Kur e keqja e tregon fytyrën e saj, ju s’duhet të prisni, s’duhet ta lejoni të forcohet. Duhet të ndërhyni.

Duke ecur nëpër kamp, atij i kujtohen kampet naziste, pastaj i kujtohen njerëzit e ngrirë në borë dhe, ndonëse ka tri orë që rri në diellin përcëllues, shpreh një kërkesë të befasishme dhe urgjente për refugjatët kosovarë:

– Ne nuk duhet të lejojmë që dimri t’i gjejë këtu.

Dhe, sapo e thotë këtë, shpejton hapin për të mbledhur histori, për t’i dokumentuar krimet dhe për ta përshpejtuar fundin e luftës. Ecën nga njëri kamp te tjetri, dëgjon histori dhe bën pyetje. Kur e sheh një burrë duke i vënë në gjumë fëmijët, e pyet:

– A u tregon përralla fëmijëve?

– Po.

– Për çka flasin ato përralla?

– Për shtëpinë.

Më tutje e ndal një vajzë gjashtëmbëdhjetë vjeçe.

– Si e ke emrin?

– Bahrije.

– Çka mendon kur zgjohesh në mëngjes?

– Mendoj se do të kthehem në shtëpi.

Shkon më tutje dhe e ndal një refugjat tjetër.

– Si të quajnë?

– Besim.

– Çka mendon për atë që po bëjnë serbët?

– Mendoj si mund ta bëjë këtë dikush që ka zemër.

Ndërsa, gazetari që e përcjell, e pyet Shkrimtarin: 

– Çfarë mendoni për intervenimin amerikan?

Shkrimtari sheh kampin me refugjatë, pastaj kafshon buzën nga dhembshuria për ta dhe rrudh sytë nga rrezet e forta:   

– Për amerikanët, Kosova është një luftë morale. Ne s’përfitojmë asgjë nga Kosova, por, nëse s’do të intervenonim, do të humbnim shumë moralisht.  

Si i dërguar special i presidentit amerikan, duke bashkëndier me refugjatët si të ishte ndonjë shenjtor me rroba moderne, ai endet nga njëri kamp në tjetrin, në Maqedoni e Shqipëri, ku janë dëbuar shqiptarët e Kosovës, për t’u dhënë zemër, për t’u dhënë shpresë. Nga këto kampe ai ndërton pamjen e fytyrës njerëzore të luftës.

– Veç unë dhe djali kemi mbetë…, – i thotë një nënë një ditë, dhe ende pa e mbaruar fjalinë, fjalët i bëhen lot. Ndërsa Shkrimtari sheh djalin e saj të vogël, i hedh krahun, e mbështet për gjoksi dhe me dorën tjetër ia përkëdhel kokën. Pastaj i afrohet një plaku me plis dhe e pyet nëse i ka shpëtuar familja. Plaku s’do të flasë, por kur merr vesh se është amerikan, thotë:  

– Niqin’ e tetëdhetë burra u vranë, veç dy kanë pshtue. Unë jam njani prej tyne…

Shkrimtari i vë dorën në sup, për t’i thënë që megjithatë, në atë fatkeqësi, paska qenë me fat, por plaku pasi gëlltitet një herë, shton:

– …djali jem shkoi me t’shumtit.

Plakut i rrjedhin lotët. Shkrimtari kafshon buzën, por s’mund t’i fshehë skuqjen e syve dhe një lëng të kthjellët që ia mjegullon shikimin. Ia shtrëngon dorën plakut. Nga këndvështrimi mjekësor, ai e di që nëse tjetrit i dhemb, mjeku s’duhet ta bëjë edhe veten që t’i dhembë, sepse kështu s’do të përfitonte asnjëri. Por, nga kënd-vështrimi moral, human, ai e di që pacienti dhe mjeku duhet ta ndajnë dhimbjen së bashku, që ta përballojnë më lehtë. Çka domethënë të mos ndjesh? Të jesh i vdekur. Nëse nuk e ndiej dhimbjen tuaj, s’e ndiej as timen, mendon dhe vazhdon endjen nga njëri shator në tjetrin. 

– Nuk e di se kush je, por mbasi je amerikan, je njeri i mirë,- i thotë një burrë.

Shkrimtari qesh me përzemërsi, pastaj ua shtrëngon duart pleqve, ua hedh dorën në sup burrave, u buzëqesh grave, ua përkëdhel kokat fëmijëve, ndërsa kur në mbrëmje, i vetëm në dhomë, fik llambën dhe ndez kujtesën, askush s’mund ta dijë se si ndihet një i mbijetuar i kampeve naziste pas bredhjes gjithë ditën nëpër kampe. Nuk dihet nëse më shumë e mundon pamja e trishtuar e fëmijës që pa sot, apo fëmija i trishtuar që ishte ai vetë dikur; fati i tanishëm i familjeve shqiptare, apo fati i dikurshëm i familjeve hebreje. Apo ndoshta dy fëmijët e trishtuar, dy kombet e persekutuara, dy luftërat e çmendura, dy llojet e kampeve, shkrihen brenda në mendjen e tij dhe bëhen një.  

Të nesërmen, ulur para një shatori e sheh një burrë të moshës së mesme duke pirë duhan i zhytur në mendime. 

– Çka po mendon?, e pyet.

– S’ka randësi çka mendoj unë, po çka mendon Amerika.

– Kur mendon se do të kthehesh në shtëpi?

– Krejt kjo mvaret prej Zotit…dhe Klintonit. 

Shkrimtari buzëqesh dhe ia rreh shpatullat. 

– Dy djemtë m’i kanë marrë prej dore, s’di ku i kanë çue…, – thotë një nënë që s’mund t’i ndalë lotët.

Shkrimtari ulet dhe e dëgjon historinë e saj. Para se t’ia përkthejnë, ai e kupton duke i lexuar shenjat e dhimbjes: rrjedhjen e lotëve dhe dridhjen e zërit. Ai e di se pamja e fundit mbetet e përjetshme, dhe e merr me mend se sa e vështirë do të jetë për këtë grua të jetojë gjithë jetën me një kujtim të tillë. 

Një tjetër grua, kur merr vesh se ky është amerikan, i afrohet dhe e pyet:

– Çka po ndodh me ne? Çka kemi bâ? Çka kemi bâ që ta meritojmë këtë?

Shkrimtari e sheh me dhembshuri dhe i thotë: 

– E di që jeni të pafajshëm dhe nuk e di pse duhet të vuani. Unë, mjerisht, nuk mund ta zë vendin tuaj, por dua të jem i pranishëm në vuajtjen tuaj.

Një shoqërues e pyet Shkrimtarin:

– Çfarë mesazhi doni të jepni me mbledhjen e këtyre historive?

– Dua që këtyre njerëzve t’u jap shpresë, t’u them që viktimat kurrë s’janë vetëm.

– Por ju keni qenë. 

– Hm.

– E keni menduar pse po ndodh ky spastrim etnik, kjo luftë?

– Krejt kjo po ndodh se Millosheviqi do Serbi të Madhe, ai dëshiron të bëjë histori.

– Tash që po bombardohet, s’ka si të mos tërhiqet nga kjo ide.

– Edhe nëse dorëzohet, ai prapë duhet të dënohet. Ai njeri është kriminel.

– E quajnë Kasap i Ballkanit…

– Jo, ai nuk është kasap, ashtu siç nuk ishte as Ajkmani Kasap i Aushvicit.

– Pardon?

– Millosheviqi dhe Ajkmani, edhe pse s’duhen krahasuar tragjeditë, janë përgjegjës, jo kasapë. Kasapi pret dhe s’i jep llogari kujt, kurse këta s’mund t’i shmangen llogaridhënies. Ne s’duam, s’mund e s’duhet t’i lëmë. 

Dhe ecën hebreu nga kampi në kamp, si prifti i madh i Shilohut që dukej se nga dhembshuria, do t’i merrte të gjithë fëmijët e t’i rriste në Tabernakull. Vetëm imagjinojeni me kostume antike dhe, natyrisht me mjekër, dhe krahasojeni pastaj me pikturën e Jan Viktorsit! Është e njëjta pamje, e njëjta dashuri, vetëm kostumet kanë ndryshuar. “Unë i dua fëmijët, më copëtohet zemra për ta”, thotë duke shkuar nga shatori në shator, nga kampi në kamp, për t’i parë, për t’i  dëgjuar, për t’i prekur dhe për të folur me ta. Kështu, ai duket sikur ka ardhur këtu, në tokë, me një mision mesianik, për t’i mbledhur dhimbjet tona dhe për t’i marrë me vete e për t’i çuar në Shtëpinë e Bardhë, së cilës i raporton: “Në këtë botë të tmerrshme të refugjatëve të Kosovës, të rriturit qanin. Fëmijët nuk qanin. Ata këndonin. Ata luanin. Ata qeshnin. E unë nuk e di se çfarë na lëndon më shumë: e qeshura e fëmijëve, apo lotët e prindërve të tyre. Sa u përket torturuesve të tyre, ti s’mund ta kuptosh: si munden qeniet njerëzore t’u shkaktojnë aq shumë vuajtje qenieve të tjera njerëzore?” Dhe i tronditur pyet: “a mos vallë ky është leksioni i shekullit tonë që po mbaron: se është njerëzore të jesh jonjerëzor?” Në fund, pyet veten: “a ishte misioni im i suksesshëm? Mendoj se ishte domethënës”. Dhe e mbyll me fjalën shpresë: “a ka shpresë për refugjatët kosovarë? Ka një ndjenjë të shpresës. Ajo vjen nga Amerika dhe aleatët e saj. Fitorja jonë mbi krimet e Millosheviqit u jep atyre shpresë”.   

Kështu shkroi shkrimtari hebre Eli Vizel një natë qershori, nga Shkupi. Kështu i raportoi Shtëpisë së Bardhë. Pas pak ditësh trupat tokësore të NATO-s hynë në Kosovë.

Një vjet më vonë, te “Letër mikut kosovar”, ai e kujton vizitën e tij kështu: “Ju kam vizituar në kampin tuaj të refugjatëve. Kam takuar shumë prej shokëve dhe miqve tuaj, në Shqipëri dhe Maqedoni. Me zemër të thyer i kam dëgjuar tregimet e tyre të poshtërimit dhe agonisë: e quaja të patolerueshme egërsinë shtazarake të serbëve. Shpesh viktimat e fillonin tregimin me zë të qetë, por nuk arrinin ta përfundonin: shpërthenin në ngashërime. Në thellësi të shpirtit tim, në heshtje, lotët e mi përziheshin me të tyret”./KultPlus.com

Anna Frank: Kush do ta besonte se gjithë këto vuajtje i kaloi një vajzë e vogël

Anneliese Marie Frank lindi më 12 qershor të vitit 1929 në Frankfurt am Main.

Ishte një vajzë gjermane-hebreje, që ishte fshehur me familjen e saj në Amsterdam, në kohën nacionaliste, por që nuk arriti t’i shpëtonte vdekjes para mbarimit të luftës. Anne Frank u bë e njohur me ditarin e mbajtur gjatë periudhës së fshehjes, ditar ky që u publikua pas vdekjes së saj, shkruan KultPlus.

Në vijim, KultPlus sjell disa nga thëniet më të njohura të saj, të cilat janë shkëputur nga ditari i saj.

“Askush nuk është varfëruar nga bamirësia”.

“Është e mrekullueshme se si askush nuk duhet të ndryshojë gjë tek vetja për të nisur përmirësimin e botës”.

“Unë i mbaj për vete idealet, sepse pavarësisht gjithçkaje, vazhdoj të besoj se njerëzit janë të mirë në zemër”.

“Mendo për gjithë gjërat e bukura të mbetura rreth teje dhe ji i/e lumtur”.

“Kushdo që është i/e lumtur, do t’i bëjë edhe të tjerët të lumtur gjithashtu”.

“Prindërit japin vetëm këshilla të mira dhe përpiqen t’i fusin fëmijët në rrugën e drejtë, por ajo që u krijon atyre personalitetin, qëndron në duart e tyre”.

“Unë nuk mendoj për gjërat e trishta, por për gjithë gjërat e bukura që kanë mbetur ende”.

“Përtacia mund të duket tërheqëse, por puna jep kënaqësi”.

“Të gjithë jetojmë me objektivin për të qenë të lumtur; jetët tona janë të ndryshme dhe njëkohësisht, kaq të njëjta”.

“Kush do ta besonte se gjithë këto vuajtje i kaloi një vajzë e vogël?”

“Kushdo që nuk e di, duhet ta mësojë dhe ta fitojë me eksperiencë përfundimin se ‘një ndërgjegje e qetë e bën dikë të fortë’”.

“Unë thjesht nuk mund t’i ngre shpresat e mia mbi konfuzionin, mjerimin dhe vdekjen. Mendoj se paqja dhe qetësia do të kthehen sërish”.

“Ne nuk na lejojnë të kemi opinionin tonë. Njerëzit të thonë ta mbash gojën të mbyllur, por kjo gjë nuk të ndalon për të pasur një opinion tëndin. Edhe nëse njerëzit janë shumë të rinj, ata nuk duhet të ndalohen për të thënë atë që mendojnë”.

“Çdokush ka brenda vetes diçka të mirë. Gjëja e mirë është se ti nuk e di se sa i madh mund të jesh, sa shumë mund të duash, çfarë mund të arrish dhe cili është potenciali yt”.

“Çfarë është bërë nuk mund të zhbëhet më, por mund të parandalohet që të ndodhë sërish”. / KultPlus.com

E bojkotoi mësimin si pasojë e kushteve të rënda në Gjimnazin “Dr Shaban Hashani”, Konjufca: Kauza e suksesshme për arsim me dinjitet

Kushtet e Gjimnazit “Dr Shaban Hashani” në Ferizaj patën vërshuar rrjetet sociale si rezultat i angazhimit qytetar nga profesoresha e kësaj shkolle Zoja Lohaj Konjufca, e cila duke kërkuar kushte më të mira për nxënësit edhe e pat bojkotuar mësimin në këtë shkollë.

Ky reagim pat ardh në vitin 2023, ku nxënësit e kësaj shkollë nuk kishin kushtet elementare për mësim, dhe ndërtimi i shkollës së re zvarritej për vite të tëra. Vetë Zoja Lohaj Konjufca sot ka njoftuar se kanë përfunduar ndërtimet e objektit të ri të kësaj shkolle, edhe pse, ende nuk është kthyer personalisht në procesin mësimor, por sipas saj, nuk ndjen keqardhje se pse nuk është kthyer në shkollë, dhe se ndihet triumfuese se zëri i saj dhe mbështetja e medieve e bën të mundur ndërtimin e objektit të ri.

KultPlus ju sjell postimin e sotëm për përfundimin e kësaj shkolle dhe reagimin e Zojës kur edhe pat filluar bojkotimin në këtë shkollë./ KultPlus.com

Fillojnë xhirimet e serialit  “Andrra Amerikane” në New York me regjisorët Vlora Nikçi dhe Armend Baloku

“Andrra Amerilkane” është seriali që po xhirohet në New York të Amerikës, ku për regjisorë ka Vlora Nikçin dhe Armend Balokun, e që për qëllim ka të shpalosë kulturën shqiptaro- amerikane, shkruan KultPlus.

Tashmë është bërë e ditur se ky serial do të xhirohet kryesisht në New York por edhe me mundësi të shtrirjes së xhirimeve edhe në shtete të ndryshme të Evropës.

Në episodin e parë të këtij seriali tashmë janë përfshirë aktorët: Afrim Gjonbalaj, Vlora Nikçi, Armend Baloku, Enxhi Cuku, Adel Lami, Liri Nikqi, Diar Xani, John Gojcaj dhe Edita Nishliu, kurse myasfire speciale e këtij episodi është edhe sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho, soprano që ka shumë çmime prestigjioze në fushën e operës.

Ndërkohë, është bërë e ditur se skenarin e këtij seriali e kanë punuar:  Mike Bencivenga (i njohur për filmat e tij të suksesshëm “Happy Hour,” “Great Plains,” dhe “Born in Flames” ne Hollywood) Vlora Nikçi, dhe Visare Aliu, skenar i realizuar për episodin e parë.

Në këtë serial do të shtjellohen temat e komunitetit shqiptar në Amerikë, ruajtja e traditave, përshtatja me kulturën amerikane, dashuria, ndjekja e ëndrrave.

Ky serial për producentë ka Vlora Nikçin,  kurse drejtor i fotografisë është Adriatik Berdaku, fitues i dyfishtë i çmimeve Emmy Awards.

Episodi i parë i këtij seriali do të transmetohet së shpejti nëpër televizione dhe platforma online. / KultPlus.com

Jeta e vështirë e Mozartit, letra me të cilën ai i drejtohet mikut të tij për t’i kërkuar borxh

Të jetoje vetëm me muzikë pa të ardhura të tjera të tërthorta, për gjeniun e muzikës klasike do të thoshte varfëri. Po, varfëri në kuptimin më të pamëshirshëm të shprehjes.

Gruaja e sëmurë, një fëmijë për të rritur, ishte për të një sfidë e vështirë, një plagë që e mundonte mizorisht shpirtin e tij të drobitur nga vështirësitë. Ngado dyer të mbyllura për mjeshtrin e madh. Kompozitori i oborrit, i emëruar me urdhër perandorak, nuk i siguronte të ardhurat që i duheshin për të shlyer doktorin, farmacistin, kreditorët, jetesën. I kishin shteruar të gjithë mundësitë dhe miqtë.

I vetmi që do ti gjendej gjithnjë pranë ishte miku i tij Johann Michael von Puchberg (21 shtator 1741- 21 janar 1822, Vienna ), një tregtar i thjeshtë vjenez tekstilesh, të cilit më 12 korrik 1789 ai i shkruan një letër mbushur me tragjizëm të thellë dhe brengë, ku citohet:

“Zot, jam në një gjendje të vështirë, të cilën s’do t’ia uroja as armiqve të mi më të këqij, dhe në qoftë se ju vëllai dhe miku im më i mirë, do të më braktisni, unë fatkeqi do të dënohem pa faj bashkë me të mjerën grua time të sëmurë dhe djalin.

Që herën e fundit kur isha te ju, desha t’ju hap zemrën, por me mungoi vendosmëria!

Dhe a do ta kem vallë tani që po ju shkruaj?!

Vetëm duke u dridhur guxoj të hedh këto fjalë në këtë letër. Nuk do të kisha kurajë tu drejtohesha as me shkrim po të mos isha i sigurt se ju më njihni, se ju i dini fort mirë rrethanat e mia, se ju jeni absolutisht i bindur që unë jam pa asnjë faj, që fatkeqësisht kam rënë në këtë gjendje kaq tragjike.

O perëndi!

Në vend të falënderimeve unë do tu mërzis me lutje të reja, me përgjërime mjeruese. Në vend të pagesës që kam të të bëj për borxhin që të kam, po të shkruaj për një borxh tëe ri, kërkesa të reja.”

/KultPlus.com

Kori i Fëmijëve “Okarina” nga Prishtina dhe Kori i Zërave të Bardhë të TKOBAP-së me koncert të përbashkët në Tiranë

Në vigjilje të Festës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Kori i Fëmijëve “Okarina” nga Prishtina dhe Kori i Zërave të Bardhë të TKOBAP-së do të bashkojnë zërat në një mbrëmje të paharrueshme muzikore, thuhet në njoftimin e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor të Tiranës.

Kjo ngjarje kulturore do të mbahet nën drejtimin e Elikona Hysaj Shala, dirigjente e Korit të Fëmijëve “Okarina”, dhe Sonila Baboci, drejtuese e Korit të Zërave të Bardhë të TKOBAP-së, dhe po kjo mbrëmje do të jetë një tribut për vlerat dhe shpirtin kulturor të kombit tonë.

Koret do të shoqërohen në piano nga pianistët Melos Buza & Sindi Zdrava. Kjo ngjarje kulturore do të mbahet më 28 janar në ora 19:00 në Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor të Tiranës./ KultPlus.com

“Don Kishoti”, përsëri në shqip 100 vjet pas përkthimit të Nolit

 Përveç përkthimit 100-vjeçar që i bëri Noli, “Don Kishotit të Mançës”, ka ardhur në shqip një tjetër përkthim, ai i Bajram Karabollit. Përkthyesi ishte i ftuar në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, në një takim letrar mbi “sojliun mendjemprehtë”.

Romani fantastik i Migel Servantesit, edhe pse i publikuar që në 1605-ën (pjesa e dytë në 1615) mbetet ndër librat më të lexuar edhe në kohën tonë. Figurës së Don Kishotit dhe bëmave të tij, shpeshherë i referohemi sot e kësaj dite për të etiketuar fenomene të ndryshme.

QKLL thotë se, përkthim i ri në shqip “Sojliu mendjemprehtë, Don Kishoti i Mançës”, pas atij 100-vjeçar të Nolit, vjen me një shqipe më të pasur, si dhe fragmente dhe faqe të tëra të përkthyera për herë të parë nga Bajram Karabolli.

Ripërkthimi i këtij romani ofron një qasje dhe mundësi të re leximi dhe interpretimi për lexuesin e sotshëm. Në takimin letrar në QKLL ishin të pranishëm dhe të rinj me të cilët përkthyesi foli mbi procesin e përkthimit të romanit, njohjen e jetës dhe veprimtarisë së Servantesit, njohjen me veprën në gjuhën origjinale, përkthimet në gjuhë të tjera si dhe me përkthimet në gjuhën shqipe (realizuar nga Noli dhe Zheji)./atsh/KultPlus.com

Një zog tjetër

Ibrahim Berisha


Nuk më besohet
Pse në majë të kulmit
Një gjeth i blertë
Dhe një burrë i kërrusur
Në tymin e oxhakut
Frikësojnë folenë
E një zogu.

Nuk më besohet
Një burrë dhe një gjeth
Maje kulmi
Në tymin e oxhakut
Pse frikësojnë folenë e vogël
Të një zogu.
A kanë arsye?/ KultPlus.com

“Trëndafilin kur ta dhashë”, koncerti i Ansamblit Popullor dedikuar dashurisë

Ansambli Popullor e çeli sezonin e tij të ri artistik me koncertin “Trëndafilin kur ta dhashë”. Koncerti tërhoqi vëmendjen e publikut i cili mbushi gjithë sallën e TKOBAP.

Këngët dhe vallet më të bukura shqiptare erdhen në një koncert-triptik muzikor, i mbështetur në lajtmotivin e dashurisë.

“Trëndafilin kur ta dhashë” erdhi si një udhëtim muzikor nga Veriu, Shqipëria e Mesme dhe trevat e Jugut, ku u përjetua pasuria kulturore, magjia e këngës shqipe dhe bukuria e valleve tradicionale.

Drejtuesi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, Solol Marsi tha se kjo ishte një shfaqje me emocione të bukura e të forta. “Trëndafilin kur ta dhashë” përmbante këngë, valle, pjesë vokale të cilat trajtuan të gjitha tematikën e dashurisë.

Në shfaqje interpretuan solistët e Ansamblit Kombëtar, grupi i valleve, grupi vokal dhe orkestra. Ndër pjesët më të duartrokitura ishte K’cimi i Tropojës por gjithashtu publiku shijoi vallen e Çamërisë, vallen e Shqipërisë së Mesme etj./atsh/KultPlus.com

‘Më kujtohet fare mirë ajo natë, më e llahtarshmja e jetës sime’

Përgatiti: Ermal Mulosmani

“Elizer, o biri im, eja këtu! Dua të të them diçka… Vetëm ty… Eja, eja, mos më lër vetëm…! Elizer…”

Ia dëgjova mirë zërin dhe e rroka kuptimin e fjalëve të tij, edhe përmasën tragjike të çastit. Por megjithatë nuk luajta vendit.

Kishte qenë dëshira e tij e fundit për të më pasur pranë gjatë agonisë së tij, në çastin kur shpirti po i shkëputej nga trupi I bërë copë dhe prapëseprapë unë nuk ia plotësova dëshirën.

Kisha frikë.

******

Marshimi i Vdekjes – 17 Janar 1945!

Episodi më i tmerrshëm i evakuimeve të hebrenjve të kampeve të vdekjes drejt Gjermanisë ndodhi më 17 Janar 1945.

Të burgosurit e Aushvicit, kampit nazist më të famshëm të vdekjes, dëgjonin çdo natë të shtënat e topave dhe flakët e luftimeve që gjëmonin fare afër kampit, sa të gëzuar aq edhe të frikësuar. Mos vallë po vinte liria edhe për ata të shkretë? Bash atëherë kur fjala e tmerrshme “Përzgjedhje”, e pasuar me erën e rëndë të trupave të djegur dhe tymin e zi që dilte nga oxhakët e tmerrit u kishte fashitur çdo shpresë për jetë? A do mbërrinin rusët të çlironin edhe kampin e tyre dhe të jepnin lirinë? Apo afrimi i rusëve deri në rrethinat e Aushvicit përkonte me fundin e pashmangshëm të të burgosurve të mbetur, në një asgjësim masiv, të fundit? A ishte kjo tallja e fundit që po bënte fati në agoninë e pafund kur shpresat për jetë ishin venitur tërësisht?

Për këtë ngjarje, dëshminë më të çmuar e ka dhënë ish i burgosuri 16 vjeçar i Aushvicit të asaj dite, nobelisti hebre Eli Vizel, me librin më të çmuar të shkruar për genocidin nazist – Nata!

Libri “Nata” i Eli Vizel është përfshirë në të gjtiha programet shkollore të ShBA-së. Ajo është dëshmia më autentike dhe e tmerrshme, e një kasaphane çnjerëzore të ndodhur vetëm 80 vjet më parë, në Evropën e qytetëruar, ku kasapët e veshur me uniforma moderne, që dëgjonin muzikë klasike apo lexonin letërsi romantike në kohën e lirë, pasditeve, paradite mund të kishin dërguar në furrat e tmerrit me dhjetëra të burgosur dhe e kishin zbatuar detyrën e ngarkuar me një zell të admirueshëm!

Libri “Nata” është i përkthyer në shqip nga përkthyesi Edvin Shvarc.

Do të veçoj dy momente nga ai libërth, momente që më kanë lënë mbresë të pashlyeshme.

I pari ka të bëjë me ngjarjen e Moishe Rojtarit si parathënie e dramës dhe neglizhencën njerëzore për të kuptuar tmerrin që po afrohej dita ditës.

*********

Ndodhi nga fundi i vitit 1942. Ngjarjet zhvillohen në Sighet, një qytet i vogël në kufirin rumuno-hungarez, në zonën e Transilvanisë.

Atë ditë, policia hungareze dhe grumbulloi të gjithë hebrenjtë e ardhur në Sighet, që nuk kishin pasaportë hungareze akoma.

Mes tyre ishte edhe Moishe Rojtari, miku i Elit, mësuesi i tij i Kabalës, rojtari i urtë i sinagogës. Të rrasur kapicë në vagonë bagëtish nga policia hungareze, ata qanin mbyturazi në heshtje. Bashkëqytetarët e tyre në platformë qanin me zë e dënesë….

Ditët kaluan dhe hebrenjtë e Sighetit i harruan bashkëqytetarët e tyre të deportuar. Thashethemet thonin se i kishin dërguar për të punuar në Galici dhe mbylleshin me komentin “Këto ka lufta…”.

Jeta filloi sërish me të njëtin ritëm. Dyqanxhinjve po u ecte puna mbroth, studentët jetonin ndër libra e fëmijët luanin në rrugë të gëzuar. Koha ishte e mrekullueshme dhe lajmet nga fronti lajmëronin veç disfata të ushtrisë gjermane.

Por, një ditë, në Sighet, Eli takon befas në rrugë Moishe Rojtarin!

Moishe i tregon Elit fatin e tij dhe të bashkëudhëtarëve të tij.

Treni kishte përshkruar territorin hungarez dhe sapo ishte futur në Poloni, e kishte marrë në dorëzim Gestapo.

Hebrenjtë ishin ngarkuar në disa kamionë dhe i kishin dërguar në një pyll galician. Pastaj i kishin detyruar të hapnin një gropë të madhe dhe i vrisnin buzë gropës….

Po Moishe Rojtari si ia kishte arritur të shpëtonte gjallë? Në sajë të një mrekullie! Ai ishte plagosur në këmbë, ishte shtirur i vdekur dhe ata e morën për të tillë.

Ditë pas dite, natë pas nate, ai shkonte nëpër hebrenjtë e Sighetit dhe ua tregonte të gjithëve historinë e tij të tmerrshme…

Moisheja nuk ishte më ai i pari. Xixëllima e gëzimit në sytë e tij ishte zhdukur njëherë e përgjithmonë. Nuk këndonte më, madje as Zotin dhe Kabalën s’i zinte më në gojë…Fliste vetëm për ato që i kishin parë sytë por njerëzit jo vetëm nuk donin ta besonin rrëfenjat e tij por as nuk donin ta dëgjonin më! Madje, disa shkuan aq larg saqë hapën fjalë se Moisheja kërkonte vetëm mëshirën e tyre, se ai ato llahtare vetëm i përfytyronte…

Ndërsa ai vetëm u përgjërohej:

“O hebrenj, më dëgjoni, vetëm kaq po ju kërkoj. Nuk dua as para e as mëshirë. Dua vetëm të ma vini veshin!

As Eli që e donte si të afërmin e vet, nuk i zinte besë. Ulej pranë tij e dëgjonte tmerret që tregonte Moishe duke u rrekur të kuptonte pikëllimin e tij. Por ndiente vetëm mëshirë për të si për një të çmendur!

-“Ata kujtojnë se jam marrosur”- shtonte Moishe i mirë dhe lotët i binin rrëke…

Eli e pyet:

“E pse kërkon kaq shumë të të besojnë? Po të isha si ti nuk do e çaja kokën nëse më besonin apo jo…”

“Ti nuk e kupton” përgjigjej Moishe i dërrmuar nga dëshpërimi.

“Unë shpëtova për mrekulli dhe erdha në Sighet që t’ju përshkruaj vdekjen time në mënyrë që ju të bëheni gati sa ka ende kohë…Mua nuk më bëhet vonë shumë për të jetuar. Jam vetëm dhe dëshiroja me mish e me shpirt për tju paralajmëruar. E keqja është se askush nuk ma vë veshin…”

Pas kësaj jeta u fut sërish në rrjedha normale. Moishe Rojtari u harrua….

*****

Lufta nuk kishte mbërritur atyre anëve deri në Mars 1944. Banorët e Sighetit jetonin si hebrenjtë e gjithë botës, me besimin në Zot, ritet hebreje, Kabalën, sekretet e misticizmit hebraik, dashurinë për prindin, të afërmin…

Ata përcillnin pa shqetësim lajmet nga fronti dhe bënin parashikime për të ardhmen e botës, gjeopolitikën, sionizmin, thashethemet… Edhe 1944-a dukej si një vit i zakonshëm, pranvera erdhi më shpejt, pemët lulëzuan, filluan fejesat, martesat gjithçka ishte në normalitet.

Shumë prej hebrenjve bënin shaka me forcën e Hitlerit dhe dëshirën e tij për të zhdukur të gjithë racën hebreje…Si u bëkërka kjo gjë në mes të shekullit të njëzetë?!!

Aso kohe mund të bliheshin mjaft çertifikata për në Palestinë ku i priste një jetë pa andralla dhe frikëra. Por pak kush preferonte ta bënte një gjë të tillë. Kur Eli i ri ia hodhi një ditë fjalën të atit, ky refuzoi kategorikisht : “Nuk kam kohë biro të nis jetë prej fillimit”.

Me të tilla kotësira ishte mbushur dita e hebrenjve të Sighetit.

Qyteti jetonte si para lufte. Lufta si dëm kolateral kishte mbërritur vetëm një herë në Sighet. Por edhe ai rast ishte harruar tashmë. Po i vinte fundi luftës. Edhe Moishe Rojtari kishte rënë squk. Sorollatej poshtë e përpjetë sa në sinagogë e sa në rrugë, i kërrusur, me sytë përdhe, sikur të donte t’i shkëpuste prej njerëzve.

Befas, një ditë, në Radio Budapesti, u dëgjua një lajm jo i këndshëm: Regjenti Miklosh Horty ishte detyruar t’i kërkonte një udhëheqësi të një Partie pro-naziste të krijonte një qeveri të re!

Prapëseprapë hebrenjtë nuk e prishën gjakun. E gjitha kjo ishte si ndërrimi I drejtuesve të një Ministrie…

Por, kur të nesërmen, drejtuesi i Qeverisë lejoi hyrjen e trupave nazistë në Hungari, lajmi ishte fort turbullues! Shqetësimi u bë real për herë të parë që nga fillimi i luftës. Dalngadalë erdhën lajmet për situatën e terrorit dhe frikës ku jetonin hebrentë e Budapestit. Nazistët po sulmonin lokalet hebreje, sinagogat, situate po bëhej serioze…

Por edhe kjo frikë nuk zgjati shumë. Gjermanët nuk do të arrijnë të vijnë kaq larg, në Sighet. Do të qëndrojnë në Budapest, sigurisht, për arsye strategjike…

Derisa, tri ditë më vonë, gjermanët mbërritën rrugëve të Sighetit…

Ankth. Ushtarë gjermanë me helmetat me stemën me kafkën e vdekjes ishin të frikshëm. Megjithatë, pas pak, përshtypjet e tmerrit u relaksuan. Gjermanët dukeshin të qetë. Ata u strehuan në shtëpitë private dhe i respektonin banorët. Qëndrimi ishte i sjellshëm por i ftohtë. Një oficer gjerman i strehuar te një shtëpi hebreje, tri ditë pas strehimit i solli të zonjës së shtëpisë një kuti me çokollata. Lajmi mori dhenë. Optimistët filluan avazin:

“E shikoni? Ç’ju patëm thënë? Po ju nuk merrnit vesh. Ja ku janë gjermanët tuaj. Po tani ç’do të thoni ë? Ku e keni atë egërsinë e tyre të tmerrshme?”

Hebrenjtë vunë buzën në gaz sërish. Megjithëse me gjermanë në shtëpi…Ata hanin pinin dhe këndonin. Ishte Mars i 1944-ës.

Por, ditën e shtatë të Pashkëve, gjermanët arrestuan kryetarin e bashkësisë hebraike. Që nga ai çast çdo gjë mori rrokopujën me një shpejtësi marramendëse. Sapo kishte nisur turravrapi i pandalshëm drejt vdekjes!

Urdhri i parë: Hebrenjve u ndalohet të dilnin nga strehët e tyre, përndryshe I priste vdekja.

Moishe Rojtari erdhi me vrap në shtëpinë e Vizelit:

“Ju pata paralajmëruar” – bërtiti me sa kishte në kokë dhe u largua pa marrë asnjë përgjigje…

********

Episodi i dytë i pashlyeshëm nga libërthi “Nata” ka të bëjë me datën 17 Janar 1945.

Jeta në kampin e Aushvic dhe Birkenau tejkalon mundësitë e një teksti të shkurtër. Po ndalem vetëm te dita e fundit në Aushvic, 17 Janari, dhe vdekja e babait të shkrimtarit.

Mëngjesi i asaj dite gdhin me një borë të dendur dhe mjegull që e shtonte edhe më shumë ankthin e frikën. Ishte tmerrësisht ftohtë, rrobat e të burgosurve ishin rrecka që nuk mbronin asgjë. Nata e kaluar kishte qenë me luftime të ashpra në rrethinat e Aushvicit. Gjëmimet e topave dhe flakët e luftës ishin në kodrat aq afër kampit sa të burgosurit po shpresonin se rusët do të mbërrinin përpara nisjes së planifikuar për në orën 6 pasdite, sapo errësira të binte…

Por asgjë e tillë nuk ndodhi. Muzgu erdhi shpejt dhe të burgosurit e veshur me ç’të mundnin u nisën drejt vdekjes, në një borë të dendur, në një rrugë të tmerrshme dhe nën thundrën e oficerëve nazistë që nuk ua përtonin plumbat atyre që fuqitë i braktisnin. Ohhh, sa do të donin ata njerëz të jetonin, me çdo kusht!

Në një rast djali pa babanë ti dobësoheshin fuqinë, dëgjoi zërin e tij t’i lutej e, megjithatë, bëri sikur nuk dëgjoi dhe vazhdoi vrapin, i bindur se babai i kishte larë duart me këtë botë. Dëgjoheshin çdo minutë të shtëna në kokën e hebrenjve të pamundur dhe skërmitja e tmerrshme e qenve që ndërseheshin nga oficerët nazistë sapo dikush dilte nga rreshti. Kufomat e hebrenjve nxinin peizazhin e bardhë në gjithë gjatësinë e rrugës…Duheshin përshkruar dhjetëra kilometra brenda nate, duhej mbërritur në stacionin e trenit pa mbërritur dita kur rrezikonin të zbuloheshin nga aviacioni i aleatëve.

Ata shpirtra të etur për jetë të mbërthyer në trupa të drobitur në kufinjtë e vdekjes, mblodhën gjithë fuqitë që u kishin mbetur dhe mendonin vetëm një gjë: të shpëtonin gjallë! Kjo rutinë mbijetese kishte filluar 7 muaj më parë me të njëjtin intensitet dhe me shpresën e shuar. A mos vallë edhe ky marshim ishte udhëtimi final drejt vdekjes?! Mos vallë nazistët po i çonin drejt furrave në brendësi të Gjermanisë në pamundësi për t’i djegur në Aushvic të 60 mijë të burgosurit nën presionin e ushtrisë ruse?!

Oficerët nazistë të veshur e ushqyer mirë ecnin vrap dhe kërkonin nga të burgosurit të mbanin ritmin e tyre. Duhej që t’i mbijetonin ritmit të cmendur të vrapimit, të ftohtit të tmerrshëm, ulërimave të qenve që i tmerronin dhe kërcënimit të plumbave nazistë që aspak nuk e fshihnin dëshirën për t’i vrarë! Ishin 55 kilometra për tu bërë deri në stacionin e tmerrit të trenit në Glajvic.

3000 prej këtyre të harruarve nga Zoti vdiqën gjatë marshimi të vdekjes në temperature -20 gradë!

Ja si e përshkruan Vizel momente nga ai marshim:

“Ideja e vdekjes, e të pushuarit së qeni, nisi të më dukej tërheqëse, për të mos gjalluar më, për të mos e ndjerë më dhimbjen e tmerrshme të këmbës sime, për të mos ndjerë më asgjë, as të ftohtin, as lodhjen asgjë prej gjëje, për të dalë nga rreshti dhe për ta lënë veten të rrëshqisja anës rrugës.”

E vetmja gjë që më ndaloi ishte prania e tim eti. Ai po vraponte para meje, ashtu pa frymë, pa forca, i zhytur në dëshpërim. Nuk e kisha të drejtën ta lija veten të vdisja, sepse, çfarë do të bënte ai pastaj pa mua? Unë isha mbështetësi i tij i vetëm! Sa shumë që ishte plakur nga mbrëmja e kaluar! Trupin e kishte të përdredhur, të kruspullosur përbrenda. Sytë i kishte të qelqtë, buzët e plasaritura, të kalbura. Çdo gjë e tij shprehte rraskapitje.”

Ose rasti i rabinit Eliahu që kishte humbur të birin gjatë marshimit dhe e kërkonte në mëngjes, kur u dha urdhëri për pushim.

Ja sesi e përshkruan Vizel këtë rast:

“Pastaj mu kujtua edhe diçka tjetër, që i biri e kishte parë të atin të mbetej pas, duke u zvarritur në fund të rreshtit. Po, po, e kishte parë për bukuri! I biri kishte vazhduar të vraponte në krye duke e zmadhuar distancën mes tyre hap mbas hapi. Në mendje më feksi një mendim i tmerrshëm. Po sikur ai do të kishte dashur ta hiqte qafe të atin? Sikur ta kishte kuptuar që të atin po e linin fuqitë dhe se i kishte ardhur vakti, të kishte menduar ta hiqte qafe me anë të kësaj ndarjeje, barrën që mund tia zvogëlonte shansin për mbijetesë? Në shpirt më mbiu një lutje një përgjërim për atë Zot, në të cilin nuk besoja më:

O Zot i gjithëfuqishëm, o Zot i gjithësisë, më jep forca të mos bëj kurrë atë që bëri i biri i rabinit Eliahu”…

Udhëtimi me trenin e bagëtive drejt Bukenvaldit ishte një skëterrë tjetër, vazhdim i Marshimit të Vdekjes, ndoshta edhe më i tmerrshëm se i pari!

Nëse gjatë galopit rraskapitës, 4-5 ditor në këmbë, natën, vdiqën rreth 3000 persona, gjatë udhëtimit me tren vdiqën më shumë se 7000 të burgosur!

Vagonët e bagëtive u mbushën secili me nga 100 të burgosur dhe lufta për mbijetesë çoi në vdekje të panumërta. Të burgosurit e vdekur hidheshin nga treni që të krijonin hapësirë mbijetese për të gjallët. Këtë punë e kryenin me zell të veçantë të burgosurit.

Madje, në një moment ata morën edhe babanë e Vizelit për ta hedhur. Vizel e qëllon me shpulla, I ati ishte bërë akull, nuk jepte asnjë shenjë jete. Të burgosurit këmbëngulin për ta hedhur ndërkohë që babai mezi hap pak sytë, jep shenjë jete. Varrmihësit largohen të mërzitur. Detaje të tilla mbijetese që ishin gati të vrisnin për pak hapësirë në tren kishte plot.

Udhëtimi me tren vazhdoi përmes qyteteve gjermane. Këtu ndodh një ngjarje që nuk mund të lë pa e shkruar. Punëtorët gjermanë që shkonin në punë shkëmbeheshin me trenin e vdekjes dhe kufomat e pakallura që udhëtonin në të dhe i shikonin pa kurrfarë habie!

Njëri prej tyre, nxjerr nga trasta bukën që i kishte bërë gati gruaja dhe ua hedh të burgosurve brenda trenit. Aty u bë nami! Një dyzinë burrash të dërrmuar urie luftuan për ca thërrime, si bisha grabitqare me sytë që u xixëllonin nga urrejtja kafshërore!

Punëtori e ndoqi me vëmendje shfaqjen.

Cirku nxiti punëtorë të tjerë të imitonin të parin. Me dhjetëra copa buke prodhuan një shfaqje të paparë sesi këta kocka njerëzore ishin gati të vritnin njëri tjetrin për një koriçkë bukë…

Një copë ra edhe në vagonin e Vizelit. Djaloshi nuk lëvizi, ishte i bindur se nuk i kishin mbetur thërime fuqie për të luftuar me atë duzinë të uriturish që të çanin.

Jo edhe larg tij, një i burgosur po zvarritej këmbadorasi pas luftimeve për koriçkën. Dukej i dëmtuar dhe shkrimtari mendoi se po jepte shpirt. Por, pas pak kuptoi se i burgosuri fshihte një copë koriçkë të fshehur në gjoksin e tij. Me një shpejtësi të rrufeshme e nxjerr koriçkën dhe e kullufit në gojë nga frika se dikush do ta sulmonte. Fytyra i shndriti për një çast, një buzëqeshje që i ngjante më shumë një ngërdheshjeje ia ndriti fytyrën bojëhiri. Befas u shua menjëherë. Një hije iu afrua pranë tij. Kjo hije iu hodh përsipër. I trembur nga goditjet plaku zuri të qante e përgjërohej:

“O Majer, Majeri im i vogël….Nuk po më njeh? Po ia merr shpirtin babait tënd të gjorë…Gjeta bukë… edhe për ty…edhe për ty….”

Plaku rrëzohet përtokë. Në grusht ai shtrëngonte akoma fort një kore bukë. U përpoq ta ngrinte ta fuste në gojë por tjetri iu hodh përsipër. Burri plak seç mërmëriti rënkoi dhe dha shpirt. Askujt nuk iu bë vonë fare. I biri e kontrolloi mirë e mirë, ia mori koriçken e bukës dhe nisi ta kullufiste. Por edhe ai nuk e vazhdoi dot gjatë. Dy burra nuk ia kishin shqitur sytë për asnjë çast. Ata i kërcyen përsipër. Të tjerë të burgosur i pasuan me zell. Kur u zmbrapsën, në fund të kësaj skene makabre dy trupa dergjeshin të palëvizur.

Ishin babë e bir.

********

Dhe më në fund, pas mbërritjes në Bukenvald, ndodh momenti më i trishtueshëm i Vizelit, vdekja e babait të tij. Ai kishte mbërritur më shumë i vdekur sesa i gjallë në fund të atij udhëtimi, as mendohej mbijetesa e tij përtej disa ditëve. Një natë të tmerrshme, kur vdekja e kishte marrë ndër krahë dhe po jetonte orët e jermit të fundit ndodh episodi i mëposhtëm i rrëfyer nga shkrimtari te libërthi “Nata”:

Ishte nata më e llahtarshme e shkrimtarit. 28 Janar 1945,

Bukenvald. Ja si e përshkruan Vizel atë kujtim turpi që do ta mbartë gjithë jetën me vete:

“Më kujtohet fare mirë ajo natë, më e llahtarshmja e jetës sime.

“Elizer, o biri im, eja këtu! Dua të të them diçka… Vetëm ty… Eja, eja, mos më lër vetëm…! Elizer…”

Ia dëgjova mirë zërin dhe e rroka kuptimin e fjalëve të tij, edhe përmasën tragjike të çastit. Por megjithatë nuk luajta vendit.

Kishte qenë dëshira e tij e fundit për të më pasur pranë gjatë agonisë së tij, në çastin kur shpirti po i shkëputej nga trupi I bërë copë dhe prapëseprapë unë nuk ia plotësova dëshirën.

Kisha frikë.

Isha i friguar nga goditjet.

Prandaj edhe e bëra veshin e shurdhër përpara përgjërimeve të tij.

Në vend që të flijoja jetën time të mjerë dhe të turresha për tiu gjendur pranë, për t’ia marrë dorën në timen, për t’i dhënë pak zemër duke i treguar se nuk duhej të ndihej i braktisur, që po i gjendesha pranë dhe po ndaja brengat me të; në vend të ketyre gjërave unë qëndrova i shtrirë në kurriz, duke iu lutur Zotit ta bënte tim atë të pushonte, të mos më thërriste më në emër, të pushonte së përgjëruari e së qari. Kaq shumë frikë kisha se mos ngjallja tërbimin e esesit.

Në të vërtetë im atë nuk ishte më i ndërgjegjshëm. Dhe prapëseprapë, zëri i tij vajtues dhe I bezdisshëm vazhdonte të shponte heshtjen duke thërritur emrin timdhe askënd tjetër.

-“Hë pra? Esesi kishte shpërthyer në tërbim dhe po e godiste tim atë në kokë. Rri urtë plakush i dreqit. Mbylle gojën”!

Im atë nuk i ndjente më goditjet e dajakut; ato i ndieja unë, e megjithatë nuk lëviza as gishtin e vogël. E lejova esesin ta zhdëpte tim atë në dru. E lashë tim atë vetëm në kthetrat e vdekjes. Më keq akoma: isha I inatosur me të, sepse kishte bërë zhurmë, sepse kishte qarë, sepse kishte provokuar zemërimin e esesit…

“Elizer… eja Elizer. Eja, mos më lër vetëm…”

Zëri i tij kishte mbërritur te unë nga shumë larg dhe njëkohësisht edhe aq afër. Por unë nuk kisha luajtur vendit. Kurrë nuk do t’ia fal vetes këtë gjë. Kurrë nuk do t’ia fal as botës, që më kishte vënë me shpatulla për muri, që më kishte shndërruar në një të huaj, që kishte zgjuar te unë instiktet më të ulëta e më primitive….Fjala e fundit kishte qenë emri im, një thirrje për ndihmë të cilës unë nuk iu përgjigja…

Më 29 Janar në shtratin e tim eti dergjej një tjetër i sëmurë. Ata duhej ta kishin larguar prej andej herët në agim dhe e kishin dërguar në krematorium.

Ndoshat akoma duke marrë frymë…/ KultPlus.com

“Falsifikatorët”, filmi që fitoi Oscar vjen në Ditën e Përkujtimit

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë dhe Ambasada e Republikës së Austrisë në Tiranë organizojnë sot, shfaqjen e filmit “Falsifikatorët”.

“Falsifikatorët” me regji të Stefan Ruzowitzky, është një prodhim austriako-gjerman. Filmi bazohet në një ngjarje të vërtetë, në kampin e përqendrimit Sachsenhausen dhe tregon për programin më të madh të falsifikimit të parave nga nacionalsocialistët, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ky program falsifikimi parash prej nazistëve njihet si “Aksioni Bernhard”.

Filmi trajton një aspekt pak të njohur të historisë së Holokaustit dhe njëkohësisht ngre pyetje thelbësore për jetën aktuale: pyetje për humanizmin dhe kurajon civile, për përshtatjen dhe rezistencën.

Filmi “Falsifikatorët” u vlerësua në vitin 2008 me çmimin Oskar si “Filmi më i mirë i huaj”.

“Falsifikatorët do të shfaqet pasditen e sotme, në Kinema “Millennium”, në gjuhën origjinale, me titra shqip./atsh/KultPlus.com

Begaj pret këngëtaren Anna Oxa: Në çdo fjalë përcjell dashurinë për Shqipërinë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti sot në Presidencë këngëtaren me origjinë shqiptare Anna Oxa.

Kreu i Shtetit u shpreh se artistja italiane me famë botërore, Oxa në çdo fjalë përcjell si muzikë dashurinë për Shqipërinë.

“Ditë e veçantë sot në Presidencë me shqiptaren nga rrënja e Shqipërisë, Kruja, artisten italiane me famë botërore, Anna Oxa, dhe familjen e saj. Në çdo fjalë ajo përcjell si muzikë dashurinë për Shqipërinë, amanet që po e trashëgon”, shkruan Begaj në një postim në rrjetet sociale.

Në vitin 2020 Anna Oxa (Hoxha) ka marrë pasaportën shqiptare nga dora e kryeministrit Edi Rama.

Ajo ka jetuar gjithë jetën e saj në Itali dhe ka zhvilluar karrierën si këngëtare, por origjinën e saj nga Kruja nuk e ka harruar kurrë./atsh/KultPlus.com

Agim Qirjaqi, artisti poliedrik dhe elegant i skenës dhe ekranit

Teatri Kombëtar kujtoi sot aktorin e shquar Agim Qirjaqi, në ditën e tij të lindjes.

Qirjaqi lindi në Kolonjë, më 27 janar të vitit 1951. Pas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, më 1973 filloi punën si aktor në Teatrin Kombëtar. Në skenën e TK, Agim Qirjaqi luajti me sukses shumë role të dramaturgjisë sonë dhe asaj botërore si: “Familja e peshkatarit”, “Orët e Kremlinit”, “Hijet e natës”, “Rikardi III”, “Fando e Lis”, “Marrëzia e madhështisë”, “Këngëtarja tullace”, “Armiku i Popullit” etj.

Në sezonin artistik 2002-2003, Agim Qirjaqi ishte edhe drejtor i Teatrit Kombëtar.

Ai skaliti në kujtesën e publikut një mori karakteresh të skenës dhe ekranit, duke u bërë një burim krenarie për kulturën dhe kinematografinë shqiptare. Agim Qirjaqi është vlerësuar me titullin “Artist i Merituar” ndërsa pas vdekjes u vlerësua edhe me dekoratën “Nderi i Kombit”. Ndër rolet më të spikatura të tij në kinematografi mund të përmenden: drejtori tek “Lulëkuqe mbi mure”, profesori tek “Apasionata”, komediani tek “Tela për violinë”, Ethemi tek “I dashur armik”, etj.

Agim Qirjaqi u nda nga jeta më 28 mars të vitit 2010./atsh/KultPlus.com

‘Po, unë kam qenë shumë i sëmurë, por pse më thoni se kam luajtur mendsh, se jam çmendur’

Edgar Allan Poe

(Tale Heart-1843)

-Është e vërtetë. Po, unë kam qenë i sëmurë, shumë i sëmurë. Por, ju pse më thoni se kam luajtur mendsh, se jam çmendur?

A s’e shihni se unë jam plotësisht në rregull? A s’është e qartë që s’jam i çmendur? Sëmundja vërtet m’i ka bërë më të forta e më të fuqishme mendjen, shqisat e ndjenjat. Sidomos shqisën e dëgjimit, edhe më të fuqishme. Unë dëgjoj zëra që s’i kisha dëgjuar më parë. I dëgjoj zërat nga parajsa, zërat nga ferri.

-Dëgjo! Dëgjo, do të të tregoj si ndodhë. Ke për të parë e për të dëgjuar sa e kam mendjen në vend.

E pashpjegueshme si erdhi në fillim ideja në kokën time.

Nuk arsyetohet ajo çfarë bëra. S’e kam urryer plakun. Përveçse e kam dashur. Nuk më ka lënduar. S’i kam dashur paratë e tij. Mendoj se ishin sytë e tij. Dukeshin si sygrabitës, sytë e atyre shpezëve të trishtueshme që shikojnë e presin derisa kafsha ngordh dhe më pas e hedhin poshtë të bëhet copa për ta ngrënë.

Kur më shikoi plaku me ata sygrabitësi, një ndjesi e ftohtë m’u ngjit poshtë e lartë shpinës, derisa edhe gjaku u ftoh. Kështu që, përfundimisht vendosa t’i mbyllja ata sy: ta vras plakun!

Pra, ju mendoni se jam i çmendur? Një i luajtur mendsh nuk planifikon. Por, ju më keni ndjekur mua. Gjatë gjithë javës, shoqërohesha me plakun, isha i afërt, i dashur me të, pra, aq sa mund të isha.

-Çdo natë rreth orës dymbëdhjetë ngadalë e hapja derën e tij. Dera ishte e hapur aq sa mund të futja brenda dorën, pastaj, kokën. Në dorë mbaja një dritë të mbuluar me një cohë që s’e lejonte të shpërndahej më shumë. Qëndrova qetësisht. Pastaj, kujdesshëm, largova cohën pakëz, që të kalonte tek ata sy një vijëz e hollë dhe e vogël e dritës.

-Shtatë net e bëra këtë, shtatë net të gjata, cdo herë në mesnatë. Pasiqë sytë ishin gjithmonë të mbyllur, e kisha të vështirë të kryeja punë. Sepse nuk ndjeja ta vrisja plakun, ishte syri i tij. Syri i tij i Djallit.

– Dhe çdo mëngjes shkoja në dhomën e tij, e pyesja si kishte fjetur, me një të folur të ngrohtë e miqësore. Ai as që e merr me mend se çdo natë, në orën dymbëdhjetë, hyja brenda dhe e shihja si flinte. Në natën e tetë, që kur e hapa derën, isha më shumë se zakonisht i kujdesshëm. Akrepat e orës lëvizën më shpejtë se sa dora ime. Asnjëherë më parë nuk e kisha ndjerë kaq fort fuqinë time; për sukses tani isha i sigurt.

Plaku rrinte shtrirë, pa imagjinuar se jam në derë. Befas lëvizi në shtrat. Ju mendoni se u frikësova. Por, jo. Errësira ishte e madhe në dhomë. E dija që s’e shihte hapjen e derës. Unë vazhdova ngadalë e lehtë, të shtyeja derën. E futa kokën. E futa dorën me dritën e mbuluar. Papritmas plaku u drejtua në shtrat dhe qau, “Kush është aty”??!

Ende qëndrova i heshtur. Nuk lëviza për disa orë. As s’e dëgjova të shtrihej prapë në shtrat. Veç rrinte duke dëgjuar. Pastaj, dëgjova një zë nga plaku, një klithmë, një e qarë frikeje. E dija që rrinte ulur, mbushur me frikë në shtrat; e dija se ai e dinte që isha aty. S’më shihte. S’më dëgjonte. Më ndiente. E dinte se Vdekja ishte aty.

Dalëngadalë, pak nga pak, derisa një dritë e vogël të binte në ata sygrabitës, e largova cohën. Mënyra se si më shikonte drejt, me sy të shqyer, sa e shtonte zemërimin tim. Fytyrën e plakut s’e shihja. Vetëm atë sy, syrin e kaltër të errët dhe në trupin tim m’u ngri gjaku.

A s’ju pata thënë se të dëgjuarit u bë i fortë, në mënyrë të pazakontë? Si tingullin e një ore përtej murit, dëgjoj tinguj të shpejtë, të ulët, të lehtë.

Ishte e rrahura e zemrës së plakut. Provova të heshtë. Por, tingulli rritej më shumë. Frika e plakut duhet të ketë qenë më të vërtetë e madhe. Sa rritej tingulli, zemërimi im bëhej më i madh e më lëndues. Ishte më shumë se zemërim.

Zemërimi im u bë i frikshëm, në natën e qetë , në heshtjen e errët të dhomës së gjumit, për zemrën që rrahte zëshëm, e të cilën isha i sigurt se dikush duhej ta dëgjonte. Erdhi koha! Duke qarë, u vërsula në dhomë, “Vdis! Vdis!” Plaku lëshoj një klithmë frike, ndërsa unë u hodha mbi të dhe ia lidha shtrëngueshëm çarçafin sipër kokës. Zemra i rrahte ende; por buzëqesha sikur isha afër suksesit. Zemra i rrahu për disa minuta; por, më në fund e rrahura ndaloi. Plaku vdiq. Largova çarçafët dhe i mbështeta veshët mbi zemrën e tij. Nuk tingëlloi asgjë. Po! Vdiq! I vdekur si guri. Syri i tij s’ka për të më shqetësuar!

– Pra, ju thoni, jam i çmendur? Më keni parë sa i kujdesshëm isha kur e futa trupin aty ku asnjëri s’e gjen. Në radhë të parë i këputa kokën, pastaj krahët dhe këmbët. S’e lashë asnjë pikë gjaku të binte në dysheme, isha i kujdesshëm. Pjesët e trupit i futa në dyshemenë ku i hoqa tri dërrasa. Më pas, kujdesshëm, shumë kujdesshëm, i rivendosa dërrasat dhe asnjë sy njeriu s’i vëren se kanë lëvizur.

Kur përfundova punë, dëgjova se dikush ishte tek dera. Tash ishte katër e mëngjesit, por ende terr. Sido që të jetë, nuk frikësohesha, shkova poshtë të hapja derën. Në derë ishin tre njerëz, tre oficerë policie. Njëri prej fqinjëve kishte dëgjuar plakun duke klithur dhe kishte njoftuar policinë; këta të tre erdhën për të bërë pyetje dhe për të kontrolluar shtëpinë.

-I ftova policët brenda. Kam klithur në ëndërr, u thashë. Plaku ishte larg, u thashë, ka shkuar të vizitoj në fshat një shok. Kërkova nga ta të kontrollonin nëpër krejt shtëpinë, të kontrollonin mirë. Më në fund i shoqërova brenda dhomës së gjumit të plakut. Po bisedonim gjatë, u kërkova të uleshin, sikur luaja lojë me ta.

I bëra policët të besojnë tregimin tim nga sjellja ime e lehtë dhe e qetë. Kështu që, ata po rrin ulur dhe bisedonin në mënyrë shoqërore me mua. Por, u përgjigja njëjtë, gjithashtu, shpresoja të ikinin sa më shpejt. Në veshët e mi ishte një tingull i çuditshëm dhe më dhimbte koka. Flisja më shumë e më shpejt. Tingulli u bë më i theksuar. Ata ende rrinin e flisnin.

Papandehur e dija se, tingulli nuk ishte në veshët e mi, ishte veçse brenda kokës. Në atë moment duhet të jem zbehur. Flisja më shpejt dhe më fort. Gjithashtu, edhe ai u bë më i fortë. Një tingull që e njihja mirë, i shpejtë, i ulët, i lehtë, si tingulli i një ore përtej murit. U bë më i fuqishëm e më i fortë. Pse nuk shkojnë burrat? Më fuqishëm, më fort. U ngrita, rreth e rreth dhomës ecja shpejt. Që ta mbuloja tingullin e tmerrshëm, të bëja më shumë zhurmë, e shtyeja karrigën nëpër dysheme. Flisja edhe më fort. Burrat ende rrinin, flisnin, buzëqeshnin. A ishte mundur që nuk po dëgjonin??

Jo! Ata dëgjuan! Isha i sigurt. Ata e dinin. Ishin tash ata që po luanin me mua. Nga buzëqeshjet e tyre dhe nga ky tingull po vuaja më shumë se sa mund ta përballoja. Fort, më fort, edhe më fort! Papandehur, s’e përballova dot. Bëra me gisht nga dërrasat dhe qava, “Po! Po, unë e vrava atë. Ngritni dërrasat dhe do të shihni. Unë e vrava. Por, pse nuk ndalon zemra e tij së rrahuri?! Pse nuk ndalon!?”

Përktheu: Albulenë Krasniqi / KultPlus.com

Historia e panjohur e motrës së Mozartit, e cila ‘sakrifikoi’ për kompozitorin

Maria Anna Mozart motra e madhe e Wolfgang Amadeus Mozartit, do të kishte qenë emër tjetër i madh i muzikës, nëse nuk do të ishin pengesat që koha ia vinte një gruaje në karrierë atë kohë.

Edhe pse e talentuar, Maria u detyrua ta linte muzikën që të mësonte të gatuante dhe të martohej.

Në rininë e hershme, vëlla e motër luanin së bashku nëpër Evropë dhe shpesh ishte “Nannerl” (pseudonimi i saj) ajo që merrte vëmendjen e madhe të kritikëve.

Por më pas, familja vendosi ta sakrifikojë talentin e saj për të përqendruar gjithçka te djali, Volgang. Paratë nuk ishin të mjaftueshme për të financuar turnetë evropiane të të dyve dhe për këtë arsye, në moshën 18-vjeçare karriera e Maria Annas u ndërpre.

Fati i saj ishte tjetër: të martohej me një baron të pasur, të bëhej grua dhe nënë e mirë. Historinë e motrës së Mozartit, gati dy shekuj pas, e risjell vepra teatrale e shkruaj nga Sylvia Milo me titull “Mozarti tjetër”.

Duke përdorur dokumente dhe letra që i përkisnin familjes Mozart, Milo ka vendosur t’i japë zë “Nanerlit” gruas dhe artistes, muzikantes që ishte dhe asaj që mund të bëhej.

Edhe vetë Volfgangu e kishte të qartë talentin e motrës së tij: “Unë jam i habitur, nuk e dija se ishe në gjendje të kompozoje kaq bukur. Të lutem, bëj më shpesh gjëra si këto” i thoshte ai.

Për fat të keq, gjërat shkuan ndryshe dhe fundi ishte i parashikueshëm. Në atë kohë, vetëm familjet e pasur mund të kishin mundësi të investonin te një pianist. / KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të viktimave të Holokaustit

Në vitin 2005 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë që shpallte 27 janarin si ‪”Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit në nderim të viktimave ‪‎të Holokaustit”.

Kjo ditë përkujton miliona viktima të politikave të gjenocidit të Gjermanisë naziste që u kryen gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe përqendrohet në përpjekjet bashkëkohore për të luftuar urrejtjen dhe anti-semitizmin.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore rreth gjashtë milionë njerëz u vranë, në përpjekjen sistematike naziste për shfarosjen e hebrenjve. Hebrenj nga e gjithë Gjermania dhe vendet europiane të pushtuara prej saj, u grumbulluan në kampe përqendrimi, ku u helmuan me gaz, u qëlluan, u lanë të vdisnin urie.

Në kampin Auschwitz vdiqën më shumë se një milion njerëz, të vrarë në dhomën e gazit, të rraskapitur nga kushtet e pamundura të punës, ekzekutimet e shumta, rrahjet dhe torturat nga agjentët. Viktimat ishin kryesisht hebrenj, rusë, polakë dhe rom. Kampet e vdekjes, vendet e terrorit u çliruan më 27 janar 1945. Momentet e shpresës, në të cilën u gjetën rreth 7 mijë të burgosur ende gjallë, njerëzimi i kujton ende sot, pas 76 vitesh, në ditën e përkujtimit të Holokaustit. ‪‎

Roli i Shqipërisë për të shpëtuar hebrenjtë nga tmerret e holokaustit është i ditur botërisht. Shqipëria është një prej vendeve të rralla në botë ku gjatë Luftës së Dytë Botërore, u strehuan e gjetën shpëtim, jo vetëm hebrenjtë që jetonin në Shqipëri, por edhe disa mijëra hebrenj të vendeve të Ballkanit dhe të Europës Qendrore. ‪‎Muzeu Historik Kombëtar në Shqipëri i ka kushtuar një kënd të veçantë popullit hebre dhe mbështetjes së shqiptarëve ndaj tyre. / KultPlus.com

Gonxhja: Muze “Besa”, homazh për guximin dhe fisnikërinë e shqiptarëve ndaj hebrenjve

Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u shpreh se është dita të kthejmë sytë drejt një prej kapitujve më tragjikë të historisë njerëzore, duke kujtuar me nderim viktimat e pafajshme dhe duke vlerësuar aktet e guximshme të atyre që zgjodhën humanizmin përballë errësirës.

“Në këtë ditë reflektimi, nderojmë ndër të tjera edhe popullin shqiptar, i cili, i udhëhequr nga tradita e lashtë e mikpritjes dhe kodi i besës, shpëtoi duke i hapur dyert e shtëpisë qindra hebrenj nga përndjekja e pashpirt gjatë Luftës së Dytë Botërore”, u shpreh Gonxhja.

Heroizmi i shqiptarëve, një shembull i rrallë i solidaritetit dhe humanizmit, do të përjetësohet së shpejti në muzeun “Besa”, i cili do të ngrihet në zemër të Tiranës. Ky muze do të jetë më shumë sesa një hapësirë kujtese; do të jetë një urë mes së shkuarës dhe së tashmes, një homazh për guximin dhe fisnikërinë, një vend ku tradita e paqes, tolerancës dhe respektit për jetën njerëzore do të frymëzojë brezat e ardhshëm.

Ministri i MEKI-t kujtoi se, në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), ka nisur ndërtimi i Muzeut Hebraik në Vlorë, që do të hedhë dritë mbi traditat e solidaritetit dhe humanizmit të rrënjosura thellë te shqiptarët, duke paraqitur lidhjen e jashtëzakonshme midis shqiptarëve dhe komunitetit hebre këtu dhe nëpër botë./atsh/KultPlus.com

124 vjet nga vdekja e kompozitorit revolucionar, Giuseppe Verdi

Giuseppe Verdi ishte dhe mbeti i plazmuar si një prej dy majave që rrokaqiellin me famë dhe madhështi eterin operistik të shekullit XIX. Viti 2013 ishte një vit kujtese për atë që do të skaliste në memorien e brezave shtatoren më të lartë të kumtimit mjeshtëror të një shekulli.  200 vjet në të ikur e naltësuan në apogje këtë figurë emblematike. Gjunjëzohemi sot, besimplotë para kujtesës për këtë gjeni tokësor të operas italiane dhe botërore. Përbashkohemi krejt tok në këtë mbamëndje. Se kjo magji ngas në vetëdijen tonë artistike nderim të njëzëshëm, për Giuseppe Verdin, ateistin romantik, patriotin garibaldin, ngadhnjyesin vagnerian.

Ngadhnjimtari i Apenineve

Giuseppe Verdi, italian kryekëput ishte ai. Qëndroi besnik deri në fund dhe mori meritimin e mirënjohjes të gjeneratave për krejtçfarë bëri dhe la trashëgim. Kjo botë perëndishë antike dhe rilindase, e cila vinte prej një mbamëndje të pashoqe, e ngjizur në havanin 2000-vjeçar të kohërave, s’kishte sesi të ndalte vërshimin e saj uturitës në historinë e Evropës plakë. Ky shpirt Apenin do të gufonte prej humusit të brezave. Do të rilindtte një vazhdues i lavdisë dhe memories artistike që ngasi dhe dalldisi shekuj dhe breza të tërë. Ngadhnjeu mes britmash dhe harrimit, mes paradoksit dhe groteskut. Erdhi si një gurë meteotiti që do të plotësonte atë pjesë mozaiku të mrekullisë italiane. Ai, Giuseppe Verdi, fshatari që i dha frymëmarrje metropolitane operas së një shekulli. Sizifi që nuk reshti së përpjekuri. Vegjelia e mjeshtrit, hekakeqe dhe rurale, e pamundur dhe nënshtruese e përndoqi gjatë. Hera-herësh i’a përfundi shtatin. Hendeqe të thella e barriera të larta i zunë rrugën në rëndien e tij të hovshme përgjatë Golgotës së ngjizjes së talentit, atij univers që do të shpërthente përdhunshëm si një shkreptimë eterne, për të mbetur atëherë e sot një dritim shndritës, në një prej ngulmeve artistike dhe estetike më të garrametshme të kohës. Për asnjë moment, përkundër asnjë rrethane dhe vështirësie, deri dhe në kushtet e mbijetesës, Giuseppe Verdi, nuk dredhoi. Ai u përball, u kacafyt me thonj e me dhëmbë dhe triumfoi. Fitoi vetveten dhe mëtoi përbotërisht talentin dhe vitalitetin e tij shpirtëror, duke e skalitur emrin dhe veprën në memorin e kohës, në mbamëndjen e gjenialiteteve që tokësoren e tyre e ngjitën në qiejt e lavdisë.

Emblematiku i skenave operistike

Pa emrin e Giuseppe Verdit, galeria e kryeveprave operistike botërore do të ishte e mangët. I zbrazët do të ishte qielli i bruztë i shekullit XIX pa Giuseppe Verdin dhe Richard wagnerin, emrat e të cilëve nuk na lidhin vetëm me operan, por me botkuptimin dhe filozofinë e përjetimeve dhe shijeve estetike të një shekulli. Bota Apenine pa Verdin nuk do të kishte kreshtë të krenarisë prejnga do të mësynte gjeneratave dhe botkuptimeve me një shëmbëllim të kësisojtë. Sot 200 vjet më parë lindi ai, ai dhe ato; “Rigoletto”, “Traviata”, “Trovatore”, “Nabuko”, “Makbeth”, “Aida”, “Don Carlo”, “Otello”. Pa këto kryevepra të memories operistike, pa këto kumte lirike do të mbyllnin dyert ata që sot mbahen sallat e shugurimit të shenjtorëve të artit. Saora do të shterronte forca e përceptimeve ndjesore, marrëdhënia e shënjtë e njeriut me muzikën dhe densitetin emocional që shpërthente nëpër këto salla, për tu kthyer më pas në energji dhe vitalitet vërshimi ndryshues dhe përqafës.

Viti 2013, viti “Viva Verdi”

Viti 2013 është viti verdian. Dyqindëvjetori i lindjes së Giuseppe Verdit u përkujtua dhe vazhdon të mbush sallat koncertore dhe operistike me shpirtin e kredhur në kryeveprat e tij. Në çdo cep të globit, ai do të rivijë në të tashmen e këtij brezi, mbamëndje dhe trashëgimi universale e njerëzimit. Në Italinë mëmë, “Viva Verdi” përciku me aktivitetet përkujtuese pëllëmbë për pëllëmbë Gadishullin Apenin. Nga Parma, vendlindja e kompozitorit më 12 janar, me një ballo me maska startoi ky vit festiv, për tu përmbyllur me Traviatën që do t’i besohet  Daniele Gatti, në La Scala më 7 dhjetor 2013.

Giuseppe Verdi (1813-1901) është kompozitori me njohur i operës italiane dhe asaj botërore. Ai mbetet i tillë jo vetëm në kufinjtë shpirtëror dhe kalendarik të shekullit të XIX. Kapërceu me sharmin dhe kumtin e tij shekuj dhe gjenerata. Shkroi me shpirt dhe pasion ata që do të jenë sot e në përjetësi pjesë të fondit të artë të historisë së operas.

Vegjelia e mjeshtrit të madh

Giuseppe Verdi u lind me 10 tetor 1813 në fshatin La Ronkole të Italisë Veriore, në një familje të varfër. Prirja dhe dashuria e tij për muzikën u shfaqen qysh heret. Shkollimi i këtij vullneti ngashërues u vu përballë pamundësishë dhe vështirësishë. Paradoksale por jo e panjohur, kjo ngase ai kishte origjinë nga fshati. Në moshën 18-vjeçare dëshiron të regjistrohet në konservatorin e Milanos, por u refuzua për shkak se e kishte kaluar moshën e paraparë dhe se nuk zotëronte mirë pianon. Për këtë arsye Verdi u detyrua që muzikën ta mësoj privatisht dhe njëkohësisht të punojë që të sigurojë mbijetesën. Në saj të talentit të rrallë dhe zellit të madh, Verdi arriti të kompenzonte mësimet që do t’i bënte në konservator. Meqë punonte si instrumentist në qytetzën Buseto, arriti të krijonte operat e para që do të shfaqeshin në Milano. Veç punës për ngritjen profesionale, lexonte veprat e Hygos, Sherlit, Dymas, Shekspirit etj, kryevepra të letërsisë botërore që do të bëheshin mbështetje për krijimin e libreteve të operave të tij të njohura.

Kompozitori revolucionar dhe patriot

Veç origjinës që e torturoi, paradoksalisht rrugëtimin e tij promovues do ta tensiononte, por edhe do ta lartësonte pozita historike e Italisë. Verdi jetoj në kohën kur populli i tij po luftonte për çlirimin dhe bashkimin e atdheut. Ndaj kjo e bëri atë dëshmimtar dhe pjesëmarrës të zedhshëm në këto përpjekje dhe përleshje. Faza e parë e krijtarisë së Verdit frymëzohet nga këto ngjarje, ngjizej sakaq në flakadanin e kësaj “kacafytje”. Kësisoj kjo etapë mund të quhet si etapa revolucionare e Verdit. Asokohe ai arrin suksesin e vet të parë me operën “Nabuko”, e cila me përmbajtjen e saj alegorike aludonte lëvizjen revolucionare të Rilindjes. Nga kjo kryevepër operistike, emri i Verdit u be siombol i kësaj levizje që shprehej me “VIVA Vitori Emannuel”, mbreti i Italisë. Pra i brohorisnin mbretit të Italisë, në vend të atij të Austrisë, nën sundimin e të cilit osohere ishte Italia. Korali nga opera Nabuko këndohej si kënge patriotike nga masat italiane, duke e vendosur sakaq shpirtin verdian në vijën e parë të frontit patriotik.

Kapërthimi në kreshtën e lavdisë

Pas suksesit të parë të madh radhiten operat e tjera të Verdit, i cili u bë i njohur dhe i popullarizuar, jo vetëm në Itali por në të gjithë Evropën. Mjeshtri dallon nga bashkatdhetaret e vet, kompozitorët, të cilët vite të tëra jetonin dhe krijonin larg atdheut. Ai tërë jetën e tij e kaloi në atdhe, Itali, lidhur ngusht me popullin si një patriot i vërtetë. Ai u përkushtua sakaq në njohje me historinë e vendit të tij mbi te gjitha muzikën popullore dhe artistike të traditës, prej së cilës hoqi disa mangësi eventuale që vëreheshin, veçanërisht në operat seri. Ai bëri sintezën e vetive pozitive të operës italiane, veçmas duke ruajtur traditën e bel kantos, jo për qellim në vetvete, por për shërbim të përmbajtjes.

Meloditë e operave të Verdit ishin të çliruara nga virtuoziteti dhe koloraturat e tepruara dhe të dominimit të muzikës mbi përmbajtjen. Këto dy komponent njësues ishin të mishëruara mesvedi, ndaj ai me vëmendje zgjodhi tekstet që do t’i kompozonte, dhe bashkëpunoi ngusht me libretistin Piave dhe me shkrimtarin dhe kompozitorin Arigo Boito. Thelloi njëkohësisht anën dramatike dhe psikologjike të karaktereve të protagonistëve të operave të tij. Muzika e Verdit mbështetej veçmas në burimoren e traditës. Kësisoj ai erdhi për të mbetur një faktor i rëndësishëm i afrisë me njerëzit e thjeshtë. Kujtojmë kushtet dhe rrethanoren e asokohëshme, kur opera ishte një art vetmitar i ngushëllimit të tragjikes së një brezi.

Verdi kompozitori patriot

Origjina e tij do ta mbante shpirtërisht dhe artistikisht të lidhur me Italinë dhe popullin italian, historinë dhe traditën e kombit. Edhe vetë Verdi është kompozitor nacional me vlera polinacionale. Qysh gjate jetës se tij ai u bë i njohur dhe i popullarizuar si një ndër fytyrat më të njohura të Italisë dhe të Evropës. Pleqërinë e thellë e priti të qetë dhe pa trazira. Vdiq në moshë të shtyrë më 1901. Ai kompozoi 26 opera dhe një rekuiem të njohur. Të gjitha operat nuk kanë përmbajtje të përhershme. Në fillim dhe në mbarim të jetës së tij kompozoi opera komike ndërsa pjesa tjetër (shumica absolute) kane një përmbajtje serioze dhe disa sosh janë edhe tragjedi. Operat me të njohura të cilat radhiten ndër kryeveprat e muzikës operistike të botës janë: Nabuko, Rigoleto, Trubaduret, Traviata, ballo me maska, Aida, Othello Falstaf opere komike.

Në historinë e gjate të operës, Verdi zë vend të nderit, sepse arriti të bashkojë traditat me të bukura të operës Italiane, të mbetet thellësisht kombëtar, t’u shmanget elementeve negative të operës Italiane, të absorbojë elementet pozitive që ishin shfaqur ne artin e operës në shekullin e XIX, madje edhe disa elemente te reformës se Vagnerit dhe të realizimit të letërsisë së kohës.

Verdi dhe Wagneri polet e universit operistik

Ata ishin dhe mbetën më të mëdhenjt e një shekulli. Shkruesit me të zellshëm të historisë së operas evropiane dhe botërore. Ata jetuan si një binom paradoksal. Verdi dhe Wagneri, ishin udhëheqësit e shkollave të tyre përkatëse të muzikës. Dukshëm ata nuk e durojnë njëri-tjetrin në masë të madhe, edhe pse kurrë nuk u takuan. Komentet e Verdit mbi Wagner dhe muzikën e tij janë të pakta dhe aspak mirëdashëse “Ai gjithmonë zgjedh, të panevojshmen, rrugën e braktisjes, duke u përpjekur për të fluturuar ku një person racional do të ecte me rezultate më të mira, shkruan Verdi. Me të mësuar ndarjen nga jeta të Wagner, Verdi e derdhi brendinë: “Sad, i trishtuar, i trishtuar! Një emër që do të lërë një përshtypje të fuqishme në historinë e artit.” Prej komenteve të Wagner-së mbi Verdi, vetëm një është e mirënjohur. Pas dëgjimit të Requiem të Verdit, gjermanisht, pjellor dhe elokuent, në komentet e tij me disa kompozitorë të tjera deklaroi, “Ajo do të jetë e mirë për të mos thënë asgjë.”. I tillë ishte Wagner, sepse sintesë e këtij shpirti ishte dhe “Tristani dhe Izolta”, tragjik.

Verdi më shumë se një kujtesë

Sot kur njëzëshëm dhe vullnetlirë thërrasim dhe pranojmë atë, Giuseppe Verdi, si një korife i operas italiane dhe botërore, kujtesa do të ishte një prekje e përciptë e ngulmit që rreket të rrok të tashmën e një gjenerate. Ne i jemi më së shumti mirënjohës. Italia do t’i jetë borxhli, Giuseppe Verdit, atij që nuk i’a ktheu shpinën kurrë, atij që e ngriti me pasion dhe përkushtim vendlindjen e tij në pjedestalin e universit operistik. Mirënjohje dhe respekt për mjeshtrin, lirikun dhe romantikun ngadhnjimtar të shekullit XIX. /Albert Vataj /KultPlus.com

Mozarti, gjeniu që u gropos në varr të përbashkët dhe la pas një vdekje të mistershme

Një nga gjenitë e muzikës, një nga magjistarët e këtij arti magjepsës, ai që do të mbetet përjetësisht një ëndje e gjeneratave si mjeshtri i mjeshtrave, ai, Wolfgang Amadeus Mozart, iku duke lënë pas më shumë se trishtim. Iku në një rrugë pa kthim dhe humbi në asgjënë e harrimit atë mbasdite të sertë dhjetori.

Iku për të mbetur pa varr. I’u dha një lamtumire aspak dinjitoze. Gjithçka e madhështisë së tij ishte katandisur në një asgjë 5 dhjetorin e vitit 1791, atë ditë kur kortezhin e përmortshëm e shpartalloi stuhia duke lënë pa zot arkivolin me trupin e pajetë të gjeniut.

Plot 118 diagnoza vdekjeje u përpiluan dhe krijuan panoramën morte të fundit të këtij gjeniu. Asnjëra prej tyre nuk u bë provë më shumë se sa ajo për të cilën shtypi vjenez pëshpëriti, ditë e vite më pas.

Ai që kishte mrekulluar e magjepsur një shekull të tërë kishte përfunduar në një varr të përbashkët. Një vdekje e mbetur mister, pas të cilës ngrihet alibia e një helmimi nga rivali dhe armiku i tij i përjetshëm, Antonio Salieri. Një lamtumirë e ndëshkuar nga moti dhe një pasvdekje që rrit famën e muzikës së tij, dhe bën me faj gjithçka që gëloi më pas, ndoshta më shumë se askënd bashkëshorten e tij.

Ishte ajo, Kostanca, e cila u nda jo me aq dhimbje nga bashkëshorti i saj, se sa me merakun për të përfituar nga emri dhe nga pasuria muzikore që Mozart kishte lënë. Pasi kishte përfituar pension, kishte hequr qafe fëmijët duke i degdisur ata të rriteshin pa prindër, plot 18 vite nga vdekja e bashkëshortit ajo kujtohet të shkojë në varrezat e Shën Markut ku gjeniun e muzikës, të nesërmen e ceremonisë mortore, varrmihësi e kishe hedhur arkivolin me trupin e tij në një gropë të madhe e të thellë. Ishte ajo gropë ku zakonisht varroseshin vrasës, lypsarë e të pastrehë që ngrysnin ditët e mjera të agonisë në shtretër spitalesh apo shtëpi bamirësie.

Kostanca Mozart ishte kujtuar shumë vonë për varrin e të shoqit. Kishin kaluar kaq vite. Kujdestari plak që atë mëngjes të 6 dhjetorit të vitit 1791 së bashku me arkivolet e tjerë të pjesës mjerane të shoqërisë kishte hedhur në gropën e përbashkët gjeniun e muzikës, nuk jetonte. Ajo, gruaja që u nda së gjalli e së vdekuri me njeriun që e bëri atë të pavdekshme, e kishte të pamundur mes atyre kockave, të gjente ato të bashkëshortit, atë grusht eshtra që ajo i kishte bluar dhe ngrënë për 18 vite pa u brejtur në ndërgjegje as si nënë, as si bashkëshorte.

Dhe kështu, historia e artit, bota e muzikës, kujtesa e kohërave u ndanë me Wolfgang Amadeus Mozart kaq tragjikisht, për të mbetur përgjithnjë të mbështjellë nga aureola e famës së tij, nga magjikja e muzikës që la testament njerëzimit.

Nata misterioze

Në vitin 1791 një i panjohur i tha Mozartit:

– Shkruamëni një Rekuim.

Tha këto fjalë misterioze dhe i panjohuri iku, pa u dukur fare sikurse edhe kishte ardhur dhe nuk u pa më.

Mozarti pati një mbresë të thellë nga ky takim. E shkroi Rekuimin me një forcë misterioze dhe pak ditë më vonë vdiq.

Ditën që vdiq Mozarti ishte një furtunë e madhe që vazhdoi edhe të nesërmen. Kjo pengoi edhe njerëzit më të afërm që të merrnin pjesë në varrim. Të vdekurin e çuan në varreza të pashoqëruar puthuaj nga asnjeri.

Tri ditë më vonë e shoqja shkoi në varreza për të parë vendin ku ishte varrosur burri i saj.

– Wolfgang Amadeus Mozart? – pyetën varrmihësit.- Nuk e kemi dëgjuar këtë emër dhe nuk kemi varrosur njeri me këtë emër.

Mozartin e madh, në atë stuhi të tmerrshme të natyrës e kishin varrosur shpejt e shpejt në një varr të zakonshëm ku shiu i zhduku shenjat e grumbullimit të dheut. Edhe sot nuk dihet me saktësi vendi se ku pushojnë eshtrat e kompozitorit të shquar. /Albert Vataj/ KultPlus.com

‘Duke ardhur’, poezi motivuese nga Philip Larkin

“Duke ardhur” nga Philip Larkin vlerësohet si një nga poezitë më të bukura dhe motivuese. Autori edhe pse shprehet i mërzitur prej ngjarjeve të jetës së tij, beson se së shpejti do të vijë pranvera dhe do të ndihet si një fëmijë, do të jetë më i lumtur. Besime të tilla janë ato që dallojnë një optimist nga pesimisti dhe teksa kalon nga vargu në varg, e ndien se autori këmbëngul tek idetë optimiste, duke na bindur se duhet të jemi të tillë.

“Duke ardhur”
Sa shumë po zgjaten mbrëmjet,
Drita e verdhë dhe e ftohtë
Lag ballin e qetë të shtëpive.
Te pema e dafinës,
Në kopshtin e zhveshur
Këndon një mëllenjë.
Zëri i saj i ri të befason,
Muri me tulla.

Së shpejti do të vijë pranvera,
Së shpejti do të vijë pranvera.
Dhe unë me fëmijërinë time për dore,
Harruar prej mërzisë,
E ndiej veten si një fëmijë,
Që vjen pikërisht
Kur të rriturit bëjnë paqe,
Dhe nuk kupton asgjë,
Përveç një buzëqeshje të pazakontë,
Dhe fillon të jetë i lumtur.

Pse turizmi hapësinor mund të mos jetë aq i largët sa mendohet

Në inaugurimin e tij, Presidenti i SHBA, Donald Trump, u shpreh për planet ambicioze për të vendosur një flamur amerikan në Mars. “Ne do të ndjekim fatin tonë të dukshëm në yje,” tha ai të hënën, duke shtuar: “Duke nisur astronautët amerikanë për të mbjellë yje dhe vija në planetin Mars.” Ky koment shkaktoi një reagim të fuqishëm nga Elon Musk, CEO i Tesla dhe SpaceX, i cili ka pasur gjithmonë një vizion për të realizuar kolonizimin e Marsit. Në një fjalim pas inaugurimit, Musk, duke e përshëndetur këtë deklaratë, tha: “A mund ta imagjinoni se sa e mrekullueshme do të jetë që astronautët amerikanë të vendosin flamurin në një planet tjetër për herë të parë?”

Por sa afër jemi në të vërtetë për të dërguar njerëz në Mars? Dhe cilat janë shpresat për njeriun në rrugën e një udhëtimi në hapësirë? Këto pyetje janë bërë gjithnjë e më të pranishme ndërsa turizmi hapësinor po bëhet një realitet dhe mundësitë për të udhëtuar jashtë Tokes po rriten.

Turizmi Hapësinor – Një Realitet i Re

Turizmi hapësinor ka qenë një temë e diskutuar për shumë vite, por tani është më afër se kurrë. Turisti i parë hapësinor, Dennis Tito, bëri udhëtimin e tij në hapësirë më shumë se një çerek shekulli më parë, kur ai iu bashkua misionit Soyuz TM-32 në prill 2001. Që atëherë, rreth 60 turistë kanë udhëtuar në hapësirë, shumica e tyre në harqe suborbitale, duke lëvizur për pak kohë jashtë atmosferës përpara se të kthehen në Tokë.

Virgin Galactic, kompania e pasur të miliarderit Richard Branson, ka qenë një lider në këtë fushë, duke lansuar fluturimet e saj komerciale në vitin 2004. Megjithëse ka hasur disa pengesa gjatë viteve, kompania ka realizuar me sukses shtatë fluturime komerciale gjatë dy viteve të fundit me aeroplanin e saj hapësinor VSS Unity. Këto fluturime janë shumë larg udhëtimeve që çojnë në Hënë, por arritjet janë një hap i rëndësishëm për turizmin hapësinor. VSS Unity udhëton në rreth 90 km mbi sipërfaqen e Tokës, e cila është përkufizimi i NASA-s për hapësirën, e cila përcaktohet si 80 km mbi nivelin e detit. Megjithatë, sipas Fédération Aéronautique Internationale (FAI), hapësira fillon në 100 km.

Një tjetër nismë ka ardhur nga miliarderi i Amazon, Jeff Bezos, me kompaninë e tij Blue Origin. Raketa e pasagjerëve e ripërdorshme New Shepard ka realizuar tetë fluturime hapësinore me ekuipazh që nga viti 2021, duke bërë që udhëtimi në hapësirë të jetë më afër për pasagjerët e pasur.

Në anën tjetër, SpaceX e Elon Musk ka zhvilluar një program ambicioz për eksplorimin ndërplanetar. Me raketat e saj Falcon 9 dhe anijen kozmike Crew Dragon, SpaceX ka realizuar fluturime me ekuipazh në hapësirë dhe ka bërë lidhje me Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS). Anija Crew Dragon është projektuar për të qenë e automatizuar dhe e lehtë për përdorim nga civilët pa pasur nevojë për trajnime të thella.

Por sfidat më të mëdha që përballen këto kompani janë ato që lidhen me udhëtimet ndërplanetare, sidomos në Mars. Mars është objektivi kryesor për Musk dhe SpaceX, i cili ka theksuar shpesh se qëllimi i tij është të bëjë jetën njerëzore shumëplanetare, duke e kolonizuar Marsin. “Historia do të dyfishohet në dy drejtime. Një rrugë është që ne të qëndrojmë në Tokë përgjithmonë dhe më pas do të ketë një ngjarje eventuale zhdukjeje. Alternativa është të bëhemi një qytetërim hapësinor dhe një specie me shumë planetë,” ka thënë Musk.

Turizmi Hapësinor në Të Ardhmen: Teknologji dhe Etikë

Kur bëhet fjalë për të bërë turizmin hapësinor më të aksesueshëm për masat, teknologjia është thelbësore. Dhe falë të dy presidentit Trump dhe ndihmësi të tij Elon Musk që po përpiqen të përshpejtojnë zhvillimin e kësaj industrie, mund të shohim përparime të shpejta në vitet që vijnë. Sipas Dr. Annette Toivonen, një ekspert i turizmit hapësinor nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara Haaga-Helia, “Ka një qëndrim të ri mbështetës për zhvillimet që vijnë nga Amerika. Kjo do të sjellë me vete gjëra të mira dhe të këqija.” Teknologjia, thotë ajo, do të evoluojë me shpejtësi, por ka edhe pyetje të mëdha që duhet të adresohen, si etika dhe ndikimi mjedisor i këtyre udhëtimeve.

Nëse turizmi hapësinor do të bëhet më i përhapur dhe më i arritshëm për një numër më të madh njerëzish, do të varet nga përparimet teknologjike dhe zhvillimi i sistemeve që mund të bëjnë udhëtimet më të lira dhe më të qëndrueshme. Megjithatë, Dr. Toivonen thekson se një eksperiencë e tillë mund të ketë ndikime pozitive në perceptimin e mjedisit nga pasagjerët e pasur që udhëtojnë në hapësirë. Ata mund të shohin për së afërmi fragjilitetin e planetit tonë dhe ndikimet e ndotjes, duke ndryshuar përfundimisht mënyrën se si ata mendojnë për mjedisin.

Fluturimi në Mars: Akoma Një Mision i Largët?

Pavarësisht entuziazmit, shumë ekspertë janë të mendimit se fluturimi me njerëz në Mars është ende një mision i largët. Dr. Toivonen e cilëson këtë si një “mision të pamundur” për momentin, duke shtuar se teknologjia e nevojshme nuk është ende në dispozicion dhe kostoja e një misioni të tillë është shumë e lartë. Për krahasim, misioni i parë amerikan në Hënë, në vitin 1969, kushtoi 25.8 miliardë dollarë (të barabartë me rreth 320 miliardë dollarë sot). Ky është një tregues i madh se përpjekjet për të dërguar njerëz në Mars do të përballen me pengesa të shumta.

Për më tepër, sfidat teknologjike si rrezatimi kozmik dhe mungesa e infrastrukturës për mbështetje të udhëtimeve afatgjata mbeten shqetësime të mëdha. Sidoqoftë, disa kompani si Lockheed Martin kanë zhvilluar projekte për të dërguar njerëz në Mars. Një projekt i tillë është Mars Base Camp, një vizion për një stacion hapsinor në orbitën e Marsit që mund të përdoret për eksperimentime shkencore dhe eksplorimin e planetit deri në vitin 2030.

Turizmi Hapësinor në Mars: Realitet Apo Një Iluzion?

Aktualisht, turizmi hapësinor është i rezervuar për individët më të pasur, por përparimet në teknologji mund të bëjnë që ky sektor të bëhet më i arritshëm për shumë më tepër njerëz. Virgin Galactic aktualisht ofron fluturime për 250,000 deri në 500,000 dollarë për person, ndërsa SpaceX mbajti të fshehura çmimet për fluturimet e saj më të avancuara.

Megjithatë, një sfidë tjetër që mund të bëjë të vështirë turizmin hapësinor në Mars është koha e gjatë që duhet të kalojnë udhëtarët në Mars. Hulumtimet sugjerojnë se një udhëtim i tillë mund të zgjasë më shumë se 2.5 vjet, dhe kush është i gatshëm të kalojë kaq shumë kohë jashtë Tokës?

Për momentin, turizmi hapësinor mund të mbetet një pasuri e individëve me pasuri neto të lartë, por zhvillimet e ardhshme mund të sjellin mundësi më të gjera për të gjithë./alsatm/ KultPlus.com

Koliqi, Asdreni, Fishta dhe Lasgushi në një fotografi të rrallë

Kjo është fotografia e rrallë në të cilën shihen disa nga emrat e mëdhenj të letërsisë shqipe në një fotografi të përbashkët, shkruan KultPlus.

Marie Lasgush Pogradeci, pati publikuar një fotografi të realizuar në shkurt të vitit 1938 gjatë festimeve në Shkodër, në Kinemanë Rozafa.

Në këtë fotografi mund të shihni të ulur Ernest Koliqin, tutje Asdrenin, Fishtën dhe Lasgushin. / KultPlus.com

‘Po s’qe e drejtë, mos e bëj! Po s’qe e vërtetë, mos e thuaj!’

Thënie nga Mark Aureli

“Shpesh gabon, jo vetëm ai që vepron, por edhe ai që ngurron”.

“Hakmarrja më e mirë është të mos bëhesh si personi që të shkaktoi dëmin”.

“Kur dikush të shan apo të urren, shko tek shpirti i tyre, futu brenda dhe shih se çfarë lloj njerëzish janë. Do të kuptosh se nuk ka nevojë të merakosesh për opinionin që ata kanë për ty”.

“Ti ke fuqi vetëm mbi mendjen tënde, jo mbi ngjarjet e jashtme. Kuptoje këtë, dhe do të gjesh forcë”.

“Pasojat e tërbimi janë më të rënda se shkaqet e tij”.

“Lumturia e jetës tënde varet nga cilësia e mendimeve që ke”.

“Po s’qe e drejtë, mos e bëj! Po s’qe e vërtetë, mos e thuaj!”

“Opinion i dhjetëmijë vetave nuk ka asnjë vlerë, nëse asnjë prej tyre nuk di asgjë rreth argumentit”.

“Shpirti merr ngjyrën e mendimeve të tua”.

“Të jesh i lumtur është një fuqi e brendshme e shpirtit”.

“Mos humb kohë duke debatuar se si duhet të jetë një njeri i mirë. Bëhu një njeri i mirë!”

Screenshot

Henrietta Rae, piktorja e parë që sfidoi me shpirtin krijues dhe penel epokën viktoriane

Nga Albert Vataj

Gruaja në art, ashtu si kudo tjetër, pati ëndrra, por luftoi ngadhënjyeshëm për të fituar.

Edhe Henrietta Rae mundi t’ia dilte sfidueshëm për të zënë një vend nderi në traditë britanike të pikturës.

Henrietta Emma Ratcliffe Rae u lind më 30 dhjetor 1856. Ajo ishte një piktore britanike e epokës së vonë viktoriane, e specializuar në tema klasike, alegorike dhe letrare.

Henrietta Rae u lind në Londër, nga Thomas Burbey Rae, një nëpunës civil dhe Ann Eliza Rae një muzikante që kishte qenë studente e Felix Mendelssohn. Ajo kishte tre vëllezër dhe tre motra.

Rae filloi zyrtarisht të studionte artin në moshën trembëdhjetë vjeç, duke u arsimuar në Shkollën e Artit Queen Square, Shkollën e Artit të Heatherley (si nxënësja e parë femër e shkollës) dhe në Muzeun Britanik. Rae thuhet se aplikoi në Akademinë Mbretërore të Arteve të paktën pesë herë përpara se të fitonte përfundimisht një bursë shtatëvjeçare. Mësuesit e saj atje përfshinin Sir Lawrence Alma-Tadema, i cili pati ndikimin më të fortë në punën e saj të mëvonshme, si dhe Frank Dicksee dhe William Powell Frith.

Në viti 1884 ajo u martua me piktorin dhe shokun student të Akademisë Mbretërore Ernest Normand, por mbajti mbiemrin e saj të vajzërisë – një zgjedhje e konsideruar e pazakontë në atë kohë – sepse ajo tashmë kishte filluar të krijonte reputacionin e saj si artiste, duke qenë një ekspozuese e shpeshtë në Akademinë Mbretërore vjetore. Rae dhe Normand jetonin në Holland Park, rezidenca e shumë artistëve të tjerë të asaj kohe. Vizitorët e shpeshtë përfshinin Leighton, Millais, Prinsep dhe Watts. Megjithatë, vëmendja nuk ishte gjithmonë e mirëpritur. Në kujtimet e saj, Rae përshkroi qëndrimet dhe sjelljet mbizotëruese të disa prej artistëve më të vjetër. Në një rast të tillë, Prinsep zhyti gishtin e madh në bojë blu kobalti dhe shënoi një nga fotot e Rae. Në shenjë hakmarrjeje, Rae “rastësisht” dogji kapelën e tij në sobën e saj.

Rae dhe Normand udhëtuan në Paris në 1890 për të studiuar në Académie Julian me Jules Joseph Lefebvre dhe Jean-Joseph Benjamin-Constant. Në vitin 1893, ata u transferuan në Upper Norwood, në një studio që ishte ndërtuar me porosi për ta nga babai i Normandit. Çifti kishte dy fëmijë, një djalë (lindur në 1886) dhe një vajzë (lindur në 1893).

Rae ekspozoi punën e saj në Pallatin e Arteve të Bukura dhe në Ndërtesën e Gruas në Ekspozitën Kolumbiane të Botës 1893 në Çikago, Illinois.

Rae ishte një mbështetëse e feminizmit dhe të drejtës së votës së grave. Në 1897 Rae organizoi një ekspozitë të punës së artisteve femra për Jubileun e Mbretëreshës Viktoria.

Ajo vdiq më 26 janar 1928 në Upper Norwood.