Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, në një reagim në rrjetet sociale thekson se është krenare për mbështetjen që i ofron këtyre manastireve të lashta përmes Fondit të Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore.
“Urime Shqipëri! Manastiret e Luginës së Drinos janë përzgjedhur për World Monuments Watch 2025, të zgjedhur nga 200 nominime si një nga 25 sitet që përballen me sfidat e trashëgimisë kulturore. Kjo njohje thekson rëndësinë globale të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.
Ambasada e SHBA është krenare që i mbështet këto manastire të lashta përmes Fondit të Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore, duke ndihmuar në mbrojtjen dhe rigjallërimin e tyre për brezat e ardhshëm dhe komunitetet lokale”, shkruan Ambasada e SHBA në Tiranë.
Ky fond ka për qëllim të ndihmojë në mbrojtjen, restaurimin dhe rigjallërimin e këtyre monumenteve të rëndësishme, duke mundësuar që pasuria e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë të mbetet e ruajtur për brezat e ardhshëm. Përveç asaj, mbështetja ka një ndikim pozitiv edhe për komunitetet lokale, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen e turizmit kulturor në rajon./atsh/KultPlus.com
Ishte 15 Janari i vitit 1975 kur bota shqiptare mësoi se Profesor Ernest Koliqi kishte ndërruar jetë, ndërkohë që njoftohej gjithashtu se varrimi i të ndjerit do bëhej me 18 Janar, 1975 në Kishën e Shën Piut X në Piazza della Balduina, në Romë, ku prehen edhe prindërit e tij dhe bashkëshortja. Në ceremoninë e varrimit kishin shkuar personalitete të njohura politike dhe akademike, kolegë e miq nga të gjitha anët e Italisë, arbëreshë e shqiptarë të ardhur nga të gjitha anët e botës, miq nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga një numër vendesh të Evropës Perëndimore dhe nga Turqia.
Unë kam pasë fatin e mirë ta njoh Profesor Koliqin gjatë qendrimit tim si refugjat në Romë, para se të vendosesha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe deri sa ndërroi jetë me 15 Janar, 1975, shkëmbenim letra dy tre herë në vjet. Në një letër që Profesor Koliqi më kishte dërguar në vitin 1972, pas një përpjekjeje amatore nga ana ime për të botuar një fletushkë kushtuar rinisë në mërgim, ai më shkruante ndër të tjera: “I dashtuni Fran, më kanë ra në dorë si letra e jote ashtu edhe Nr. 1 i periodikut, “Rinija Shqyptare në Mërgim”. Gëzohem pikë më së pari që je mirë, që përpiqesh të ndjekish studimet, e në fund, për botimin kushtue masës së re që larg prej Atdheut ka shumë nevojë t’ushqehet me shkrime të shëndoshta shqipe. Të lumtë! Ashtë nji fillesë plot premtime. Mbaj mend veç nji fjalë të moçme: ‘Trimi i mirë me shokë shumë’. Avit moshatarë sa ma shumë që mundesh. Në ashtë se kjo fletore do të merret edhe me letërsi, mos harro auktorët që regjimi komunist i ka përjashtue nga historia e letërsisë shqipe…” Ishte ky amaneti i tij.
Përveç respektit të madh që kam për Ernest Koliqin, është edhe ky amanet pra që më detyron të mos e harroj dhe ta kujtoj atë, nga koha në kohë, në mënyrën teme më modeste, si njërin prej të mëdhëjve të Kombit, por të përjashtuar nga regjimi komunist shqiptar. Unë nuk kam përgatitjen as nuk jam i denjë të vlerësoj veprën dhe kontributet e shumta të Ernest Koliqit, por amanetin për të mos e harruar atë si një autor të përjashtruar nga letërsia shqipe prej regjimit komunist dhe nga mbeturinat e atij regjimi deri në ditët e sotëme — përpiqem me modesti ta çoj në vend, nga hera në here amanetin e ti, për të mos harruar.
Një tjetër i madh i letrave shqipe, Karl Gurakuqi, bashkpuntor i ngusht i tij, e ka vlerësuar kontributin prej shkrimtari të Ernest Koliqin kështu: “Nuk janë shumë shkrimtarët tonë, emni i të cilëve të njihet aq mirë në shtresat letrare shqipe sa ai i Koliqit. Janë 40 vjet që papremas e shohim emnin e tij në çfaqje kulturore gjithëfarësh, në botime, në fletore e revista të ndryshme, disa prej të cilave janë themelue prej tij vet, në botime që janë të paracaktueme që të zënë nji vend të dukshëm, dashtë e padashtë, në historinë e letrave tona.” Si Ministër i Arsimit në vitin 1939, Ernest Koliqi mbledh pothuaj të gjithë studjuesit dhe shkrimtarët më të dalluar të vendit për të filluar botimin e librave për shkollat e mesme e fillore. Mjafton të përmendet dy-vëllimshi “Shkrimtarët Shqiptarë”, vëllimet “Bota Shqiptare”, “Rreze Drite” dhe “Te Praku i Jetës”, e sidomos mbledhja e folklorit, përmbledhur në “Visaret e Kombit”, të cilat me ardhjen e Koliqit në atë detyrë, arrijtën gjithsejt 14 vëllime, një vepër kjo me shumë vlerë deri në ditët tona, sipas ekspertëve që i dinë këto punë shumë më mirë se unë.
Karjera e Profesor Koliqit prej më shumë se 40-vjetësh është tepër e larmishme dhe voluminoze në letërsi, publicistikë, poezi e përkthime, për t’u përmendur këtu në hollësi. Por me këtë rast të përvjetorit të kalimit të tij në amshim më 15 Janar, 1975 — për të çuar në vend amanetin — dëshiroj të kujtoj Profesor Koliqin, për një rol tepër të rëndësishëm që ai ka luajtur në historinë e Kombit shqiptar, një rol ky që as sot nuk i njihet atij sa duhet në historiografinë neokomuniste shqiptare. Nuk më kujtohet që gjatë bisedave të kufizuara që kam pasur me të, të fliste për këtë aktivitet aq të rëndësishëm të jetës së tij dhe të arsimit mbarëkombëtar shqiptar, por të bashkpuntorë dhe bashkohas të tij, por edeh të tjerë më vonë, pas shembjes së komunizmit, nuk kanë munguar të theksojnë këtë kontribut historik të tij – hapjen e qindra shkollave shqipe dhe dërgimin e qindra mësuesëve në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.
Ndërsa Tahir Zajmi,i lindur në Gjakovë dhe një tjetër bashkohas i Koliqit dhe sekretar i Bajram Currit dhe njëri prej themeluesve dhe drejtuesve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në një shkrim në vitin 1972, ka vlerësuar kështu rolin e Ernest Koliqit në përhapjen e arsimit në Kosovë dhe në trojet shqiptare:”Fitim i madh për Kosovë kje hapja dhe funksionimi i shkollave shqipe të cilat qyshë atëherë veprojnë e lulëzojnë të kërthensta dhe me një ritëm të shpejt dhe të pandalshëm i falin Kombit pionerë të rijë që do të jenë garancia më e shëndosh dhe uzdaja e së ardhmes së Atdheut. E merita kryesore e kësaj veprimtarie patriotike të qeverisë shqiptare, pa dyshim i përket Ministrit të Arsimit të asaj kohe, Profesor Ernest Koliqit, i cili me vullnetin dhe me shpirtin prej idealisti, nuk kurseu energjitë e tij dhe as mjetet shtetënore që kishte në dispozicion për ta pajisur sa më mirë aparatin arsimuer në viset e çlirueme, me elementë të shëndoshë që i dhanë hov e gjallëni shkollës shqipe. E sot, për fatin e bardhë të Kombit, ashtë formue atje një rini dinamike e cila në çdo fushë aktiviteti kombëtar e shtetënor po përgatitet e po forcohet për ta lumnue fatin e vendit në të ardhmen. Pra, me shumë arsye Ernest koliqi zen një vend të naltë ndër zemrat e dashamirëve të Kosovës e njëherit edhe në historinë e përpjekjeve për lartësimin kulturor të saj”, ka shkruar Tahir Zajmi për rolin e Koliqit në përhapjen e arsimit shqip në Kosovë në vitet 1941-1944.
Me rastin e vdekjes së Profesor Koliqit, Dr. Ago Agaj nga Vlora me origjinë, edhe ky një shërbestar i Shqipërisë Etnike dhe njëri prej të pareve në Kosovë në vitin 1941, kishte kujtuar rolin e Koliqit në hapjen e shkollave shqipe: “Në hidhërimin tonë nuk duhet të harrojmë se Aji qe fatbardhë në jetë e në vdekje. Shumë njerëz janë përpjekur me zell për një qëllim të lartë e të mirë, por pak janë ata që patën fatin të shohën farën e mbjellë gjatë jetës përhera duke u rritur e përparuar. Ernest Koliqi e pati ketë fat. Dardanët në Kosovë e Maqedhoni, farën që mbolli Ky, e kultivuan me zell të madh e zotësi të pashoqe dhe arrijtën në një shkallë arsimi e cila gëzon e krenon të gjitha zemërat shqiptare kudo që janë dhe – natyrisht, atë të Ernestit, ca më shumë. Ai ishte një ndër më të mirët që kemi pasur gjer më sot, veçse ai mbillte ushqim për shpirt e mendje të Kombit”, është shprehur Ago Agaj.
Ndërsa një prej adhuruesve i ditëve tona i Ernest Koliqit, në një postim në faqën e tij të internetit këto ditë, Z. Flamur Gashi, Këshilltari për Çështjet e Rajonit i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, SH. T. Z. Ilir Meta, kujton burrërisht Ernest Koliqin, “Në mirënjohje të thellë dhe kujtim të atij që mundësoi hapjen e shkollave shqipe në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare”. Z. Gashi shënon mëtej se, “Në vitin shkollor 1941-1942 u hapën 173 shkolla fillore, 3 të mesme dhe disa gjimnaze të ulëta. Ndërsa në nëntor të vitit 1941 u hap Shkolla Normale e Prishtinës”. Këshilltari i Presidentit për Çështjet e Rajonit flet me shifra duke theksuar se, “Në fillim, në këtë mision u angazhuan 80 mësues. Ky numër më vonë arriti në 264, ndërsa në vitin 1943-44, ky numër u rrit në 400…ndërsa këtë vit shkollor e ndiqnin mbi 25 mijë nxënës”, nënvijon Z. Gashi. Këto shkolla, shkruan ai në portalin e tij, “U bënë vatra të diturisë dhe atdhedashurisë”, ndërkohë që Ernest Koliqi, për këtë mision të jashtzakonshëm kishte ngarkuar intelektualin dhe pedagogun gjirokastrit, Ali Hashorva, kujton Flamur Gashi, duke thënë se, “Ishte ky mision arsimor, atdhetar e vizionar që mishëronte programin e madh të rilindjes Kombëtare, përhapjen e diturisë e përparimit, zgjimin dhe ngritjen e ndërgjegjës kombëtare”, përfundon Këshilltari i Presidentit Ilir Meta, në kujtimin që i kushton në faqën e tij të internetit, Ernest Koliqit, në përvjetorin e vdekjes së tij më 15 Janar, 1975.
Megjithëse, zyrtarisht i përjashtuar dhe i harruar nga historiografia dhe letërsia shqipe nga regjimi komunist e deri diku mund të thuhet deri në ditët e sotëme, Profesor Ernest Koliqi ishte i vetdijshëm për efektet pozitive afatgjata të punës së tij të palodhëshme dhe veprës së tij patriotike në dobi të Kombit të vet – por edhe i lënduar për mos njohjen e këtij kontributi nga bashk atdhetarët e vet. Në një letër që Koliqi i ka dërguar mikut të vet, Karl Gurakuqit e datës 3 dhjetor, 1960, me rastin e Ditës së Pavarësisës së Shqipërisë: “Karl i dashtun, të falem nderit për fjalët që më drejton me rasën e 28 Nandorit dhe për urimet që më ban. Ti ma parë se unë, mandej unë pak ma vonë, jemi përpjekë, me mendje të ndritun e pa mburrje qesharake, si disa, për nji zhvillim shpirtnuer të popullit shqiptar. Në vend të nji shpërblimi të merituem mbas djersës e mundit të derdhun, patme shpifje, të shame e përçmime. Në fund edhe mbetme pa Atdhe, për të cilin lodhem trutë e pësuem ngashrim shpirtit. Ani: puna që kryejmë e ka shpërblimin në vetvete dhe në kuptimin e disa dashamirëvet të pakët. S’pres kurrgja të mirë nga masa e shqiptarëvet të sotshëm, por shpresoj se trashëgimia letrare qi lam pas vehtes ka me u njoftë si tharm rilindje, breznive t’ardhshme”, ka shkruar Koliqi.Unë, dhe shpresoj të gjithë ata “dashamirës të paktë” të tij, të cilëve iu referohej Koliqi në letrën dërguar mikut të tij Karl Gurakuqit, e kujtojmë sot këtë burrë të madh të Kombit, me bindje të plotë se vepra e tij patriotike dhe e bashkpuntorëve të tij në Kosovë në vitet 1941-1944, ka shërbyer — gjatë dekadave të vështira që pasuan në Kosovë dhe në trojet shqiptare pas Luftës së dytë botërore — si “tharm rilindjeje” që çoi, më në fund, në atë që sot e njohim si Republika e Kosovës, shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik. /KultPlus.com
Dr. Martin Luther King ishte ministër amerikan, aktivist dhe udhëheqës i shquar në lëvizjen për të drejtat civile, mbahet mend sot për avancimin e të drejtave civile përmes jodhunës.
Kanë kaluar më shumë se 50 vjet që kur u vra në vitin 1968, por shumë citate dhe fragmente të Martin Luther King Jr. nga fjalimet, predikimet dhe librat e tij të fuqishëm mbeten po aq të rëndësishme edhe sot (nëse jo më shumë). Ai foli me mençuri për barazinë, mirësinë, guximin, ndryshimin, faljen dhe më shumë – dhe bindjet e tij kuptohet që ende rezonojnë me kaq shumë njerëz.
Nga viti 1955 deri në vrasjen e tij, fituesi i Çmimit Nobel për Paqe mori pjesë, ndihmoi në organizimin dhe udhëhoqi marshime dhe protesta jo të dhunshme, duke përfshirë marshimin e vitit 1963 në Uashington, ku ai mbajti fjalimin e tij tashmë të famshëm “Unë kam një ëndërr” në shkallët e Memorial i Linkolnit.
Sot, KultPlus ju sjell 15 shprehje të fuqishme nga Martin Luther King-ut:
“Urrejtja e paralizon jetën; dashuria e çliron atë. Urrejtja e ngatërron jetën; dashuria e harmonizon atë. Urrejtja e errëson jetën; dashuria e ndriçon atë.”
“Falja nuk është një akt i rastësishëm; është një qëndrim i përhershëm.”
“Dashuria është forca më e madhe në univers. Është rrahja e zemrës së kozmosit moral. Ai që dashuron është pjesëmarrës në qenien e Zotit.”
“Inteligjencë plus karakter – ky është qëllimi i edukimit të vërtetë.”
“Ndryshimi nuk rrokulliset mbi rrotat e pashmangshmërisë, por vjen përmes luftës së vazhdueshme.”
“Askush të mos ju tërheqë aq poshtë sa ta urresh atë.”
“Paqja e vërtetë nuk është thjesht mungesa e tensionit; është prania e drejtësisë.”
“Bëni një karrierë njerëzore. Përkushtoni veten në luftën fisnike për të drejta të barabarta. Ju do të bëni një person më të mirë për veten tuaj, një komb më të madh të vendit tuaj dhe një botë më të mirë për të jetuar.”
“Pyetja më këmbëngulëse dhe urgjente e jetës është: “Çfarë po bën për të tjerët?”
“Nëse nuk mund të fluturosh, atëherë vrapo, nëse nuk mund të vraposh, atëherë ec, nëse nuk mund të ecësh, atëherë zvarritu, por çfarëdo që të bësh, duhet të vazhdosh të ecësh përpara.”
“Masa përfundimtare e një njeriu nuk është vendi ku ai qëndron në momentet e rehatisë dhe komoditetit, por ku qëndron në momentet e sfidave dhe polemikave.”
“Errësira nuk mund ta dëbojë errësirën; vetëm drita mund ta bëjë këtë. Urrejtja nuk mund ta dëbojë urrejtjen, vetëm dashuria mund ta bëjë këtë.”
“Një ditë do të mësojmë se zemra nuk mund të jetë kurrë plotësisht e drejtë kur koka është plotësisht e gabuar.”
“Asgjë në të gjithë botën nuk është më e rrezikshme se injoranca e sinqertë dhe marrëzia e ndërgjegjshme.”
“Padrejtësia kudo është një kërcënim për drejtësinë kudo. Ne jemi kapur në një rrjet të pashmangshëm reciproke, të lidhur në një rrobë të vetme fati. Çfarëdo që prek një person drejtpërdrejt, i prek të gjithë në mënyrë indirekte.” /KultPlus.com
Muzeu Historik Kombëtar organizoi veprimtarinë informuese dhe argëtuese “E Ka Kush E Ka – Xhubleta” në shkollën 9-vjeçare jopublike DAS.
Kjo veprimtari zhvillohet me mbështetjen dhe ndihmën e CHwB Albania.
Nxënësit mësuan për rëndësinë e xhubletës, e cila identifikon trashëgiminë kulturore të popullit shqiptar. Gjithashtu u argëtuan duke vizatuar lahutën sipas modelit të dhënë.
Xhubleta, si veshje tradicionale shqiptare, është bërë pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s. Dijebërja e veshjes së xhubletës që daton 4 mijë vjet më parë, tashmë është pasuri e gjithë njerëzimit.
Xhubleta, veshje tipike e zonave të veriut, cilësohet si një prej kostumeve më të rralla popullore, me disa lloje e karakteristika, prerjeje e qepjeje, sipas zonave dhe moshave të grave që e vishnin.
Molieri lindi më 15 janar 1622 e vdiq më 17 shkurt 1673.
Molieri (Zhan Baptist Poklen) është një nga figurat më të ndritura të letërsisë botërore, që hodhi themelet e komedisë franceze. Jetoi veprimtarinë e vet dramatike në të ashtuquajturin “shekull të artë” të monarkisë absolute, që shënonte etapën më të lartë të feudalizmit si rend shoqëror dhe fillimin e shpërbërjes së tij. Së bashku me disa dashamirë të vet, formon një trupë me nëntë aktorë, të cilën e quan “Teatri mbretëror”, pikërisht në këtë kohë e ndërroi emrin dhe u quajt Molier. Ai ushtronte në të njëjtën kohë detyrën aktor, regjisor, drejtues trupe dhe autor tekstesh. Jeta e tij ishte lidhur ngushtë me teatrin. Duke i shpërthyer rregullat e ngurta të doktrinës klasiciste autor-aktor-regjisor, në emër të arsyes e të logjikës së shëndoshë, krijoi komedi, e cila godiste çdo ves ose shfaqje negative të kohës dhe të njeriut në përgjithësi. Temat delikate që trajtonte, i nxirrnin shumë telashe në jetë. Për shembull, vënia në dukje e hipokrizisë së klerit tek Tartufi, e detyroi ta përpunonte tri herë tekstin për ta shpëtuar nga censura, ndërkaq guximin për ta shfaqur me çdo kusht para publikut, e pagoi me shkishërim. Krijimet e Molierit janë pak a shume anekdota, pasi ato nuk godasin personin por godasin vesin, dhe kanë për qëllim t’i mësojnë njerëzve moralin. Kjo dallohet shumë dhe te vepra “Borgjezi fisnik” i këtij dramaturgu.
Molieri shprehu nëpërmjet teatrit mendimin e vet për shumë nga problemet të epokës kur jetoi, si për shembull: hipokrizinë klerikale dhe shoqërore, degjenerimin moral e shpirtëror, preciozitetin, kopracinë, tendencën e një pjesë të borgjezisë për të imituar fisnikërinë, martesën borgjeze e despotizmin prindëror etj.
Teatri i Molierit është i veçantë, origjinal dhe krejt i ndryshëm nga ai i bashkëkohësve të vet, Kornejit e Rasinit. Molierin nuk e shqetësonte shumë ideja e respektimit të rregullave të ngurta të klasiscizmit. Para se gjithash, ai dëshironte “t’i pëlqente publikut” dhe për të “kjo është rregulla e madhe e të gjitha rregullave”. Sipas tij komedia duhet ta bëjë spektatorin të vetëkorrigjohet duke qeshur. Kjo cilësi u quajt katarsis komik. (d.m.th. të pastohesh shpirtërisht nëpërmjet së qeshurës).
Veprimi komik në veprat e tij rrjedh natyrshëm, shpejt dhe me tensionime. Kjo karakterizohet jo vetëm me situatat e freskëta komike, kthesat e papritura dhe kontrastet e ashpra, por edhe me dialogun e gjallë e shumë dinamik. Me mjeshtëri Molieri krijon atmosferë të nxehtë, të shkaktuar nga veprimet dhe pasionet e personazheve sipas mënyrës së të folurit dhe pasioneve të tyre i nënshtrohen plotësisht idesë kryesore: përqeshja dhe demskimi i ashpër i së keqes shoqërore dhe triumfi i drejtësisë. Veprat më të njohura të Molierit mbahen: Tartufi, Don Zhuani, Mizantropi, Kopraci dhe Borgjezi fisnik.
Molieri mbetet një krijues i madh i ndërtimit të karaktereve. Një pjesë e mirë e tyre jo vetëm që i kanë qëndruar kohës, por janë shndërruar në emra simbolikë. Dhe kjo është një arritje e madhe e artit të Molierit, i cili atë që mori nga jeta, ia riktheu asaj me gjenialitetin e vet. Së bashku me Shekspirin, Molieri ishte pa dyshim një nga dramaturgët më të mëdhenj e më popullor botërorë. Por fama e tyre vazhdon të ecë edhe në gjurmët e së ardhmes.
Kopraci: Në komedinë Kopraci Molieri demaskon me forcë të madhe fuqinë shkatërruese të parasë dhe godet kopracinë, që ishte tipar karakteristik i borgjezisë në zhvillim. Ai e dënon si një ves të ulët me pasoja shumë negative. Herpagoni koprac e fajdexhi jeton në ethen e parave. Ai ka humbur dinjitetin e ndjenjat prindërore dhe dashurinë e fëmijëve. Këta të fundit, jo vetëm që s’e duan më, por edhe e urrejnë. Herpagoni mbetet një nga figurat më negative, antipatike e qesharake njëkohësisht, që ka krijuar pena e Molierit.
Duke i venë titullin Kopraci, Molieri e përcakton qysh në titull pjesën e tij si komedi karakteri, në të cilën përqeshen personat që e bartin këtë ves të ligë e asocial, që e deformon përçudshëm karakterin e tyre. Pikënisjen për Kopracin Molieri e ka marre nga komediografi romak Plauti, i cili në pjesën me titull Kusia tregon se si Euklioni , që gjeti një ditë një kusi plot me monedha të arta, jo vetëm që nuk harxhoi asnjë grosh, po edhe humbi rehatinë e gjumin nga frika se mos ia merrte kush kusinë e shtrenjtë. Molieri e quan kopracin e vet me emrin Harpagon dhe e paraqet si të qenit të robëruar nga vesi i vet, në atë mase sa të qenit koprac përbënë thelbin e karakterit të tij. Dhe ishte me i miri i të gjithë autorëve. / KultPlus.com
Biblioteka Kombëtare çeli sot ekspozitën “In Memoriam 1901-1975”, kushtuar intelektualit të mirënjohur shqiptar, Ernest Koliqit.
Ekspozita vjen me rastin e 50-vjetorit të ndarjes nga jeta të Koliqit.
Biblioteka Kombëtare u shpreh në rrjetet sociale se ekspozita risjell në vëmendje krijimtarinë artistike, publicistike dhe përkthimet më të mira të Koliqit, për të përkujtuar kështu një figurë që jo vetëm i dha letërsisë dhe kulturës shqipe, por arriti të shndërrohej në një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të zenitit të shkrimtarëve të viteve ’20-’30 të shekullit të kaluar.
Ekspozita ka në fokus botimet e para të shkrimtarit, përkthime, ese, publicistikë, përzgjedhje poetike, si dhe shkrime nga revista periodike “Shêjzat”.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në katin I të BKSH-së.
Koliqi lindi më 20 maj të vitit 1903, në Shkodër. Ai ishte një erudit që jetën ia kushtoi kryesisht letërsisë, por nuk mungoi as në skenën politike.
Pas pushtimit nga Italia, Koliqi u emërua ministër i Arsimit dhe më vonë kryetar i Këshillit Koorporativ Fashist. U kritikua për rolin e tij në politikë por veprat si “Hija e maleve”, “Tregtarë flamujsh” dhe “Pasqyrat e narcizit”, e vendosën në piedestal të letërsisë.
Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, Koliqi jetoi në Romë ku drejtoi revistën “Shejzat” si dhe katedrën e Gjuhës Shqipe, mbi bazën e së cilës u ngrit edhe Instituti i Studimeve Shqiptare. Në vitet `60 nisi përkthimin e “Lahutës së Malcis” në italisht dhe punoi edhe për të tjera vepra në mënyrë që të huajt të njihnin letërsinë shqipe. U nda nga jeta, në Romë, më 15 janar të vitit 1975./ KultPlus.com
Mjeshtri i Madh i artit shqiptar, piktori Ksenofon Dilo, ka sot ditëlindjen. Me këtë rast ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, kujtoi mjeshtrin, përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e uruar por edhe falënderuar për punën e tij të madhe.
“Për më shumë se 7 dekada piktor, i njohur dhe si kubisti shqiptar, i shquar për skenografinë e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës dhe filmit “Fortuna” si dhe ilustrues i disa veprave të Kadaresë, ky mjeshtër ka dhënë një kontribut të madh për artin shqiptar”, shkroi ministri Gonxhja.
Ksenofon Dilo lindi në Topovë të Gjirokastrës, më 15 janar 1932. Ai ka realizuar një karrierë të gjatë artistike dhe një krijimtari të bollshme si piktor, kostumograf, studiues, skenarist filmash etj. Në vitin 1969 u vlerësua me titullin “Piktor i Merituar”.
Ksenofon Dilo njihet si “kubisti shqiptar” për shkak se peizazhet e tij shpesh kishin forma gjeometrike. Ndodhte që punët e tij të mos pranoheshin në ekspozita, pikërisht për këtë tendencë./ KultPlus.com
Pa zjarrin, njerëzimi nuk do të ekzistonte. Qoftë duke e marrë atë nga perënditë përmes sakrificës së Prometeut, apo duke e ushqyer me kujdes dhe durim nga rrufetë, rëndësia e tij nuk ndryshon, sepse me zjarrin, qytetërimi njerëzor u zhvillua dhe u bë gjithnjë e më kompleks e i strukturuar.
Homo erectus e ka përdorur zjarrin që prej 400,000 vjetësh, edhe pse fillimet e përdorimit të tij duket se janë edhe më të hershme: rreth 1.8 milionë vjet më parë, gjinia Homo filloi ta kultivonte këtë element, qoftë në formën e “zjarrit primitiv” që bie nga qielli, qoftë në atë të “zjarrit bujqësor”, që përdorej për shkrirje dhe ushqim.
Teknika e zjarrit, siç kanë theksuar shumë studiues duke filluar nga paleontologia Catherine Perlès në “Parahistoria e zjarrit”, kërkon para së gjithash një ndryshim psikologjik për ta përvetësuar dhe përdorur për qëllimet tona. Prandaj, kur flasim për zjarrin, duhet gjithmonë të marrim parasysh këtë aspekt, siç na ka shpjeguar Gaston Bachelard në “Poetika e zjarrit” (1967), ku ai e lidh zjarrin me dëshirën, dashurinë dhe një formë të seksualitetit të sublimuar që aspiron një “vertikalitet psikik”. Nuk është rastësi që poetët flasin për pasionin si flakë që shpërthen dhe për dashurinë si një zjarr që djeg, metafora të marra nga zjarri i dëshirës.
Për më tepër, fetë, që janë themelore në historinë tonë, janë të lidhura me prushin, vatrën, pirën, altarin dhe sakrificën. Vetëm duke u ndalur në Perëndimin dhe Lindjen e Afërt, nga Greqia në Romë, nga paganizmi i lashtë tek tre fetë e Librit, zjarri ka një rëndësi të jashtëzakonshme.
Në librin “Mite mbi origjinën e zjarrit”, historiani i feve James G. Frazer, autori i veprës së famshme “Dega e artë”, pretendon se njerëzimi ndryshon nga kafshët e tjera pikërisht për shkak të këtij elementi. Megjithëse kjo deklaratë ka një antropocentrizëm të dukshëm, ajo nuk është larg së vërtetës. Problemi mbetet tek aspekti mendor, sepse diçka ka ndryshuar në historinë psikike të njerëzimit gjatë dy shekujve të fundit.
Zjarri, në një moment, u bë armik, jo vetëm i pyjeve dhe savanave, por edhe i vetë qyteteve që janë ngritur të pamëshirshme dhe krenare mbi sipërfaqen e planetit. Në fillim, materialet që digjeshin ishin të njëjtat si ato të pyjeve: druri, prej të cilit ndërtoheshin fshatrat dhe metropolet. Zjarret legjendare të Londrës dhe qyteteve amerikane, duke nisur nga zjarri i madh i Çikagos në vitin 1871, ishin pararendësit e atyre që sot shpërthejnë në Kaliforni, siç po ndodh në Los Angeles.
Por ka diçka të re. Kriza mjedisore që ka kapluar planetin është ndërthurur me potencialin shkatërrues të zjarrit. Këtë na e shpjegon John Vaillant, një shkrimtar dhe gazetar kanadez, në librin e tij të fundit “Epoka e zjarrit”, me nëntitullin “Një histori e vërtetë nga një botë gjithnjë e më e nxehtë”.
Libri nis me përshkrimin e një pasditeje të nxehtë pranverore në vitin 2016 në një vendbanim të industrisë së naftës në rajonin e Albertës, Fort McMurray. Aty një zjarr i vogël pyjor, jo shumë larg vendbanimit, shpërthen papritur. Përhapja e flakëve përkon me një temperaturë ditore mbi 30°C, përkundrejt një mesatareje sezonale prej 15°C. Përshkrimi i këtij apokalipsi të vogël, që përfshin 100,000 njerëz në arrati, është një shembull i diçkaje të paprecedentë, një ndërprerje e shkaktuar nga zjarri që gjeneron rryma ajri me shpejtësi uragani dhe rrufe që nxisin zjarre të tjera. Vaillant e quan këtë një pirocumulonimbus, një term që shënon transformimin ku zjarri, ky mik dhe armik, është ndërthurur me ndryshimin klimatik.
Alberta është një rajon ku nxirret naftë me teknika që kërkojnë shumë energji dhe kanë kosto të larta mjedisore, për të cilat Vaillant përshkruan historinë e ndërlikuar biogjenetike, si një shembull negativ i mendësisë sonë aktuale energjetike. Epoka e zjarrit në të cilën kemi hyrë duket e ndryshme nga ajo e stërgjyshërve tanë, të cilët mendonin ende në terma të konfliktit me zjarrin dhe njëkohësisht e përdornin atë për të prodhuar energji dhe mallra konsumi.
Ndryshimi klimatik na detyron të rishikojmë marrëdhënien tonë me këtë aleat të lashtë që kemi pasur, me dhuratën që Prometeu e pagoi me një çmim të lartë. Për t’u përballur me transformimin që na pret, i cili sot quhet me termin ambivalent Antropocen, është i domosdoshëm një ndryshim mendor. Hapi i parë, siç shpjegon Vaillant në epilogun e tij, është braktisja finale e Homo flagrans, që ende jemi. / Massimo Giannini/La Repubblica – Bota.al/ KultPlus.com
I lindur në vitin 1809, Edgar Allan Poe ishte fëmija i dytë i dy aktorëve Elizabet dhe David Poe. Në vitin 1810, babai i tij braktis familjen. Në vitin 1811, mamaja e tij vdes nga tuberkulozi i mushkërive, duke e lënë jetim. Ky do të jetë fillimi i jetës së tij mizore. Gjatë jetës së tij ai shkroi disa vepra, prozë dhe poezi të cilat edhe sot lexohen me endje, shkruan KultPlus.
Më poshtë po listojmë disa thënie nga veprat e tij:
Beso vetëm gjysmën e asaj që sheh dhe asgjë nga ajo që dëgjon.
E gjithë feja ka dalë thjesht nga mashtrimi, frika, lakmia, imagjinata, dhe poezia.
Gjithçka që ne shohim apo duket është një ëndërr, por brenda një ëndrre.
Bukuria e çfarëdo lloji, në zhvillimin e saj suprem, pa ndryshim e prek shpirtin ndjeshëm deri në lot.
Do të vërtetohet, në fakt, se të zgjuarit janë gjithmonë të çuditshëm, dhe me të vërtetë përfytyrues shumë me tepër se analitikë.
Jeta e vërtetë e njeriut është e lumtur, kryesisht për shkak se ai është gjithnjë në pritje që ajo së shpejti do të jetë kështu.
Shkenca nuk ka mësuar ende nëse çmenduria është apo nuk është madhështi e inteligjencës.
Kufijtë që ndajnë Jetën nga Vdekja janë të paqartë dhe të vagullt. Kush do të thotë se ku e mbaron njëra dhe ku fillon tjetra?
Të përgojuarit e një njeriu të madh është mënyra në të cilën një njeri i vogël mund të arrijë madhështinë.
Ata që ëndërrojnë ditën njohin shumë gjëra që iu shpëtojnë atyre që ëndërrojnë vetëm natën./KultPlus.com
Zjarret e ditëve të fundit në Kaliforni po hedhin dyshime nëse Los Anxheles do të jetë i sigurtë për Lojërat Olimpike 2028. Disa nga qendrat mikpritëse ishin pranë vatrave. Zjarri ka shkaktuar viktima dhe mijëra ndërtesa të djegura me dëme qindra miliardë dollarë. Ekspertë dhe profesorë mendojnë se mund të ketë rrezik pikërisht gjatë zhvillimit të olimpiadës në qershor.
Profesori i Universitetit të Pensilvanisë, Mark Dyerson shkon deri aty sa thotë se këto lojëra të zhvillohen sërish në Paris. Por nuk mungojnë edhe optimistët si guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, i cili thotë se përgatitjet jo vetëm për Lojërat Olimpike 2028 janë në rrugën e duhur.
Në Los Anxheles do të mbahen edhe ndeshje të Botërorit të Klubeve 2025, Kupës së Botës 2026, apo edhe NBA All-Star Game 2026, Superbowl 2027. Kryeqendra e kalifornisë ka pritur Lojërat Olimpike verore edhe në 1932 dhe 1984./Tv Klan/ KultPlus.com
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, është deklaruar me rastin e përvjetorit të Masakrës së Reçakut, duke shkruar se SHBA-të qëndrojnë me popullin e Kosovës në kujtimin e viktimave të kësaj masakre.
Në reagimin e ambasadës thuhet se, derisa nderohen viktimat, SHBA-të ripërtërijnë angazhimin për të vërtetën, drejtësinë dhe pajtimin.
‘Sot, SHBA qëndron me popullin e Kosovës në kujtimin e viktimave të masakrës së Reçakut – një pikë kthese tragjike për njerëzimin që nxiti botën të veprojë. Ndërsa nderojmë viktimat, ne ripërtërijmë angazhimin tonë të përbashkët për të vërtetën, drejtësinë dhe pajtimin. #KurrëHarro’’, ka shkruar ambasada./ KultPlus.com
Më 15 janar 1975 vdiq Ernest Koliqi, shkrimtar, përkthyes, studiues i letërsisë, publicist e botues.
Ernest Koliqi lindi në qytetin e Shkodrës, ku ndoqi Kolegjin Saverian të Jezuitëve dhe më pas vijoi shkollimin në Arice të Lombardisë. U kthye në Atdhe në vitin 1922, ku u integrua shpejt në jetën kulturore dhe politike të vendit, si veprimtar i shoqërive “Bashkimi” e “Atdheu”.
Gjatë viteve 1933-1937 ndoqi studimet e larta për letërsi në Universitetin e Padovas. Në vitet e pushtimit italian u emërua ministër i arsimit. Në vitin 1943 largohet nga Shqipëria për të marrë drejtimin e katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin “La Sapienza”, Romë, ku qëndroi deri në fund të jetës.
Ernest Koliqi është autor i mjaft veprave letrare si: “Kushtrimi i Skënderbeut”, “Hija e Maleve”, “Tregtar famujsh” etj. Ai nuk lëvroi vetëm poezinë, por edhe gjininë e romanit dhe dramës. U cilësua me të drejtë themelues i novelës shqiptare. Ernest Koliqi është një ndër intelektualët më vizionarë lidhur me probleme të kulturës kombëtare e çështjes shqiptare. / KultPlus.com
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë gjatë vitit 2024 pati një fluks të shtuar vizitorësh, nga brenda dhe jashtë vendit.
Drejtoresha e MKAM, Fjoralba Prifti, tha për ATSH-në se, për vitin 2024, vizitueshmëria u rrit me rreth 50% më shumë se një vit më parë. Shifra arriti në mbi 37 mijë vizitorë: 21 mijë prej tyre vizituan MKAM, 15 mijë ishin vizitorë të Muzeut të Arsimit dhe 1425 të Muzeut Arkeologjik të Korçës i cili përkohësisht është i mbyllur për restaurim.
Muzeu i Arsimit dhe Muzeu Arkeologjik administrohen nga MKAM.
Ndryshe nga muzetë e tjerë ku shumicën e vizitorëve e përbëjnë turistët e huaj, interesant është fakti se Muzeu i Arsimit u vizitua kryesisht prej vizitorëve vendas dhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Drejtoresha e MKAM, Fjoralba Prifti, tha se për vitin 2025 janë në program një sërë aktivitetesh mes të cilave botimi i nr. 3 të Revistës “Mbi Artin Mesjetar “, botim i përvitshëm i muzeut, ku studiues të njohur e specialistë referojnë me artikuj të ndryshëm.
Duke qenë se ky vit përkon me 45-vjetorin e MKAM, si dhe në kuadër të Ditës së Muzeve, MKAM do të organizojë ekspozitë, sesion shkencor, si dhe aktivitete të tjera, lidhur me programin “Edukimi mbi kulturën”.
Prifti tha se, janë në program punëtori, zhvillime bisedash, ekspozita, si dhe koncerte me nxënës të grupmoshave të ndryshme.
Disa nga këto aktivitetet do të zhvillohen edhe online si ekspozita “Origjina dhe artizanati” dhe cikli “Mes trashëgimisë kulturore dhe artit”. Këto aktivitete do të zhvillohen si online ashtu dhe në muze, ku ekspozohen objekte muzeale të etnografisë dhe zhvillohen takime me artizanë të ndryshëm të cilët do të flasin mbi punët e tyre.
Në kalendarin e aktiviteteve të MKAM, drejtoresha Prifti tha se janë vendosur edhe aktivitete të cilat muzeu i organizon në bashkëpunim me partnerë të tjerë, si në rastin e Javës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore dhe Ditës Kombëtare të Trashëgimisë.
Kjo qendër muzeore është një nga më të rëndësishmet në vend. Ajo u përurua më 24 prill 1980 dhe brenda saj zhvillon aktivitetin edhe Qendra e Restaurimit dhe Studimit të Ikonave e cila vazhdon me një punë të përditshme projekte mbi restaurimin, konsolidimin studimin, etj./atsh/ KultPlus.com
Sot, 15 janar 2025, janë bërë 26 vjet që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit në Reçak.
Kryetari Përparim Rama me këtë rast ka thënë se përulet para martirëve të Reçakut duke shpreh mirënjohje të thellë për miqtë ndërkombëtarë.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të tij:
Reçaku është plaga dhe dhimbja jonë!
15 janari i 1999-tës, mbetet në kujtesën tonë kombëtare, si një nga ditët më të dhimbshme të historisë sonë. Në atë mëngjes të acartë, 45 shqiptarë të pafajshëm u vranë barbarisht në fshatin Reçak, duke lënë pas skena që tronditën jo vetëm Kosovën, por mbarë botën.
Ishte një akt çnjerëzor që synonte të shuante rezistencën dhe idealin tonë, por që në vend të kësaj u bë thirrje e fuqishme për drejtësi dhe liri.
Ambasadori William Walker që vizitoi Reçakun, pa me sytë e tij mizorinë dhe guxoi të thotë të vërtetën para gjithë botës!
Deklarata e tij e fuqishme se ajo që ndodhi në Reçak është krim kundër njerëzimit bëri jehonë në arenën ndërkombëtare.
Ai u bë zëri ynë dhe mik i paharrueshëm i popullit të Kosovës!
Sot, përulemi para martirëve të Reçakut dhe shprehim mirënjohje të thellë për miqtë ndërkombëtarë. Lavdi viktimave të Reçakut dhe falënderim i përjetshëm për ata që na ndihmuan në rrugën drejtë lirisë!
Reçaku mbetet jo vetëm një plagë e dhimbshme, por edhe një shembull i unitetit dhe humanizmit që triumfon mbi barbarinë./ KultPlus.com
Sot, 15 janar 2025, janë bërë 26 vjet që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit në Reçak.
Më 15 Janar 1999, në këtë ditë të kobshme, në Reçak u vranë e u masakruan 45 shqiptarë të paarmatosur.
Policia dhe ushtria serbe në Kosovë kanë kryer masakra të shumta gjatë viteve 1998 dhe 1999, por Masakra e Reçakut u dëshmua nga misioni i OSBE-së në Kosovë, që ndikoi në ndërhyrjen e NATO-s ndaj caqeve serbe.
Pasi e pa me sytë e tij këtë skenë, shefi i misionit të OSBE-së, Wiliam Walker, kishte alarmuar se në Kosovë po ndodh krim kundër njerëzimit, gjë që shtyu bashkësinë ndërkombëtare të ndërmarrë misionin ushtarak, pas të cilit forcat serbe u tërhoqën nga Kosova. / KultPlus.com
Sot është dita e Martin Luther King Jr. ku kujtojmë punën e bërë nga aktivisti i të drejtave civile.
“Ne të gjithë duhet të mësojmë të jetojmë së bashku si vëllezër – ose të gjithë së bashku do të humbasim si budallenj.”
Në vitin 1964, Martin Luther King Jr. u nderua me Çmimin Nobel për Paqe për fushatën e tij jo të dhunshme kundër racizmit. Metodat e tij përfshinin bojkotime të organizuara të përhapura dhe mosbindje civile.
Në kohën e çmimit ai ishte personi më i ri që mori çmimin e paqes; sot ai është ende marrësi mashkull më i ri.
Për të Drejtat Civile dhe Drejtësinë Sociale
Martin Luther King ëndërronte që të gjithë banorët e Shteteve të Bashkuara të gjykoheshin nga cilësitë e tyre personale dhe jo nga ngjyra e lëkurës së tyre. Në prill të vitit 1968 ai u vra nga një racist i bardhë. Katër vjet më parë, ai kishte marrë Çmimin e Paqes për fushatën e tij jo të dhunshme kundër racizmit.
King iu përmbajt filozofisë së Gandit për jo dhunën. Në vitin 1955 ai filloi luftën e tij për të bindur qeverinë amerikane që të shpallte të paligjshme politikën e diskriminimit racor në shtetet jugore. Racistët iu përgjigjën me dhunë iniciativave jo të dhunshme të zezakëve.
Në vitin 1963, 250,000 demonstrues marshuan drejt Memorialit të Lincoln në Uashington, ku King mbajti fjalimin e tij të famshëm “Unë kam një ëndërr”. Një vit më pas, presidenti Johnson miratoi një ligj që ndalonte çdo diskriminim racor.
Por Mbreti kishte kundërshtarë të fuqishëm. Kreu i FBI-së, John Edgar Hoover, e vuri nën vëzhgim si komunist dhe kur King kundërshtoi politikën e administratës në Vietnam, ai ra në disfavor të Presidentit. Ende nuk është konstatuar nëse vrasësi i King ka vepruar vetë apo ka qenë pjesë e një komploti. / KultPlus.com
Piktori Adem Kastrati, u lind më 15 janar 1933 në fshatin Karaçevë të Dardanës së Kosovës, në një familje të madhe bujare, me veprimtari patriotike dhe arsimdashëse.
Ishte e njohur familja e tij nga babai në këtë anë, por edhe nga ana e nënës së tij të Dajkocit (daja i tij, ishte disidenti politik e atdhetari Metush Krasniqi). Piktori e pedagogu i artit figurativ, krijuesi letrar, mbledhësi, shënuesi dhe publikuesi i thesarit popullor, analisti i marrëdhënieve shqiptaro-sllave dhe euro-botërore. Ai i takon gjeneratës së parë të piktorëve pas Luftës së dytë botërore. Kohërat e stuhishme në të cilat është rritur, pjekur dhe formuar si piktor, sigurisht që do të lënë një gjurmë të madhe te veprimtaria e tij.
Emri i tij zë një vend meritor mes artistëve figurative të cilët kanë jetuar dhe krijuar vepra në Jugosllavi. Kastrati është një prej doajenëve mes piktorëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut , shteti ku ka jetuar dhe krijuar për më tepër se dyzet vjet.
Adem Kastrati (mbi)jetoi periudha të qeta, paqësore dhe progresive, por jo rrallë u ndesh edhe me situata te ndërlikuara e të turbullta kohore, të përcjella me ngjarje, trazira dhe okupime gjatë jetës së tij. Dhe në një moment gjendja kulmoi me luftën e përgjakshme që populli shqiptar në Kosovë e përjetoi në fundshekullin XX. Katër herë ndërroi shtetësinë, duke u bërë shtetasi i Mbretërisë së Jugosllavisë, Mbretërisë Shqiptare, Jugosllavisë komuniste dhe në fund fare i Republikës së Maqedonisë. Megjithatë, biografia e tij jetësore, më mirë do të pasqyrohej nëpërmjet përshkrimit të sekuencave dhe rrëfimeve në lidhje me biografinë, prejardhjen dhe rrugëtimin e shkollimit të tij.
Edhe në bisedat konfidenciale dhe pikturat e tij kishte bindjen se familja është bërthamë e një shoqërie të rehatshme, ndaj edhe ndjeshëm e artistikisht i pikturonte pamjet kur nëna ishte e përkushtuar me mish e me shpirt për fëmijën, shtëpinë e familjen, sofër, familje e skena të tjera. Temat të cilat i përpunon në veprat e tij më së shumti lidhen me njeriun e zakonshëm. Një theks të veçantë i jep nënës, të cilën e paraqet si rojtare të shtëpisë. Nëna, gruaja, është ajo e cila i jep kuptim jetës, kërkon, por edhe jep ëmbëlsi, dashuri, mirësi. Meshkujt janë gjithmonë seriozë, kur punojnë, qëndrojnë ulur, lëvizin. Kjo është tradita e tyre. Folklori i pasur është padyshim prezent në krijimtarinë e tij, gjë me të cilën do të mbetet përgjithmonë i dalluar në veprat e tij dhe gjë të cilën ai e thekson akoma më tepër me anë të teknikës së tij specifike, të pazakontë dhe të vetme të dheut shumëngjyrësh. Preokupimet e tija pikturore ndjehen edhe gjatë përshkrimit të fshatit, tokës dhe banorëve të tij. Shohim si bujku e lëvron arën me që e paramendë, duke e dërguar të shesë në treg mallin e vjelur dhe me ato mjete financiare të blejë sende të domosdoshme për shtëpinë e familjen. Pikturon edhe pamje të drejtëpërdrejta nga tregu.
Kafshët shtëpiake e të buta i ka si motive në pikturat e tij, si ajo kur bariu me kopenë e dhenve mbart në krahëror edhe librin “Lahuta e Malcis”, kaprojt në pyll duke vrapuar. Kafshët ishin mjet pune e transporti dhe të luftërave sportive të barinjve e fshatarëve. Adem Kastrati spikatës si mbledhës, shënues dhe botues i folklorit e etnografisë si bashkëpunëtor i devotshëm i Instituti Albanologjik i Prishtinës, por edhe skicues e pikturues i imazheve nga loja e filxhanave ose kapuçave, këngëve e valleve të grave dhe të burrave të Anamoravës dhe Karadakut e arealit etnografik mbarë shqiptar. Dashamirët e kureshtarët e kësaj fushe i kënaqi edhe me pikturat për dasmat me krushq nëpër borë. Në pikturat e tij Adem Kastrati sajon njerëz-burra të ashpër e tejet të vëmendshëm në valle e punë dhe njerëz-gra tejet lirike në valle e këngë dhe shumë besnike e të sinqerta në punët e shtëpisë e të familjes. Krijimet artistike të Adem Kastratit shpesh u edhe kronikave socio-histoike, që përmes mjeshtërisë së ngjyrosjes dhe ekspresivitetit artistik, shquhen me objektivitet e impresione, si janë piktura që tregon pamje nga turma e mbledhur në stacionin hekurudhor të Shkupit dhe që presin të shpërngulen në Turqi nga sundimi i gjenocidal i Rankoviçit ndaj shqiptarëve. Treni është sinonim i ndarjes edhe i të dashuruarve, ajo që shpreh varfërinë e skajshme dhe lypsarinë e nënës me kalamajt e saj. Adem Kastrati nuk ishte vetëm piktor me famë botërore, por edhe analist i historik e diplomatik i marrëdhënieve shqiptaro-sllave e evrobotërore, autor i dhjetëra dramave e tregimeve, artikujve publicistikë, që shumicën e tyre i nënshkruante me R. Kosova e pseudonime të tjerë. Kjo figurë poliedrike e pikturës dhe letrave shqipe dy vjet para se të vdiste si amanet një miku e ish-nxënësi të tij ia la në besim tufën shkrimeve autobiografike e qasëse, me kusht që ato të botohen pas vdekjes së tij, dëshirë që iu realizua në vitin 2009.
Gjatë ekspozitave të tija individuale dhje kolektive nëpër galeritë botërore kritika artistike theksonte origjinalitetin e stilit dhe teknikës së tij, mjeshtërinë ekspresive, dinamizmin emocional dhe porosinë utilitare të krijimeve. Vlera e pikturave dhe e mendimit të tij shkencor është e pavdekshme dhe frymëzuese dhe sot e kësaj dite është e paarritshme në artin shqiptar të këtushëm, embleme kulturore e joheve e brezave krijues. Vdiq në Shkup, më 24 shtator të vitit 2000 nga një sëmundje e rëndë e pashërueshme.
Talentin e tij, Adem Kastrati e ka manifestuar qysh si i vogël duke e shprehur atë nëpërmjet modelimit dhe vizatimit mbi pllakat prej baltës shumëngjyrëshe të vendlindjes së tij. Por, talentin e njëmendtë ai e ka shfaqur në bankat e shkollës fillore duke treguar interes ndaj lëndëve artistike: poezisë, muzikës, por kuptohet që më shumë ai është dalluar si vizatues i talentuar. Në lidhje me kontaktet e tij të para me artin figurativ, Kastrati flet për vizatimet e tij të para me laps, për çka mësuesi, Mehmet Turani, e ka lëvduar gjithmonë para nxënësve. Pastaj e përkujton edhe një moment tjetër që ndërlidhet me talentin e tij, kur ai si nxënës i shkollës fillore e kishte vizatuar me laps portretin e gjyshit të tij. Gjyshi i kënaqur me vizatimin e nipit të tij i kishte premtuar Adem Kastratit se “do ta bënte inxhinier”. Ashtu si gjithë moshatarët e tjerë të vendlindjes së tij, edhe Adem Kastrati fëmijërinë e ka kaluar me punët e shtëpisë, sidomos duke ruajtur bagëtinë. Kuptohet, para se gjithash ishte puna, por një fëmijë nuk privohej dot as edhe nga loja e tij. Përveç lojërave të ndryshme tradicionale që i luanin fëmijët, mjaft e preferuar për ata ka qenë, sidomos, loja me baltë që përroi i fshatit Karaçeva e kishte me bollëk. “Me baltën me ngjyra të llojllojshme bënim figura të njeriut, kafshëve, shtazëve dhe shpezëve të ndryshme, por më shpesh unë modeloja pëllumbin duke fluturuar. Nga ajo baltë bëja pllaka mbi të cilat skicoja figura të ndryshme”, përkujton Kastrati. Dhe kështu, dalëngadalë, piktorin e përvetësonte bota e vizatimit dhe modelimit me baltë, dhe dita ditës bëhej e qartë që ai kishte ardhmëri në fushën e artit. Por, si gjithmonë, Kastratit i dilte ndonjë pengesë që ia prishte sdopak ëndrrën e tij. Si rrjedhojë piktori kujton një përjetim jo edhe gjithaq të këndshëm nga koha e rinisë shkollore. Lëndën e vizatimit në Normalen e Gjakovës e ka dhënë mësuesja, Lirie Tanefi, e cila asnjëherë nuk i ka shënuar Kastratit notë më të lartë. Edhe pse vetë piktori pohon se asokohe nuk ka ditur as për perspektivën e as për dritë – hijen, por as edhe për fshehtësitë e tjera të mjeshtërisë së vizatimit e pikturimit, por atë notë e shënuar në lëndën e vizatimit nga mësuesja, Tanefi, ai gjithmonë e ka përjetuar si tendencioz dhe padrejtësi ndaj tij. “Ajo nuk besonte se unë i bëja vetë vizatimet. Mësuesja ime nuk ishte e kënaqur pasi që mendonte se gjoja e kisha kopjuar një punim të piktorit, Gjorgje Andrejeviq – Kun”, ka deklaruar piktori në shtypin e kohës.
Pikturat e Kastratit, e mbështetur në traditën e mimetizmit realist, paraqet sekuenca të drejtpërdrejta të figurës së njeriut dhe të botës animaliste, rëndom në përputhshmëri me ngjashmëritë dhe iluzionet pamore të tyre. Duke u nisur nga konteksti i misionit institucional të pikturës, Kastrati, mundësitë e kësaj gjinie figurative i përdor si një praktikë sociale të shkëmbimit dhe interpretimit të vlerave të imazhit, që vijnë si shfaqje reale ose si konstruksione vizuale. Pikturat e tij, si një sistem kompleks prezantues, nëpërmjet një diskursi të ndjeshëm-emergjent vë në lëvizje praktikat e prodhimit, paraqitjes, pranimit, konsumimit dhe interpretimit të sipërfaqeve dydimensionale në funksion të përfaqësimit vizual të botës reale apo imagjinare. Nëpërmjet tematikës së begatshme dhe motiveve të shumëllojshme vjen në shprehje edhe koloriti i pasur i përshtatur me idenë dhe konceptin estetik – figurativ, si dhe jetësohen karakteristikat e specifikave artistike e stilistike në krijimtarinë e tij. Koloriti në pikturat e shumta, me kalimin e kohës, përsoset dhe arrin pjekurinë e plotë, bëhet më i kërkuar, më i ngjeshur, pse jo edhe më intensiv dhe më me shkëlqim. Realizimet figurative nëpërmjet këtij koloriti arrijnë premisat metaforike, me transponime të sakta simbolike, të përshkruara kryesisht nga tërësitë (bi)kromatike dhe polikromatike. Shtresimet e koloritit, në kuptimin e sendërtimit të konceptit artistik, që shquhen edhe për kah rëndësia vizuale dhe ndjeshmëria estetike, piktori në mënyrë origjinale kryesisht i zbërthen nëpërmjet gërshetimit të figuracionit nëpër enterierë dhe eksterierë. Përdorimi i vijave të gërryera në pikturë shfaqet si një element i vazhdueshëm i cili e begaton teksturën të cilën piktori e shfrytëzon duke i vënë ato në një koherencë me elemente tjera figurative, të cilat bashkërisht e pasurojnë dhe e konsolidojnë gjuhën figurative, kurse pikturën e tij e bëjnë më kuptimplote. Janë antologjike pikturat e tij të punuara me këtë teknikë, si: “Vizatuesit e vegjël”, “Katundi im në mjegull”, “Në dimër”, “Në mulli”, “Fshati im”, “Çajtorja”, “Magja”, “Bariu”, “Lypësja”, “Nëna me fëmijën”, “Duke i dhënë gji fëmijës”, “Gratë duke u larë”, “Mikpritja”, “Darka”, “Dasmorët”, “Duke çuar drekën”, “Nga Historia”, temat e tij të fundit janë të ndërlidhur me tragjedinë e kombit shqiptar të ndodhur në luftën e Kosovës 1998-1999, ndërsa pikturat e tij të punuara me motive legjendash popullore janë: “Ura e shenjtë”, “Motra me nëntë vëllezër”, “Krushqit e ngurosur”.
Nuk ekziston pothuajse motiv nga ikonografia tradicionale figurative që nuk haset në krijimtarinë e piktorit, Adem Kastrati. Ashtu siç ka shfrytëzuar një larmi temash të llojllojshme, ai ngjashëm veproi edhe me materializimin e atyre temave nëpërmjet motiveve të caktuara, të cilët pothuajse janë të pranishme në tërë krijimtarinë e tij. Motivet paraqesin format pamore të përmbajtjeve tematike. Shumicën e motiveve e ka pikturuar sipas modeleve të ikonografisë tradicionale figurative, duke filluar që nga peizazhi, enterieri, portreti, autoportreti, akti, natyra e qetë, animalizmi, arkitektura, karikatura, etj, duke lënë kështu një opus të pasur veprash me vlera estetike, por edhe me domethënie pamore dokumentare. Në veprat e Adem Kastratit dominojnë motivet e familjes, të cilat me një ndjeshmëri të rrallë i inkorporon në paraqitjen e fshatit, tokës, kafshëve e sidomos te kujdesi i nënës ndaj fëmijëve. Përmes motiveve autoktone të lidhura me fshatin dhe vendlindjen ai shpaloi momente të mbushura me çështje ekzistenciale. Në veçanti trajton “fshataren”, këtë qënie sipas tij “të drejtpërdrejtë”, që i jep kuptim jetës e që për piktorin ishte gjithmonë e njëjtë: si kur lëviz, si kur punon, si kur këndon ninulla për fëmijën e saj në djep. Gratë në motivet e tij janë me tipare karakteristike me sy të mëdhenjë e me plot rrëfim e ëndrra brenda tyre, që për piktorin ishin pasqyra të shpirtit. Ndërkaq burrat duken të rëndë, sepse, sipas piktorit këtë e kanë traditë. Ata janë të rëndë edhe kur ecin, edhe kur ulen këmbëkryq, edhe kur punojnë, edhe kur vallëzojnë në dasma, që për piktorin ishin bukuria fizike e tyre.
Krijimtaria e Adem Kastratit, është shumë e pasur artistikisht, shumë e gjerë numerikisht dhe akoma më e shpërndarë gjeografikisht. Zhvillimin e saj e ka përcjellë një dinamikë tejet intensive, duke përjetuar ngritje të vazhdueshme artistike. Dhe ajo që duhet veçuar, ka të bëjë me faktin se, krijimtaria e tij në masë të madhe është shprehur nëpërmjet dy gjinive figurative: pikturës dhe vizatimit. Duke qenë një artist tejet aktiv dhe shumë produktiv, kërkues dhe novator, përmes veprave tij ai u bë projektues vizual i të kaluarës, por edhe dëshmitar i ngjarjeve të mëdha të historisë më të re kombëtare shqiptare. Krijimtaria e tij e ngriti atë në një protagonist i cili nuk mbeti pa u vërejtur nga publiku dhe sidomos nga syri i kritikës. Për të krijuar një pasqyrë më të qartë për zhvillimin e krijimtarisë së tij, do ta trajtojmë më hollësisht teknikën dhe teknologjinë e vizatimit dhe pikturës, efektet e koloritit, si dhe pasqyrimin e zhvillimit të krijimtarisë artistike të tij nëpër disa faza. Adem Kastrati punoi në mënyrë permanente dhe me një fanatizëm e vullnet të pashoq. Një jetë të tërë e shpenzoi në kërkim formash e teknikash të reja, synoi prore individualitetin e tij si krijues dhe arriti që si rrallë ndonjë tjetër të jetë i veçantë.
Duke u nisur nga rrethanat e krijuara ky numër asnjëherë nuk do të dihet saktësisht. Kuptohet, që një numër i konsiderueshëm i veprave padyshim që akoma ruhet në fondin e familjes së tij. Familja e Adem Kastratit për një numër prej tyre ka dijeni se ku ndodhën. Por, pjesa tjetër, pothuajse më shumë se gjysma e veprave të krijimtarisë së tij, nëpërmjet shitjes apo dhurimit, janë shpërndarë në të katër anët e botës. Ndonëse autori është përpjekur të mbajë një evidencë për veprat e tij, megjithatë, e ka pasur të pamundur që t’i evidentojë të gjitha. Piktori ka shkruar se qindra piktura të tij ndodhen në adresa të ndryshme nëpër botë. Shumë vepra sot janë pronë e galerive dhe institucioneve, e koleksionistëve dhe e personaliteteve të ndryshme, e miqve dhe e adhuruesve të artit të tij. “Ja një kështu është fati i piktorit. Njëherë rropatet me idenë, pastaj me punën rreth realizimit të pikturës, që më vonë ajo pikturë të merr udhën, kurse tek autori të mbeten vetëm adresat, por jo edhe paratë! Sepse ato para të gjitha treten, të gjitha shpenzohen për sigurimin e materialeve për të punuar, për të organizuar ndonjë ekspozite të re, rreth botimit të ndonjë katalogu. Është mjaft shtrenjtë, kurse unë gjithçka bëj vetë…” është shprehur, Adem Kastrati. Sipas një shënimi tjetër nga notesi i piktorit mësohet se numri më i madh i veprave të tij është shpërndarë nga Dubrovniku, nga ku shumë piktura kanë përfunduar nëpër vende të ndryshme të botës. Sipas evidencës që ka lënë Adem Kastrati, mund të llogaritet se fondi i përgjithshëm i tij, numëron rreth 830 vepra artistike. Sa mund të merret e saktë kjo shifër është për t’u diskutuar, por është e vërtetë se ka rreth edhe 300 vepra të pa ekspozuara, ku bëjnë pjesë piktura dhe vizatime që ruhen në fondin familjar. Këtu duhet llogaritur edhe një numër të konsiderueshëm të pikturave të realizuara në teknikën e dheut dhe vajit në pëlhurë të pa vendosura në blind – kornizë, të cilat janë dëmtuar aty kah fillimi i viteve të 80 – ta nga plasja e një gypi të kanalizimit në podrumin e banesës së familjes Kastrati. Po aty, dhe sipas një evidence të tij, mësohet se: në Francë ndodhen mbi 50 piktura, mbi 30 vepra janë në SHBA, 27 në Gjermani, 20 në Itali, 8 në Belgjikë, 6 në Suedi, 4 në Shqipëri, 5 në Danimarkë, 2 në Skoci, 3 në Finlandë, 1 në Brazil dhe 1 në Australi. / KultPlus.com
Më 15 janar 1864, lindi atdhetari Isa Boletini. Shqipëria e pavarur ishte kryefjala e jetës së tij. Udhëhoqi qendresën antiosmane, së bashku me Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Bajram Currin etj. Pas përfundimit me sukses të kryengritjes, Porta e Lartë e Stambollit u detyrua të ulej në bisedime dhe të plotësonte kushtet e palës shqiptare, ku më kryesorja do të ishte shpallja e Pavarësisë Kombëtare më 28 nëntor.
Isa Boletini ka udhëhequr forcat kryengritëse për çlirim nga pushtuesi Osman më 1912, ka qenë përkrah Ismail Qemalit në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila është copëtuar në konferencën e Londrës më 1913-të.
Isa Boletini ishte lindur në fshatin Boletin të Mitrovicës, në një familje me tradita patriotike. Në moshën 17-vjeçare ka marrë pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në betejën e Slivovës (22 prill 1881) kundër forcave osmane. Ai ka përkrahur Haxhi Zekën dhe atdhetarët e tjerë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë e qarqeve shoviniste fqinje.
Më 1901-1902 ishte vënë në krye të qëndresës popullore në Kosovë kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi, Rusisë e Austro-Hungarisë në Shqipëri. Boletini ka udhëhequr luftëtarët në betejat e zhvilluara me ushtrinë turke në zonat Shtimlje-Carralevë më 1910, ka mbështetur kryengritjen antiosmane të vitit 1911, ka udhëhequr forcat kryengritëse në zonën e Drenicës, Mitrovicës, Podujevës dhe Prishtinës në vitin 1912. Gjatë Luftës Ballkanike në tetor 1912, ishte vënë në krye të çetave të armatosura vullnetare për mbrojtjen e trojeve shqiptare kundër pushtuesve serbë.
Në ditët e Pavarësisë, në krye të përfaqësuesve të Kosovës, ishte ndodhur përkrah Ismail Qemalit në Vlorë dhe mori pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar, së bashku me Ismail Qemalin ka shkuar në Londër, ku ka protestuar me forcë kundër vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë.
Më vonë, Isa Boletini ka kaluar përsëri në Kosovë, ku ka organizuar qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë. Duke e kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, ai ka fituar autoritet të madh si udhëheqës popullor.
Isa Boletini e ka lidhur jetën e tij e të familjes me fatin e atdheut, dashurinë e besnikërinë ndaj të cilit e ka shprehur me fjalët “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”.
Isa Boletini më 23 janar 1916 ishte vrarë pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë, së bashku me të bijtë, Halilin dhe Zahidin, nipërit Jonuzin dhe Halitin, si dhe tre bashkëluftëtarë të tjerë. / KultPlus.com
Shkrimtari dhe poeti Preç Zogaj promovon në vendlindjen e tij botimin më të fundit “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, një vepër që përmban krijimet e tij më të mira në poezi në 40 vite karrierë. Zogaj thotë se nga ky botim me përmbledhjen e poezive më të mira, risjell në vëmendje hijeshinë e atyre që ishin botuar shumë vite më parë.
Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, vlerësoi poetin Zogaj për vlerat letrare që i ka dhënë Lezhës, Shqipërisë dhe përtej saj.
Mes 11 vëllimeve të shkruara në këto katër dekada, Preç Zogaj përzgjedh poezitë më domethënëse për gruan, miqtë, poetët e preferuar, për Lezhën, për vdekjen, për nënën e tema të tjera të pakohë, duke provokuar përmes fjalës një kolorit emocionesh, përfytyrimesh e mendimesh./ Tv Klan/ KultPlus.com
Në Lezhë u përkujtua sot Kuvendi i Arbrit, një nga ngjarjet më të rëndësishme të kombit, pas Besëlidhjes së Skënderbeut.
Në 322-vjetorin e Kuvendit, në kishën e restauruar të fshatit Mërqi, u organizua një veprimtari përkujtimore, ku morën pjesë historianë, autoritetet lokale, përfaqësues të klerit katolik dhe banorë të zonës.
“Pas rënies së Lezhës në duart e turqve osmanë, më 5 shtator 1478, rezidenca ipeshkvnore e Lezhës për pjesën më të madhe të pushtimit osman ka qëndruar pranë kësaj kishe,” u shpreh historiani Paulin Zefi.
“Pas 300 vitesh si pasuese e Kuvendit të Besëlidhjes, që dëshmon se në Lezhë, Shqipëria mund t’ia dalë dhe shpresoj që në të ardhmen, pse jo, të përsëritet një kuvend tjetër”, shtoi studiuesi Dom Nik Ukgjini.
Autoritetet lokale vlerësuan rëndësinë e Kuvendit të Arbrit, i cili mori një sërë vendimesh të rëndësishme për popullin shqiptar.
“Ishte një kohë e drojeve të mëdha, sidomos të bashkimit të Kishës, sepse Perandoria Osmane e kishte synim të vetin ta shkatërronte kishën katolike”, tha Fatjon Zefi, nënkryetar i bashkisë së Lezhës.
Kuvendi Kishtar i Arbrit ishte një mbledhje e klerit katolik shqiptar, mbajtur më 14–15 janar 1703 në Kishën e Shën Gjon Kryepremit në fshatin Mërqi të Lezhës, me përkrahjen e Papës Klementi XI, që kishte prejardhje shqiptare.
Ndër vendimet kryesore të Kuvendit ishin hapja e shkollave dhe botimet ne gjuhën shqipe, të cilat u zbatuan përgjatë shekujve XVIII dhe XIX./ atsh/ KultPlus.com