Besimtarët katolikë e ortodoksë në Shqipëri festojnë sot Krishtlindjen, ditën e shënuar të lindjes së Jezu Krishtit, e cila kremtohet në të gjithë botën.
Në Shqipëri, Krishtlindja rinisi të festohet pas viteve ’90-të, kur u lejua besimi fetar, i ndaluar nga diktatura.
Darka e Krishtlindjeve paraprihet nga një ditë agjërimi, gjatë së cilës përgatiten ushqimet që do të serviren në mbrëmjen e festës.
Në katedralen e “Shën Palit” u mbajt në mesnatë mesha e shenjtë për Krishtlindjen, ndërsa në Katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” Tiranë mesha u mbajt mëngjesin e sotëm.
Festa e Krishtlindjes u kremtua edhe në Kishën e Shna Ndout në Laç, vendi i cili mbledh mijëra qytetarë nga të gjitha besimet./ KultPlus.com
Papa Françesku bëri thirrje sot për bisedime mes Ukrainës dhe Rusisë për t’i dhënë fund luftës që nisi me sulmin në shkallë të gjerë të Moskës, më shumë se dy vite më parë, e që ka shkaktuar me dhjetëra mijëra të vrarë.
Në fjalimin e tij në ditën e Krishtlindjes, duke iu referuar konfliktit në Ukrainë Papa bëri thirrje për “të gjetur guximin e nevojshëm për t’u hapur derën negociatave”.
Duke folur nga ballkoni qendror i Bazilikës së Shën Pjetrit, para mijëra njerëzve të mbledhur në shesh, Papa tha se uronte që “zhurma e armëve në Ukrainën e shkatërruar nga lufta, të ndalej”.
Ai bëri thirrje gjithashtu për gatishmëri për “dialog e për t’u takuar”, në mënyrë siç tha ai “të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme”.
Papa Françesku, i cili ka qenë Papë që nga viti 2013, u kritikua nga zyrtarët ukrainas këtë vit kur tha se vendi duhet të ketë guximin për të negociuar me qëllim dhënien fund të luftës me Rusinë.
Më parë Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy e kishte përjashtuar më mundësinë e bisedimeve për paqe pa rivendosjen e kufijve të Ukrainës së paraluftës.
Por zoti Zelenskiy ka treguar gatishmëri në rritje që nga momenti i rizgjedhjes së Donald Trump-it si president i Shteteve të Bashkuara, për të hyrë në negociata.
Më herët gjatë muajit dhjetor, zoti Zelenskiy hodhi idenë e një zgjidhjeje diplomatike që do të përfshinte “ngrirjen” siç tha ai të linjave aktuale të betejës dhe vendosjen e trupave të huaja në Ukrainë. Rusia ka kërkuar që Ukraina të heqë dorë nga ambiciet e saj për t’iu bashkuar aleancën ushtarake të NATO-s.
Po sot Papa Françesku, bëri thirrje për t’i dhënë fund konflikteve, politike, sociale apo ushtarake, në vende si Libani, Mali, Mozambiku, Haiti, Venezuela dhe Nikaragua. /VOA/ KultPlus.com
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, në Festën e Krishtlindjeve, mori pjesë në kremtimet në Katedralen Katolike të Shën Palit dhe Katedralen Orthodokse “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë.
Sot, në Festën e Krishtlindjeve, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, mori pjesë në kremtimet në Katedralen Katolike të Shën Palit dhe Katedralen Orthodokse “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë.
Në Katedralen Katolike të Shën Palit, Spiropali u prit nga Arqipeshkvi Metropolitan i Tiranës dhe Durrësit, Imzot Arjan Dodaj, me të cilin, krahas urimeve, diskutuan mbi rëndësinë dhe rrezatimin e festave dhe vlerave të krishtera në jetën shoqërore e publike, në kultivimin e ndjenjave të dashurisë, miqësisë e solidaritetit njerëzor, mbështetjen e familjeve e të njerëzve në nevojë etj.
Në prononcimin e saj para mediave, pas vizitës në Katedralen Katolike të Shën Palit, Spiropali nënvizoi se “Krishtlindjet janë një ditë e shënuar, e bukur për të gjithë besimtarët e krishtere, por që tradicionalisht festohen nga të gjithë shqiptarët. Toleranca dhe harmonia fetare janë një pasuri e madhe e shqiptarëve, e njohur botërisht dhe me të cilat kemi të drejtë të mburremi.
Nga kjo tolerancë duhet të mësojmë të gjithë, por sidomos ne politikanët. Të udhëhiqemi nga dashuria, respekti e mirëkuptimi, të braktisim gjuhën e urrejtjes, të përçarjes dhe konfliktit.
Dashuria është vlera më e lartë njerëzore dhe ajo duhet të pershkojë jetët tona. Të gjitha gjërat e kësaj jete e kane një kufi. Vetëm dashuria nuk shterron kurrë. Kam sot një mesazh solidariteti me besimtarët, qytetarët, gratë dhe fëmijët që Krishtlindjet i gjejnë në luftë. Urojmë që luftrave tu jepet fund dhe paqja ta gjejë rrugën sa më shpejt. Gëzuar të gjithëve!”/topchanel/ KultPlus.com
-Jusuf Buxhovi “Vitet e Gjermanisë”, boti “Faik Konica”, Prishtinë 2024.
Fadil Kajtazi
Në vitin 1984, Jusuf Buxhovin e njoha përmes romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, roman ky, përpos që më përmbushi shpirtërisht, siç ndodh zakonisht me veprat letrare, përmes rrëfimit letrar, më përmbushi edhe në aspektin e njohurive historike, por ajo që është më e rëndësishme, ma rrënoi mitin e të fortit, ku përmes fabulës së shkëlqyer të tregimit, autori jep porosinë se jo çdoherë mbi të keqën fitohet me forcë dhe se, kur proceset i merr në dorë inteligjenca, fitorja mbi të keqën shoqërore mund të arrihet edhe vetëm me një të grithur. Ja pra, fuqia magjike e fjalës së shkruar letrare, që artisti e përçon te lexuesi e që nuk të le të dorëzohesh, të motivon të qëndrosh deri në fund për ta mundur të keqën. Fizikisht Jusuf Buxhovin e kam takuar së pari tash e tridhjetepesë vjet, pikërisht në këtë vend, kur së bashku me një shokun tim, kishim ardhur për të marrë fletëregjistrimet për të regjistruar popullsinë e Gjilanit, e cila në mënyrë masive po aderonte në LDK. Këtu pra, në sallën e madhe, ai duke qëndruar në këmbë i diktonte diçka dikujt që shkruante me dorë në një letër formati. Pa e ditur se zotit Buxhovi, me vite të tëra, me kazmën e tij të vogël ishte akter në procesin e gërryerjes së themeleve të brishta të kështjellës së madhe jugosllave (gjë e cila e kristalizuar dokumentohet gjatë leximit të librit që promovohet sot), efektet që kishte shkaktuar romani dhe qetësia me të cilën ai i dikonte shokut të vet, përpara më shfaqën Nikollë Kazazin. Atmosfera që mbretëronte në objektin e Shoqatës së Shkrimtarëve, në shtëpinë ku u ngjiz pavarësia dhe me zotin Buxhovi në qendër, më krijuan një qetësi shpirtërore, nga e cila si me të prekur të butonit, mu hoq nga barra pesha e shumë dilemave që më ishin krijuar nga përditshmëria e rënd e pushtimit të egër, e që i bluante në kokë mendja e ime rinore: Nuk ka më dilemë – duhet qëndruar! Dhe si dikur që Nikollë Kazazi me Lamin e kishte mundur murtajën, edhe tani do të ngadhënjehej mbi të keqën, e cila në këtë kohë, e tërbuar e kishte kapluar Kosovën. Isha i bindur se ky njeri, së bashku me ata që ishin aty rrotull tij, kishin vullnetin, dijen, përkushtimin dhe vizionin për ta gjetur ilaçin, për t’i dalë të keqes shekullore përpara dhe për ta mundur atë, pra, për ta fituar lirinë. Dhe ja ku jemi sot pas 35 vjetëve! Përpara kemi zotin Buxhovi dhe veprën e tij, e cila e argumenton se si ai, së bashku me elitën intelektuale të kohës, me përkushtim intelektual, me mund dhe sakrificë, e gjetën këtë ilaç, e mundën të keqen! Se si ishte zhvilluar procesi kompleks për çlirimin e Kosovës, do të mësoni në librin “Vitet e Gjermanisë”, ku Jusuf Buxhovi është akter i rëndësishëm dhe do të ju shfaqet si: gazetar, shkrimtar, historian, publicist, diplomat dhe mbi të gjitha si intelektual parekselancë, i cili pa problem e me dashamirësi, komunikonte me nivele më të larta të shtetit gjerman, me ata të cilët e bënin jetën politike e publike të Gjermanisë Perëndimore gjatë Luftës së Ftohët si dhe pas saj:
Me ata të cilët e bënë historinë e këtij shteti dhe të Evropës në kohën e konfrontimit bllokist;
Me ata të cilët kishin hise në vendosjen e konturave gjeopolitike të botës së pas Luftës së Ftohtë;
Me ata të cilët ndikuan që ne sot të lirë, në këtë vend, të promovojmë këtë libër me vlera të veçanta historike, politike, diplomatike e gazetareske;. (Vili Brand, Helmut Shmit, Helmut Kol, Gerhard Sherder, Hanc Ditrih Gensher, Angele Merkel).
Në kulmin e kësaj lufte, për një gazetar nga një vend komunist, nuk ka qenë e thjeshtë që të ftohet në audienca private nga përfaqësues të shtetit gjerman, nga shkrimtar elitar, nga gazetar, nga ata që bënin jetën publike të gjigantit ekonomik evropian, me ndikim të fuqishëm politik, siç ishte Gjermania e atyre viteve. Gjatë këtij rrugëtimi, në funksion të çështjes shqiptare, Buxhovi kishte sensin për të heshtur kur duhej heshtur dhe të fliste aq sa duhej të flitej në rrethana dhe ambiente ku ndodhej dhe mbi të gjitha, të thoshte atë që ishte e nevojshme të thuhej në mënyrën më të përshtatshme. Këto virtyte, Buxhovin e bënë personin e besuar para personaliteteve të shquara politike, diplomatike, të kulturës e të gazetarisë, në radhë të par të shtetit gjerman, si dhe të gjithë botës perëndimore që gravitonte në këtë kohë në Gjermani, në shtetin me ndikim në BE dhe në NATO. Ata para tij e hapën zemrën, për t’i përcjellë mesazhin e vizionit për shqiptarët, që në vitet e shtatëdhjeta, kur në horizont ende nuk dukej as gjë. Sot duket e thjeshtë, por në ato vite ka qenë shumë e komplikuar që një zyrtar i lart shtetëror gjerman, një shqiptari nga një vend komunist, t’i shpaloste strategjinë e veprimit dhe qëllimin e Perëndimit për shqiptarët: “Shqipëria e ka vendin në Evropë dhe perëndim… Nga të harruar dhe të anashkaluarit, shqiptarët një ditë do të kthehen në qendër ë vëmendjes së saj…” (Franc Juzef Shtraus). Me delikatesën e intelektuali të kompletuar, në takimet e shumta, Buxhovi ja doli mrekullisht që para elitave politike, intelektuale e te mediave prestigjioze gjermane, britanike, franceze e amerikane, ta demaskoi propagandën shekullore serbe (jugosllave), në dëm të shqiptarëve, zanafilla e të cilës është që në fillim të shekullit XIX dhe të argumentoi se serbët nuk kanë hequr dorë nga qëllimi për t’i shfarosur shqiptarët. Buxhovi gjatë audiencave private e zyrtare, në media të shkruara e vizive, në forume ndërkombëtare, do të argumentojë bindshëm se shqiptarët e Kosovës janë në të drejtën e tyre mbi parimet universale që i kishte pranuar bota demokratike. Këtë e kishte filluar qysh herët, në mes të viteve të shtatëdhjeta, kur shkreptimat e dekompozimit të federatës jugosllave ishin ndjerë. Gjatë gjithë kësaj kohe e deri në vitin 1999, Buxhovi me finesë dhe delikatesë kishte konceptuar doktrinën strategjike të veprimit politik për avancim të pozitës së shqiptarëve në rrethanat e pas shkërmoqjes së Jugosllavisë komuniste: “Liria , barazia, demokracia dhe përkatësia perëndimore” do ishin thelbi i kësaj doktrine, e cila në dukje e thjeshtë (vetëm një grithë), por që arriti t’i fus në lëvizje ingranazhet e të gjitha sistemeve të brendshme e ndërkombëtare që e favorizonin zgjidhjen e çështjes shqiptare në përgjithësi dhe asaj të Kosovës në veçanti. Vitet e pas Gjermanisë, kur Buxhovi kthehet në Kosovë, janë vitet e ngjarjeve të mëdha, në të cilat ai është ndikuesi herë i drejtpërdrejtë e herë anësorë i vendosjes së konturave të veprimit politik, të cilat ju dhanë kahe të duhur zhvillimeve për çlirim dhe pavarësi të Kosovës. Pa kulturën familjare, pa ngritjen intelektuale dhe pa përvojën e viteve gjermane të Buxhovit, do të thosha edhe atyre franceze të Rugovës, rezistenca e jonë do të kishte lënguar gjatë për t’u liruar nga kthetrat të ideologjisë marksiste – leniniste, e cila për shkak të regjimit në Shqipëri, kishte ndikim të madh edhe te ne. Sigurisht se nga kjo perspektivë, është e vështirë që të kuptohet në retrospektivë ky ndikimi, por, kur kihet parasysh platforma e veprimit politik të pjesës me ë madhe të grupimeve ilegale që kishin qenë pjesë e Pranverës së 81, domosdo se do të vlerësohet pesha e këtij ndikimi. Ndonëse që nga fillimi i librit e deri në fund, këtë faktor (të transformuar në një formë tjetër të veprimit pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri), Buxhovi e prekë përciptazi, me gjithë atë, i ka frikën. Sido që të jetë, në libër dokumentohet qartë se si Rugova, Buxhovi dhe ai që dikush e quan “Çarku i intelektualëve të Prishtinës”, arritën ta shmangin këtë faktorë dhe lëvizjes për çlirim, t’i japin frymën iluministe. Pikat e kthesës historike për Kosovën, të cilat Buxhovi i pasqyron të argumentuara në këtë libër, e në të cilat ai ka hise të drejtpërdrejtë, pos të tjerave, do t’i veçoja: demolomin e të drejtës historike serbe mbi Kosovën, të cilën përhapte Dobrica Çosiqit, në një tribunë ndërkombëtare e në Budva me 1987; përballjen dhe çmontimi i shkrimtarëve serb në Beograd në pill 1988, ku Çosiq do të deklaronte “i respektoj kundërshtarët e fortë. Këtë herë ishit të tillë”; rolin kyç në Formimin e LDK-së, e të tjera, e të tjera… Nëse do të kishte një akademi në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme, për t’i shkolluar politikanët dhe diplomatët, me pak modifikime, ky libër do të ishte një material metodik i fushës së diplomacisë, politikës, dhe gazetarisë. Për ndryshe, libri ka edhe vlera të çmuara historike, të cilat janë të domosdoshme për t’u eksploruar në mënyrë që historia e hidhur mos të na përsëritet.
(Fjalë rasti e mbajtur në promovimin e librit “Vitet e Gjermanisë”, më 23 dhjetor 2024 në Prishtinë). …/ KultPlus.com
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja priti sot në një takim fituesit e Festivalit të 63 të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar.
Në takimin me Beatriçen dhe Kolën, dy artistët e talentuar të Shkodrës Elektronike, Gonxhja vlerësoi stilin unik që bashkon muzikën tradicionale shqiptare me ritmet elektronike.
“Me një stil unik që bashkon muzikën tradicionale shqiptare me ritmet elektronike, Shkodra Elektronike ka sjellë një qasje krejtësisht origjinale, duke performuar në mbrëmjen hapëse dhe përmbyllëse të Javëve Ndërkombëtare Kulturore”, u shpreh ai.
Ministri siguroi mbështetje për rrugëtimin e tyre drejt një përfaqësimi dinjitoz në Bazel për Eurovision./atsh/ KultPlus.com
Stuhi dëbore në New York, avionët gjithë vonojnë. Në qiejt lart diçka nuk shkon, dikush po mbyt dikë. Janë ernat ndoshta që s’meren vesh, radarët janë nervozë. Një puç qiellor ka ndodhur ndoshta e ne nuk dimë asgjë.
Ne si përherë asgjë nuk dimë, ndërkaq në aeroporte Në salla pritjesh gratë nxjerrin pasqyrëzat me ngut. Parfumi i vënë qysh në mëngjes në trup të tyre shqetësohet, Errësimi i ëmbël mbi pubis besimin prore humb.
Shtjellë dëbore. Rrokaqiejt ngjasojnë si të dehur. Do të besosh se e humbën peshën, si retë do ngrihen lart. Ne si përherë asgjë s’kuptojmë, ne prapë drejt krimit rendim. “Ah, ç’kohë e keqe!” përsërisim si papagaj të ngratë.
Avioni lejohet të zbresë më në fund. Duke shkërbyer engjëjt flatron sërish. Mbi rrokaqiejt shenjat e kryqit Të zotin e presin të zbresë lartësisht.
Kurrkund në botë bujtësin e largët S’e presin kaq dehshëm e me kaq bujë. I varur humnershëm midis tokës e qiellit Midisësi i madh dëgjon “alelujan”.
Vallë kujt i përket, ka plot dy mijë vite Që enigmën e hershme s’e gjejmë ne dot. “Ndorë të qiejve”, tha toka kur lart e ngriti, “Ndorë të tokës” tha qielli kur e zbriti poshtë.
Ai mbeti në mes: shestimi ynë i thyer, Ndërgjegja e vrarë, fluturimi që vdiq. Është vonë që qielli prapë ta tërheqë, Është vonë që toka ta tretë në gji.
Është vonë për të gjithë… Ndaj na sheh pikëllueshëm. Vdekjejetshëm tek mërzitet njeriu – hyjni, Dëshmitar i një pakti, i një bese të thyer, I ëndrrës sonë tragjike për qiellsi.
Qielli ngryset më shumë. Dyer makinash përplasen. Ndriçimi që dita me ngut e tret Shpejton të strehohet në gurë unazash, E në qafa grashë në, Avenunë e Pestë.
Është ora e diamanteve. Në Blumengdale Ngadhnjimi i tyre vezullon që larg. Krenarë pa dyshim që vdekjen s’e njohin, Ndonëse jetën gjithashtu s’e njohin aspak.
Qielli nxin. Ora jonë po bie. Nën panikun E kambanave të saj dyndemi gjithkund. Te Rruga Dyzetedy, te kishë e Shën Patrikut Ne apostujt, gjykatësit, judët e pafund.
Ecim nën ca shenja e shigjeta ndonëse e dimë Se një rrugë veç njohim: atë që çon në mort. Të vetmin në botë që të dy kahjet i kishte E mbytëm, e tani i themi: kthehu, Zot.
Kthehu, bir i Zotit, na trego drejtimin. Zbërthena shenjat që s’i marrim vesh. Humnershëm ai hesht e në vend të përgjigjes Si drita semaforësh katër plagët i ndez.
Pushoi stuhia në New York, avionët me kohë mbërrijnë. Në salla pritjesh s’ka më frikë, parfumet s’vuajnë më. Atë që ndodhi sipër nesh, ne natyrshëm s’e dimë, Çfarë u përmbys e çfarë u ngrit, ne prapë s’dimë asgjë.
Ne shohim veç emblema bankash nën qiellin e hirtë, Ca “Dow Jones”, ca “Dax”, ca shifra që shfaqen si në makth. E në kartat tona të kreditit kërkojmë plagët e Krishtit, E shenjat tona, që mes shifrash e zerosh rrjedhin gjak.
Ne s’dimë ku i morëm plagët, ku ramë e ku u thyem. Afatet tona ne s’i dimë, verdiktin aq më pak. Ndaj n’aeroporte rendim prapë, me shpresë të gjejmë prapë qiellin, Por tokë e rëndë nuk na lë, s’na lë e zeza në baltë. Ne pjellë e saj, robër të saj, mbretër të saj të rremë, Gjer kur i themi do na mbash në kurthin tënd të zi. Ajo s’përgjigjet, veç në heshtje, ashtu siç gatit barin, Për pabesinë tonë gatit ndëshkimi tonë të ri.
Çdo film i Christopher Nolan pritet me padurim dhe me arsye të mirë, pasi janë të paktë regjisorët që arrijnë të përballojnë zhurmën rreth projekteve të tyre me aq qëndrueshmëri sa ai, shkruan themanual.com.
Pas lajmeve se filmi i tij i ardhshëm do të dilte në kinema në korrik të vitit 2026 dhe zbulimeve se kush do të jetë në rolet kryesore, ne tani dimë më shumë detaje se për çfarë do të jetë filmi.
Filmi do të jetë një adaptim i ”Odisesë” së Homerit dhe sipas një postimi në X nga ”Universal Studios”, “është një epikë aksioni mitik, i xhiruar në të gjithë botën duke përdorur teknologjinë e re të filmit IMAX”.
Ne tashmë dimë shumë rreth aktorëve kryesorë për këtë projekt të ri, i cili përfshin Matt Damon, Tom Holland, Zendaya, Anne Hathaway, Lupita Nyong’o, Robert Pattinson dhe Charlize Theron.
Filmi do të jetë vazhdimi i Nolanit i filmit të tij fitues të Oscar-it ”Oppenheimer” dhe padyshim që ndihet si një kthesë drejt modalitetit blockbuster.
Ndërsa çdo projekt i Nolanit është planifikuar për marrjen në konsideratë të çmimeve të mundshme, disa nga filmat e tij kanë rezonuar më shumë me votuesit e çmimeve sesa të tjerët.
Një adaptim i ”Odisesë” mund të ndihet i çuditshëm, por gjithashtu mund të ndihet si një film aventurë.
Sigurisht, edhe pse e dimë që Nolan po adapton ”Odisea”, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ne e kuptojmë plotësisht se çfarë forme do të marrë filmi.
”Odisea” është një nga veprat më themeltare të trillimeve në botë, por ka kuptim që një nga kineastëve totemikë të kësaj epoke do të mund të gjente diçka intriguese atje.
Historia është përshtatur më parë në 1911 dhe 1954, dhe në mënyrë tangenciale në filmin e vitit 2000 ”O Brother, Where Are Thou?”./ atsh/ KultPlus.com
Ato që na bëjnë të ndjehemi nostlagjik për kohërat e mëhershme janë fotografitë, shkruan KultPlus.
Fotografitë janë dëshmi të periudhave të ndryshme kohore si dhe njëherit na ndihmojnë që të dallojmë ndryshimet e qyteteve.
Kjo vërehet edhe në kryeqytetin kosovar, në Prishtinë. Fotografia e cila ishte pjesë e një artikulli të një gazete të vjetër për dimrin e acartë e tregon këtë.
Kjo fotografi e qytetit pa lum është realizuar në vitin 1981./ KultPlus.com
Për herë të parë që nga zjarri i vitit 2019, katedralja ”Notre-Dame de Paris” po feston sot sërish Krishtlindjet, me ceremonitë tradicionale të Lindjes së Krishtit, të cilat pritet të tërheqin mijëra besimtarë.
“Tani jemi kthyer në Notre-Dame, e cila sapo na është rikthyer për ta adhuruar dhe vizitorët po festojnë!”, tha kryepeshkopi i Parisit, Laurent Ulrich në një mesazh për Krishtlindje.
Ai nderoi talentet e restaurimit që lejuan që ”dhimbja e zjarrit dhe pesë vitet e ndarjes të fshiheshin për të lënë vetëm gëzimin e ribashkimit, gëzimin e të jetuarit përsëri së bashku këtë shtëpi të përbashkët, shtëpinë e Zotit”.
Katedralja u shkatërrua nga flakët më 15 prill 2019 dhe, që atëherë, nuk i kishte pritur më këto masa të Lindjes së Krishtit që festonin, për të krishterët, lindjen e Jezusit.
Kryepeshkopi i Parisit ka kryesuar sot meshën në orën 11:00.
Qasja në katedrale mbetet subjekt i një kufiri të rreptë prej 2 700 personash, ndërsa entuziazmi mbetet i fortë për hyrjen në këtë ndërtesë, të zmadhuar nga Victor Hugo dhe të festuar në filma, romane dhe muzikalë të ndryshëm.
Pas pesë vitesh punë kolosale, në një projekt që kushton afro 700 milionë euro, ”Notre-Dame de Paris” u rihap në fillim të dhjetorit, me një ceremoni në prani të disa personaliteteve, përfshirë presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump dhe liderin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
”Ky moment Krishtlindjesh është një moment për të shprehur dashurinë dhe bujarinë, por edhe shpresën që Zoti të mos na braktisë”, nënvizoi Laurent Ulrich në një intervistë radiofonike.
“Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësinë dhe kompleksitetin në të cilin jetojmë”, shtoi ai.
Për katolikët, këto Krishtlindje shënojnë edhe fillimin e Jubileut, Viti i Shenjtë 2025 i Kishës Katolike, i cili u prezantua dje në mbrëmje nga papa Françesku./atsh/ KultPlus.com
Më 16 prill të vitit 1889 ka lindur Charlie Chaplin, i cili ka vdekur më 25 dhjetor 1977 në Zvicër. Aktori, skenaristi, regjisori dhe producenti anglez Charlie Chaplin, ishte një nga pionierët e kinemasë dhe një ndër artistët më të mëdhenj në historinë e filmit.
Mustaqe të zeza, kapelja, bastuni dhe të ecurit si rosak me këpucët e mëdha – karakteristika të Charlie Chaplin këto që nuk i harron askush. Ashtu si edhe në filmin e tij të parë, me të cilin korri sukses të madh „Fëmija“ (1921) „endacaku“ ndërthurte në figurën e tij, humorin e shakanë me dëshpërimin e melankolinë.
Lindur në vitin me 16 prill 1889 në Londër, ai ndërroi jetë në Zvicër në vitin 1977 – gjatë jetës ai përjetoi shumë suksese në kinematografi, por edhe shumë skandale. Charles Spencer Chaplin rridhte nga një familje e varfër dhe arriti të fitojë miliona në Hollywood. Filmi i tij “Etja për ar”(1925) tematizon pikërisht këtë kontradiktë: realiteti i trishtuar dhe ëndrra për ar e pasuri.
Shumica e veprave të Chaplin u krijuan në kohën e filmit pa zë. Për „Dritat e qytetit“ ai punoi në fazën e kalimit nga filmi pa zë në atë me zë. Por Chaplin nuk i preferonte filmat me zë. Ai e përdorte zërin me kursim dhe në mënyrë eksperimentuese. Filmat e tij dëshmojnë se ai ka pasur të drejtë: Mimika, pantomimat, gjestet dhe shprehja – të gjitha funksionojnë edhe sot tek filmat e Chaplin.
Charlie Chaplin ishte i dhënë pas grave dhe është martuar gjithsej katër herë. Yllin e ri të kinematografisë e tërhiqnin gjithmonë vajzat e reja. Kjo shpesh herë i ka krijuar telashe. Në SHBA dhe në atdheun e tij në Angli, apostujt e moralit e kanë kritikuar ashpër atë.
Gruaja e dytë e tij Lita Grey Chaplin dhe dy fëmijët – 1913
Vetëm në filmat e tij të vjetër Chaplin luante karaktere të pakëndshëm. Shumë shpejt ai iu përkushtua roleve, që karakterizuan më pas filmat e tij: ky ishte njeriu i thjeshtë, që mbrohet ndaj padrejtësive të jetës. Në veprat e më vonshme si „Kohët moderne“ (1936) ai ushtron edhe një kritikë të thellë shoqërore – njeriu në ingranazhet e industrializimit.
Një vepër mjeshtërore e Chaplin është filmi “Diktatori i madh” (1940). Përpjekjes, që konsiderohej thuajse e pamundur për të satirizuar Hitlerin dhe nazistët – Chaplin ia doli me sukses. Më vonë Chaplin është shprehur, se po të kishte pasur dijeninë për kampet e përqendrimit ai nuk do ta kishte xhiruar filmin. E pavarësisht kësaj “Diktatori i madh” edhe sot është një film që ia vlen të shihet.
Në veprën e mëvonshme “Projektorët” Chaplin ka përpunuar edhe shumë prej përjetimeve të tij. Në të tematizohen ulje – ngjitjet e artistit. Premiera e filmit u shfaq në vitin 1952, në një kohë, kur Chaplin përçmohej në SHBA. Atë e akuzonin atje, se ishte i afërt me komunizmin. Chaplin, i cili ishte atë kohë në Angli, nuk u lejua të kthehej në SHBA.
Pas dhjetë vjetëve ndërprerjeje, Charlie Chaplin rivuri në skenë në Europë në 1967 filmin: “Kontesha e Hong-Kongut”. Ndonëse filmi me dy yjet e kinematografisë Sophia Loren dhe Marlon Brando pati aktorë të nivelit të lartë, ai nuk solli asnjë sukses komercial. Vitet e fundit të jetës Chaplin i kaloi në Zvicër. Vetëm një herë ai u kthye shkurt në SHBA.
As sot e kësaj dite nuk ka figurë tjetër në historinë e kinematografisë, që të jetë kaq e pranishme sa Charlie Chaplin. Qoftë në reklama, në qendra tregtare, në pllakata, në fotografi apo në internet – figura e endacakut me tiparet tipike të aktorit Charlie Chaplin haset kudo dhe në çdo kohë. Chaplin u ka mbijetuar kohërave – ndonëse periudha e tij si regjisor i përket një të shkuare të largët.
Edhe ata që nuk janë rritur me Charlie Chaplin dhe filmat e tij, e njohin endacakun. “Ai nuk ishte një yll Hollywood-i”, thotë ekspertja amerikane e Chaplin-it, Lisa Stein Haven, “sepse kur ai ishte një yll, Hollywood-i nuk ekzistonte”. Edhe sot mund të thuash që: Charlie Chaplin është shumë më tepër se sa një aktor. Ai është një legjendë. / KultPlus.com
Ndërsa viti po i afrohet fundit, miliona njerëz anembanë botës me padurim pritën këtë periudhë për të vendosur dekorime, drita shumëngjyrëshe, ushqime të shijshme, muzikë të këndshme dhe dhurata emocionuese.
Por përtej këtyre, sa dimë ne për Krishtlindjen, tashmë të transformuar në një festë super argëtuese? National Geographic sjell 10 kuriozitete rreth Krishtlindjes:
Krishtlindja është një festë e krishterë që kremton lindjen e Jezu Krishtit, për të cilin të krishterët besojnë se ishte biri i Perëndisë. Për shumicën e njerëzve, festa zhvillohet çdo vit më 25 dhjetor, ditën që Kisha Katolike Romake zgjodhi për të shënuar ditëlindjen e Jezusit. Por, në fakt, askush nuk e di datën e saktë të lindjes së Jezusit.
Jo të gjithë të krishterët festojnë Krishtlindjet në të njëjtën ditë. Në vendet me popullsi të madhe të të krishterëve ortodoksë, si Rusia, Ukraina dhe Rumania, dita e Krishtlindjes bie më 7 janar. Disa të krishterë ortodoksë grekë festojnë gjithashtu Krishtlindjet më 7 janar.
Emri “Krishtlindje” vjen nga fraza e vjetër angleze Cristes maesse, që do të thotë “Mesha e Krishtit”. Por çfarë ndodh me ‘Krishtlindjet’? Shumë njerëz mendojnë se ky është vetëm një shkurtim i ditëve modern, por në fakt daton në shekullin e 16-të. Thuhet se “X” përfaqëson shkronjën greke “Chi”, shkronja e parë në fjalën greke për Krishtin, Χριστός (shqiptohet “Christos”).
Shumë prej traditave festive që kemi sot, fillimisht lindën në epokën viktoriane, të tilla si kartolinat e Krishtlindjes, dhuratat dhe ushqimet tradicionale si byrekët e gjeli i pjekur.
Pemët e Krishtlindjes u panë për herë të parë në Gjermaninë e shekullit të 16-të, ku njerëzit dekoronin bredhin me fruta dhe arra, më vonë me ëmbëlsira, forma letre dhe qirinj. Por historianët mendojnë se origjina e kësaj tradite festive mund të datojë që nga romakët dhe egjiptianët e lashtë, të cilët përdornin bimë me gjelbërim të përhershëm dhe kurora si simbole të jetës së përjetshme.
Çdo vit Norvegjia dërgon një pemë të bukur Krishtlindjeje, në Londër, ku zbukurohet me drita në sheshin Trafalgar. Pema 20 metra e lartë, është një dhuratë falenderimi për ndihmën që Mbretëria e Bashkuar i dha Norvegjisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Nuk mund të flasim për Krishtlindjen pa përmendur njeriun gazmor me mjekër të madhe, me faqe rozë: babagjyshin e Krishtlindjes. Por a e keni pyetur veten se si e mori emrin Santa Claus? Është nga Sinterklaas, që do të thotë Shën Nikolla në holandisht. Shën Nikolla ishte një peshkop i krishterë që jetoi në shekullin e 4-t – i njohur për të qenit i sjellshëm dhe bujar, ai më vonë u bë shenjt mbrojtës i fëmijëve.
Babagjyshi nuk është i vetmi personazh i Krishtlindjeve. Ka shumë të tjerë në mbarë botën. Në Itali, për shembull, thuhet se një shtrigë e sjellshme e quajtur La Befana, fluturon në një fshesë duke u shpërndarë lodra fëmijëve. Dhe në Islandë, fëmijët lënë këpucë nën dritare për 13 trollët e djallëzuar të quajtur Yule Lads. Nëse fëmija ka qenë i mirë, ata do të gjejnë ëmbëlsira në këpucët e tyre, por nëse kanë qenë të këqij, djemtë e yjeve do t’u lënë atyre një patate të kalbur.
Të gjithëve na pëlqen të këndojmë së bashku me Jingle Bells, por a e keni vënë re ndonjëherë që kënga nuk e ka fjalën Krishtlindje, Jezusi dhe as Santa Claus? Kjo sepse fillimisht nuk ishte një këngë e Krishtlindjes. Në fakt, himni i gëzuar u shkrua në vitin 1850, me titull “One Horse Open Sleigh”, për festën amerikane, Ditën e Falenderimeve.
Tani, imagjinoni sikur të mos kishte Krishtlindje. Do dukej diçka mjaft e çuditshme? Epo, besojeni apo jo, në 1644 festimet e Krishtlindjes u bënë të paligjshme në Angli, dhe menjëherë pas kësaj, edhe në kolonitë angleze në Amerikë. Në atë kohë, anëtarët e qeverisë mendonin se kuptimi fetar i Krishtlindjes ishte harruar, dhe kështu ndaluan festimet e festave. Disa njerëz festuan në fshehtësi, derisa Krishtlindja u bë përsëri e ligjshme, pothuajse 20 vjet më vonë./atsh/ KultPlus.com
Kongresi i Durrësit, i mbajtur 106 vjet më parë nga data 25-27 dhjetor, pati si qëllim sigurimin e tërësisë territoriale dhe vazhdimësinë e shtetit shqiptar, pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore.
Në këtë Kongres, ku morën pjesë mbi 50 delegatë u vendos për krijimin e një qeverie të përkohshme me 14 anëtarë.
Kongresi vendosi edhe që të formohej një Pleqësi (senat), si organ këshillues i qeverisë. Delegatët u shprehën për ruajtjen e pavarësisë e të integritetit territorial të shtetit shqiptar, për rishikimin e kufijve të 1913-ës dhe për paraqitjen e këtyre kërkesave në Konferencën e Paqes.
Lëvizjet për mbledhjen e krerëve shqiptarë ishin shfaqur që në fillim të tetorit. Por në organizimin e shqiptarëve në Itali ishin duke u përgatitur si Mehdi Frashëri, Mustafa Kruja, të cilët ishin të orientuar nga politika italiane.
Këta i kërkonin më 6 tetor 1918 “Vatrës” të dërgonin në Itali përfaqësuesit e tyre, për të përcaktuar atë platformë të përbashkët politike, me të cilën do të dilnin përpara Konferencës së Paqes. Ndërsa Mehmet Konica arriti në Romë më 19 nëntor, i pritur me ngrohtësi nga italianët. Ndërkaq, qeveria italiane kishte hequr dorë nga mendimi, që kishte në fillim, për të lejuar formimin e një qeverie shqiptare. Ndërkaq, shqiptarët që erdhën nga Roma për në Shqipëri ishin të këshilluar të formonin jo një qeveri, por një këshill ose komitet kombëtar.
Ky komitet nuk duhej të bënte një politikë të pavarur as brenda vendit as jashtë tij, por duhej të gjente një vegël në duart e politikës italiane. Në fund të nëntorit 1918 u aprovua formimi i këshillit kombëtar i ideuar nga Gaetano Manconi, duke porositur që këshilli të formohej sa më parë në Durrës me persona shqiptarë që të jenë njerëzit tanë dhe me autoritet në të gjithë Shqipërinë e pushtuar prej nesh me përjashtim të Vlorës dhe të hinterlandit të saj. Por në të dyja rastet, si një qeveri po edhe një këshill, për t’i formuar këto organe duhej të mblidhej kongresi kombëtar./atsh/ KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka uruar Krishtlindjet me një ikonë të restauruar.
Ai u shpreh se kjo ikonë vjen si dëshmi arti dhe besimi që prej shekullit XVII, përcjell Klankosova.tv.
“Mirëmëngjes dhe me këtë ikonë të saporestauruar, që na vjen si dëshmi arti dhe besimi që prej shek. XVII, ju uroj të gjithë besimtarëve të krishterë, Gëzuar Krishtlindjen”, ka shkruar Rama.
Më 25 dhjetor prej orës 20:00, shfaqet filmi i fundit për këtë vit për programin e Kinemasë së Zgjeruar të titulluar “Dial H for Horror” në Kino Lumbardhi.
Këtë të mërkurë, njihemi me një kirurg, të stërmunduar nga faji pas një aksidenti ku bija e tij mbeti e shpërfytyruar, e me një vendosmëri të sëmurë e të dëshpëruar, kërkon mënyra që t’ia rikthejë bukurinë e mëparshme.
Ndërsa bota jashtë mendon se vajza e tij ka vdekur, ai dhe asistentja e tij me pretendimin se zhvillojnë risi mjekësore, eksperientojnë duke i kthyer individët në viktima. Ndërkaq, kirurgu përpiqet t’i japë një identitet të ri vajzës së tij.
Presidentja Vjosa Osmani mori pjesë në pritjen solemne me rastin e Festës së Krishtlindjes.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, teksa uroi të gjithë besimtarët e krishterë për Krishtlindje, e para e shtetit kujtoi, siç tha ajo, karakterin e vërtetë të Krishtlindjes, vuajtjet e Krishtit për njerëzimin, flijimin e ringjalljen e tij, të rikujtojmë edhe shembullin tonë të mirësisë, atë të Nënës Terezë.
“T’i rikujtojmë vlerat tona, të cilat i shëmbëllen aq mirë e aq thellë Gonxhja jonë, Shën Tereza! Ajo u flijua për njerëzimin, për më të varfrit e më të varfërve dhe nga vuajtjet e tyre krijoi shëmbëlltyrën e ringjalljes së shpresës, të dashurisë për njerëzimin e të ndihmës së pakursyer për të”.
“Ne sot, sipas shembullit të saj, jo vetëm urojmë njëri-tjetrin për Krishtlindje, por reflektojmë thellësisht mbi atë që e bën këtë festë kaq të veçantë. Përtej dritave vezulluese që e simbolizojnë shpresën, reflektojmë për bujarinë dhe bashkimin tonë”, u shpreh Osmani, raporton Klankosova.tv.
Ajo tha se Krishtlindja është frymëzim që na kujton të gjithëve se përballë sfidave duhet të triumfojë shpresa.
“Ajo na kujton se duhet t’i vlerësojmë njerëzit në jetën tonë, t’ia shprehim mirënjohjen tonë familjes që na do pa kursim, miqve që na qëndrojnë pranë dhe bashkëkombësve, me të cilët na lidh gjaku, gjuha e shpresa”.
“Magjia e Krishtlindjes na bën që sonte të kthejmë vëmendjen ndaj atyre që na qëndrojnë afër edhe ndaj atyre që janë larg me shërbim. Mbi të gjitha, ndaj atyre që sot kanë më shumë nevojë për kujdesin tonë”.
“Prandaj, sipas shembullit të Gonxhes sonë, të kujdesemi fort sonte e në gjithë motin që vjen për ata që presin ndihmën tonë e që kanë nevojë për kujdesin tonë”, deklaroi presidentja Vjosa Osmani, teksa u shpreh se “Krishtlindja është moment për të treguar mirësi e kujdes ndaj tyre, duke u dhuruar buzëqeshje të ngrohtë, një gjest dashurie, le ta ndriçojmë botën e tyre”.
Ajo kujtoi thënien, “Është më i bekuar ai që jep dhurata sesa ai që i pranon ato. Dhënia, në fund të fundit, e shpërndan gëzimin e Krishtlindjes shumë e gjerë”.
Krishtlindja, u shpreh presidentja, “na kujton se drita e gjen gjithmonë rrugën karshi errësirës dhe se dashuria ka fuqinë t’i transformojë edhe zemrat më të ngurta. Pra, ndërsa festojmë, le ta përqafojmë kuptimin e vërtetë të Krishtlindjes”.
Ajo pati një mesazh në fund: “Le të qeshim, të festojmë e të krijojmë kujtime që do të zgjasin një jetë të tërë! Le t’i kujtojmë ata që nuk mund të jenë me ne dhe t’i mbajmë afër në zemrat tona! Le t’i kujtojmë po ashtu, siç e thashë, edhe ata që kanë më së shumti nevojë dhe më e rëndësishmja, le ta mbajmë me vete frymën e Krishtlindjes shumë kohë, edhe pasi dekorimet të jenë larguar”.
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bëri të ditur se, në mbledhjen e radhës të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, me propozim të IKTK-së, është shqyrtuar dhe miratuar përditësimi i Manualit të Restaurimit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, IKTK tha se ky është një lajm i shumëpritur për trashëgiminë kulturore.
Manuali i Restaurimit u vjen në ndihmë të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e ndërhyrjeve restauruese e konservuese të pasurive kulturore. Ky manual është pasuruar në zëra specifikë pune që lidhen me ndërhyrjet në pasuri kulturore dhe duke u përafruar me vlerat e ndërhyrjeve me proceset reale në terren.
Manuali i përditësuar i Restaurimit vjen si një udhërrëfyes i pasuruar, i përafruar me çmimet e tregut. “Ky dokument thelbësor do të shërbejë si bazë për ndërhyrje restauruese cilësore në pasuritë tona kulturore”, bën të ditur IKTK./ atsh/ KultPlus.com
Ju mund të thoni se çfarë po bën një grua e moshuar në një shkallë në rrugë, përballë së cilës në një mur janë të ngjitura një numër i madh fletësh letre? Kjo është Golgota e një gruaje të pamposhtur, e cila nuk u dorëzua edhe pse të gjithë ishin kundër saj, por ngulmoi deri në fund në përmbushjen e ëndrrës për tu bërë shkrimtare.
Ëndrra e Zorës, që në fëmijëri, ishte të bëhej shkrimtare, por vetëm rreth të 40-atave filloi të propozonte romanet e saj. Ajo u dërgoi letra botuesve, bibliotekave, studiove të filmit dhe producentëve të radios. Letra lutjesh dhe kërkesash pafund. Gjithmonë e njëjta përgjigje, i njëjti refuzim “Na vjen keq t’ju informojmë… “
Ndërkohë, mundësitë për të ishin fare të pakta, kështu që Zora 72-vjeçare, filloi të mblidhte para për të përmbushur këtë ëndërr, duke luajtur violonçel në rrugë, madje edhe në acar. Më në fund ajo gjeti një punë si daktilograf-stenografi, gjë që e lejoi atë, së bashku me pensionin e pleqërisë, të botonte romanin e saj.
Fotografitë janë pjesë e serialit “Zora e pamposhtur” nga fotografi dhe regjisori i famshëm Ken Russell. Çdo shkrepje tregon një histori, është rezultat i studimit dhe kërkimit. Rrëfimi i tij për Londrën e pasluftës në vitet 1950 është plot me sugjerime që ndërthurin në mënyrë harmonike aspektin dokumentar me atë artistik.
Për 30 vite të gjata, gruaja ka “mbledhur” aq shumë refuzime saqë çdokush do të ishte dekurajuar, por jo ajo. Zora jo vetëm vijoi, por edhe ekspozohet duke u fotografuar me letrat e refuzimit, të cilat ajo i ka ngjitur në një mur si dëshmi e botës, të cilën ajo është vendosur ta sfidojë. Qëndresa e saj epike është e rrallë por njëherash është dëshmi e një shpirti të paepur dhe një vullneti të papërkulshëm. Çdokush; me kaq mbyllje dyersh, nënçmim, refuzim, përjashtim, do të ishte mundur, do të ishte dorëzuar, do të lejonte të pranonte fatin e shumë e shumë të tjerëve që vdiqen me ëndrra të vrara. Por ajo jo, u përpoq deri në fund për të fituar, por më së shumti për të lejuar që ëndrra e saj të jetojë edhe kur ajo të ketë vdekur./ KultPlus.com
Tirana po shndrin nga ngjyrat në vigjilje të Krishtlindjes! Sipas traditës, qytetarët janë mbledhur në shesh, aty ku të gjithë së bashku, nën dritat e pemës, festojnë pranë të dashurve të tyre.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj e çeli mbrëmjen festive të koncertit të fundvitit në Sheshin “Skenderbej”, me një urim të veçantë dhe dy lajme të mira për qytetarët.
“Ky shesh është bërë më i bukur se kurrë këtë fundvit dhe më vjen mirë që, e gjithë ajo punë dhe sakrificë për fëmijët e qytetit po shpërblehet çdo ditë e më shumë. Dua t’i uroj dhe gjysheve dhe gjyshërve gëzuar festat. Ata kanë sakrifikuar kaq shumë, është ndoshta brezi më i përvuajtur, që ka kaluar situatat më të vështira të historisë sonë, por edhe ka kontribuuar kaq shumë për vendin. Më vjen mirë që nga data 1 janar të gjithë gjyshërit dhe gjyshet do të kenë mundësi të udhëtojnë falas me autobus, me abonenë e subvencionuar nga Bashkia e Tiranës. Gëzuar edhe prindërve të mrekullueshëm të qytetit tonë, që rrisin këta fëmijë. U uroj shërim të shpejtë kushdo që është sëmurë, po ashtu të gjithë ata që janë të dekurajuar të gjejnë forcë dhe guxim. Ju falenderoj me gjithë zemër për lutjet, për kurajën, edhe për të gjithë bashkëpunimin e shkëlqyer për ta bërë këtë qytet vërtet europian. Nuk dua të harrojmë se nga data 1 janar, Tirana do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut: do të thotë se do të kemi pafund aktivitete ku mund të vini të këndoni, të kërceni, edhe unë duke qenë se s’jam shumë i mirë te kënga dhe vallet, do rri aty në rresht të parë t’ju duartrokas gjithmonë. Gëzuar festat dhe bekime për të gjithë!”, u shpreh Veliaj.
Pak ditë më parë është publikuar nga shtëpia botuese e njohur vjeneze “Universal Edition” katalogu i kompozitorëve të botuar këtë vit nga kjo shtëpi botuese i quajtur “Katalogu i Dimrit” (Winter 2024) dhe veprat të cilat promovohen nëpërmjet tij.
Në katalog zbulohen dymbëdhjetë kompozitorë mes të cilëve përfshihet dhe violinistja shqiptare, krijuese dhe interpretuese, Ina Kosturi, e pranuar unanimisht nga Këshilli Artistik në prill 2024 dhe ka publikuar krijmtarinë me këtë shtëpi të famshme vjeneze.
Kosturi promovohet si kompozitore me veprat “Concerto” për violinë e orkestër, “7 Capriccio” për violinë solo, “Duo Capriccio” për violinë dhe violonçel, “Improvisation” për violinë solo.
Suksesit të botimit i bashkohet dhe përzgjedhja në këtë katalog me 11 emra të tjerë kompozitorësh nga mbarë bota të niveleve tejet të larta me vepra të interpretuara në institucionet e orkestrat prestigjioze. Kosturi është e vetmja shqiptare që publikon në Universal Edition, ndërsa zyrat e shtëpisë botuese dhe katalogu gjenden në Musicverein, Vjenë.
Tre pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës që janë oficerë e zyrtarë të kësaj force kanë përfunduar trajnimin në fushën e Menaxhimit Ndërkombëtar të Mbrojtjes në Defense Resources Management Institute në SHBA, program ky që ka për qëllim zhvillimin e aftësive analitike të vendimmarrjes në fushën e Planifikimit Strategjik, Programimit dhe Buxhetimit të mbrojtjes. Ky program akademik sponsorizohet nga Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së.
“Ky program ka për qëllim zhvillimin e aftësive analitike të vendimmarrjes në fushën e Planifikimit Strategjik, Programimit dhe Buxhetimit të mbrojtjes, me fokus të veçantë në këto fusha; Përdorimin e metodave analitike, duke përfshirë formulimin e vendimeve mbi problemet, trajtimin e pasigurisë, menaxhimin e rreziqeve; Tregjet e mbrojtjes, kontraktimi, menaxhimi i performancës dhe buxhetimi; Konceptet dhe teknikat për vlerësimin e kostove financiare, përfitimit të kostove dhe analizave të efektivitetit; Buxhetimi shumëvjeçar për programet e mbrojtjes dhe rekomandime strategjike programore për Mbrojtjen”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga FSK-ja.
Sipas tyre, trajnimi mundëson që pjesëmarrësit, në të ardhmen të sigurojnë një mjedis për shkëmbimin krahasues të ideve në lidhje me menaxhimin e sigurisë së mbrojtjes në veçanti dhe atë kombëtare në përgjithësi.
Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të vendit që të kenë kujdes gjatë ditëve në vazhdim në planifikimin e aktiviteteve malore.
Në një postim në Facebook, ShKShMK-ja thotë se kjo për shkak se ditët e fundit rajoni është nën ndikimin e stuhive të borës e të përcjellura me erëra të forta në viset malore.
“Duke u bazuar në gjendjen aktuale të shtresimeve të borës dhe ndryshimeve morfologjike që kanë ndodhur dhe po zhvillohen gjatë ditës së sotme dhe pritshmërisë për ditët në vazhdim apelojmë për kujdes të shtuar”.
“Faqet malore me orientime gjeografike veri, veri-lindje, veri-perëndim për momentin janë drejtime që janë ndikuar më shumë dhe nuk kanë arritur tranzicion të duhur për stabilizimin e shtresave të borës, por edhe drejtimet e tjera gjeografike mund të paraqesin probleme të ngjashme. Strehat e borës janë formuar në kreshtat tek të gjitha masivet malore me lartësi mbidetare, evitoni lëvizjen mbi dhe afër tyre”, thuhet në njoftim.
Tutje, ShKShMK-ja ka publikuar disa këshilla s’i të veproni:
Evitoni aktivitetet tuaja në faqe të pjerrëta malore mbi 30°~50°
Planifikoni itinerarin tuaj në terrene të paekspozuara ndaj rrezikut.
Lëvizni në itinerare pa kurthe të terrenit.
Gjatë skijimit kujdes nga gropat rreth drunjëve dhe shkëmbinjëve.
Mos praktikoni aktivitete të vetmuar
Posedoni veshmbathje adekuate.
Mos praktikoni aktivitete pa pajisje të sigurisë.
Posedoni të gjitha pajisjet e ortekut; transmetuesin, sondën, lopatën.
Lajmëroni itinerarin e aktivitetit tuaj tek një i afërm i juaj.
Posedoni pajisje orientimi
Karikoni telefonin tuaj, dhe ruajeni nga të ftohtit për përdorim në rast urgjence.
Konkursi mirëpret vepra nga letërsia artistike ku përfshihen tregime, novela, skica, romane e dramaturgji. Të gjithë të interesuarit do të mund t’i nisin sinposin dhe një ekstrakt prej jo më pak se 15 faqesh të dorëshkrimit deri në javën e dytë të janarit 2025.
Çmimi Letrar Kadare ka nisur punën për edicionin e tij të ri, duke hyrë kështu në vitin e 11-të prej themelimit. Juria përbëhet nga fituesit e edicioneve të shkuara dhe do të kryesohet nga shkrimtarja Vera Bekteshi, e cila së bashku me anëtarët Loer Kume e Dionis Prifti do të përzgjedhin veprën më të mirë në prozë për 2025-n.
Pas përmbylljes së edicionit të 2024-s, fituar nga romani “Dy javë nën balonë” e shkrimtarit të ri Dionis Prifti dhe pas akordimit të një Çmimi Special Kadare për poetin Preç Zogaj dhe antologjinë e tij të 40 viteve“Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, Çmimi Letrar Kadare vjen me disa ndryshime në dekadën e dytë të veprimtarisë.
Duke nisur nga ky edicion juria do të përbëhet nga fituesit e edicioneve të mëparshme të Çmimit Kadare dhe do të ketë në përbërje të saj dy anëtare dhe një kryetar, i cili do të zgjidhet automatikisht ai apo ajo me moshën më të madhe.
Anëtarët e jurisë së përbërë nga kryetarja Vera Bekteshi dhe anëtarët Loer Kume e Dionis Prifti, si përfaqësues të tre brezave të ndryshëm të letërsisë moderne shqipeu mblodhën në takimin e parë më 23 dhjetor 2024 dhe nisën menjëherë punën për të vlerësuar veprat që do të vijnë në dorëshkrim në adresën e dedikuar të e-mailit:
Konkursi mirëpret vepra nga letërsia artistike ku përfshihen tregime, novela, skica, romane e dramaturgji. Të gjithë të interesuarit do të mund t’i nisin sinposin dhe një ekstrakt prej jo më pak se 15 faqesh të dorëshkrimit të tyre deri në javën e dytë të janarit 2025. Pas kësaj juria do të bëjë vlerësimin duke përzgjedhur pesë dorëshkrimet më të mira. Në javën e tretë të muajit shkurt, gjatë aktivitetit “Shkolla Dimërore e Humaniteteve”, që mbahet në Llogora, do të shpallet edhe fituesi për vitin 2025.
Prej vitit 2014, kur edhe u themelua Çmimi Letrar Kadare, nga Instituti Europian Pashko, dhjetë janë shkrimtarët e shpallur fitues me veprat e tyre në prozë nga e gjithë hapësira shqiptare.
I pari fitues u shpall shkrimtari Rudolf Marku me romanin e tij “Tre divorcet e zotit Viktor N.”, duke vijuar me Shkëlqim Çelën dhe përmbledhjen me tregime “Embriologji, Virgjil Muçi me “Piramida e Shpirtrave”, autori nga Kosova Musa Ramadani me “Profeti nga Praga”, Loer Kume me “AmigdalaMandala, Gani Mehmetaj po ashtu nga Kosova me romanin “Zogjtë e Qyqes”, shkrimtarja Vera Bekteshi me romanin “Pusulla të Verdha”, poetja e re nga Maqedonia e Veriut e cila debutoi me romanin “Duhet të jetë dashuri” dhe së fundi prozatori i ri Dionis Prifti me romanin “Dy javë nën balonë”.
Në ceremoninë e dhjetë vjetorit të këtij Çmimi, i cili që në ngjizje të tij mori bekimin e shkrimtarit Ismail Kadare, për të mbajtur emrin e tij nëse do t’i shërbente letërsisë shqipe, një çmim special iu akordua Preç Zogajt, i cili krahas veprimtarisë politike, gazetareske e publicistike ka spikatur me poezinë, me të cilën e nisi që në vitet ’80.
Në dhjetë vjet jetë, prej krijimit të tij, për ÇmiminLetrar Kadare kanë konkurruar më shumë se 400 vepra në prozë, të pabotuara më parë, duke e shndërruar kështu në një nxitje të rëndësishme krijimtarie për shkrimtarët shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut. Vlera totale e këtij Çmimi vlerësohet të jetë 10 mijë euro ku krahas vlerës monetare, fituesit i sigurohet botimi i veprës nga shtëpia botuese UET PRESS dhe promovimi i saj përmes turesh e takimesh me lexuesit në të gjithë Shqipërinë. /Liberale.al/ KultPlus.com
Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” mbrëmë shënoi 60-vjetorin e themelimit si ansambël profesionist. Në këtë ngjarje i pranishëm ishte edhe kryeministri Albin Kurti.
Ky i fundit ktheu në kujtesë vitin 1984, kur ky ansambël së bashku me Nexhmije Pagarushën, përfaqësuan kulturën tonë në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore në Sarajevë, si dhe vitet 1985 dhe 1986, kur triumfuan në festivalet ndërkombëtare në Sidmouth dhe Dijon.
“Edhe në periudhat më të vështira, si në vitet ‘90, kur Kosova jetonte nën Aparteidin e regjimit të Serbisë, “Shota” nuk ndaloi. Falë punës vullnetare të anëtarëve të saj, ata mbajtën gjallë artin dhe traditat tona, duke dhënë koncerte në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Zvicër, Turqi, Francë dhe në shumë vende të tjera. Më 15 shtator 1999, ata dhanë koncertin e parë pas luftës në Teatrin Kombëtar, një simbol i ringritjes dhe vazhdimësisë sonë kulturore e kombëtare. Sot, pas 60 vitesh si ansambël profesionist, ata numërojnë mbi 7,500 koncerte e prezantime dhe një sërë çmimesh ndërkombëtare, përfshirë triumfin e tyre të fundit në Spanjë në vitin 2024. Sot është e pamundur të mos ndalemi dhe të falënderojmë të gjithë ata që ishin aty në fillimet e këtij ansambli të madh”, citohet Kurti në komunikatën e Kryeministrisë.
Ndër anëtarët e parë të ansamblit janë Hylkie Sadiku, Marcel Tupeci, Ramadan Ramadani, Hazbie Kovaçi, YlfeteRaça, Shkëlzen Zhubi, Haki Shkreli, Bashkim Loshi e shumë të tjerë. Falë tyre dhe përkushtimit të tyre, “Shota” mori formë si një forcë kulturore e cila na bën krenarë edhe sot e kësaj dite. Kryeministri shprehu të veçantë për Nahire Surroin dhe Sevime Gjinalin, të cilat kanë drejtuar ansamblin me përkushtim dhe pasion të pashoq, si një shembull i fuqisë së artit dhe udhëheqjes në shërbim të kulturës sonë kombëtare.
Ndër vite, ansambli gjithashtu kishte bashkëpunim edhe me kompozitorët, artistët e studiuesit më të mëdhenj të kulturës sonë, si Rexho Mulliqi, Fahri Beqiri, Zeqiria Ballata, Severin Kajtazi, etj., dhe me etnomuzikologët si Lorenc Antoni, Rexhep Munishin e Bahtir Shehollin, koreografët Xhemali Berisha, Haki Mulliqi, Sylejmon Shala, Panajot Kanaqi, Gëzim Kaceli, Besim Jazegjiu e shumë të tjerë.
Në përmbyllje, kryeministri në fjalën e tij, duke iu drejtuar artistëve të Ansamblit “Shota”, tha se ata nuk e ruajnë vetëm trashëgiminë tonë, por e jetojnë atë që ta përjetojmë ne, teksa i falënderoi për përkushtimin dhe dashurinë e tyre për artin dhe kulturën, dhe iu uroi 60-vjetorin e themelimit bashkë me suksese të reja në vitet e dekadat që vijnë.
Papa Françesku do të hapë Vitin e Shenjtë të Kishës Katolike në Bazilikën e Shën Pjetrit sot në mbrëmje.
Në një ceremoni solemne në prag të Krishtlindjes, papa 88-vjeçar do të hapë Derën e Shenjtë, të murosur nga brenda dhe do të kalojë nëpër të.
Kisha Katolike feston normalisht një Vit të Shenjtë, i njohur gjithashtu si Viti i Jubileut, çdo 25 vjet.
Sipas besimit katolik, besimtarët mund të marrin faljen e mëkateve të tyre përmes lutjes dhe pendesës gjatë një viti të shenjtë.
Kjo përfshin gjithashtu një pelegrinazh në Romë dhe kalimin nëpër Dyert e Shenjta në Qytetin e Përjetshëm.
Më shumë se 30 milionë pelegrinë dhe vizitorë pritet të udhëtojnë në kryeqytetin italian gjatë ngjarjes katolike, me disa vlerësime deri në 45 milionë.
Françesku më pas do të kremtojë meshën tradicionale të Krishtlindjeve, duke nisur festat e Krishtlindjeve të Vatikanit.
Papa pritet të përdorë shërbimet për të folur me forcë kundër luftës dhe dhunës dhe për të kujtuar vuajtjet e njerëzve.
Së fundmi ai bëri thirrje për një armëpushim gjatë Krishtlindjeve përballë luftërave në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë.
Në Betlehem, tradicionalisht vendlindja e Jezu Krishtit, festimet pritet të jenë mjaft të kufizuara këtë vit për shkak të luftës së Gazës.
Procesioni nga Jeruzalemi në Betlehem dhe mesha e mesnatës në Betlehem do të zhvillohen si zakonisht.
Megjithatë, dekorimet festive në qytetin e vogël në Bregun Perëndimor dhe ndezja e një peme të Krishtlindjes përpara Kishës së Lindjes së Krishtit duhet të shmangen./atsh/ KultPlus.com