Rikthehet pas 32 viteve mungesë, Orkestra Simfonike në qytetin e Shkodrës

Shkodra dëshmon edhe njëherë tjetër se mbetet shtëpia e madhe e artit dhe kulturës shqiptare.

Pas 32 viteve mungesë Shkodrës iu rikthye Orkestra Simfonike. Një moment që do të mbahet mend gjatë.

E nuk kishte si të ndodhte ndryshe, por kryeveprat e kompozitorëve të këtij qyteti si: Çesk Zadeja, Prenkë Jakova, Tish Daija, Pjetër Gaci, Palokë Kurti, Tonin Harapi, At Martin Gjoka, etj., u rikthyen me krijimtarinë që na kanë lënë si trashëgimi.

Formacioni prej 51 instrumentistësh u shoqërua nga vokalet e emrave të njohur si: Marjana Leka, Adelina Paloja, Armando Likaj apo instrumentistëve: Lorenc Radovani, Amir Xhakoviq, Odesa Meti etj.

Alberta Kaçaj, soprano: “Kam qenë pjesë në festivalin e fëmijëve kur me ka dirigjuar i madhi Prenkë Jakova. Edhe sot kthehem mbas 55 vitesh”.

Armando Likaj, bariton: “E meriton Shkodra këtë, ndoshta e ka merituar prej kohësh, por nuk prish punë dhe kështu. Shyqyr që u bë, mblodhëm forcat me njëri-tjetrin, pasi në bashkëpunim arrihet çdo gjë”.  

Adelina Paloja, soprano: “Ky është një moment historik jo vetëm për Shkodrën, por për mbarë kombin shqiptar. Sepse vetë shkolla dhe zanafilla ku kanë filluar mësimet e para në instrumentin e pianos fillimisht quhet “Prenk Jakova”.

Jetmir Barbullushi, dirigjent: “Ne jemi një qytet me një traditë të jashtëzakonshme muzikore. Dhe aq më tepër, që në këtë sallë kisha vite pa e ndjerë”.

Zhani Ciko, Mjeshtër i Madh: “Ky është një triumf i Shkodrës kulturore, i Shkodrës muzikore dhe që është qendra më e rëndësishme e traditave shqiptare”.

Formimi i Orkestrës Simfonike të Shkodrës nën kujdesin e kryebashkiakut Bardh Spahia, plotëson në këtë mënyrë Filarmoninë e qytetit ndërsa koncerti i saj i radhës do të jetë muajin e ardhshëm. / oranews / KultPlus.com

Orkestra Simfonike e RTSH-së, koncert me të ftuar specialë

Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar mbajti mbrëmjen e djeshme një koncert në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse, me të ftuar specialë solistët Jean Baptiste Haye dhe Calogero Palermo, nën dirigjimin e Aurelien Azan Zielinski.

Artistët me veprat e zgjedhura të autorëve të mirënjohur dhuruan emocione të veçanta për publikun.

Në koncert ata interpretuan Suitë për Orkestër Harqesh e Arian Avrazit; Valle e shenjtë dhe valle profane për harpë dhe orkestër harqesh e Claude Debussy; Suitë për orkestër harqesh e Leos Janacek; si dhe Koncert për klarinetë; dhe orkestër e Aaron Copland; janë veprat e zgjedhura për programin e koncertit.

Calogero Palermo- klarinetë

Me origjinë nga Siçilia, Calogero Palermo u emërua klarinetisti kryesor i Concertgebouëorkest Amsterdam në gusht 2015. Pas përfundimit të studimeve në Konservatorin e Palermos dhe me Thomas Friedli në Gjenevë, ai u emërua klarinetisti kryesor – në moshën njëzet e dy vjeçare – i Orkestrës së Teatrit Bellini në Katania.Ai fitoi audicionin kryesor të klarinetës në Orchestra del Teatro dell’Opera di Roma në 1997 dhe shërbeu si klarinetisti kryesor i asaj orkestre nga viti 1997 deri në 2008 dhe nga 2012 në 2015. Gjatë viteve të ndërmjetme, ai ishte anëtar i Orchestre National de France . Calogero Palermo ka bërë një emër ndërkombëtar si solist dhe muzikant dhome, duke performuar në të gjitha qytetet kryesore italiane dhe në Spanjë, Gjermani, Francë, Tunizi, Rusi, Kinë, Tajvan, Japoni dhe SHBA. Ai është gjithashtu një mësues me përvojë që rregullisht jep masterklase. Promovues i Konkursit Ndërkombëtar Jeunesses Musicales në Bukuresht dhe shumë çmime të tjera të marra në garat më të rëndësishme italiane të klarinetës, ai kryen një karrierë intensive solo që e ka parë atë të performojë me orkestra të shumta duke përfshirë Amsterdam Sinfonietta, Orkestrën Filharmonike të Tajlandës, Filarmoninë e Çekisë ,Orkestra LaVerdi e Milanos, Orkestra e Teatrit Bellini të Katanias, Orkestra Kombëtare Simfonike Çeke, Ansambli Colibrì, Orkestra Simfonike Siçiliane, Orkestra e Teatrit të Operës së Romës, Orkestra Filarmonike Györ, Orkestra Simfonike Abruzzo dhe Orkestra Filharmonike Marchigiana. Palermo është një artist ekskluziv i Buffet- Crampon.

Jean-Baptiste Haye- Harpë

Jean-Baptiste Haye mori Masterin e Harpës në Strasburg në klasën e Pierre-Michel Vigneau. I përzgjedhur disa herë për Orkestrën e të rinjve Franceze, ftohet të performojë me orkestrat kombëtare të Strasburgut, Metz-it, Operës së Parisit dhe Capitole de Toulouse në shumë salla prestigjioze (Philharmonie de Paris, Konzerthaus of Berlin, Elbphilharmonie, Gasteig of Mynih, Arsenali i Metz-it, Halle aux Grains i Toulouse). Në vitin 2016, ai mori çmimin e dytë në Konkursin Ndërkombëtar të Utrecht. Jean-Baptiste Haye është mësues i harpës në Konservatorin Rajonal në Nancy./atsh/KultPlus.com

Çfarë roli ka realisht dirigjenti tek një orkestër simfonike?

Nga Stephen Langston

“The Conversation”​

Më kujtohet se në një rast kur isha 3-vjeç, u hodha mbi divanin e prindërve të mi, duketundur krahët në ajër duke imituar një shfaqje të “Gilbert &Sullivans Pirates of Penzance”. Javën e kaluar, djali im 4-vjeçar po bënte të njëjtën gjë, vetëm se ishte frymëzuar nga kolona zanore e filmit të animuar “Frozen” të Disney.

“Çfarë po bën?”- e pyeta. “Unë jam ti babi”- m’u përgjigj ai ndërsa vazhdonte të drejtonte orkestrën e tij imagjinare. Ndjeva një emocion të fortë në zemër, dhe u kujtova që kur isha vetë fëmijë emocionohesha kaq shumë nga muzika, saqë i lijoja krahët të tundeshin vazhdimisht.

Pesëdhjetë vjet më vonë e bëj këtë realisht, pasi jam një dirigjent profesionist. Por ajo që bën një dirigjent, mund të jetë paksa misterioze për njerëzit e tjerë. Së pari, është e gabuar ideja se synimi i vetëm i një dirigjenti është të tundë krahët ndërsa muzikantët ndjekin lëvizjet e tij.

Është e vërtetë, lëvizjet e duarve të një dirigjenti nënkuptojnë shpejtësinë dhe vendosjen e një ritmi muzikor. Por a keni parë ndonjë 2 dirigjentë të tundin krahët në të njëjtën mënyrë? Në shumicën e rasteve, puna e tyre zhvillohet shumë përpara se audienca t’i shohë në platformën e koncerteve simfonike.

Komunikimi fizik

Dirigjenti është një përkthyes që vizualizon interpretimin e tyre të pikave të vogla të zeza në një faqe partiturë në një vijë melodioze të dëgjueshme. Është e vërtetë që dirigjentët i mbajnë të sinkronuar muzikantët e tyre. Por roli i tyre kryesor është t’u japin atyre një interpretim, duke i inkurajuar ata të komunikojnë një mesazh melodik dhe ritmik në mënyrën më të mirë që është brenda aftësive të tyre profesionale.

Dirigjenti punon në nivele të ndryshme, duke filluar nga niveli arsimor, amator dhe profesionist dhe me zhanre të ndryshme si korale, orkestrale, opera dhe muzikalë. Në të gjitha kategoritë ndryshojnë standardet, stilet dhe teknikat e interpretimit, prandaj puna është sfiduese, dhe kërkon shpeshherë një qasje unike dhe të çuditshme.

Një dirigjent i mirë zotëron disa lloje trukesh (të zhvilluara përmes përvojës) që i përdor në çdo situatë. Për shembull, afërsia midis duarve të mia ndikon në volumin e muzikës qëluhet. Sa më afër të jenë duart e mia, aq më i butë dua që të jetë kori i këngëtarëve, dhe sa më e madhe të jetë distanca, aq më i fortë është tingulli.

Ne dirigjentët jemi kryesisht komunikues, si verbalë ashtu edhe fizikë. Dirigjentët duhet të krijojnë si rregull një marrëdhënie me muzikantët e tyre. Besimi, aftësia dhe lidershipi janë thelbësore. Komunikimi fizik bëhet i rëndësishëm kur ai verbal nuk është e mundur (kur auditori është i pranishëm po dëgjon).

Ky është momenti kur hyn në lojë tundja e krahut. Lëvizja e dorës së majtë nënkupton dinamikën, emocionin dhe shprehjen, ndërsa dora e djathtë përdoret kryesisht për të nënkuptuar shpejtësinë dhe rrahjen. Dirigjentët kanë stile dhe aftësi unike. Shihni sjelljen nëskenë të Igor Stravinskit. Ai mban një ritëm shumë të saktë, tejet të ngurtë dhe të fortë, pa asnjë emocion. Ai u lejon muzikantëve kontrollin e tyre emocional, por drejton shpejtësinë dhe ritmin. Ai është një metronom njerëzor.

Stilet unike

Por një dirigjent është ndërkohë edhe një edukator. Është detyra jonë të stërvitim muzikantët me saktësinë e luajtjes së notave muzikore. Ju mund të mendonit se është një punë më e lehtë kur punoni me profesionistë sesa me të rinjtë. Por ky interpretim është relativ.

Ndonjëherë muzika është tepër e vështirë, dhe ndonjëherë muzikantët mund të mos jenë të përgatitur. Prandaj kërkohet një shkallë e caktuar diplomacie për të arritur efektin që kërkon dirigjenti. Ose nëse jeni si Bernshtein – ndoshta një nga kompozitorët dhe dirigjentët më të mëdhenj të shekullit XX – asgjë më pak se përsosmëria nuk është mjaftueshëm e mirë dhe asnjë komunikim diplomatik nuk është i mundur.

Ka një histori të famshme që tregon tensionin midis Bernshtein dhe solistit të ri, tenorit HoseKarreras gjatë provave për regjistrimin e muzikalit “Westside Story”. Është një skenë e sikletshme. Të dy po përpiqen të arrijnë përsosmërinë. Ju mund të shihni komunikimin dhe pasionin e shprehur përmes fytyrës së Bernshtein, dhe më pas zhgënjimin e Karreras që nuk ishte në gjendje të jepte nivelin e saktësisë së kërkuar.

Dirigjentët mund të duken si njerëzit më kokëfortë në botë. Kështu dirigjenti i ndjerë rumun Sergiu Çelibidashe është i famshëm për refuzimin e tij për të regjistruar muzikën e tij, duke besuar se ajo duhet të dëgjohet vetëm në sallën e koncerteve. Qëndrimi i tij autoritar ndaj orkestrave me të cilat punonte ishte famëkeq.

Megjithatë teknikat e tij funksionuan, dhe tani ai cilësohet si një nga dirigjentët më të mëdhenj të shekullit XX-të. Interpretimet e dirigjentëve janë të ndryshme, dhe çdo performancë e tyre është unike. Secili ka zhvilluar një stil unik për të arritur efektin e dëshiruar.

Për shembull dirigjenti amerikan Xhozef R.Olefirovic njihet për aftësitë dhe metodat e tij gjeniale për të dhënë interpretimet e tij. Po siç tregohet në një nga koncertet që ka drejtuar, kjo ka të bëjë me shumë më tepër sesa vetëm me tundjen e krahëve.

Personaliteti i tij unik dhe komik, i kombinuar me shprehjet e tij të fytyrës përcjellin interpretimin e tij të muzikës tek orkestra, e cila nuk mund të mos ‘infektohet’ nga karizma e tij. Ju mund ta shihni se ai e mban ritmin me gjithë trupin e tij, dhe jo vetëm me krahët e tij.

Mjerisht, audienca e sheh rrallë atë që ai bën, pasi shpina i është drejtuar auditorit. Sa përkrahasim, dirigjenti britaniko-gjerman Simon Ratëll merr një qëndrim shumë më të relaksuar, por emocioni që ai dëshiron të përcjellë përkthehet përmes shprehjes së fytyrës dhe lëvizjeve të rrjedhshme të krahut.

Prandaj nëse një ditë mendoni të merrni shkopin e dirigjentit dhe të tundni krahët, reflektoni pak për javët e shumta provave që i paraprijnë një shfaqje. Pastaj kini parasysh muajt e planifikimit për të organizuar një masë të tillë njerëzish për të performuar së bashku dhe për të mbushur plot një sallë. Së fundi, mendoni për vitet e praktikës nga këngëtarët, muzikantët dhe në fund për njeriun që u qëndron përballë duke tundur krahët. Pikërisht këtë punë titanike bën një dirigjent. / KultPlus.com