Kush ishte Alfred Nobel dhe pse çmimet Nobel janë emëruar sipas tij?

Alfred Bernhard Nobel ishte njeriu, vizioni dhe fondet e të cilit çuan në çmimet Nobel, ndoshta çmimet më të famshme dhe më të respektuara në botë, transmeton KultPlus.

Ai ishte një shkencëtar i shekullit të 19-të i famshëm për shpikjen e dinamitit si një mënyrë më të sigurt për përdorimin e nitroglicerinës. Ajo u patentua në 1867.

Nobel mbajti 355 patenta në jetën e tij, por duket se kontributi i tij më i madh në shkencë ishte pjesërisht rezultat i një nekrologjie të botuar gabimisht që e quajti atë një përfitues lufte.

Pse çmimet Nobel janë emëruar sipas tij?

Pasi pa obit-in – botuar gabimisht kur i vdiq i vëllai – ai u frymëzua të krijonte Nobelët dhe vendosi amanetet në testamentin e tij për t’i financuar ato.

Më 27 nëntor 1895, Nobel nënshkroi një testament që parashtronte një plan dhe siguronte paratë për të financuar nderimet. Ai vdiq vitin e ardhshëm.

Nobeli u la disa para të afërmve, por pjesa më e madhe e tyre shkoi në krijimin e çmimeve në fizikë, kimi, fiziologji ose mjekësi, letërsi, ekonomi dhe paqe.

Ai urdhëroi që pasuria e mbetur të përdoret për t’u dhënë “çmime atyre që, gjatë vitit paraardhës, i kanë dhënë përfitimet më të mëdha njerëzimit”.

Familja e tij fillimisht kundërshtoi krijimin e çmimit Nobel dhe fituesit e çmimeve që ai përmendi në testament refuzuan gjithashtu pas kërkesave të Nobelit. Kaluan pesë vjet përpara se çmimi i parë Nobel të jepej në 1901.

Kush ishte Alfred Nobel?

Nobel ishte anëtar i Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave, të cilën testamenti i tij e ngarkoi me zgjedhjen e laureatëve të Nobelit në fizikë dhe në kimi.

Ai lindi në Stokholm më 21 tetor 1833, në një familje shkencëtarësh.

Nobeli fliste rrjedhshëm disa gjuhë dhe shkroi poezi dhe dramë.

Ai udhëtoi për pjesën më të madhe të jetës së tij, duke mbajtur kompani në Evropë dhe Amerikë ndërsa jetoi në Paris, Hamburg dhe vende të tjera.

Në 1894, ai bleu Bofors-Gullspang, një pronë që përfshinte Bjorkborn Manor, e cila u bë rezidenca e tij e fundit në Suedi.

Ai do të kalonte verërat në Bjorkborn dhe shtëpia e feudali tani është një muze. Më 10 dhjetor 1896, ai vdiq në Sanremo të Italisë./ KultPlus.com

‘Ndoshta të dua, ndoshta të dua shumë’

Milan Kundera

Dashuri qesharake

Ndoshta të dua.
Ndoshta të dua shumë.
Por pikërisht për këtë arsye
ndoshta do të jetë më mirë
që të mbetemi ashtu siç jemi.
Ndoshta një burrë dhe një grua
janë më pranë njëri-tjetrit
kur nuk jetojnë bashkë
dhe e dinë se vetëm ekzistojnë,
kur i janë mirënjohës njëri-tjetrit
vetëm sepse ekzistojnë
dhe sepse njëri e di që tjetri ekziston.
Dhe lumturisë së tyre kjo i mjafton.

Marrë nga: Beti Njuma & Biblioteka e librave të harruar / KultPlus.com

10 dhjetori, data kur u nda për herë të parë çmimi Nobel

Më 10 dhjetor të vitit 1901, ndahen për herë të parë Çmimet Nobel. Pas negociatave të tejzgjatura, pjesërisht me qeverinë franceze e cila kërkonte të vendoste një taksë shumë të lartë mbi pasurinë e Alfred Nobelit dhe pjesërisht, pas bisedimeve me familjen Nobel rreth çështjes së trashëgimisë, më në fund u bë e mundshme dhënia për herë të parë e 5 çmimeve, aq sa Nobel kishte lënë me testament.

Ceremonia për 4 prej tyre Fizikë, Kimi, Mjekësi, Letërsi, u zhvillua në Stokholm dhe ceremonia e Çmimit për Paqe, u mbajt në Christiania, kryeqyteti norvegjez që më vonë do të emërtohej, Oslo.

Pesë vjet kishin kaluar nga koha kur Alfred Nobel vdiq në San Remo, më 10 dhjetor 1896 (63 vjeç). Ditët deri në dhënien e shpërblimeve, gjithashtu ishin plot tension. Emrat e fituesve ishin mbajtur të fshehur – ndryshe nga sot që zbulohen një muaj përpara.

Kur tre gjermanë të shquar – erdhën me tren nga jugu dhe zunë vend në Hotel Grand, Stokholm, u bë e qartë se ata duhet të jenë laureatë të çmimit Nobel, shkruan KP.

Trafiku ndërkombëtar në atë kohë nuk ishte aq i madh sa sot, dhe mbërritja e njerëzve të huaj përbënte lajm. Në ceremoninë në Stokholm, në sallën e Akademisë së Muzikës, çmimet u ndanë për arritjet në Fizikë, Kimi, Mjekësi, Letërsi. Salla u mbush gradualisht me njerëz në veshje festive.Më pas, tre fituesit hynë pa bujë, muzikë a duartrokitje siç është zakon sot.

I pari erdhi fizikanti gjerman Ëilhelm Conrad von Rontgen, pastaj kimisti holandez Hendricus van t’Hoff, i ndjekur nga mjeku gjerman Emil Adolf von Behring; dhe së fundi, ministri francez për të marrë çmimin Nobel në letërsi në emër të poetit Sully Prudhomme, i cili ishte i sëmurë; Ndërsa ceremonia e dhënies së çmimit Nobel për paqe u zhvillua në Christiana (Oslo) në sallën e parlamentit norvegjez. Çmimi u nda mes zviceranit Henri Dunant (themelues i Kryqit te Kuq ndërkombëtar), dhe francezit Frederik Passy (ekonomist dhe veprimtar paqeje)./KultPlus.com

69 vjet nga lindja e shkrimtarit shqiptar, Kim Mehmeti

Kim Mehmeti ka lindur në fshatin Gërçec, Shkup në vitin 1955. Është i njohur si shkrimtar, romansier, tregimtar, eseist, publicistë dhe përkthyes nga gjuha maqedonase në gjuhën shqipe dhe anasjelltas.

Është një ndër themeluesit e së përjavshmes “Lobi” e cila botohej në Shkup nga viti 2001 deri në vitin 2006. Ka qenë redaktor i revistës për kulturë “Jehona” (Shkup), redaktor i veprimtarisë botuese pranë SH.B. “Flaka e vëllazërimit” (1991-1992). Në Institutin Shoqëria e Hapur – Maqedoni ka punuar si koordinator i veprimtarisë botuese. Pastaj ka punuar si kryeredaktor për Maqedoninë i Rrjetit Informativ Evropian (AIM) dhe ka qenë edhe koordinator i këtij rrjeti për Ballkanin Perëndimor (1993-2003). Nga viti 1997 deri në vitin 2003 ka qenë drejtor ekzekutiv i Qendrës për Bashkëpunim dhe Mirëkuptim Multikulturorë në Shkup.

Kim Mehmeti është nismëtarë i më shumë iniciativave qytetare në Maqedoni dhe në rajon.

Përpos në gjuhën amtare, Kim Mehmeti shkruan dhe boton edhe në gjuhën maqedonase. Punimet e para letrare i ka botuar në fillim të viteve të shtatëdhjetë të shekullit të njëzet nëpër revistat kroate. Kim Mehmeti është rrëfimtarë i lindur, ai nuk u nënshtrohet shablloneve, por i dorëzohet qëndismës së lëndës së vet rrëfyese. Andaj proza e tij është e veçantë dhe tërheqëse. Thjeshtë ajo e rrëmben lexuesin dhe e shpie drejtë thellësive joshëse nga shkon imagjinata e tij e bujshme, e cila shtrihet nga fantazmagoria e së vërtetës dhe reales deri te irealja dhe fantastikja. Fati, si peshore e jetës, është ai që përcakton krijimtarinë e këtij autori.

Kim Mehmeti, fitues i shpërblimit “Rexhai Surroi” për romanin më të mirë 2008 Kim Mehmeti, fituesi i Shpërblimit “Rexhai Surroi” për romanin më të mirë shqiptar për vitin 2008

Arsyetimi i Jurisë: Për shkathtësinë dhe koloritin e rrëfimit poetik, për mjeshtërinë e ndërtimit të prosedeut romantik, midis magjisë dhe reales, të vërtetës dhe fiktives, të ambientuar në fshatin e tij metaforik, në të cilin ndërthuret e tërë historia jonë, në një periudhë të ndjeshme të agonisë së Perandorisë Otomane, Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, stalinizmit dhe titizmit, juria vendosi njëzëri që çmimi t’i jepet shkrimtarit Kim Mehmeti, për romanin “Vitet e urithit”, botuar nga Toena, Tiranë më 2007.

Shpërblimi për gazetari nuk u nda, sepse sipas vlerësimit të jurisë, pavarësisht faktit se në mesin e konkurruesve ka pasur gazetarë kualitativë, këtë herë cilësia e teksteve të paraqitura nuk ka përkuar me standardin e lartë që ka vendosur juria për ta akorduar këtë shpërblim.

Veprat e Kim Mehmetit janë përkthyer në gjuhën gjermane, franceze, bullgare, turke, kroate dhe në gjuhë tjera. / KultPlus.com

108 vite nga shpallja e Korçës krahinë autonome

Sot janë bërë 107 vite që nga shpallja e Korçës krahinë autonome, shkruan KultPlus.

Ishte 10 dhjetori i vitit 1916 kur u shënua një kthesë e rëndësishme historike për qytetin shqiptar.

Qyteti i Korçës rrezikonte të binte nën pushtimin grek. Bisedimet mes Themistokli Gërmenjit dhe kolonelit të atëhershëm francez, Dekoen bënë që Korça të fitonte autonominë nën mbrojtjen e Francës.

Administrata ishte shqiptare, teksa në përbërje të saj kishte të krishterë dhe myslimanë.

Në këtë kohë qyteti pati një zhvillim të madh ekomomik, u hartuan rregullla të reja, u mbyllën shkollat e huaja dhe u hapën të tjera shkolla në gjuhën shqipe, qarkullonin monedha dhe pulla të reja të Krahinës Autonome.

Qeveria vetë qeverisëse pati një jetëgjatësi të shkurtër deri kur qyteti u drejtua plotësisht nga Francezët në vitin 1918, por megjithatë francezët nuk ju hoqën të drejtën themelore korçarëve për të mësuar në gjuhën shqipe dhe shkollat vazhduan aktivitetin e tyre. / KultPlus.com

Robert Shvarc, ‘Mjeshtri i Madh’ i përkthimit të letërsisë shqipe/gjermane

Sot janë bërë 92 vite nga lindja e Robert Shvarc.

Robert Shvarc (Sarajevë, 10 dhjetor 1932 – Tiranë, 25 prill 2003) ka qenë përkthyes shqiptar me prejardhje hebree, që u shqua me përkthime e letërsisë nga gjuha gjermane në gjuhën shqipe dhe anasjelltas. Njihet për punën e bërë me shqipërimin e letërsisë gjermane dhe “Eksodin” e Leon Uris.

Ishte i biri i Julius Shvarc dhe Saveta Çipit. I ati ishte po ashtu i lerë në Sarajevë me profesion teknik elektrik, i gjyshi Siegfried ishte nga Vjena, ndërsa e ëma vinte prej një familjeje elbasanllie me profesion rrobaqepëse. Familja e tyre u zhvendosën në Shqipëri më 1925 duke u vendosur fillimisht në Shkodër.

Shvarci përktheu disa nga veprat më të mëdha botërore në shqip, ndër të cilat mund të përmenden romanet e Remarkut, Gëtes, Fojtvangerit, Apicit, Travenit dhe Markezit. Ndërroi jetë më 25 prill 2003, pas një sëmundjeje të gjatë zemre.

Shvarcit i është dhënë nga Presidenti i Republikës titulli Mjeshtër i Madh. Përkthyesi i njohur Robert Shvarc e mori këtë titull pak kohë pas marrjes së një tjetër titulli, atij të Qytetarit të Nderit të Tiranës. Ky titull iu dha atij me rastin 70-vjetorit të lindjes.

Emri i Shvarcit prej vitesh është shndërruar në simbol të gjuhës gjermane në Shqipëri. Një domethënie për këtë ka qenë pikërisht viti 1995, kur përkthyesi i njohur u nderua nga ambasada gjermane në Tiranë me çmimin “Kryqi i meritave gjermane”. Duhet kujtuar këtu se Shvarci ishte i pari njeri i kulturës shqiptare, që arriti ta merrte këtë titull pikërisht në fushën e përkthimit.

Gjithashtu ky titull është dhe i pari që presidenti gjerman i asaj kohe akordoi për një figurë të shquar të vendeve të Lindjes. Pas titullit që mori nga presidenti Alfred Moisiu dhe titujve të lartpërmendur, qëndrojnë një varg i gjatë librash të përkthyer nga gjuha gjermane në shqip dhe anasjelltas. Mjafton që të hapësh kopertinat e një serie të gjatë librash për të lexuar emrin e përkthyesit të tyre, Robert Shvarc.

Mes këtyre librave, që janë ndër më mjeshtërorët, vlen të përmenden: Tre shokëHarku i TriumfitAsgjë e re nga fronti i PerëndimitShkëndija e jetës apo Obelisku i zi nga Erih Maria Remark; Çifutja e ToledosFrançesko Goja nga Lion Fojtvanger; dhe drama të Bertolt Brehtit, Nëna Kurajë dhe fëmijët e sajKënga e një nëne gjermaneDitët e KomunësArturo UiPushkët e nënës KarrarOpera për tre groshBaali; nga Heinrich Heine: Gjermania, përrallë dimri; nga Gëte dhe Shileri: Poezi dhe balada. Ndërsa mes autorëve shqiptarë që ai ka përkthyer në gjuhën gjermane janë: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Gaqo Bushaka, Xhevahir Spahiu, Hatibi, Ahmeti, Beqiri, Qosja etj./KultPlus.com

102 vite nga përurimi i Bibliotekës Kombëtare

Më 10 dhjetor të vitit 1922, u përurua Biblioteka Kombëtare Shqiptare (BKSH).

Institucioni i parë shtetëror, publik e laik në Shqipëri u themelua më 10 korrik 1920. Në kohën e inaugurimit, Biblioteka Kombëtare numëronte 6000 tituj librash. Drejtuesi i parë i bibliotekës ishte gjuhëtari dhe gazetari, Karl Gurakuqi.

Përgjatë periudhës së mbretërisë shqiptare, në vjetët 1928-1937, veprimtaria e bibliotekës spikati nën drejtimin e “babait” të bibliotekonomisë shqiptare, Sotir Kolesë.

Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, e gjeti BKSH-në me një koleksion prej 15.000 vëllimesh. Ndërsa, në fund të vitit 1947, fondi i saj numëronte rreth 100.000 vëllime.

Në pasurimin e fondit të BKSH-së ndikoi ndjeshëm dekreti “Mbi dërgimin e detyrueshëm të shtypshkrimeve Bibliotekës Kombëtare”, dalë më 31 maj 1948. Sipas tij, BKSH-së i dërgoheshin falas një numër ekzemplarësh të çdo shtypshkrimi të vendit, duke i mundësuar kështu kryerjen e rolit të qendrës arkivore.

Me rënien e regjimit diktatorial, biblioteka nisi të hiqte barrierat në sigurimin e informacionit dhe në shfrytëzimin e disa kategorive të literaturës./atsh/KultPlus.com

Jusuf Buxhovi boton “Vitet e Gjermanisë” me rastin e 35 vjetorit të rënies së “Murit të Berlinit”

Shkrimtari dhe historiani Jusuf Buxhovi, boton “Vitet e Gjermanisë” me rastin e 35 vjetorit të themelimit të LDK-së dhe 35 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit.

Një sintezë kujtimesh dhe vrojtimesh analitike nga dioptira e korrespondentit të përhershëm të gazetës “Rilindja” në Gjermani në 1976-1980 dhe 1994-2008, rreth zhvillimeve dinamike të fundviteve të shekullit të kaluara, që i paraprinë kthesave të mëdha gjeostrategjike dhe atyre gjeopolitike pas rënies së Murit të Berlinit, që çuan te rënia e bipolaritetit blokist si dhe tranzicionet në vendet e ish dikaturave komuniste.

Në kuadër të këtyre zhvillimeve, pamëdyshje se një vend të rëndësishëm, zënë ato që i paraprinë procesit të shpërbërjes së ish Jugosllavisë, e ku çështja e Kosovës, nga politika e atëhershme gjermane si dhe mediumet kryesore të vendit, fokusohej ndër faktorët kryesor të testit të mbijetimit të saj – po qe se do t’i jepej statusi i republikës në federatë, apo të shkatërrimit – po qe se ajo do të kthehej nën tutelnë e Serbisë, siç ishte nga viti 1945-1968. Kjo problematikë, zë vendin kryesor, në pjesën e parë të librit (1976-1980), përmes intervistave me presidentin gjerman von Vajceker, ish kancelarin Vili Brantin, kancelarin Helmut Shmit, liderët demokristianë dhe social të krishterë, Helmut Kolin dhe Franc Jozef Shtrausin, me intelektualët e njohur, ndër ta filozofin Habermas nobelistin Hajnrih Bell, shkrimtarin Gynter Gera dhe personalitete të tjera të jetës politike dhe kulturore gjermane.

Në pjesën e dytë të librit, në intermecon kohore nga demonstratat e vitit 1981 e deri te rrënimi i autonomisë së Kosovës nga Serbia më 23 mars 1989, përfshihen gjithë ato zhvillime, siç ishin diferencimet anbllok në Kosovë kundër identitetit insitucional dhe kulturor që solli kushtetuta e vitit 1974 si dhe shfaqja e memorandumit të akademikëve serbë në vitin 1986, që paraqesin skenarin hegjemonist serb, që Jugosllavia e Titos të kthehet në një shtet unitarist nën drejtimin e politikës serbe të lidhur me Moskën. Nga këndvështrimi gjerman, kundërvënia Memorandumit serb nga shkrimtarët shqiptarë si dhe përcaktimi i tyre që bashkë me elitën itelektuale të marrin përsipër përgjegjësitë për fatet e vendit, krijuan rrethanat që ajo të jetë bartëse e lëvizjeve politike.

Në këto rrethana, politika gjermane bashkë me atë amerikane, u angazhua që në Kosovë, pluralizmi politik i drejtuar nga elita intelektuale, t’i kundërvihej kursit të luftës së Millosheviqit. Diplomatët gjermanë në Beograd dhe ata amerikanë, drejtpërdrejtë u angazhuan, që nisma, e cila bëthamën e kishte midis gazetarëve të “Rilindjes”, të marrë epilogun me themelimin e “Lidhjes Demokratike të Kosovës”, më 23 dhjetor 1989 në Prishtinë.

Në këtë kronologji të kthesave historike nëpër të cilat kaloi Kosova nga viti 1989 deri tek çlirimi nga Serbia, krahas ngjarjeve politike që e përcaktuan këtë zhvllim, disa nga letrat përsonale nga dr. Ibrahim Rugova nga viti 2001-2004, si “dromca të shkapërderdhura”, si dhe bisedat me të në Rambuje dhe ato në vitin 1995 dhe në maj të vitit 1999, me rastin e qëndrimit disaditësh në Gjermani, paraqesin një kapitull të veçantë. Ngaqë ato nxjerrin në pah dimension njerëzor te një intelektuali krijues, bashkë me brezin që i takone, të cilin, historia e ngarkon me përgjegjësi politike që ta marrë përsipër drejtimin e procesit historik të shtendërtimit të Kosovës përmes rezistencës insitucionale aktive, por që atë e ballafaqojnë pashmangshëm me sfidat e brendshme dhe ato të jashtme, siç ishin ato në Rambuje dhe marrja peng nga ana e Millosheviqit, kur ai fillon të ndjehet si gjenerali Simon Boliviar i Markezit në “kurthin e vet…”

Kjo ndjenjë, nga e cila dr Ibrahim Rugova nuk do të lirohet dot, dëshmohet edhe nga “dosja gjermane”, që atij iu paraqit me rastin e qëndrimit disaditësh në Gjermani, kur ai, pas takimve me Millosheviqin në Beograd dhe zyrtarët tjerë të lartë serb në Prishtinë gjatë prillit dhe fillimit të majit, sa ishte peng i Millosheviqit, nga Presidenti i Shqipërisë dhe nga ministrat shqiptarë shpallet “tradhtar”, hipotekë kjo që do t’i ngarkohet edhe nga Hashim Thaçi dhe “Qeveria e tij e përkohshme” në Tiranë. Ndërkohë që “dosja gjermane” zbulon edhe dy komplote që Rugovës iu bënë nga bashkëpunëtorë të tij, nga radhët e LDK-së, të cilët filluan dy fushata paralele: njërën që t’i merrej posti i kryetarit të LDK-së me arsyetimin se në bisedime me Millosheviqin dhe lidhjet me të “kishte humbur kredibilitetin partiak” dhe, në tjetrën, që LDK-ja të hyjë në qeverinë e përkohshme të Thaçit pa pëlqimin e tij si president, ngaqë sipas vlerësimit të bashkëpunëtorëve të tij të deridjeshëm, atë e kishte humbur!

Nga ky këndvështrim, “Vitet e Gjermanisë”, pretendojnë paraqitjen e një tabloje të mozaikut të shtetndërtimit të Kosovës nga pjesë të ndryshme të një zhvillimi kompleks historik, ku personalitetet e caktuara, ndër të cilat dr Rugova tashmë e ka të siguruar vendin në oltarin historik, shfaqen në kuadër të tyre, dhe jo jashtë ose “mbi to”, siç ndodh aty ku është e thadraur logjika e kultit të individit./KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut

Data 10 dhjetor është shpallur Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut. Kjo datë është një përkujtim i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, e cila u miratua në 10 dhjetor të vitit 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Mbas këtij akti historik, Asambleja ftoi të gjitha shtetet anëtare që ta shpallin tekstin e Deklaratës dhe të përpiqen që të përhapet, paraqitet, lexohet dhe të shpjegohet, sidomos në shkolla dhe institucione të tjera edukuese, në të gjitha vendet dhe shtetet pa marrë parasysh statusin e tyre politik.

Asambleja e Përgjithshme shpalli këtë deklaratë si ideal të përgjithshëm të cilin duhet ta arrijnë të gjithë popujt dhe të gjitha kombet, në mënyrë që çdo njeri dhe çdo organizëm shoqëror, duke pasur parasysh gjithmonë këtë Deklaratë, të përpiqet që, me anë të mësimit dhe edukimit, të ndihmonte në respektimin e këtyre të drejtave dhe lirive dhe që, me anë të masave progresive kombëtare dhe ndërkombëtare, të sigurohej njohja dhe zbatimi i tyre i përgjithshëm dhe i vërtetë, si midis popujve të vetë shteteve anëtare, ashtu edhe midis popujve të atyre territoreve që janë nën administrimin e tyre.

Në këtë deklaratë spikat universaliteti, karakteri i pandashëm dhe i patjetërsueshëm i të drejtave dhe lirive, i standardeve ndërkombëtare të drejtave të njeriut; legjislacioni ndërkombëtar i të drejtave të njeriut; të drejtat e trashëguara; institucionet dhe procedurat për zhvillimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut./rtk/KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Diaspora e Kosovës gjatë viteve është bërë shtyllë e vendit dhe ekonomisë tonë

Sot është mbajtur ceremonia e hapjes së Edicionit të Dytë të Forumit Ndërkombëtar “Ulpiana”(UF), i cili ka sjellë në Kosovë pjesëmarrës nga 30 shtete të botës, siç thuhet në njoftimin MPJD-së, duke shërbyer kështu si një platformë diskutimi dhe bashkëpunimi për liderë globalë, vendimmarrës dhe komunitete të diasporës, për të eksploruar dhe shfrytëzuar fuqinë transformuese të angazhimit dhe diplomacisë së diasporës.

Në komunikatën e MPJD-së thuhet se në fjalën e tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se diaspora e Kosovës gjatë viteve është bërë shtyllë e vendit dhe ekonomisë tonë.

Ndërsa, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha para të pranishmëve se duke qenë vetë pjesë e diasporës së Kosovës e kupton shumë drejt sa e rëndësishme është që i gjithë vendi të vazhdojë të dërgojë sinjale të marrëdhënieve të vërteta me diasporën e tij.

“Para të pranishmëve foli edhe profesori nga Australia, Alan Gamlen, duke uruar Kosovën për organizimin si dhe rëndësinë që i ka dhënë diasporës. Pjesëmarrës në ceremoninë hapëse të Forumit Ulpiana ishin edhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, zëvendësministrja për Punë të Jashtme dhe Evropë nga Shqipëria, Silda Anagnosti, ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë, ministra, zëvendësministra e deputetë të Kuvendit”.

“Përmes një programi dinamik të sesioneve, punëtorive interaktive dhe diskutimeve frymëzuese, që do të zhvillohen në tre ditët e ardhshme, Forumi Ulpiana synon të arrijë rezultate të zbatueshme. Në qendër të misionit të tij është shfrytëzimi strategjik i kapitalit të diasporës—duke përfshirë burimet kulturore, ekonomike, njerëzore dhe sociale—për të adresuar disa nga sfidat më urgjente globale, si ndryshimet klimatike, pabarazitë në shëndetësi dhe paqëndrueshmëria ekonomike”, thuhet tutje në njoftimin e MPJD-së.

Presidentja Osmani: Sportistët tanë janë ambasadorët më të mirë të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar rolin e jashtëzakonshëm të sportistëve kosovarë në afirmimin ndërkombëtar të vendit.

E para e shtetit ka folur në ceremoninë e organizuar për të shënuar dhjetëvjetorin e anëtarësimit të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

“Anëtarësimi i Kosovës në KON ishte një afirmim i madh i Kosovës në arenën ndërkombëtare. Sportistët tanë i kanë treguar botës se kush është Kosova. Ata kanë dëshmuar se janë ambasadorët më të mirë dhe më të denjë të Kosovës”, ka theksuar Osmani.

Ajo ka shtuar se përmes sportit, Kosova ka arritur të pozicionohet në mënyrë dinjitoze në hartën globale. “Nuk ka krenari më të madhe se sa kur e kupton që në vende të mëdha sportistët i motivojnë me shembullin e Majlinda Kelmendit”, është shprehur Osmani. 

Gjatë dekadës së fundit, sportistët kosovarë, veçanërisht ata të disiplinës së xhudos, kanë sjellë suksese të jashtëzakonshme për vendin, duke e bërë Kosovën të njohur në arenën ndërkombëtare si një vend me potencial në këtë sport.

Shopenhaur, filozofi që na njohu me errësirën dhe guximin për të jetuar në kthetrat e saj

Nga Albert Vataj

Arthur Shopenhaur, një filozof i lidhur shpesh me qoshet më të errëta të përvojës njerëzore, e pa jetën jo përmes thjerrëzave të përparimit dhe ndriçimit, por si një cikël përpjekjesh të vazhdueshme, vuajtjesh dhe çastesh kalimtare lehtësimi. I lindur në vitin 1788, botëkuptimi i Shopenhaur-it ishte aq thellësisht pesimist saqë u bë e pamundur të injorohej për këdo që ishte i interesuar të kuptonte kompleksitetin e dëshirës, vuajtjes dhe ekzistencës njerëzore. Ai nuk e shikonte jetën si një rrëfim madhështor të arsyes dhe qëllimit, por më tepër si një luftë irracionale, të pandërprerë që ishte e dënuar të mos na kënaqte kurrë plotësisht.

Vepra e tij më me ndikim, “Bota si vullnet dhe përfaqësim”, përshkruan një pamje të një universi jo të drejtuar nga logjika apo rregulli, por nga një forcë e verbër dhe e pakontrollueshme: “vullneti”. Është një forcë që na nxit të përpiqemi, të dëshirojmë, të ndjekim, por kurrë nuk na lejon të pushojmë vërtet.

Për Shopenhaur-in, vuajtja është nënprodukti i pashmangshëm i kësaj dëshire të përhershme. Kur dëshirat tona plotësohen, të rejat shpejt zënë vendin e tyre, duke çuar në një cikël të pafund zhgënjimi dhe pakënaqësie. Lumturia, sipas tij, ishte pak më shumë se një iluzion kalimtar, një pushim i shkurtër përpara se të dilnin në sipërfaqe të tjerat.

E megjithatë, mes kësaj pikëpamjeje të zymtë, Shopenhaur gjeti një formë ikjeje – artin. Ndryshe nga vullneti kaotik, irracional që na shtyn, arti ofroi një moment të rrallë transcendence. Nëpërmjet muzikës, letërsisë dhe veçanërisht artit pamor, ai besonte se ne mund të shkëputeshim nga tërheqja e vazhdueshme e dëshirës, duke përjetuar soditje të pastër e të pandërmjetësuar.

Ai e vendosi muzikën në krye të kësaj hierarkie, duke e quajtur shprehjen më të thellë të vetë vullnetit. Për Shopenhaur, dëgjimi i muzikës nuk ishte thjesht një formë argëtimi – ishte një takim i drejtpërdrejtë me thelbin e realitetit, një arratisje e shkurtër por e fuqishme nga zinxhirët e vuajtjes.

Idetë e Shopenhaur gjithashtu e çuan atë në një qasje unike ndaj etikës. Ai argumentoi se e vetmja busull e vërtetë morale ishte dhembshuria, e lindur nga njohja se të gjithë, pavarësisht nga rrethanat e tyre, ndahen në barrën e përbashkët të vuajtjes. Duke e pranuar këtë, ai besonte, individët mund të kapërcejnë dëshirat egoiste dhe të veprojnë me një ndjenjë më të madhe ndjeshmërie. Dhembshuria, në botën e Shopenhauerit, nuk ishte thjesht një virtyt; ishte themeli i etikës.

Megjithëse filozofia e tij fillimisht kaloi pa u vënë re, ndikimi i Shopenhaur-it ka valëzuar brezat, duke formuar njerëz si Niçe, Frojdi dhe ekzistencializmi modern. Refuzimi i optimizmit nga ana e tij dhe eksplorimi i thellësive irracionale të përvojës njerëzore hodhën themelet për pjesën më të madhe të kërkimit psikologjik dhe filozofik që do të pasonte. Sot, shkrimet e tij vazhdojnë të ofrojnë një tablo jashtëzakonisht të saktë të jetës njerëzore – një pamje që njeh errësirën, por ende guxon të kërkojë kuptimin në mes të saj./ KultPlus.com

K’cimi i Tropojës/ Vallja në UNESCO, ja me cilin emër e njohin tropojanët

Lajmi se “K’cimi i Tropojës”, është futur në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë në UNESCO ishte një lajm shumë i mirë për tropojanët.

Bukurie Demiraj “Mjeshtre e Madhe” në valle e koreografi tregon rrugën e gjatë që kjo Trashëgimi Kulturore Jomateriale u bë pjesë e listës botërore të UNESCO-s.

Deli Metalia koreografi, që mbanë titullin “Nderi Kombit”, nuk i fsheh emocionet e përjetimit të këtij lajmi duke sjell në kujtesë edhe promovimet në festivalet kombëtare e ndërkombëtare që i është bërë “K’cimit të Tropojës”

“K’cimin e Tropojës”, është një valle që njihet nga të gjithë në Tropojë./topchanel/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti pret në takim lamtumirës ambasadoren Jusufi, shpreh mirënjohje për angazhimin e saj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në një takim lamtumirës ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Kosovë, Shpresa Jusufi.

Zyra e Kryeministrit njoftoi se Kurti ka shprehur mirënjohje për bashkëpunimin e afërt dhe angazhimin e saj, veçanërisht siç thuhet në komunikatë, në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në rrafshin tregtar dhe ekonomik.

“Në këtë kontekst, kryeministri Kurti dhe ambasadorja Jusufi diskutuan për progresin e arritur në fusha të ndryshme të bashkëpunimit bilateral gjatë mandatit të saj diplomatik. Kryeministri Kurti i uroi ambasadores Jusufi suksese në angazhimet e saj të ardhshme”, thuhet tutje në komunikatë.

Briken Calja renditet i katërti në Botërorin e Peshngritjes

Briken Calja është renditur në vendin e kartë në stilin e shkëputjet në kampionatin Botëror që po zhvillohet në Manama të Bahreinit.

Peshngritësi kuqezi arriti të ngre 153 kg pasi dështoi në dy tentativat e para për 152 kg dhe vetëm një për kg humbi shasin për të arritur në zonën e medaljes në këtë stil pasi një pozicion në podium e fitoi peshngritësi kolumbian që kishte zhvilluar garën e tij në Baterinë B të peshës deri në 73 kg.

Në moshën 35 vjeçare dhe ndoshta në Botërorin e fundit për të rritur Calja tregoi një formë shumë të mirë edhe pse në vendin e katërt.

Vlen të theksohet se në këtë peshë, deri në 73 kg peshngritësi shqiptarë ishte edhe më I madhi në moshë, vendi I parë, Gjermani, Gutu Robert, është 24 vjeç, i dyti Rashidov nga Turkmenistani po aq dhe vendi I tretë, kolumbiani Moskuera 29 vjeç./ TopChanel/ KultPlus.com

Më 11 dhjetor nis edicioni i dytë i festivalit ‘Aktori dhe Poeti’

Nga 11 deri më 13 dhjetor do të zhvillohet edicioni i dytë i festivalit “Aktori dhe Poeti”, një ngjarje kulturore që mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ky festival mbledh poetë dhe artistë nga vende të ndryshme, duke përfshirë ata nga Italia, Zvicra, Shqipëria dhe diasporën shqiptare.

Hapja e festivalit do të mbahet më 11 dhjetor, në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, duke filluar nga ora 11:00. Në këtë ditë, pjesëmarrësit do të vizitojnë familjen Jashari, duke i dhënë një dimension të veçantë shpirtëror dhe simbolik ngjarjes.

Gjatë festivalit, do të organizohen aktivitete të ndryshme për të promovuar trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të Kosovës. Poetë të njohur dhe artistë kombëtarë e ndërkombëtarë do të performojnë dhe ndajnë krijimtaritë e tyre me publikun.

Ti m’ke tradhtuar

Blinera Hajdari

M’ke tradhtuar në mendime ,
N’shikime, n’prekje.
M’ke tradhtuar në ecje,
Rrugicave, pa fshehje.
Në pikë të verës,
kur as për ujë njeriu s’mendon.
Në kulm të dimrit,
kur dora i dridhet dorës që takon

M’ke tradhtuar mbrapa krahëve,
Kur emrin s’ma ke mbrojtur.
Hera-herës, si t’mos më kishe njohur

M’ke tradhtuar edhe para syve,
Kur në sy nuk m’ke parë!
Kur nata e zezë ditën e ka vrarë!
Ti prapë mërinë n’mua e shfryve
Duke mallkuar, duke sharë.

M’ke ngulfatur n’heshtje…
Pa duar, pa prekje…
Fletët e shpirtit m’i ke zvarritur,
M’i ke tharë, m’i ke vyshkur.

M’ke tradhtuar, e nuk i thua tradhti
M’ke dashur, e nuk i them dashuri.
Të kam kërkuar të mos e bësh!
Po, sot, kërkoj të më tradhtosh!
Më tradhto ashtu siç ti
mendon se është tradhtia!
Të të vulos, ashtu siç dikur duhej të dija!

Kur të ruaj si gjënë e shenjtë,
kur syri dritë tjetër s’sheh.
Fryma jote është tradhti,
fytyra jote është tradhti.
Tradhti – mendimi për ty!
Më ke vrarë, a po e vras vetën?!
Këtë ah, nuk e di!/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Krerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në Hagë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për gjykimin dhe zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara të Hagës.

Kurti gjatë një diskutimi me studentët e AUK-ut, ka deklaruar se krerët e UÇK-së janë duke u mbajtur padrejtësisht në Gjykatën Speciale të Hagës. Ai ka thënë se megjithatë, mbrojtja e tyre, do të duhej të ishte një, e jo secili ta kishte avokatin e vet.

“Unë kam provuar, ku ky proces kishte nisur, kam provuar që krejt këshillin e mbrojtjes t’i bëjë bashkë – sepse unë besoj që mbrojta për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin do të duhej të kishte qenë e bashkuar (një): do të duhej ta kishin pasur Një Mbrojtje, e jo katër, e jo që secili ta kenë të tyrin”, ka thënë Kurti.

Më tutje, Kurti ka thënë se avokatët duan që klienti i tyre të lirohet, dhe kjo ka rrezik më pas që ata t’ia hedhin fajin njëri-tjetrit.

“Mos më keqkuptoni, problemi me avokatët është që të gjithë ata duan që klienti i tyre të lirohet, atyre s’ua ndien çfarë u ndodh të tjerëve – kështu që, në njëfarë mënyre, duke pasur secilin prej tyre të burgosur, krerët e UÇK-së, trupa e mbrojtjes e krijoi këtë mundësi që dikush të luajë (t’ua hedh) me mbrojtjen e tyre”, ka thënë Kurti.

Madje, sipas kryeministrit, atje do të duhej të kishte më shumë mbrojtje politike, se juridike.

“Është paksa histori e gjatë se si kemi mbërritur deri këtu; por besoj me të vërtetë që mbrojtja do të duhej të kishte qenë me njerëz tanë, dhe nuk mendoj që do të duhej të ishte edhe aq mbrojtje juridike, por do të duhej të kishte qenë shumë më shumë mbrojtje politike”, ka thënë Kurti, raporton “Nacionale”.

Kurti edhe më herët ishte pyetur e kritikuar për faktin se nuk reagonte për zhvillimet në Gjykatën Speciale të Hagës.

Ai kishte thënë se më shumë se takim me krerët e UÇK-së, ka nevojë që ai të bisedojë me avokatët.

Pas kësaj deklarate, Kurti kishte zhvilluar një takim në platformën “Zoom” me avokatët.

“Gjatë tij, është diskutuar për kërkesat e ekipeve mbrojtëse për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Takimi është mbajtur si rezultat i nevojës për të diskutuar dhe adresuar kërkesat e bëra nga ekipet mbrojtëse siç janë: procesi i stërzgjatur i mbajtjes në paraburgim të të akuzuarve, mos-respektimi i praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mungesa e përkthimeve dhe, në veçanti, mosmarrja në konsideratë e okupimit dhe krimeve të Serbisë në Kosovë gjatë viteve të ’90-ta”, ishte thënë në njoftimin e qeverisë.

Kryeministri Kurti kishte propozuar që takimet e tilla të vazhdojnë të jenë të rregullta. Të gjitha ekipet janë shprehur tejet mirënjohëse për mundësinë e diskutimit direkt me Kurtin, dhe shprehën falënderim me faktin që Qeveria e Kosovës po tregon interesim dhe angazhim në lidhje me procesin para Dhomave të Specializuara.

Spiropali: Toleranca fetare, faktor i kohezionit social dhe model për sjelljen politike

Në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, zhvilloi sot në Kryesinë e Kuvendit një takim me krerët e komuniteteve fetare.

Në takim ishin të pranishëm kryetari i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Arqipeshkvi Metropolitan i Tiranës dhe Durrësit, Imzot Arjan Dodaj, Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij Asti, kryetari i Vëllazërisë Ungjillore, Ergest Biti.

“Diskutuam për forcimin e infrastrukturës sociale, për një shoqëri më të mirë, më njerëzore, më të drejtë; se si toleranca fetare duhet të jetë edhe një model për sjelljen politike, kundër gjuhës së dhunës, denigrimit dhe urrejtjes, si të papranueshme në Parlament dhe në jetën tonë; bashkëpunimin në luftën kundër dhunës në shoqëri e në familje dhe se bashkëpunimi i Kuvendit me institucionet fetare të ketë më shumë në qendër njeriun dhe qytetarin”, u shpreh Spiropali ndërsa ndau momente nga takimi.

Gjatë takimit, Spiropali nënvizoi se, “me rastin e Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, është e rëndësishme të diskutojmë, jo vetëm për lirinë e besimit, si një e drejtë e garantuar në Shqipëri, por edhe për rolin e komuniteteve fetare në garantimin e të drejtave të tjera themelore të qytetarëve, duke kontribuar për ndërtimin e një shoqërie më të mirë, më njerëzore, më të drejtë”.

“Mozaiku fetar është një ndër pasuritë më të çmuara të Shqipërisë. Mirëkuptimi dhe harmonia fetare janë një referencë e rëndësishme për Shqipërinë, e cila tashmë njihet botërisht si shtëpia e përbashkët e besimeve dhe komuniteteve fetare, dhe ofrohet si shembull e model edhe për vendet e tjera. Mirëkuptimi dhe toleranca fetare shërbejnë edhe si një faktor i kohezionit social të shoqërisë. Por duhet të shërbejnë edhe si një faktor i kohezionit politik dhe si një model prej të cilit politikanët e parlamentarët shqiptarë duhet të mësojnë. Gjuha e dhunës dhe urrejtjes është e papranueshme në shoqërinë tonë”, tha Spiropali.

“Bashkëpunimi i Kuvendit me institucionet dhe komunitetet fetare duhet të ketë në fokus forcimin e infrastrukturës sociale të shoqërisë, fuqizimin e familjes dhe shëndoshjen e marrëdhënieve familjare, ofrimin e shërbimeve sociale, njerëzore, arsimore, kulturore  dhe edukative, në luftën kundër dhunës në shoqëri e në familje, mbështetjen e familjeve dhe qytetarëve në nevojë etj. Ky bashkëpunim duhet të ketë në qendër familjen, njeriun dhe qytetarin”, theksoi Spiropali. /atsh/ KultPlus.com

Kori i Filharmonisë mbyll shfaqjet për këtë vit para publikut slloven

Kori i Filharmonisë së Kosovës do të përmbyllë aktivitetin për vitin 2024 me koncert në Lubjanë, Slloveni.

Kjo do të jetë paraqitja e parë e Korit përpara publikut slloven. Nën drejtimin e Baki Jasharit, Kori do të interpretojë në pjesën më të madhe të koncertit vepra nga kompozitorë nga Kosova dhe Shqipëria, si: Lorenc Antoni, Rafet Rudi, Mendi Mengjiqi, Baki Jashari, Vasil S. Tole, dhe Hajrullah Syla. Programi do të përfshijë gjithashtu krijime nga kompozitorë ndërkombëtarë, si: Eric Whitacre, Ambrož Čopi, Vytautas Miškinis, Laura Jēkabsone, dhe Jake Runestad.

Koncerti do të mbahet në Sallën “Marjan Kozina” të Filharmonisë Sllovene në Lubjanë, duke filluar nga ora 19:30./KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim eurodeputetin Riho Terras, raportues për Kosovën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim  deputetin e Parlamentit Evropian dhe raportues i sapoemëruar për Kosovën, Riho Terras, të cilin e ka uruar për emërimin e tij, duke shfaqur gatishmërinë për bashkëpunim të thelluar për avancimin e integrimit evropian të Kosovës.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës për integrim në BE, duke potencuar progresin e dukshëm në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit dhe përafrimin me standardet evropiane. Presidentja nënvizoi përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian si synim kyç për të ardhmen e vendit. Presidentja Osmani theksoi edhe përkushtimin e Kosovës për të drejtat e njeriut, sundim të ligjit e demokraci, duke prezantuar arritjet evidente.

Në dritë të sulmit të fundit terrorist në vend, Presidentja Osmani bëri thirrje për bashkëpunim dhe mbështetje nga partnerët ndërkombëtar për hetim të sulmit, duke konfirmuar përkushtimin për hetim profesional të rastit nga ana e institucioneve të Kosovës. Ajo theksoi se ky sulm ka targetuar infrastrukturën kritike në vend, duke synuar që të shkaktojë dëme të mëdha, të cilat do të ndikonin drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Në këtë drejtim, ajo foli për rëndësinë kyçe të bashkëpunimit me qëllim të luftimit të mëtejmë të bandave kriminale serbe të cilat mbështeten, trajnohen e paguhen nga shteti serb, si dhe komunikimit e koordinimit me qëllim të parandalimit të sulmeve të ngjashme në të ardhmen.

Ndër të tjera, në takim, Presidentja Osmani theksoi se është e rëndësishme që bashkësia ndërkombëtare të mbajë qëndrim unik ndaj veprimeve destabilizuese të Serbisë, përfshirë aktit të agresionit të shtatorit 2023 dhe sulmit të fundit terrorist në infrastrukturën vitale të Kosovës.

Në takim, Presidentja gjithashtu theksoi se është koha që masat e pa drejta të BE-së ndaj Kosovës të largohen përfundimisht, ngase sipas saj,  përveç se të pa drejta, këto masa po i dëmtojnë drejtpërdrejtë qytetarët e Kosovës, pa dallim./KultPlus.com

“Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis, Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis”

Poezi nga Asdreni

Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis,
Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis!
Ti bjeshkat plot vjollca rreth i ke,
…Si vashë e virgjen: nuse sikur je;
Dhe malet me bor
Mi krye i ke kunor!

Kosovë, o atdhe i lavduem i burrnis
Ti ke pas kjen mbretnesha e Rumelis!
Nalt mbaje kryet t’and si gjithmon
Difto-u e zonja; koha sot e don
Ti t’çohesh përseri
N’luftë t’mbarë për liri!

Se teje të madhe shpresë ushqen Shqipnija
Me burra ti q’i len, t’gjatë si selvija,
Sakola mali, shoq në bot’ që s’ kanë
Si luaj e si dragoj plot forcë që janë,
Që e derdhin gjakun prrue
Atdheun për m’e shpëtue!

Ke bij që s’kanë drojë asnjë pikë
As syni far’ u tutet, s’dinë as frikë
Anmikut kur i sulen me rrebtsi
Si breshni mi te hidhen me duhi.

Gra e vasha ke, si zana sy-mëdha
Trimnesha qi Shqipnija din m’i ba
Qi rrokin armët në luftë me gas tuj shkue
Ja se me mund, ja se me dekun tuj luftue!
Për nder të shtëpis s’vet;
E falin shpirt e jet!

Kosovë, o trimneshë, lule e rrallë
Detyrën tin’ e ke me dal sot n’ballë
Se mbrrini koha, tokën për m’e mprue
Anmiqt e motçëm jashtë me i dëbue
Se mjaft e kanë robnue
Dhe n’ zjarm e kanë prue!

A mund m’e durue pa pra kët zgjedhë
Që të huejt para syve të t’venë ledhe
Për me t’rrzue nër kamb’ e për me t’shkel
Për me t’ba gjithë copë, mirë si ju del
Dhe duersh mos të lëshojn’
Prej faqes s’dheut të t’shojn!

Disa “Serbi e vjetër” duen me i thanë
“Maqedhoni” do t’ jerë emnin ja lanë!
Atyne si u pëlqen kufijt i venë
Shqipnija veç mbas dojes s’tyne me kjenë;
Mendojnë pa turp kurrfarë
Se s’ka nji komb Shqiptarë!

Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë
Prej zis pështonëje Kosovën e ngratë
At’ nanën t’uej t’lidhun kamb’ e dur
Q’ anmiqt e kan vorrue me dhe e me gur,
Me lott qi qan e ankon
E asnji nuk i ndihmon!

Shqyptarë mos kujtoni bes’ e fe
Po nanën ju kujtoni qi u ka le
Qi ka mbet fill e vetum si gru e ve
Prej bijet e harrume mi ket dhe!
Se ansht turp i math për ju
Të huejt me i u çnderu!

Sot ora mbrrini, dita e bekueme
Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme!
Kosovës emnin me ja ngref te qilli
Për çud të botës sa ka me shkëlzy dilli
Me rrnue një Shqypni
Si zonjë në lumni.

Shqyptarë, çoni-u, vllazën ora mbrrini
Si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini!
Një Manastir, Shkup, Shkodër e Janinë
Një trup bani-e an’ e mb’anë Shqypninë
Si ç’trimit mirë i prek
Me nder n’luftë me dek! / KultPlus.com

Fetah Mehmeti, një nga themeltarët e Teatrit të Gjilanit

Isak Bilalli         

Karriera e antikonformistit që influencoi jetën artistike në Kosovë.

       Njerëzit që jetojnë në qytet, të kapluar nga rutina ditore dhe streset e përgjithshme shpeshherë e marrin të mirëqenë funksionimin dhe historikun e institucioneve kyçe, siç është teatri, por paraqitja e kësaj çështje nuk është thelbi i kësaj trajtese, sepse natyra njerëzore është e prirur të harrojë të bëj pyetjen bërthamë, kush ishin prijatarët dhe si u ndërtuan këto institucione.

       Kjo është e theksuar tek të rinjtë por si dukuri prek të gjitha shtresat. Për me shumë, diskursi publik e ka të nevojshme rifreskimin e fakteve me qëllim përkujtimi dhe njohjen e historikut të teatrit respektivisht njohjen me ato figura që kontribuuan në ndërtimin e këtij tempulli të kulturës.

       Çfarë duhet të dimë për teatrin respektivisht për nismëtarët që filluan të hedhin lopatat e para në themelet e këtij institucioni që funksionoi me mund e sakrifica dhe nuk u lëkund nga valët me të forta kur u sulmua nga armiqtë shekullorë dhe si i rezistoi shtrëngatave të kohës.

      Krijimtaria artistike e Fetah Mehmetit zbërthen në vetëvete shumë pikëpyetje që ndërlidhen me historikun dhe konsolidimin e teatrit të qytetit, veprimtari e cila është zhvilluar në një kohë kur për teatrin ka patur pak artistë e krijues që kanë prodhuar art respektivisht nuk ka patur shfaqje për publikun.

       Për rrjedhojë duhet kuptuar qe publiku i asaj kohe ka qenë jashtëzakonisht i etur për kulturë teatrale, kur dihet fakti që politikat e regjimit të Jugosllavisë së asaj kohe, kanë qenë diskriminuese për shqiptarët që ka nisur me shkallë gradacioni të pa-vërejtshëm duke përfunduar dalëngadalë me politika shfarosëse. Realisht janë njerëzit e artit, ata që e artikulojnë me zë e figurë në skenë brengën që e kanë njerëzit të cilët në njëfarë forme e kanë për detyrë të vetëdijesojnë popullin e tyre drejt një mobilizimi human për të mbrojtur dhe kultivuar vlerat që janë identikit  kombëtarë.

      Kjo gjendje e renduar e ka shtyrë të riun Fetah Mehmeti të zhytet në përsiatje për të bërë atë qe deri atë kohë nuk kishte arritur askush ta realizonte në rajonin e Anamoravës, të orientonte velat drejt mbrojtjes së vlerave kombëtare duke u përgatitur me shkollim superior në fushën e artit skenik.

       Fillesat e rrugëtimit të tij nisen qysh në kohën kur ai ishte në shkollë të mesme, ambicie që në dukje të parë, kanë gjasuar utopike dhe të shterpëta marrë për bazë synimet e larta që kishte. Rrethanat e fund-viteve 60-ta, ishin në dis- favor të ambicieve të Fetahut për të dëshmuar talentin e tij për artin ndaj dhe u detyrua të fillojë punën si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe ne malësi te Kamenicës. Jo që nuk i pëlqente mësimdhënia, por zemra i rrihte për skenën ndaj dhe për më pak se dy vite pune, vendos të konkurrojë për aktor në teatrin e Shkupit.

       Ky konkurrim ishte më shumë se guxim për dike që deri ditën që futet në audicion nuk i kishte shkelur këmba në një qytet metropol siç ishte Shkupi i asaj kohe. Kuptohet edhe konkurrenca duhet të ketë qenë sa e ashpër aq edhe mbytëse për Fetahun që pas shkollës se mesme kishte arritur të bëhej një mësues fshati që i mësonte fëmijët shkrim lexim, por kishte kurajon për tu sfiduar. Askush atëbotë, nuk ka pandehur se Fetahu i ri do të çante malin me një të goditur dhe do të pranohej si aktor i teatrit të Shkupit, kuptohet pa mbështetje dhe pa njohje me askë nga bota e artit apo nga strukturat vetëqeverisëse të atij shteti që quhej Jugosllavi.

       Guximi i tij, ka bërë që të gjithë të pyesin:

       Kush ishte vërtetë Fetah Mehmeti; çfarë mund të bëj dhe çfarë ka për të bërë i vetëm në industrinë e artit krejt i vetëm, pa mbështetje dhe pa resurse?

       Pak njerëz e dinin që ai ishte një karakter i fortë që tundohej jashtëzakonisht shumë nga ideja për të realizuar mision të pamundshëm dhe ishte gjithmonë i hapur për sfidën e radhës.

       Njësoj siç e pranoi sfidën që të realizonte ëndrrën e tij, ai e dinte që sfida e radhës ishte që të bëhej aktori më i mirë i Teatrit të Shkupit dhe kjo gjë sipas tij ishte e mundshme, gjë që koha e vërtetoi si shumë të saktë.

       Fetah Mehmeti i njihte fare mirë kapacitet artistike që kishte dhe e dinte se kundrejt këtij potenciali nuk e fshehte ambicien për të kapur majat në industrinë e artit. Ai ishte, as me pak as me shumë një boem i lindur që dinte shumë mirë se çfarë bënte në zanatin e tij ndaj dhe që në fillesat e para si aktor e bindi publikun shkupjan dhe me gjerë që ai nuk ishte aksidental dhe as rastësor, por kishim të bënin me një artist të përmasave jo të zakonta për nga zotësia dhe kreativiteti skenik.

       Fillim vitet e 70-ta e gjetën Fetahun me mëngë të përvjelura në shfaqje të ndryshme si aktor ku ju besuan role me peshë aspak të vogël, sepse regjisorët e kohës e dinin që ai atë që e premtonte, se do ta realizonte, e bënte në mënyrën më të mirë të mundshme.

      Që në vitet e para, në këtë teatër, ai u angazhua në shumë shfaqje siç janë: “Dielli i mbrëmjes, “Dielli i mëngjesit”, “Miza në vesh”, “Skënderbeu“ etj, por ai ishte në kërkim të roleve më të vështira e më sfiduese që më vonë ia arriti të shfaqet me rol kryesor në shfaqjen “Ëndrra e një nate vere” e William Shakespeare, në të cilin megaprojekt të Teatrit te Shkupit ylli që shkëlqeu ishte Fetah Mehmeti. Në memoaret e të vëllait Ruzhdi Mehmeti qëndron akoma e freskët ndjesia triumfuese kur në përfundimin e shfaqjes, Fetahu ishte më i aplauduari që qëndroi me bis një kohë të gjatë në shenjë mirënjohjeje nga publiku në premierën e kësaj shfaqje. Një kujtim tjetër që i vëllai e mban është vlerësimi i kritikut te artit Vehap Shita, i cili për rolin e interpretuar të Fetahut në shfaqjen “Varret e pafajshme“ shprehet: “Fetah Mehmeti nuk luajti dhe as nuk aktroi në skenë, por thellë ne shpirt e përjetoi rolin dhe e bëri të qajë një sallë të tërë”. Ky ishte një vlerësim real i Z. V. Shita por njëlloj edhe njohës e kritik të tjerë nga Kosova e ndiqnin me kërshëri shfaqjet në Shkup, ku merrte pjesë gjeniu Kosovar të cilët mbusheshin me ndjenja krenarie e mburrje me performancat e tija të shkëlqyeshme.

      Të arriturat, sukseset, triumfi i tij në një terren te vështirë, ku zhvilloheshin beteja peshkaqenësh në teatrin Republikan Maqedonas, nuk ishte ambicia e vërtetë e aktorit Gjilanas dhe për të kjo ishte fare e thjeshtë sepse ai synonte diçka më shumë dhe ky synim nuk ishte obskurik. Atë e mbante gjallë ideja dhe motivi pse kishte vajtur ne Teatrin e Kombësive jo për t’u akomoduar apo për të krijuar zonë komforti në një qytet metropolitan si Shkupi por ai nuk donte të jetonte i shkëputur me vendlindjen dhe qytetin ku ishte rritur, sepse ai dëshironte me çdo kusht të shkrinte potencialin e tij në Kosovë dhe në këtë mënyrë t’i jepte krah zhvillimeve kulturore e artistike në vendin e tij. Për ta ushqyer motivin fillestar se pse kishte shkuar ne Teatrin e Kombësive, ai filloi të ushtrojë funksionin e regjisorit të cilin e realizonte me kohë të pjesshme nëpër teatrot e Kosovës. Paralelisht me punën që realizonte ne Shkup, ai realizonte shfaqje sa ne Teatrin Krahinor në Prishtinë, po aq edhe ne Teatrin e Ferizajit, Gjakovës e Gjilanit, por duhet pranuar që zemra i rrihte fort për Gjilanin e për efekt ai realizoi shfaqjet si “Erveheja” në Gjilan, “Dervishi dhe vdekja” në Ferizaj, “Armiku i popullit” në Prishtine, dhe “Halili e Hajrija” në Gjakovë.

      Potencialin dhe vullnetin që kishte nuk kishte forcë ta ndalonte apo t’ia ulte ritmin e punës edhe pse shpesh e zinte nata rrugëve për tu kthyer në Shkup për të realizuar këtë agjendë të ngjeshur profesionale. Ai aspak nuk e kishte problem që të ndalte veturën dhe të merrte një sy gjumë kudo që ndodhej dhe e bënte për të mbajtur parimin që të nesërmen do të ishte se s’bën në prova apo në plotësimin e zotimeve të dhëna.

       Vështirë të gjendet një aktor a regjisor i përmasave afërsisht të njëjta që kishte gamë me të gjerë fushëveprimi, se sa Fetahu dhe të realizonte me aq përsosmëri çdo projekt që kishte në dorë.

      Një nga momentet më kulmore të karrierës së këtij artisti të madh, janë vitet e bashkëpunimit ndërkulturorë që Teatri i Kombësive realizoi me Teatrin Popullore të Shqipërisë, në të cilën marrëdhënie, ai ndërtoi një raport kolegial e vëllazëror me aktorin, dramaturgun dhe një ndër regjisorët më të njohur shqiptar Kujtim Spahivoglin, i cili realizoi shfaqjen “Karnavalet e Korçës” në vitin 1972 me trupën teatrale të Shkupit. Dëshmitarët dëftojnë se kurrë nuk e kanë parë Fetahun më të gëzuar dhe më të lumtur se në kohen e realizimit te kësaj shfaqje, ndaj dhe pa frikë mund të thuhet se ai dhe Kujtim Spahivogli kuptoheshin pa folur fare, kur vinte në pyetje zgjidhja profesionale apo si duhet përcjellë mesazhi sa më fuqishëm tek publiku. Të dytë i bashkonte gjenialiteti dhe zelli për skenën ndaj dhe shumicën e kohës rrinin bashkë duke shkëmbyer njohuri e përvoja personale, për të cilën gjë Fetahu ishte mirënjohës deri në përgjërim për njohuritë e thella që i mësoi për punën me regjisorin Spahivogli. Takimi dhe bashkëpunimi me te ishte shtyse për Fetahun të fillonte të hapte kapitullin më të guximshëm të tij dhe të Teatrit të Gjilanit realizimin e shfaqjes “Gjenerali i ushtrisë se vdekur” në vitin 1976, shfaqje e cila shënon fillimin e epokës së vënies së gurthemelit të teatrit profesional ngaqë deri në atë kohe ishin venë në skenë disa shfaqje, por jo të nivelit profesional qe kërkohej. Roli i Fetahut si profesionist me angazhimet e tija në këtë teatër, mund të krahasohen sikur roli i prindit kur rrit foshnjën dhe fillon t’ia mësojë hapat e parë të ecjes dhe këtë gjë e ka bërë me Teatrin e Gjilanit, pa kursyer asgjë nga vetja. Për ta kuptuar më drejtë dhe më saktë misionin që kishte i ndjeri dhe si e realizoi, e rrugës është të hedhim një vështrim se i çfarë niveli profesional ishte dhe ku fshihej gjithë ky potencial për të realizuar misionin e themeltarit.

Fetah Mehmeti kishte një inteligjencë të frikshme, nuhatje jo të rëndomtë profesionale, zotësi të rrallë por para se gjithash ishte një njeri me një guxim të pashoq. Kolegë të shumtë e kanë cilësuar si artist rebel me një fantazi të shfrenuar. Pikërisht, guximi e bënte atë të ishte jo-konvencional dhe i pakompromis në shprehjen e lirisë individuale dhe të brengës kolektive. Në thelb, ai ishte stoik dhe gardian i mbrojtjes së lirisë si formë e shprehjes që askush nuk mund ta ndalojë, të paktën jo në skenë. Ishte dashnor i artit, paqes dashurisë dhe lumturisë që secili njeri meriton ta gëzojë, dhe për këto parime ishte i gatshëm të futet në çfarëdo beteje, me këdo dhe në çdo kohë. Ai ishte trim në përballje mes intelektualësh në argumentimin e së drejtës dhe mbrojtjen e këtyre idealeve e për rrjedhoje nuk njihte aspak se çfarë është frika.

       Meqë ai asnjëherë nuk mendonte dhe nuk ishte njëlloj si njerëzit e zakonshëm, e kishte të zhvilluar në masë të theksuar kreativitetin por, më shumë ka spikatur tek ai mendimi kritik lidhur me zhvillimet politike e kulturore të krimbura.

      Antikonformizmi i tij është shprehur hapur përmes metaforës, krahasimit e rebelimit që e ka realizuar në skenë duke përçuar mesazhe të forta si regjisor por edhe si aktor pothuajse ka bërë të njëjtën gjë. Ai në skenë ka ditur shumë mirë të shpreh indinjatën dhe kundërshtitë që kishte me zhvillimet e mbrapshta të regjimit. Fetahu nuk ka folur shumë me njerëz. Ai ka zhvilluar luftë sistemike në raport me fenomenet shoqërore të dëmshme dhe këtë procesim e ka shoqëruar me heshtje, nën shoqërimin me një gote raki dhe cigare. Ai, në skenë ka reaguar furishëm dhe nuk ka lejuar asnjëherë të bëhen gjerat shkel e shko për t’i thënë të keqes stop ashtu si e meriton.

      Ai ka ditur t’i thyej klishetë dhe të ec i vetëm në gjetjen e shtigjeve alternative që rrallkush ka arritur t’i shkel apo të guxojë të shtegtojë rrugëtim të ngjashëm. Kontributi i këtij mjeshtri të madh të skenës ishte i tejçmuar deri në fillim vitet e ‘80-ta në themelimin dhe konsolidimin institucional të Teatrit të Gjilanit, sepse pas kësaj periudhe Fetah Mehmeti vazhdon karrierën profesionale në Akademinë e Arteve në Beograd si bursant në specializimin e regjisurës së filmit.

       Kjo periudhë paraqet një epokë të re profesionale që ai synonte të ndërtonte një karrierë të re për të plotësuar në një far forme zbrazëtirën që e kishte Kosova në fushën e kinematografisë respektivisht mungesën që kishte Televizioni i Prishtinës për regjisor filmi.

      Motivi i tij bazë ishte të vihej në shërbim të artit e kulturës në Kosovë kundrejt ekspertizës që posedonte sepse ai para se gjithash ishte njohës tejet i mirë i kulturës dhe gjuhëve sllave por nuk dëshironte te kontribuonte asnjë sekondë në avancimin profesional në vendin dhe për vendin, ku specializohej por preferonte që gjithçka që mësonte e dinte ta sillte në vendin e tij mëmë.

Ai e ndjente që vendi i tij kishte më shumë nevojë për të ndaj dhe gjatë 5 vjeçarit që studionte, vinte me vrap në Prishtine sapo përfundonte obligimet protokollare në Beograd. Ai kurrë nuk harronte objektivin kryesor kur pranonte një sfidë dhe asnjëherë nuk e humbte rrugën siç mund të kenë bërë kolegë të tij, sepse ai me të marrë një zotim të ri nuk lejonte të ndikohej apo të joshej me të mirat materiale apo benefitet që vinin gjatë këtij rrugëtimi. Siç bëri më Shkupin ashtu bëri me Beogradin,  mori njohuritë që i duheshin për të aplikuar këto njohuri në zhvillimin kulturor në vendin e tij.

      Z. Mehmeti kishte dyert e hapura në Televizionin e Prishtinës dhe u mirëprit krahëhapur si një ekspert që iu rezervua vendi në krye të tavolinës dhe, ky autoritet ishte i bazuar në respekt dhe konsiderata për punën që ai bënte. Duhet të potencohet se edhe gjatë kohës sa ishte në Beograd, një pjesë dërmuese e kalonte më projekte filmike që i realizonte në Prishtinë si në filma të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë. Ky lundrim e bëri Fetahun të ishte anëtarë permanent i shtëpisë se TVP-së ndaj dhe për një shumicë ai kishte kohë që bënte punën e regjisorit vetëm se nuk ishte në listë rroge.

       Fetahu ishte një nga regjisorët e parë në Kosovë që lansoi realizimin dhe transmetimin e dramës televizive që deri në atë kohë nuk ishte e aplikueshme e që filloi me pas të aplikohej në masë të madhe edhe pse kjo është një disiplinë shumë e vështirë të përfshihen të gjithë elementet që syri i kamerës nuk arrin të kap sa kap syri i njeriut.

TVP-ja dhe kinematografia Kosovare kishte filluar të lëngonte nga mungesa e fondeve dhe diskriminimit që vinte nga Beogradi ne mënyrë të vazhdueshme, periudhë e cila u pasua edhe me proceset diferencimeve ideopolitike, proces të cilin Fetahu po e kapërdinte me shumë vështirësi. Mbase mund të jetë kjo një nga arsyet se pse ai pësoi hemorragji cerebrale dhe bashkë me familjen e tij emigroi për Suedi me arsyen primare trajtimi mjekësorë.

Jeta në Suedi dhe trajtimi mjekësorë ishte shumë i ngadaltë aq sa ishte gërryes dhe i papërballueshëm fati i vendit te tij qe me avashllëk po futej në luftë direkte, shqetësim që e qoi dalëngadalë deri në shuarje.

Fetah Mehmeti, mbetet një nga aktorët e regjisorët që dhuroi kontribut të  jashtëzakonshëm për teatrin e Gjilanit por kontributi i tij është i shtrire në kohë dhe hapësirë në të gjithë Kosovën./ KultPlus.com