Skenaristja Albana Muja vlerësohet me çmim në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kili

Filmi “Okarina”, me regji të Alban Zogjanit dhe skenar të shkruar nga Albana Muja, u vlerësua me çmimin prestigjioz për “Skenarin më të Mirë”, përcjell KultPlus.

Filmi u vlerësua në kategorinë e Filmit Artistik Ndërkombëtar të Fiksionit, në edicionin e 20-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Rengos (FECIR) në Kili.

Ky festival, një nga më të njohurit në rajon, u mbajt nga 25 deri më 30 nëntor 2024./ KultPlus.com

KFOR zhvillon trajnim në Bondsteel: Pjesë e misionit për të garantuar mjedis të sigurt për të gjithë

KFOR ka njoftuar për një trajnim të përbashkët mes ushtarëve gjermanë, polakë dhe amerikanë, që kanë zhvilluar në Kampin Bondsteel, gjatë ditës së djeshme.

Nga KFOR, është thënë se ky trajnim bën pjesë në përpjekjet e këtij misioni për të garantuar mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet.

Postimi i plotë:

Ushtarët gjermanë, polakë dhe amerikanë të caktuar në Komandën Rajonale në Lindje të misionit #KFOR të udhëhequr nga #NATO zhvilluan një trajnim të përbashkët të gjuajtjes së gjuajtjes dje në Kampin Bondsteel, Kosovë.

Këto përpjekje janë pjesë e misionit të përditshëm të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhekomunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë./ KultPlus.com

Dhjetori i festave në Tiranë, Rama ndan pamjet

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga zbukurimet në Tiranë për festat e dhjetorit.

“Dhjetori i Festave në Tiranë”, shkruan Rama.

Sheshi “Skënderbej” është ndriçuar nga qindra drita të bredhit të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, teksa mijëra të rinj dhe të reja mbushin çdo natë sheshin “Skënderbej”, i cili është kthyer në një hapësirë gjigante festive.

Dekori i këtij viti është shtrirë gjithashtu përtej qendrës, me dritat festive të vendosura në të gjitha hapësirat publike.

Rrugët kryesore të kryeqytetit dhe ndërtesat e institucioneve kryesore në vend janë zbukuruar nga dritat e festës.

Kudo në kryeqytet ndihet atmosfera festive e Vitit të Ri, teksa aktivitete të shumta festive zhvillohen në Tiranë./ KultPlus.com

26 vjet nga sulmi terrorist në kafiterinë “Panda” në Pejë, Kurti: Serbia mohon gjenocidin

Kryeministri Albin Kurti sot ka përkujtuar sulmin terrorist të Serbisë në kafiterinë “Panda” në Pejë.

“Serbia i vrau gjashtë të rinj serb, të moshave 14, 16, 17, 18 dhe 24 vjeç, në përpjekjen e regjimit të Millosheviqit për të justifikuar gjenocidin në Kosovë”, ka shkruar Kurti në rrjetet sociale.

Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:

Më 14 dhjetor 1998, shërbimet serbe ekzekutuan të gjashtë të rinj serbë për të akuzuar rrejshëm UÇK-në si fajtore.

“Nuk ka asnjë provë që është kryer nga shqiptarët”, kishte deklaruar Aleksandar Vuçiq në vitin 2013. “Ka shumë gjëra të tmerrshme me të cilat do të na duhet të përballemi, siç është vrasja e serbëve në kafiterinë Panda”, kishte thënë ai.

Serbia i vrau gjashtë të rinj serb, të moshave 14, 16, 17, 18 dhe 24 vjeç, në përpjekjen e regjimit të Millosheviqit për të justifikuar gjenocidin në Kosovë.

Këtë e ka thënë në vitin 2014 edhe Vuk Drashkoviq, duke akuzuar shërbimin sekret serb për krimin në “Panda”, duke veçuar Radomir Markoviq dhe Milorad Ulemek Legija, ish-komandant i Njësisë së Operacioneve Speciale (JSO). Krimi është kryer që UÇK-ja “të paraqitet si organizatë terroriste” për të “ngjallur ndjenjat antishqiptare” dhe për të justifikuar veprimet e ardhshme të forcave serbe”, kishte thënë Drashkoviq.

Pas këtij sulmi, forcat serbe arrestuan më shumë se 150 shqiptarë në Pejë. Më 17 dhjetor 1998, u arrestuan dhe torturuan në mënyra ҫnjerëzore edhe Agron Kollçaku, Behar Bajri, Beqir Loxha, Gazmend Bajrami, Vllaznim Pergjegjaj dhe Xhevdet Bajrami. Më i madhi prej tyre ishte 22, ndërsa më i riu 17 vjeç. Gjashtë të rinjtë shqiptarë, në nëntor 1999, gjykata në Serbi i shpalli të pafajshëm.

26 vjet pas, shteti i Serbisë vazhdon të fshehë të vërtetën për vrasjen e të rinjëve serb. Serbia mohon gjenocidin në Kosovë, mohon gjenocidin në Bosnje dhe Hercegovinë, mohon masakrën në Srebrenicë, edhe masakrën në Reçak. Mosnjohja e së kaluarës së saj kriminale dhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës janë të lidhura ngusht.

Për paqe dhe siguri në rajonin tonë, ballafaqimi me të kaluarën dhe drejtësia për krimet e Serbisë në Kosovë janë të domosdoshme./ KultPlus.com

Vdes themeluesi i kompanisë Mango, Isak Andic

Isak Andic, themeluesi miliarder i kompanisë së njohur të rrobave, Mango, ka humbur jetën në një aksident rrugor.

Mediat spanjolle raportuan se 71-vjeçari humbi jetën pas një rënieje në një luginë ndërsa po ecte në një vargmal jashtë Barcelonës. Sipas gazetës El Pais, djali i tij ishte i pranishëm në vendin e aksidentit.

Andic, i cili kishte origjinë turke, e themeloi Mango-n në Barcelonë në vitin 1984, dhe sot ky zinxhir operon në 120 vende. Pasuria neto e Andic është vlerësuar nga Forbes në 4.5 miliardë dollarë.

Toni Ruiz, CEO i Mango, shprehu ngushëllimet e tij, duke theksuar se largimi i Andic ka lënë një boshllëk të madh.

“Të gjithë ne jemi, në një farë mënyre, trashëgimia e tij dhe dëshmia e arritjeve të tij. Varet nga ne që të sigurojmë që Mango të vazhdojë të jetë projekti që Isak dëshironte dhe për të cilin ai do të ndihej krenar”, tha ai./ KultPlus.com

Naim Frashëri, poeti me pesë varre

VARRIMI I PARË, 20 TETOR 1900: Ora 7. Arritmë në varri. Këtu na pret një helm i ri: jemi përpara varrit t’Abdul beut, të dy vëllezrit që kanë rrojtur bashkë, kanë punuar bashkë, kanë pasur një qëllim e një mendim, e janë përpjekur tërë jetën e tyre për Shqipërinë, janë dhe pas vdekjes ngjitur në varr. (Mitat Frashëri)

“Atje tutje, në rëzë të sypërfaqes ku bashkohen ca repe, në një varr të mermertë. Ka një gur të stolisur me një bishkrim turçe; njëri prej gurëve të varrit ka ikur nga vëndi dhe nga njëra anë e tij po bijen copa dheu të djegur e të nxirë nga thatësira. Në këtë vend flenë kockat e Naimit që brezi ynë e njeh si poet kombëtar. Ky njeri i math që është krijonjësi i parë i shqiptarismës s’onë të re, është bërë flija e mos-mirnjohësisë më të madhe të Shqipërisë së krijuar. Në këto balta të shkreta të një vëndi të huaj, ç’punë ka akoma Naimi? Këtu as’ka asnjeri që ja di varrin e tij, për veç një gruaje plakë, e teqes…” (Branko Merxhani)

Më 17 të qershorit që shkoi, një grup shqiptarësh nga Kolonija e Istambullit kanë vizituar varrin e Naim Frashërit, që gjendet në Merdiven Koj. Me këtë rast bashkëpunëtori ynë Branko Merxhani na dërgon përshkrimin e trishtuar që botojmë këtu. Zëri i ngjyrur i një gruaje plakë, lajmëtare e vdekjes, ju bërtet nëpër mes të drujve të varresës ku kini hyrë:

-Djelma! Varri që kërkoni është pranë atij varri dhe tamam nënë këmbët t’uaja!

Oh! Tokat që kini përpara, që shkelim me këmbë ne, janë varre, ja kështu të pa-dukurë, pa-gjurmë, pa gurë, pa mbishkrim. Në njërin nga këta vende flenë kockat e Naimit që brezi ynë e njeh si poet kombëtar. Ky njeri i math që është krijonjësi i parë i shqiptarismës s’onë të re, është bërë flija e mos-mirnjohësisë më të madhe të Shqipërisë së krijuar. Në këto balta të shkreta të një vëndi të huaj, ç’punë ka akoma Naimi? Këtu as’ka asnjeri që ja di varrin e tij, për veç një gruaje plakë, e aratisura e teqes… (Branko Merxhani, botuar më 1934, revista “Minerva”)

VARRIMI I DYTË, 3 QERSHOR 1937: Gjatë gjithë periudhës së qeverisjes së tij, nga viti 1925 deri në vitin 1939, mbreti Zog i kushtoi një vëmendje përkujtimit, vlerësimit e nderimit të shumë figurave e personaliteteve të ndryshme historike, të cilat në të kaluarën kishin dhënë kontributin e tyre në dobi të çështjes shqiptare, duke luftuar me pushkë apo me penë. Në kuadrin e vlerësimit dhe nderimit të këtyre figurave patriotike, në vitin 1937, me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë, me nismën e mbretit Zog u bë e mundur sjellja në Shqipëri e eshtrave të Naim Frashërit, poetit tonë kombëtar, i cili që nga viti 1900 prehej në varrezën “Merdiven Koj’’ në Stamboll. Ardhja e eshtrave të Naimit dhe rivarrimi i tij në teqen e bektashinjve, në periferi të Tiranës, u bë me ceremoni madhështore, ku morën pjesë personalitetet më të larta të shtetit dhe populli i kryeqytetit. “Shqipëria e lirë pret me mallëngjim ligjëronjësin e shqiptarizmës, Naim Frashërin. Erdh Naim Frashëri. Dhe tërë populli i Tiranës dje pasdreke grumbullohej tej legatës amerikane, në mes të disa lëndinave të gjelbëruara, ku vargjet “Bagëti e Bujqësi” ndiheshin si kambanë mallëngjimi në veshët e atyre që qysh në djep kanë dëgjuar emrin “Naim”. Dhe cili shqiptar, sidomos i ri, nuk është ushqyer nga drita atdhetare e këngëve të Naimit? Ja shiko djemtë e rinj, fëmijët e shkollave, ndonëse jo të radhitur, bredhin përpjetë rrugës për të pritur eshtrat e atdhetarit të madh. Shquanin atje autoritetet e vendit. Kryeadjutanti i Mbretit, Gjeneral Serreqi, Kryetari i Parlamentit, Ministri i p. të Brendshme, Ministri i p. të Jashtme, Kryetari i Bashkisë, Prefekti, Gjeneral Mirdashi, Gjeneral Araniti, të tërë deputetët, Kleri, oficera, gazetarë, nënpunës, popull. populli i mbledhur mizëri kishte mbushur anët e rrugës s’Elbasanit, ndërsa bataljoni “Deja” paraqiti armë se automobili me arkivolin e “yllit të idhës shqiptare” po vinte aty nga ora 5. Për nder armë. Tingulli i bajonetave qëndruan gati në atë heshtje kuptimplotë të turmës së madhe e cila me dhembjen mbante vështrimin nga automobili që binte eshtrat e një “shenjtori shqiptar”, nuk u ndie fare se zemra e të gjithëve rrinte pa pritur se Naimi erdhi. Erdh Naim Frashëri! Erdh ai që tha: “Kur më shihni se jam tretur, Mos kujtoni se kam vdekur!..

VARRIMI I TRETË, 9 PRILL 1940: Fashistët synuan t’i “ridimensiononin” figurat tona kombëtare. Kjo ndodhi edhe me Naim Frashërin, madje duke u përpjekur të evidentonin paralelizime, që të argumentonin se në poezitë e tij kishte ide fashiste. Në 9 prill 1940, në vitin jubilar të 40-vjetorit të vdekjes dhe vitin e parë të pushtimit nën kujdesin e Françesko Jakomonit (mëkëmbësi i mbretit Viktor Emanueli III për Shqipërinë) në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjëve, në Tiranë, u zhvillua me rregullat e ceremonive fashiste e fetare vendosja e eshtrave në një varr të ri monumental, të ideuar dhe financuar nga Jakomoni, në të cilin kishte dhe një shënim “Dhuratë e Shkëlqesisë së Tij, Mëkëmbësit të përgjithshëm Françesko Jakomoni”. Ceremonia e shpërnguljes së trupit të poetit nga italianët është bërë sipas sipas protokollit ushtarak italian. (fjala)

VARRIMI I KATËRT, 20 PRILL 1950: Varri monumental i poetit, në Kryegjyshatën Bektashiane, gjatë viteve të para të regjimit Komunist u çmontua. Atij iu hoqën simbolet dhe shkrimet e vendosura nga italianët, duke e kthyer në një varr pa identitet. Me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së poetit, u bë në qendër të Tiranës varrimi i katërt i poetit, aty ku sot është “Piramida”.

VARRIMI I PESTË, 10 QERSHOR 1978: Në qershor të vitit 1978 u organizuan festime me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Me këtë rast u mundësua sjellja e eshtrave të disa patriotëve, ndër ta edhe të Abdyl Frashërit, si një veprimtar i rëndësishëm i Lidhjes së Prizrenit. Eshtrat e tij u sollën nga Turqia. Qeveria komuniste, e cila kishte ndaluar veprimtarinë fetare të të gjitha komuniteteve fetare, organizoi në sheshin “Skënderbej” një ceremoni të përbashkët varrimi për Abdyl dhe Naim Frashërin. Eshtrat e Naimit u rinxorën nga vendvarrimi i pranë lulishtes së Kryeministrisë. Nga sheshi “Skënderbej” të vendosura në shtrat topi, eshtrat e dy vëllezërve Frashëri, të shoqëruara nga mijëra banorë, politikanë dhe qeveritarë, u përcollën për në kodrat e liqenit, ku ishte përgatitur një varrezë monumentale për Abdylin dhe Naimin dhe një varr simbolik (pa eshtra) për Sami Frashërin. Eshtrat e të cilit prehen në Turqi dhe qeveritë turke nuk kanë miratuar në asnjë rast shpërnguljen e këtij intelektuali të shquar edhe për kulturën turke./HEJZA/ KultPlus.com

Hurma dhe gra

Poezi nga Zhaneta Barxhaj

Hurma dhe gra të varura,
tundulaten dimrit cullak,
që në litarë degësh i mbanë.
Zhvishen gjithë drojë hurmat
ashtu si zhiveshen edhe gratë,
veç frutat qëndrojnë mbi trupat e tharë.

Kush ua thanë trungjet pemëve?
Kush ua përzhit shpirtin grave?
Ah, kjo stinë ngricash,
që fshikë, thanë e çanë.

Hurma dhe gra të varura,
fijeve të shpresës së kotë,
se frutat e tyre s’do i hajë krimbi,
se nuk do i këpusin duar babëzie.

Sa shumë ngjajnë hurmat me gratë.
Herë janë llurba, që gjithkush i gjerb lehtë,
farëzeza që u thyejnë dhëmbët,
të mpikëta që u zënë frymën.
Të dyja të zhveshura lindin jetë.

Hurma dhe gra të varura,
tundin litarët jetim, të degëve mëkatare,
që mbytur i kanë…/ KultPlus.com

Promovohet libri “Shekulli i XX, Pjesa I (1901-1950)” i Agron Shalës

Është provomuar libri “Shekulli i XX, Pjesa I (1901-1950)” i Agron Shalës, i cili ofron një analizë të thellë të ngjarjeve dhe zhvillimeve më të rëndësishme të shekullit të kaluar, duke i ndarë ato në periudha të caktuara kohore.

Ai trajton ngjarjet kyçe që kanë pasur ndikim të thellë në historinë botërore dhe shqiptare gjatë kësaj periudhe.

Agron Shala është një personalitet i njohur në fushën e publicistikës dhe me këtë vepër kontribuon për brezat e rinj, duke ofruar një pasqyrë të çmuar të së kaluarës.

Fotografitë: Besnik Hamiti./ KultPlus.com

Fragment nga libri “Masakrat në Kosovë 1998-1999”

Fragment nga libri “Masakrat në Kosovë 1998-1999” për masakrën në kafeterinë Panda:

«Më 14 dhjetor 1998, dy persona të maskuar hapën zjarr në kafeterinë ‘Panda’ në Pejë, duke lënë të vrarë 6 të rinj sërbë (pesë gjimnazistë e një student), që të gjithë meshkuj civilë të paarmatosur. Ndonëse autorët e këtij krimi nuk diheshin, Presidenti i RFJ-së, Slobodan Milošević, e cilësoi këtë sulm si «krimin më monstruoz në serinë e sulmeve të bandave terroriste shqiptare».

Mirëpo, Përfaqësuesi i Përgjithshëm Politik i UÇK-së, Adem Demaçi, mohoi përfshirjen e UÇK-së në këtë rast: «UÇK-ja, që kur ka nisë lufta, nuk ka bërë kurrë gjëra të tilla dhe nuk ka arsye që të bëjë tani… Qeveria e Sërbisë mund të jetë e involvuar në këtë incident për të provokuar ‘urrejtje dhe konflikte mes dy kombeve’».

Deri më 28 dhjetor 2013, familjarët e të vrarëve në ‘Panda’ kanë qenë të bindur se fëmijët u janë vra nga pjesëtarë të UÇK-së. Në këtë datë, zëvendës-kryeministri i Sërbisë dhe shefi i Byrosë për Koordinimin e Punës së Shërbimeve të Sigurisë, Aleksandar Vučić, (aktualisht President i Sërbisë) në emisionin ‘Teška reč’ në TV Pink deklaroi se «Krimi në ‘Panda’ nuk është kry nga shqiptarët, siç kemi besuar deri më tani. Publiku do të tmerrohet kur të zbulohet e vërteta».

Po bëhet çerek shekulli nga vrasja e tyre dhe, fatkeqësisht, autoritetet e Kosovës nuk i përkujtojnë kurrë: Ivan Obradović-in, Vukota Gvozdenović-in, Zoran Stanojević-in, Dragan Trifunović-in, Svetislav Ristić-in dhe Ivan Radević-in.

Respekt për të gjitha viktimat e luftës 1998-1999, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, fetare, gjinore, racore, krahinore, politike, e me radhë./ KultPlus.com

Gjashtë vjet nga formimi i Ushtrisë së Kosovës

Sot janë bërë gjashtë vjet nga dita kur Kuvendi i Kosovës miratoi përfundimisht tri ligjet, me të cilat u mundësua transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës. 

Votimi ishte përcjellë me duartrokitje të gjata në Kuvend.

Kryetari i atëhershëm i Kuvendit, Kadri Veseli, kishte thënë se me këtë votim po fillon një epokë e re për shtetin e Kosovës.

“Nga ky moment, zyrtarisht e kemi Ushtrinë e Kosovës. Në sallë kemi kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës që nga ky çast janë ushtarë të Kosovës, të cilëve ua urojmë Ushtrinë e Kosovës”, kishte thënë Veseli./ KultPlus.com

Për pesë muaj, mbi 5,500 kosovarë morën leje pune në Gjermani

Që nga zgjerimi i Rregullores së Ballkanit Perëndimor nga qeveria gjermane në qershor të këtij viti është dyfishuar numri i punëtorëve nga rajoni në Gjermani.

Nga qershori deri në nëntor 2024, autoritetet gjermane dhanë 25.000 leje pune për qytetarë nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja, Mali i Zi, aq sa për të gjithë vitin e kaluar, raporton DW.

Sipas informacioneve, shumica e punëtorëve migrantë kanë ardhur nga Kosova (5,564) dhe Serbia (4,239).

Kërkohet zgjerim i Rregullores

Të dhënat dalin nga përgjigja e Ministrisë Federale të Punës sipas një kërkese të liberalëve. Rregullorja e Ballkanit Perëndimor e ofruar nga qeveria gjermane në vitin 2016 u ofrua për të ulur numrin e kërkesave për azil nga vendet e Ballkanit.

Ajo cilësohet si “sukses i plotë” nga zëvendëskryetari i partisë liberale, Konstantin Kuhle, i cili kërkoi madje rritjen edhe më tej të kontingjentit të punëtorëve jo vetëm nga Ballkani, por edhe vende të tjera.

“Kuptimi i kësaj rregulloreje të Ballkanit Perëndimor është që duke lehtësuar qasjen në tregun gjerman të punës të reduktojmë migracionin e parregullt në sistemin e azilit”, është shprehur Kuhle.

Kjo rregullore mundëson marrjen e vizës së punësimit në Gjermani pavarësisht kualifikimit. Kusht për këtë është një ofertë konkrete pune apo një kontratë pune. /DW/ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Mujë Krasniqi me shokë dhanë jetën duke mbrojtur dinjitetin e kombit

Presidentja Vjosa Osmani e ka kujtuar 26-vjetorin e rënies heroike të Mujë Krasniqit dhe 41 bashkëluftëtarëve të UÇK-së.

Presidentja Osmani ka thënë se ato ditë përcaktuese për fatin e popullit tonë, Mujë Krasniqi, së bashku me bashkëluftëtarët e tij, qëndroi në ballë të betejës, duke mbrojtur dinjitetin e kombit tonë me guxim të pashoq dhe besim të patundur në lirinë.

Në një përballje të ashpër në Pashtrik, në kufirin Kosovë-Shqipëri, ai dhe 41 ushtarë të UÇK-së, dhanë jetën, duke u bërë pishtarë të lirisë sonë.

Sot, emri i tij dhe bashkëluftëtarëve është i skalitur në historinë tonë dhe frymëzon brezat për ta mbrojtur lirinë dhe Republikën.

Lavdi përjetë Mujë Krasniqit dhe të gjithë dëshmorëve të UÇK-së, që dhanë jetën për lirinë e Kosovës”, ka thënë Presidentja Osmani./ KultPlus.com

Dorëzat e babës

Qendresa Loki

Te shpija e babës shkoj ma rrallë
M’shtojnë mërzi dheu e gurt n’oborr
E n’bodrum ka shumë rrjeta merimangash
Ka shumë pluhun
E pak i bjen drita.
Aty, n’dollap ka shumë gjana t’babës
Nana i run.
Nji ditë i shpalosa kutitë
M’bajshin erë dheu
Erë njeriu prej dheut
Baba u kanë puntor
Ka mbajt k’puca e dorëza pune
Nji pal k’puca t’leshta ngjyrë kafe
Trujtuna si me kan’ t’reja
Dorëzat n’formën e dorës babës
I nuhata fort e i shtrëngova
Iu vinte era punë,
Era babë.

( Sot 10 vite, e baba çdo ditë rrnon n’kujtime)/ KultPlus.com

Blushi e Mustafaji rivalë për Çmimin Kombëtar të Letërsisë

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, do të japë edhe këtë vit Çmimet Kombëtare të Letërsisë për vitin 2023. Tashmë janë bërë publikë kandidatët për çmimet fituese, në disa kategori.

Kategoria kryesore, ajo e romanit sheh në rivaliet për këtë vit, emra të njohur si Ben Blushi me “Komploti” e Besnik Mustafaji me “Fati i marrë”, por edhe Mira Meksi me “Parisi vret”, Namik Doklen me “Djetë gram nder” e Ahmet Prençin me “Brenga e prokurorit”.

Ndërkaq për poezinë, kandidojnë për çmimin kombëtar: nxi Naumi me vëlimin “Tytnia”, Roland Gjoza me “Hëna e dytë e ujit”, Entela Tabaku me “Qeramikiana, Alban Tartari me “Varje të vetëkurdisura” dhe Maksim Nika me veprën “Nitroglicerinë”.

Në kategorinë e librit më të mirë për fëmijë, kandidatët e çmimit janë Virgjil Muçi me librin “Princeshëza e hënës”, Laureta Lilaj me “Makineria që peson fjalët”, Natasha Shuteriqi me librin “Ne jemi superskuadër”, Moisi Zaloshnja me “Gjysmagjeli” dhe Lediona Braho me krijimin “Kroni dhe Pulëbardhat”.

Për krjimin më të mirë në katogorinë e tregimit, janë përzgjedhur si kanidatë të çmimit kombëtar Shqiponja Axhami me krjimin “Pengu i një varrmihësit”, Ardian Kyçyku me “Zoom”, Shpëtim Kelmendi me “Dashnia asht”, Flurans Ilia me “Katër palë flatra” dhe Artu Baku me librin “Magjistari i reve”.

Këtyre çmimeve do t’u shtohen edhe kandidaturat që po përzgjidhen për kategoritë e librit më të mirë studimor, por edhe për përkthimin më të mirë, të cilat do të bëhen publike shumë shpejt. Kryetar i jurisë së Çmimeve Kombëtare është poeti dhe aktivisti Koloreto Çukali./ KultPlus.com

Shkrimtaret polake dhe franceze në Festivalin e Letërsisë Evropiane në Tiranë

Festivali i Letërsisë Evropiane në Tiranë (FELT) vazhdoi mbrëmë në sallën franceze të Bibliotekës Kombëtare “Sotir Kolea”, duke sjellë biseda frymëzuese dhe lexime nga dy autorë evropianë të radhës.

Autorja polake Margo Rejmer, e cila erdhi në FELT me mbështetjen e Ambasadës polake, ndau lidhjen e saj të thellë me Shqipërinë përmes veprës së saj.

Duke reflektuar mbi librin “Balta më e ëmbël se mjalti: Zëra nga Shqipëria komuniste”, ajo tregoi sesi përpiqej të zhytej në jetët e atyre që vuajtën, rebeluan dhe mbijetuan gjatë diktaturës.

Përmes historive të gjalla dhe të papërpunuara që mblodhi, Margo përshkroi se si pa dhimbjen dhe qëndresën e tyre përmes syve të saj.

Autorja franceze Dominique Barbéris, e cila erdhi në FELT me mbështetjen e ambasadës së Francës, solli një reflektim thellësisht introspektiv mbi romanin e saj të vlerësuar “Une façon d’aimer”, fitues i Grand Prix du Roman de l’Académie Française 2023.

Përmes jetës së heshtur dhe melankolike të Madeleine, historia na çon në Francën e pasluftës dhe Kamerunin që po dekolonizohej, duke kapur emocionet e pashprehura të një gruaje që kërkon diçka të papërcaktuar.

FELT vazhdon sot me autorin kroat Miro Gavran dhe autorin italian Paolo Giordano, ndjekur nga një koncert unik i Musica Nova./atsh/ KultPlus.com

UNESCO kërkon mbrojtje urgjente për Ohrin: Në rrezik nga ndërtimet e paligjshme në Maqedoninë e veriut dhe Shqipëri

UNESCO paralajmëron se rajoni i Ohrit është në rrezik nga ndërtimet e paligjshme, nga urbanizimi dhe planifikimi i papërshtatshëm.

Nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kërkohen veprime urgjente për ruajtjen e këtij thesari natyror dhe kulturor, në mënyrë që të mos futet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, theksohet në raportin e fundit të saj, ku detyra më e madhe megjithatë i vishet autoriteteve maqedonase.

Agjencia e famshme theksoi nevojën urgjente që Shkupi të ndërmarrë hapa konkretë dhe vendimtarë për të mbrojtur pasuritë unike natyrore dhe kulturore të Ohrit.

Ky është raporti i tretë i UNESCO-s që nënvizon se ndërhyrjet e papërshtatshme, urbanizimi, planifikimi hapësinor joadekuat dhe projektet infrastrukturore po shkaktojnë dëme të pariparueshme në rajonin e Ohrit, i cili mund të humbasë vlerën e tij të jashtëzakonshme universale, në një afat të shkurtër, ose të mesëm kohor.

Përballë kërcënimeve serioze, Ohri mbetet nën vëzhgimin e vazhdueshëm të trupit të Kombeve të Bashkuara, i cili edhe këtë herë paralajmëroi se është e mundur që rajoni i Ohrit të futet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

Ambjentalistë e banorë të zonës në Maqedoninë e Veriut kanë dëshmuar disa kohë më parë për REL sesi në Liqenin e Ohrit depërtojnë ujëra nga gropat septike, fermat si dhe nga dhjetëra restorante, hotele dhe rezidenca private që nuk janë të lidhura me sistemin e mbledhjes së ujërave të zeza.

UNESCO në raportin e ri, ndër të tjera kërkon rishikimin e planeve urbanistike për Ohrin dhe Strugën, ndalimin urgjent të ndërtimeve në Kënetën e Studençishtës, si dhe zgjidhjen e problemit të ndërtimeve pa leje që dëmtojnë karakterin autentik të rajonit./TopChanel/ KultPlus.com

Ngrihet në Koplik qendra e trajnimit për dijebërjen e xhubletës

Në Malësi të Madhe, aty ku xhubleta ka gjalluar për shekuj, ka përfunduar faza e parë e projektit për evidentimin e bartësve të kësaj tradite unike.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se si pjesë e projektit “Xhubleta si teknologji dhe dijebërje artizanale”, ky proces ka siguruar identifikimin e individëve që zotërojnë aftësitë e transmetimit të kësaj dijeje dhe krijimin e infrastrukturës së nevojshme për brezat e rinj.

“Ky projekt kulturor është i mbështetur nga UNESCO, në kuadër të ruajtjes dhe promovimit të Xhubletës, si dhe nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, është ngritur në Koplik, Qendra e Trajnimit për Dijebërjen e Xhubletës”, tha ai.

Kjo qendër do të shërbejë si një hapësirë ku artizanët e rinj do të mësojnë dhe ushtrojnë teknikat tradicionale të punimit të xhubletës, duke garantuar ruajtjen dhe përcjelljen e kësaj trashëgimie të rrallë në brezat e ardhshëm./atsh/ KultPlus.com

10-të vjetori i Korit ‘Okarina’, organizohet Gala Koncert me artistë të shquar të skenës

Këtë fundvit, Kori i Fëmijëve-Okarina do të shënojë 10-të vjetorin e themelimit përmes një Gala Koncerti me artistë të shquar, me të cilët përgjatë kësaj dekade pjesëtarët e korit kanë pasur rastin të ndajnë skenën bashkë, shkruan KultPlus.

Sipas një njoftimi për media, ky koncert do të jetë një festë e veçantë e “Korit Okarina” me këngëtarët Sinan Vllasaliu, Irma Libohova, Adelina Thaçi, Adelina Paloja, Arbër Salihu, Adea Pula, Andra Rexhepi, Elona Sadiku, festë kjo e cila kurorëzon një dekadë punë, përkushtim, këngë, magji dhe emocione të paharrueshme.

Kori “Okarina” përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook” i ka falënderuar të gjithë ata që e kanë përkrahur rrugëtimin e tyre në këto 10-të vite.

“Faleminderit nga zemra për besimin dhe përkrahjen tuaj ndër vite! Këtë 10-vjetor të jashtëzakonshëm do ta festojmë me një Gala Koncert me artistë të shquar me të cilët kemi patur rastin të ngjitemi në skenë, e që ky koncert do të mbetet gjatë në kujtimet tona.

Ju ftojmë të bëheni pjesë e këtij momenti të veçantë të cilin po e presim me padurim!Mirësevini në festën tonë!🌟🌟🌟🌟🌟”, thuhet në shkrimin e korit në facebook.

Ngjarja mbahet më 22 dhjetor, në ora 19:00, në Shtëpinë e Kulturës “Xhavit Haziri”- Obiliq/ KultPlus.com

‘ITB Berlin’: Atmosfera magjepsëse e Krishtlindjeve në Shqipëri

Një destinacion për të gjitha stinët: Vendi Pritës Zyrtar i “ITB Berlin 2025” krenohet me malet e mbuluara me borë, pistat idilike të skive, atmosferën festive në Tiranë dhe tregjet piktoreske të Krishtlindjeve.

Kur mendojmë për pushimet dimërore, mendja shpesh na shkon te destinacionet e njohura evropiane si Gjermania apo Austria, me atmosferën e tyre magjepsëse të Krishtlindjeve dhe malet e mbuluara me borë, sipas një artikulli të botuar në platformën e udhëtimeve “ITB Berlin”.

Po sikur të ekzistonte një perlë të fshehur që pret për t’u eksploruar?

Dimri magjepsës në Shqipëri: Atmosfera e Krishtlindjeve dhe arratisjet me borë

Mirë se vini në Shqipëri, një vend me peizazhe mahnitëse, kulturë të pasur dhe turizëm dimëror në rritje – që premton një alternativë komode dhe më pak të mbushur me vizitorë krahasuar me destinacionet tradicionale të pushimeve.

Vendi i mrekullive dimërore 

Malet e thyera dhe qytetet e bukura të Shqipërisë shndërrohen në një vend të çudirave të dimrit kur vijnë muajt e ftohtë.

Rajonet malore të Shqipërisë ofrojnë mjedisin perfekt për adhuruesit e dimrit që kërkojnë borë, qetësi dhe pak aventura.

Vizitoni Alpet Shqiptare në veri për të eksploruar pamjet e mahnitshme të majave të mbuluara me borë dhe peizazheve të pacënuara.

Vendet e njohura si Bjeshkët e Nemuna ofrojnë një strehë për vizitorët dimëror dhe skiatorët që kërkojnë eksperienca të paparashikuara.

Për një eksperiencë më të qetë, Voskopoja në lindje dhe Brezovica përtej kufirit në Kosovë ofrojnë pista skish të vogla por të lezetshme, perfekte për një arratisje të qetë në natyrë.

Atmosfera e Krishtlindjeve

Fryma festive e Shqipërisë po rritet çdo vit, veçanërisht në kryeqytetin e gjallë, Tiranë.

Me afrimin e sezonit të festave, sheshi Skënderbej dhe Sheshi Nënë Tereza ndriçohen me drita vezulluese të Krishtlindjeve, pemë të larta të Krishtlindjeve dhe dekorime festive që krijojnë një atmosferë të ngrohtë dhe mikpritëse.

Ndonëse nuk do të gjeni tezgat e shumta të tregjeve tradicionale të Krishtlindjeve, ju mund të shijoni ende atmosferën e panaireve sezonale dhe pazareve lokale ku mund të blini vepra artizanale të punuara me dorë, ushqime lokale dhe ushqime festash.

Veriu i Shqipërisë, me rajonin e tij të Shkodrës, i cili ka një traditë katolike, sjell një atmosferë tjetër hijeshie.

Këtu do të gjeni festa më të vogla, më intime, me kishat që ofrojnë shërbime të bukura dhe vetë qytetin e mbushur me hijeshi lokale.

Atmosfera e Krishtlindjeve në Sarandë u rendit si një nga 15 më të mirat në Evropë nga “Forbes”, “Conde Nast Traveler” dhe “European Best Destinations”, për periudhën 2023-2024.

Nëse jeni duke kërkuar për diçka unike shqiptare, mos humbisni shijet rajonale të festave që mund të zbuloni në tregjet lokale.

Provoni byrekun – e mbushur me djathë ose mish, pini një gllënjkë raki të ngrohtë – pije alkoolike raki tradicionale dhe shijoni me bakllavanë – të gjitha perfekte për t’u çlodhur në një mbrëmje të ftohtë.

Një ndërthurje e kulturës, natyrës dhe festave

Një nga aspektet më tërheqëse të kalimit të pushimeve tuaja dimërore në Shqipëri është mundësia për të përjetuar traditat festive dhe bukurinë natyrore.

Ndërthurja e traditave unike të krishtera dhe myslimane të Shqipërisë rezulton në një kulturë të pasur festash – ku shërbimet e natës së Krishtlindjeve pasohen nga festa të përzemërta dhe tubime familjare.

Festimet e Krishtlindjeve Ortodokse në qytetet jugore si Gjirokastra, ofrojnë një përvojë edhe më të thellë, me tradita të veçanta të mbajtura më 7 janar sipas kalendarit Julian.

Klima e butë bregdetare e Shqipërisë e bën edhe më të lehtë të ftohtin e dimrit. Qytetet e Durrësit dhe Vlorës, megjithëse nuk janë aq të zhurmshëm në dimër, janë perfekte për shëtitje dimërore përgjatë bregdetit të Mesdheut.

Me më pak turistë, ju mund të shijoni bukurinë e qetë të detit, të eksploroni rrugët e vjetra magjepsëse dhe të përjetoni një pamje të Shqipërisë që nuk ofrohet gjatë muajve të ngarkuar të verës./atsh/ KultPlus.com

Oficeri i FSK-së shpërblehet me çmimin “Honor Graduate” në ShBA

Kapiteni i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Vedat Shatri ka përfunduar me rezultate të larta Kursin Bazik për Oficer të Inxhinierisë (EBOLC), në Missouri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për këtë sukses, Shatri u shpërblye me çmimin “Honor Graduate”, çmim i cili jepet për rezultate të larta akademike, transmeton Klankosova.tv.

“Ky kurs fokusohet në përgatitjen e oficerëve për detyrat e tyre si udhëheqës të inxhinierisë ushtarake deri në nivel kompanie, duke u ofruar atyre njohuri dhe aftësi të nevojshme për udhëheqjen, menaxhimin e operacioneve, planifikimin dhe zbatimin e projekteve inxhinierike”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e FSK-së.

Mund të jetë një imazh i 9 persona dhe teksti

‘Preferoj të flas për vendin tim sesa për veten…’ — Intervista e vetme dhënë një gazete evropiane nga Ahmet Zogu, monarku më i ri i Evropës

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 14 Dhjetor 2024

“Daily Express” ka botuar, të premten e 7 shtatorit 1928, në faqen n°9, intervistën ekskluzive asokohe me Mbretin Zog I në Shqipëri, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Deklarata e drejpërdrejtë e Mbretit të Shqipërisë

Burimi : Daily Express, e premte, 7 shtator 1928, faqe n°9
Burimi : Daily Express, e premte, 7 shtator 1928, faqe n°9

Planet për të ardhmen e vendit të tij

Nga G. E. R. Gedye,

Korrespondenti special i “Daily Express”.

Tiranë, e enjte, 6 shtator.

Sapo jam kthyer nga një audiencë e gjatë që më dhuroi Mbreti Zog I i Shqipërisë. Ishte e vetmja intervistë që i është dhënë një përfaqësuesi të një gazete evropiane nga monarku më i fundit (i ri) i Evropës.

Ishte një përvojë e çuditshme të ecja nga hoteli im i vogël, i veshur në stilin Perëndimor – kapele dhe xhaketë – nëpër rrugët e këtij fshati të vogël turk, i cili ka luftuar trimërisht për dy vjet për t’u bërë një qytet mjaft i denjë për t’u bërë kryeqyteti i Shqipërisë.

Kalova nëpër dyqanet ku poçarët me çallmë ishin ulur këmbëkryq, duke i dhënë formë argjilës si në kohën e Omar Khayyam-it dhe kalova sheshin ku javën e kaluar trupat e katër burrave të dënuar për komplot për të vrarë mbretin Zog u varën gjatë gjithë ditës në një trekëmbësh si një paralajmërim për të gjithë përreth, deri në pallatin ku ishin vendosur burra që i përkisnin truprojës së famshme të mbretit të ri.

Roje piktoreske

Vetë pallati është një ndërtesë piktoreske, e ulët, një lloj shtëpie njëkatëshe gjigante. Anëtarë të tjerë të truprojës dhe rojeve, të veshur me uniformën piktoreske flakë të kuqe me bishtalecë të zinj, të veshur me kapele gëzofi dhe të armatosur me pushkë të mbushura, ruanin paradhomën ku më priti kolonel Sareggi, shefi i kalorësisë së Mbretit të Malit.

Kolonel Sareggi më çoi nëpër një kopsht, përmes një paradhome të mbuluar me qilim të trashë dhe sixhade, në një dhomë të gjatë, me tavan të ulët, me qilima madhështorë orientalë dhe të zbukuruar me një pikturë të vetme — atë të nënës së mbretit Zogu, — për të takuar njeriun karriera e të cilit ka pushtuar imagjinatën e botës.

Ishte një figurë e hollë pothuajse djaloshare, e veshur me një uniformë të thjeshtë kaki me jakë flake të kuqe dhe bishtalecë ari, e cila ngrihej me mirësjellje nga një karrige e lartë prej lisi e kurorëzuar me dy shqiponja për të më pritur. Kisha përshtypjen e syve të kaltër tërheqës, të shpejtë për të buzëqeshur ose të ngushtë në përqendrim kur diskutonim çështje serioze, një gojë të fortë e të drejtë që tregonte vendosmërinë dhe një aftësi për të marrë vendime të menjëhershme, ndërsa Mbreti Zog doli përpara për të më takuar duke më shtrënguar dorën, duke më treguar një karrige dhe duke më thënë : “Përshëndetje. A pini duhan ?

Flet rrjedhshëm gjermanisht

Ishte një përshëndetje tërësisht angleze, megjithëse e folur në një gjermanishte të rrjedhshme, teksa më kaloi një kuti cigaresh.

Ju e kuptoni, — fillova unë, — që Daily Express më dërgoi në Tiranë sepse ngjitja juaj në fron ka ngjallur interes të madh në vendin tonë. A mund t’ju kërkoj të na jepni disa detaje rreth karrierës suaj ?

Këtu takova refuzimin e vetëm gjatë bisedës një orëshe. “Nuk e konsideroj formë të mirë të flas për veten time. Le të flasim për diçka më të rëndësishme ndoshta për vendin tim”, — tha Mbreti Zog.

Askush nuk mund të kundërshtojë mbretërinë.

Cili do të jetë, në vija të përgjithshme, efekti në Shqipëri i shpalljes suaj Mbret ?” — e pyeta unë.

Para së gjithash, – u përgjigj ai, – shpresoj ta çliroj vendin nga betejat e kota partizane. Presidenti i Republikës ishte detyrimisht njeri partiak, i detyruar të favorizonte partinë që e kishte zgjedhur, ndërsa partitë e tjera luftonin vazhdimisht për ta zëvendësuar me kandidatët e tyre. Mbreti do të jetë mbi partitë, në shërbim të vendit në tërësi, i cili do t’i shpëtojë zgjedhjeve presidenciale periodike dhe destabilizuese.

Njerëz të prapambetur.

Ministria, ushtria dhe xhandarmëria do të qëndrojnë në komunikim të drejtpërdrejtë me monarkun pa asnjë ndërhyrje të palës së tretë. Ne jemi një popull primitiv dhe i prapambetur, i mësuar me parimin trashëgues dhe i paaftë për të vlerësuar domethënien e republikës. Fiset malore janë qeverisur gjithmonë nga një prijës trashëgues.

A do të ndryshojë shumë dinjiteti mbretëror mënyrën tuaj të jetesës ?” — e pyeta.

Shumë pak”, u përgjigj ai. “Si gjithmonë, unë do të ngrihem në pesë, do të filloj punën në shtatë dhe do të vazhdoj deri në shtatë të mbrëmjes, me një interval nga mesdita deri në tre.

Ju vetë e dini se sa urgjente është të arrihen gjërat në Shqipëri. Mbi të gjitha, ne kemi nevojë për paqe dhe një regjim të qëndrueshëm, që duhet të na japë një monarki. Financiarisht, një mbret nuk do t’i kushtojë vendit asnjë qindarkë më shumë se një president.

Detyra ime do të jetë t’i siguroj vendit tim të sprovuar, Hirushes së Evropës, hekurudha, të cilat nuk i kemi ende, rrugë të përshtatshme, shërbime postare e telegrafike dhe arsim praktik.

Nuk kam ndërmend të bëj gabimin duke krijuar një ushtri burokratësh gjysmë të arsimuar. Brezi ynë i ri do të kalojë nga shkolla fillore në shkolla praktike të përshtatura për nevojat e vendit, ku do të mësojë bujqësi, gërshetim (tjerrje) apo përpunim të metaleve.

Tashmë kemi themeluar tre kolegje për djem dhe për vajza. Çdo nënprefekturë ka nga 100 deri në 150 shkolla dhe ne kemi shpenzuar paratë e marra nga kreditë e jashtme për sistemin ujitës dhe përmirësime të tjera bujqësore, si dhe për importimin e racave më të mira të bagëtive.

Shumë kritikë të huasë suaj në Itali,” i thashë, “sugjerojnë se ajo po përdoret për t’i krijuar asaj një urë për pushtimet e saj në Ballkan.

Mbreti qeshi.

Marrëzira keqdashëse dhe qesharake,” — tha ai.

Mbreti Zog vazhdoi të diskutojë zakonet luftarake të nënshtetasve të tij malësorë dhe të shpjegoi se si synon të merret me to.

Sado e rrënjosur thellë që mund të jetë tradita e hakmarrjes familjare,” tha ai, “tradita e paprekshmërisë së miqësisë pasi të jetë shtrirë dora është aq e thellë sa një ceremoni e thjeshtë e kremtuar në praninë time nga udhëheqësit e mi besnikë do t’i japë fund përgjithmonë këtyre grindjeve të tmerrshme. Më pas pushkët që mban çdo malësor do të hidhen tutje.

Njerëzit e mi do të kenë akses të lirë tek unë në çdo kohë, brenda kufijve të lejuar nga punët e shtetit.

Ju po e çoni popullin tuaj drejt qytetërimit perëndimor,” — i thashë.

Jam i bindur për këtë,” deklaroi Mbreti Zog. Dhe jam i bindur se vendi im tani do të jetë vërtet i bashkuar nën një regjim që e kërkon karakteri i popullit.”/ KultPlus.com

26 vite nga rënia heroike e Mujë Krasniqit

Sot bëhen 26 vite nga rënia heroike e Komandant “Kapuçit”, Mujë Krasniqit.

Mujë Krasniqi (6 Qershor 1967 – 14 Dhjetor 1998) i njohur si Komandant Kapuçi ishte njëri nga komandantët dhe luftëtarët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së).

Lindi më 6 qershor 1967 në fshatin Çabiq të Klinës dhe ra dëshmorë më 14 dhjetor 1998 së bashku me 41 ushtarët e tij në kufirin Kosovë–Shqipëri, pasi ranë në një pritë të organizuar nga forcat ushtarake serbe.

Pas luftës, ai u shpall Hero i Kosovës. Mujë Krasniqi ishte njëri ndër projektuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftëtar i radhëve të para të kësaj ushtrie, koordinues i veprimeve luftarake dhe ndihmës reciprok në mes të Drenicës, Dukagjinit e Pashtrikut, në etapën e parë të zgjerimit të veprimeve të fshehta kundër pushtuesit serb. Ai ishte edhe shoku i luftës i legjendarit Adem Jashari dhe komandant emblematik i luftës për liri. Ai i përket bërthamës së parë çlirimtare të trimave të komandantit legjendar Adem Jashari./ KultPlus.com

Trumpi kërkon t’i jepet fund praktikës së ndryshimit të orës

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha të premten se Partia Republikane “do të bëjë përpjekjet e saj më të mira” për t’i dhënë fund praktikës së ndryshimit të orës, të cilën ai e quajti “të papërshtatshme dhe shumë të kushtueshme për vendin”.

Praktika që synon një përdorim më të mirë të orëve me dritë e kursim të energjisë – duke i lëvizur akrepat një orë përpara gjatë gjysmës së vitit në verë, për të shfrytëzuar sa më shumë mbrëmjet – ka qenë në fuqi pothuajse në të gjithë Shtetet e Bashkuara që nga vitet 1960. Por kjo çështje ka qenë një temë debati vitet e fundit.

Disa ligjvënës duan të qëndrojnë me orën lokale gjatë gjithë vitit, ashtu siç është, pa ndodhur ndryshimi, një pjesë kërkojnë që ndryshimi të ndodhë gjatë gjithë vitit, të tjerë duan të ruajnë status quo-në. Presidenti Joe Biden nuk ka mbajtur kurrë një qëndrim publik mbi këtë çështje.

Në mars të vitit 2022, Senati amerikan votoi njëzëri për ta bërë të përhershme çështjen e ndryshimit të orës, por përpjekja ngeci në Dhomën e Përfaqësuesve, për shkak të mungesës së konsensusit mbi këtë çështje.

Në mars një grup dypartiak senatorësh bëri një përpjekje të re në këtë drejtim.

Mbështetësit e ndryshimit të orës argumentojnë se kjo gjë sjell pasdite më me shumë dritë dhe më shumë aktivitet ekonomik gjatë muajve të dimrit. Kritikët thonë se një gjë e tillë i detyron fëmijët të shkojnë në shkollë në errësirë, pasi lindja e diellit vonohet me një orë.

Përkrahësit e eliminimit total të ndryshimit të orës thonë se ndryshimi dy herë në vit i saj, shkakton shqetësime të gjumit dhe probleme shëndetësore.

Kongresi nuk ka mbajtur asnjë seancë dëgjimore të re për këtë çështje për më shumë se dy vjet dhe Senati do të duhet ta shqyrtojë këtë çështje sërish, shkruan VOA, transmeton Klankosova.tv.

Ndryshimi i orës për gjatë vitit u përdor gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe u miratua përsëri në vitin 1973 në një përpjekje për të reduktuar përdorimin e energjisë për shkak të një embargoje ndaj naftës, por vendimi nuk ishte popullor dhe u shfuqizua një vit më vonë.

Që nga viti 2015, rreth 30 shtete kanë prezantuar ose miratuar ligje për t’i dhënë fund ndryshimit të orës dy herë në vit. Disa shtete kanë propozuar që ta bëjnë këtë vetëm nëse shtetet fqinje bëjnë të njëjtën gjë.

‘Fletë testamenti’ nga Jusuf Gërvalla

Jusuf Gërvalla

Në zgjimin tim të heshtur të më ngurosin
në flijimin tim të begatshëm të verës
në nisjen time në fillimin tim të ri
në gjumë shekujsh me ndërrime të më zgjojnë
le të më puthë rrezja e qartë ngazëllyese
e druvarit të fjetur në rudinë
myshku le të jetë gjithmonë i blertë mbi gurë
emër të mos ketë e shkronja le të flasë
në gjuhën e vjetër të kafshës së zezë
guaca e kërminj le të vijnë për dasmë
mbi rrasën time
le të shtrihen edhe ata si dy yje
ftohtë le të bëjë dimrit e verës verë
e me një pikë ujë verdhësisë së barit tim
le t’i mëshirohen
vërmeni atje tek do të tregojë guri për udhën
deri te shtëpia ime bërë me dru e kashtë
le të thyhet çdo pasqyrë që ka ballsamosur
ballin tim e mërrolën e çastit plot mllef
se ja tek po zgjohet er’ e re e dashurisë
së tokës
se jam i parrezikshëm kaq i pafuqishëm
mumje përfytyrim që krahasohet me rrahun
tek do të më vini përsëri ju pas
le të më lënë të fle qetë si pranë stufe dimrit
të madh të dashurisë sime
nuk do të përpëlitem s’do të rrotullohem
s’do të shplohem natën nuk do të kollitem
me fjalët e mia le të më mallkojnë
në rrasën time atë rrasë të zezë të ftohtë
në duart që i kam prekur le të më lëshojnë
rrjedhës të qetë të fatit që pret
shigjet e mërisë le të bjerë mbi dhe
në shkretëtirën e moskuptimit le të fiket
kurrë të mos vijnë kur unë nuk i pres
ata që tërë jetën i prita, të dashurit
ç’po flas kështu pash’ zotin?/ KultPlus.com