Në një mbrëmje magjike nën tingujt e kitarës, qyteti bregdetar i Himarës u mbush me muzikë, energji dhe emocion, duke i dhënë një mbyllje madhështore edicionit të nëntë të ‘Albania Guitar Festival’.
Agron Peni dhe trioja e tij dhuruan një performancë të jashtëzakonshme, me disa nga kompozimet më të njohura, duke sjellë në skenë virtuozitetin dhe shpirtin ballkanik të kitarës.
Trupa e baletit profesionist ndezi atmosferën me ritmet pasionante të rumbas dhe flamencos, duke krijuar një sinergji të jashtëzakonshme mes muzikës dhe vallëzimit.
Mbrëmja u përmbyll me plot energji nga këngëtari brazilian Eclesio Ramos de Souza, i cili interpretoi hitet më të njohura të muzikës latine dhe i dha skenës një atmosferë plot gëzim dhe pozitivitet.
Ritmet tropikale, bashkë me interaksionin e ngrohtë me publikun, e bënë këtë natë të bukur për të pranishmit.
Ky edicion solli në Shqipëri 16 artistë ndërkombëtarë dhe njëjtë si tetë edicionet e shkuara nën drejtimin e drejtuesit artistik Denis Bizhga, synon promovimin e muzikës së mirë dhe kulturës shqiptare.
Ky koncert u realizua nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, dhe shënoi jo vetëm përfundimin e festivalit, por edhe një promovim të jashtëzakonshëm të kulturës, traditës dhe potencialit turistik të Himarës./atsh/KultPlus.com
Pas disa muajsh spekulime, Meta zyrtarisht ka prezantuar syzet e reja inteligjente me Oakley. Syzet inteligjente kanë dyfishin e jetëgjatësisë së baterisë së Meta Ray-Ban dhe mund të regjistrojnë video 3K, transmeton PCW.
Modelet janë të bazuara në dizajnin HSTN të Oakley dhe përshhkruhen si produkti i parë i Meta dedikuar atletëve dhe fansave. Edicioni i limituar Oakley Meta HSTN me ngjyrë të artë kushton 499 dollarë dhe do të shiten prej datës 11 Korrik.
Pjesa tjetër e koleksionit do të mbërrijë drejt fundit të verës dhe kushtojnë 399 dollarë. Zyret kanë një kamër ballore, altoparlantë dhe mikrofonë. Përdoruesit mund ti përdorin ato për të dëgjuar muzikë, realizuar foto dhe dërguar apo pranuar thirrje telefonike.
Ato karakterizohen nga Meta AI, chatbotin me inteligjencë artificiale ku përdoruesit mund ti kërkojnë informacion apo ti kërkojnë të regjistrojë video.
Kanë një jetëgjatësi baterie prej 19 orësh. Gjithashtu karikohen 50 përqind për 20 minuta si dhe kanë një këllëf që ofron 48 orë jetëgjatësi baterie shtesë.
Syzet janë në gjashtë modele të ndryshme ngjyrash dhe formash. Ato do të shiten në SHBA, Kanada, Britani, Irlandë, Francë, Itali, Spanjë, Austri, Belgjikë, Australi, Gjermani, Suedi, Norvegji, Finlandë dhe Danimarkë. Në fund të vitit do të shiten edhe në Meksikë, Indi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe./KultPlus.com
E shkruar në vitin 1946 nga poeti shkodran Zef Pali dhe e kompozuar nga Simon Gjoni, kënga “Eja, eja lule borë” mbetet ndër këngët më të bukura shqiptare, shkruan KultPlus.
Një këngë që i ka rezistuar kohës, shtatë dekadave jetë, edhe sot këndohet e dëgjohet me ëndje.
Po e sjellim sonte një performancë të këngës e cila nuk është vetëm shkodrane, por një vlerë e të gjithë shqiptarëve.
Bashkangjitur gjeni tekstin origjinal të këngës:
Eja, eja lule borë
Tue kerkue n‘mal e n‘koder tue prek‘ lule e gjeth‘ me dore veç nji kopsht ma t‘bukur Shkodër ty te gjeta Lule Borë
Ref
Je e vogel por je plot Ty t‘ kerkoj une tash sa mot Tash sa mot une ty t’ kerkoj N‘gzim me ty jeten ta çoj
Eja eja lule bore se me ty do t‘thur kunor
eja eja lule bore se me ty do t‘thur kunor
Pash ma t’ buk’ren stinë pranvere pash mbretneshen trandofil mos t‘i falish kujt Ti eren se per mue vetem ke çil
Fjalet e mija deh ndigjoi ma ke ftyren porsi zane une prej gjumit do’t zgjoj veç me t pa ne drit t’ksaj Hane. / KultPlus.com
Në portin e Sarandës mbërriti mëngjesin e sotëm anija turistike “L’Austral” me 264 turistë.
Drejtori i portit të Sarandës, Alket Qendro tha për ATSH-në se “turistët pasi mbërritën në port u shoqëruan nga guidat për të vizituar pikat turistike të Sarandës si Butrinti, Kalaja e Lëkurësit, plazhet e shumta në qytetin bregdetar si dhe qyteti i gurtë i Gjirokastrës”.
“Me anijen turistike erdhën 264 turistë të huaj, të cilët ishin kryesisht francezë dhe gjermanë”, tha Qendro.
Qendro bëri të ditur se “kemi marrë të gjitha masat për pritjen e turistëve me kroçera. Edhe këtë vit ashtu si dy vitet e fundit pritet që kroçerat të vizitojnë portin e Sarandës deri në muajin nëntor”.
Anija turistike “L’Austral” shërben kryesisht për udhëtime turistike në ujërat e ndryshme, duke ofruar eksperienca unike dhe relaksuese për vizitorët.
Kjo anije ka një kapacitet të madh për të pritur një numër të konsiderueshëm të turistëve, duke ofruar ambiente të rehatshme dhe të përgatitura mirë për udhëtime afatgjata ose të shkurtër.
“L’Austral” ofron udhëtime në vende të ndryshme turistike, duke përfshirë rajone bregdetare, portet e mëdha dhe vende turistike historike.
Pas Sarandës anija turistike “L’Austral” do të lundrojë drejt portit të Itea-s (Greqi)./atsh/KultPlus.com
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka njoftuar se kjo komunë do të bëhet me Muze të Artit Bashkëkohor, përcjell KultPlus.
Ajo nëpërmjet një postimi në Facebook, ka thënë se është takuar me artistin Sislej Xhafa dhe Institutin ‘Delfini’, si hap i parë për shndërrimin e Preshevës në një qendër të rëndësishme kulturore në Ballkan.
Në vijim, KultPlus ua sjell njoftimin e Ardita Sinanit:
Presheva drejt Qendrës së Artit Bashkëkohor në Ballkan
Pata kënaqësinë të pres në Kabinet një diskutim frymëzues mbi një iniciativë të artistit të njohur Sislej Xhafa dhe Institutit “Delfini” për krijimin e Muzeut të Artit Bashkëkohor në Preshevë – si hap i parë drejt shndërrimit të qytetit tonë në një qendër të rëndësishme kulturore në Ballkan.
Qëllimi është i qartë: ta vendosim Preshevën në hartën e artit bashkëkohor ndërkombëtar, përmes ekspozitave, rezidencave artistike dhe bashkëpunimeve me rrjete kulturore nga mbarë rajoni dhe më gjerë.
Mbështes fuqishëm këtë vizion që e kthen Preshevën në një pikë referimi për kreativitetin dhe identitetin kulturor shqiptar./KultPlus.com
Vdiq dje Arnaldo Pomodoro, skulptori i famshëm i sferave prej bronzi, në prag të ditëlindjes së tij të 99-të, njoftoi fondacioni që mban emrin e tij dhe që drejtohet nga Carlotta Montebello, sipas quotidiano.net.
Pomodoro u lind më 23 qershor 1926 në Montebello di Romagna, por që nga viti 1954 ai kishte jetuar dhe punuar në Milano, në Porta Ticinese.
Ai ishte vëllai më i madh i Giorgio Giò Pomodoro, gjithashtu një skulptor me famë ndërkombëtare, i cili ndërroi jetë në vitin 2022 në moshën 72 vjeç.
“Me ndarjen nga jeta të Arnaldo Pomodoro, bota e artit humbet një nga zërat e saj më autoritarë, të kthjellët dhe vizionarë. Maestroja na la një trashëgimi të madhe”, tha Carlotta Montebello.
Arnaldo Pomodoro ishte veçanërisht i famshëm për sferat e tij të veçanta prej bronzi – materiali i preferuar i artistit – që zbërthehen dhe hapen para shikuesit, i cili nxitet të kërkojë dhe zbulojë mekanizmin e brendshëm, në një kontrast midis butësisë së përsosur të formës dhe kompleksitetit të fshehur të brendshëm.
Veprat e tij ikonike mund të gjenden në qytete të shumta në Itali dhe në mbarë botën, nga Kopenhaga në Brisbane, nga Dublini në Los Anxheles.
Vepra ”Sferë me sferë”, me diametër mbi tre metra, u vendos në oborrin e selisë së OKB-së në Nju Jork.
Arnaldo Pomodoro ka marrë çmime të shumta ndërkombëtare, përfshirë nderimet zyrtare të shtetit italian me ”Cavaliere di gran croce dell’Ordine al merito della Repubblica italiana” dhe Medaljen e Artë për punë të merituar në kulturë dhe art.
Fondacioni ”Arnaldo Pomodoro” u krijua nga vetë ai në vitin 1995, në Milano, me qëllim ruajtjen dhe promovimin jo vetëm të punës së tij, por edhe të skulpturës bashkëkohore në tërësi.
Fondacioni është konfiguruar si një qendër për dokumentim, ekspozitë dhe reflektim, e hapur për artistë të rinj, kuratorë dhe publikun./KultPlus.com
“Kartolina nga Askund” ishte tema e edicionit të 8-të të festivalit “Ekrani i Artit”, që çoi në Shkodër pesë ditë të pasura me filma bashkëkohorë, videoart dhe reflektim ndërdisiplinor.
Në këtë edicion, i cili zgjati prej datës 18 deri më 22 qershor, u shfaqën 111 vepra, përfshirë 40 premiera shqiptare dhe ku morën pjesë 30 artistë nga e gjithë bota.
Programi u shtri në hapësira të ndryshme të qytetit, që nga Kinema Republika e saporihapur, tek Galeria e Artit, qendra kulturore Art House, Auditoriumi Françeskan dhe hapësira publike si Rruga G’juhadol.
Pikat kulmore përfshinë ekspozitën retrospektive Rewind, programet ndërkombëtare bashkëpunuese, shfaqje të artistëve si Masbedo, Anri Sala, Elena Dorfman, Barbara Prenka, si dhe përfshirjen aktive të komunitetit dhe të rinjve.
Ekrani i Artit mbetet një platformë që fton në përjetim dhe mendim kritik përmes artit bashkëkohor./atsh/KultPlus.com
Prishtinë ti shet shumë sheqer por pak lule pse nuk e pastron ajrin si X Prishtinë pse nuk i nderon njerëzit e tu sa janë gjallë ai njeh hapat e poetëve kur ecin granitit tënd pse nuk e ndalon screen time në çerdhe a je ti Prishtina e megafonëve e grafiteve që flasin me njëri-tjetrin Prishtinë ti ke plotë kangë dhe disa poezi ku thuhet qyteti je ti Prishtinëti a e di që portretet më të mira t’i bënë nga provinca pse nuk i pranon qetë divorcet a ke qenë ndonjëherë e re në Prishtinë ti je edhe kafe edhe raki edhe xhami veç ti
Prishtinë edhe te ti u vranë gratë për cilën qave më shumë? Pse nuk i do fëmijët Prishtinë që i shtyn në qendra tregtare? një lulishte Prishtinë të lutem
Cilit shkrimtar do t’i bësh statujë a do të bëhesh e sigurt Pse flas nganjëherë në standard kur ti tingëllon kaq bukur a thu ke diçka në Pazar të martën masdite pse flen kaq shumë Prishtinë që prej pandemisë cili është çifti më i dashuruar pse nuk e ben një konkurs cili do të anulohej? gjethet e tua të dardhës ta fshehin gëzimin një gëzim i shkurtë, i pakuptmimtë i dikujt që nuk ka qenë asnjëherë perandori prandaj s’mundet me qenë nostalgjik edhe pse burrat e tu janë të palëvizshëm si pashallarë
pse i fsheh as mirë njerëzit që lexojnë nëpër menytë e restoranteve a doli koreanishtja pyeti tinejxherët në tavolinat tua ti i ul të gjitha partitë i shërben edhe pse tash askush s’pin më makiato
Prishtinë nuk di çka të jap dhe s’e di çka më dhe pos disa certfikata dhe relaksit në kolonat e tua më fal për mosmirënjohjen sepse më dhe jetë, vullnet, mërzi, balet, shkronja, teatër, dashni, politikë, shoqni dhe kamarirerët me sollen ujë pastaj më përcolle
unë ende të dua, edhe pse më le të shkoj krejt e papenguar pa ma qitë asnjë ndalesë në rrugën timë të ikjes./ KultPlus.com
Dyfishimi i hapësirave publike në plazhet e Durrësit ka shtuar përgjegjësitë e institucioneve vendore për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Prej datës 15 qershor ka nisur operacioni “Plazhe të Pastra”, përmes të cilit Agjencia Kombëtare e Bregdetit mbështet 8 bashki bregdetare në pastrimin e plazheve, përfshi edhe Durrësin.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga plazhi publik në Durrës, i cili po frekuentohet nga qytetarë të shumtë në këto ditë vere.
Aktualisht në Durrës ka 266 parcela publike plazhesh, të fragmentarizuara nga zona e plazhit në Durrës deri te Përroi i Agait, të cilat pritet të shtohen më shumë pas 30 qershorit, kur përfundon edhe lidhja e kontratave me subjektet private. Parcelat për të cilat nuk do të ketë aplikime deri në këtë datë do të kalojnë automatikisht në hapësira publike.
Nisur nga fakti se Durrësi ka një vijë bregdetare mjaft të gjatë këtë vit plazhet publike janë konceptuar të ndërprera me ato private, me qëllim që pushuesit të kenë mundësi t’i aksesojnë në segmente të ndryshme.
Po ashtu Bashkia ka pajisur të gjitha këto hapësira me sinjalistikën e duhur në terren./atsh/KultPlus.com
Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar se është shtyrë afati për aplikim në Konkursin për Projekte Filmike. Sipas njoftimit zyrtar, afati i ri i fundit për dorëzimin e aplikimeve është caktuar më 7 korrik 2025, deri në orën 23:59.
Ky vendim është marrë në bazë të nenit 14 të Ligjit Nr. 08/L-202 për Kinematografinë dhe Rregullores (MKRS) Nr. 02/2023 për konkurset dhe mbështetjen financiare të veprave filmike dhe audio-vizuele.
Turistë të huaj e vendas, fëmijë e të rritur kanë vizituar përgjatë javës që lamë pas ekspozitën “Kujtesa e Mesdheut”, nga koleksionet e Bibliotekës Kombëtare.
Nga Kurani më i vjetër, tek Biblat në hebraisht e latinisht; nga Aristoteli e Odiseja, në greqishten e vjetër me përkthime të tyre ndër shekuj; nga hartat e para, deri te ditarët e udhëtimeve, koleksionet e Bibliotekës Kombëtare mbajnë thesare të cilat mezi presin të ekspozohen e të mahnisin këdo që i sheh.
E vendosur në zemër të Tiranës, ekspozita të josh ta vizitosh, të shkrepësh foto e të frymëzohesh për historinë, kulturën, gjuhën e letërsinë e këtyre popujve që i bën bashkë Deti Mesdhe.
“Kujtesa e Mesdheut – nga antikiteti në kohët moderne”, një udhëtim mbresëlënës nëpër fondin e pasur të Bibliotekës Kombëtare, i paraqet publikut mbi 700 vepra të rralla nga shekulli XIV, deri në XIX, ku përfshihen libra, dorëshkrime, harta e gravura.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 18 korrik, nga ora 9:00 deri në 20:00./atsh/KultPlus.com
Poezi nga Federico García Lorca Përktheu: Faslli Haliti
Parajsa ime… një fushë pa bilbila e as lira, me një lumë diskret dhe me një shatërvan. Pa mamuze të erës sipër gjetheve të rëna as edhe ylli s’dëshiron të jetë gjethe. Një dritë e stërmadhe që mund të ishte xixëllonja e një tjetre, në një fushë me vështrime të liga. Një pushim i qartë dhe puthjet tona atje, në kumbimin e jehonës, do të përhapej shumë larg. Zemra jote e përflakët, asgjë tjetër më./KultPlus.com
Eja ashtu si je, mos humb kohë me tualet, Nëse gërsheti t’është prishur, apo flokun s’e ke drejt, Nëse kordelin në bel s’e ke lidhur, nuk ka dert, Eja ashtu si je, mos humb kohë me tualet.
Eja mbi bar me hapa të shpejtë, Nëse këmbët t’i njom vesa, nëse mbetesh pa sandale, Nëse perlat të këputen nga xherdani, mos ki dert. Eja mbi bar me hapa të shpejtë.
A po i sheh retë duke u mbledhur në qiell? Varg lejlekët fluturojnë lart dhe era shpejton mbi shkurre. Kafshët të trembura nisen vrap në stane. A po i sheh retë duke u mbledhur në qiell?
Ti kot ndez llambën për t’u stolisur; ajo dridhet dhe e fikë era. E kush do ta vërejë se bloza qepallën s’ta ka prekur? Se sytë i ke më të zi se retë e shiut? Ti kot ndez llambën për t’u stolisur; ajo dridhet dhe e fikë era.
Eja ashtu si je, mos u vono me tualet Nëse kurorën s’e ke thurur, s’ka dert? Nëse zinxhirin e dorës s’e ke lidhur, ashtu lëre. Është vonë; qielli u bë terr nga retë. Eja ashtu si je, mos u vono me tualet./KultPlus.com
Komedia “Negotiating Peace” është vënë me sukses në skenën e Milanos, në Teatro Out Off.
Shfaqja e Jeton Nezirajt ka sjellë një performancë të fuqishme dhe thellësisht provokuese. Publiku përjetoi një komedi që sfidon narrativat mbi paqen dhe diplomacinë, duke ngritur pyetje të thella mbi atë çfarë ndodh pas dyerve të mbyllura.
Shfaqja “Negotiating Peace” me tekst të Jeton Nezirajt dhe regji të Blerta Nezirajt, satirizon negociatat diplomatike në zona të krizash dhe është duke gjetur kontekst kohor çdo ditë e më shumë.
“Negotiating Peace” u shfaq anekënd Evropës dhe së fundmi edhe në Milano, në kuadër të festivalit ndërkombëtar “LIFE 2025 – Theatre Arts Media Festival”.
Shfaqja në Milano erdhi pas një vargu prezantimesh të suksesshme në qytete të ndryshme si Hamburg, Münster, Lajpcig, Zagreb, Oslo, Pragë, Cividale del Friuli, Firence e të tjera.
Një komedi si kjo e ballafaqon publikun me sfidat, frikën dhe shpresën që i shoqërojnë përpjekjet për arritjen e paqes. Në mënyrë satirike dhe politike, shfaqja prek negociatat e paqes pas luftërave të mëdha, përfshirë rastin e Kosovës, Ukrainës, Lindjes së Mesme, Irlandës së Veriut e vendeve të tjera.
Në muajin prill, aktorja shqiptare Ema Andrea, për rolin e saj në shfaqjen “Negotiating Peace” u vlerësua me çmimin prestigjioz italian “Premio Adelaide Ristori 2025”./atsh/KultPlus.com
Opera e Kosovës ka paralajmëruar mbajtjen e një koncerti të veçantë me titullin “Kosova në Tinguj”, i cili do të zhvillohet të enjten, më 26 qershor 2025, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, duke filluar nga ora 20:00.
Ky koncert i dedikohet krijimtarisë së kompozitorëve shqiptarë dhe përfaqëson një përkushtim ndaj trashëgimisë muzikore kombëtare. Përmes përpunimeve për zë dhe orkestër harkore, publikut do t’i ofrohen interpretime të veçanta që vënë në pah vlerat e qëndrueshme të muzikës sonë.
Nën drejtimin e dirigjentit Edon Ramadani, në skenë do të ngjiten sopranot Adelina Paloja, Kaltrina Miftari dhe Zana Abazi Ramadani. Programi do të pasurohet edhe me interpretimet solistike të dy instrumentistëve të njohur: Ëmbla Dana në flaut dhe Lum Haxhijakupi në klarinetë.
Ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Operës së Kosovës për promovimin e repertorit kombëtar dhe për forcimin e pranisë së muzikës shqiptare në skenën institucionale kulturore./KultPlus.com
Sot janë bërë tri vite nga vdekja e producentes së njohur kosovare, Vjosa Berishës.
Vjosa Berisha (23 korrik 1972 – 23 qershor 2022) kishte mbi 20 vjet përvojë pune në marrëdhëniet me publikun, median dhe industrinë e filmit. Ajo krijoi B2, një kompani për marrëdhënie me publikun, film dhe industri kreative me zyre në Kosovë dhe Shqipëri.
Berisha ishte gjithashtu bashkëthemeluese dhe ka menaxhuar Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë – PriFest që nga fillimi duke marrë rolin e Drejtoreshës të Festivalit duke e rritur me ambiciozitet festivalin për 11 vjet për ta bërë një nga ngjarjet më të rëndësishme të industrisë së filmit në Kosovë.
Ky festival sot është i frekuentuar nga shumë kineastë nga rajoni, Evropa dhe një sërë personalitetesh të njohura botërore të filmit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar. Festivali ka në konkurrim programe evropiane, ballkanike, të mesme dhe dokumentare, si dhe drejton një platformë rajonale të industrisë së filmit PriFORUM, e cila mbledh dhe ofron mundësi të shkëlqyera për kineastët e rinj nga rajoni për të avancuar projektet e tyre dhe rrjetëzim me shumë ekspertë, profesionistë të industrisë së filmit dhe të ftuar nga Evropa. PriFest zhvillohet çdo vit në korrik në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.
Në vitin 2015 Berisha mori kursin e EAVE Producers Workshop, duke u bërë pjesë e këtij rrjeti të madh producentësh nga Evropa dhe bota, si e diplomuar në EAVE Generation 2015. Ajo prodhoi dy filma artistikë deri më sot, filmin e saj të parë artistik si producente – “The Flying Circus” (2019) me skenarist dhe regjisor Fatos Berisha dhe filmin artistik maqedonas “The Happiness Effect” (2019) bashkëprodhuar me regjisorin Borjan Zafirovski.
Ajo ka punuar në shumë projekte të tjera video dhe televizive duke përfshirë producenten e programit të famshëm për fëmijë “Sesame Street Workshop” (prodhoi 42 inserte të segmenteve “3 minuta të gjata” në shqip dhe serbisht për audiencën kosovare të transmetuara në televizionin publik RTK gjatë viteve 2002-2004).
Vjosa Berisha ishte edhe anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit që nga viti 2013, dhe formimi i saj arsimor konsiston në një diplomë Master i Arteve në Media dhe Komunikim nga Universiteti i Ëestminster, Londër në Mbretërinë e Bashkuar dhe një diplomë pasuniversitare në Diplomaci Bashkëkohore nga Universiteti i Maltës, në Maltë. Në vendin e saj Kosovë, ajo ishte një zë i fortë në promovimin e të drejtave LGBTI përmes programit Let it Be të PriFest të cilin e krijoi në 2014 dhe e kuroi atë në partneritet me Outfest LA dhe Queer and Migration IFF Amsterdam./ KultPlus.com
Më 23 qershor të vitit 1937 lindi në Korçë regjisori i shquar Viktor Gjika.
Studimet e larta i kreu në Moskë, ku studioi së bashku me Dhimitër Anagnostin, për kinooperator. Së bashku ata kryen temën e diplomës, filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejit, me të cilin fituan Çmimin e Madh në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, në vitin 1961.
Pas rikthimit në atdhe, Viktor Gjika u shfaq në cilësinë e regjisorit dhe skenaristit. Ai do të mbahet mend për disa nga filmat më me peshë të kinematografisë shqiptare si: “I teti në bronz”, “Yjet e netëve të gjata”, “Rrugë të bardha”, “Gjeneral gramafoni”, “Nëntori i dytë”, “Njeriu me top”, “Komisari i dritës”, “Përballimi”, “Në çdo stinë” e shumë të tjerë.
Gjika lëvroi edhe zhanrin e dokumentarëve, ku hera-herës shkruante edhe skenarin ose bënte kinooperatorin. Gjatë gjithë karrierës realizoi rreth 15 filma artistikë dhe 25 dokumentarë. Për vlerat artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze, në vitin 1977 iu dha titulli “Artist i Merituar” dhe në 1985 “Artist i Popullit”.
U nda nga jeta më 3 mars 2009. Në vitin 2021 Viktor Gjika u vlerësua (pas vdekjes) me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës, me motivacionin: “Në shenjë nderimi dhe vlerësimi të lartë shtetëror për kontributet dhe meritat e jashtëzakonshme në kinematografinë shqiptare si operator, skenarist, regjisor e drejtues i spikatur dhe elitar i ish-Kinostudios ‘Shqipëria e Re’. Në vlerësim të vlerave kinematografike shqiptare që krijoi, si dhe përfaqësimit dinjitoz në ekranet botërore, duke ua përcjellë me një mjeshtëri të jashtëzakonshme, dashurinë dhe pasionin për filmin edhe brezave të rinj”./atsh/KultPlus.com
Drejtoresha e Kulturës në Prishtinë, Sibel Halimi, ka njoftuar se sonte, në ora 19:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, do të mbahet koncerti inaugurues i Orkestrës Prishtina – OPR.
Ky aktivitet shënon kulmin e ngjarjeve kulturore që po organizohen në kuadër të muajit të Çlirimit të Prishtinës.
Sipas Halimit, ky është një hap i rëndësishëm për jetën kulturore të kryeqytetit dhe një mundësi për të promovuar talentin vendor në muzikën klasike. Koncerti pritet të sjellë një përvojë të veçantë artistike për të gjithë të pranishmit.
Data 23 qershor e vitit 1972 e ndau nga jeta Akaki Khorava. Nuk ka njeri që nuk e njeh si fytyrë, por pak e din se cili emër fshihet pas personazhit të Skënderbeut në filmin e vitit 1953.
Ai është gjeorgjiani Akaki Khorava, lindur më 29 prill 1895. Studimet i ka kryer në Kiev dhe Tbilisi. Në 1939 u bashkua me Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Katër herë u zgjodh anëtar i Këshillit Suprem Sovjetit (1937-1958). Në vitin 1946 merr titullin “Artist kombëtar i BRSS”. Po ashtu është nderuar pesë herë me Çmimin “Stalinisti” dhe dy herë iu dha “Urdhri i Leninit”.
Pas një karriere të mirë si aktor e regjisor, ndërroi jetë një ditë si sot, më 23 qershor 1972 në Tbilis.
Në dokumentet e ish-Arkivit Qendror të Partisë, gjendet ky material ku për filmin “Skënderbeu” shkruhet se: “Ne lidhje me filmin Skenderbeg artistet tane kane dale mire ne provat dhe nga mezi i Tetorit do të niseshin per ne krime. Keto prova i ka pare edhe shoku Komandat kur ishte ne Moske, prandaj i lutemi asaj Drejtorie qe te informohet nese shoku Komandat ka nonje vrejtje ne lidhje me kete çeshtje per tja transmetuar Legates s’one ne Moske”. / F.14/APSTR, V. 1952, D. 626. / KultPlus.com
Shkrimtari Ali Jasiqi lindi në Jasiq të Junikut më 1937. Shkollën fillore në Junik e në Deçan. Shkollën Normale e filloi në Gjakovë dhe e kreu në Prishtinë. Në Prishtinë kreu Fakultetin filologjik – gjuhë e letërsi shqipe, shkruan KultPlus.
Ka punuar gazetar në të përditshmen “Rilindja”, kryeredaktor i revistë për kulturë, art e letërsi “Fjala”, drejtor i Njësisë punues të revistave në kuadër të NGBG “Rilindja” dhe kryeredaktori i revistës letrare “Jeta e re”. Ka qenë sekretar dhe kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.
Me shkrime letrare filloi të merret si nxënës. Në fillim ka shkruar poezi dhe proza, për t’u kushtuar mandej kritikës letrare dhe studimit. Vjershën e parë e botoi në “Zani i rinisë” më 1957.
Ka përgatitur për botim përmbledhjen e tregimeve “Ago Jakupi dhe rrëfime të tjera“ të Mitrush Kutelit, botuar nga Enti i Teksteve dhe Mjeteve Mësimore të Kosovës më 1967, tregimet “Talush Efendia” të Zekeria Rexhës (të nënshkruara me pseudonimin Ramë Zuka), botuan nga “Rilindja” në vitin 1973, përmbledhjen e poezive për fëmijë “Lulet e para” të Fahredin Gunges dhe Bedri Hyses, ka përgatit disa numra tematik të revistës letrare “Jeta e re”, qoftë vetëm apo edhe me bashkëpunëtor etj. Ka bashkëpunuar me të gjitha revistat letrare që botoheshin në gjuhën shqipe në ish Jugosllavi. /KultPlus.com
Fadil Vokrri njihet si “Legjenda e futbollit shqiptar” dhe mbetet futbollisti më i njohur dhe i adhuruar në Kosovë.
Në vitet ’80 Fadil Vokrri arriti kulmin e karrierës se tij. Ai e filloi karrierën e tij si futbollist me KF Llapi të Podujevës dhe më vonë kaloi tek KF Prishtina dhe luajti për një periudhë edhe me KF Partizani i Beogradit. Ai pati mundësi të arrinte edhe më shumë në karrierën e tij. Në vitin 1987 klubi i futbollit Juventus ishte i interesuar për të dhe i propozoi nënshkrimin e një kontrate disa vjeçare. Në atë vit Fadil Vokrri ishte vlerësuar si futbollisti më i mirë i vitit në Jugosllavi. Mirosllav Bllazhevic, trajneri i KF Prishtina e vlerësonte Fadil Vokrrin si sulmuesin e qendrës më të mirë në Jugosllavi. Mirëpo, në atë kohë Fadil Vokrri u thirr për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak. Sipas ligjit jugosllav, sportistët jugosllavë nuk mund të luanin jashtë Jugosllavisë në qoftë se ata nuk kishin kryer shërbimin e detyruar ushtarak përpara moshës 27 vjeç.
Fadili i rrethuar nga tifozët
Gjatë periudhës së shërbimit ushtarak ai luajti për KF Partizani i Beogradit. Në atë kohë Fadil Vokrrit iu propozua të luante edhe për Dinamo e Zagrebit. Fadil Vokrri e shpjegon kështu pse vendosi të luante për KF Partizani dhe jo Dinamo e Zagrebit: “Pikërisht “Partizani”, ka qenë ekipi i parë që ka shprehur interesim për mua. Arsyeja për të kaluar në radhët e “Partizanit”, së pari ka vendosur afërsia kilometrazhe Prishtinë-Beograd, pastaj siç dihet atëbotë të ish-Jugosllavisë, “Partizani”, ka pasur shumë simpatizues në Kosovë, sepse ky ekip gjithnjë kishte ndonjë shqiptar të aktivizuar në klub. Për nga shikueshmëria “Partizani” ka pasur Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, tri qendra kryesore për rekrutimin e lojtarëve. Edhe unë si fëmijë, si çdo moshatar i imi isha simpatizues i “Partizanit” të Beogradit, d.m.th. si shumica e kosovarëve, andaj këto ishin arsyet që unë kalova në radhët e ekipit të “Partizanit”. Kushtet që më pat ofruar ky ekip ishin shumë të mira, e qe besa edhe “Prishtina”, me transferimin tim tek “Partizani”, nuk është ndarë keq për nga “leku”, kështu që të gjitha komponentët u përmbushën që unë të bëhem lojtar i ekipit të “Partizanit”. Kam kaluar mirë në këtë ekip, mirëpo nuk kanë munguar edhe provokimet e ndryshme. Si p.sh. atëbotë kur minatorët e Trepçës, hynë në zgafellë, TV Vesti nga Beogradi, në emisionin në gjuhën shqipe në orën 17:00, më kanë ftuar që unë të bëja thirrje, që minatorët të dalin nga zgafella (kjo është hera e parë që këtë po e bëj publike), më janë paraqitur dy-tri herë emra të ndryshëm të sferës së politikës, mirëpo unë u thashë se nuk merrem me politikë dhe se janë politikanët të cilët mund të bëjnë thirrje …”.
Flamurtari – Partizani i Beogradit
Petro Ruci, lojtar i Flamurtarit të Vlorës e kujton kështu atë ndeshje dhe Fadil Vokrrin: “Detyra që na dha trajneri Leonidha Çuri ishte që unë dhe Rrapo Taho të koordinojmë veprimet tona për të ruajtur mirë sulmuesit më të rrezikshëm të Partizanit të Beogradit Milko Gjurovski dhe Fadil Vokrri. Për vetë mënyrën e lojës, që u krijua, më takoi mua të luaj ndaj bashkatdhetarit tim Vokrri. Ai ishte një lojtar i shpejtë, i fortë fizikisht, kërcente shumë në ajër dhe e godiste mjaft mirë topin me kokë. Ai ishte një futbollist mjaft i vështirë për çdo mbrojtje kundërshtare. Si i tillë, ai ishte i vështirë edhe për ne.”
Fadil Vokrri kujton nga këto 2 ndeshje: “Në takimin e parë që e zhvilluam në Vlorë, ekipi i “Partizanit”, ka qenë shumë i dobët, ku humbëm 2:0. Në Kavajë i kam 30 familje kushëri, babai im komunikonte me ta nëpërmjet letrave dhe ekipi ynë më të arritur në Vlorë, një natë para ndeshjes, kanë qenë 2000 tifozë, që më prisnin. Për mua ishte diçka madhështore, me këtë rast dua të falënderoj trajnerin tim në atë kohë Fahredin Jusufin (ish-trajner i Partizanit), i cili më dha leje speciale që të dal dhe të përshëndetem me atë tifozëri që më prisnin. Tani kur po flas po më rrëqethet trupi dhe bashkë me ta kam bërë dikund 1000 fotografi, ndoshta dikush brenda nga klubi më ka përcjellë, mirëpo lejen ma dha Jusufi. Ndërsa sa i përket lojës ““Flamurtari”, me plotë meritë fitoi 2:0″, ndërkaq në ndeshjen e kthimit në Beograd, Fadil Vokrri, shënoi golin e dytë, si dhe në Vokrrin shkaktohet penalltia, “Partizani” udhëheq 2:0, ekipi ynë luan shumë mirë, e po ashtu edhe Fadil Vokrri, njëri ndër lojtarët më të mirë në terren, mirëpo në fund të takimit Sokol Kushta shënoi gol, pastaj portieri i “Flamurtarit”, Arapi, ka qenë në formë shumë të mirë, kështu që “Partizani”, u eliminua nga garat. Humbja e “Partizanit” ka qenë shumë e rëndë, u pasqyrua shumë keq, ku thuhej se si është e mundur që një ekip si “Flamurtari”, ta eliminojë ekipin e “Partizanit” të Beogradit, me famë të madhe, kështu që vërtet humbja në Beograd, u përjetua shumë rëndë. Kjo u pasqyrua menjëherë në lojën për Kupën e ish-Jugosllavisë, kundër “Iskres” (anëtar i Ligës së Dytë), ku humbëm, kështu që humbja ndaj “Flamurtarit”, na destabilizoi në tërësi”.
Vokrri ka luajtur 12 ndeshje me ekipin përfaqësues të Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë dhe ka shënuar 5 gola.
Fadil Vokrri luan për një periudhë kohe për NIM, Francë.
Në vitet 1990-1992 luajti për ekipin e futbollit Fenerbahçe të Turqisë dhe korri shumë suksese për këtë ekip.
Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Fadil Vokrri u vendos me banim në Francë, ku u bë trajner i një ekipi futbolli të ligës së dytë.
Pas një kohe të suksesshme atje, Fadili u kthye në Kosovë dhe u bë president i Federatës së Futbollit Kosovar, FFK.
Vdiq në Prishtinë papritmas më 9 qershor 2018, pas një ataku kardiak.
Pas vdekjes së Vokrrit, stadiumi në vitin 2018 u riemërtua nga Stadiumi i Qytetit në Stadiumin “Fadil Vokrri”. Ndërsa, kujtojmë se sot shtatorja e legjendës së sportit shqiptar dhe ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), do të përurohet në stadiumin “Fadil Vokrri”. / KultPlus.com
Pashë në ëndër gjenezën time nën djersët e gjumit, duke çpuar Lëvoren që rrotullohej, të fortë si muskuli I një motori në trapano, duke u transportuar Te shëmbëllimi dhe te trari i nervit.
Prej gjymtyrësh të bëra me përmasa krimbi, i hequr qafe Prej mishit kryeneç, i limuar Nga të gjitha veglat e barit, metal Prej diejsh në natën që njerëzit shkrin.
Trashëgimtar i venave ku valon pika e dashurisë, E shtrenjtë në kockat e mia një qenie, unë Bëra xhiron e globit të trashëgimisë sime, udhëtim Në klasë të parë, te njeriu që u ingranua gjatë natës.
Pash në ëndër gjenezën time dhe prapë vdiqa, shrapnel I ngulur në zemrën në lëvizje, e grisur Në plagën e qepur dhe erë e mpiksur, vdekje Me maskë në gojën që gëlltiti gazin.
Esnaf në vdekjen time të dytë dallova lartësitë, Vjelje thikash dhe bimësh helmuese, ndryshk Gjaku im mbi të vdekurit e temperuar, duke forcuar Luftën time të dytë për tu shkëputur nga bari.
Dhe në lindjen time ishte infektues pushteti, i dyti Rresureksion i skeletit dhe Veshje e re për shpirtin lakuriq. Virilitet Rrodhi nga e dhimbshmja dhimbje.
Pashë në ëndër gjenezën time nën djersët e vdekjes, i rënë Dy herë në detin që ushqen, jo më i freskët Në ujin e kripur të Adamit derisa, shëmbëllim I një force të reje njerëzore, unë të kërkoj diellin. /KultPlus.com