Versioni tepër i sjellshëm i “Chat-GPT” është hequr nga përdorimi

Open-Ai me seli në San Francisko ka tërhequr nga tregu versionin e saj më të fundit të chatbot-it Chat-GPT 4o, pasi përdoruesit filluan të ankoheshin masivisht se programi ishte “tepër përbuzës”, i lajkatuar edhe nga ide dhe pyetje të pakuptimta, dhe tregonte një nivel të panatyrshëm admirimi për gjithçka që i thuhej.

“GPT-4o”, versioni më i fundit i inteligjencës artificiale, u shfaq vetëm pak ditë më parë, por shpejt shkaktoi pakënaqësi. Në vend që të ishte thjesht i sjellshëm dhe i dobishëm, ky version i “Chat-GPT”, sipas përdoruesve, u soll mjaft përçmues, me një dozë të tepërt admirimi dhe komplimentesh edhe për pyetjet më banale ose absurde, siç është nëse duhet të përqafosh një kaktus.

Ditët e fundit, në rrjetet sociale kanë qarkulluar shembuj dhe anekdota rreth “Chat-GPT”-it të ri, i cili në vend të përgjigjeve racionale, mbështeti me entuziazëm gjithçka që iu propozua. Përdoruesit deklaruan se kjo qasje ishte konfuze dhe e pakëndshme, prandaj Open-ey-ey vendosi të ndërhynte urgjentisht.

Arsyeja për këtë sjellje, sipas disa analistëve, qëndron në përpjekjen e kompanisë për të zhvilluar një chatbot që do t’u tërheqë përdoruesve me çdo kusht. Statistikat e brendshme treguan se komplimentet në përgjithësi shkaktojnë reagime pozitive, kështu që zhvilluesit e tepruan qartë këtë veçori.

Open-Ai njoftoi se në të ardhmen do të ofrojë më shumë mundësi për sjelljen e chatbot-it të saj, i cili nisi euforinë rreth inteligjencës artificiale pak më shumë se dy vjet më parë dhe që sot përdoret nga rreth 500 milionë përdorues aktivë në javë.

Sam Altman, CEO i Open-Eye, tha se rikthimi i këtij versioni është përfunduar dhe se po punohet për ta përmirësuar atë. Ai pranon në profilin e tij në Twitter se versioni i ri është i mërzitshëm dhe servil.

Rumi: Ajo që ti kërkon, po të kërkon ty

Thënie nga Rumi:

1. “Ajo që ti kërkon, po të kërkon ty”

2. “Detyra jote nuk është të kërkosh dashurinë, por të largosh gjithë kufijtë që keni ndërtuar drejt saj.”

3. “Mos u anko. Çdo gjë që keni humbur, vjen në një formë tjetër tek ju.”

4. “Dje isha i mençur, dhe doja të ndryshoja botën. Sot jam përplot urtësi, dhe do të ndryshoj vetën time.”

5. “Ti ke lindur me krahë, pse të zvarritesh përgjatë jetës?”

6. “Mos u kënaq me histori, se si gjërat kanë shkuar për të tjerët. Zbulojeni mitin tuaj.”

7. “Çdo gjë e bukur dhe e dashur është bërë për atë që e sheh.”

8. “Përse të mos jem i lumtur? Çdo pjesë e imja është duke lulëzuar.”

9. “Ngrit fjalët, jo zërin. Shiu është ai që rritë lulet, jo vetëtima.”

10. “Dhimbjet që ke ndjerë janë lajmëtar, dëgjoj ata.”

11. “Zemra  yte është sa oqeani. Shko sa më poshtë për të gjetur veten.”

12. “Duhet të vazhdoni ta thyeni zemrën tuaj deri sa të hapet.”/ KultPlus.com

WhatsApp tejkalon tre miliardë përdorues

Aplikacioni i mesazheve WhatsApp i kompanisë Meta aktualisht ka mbi 3 miliardë përdorues, bëri të ditur shefi i kompanisë Mark Zuckerberg gjatë një video-konference mbi rezultatet e tremujorit të parë të kompanisë.

Pasi arriti 2 miliardë përdorues aktiv mujor në vitin 2020, aplikacioni tani është ndër të paktët e zgjedhur, përveç Facebook-ut, po ashtu e kompanisë Meta, që tejkalon 3 miliardë përdorues.

Për shkak të bazës së madhe të përdoruesve, WhatsApp është një biznes i madh i kompanisë Meta, veçanërisht tani që kompania ka vendosur një pjesë të madhe të aksioneve në qasjen e saj të inteligjencës artificiale.

Aplikacioni, sipas kompanisë, është një nga kanalet e saj më të mëdha të shpërndarjes për shërbimet e inteligjencës artificiale.

“Ne shohim njerëz që angazhohen me inteligjencën artificiale të Meta-s në të gjithë familjen tonë të aplikacioneve”, tha gjatë video-konferencës Susan Li, drejtoreshë financiare e kompanisë.

Zuckerberg tha se edhe pse WhatsApp i bën aftësitë e inteligjencës artificiale lehtësisht të arritshme, kompanisë së tij i është dashur të miratojë një strategji ndryshe për të inkurajuar përdorimin e produkteve të saj të inteligjencës artificiale në vende si SHBA-ja, ku shumica e përdoruesve ende preferojnë të dërgojnë mesazhe me njëri-tjetrin përmes aplikacioneve standarde të porosive në telefonat e tyre.

“Shpresojmë të bëhemi lider me kalimin e kohës (në tregun e mesazheve në SHBA), por atje jemi në një pozicion ndryshe nga ajo si jemi në pjesën më të madhe të botës në WhatsApp”, tha Zuckerberg.

Sipas kompanisë META, WhatsApp Business, platforma komerciale e aplikacionit të mesazheve, po zgjerohet dhe po kontribuon ndjeshëm në 510 milionë dollarë të ardhura të gjeneruara nga familja e aplikacioneve të saj. 

Sonet Pranveruer

Nga Migjeni

Me kangë në buzë e me hove të reja
u zgjue agimi pranveruer,
largësinat e hjedhta ka zatetë hareja,
n’argjent shkëlqejnë brigjet tërthuer.

Me kangë në buzë u zgjue agimi
dhe ia këndoi kangën diellit t’ art
rrezash purpure dhe jetëdhurimi
me kaltrinat e thellta në qiellë të kjartë.

Me manushaqe në buzë e me andje në zemra
vajzat si biluri ndër kopshtie të gjelbra
dihasin aromat, që lulzimi derdhi,


me gji të paprekun, ku dashnia sosë
me fletza trandafilesh që flladi sjelli
dhe adhrojnë pranverën me një apoteozë./ KultPlus.com

Thatcher: Europa është krijuar nga historia, Amerika është krijuar nga filozofia

Thënie nga Margaret Thatcher:

“Europa është krijuar nga historia. Amerika është krijuar nga filozofia.”

“Pushteti është njësoj sikur të qenurit një zonjë… nëse ju duhet ta thuani se jeni, atëherë nuk jeni.”

“Secila grua që i kupton problemet e drejtimit të një shtëpie do të jetë shumë afër t’i kuptojë edhe problemet e drejtimit të një vendi.”

“Nuk mund të ketë liri pa liri ekonomike.”

“Nuk më intereson se sa shumë flasin ministrat e mi, për aq kohë sa ata e bëjnë atë që u them unë.”

– Margaret Thatcher

/KultPlus.com

46 vite më parë Thatcher u bë kryeministrja e parë e Mbretërisë së Bashkuar

Sot bëhen 46 vjet nga emërimi i Margaret Thatcher si kryeministrja e parë e Mbretërisë së Bashkuar, shkruan KultPlus.

Margaret Hilda Thatcher, Baronesha Thatcher (13 tetor 1925- 8 prill 2013) ishte politikane britanike që u bë Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar nga 1979 në 1990 dhe drejtuese e Partisë Konservatore.

Ajo ishte kryeministrja britanike që shërbeu më gjatë e shekullit të 20-të dhe është e vetmja grua që ka mbajtur këtë detyrë. Një gazetar sovjetik e quajti atë “Zonja e Hekurt”, një nofkë që karakterizoi politikën e saj pa kompromis dhe stilin udhëheqës. Si Kryeministre, ajo zbatoi politika që njihen si Theçerizëm.

Fillimisht një kimiste para se të bëhej avokate, Thatcher u zgjodh anëtare e Parlamentit për zonën zgjedhore Finchley në vitin 1959. Edward Heath e emëroi atë Sekretare të Shtetit për Arsimin dhe Shkencën në qeverinë e tij të vitit 1970. Në vitin 1975, Thatcher mundi Heath në zgjedhjet e udhëheqjes së Partisë Konservatore për t’u bërë kreu i Opozitës dhe u bë gruaja e parë të udhëhiqte një parti të madhe politike në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo u bë kryeministre pas fitores në zgjedhjet e përgjithshme të 1979.

Pas vajtjes në “10 Downing Street”, Thatcher paraqiti një sërë nismash politike dhe ekonomike që synonin të ulnin papunësinë e lartë dhe të lehtësonin vështirësitë e Britanisë në prag të “Pakënaqësisë së dimrit” dhe të një rënieje ekonomike të vazhdueshme. Filozofia e saj politike dhe politikat e saj ekonomike theksuan çlirimin nga rregullat të sektorëve të ekonomisë (veçanërisht të sektorit financiar), bërjen e tregjeve të punës më fleksibël, privatizimin i kompanive shtetërore dhe uljen e fuqisë dhe ndikimit të sindikatave. Popullariteti i Theçerit gjatë viteve të saj të para në detyrë filloi të bjerë për shkak recesionit dhe papunësisë së lartë, deri në 1982 kur Lufta e Falklandeve solli një rigjallërim të mbështetjes, duke rezultuar në rizgjedhjen e saj në vitin 1983.

Thatcher u rizgjodh për një mandat të tretë në vitin 1987. Gjatë kësaj periudhe mbështetja e saj për një Taksë të Komunitetit (gjerësisht referuar si “taksë votimi”) ishte gjerësisht jopopullore dhe pikëpamjet e saj mbi Komunitetin Europian nuk përputheshin me atë të disa pjestarëve të kabinetit të saj.

Ajo dha dorëheqjen si kryeministre dhe udhëheqja e partisë në nëntor 1990, pasi Michael Heseltine nisi një sfidë për udhëheqjen e saj. Pas largimit nga Dhoma e Ulët (Commons) në vitin 1992, asaj iu dha titulli Baroneshë e Kesteven në qarkun e Lincolnshire, që i jepte asaj të drejtën të merrte pjesë në Dhomën e Lordëve. Ajo u tërhoq nga të paraqitjet publike për shkak të keqësimit të shëndetit në vitin 2002 nga një goditje celebrale, dhe në vitin 2013, ajo vdiq nga një goditje tjetër celebrale në Londër, në moshën 87 vjeçare./KultPlus.com

Ndahet nga jeta në moshën 75-vjeçare aktori elbasanas, Eduart Çala (PROFIL)

Elbasani është tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të një prej figurave të shquara të artit skenik dhe kinematografik shqiptar, aktorit dhe regjisorit të njohur Eduart Çala. Ai u shua në moshën 75-vjeçare duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike dhe kulturore për qytetin e tij të lindjes dhe për gjithë artdashësit shqiptarë.

Eduart Çala lindi më 19 shtator 1950 në Elbasan ku kreu edhe arsimin fillor dhe të mesëm në shkollën “Jeronim De Rada”. Edhe pse nuk e pati mundësinë të studiojë për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve, ai ndoqi studimet e larta në Institutin Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” për Gjuhë-Letërsi. Dashuria për teatrin dhe skenën do të shfaqej që në bankat e shkollës së mesme, kur interpretoi në komedinë “Udha e Zavalinëve”, një pjesë që la gjurmë në jetën e tij artistike.

Në vitin 1971, Çala u bë pjesë e trupës profesioniste të Teatrit “Skampa” në Elbasan ku gjatë dekadave të punës së tij interpretoi në mbi 50 shfaqje teatrore. Roli i tij në teatër u karakterizua nga një gamë e gjerë interpretimesh, duke kaluar nga rolet kryesore te ato dytësore dhe episodike, gjithmonë me një përkushtim dhe profesionalizëm të veçantë.Përveç teatrit, Eduart Çala kontribuoi edhe në kinematografinë shqiptare.

Ai u angazhua në role dytësore dhe episodike në disa filma artistikë ku spikati me interpretimet e tij të natyrshme dhe të kujdesshme. Ndër filmat më të njohur ku ai ka marrë pjesë përmenden: “Përtej mureve të gurta” (1979) ku interpretoi rolin e kuestorit italian, “Një natë Nëntori” (1979), “Partizani i vogël Velo” (1980) si komisari, “Pranverë e hidhur” (1985), “Një jetë me shumë” (1986), “Kronikë e atyre viteve” (1986), “Tre veta kapërcejnë malin” (1988), dhe “Ngjyrat e moshës” (1990).Veprimtaria e tij artistike nuk u kufizua vetëm në aktrim. Eduart Çala dha një kontribut të çmuar edhe si regjisor në Teatrin e Kukullave në Elbasan ku vuri në skenë dhjetëra shfaqje për fëmijë duke ndihmuar në edukimin dhe argëtimin e brezave të rinj.

Ai ishte shpeshherë edhe prezantues në koncerte dhe spektakle të ndryshme, festivale të këngës qytetare dhe për fëmijë, si dhe në aktivitete rinore të qytetit dhe më gjerë.Për kontributin e tij të palodhur në artin shqiptar, në vitin 1985 Çala u dekorua me medaljen “Naim Frashëri”. Bashkia e Elbasanit e nderoi me titullin “Mirënjohje e Qytetit”, ndërsa vlerësime të shumta i janë akorduar në Festivalet Kombëtare të Teatrove, të fëmijëve dhe të kukullave.Eduart Çala ishte pjesë e brezit të artë të aktorëve që dolën nga Elbasani, krahas emrave të tillë si Demir Hyskja, Shpëtim Shemili, Astrit Cerma, Spiro Duni, Ermira Bahiti (Gjata), Tefta Haziraj dhe Veronika Papa.

Me ndarjen e tij nga jeta, skena shqiptare humbet një prej figurave më të përkushtuara, një artist të qetë e punëtor, që jetoi me pasionin për artin dhe dashurinë për publikun.

Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë në memorien e qytetit të Elbasanit dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e duartrokitën në skenë./ BalkanWeb/ KultPlus.com

Rekord botëror, 8 122 kitaristë luajnë njëherësh ‘Hey Joe’

Mijëra kitaristë u mblodhën në Sheshin e Tregut të qytetit Vroclav në Poloni më 1 maj, për të interpretuar këngën “Hey Joe” të artistit të njohur amerikan Jimi Hendrix, duke vendosur një rekord të ri botëror “Guinness” për ansamblin më të madh me kitara.

Gjithsej 8 122 pjesëmarrësish e luajtën këngën njëkohësisht, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 6.346 kitaristësh të vendosur në vitin 2009 në të njëjtin vend.

Performanca ishte pjesë e Festivalit vjetor “Thanks Jimi”, një ngjarje që feston trashëgiminë e Hendrixit dhe bashkon kitaristë nga e gjithë bota.

Zyrtarët e Rekordeve Botërore Guinness ishin të pranishëm për të verifikuar dhe konfirmuar rekordin e ri në vend. /atsh/ KultPlus.com

Enkileda Çarja, kampione bote për të reja në peshëngritje, Begaj: Krenar për këtë arritje

Presidenti Bajram Begaj, uroi sot peshëngritësen e re shqiptare, Enkileda Çarja, për shpalljen kampione e trefishtë për të reja në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes në Lima, Peru.

Kreu i Shtetit përgëzoi edhe trajneren e saj, Eglantina Kalemi, për punën me përkushtim e pasion në përgatitjen e sportistes.

“Shumë urime për Enkileda Çarjan, e cila u shpall Kampione Bote e trefishtë në Botërorin e Peshëngritjes, theu 3 rekorde evropiane për të reja, si dhe arriti të marrë medalje bronzi për U20”, shkroi Begaj në rrjetet sociale.

Begaj u shpreh krenar për arritjet e Enkiledës dhe punën e përkushtuar të trajneres së saj, Eglantina Kalemi./atsh/ KultPlus.com

Tirana, Shkodra dhe Korça i kanë përzënë shkrimtarët sikur të ishin dordolecë që trembin turistët

Nga Ben Blushi

NJË RRUGË SHKRIMTARËSH NË KAMËZ

Dje isha në Kamëz për të marrë pjesë në ndarjen e çmimeve të Panairit të Librit që zhvillohet për herë të katërt në këtë qytet të ri të krijuar përpara 30 vjet vitesh.

Disa vite më parë, kur Kamza ishte simboli perfekt i rrëmujës urbane, i kaosit njerëzor, i depozitës elektorale dhe i xhunglës ndërtimore, as mund të mendohej se aty një ditë do jepeshin çmime për shkrimtarët, por kjo ka ndodhur me një shpëjtësi dhe me një shkëlqim që nuk e pret.

Ndryshe nga qytetet e vjetra të Shqipërisë, Kamza ka themeluar një çmim për letërsinë që nuk e gjen as në Tiranë, as në Korçë as në Shkodër dhe as në Vlorë.

Për fat të keq këto qytete të vjetra i harxhojnë paratë për koncerte të shëmtuara, për birra, për qofte dhe për kallamar duke i zëvendësuar libraritë me mejhane dhe lexuesit me turistë të dehur.

Në Tiranë, një qytet me 900 mijë banorë sot nuk ka më shumë se 5 librari, ndërsa në Korçë, në Shkodër dhe në Vlorë, librat shiten nëpër kioska të fshehur poshtë rafteve me cemcakiz, me cigare me dhe coca cola pa sheqer.

Në indexin europian të librarive për frymë popullsie, Shqipëria është në vendin e fundit me shumë meritë, sepse i ka zhdukur të gjitha libraritë që trashëgoi nga komunizmi duke i privatizuar pa kushte dhe duke i kthyer në dyqane mishi serb dhe manikyrësh kinezë.

Sot Bjellorusia, një vend për të cilin ne mendojmë se është një diktaturë që mbahet me tanke ruse ka 52 librari për 100 mijë banorë, Cekia një vend ish komunist ka 50 librari për poaq banorë, Ukraina që është e pushtuar ka 44 librari për 100 mijë banorë, ndërsa vetëm Varshava ka 11 librari për cdo 100 mijë banorë.

Me këtë standart do duhej që Tirana të kishte të paktën 100 librari në gjithë territorin e vet.

Prandaj kur vjen nga Tirana dhe shkon në Kamëz habitesh që aty gjen dicka që ky qytet i madh nuk ia jep më lexuesve të vet, një panair, shumë lexues, debat për librin, stenda, shkolla të angazhuara, mësues letërsie të qeshur, vajza që kërkojnë autografe dhe mbi të gjitha një respekt për shkrimtarët të cilët nderohen me çmime.

I frymëzuar nga kjo atmosferë e bukur, i propozova Kryetarit të këtij qyteti Rakip Sulit, njeriut që ka bërë të mundur këtë aktivitetet dhe e ka gjallëruar në mënyrë kaq befasuese Kamzën, ti zerojë taksat për libraritë dhe mundësisht të krijojë në këtë qytet të ri një rrugë shkrimtarësh.

Rruga e Shkrimtarëve,e mbushur me librari, me kafene ku lexohet,me pika ku mund të dëgjosh audiobooks, me salla të vogla prezantimi, ku jepen edhe filma të shkurtër për jetën e shkrimtarëve shqiptarë dhe të huaj, do ishte një mrekulli që do ta shndërronte këtë qytet të ri në një atraksion të përhershëm turistik dhe kulturor.

Atëherë njerëzit do vinin nga Tirana e varfër për të blerë libra në Kamëz, libraritë pa taska do shtoheshin me shpejtësi, tregu i librit do gjallërohej, shtëpitë botuese mund të hapnin seiltë në këtë qytet, ndërsa shkrimtarët do rrinin në rrugën e tyre dhe lexuesit do jetonin me kujtime të bukura të cilat nuk do ti harronin kurrë.

Bashkë me Kamzën, letërsia shqipe do ishte më e pasur dhe njerëzit do kuptonin dicka që është harruar padrejtësisht, se Shqipëeria është krijuar nga shkrimtarët dhe është dëmtuar nga politikanët.

Përpara se të shpallej e pavarur nga Ismail Qemali, Shqipëria u krijua nga pluhuri osman, në vargjet e Naim Frashërit, në esetë e Sami Frashërit, në alfabetin Ndre Mjedës, ne poemat e Gjergj FIshtës dhe në gazetën e Faik Konicës.

Shkrimtarët nuk i kanë bërë keq Shqipërisë edhe kur kanë shkruar keq, ndërsa politikanët i kanë bërë shumë keq edhe kur kanë menduar shumë mirë.

Shkrimtarët janë etërit themelues të vendit që kemi sot, të cilin pa ata ndoshta nuk do ta kishim dhe prandaj ata meritojnë një rrugë shkrimtarësh ku të nderohen, një rrugë e cila nuk ekziston askund në botë.

Por mund të ekzistonte në Kamëz, meqë Tirana, Shkodra dhe Korca i kanë përzënë shkrimtarët sikur të ishin dordolecë që trembin turistët.

Rruga e Shkrimtarëve nuk do kishte numër, nuk do kishte adresa,por vetëm emra librarish,vitrina me libra, fotografi dhe rafte, prandaj cdo njeri do e njihte, cdo postier do ia dinte adresën, cdo letër do vinte shumë shpejt, cdo i huaj do bënte një fotografi, cdo përkthyes do gjente punë, cdo shkrimtar do gjente frymëzim dhe cdo nxënës shkolle do e kishte vizituar të paktën një herë në jetë.

Kamza ka aq shumë rrugë të reja, ndoshta të paemëruara dhe shpresoj shumë që njëra prej tyre mund të pagëzohet në nder të shkrimtarëve, të cilët megjithëse kanë lindur në qytete të tjera mund të strehohen në Kamëz./ KultPlus.com

Prishtina shënon Ditën Ndërkombëtare të Zjarrfikësve

Komuna e Prishtinës ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Zjarrfikësve me një aktivitet të veçantë. Kryetari Përparim Rama e ka vlerësuar përkushtimin e zjarrfikësve dhe ka bërë të ditur për investimet e fundit në pajisje dhe mirëqenie të tyre.

Kryetari Rama ka thënë se Komuna ka ndërmarrë hapa konkretë, përfshirë sigurimin e shujtave ditore dhe organizimin e fizioterapisë si mbështetje për mirëqenien fizike të zjarrfikësve.

“Zjarrfikësit tanë janë 24 orë në dite 365 ditë në vite janë të gatshëm qe ti ndihmojnë qytetit tonë, qytetarëve, vendit tonë. Ne si kryeqytet kemi bërë investime të shumta tash, psh mendojmë që zjarrfikësit tanë që të jenë sa të më gatshëm duhet edhe ne duhet të mbrojmë mirëqenin e tyre…Në buxhetin tonë kemi buxhetor edhe për pajisje të reja si kampin sulmues dhe pajisje të tjera për të mirën e tyre. Kërkoj që të kemi iniciativë shtresë nga niveli qendror, për zjarrfikës të ri, të cilëve u ka munguar zjarrfikës të ri, janë 26 të ri shtesë por mungojnë edhe 44 tjerë”, ka theksuar ai.

Malë Gashi nga Brigada e Zjarrfikësve në Prishtinë, ka thënë se kjo ditë është një moment për të nderuar jo vetëm ata që humbën jetën në krye të detyrës, por edhe për të vlerësuar sakrificën e përditshme të zjarrfikësve kudo në botë.

“Sot kjo ditë ka të bëjë me çështjen e senzibilimzimt të qytetarëve për të parë edhe qytetarët të gjitha kapacitetet tona, dhe të jemi të gatshëm për të gjitha situatat. Mund të bëhet më shumë por ky shërbim do ta arrijë vendin e vet, investimi në këtë shërbim ka të bëjë për ruajtjen e njerëzve”, ka thënë Gashi.

Zbulohen të dhëna të reja rreth ”Planetit 9”

Të dhëna të reja duket se sugjerojnë ekzistencën e ”Planetit misterioz 9” në skaj të Sistemit Diellor.

Vëzhgimet e qiellit të bëra me një diferencë prej 23 vitesh kanë identifikuar në fakt një kandidat potencial, i cili mund të ketë një masë më të madhe se Neptuni dhe ndodhet afërsisht 105 miliardë kilometra nga Dielli, një distancë 700 herë më e madhe se ajo e Tokës.

Kjo tregohet nga studimi i ndarë në platformën ”arXiv” nga grupi i kërkimit i udhëhequr nga astronomi Terry Long Phan i Universitetit Kombëtar Tsing Hua në Tajvan dhe i pranuar nga revista Publikime të Shoqërisë Astronomike të Australisë.

Ekzistenca e mundshme e Planetit 9 u propozua në vitin 2016 nga Michael Brown dhe Konstantin Batygin të Institutit të Teknologjisë në Kaliforni për të shpjeguar grupimin e pazakontë të orbitave të disa objekteve në Rripin Kuiper përtej orbitës së Neptunit, ndoshta për shkak të pranisë së një trupi qiellor që ushtron një tërheqje të fortë gravitacionale.

Një planet i tillë do të duhej të ishte më masiv se Toka dhe do të kishte një orbitë shumë ekscentrike që e sjell atë në afërsi të qindra njësive astronomike të Diellit (një njësi astronomike është distanca midis Tokës dhe Diellit).

Zbulimi i tij në një distancë të tillë është një arritje mjaft e madhe, megjithatë pritet të duket më i ndritshëm në infra të kuqe të mesme dhe të largët sesa në dritën e dukshme.

Duke u nisur nga ky supozim, Terry Long Phan dhe bashkëpunëtorët e tij rishqyrtuan arkivat e dy fushatave të vëzhgimit në infra të kuqe të largët: ajo që daton që nga viti 1983 nga teleskopi hapësinor Iras (i agjencive hapësinore të SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe Holandës) dhe ajo nga teleskopi japonez Akari, aktiv midis viteve 2006 dhe 2011.

Distanca kohore prej mbi 20 vjetësh u zgjodh për të qenë në gjendje të zbulohej lëvizja orbitale e trupit të mundshëm qiellor.

Pas një procesi rigoroz shqyrtimi dhe përzgjedhjeje, i cili përfshinte inspektimin vizual të imazheve, rrethi u ngushtua në një pikë të vogël në të dhënat infra të kuqe, një objekt potencialisht që lëvizte ngadalë.

Njohuritë për lëvizjen e tij gjatë asaj periudhe kohore nuk janë të mjaftueshme për të qenë në gjendje të ekstrapolojmë orbitën e plotë, kështu që ende nuk është e mundur të thuhet me siguri se është me të vërtetë Planeti 9. / KultPlus.com

Amos Oz: Kam simpati për Kosovën

Sot janë shënuar 86 vjet nga lindja e shkrimtarit Amos Oz.

Oz ka shkruar 18 libra në gjuhën hebreite dhe afër 450 ese dhe artikuj. Veprat e tij janë të përkthyera në më shumë se tridhjetë gjuhë të botës.

Para disa vitesh në një intervistë me Rudina Xhungën, ai u shpreh edhe për Kosovën dhe për Pavarësinë e Kosovës.

RUDINA XHUNGA: Tani do doja të flisnim pak për vendin nga unë vij, për Shqipërinë dhe Kosovën gjithashtu, sepse kur Kosova shpalli pavarësinë e saj unë kisha me vete librin tuaj, kur tregoni pavarësinë e Izraelit?

AMOS OZ: Unë nuk di mjaftueshëm për historinë dhe rrethanat e Kosovës, por në mënyrë instiktive, kur një popull shpall pavarësinë e tij, simpatia ime është me të. Kjo është e vërtetë për sa i përket izraelitëve, kjo është e vërtetë për palestinezët dhe kjo është e vërtetë edhe për kosovarët.

RUDINA XHUNGA: Po për historinë që lidh Shqipërinë me Izraelin, për kohën kur Holokausti na bashkoi dhe shqiptarët u hapën dyert izraelitëve?

AMOS OZ: Ne gjithmonë do ta kujtojmë me falënderim dhe për mirë Shqipërinë, pasi në Evropë ka pasur shumë pak dyer që u hapën për hebrenjtë, shumë pak dyer dhe derën e Shqipërisë ne gjithmonë do ta kujtojmë për mirë.

RUDINA XHUNGA: Faleminderit. Ju kujtohet ajo kohë dhe raporti që keni me atë kohë? E pyesni herë pas here veten, ç‘qe ajo urrejtje, pse ndodhi Holokausti?

AMOS OZ: Holokausti na shoqëron ne gjithë kohën, madje edhe nipërit e njerëzve që kanë përjetuar Holokaustin akoma i përjetojnë traumat, dhe akoma pyesin veten çfarë ndodhi, por asnjëri prej nesh nuk ka përgjigje, ka shumë përgjigje, por nuk ka një përgjigje të vetme. Ka një përgjigje që thotë: s‘duhet të jesh kurrë i dobët, ka një përgjigje tjetër që thotë: kurrë nuk duhet të jesh johuman dhe ka një përgjigje të tretë që thotë: duhet të kishim ardhur të gjithë në shtetin e Izraelit në kohën e duhur, dhe ka një përgjigje të katërt që thotë: që edhe në shtetin e Izraelit ka nga ata që duan të na shfarosin dhe ka përgjigje të pestë, të gjashtë dhe të shtatë. Pothuajse çdo izraelit ka një përgjigje të ndryshme./ KultPlus.com

Begaj uron kryeministrin e rizgjedhur të Australisë: Krenar të shohim udhëheqës me rrënjë arbëreshe

Presidenti Bajram Begaj uroi sot Kryeministrin e rizgjedhur të Australisë, Antonio Albanese, i cili fitoi një mandat të dytë për të drejtuar vendin.

“Urime Kryeministër Antonio Albanese për rizgjedhjen tuaj!”, shkruan Begaj në rrjetet sociale.

“Teksa Shqipëria dhe Australia gëzojnë marrëdhënie të ngrohta dhe miqësore, jemi krenarë të shohim një udhëheqës me rrënjë arbëreshe në krye të një vendi të madh dhe njërit prej partnerëve tanë’, vijoi Begaj.

“Urojmë që bashkëpunimi ynë të vazhdojë të thellohet në vitet në vijim”,  shkroi Presidenti në profilin e tij zyrtar në X.

Partia Laburiste e udhëhequr nga kryeministri Anthony Albanese në Australi fitoi zgjedhjet parlamentare, sipas parashikimeve të transmetuesit publik ABC, bazuar në rezultatet paraprake./ KultPlus.com

Lady Gaga”elektrizon” Copacabana-n me koncertin falas

Këngëtarja Lady Gaga, e veshur me një fustan të kuq të ndezur, ”elektrizoi” turmat në plazhin Copacabana të Rio de Janeiro-s me koncertin e saj falas që tërhoqi rreth 1.6 milionë njerëz.

Pasi hapi shfaqjen e saj me “Bloody Mary”, ylli amerikan, i cili nuk kishte performuar në Brazil që nga viti 2012, vazhdoi me “Abracadabra”, një nga hitet e albumit të saj të fundit, “Mayhem”, i publikuar në mars.

Gjatë gjithë javës, fansat e Lady Gaga-s kanë dyndur qytetin.

Këshilli i qytetit të Rios po mbështetet në një kthim ekonomik prej rreth 100 milionë dollarësh, gati 30% më shumë se koncerti falas i Madonnës i mbajtur në të njëjtin vend një vit më parë.

Autoritetet bashkiake synojnë të vazhdojnë traditën e koncertit falas në maj, gjithashtu për të stimuluar turizmin në një periudhë që konsiderohet sezon i ulët.

Kryebashkiaku Eduardo Paes ka lënë të kuptohet tashmë se po shqyrton mundësinë e ftesës së grupit irlandez të rokut U2 vitin e ardhshëm.

Koncerti i Lady Gaga-s u ndoq nga një grup i madh sigurie, me mbi 5 000 oficerë, dronë dhe kamera sigurie me njohje të fytyrës. /KultPlus.com

’Jemi boshte që priten në kohë të tashme’

Poezi nga Entela Kasi

Shpesh herë
Bessa
Hannah
Rachele
Na lëndojnë
Ata

U kemi dhënë
Gjithçka
Ata që nga pa dija
Kapërcejnë
Kufirin e ndaluar
Ja
Jemi
Polen lulesh në ajër
Në duart e atyre
Gjurmë bojë flutrash – si flutur maji
Lartësia është tej
Aty ku kurorë mali prek qiellin
Pastaj
Ja jemi
Boshte që priten në kohë të tashme
Të përhershme
Me rrënjët nën tokë
E kokën lart
Jemi krahë që vallëzojmë me erën
Siç jemi balerina
Me këmbët përgjakur
Ndërsa rrotullohet skena
Siç jemi
Në një pistë akulli
Kur kërcejnë vetëm gra të bukura
Që nuk i rrëzon asgjë!
Një muzikë klas e botës
Apo tingull i heshtjes…
Ja sa herë kaloj përmes errësirës në dritë
Shoh
Me tjatër sy
Me atë të zemrës
Sepse zemra e ka një sy!
Pastaj
Falim
Pastaj heshtim
Pastaj biem
E prap ngrihemi lart
Sepse të dish të ngrihesh
Është
Kuptimi
Siç
Është

Jesh njeri!


4 maj 2025/ KultPlus.com

96 vite nga lindja e aktores Audrey Hepburn

Audrey Hepburn (4 maj 1929  – 20 janar 1993 ), ishte aktore e filmit dhe e teatrit e shpërblyer me Oscar. Ajo ishte gjithashtu e njohur si një ikonë mode, modele, kërcimtare dhe humanitare.

E lindur si Audrey Kathleen Ruston në Belgjikë dhe ishte fëmija i vetëm i Josepha Anthonya Rustona, bankier irlandez, dhe i baroneshës Elle van Heemstra, anëtare e aristokracisë holandeze ku paraardhësit ishin mbretër francez dhe mbretër anglez. Ajo e kaloi fëmijërinë e saj midis Belgjikës, Anglisë dhe Hollandës.

Hepburn i kushtoi një kujdes të vecantë shtresave në nevojë, kryesisht fëmijëve. Deri në fund të jetës së saj, ajo iu përkushtua punës së saj vullnetare në UNICEF, ku u njoh edhe si ambasadore e vullnetit të mirë.

Ishte po ashtu fituese e Çmimit Academy Award, më 1953.

Disa nga filmat në të cilët mori pjesë janë: Monte Carlo Baby, Laughter in Paradise, One Wild Oat, The Lavender Hill Mob, Young Wives’ Tale, The Secret People, We Will Go to Monte Carlo, Roman holiday, Sabrina, War and peace, Love in the Afternoon, Green Mansions, The Nun’s Story, The Unforgiven, Breakfast at Tiffany’s, The Children’s Hour, Charade, Paris, When It Sizzles, My Fair Lady, How to Steal a Million, Two for the Road, Wait Until Dark, Robin i Marian, Bloodline, They All Laughed, Love Among Thieves (TV), Always etj.

Ajo vdiq më 20 janar 1993 në Zvicër./ KultPlus.com 

Fragment nga libri ‘Rrëfim mbi dashurinë dhe errësirën’ i shkrimtarit Amos Oz

“Ndoshta hëngrëm mollën e gabuar në Kopshtin e Edenit? Ndoshta mes pemës së jetës dhe pemës së njohjes së të mirës nga e keqja, ka qenë ndonjë pemë tjetër që rritej atje në Kopshtin e Edenit, ndonjë pemë helmuese që nuk përmendet në shkrimet e shenjta, ‘pema e djallit’ dhe ndoshta kjo ishte ajo çka hëngrëm ne?

Ai gjarpëri faqezi e mashtroi Evën, i premtoi se ajo ishte pa dyshim pema e njohjes, por, në të vërtetë, e çoi te pema e djallit. Ndoshta po të kishim ngecur te pema e jetës dhe tek ajo e njohjes së të mirës nga e keqja, nuk do të na kishin nxjerrë kurrë nga kopshti.’

Po çfarë është ferri? Ç’është parajsa? Patjetër që është brenda nesh. Në shtëpitë tona. Ferrin dhe Parajsën mund t’i gjesh në çdo dhomë. Pas çdo dere. Poshtë çdo batanije. Ja! Pak ligësi dhe njerëzit bëhen të gjithë ferr me njëri – tjetrin. Pak dhembshuri, pak zemërgjerësi dhe njerëzit gjejnë parajsën te njëri – tjetri.

Thashë pak zemërgjerësi dhe dhembshuri, nuk thashë dashuri: Unë nuk besoj shumë tek dashuria universale. Dashuria e secilit për secilin – ndoshta është më mirë t’ia lëmë Jezusit këto.

Dashuria është krejt tjetër gjë. Nuk është fare as si zemërgjerësia e as si dhembshuria. Përkundrazi. Dashuria është një përzierje interesante e të kundërtave, një përzierje e egoizmit ekstrem me përkushtimin total. Një paradox! Dashuria, dashuria.

Të gjithë flasin rreth saj sikur dashuria të ishte diçka që njeriu mund ta zgjedhë, por dashuria nuk zgjidhet, ajo të kap si sëmundje dhe të zë si fatkeqësi. Atëherë, ç’është kjo që ne e zgjedhim? Çfarë duhet të zgjedhin qeniet njerëzore çdo minutë të ditës? Zemërgjerësinë dhe koprracinë. Çdo fëmijë e di këtë, e prapëseprapë ligësia nuk mbaron. Si shpjegohet kjo? Më duhet se e gjitha vjen nga ajo molla që hëngrëm atëherë: hëngrëm mollën e helmuar.”

– Amos Oz“Rrëfim mbi dashurinë dhe errësirën”KultPlus.com

‘Dil moj nënë lajmëro dasmorët, se do shkoj unë partizane’ (VIDEO)

Në ditëlindjen e këngëtares nga Shqipëria, Anjeza Shahini, KultPlus ua sjell interpretimin nga Shahini të këngës ‘Nënë moj do pre gërshetin’, këngë origjinale e bilbilit të muzikës shqiptare, Vaçe Zela.

na na na na na naaaaaa….
nene moj do pres gershetin
e do dal malit perpjete
shoke e shoqe po ma presin
na ta bjeshk ku puthin rete

dil moj nane lajmero dasmoret
se do shkoj une partizane
mos me bej nuse zakoni
do marr pushke ne male te dal

Ref.:
ne mu t’ka ky rrip i pushkes
nene moj ne shi e n’er
do ta lidhe ne balle te luftes
do ta lidhe ne balle te luftes
me gershetin tim te prer
o mori nan
do ta lidhe ne balle te luftes
do ta lidhe ne balle te luftes
me gershetin tim te prer
o moj nan

ne te marrt malli per mua
dil degjo krismat nga mali
mbi lirin asgje nuk dua
se jam nuse partizani

mos i pyet zogjt neper pyje
ku kam qene e ku skam qene
gjurme me gjurme do le ca yje
te me gjesh kudo moj nane.
/KultPlus.com

Së shpejti në Prishtinë promovohet libri “Mali i Qumështit” i autores Ervina Halili

Së shpejti do të promovohet libri “Mali i Qumështit” i autores Ervina Halili.

Promovimi mbahet ditën e mërkurë më 07 Maj duke filluar nga ora 18:00 në librarinë Dukagjini në Prishtinë.

Në këtë ngjarje do të diskutojnë Ernestina Gjergji Halili, Ag Apolloni dhe autorja e librit, Ervina Halili.

Moderator i ngjarjes është Latif Mustafa./ KultPlus.com

Rrëfimi i fundit i Titos: Kosova do rrënojë Jugosllavinë

Historiani Vjençeslav Çençiç ka shkruar një libër për atë që konsiderohet si testmanent i Tito’s.

Çençiç, librin e tij, e ka shkruar bazuar në bisedat me Josip Kopinic që konsiderohet si spiuni më i madh jugosllav i të gjitha kohërave, sipas mediave kroate.

Historiani Vjenceslav Çençiç librin e tij “Rrëfimi i fundit i Titos” e ka publikuar 20 vjet pas vdekjes së Josip Broz Tito’s, që është një lloj testamenti politik i diktatorit jugosllav e që jep një pamje të re për figurën edhe veprat e tij.

Libri, sipas mediave kroate, bazohet në stenogramet e fjalimit të tij më Karagjorgjevë më 1979, dhe bisedave të tij me Josip Kopiniç, që për shumëkënd është spiuni më i madh jugosllav i të gjitha kohërave. Libri, sa i përket besueshmërisë e ndanë fatin e Titos, i cili dikur lavdërohej ndërsa më vonë kontestohej.

Sipas librit, Kosova do të jetë ‘sherri’ kryesor për rrënimin e Jugosllavisë.

“Kam qenë kundër Kushtetutës të vitit 1974! Kam qenë kundër dhënies së shtetësisë për krahinat dhe pjesëve që republikave u mundësojë shkëputje nga federata pa marrëveshje me republikat, pa referendum në krejt vendin.

Edhe sot, edhe atëherë e përsëris se kjo “e keqe” nga këto të drejta kushtetuese të krahinave do ta rrënojnë Jugosllavinë. E kam ditur se gjendja e sigurisë në Kosovë është e keqe, por nuk e kam ditur që raportet ndërmjet republikave tona kanë rënë kaq poshtë.

Shokë, më duhet të them se kur është në pyetje Kosova, të gjithë ata që kanë votuar për Kushtetutën e vitit 1974 do të jenë fajtorë për fatin e Jugosllavisë”, ka thënë Tito, bazuar në këtë libër.

Më pas, Tito ka folur edhe për pasardhësin e tij duke thënë se ai e kishte bërë këtë, por më pas kishin filluar edhe rivalitetet të thella të cilat kanë përfunduar edhe me vrasje./ KultPlus.com

Presidentja Osmani ftohet nga Sulltani i Bruneit për vizitë shtetërore në Brunei Darussalam 

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu dhe zotëria i parë, Prindon Sadriu, kanë udhëtuar për Brunei, të ftuar nga madhëria e tij Sulltan Haxhi Hassanal Bolkiah, Sulltan i Bruneit, për vizitë shtetërore, duke shënuar vizitën e parë ndonjëherë të kreut të shtetit të Kosovës në këtë shtet të Azisë Juglindore.

Gjatë vizitës shtetërore në Brunei Darussalam, presidentja Osmani do të pritet me nderime të larta shtetërore dhe do të zhvillojë takime me madhërinë e Tij, Sulltan Bolkiah, në rezidencën zyrtare Istana Nurul Iman.

Gjatë kësaj vizite shtetërore, madhëria e tij Sulltani i Bruneit dhe bashkëshortja e tij, madhëria e saj Raja Isteri Pengiran Anak Hajah Saleha, do të shtrojnë banket shtetëror në nder të vizitës  së presidentes dhe zotërisë së parë.

Gjatë kësaj vizite, në Universitetin e Brunei Darussalam, presidentja Osmani do të flasë para korit diplomatik, studentëve dhe stafit akademik. Në Brunei Darussalam, presidentja Osmani do të takohet dhe me anëtarë të tjerë të familjes mbretërore dhe të kabinetit qeveritar, si dhe do të vizitojë edhe disa nga monumentet më të njohura kulturore të këtij shteti./ KultPlus.com

Muzeu “Marubi”, destinacion i preferuar për turistët

Muzeu “Marubi” në Shkodër ka hyrë në listën e vendeve që duhen vizituar për turistët në këtë qytet ndërsa tashmë është edhe pjesë e kujtesës botërore të UNESCO-s.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky muze mbushur me vizitorë.

“Marubi, një destinacion i preferuar për vizitorët tashmë pjesë e Regjistrit Ndërkombëtar të UNESCOs, Memory of the World!’, shkruan Gonxhja.

Arkiva e negativëve, objekteve dhe dokumenteve të Pietro dhe Kel Marubit është shpallur pjesë e Regjistrit Ndërkombëtar të Kujtesës së Botës nga UNESCO, duke e renditur kështu ndër trashëgimitë më të çmuara të njerëzimit.

Programi “Memory of the World” i UNESCO-s synon të ruajë dhe promovojë dokumentet më të rëndësishme të historisë njerëzore në të gjithë globin./ KultPlus.com

Apeli pezullon vendimin për rinisjen e punës së VOA

Gjykata e Apelit në Uashington më 3 maj miratoi pezullimin e vendimit të shkallës së parë në rastin që përfshin gazetarët e Zërit të Amerikës (VOA), duke bllokuar përkohësisht urdhrin që kërkonte rikthimin e tyre në punë dhe vazhdimin e financimit për transmetuesit ndërkombëtar, të financuar nga Shtetet e Bashkuara.

Më herët gjatë ditës, organizata joqeveritare Reporterët pa Kufij dhe një gazetar i VOA thanë se Departamenti amerikan i Drejtësisë kishte njoftuar se kjo media mund të riniste punën javën e ardhshme.

Këshilltarja e lartë e administratës së presidentit, Donald Trump, për Agjencinë e SHBA-së për Media Globale (USAGM) – që mbikëqyrë Zërin e Amerikës –, Kari Lake, e quajti vendimin e Apelit, “fitore të madhe” për administratën amerikane.

VOA, që është transmetues i financuar nga shteti amerikan, ka audiencë ndërkombëtare dhe është mbyllur që kur Trump urdhëroi Agjencinë e SHBA-së për Media Globale (USAGM), që mbikëqyrë VOA dhe transmetues të tjerë – përfshirë Radion Evropa e Lirë –dhe gjashtë agjenci të tjera federale që të ulnin në minimumin e kërkuar nga ligji punën e tyre.

“Një avokat i Departamentit të Drejtësisë i ka dërguar një email avokatit tonë, David Seide, për ta informuar që USAGM pret që stafi i VOA të mund të nisë ‘rikthimin me faza’ në punë dhe transmetimi të rinisë javën e ardhshme”, tha më herët gjatë së shtunës, gazetari i VOA, Steve Herman në një postim në X.

Organizata joqeveritare Reporterët pa Kufij tha se avokatët e tyre, së bashku me ata të Zërit të Amerikës, ishin njoftuar nga Departamenti i Drejtësisë se punëtorët e transmetuesit do të lejoheshin që të ktheheshin në punë.

Më 21 mars, VOA ngriti padi ndaj administratës Trump, duke argumentuar se lëvizjet e administratës për mbylljen e transmetuesit ishin të paligjshme.

Më pas, USAGM dërgoi në pushim më shumë se 1.000 punonjës dhe ndërpreu kontratat me rreth 600 bashkëpunëtorë, duke e detyruar VOA, që për herë të parë që nga themelimi më 1942, të ndalë transmetimin.

Padi ndaj USAGM ka ngritur edhe Radio Evropa e Lirë, për të “shmangur dëmin e pariparueshëm” ndaj transmetuesit për shkak të mbajtjes pezull të grantit – të miratuar nga Kongresi – si pjesë e përpjekjeve të USAGM-it për të ndërprerë financimin e REL-it.

Më 2 maj, Gjykata e Apelit në SHBA lëshoi një vendim për pezullimin e përkohshëm të vendimeve paraprake gjyqësore dhe duke lejuar administratën Trump që përkohësisht të ndalë financimin për REL-in dhe transmetuesit e tjerë.

Ky vendim, sipas gjykatësve të Apelit, u mor në mënyrë që të ketë mundësi të shqyrtohen kërkesat e paraqitura nga Departamenti i Drejtësisë në emër të USAGM.

Vendimi i Apelit erdhi disa ditë pasi një gjykatës federal urdhëroi USAGM-in t’i lëshojë REL-it fondet për muajin prill.

USAGM është agjenci e pavarur qeveritare që mbikëqyrë REL-in, Zërin e Amerikës dhe transmetues të tjerë të financuar nga SHBA-ja, që së bashku transmetojnë lajme dhe informacione në pothuajse 50 gjuhë për rreth 361 milionë persona në javë./REL/ KultPlus.com